• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

FENTANYLI KINEZ

October 7, 2023 by s p

Para disa ditësh, pothuaj e gjithë masmedia amerikane njoftoi opinionin se është kapur një sasi e madhe FENTANYl-i (thuhet tonelata) në kufirin SHBA –Meksikë. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe më parë, por në sasira më të vogla. Ky kimikat shumë i rrezikshëm për jetën e njerzve i prodhuar në Kinë, është siguruar nëpërmjet kartelit të drogës meksikan për ta futur në SHBA e për ta përdorur ate drejt përdrejt si drogë.

Në vazhdim të këtij informacioni, masmedia amerikane, theksoi se pesë vitet e fundit nga përdorimi i pakontrolluar i këtij kimikati, është vënë re një humbje e shtuar e jetëve të grupmoshës 21- 49 vjec, madje këtë vit kjo ka marrë përmasa dukshëm të mëdha.

Por me pak fjalë cfarë është FENTANYL-i. Ai është një përzierje kimikatesh me formulën C22H28N2O, i përdorur në shumicën e rasteve si ilac (medikament mjeksor) opioid sintetik gati 50-100 herë më i fuqishëm se morfina. Nga institucionet shëndetsore të certefikuara, është përdorur me doza shumë të ulta për të menaxhuar dhimbjet e pacientave me kanser në faza të përparuara ose pas operacioneve të rënda.Por shkencërisht është vërtetuar se ai jep efekte ansore të fuqishme si: depresion respirator, tharje të gojës, marrje mendësh, kapsllëk, përgjumje etj. Doza në mjeksi është 0,5-1mg (miligram) sepse 0,1 mg është e barabartë me 10 mg morfinë.

Ata që kanë studiuar për lëndët helmuese luftarake (LHL), kanë dijeni se për qëllime luftimi (në kohën e luftës së ftohtë e më pas), janë përgatitur edhe një grup LHL-sh të quajtura “narkotike” me shenjat: BZ, BZ-1, BZ-2. Baza e përbërjes së këtyre LHL-ve është FENTANYL-i kimikisht i pastërt. Ata mendohet të përdoreshin në fushën e luftimit në formë aerosolesh për të droguar e vënë në gjumë kundërshtarin që nuk dëshiroje ta vrisje, por ta kapje të gjallë.

Duke marrë parasyshë sa më sipër, le të këthehemi pak prapa në kujtesë duke ritheksuar se: sëmundja sars u cfaq fillimisht në Kinë dhe vaksina ishte pothuaj gati po nga kinezet, kur pjesa tjetër e botës pothuaj nuk dinte asgjë. Sars-i nga ana strukturore është pararendës i Covid-19 (koronaviruesit), i dalë nga laboratori ushtarak kinez i Uhanit (nuk dihet se doli me dashje apo padashje). Por prej Kinës erdhi pandemija botrore që mori më shumë se 8 milion jetë njerzish dhe solli pasoja tek qindra miliona të tjerë në formën e sëmundjeve të: trurit, zemrës, mushkrive, enëve të gjakut etj.

Disa insekte që shumohen me miliarda dhe që janë bërë një bezdi e madhe për gjithë amerikanët, thuhet se erdhën nga Kina. Aktualisht ato po dëmtojnë produktet ushqimore e bimsinë, por nuk dihet se cfarë bart gjenerata tjetër që do të pasojë.

Disa baluna me helium “gjoja meteorologjike’ erdhën si “rastësisht” mbi hapsirën e SHBA-ve. Por balunat kishin aparatura të sofistikuara transmetimi dhe si “rastësisht u futën padashje në një teritor ku kishte edhe raketra ndër komtinentale bartëse të municioneve bërthamore”.

Tani na del në skenë edhe FENTANYL-i prodhim kinez, që po vret amerikanë të pa informuar mirë për përmasat e rrezikshmërisë që bart ky kimikat.

Të gjitha këto të marra së bashku, e në lidhje me njera tjetrën, (shtyhem të pyes vehten dhe të tjerët), janë rastësi apo plan i mirmenduar? Po ashtu Kina (si kundërshtarja më e hapur e interesave amerikane) a mos në heshtje ka filluar tashmë një luftë të re kryesisht biologjike në radhë të parë kundër SHBA-së por edhe të tjerëve?

Këto pak rreshta nuk kanë për qëllim të përhapin panik, as në SHBA e as në vendet e tjera të botës. Por përvoja shumëvjecare në Ushtrinë Shqiptare dhe 26 vite si shtetas amerikan, më shtynë të them disa të vërteta edhe të hidhura të cilat duhet të bien në veshin e dikujt që ka mundësi vendimmarrje për sigurinë tonë të së ardhes e të brezave vijues. Po ashtu është një apel edhe për ata që përdorin droga se FENTANYl-i është shumë i rrezikshëm për jetën e njerëzve.

ASLLAN BUSHATI

Filed Under: Opinion

LAMTUMIRË I DASHUR Ing. AZEM THAÇI

October 7, 2023 by s p

Thanas L. Gjika/

Gjatë vizitës që po bëja në Shqipëri, kishte ndërruar jetë aksidentalisht komshiu im i Illyrian Gardens, Ing. Azem Thaçi, shqiptar nga Kosova. Kishte qenë midis djemve djali më i vogël i një familjeje me shumë motra e vëllezër. Motra më e vogël, Zarifja, jetonte ne Angli ndërsa dy motrat më të mëdha, Hanifja dhe Hasimja jetonin në Kosovë. Vëllai më i madh, Z. Rasim Thaçi jeton në Kosovë. Edhe vëllai tjetër, Z. Adem, i cili mbas luftës së vitit 1999 kishte ardhur me familjen për të jetuar në Worcester MA, ndodhej për vizitë në Prishtinë. Azemi ka dhe një vajzë, Z-njusha Sylvia, e cila jeton në Kaliforni. Sylvia erdhi dhe mori pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të saj, ceremoni të cilën e organizuan nipat e Azemit, Batoni dhe Besnik Thaçi. Në varrim morrën pjesë shumë familjarë dhe shoqëri e Azemit. Me të marrë lajmin e hidhur kishte ardhur menjëherë nga Kosova vëllai i madh Ademi me të shoqën Nexhmien dhe motra e vogël Zarifja nga Anglia, gjithashu nga Florida erdhi edhe vajza e motrës së madhe Nexhmia me dy djemtë e saj Cenin dhe Fisnikun. Në fshatin e lindjes, në Sibovc të Kosvës u organizua me këtë rast një përkujtim për Azemin prej vëllezërve të tij Rasim dhe Adem Thaçi, kurse nipi Batoni priti ngushëllime në shtëpinë e tij në Amerikë, por mua dhe stafit zyrtar të Illyrian Gardens, Z-njave Sandy Dionis dhe Enni Kosta – Managere dhe Ndihmësmanagere, na e deshi zemra që të organizonim një përkujtim në ambjentet e godinës ku Azemi jetoi 5 vjetët e fundit të jetës së tij dhe na kishte lënë kujtime e mbresa gjatë takimeve e shoqërimeve të ndryshme.

Pasi u muarr dhe mendimi i familjarëve, Z. Adem, që ishte kthyer nga Kosova e djemve të tij, vendosëm lajmërimin tek hyrjet e të tri kateve të godinës dhe mbas një jave organizuam ceremoninë përkujtimore, ku u mblodhën banorë të Illyrian Gardens, familjarët, si dhe dy miq të tij, që jetojnë në Worcester, MA, Z-injtë Shyqeri Bytyçi dhe Dalip Karamenti.

Në tavolinën kryesore u ulën Z. Adem Thaçi me bashkëshorten Z-njën Nexhmie, vajzën Antigona, djalin Batonin dy vajzat e vëllait të madh Z-njat Shpresa dhe Kosovare e mbesën Liza.

Z-nja Enni Kosta falenderoi pjesëmarrësit për praninë e tyre, bëri prezantimin e rastit dhe shprehu ngushëllimet për humbjen e papritur të Ing. Azem Thaçi, i cili ishte shquar si një nga banorët më të sjellshëm të Illyrian Gardens-it. Më tej ajo ia dha fjalën mësuesit pensionist Shyqeri Bytyçi, mik e shok i vjetër i të ndjerit që nga vitet 70-të të shek. XX-të, kur punonin së bashku në Prishtinë.

Midis tjerash Shyqeriu tha:

“Jetën dhe aktivitetin e Azemit tonë të dashur po ua tregoj sipas të dhënave që mblodha në shkrime të hedhura në Face-Book nga Rakip Sadiku dhe Antigona Thaçi, duke u mbështetur dhe në kujtimet e mia personale.

Jeta e Azem Thaçit, është jeta e një veprimtari aktiv, që i a kushtoi jetën luftës për të drejta shoqërore, politike e kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Ai u lind në gjirin e një familjeje atdhetare në fshatin Sibofc në nëntor të vitit 1949. Që në fillim ai u shqua midis bashkëmoshatarëve të vet për zgjuarësinë natyrale. Mirëpo pa filluar ende shkollën fillore, në vitin 1949 familja e tij u detyrua të shpërngulej në fashatin Dorful të Maqedonisë. Aty djaloshi ndoqi mësimet në shkollën e fshati në gjuhën turke, sepse qeveria jugosllave përpiqej t’ua ndërronte identitetin shqiptarëve në turq me synimin që t’i përcillte për në Turqi. Ajo qeveri e justifikonte këtë krim me faktin se banorët shqiptarë të Maqedonisë e të Kosovës i përkisnin besimit islamik.

Në vitin 1961, kur Azemi kishte mbaruar me rezultate të shkëlqyera klasën e katër dhe zotëronte mirë turqishten, nëna e tij, trimëresha Zahide, mundi ta kthente familjen në Kosovë, por pa kryefamiljarin e vet. Babai i Azemit, Hamza Thaçi ishte ndarë nga jeta në vitin 1957 në moshën 43 vjeçare pas torturave dhe vuajtjeve në burgun Jugosllav kur ishte sëmurë rëndë nga TBC. Hamzai ishte mësuesi i parë i shkollës në gjuhën shqipe në fshatin Sibovc. Ishte poashtu aktivist i palodhshëm për punë atdhetare. Për punën e tij patriotike është burgosur dhe torturuar shumë nga rexhimi Jugosllav e si pasojë vdiq i ri. Sot një rrugë në fshatin Sibovc e mban emrin e tij. Edhe shkolla fshatit e mban fotografinë e tij si mësuesi i parë i gjuhës shqipe. Gazetari Muhamet Mjeku i gazetes “Illyria” New York kishte shkruar një biografi të shkurtër të mësuesve të parë të Kosovës, ku ishte përfshirë dhe Hamza Thaçi.

Mbas kthimit në Sibovc Azemi kreu klasën e pestë e të gjashtë dhe më tej vijoi dy vjet për xehtari në shkollën profesionale të minierës së Hades. Pastaj kreu shkollën e mesme teknike dega elektronike në Prishtinë, të cilën e përfundoi në vitin 1969 me rezultate të shkëlqyera. Vijoi pa ndërprerë studimet e larta në Fakultetin Teknik dhe pastaj kreu në Universitetin e Beogradit një kurs për programim kompjuterash. Pra ai arriti të ishte një ingjinier i kompletuar, por për shkak se i njiheshin synimet e tij politike nuk iu dha punë sipas diplomës. Për të siguruar mbijetesën u detyrua të pranonte propozimin e mikut të tij Sejdi Sadiku dhe punoi gjatë vitit shkollor 1972-1973 si mësues i Matematikës e Fizikës në klasat V-VIII në shkollën e fshatit të lindjes. Në vjeshtë të vitit 1973 unë si drejtor i Bankes Interne të Agrokosovës e mora në punë për programim kompjuterash, ku Azemi dha një ndihmesë të ndjeshme dhe në aspekte të tjera të aktivitetit të asaj banke. Kishim kryer bashkë kursin e kompjuterit në Beograd, ku flinim në një dhomë.

Miqësia ime me Azemin u ngjiz ne Beograd, por u konsolidua gjatë viteve 1976-1982 kur punuam së bashku në Bankën Interne “Agrokosova”. Puna e këtij ingjinieri ishte vendimtare për realizimin e instalimit dhe funkcionimit të SOFTWER-it për qarkullimin e pagesave. Kjo arritje e bëri Bankën Interrne shume atraktive midis organizatave të bashkuara në Kombinatin Agroindustrial “Agrokosova”.

Meqenëse Banka Interrne nuk ishte në fakt Bankë sipas dispozitave ligjore të Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë, ishte shume e veshtire, qe ky funksion të merrej nga Shërbimi i Kontabilitetit Shoqeror, i cili funksionante për të gjitha Subjektet Juridike Ekskluzive permes rrjetit të SHKSH (që ishte me Filiale, degë dhe ekspozitura), të shtrira gjithandej nëpër RSFJ.

Banka Interrne u përcaktua me ligj, si “VETE-ORGANIZIM FINANCIAR” i organizatave të bashkuara, gjë që i lejoi anëtaret, që këtë funksion financiar për qarkullimin e pagesave ta kryente pa pengesë me anën e kësaj banke. Ky sukses i dedikohej punë me cilësi profesionale të Ing. Azemit. SHKSH dhe Bankat Komerciale përpiqeshin ta pengonin Bankën Interne, sepse aktiviteti i kësaj banke të re ua ngushtonte aktivitetin e tyre financiar, por ato nuk mundën ta dëmtonin dot atë. Programi i Qarkullimit te pagesave i zhvilluar, kryesishte falë aftësive të jashtëzakonshme të Azemit, ishte shumë më i avancuar se aktiviteti i SHKSH dhe i të gjitha Bankave Afariste që punonin aso kohe në Kosovë.

Programi Softwer, që krijoi Ing. Azemi bënte të mundur që Subjektet Juridike (antarët dhe jo antarët), të përfitonin interesa më të larta në depozitimet e tyre, dhe interese më të ulta në kreditimet e shfytezuara nga Banka Interrne.

Ekstratet e Bankes Interrne përmbanin informacione të sakta për të hyrat e të dalurat e tyre ditore dhe kumulativi i interesit (kamatës), si dhe për Depozitimet dhe Kreditë e ndryshme që Subjektet i shfrytezonin gjer në ditën kur hartohej ekstrati. Ky pasqyrim korrekt i Afarizmit financiar, i shprehur ne Ekstratet që Subjekteve iu dergohej cdo ditë, e beri Banken Interrne “Agrokosova” shume tërheqëse. Asaj ia besuan këtë funksion tepër të rëndësishëm e tepër të ndjeshëm, jo vetem antaret e KAI “Agrokosova”, por edhe shumë ndërmarrje të mëdha, anembanë Kosovës.

Azemi ishte nder kuadrot e parë që e kapi dhe e aplikoi programimin me Softwer duke sjelle perfitime nga zbatimi i saj.

Si karakter njerëzor nuk mund të mos them se Azemi ishte një personalitet me moral të vecantë. Ai kurrë nuk kërkoi shpërblim për kontributin e tij të jashtezakonshëm që i solli Bankës Interne. I gëzohej cdo perparimi që bënte dhe kjo e kënaqte. Atij i interesonte e pergjithmja, kryesisht përparimi kombetar i shoqërisë. Për këtë përparim ai ishte i gatshëm të jepte shumë gjer në vetmohim.

Po ndalem edhe te rasti i Mbledhjes që na kishte imponuar Komiteti Krahinor i Lidhjes Komuniste i RSFJ-së, për të bërë DIFERENCIMIN, pas Demonstratave të vitit 1981.

Kolektivin tonë, Komiteti Krahinor e kishte Shpallur astion të Nacionalizmit dhe Iredentizmit Shqiptare, sepse aty punonte një organizator i Demostratave te vitit 1968, i cili ishte dënuar me burg mbi 1 vit në Burgun famëkeq të Goli Otokut. Përvec kësaj kishin konstatuar se dy prej organizatorëve të demostratave të vitit 1981 e merrnin rrogën tek ne, por ata nuk vinin në punë për të mos i arrestuar. Njerëzit e Sigurimit punonin fshehurazi, ata nuk më vunë në dijeni as mua, që isha drejtor.

Gjatë diskutimeve të ashpra që organizuan të ngarkuarit për Diferencimin politik nga ana e Komitetit Krahinor, reagoi Azemi, duke pranuar të bëhej viktimë për ta thënë të vërtetën. Ai guxoi të thoshte serbisht se demosturesit kërkojnë shpalljen e Kosovës Republikë, sepse në Konferencën e Mukjes dhe në atë të Bujanit ishte pranuar që Populli i Kosovës do të shpallte me referendum menjëherë pas Clirimit se mund t’i bashkohej Shqipërisë AME. Sot demostruesit po kërkojnë shumë më pak se PREMTIMET e LNQ-së, dhe të AVNOJ-it që u mbajt nën kryesinë e Josip Broz Titos. Këto Premtime pastaj vetë Partia Komuniste Jugosllave i shpalli inekzistente. Unë u detyrova ta ndërpres duke thënë se nuk dija asgjë lidhur me këto gjëra…

Po ashtu ndërhyri dhe i dërguari shqiptar për Diferencim, duke thënë si me ton të ashpër se ato konfernca ishin të gabuara dhe vendimet e tyre ishin “gjëra të vdekura”. I ndodhur në pozitë të vështirë para serbëve që ishin të pranishëm e që pritej të shpërthenin, diferencuesi shqiptar, i cili ishte një shqiptar vërtet i mirë, me zgjuarsinë dhe përvojën e tij si politikan, e mbylli mbledhjen duke mos u dhënë rast serbëve që ta sulmonin Azemin e ta arrestonin.

Në të dalë nga mbledhja Azemi më shprehu keqeardhje për shpërthimin e tij dhe pasojat që mund të kishte ai dhe unë si drejtor. Që nga ajo ditë, për të mos na vënë në telashe, ai nuk u paraqit më në punë. Të gjithë e admiruam sepse ai tha të vërteta që duheshin thënë.

Demontratat po vazhdonin. Demostruesit solidarizoheshin me të burgosurit dhe shprehnin pezm për të vrarët. Pas disa muajsh morra njoftim se Azemi ishte punsuar ne Minierën Sipërfaqësore të Bellaqevcit, ku nuk ndalej së vepruari duke dhënë informacione për demostratat, të cilat ishin në kundërshtim me linjë propagandistike të Partisë Komuniste, dhe pikërisht aty e burgosën bashkë me Sejdi Sadikun, drejtorin e shkollës “Migjeni” të Sibofcit. Këta ishin ndër organizatorët e demostratave famëmëdha, që tronditën Jugosllavinë. Pasi e kreu dënimin prej 14 muajsh Azemi nuk mund të gjente dot punë, prandaj filloi të ushtronte privatisht profesionin e fotografit në Sibofc e në Prishtinë, profesion që e kishte përvetësuar vetë në rrugë autodidakte.

Në vitet 1987-1989 Azemi punoi si ingjinier elektronik në Bardh të Madh. Mirëpo proceset e diferencimit ideopolitik e detyruan që të lagohej nga Kosova, për t’i shpëtuar riburgosjes. Arriti të arratisej e të vendosej në Gjermaninë Federale, ku u punësua për pak kohë e më tej shkoi në Suedi, prej ku Azemi emigroi në vitin 1990 në ShBA.

Së pari ai u vendos në New York, ku punoi disa punë të ndryshme për shkak se nuk e zotëronte si duhej anglishten. Azemi ishte poliglot, ai zotëronte mirë pesë gjuhë të huaja: serbishten, maqedonishten, turqishten, polonishten (këtë e kishte mësuar gjatë pushimeve verore kur shkonte si turist në Poloni) dhe gjermanishten. Anglishten e zotëroi mbas dy vjetëve kur punoi si fotoreporter në gazetat “Dielli” dhe “Illyria”.Pronart e ktyre dy gazetave ia dërgonin falas vazhdimimisht numrat e gazetave edhe kur Azemi erdhi me banim në Worcester Ma mbas vitit 1993. Mbas luftës së vitit 1999, unë dhe vëllai i Azemit bashkë me familjet tona erdhëm për të banuar pranë tij në Worcester. Këtu miqësia ime me të u forcua dhe më tej.

Në kë këtë qytet ai shumë shpejt krijoi kompaninë e vet private të telefonisë OCTAGON. Filloi të ndihmonte shumë shqiptarë të ardhur rishtas. Përpiqej të ndihmonte në ngjizjen e komunitetit shqiptar të këtushëm. I merrte e i shpinte tek Pizza e atdhetarit Ferrid Abdullahu në Webster, MA, ku ky shqiptar i Maqedonisë, ish-mësues i gjuhës frënge me bashkëshorten Z-njën Olimbi shtronin dreka bujare dhe i mbushnin vizitorët plot optimizëm për të ardhmen e Shqipërisë e të mbarë botës shqiptare. Feridi dhe Azemi kishin mbaruar shkollat e larta në Jugoslavinë e Titos. Ata e ndiqnin jetën e Ballkanit Perëndimor shumë më gjerë e më thellë se mërgimtarët e këtushëm. Me formimin e tyre dhe me njohjen e shumanshme të jetës e të mentalitetit të popullit shqiptar të Kosovës e të Maqedonisë, ata u bënin sqarime të drejta dëgjuesve për ngjarjet që ndodhnin në ato anë të Ballkanit dhe i mbushnin me optimizëm.

Azemi u aktivizua edhe pranë shoqërisë NEARO për të cilën mblidhte ndihma që dërgoheshin në Shqipëri e Kosovë. Bashkë me shqiptarët e Worcester MA ai ka marrë pjesë aktive në mitingjet që organizoheshin në Boston, MA e New York prej Federatës Vatra e komunitetit shqiptar në mbrojtje të çeshtjes kombtëtare dhe të njohjes së Republikës së Kosovës. Ishte i pranishëm në festimet e Ditës së Flamurit dhe në festimin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovë.

I dashur Azem të qoftë i lehtë dheu i tokës amerikane në Hope Cemetery!”

Për aktivizimin e tij në Shoqatën “KOMBI” që u organizua këtu në Worcester MA në mbështetje të Republikës së Kosovës, foli Z. Dalip Karameti, një nga themeluesit e drejtuesit e kësaj shoqate. Z. Dalip Karammeti është një atdhetar i njohur që në rininë e tij të hershme. Kur ishte 15 vjeçar ai u arratis nga Dibra e Madhe dhe u fut në Shqipëri, por aty kaloi mjaft vite vuajtjesh sepse dyshohej mos ishte dërguar si agjent i Jugosllavisë. Me shumë mundime mbaroi Institutin Pedagogjik të Elbasanit dhe punoi shumë vjet si mësues i historisë në Laç, ku e gjetën ndryshimet e viteve 1991-1992. Më tej ai emigroi familiarisht në Greqi, ku iu sëmur e i vdiq bashkëshortja. Më tej ai mundi të vinte në ShBA bashkë me tri vajzat e tij, ku vijoi aktivitetin e vet atdhetar si një nga drejtuesit e Shoqatës “KOMBI”.

“Azem Thaçi, tha midis tjerash z. Karameti, ishte një nga veprimtarët shembullorë të Shoqatës “KOMBI”, çdo punë që t’i ngarkoje atij, dihej se do të kryhej me përpikmëri”. I jam shumë borxhlli për gjithça kreu në bashkëpunim me mua gjatë viteve të ekzistencës së shoqatës.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Azem Thaçit, veprimtarit të palodhur dhe të kujdesshëm!”

Mbas këtyre fjalëve u shërbyen disa meze, pije freskuese, kafe dhe biskota. Bisedat vijuan nëpër tavolina ku zotëinjtë Koço Mano, Berti Luarasi, etj treguan momente nga shoqëria e bisedat, që kishin pasur me Azemin gjatë shëtitjeve të tyre rreth e rrotull Illyrian Gardens.

Para largimit familjarët e të ndjerit falenderuan organizatorët dhe pjesëmarrësit e ceremonisë…

I paharuar qoftë kujtimi i Ing. Azem Thaçit, veprimtarit të palodhur të çeshtjes kombëtare në Kosovë dhe këtu në diasporë!

Filed Under: Histori

Intervistë ekskluzive me veprimtarin, bëmirësin, fotografin, montazherin e njëherit kameramanin e njohur në diasporë dhe më gjerë, z.Duat Luboja

October 7, 2023 by s p

Luboja:“ Pasuria ime më e madhe është arkiva, ajo është një botë e mbushur me shumë xhirime, narracione, tekste, foto, video, poezi, fjalime…”

“E kisha veçuar edhe takimin letrarë me shkrimtarin Fatos Arapi i cili erdhi nga Shqipëria për herë të parë, dhe ishte në moshë diku 60 vjeç, mbasi iu recituan vargjet nga libri i tij nga Azem Gashi dhe Adem Kicaj, i ndjeri e mori fjalën dhe pastaj ai më falënderoi, që po e inçizoj dhe tha, është hera e parë këtu tani, që jam para një kameramani, pavarësisht, që jam autor i shumë librave që 40 vite, dhe nuk po them, që librat e mia nuk lexohen, por fjalën e kam tek kamera, kurrë asnjë televizion deri më tani apo dikush privat nuk më ka inçizuar! Kjo më emocionoi shumë dhe më dha kurajo që të vazhdoj kontributin tim më tutje!”, na tha ndër të tjera, z.Luboja.

Pas shumë intervistave në karrierën time si gazetarë profesionist, redaktorë, editorë, moderator, organizator i shumë ngjarjeve kulturore, sociale e sportive në gjithë mërgatën tonë, pastaj dhe botues i disa librave edhe pas marrjes së titullit akademik, doktor i shkencave politike, po e shoh veten se ka ardhur koha që të largohem nga gazetaria dhe të drejtohem vetëm nga shkenca. Por, është e pamundur, të ndahem nga gazetaria, duke parë shumë veprimtarë në diasporë, që kanë kontribuar shumë, kanë sakrfikuar një jetë të tërë për të mirën e kombit, por që kanë ndejtur gjithmonë anonim për media, por kanë bërë shumë punë të madhe e me shumë vlerë, të mos jenë të shënuar diku. Nuk mjaftojnë vetëm falënderimet e disa mirënjohje për disa veprimtarë, por duhet edhe të mbetet e shkruar për brezin e ri, që të jetë një frymëzim dhe shembull, se kurrë nuk janë dorëzuar zemërbardhët për të mirën e kombit. Ku mos me shkrujt, ku mos me e ndajt një kohë nga kjo kohë e shenjt që e kemi dhe që po kalon shumë shpejt, ku shpesh i themi vetes, që edhe 30 orë të ishte dita, pak do të ishte për një personalitet si protagonisti i kësaj interviste. Sa e sa punën e ka bërë nëpër manifestime, protesta e ngjarje të tjera të mërgatës sonë. Mjafton vetëm kamera të mbahet në krah e të rrish në këmbë nga shtatë e më shumë orë, pastaj të përgaditësh gjithë teknikën, ku edhe në fund të bësh edhe montazhën e regjistrimit. Sa e sa orë duhen? Sa e sa energji shkon? Pastaj t`ia përcillësh organizatorit dhe të tjerëve që e kërkojnë edhe ate pa asnjë euro. Kjo është shpirtëmadhëri. Kjo është shenjtëri. Nuk duhet të fshihemi vetëm pas disa individëve që kanë lekë apo të disa politikanëve që dalin nëpër media thuajse çdo ditë. Por, duhet ti kujtojmë edhe ata, që kanë bërë shumë dhe nuk kanë pranuar të dalin në pah se kanë bërë diçka dhe në fakt, kanë bërë shumë. Sa e sa na duhet arkivi? Sa vlerë ka arkivi? Nuk mundemi ta pagujamë historinë. Aty është një jetë e një kombi. Aty është një punë e madhe e mërgatës sonë. Shumë e shenjt. Për studiues të rinjë, do të ishte e mirëseardhur, kur kemi veprimtarë që kanë ruajtur dokumente. Kur kanë ruajtur foto, proçesverbale dhe në rastin tonë, inçizime me kamerë, ku shihen qartë fjalët dhe aktiviteti. Lirisht mundet të thuhet, një jetë ia ka kushtuar kamerës. Një jetë të tërë edhe ate me buzëqeshje, pa i thënë vetes u lodha edhe ate duke e angazhuar edhe familjen e tij, duke i munguar shumë familjes, duke e mos parë edhe rriten sa duhet të fëmijëve, sepse gjithnjë nëpër takime e takime. Por, familja i është mirënjohës, sepse pasuria e tyre është nderi dhe respekti, që bashkëshorti, babai i tyre, nderohet nga të gjithë ata që janë veprimtarë dhe që kanë vlerë. U mata të mos shkruaj gjatë të them me disa fjalë në vend të një hyrje të kësaj interviste për personalitetin në fjalë, por e pamundur, sepse lexues i dashur, disa herë kam dashur ta kem në intervistë, me shumë modesti nuk ka pranuar, ka thënë nuk është koha ime, por koha e të tjerëve dhe në realitet është koha e z.Daut Luboja. Shumë modest, i qetë, fjalë pak dhe me pozitivitet edhe kur ftohet nëpër takime të ndryshme edhe pse ato nuk u janë paguar honorare, në vend se organizatori t`ju thotë faleminderit për punë që keni bërë, është i pari, z.Daut që ju thotë, ju faleminderit që më keni ftuar. Ata që punojnë me kamerë në teren e dijnë mirë, se sa është e vështirë puna me kamerë. Por, Dauti e njeh mirë gjuhën e kamerës, ju kam thënë edhe kur jam takuar disa here me te, je ti që e njeh mirë alfabetin e kamerës. Kur futet në botën e kamerës në një evenimet, ai nuk di të ndalet. Punë dhe vetëm punë. Kontrollon bateritë, kontrollon mikrofonat dhe në njërën anë shikon syrin e kamerës dhe në anën tjetër, mundohet të mar edhe foto nga ngjarja. Kjo është më shumë se madhështore. Të shkruaj e të rishkruaj, me faqe e faqe për këtë zemër mirë, për këtë personalitet bujarë, është pak, prandaj, po ia lëjmë kohës, se edhe në të ardhmen, do të kemi mundësi të bëjmë një portret libër për këtë veprimtarë, sepse vërtet ka një arkiv shumë të pasur dhe ajo është pasuri e pashlyeshme, që do ti duhej brez pas brezi. Po ju lë që ta lexojmë këtë intervistë, por siç ju njoftova edhe më lart, ndoshta do t`ju dukej e gjatë në sy të parë, por sapo ta lexoni, do i thoni vetes, mirë që e lexuam, sepse morëm fjalë shpirti.

Na thuaj të lutem, me disa fjalë një biografi tënden. Kur keni datën e lindjes, në cilin vend të Kosovës dhe pastaj edhe jetën deri sa jeni larguar nga atdheu?

Jam lindur më 28.06.1969 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe atë të mesmen e kam kryer në vendlindje në drejtimin elektroteknikës. Kursin e fotografisë dhe të kompjuterit e kam përfunduar në Zagreb në vitin 1986. Ndërsa, në vitin 1989, jam punësuar në fabrikën e elektromotorit në Gjakovë deri me 1991, pastaj për shkak të situatës jo të mirë politike, ekonomike dhe sociale nga regjimi serb mu desh si edhe shumë të tjerë ta lëshoj Kosovën qysh në moshën 21 vjeç dhe të emigroj në Zvicër, ku tani edhe e posedoj nënshtetësinë e dytë, duke ju falënderuar shtetit helvetik zviceranë! Këtu në Zvicër kam bërë ca kurse të tjera dhe mjaft të vlefshme, si dhe kam marr diploma dhe certifikata të ndryshme përfshirë ato të: Të pc-së, video kurse, të logjistikës, të integrimit, peacemaker e kurse të tjera, si dhe kam udhëhequr kursin në Bülach si Instruktor për kompjuter në gjuhën shqipe të rekomanduar nga Kt.i Cyrihut për Integrim, kam kontribuar në klube dhe shoqata humanitare, integrimin e diasporës, si dhe një mori të kontributeve të tjera.

Na thoni ju lutem, nga e gjithë kjo energji e jote pozitive. Kurrë nuk je dorëzu edhe pse nëpër shumë takime ju kemi pa, herë me kamerë e herë me fotoaparat. Me një fjalë, kurrë nuk kemi dëgjuar të thuash, u lodha?

Keni të drejt ku thoni ,,Nga gjithë kjo energji pozitive?“ Në fakt, dua të them se kam pasur fatin që t’i xhiroj njerëzit pozitiv nga ata marr energji pozitive, sepse kamerën dhe aparatin për të shkrepur e kam jo vetëm profesion, por edhe pasion dhe kjo bënë që të duke xhiruar njerëz pozitiv, njerëz që kanë qenë pjesë e historisë moderne te kombi shqiptarë dhe këtë e kam bërë qysh nga vitet 90-ta e deri më tani. E kjo më frymëzon, me jep energji, më rinon dhe më bënë stoik ndaj vështirësive të cilat eventualisht mund të dalin. Megjithëse, nuk e përjashtoj nganjëherë edhe lodhjen, sepse mosha e bën të veten!

E kuptova, shpirtbardhësia jote e mund lodhjen. Si e fillove të punosh edhe me kamerë?

Në vitin 1991 e bleva një kamerë të vogël për të inçizuar fëmiun e parë dhe për të ju dërguar prindërve në Kosovë xhirimin e fëmiut tim, sepse prindërit e mi mezi pritnin ta shohin djalin. Dhe pastaj gjithçka filloi si një hobi dhe kështu me ketë kamerë nga viti 1991 fillova të xhiroj shumë aktivitete shqiptare të cilët në atë kohë e ngritën zërin kundër regjimit të Millosheviqit!

E dini, sa orë përafërsisht keni punuar me kamerë?

Jo, sa orë saktësisht nuk e di, por e di që shumë kam punuar dhe vazhdoj ende me pasion të punoj këtë profesion. Artisti mendoj se lind, por gjithsesi se ambienti social i jep edhe nuancat e tij dhe ndikon në zhvillimin e profesionit.

Keni një arkiv të pasur të ngjarjeve të ndryshme të kombit tonë që kemi vepruar para luftës, gjatë luftës dhe pas saj, për të mirën e Kosovës?

Po, unë mendoj që kam arkivë të pasur të kombit tonë që nga viti 91.

Në arkiv kam të regjistruara demonstratat masive në Bern, hapjen e klubit,,Vatra“të Bülach-ut dhe aktivitetet më pas të këtij klubi, manifestime të ndryshme kushtuar 28 Nëntorit të viteve 93, klube të ndryshme, veprimtarë dhe figura të ndryshëm politike, si Hysen Tërpeza dhe shumë e shumë të tjerë, orë letrare të shkrimtarëve dhe poetëve të ndryshëm të organizuar nga klubi letrar ,,Faik Konica“, ku organizator ishte miku im poet Naim Kelmendi i cili tani jeton dhe vepron në Kosovë.

Përmes Klubit ,,Faik Konica,, kam xhiruar shumë shkrimtar dhe poet sepse isha kameramani i vetëm i këtij klubi letrar prej vitit 1993-1997. Azem Shkreli (ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit) tanimë i ndjerë, Fatos Arapi shkrimtarë nga Shqipëria, po ashtu tani i ndjerë, Naim Kelmendi poet dhe veprimtarë, Flutura Açka nga Shqipëria, shkrimtarë, e shumë artist, kontribues të çështjes kombëtare, etj.,

Andaj, edhe unë mendoj që kam goxha një arkivë të pasur të kombit tonë e cila mund të jetë një sfond i studimit të historiografisë për gjeneratat e ardhshme, në mënyrë që të ruhet një ‘Memorie Kolektive’.

Kamerën e kemi kuptuar se nuk e ke për të fituar pasuri, por ti nderuar ata që e meritojnë. I ke thënë vetes, se mjaft, është mjaft?

Kamerën e kam hobi dhe pasion, që kërkon durim dhe saktësi dhe jam shumë i privilegjuar ti xhirojë njerëzit që kanë merita, vlera dhe njerëzit që në një ose tjetrën mënyrë kanë dhënë kontribut për fuqizimin dhe ngritjen e kombit dhe të shtetit, sidomos të Kosovës. Por, në anën tjetër, edhe nëse i thua vetës mjaft nuk mundesh të pauzosh, sepse dëshira, motivi psikologjik është shumë më e madhe për të dhënë kontributin tim.

Keni respekt nga shumë veprimtarë. Ditë më parë ju takova edhe në një takim të madh me plot art, tek shkolla e aktrimit IFTP e drejtuar nga aktori, regjisori e skenografisti, Adem Kicaj. Keni bashkëpunuar dhe bashkëpunoni edhe në projekte me z.Kicaj. Na thoni disa prej tyre ju lutem?

Po, vërtet kam respekt të veçantë për mikun tim, aktorin regjisorin dhe pedagogun Adem Kicaj. Kisha nderin të jem prezent në 20 vjetorin e themelimit të IFTP Produksionin dhe në premierën e filmit ,,OFSHAMA“, ku mora edhe një mirënjohje nga Adem Kicaj. Kam punuar me Ademin edhe në televizionin shqiptar Arti TV këtu në Zvicër, si dhe tani besoj që do të bashkëpunojmë edhe në Televizionin Ari TV, që do të hapet së shpejti këtu në Zvicër.

Adem Kicaj më njeh më së miri sepse njihemi tre dekada dhe pjesërisht e kam përcjellë kontributin e tij këtu në Zvicër. Me Ademin të punosh është nder dhe privilegj sepse është një aktor dhe regjisor shumë dimensional. Është njëri prej themeluesve të skenës teatrore këtu në Zvicër dhe ai tërë jetën ia kushtoj Artit kurrë pa u ndalur, është aktor dhe regjisor i disa filmave Zviceran, kuptohet edhe filmave Shqip si dhe drejtor shkollën akademike IFTP, këtu në Cyrih.

Z. Luboja, ju njihni shumë mirë alfabetin e kamerës, ashtu ju njohim. Cili inçizim apo regjistrim për ju ka qenë ndër më të mirët është fjala për nga rëndësia apo pesha?

Nuk them që e njohë shumë mirë alfabetin e kamerës, jam modest, megjithëse mendoj, se ka edhe më të mirë se unë, por gjithsesi ju falënderoj për respektin dhe për vlerësimin e juaj! Sa i përket pyetjes tjetër, mendoj se ndonjëherë është vështirë ti veçoj inçizimet se cili ka qenë ndër më të mirët, të gjitha kanë qenë të mira, por do të thoja peshë kanë disa xhirime sepse tani ata njerëz nuk gjinden më në mesin tonë. Përshembull, ishte privilegj ta xhiroja Azem Shkrelin, por i ndjeri ishte tepër i mërzitur për popullin në Kosovë, që ju bëheshin padrejtësitë nga regjimi serb, ishte shumë i tensionuar sepse kërkonte lirinë e popullit dhe më kujtohet në xhirimin e fundit që e pata xhiruar këtu në Zvicër, pas disa dite duke shkuar në shtëpi në Kosovë pati sulm në zemër dhe për fat të keq ndërroi jetë në vitin 1997. Kjo kurrë nuk më hiqet nga mendja, u mërzita shumë, sepse isha shoqëruar shumë me të, ishte njeri shumë i butë dhe Inteligjent, ku pastaj u organizua edhe tubimi komemorativ kushtuar të ndjerit Azem Shkreli, po në të njëjtën sallë dhe me të njëjtit shokë që ishim para ca ditëve në atë takim letrarë, pra kjo ishte një emocion i veçantë kujtimesh! E kisha veçuar edhe takimin letrarë me shkrimtarin Fatos Arapi i cili erdh nga Shqipëria për herë të parë, dhe ishte në moshë diku 60 vjeç, mbasi iu recituan vargjet nga libri i tij nga Azem Gashi dhe Adem Kicaj, i ndjeri e mori fjalën dhe pastaj ai më falënderoi që po e inçizoi dhe tha është hera e parë këtu tani që jam para një kameramani, pavarësisht që jam autor i shumë librave që 40 vite, dhe nuk po them që librat e mia nuk lexohen por fjalën e kam tek kamera, kurrë asnjë televizion deri më tani apo dikush privat nuk më ka inçizuar! Kjo më emocionoi shumë dhe më japi kurajo që të vazhdoj kontributin tim më tutje!

E di se keni investuar shumë në teknikë. Pasuria jote e madhe është arkivi. Mburresh me punën që e ke bërë?

Po kam investuar shumë dhe investoj ende në teknikë, po ashtu mburrem me punë që e kam bërë deri më tani dhe e vërtet mendoj se pasuria ime më e madhe është arkiva. Ajo është një botë e mbushur me shumë xhirime, narracione, tekste, foto, video, poezi, fjalime, e të tjera, të cilat ju japin emocione të veçanta, ju kthejnë në nostaligji, ju japin forcë për të ecur tutje, dhe mbi të gjitha janë dokumentacion i dorës së parë për të përshkruar jetën, vlerat që kemi pasur, bashkëpunimin, dashurinë dhe solidaritetin ndaj njëri – tjetrit, fuqizimin e nacionales, dhënien e kontributit, si dhe shumë gjëra për të cilat mendoj se nuk mund të përmbledhen me pak rreshta.

Keni edhe mirënjohje të shumta që ju kanë ndarë nga bashkatdhetarët tanë. Bashkëpunoni edhe me ndonjë kameraman tjetër, qoftë në diasporë apo në atdhe?

Po kam disa mirënjohje që i kam marrë dhe sa i përket bashkëpunimit me kameraman nuk mund të veçoj ndonjë me emër këtu në Zvicër, por ndodh nganjëherë në televizione private që duhet të punoj me çdonjërin që e gjej aty. Viteve të fundit kam pas disa bashkëpunime vetëm me RTK-në, për ti transmetuar xhirime të firmave private kurse me media të tjera jo. Sot çdo kameraman qoftë në diasporë apo Kosovë, e ka ekipin e vet të kompletuar dhe kështu nuk ka nevojë për bashkëpunime me të tjerë, megjithëse unë jam i gatshëm dhe i hapur për të gjithë!

Padyshim, se edhe teknikat në kamerë kanë ecur në përparim. A ishte më e lehtë para dhjetë vjetëve të punohet apo sot, kur dihet se teknologjia ka ecur shumë?

Sigurisht është më lehtë të punohet sot në mënyrë të digjitalizuar se sa para dhjetë apo njëzet viteve në mënyrë analoge. Rast konkret: Para ca viteve xhirimet kanë qenë në shirit të videokasetave dhe kur u duke të bëhet kopje, humbte kualiteti, kurse sot në kartela të ndryshme në mënyrë digjitale kualiteti mbetet i njëjtë, pastaj koha për ta përpunuar xhirimin ishte shumë e madhe, humbja shumë kohë dhe nganjëherë për një gabim të vogël, më duhej ta kthej xhirimin nga fillimi të cilin e kisha punuar 20 orë gjatë, kurse sot pa kurrfarë problemi punohet dhe ruhet në hardisk në kompjuter me kualitet të lartë, andaj sot është më lehtë të punohet. Teknologjitë e reja kanë avancuar punën, kanë krijuar lehtësira, kanë shkurtuar kohën dhe kanë bërë që brenda pak minutave të ketë multimedia të cilat dikur kanë qenë të pa imagjinuara.

Keni regjistruar edhe nëpër dasma shqiptare, kokteje e ngjarje të shumta festive. Ju ka ndodhur, që të ftoheni edhe për raste të kronikave të zeza, kur dihet se është e dhimbshme?

Po kam regjistruar mbi 400 solemnitete të ndryshme festive. Më ka ndodhur të më thërrasin edhe për raste të kronikave të zeza por nuk kam pranuar të shkoj të xhiroj dhe nuk besoj që do të shkoj ndonjëherë sepse është një çështje sentimentale të cilën nuk mundem të përballoj.

Ora e di, se ju kalon shumë shpejt kur regjistroni, por Ju edhe bëni montazhën. I thua vetes, sikur të ishte dita 30 orë?

Sigurisht, që edhe ju gazetarët e dini se montazha të merr kohë shumë e sidomos nëse aty për aty të lindin ide të reja dhe pastaj mundohesh ti realizosh me efekte vizuale të përshtatshme atëherë pajtohem me ju, i them vetes sikur kam punuar 30 orë në ditë, por kjo varet edhe nga pasioni, unë e dua punën e videomontazhës andaj edhe nuk mërzitëm shumë.

Të gjithë e dijnë, se Daut Luboja e do profesionin me shpirt dhe ajo është parë. Ia ke trashëgua fëmijëve tuaj apo ata duke e parë babain e tyre, se mbi 90 përqind e punës së tij ishte pa të mira materiale, nuk duan të merren?

Unë i kam katër djem dhe secili prej tyre e di këtë profesion, sepse e kanë ushtruar disa herë duke më përcjellë mua për të më ndihmuar në xhirime dhe ne kemi punuar familjarisht. Të kuptohemi: xhirimet kushtuar kulturës dhe çdo aktiviteti të kombit tonë nuk kam pranuar që të më paguajnë, kurse fejesat, martesat apo ahengjet familjare po. Pra, gjithsesi, se ka qenë edhe një kontribut i imi modest. Siç e ceka edhe më lartë, i kam xhiruar mbi 400 ahengje familjare. Secili në familje i ka pas punët e ndara, njëri i ka punuar fotografit, kopertinën, dikush fillimin intro të enivimentit dhe unë montazhën. Por, tani mbasi janë rritur nuk kanë dëshirë të merren me ketë profesion dhe unë nuk dua t`ju imponoj dhe mendoj, se secili duhet zgjedhur profesionin mbi bazën e asaj që ju flen në shpirt.

Si e sheh brezin e ri që po rritet në diasporë?

Mendoj, se brezi i ri është mjaftë entuziast, kanë arritur dukshëm më shumë se ne atëbotë kur ishim në vitet 90-ta, kanë mundësi më të mira, flasin gjuhën mirë, janë të integruar dhe kanë ndikuar që shumë stereotipa të cilat ishin dikur të mos jenë në shoqërinë helvetike. Sot brezin e ri e sheh kudo në pjesëmarrje të vendimeve shtetërore por gjithsesi si rol me rëndësi e shoh familjen e cila çdo herë duhet t’i edukoj dhe rikujtoj, se gjirin e vërtetë e kanë Kosovën, në mënyrë që mos të vie deri tek asimilimi.

Sipas jush, çfarë organizimi i duhet tash e tutje diasporës, sepse ka kaluar koha, kur mërgata jonë, ka punuar shumë për fitimin e luftës dhe pavarësisë së Kosovës?

Kujtoj, se tani janë pjekur kushtet shumë, kanë mundësi të mira, Shqipëria dhe Kosova kanë hapur ambasadat e tyre, pastaj djemtë dhe vajzat shqiptare përmes kulturës, sportit, aktiviteteve tjera kanë treguar se kush me të vërtet janë shqiptarët. Megjithëse, mendoj se shqiptarët këtu në diasporë duhet të fuqizohen edhe më shumë, të vazhdojnë të japin kontributin e tyre dhe të ndihmojnë shtetin amë.

Jeni i kënaqur me të arriturat e mërgatës sonë në Zvicër?

Po dhe kjo vërehet shumë qartë, qoftë përmes zhvillimit të biznesit, politikës, sportit, kulturës, aktiviteteve sociale, etj. Mërgata ka treguar se është indikatorë i rëndësishëm i zhvillimit të këtij shteti, por edhe shteteve si Shqipëria dhe Kosova. Madje, raportet nga Banka Qendrore në Kosovë nënvizojnë se një pjesë goxha e madhe e të hyrave kryesisht vie nga remitencat e diasporës, gjë që tregon për rolin dhe rëndësinë që ka mërgata sot.

Nëse do të fillosh edhe njëherë nga fillimi punën me kamerë, cila do të ishte puna jote e parë?

Nuk e di nuk kam ndonjë koment. Më duhet shumë të kujtohem në këtë pyetje. Është kthim prapa me kujtes. Dua të shoh vetëm përpara edhe pse jam tej mase i kënaqur me ato që kam bërë deri më sot dhe që jam pritur shumë mirë në Zvicër.

Keni ndonjë program që gjithë arkivin që e keni ta regjistroni dhe të ja dhuroni institucioneve tona apo ndonjë studiuesi që merret me temën e diasporës?

Kam ca xhirime shumë të rëndësishme, disa i përmenda edhe më parë por enden nuk jam i gatshëm që ti ju dhuroj ndonjë institucioni, ndoshta ndonjë studiuesi që merret me temën e diasporës ja kisha dhuruar, por ende nuk kam vendosur! Është një copë shpirti që e kam shkri për ate punë, është e vështirë. Besoj, se do të vije koha dhe do ti dorëzoj në duar të sigurta, që të përfitoj gjenerata e re dhe jo ndoj individi. Sepse vetë nuk kam punuar për të fituar të mira materiale, por të mbetet një pasuri e madhe arkivore dhe e di se është vlëresuar e do të vlerësohet.

Z.Luboja, padyshim, se kemi edhe shumë për të bashkëbiseduar, por ia lejmë kohës, në ndonjë intervistë tjetër, sepse ne besojmë shumë, se nuk do të ndalesh edhe në të ardhmen, sepse shpirti juaj është si diell dhe rrezaton mirësi gjithandej. Të falënderoj shumë, shëndet dhe u takofshim herave të tjera.

Ju falënderoj për kohën dhe angazhimin, respekt dhe jeni çdo herë i mirë se ardhur! Pata nderin që të flas apo të bashkëbisedoj me Ju, duke të respektuar shumë, por vërtet e pata të vështirë të flas për veten time, por ju e gjykoni më mirë, sepse jeni të profesionit edhe ate me vite e vite. Respekte dhe përshëndes gjithë lexuesit tuaj kudo që ndodhen dhe të punojmë të gjithë sa mundemi për të mirën tonë të përgjithshme. Nuk duhet harruar kontributi i mërgatës sonë, se vërtet ka dhënë shumë për të mirën e çështjes kombëtare dhe është kjo diasporë, që gëzon autoritet edhe në shtetet pritëse. Besoj shumë, se edhe Shqipëria, por edhe Kosova, do të jenë edhe më afër me diasporën dhe ti jepet hapësirë veprimi për aty ku duhet në atdheun tonë, sepse gjeneratat e reja po arrijnë suksese të mëdha në evropë dhe duhet shpërnda ate njohuri edhe në vendin e të parëve. / Intervistoi: Dashnim HEBIBI, Cyrih

Filed Under: Interviste

DASHURIA DHE NJERIU ME FLATRA…

October 7, 2023 by s p

– Në Rumani romani i Visar Zhitit –

“Të nderuar lexues dhe kolegë shkrimtarë, deputet, president i Legës së shqiptarëve të Rumanisë, drejtor i kulturës, gazetarë, miq, të rinj të shumtë, jam i gëzuar që sot mora ndër duar romanin tim të ri në gjuhën rumune ‘Dashuria dhe njeriu me flatra’, sapo doli…”.

Kështu iu drejtua Visar Zhiti të ftuarve në hollin e madh në Teatrin Kombëtar “Marin Sorescu” në Craiova.

Nga paretet e mëdha prej xhami të sallës së mbushur plot vërshonte drita e fillimit të pasdites. Kamerat e televizionit vendas nisën të xhironin. Që në fillim intervista…

Takimin e bukur dhe emocional, aq shumë të rëndësishëm, – kështu u cilësua, – e çeli z. Radu Săvulescu, Kryetari i Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë, studiues dhe përkthyes. Ai u uroi mirëseardhjen shkrimtarit Visar Zhiti me bashkëshorten e tij dhe gjithë të pranishmëve dhe theksoi se Veprimtaria ishte e organizuar nga ALAR në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar “Marin Sorescu” dhe me Lidhjen e Shkrimtarëve të Rumanisë, dega Craiova dhe ftoi deputetin Bogdan-Alin Stoica të përshëndeste. Deputeti ndër të tjera nxori në pah marrëdhëniet e shkëlqyera mes popullit rumun dhe atij shqiptar.

Dhe e morën fjalën shkrimtarët, kritikët e artit.

Sekretari letrar i Teatrit, Nicolae Coande, theksoi se romani i Zhitit ka shumë dramacitet, fund tragjik, por s’është pesimist, është jetë, ku gjejmë dhe veten, e denjë për çdo skenë, ndërsa prozator dhe poeti Constantin Pădureanu tha se romani të rrëmben, ka çështje me rëndësi, që janë dhe tonat, është i një niveli të lartë europian. Studiuesi dhe eseisti Luan Topciu e shikonte romanin si një himn dashurisë dhe dinjitetit njerëzor, që humbjet nuk e pakësojnë, por e lartësojnë.

Ata lavdëruan përkthimin poetik të romanit nga profesoreshë Catalina Franco, kryer nga italishtja.

Aktori i teatrit Angel Rababoc interpretoi një recital nga romani dhe poezi të autorit të ftuar.

Duartrokitje të shumta.

Shkrimtari Visar Zhiti në fjalën e tij falenderuese ndër të tjera kujtoi dhe takimet me poetin dhe dramaturgun nga Craiova, Marin Sorescu, personalitet i shquar në letrat dhe kulturën europiane, emrin e të cilit mban dhe teatri, dhe mua m’u duk, – tha Zhiti dhe përkthente Renata Topciu-Melonashi, – se ishim mbledhur të gjithë brenda në krahërorin e tij. Në vazhdim ai çmoj shumë këtë rilindje të re të shqiptarëve të Rumanisë, botimet dinjitoze të ALAR-it, që tashmë përbëjnë dhe histori kulture të lartë…

Dhe në fund autografet. Lexuesi u vu në radhë vërtet të gjata. Ata i shtrëngonin dorën shkrimtarit, dorën që shkruan, që jetën e bën libër dhe libri bëhet jetë… Sa të gëzojnë radhët për librin, sidomos neve që vijmë nga radhët e vështira për bukën dhe ushqimet në diktaturat e varfërisë. Po Visar Zhiti që vjen dhe nga radhët e të burgusurve për lirinë dhe ëndrrën. Nga i dënuar për poezitë e tij në radhën për autografe në një qytet Europian. Nga ferri në parajsën e dashurisë njerëzore.

U futa dhe unë në radhë, desha të ndjej si një lexuese këtë ngazëllim.

Eda Agaj Zhiti

Filed Under: LETERSI

Protokolli diplomatik i një bandustani

October 7, 2023 by s p

Shaban Murati/

Nëse doni të kuptoni degradimin e dinjitetit shtetëror mjafton të shikoni foton e publikuar nga ATSH për bisedimet e zhvilluara në 6 tetor në kryeministri midis ministrit të jashtëm të Greqisë G.Gerapetritis dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i jashtëm i Shqipërisë. Në tavolinën e bisedimeve janë ulur përballë njeri-tjetrit dy delegacionet e dy qeverive, siç zhvillohen bisedimet e niveleve të njejta në protokollin diplomatik ndërkombëtar.

Cila perëndi greke e Olimpit zbriti në kryeministri, që duhej nderuar përtej prokollit sa të uleshin me përunjësi përballë saj dyshja më e lartë qeveritare e Shqipërisë, kryeministri dhe ministri i jashtëm? Si mundet kryeministri i Shqipërisë të zhvillojë bisedime zyrtare delegacionesh me një rang më të ulët se posti i tij, në një kohë kur sipas protokollit shtetëror dipomatik ai mund ta takonte ministrin e jashtëm grek duke qendruar në dy kolltukë apo karrike të ndara anash njeri tjetrit, por kurrsesi të zhvillonte bisedime zyrtare delegacionesh dypalëshe me të. Nuk po bëjmë pyetjen tjetër se përse kryeministri i Shqipërisë zhvilloi bisedime dhe priti në zyrën e tij vetëm ministrin e jashtëm grek dhe nuk priti as ministren e jashtëme të Gjermanisë dhe asnjë nga 24 ministrat e jashtëm, që ndodheshin në Tiranë në 6 tetor për mbledhjen e ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor në kuadrin e “Procesit të Berlinit” të drejtuar nga Gjermania. Nuk po bëjmë as pyetjen tjetër se çfarë do të bëjë më tepër protokolli i fandaksur kryeministror kur të vijë në Tiranë kryeministri grek.

Ministri i jashtëm i Greqisë ka për homolog ministrin e jashtëm të Shqipërisë dhe me atë ka tagrin që të zhvillojë bisedime dyalëshe. Ndoshta Shqipëria, që ende nuk ka kuptuar se ç’është dinjiteti i shtetit, ndjek manualin diplomatik të bandustanit, kur i pari i fisit ka monopolizuar gjithçka, dhe është bërë si xholi që hyn kudo vend e pa vend. Kryeministri i Shqipërisë e ka bërë praktikë këtë shkelje protokollare diplomatike, sepse një skandal të tillë e ka bërë në 8 janar 2021 kur në mënyrën më antidiplomatike shkon në selinë e ministrisë së jashtëme greke në Athinë dhe zhvillon atje bisedime dypalëshe me ministrin e jashtëm grek Dendias. Në librin tim “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë” kam shkruar lidhur më këtë: ”Asimetria e nivelit të bisedimeve tregon se si do t’i nënvleftësojë Greqia çeshtjet e hapura me Shqipërinë”. Në një situatë të tille shtrohet çështja nëse është Shqipëria, që i nështrohet si shtet raja protokollit fyes grek, apo është profanizmi diplomatik i kryeministrit të saj.

Mirë e bënë turpin diplomatik dhe personal, duke zhvilluar bisedime një ministër grek me dyshen qeveritare kryeministër dhe një ministër shqiptar, por si kanë faqe dhe ia bëjnë të njohur publikut këtë dëshmi të re të uljes së dinjitetit të Shqipërisë. Dhe kur sheh se si shtiret bandustani si shtet, kupton pse “bota qesh, dhe bota tallet” me ne.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT