• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

Kryetari i Vatrës kreu homazhe në varrezat e dëshmorëve të kombit në Gllogjan

October 28, 2023 by s p

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA” z.Elmi Berisha kreu homazhe te Kompleksi Memorial në varrezat e dëshmorëve të kombit në Gllogjan të Kosovës.

Me homazhe nderimi e lutjeje dhe buqetë lulesh të bardha kryetari z.Berisha nderoi dëshmorët e Dukagjinit të cilët u flijuan për të mos vdekur kurrë si gurthemel i lirisë dhe pavarësisë së shtetit të Kosovës.

Lavdi përjetë dëshmorëve të Atdheut.

Nderim dhe mirënjohje në shekuj të shekujve luftëtarëve, çlirimtarëve e heronjve të kombit shqiptar.

Filed Under: Politike Tagged With: Elmi Berisha

 Me rastin e 179-vjetorit të lindjes së nihilistit – FRIDRIH NIÇE

October 28, 2023 by s p

Jeta ka kuptim vetëm si dukuri estetike – Niçe

Filozofia ime sjell ide ngadhënjyese nga e cila shembet njëherë e mirë çdo mënyrë tjetër e të menduarit – Niçe

Prof. Xhelal Zejneli

Fridrih Vilhelm Niçe (Friedrich Wilhelm Nietzsche) ka lindur më 15 tetor 1844, ndërsa ka vdekur më 25 gusht 1900. Është filozof dhe poet gjerman radikal, një prej mendimtarëve modern më të mëdhenj dhe një prej kritikëve më të ashpër të kulturës perëndimore dhe të krishterimit. Ka qenë filolog, filozof dhe poet. Studioi filologjinë klasike dhe një kohë të shkurtër punoi si profesor në Bazel. Për shkak të sëmundjes, u tërhoq. 

Mbi Niçen më së shumti kanë ndikuar filozofi gjerman Artur Shopenhauer (Arthur Schopenhauer, 1788-1860), kompozitori Rihard Vagner* (Richard Wagner) si dhe filozofët e periudhës parasokratiane sidomos filozofi grek, kundërshtar i demokracisë, Herakliti (544 – rreth 480 para e. r.). 

Shënim: Rihard Vagneri (Wilhelm Richard Wagner, 1813-1883) – kompozitor, dirigjent, teoricien i muzikës dhe eseist. Ia doli t’i përkthente të 12 librat e “Iliadës” së Homerit (shekulli VIII para e. r.)

*   *   *.

Të pranuara dhe të përpunuara nga filozofi grek Platoni (emri i vërtetë Aristokle, 427-347 para e. r.) deri në një sistem gjithëpërfshirës idesh, tezat e filozofit grek Sokratit (470-399 para e. r.) ndikuan dukshëm në mbarë zhvillimin historik të mendimit filozofik në Evropë. Sidomos u glorifikuan në kohën e iluminizmit. Iluministët e konsideronin Sokratin “paraardhës të Krishtit” dhe shpirt moral dhe filozofik më të madh të lashtësisë. 

Përkundër këtyre interpretimeve, Sokratin dhe sundimin absolut të nocioneve, Niçeja u përpoq ta shpallte si më të madhen lajthitje në historinë e kulturës njerëzore, që e ka sakatosur, e ka moralizuar dhe e ka varfëruar kulturën e pasur dhe të zhvilluar të antikës, e që më vonë e ka mbuluar me errësirë pasqyrën e mendimit parësor, të freskët dhe burimor dionizian grek.

*   *   *

  Niçe i përket shkollës dhe traditës së filozofisë kontinentale si dhe klasicizmit të Vajmarit. Shpeshherë, bashkë me filozofin danez Sëren Kierkegar (Sören Kierkegaard, 1813-1855), e kanë konsideruar si njërin prej paraardhësve të ekzistencializmit. E kanë marrë edhe për paraardhës të postmodernizmit, të poststrukturalizmit dhe të psikanalizës. Ka treguar interesim për estetikë, epistemiologji, etikë dhe filologji. Ide të njohura të tij janë: dualizmi, Apoloni-Dionisi, Kthimi i përhershëm, nihilizmi, vdekja e Perëndisë. 

Është autor i veprave të jashtëzakonshme me ndikim tejet të gjerë. Është një prej themeluesve kryesorë “të filozofisë së jetës” (Lebens-philosophiae) e cila përjeton ringjallje dhe rilindje në frymën e epokës sonë.

*   *   *

Niçeja lindi në qytetin Rëken (Röcken), në një familje protestante. Prindër të Niçes ishin – nëna Franziska Oehler dhe babai Carl Ludwig Nietzsche. I ati Ludvig dhe gjyshi ishin pastorë (priftërinj protestantë). I ati i vdiq kur Niçe ishte 4-vjeç. Niçeja u shkollua në Pfort. Ishte një shkollë me disiplinë të ashpër. Aty i mori njohuritë themelore të gjuhëve klasike dhe të të letërsisë klasike. Duhej të ndiqte teologjinë. Studioi filologjinë klasike në Bon dhe në Lajpcig (Leipzig). Në saje të profesor Riçelit (Friedrich Wilhelm Ritschl, 1806-1876), në moshën 24-vjeçare, pa e mbrojtur tezën, u bë doktor shkence. Profesor Riçeli pa tek ai talentin e madh për filologji. 

Në vitin 1868 Niçeja u njoh me kompozitorin e famshëm Rihard Vagnerin. Midis tyre u krijua një raport sikur ndërmjet babait dhe birit. Ndaj Vagnerit, Niçe manifestonte një devotshmëri të jashtëzakonshme dhe ishte i entuziazmuar prej tij.

Në vitin 1870 u bë profesor ordinar në Bazel (Basel). Kah fundi i vitit 1870, për shkak të sëmundjes, pensionohet. I dhënë pas veprimtarisë letrare dhe filozofisë, jeton në Zvicër dhe në Itali.  

Nën mbresat e filozofisë së Shopenhauerit dhe të muzikës së Vagnerit, lindi vepra “Lindja e tragjedisë nga fryma e muzikës” (Die Geburt der Tragödie aus dem Geiste der Musik, 1872). Është libri i parë filozofik i Niçes. Doli në vitet 1871-1872. Pothuajse gjatë tërë librit, haset ndikimi i madh i ideve vagneriane, të cilat, sikurse idetë e Niçes, ishin nën ndikimin e filozofisë së Shopenhauerit. Ndonëse vepra ka vlerë filozofike të pakontestueshme, nuk është gabim të thuhet se ajo paraqet mbrojtje dhe glorifikim të muzikës dhe të estetikës së Vagnerit.

Në të shkruar të librit të dytë prej katër pjesësh “Shqyrtime jobashkëkohore” (Unzeitgemäße Betrachtungen, 1873-1876), në aspektin filozofik Niçeja bëhet i pavarur dhe i prish raportet me Vgnerin. 

Në vitin 1889 Niçeja pëson tronditje nervore. Në dhjetë vitet e fundit të jetës, i shfaqen simptomat gjithnjë më të rënda të paralizës progresive. Pas paralizës, 11 vitet e fundit të jetës i kalon me vetëdije plotësisht të errësuar. Për filozofin e famshëm, të ngritur në mit, tashmë kujdesen e ëma dhe motra. Vdiq me mendje të errësuar. 

*   *   *

Vepra më të njohura të këtij gjeniu janë: “Lindja e tragjedisë nga fryma e muzikës”; poema filozofike “Kështu fliste Zaratustra” e cila duhej të ishte quajtur “Vullneti për pushtet, përpjekje për rivlerësimin e të gjitha vlerave”; shkrimi moralizues dhe paraloja e filozofisë të së ardhmes “Në anën tjetër të së mirës dhe të keqes”; “Gjenealogjia e moralit”; “Antikrishti”; eseja autobiografike “Ecce homo” dhe përmbledhja e vinjetave filozofike “Vullneti për pushtet”. 

I pamohueshëm është ndikimi i Niçes mbi filozofët e jetës, mbi mendimtarët e mëvonshëm të ekzistencës, mbi psikanalistët, si dhe mbi disa shkrimtarë dhe filozofë siç janë: shkrimtari suedez August Strindberg (1849-1912); dramaturgu irlandez, laureat i çmimit “Nobel” (1925) Xhorxh Bernard Sho (George Bernard Shaw, 1856-1950), romancieri, eseisti, dramaturgu dhe poeti francez, laureat i çmimit “Nobel” (1947) Andre Zhid (André Gide, 1869-1951);  romancieri, dramaturgu dhe eseisti francez, laureat i çmimit “Nobel” (1915) Romen Rolan (Romain Rolland, 1866-1944); romancieri, eseisti dhe dramaturgu francez Alber Kamy (Albert Camus, 1913-1960), shkrimtari, dramaturgu, poeti, eseisti dhe enciklopedisti kroat Mirosllav Kërllezha (Miroslav Krleža, 1893-1981); filozofi ekzistencialist gjerman Martin Hajdeger (Martin Heidegger, 1889-1976), etj.

*   *   *

Niçen e përshkruan edhe tregimtari austriak me prejardhje hebraike Stefan Cvaik (Stefan Zweig, 1881-1942): “Me kokën të ngritur lartë si një hero, ballin të rrudhosur nga mendimet e errëta,, shikim skifteri, i tëri i mbërthyer nga vullneti, shëndeti dhe forca…”  

*   *   *

  Nihilizmi – Nihilizmi nënkupton lëvizjen historike të Evropës nëpër shekujt paraprakë e cila e përcaktoi edhe shekullin e tashëm. Është koha në të cilën tanimë dy mijë vjet mbizotëron në horizont interpretimi onto-teologjik i botës, i religjionit krishterë dhe i moralit. 

Niçeja dallon dy lloj nihilizmi: pasiv dhe aktiv. Nihilizmi pasiv është shprehje e gjendjes në të cilën vlerat ekzistuese nuk i kënaqin nevojat jetësore. Si i tillë, ai nuk paraqet asgjë. Por ai është bazënisje për nihilizmin aktiv, për flakjen dhe për shkatërrimin e vetëdijshëm të vlerave ekzistuese, në mënyrë që të krijohen kushte për ribashkimin e kulturës dhe të jetës.

Është e vetëkuptueshme se nihilizmin nuk e ka sajuar Niçeja, as që e ka përgatitur ardhjen e tij, as ia ka çelur rrugën mbizotërimit të tij në kohën tonë. Merita e tij qëndron vetëm në faktin se ai është i pari i cili qartas e zbuloi fytyrën nihiliste të botës bashkëkohore. Është i pari që foli për shkretëtirën në rritje të sigurisë moderne, i pari i cili zëshëm konstatoi se Perëndimi e ka humbur besimin në kuptimin më të lartë të jetës. Niçeja erdhi në situatë për ta kuptuar nihilizmin si një gjendje kalimtare, të përkohshme. Aq më tepër, i shkoi për dore ta zbulojë rastin e mbuluar që ia ofron nihilizmi njeriut të sotëm, ta kuptojë këtë ngjarje historike si një sinjal të mirë, si një shenjë e rimëkëmbjes së jetës, si aluzion i parë apo parandjenjë e kalimit në kushte të reja të ekzistimit. Niçeja pohon shprehimisht: “Nihilizmi njëherazi është gjendje plot ethe e krizës me parashenjë pozitive dhe jo vetëm negative. Nihilizmi premton pjekurinë e jetës së ardhshme, ndaj çdo pengesë që e ndal epërsinë e tij, është e paarsyeshme, çdo veprim kundër tij është i kotë”. 

Shënim: 

Nihilizëm-i – mohim i plotë i të gjitha parimeve, i traditave dhe i pikëpamjeve të ngulitura. 

Pesimizëm-i – pikëpamje filozofike, e përcjellë me zymtësi, me dëshpërim, me mosbesim për të ardhmen. 

*   *   *

Mbinjeriu – Mbinjeriu është formë e vullnetit për pushtet që e përcakton kuptimin e ekzistencës në botë. Qëllimi nuk është njerëzimi, por më shumë se njeriu. Qëllimi i tij është rritja e vazhdueshme e vullnetit për pushtet nga ku rezulton se nuk e qëllimin t’i nënshtrohet botës mbinatyrore. Pohimi i vetvetes dhe jo nënshtrimi të mbinatyrshmes, është thelbi i preokupimit të Niçes me mbinjeriun. Përndryshe, njeriu mbetet të jetojë si një mikroborgjez në kënaqësitë e tij shtazore si në një mjedis surrealist. Mbinjeriu është pasqyrë e vullnetit dionizian që e do vetëm veten. Është pohim i përjetshëm i çdo gjëje që ekziston. Të bësh mbinjeriun zot të botës do të thotë ta çnjerëzosh njeriun ekzistues, ta zhveshësh atë nga vlerat e deritashme. Duke shkatërruar vlerat ekzistuese, gjë që mundësohet nga mësimi për kthimin e përjetshëm të të njëjtës, mbinjeriu shfaqet si natyrë, animalizëm, sundim i të pavetëdijshmes.

Me këtë, Niçe e ndryshon apo e tjetërson njeriun nga njeriu i huaj, i krishterë, në njeri të natyrës, në njeri të dehumanizuar apo të çnjerëzuar, me vlera të reja. Me fjalë të tjera, thelbin e njeriut Niçeja e përcakton si një ekzistencë reaktive. Në këtë mënyrë, njeriu me vlera ekzistuese duhet ta dëshirojë shkatërrimin e vet, rënien e vet, në mënyrë që ta tejkalojë veten: Perënditë kanë perënduar, tani duam mbinjeriun – le të jetë kjo në një mesdite të madhe, dëshira jonë e fundit. 

Në historinë e deritashme, njeriu nuk ka qenë i aftë ta zotërojë botën, për arsye se gjithmonë ka qenë i orientuar kundër saj. Për këtë arsye, njeriu duhet të ngrihet mbi vetveten, ta tejkalojë veten. Në këtë pikëpamje, mbinjeriu nuk është fryt i një fantazie të shfrenuar të kotë. Në anën tjetër, ne nuk mund ta zbulojmë natyrën e mbinjeriut brenda kornizës së historisë tradicionale të krishterë, por është e nevojshme të shkëputemi prej saj. Pikërisht kjo shkëputje  mund ta përcaktojë fatin dhe të ardhmen e gjithë botës.

Niçeja thotë: “Kur ta shohësh njeriun duke u mbytur, mos ia shtrij dorën për ta shpëtuar. Bjeri edhe një shqelm, që të mbytet sa më parë”. Njëherazi shton: “A je skllav, ti nuk mund të jesh mik, a je tiran, ti nuk mund të kesh miq”.  

*   *   *

Ndërmjet filozofisë së Niçes dhe jetës ekziston një lidhje e brendshme e ngushtë, shumë më e ngushtë se ajo e filozofëve të tjerë. Niçeja ka shkruar shumë letra. Motivi i vetmisë përbën thelbin e letrave të tij. Për vetminë e vet Niçeja ka folur për herë të parë në letrat që ia dërguar  shokut të klasës, E. Rode. I ka shkruar gjatë shërbimit ushtarak. Në njërën prej tyre thotë se është disi i vetmuar, për arsye se në rrethin ku ndodhet nuk ka as mik as filolog. Niçeja i ri vetminë e kuptonte si një pengesë të jashtme. 

Vepra “Mbi gjërat njerëzore dhe tejet njerëzore” nuk kishte shkaktuar ndonjë jehonë të madhe te miqtë e tij, ndaj në vitin 1878 ai i shkruan kompozitorit gjerman Johan Hajnrih Këzelic (Johann Heinrich Köselitz, 1854-1918). Vëren se problemet e brendshme të njerëzve disi janë më të rëndësishme se ato të jashtmet. Rrjedhimisht, e pranon se ndjehet i vetmuar jo pse fizikisht ndodhet larg tyre, por ngase e ka humbur besimin tek ata. Vjen në përfundim se s’ka asgjë të përbashkët me ta.

Thellimit të ndjenjës së vetmisë i kontribuon edhe ndarja e dhimbshme me Lu Salomen dhe me studiuesin e fizikanin gjerman, Paul Rej (Paul Ludwig Carl Heinrich Rée, 1849-1901). U ndanë pas një miqësie të shkurtër por intensive. Për martesën, Paul Rej thotë: “Shikuar në aspektin filozofik, martesa nuk është veçse një akt joracional”.  

Me filozofin nihilist njihej edhe shkrimtarja gjermane Malvida fon Meysenbug (Malwida von Meisenbach, 1816 – Romë, 1903). Kjo ishte mike e gjeneralit, atdhetarit, revolucionarit dhe republikanit italian Xhuzepe Garibaldi (Guiseppe Maria Garibaldi, 1807-1882). Ajo njihej edhe me Rihard Vagnerin.               

 Vitet e fundit, para se të rrënohej në pikëpamje shëndetësore, Niçeja e humbi besimin ndaj miqve dhe miqësisë. Për këtë dëshmon letra mbresëlënëse dërguar motrës së vet: “Që i vogël e deri më sot, s’kam hasur askënd me të cilin ta kem pasur në zemër dhe në ndërgjegje të njëjtën dhimbje. Të gjitha lidhjet njerëzore të mia kanë lindur nga sulmi i ndjenjës së vetmisë. Oberveku mu si Ree, Malvida mu si Këzelici – isha mjaft i lumtur kur me ndonjërin prej tyre gjeja apo besoja se kisha gjetur të paktën diçka të përbashkët”.            

Në letrën tjetër shkruan: “Me përjashtim të Vagnerit, askush deri më sot, as me të njëmijtën pjesë të pasionit, nuk tregoi mirëkuptim për të më kuptuar. Qysh i vogël, kam qenë vetë. I tillë jam edhe sot, në moshën 44-vjeçare”. 

*   *   *

Femra për të cilën Niçeja ka qarë – Lu Salome – Me jetëshkrimin e Niçes ndërlidhet edhe figura e Lou Andreas-Salome (Shën-Pjetërburg, Rusi, 1861 – Göttingen, Gjermani, 1937). Ajo lindi në Rusi në një familje gjermane. Autore librash dhe psikanaliste. Ka qenë e njohur në qarqet e elitës intelektuale të Evropës. Me filozofin gjenial u njoh në vitin 1882. Ajo njihej me krijues letrarë artistikë të kohës, me poetë, me romancierë, me dijetarë, me filozofë, midis tyre me kompozitorin e famshëm – Rihard Vagner (Richard Wagner, 1813-1883), me neurologun austriak të prejardhjes hebraike, themelues i psikanalizës – Zigmund Frojd (Sigmund Freud, 1856-1939), me psikiatrin dhe psikanalistin zviceran Karl Gustav Jung (Carl Gustav Jung, 1875-1961), me psikanalisten britanike, çifute e Austrisë, bijë e Zigmund Frojdit – Ana Frojd (Anna Freud, Vjenë, 1895 – Londër, 1982) etj. 

Lu ishte muza e Niçes. Por, ishte muzë edhe e poetit austriak, të lindur në Pragë, Rainer Maria Rilke (1875-1926).

Jetën dhe veprën e filozofit mitik e kanë hulumtuar dhe e kanë studiuar shumë biografë të kontinentit të vjetër dhe më gjerë. Ka që thonë se nihilisti legjendar i paska ofruar Lu-së martesë, por ajo nuk paska pranuar. Vjen një çast kur Niçe dhe Lu i prishin raportet. Në veprën “Kështu fliste Zaratustra”, Niçeja thotë: “A shkon te gruaja – mos e harro kamxhikun”. Për këtë arsye, disa studiues e kanë quajtur Niçen mizogam. Në vitin 1894, Lu Salome boton veprën “Fridrih Niçe në pasqyrën e krijimtarisë së tij”. 

Motra e Niçes – Elizabeta (Therese Elisabeth Alexandra Förster – Nietzsche, 1846-1935) nuk kishte raporte të mira me Lu-në. Ishte kundër çfarëdo lidhjeje të Niçes me Lu-në.     

*   *   *  

Stili narrativ i të shkruarit  – Karakteristike për Niçen është stili i tij. Stili është i tillë sikundër është njeriu. Bigoni thotë: “Stili është njeriu dhe anasjelltas”. Veprat e tij më shumë i ngjajnë prozës poetike sesa veprave filozofike. Nuk e ka pasur qetësinë e një shpirti të baraspeshuar. Ka qenë emocional dhe me intuitë, i pasionuar dhe patetik. Gjuha e heroit kryesor të “Zaratustrës” është gjuhë e ditirambit dhe jo e një analize filozofike subtile (e hollësishme). 

Niçeja pohon në mënyrë eksplicite: “Filozofia ime sjell ide ngadhënjyese nga e cila shembet njëherë e mirë çdo mënyrë tjetër e të menduarit”. Ai shkruan me frymëzim dhe me asociacione prek tema filozofike, më tepër sugjeron sesa argumenton. Filozofinë e vet e quan eksperimentale për arsye se eksperimenton me ide. 

Për këtë arsye, ka studiues që thonë: “Niçeja është infektues, helmues i rinisë”. Ai thotë: “E mira më e madhe është pjellë e së keqes më të madhe”.  

*   *   *

Dialogu ka dialektikë subjektive, e ndrydh monologun. Për këtë arsye, Niçeja i merr në shënjestër “dialektikët” Sokratin dhe Platonin. Idetë e veta, Niçeja i lanson furishëm. Filozofon fuqishëm, ngase – siç thotë vetë – “Unë s’ jam njeri, jam dinamit”. 

Ka pasur të tillë që e kanë konsideruar Niçen të marrë. Por ka pasur edhe studiues të cilët kanë thënë: “Niçeja marrëzisht ka qenë i bindur për vërtetësinë e pikëpamjeve të veta”. Vërtet Niçeja kishte dëshirë të barazohej me Dionisin dhe me Zaratustrën dhe haptazi të shfaqet si profet.       

E para dashuri intelektuale e Niçes ka qenë Artur Shopenhaueri, nën krahun e të cilit u rrit edhe një gjeni tjetër i pazakontë Zigmund Frojdi. Por, përballë pesimizmit  të “mësuesit”, Niçeja zhvillon optimizëm jetësor heroik. Ai çmon parasokratianët dhe spartanët. Shkruan sipas shëmbëlltyrës së aforizmave të Heraklitit. Në veprën e vet “Lindja e tragjedisë nga fryma e muzikës”, Niçeja dallon elementin dionizian dhe apolonik të shpirtit dhe të frymës greke, duke e interpretuar tragjedinë njësoj si filozofi grek – Aristoteli (384-322 para e. r.), si fisnikërim apolonik të synimeve dioniziane.    

Niçeja e përcakton Apolonin* si parim të arteve të figurative, kurse Dionisin* si parim të muzikës. Kjo ndarje e Niçes e dionizianes dhe e apolonikes te njeriu, e cila i ngjan dallimit që bën Frojdi midis Erosit* dhe Tanatosit*, përputhet me dallimin e “idesë” te Hegeli* dhe  “vullnetit” te Shopenhaueri. 

Shënim: 

Apoloni – Hyjnia (Perëndia) antike greke e diellit, e poezisë dhe e muzikës; mbrojtës i artit;

Dionisi – Perëndia e verës; 

Dionizian-e – që i përket kultit të perëndisë së verës Dionisit; i lëshuar pas epsheve, i shfrenuar, i dehur nga gëzimi; i shthurur;  

Erosi – në mitologjinë antike greke, Perëndi e dashurisë; eros – dashuri, dëshirë e zjarrtë dashurie; pasion;

Tanatos – sipas mitologjisë antike greke, Perëndi e vdekjes;    

Hegeli (Georg Wilhelm Friedrich Hegel, 1770-18310 – filozof gjerman, me prejardhje nga një familje protestante. E kanë quajtur “Aristoteli i kohës së re”. 

*   *   *

Edhe për Niçen, shfaqja e Sokratit paraqet kthesë në zhvillimin e kulturës greko-evropiane, por në kuptimin negativ. Për Niçen, ai është dekadenti i parë, për arsye se me intelektualizmin iluminist të tij i ka çrregulluar raportet ndërmjet elementit dionizian dhe apolonik të kulturës, në favor të apolonikes. Sipas Niçes, “prej Sokratit kultura vazhdimisht retardon (ngec), është tepër racionaliste, me këtë edhe armiqësore ndaj jetës, e cila s’është gjë tjetër pos ‘kthim i përhershëm i të njëjtës’, thelbi i së cilës është ‘vullneti për pushtet’ “.           

Veprat

– “Lindja e tragjedisë” (Die Geburt der Tragödie aus dem Geiste der Musik, 1872);

– “David Strauss: rrëfimtar dhe shkrimtar” (David Strauss: der Bekenner und der Schriftsteller, 1873);

– “Mbi dobinë dhe dëmin e historisë për jetën”  (Vom Nutzen und Nachtheil der Historie für das Leben, 1874);

– “Shopenhaueri si mësues” (Schopenhauer als Erzieher, 1874);

– “Rihard Vagneri në Bajrojt” (Richard Wagner in Bayreuth, 1876);

– “Mbi gjërat njerëzore dhe tejet njerëzore” (Menschliches, Allzumenschliches, Ein Buch für freie Geister, 1878);

 – “Mëngjesi” (Morgenröte. Gedanken über die moralischen Vorurteile, 1881);

– “Shkenca e hareshme” (Die fröhliche Wissenschaft, 1882);

– “Kështu fliste Zaratustra, Libër për çdokënd dhe për askënd” (Also Sprach Zarathustra, Ein – Buch für Alle und Keinen, 1885) – rapsodi në prozë;

– “Në anën tjetër të së mirës dhe të keqes” (Jenseits von Gut und Böse. Vorspiel einer Philosophie der Zukunft, 1886);

– “Mbi prejardhjen e moralit” (Zur Genealogie der Moral, Eine Streitschrift, 1887);

 – “Rasti Vagner” (Der Fall Wagner, Ein Musikanten-Problem, 1888);

  – “Perëndimi i idhujve” (Götzen-Dämmerung, oder Wie man mit dem Hammer philosophiert, 1888);

 – “Antikrishti, Prejardhja e krishterimit” (Der Antichrist. Fluch auf das Christentum, 1888);

 – “Ja njeriu, si të bëhet njeriu ai që është” (Ecce Homo, Wie man wird, was man ist, 1888);

 – “Niçeja kundër Vagnerit” (Nietzsche contra Wagner, Aktenstücke eines Psychologen, 1888);

– “Vullneti për pushtet”, pas vdekjes

Prof. Xhelal Zejneli

Photo: wikipedia.org

Filed Under: Kulture

Scholz, Macron e Meloni: Kosova Asociacionin, Serbia njohjen de-facto

October 28, 2023 by s p

A.B/RTKlive/

Kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kanë kërkuar që Kosova të nisë me procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas draft-statutit të propozuar nga ndërkombëtarët më 21 tetor dhe që Serbia të jetësojë njohjen de-facto.

“Me qëllim të arritjes së progresit të shpejt në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç përshkruhet në draftstatut, ndërsa Serbisë që të jetësojë njohjen de-facto. Formalitetet, përfshirë ato ndërlidhur me adoptimin, nuk duhet të qëndrojnë në rrugën e progresit për këtë çështje”, thuhet në një letër publike nga tre liderët evropianë.

Në letër, duke komentuar takimet e së enjtes në Bruksel, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, liderët evropianë kanë thënë se mirëpresin angazhimin “e të dyja palëve”.

“Kemi marrë parasysh komentet e bëra nga të dy liderët e Kosovës dhe Serbisë për statutin evropian për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe gatishmërinë e tyre të shprehur për zbatim. Draftstatuti që kemi prezantuar dhe e shtyjmë përpara plotësisht, përfshin një mënyrë moderne evropiane për ta trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave, në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuara nga palët”, thuhet në letrën e publikuar në uebfaqen e Kancelarisë gjermane.

“Prandaj, edhe një herë nënvizojmë pritshmërinë tonë nga palët që t’i jetësojnë zotimet e tyre për zbatim të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit. Faza implementuese duhet të avancojë me të dyja palët që kryejnë detyrimet e tyre paralelisht në mënyrë që hap pas hapi, bazuar në parimin që të dyja palët të bëjnë diçka për të marrë diçka. Fokusi duhet të jetë tani në avancimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes, pa parakushte apo vonesa”, thuhet aty.

Në fund, tre liderët kanë theksuar se presin që Kosova e Serbia të pajtohen shpejt mbi hollësitë e dialogut e kanë shtuar se po që se ka mungesë të përparimit në normalizim të raporteve, “të dyja palët rrezikojnë të humbin mundësi të rëndësishme”.

Letra e plotë e publikuar në uebfaqen e Kancelarisë gjermane:

https://www.bundeskanzler.de/bk-de/aktuelles/joint-statement-by-the-president-of-the-french-republic-the-chancellor-of-the-federal-republic-of-germany-and-the-president-of-the-council-of-ministers-of-the-italian-republic-on-the-eu-facilitated-dialogue-on-normalisation-of-relations-between-kosovo-and-serbia-2233766

Filed Under: Politike

LETRA E FAIK KONICËS PËR GUILLAUME APOLLINAIRE (28 TETOR 1903) : “KUR ISHA 19 VJEÇ VENDOSA TË BËHESHA MURG, VUAJ NGA KJO “SËMUNDJE”, KAM KËTË PENG NË JETË…”

October 28, 2023 by s p


Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 28 Tetor 2023

Në veprën “Guillaume Apollinaire. Correspondance. I Lettres reçues. XI K-La.”, gjejmë një letër të Faik Konicës (alias Thrank-Spiroberg) drejtuar shkrimtarit francez me 28 tetor 1903, në të cilën atdhetari shqiptar zbulon një sërë informacionesh rreth jetës së tij vetjake. Këtë letër, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Londër, 28 tetor 1903.

Oakley Crt., City Rd., E.C.

Dashuria, zotëri i dashur, është si një dhimbje dhëmbësh por në zemër, nëse guxoj të them, dhe një dhimbje dhëmbësh që ndonjëherë zgjat shumë. Që do të thotë shumë. Shekspiri vërejti se “asnjë filozof, megjithëse shkruanin në stilin e perëndive, nuk mund të durononte me qetësi një dhimbje dhëmbësh” :

“For there was never yet philosopher that could endure the toothache patiently. However they have writ the style of gods.”

Kam vuajtur shumë në të kaluarën nga kjo e keqe për të mos thënë se simpatizoj me tuajën. Kisha arritur në pikën saqë dëgjoja rrahjet e zemrës dhe gjeja prehje vetëm në kloratin, i përzier me mjeshtëri nga një mik mjek, dhe që, i administruar siç e dinte ai, më mbante në një përgjumje të përhershme në kufi me idiotësinë. Por ai ishte vetëm një qetësues. Ilaçi radikal, dëgjoni, është ende homeopatia : “Similia similibus…” Përpjekja për të zëvendësuar një dashuri me një tjetër është shërim i garantuar.

E gjithë kjo, natyrisht, është më e lehtë për t’u këshilluar, e di …

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Imagjinoni që London Road të lidhet me City Road me një “tub” ose siç thoni ju në Paris, “metropolizim” shumë të shpejtë. Pra, ju duhet ta merrni atë dy hapa nga shtëpia ime dhe, për dymbëdhjetë minuta, arrini në London Road. Prandaj propozoj këtë program : Do t’ju marr nga hoteli çdo ditë rreth mesditës, do të hamë darkë në shtëpinë time, pas së cilës do të shkojmë të vizitojmë atë që, gjatë ëmbëlsirës, do të konsiderohet interesante. Sa herë që ju duhet të shkoni të shihni zonjën e ëndrrave tuaja, shpejtësia e komunikimit do t’ju lejojë ta bëni këtë në çdo kohë.

*

Përveç kësaj, një vuajtje e vogël dashurie është e përshtatshme në moshën njëzet e tre ose edhe më vonë, dhe është shumë e dobishme për pjekurinë e mendjes. Por, jam shumë afër të tridhjetave, por aventurat e mendjes më kanë mbushur me eksperienca dhe mund të them ndoshta se kam dyfishin e moshës sime.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Në moshë fare të re, një urrejtje pafund ndaj turqve dhe islamizmit të imponuar prej tyre shumicës së shqiptarëve, si dhe leximi i librave mistikë, më hodhi në katolicizëm. Së shpejti, i ndërpreva të gjitha studimet për t’u përqendruar vetëm në teologji. Në moshën nëntëmbëdhjetë vjeç, vendosa të bëhesha murg. Në të njëzetat, nëntë vjet më parë – u nisa për në La Grande Chartreuse; mbërrita në Grenoble, shkova në manastir në këmbë, “more medici aevi”. Atje, më priste zhgënjimi. Kush vjen të më çojë në celulë ? një djalë me përparëse! Djall ! misticizmi im u bë pak konfuz. Në mesnatë, vijnë përsëri, siç kisha kërkuar, për të më thirrur që të shkoja në Kapelë për të dëgjuar këtë këngë liturgjike vajtuese dhe e (atëherë më dukej e tillë) mrekullueshme, e veçantë në Chartreux. Kush kishte ardhur të më thërriste ? një djalë tjetër. “Por ky qenka hotel, atëherë ?”, bërtita. Ku është ashensori dhe ku është shërbëtorja e bukur ? Hoteli është i nivelit të katërt. Unë largohem. Në fakt, nuk pashë as “Gjeneralin”, as ndonjë murg, të paktën në orën tetë të mëngjesit u largova nga këto male, pasi i dhashë bakshish kamarierit. — Mund ta imagjinoni se kjo mëndjehapësi nuk më shëroi. Ndjenjat intensive mbahen nga lidhje shumë të forta me zemrën. Pak nga pak shkova drejt lirisë, derisa një ditë, pas njëmijë papastërtish morale të vërejtura te klerikët, u ndjeva plotësisht i lirë. Ka shumë mundësi që, pa këto incidente në jetën time, do të kisha shkuar në Universitetin e Jenës dhe do të kisha kaluar pesë ose gjashtë vjet nën drejtimin e Ernst Haeckel për të studiuar biologji. Nga ana tjetër, fitova, në këtë periudhë të misticizmit, të njoh teologjinë, një mrekulli të mendjes njerëzore, në zhanrin e saj, që nuk është një zhanër i mrekullueshëm. E shihni se çfarë incidentesh kanë shënuar jetën time deri më sot. Ky është vetëm një kapitull i shkurtuar, dhe midis nesh.

*

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ah po, i ndjeri Léon Cahun ishte një njeri i jashtëzakonshëm! Udhëtova nga Brukseli në Paris me qëllim që ta vizitoja. Ai më ndihmoi shumë për të gjetur midis studiuesve të vjetër francezë dokumentet që vërtetojnë se kalorësia e lehtë është një koncept strategjik shqiptar dhe është futur në Francë nga shqiptarët. Kam shkëmbyer me të një korrespondencë të ngrohtë për tre vjet për të gjitha llojet e pyetjeve. Pastaj, papritmas, ndalova t’i shkruaj. Nuk iu përgjigja një apo dy letrave të tij. Është një sëmundje e tmerrshme tek unë : shkrimi i letrave është një punë e rëndë për mua dhe duhet të bëj një përpjekje të konsiderueshme për ta bërë atë sa më mirë që të mundem. Nëse, një herë, vonoj disa javë, nuk mund të shkruaj më. Familjarët tashmë janë detyruar të kërkojnë lajmet e mia në policinë e lokalitetit ku unë gjendesha. Me shumë dijetarë, m’u desht të ndaloja së korresponduari. Dhe një udhëtar danez, Aage Benedictsen, i cili më kërkoi dokumente për një konferencë, i mori ato nëntë muaj pas mbajtjes së konferencës. Është një mrekulli që ai nuk m’i ktheu ato. Sido që të jetë, kisha ndërmend të shkoja edhe një herë në Paris për të vizituar këtë njeri për të cilin kisha kaq shumë dashuri dhe admirim dhe që më kishte treguar një miqësi kaq prekëse kur, i sëmurë, unë vetë mësova se ai kishte vdekur tashmë para gjashtë muajve. — Ndoshta ai ka menduar se isha indiferent ndaj tij; — por ai ishte shumë larg së vërtetës ! Ishte një mani epistolofobike budallaqe që më bëri fajtor për neglizhimin tim ndaj tij; — dhe vdekja e tij më preku rëndë. Më mirë se kushdo, ai e njihte Orientin; dhe, me dhjetë fjalë, ai sillte në dritë një skenë nga oborri i Delhit ose Samarkandit, në kohët e shkuara; një anekdotë, e treguar prej tij, ishte më fitimprurëse sesa leximi i një in-folio. Është për t’u habitur që ai nuk ishte në krye të një dege orientale në Collège de France !…

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

                                                     *

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Unë gjithashtu nuk besoj në mundësinë e përshtatjes së një gjuhe ekzistuese si një instrument intelektual ndërkombëtar. Z. Rémy de Gourmont llogarit pa armiqësitë kombëtare. Sidoqoftë, ato janë aty. Luftoni ato, por pranoni se ekzistojnë. Asgjë nuk bëhet me konventë apo kontratë sociale; gjithçka është rezultat i luftës dhe domosdoshmërisë. Megjithatë, më duket se një mijë rrethana kombinohen për të grupuar aktivitetet rreth tre gjuhëve frëngjisht, anglisht dhe gjermanisht. Studimi i tyre nuk është fakultativ, është thelbësor. Kështu që unë besoj se zgjidhja është aty, dhe se gjëja më e mirë është të përpiqesh ta theksosh këtë rrymë, ose të bësh përpjekje për ta ndaluar atë. Por ne do të flasim për këtë.

*

Po mbledh shënime për një studim të psikologjisë humoristike që do të mbajë titullin “Përvijimi i një metode për të fituar duartrokitje nga borgjezia — Esquisse d’une méthode pour se faire applaudir des bourgeois ”. Unë mendoj se do t’ju pëlqejë për “Gostinë e Ezopit”. Unë do t’ju tregoj gjithashtu artikujt që planifikoj të shkruaj, dhe ju do të më tregoni se çfarë ju pëlqen veçanërisht.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Me këtë, unë do të ndaloj këtu — (e shihni që po filloj të kuroj pak epistoplofobinë time), — dhe shpresoj t’ju shoh në Victoria Station javën e ardhshme.

Përshëndetje të përzemërta,

Thrank-Spiroberg

P.s. – Duke më besuar dashurinë tuaj dhe duke më dhënë numrin e rrugës së Londrës, m’u duk sikur donit të dija nëse është vërtet një spital që ndodhet në vendin e treguar. Kështu që shkova mbrëmë në Clapham, dhe më vjen keq t’ju them se gaboheni. Ka vërtet një spital me pamje pallati në London Road, The South Western Fever Hospital, por ndodhet në N° 106.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Në N° 76 është një shitës frutash, në N° 72 është The Avondale Hall, një sallë që është marrë me qira nga një kongregacion fetar dhe nga një shoqëri kërcimi, në mënyrë që në ditë të caktuara të jetë kishë, dhe në ditë të tjera një vend për vallëzim. N° 74 nuk është i shënuar, por është natyrshëm mes të dyjave. Aty ndodhet një dyqan ushqimor, me emrin “Thomas Hayward Baker”.

Detaje që mund t’ju interesojnë, i pashë, pikërisht në këtë N° 74, një grua e re rreth të njëzetave, ose më pak, me flokë të zeza, me gjatësi mesatare, që duket të jetë më shumë skoceze se sa angleze.

Tetor, 1903

Zotit Guillaume Apollinaire

23, Rruga Napoli,

Paris (8)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

Rrënjët shekullore të Kombit Shqiptar në Evropë duhen promovuar më shumë

October 27, 2023 by s p

Marrë nga: https://shqiptaretezares.wordpress.com/2023/10/27/rrenjet-shekullore-te-kombit-shqiptar-ne-evrope-duhen-promovuar-me-shume/

Nga biseda e Konsullit të Nderit z. Anton Dedaj me shkrimtarin e madh Ismail Kadare.

Tiranë, më 17 Tetor 2023.

Konsulli i Nderit i Republikës së Shqipërisë për qytetin dhe prefekturën e Zarës në Kroaci, z. Anton Dedaj, u takua në Tiranë me shkrimtarin e madh Ismail Kadare.

Ata zhvilluan një bisedë të ngrohtë dhe miqësore.

Kjo bisedë përfshinte shumë tema lidhur çështje të aktualitetit mbarëshqiptar.

Zoti Kadare tha se Shqipëria është pjesë e krijimit te Evropës, dhe përjetësisht i përket rrënjëve mijëvjeçare të Evropës.

Ai theksoi gjatë kësaj bisede se: “Natyrisht shqiptarët kanë qënë dhe janë në qendër të vemendjes së historisë dhe zhvillimeve evropianë për shekuj me radhë. Dhe mund të them se akoma deri në ditët e sotme shqiptarët dhe Shqipëria nuk e kanë humbur këtë pozicion, pavarsisht zhvillimeve tragjike, si dhe luftrave e fatkeqësive që i kanë ndodhur kombit shqiptar. Rrënjët dhe arsyet e këtyre fatkeqësive ende nuk janë sqaruar mirë. Shqipëria është kombi i shqiptarëve. Një komb jashtëzakonisht i vetmuar, por që ne duhet me patjetër të shpëtojmë nga kjo vetmi pasi ne nuk e meritojmë një gjë të tillë. Kjo pasi shqiptarët në thelb janë Evropjanë dhe madje evropjanë shumë të mirë dhe jo barbarë siç mundohen t’i paraqesin disa qarqe jo dashamirëse kundrejt shqiptarëve në Evropë. Shqiptarët duhet të jenë të privilegjuarit e kësaj pjese të rajonit, i cili i përket dhe është pjesë integrale e Evropës së civilizuar. Pra, Shqipëria në vetvete është Evropjane, është pjesë origjinale dhe e përjetshme e rrënjëve mijëvjecare të Evropës. Këto rrënjë Evropiane të saj nuk janë shkëputur asnjëherë, por i janë mohuar asaj në një mënyrë apo në një tjetër, ose dhe janë anashkaluar.”

Gjatë kësaj bisede shkrimtari i madh Kadare u shpreh se: “Ky vend shpesh është trajtuar pa seriozitet. Shqipëria është një vend serioz. Vetë vendosja e saj gjeografike, po ta shikosh me sy të parë, flet për atë që ajo është në të vërtetë, në qendër të Evropës. Mosha e saj mijëra vjecare, pesha e saj historike flet më së miri për këtë fakt. Por kjo gjë nuk i është njohur. Pra i është mohuar. Dhe shqiptarët sot në hapësirën mbarëshqiptare po e vuajnë këtë mosnjohje, këtë mohim. Nuk di cfarë të them më tepër, pasi bisedat rreth këtyre çështjeve janë mjaft të komplikuara dhe të vështira për t’u trajtuar. Dhe për më tepër, në momentin aktual unë nuk kam të dhënat e mjaftueshme për t’i shpjeguar më tej dhe për të dhënë përgjigje të hollësishme rreth këtyre çështjeve. Kjo pasi një pjesë e tyre dalin përtej kufijve të artit dhe letërsisë. Por, natyrshëm këto çështje rikthehen tek arti në mënyrën e tyre, ashtu si përgjithësisht rikthehen gjërat e përjetshme. Kjo pasi arti dhe letërsia në vetvete janë sfera që kanë lidhje me themelet e jetës dhe vdekjes së një kombi. Prandaj të flasësh për to duhet ta vrasësh mendjen thellë, në mënyrë që të mos japësh mendime të gabuara, të ngutura, të papërgjegjshme. E them këtë, pasi kjo ka ndodhur dhe ndodh shpesh me punët e shqiptarëve. Kjo është një temë mjaft e vështirë për t’u trajtuar dhe nuk mund të analizohet në mënyrë të hollësishme dhe në detaje brenda kornizave të një bisede. Për këto çështje unë kam shkruar shumë. Kam një jetë të tërë që shkruaj dhe përpiqem t’i trajtoj me objektivitet këto çështje. Kjo pasi këto janë çështje shumë të vështira, janë çështje që lidhen me jetën e vetë kombit shqiptar. Dhe gjërat që lidhen me jetën e kombit shqiptar kanë lidhje gjithashtu me vdekjen e tij të mundshme. Një komb i braktisur, i lënë mënjanë, rrezikon vdekjen e vet. Prandaj ne s’duhet kurrë ta lëmë Shqipërinë mënjanë, s’duhet të jemi të papërgjegjshëm me fatin e saj. Por, për fat të keq mund të them se ne nuk po bëjmë aq sa duhet për të.”

Kaq mund të them rreth këtyre çështjeve në këtë takim me ju, tha shkrimtari i madh Ismail Kadare.

Ne fund bisedës Zoti Dedaj tha se e falenderon nga zemra për mundësimin e këtij takimi dhe për këtë bisedë të çmuar. Ai i tha zotit Kadare se: “E gjithë krijimtaria juaj si shkrimtar është e nivelit botëror dhe ka nje frymë të theksuar pro-perëndimore. E për rrjedhojë, kjo krijimtari na ka inspiruar në gjithë veprimtaritë tona për çeshtjen kombëtare”.

Konsulli i Nderit Dedaj e uroi shkrimtarin e madh Ismail Kadare për titullin e lartë “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit” që Presidenti Francez, Emmanuel Macron i akordoi atij vetëm pak ditë më parë. Dedaj u shpreh se ky titull i lartë është një vlerësim i merituar që i bëhet atij dhe që bën krenar çdo shqiptar në mbarë botën.

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT