• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

RREZIQE TË RINJ, PROVA E PARISIT

October 23, 2023 by s p

Nga ALDO CAZZULLO – “Corriere della Sera”, 19 tetor 2023  – Përktheu: Eugjen Merlika     

Një luftë në bregun lindor nuk mund të mos pasqyrohet në gjithë Mesdheun. Hapet balli evropian i krizës. E Vëndi kyç është Franca. Dhjetë aeroporte të mbyllura. Pallati mbretëror i Versajës i zbrazur tri herë nga alarmi terrorizëm, ashtu sikurse edhe Luvri. Mësuesi i Arras-it i goditur me thikë nga një terrorist islamik. Ndalimi I manifestimeve pro-Palestina. Ambasadat e kryeqyteteve të ish perandorisë koloniale, nga Tunizi në Beirut, të rrethuara nga manifestuesit; mbas grushteve të shtetit kundërfrancezë në Shtetet afrikanë, në të cilët ushtria kishte ndërhyrë për të luftuar Isis-in. Shënjat janë të gjitha. E gjëndja politike është po aq serioze.

Emmanuel Macroni ka në shtëpi gjashtë milionë myslimanë, shumë prej të cilëve mjaft të zemëruar për hesap të tyre, siç është parë në këtë verë me kryengritjen e rrethinave. Dhe ka një të djathtë skajore, ndërmjet Le Pen dhe Zemmour, përtej 30%. Mos të tallemi: mund të jenë edhe sovranistë (a thua se Macroni nuk është) dhe kundër globalistë; por karburanti i Marinës e i partisë së Erik Zemmour-it – që jo rastësisht quhet Ripushtim – është imigracioni, veçanërisht ai islamik.

E majta është e ndarë: socialistët kanë prishur aleancën me Jean-Luc Mélenchon, kundër perëndimor I bindur, që nuk pranon t’a quajë Hamasin një grup terrorist.

Një fitore e Marine Le Pen mbas tre vite e gjysmë do të ishte një shpërthim përfundimtar, veç fundit të Bashkimit Evropian. Kërkimi i një tjetër Macroni, në të djathtën republikane ose ndërmjet reformistëve, nuk është një gjë e lehtë: trashëgimtari i caktuar dukej se ishte kryeministri Eduard Filipi, por një sëmundje që e ka bërë të bardhë e pa qime i ka minuar, nëse jo fizikun, përfytyresën publike. Por piskama nuk është 2027, është e sotmja.

Makroni ka ndaluar manifestimet për të shmangur skenarë të luftës civile. Por kjo masë është edhe shenjë dobësie. Policia franceze është e stërvitur me sheshet. Në këta raste rrjeshtimet lejohen, përkufizohen, lihen të shfryjnë. Nëse ndalohen është sepse nuk ka siguri kontrollimi.

  Bashkësia hebraike franceze, shumë më e gjërë se ajo italiane, ka frikë. Prej kohësh ka filluar dyndja drejt Izraelit. E megjithë se ka shprehur një kryeministër – Larent Fabius – një ministër Ekonomie – Dominique Strauss – Kahn, që pa skandalin seksual do të ishte bërë president – dhe intelektualë të një prestigji të pamasë, nga Claude Lévi-Strauss tek André Glucsmann, po ndjehet gjithënjë e më shumë e lënë mënjanë nga Republika.

Islami francez  është I vështirë të deshifrohet. Nuk ka më një kryetar. Njëherej për t’a kuptuar shkonje në Xhaminë e Madhe të Parisit, të ndërtuar në stilin e Marrakeshit si një shpërblim për ushtarët myslimanë të rënë në luftën e parë botërore, pastaj strehë e sigurtë për qindra hebrej  sefarditë gjatë pushtimit nazist, e të ofronin një çaj me mente nga rektori Dalil Boubakeur, që sapo kishte qënë në Elize e përforconte miqësinë së pari me Mitterrandin pastaj me Chirakun (më shumë me të dytin se me të parin: Dalil Boubakeur ishte një votues i madh i së djathtës, ndërsa i ati Hamza, i lindur në një oaz të Saharasë algjeriane dhe rektor para tij, ishte socialist). Kur mbas Bataclanit shkuam të flasim me rektorin e xhamisë së Corcouronnes, periferia nga vinte njëri ndër masakruesit – i njohur nga një pjesë e gishtit tregues të majtë – gjetëm përballë një poncpilat që ngriti duart duke thënë: “Nuk kam qënë un që kam radikalizuar vrasësit, por një imam shumë më I fuqishëm”. Kush? “Imami Google”. Donte të thonte se propaganda e terrorit ose dhe vetëm e urrejtjes kundërperëndimore udhëton në Rrjetet.

Parisi tragjikisht është mësuar me terrorin islamik. Mbrëmjen e së premtes tre tetor 1980, në fillim të Shabbatit, një bombë vrau katër hebrenj në sinagogën e rrugës Kopernik; proçesi është nisur vetëm këtë vit e i pandehuri i vetëm Hasan Diab, ka ikur në Kanada. Më 9 gusht 1982, në orën e drekës, një grup i Abu Nidalit hodhi një granatë në restorantin hebraik më të famshëm të Marais, Jo Goldenberg, e pastaj hapi zjarr: gjashtë të vdekur, 22 të plagosur; sot n’atë vënd është një dyqan xhinsesh. Më 17 shtator 1986 një bombë përpara një magazine të madhe të Montparnasse lë shtatë të vdekur e 55 të plagosur. Në verën e vitit 2005, e para e Shirakut president, Gia algjeriane shkaktoi viktima në Harkun e Triumfit në sheshin e Bastijës, për të ndëshkuar mbështetjen franceze Algjerisë laike që me çmimin e shumë gjaku ka shtypur Algjerinë integraliste.

Më 19 mars 2012 masakrohen tre fëmijë të shkollës hebraike të Tuluzës nga Muhamed Merah, një ujk i vetmuar me një telekamera në gjoks, që vret edhe rabinin që u përpoq t’i mbronte; këtu vjen në mëndje ati  Zhak de Jesus , prifti katolik i filmit “Mirupafshim djema”, i internuar dhe i vrarë në Mauthausen sepse kishte fshehur fëmijtë hebrenj nga nazistët. Një tjetër meshtar, ati Zhak Hamel, u ther në altarin e Rouenit më 26 korrik 2016.

Dy ditë mbas masarës së redaksisë në Charlie Hebdo, fajtore sepse kishte qeshur me Muhametin, Amedy Coulibaly – ish grabitës e shpërndarës droge, i radikalizuar në burg – sulmon një supermerkat kosher, vret katër hebrenj e plagos katër të tjerë. Franca shkruan në Rrjet e në muret “Un jam Charlie”; komiku antisemite Dieudonné, i dënuar për shakatë e një shijeje tepër të keqe mbi Shoah-un, bën dinakun e shkruan “Un jam Charlie Coulibaly”; përfundon në burg për mbrojtje të terrorizmit, i dënuar me dy muaj burg, shmang atë por përzehet nga Facebooku dhe Instagrami.  

Gjithë këtyre Franca u ka qëndruar e është kundërpërgjigjur. Edhe Bataklanit, edhe plojës së 14 korrikut 2016 në Nica. Në disa vështrime, Parisi mbas goditjes  është bërë më njerëzor, më pak krenar, më i vetëdijshëm për caqet e tij. Houllebecq, shkrimtari i “Nënështrimi”, ka pranuar – në një intervistë me korrespondentin tonë Stefano Montefiori – se e ka tepruar me alarmin islamik; në fakt ideja e një presidenti mysliman të zgjedhur nga e majta që detyron sharian do të kishte qënë një gjetje e efektëshme letrare, por politikisht ishte marrëzi.

Tani Parisi përgatit një takim që lajmërohej shumë i bukur por që vërtetohet i ndërlikuar, në njëqind vjetorin e filmit “Çaste lavdie”. Ishte çështja Rusi, që mund të ishte zgjidhur me formulën  që më 1980 i lejoi Italisë të merrte pjesë në Lojrat e Moskës, të bojkotuara nga amerikanët: as hymne as flamuj; zyrtarisht skuadra ruse nuk ekziston, marrin pjesë atletët e veçantë. Por nëse lufta e Gazës vazhdon  e zgjerohet, si do të kundërveprojnë Vëndet arabe? Çfarëdo vetoje mbi Izraelin natyrisht nuk do t’ishte e pranueshme; por për Francën një tendosje me ish kolonitë e saj (Algjeria juridikisht nuk ishte një koloni, ishte një krahinë franceze, si Provenca dhe Borgonja) do t’i çonte Lojrat drejt një shkatërrimi, pa mbajtur parasysh shtrëngesat nevojshme për sigurinë. Dramat e vërteta të kësaj krize natyrisht janë të tjera; por shpresa e dialogut duhet të mbahet e ndezur në çdo mënyrë, e në muajt e ardhëshëm Parisi do të jetë ende një herë në qëndrën e luftës e të paqës.

“Corriere della Sera”, 19 tetor 2023                  Përktheu: Eugjen Merlika     

Filed Under: Analiza

Klani i Novi Sadit

October 23, 2023 by s p

Albin Kurti/

Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq.

Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS.

Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin.

Në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj.

Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar.

Filed Under: Ekonomi

ÇAMËRIA, KRAH I SHQYER I KOMBI SHQIPTAR

October 23, 2023 by s p

Pse hesht politika dhe politikanët shqiptar?

Kadri Tarelli/

Përpjekja për liri duhet të vazhdojë gjithnjë. Kauza e lirisë nuk duhet të marrë fund në mbarimin e një viti ose në mbarimin e një shekulli. Abraham Linkoln

Një vit më parë, në pranverë të vitit 2022, në Durrës u përurua libri: “Vendbanimet në hapësirën historike Shqiptare të Çamërisë”. Me Autor Prof. dr. Selman Sheme, ku edhe unë pata nderin te flas, duke e quajtur librin: “TESTAMENT TRASHËGIMIE”, për botën shqiptare. Botuar në: Gazeta “Bota sot” në Dardani, Gazeta “Dielli” në SHBA, portali “Fjala e lire”, Londër dhe “Zemra shqiptare”, Zvicër.
Ndërsa sot kam nderin të flas para jush, këtu në qytetin e Kavajës, për librin më të ri: Odeon. “Çështja Çame. Perspektiva e zgjidhjes, perspektivë e integrimit”, të cilin e vlerësoj: ”Libër shkencor me përmasa kombëtare”.
Analiza shkencore e librit i takon specialistëve dhe lexuesit të interesuar, ku veç kënaqësisë, mund të gjejë vetveten, duke vlerësuar mesazhet që përcillen në këto kohë të trazuara të botës në tërësi dhe botës Shqiptare në veçanti, ku natyrisht çështja çame vazhdon të mbetet problem i pa zgjidhur, duke u zvarritur pafundësisht nga politika jonë dhe e fqinjëve. Një çështje të cilës autori i kushton kapitujt: “Pengesat për ripërtritjen e njohshmërisë së identitetit “Çam”, “Çështja çame. Perspektiva e zgjidhjes, perspektivë e integrimit”, në vazhdim edhe “Çështja çame nuk ka krahasim me asnjë çyshte tjetër”, etj.
Duke qenë njohës i fushës së shkencave histori-gjeografi, mendoj se është një ndërfutje e fuqishme mes dy shkencave, madje unë i mëshoj idesë, se të dhënat gjeografike, me aq bollëk sa janë, i shërbejnë më shumë historisë, që vetiu pickon dhe shpon politikën, të shkuarën, dhe ca më shumë të tashmen, që të tundet e të shkundet nga rutina apo nga plogështia jonë, si dukuri të pafalshme, kur bëhet fjalë për çështje kombëtare.
Çdo lexues, sado pak i vëmendshëm qoftë, do të dallojë thirrjen, madje më zë të lartë të autorit, që pa frikë ve gishtin mbi plagë, mbi qëndrimin disi të çuditshëm të politikës dhe politikanëve tanë, si para 90-tës, ashtu edhe në ditët e sotme. Të them të drejtën sikur janë gjuhë lidhur, apo me gjuhë të prerë, aq sa u thahet pështyma në gojë dhe belbëzojnë sikur në gojë kanë zhavorr lumi. Nuk e di ku fle e panjohura dhe pse duhet të tutemi, të heshtim për një të drejtën tonën? Politikanët tanë që ndërrohen vazhdimisht në këto 30 vite, sikur druhen nga frika se mos na zemërohen grekët dhe na bëjnë hatanë. Këtu pyetja: pse, pse, pse? Mbetet retorikë pa përgjigje, por që ka brenda shumë dhimbje.
Unë e vlerësoj dhe e përshëndes qëndrimin e profesorit tonë, që guxon të thotë hapur mendimin e tij, në kërkesë të të drejtës njerëzore, kombëtare dhe politike, të çamëve dhe Çamërisë në tërësi, të drejta të njohura ndërkombëtarisht. Ai si njohës shumë i mirë i këtij problemi, jep pa ndrojtje edhe udhët e zgjidhjes, që natyrisht nuk janë të lehta. Por qëndrimi i politikës dhe politikanëve tanë është i çuditshëm dhe le shumë për të dëshiruar, për të mos thënë le shumë dyshime.
Një pyetje që mbin në buzë të cilitdo nga ne, lexues apo dëgjues: Si është e mundur që qeveria Greke njeh minoritetin turk dhe maqedonas, ndërsa çështjen Çame as e ze në gojë, nuk e shtron për zgjidhje, nuk e pranon në asnjë bisedë qeveritarësh me shqiptarët, madje ca më keq, nuk heq “Ligjin e luftës”, mbetur si gjemb gorrice, që shpon sa herë e prek apo e shkel?
Mendoj dhe dëshiroj, që ky libër duhet të zerë vend në tavolinën e punës të çdo mësuesi të historisë dhe gjeografisë, në çantën e nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve të shkencave shoqërore. Pjesë të tij të përfshihen edhe në programet mësimore në shkollat 9-vjeçare, ca më shumë në tekstet e shkollave të mesme. Njohja e kësaj çështjeje është domosdoshmëri atdhetarie, jo thjesht kulture historie.
Ngul këmbë, si domosdoshmëri edhe për politikanët, diplomatët dhe deputetët, të cilët, nëse dinë të shkruajnë e të leçisin shqip, të mundin të lexojnë e dëgjojnë mesazhin e thënë qartë e prerë, duke kumbuar me zë të lartë: “Mësoni ç’kemi humbur, kur jemi të përçarë dhe të dimë ç’të kërkojmë nëse bëhemi të bashkuar, për të përmbushur të drejtën dhe ëndrrën tonë kombëtare, të shkelur, të mohuar dhe të paharruar, por ende të pa zgjidhur.
Dëshiroj të ve në dukje se ky libër, ka përmasat e një enciklopedie për Çamërinë dhe tokat që u shqyen nga trungu shqiptar, pikërisht nga fuqitë e mëdha në vitin 1913, duke kënaqur lakminë shekullore të fqinjëve verior dhe jugor. Por historia e përgjakur e Çamërisë dhe gjenocidit Çam nuk mbyllet këtu, pasi gjatë viteve janë shumë përpjekje politike dhe ushtarake, për të larguar këtë popullsi autoktone. I gjithë studimi mbështetet mbi të dhëna shkencore të padiskutueshme dhe të patjetërsueshme.
Në vazhdim të këtij mendimi, dëshiroj që kuvende të tilla të ketë në mbarë trojet shqiptare. Është një ndër mënyrat më të mira për ta mbajtur ndezur zjarrin e atdhetarizmit. Ndjenja kombëtare nuk duhet lënë të venitet, as të fashitet.
Urime profesor i nderuar! Nëpërmjet këtij libri zëri yt të dëgjohet në mbarë shqiptari, në trevat Arbnore dhe në mërgatën shqiptare të shpërndarë nëpër botë. Ju jeni një shembull për të gjithë intelektualët tanë, sidomos gjeografët dhe historianët, që duhet me forcë ta thonë mendimin e tyre shkencor, në mbrojtje të çështjes sonë. Kur jemi shumë dhe te bashkuar zëri ynë do dëgjohet më fort, më larg dhe më fuqishëm.
I nderuar Prof. Dhe Dr. Selman Sheme! Historia na mëson se kombi u ngre monumente përjetësie jo vetëm “Heronjve” që falin gjakun për mëmëdhe, por edhe atyre që nuk kursehen të punojnë e të shkrihen për komb e atdhe.
Faleminderit dhe mirënjohje, për vepra të tjera me po kaq vlera shkencoren e atdhetare.

Shënim: Fotografitë u bënë dhe u punuan nga Muharrem Shqarri.

Filed Under: Reportazh

“Fluturat” fluturuan te “Bijtë e shqipes”

October 23, 2023 by s p

Një film i mrekullueshëm, një mbrëmje mbresëlënëse – komuniteti shqiptar në Philadelphia me shumë interesim e ngrohtësi e priti shfaqjen e filmit dokumentar, “Fluturat”

Nga dr. Sadik Elshani

Fotot: Eva Dori, gazetare

Ka kohë që Shoqata Mbarëkombëtare “Bijtë e shqipes” e kishte paralajmërura shfaqjen e filmit dokumentar, “Butterflies”/”Fluturat”, të regjisorit të njohur shqiptar, Bujar Alimini. Dhe ja, “Fluturat” fluturuan te “Bijtë e shqipes, erdhi dita e shfaqjes, e shtunë, 21 tetor. Salla e zbukuruar si është më mirë për këtë veprimtari ishte mbushur plot me bashkatdhetarë, që me shumë interesim e prisnin shfaqjen e këtij filmi. Për këtë film është folur e shkruar shumë në mediat e shkruara dhe ato elektronike, por ndryshe është përjetimi kur e shijon filmin e shfaqur në ekran e në prani të një numri të madh të bashkatdhetarëve, shumica e të cilëve vet i kanë përjetuar ato ngjarje të periudhës komuniste që trajtohen në këtë dokumentar.

Veprimtarinë e hapi kryetari i shoqatës, z. Matraku i cili fillimisht i përshëndeti mysafirët, duke i falenderuar ata për pjesëmarrjen në këtë veprimtari dhe që bënë të mundur shfaqjen e këtij filmi. Z. Matraku bëri edhe një paraqitje të shkurtër për jetën dhe veprimtarinë kinematografike të skenaristit e regjisorit të njohur shqiptar, Bujar Alimani. Regjisori Alimani sot është njëri ndër emrat më të njohur të kinematografisë shqiptare, i njohur si skenarist e regjisor i disa fimave dokumentarë e artistikë: “Virgjëresha shqiptare – burrnesha”, “Delegacioni”, “Krom”, “Amnistia”, “Një histori dashurie”, “Busulla”, etj. Filmat e regjisorit Alimnani janë shfaqur edhe në shumë festivale prestigjioze ndërkombëtare: Berlin Varshavë, Krlovy Vary, duke korrur suksese të mëdha e duke u shpërlyer edhe me shumë çmime për vlerat e tyre të larta artistike.

Edhe z. Alimani në fjalën e tij shprehu falenderimin për pritjen e ngrohtë, organizimin e mirë dhe pjesëmarrjen e madhe të publikut. Për të tjerat tha se do të fliste në fund, pasi të mbaronte shfaqja e filmit. Të pranishëm ishin edhe producentja e filmit, zonja Tefta Bejko, njëra nga “fluturat”, zonja Tefta Kaloshi, z. Damian Previzi, i lindur në internim, por edhe pjesëtar i ekipit të këtij filmi. I pranishëm ishte edhe skenaristi e producenti amerikan, z. Barry Meinster me bashkëshorten e tij, zonjën Amy.

Filmi paraqet historinë e 21 grave, “fluturave”, të cilat një herë në disa vite takohen në Nju Jork (më në fund edhe në Shqipëri), duke i kujtuar ato ditë të vështira të jetës së tyrë dhe familjeve të tyre, duke e ruajtur miqësinë e tytre të kahershme të farkuar në rrethana të jashtëzakonshme, nostalginë për fëmijërinë pa fëmijëri, rininë pa rini, të lëna në kampin e internimit në Gradishtë të Lushnjës dhe kampet e tjera që nuk ishin të pakëta në Shqipërinë e periudhës komuniste. Është një rrëfim për plagët e tyra shpirtërore, vuajtjet, fyerjet: “fëmijë të armiqëve të popullit”, poshtërimeve më të ulëta, dehumanizimin e tyre, mohimin e shkollimit të lartë. Por, edhe qëndresën, dinjitetin, vendosmërinë për të mos u thyer shpirtërisht, për të mos u dorëzuar para së keqes. Vuajtjet e tyra janë të shumta, duke punuar në bujqësi në ditët me vapë e në ditët me shi, duke jetuar në kasolle të ngushta në kushte të mjerueshme higjienike e varfëri të tejskajshme. Edhe pse kanë vuajtur shumë, ato edhe sot e kujtojnë atë kohë me nostalgji, jo për atë kohë të zymtë të historisë sonë, por për miqësinë, sinqeritetin e tyre, përkrahjen e njëra – tjetres. Edhe në ato kushte tejet të vështira, ku janë trajtuar në mënyrat më çnjerëzore, ato janë munduar t’i japin kuptim jetës së tyre. Filmi ben fjalë jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të tanishmen, të ardhmen. Këto zonja edhe pse kanë vuajtur shumë, ato nuk ua kanë lejuar vetes që e kaluara e tyre e hidhur, urrejtja t’ua kaplojë jetën e tyre, t’ua errësojë mendjen, arsyen. Ato janë të përqëndruara në të tanishmen për të ndërtuar jetën e tyre kudo që jetojnë tani: Shqipëri, Amerikë, Kanada, Francë, etj. Ato janë të përqëndruara që fëmijve të tyre t’u sigurojnë një të ardhme të ndritur, duke studiuar në universitete te njohura botërore, duke punuar në profesione të rëndësishme. Ky film është një rrëfim i ngadhnjimit të së mirës mbi të keqen, i lirisë mbi diktaturën, i dashurisë mbi urrejtjen. Filmi është realizuar bukur me një mjeshtëri artistike, rrëfimi i drejpërdrejtë i atyre që kishin përjetuar ato tmerre të ferrit komunist, herëpashere ilustruar bukur me foto e regjistrime filmike të kohës, sikur e bënin, më intim, më të afërt me shikuesin. Me rrëfimet e frekëta të ngulitura në kujtesën e tyre, me përshkrimet e gjalla të atyre kohëve, të atyre përjetimeve të tmerrshmëe sikur “fluturat” po e bartnin shikuesin në krahët e tyrë nëpër ato kohëra, nëpër ato ngjarje. Shpresa për një ditë më të mirë, dashuria ndaj familjes dhe lidhjet miqësore, mbështeja e njëra – tjetrës e mbajtën gjallë shpirtin e tyre të molisur. Filmin e përshkon një porosi sublime se, në jetë gjithmonë ka shpresë, ka dritë edhe në fund të tunelit më të gjatë e më të errët. 

Në fund të shfaqjes së filmit bashkatdhetarët duartrokiten për një kohë të gjatë, duke e falenderuar regjisorin dhe tërë ekipin që e realizuan këtë dokumentar mbresëlënës. Pastaj u zhvillua një bashkëbisedim me regjisorin dhe mysafirët tjerë që merrnin pjesë në këtë veprimtari. Regjisori Alimani i njoftoi të pranishmit për procesin e realizimt të këtij dokumentari, sfidat e shumta me të cilat ishin ballafaquar gjatë gjirimit. Ai theksoi se kjo është historia joinë dhe ajo duhet bërë e ditur, duhet gjykuar, sepse ata që nuk e njohin historinë janë të destinuar që ta përsërisin atë, madje edhe në format më të ashpra, më të vrazhdta. Ndërsa për titullin e filmit z. Alimani u shpreh se, flutura është një insekt, element që nuk ka lidhje me tokën, por me ajrin, me qiellin, rrjedhimisht me fluturimin e lirisë. Z Alimani falenderoi edhe për mikpritjen e ngrohtë dhe organizimin shumë të mirë të kësaj mbrëmjeje e përjetimi të paharrueshëm. Duhet cekur këtu se disa çaste para shfaqjes së filmit, z.Alimani së bashku me bashkëshorten, zonjën Tefta dhe vajzën, zonjushën Sabrina, vizituan mjediset e shoqatës dhe godinën e re në renovimin e sipër. ku u njoftua për mbarëvajtjen e shoqatës, shkollës shqipe dhe veprimtaritë e shumta që organizon shoqata jonë. Ata mbetën të mahnitur me punën dhe përkushtimin e shoqatës sonë për ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditive tona kombëtare. Nxënësit e shkollës sonë mysafirëve u dhuruan buqeta me lule dhe librin, “15 vjet “Bijtë e Shqipes””, botuar me rastin e 15 vjetorit të themelimit të shoqatës.

Sipas traditës së shoqatës sonë, për të pranishmit u shtrua një koktel me pije e ushqime të ndryshme. Edhe gjatë koktelit bashkatdhetarët bisedonin me regjisorin dhe pjesëtarët tjerë të ekipit të këtij filmi dhe shprehnin mirënjohjen e falenderimin e tyre për këtë mbrëmje mbresëlënëse, përjetim të këndshëm. Këto biseda zgjatën me orë të tëra dhe u bënë shume fotografi për t’i përjetësuar këto çaste të këndshme. Pjesëmarrja e një numri të madh të bashkatdhetarëve dhe entuziazmi i kësaj veprimtarie është një tregues i mirë se komuniteti ynë dhe publiku shqiptar në përgjithësi është i etur për realizime të bukura artistike të kineastëve tanë, Në fund, një falenderim i madh për regjisorin Alimani dhe ekipin e tij, organizatorët e kësaj ngjarje mbresëlënëse për çastet e këndshme që na dhuruan!

Philadelphia, më 22 tetor 2023

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe ish-kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare “Bijtë e Shqipes”.

Filed Under: Komunitet

In memoriam: Akademik Luan MULLIQI (1953 – 2023)

October 23, 2023 by s p

Don Lush GJERGJI/

Vetmia shoqëri dhe shoqëria vetmi.

Papritmas më 22 tetor, në ora 13. 30 mora lajmin që edhe një shok, mik, vëlla, kishte braktisur këtë jetë dhe botë dhe kishte kaluar mbrëmë në amshim, skulptori i madh dhe tejet i njohur në botën e vogël shqiptare, por edhe më gjerë, akademi Luan MULLIQI, që unë e quaja me simpati dhe dashuri “Mjekra”.

U befasova, u shtanga, më erdhi shumë keq, sepse dy ditë më parë kisha komunikuar me të nëpërmjet telefonit WhatsApp, duke e bërë pjesëmarrës të promovimit të librit tim: Nëna Tereze, dashuria në veprim, DRITA, Prishtinë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, 2023, por në heshtje, pa përgjigje dhe reagim. Nuk e kam ditur që ai e kishte një front dhe “luftë” tjetër, shumë më të vështirë dhe të rëndësishme, mes jetës dhe vdekjes…

Dhe si duket, ka fituar vdekja, por nuk është ashtu. Vërtet ai mbrëmë vdiq, iu ndal frymëmarrja, iu mbyllen sytë, iu shtagën duart me të cilat një jetë të terë kishte “gdhendur” portrete, fytyra, figura, shtatore, buste, ndër të cilat dallohen: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Nëna Tereze, Ismail Qemaili, Fehmi Agani e shumë të tjerë…

Dhe pikërisht këto vepra, si dhe vullneti për jetë dhe krijimtari, me të cilat ka begatuar, gjallëruar dhe fisnikëruar kohën dhe botën tonë, dëshmojnë bindshëm për pavdekësinë e tij, për shpirtin e madh dhe bujar, për zemrën e hapur dhe fisnike, për duart mjeshtërore dhe në veprim – gdhendje, për sytë e tij të vegjël, por gjithnjë të hapur dhe në kërkim te të bukurës, të mirës, të drejtës, të vërtetës, të jetës dhe të Dashurisë, duke “mbjell” farën e mirë të amshimit dhe të pavdekësisë kudo, ndër ne, në trojet tona ilir, arbërore dhe shqiptare, por edhe në hapësira tjera, me një stil tashmë tejet të shquar dhe shumë të dalluar, karakteristik, “mulliqian”.

Reagimi im i parë ishte dhembja, pikëllimi, mërzia, konstatimi: edhe një vëlla dhe krijues i mirëfilltë më la, na la, iku, kaloi në amshim, apo në stilin e Shën Nënës Tereze: u kthye në Shtëpinë e Atit. Pas kësaj vijova të lutëm, dhe thënë të vërtetën, u qetësova. Si faza e tretë e përjetimeve, ishte “lundrimi në kohë dhe në hapësira”, ku gufonin shumë kujtime, takime, afrime, bashkime, bashkëpunime, sidomos pas Luftës 1998 – 1999.

Ishte një krijues i mirëfilltë, gjenial, me mendje të ndritur dhe zemër të madhe, duke iu gëzuar çdo lloj veprimtarie, botimi, suksesi.

Galeria e Arteve të Kosovës gjatë udhëheqjes së tij pas Luftës ishte bërë pikë e shumë takimeve kulturore dhe shpirtërore kombëtare dhe ndërkombëtare, me figura dhe personalitete të shquara ndër ne dhe në botë, si Sekretari i Kombeve të Bashkuara – OKB-së Koffi Annan, Bill Clinton, Tony Bler, Altisari dhe shumë të tjerë.

Luan Mulliqi ishte “avokati” i çështjes sonë kombëtare – shqiptare, dhe pa kurrfarë kursimi apo përfitimi, dëshmonte, shpjegonte, dhurohej në çdo kënd dhe vend, me shumë përkushtim, atdhedashuri dhe bindje, me përgatitje njerëzore, kombëtare dhe profesionale.

Kur ia dorëzova librin tim të parë “Roli i femrës shqiptare në familje dhe në shoqëri”, pas e shfletoi pak botimin, ma shtriu dorën dhe më tha: “E paske prekur një plagë të madhe shqiptare…, shpresoj me urti, mirësi dhe shumë dashuri, sepse vetëm kështu ne mund ta shërojmë vetveten dhe të tjerët…”

Dhuratën e monografisë së parë time “Nëna jonë Tereze”, e cilësonte si “Ungjilli shqiptar”, dëshmi e madhe e urtisë, bujarisë, mikpritjes dhe bamirësisë sonë, prandaj edhe si përgjigja më e mirë, tejet bindëse dhe jetësore, kush jemi ne, çka duam dhe duam atë ta zbatojmë. Më tha: “Të falënderoj, Don Lush, që Nënën Tereze ia solle botës shqiptare, dhe më gjerë, mbarë njerëzimit… Më ke ngacmuar dhe prekur në damar të zemrës, në zemër, pra, do ta punoj një shtatore të saj për aeroportin e Tiranës…, në shenjë shigjete, rrënje dhe trekëndëshi, simbole këto që flasin dhe dëshmojnë vetvetiu…”

Skulptori Luan Mulliqi e bëri të pavdekshëm ideatorin e Kosovës demokratike, bashkëpunëtorin e ngushtë të Dr. Ibrahim Rugovës, prof.. Fehmi Aganin, para Universitetit të Prishtnës, si dhe shumë miq dhe figura ndërkombëtare, si Madeline Albright dhe Bob Dole…

Populli ynë thotë bukur: Ku preku, shkrepi, ne do të themi në stilin tonë laik, “qëlloi”, la gjurmë, mbolli të mirën, bëri përshtypje, begatoi dhe aktualizoi historinë të lashtë, martire dhe të lavdishme.

Në bibliotekën time kam dy dhurata të akademikut tonë Luan Mulliqi: shtatoren e Shën Nënës Tereze dhe të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Nuk guxoj të harroj dhe të mos përmendi dy ngjarje kulmore tona: lumturimin dhe shenjtërimin e Nënës Tereze në Romë, në Vatikan, (19 tetor 2003 dhe 4 shtator 2016), ku edhe ai, si dhe shumë shqiptarë intelektualë, krijues, autoritete publike, morën pjesë.

“Luani i madhe dhe i mirë”, si e kam quajtur ynë me simpati dhe dashuri, ishte i stër-kënaqur, gati edhe euforik… Më tha: “Ti duhet të jesh njeriu më i lumtur ndër ne dhe në botë, se ke pasur rastin, fatin, kënaqësinë të takohesh shpesh me Nënën tonë Tereze, e ke njohur për së afërmi, e ke përshkruar në mënyrë mjeshtërore, neve shqiptarëve na e ke kthyer dhe dhuruar… Je vërtet vëlla i mirë dhe i madh., së bashku me Te dhe me ne…”

Unë iu përgjigja: “I madh është Zoti, populli ynë, familja Bojaxhiu, Gonxhja jonë, tashmë Shën Tereza, ne së bashku me Të”.

Sot kujtimet gufojnë, gërshetohet, qarkullojnë pa ndonjë renditje dhe kontrolle, dhe mua, përpos këtyre, veprave tua të mëdha dhe të pavdekshme kombëtare dhe ndërkombëtare, me mbetet Zoti, kanali pashtershëm i komunikimit me Ty dhe me shumë miq të mi në amshim.

Pusho në paqe dhe gëzoje amshimin e lumtur!

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT