• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

Fuqitë Europiane, Nacionalizmi Arab dhe krijimi i shteteve arabe

October 25, 2023 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/

Kriza Lindore që u karakterizua nga dobësimi i Perandorisë Osmane, në shekullin e 18-të dhe fuqizimi i fuqive të reja europiane si Franca dhe Britania e Madhe shtojë interesimin e këtyre ndaj zonës së Lindjes së Mesme. Britania e Madhe, nga ana e saj, për realizimin e planeve të veta, përkrahu lëvizjen fetare dhe politike të Vehabizmit, lëvizje e themeluar nga Muhamed Abdul Vehabi(1703-1791), për dy arsye:
Se pari, duke qenë se kjo ishte një lëvizje fetare me mendime ekstremiste dhe radikale, solli përçarje në mes myslimanëve arabë.
Se dyti, kjo lëvizje synonte shkëputjen nga Perandoria Osmane dhe krijimin e shtetit islamik, Saudit.
Krahas lakmisë Britanike, nga ana tjetër, në vitin 1798 Napolon Bonapardi ndërmori një ekspeditë në Egjipt, ku nuk arriti asnjë rezultat dhe u detyrua të kapitullonte përpara sulmeve të forcave të përbashkëta Anglo-Osmane në gusht të vitit 1801. Pavarësisht se në Francë ai e paraqiti veten si triumfator, vetëm për imazhe.
Në qershor të vitit 1802 u nënshkrua Traktati i Amienit, në të cilin u vendos që Egjiptit ti rikthehej sovranitetit Osman. Britania e Madhe, nga ana e saj, në vitin 1807 pushtoi përkohësisht Aleksandrinë, por dështoi në pushtimin e Egjiptit.
Pas Kongresit të Vjenës (1815), filloi një bashkëpunim në politikën ndërkombëtare ndërmjet Francës, Britanisë së Madhe dhe Fuqive të tjera Evropiane në kuadër të Koncertit të Evropës. Rezultat i këtij bashkëpunimi ishte angazhimi sidomos i Francës dhe Britanisë në problemin e pavarësisë së Greqisë dhe në pranimin e pushtimit të Algjerisë nga Franca në vitin 1830. Gjithashtu Franca në vitin 1881 pushtoi Tunizinë dhe Marokun.
Britania e Madhe, nga ana tjetër, në vitin 1840 nënshkroi me Turqinë “Traktatin e Londrës”, në bazë të cilit Jemeni kalonte nën kontrollin e saj. Ky traktat i dha dorë Britanisë për të zgjeruar zonën e influencës së saj në Gadishullin Arabik.
Në vitin 1880 u vu nën kontrollin britanik edhe Bahrejni. Dy vite më vonë, 1892 sunduesi i Abu Dhabit firmosi një marrëveshje me Britaninë, në të cilën u vendos që ai nuk do të hynte në marrëdhënie me shtetet e tjera pa marrë pëlqimin e saj. Britania, nga ana tjetër e ndihmoi për zgjerimin e sundimit të tij me Dubain dhe disa vende të tjera. Të njëjtën marrëveshje, Britania e Madhe nënshkroi, në Janar të vitit 1899 dhe me Sheikun e Kuvajtit.
Britania në rivalitet me Francën për kontrollin e Kanalit të Suezit në 13 gusht të vitit 1882, zbarkuan në Egjipt me kërkesën e mbretit Teufik. Por, pavarësisht se ishin të pushtuara, shumica e territoreve arabe vazhdonin të qëndronin nën sovranitetin e Perandorisë Osmane, si pjesë e Khalifatit Islam.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, kërcënuar nga ambicia Ruse dhe Gjermane për Mesdheun, Britania e Madhe preferoi si zgjidhje më oportune të përkrahte dhe të mbronte lëvizjen e nacionalizmit arab. Qëllimi ishte që të ruante interesat e veta, duke treguar gadishmërinë e saj për njohjen e pavarësisë së arabëve.
Themeluesi i lëvizjes nacionaliste arabe ishte Nexhib Azuri. Në vitin 1904 në Paris ai botoi librin me titull “Lindja e Nacionalitetit Arab”. Më tej formoi edhe një shoqatë nën emrin “Liga Arabe”. “Liga Arabe” botoi revistën mujore të quajtur “Pavarësia Arabe”. Botimin e kësaj reviste ai e bënte në bashkëpunim të ngushtë me francezin, Eugene Jung, i cili shkruajti dhe librin, “Revolta Arabe”. Në këtë libër ai nënvizonte: dallimet racore, politike dhe kulturore ndërmjet arabëve dhe turqve; ngjarjet që kishin të bëjnë me superioritetin e arabëve ndaj turqve dhe nevojen për ndarjen e arabëve nga Perandoria Osmane.
Revolta e Sherif Huseinit, kundër turqve ishte pasojë e mbeshtetjes së drejtpërdrejtë të Britanisë. Ndërmjet Huseinit dhe gjeneralit anglez Kichner u vendos një komunikim i drejtperdrejte. Ai i premtoi mbështetje të plotë përpjekjeve arabe për pavarësi, si dhe u angazhua që khalifati i muslimanëve të transferohet prej turqve tek arabët. Ndërsa Sherifi Huseini u zgjodh në postin e Khalifit të ri. Gjenerali anglez Mc Mahon i dërgoi një letër Sherif Huseinit, ku theksonte se: “Sherifi Husein është faktori vendimtar në luftën për pavarësi të popullit trim arab”. Më 10 qershor 1916 nën udhëheqjen e Sherif Huseinit, filloi kryengritja kombëtare arabe e ndihmuar me armatim, municion, si dhe me përkrahjen e gjerë politike të Britanisë. Këshilltari kryesore i kryengritësve, të cilët i udhëhiqte djali i Sherifit, Feisali Huseini ishte guvernatori anglez, T. E. Lawrence, i njohur ndryshe dhe si ”Lorenci i Arabisë”. Kështu përfundoi lufta e arabëve për pavarësi, që u nxit nga nacionalizmi, e që ishte nën mbrojtjen ushtarake të Britanisë.
Ndërsa Franca dhe Britania e Madhe i nxitnin arabët në luftë për pavarësi, ato përgatitën terrenin për ndarjen e territoreve arabe dhe për krijimin e Izraelit, me marrëveshjen e Sykes-Picot dhe me deklaratën e Balfourit.
Konferenca e San Remos, e mbajtur në prill të vitit 1920, vendosi:
Të kalonte nën mandatin e Francës, Algjerin, Tunizin, Marokun, Sirinë dhe Libanin,
Të kalonte nën mandatin e Britanisë së Madhe, Egjiptin, Sheikatet e Gjirit Persik, dhe Irakun.
Të kalonte nënë mandatin e Italise, Libinë.
Mirpo ngjarjet rrodhen shumë shpejtë. Vetëm dy vjet më vonë, në 28 shkurt të vitit 1922, Britania, nënshkroi me nacionalistët egjiptianë pavarësinë e Egjiptit. Sipas marreveshjes dypaleshe mbrojtja e Egjiptit do të vazhdonte të ishte nën Britaninë. Ajo nga ana e saj do të vazhdonte të kontrollonte rrugët e komunikimit, në veçanti Kanalin e Suezit.
Në vitin 1930 u nënshkrua traktati Anglo-Irakian, ku Britania e njihte pavarësinë e Irakut, duke ruajtur praninë e trupave britanike. Ndërkohë që u shpall e pavarur dhe Arabia Saudite. Kurse Franca njohu shtetin e Sirisë, dhe në rajonet bregdetare të tij, ku jetonte shumica kristiane, krijoi shtetin e Libanit. Algjeria, Maroku dhe Tunizia ishin koloni pa të drejta.
Pas luftes së Dytë Botërore, SHBA-ja kishte interesat e saj në zonën aziatike, BS në Europën Lindore. Kështu zona arabe u la nën influencën e Britanisë së Madhe dhe Francës të cilat kishin eksperiencë të gjatë në çeshtjen arabe, por që dalngadalë po e humbisnin ndikimin e tyre në këto vënde, të cilat filluan të kërkojnë pavarësine nga fuqitë koloniale.
Popujt Arabë u hodhën në revolta, të cilat morën herë forma kulturore e herë forma politike-luftarake. Qëllimi i këtyre lëvizjeve ishte krijimi i shteteve të tyre dhe shkëputja nga sistemi protektorial, në të cilin i kishin vënë Britania dhe Franca. Me këto levizje të fuqishme popujt Arabë ia arritën qëllimit.
Përveç Arabisë Saudite, në shumicën e vendeve arabe dhe të disa shteteve të tjera të Gadishullit Arabik, të cilat ishin të mbështetur në fuqitë perëndimore qeverisja ra në duart e nacionalistëve. Shumë herë këto grupe u përplasën me njëri-tjetrin. Këto përplasje u shfrytezonin nga vënde të tjera për pasuritë natyrore të Lindjes së Mesme. Në atë rajon ndodhet rreth 68% e sasisë nëntokësore të naftes për të gjithë botën.
Pavarësin nga Perëndimi arabët e njësojn me problemin e Izraelit, duke marrë pamje antisemite. Për Arabet, Izraeli është “sateliti i SHBA-s” në Lindjen e Mesme. Kështu, në botën arabe fryma antiperëndimore njësohet me frymën anti’isrealite. Pothuajse në të gjitha shtetet arabe të Lindjes së Mesme zgjidhja e çështjes së Palestinës përbën qëllimin kryesor të politikës së tyre të jashtme. Palestina është kauza e përbashkët e arabëve.
Që në muajin e parë të krijimit të Shtetit të Izraelit (1948), arabët jo vetëm nuk e mirëpirtën atë, por i shpallën luftë. Izraelitët nga ana e tyre tejkaluan vendimin e OKB-së për krijimin e tij vetëm në ½ e territorit të Palestinës, ndërkohë ata okupuan mbi 2/3 e territoreve palestineze.
Konflikti arabo-Izraelit mund të përmblidhet në katër luftra kryesore të mëdha:
Lufta e viteve 1948-1949. Në atë luftë arabët e Lindjes së Mesme sulmuan Izraelin dhe dështuan sepse Izraeli kishte armatim më të modernizuar se arabët.
Kriza e Kanalit të Suezit, ku izarelitët u përfshinë kundër Egjiptit. Në këtë luftë doli fitimtar Egjipit i udhehqur nga Nasseri.
Lufta e Gjashtë Ditëve. Në 5 qershor të vitit 1967, Izraeli në befasi të plotë sulmoi Egjiptin, Sirinë dhe Jordaninë, gjatë së ciles Izraeli pushtoi gjithë Gadishullin e Sinait, Rripin e Gazës, lartësitë Golan, Bregun Perëndimor të lumit Jordan dhe pjesën lindore të Jeruzalemit. Kjo luftë solli si pasojë krizën ekonomike të vitit 1972 për Europën, pasi arabët disa muaj mbas kësaj lufte vendosën embargo në eksportin e naftës, për shkak se akuzonin perëndimin se nuk mori masa ndaj Izraelit.
Në vitin 1973 Egjipti me Sirinë sulmuan Izraelin, si hakmarrje për humbjen e vitit 1967, ku pati shume viktima nga të dy palët. Presidenti i Egjiptit, Sadati e kuptoi se nga luftrat me Izraelin, Egjipti nuk kishte asnjë përfitim dhe që atëherë vendosi të ndjekë politikën e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit. Kjo armiqësi me Perëndimin dhe Izraelin, por dhe fenomene të tjera shoqërore e historike, kishin si pasojë zhvillimin e fanatizimit antiperëndimor dhe anti`izraelit në vendet arabe, pasojat e të cilit nuk po i vuajnë vetëm ato, por dhe pjesa tjetër e globit.
Ndërkohë konfliktet dhe luftimet midis Izraelit dhe Palestinezëve, Izraelit dhe organizatave terroriste kanë vazhduar dhe po vazhdojnë. Ky konflikt vertitet rreth qarkut të mbullyr nga pikpmja negociatore. Palestinezët kërkojnë terriotre për të fituar siguri. Izraelitët kërkojnë garanci sigurie për të liruar territoret.
Në vitin 1990 me ndermjetësimin e Presidentit Klinton u arrit një marveshje ndërmjet Arafatit(Palestinë) dhe Rabin(Izrael), ku zona perendimore e Bregut të Gazës u njoh si zonë palestineze dhe do të vetadministrohej nga ata. Disa vite më vonë u krijua Hamasi, që në vitin 2006 do fitonte zgjedhjet në Gaza dhe në vitin 2007 do dëbonte me forcë përfaqësuesit palestinez.
Izraeli mban të pushtuar Bregun Perëndimor, megjithëse është tërhequr nga Gaza, OKB këtë zone e konsideron ende si territor të pushtuar. Izraeli pretendon se Jerusalemi është i gjithi kryeqyteti i tij, ndërsa palestinezët pretendojnë se, Jerusalemi Lindor është kryeqyteti i shtetit të ardhshëm palestinez. ShBA dhe një numër i vogël shtetesh, janë të vetmit që njohin pretendimet e Izraelit mbi qytetin e Jerusalemit. Palestinezët nga ana e tyre thonë se; në Gaza dhe Bregun Perëndimor po vuajnë për shkak të veprimeve të shtetit të Izraelit, ndërsa autoritetet e Tel-Aviv thonë se veprojnë vetëm për vetëmbrojtje. Tensionet mes palëve përshkallëzohen here pas here. Gaza drejtohet nga grupi militant palestinez, Hamas, i cili ka kryer disa herë luftime me shtetin e izraelit, siç ishte edhe sulmi i fundit. Izraeli dhe Egjipti kontrollojnë kufirin e Gazës për të mos lejuar që Hamasi të marrë armatime.
Procesi është acaruar në shkallën më të lartë, shpesh me aksione mjaft të rënda dhe përmasa tragjike në terrenin, me rrezikshmëri të lart dhe me tendënca të zgjerohet edhe më gjërë në botën arabe.
Ka disa çështje mbi të cilat Izraeli dhe Palestina nuk mund të jenë në një mendje. Ku ndër më kryesoret janë; e ardhmja e refugjatëve palestinezë, qëndrimi apo largimi i hebrenjve të vendosur në Bregun Perëndimor, ndarja e Jerusalemit dhe a duhet të kenë palestinezët shtetin e tyre, përkrah atij të Izraelit.
Plani më i fundit i paqes, i hartuar nga ishpresidenti Donald Trump dhe i quajtur prej kryeministrit izraelit Benyamin Netanyahu si “marrëveshja e shekullit”, është hedhur poshtë nga palestinezët si e njëanshme dhe nuk u vu kurrë në zbatim. Kjo zonë, sipas gjithë eksperteve të krizave dhe analisteve të çeshtjeve ndërkombëtare përbën një nga konfliktet rajonale me serioze dhe kërcënuese ndërkombëtare, nëse SHBA-ja dhe Perendimi nuk e marrin seriozisht zgjidhjen përfundimtare të sajë, me shumë gjasa, zgjidhja do të vonojë.
Çdo marrëveshje e ardhshme do të duhet të marrë pëlqimin e të dyja palëve dhe t’i japë zgjidhje disa çështjeve të ndërlikuara. Deri sa kjo të ndodhë, konflikti do të vijojë.

Photo by: https://www.cer.eu/insights/europe-and-gaza-conflict

New York, Tetor 2023

Filed Under: Sociale Tagged With: Gëzim MUSTAFAJ

“Muzika dhe Epoka”

October 25, 2023 by s p

Akademik Vasil S. Tole/

Është një rast i mbarë që në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së dirigjentit dhe kompozitorit Simon Gjoni, promovojmë këtu, në Akademinë e Shkencave, librin “Muzika dhe Epoka”, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së tij, i shkruar nga Andis Gjoni, i biri i kompozitorit.

Duke i uruar mirëseardhjen familjes Gjoni, znj. Gjoni dhe djalit e autorit Andis, si dhe kolegëve muziktarë dhe jo vetëm, dëshiroj t’ju përcjell urimet më të mira të Kryesisë së ASH-së për festimet e merituara të 100-vjetorit të lindjes së Simon Gjonit, festime që përfshijnë disa veprimtari, si koncerti me vepra të zgjedhura me orkestrën simfonike të RTSH-së dhe një kast të njohur këngëtarësh, të drejtuar nga maestro Eno Koço, “Nderi i Kombit”, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ekspozita, si dhe ky promovim i librit “Muzika dhe Epoka”.

Simon Gjoni i përket brezit të krijuesve dhe muziktarëve që bënë historinë e muzikës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, një brez i ardhur nga ajo që konsiderohet “qarku muzikor i Veriut”, me qendër në qytetin emërmadh të Shkodrës. Pjesë e këtij brezi janë Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni, Tonin Zadeja Tonin Daija, Gjon Simoni, Gjon Kapidani etj.

Pikërisht për këto personalitete, një pjesë mbajtës të titullit akademik-Daija, anëtarë të një akademie shqiptare-Zadeja, ose të vlerësuar me titujt më të lartë artistikë të vendit tonë si Jakova, Harapi etj., këtu, në Akademinë tonë të Shkencave, me raste përvjetorësh si ky i z. Simon Gjoni, janë organizuar aktivitete nderimi e promovimi për ta dhe trashëgiminë e tyre.

Nga ana tjetër, e vërteta kërkon të thuhet se ndërsa për kompozitorë si Jakova, Zadeja, Harapi e ndonjë tjetër janë shkruar monografi e studime për jetën dhe krijimtarinë e tyre, jeta dhe krijimtaria e Simon Gjonit nuk ka qenë objekt i ndonjë libri të veçantë (pavarësisht botimeve me krijimtarinë e tij muzikore, edhe këto nën kujdesin e familjes), e, për pasojë, për të e krijimtarinë e tij është folur e shkruar më pak edhe pse fama e këngës “Lule borë” e ka shenjuar emrin e tij në disa breza shqiptarësh.

Nga sot, libri “Muzika dhe Epoka” do të fillojë të plotësojë një boshllëk që ishte krijuar në lidhje me njohjen sa më të mirë të jetës dhe krijimtarisë së Simon Gjonit, te muzikëdashësit dhe profesionistët e fushës. Unë e lexova librin dhe mund të pohoj se ai është shkruar me vërtetësi, mbështetur mbi fakte e dokumente, është shkruar me dashurinë e birit për babanë që kishte, pra në faqet e librit do të gjeni njëherazi, si autorin e paanshëm që shkruan historinë e jetës dhe veprës së artistit Simon Gjoni, po ashtu edhe ndjeshmërinë e djalit që shkruan me adhurim për babanë artist e krijues. Ky raport i dyanshëm mendoj se i ka bërë mirë librit, duke sjellë një ritëm të brendshëm në tekstin e librit që të bën ta lexosh me një frymë.

Libri ndjek parimin kronologjik, pra fillon me familjen, historikun e familjes Gjoni, me rrënjët e shtrira thellë në malësitë e Veriut, për të ardhur në Shkodër, aty ku u shpërngul familja e Simon Gjonit. Për të vazhduar me fëmijërinë e shkollimin e përgjithshëm, atë muzikor pranë françeskanëve të mëdhenj, aty ku Simoni është bashkë me kompozitorët e mëdhenj të së nesërmes. Vijon me krijimet dhe interpretimet e para të këngëve të tij, ndër to një vend të posaçëm zënë rrethanat e krijimit të kryekëngës “Lule borë”, për të vazhduar me shkollimin për dirigjim në Pragë, aktivitetin si dirigjent pas shkollimit pranë Teatrit të Operës dhe Baletit, orkestrës simfonike të RTSH-së dhe si pedagog pranë Institutit të Lartë të Arteve, sot UART, në Lidhjen e Shkrimtarëve etj. Një vend i veçantë i kushtohet kompozimeve, rrethanave të krijimit të tyre e sigurisht krijimit të familjes së tij të dashur, e cila po vazhdon të kujdeset për trashëgiminë e tij pas ndarjes nga jeta në mënyrë të parakohshme. Një katalog i plotë i krijimtarisë së Simon Gjonit ia shton vlerën këtij botimi.

Pa u zgjatur, pasi të tjerë folës që e kanë njohur nga afër do të shpalosin vlerat e z. GJONI, e uroj Andisin për këtë botim që i shtohet bibliotekës muzikore shqiptare, duke uruar që njohja e krijimtarisë së Simon Gjonit të vazhdojë edhe me publikime të tjera në të ardhmen.

Fjala qe Akademik Vaso Tole, mbajti sot ne promovimin e librit “ Muzika dhe Epoka”, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së dirigjentit dhe kompozitorit Simon Gjoni, i shkruar nga Andis Gjoni.

Filed Under: Kulture

INVESTIMI TE FËMIJËT SI INVESTIM PËR SHQIPTARINË E SË NESËRMES

October 25, 2023 by s p

Ardit Breznica pjesë e Shkollës Shqipe Chicago dhe Grupit Arbëria Chicago që nga viti 2008 rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kulturor në Chicago, nëpërmjet mësimit të valleve shqipe, kengeve e pjesëmarrjes në aktivitete kulturore e komunitare. Me Ardit Breznicën bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

INVESTIMI TE FËMIJËT SI INVESTIM PËR SHQIPTARINË E SË NESËRMES

Arsyeja më e madhe pse investoj kaq shumë kohë dhe kam një pasion të madh për mësimin e valleve është për të ruajtur identitetin shqiptar në Amerikë. Është e rëndësishme që të kujtojmë nga vijmë kulturisht dhe të mësojmë historitë dhe vlerat që sjell çdo valle. Dua që fëmijët të kenë një hapësirë për të mësuar, rritur, dhe argëtuar me njëri-tjetrin, ndërsa krijojnë kujtime të përjetshme. Më bën vërtetë lumur të shoh fëmijët të argëtohen, dhe kjo është çfarë përpiqem të bëj çdo herë që mësoj.

AKTIVIZIMI I RINISË SHQIPTARE NË DIASPORËN E AMERIKËS

Së bashku me identitetin, ruajtja e kulturës ndodh dhe lidhja ndodh përmes valles. Dëgjojmë muzikë tradicionale, mësojmë lëvizjet, dhe si u krijua vallet. Nëse ka histori, unë i mësoj ato histori fëmijëve. Të gjithë e duan. Kjo do t’i lidhë ata më ngushtë me komunitetin shqiptar që ata në fund do ta marrin në dorë dhe, me shpresë, do të vazhdojnë të ruajnë traditat që prindërit tanë i sollën nga Shqipëria. Unë shpresoj të vazhdoj të mësoj vallet për sa më shumë fëmijë në Illinois dhe, në fund të fundit, në të gjithë Shtetet e Bashkuara, kështu që të gjithë të mund të mblidhemi dhe të gëzojmë dashurinë tonë për Shqipërinë dhe diasporën e saj.

AKTIVITETET KULTURORE ME SHOQATËN USKANA

Për Shoqatën Uskana, përvoja ime e parë me ta ishte kampi më 16 shtator. Ishte një mundësi për mua të mësoja nxënësit rreth disa valleve tradicionale shqiptare ndërsa kalonim kohë të këndshme dhe të kënaqshme së bashku.

BASHKËPUNIMI ME SHKOLLËN SHQIPE TË ÇIKAGOS

Për Shkollën Shqipe, unë jam një nga instruktorët e valleve për programin Grupi Arbëria. Është një program ku isha pjesë e tij kur u themelua më shumë se 10 vite më parë. Është një program i konsoliduar i Shkollës Shqipe dhe vazhdon të operojë me sukses me shumë fëmijë të entuziazmuar.

AKTIVITETET KULTURORE NË RUAJTJEN E TRADITËS SHQIPTARE NË MËRGIM

Një nga mënyrat më të mira për të mbajtur gjallë traditën shqiptare është përmes valles. Ajo është themelore në kulturën shqiptare dhe është një nga pak gjërat që bashkon njerëzit. Duke përhapur këtë dashuri për vallet, unë shpresoj të mbaj gjallë kulturën shqiptare te fëmijët, që mund t’i ndajnë kur ata kthehen në Shqipëri dhe gjithashtu tek familjet e tyre të ardhshme.

KUSH ËSHTË ARDIT BREZNICA?

Jam 23 vjeç, dhe vij nga Chicago, Illinois. Aktualisht punoj si inxhinier i sigurisë së rrjetit. Kam qenë pjesë e Shkollës Shqipe Chicago dhe Grupit Arbëria Chicago që nga viti 2008. Pasioni im për vallet shqiptare filloi kur isha shumë i ri dhe vazhdon edhe sot. Shpresoj që duke mësuar vallet kulturore të sjell një ndjenjë të fortë identiteti në komunitetin shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

A PO PËRJETËSOHET E KEQJA E KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI?

October 25, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Ky vit shënon 40-vjet nga fjalimi – ndoshta ndër më të rëndësishmit e ish-Presidentit Ronald Reagan, (para Shoqatës Kombëtare të Protestantëve Amerikanë në qytetin Orlando të shtetit të Florida, me 8 Mars, 1983), mbi “perandorinë e së keqës”, duke iu referuar ish-Bashkimit Sovjetik. Jam përpjekur që edhe në të kaluarën ta kujtoj atë fjalim të famëshëm dhe historik të ish-presidentit Ronald Reagan, për rëndësinë që kishte atëherë e që ka edhe sot – katër dekada më vonë pas shembjes zrytare të komunizmit. Pasi ky fjalim konsiderohet, nga historianët e sotëm, si fjalimi që inkurajoi shumë lëvizje anti-komuniste anë e mbanë Evropës Lindore/Qendrore, që më në fund çuan në ndryshimet politike dhe rrëximin  komunizmit zyrtar ndërkombëtar në Evropën Lindore e Qëndrore, me shembjen e Murit të Berlinit në vitin 1989.  Frank SHKRELI/ 30-vjetori i fjalimit mbi perandorinë e së keqes dhe fuqia e së vërtetës | Gazeta Telegraf –

 40-vjetë më parë, një president i Shteteve të Bashkuara, për herë të parë, e kishte cilësuar ish-Bashkimin Sovjetik dhe ideeologjinë komuniste që ai përhapte anë e mbanë botës, si një “perandori të së keqës”, si një superfuqi që nuk ishte, thjesht, si një kundërshtare politike në nivel ndërkombëtar, por mbi të gjitha, dhe në thelb, ishte një regjim immoralm barbar dhe kriminal — përgjegjës për vrasjen e mbi 100-milionë vetave në Evropë dhe anë e mbanë botës. 

Fjalimi i ish-Presidentit Reagan ishte një shenjë e qartë për Amerikën dhe botën se, Shtetet e Bashkuara kishin marrë një qendrim të prerë moral se nuk do të toleronin më agresionin sovjetik komunist, anë e mbanë botës. Si rrjedhim, gjatë viteve që pasuan, Shtetet e Bashkuara shtuan ndihmat për forcat anti-komuniste, anë e mbanë botës, përfshir lëvizjet anti-komuniste në Evropë, siç ishte Lëvizja Solidarnost e puntorëve polakë, me në krye Lech Walesën.  Sivjet, këtu në Shtetet e Bashkuara, 40-vjetori i fjalimit historik i ish-presidentit Reagan mbi “perandorinë e së keqës”, është shënuar me ekspozita, dokumente, fotografi e tregime mbi Luftën e Ftohtë, mbi përpjekjet dhe luftën për shembjen e komunizmit ndërkombëtar 40-vjet më parë kur ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara Ronald Reagan në emër të demokracisë dhe të vlerave amerikane kishte vendosur të merrte një qëndrim të prerë moral mbi komunizmin – “moral clarity” — për të luftuar komunizmin dhe trashëgiminë e tij deri në zhdukje — duke thenë se nuk mund të kishte “détente” as bashkjetesë me një regjim dhe ideologji kriminale që kishte pushtuar botën për disa dekada.

40-vjetori i fjalimit të Presidentit Reagan mbi “perandorinë e së keqës”, duke iu referuar ish-perandorisë komuniste sovjetike, përveç se kujtohet nga përspektiva historike duhet të jetë, njëkohësisht, edhe pjesë e eksplorimit të pasojave të komunizmit dhe trashëgimisë së kësaj ideologjie imorale, barbare e kriminale, edhe në ditë e sotëme.  Ndërsa shumica e ish-vendeve komuniste të Evropës lindore e qendrore – sot anëtare të Nato-s dhe të Bashkimit Evropian –  kryesisht, i kanë luftuar dhe vazhdojnë t’i luftojnë pasojat e komunizmit në shoqëritë e tyre, ndërsa janë distancuar nga e kaluara e tyre komuniste dhe ndërkohë që kanë dënuar, zyrtarisht, krimet e “perandorisë të së keqës” komuniste sovjetike dhe të regjimeve të tjera komuniste – Shqipëria aktuale, 40-vjetë pas fjalimit të famshëm të Presidentit Ronald Reagan dhe 30 e sa vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit – nuk e shqetësohet fare as nga e kakzara e saj enevriste, as nga krimet e komunizmit të regjimit të Enver Hoxhës.  40-vjet pas paralajmërimit të Presidentit Ronald Reagan mbi të këqiat e komunizmit në botë Shqipëria, jo vtëm që nuk përballet me të kaluarën e saj komuniste dhe as nuk dënon krimet e komunizmit, siç ka bërë shumë heret shumica e ish-botës komuniste, sdiomos në Evropë. Përkundrazi, Shqipëria u duk ditët e fundit – jo vetëm një vend i Evropës që nuk është përballur me të kaluarën e saj kriminale të komunizmit dhe as që ka dënuar të këqiat dhe krimet e komunizmit në territorin e vet.  Në vend të kësaj, Shqipëria e sotëme duket se po përpiqet të mos i bashkohet botës së qytetëruar duke dënuar krimet e komunizmit – por po punon seriozisht dhe me vendomsëri për të ruajtur dhe për të përjetësuar trashëgiminë dha pasojat e komunizmit të regjimit diktatorial enverist në jetën e përditshme politike, shoqërore dhe kulturore të vendit, duke filluar nga politika, drejtësia, akademia, shkollat dhe universitetet…

Gjatë takimit të nivelit të lartë të liderëve të rajonit dhe udhëheqësve të Bashkimit Evropian (BE), në Tiranë, kohët e fundit, pjesë e samitit historik të Procesit të Berlinit, autoritetet më të larta zyrtare të Tiranës u folën mysafirëve të vet me krenari për objektet e diktatorit — për “piramidën e Enverit”, për “vilën e Enverit”, madje në ditëlindjen diktatorit, se si këto objekte tani po “këthehen” në përdorime të dobishme për Shqipërinë, madje për botën – për “atistët botërorë” të cilët do përdorin vilën 31 të Enverit, për të bërë vepra arti, pikërisht në shtëpinë ku planifikoheshin vrasje, krime kundër njerëzimit dhe barbarizma kundër shqiptarëve, kundërshtarë të keqës komuniste.  Po “shëndërrohen” në qendra arti e teknologjie për brezat e ardhëshëm, “si një mesazh domethënës i triumfit të lirisë mbi shtypjen, i së ardhmes mbi të shkuarën”, u shpreh Kryeministri Rama, me atë rast.  

Në mendimin tim dhe në mendimin e shumë shqiptarëve, objektet e pagëzuara me emrin e diktatorit, si “vila e Enverit” ose “piramida e Enverit”, nuk do të përçojnë kurrë mesazhin “e triumfit të lirisë dhe shtypjes”, siç deklaroi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama para mysafirëve të lartë evropianë në Tiranë disa ditë më parë.  Këto objekte, do të njihen siç njiheshin në kohën e Enverit edhe gjatë regjimit komunist, “të Enverit”. Si rrjedhim, emri i diktatorit komunist do kujtohet nga brezat e ardhëshëm, kurdo që të përmendet vila e tij dhe piramida – gjoja si qendra arti e teknologjie. Unë e shoh këtë propapagandë të flliqtë nga autoritetet e Tiranës zyrtare, që iu servir evropianëve gjatë vizitës së tyre ë Tiranë — si një përpjekje të dëshpëruar nga ana e tyre për të zbutur kujtesën ndaj të kaluarës komuniste dhe krimeve të Enver Hoxhës për pothuaj një gjysëm shekulli në Shqipëri. Në të vërtetë, është një mesazh i qartë IMORAL se shëndërrimet e objekteve të Enver Hoxhës, në qëndër të Tiranë, në objekte arti e teknologjie – nuk i shërbejnë as lirisë as demokracisë dhe nuk janë mesazhe të triumfit të lirisë mbi shtypjen, siç pretendoi Kryeministri i Shqipërisë.  Por është një vërtetim i qëndrimeve IMORALE të kësaj klase politike dhe drejtësie të re shqiptare, që 40-vjet pas paralajmërimit të ish-Presidentit amerikan, Ronald Reagan mbi perandorinë e së keqës komuniste sovjetike dhe pas 30-e ca viteve të shembjes së Murit të Berlinit – që Shqipëria, në të vërtetë, po përejtëson atë të keqe komuniste, kriminale duke u përpjekur ta zbutë kujtesën e komunizmit – një sistemi politik një partiak të dështuar dhe një ekonomie, gjithaahtu të dështuar dhe të korruptuar.

Vendimi i autoriteteve shqiptare në Tiranë për të shëndërruar ish-objektet e Enverit në objekte arti, teknologjie dhe kulture nuk është një qëndrim MORAL i prerë, për t’u distancuar, njëherë e mirë nga e kaluara komuniste dhe nga krimet e Ever Hoxhës — para Kombit shqiptar dhe para Evropës – por është një zbutje e asaj kujtese të tmershme për shumë shqiptarë, që në të vërtetë paraqet një dështim MORAL dhe një mungesë karakteri.

Morali dhe karakteri i atyre që e quajnë veten liderë të një vendi ose kombi – pasi udhëheqës ka pak në këtë botë – janë karakteristika të rëndësishme sepse përcaktojnë të tashmen dhe të ardhmen e një Kombi. Veprat dhe fjalët e juaja, gjatë 33 viteve të ashtuquajtur post-komunizëm, tregojnë se ju, si klasë politike e atij vendi, pa dallim, kini vendosur që në përjetësi të kujtohet Enver Hoxha në Shqipëri. U lumtë, t’a gëzoni!

A stone building with a statue in front of it

Description automatically generated

PS- Oh, gati harrova. Pasi qenkeni në këtë gjëndje të gëzueshme shpirtërore për të rinovuar objekte të diktatorit, deshta t’u kujtoj autoriteteve të Tiranës se pasi qenkeni të gatëshëm të bëni rinovime të objekteve të Enver Hoxhës për qëllime arti e kulture, e të cilat i njoftuat, pikërisht, në ditëlindjen e Enverit – a ka mundësi që nëse kini fonde shtesë nga rinovimi i objekteve të Enverit – qoftë edhe nga ndihmat e fondacionit prestigjioz francez “Art Explora – t’i ndani mënjanë ca lekë për shtëpinë e Gjergj Fishtës. 

Jam i vetdijshëm se gjatë tre dekadave të fundit të tranzicionit post-komunist, klasa politike shqiptare ka ruajtur një distancim të madh nga At Gjergja Fishta dhe veprat e tij, por jo nga e kaluara komuniste dhe nga krimet regjimit enverist.Megjithëkëtë, sa për informacion, po ju kujtoj se ditëlindja e Fishtës ishte me 23 Tetor. Po ua them këtë vetëm si kujtesë, nëqoftse dëshironi ta përdorni ditëlindjen e Poetit Kombëtar, si shkak për të bërë ndonjë punë të mbarë për Kombin shqiptar!

Frank Shkreli

A person standing at a podium with a crowd of people sitting on the stage

Description automatically generated
A person speaking at a podium

Description automatically generated

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

Shqiptarët e Staten Island në mbështetje të këshilltarit David Carr

October 25, 2023 by s p

Naser Nika/

Ne dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt për secilin prej jush që u bashkuat me ne sonte në darkën në mbështetje të këshilltarit David Carr, duke shërbyer si zëri për popullin e Staten Island. Prezenca juaj dhe kontributet bujare kanë pasur vërtet një ndikim të rëndësishëm.

Duke u bashkuar në këtë ngjarje, ne kemi treguar jo vetëm solidaritetin tonë të palëkundur, por edhe angazhimin tonë të përbashkët për të punuar krah për krah me këshilltarin Carr për të adresuar nevojat dhe shqetësimet e komunitetit tonë. Prania juaj shërben si një testament i fuqishëm për faktin se ne të gjithë përpiqemi për një të nesërme më të mirë dhe se njohim rëndësinë e bashkëpunimit dhe unitetit në arritjen e qëllimeve tona.

Nëpërmjet kontributeve tuaja në këtë iniciativë për mbledhjen e fondeve, këshilltari Carr do të jetë në gjendje të vazhdojë përpjekjet e tij të palodhshme për t’i shërbyer komunitetit tonë, duke trajtuar sfidat që na presin dhe duke zbatuar strategji për ndryshime pozitive.

Përkushtimi i këshilltarit Carr ndaj shërbimit publik dhe pasioni i tij i palëkundur për të avokuar në emër të zgjedhësve të tij na frymëzon të gjithëve. Duke investuar në vizionin e tij për një të ardhme më të mirë, ne po investojmë në mirëqenien kolektive dhe avancimin e komunitetit tonë.

Edhe një herë, ne shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për të gjithë ata që morën pjesë në darkën e sotme, pavarësisht nëse keni dhuruar, ndarë mendimet tuaja ose thjesht keni treguar mbështetjen tuaj. Secili prej jush ka dhënë një kontribut domethënës në rrugëtimin tonë kolektiv drejt progresit dhe ndryshimit pozitiv.

Le të vazhdojmë të qëndrojmë krah për krah, duke ngritur zërin tonë dhe duke punuar pa u lodhur për të ndërtuar një të ardhme edhe më të begatë dhe harmonike për Staten Island.

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT