• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

Shqipëria në Këshillin e të Drejtave të Njeriut

October 17, 2023 by s p

Nga Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe”
New York, Tetor 2023/

Për afatin kohor 2022 – 2023 Shqipëria u përzgjodh për herë të parë anëtare jo e Përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Gjatë fjalës së hapjes së kësaj ceremonie, ku u ngrit edhe Flamuri Shqipar, Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë pranë OKB-së, Ferit Hoxha tha se, “Shqipëria është e vendosur të luajë një rol aktiv dhe konstruktiv, duke përcjellë vlerat dhe parimet e saj në Këshillin e Sigurimit, duke bashkuar përpjekjet me të gjithë ata që synojnë ta bëjnë Këshillin më efikas, më të përgjegjshëm dhe më ndërveprues”. Pra Shqipëria u bë pjesë e një prej 15-të vendeve ulëse në organin më të lartë të OKB-së, për menaxhimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Por sipas një lajmi në rrjetin social “X” mësojmë se Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani deklaroi më datë 10/10/2023 se, Shqipëria u zgjodh anëtare e Këshillit për të Drejtat e Njeriut pēr periudhën 2024 – 2026, ku ndër të tjera tha, “Shqipëria si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut do të punojë brenda Këshillit të OKB-së, për të garantuar respektimin universal të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, për të gjithë individët pa diskriminuar askënd. Vendi ynë vijonte Ministri Hasani do të bashkëpunojë ngushtë me shtetet anëtare të OKB, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të gjithë partnerët për zbatimin e këtyre angazhimeve”.
Ky anëtarësim është i dyti për Shqipërinë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut pranë OKB-së, që njëherësh shënoi dhe refuzimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së duke ia refuzuar Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Në këtë konkurim për grupin rajonal të Europës Lindore, Rusia kishte përballë Shqipërinë dhe Bullgarinë, por pas votimit, 123 vende ishin pro Shqipërisë dhe 83 vota të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së shkuan pro Rusisë.
Pra Rusisë ju refuzua kjo e drejtë. Shqipëria duke filluar nga 1 janari i vitit 2024 deri më 31 dhjetor 2026 do të jetë një prej 15-të vendeve që do të ulen në KDNJ. Mendojmë se ndikim i këtyre arritjeve është edhe politika diplomatike e mbajtur nga Ambasadori i Shqipërisë pranë Misionit Shqiptar të OKB-së në New York, Ferit Hoxha, përsa i përket diplomacisë dhe çështjeve ndërkombëtare në mandatin e Tij të dytë.
Si Organizatë e Gruas “Shpresë & Paqe” ku në fokus kemi angazhimin e të drejtave të njeriut, grave dhe fëmijëve në SHBA, kërkojmë që ky vendim të trokasë fort në Ministrinë e Financave për avancimin e proçesit të dëmshpërblimeve për ish të burgosurit politikë të Shqipërisë, pasi nuk ka përfunduar akoma.

Filed Under: ESSE

Sot në 44-vjetorin i Nënë Terezës si laureate e Nobelit për Paqen

October 17, 2023 by s p

“Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”, ishte kjo përgjigja që Nënë Tereza i jep një kleriku të pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel për Paqen, kur ai e pyeti se nga ishte,

Sot 44 vjet më parë, më 17 tetorin e vitit 1979, bamirësja e njohur me origjinë shqiptare, Nënë Tereza, u nderua me Çmimin Nobel për Paqen. Gonxe Bojaxhi, u ngjit në tribunën ku janë ngjitur njerëzit më të shquar të botës nga të gjitha fushat, veshur me sarin e grave të varfra indiane dhe e pranoi çmimin vetëm, sepse një pranim i tillë do t’u vlente shumë të varfërve të saj.

”Ndonëse u shmangej intervistave, që e bezdisnin, më 17 tetor 1979, kur u ngjit në Tribunën e Oslos, duke marrë në dorëzim Çmimin Nobel, të Lumes Nënë Terezë, Gonxhe Bojaxhiut iu desh të mbante një nga fjalimet më të rëndësishme.

E Nënë Tereza tregon:

“Duhet të them se pranoj të shkoj në ceremoni të ndryshme publike, vetëm sepse më krijohet mundësia t’u flas për Jezusin njerëzve, të cilët nuk dihet në se do të kishin ndonjë rast tjetër për të dëgjuar fjalën e Zotit. Një herë kam thënë edhe se e kam më të lehtë të mjekoj një të gërbulur, sesa të përgjigjem në një intervistë.

Në Oslo ndodhi një mrekulli e vërtetë: u lutën të gjithë, në një vend ku s’ishte dëgjuar kurrë ndonjë lutje. Ishim mbledhur në një sallë për dorëzimin e Çmimit e, sapo m’u dha mundësia të flas, thashë: “Me që jemi mbledhur të gjithë për të falënderuar Zotin e Çmimit Nobel për Paqen, mendoj se do të ishte vërtetë e bukur të luteshim për paqen”. E të gjithë së bashku nisëm lutjen e Shën Françeskut: “Zot, më bëj lajmëtar të paqes sate”, teksti i së cilës u qe shpërndarë të pranishmëve. Ishte diçka vërtetë tronditëse. Prekëse. E mrekullueshme: luteshin të gjithë, ndonëse siç dihet, numri i katolikëve në Norvegji është shumë i vogël.

Më pas fola për abortin e thashë: “Po kremtojmë vitin ndërkombëtar të Fëmijës. Sot po ju flas për fëmijën, që nuk ka lindur akoma. Po ju flas në emër të fëmijës, që nuk e ka parë ende dritën e diellit. Të abortosh do të thotë ta dënosh fëmijën me vdekje: të mos duash që fëmija të jetojë, do të thotë ta vrasësh. Sot për sot, arma më e rrezikshme kundër paqes, është aborti. Shumëkush interesohet për fëmijët e Indisë e të Afrikës, ku vdesin me mijëra nga mungesa e ushqimit. Por në vende të tjera miliona fëmijë mbyten nga vetë prindërit e tyre. E në se një nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!”. Duke kaluar nëpër Romë, gjatë udhëtimit të kthimit, Ati i Shenjtë Papë më tha:“Mos harro të flasësh si në Oslo, kudo që të shkosh!”, ka treguar ajo mbi atë ditë të veçantë në jetën e saj.

Përgatiti: Albert Vataj

Filed Under: Opinion

Më 17 tetor 1877 hapi dyert Kolegja Saveriane në Shkodër, vatra e hyjt e dijes dhe shëlbimit të shenjtë të shpirtit

October 17, 2023 by s p

Më 17 tetor 1877 hapi dyert Kolegja Saveriane në Shkodër, në praninë e arqipeshkvit plak Pooten dhe të Atë Zef Lombardinit një institucion i ri me emrin e Shën Françesk Saverit, që populli ynë do ta kujtojë gjithmonë me nderim e mirënjohje si Kolegja Saveriane.

Kështu, Kolegji Saverian i Etërve Jezuitë në Shkodër e filloi veprimtarinë e vet në shekujt e kaluar, duke përballuar vështirësitë e pushtuesit, pengesat e fanatizmit e sulmet e antiklerikalizmit vendas. Kështu mund të themi se interesi i Jezuitëve për kulturën shqiptare është më i hershëm se Kolegji; nis që në shekullin XVIII, kur Papa shqiptar Klementi XI, posa organizoi Kuvendin e Arbënit dhe i botoi dokumentet edhe në gjuhën shqipe, hodhi idenë të mblidheshin materiale e dokumente iliro-shqiptare.

Mbledhjen e filloi Atë Riçeputi e e vazhduen etërit jezuitë Daniel Farlati e Jakob Koleti, që realizuan veprën historike fort të çmueshme “Illyricum Sacrum”, një vepër sine qua non për historinë e Shqipërisë. Ardhja e jezuitëve në Shqipëri do të shoqërohej me veprimtari të dendura fetare, arsimore, kulturore e shoqërore, të panjohura më parë në vendin tonë.

Ndër këto veprimtari kujtojmë ngritjen e shtypshkronjës së parë, botimin e revistës së parë “Elçija e Zemrës së Krishtit”, krijimin e bandës së parë muzikore e të orkestrave moderne, fillimin e artit dramatik, lulëzimin e shoqërive kulturore, patriotike e sportive, mbledhjen e koleksionit të famshëm numizmatik, hapjen e Muzeut botanik, etnografik etj. etj.

Jezuitët nisën edhe punën arsimore. E filluan me një shkollë të vogël, me pak nxënës, për të arrit te viti i paharrueshëm 1877, data 17 tetor kur në praninë e arqipeshkvit plak Pooten e të At Zef Lombardinit hapi dyert një institucion i ri me emrin e Shën Françesk Saverit, që populli shqiptar do ta kujtojë gjithmonë me nderim e mirënjohje si Kolegji Saverian. Ndër themelues kujtojmë At Luigjin Maca, që dhuroi nga pasuria e shtëpisë së vet 1100 napolona. Ndër laikë civilë duhen përmendur familjet shkodrane: Muzhani, Sima, Suma, Saraçi e Shiroka.

Stema e Kolegjit: në ballë shqipja dykrenore, sipër: ‘Për Zot, Për Atme e Përparim’. Filluan mësimet me seriozitetin e jezuitëve: arsim i vërtetë, i plotë, i rregullt; kulturë e përgjithshme perëndimore, qytetërim i zgjedhur evropian, me programe të studiuara e të zgjedhura; me metoda të përparuara e efikase; me mjete moderne e të reja. Shkurt, një formim i gjithanshëm perëndimor.

Me të drejtë Papa Piu X i pati thënë Imzot Serreqit: “Jeni të lum që keni jezuitët në Shkodër”. Shkolla në fillim pati drejtim tregtar, më vonë mori drejtim klasik, por gjithmonë qe e barasvlershme me shkollat më të mira të mesme të Evropës Perëndimore. E kjo edhe pse mësuesit që dhanë mësim në këtë shkollë qenë të gjithë me shkollë të lartë të kryer jashtë shteti, të gjithë autorë tekstesh a veprash me karakter letrar, gjuhësor, historik, filozofik etj.; të gjithë me një botë të pasur shpirtërore e intelektuale, të gatshëm për të zhvilluar fuqitë mendore të nxënësve për një formim intelektual të shëndoshë, por edhe për emancipimin e jetës shoqërore e kulturore si dhe për integrimin e shoqërisë shqiptare në Kontinentin e Vjetër, në mënyrë që Shqipëria, gjeografikisht në Evropë, të mos mbetej realisht në Orient.

Rrallë ka shkolla me kuadër të tillë arsimor: Atë Jak Jungu, misionar italian me zemër shqiptari, si i thoshte Shantoja, autor i një gramatike dhe i një Fjalori dygjuhësh; Atë Anton Xanoni, italian me nënë shqiptare, që shkroi vetëm shqip për ne, autor i “Prijësi në lamë të literaturës”, dhe “Gramatika e gjuhës shqipe”; Atë Fulvio Kordinjani, autor i shumë veprave; Atë Buxeti i ‘Fjalorit’ të madh; martiri Imzot Bonati që përktheu ‘Lahuten e Malcis’ italisht. Pastaj Atë Aldeghieri, Atë Fracchioni, Atë Zef Valentini, autor i shumë vëllimeve, ndërmjet të cilëve, 25 vëllimet e “Acta Albaniae Veneta”. Nder mësues shqiptarë: Filip Ashiku, Gaspër Benusi, Pjetër Marubi, Fejzullah Efendì, Kolë Dema, Dom Ndre Mjeda, mësuesi ynë i paharrueshem, siç thoshte Valentini; Etërit Mark Harapi e Zef Saraçi; Gjush Sheldija, bashkëpuntori i ngushtë i Valentinit; Musa Efendì Boriçi, Mati Logoreci, Gjon Qerraxhija, Kolë Thaçi, kater Gurakuqë, tre Rrota (vëllezërit e Pater Justin Rrotës), dy Çefa e deri te dijetari i thellë, i persekutuari i paepur e mbrojtësi i të drejtave të njeriut, Atë Pjeter Meshkalla, emrin e të cilit gëzon sot shkolla e rilindur saveriane.

Procesin mësimor e ndihmonin edhe ambientet shkollore, si kabinetet e fizikës e të kimisë e, sidomos, biblioteka shumë e pasur e jezuitëve. Këtu, si fort rrallë gjetiu, gjindeshin veprat e autorëve tanë të vjetër: Bardhit, Bogdanit, Budit, këtu ‘Illyricum Sacrum’, dhe ‘Gramatika’ e parë shqipe e Françeskos prej Leçes (1716), si thoshte Mjeda; e para gramatikë në Ballkan; “Historia bizantine” e Du Fressne e Du Cange, pastaj veprat e Hahnit, Mayer, Joklit, Kamardes, Kristoforidhit etj. etj. dhe skedari i famshëm i Atë Zef Valentinit, dorëshkrime e dokumente me rëndësi, të cilat më vonë do të grabiteshin, do të digjeshin, do të zhdukeshin, e çka do të tepronte, do të çohej për karton.

E, nëse puna mbatet me rezultatin, atëherë këtu mjafton të kujtojmë vetëm disa nxënës, emrat e të cilëve flasin vetë: “Imzot Lazër Mjedën, meshtar e atdhetar i flaktë, themelues i shoqërive letrare e botuese, mecenat e lavrues i letrave shqipe; Imzot Luigj Bumçin, anëtar e pastaj kryetar i Dergatës shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, senator i Shqipërisë; Imzot Prengë Doçin, luftëtar i idealeve të binomit “Fe e Atdhe”, politikan e diplomat, themelues i shoqërisë “Bashkimi” e autor krijimesh artistike; Faik Konicën, aristokratin elegant të letrave shqipe, stilistin e madh e, së fundi, djaloshin e jashtëzakonshëm, Luigj Gurakuqin, përfaqësuesin e politikës kombëtare e “pionierin e qytetërimit evropian”, pastaj nxënës të tjerë të shumtë, që u bënë drejtues të administratës shqiptare, kur kjo hidhte hapat e para të jetës vërtetë demokratike.

Kultivues të emancipimit e dijes, i urojmë 7 marsin të gjithë mësuesve që kanë lënë gjurmë në kujtesën e secilit prej nesh. ???? ©MKFM, Gegë Marubi, Nxanëset e Kolegjës Saveriane, filloret, Shkodër, 12.06.1944

E ajo që do ia rritë më shumë emrin e mirë kësaj shkolle, janë shumë profesorë e nxënës, që pritet të ngjiten në nderimet e elterit si martirë të fesë e të atdheut. Kujtojmë Imzot Bonatin, Atë Faustin, Atë Dajanin, seminaristin Mark Çuni, të pushkatuarit Dom Lazër Shantoja, Pater Anton Harapi, Dom Alfons Tracki, Dom Mark Dushi, Dom Dedë Maçaj, Dom Zef Bici, Dom Pjetër Çuni, Dom Luigj Pici, Dom Mark Gjani e Dom Lazër Jubani, që vdiq i helmatisur nga sigurimi komunist.

E përfundojmë këtë përkujtim të shkurtër me vlerësimin e Faik Konicës: “Me këto e të tjera, Kolegji Saverian mbahet në një shkallë të lartë dhe të gjithë ata që kanë parë shkollat e Francës e të Evropës munden të dëshmojnë se ajo e Shkodrës është e zonja për shumë punë, të vihet në një me to”.

Ish-kolegji Saverian, sot është shndërruar në gjimnazin “Atë Pjetër Meshkalla”

Në vitin 1990, sapo u bë i mundur rrëfimi e praktikimi fetar, me rënien e ndryshimin e regjimit komunist ateist në Shqipëri, Jezuitët u kthyen menjëherë në vendin e shqiponjave. Në shkurt të vitit 1992 hapën në kryedioqezën e Shkodrës një si “para-seminar”, për një grup të rinjsh katolikë, që kishin shprehur dëshirën për t’u bërë meshtarë.

Në vitin 1994 u ristrukturua një pjesë e pronave të vjetra ku kishte qenë edhe Kolegji Saverian, në vend të të cilin ishte ndërtuar një shkollë shtetërore. Dorëzimi i kësaj ndërtese shprehte pritjen e Jezuitëve për fillimin e misionit të tyre edukativ edhe në fushën shkollore. Kështu pak nga pak u përvijuan dy realitete, ai i Seminarit, për përgatitjen e meshtarëve e të rregulltarëve të ardhshëm, dhe ai i Shkollës së Mesme, njohur zyrtarisht nga Shteti i Shqipërisë.

Seminari, me rimëkëmbjen e disa prej Dioqezave të vjetra, u bë Seminar Ndërdioqezan i Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të vendit, domethënë për krejt Shqipërinë, kështu nisi Shkollën e Filozofisë dhe të Teologjisë dhe inauguroi në vitin 1998 selinë e re të ndërtuar në vendin e ndërtesës së vjetër. Shpenzimet për përshtatjen e ndërtesës së shkollës dhe të Seminarit u mbuluan nga Organizma Kishtarë ndërkombëtarë (Renovabis), nga Provinca Italiane e Shoqërisë së Jezusit dhe nga shumë bamirës, që edhe sot e kësaj dite e mbështesin dhe e ndihmojnë.

Shkolla e Mesme “Pjetër Meshkalla”, që është emri i një jezuiti shkodran i cili, për shkak të përballjes së tij të guximshme me regjimin komunist e për dëshminë e jashtëzakonshme për Fè e Atdhé, u bë simbol feje, kulture dhe lirie, zuri vendin e Kolegjit të mëparshëm Saverian.

Etërit jezuitë që morën drejtimin e saj, duke u frymëzuar nga tradita shekullore pedagogjike jezuite, janë duke gjallëruar shkollën sipas një projekti edukativ të hapur ndaj skenarit evropian, në kontekstin e një vendi si Shqipëria që po kalon shndërrime të thella dhe në të njëjtën kohë shumë i kushtëzuar, shpesh i bllokuar nga interesa personale dhe strategji ekonomiko-politike ndërkombëtare.

Shkolla “Pjetër Meshkalla” që nga viti 1998 ka filluar të mbledhë një numër gjithnjë e më të madh djemsh e vajzash, pa dallim feje, që formohen në këtë mjedis. Meqë kërkesat janë të shumta, nxënësit pranohen duke iu nënshtruar një konkursi. Kjo shkollë është një sfidë me rëndësi parësore për të ardhmen e Shqipërisë.

Në vitin 2000 u bë një ndarje reale e Shkollës së Mesme me Seminarin, me eprorin në rolin e Rektorit të Seminarit, atë të Drejtorit të Studimeve të Filozofisë dhe të Teologjisë, si dhe të Drejtorit të Shkollës së Mesme.

Seminari është i ndarë në tri njësi : Seminari i Ulët me rreth 30 djem; Periudha Propedeutike, që është koha e verifikimit të thirrjes dhe e plotësimit të studimeve, me numër të ndryshëm subjektesh; dhe Seminari i Lartë me seminaristë që vijnë nga të gjitha dioqezat e Shqipërisë, nga kryedioqeza e Tivarit të Malit të Zi dhe nga dioqeza e Prizren-Prishtinës në Kosovë. Kurset e Pesëvjeçarit Filozofiko-Teologjik ndiqen edhe nga klerikë të Instituteve të tjera rregulltare dhe nga disa motra, gjithsej 40 studentë.

Data 29 qershor 2000 është një datë e rëndësishme, pasi u shuguruan meshtarët e parë shqiptarë pas periudhën komuniste, të cilët përfunduan formimin e tyre në Seminarin e ri : 11 dioqezanë dhe një dyzinë meshtarësh rregulltarë.

R. SH. – Vatikan

Filed Under: Histori

“Izraeli, e drejta për mbijetesë dhe mbrojtjen e vlerave të qytetërimit”

October 17, 2023 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Kam ndjekur me vëmendje të shtuar, sigurisht i “shokuar nga pasojat”, por dhe “profesionalisht i zhgënjyer” nga dështimi i Inteligjencës dhe sistemit të mbrojtjes Izraelite, kur në 7 Tetor 2023, Hamasi (i shpallur organizatë terroriste nga ShBA/BE) goditi me breshëri raketash qytetarë të pafajshëm të grumbulluar në festë publike.

Paraprakisht, nëpërmjet rrjeteve sociale por edhe miqve/kolegëve të fushës të sigurisë në Jeruzalem/Telaviv, kam shprehur dhimbjen njerëzore për mijëra “jo viktimat”, por dëshmorët e luftës kundër terrorizmit barbar.

Ndërsa në këtë artikull, do përpiqem të hedh dritë me: (I) konsideratat gjeopolitike rreth sulmit terrorist; (II) historinë e konfliktit dhe përpjekjeve për paqen në rajon; (III) peshimin (edhe pse s’ka të krahasuar) të fuqisë ushtarake; (IV) rekomandime për rikthimin e bashkëjetesës paqësore, si dhe (V) impakte dhe këshilla gjeopolitike për aktorët politike të Tiranës dhe Prishtinës Zyrtare. Më konkretisht:

I. Shtatë mësime & 7 mesazhe strategjike nga akti terrorist i 7 Tetorit 2023:

Së pari, për të dy shtetet sovrane (R.Sh & Kosovë) të një Kombi nuk ka opsion të dytë, përveçse ti bashkohej/t pa hezitim “flamurit të solidaritetit të mbarë botës së qytetëruar” duke dënuar pa hezitim frymëzuesit politik dhe autorët e akteve kriminale të Hamasit, të cilët duke goditur barbarisht mbi popullsinë e pafajshme Izraele, e skalitën 7 Tetorin 2023 si një ndër aktet terroriste nga më çnjerëzoret në historinë moderne të njerëzimit.

Nga ana tjetër, më e pakta i gjej qesharake që “opinionistë të vetë-prangosur nga sindroma e Stockholmit” i risjellin opinionit oshilacionet gjeopolitike të Enver Hoxhës: “Izraeli një kobure në duart e SHBA/UK…., një Shtet i krijuar nga imperializmi dhe sionizmi reaksionar”.

Së dyti, përtej emërtimit patriotiko-fetar (HAMAS = Lëvizja e Rezistencës Islamike) “terroristët e pa Fe” që çirren si monstra: “Allāhu ʾakbar ose Zoti është i madh” edhe pasi vrasin barbarisht qytetarë të grumbulluar në festë publike; kur u presin kokat fëmijëve të pafajshëm; kur marrin zvarrë pengje pleq/gjyshër, gra dhe vajza, apo edhe kur përdorin si barrikada (ç) njerëzore bashkëqytetarë nga Rripi i Gazës”, kurrësesi nuk kanë të përbashkët me kuranin dhe as me vlerat e fesë Islame !

Në të kundërt, frymëzuesit që fshihen si minj në transhetë e Rripit të Gazës, e keqpërdorin fenë për axhendën e tyre politike dhe i diskreditojnë vlerat e besimit Islam, që në asnjë rrethanë nuk frymëzon vrasjet makabre. Në të kundërt, si besimet e tjera komplementare, edhe ajo Islame mbjell paqe, tolerancë, mirëkuptim dhe bashkëjetesë paqësore, pavarësisht Fesë, etj.

Së treti, ende mbetet në kuadrin e teorive konspirative nëse ky akt ishte “klonuar nga Kremlini në kokën e terroristeve të Hamasit”, por është e sigurt, që ky akt-barbar, i shërben përpjekjeve të dëshpëruara të RusisëPutiniste, për të hapur një front të ri lufte krahas asaj në Ukrainë. Por do të dështoje, ashtu si në përpjekjen për ta tërhequr Kinën në luftë me Tajvanit; apo për ta frymëzuar Beograd-in deri në marrëzinë e “pushtimit ushtarak të veriut të Kosovës, e cila prej Marrëveshjes së Kumanovës (06/1999) mbetet ende nën përgjegjësinë e trupave të NATO-s/KFOR-it”.

Së katërti, ashtu si 11 Shtatori 2001, edhe kjo ngjarje demonstroi jo vetëm “dështimin e frikshëm” të inteligjencës Izraelite, por 7 Tetori 2023, konfirmoi gjithashtu se, “garancia 100% te mëvetësia e mbrojtjes strategjike si dhe imunitet 100 % në luftën kundër terrorizmit nuk ka për të patur”. Bashkë me këtë mësim, del domosdoshmëri kritike, për të bashkëpunuar në luftën me të keqen e përbashkët/terrorizmin.

Së pesti, në Kremlin, Iran, Korenë e Veriut, dhe gjithandej (përfshi në Shqipëri) në mendjet e ndryshkura duke u përpjekur ti japin dimension fetar dhe “legjitimuar” aktit terroriste, që: “vret barbarisht apo ngre barikada/pengje me trupa njerëzorë të pafajshëm”, kanë vënë në sprovë, të drejtën sovrane dhe ndërkombëtare (artikulli 2 dhe 51 i kartës së OKB) të vendimmarrjes për (vetë) mbrojtjen me çdo çmim të integritetit teritorial, të jetës së qytetarëve dhe përdorimin e fuqisë ushtarake të Izraelit deri në asgjësimin e autorëve, terroristeve të Hamasit.

Së gjashti, ndërsa përtej rrethanave specifike të Izraelit për mbijetesë, “ushtrimi i të drejtës së hakmarrjes shëmbullore ndaj terroristëve”, vjen edhe si një sfidë dhe kambanë e përbotshme, pasi: “nëse terroristet e Hamasit, duke vrarë/therur fëmijë të pafajshëm apo duke përdorur si barrikada, pengje, pleq/gjyshër, vajza dhe gra, etj. akte çnjerëzore”, do të gjunjëzojë Izraelin, nuk do krijonte kjo një preçedent fatal për të hedhur në erë rregullat, sistemin e sigurisë dhe vlerat e qytetërimit ?

Ndërsa, për këdo kalemxhi të mirëpaguar, pyetja mbetet: “nëse Izraeli dorëzohet sot, dhe nesër në një akt të ngjashëm kështu do gjunjëzohej edhe Washingtoni, Berlini, Londra, Parisi dhe çdo vend demokratik ndaj terroristeve çfarë pasojash do të ketë mbi paqen, shoqërinë njerëzore, harmoninë fetare, bashkëjetesën paqësore” ?!

Nga ky këndvështrim, pra kur Izraelit nuk mbetet opsion tjetër, “hakmarrjen shembullore ndaj organizatës terroriste të Hamasit”, e gjej në të drejtën e mbijetesës si dhe kontribut për të mbrojtur vlerat e mbarë botës së qytetëruar” !

Së shtati, mbështetja diplomatike nga vendet demokratike si dhe prezenca e menjëhershme ushtarake e ShBA në rajon (e cila konfirmon “me vepra” mbështetjen pa kompromis të Izraelit në luftën me terrorizmin) është jo vetëm për shkak të një lobi të fortë në vendimmarrjet e Washingtonit.

Ndërsa kështu, marrëdhëniet ShBA-Izrael meritojnë edhe një koment shtesë: “shumica dërrmuese e 194 shteteve (përfshi Shqipërinë) e kanë vetëshpallur ShBA aleat strategjik, ndërsa Izraeli është ndër të vetmet shtete të konfirmuara zyrtarisht nga Washington-i si aleat Strategjik për mbrojtjen e interesave gjeopolitike të ShBA-ve në rajon”!

II. Historia e konflikteve dhe e përpjekjeve për paqe :

Përtej aktit terrorist të 7 Tetorit, konfliktet dhe përpjekjet për paqe në Rajon kanë një histori të gjatë dhe i ka rrënjët në “Palestinën historike”, që përfshin Izraelin e sotëm, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.

Konflikti edhe pse rrotullohet brenda “dimensionit fetar” mbetet një çështje e rrënjosur thellë dhe e shumëanshme, që përfshin çështje të territorit, refugjatëve, sigurisë, identitetit dhe interesave kombëtare.

Me këtë rast, sjellim në vëmendje disa nga ngjarjet peshë nga fundi i shekullit të 19-të – fillimin e shekullit të 20-të:

Siç mund te dihet gjerësisht, në fund të shekullit të 19-të, komunitetet hebraike anembanë Europës u përballën me persekutim dhe diskriminim, ndërkohe lëvizja zioniste, e udhëhequr nga Theodor Herzl, u shfaq si projekt për krijimim e një atdheu hebre në Palestinë.

Pas Luftës së Parë Botërore (1947), Kombet e Bashkuara propozuan një plan paqe i cili rekomandonte ndarjen e Palestinës në dy shtete, hebreje dhe arabe, me Jerusalemin si qytet ndërkombëtar. Ndërsa udhëheqësit hebrenj e pranuan planin, udhëheqësit arabë e refuzuan kategorikisht. Më 14 maj 1948, David Ben-Gurion shpalli themelimin e Shtetit të Izraelit. Të gjitha shtetet arabe, duke përfshirë Egjiptin, Jordaninë, Sirinë dhe Irakun, e kundërshtuan dhe u përfshin në Luftën e Parë Arabo-Izraelite.

(1950-1960): Në vitin 1956, Izraeli, së bashku me Britaninë dhe Francën, pushtuan Egjiptin gjatë krizës së Suezit por presioni ndërkombëtar dhe rrethanat e luftës së ftohtë, i detyroi të tërhiqeshin. Lufta gjashtë ditore (1967): Konflikti 6 ditor midis Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë, përfshiu Egjiptin, Jordaninë dhe Sirinë, rezultoi me pushtimin nga Izraeli të Gadishullit Sinai, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.

Lufta e Yom Kipurit (1973): Egjipti dhe Siria filluan një sulm të befasishëm ndaj Izraelit gjatë festës hebreje të Yom Kipur, por Izraeli jo vetëm e zmbrapsi sulmin, por mori edhe më shumë territore.

Marrëveshjet e Camp David (1978): të ndërmjetësuara nga SHBA, i normalizuan marrëdhënieve midis Izraelit dhe Egjiptit, i cili u bë vendi i parë arab që njohu Izraelin.

(1987-1993): Protestat dhe kryengritjet palestineze kundër pushtimit izraelit në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës shënuan Intifadën e Parë. (1993): Negociatat sekrete të Marrëveshjet e Oslos, themeluan Autoritetin Palestinez dhe siguruan një kornizë për vetëqeverisjen në pjesë të Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës.

Përpjekje të tjera, si Samiti i Camp David (2000), Samiti i Tabës (2001) dhe Konferencën e Annapolis (2007), nuk kanë arritur gjithësesi të prodhojnë ndonjë zgjidhje të qëndrueshme në rajon. Marrëveshjet e Abrahamit (2020): Izraeli normalizoi marrëdhëniet me Emiratet e Bashkuara Arabe duke thyer qëndrimin tradicional arab për mosnjohjen e Izraelit pa një zgjidhje për çështjen palestineze.

III.Mbi kapacitetet/fuqinë ushtarake së Izraelit (FMI) dhe organizatës militante (terroriste) Hamas.

Fuqia ushtarake midis Izraelit dhe Hamasit, janë tërësisht të pakrahasueshme, pasi Izraeli është një shtet sovran me një ushtri të modernizuar, ndërsa Hamasi është vetëm një organizatë militare/ushtarake. Megjithatë:

A. Fuqia ushtarake e Izraelit: Ka një forcë të armatosur prej rreth 160-170 mijë forcë aktive (shërbim i detyrueshëm ushtarak) si dhe rreth 500 mijë forcë rezervistë. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) përbëhen nga forcat tokësore, forcat ajrore, forcat detare si dhe njësi të specializuara.

Ka një industri të avancuar të mbrojtjes dhe merr ndihma dhe mbështetje të konsiderueshme ushtarake nga ShBA. Posedon sisteme të avancuara të armëve, duke përfshirë: Iron Dome, një sistem anti-raketë i krijuar për të kapur dhe asgjësuar raketat dhe predha artilerie si dhe Sistemi Arrow që është një familje raketore anti-balistike; Avionë luftimi të avancuar, duke i dhënë Izraelit epërsi ajrore të pakonkurueshme në rajon. Zotëron po ashtu Tanket Merkava të gjeneratës së fundit, që po i shohim edhe në shtetërrethimin e shpallur mbas aktit terrorist të 7 Tetorit.

Pavarësisht “dështimit” në këtë rast, Izraeli konsiderohet lider global për kapacitetet Inteligjencës dhe sigurinë kibernetike, fushë që po bashkëpunon edhe R.Sh, Kosova dhe vendet e tjera të rajonit të Ballkan.

B. Fuqia/Kapacitetet ushtarake e Hamasit: Harakat al-Muqawama al-Islamiya (Levizja e Rezistencës Islamike), themeluar në 1987, organizatë politike & ushtarake (e shpallur terroriste nga ShBA/BE) që kontrollon Rripin e Gazës, pjese e territoreve Palestineze, ka prezencë edhe në West Bank.

Aftësitë ushtarake përbëhen kryesisht nga forca të parregullta të inkuadruara në Brigadat Izz ad-Din alQassam. Aktualisht, ka disa mijëra luftëtarë aktivë si dhe mund të rekrutojë një numër më të madh rezervistësh. Është i njohur për rrjetin të gjerë të tuneleve në Gaza, i cili përdoret për kontrabandë dhe sulme të befasishme, si dhe në sulmin terrorist të datës 7 Tetor 2023.

Zotëron kryesisht armët të lehta si automatikët dhe mitralozët qe përdoren për luftën terroriste dhe guerile, ndërsa eksplozivët, raketat dhe mortajat që përdoren ndaj Izraelit si armë kryesore e shantazhit. Gjithsesi përtej befasisë dhe dështimit në rastin e 7 Tetorit, mbi 85 % e raketave të Hamasit janë kapur dhe asgjësuar nga sistemi i “Kupolës së Hekurt të Izraelit”.

Në përmbledhje, kurrësesi Hamasi nuk ka as tiparet, as strukturën e C2; as kapacitete dhe as aftësi për tu krahasuar me fuqnë ushtarake të një komb sovran si Izraeli. Për më tepër, Izraeli ka kapacitete dhe fuqi ushtarake jo vetëm për ta “mposhtur Hamasin” por për t’u përballur dhe dominuar të gjitha vendet Arabe së bashku.

IV. Parime dhe rekomandime për zgjidhjen e konfliktit dhe rikthimi te masat të ndërtimit paqes në rajon:

Paraprakisht më duhet të qartësoj fortë se, për sa trajtoj në këtë opinion, kurrsesi nuk kanë të bëjnë me zgjidhje shteruese aq më pak paragjykime mbi sovranitetin territorial, identitetet kombëtare, apo rrënjët e konflikteve mes Izraelit dhe vendeve Arabe. Gjithsesi, po paraqes disa rekomandime për situatën pas dhe përtej rastit të fundit:

#. Për situatën mbas 7 Tetorit: vendet në konflikt, komuniteti ndërkombëtar, NATO/BE, etj duhet ta dënojnë zyrtarisht se pa asnjë hezitim aktin terrorist të 7 Tetorit 2023, në vazhdën akteve kriminale të Hamasit që minojnë bashkëjetesën paqësore mes popujve në rajon dhe kërcënojnë balancat gjeopolitike dhe vlerat e qytetërimit.

Për më tepër nuk ma lejon as, grada e lartë ushtarake (gjeneral*) por as eksperienca në NATO të bëjë “moralizime populiste” mbi detyrimet kushtetuese ndaj Forcave të Armatosura të Izraelit për mbrojtjen e jetës së qytetarëve, si dhe as më pak ta paragjykoj të drejtën që ka Izraeli të përdorë në mënyrë të përshkallëzuar fuqinë ushtarake (përfshi hakmarrjen shembullore për ta asgjësuar dhe shkulur nga rrënjët Hamasin), për të rivendosur gjendjen në terren si dhe besimin e qytetarëve Izraelit te standardet e sigurisë.

Ndërsa, frymëzuesit dhe terroristët duhet të çohen sa më shpejt të jetë e mundur para drejtësisë Izraelite dhe Gjykatës ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit. Sigurisht duhet vetëpërmbajtje dhe respektimi konventave ndërkombëtare, duke përdorur arme me preçizon të lartë kundër terroristëve, infrastrukturave dhe lidhjeve të Hamasit; duke hapur korridore humanitare dhe mjekësore për popullsinë civile si dhe duke shmangur në maksimumin e mundshëm viktima të pafajshme (megjithëse në masën 100 % është mision i pamundur).

Thënë këto, në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk do të duhet të ndalen përpjekjet diplomatike nga Izraeli, vendet Arabe dhe komuniteti ndërkombëtar. Më tej për të krijuar frymën e mirëbesimit do duhet një akt falje si dhe një marrëveshje paraprake me faktorët lokal te moderuar që zgjidhjen e konfliktit dhe bashkëjetesën paqësore nuk e shohin kurrsesi nëpërmjet akteve terroriste.

#. Ndërsa përtej aktit terrorist të 7 Tetorit, situata në terren dhe historia e pas-konflikteve na mëson se rruga drejt paqes kërkon përkushtim, kompromis dhe përfshirje të të gjithë faktorëve relevant.

Edhe konflikti izraelito-arab është një çështje komplekse gjeopolitike e shtrirë në dekada dhe që përfshin një mori faktorësh historikë, fetarë, kulturore, territorialë, identitetin kombëtar, interesa ekonomike, etj. Prandaj, një zgjidhje e qëndrueshme përfshin adresimin e ktyre faktorëve dhe sigurisht do duhet të prevalojnë mekanizmat diplomatike mes Izraelit, Palestinës dhe vendeve të tjera.

Një opsion i diskutuar gjerësisht si zgjidhje është krijimi i dy shteteve sovrane, Izraelit dhe Palestinës, që do të përfshinte negociatat për kufijtë, refugjatët dhe Jerusalemi si kryeqytet i përbashkët për të dy vendet sovrane. Bashkē me këtë, adresimi i çështjes së refugjatëve palestinezë, përmes kompensimit, zhvendosjes ose kthimit sipas kushteve të dakordsuara paraprakisht.

Masat e mirëbesimit reciprok përfshijnë de-militarizimin, balancat e fuqisë ushtarake dhe garancitë e sigurisë për Izraelin, lirimi i të burgosurve, bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet kulturore. Sigurisht, aktorët ndërkombëtarë, OKB, ShBA, BE si dhe ata rajonale, kane një rol thelbësor në suksesin e negociatave për paqe të qëndrueshme.

V. NË SHTESË, si në çdo dhjetëra vlerësime me peshë në fushën e sigurisë, dëshiroj që edhe këtë artikull ta përmbyll me “impakte dhe rekomandime strategjike” për faktorët dhe aktorët në Tiranës dhe Prishtinën zyrtare:

1. Patjetër që gjej paralele dhe impakte mbi interesat mbarëkombëtare, pasi sulmi terrorist i Hamasit ndodhi jo rastësisht vetëm 2 javë mbas aktit terrorist, që bandat mercenare të frymëzuara nga oshilacionet e Ministrit të Millosheviçit dhe interesat e Rusisë-Putiniste, ndërmorën ndaj Kosovës.

2. Gjithashtu dua ta përsëris se “jo për meritë të protagonistëve të mbi-pushtetshëm, që mjerisht as rezolutën të përbashkët (në letër) mes dy Kuvendeve nuk munden të realizojnë”, por falë gjakut të dëshmorit të kombit Afrim Bunjaku dhe profesionalizmit elitar te FSK si dhe mbështetjes së aleatëve strategjik

(USA/NATO), Kosova fitoi një betejë historike: “duke shmangur një skenar të Krimesë për t’i kthyer manastiret e Kosovës në depo armësh, bunkerë terroristesh dhe barikada të civilëve te pafajshëm”!

3. nuk mund të mos shpreh neverinë ndaj një përpjekje për të baraz(sh)vlerësuar përpjekjet e çlirimtarëve të Kosovës me ato të grupit terrorist të Hamasit! Përtej “revoltës patriotike”, përgjigja është e vërteta, që: “në asnjë rast të vetëm nuk janë goditur popullsia e pafajshme; kurrë nuk janë marrë pengje fëmijë, pleq, gra apo vajza Serbe”. Përkundrazi, projekti i shenjtorit Rugova privaloi dhe me ndërhyrjen legjitime të NATOs Kosova u çlirua nga pushtuesit Serb.

4. Thënë këto, Tirana dhe Prishtina zyrtare do duhet të konfirmojnë solidaritet dhe mbështetje të pakushtëzuar për Izraelin jo vetëm për shkak të lidhjeve historike dhe reciprocitetit të mirënjohjes që ka Izraelit ndaj kombit tonë për shpëtimin e Hebrejve nga nazistët gjatë Luftës II-të botërore, por edhe për tu rreshtuar pa kompromis krah ShBA-ve (aleate strategjike e Izraelit) që ka luajtur rol përcaktues jo vetëm për çlirimin dhe faktorizimin gjeopolitik të Kosovës, por edhe specifikisht për njohjen si “surprizë e mençur” në dhomën ovale (në kuadër të Projektit të Presidentit Trump) nga Izraeli në kuadër të paketës 12 miliard €, përfshi autostradën e paqes, linjën hekurudhore, portin në ujërat e thella të Adriatikut, etj.

5. Ndërsa e risjellë në kontekstin e interesave gjeopolitike, kombi ynë ka arsye të forta ndërsa autoritetet shtetërore e kanë detyrim shtetëror jo vetëm të “vendosin numër telefoni për të ndihmuar bashkëqytetarët Shqiptare për transportin nga zonat e konfliktit” por dhe të dënojnë “me një zë të përbashkët” terrorizmin si dhe të mbështesin përpjekjet e Izraelit në këtë betejë me të keqen e përbashkët/terrorizmin.

Në përmbyllje përsëris se “përtej luftës, paqja mbetet mision i vështirë por opsioni i vetëm”. Kështu jam besimplotë se Izraeli jo vetëm do t’i ndëshkojë në mënyrë shembullore terroristet por paqja dhe vlerat e qytetërimit do të triumfojnë mbi terroristet e Hamasit, Rusinë-Putiniste, Kim-Jong-un, Iranin dhe ndaj çdo mendje tjetër të deformuar në botë.

*Ekspert për SK, Rajonin & NATO,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut; Si dhe Ish: Këshilltar i Presidentit të R.Sh; Përfaqësues Kombëtar në NATO.

Filed Under: Ekonomi

PM Kurti’s Consistent Throughline from Columbia University Albanian Society Discussion to Balkan Process Summit

October 17, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

The Western Balkans were presented with a new plan by European Union leaders at a summit in Tirana on Monday. It consisted of access to parts of the EU single market and reforms ahead of membership for the region’s six countries.

The senior EU officials at the annual talks – called the Berlin Process – held in Tirana were European Commission President Ursula von der Leyen and European Council President Charles Michel, joined by German Chancellor Olaf Scholz.

The six countries are: Albania, Bosnia, Kosova, Montenegro, Northern Macedonia and Serbia. This piece attempts to generally point at the consistency of the policies that drive the Kosova government presented in the remarks by Prime Minister Albin Kurti at Monday’s summit and at last week’s virtual discussion with Columbia University Albanian Society.

In the wake of the terrorist attack of September 24 carried out in Northern Kosova by alleged Serbia-sponsored perpetrators who are still free after publicly admitting their involvement, Prime Minister Kurti is pushing on the need for accountability. “Even after 25 years of a genocidal campaign and numerous rounds of dialogue, Kosova is being threatened with Serbia’s invasion. The moment calls upon us to reflect and not go about business as usual,” said Mr. Kurti in Albania’s capital.

Expressing support for the “Four Step Plan” of EU expansion for the Western Balkans presented by the European Council President Charles Michel, Kosova Prime Minister called for “aligning EU economic benefits and policies with EU values.” It is a relevant consideration in light of the issues that involve morality and justice, fighting corruption and protecting citizens’ rights and so on.

He acknowledged the long road ahead citing as an example the gap of the living standards between Kosova and the EU countries. Yet Mr. Kurti expressed optimism when it comes to facing the new challenges. He touted a newly created body named Convergence Observatory as a helpful government tool towards reaching a brighter future. “Present day citizens of West Balkans should not live in fear of tomorrow but work together for their common future,” Mr. Kurti stated at the summit.

His statement at the annual talks on Monday was, at least, in part previewed at an hour-long online meeting hosted by Columbia University Albanian Society just days before the summit in Tirana. The main topics of the discussion were International relations, Political Science and Diplomacy – areas of particular interests for alumni, graduates and students of the prestigious institution. Moderated by Elidor Mëhilli, Associate Professor of History and Public Policy and the Columbia Albanians Board members Bekim Bruka and Altrim Mamuti, the engaging discussion included a presentation by Prime Minister Kurti and a Question-and-Answer segment on issues concerning Kosova security, US support, the current role of diaspora, Open Balkan etc.

That same day PM Kurti had met with two US Senators Jeanne Shaheen and Peter Welch visiting with him in Prishtina. Mr. Kurti expressed his appreciation calling the move a clear sign of support by the US on the heels of the September 24 violent attack in Northern Kosova by alleged perpetrators backed by Serbia. He also indicated the White House National Security Advisor condemnation of the amassing of Serbian troops at the border with Kosova. Knowledge of past and present power relations among nations inform a deeper understanding in geopolitics and in this context, Mr. Kurti drew the analogy in the sequence of events that followed the collapse of Soviet Union to the disintegration of the Yugoslav Federation. Asked about the Association of Serb communities, Mr. Kurti recognized the rights of the Serbian minority guaranteed by Kosova’s Constitution, further noting that out of 38 municipalities in Kosova, 10 have Serb majorities, while 93 percent of population is Albanian, 4% Serb and the other 3% includes Bosniaks, Turks, Ashkali, Egyptians, Gorani and Roma.

A consistently central theme for the administration, diaspora, was discussed in terms of its role before and after the war. “It was engaged in an effective multipronged campaign through financing the war, through lobbying the US Congress and White House up until the liberation,” said PM Kurti. The successful efforts however were followed by a postwar “incredible relaxation” he added. Yet “currently the diaspora is undergoing a third revival, remarked Kosova’s PM. The remittances by diaspora accounting for 20% of the country’s GDP are one way of demonstrating such revival, according to him.

Among the challenges and obstacles the country is faced with, he echoed the discrepancies between the job market and education degrees for a whole generation of Albanians who pursued years of studying abroad. PM Kurti brought up programs designed in accordance with a Swiss model that matches the labor market with the proper level of education, in order to assign the right person with the right job. “There is no time like the present.” said Prime Minister Kurti but “the present is especially important to Kosova.” “And all of you are part of us and are dear to the nation.”

Prime Minister Albin Kurti, who has consistently opposed the idea, called the Open Balkan “an abuse of Eastern and Northeastern powers, which makes it insufficiently European”. In contrast, the Berlin Process is the right geopolitical orientation because Balkans should be European. At the summit, Mr. Kurti welcomed the new plan offered by the European leaders ahead of the membership of the Western Balkans to the EU bloc.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT