• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

At Shtjefën Gjeçovi, martiri i kishës dhe shërbestari i vlerave krenuese shpirtërore të shqiptarëve

October 16, 2023 by s p

Nga Albert Vataj/

Më 12 korrik 1873 u lind në Janjevë të Kosovës, 11 km larg Prishtinës, frati françeskan, veprimtari i shquar i lëvizjes atdhetare, etnografi, arkeologu dhe shkrimtari, Shtjefën Gjeçovin, një ndër gurthemelet më të njimendë të vetëdijes tonë kombëtare. Ai ishte dha një kontribut të vyer jo vetëm si një klerik i devotshëm por dhe veptimtar i pasionuar i vlerave shpirtnore të shqiptarëve, duke u bërë njëherash dëshmues dhe afirmues i asaj pasurie që mbart në vetvete tharmin e ekzistencës së mraztë të këtij populli. Ndonse atë e lidhim vetëm me “Kanunine Lek Dukagjinit” që doli në dritë në vitin 1933, 4 vite pasi ai u pushkatua në Zym të Hasit të Thatë, më 14 Tetor 1929, lëmi i shërbestarisë është tashmë një vlerë e pamohueshme e pasurisë së shqiptarëve. Sigurisht që ndër kontributet më madhore të Shtjefën Gjeçovit është “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, botuar në Shkodër. Këtij botimi i paraprin një biografi e shkurtër, shkruar nga padër Pashk Bardhi dhe vazhdon me një parathënie të gjatë nga Gjergj Fishtës, të cilën e mbyll me këto fjalë: “Kaq shkrova jo aq për me shtrî nji parathane kesajë vepre, sa per me diftue mallin e pakufîjshëm qi kam per të paharrueshmin auktorin e saj”.

Duke vazhduar rrugëtimin më tej në veprimtarinë e Atë Shjefen Gjeçovit ndërmendim: “Dashnia e atdheut” (1901), “Jeta e Shën Luçisë” (1904), “Agimi i Gjydetnisë” (1910), “Nji argtim arkeologjik” (1902), “Sebaste s’Armeni apo në Arbëri”(1921), “Trashëgime thrrake-iliriane” (1924), “Trashëgime pellazgenë traditën shqiptare” (1914), si dhe veprat që u botuan më vonë si “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (1933), “Shërbyesi i botës ose Jeta e Jezu Krishtit” (1997), apo veprat që ndodhen në dorëshkrim, si “Trashëgime ilire në traditën shqiptare”, “Përrallat popullore”(1903), “Doke e zakone vdekjeje” (1907), “Mënyra e jetës në Malci” (1908), “Doke e zakone dasmash” (1910-1911) si dhe përkthimet e botuara “Atil Reguli” (1912), “Vajza e Orleansit” (1916), “Mark Kuli Kryeqitas” e shumë e shumë të tjera. At Shtjefen Gjeçovi krijoi mbi 10 mijë faqe materiale e krijime të tjeratë fushave të ndryshme. Akti i krijimit të këtij humanisti është vlera sublime që nxit një mirënjohje të përunjur për këtë personalitet, për emrin dhe veprën që la si testamet të amshimit.

Nga jeta

Shtjefën Gjeçovi u lind më 12 Korrik 1874 në Janjevë të Kosovës. Mësimet e para i mori në vendlindje, i vazhdoi në Kuvendin françeskantë Troshanit (Shqipëri), në Dërventë (afër Banja Llukës) dhe në Fojnicë e Kresheve të Bosnje-Hercegovinës. U shugurua prift në Zllakuqan (afër Klinës),më 25 Korrik 1896. Shërbeu në Zllakuqan, Pejë, Gllogjan të Pejës, në Gjakovë e Zym të Hasit të Thatë të Kosovës, si dhe në Theth, Gomsiçe, Rubik të Kurbinit, Vlorë, Prekal të Shalës e vende të tjera të Shqipërisë si edhe në Zarë tëKroacisë e Livno të Hercegovinës. U vra nga pushtuesi serb në Zym të Hasit të Thatë më 14 Tetor 1929.

Në veprën e tij “Agimi i Qytetënisë” në kapituj 2 dhe 3 kemi mundësi të njohim më afër disa nga mendimet e tij politike e filozofike-pedagogjike. Kështu në trajtimin e raporteve të “Besimit dhe Atdheut”, Gjeçovi e formulon me figurën e një “peshore”, ku besimi dhe atdhedashuria përbëjnë dy krahët që e mbajnë në drejtpeshim. Rrjedhimisht sipas tij, besimi e feja nuk mund të pretendojnë për përparësi, siç e kërkonte kisha. Madje, Gjeçovi shkonte edhe më tej dhe formulonte kërkesën që një “shenjt” i kishës nuk mund të quhej tillë, po të mos kishte qenë atdhetarë. Në veprimtarin e tij si shkencëtar, Gjeçovi u nis nga parimi thellësisht shkencor e patriotik njëkohësisht, se “një popull që nuk ka histori të vetën, konsiderohet si një popull i vdekun”. Visari ynë i vërtet kombëtar gjendet i mbuluar nën dhe, ose në kujtesën e popullit” shkruan Gjeçovi. Për këtë qëllim ai zhvilloi një veprimtari të dendur për të përshkruar vendin e për të mbledhur si stematikisht këto thesare, qofshin ato objekte arkeologjike, apo materiale etnografike, doke e zakone, norma juridike a dokumente të mirëfillta historike. Me zemërim ai fliste kundër koncesioneve arkeologjike që do t’u jepeshin të huajave dhe u përpoq me forcat e veta të mbushte atë zbraztësi të madhe që përbënte në jetën tonë kulturore mungesa e një muzeu. Është i njohur koleksioni arkeologjik i Gjeçovit, i vetmi institucion i këtij lloji dikur në vendin tonë. Edhe më i pasur ishte materiali etnografik që ai mblodhi sistematikisht, material i cili pasqyron në fakt gjithë jetën e popullsisë së malësisë sonë, qysh nga djepi deri në varr, duke përfshirë këtu material të vyer për institucionet karakteristike të jetës shoqërore si besa, nderi, burrnia etj.

Studiuesi Selim Islami shkruan, se “Figura e Shtjefën Gjeçovit është e madhe dhe veprimtaria e tij e shumanshme, që arkeologët mund të krenohem me të si me të parin arkeolog shqiptar. Me ermin e tij lidhen kërkimet e para arkeologjike të bëra nga një shqiptarë deri më atë kohë”.Gjeçovi vë në dukje rendësin e arkeologjisë si shkencë: “arkeologjia shkruante është e vlefshme sepse qet në dritë visarin e kombit që prej mijëra vjetësh rrifutun nën dhe” “Lajmet mbi arkeologjinë shqipe, shton ai duke iu referua zbulimeve të tij, kanë me pas një rëndësi të madhe për historinë kombëtare”. Mbi fushën e arkeologjisë Gjeçovi jep udhëzimet të karakterit metodik se si duhet të tregohen vendin se ku ka gjet ndonjë objekt të vjetër. Me zemërim të thellë Gjeçovi dënon qëndrimin antikombëtar të qeveritarëve injorantë e tradhtarë të asaj kohe që bëjnë tregti me pasuritë kulturore të popullit tonë. Në koleksionet arkeologjike të Gjeçovit shumë të rëndësishme mund të cekim dy çekanë guri që përbëjnë për atë kohë, mbase dëshminë e parë të neolitit shqiptar, një numër sopatash bronzi të tipit “shkodran” e “dalmate-shqiptare” një përkrenare ilire, maja heshtash, enë balte, zbukurime e monedha të Shkodrës, Gentit dhe Dyrrahit e Apolonisë etj. Interesimi i Gjeçovit për arkeologjinë nuk qe i rastit. I edukuar dhe i brumosur me idetë patriotike të rilindëseve tanë ai iu drejtua arkeologjisë si një fushë që mund të kontribuonte shumë me ndriçimin e historisë kombëtare dhe të traditave të lashta të popullit tonë. Këto kontribute shkencore Gjeçovi i botoi në shkrimet “Trashëgime pellazge” dhe “Trashëgime trako-ilire”etj. Fusha e shkencave arkeologjike që e bëri Atë Shtjefën Gjeçovin të pavdekshëm, qe ajo e etnografisë. Ai grumbulloi aq njohuri mbi traditat e popullit tonë, sa u bë “një arkiv i gjallë etnografikë”.

Trashëgime ilire në tradita shqiptare

Në këtë fushë ai përgatiti për shtyp vëllimet të shumta si: “Përralla popullore”(1903),”

Doke e zakone vdekjeje”(1907), “Mënyra e jetesës në Malci”(1908), ”Doke e zakonesh dasmash” (1910-1911), “Vaje “ në raste vdekjesh (1917-1920). Por mbi të gjitha, është vepra e madhe, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, mbledhjen e të cilit e filloi në vitin 1898 dhe e vazhdoi deri në vrasjen e tij më 1929. Atë Shtjefën Gjeçovi, shkroi edhe disa vepra që mbetën të pabotuara. Përveç këtyre librave, që i la të përfunduara, ai bëri disa përkthime. Në fushën e historisë, në mes të disa punimeve të vogla mbi Skënderbeun, mbi arbëreshët e Italisë, mbi Lekën e Madh, studimet që kanë një vlerë më të madhe janë: ”Trashëgime pellazge në tradita të popullit shqiptar” dhe “Trashëgime ilire në tradita shqiptare”. Këto qenë studime të thella krahasuese, që kanë gjithnjë vlerën e vet. Kanuni i Lekë Dukagjinit u botua si vepër postume (pas vdekjes në vitin 1933). Kjo vepër e bëri Atë Shtjefën Gjeçovin të pavdekshëm. Prej saj mori titullin Doktor i Shkencave in honoriscausa nga Universiteti i Lajpcigut.

Shtjefën Gjeçovi, duke qenë një patriot i flaktë dhe një luftëtari vendosur për çështjen kombëtare shqiptare, gëzonte mirënjohje të veçantë. Këtë e gjejmë të shprehur në letërkëmbimin e pasur dhe në takimet që ka bërë Gjeçovi me Fan Nolin, Luigj Gurakuqin, Nikoll Kaçorrin, Norbert Joklin etj. Letër falënderimi i kanë dërguar Gjeçovit për punët që bënte në të mirë të atdheut edhe pjesëmarrësit në Kongresin e Lushnjës të vitit 1920.

Vështirësitë e punës së tij i ka përshkruar me realizëm eruditi dhe poligloti Faik Konica, i cili më 1930 botoi në gazetën “Dielli” të Bostonit “Kujtime për Sh. Gjeçovin”, shkrim që u përfshi edhe në botimin e veprës “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Në mes të tjerash, autori shkruante: “Më 1913 shkova në Shkodrë… (Ishte një propozim i atë Gjergj Fishtës për t’i bërë një vizitë Gjeçovit, shën. ynë). Mendimi i një vizite tek atë Sh. Gjeçovi në Gomsiqe më pëlqeu pa masë. Ashtu, pa humbur kohë, u nismë. Një gjë për të vënë re dhe që më mbushi me habi dhe trishtim është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtim shtatë a tetë orësh me kalë, nuk gjetmë as katunt as shtëpi, veç një hani të varfër, ku qendruam për të pirë një kafe, s’pamë gjëkundi ndonjë shenjë gjallësie; një vënt i zbrazur dhe i shkretë, si i harruar nga perëndia e nga njerëzit. Po mërzia e udhëtimit na u shpërblye përtej shpresës posa arrijtim në Gomsiqe… Famullia një biná prej guri e ndritur dhe e pastër, gjysmë e zbrazur nga plaçkat, po e mbushur dhe e zbukuruar nga zemëra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit të shtëpisë, qëndronte mikëpritëse dhe e qetë anës së një lumi. Këtu rronte at Shtjefën Gjeçovi. Këtu e çonte jetën mes lutjes e mësimeve, një nga njerëzit më të lartë që ka pasur Shqipëria”.

Ky ishte At Shtjefën Gjeçovi, shërbestar i devotshëm, atdhetar i flaktë dhe kontributor i patëdytë i vlerave që pasurojnë dhe e ruajnë identitetin tonë.

Filed Under: Kronike

SHQIPËRIA DHE BULLGARIA MUNDIN RUSINË NË ORGANIZATËN E KOMBEVE TË BASHKUARA!

October 16, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Ka kohë që Rusia po zhvillonte një fushatë  serioze në radhët e diplomatëve ndërkombëtarë në Nju Jork për t’u kthyer në Këshillin e Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut – pasi antarësimi i Moskës në këte ent të OKB-ës ishte anulluar, vitin e kaluar, si shkak për invadimin e Ukrainës nga Rusia. Por, megjithë ato përpjekje skandaloze të Kremlinit, të martën që kaloi, një shumicë e vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara i dërguan një mesazh të fortë – në nivel ndërkombëtar — regjimit të Putinit. Rusia humbi në mënyrë dërmuese në votimin që u zhvillua në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të martën e kaluar. Një shumicë vendesh i thanë “njet” Moskës duke refuzuar të votonin regjimin rus të Putinit si anëtar të Këshillit të Drejtave të Njeriut të OKB-së, për shkak të invadimit të Ukrainës nga Rusia. 

Si përfundim, duke filluar nga 1 Janari i vitit 2024, përfaqësues të Evropës Lindore në këtë Këshill do të jenë Shqipëria dhe Bullgaria, dy vende të kësaj zone gjeografike, që siguruan më shumë vota se Rusia në Asamblenë e Përgjithëshme të OKB-së. Sipas burimeve të OKB-së, në votimin e fshehtë të vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme, të martën që kaloi, Shqipëria siguroi 123 vota ndërsa Bullgaria mori 160 vota për antarësim në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, kundrejt Rusisë e cila — megjithë përpjekjet lobiste — siguroi vetëm 83 vota nga vendet anëtare të OKB-së.  Pa dyshim se kjo votë kundër antarësimit të Rusisë, nga shumica e 193 vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithme në Nju Jork, pasqyron moskënaqësinë, me pushtimin e vazhdueshëm të Ukrainës nga Rusia — të një shumice dërmuese të vendeve të botës. 

Antarësimi i Rusisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së është anulluar prillin e vitit të kaloi, menjëherë, pas invadimit të Ukrainës nga Rusia putiniste. Ambasadori i Polonisë pranë OKB-së, Krzysztof Szczerski u citua të ketë komentuar votimin e fshehtë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kundër antarësimit të Rusisë në këtë Këshill me vota dërmuese, si diçka që nuk mund të ndodhte ndryshe, duke marrë parasysh vazhdimin e invadimit rus të Ukrainës. 

Ndërkaq edhe organizata jo qeveritare mbrojtëse e të drejtave të njeriut, me qendër në Nju Jork — Human Rights Watch – reagoi, nepërmjet një zëdhënsi (Louis Charbonneau), duke u shprehur në lidhje me refuzimin e vendeve anëtare të OKB-së për të votuar në favor të Rusisë, “Shtetet anëtare të OKB-së i dërguan autoriteteve ruse një sinjal të fortë: se nuk ka vend në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut – për një qeveri që është përgjegjëse për një numër të madh krime lufte, si dhe për krime kundër njerëzimit.”  Ndërkaq, agresioni rus në Ukrainë vazhdon, ndërsa një numër hetimesh të organizatave ndërkombëtare kanë akuzuar Moskën për abuzime dhe shkelje të drejtave të njeriut. Madje, Gjykata Ndrëkombëtare e Krimeve ka lëshuar një urdhër për arrestimin e Presidentit rus, Vladimir Putin, pikërisht, në lidhje me akuzat për deportimin e fëmijve ukrainas nga Ukraina në Rusi.

Sidoqoftë, tani dihet se janë Shqipëria dhe Bulgaria që do të përfaqësojnë (zonën  gjeografike), vendet e Evropës Lindore, në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, për periudhën 2024-2026.  

Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së është enti kryesor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përgjegjëse për të mbrojtur dhe për të avancuar liritë themelore të njeriut, në nivel botëror. Si i tillë, ky ent që përbëhet nga 47 vende anëtare të OKB-së që zgjedhen me votë të fshehtë nga shumica e vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme — është themeluar në vitin 2006. 

Gjatë historisë së saj, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe entet e saj ka patur mbështetsit por edhe kritikët e saj. Një prej kritikëve të OKB-së ka qenë ish-Presidenti i Shteteve te Bashkuara, Ronald Reagan i cili e akuzonte organizatën botërore si një vend-strehim për regjimet diktatoriale të botës dhe për shkelësit dhe abuzuesit e të drejtave bazë të njeriut. Një, ku kriminelët dhe abuzuesit e të drejtave të njeriut, mbikqyrin shkelsit e këtyre të drejtave dhe kriminelët e tjerë, ëshrë një shprehje që përdoret shpesh nga kritikët e këtij wnti të Kombeve të Bashkuara! 

Njëri prej këtyre diktatorëve sot konsiderohet edhe Vladimir Putini i Rusisë i cili donte që vendi tij – megjithëse i akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerzimit — të gjente strehim edhe njëherë si anëtare, në një nga entet e të drejtave të njeriut të OKB-së, duke u përballur me Shqipërinë dhe Bullgarinë, si përfaqsuese të Evropës Lindore. Vota e pjesës dërmuese të përfaqsuesve të botës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, tregoi se lobimi i Kremlinit për të siguruar antarësimin në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, dështoi, në garën e Rusisë përball Shqipërisë dhe Bullgarisë. Në garën me Rusinë, me votë fshehtë, fituan Shqipëria dhe Bullgaria, për një mandat 3-vjeçar, si përfaqsuese të Evropës Lindore në Këshillin e të drejtave të Njeriut to OKB-së! 

Vendet dhe diktatorët që abuzojnë dhe shkelin të drejtat e njeriut dhe që kryejnë krime lufte dhe krime kundër njerzimit nuk duhet nuk duhet kurrë të jenë anëtar të një enti që pretendon se mbron të drejtat universal të njeriut – qoftë ai ent edhe Këshilli i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut – misioni i të cilit është mbrojtja dhe promovimi i këtyre të drejtave të njeriut në nivel botëror nga abuzimet e regjimeve dhe diktatorëve sknadalozë të kësaj bote !

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

KLUBET KULTURORE DHE PATRIOTIKE TË FILLIM SHEKULLIT XX NE ELBASAN

October 16, 2023 by s p

Prof.Dr. Roland Gjini/

Në vitin 1908, menjëherë pas shpalljes së Hyrjetit (Kushtetutës) nga Turqia, në Elbasan ngrihen dy klube patriotike dhe kulturore, “Bashkimi” dhe “Vllaznia”. Këto klube u bënë vatra të zgjimit të ndërgjegjes kombëtare dhe veprimtare të përhapjes së shkollave dhe arsimit shqip. Klubi “Bashkimi” hapi një shkollë nate në vitin 1908, ku punonin si mësues Josif Haxhimima, Simon Shuteriqi, Hasan Mezja etj. Ky klub ndihmoi në përhapjen e arsimit në fshatrat e Shpatit. Klubi “Bashkimi” mbante lidhje me klubin e Manastirit kryetar i të cilit ishte patrioti i shquar nga Bërzeshta, Halit Bërzeshta. Më 5 shkurt të vitit 1910 klubet patriotike “Bashkimi” dhe “Vllaznia” organizuan një miting madhështor me pjesëmarrjen e mijëra vetëve për mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe të alfabetit të saj.

Në mars 1910 të dy klubet patriotike, “Bashkimi” dhe “Vllaznia” bashkohen në një klub të vetëm me emrin “Bashkimi i ri”. Ky klub i zgjeruar punoi dhe veproi më tej për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare te populli i Elbasanit, jo vetëm për të mbrojtur e përhapur arsimin shqip, por edhe për zgjerimin e lëvizjes së armatosur antiturke në vitet 1911-1912. 

Në vitin 1920 formohet në Elbasan shoqëria kulturore “Afërdita” me drejtues Ahmet Hastopallin dhe Ahmet Gashin. Në verën e vitit 1920 u organizua banda muzikore e kësaj shoqërie, që shëtiste rrugicë e më rrugicë e shtëpi më shtëpi të qytetit, duke ekzekutuar himne e marshe, për të mbledhur ndihma për luftëtarët trima që luftonin në Vlorë kundër pushtuesit italian. Në fund të gushtit të vitit 1920, banda e shoqërisë “Afërdita” u ftua në Vlorë për të festuar fitoren mbi italianët. Kjo bandë shkoi në Vlorë dhe në 3 shtator dha koncerte në festimet e mëdha që u kryen në këtë qytet me rastin e çlirimit.

Filed Under: Reportazh

Probleme të Vlorës dhe deputetët ushtarë të partive

October 16, 2023 by s p

Gëzim Zilja/

Janë gjithsej 12 deputetë të qarkut të Vlorës, dy të Foltores, një i PD-së zyrtare, një i çamërve dhe gjashtë të PS-së. Ata janë përfaqësues të popullit në parlament dhe si të tillë problemet themelore të banorëve të djathtë apo të majtë të Vlorës, duhet t’i trajtojnë në parlament me anë të ligjeve (të propozohen) ose me kërkesa për investime. Prej tridhjetë vitesh deputetët pjesën më të madhe të kohës e harxhojnë, duke punësuar  militantët, ndërhyrë në polici apo drejtësi për favore, duke nxjerrë leje ndërtimi për miqtë, duke ndikuar në pushtetet lokalë për të fituar një copë tokë qyl apo tenderin e radhës ndonjë miku i tyre dhe allishverishe të tjera. Nëse ata do të ishin përfaqësues të popullit për problemet themelore të qytetit në raste të veçanta do të bëheshin bashkë e do të flisnin me një gjuhë të unifikuar, që u shërben banorëve dhe jo interesave të caktuara të oligarkëve, grupeve të majta apo të djathta.  

Devijimi i lumit Shushica për ta çuar në bregdetin e Himarës.

Është një problem ekzistence, jetik për fshatrat e Lumit të Vlorës e më gjërë. Nga banorët e këtyre zonave (të djathtë e të majtë) dhe shoqatat ambjentaliste ky vendim i qeverisë është kundërshtuar, duke nxjerrë arsye shumë të forta, që kanë të bëjnë me florën, faunën dhe zhvillimin ekonomik të atyre zonave. Me përjashtim të deputetit Bujara Leskaj që e ka kundërshtuar me forcë devijimin e Shushicës në parlament, nuk kam dëgjuar deputet tjetër të djathtë të cicërijë ose recitojë diçka interesante kundër këtij projekti. Deputetët e majtë si zakonisht heshtin dhe pranojnë çdo veprim të KM-së së gjithëditur dhe të pakundërshtueshëm edhe pse e kanë për detyrë të flasin në parlament, për këto vendime që shkatërrojnë jetën e një krahine të tërë. Fundja të shprehen pro futjes së Lumit Shushica në tubo, duke e argumentuar pse duhet bërë ky devijim? 

 Instalimi i TEC-ve lundruese në Zvërnec.

Shumë politikanë, analistë, gazetarë, ekonomistë, janë shprehur qartë se kjo është një aferë e madhe korruptive, ndërsa shoqata dhe specialistë të ambjentit shprehen dhe argumentojnë se vendosja e tyre në punë do të sjellë pasoja katastrofike për florën dhe faunën detare dhe do të ndotin ajrin e qytetit me pasoja për shëndetin e banorëve. Përfaqësuesit e popullit heshtin. Edhe kur i kërkojnë TV-të kombëtare apo locale për tu shprehur, edhe kur i thërrasin ambjentalistët të bashkohen me ta në protesta, as marrin mundimin të hapin telefonin.   

Furnizimi i Vlorës me ujë të pijshëm

Vlora me rrethinat në pjesën më të madhe të saj vuan sidomos në verë nga mungesa e ujit. Janë hedhur miliarda euro për rrugë, beton, janë bërë, ç’bërë e ribërë nga dy e tre herë sheshe e rrugë të qytetit por asnjëherë nuk është bërë investim në rrjetin e ujësjellsit të Vlorës. U investuan rreth 140 milionë euro për tunelin e Llogarasë (Tuneli i Zamirit e quajnë) dhe rrugën Orikum-Dukat (Rruga e Gjikurisë, thonë) dhe asnjë nuk është ngritur e t’i thotë strategut të rilindjes së Vlorës, në parlament: “Zoti kryeministër: Pse kaq shumë para për një tunel apo rrugë ekzistuese, kur qyteti me rrethinat ka nevojë uluritëse për ujë?” Vetëm njëzetë milionë euro mjaftojnë që Vlora me gjithë fshatrat të ketë ujë çdo njëzetekatër orë. Në verë ka fshatra e lagje ku uji mungon me ditë të tëra. E di që militantët me grada e pa grada do më thonë: “Duhet Tuneli. Duhet rruga Orikum-Dukat se sjellin zhvillim,” Sigurisht që duhen them edhe unë. Po banorët e Vlorës thonë, që ka prioritete, dhe zgjidhja e çështjes së ujit është para asaj të Tunelit e të rrugës ekzistuese Orikum-Dukat. 

Nga dhe si do të zgjerohet qyteti dhjetëvjeçarët e ardhshëm?

Këto tridhjetë vjet Vlora është “zgjeruar” sipas parimit kaotik: Gjej vend e shesh bosh në qytet e ndërto ose duke kafshur, rruar e qethur kurorën e kodrinave (një kryevepër e natyrës) rrugë pa rrugë, nga hyrja e Vlorës deri në Jonufër e më tej, duke zhdukur sipërfaqe të tëra të gjelbra. Në shpatet e pjerrëta të kodrinave gjen edhe ndërtesa tetëkatëshe që është marrëzi sipas gjeologëve, inxhinierëve të ndërtimit dhe ambjentalistëve. Mendoj që deputetët e Vlorës në këto probleme duhet të jenë bllok dhe të kërkojnë një plan rregullues dhe zgjerues të qytetit për të ardhmen, duke ndërtuar lagje të reja. Nuk është e nevojshme të thërrasin miqtë e KM-së nga Danimarka apo Belgjika. Inxhinierët arkitektë, urbanistë, të ndërtimit në Vlorë janë të aftë ta bëjnë në mënyrën më të mirë. Ata e filluan projektin për zgjerimin e qytetit qysh në vitin 1996 por lufta e vitit 1997 rrënoi gjithçka. 

PS. Ka një projekt që para ish Akademisë së Marinës do të ngrihen së shpejti disa kulla. Nëse bëhet referendum, deputetët dhe KM-ja do të mësojnë se vlonjatët janë kundër këtij projekti. Ata shprehen  se në tokën para Akademisë (e vetmja hapësirë e lirë në Llungomare) duhet të ngrihet Muzeu Kombëtar i Detarisë. Deputetët si përfaqësues të popullit, duhet ta çojnë kërkesën në parlament e jo të sillen si ushtarë të partive. 

Filed Under: ESSE

Ministri i Arsimit dhe i Shkencës së Maqedonisë së Veriut z.Jeton Shaqiri dhe veprimtari Nazar Mehmeti vizituan Vatrën

October 16, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 15 Tetor 2023 – Ministri i Arsimit dhe i Shkencës së Maqedonisë së Veriut z.Jeton Shaqiri i shoqëruar nga veprimtari e kontributori i madh i çështjes kombëtare z.Nazar (Nick) Mehmeti, Drin Ahmeti – biznesmen, Shpëtim Latifi Këshilltar i Posaçëm i Ministrit Shaqiri, Pleurat Halili – sipërmarrës dhe Bleron Baraliu aktivist i komunitetit shqiptar në New York, vizituan Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA.

Ata u pritën nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha, shefi i kabinetit Dr. Pashko Camaj, z.Elio Ahmetaj veprimtar i çështjes kombëtare, z.Gjokë Deçkaj anëtar i Këshillit të Vatrës dhe Editori i gazetës “Dielli”. Ministri i Arsimit dhe i Shkencës së Maqedonisë së Veriut z.Jeton Shaqiri në fjalën e tij vlerësoi Vatrën dhe shoqatat patriotike shqiptaro-amerikane për kontribut në dobi të çështjes kombëtare. Ministri Shaqiri i ofroi bashkëpunim të ngushtë Vatrës në fushën e edukimit dhe arsimimit, ekspozoi situatën politike në Maqedoni, situatën e shqiptarëve në politikbërjen e shtetit të Maqedonisë dhe platformën për zhvillimin e arsimit shqip në diasporë.

Kontributori i madh i çështjes kombëtare z.Nazar (Nick) Mehmeti shprehu vlerësimin dhe nderim për veprimtarinë dhe punën e Vatrës. Drin Ahmeti – biznesmen deklaroi se Vatra është institucion i shenjtë që mban gjallë lidhjen e shqiptarëve me Amerikën.

Në fjalën e mirëseardhjes kryetari z.Berisha i falenderoi për vizitën prezantoi para miqve historinë, veprimtarinë dhe kontributin e Federatës Vatra në dobi të çështjes kombëtare e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe trojet etnike kombëtare. Z.Berisha i garantoi miqtë se Vatra e ka prioritet në veprimtarinë lobuese në Uashington çështjen e shqiptarëve sidomos në trojet etnike.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT