• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

THANAS FLOQI – FIRMËTARI I PAVARËSISË NË KRAH TË ISMAIL QEMALIT 

November 17, 2023 by s p

Nga Rafael Floqi

Opinioni mbi Kushtet e shpalljes së pavarësisë në Vlorë mund të ndryshojë në varësi të pikëpamjes dhe kontekstit të personit. Disa njerëz mund ta shohin këtë ngjarje si një moment historik dhe triumfal për popullin shqiptar, ndërsa të tjerë mund të kenë qasje më skeptike ose të ndryshme në lidhje me këtë periudhë. Nëse e shohim nga pikëpamja e atyre që e konsiderojnë një moment triumfal, mund të theksojmë se shpallja e pavarësisë në Vlorë në vitin 1912 ka qenë një akt i guximshëm i shqiptarëve për të rrëzuar sundimin otoman dhe për të themeluar një shtet të pavarur. Ky ngjarje ka pasuar një periudhë të gjatë kolonializmi dhe sundimit otoman, dhe shpallja e pavarësisë simbolizon dëshirën e popullit për liri dhe autonomi. Nga ana tjetër sfidat dhe vështirësitë që mund të kenë pasuar shpalljes së pavarësisë. Për shembull, pasi u shpall pavarësia, Shqipëria përballet me shumë sfida, duke përfshirë periudhën e Luftës Ballkanike dhe atë të Luftës së Parë Botërore. Për të formuar një opinion mbi Kushtet e shpalljes së pavarësisë në Vlorë, është e rëndësishme të kuptohet konteksti historik dhe politik i atyre kohërave, duke marrë në konsideratë të gjitha këndvështrimet dhe pasojat e një ngjarjeje kaq të rëndësishme për historinë e Shqipërisë.

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë ka një rendësi të jashtëzakonshme, jo vetëm për popullin shqiptar, por edhe për historinë e Ballkanit dhe më gjerë. Kjo ngjarje ka ndikuar thellësisht në zhvillimet e mëvonshme politike, shoqërore dhe kulturore të Shqipërisë. Disa nga pikat kyçe të rendësisë së shpalljes së pavarësisë janë:

1. Liria dhe Pavarësia: Shpallja e pavarësisë shënon një moment thelbësor në historinë e Shqipërisë, duke i dhënë popullit shqiptar lirinë dhe autonominë për të vendosur për të ardhmen e tyre. Pas një periudhe të gjatë të sundimit otoman, shpallja e pavarësisë simbolizon shpresën dhe dëshirën për një shoqëri të pavarur.

2. Identiteti Kombëtar: Ky akt ka kontribuar në ndërtimin e identitetit kombëtar shqiptar. Shqiptarët janë bashkuar për të luftuar kundër sundimit otoman dhe për të krijuar një shtet të pavarur, duke ndezur ndjenjën e njësisë kombëtare dhe solidaritetit.

3. Inspirimi për Liri dhe Pavarësi në Rajon: Shpallja e pavarësisë në Vlorë ka shërbyer si burim inspirate për vende të tjera në rajon që kërkonin të përfitonin nga liria dhe pavarësia. Kjo ka ndikuar në ngjarje të tjera historike në Ballkan dhe ka shpërfaqur një frymë lufte për autonomi.

4. Themelimi i Shtetit Shqiptar: Pas shpalljes së pavarësisë, u themelua shteti shqiptar modern. Ky moment ka sjellë sfida dhe mundësi të reja për të ndërtuar një shoqëri dhe një shtet që bazohet në principtë e vlera demokratike.

5. Ndikimi Ndërkombëtar: Shpallja e pavarësisë ka çuar në njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë si një shtet i pavarur. Ky fakt ka hapur rrugën për lidhje diplomatike, bashkëpunim ekonomik dhe ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar.

Në përgjithësi, shpallja e pavarësisë në Vlorë ka qenë një ngjarje e rëndësishme për historinë dhe zhvillimin e Shqipërisë, duke lënë një ndikim thelbësor në identitetin kombëtar dhe rrugën drejt zhvillimit të shoqërisë së lirë dhe demokratike. 

Sot në këtë ditë të shënuar, të 111-vjetorit e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, përkujtohet me mirënjohje e respekt dhe patrioti Thanas Floqi, një nga firmëtarët e shpalljes së Pavarësisë. Ai ishte një nga intelektualët e njohur të kohës, krijues, e mbi të gjitha atdhetar i spikatur. Ai do të respektohet si i tillë ndër breza, pasi ka lënë gjurmë në historinë e vendit, veçanërisht në Cakran, ku punoi me përkushtim. Në stendat e Muzeumit Kombëtar në Tiranë kur sheh me vëmëndje firmëtarët e aktit historik të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Midis firmave të I. Qemalit, L. Gurakuqit e të tjerëve, më tërheq si magnet firma e Thanas Floqit, vëllait të Kristo. Floqit. Të them të drejtën diçka ndjej  një ndjenjë krenarie për këtë paraardhës timin të trungut tim familiar, që atëherë, atë ditë të 28 Nëntorit historik të 1912-tes, ishte vetëm 28 vjeç dhe qëndronte pranë plakut mjekërbardhë Ismail Qemali.

KUSH ËSHTË THANASH FLOQI

Thanas Floqi, në jetëshkrimin e tij shkruan: “Jam lindur në Korçë më 14(28) kallnor të vitit 1884. Kur isha dy vjeç, familja ime është shpërngulur nga Korça në qytetin Karvasara të Greqisë, pasi atje babai zhvillonte aktivitetin e tij tregtar: Mësimet fillore e mesatare i kreu në Mesolongji dhe universitetin për drejtësi në Athinë. Kur mbaroi juridikun, familja e tij jetonte në Korçë. Më pas shkon në Amerikë.. Atje njihet e bashkëpunon me Sotir Peçin, Fan Nolin, Kristaq Dakon, etj.. Në vitin 1908, Thanasi e kuptoi momentin historik ku ndodhej populli shqiptar, prandaj u hodh në luftë për çlirimin kombëtar… Më 1908, vjen në Vlorë, ku vetmohet puna që bëri me themelimin  drejtimin e orkestrës “Labëria”… e asaj kohe është dhe kwnga patriotike e kohës se robërisë turke, me titull “O trima luftëtarë”, kompozuar dhe me tekst te vet patriotit Thanas Floqi.

Po këtë vit takohet me Ismail Qemalin në Vlorë dhe e mbështet atë për deputet… Në vitin 1909, organizon e drejton hapjen e shkollave shqipe me 5 klasë në Korçë… këtu, vë për herë të parë në skenë dramën “Besa”…  Ndërsa puna për ngritjen e shkollës në Cakran, është një ndërmarrje me shumë vlerë e Thanas Floqit…

Thanasi i kreu të gjitha nivelet e arsimit, nga fillorja deri tek ajo e lartë, në Greqi, ku edhe u diplomua për drejtësi. Këtë mundësi e ka dhënë i ati, Vasili, i cili në atë kohë merrej me tregti. Në moshën 21-vjeçare u kthye në Shqipëri dhe më pas shkoi në Amerikë, ndërsa familja e tij ishte kthyer në Korçë. Në SHBA takoi shqiptarë të tjerë dhe mori pjesë në themelimin e shoqërisë patriotike “Mall i Mëmëdheut”, e cila më pas u shkri në shoqërinë “Vatra”. Aty u njoh me Sotir Pecin, Fan Nolin dhe Kristo Dakon. Pas tre vjetësh qëndrimi në Amerikë, Thanasi u kthye në atdhe, fillimisht në Vlorë (1908) dhe një vit më vonë, shkoi në Korçë, ku u emërua drejtor i një shkolle shqipe me pesë klasë. Në qytetin e Korçës botoi më 1909 veprën “Gramatika e gjuhës shqipe”.

Edhe pse xhonturqit zbatuan reforma dhe u dhanë liri shkollave dhe mësimdhënies në gjuhën amtare në territoret e Perandorisë Osmane, ata këmbëngulën në përdorimin e shkrimit turko-arab. Lufta politike u intensifikua, sidomos në vitin 1910. Në këto rrethana sfiduese, Thanasi punoi me këmbëngulje. Ashtu si patriotët e tjerë, ai mbrojti përdorimin e alfabetit latin, siç vendosi Kongresi i Manastirit. Edhe para Kongresit të Manastirit në mars 1879, Komiteti i Stambollit kishte miratuar Projektin e alfabetit kombëtar për gjuhën shqipe me alfabetin latin. Në këtë komitet bënin pjesë patriotë si Sami Frashëri, Jani Vreto dhe Pashko Vasa.

Më tej, në vitin 1887 u krijua shkolla e parë shqipe në Korçë me fizionomi shqiptare, në mbështetje të aspiratave për liri dhe pavarësi. Ishte një shkollë laike ku lëndët kryesore jepeshin në gjuhën shqipe, ku merrnin pjesë nxënës të besimit ortodoks dhe mysliman, të pasur dhe të varfër. Si mund ta pranonte Thanasi përdorimin e shkrimit turko-arab? Ishte e pamundur, prandaj ai kërkoi një punësim ku nuk do t’i pengohej veprimtaria e tij arsimore. Ai zgjodhi Cakranin e Mallakastrës, e cila në atë kohë konsiderohej një krahinë e pavarur, aq sa patriotët e quanin “Republika e Cakranit”. Me ndihmën e vendasve hapi një shkollë shqipe në katin e sipërm të një hani atje.

Kristo Floqi në vitin 1009 ishte avokat në Vlorë. Është koha kur ai e ka afirmuar veten në radhën e nacionalistëve që kërkojnë një Shqipëri më vete. Ishte ky shkaku i një përleshje mes një grupi nacionalistësh shqiptarë, ku kryesor ishte Kristo Floqi dhe një grupi turkoshakësh, që bënin pjesë në Shoqërinë nacionaliste Turke me emrin ”Itihat Ve Tereki”, që propagandonte një Turqi të re. Dy grupimet u përleshën paq, dhe  autoritetet e pushtetit lokal “ua suallën shpirtin majë fytit”, siç kujton Kristo Floqi në shënimet historike të botuara më 1937 në Revistën “Leka”. Në këto rrethana grupimi i nacionalistëve shqiptarë menduan se kishte mbërritur rasti t’u tregonin vendin turkoshakëve  dhe si hap të parë ndërmorën sulmin mbi zyrën e Post-Telegrafës së Vlorës. Aso kohe, Ismail Qemali ndodhej në Selanik. Grupi i nacionalistëve hyri në kontakt me Ismail Bej Qemalin dhe me të gjithë ata që ishin për iniciativën Kombëtare, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe u prezantuan situatën ku ndodhej Vlora dhe veprimet e tyre. Duke qenë zotër të postë-telegrafës, nisën shifër-këmbimin, duke përcjellë situatën e acaruar dhe ç’mund të bënin në atë situatë. I ndalën të gjitha telegrafet që zyrtarët lokal përpiqeshin të nisnin drejt eprorëve. Autoritet ushtarake u zemëruan së tepërmi dhe rrethuan Postën, duke kërkuar dorëzimin e Postës, por nacionalistët shqiptarë kundërshtuan dhe nuk ua dorëzuan as shifrën. Situata u përkeqësua dhe forcat ushtarake u shtuan. Në këto rrethana rebeluesit shqiptarë e lanë Postën dhe një pjesë kapërcyen detin dhe u hodhën matanë Adriatikut, ndërsa një pjesë tjetër u ngjitën maleve. Kristo shkoi në Cakran të Fierit nën kujdesin e Bektash Cakranit. Mirëpo edhe aty ishte vështitrë të qëndronin gjatë pa rënë në sy. Vendosën që ta linin Shqipërinë dhe të  kalonin në Brindizi e që aty morën anijen drejt SHBA-ve.

NË SHPALLJEN E PAVARËSISË

…Më 25 nëntor Elbasani shpalli i pari Pavarësinë. Të nesërmen atë e shpallën Durrësi e Tirana dhe më 27 nëntor Kavaja, Peqini e Lushnja. Për shkak të përparimit të pa ndalur të ushtrive serbe, gjendja në Shqipëri po bëhej gjithnjë më kritike. Kjo ishte arsyeja që në mbrëmjen e 27 nëntorit delegatët që ndodheshin në Vlorë, ndonëse nuk kishin arritur ende përfaqësuesit e disa krahinave, vendosën të mblidhnin të nesërmen kuvendin kombëtar. Më 28 Nëntor 1912, në orën 14, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar. Në mbledhjen e parë të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të cilët u shtuan gjatë ditëve që pasuan duke arritur në 63 veta, që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre ishin udhëheqës e veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Përveç Ismail Qemalit merrnin pjesë Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Sali Gjuka, Bedri Pejani, Rexhep Bej Mitrovica, Vehbi Agolli, Nikollë Kaçorri, Jani Minga, Abdi Bej Toptani, Thans Floqi, Pandeli Cale, Dudë Karbunara, Lef Nosi, Mifhat Frashëri, Mehmet Pashë Derralla, Hasan Hysen Budakova, Ajdin Draga, Sherif efendi Dibra, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Shefqet Bej Daiu, Rexhep Ademi, Dhimitër Berati, Kristo Meksi, Xhelal Bej Koprencka, Spiro Ilo, Ilias Bej Vrioni, Sami Bej Vrioni, Hajredin Cakrani, Shefqet Bej Vërlaci etj.. Isa Boletini mbërriti me 400 luftëtarë kosovarë më 29 nëntor, i pritur me gëzim të madh nga popullsia dhe nga delegatët e Kuvendit.

Pas Cakranit, Thanas Floqi shkoi në Vlorë. Në ditët e para të nëntorit të vitit 1912, ai së bashku me Marigo Pozion dhe Petro Fotografin përgatitën gdhendjen në dru të flamurit, që më vonë u përdor si shtampë për qindra flamuj të tjerë.  Boceta e shqiponjës prej druri lyhej me bojë të zezë dhe stampohej në qylafët e bardhë të lebërve. Pas dy-tre vjetëve të vdekjes së Marigo Pozios, u hodh në dyshim nëse ishte vërtet Marigoja a ndonjë tjetër qëndistare e flamurit që u ngrit nga Ismail Qemali në Vlorë më 1912.

Marigoja ishte një atdhetare e famshme, e njohur për veprimtarinë e saj gjatë natës së shpalljes së pavarësisë. Edhe pse ishte një grua hollake me fytyrë të ëmbël, ishte një figurë e rëndësishme për kohën. Në artikullin e Jakov Milajt në janar 1938, mësohet se Marigo Pozio kishte vdekur në Tiranë në gusht të vitit 1932 nga tuberkulozi, duke iu përkujdesur i kunati, Kristo Floqi.

Kristo Floqi, kunati i Marigos, mbrojti trashëgiminë e saj në momente kur filluan të shfaqen dyshime rreth autorërisë së qëndisjes së flamurit shqiptar. Ai pohoi se Marigoja ishte qëndistareja e flamurit kombëtar shqiptar, dhe shumë dëshmitarë të tjerë e konfirmuan këtë. Në fletoren “Arbëria,” K. Floqi shkroi në vitin 1936 se flamuri kombëtar u hartua për herë të parë nga zonja Marigo, duke përdorur modelin e shqipes që kishte vizatuar Dom Mark Vasa me Petro Fotografin. 

Marigoja ishte origjinare nga Korça, por u martua në Hoçisht me Jovan Pozion. Për shkak të persekutimit nga osmanllinjtë, ata ishin larguar nga Korça në vitin 1904 dhe kishin vendosur në Vlorë, ku shtëpia e tyre bëhej qendër për personalitete të njohura si Çerçiz Topulli, Mihal Ramanuja, dhe të tjerë.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë edhe pse, siç do të provohej me vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve të Gjashtë Fuqive të Mëdha të Londrës (1913), nuk arriti të bashkonte në një shtet të vetëm gjithë territoret e popullsinë shqiptare, duke krijuar pas pesë shekujsh robërie Shtetin e Pavarur Shqiptar përbën ngjarjen më të madhe, unikale, në historinë e kombit shqiptar gjatë shek. XX. Kthesa historike e 28 Nëntorit 1912 ishte premisa politike themelore për organizimin mbi baza më të përparuara të jetës shtetërore të pavarur të shqiptarëve dhe për zhvillimin më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor të vendit. Duke formuar Shtetin e Pavarur Shqiptar ajo objektivisht krijoi gjithashtu premisat dhe atë bazë shtetërore e politike, aq të nevojshme për ta mbajtur të gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të të gjitha trevave shqiptare dhe për zgjidhjen përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan. Pasi u zgjodh kabineti qeveritar, i kryesuar nga Ismail Qemali, Thanas Floqi largohet nga Cakrani. Thanasi u mësua me atë popull punëtor, patriot e arsimdashës, i cili qe i gatshëm dhe rrëmbeu armët kundër ushtrisë otomane. Cakrani u bë qendra e kryengritjes së jugut anti-osmane në Toskëri. Thanas Floqi ka qenë i pranishëm në Kuvendin e Drashovicës, në mbledhjen e Qishbardhës dhe në Kuvendin e Cakranit.

Për personalitetin e Thanas Floqit kanë shkruar shumë studiues e historianë. Profesor Dr Bardhosh Gaçe:”Në ditët e ngritjes së Flamurit Kombëtar kompozoi këngën ‘O Flamur i Shqypnisë’ që thuri Murat Toptani. Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi e ngarkuan me detyrën e përkthyesit para Komisionit Ndërkombëtar të Shkodrës”. Profesor Dr. Stilian Adhami:”…Një ndër atdhetarët e krijuesit prodhimtarë të së kaluarës është juristi e shkrimtari i anatemuar dhe i lënë në harresë , Prof. Floqi”. Fiqiri Shahinllari:”…Ishte poliglot i admirueshëm. Dinte greqishten e vjetër dhe të re, komunikonte në latinisht e italisht, njihte frëngjishten, anglishten e turqishten…”… Pas shpalljes së Pavarësisë, vazhdon të merret me aktivitete në shërbim të çështjes Shqiptare, si jurist për administratën, si përkthyes për Komisioni Ndërkombëtar të Kontrollit dhe si kryesekretar në Ministrinë e Drejtësisë. Në 1913 vendoset në Elbasan ku bashkëpunon me Aqif Pashë Elbasanin dhe jep mësim në Normalen e këtij qyteti. Aty shquhet, veç të tjerash, edhe për organizimin e aktiviteteve muzikore të qytetit.[2] 

Të kthehemi tani te Thanas Floqi, një personalitet i shquar i kohës së tij. Pas periudhës në Cakran dhe kontributit të tij në gdhendjen e flamurit kombëtar, Thanas Floqi vazhdoi udhën e tij në rrugën e patriotizmit dhe kontributit të vazhdueshëm për atdhenë. Ai ka pasur një rol të rëndësishëm në krijimin e këngës “O Flamur i Shqipërisë”. Thanas Floqi shkroi muzikën e këngës, ndërsa tekstin e krijoi Murat Toptani, i cili kishte lidhje familjare me Naim Frashërin.

Pas kësaj periudhe, Thanasi Floqi ndoqi një rrugë të ngjitshme në jetën publike. Ai shkoi në Elbasan, ku u emërua gjyqtar. Në vitin 1913, me urdhër të Ismail Qemalit, ai shkoi në Shkodër për të punuar si përkthyes nga anglishtja në shqip pranë “Komisionit Ndërkombëtar”. Pas grushtit të shtetit të organizuar nga Esat Pasha Toptani, Floqi u rikthye në Vlorë dhe më pas shkoi në Shkodër sërish, duke ndjekur ngjarjet dhe zhvillimet e kohës.

U thirr në Vlorë para shpalljes së pavarësisë. Ishte personi që bashkë me dy të tjerë, përgatiti të gdhendur në gurë boçen e flamurit kombëtar dhe kompozoi muzikë për vjershën “O Flamur i Shqypnisë”. Pas Shpalljes së Pavarësisë shërbeu si jurist në administratën shqiptare dhe më 1913 ishte përkthyes pranë Komisionit Ndërkombëtar. Më pas erdhi të punojë në Elbasan, pranë Aqif Pashë Biçakçiut, prefektit të asaj kohe. Në vitin 1914 emërohet kryesekretar në Ministrinë e Drejtësisë. Botoi shqip ligjin “Mbi gjyqin e Paqit”.

Pas grushtit të shtetit të Esat Pashë Toptanit u vendos përfundimisht në Elbasan, ku zhvilloi një veprimtari të gjerë patriotike, duke bashkëpunuar ngushtësisht edhe me atdhetarë të tjerë elbasanas, veçanërisht me Lef Nosin. Për disa kohë ishte mësues në shkollën e gocave, kurse në vitin 1920 punon si mësues në shkollën Normale.

Njihte mirë disa gjuhë të huaja si: greqisht, turqisht, anglisht, frengjisht, italisht e latinisht, njohuri të cilat e kanë bërë atë përkthyes të disa veprave nga frengjishtja e italishtja. Kishte njohuri jo vetëm në jurisprudencë, por edhe në gjuhësi, muzikë, teatër, gazetari e publicistë. Ka botuar: “Kujtimet për kryengritjet e 1914 -tës”, “Fytyra e vërtetë e Haxhi Qamilit” : kujtime për vitet e mbrapshta 1914-1915

“Gramatikë e Gjuhës Shqipe për shkollat e mesme dhe të larta””, ishte pjesë  e fjalorit “Fjalor italisht – shqip”, etj. Ka qënë një nga themeluesit e Shoqatës Teatrale të vitit 1918 në Elbasan, të cilën e drejtoi si udhëheqës artistik në teatër e muzikë. Në vazhdim, ai punoi në Elbasan si bashkëpunëtor i Aleksandër Xhuvanit. Për disa kohë ka qenë edhe drejtues i bandës “Afërdita”. Thanas Floqi ka lënë pas një trashëgimi të vyer atdhetare. Ai do të jetë gjithmonë në kujtesën qytetare, patrioti, intelektuali dhe veprimtari i kulturës e shtetit.

 Thanas Floqi vdiq në vitin 1945 në Elbasan. Ai pati një rol të rëndësishëm edhe në fushën e publicistikës. Në periudhën e emigracionit, ai shkroi për gazetën “Kombi”, ndërsa pas kthimit në atdhe, vijoi të bashkëpunojë me shtypin e kohës, veçanërisht me gazetat e Korçës. 

Thanas Floqi ishte një poliglot i admiruar. Ai njihet për dijen e gjerë të gjuhëve, duke përfshirë greqishten e vjetër dhe të re, latinishten, italishten, frëngjishten, anglishten, dhe turqishten. Ai ishte përkthyes i njohur, hartues i fjalorit italisht-shqip, mësues i gjuhës shqipe, dhe jurist i diplomuar. Kontributi i tij në fusha të ndryshme e bën Thanas Floqin një figurë të nderuar, jo vetëm për fshatin e tij, por edhe për gjithë krahinën dhe kombin shqiptar. Në vitin 1939, Thanas Floqi themeloi dhe drejtoi një revistë jetëshkurtër me emrin “Donika – Sabadua”. Kjo revistë doli vetëm në tre numra, ku i pari u botua më 20 mars 1939 dhe i dyti më 30 prill 1939. Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, Floqi vazhdoi angazhimin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut. Më 1943, ai ishte pjesë e një përpjekje për të sulmuar një autokolonë italiane në Qarr, bashkë me shokët e tij, duke treguar një angazhim të pandërprerë për lirinë e popullit shqiptar.  Vdiq në vitin 1945.  Ndërsa vëllai i tij Kristo Floqi me gjithë kontributet në fusha të ndryshme, si në aspektin jurdik, ashtu edhe politik e letrar, pat një fund tragjik. Vdekja e tij ishte tepër tragjike dhe e dhimbshme. Vdiq një vit pas daljes nga burgu (1951), në një gjendje plotësisht të mjeruar, i braktisur e i harruar. Askund nuk u fol për vdekjen e tij, madje as në gazetën që kishte drejtuar vetë. 

Literatura 

https://www.zemrashqiptare.net/news/29454/fiqri-shahinllari-thanas-floqi-nje-nga-firmetaret.html

ADE, “Thanas Floqi (1884 – 1945)”, ADE, Elbasani, accessed 15 nëntor 2023, https://adsh.al/s/elbasani/item/14133

KRISTO FLOQI- GAZETARI, POLITIKANI, SHKRIMTARI, JURISTI
https://www.google.com/search?q=thanas+floqi&sca_esv=582779246&sxsrf=AM9HkKlE7wes3ep0LUA0m6yBsqFO3l1ozA%253A1700086169912&ei=mUFVZb2iN5CnptQP

Filed Under: Fejton

ARRITJA E PAVARSISË SHQIPTARE, NJË MREKULLI

November 17, 2023 by s p

Prof. Saimir Lolja/

Në vjeshtën e vitit 1912, trojet shqiptare qenë shesh lufte dhe njëkohësisht të pushtuara nga forca Lindore (sllave, greke e turke). Ministria e Jashtme e Austro-Hungarisë, dhe veçanërisht Konti Leopold von Berchtold si Ministër i Jashtëm, këshillonte disa politikanë shqiptarë që të mos vonoheshin në shpalljen e një shteti shqiptar më vete. Firmosja për një shtet shqiptar të pavarur nga përfaqësues shqiptarë u bë i mundur vetëm në qytetin e Vlonës më 28 Nëndor 1912.

Bisedimet perandorake në Londër midis Lidhjes Entente (Britani, France, Rusi) dhe Boshtit Europian (Austro-Hungari, Gjermani, Itali) për të krijuar apo jo një shtet shqiptar u mbajtën më Dhjetor 1912 – Gusht 1913. Shtetet perandorake u përfaqësuan aty nga ambasadorë.

Nëse Lidhja Entente do kishte patur dorë të lirë nuk do ishte pranuar ndonjë copë shteti shqiptar. Mrekullia ndodhi kur krijimi i një Principate Shqiptare u firmos në Londër më 11 Gusht 1913. Lidhja Entente Britani-Francë-Rusi dhe dy pjellat e tyre Servi e Greqi nuk ia falën vetes krijimin e një Shqipërize. Që atëhere dhe pa ndërprerje, edhe tani, ata e sulmojnë Shqipërinë e trojet shqiptare me të gjitha mjetet, mënyrat, fuqitë, hapur e fshehtas.

Konti Leopold von Berchtold ministër i jashtëm i Austro-Hungarisë në vitet 1912-1915 ka një meritë të pazëvendësueshme. Sepse, pa këmbënguljen e tij gjatë bisedimeve në Londër për një shtet shqiptar europian perëndimor nuk do ishte krijuar shtet shqiptar, domethënë as kjo Shqipëri e sotme e krasitur deri në rrëzë. Konti Leopold von Berchtold meriton një shtatore më të madhe se sa e Presidentit amerikan Woodroë Wilson në një shesh ose kryqzim rrugësh në Tiranë.

Konferenca e Paqes në Paris u mbajt më 18 Janar 1919 – 21 Janar 1920. Aty, nëse Presidenti Woodrow Wilson do kishte pranuar çfar kishte gatuar Lidhja Entente me Italinë në Traktatin e Fshehtë të Londrës më 26 Prill 1915 duke përdorur kameleonin Esat Pashë Toptani, Shqipëriza që do lindte do ishte mish për hienat përqark për t’u ngrënë brenda vitit.

Për të vështruar pak gatimet politike gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Londër Dhjetor 1912 – Gusht 1913, më poshtë jepen përkthime nga Doktorata “Shqipëria Jugore, 1912-1923” e mbrojtur në Universitetin Stanford, ShBA, më 1926 nga Edith Pierpont Stickney. Ajo më pas u botua si libër me titullin: Southern Albania 1912 – 1923, Stanford University Press, 1926.

Në libër shkruhet edhe për të ashtuquajturën “Republikë Autonome e Epirit Verior” e cila ishte [dhe është] e pavlefshme ligjërisht e praktikisht sepse edhe sikur ata që e deshën të kenë qenë të krishterë ortodoksë (i quajnë “grekër”?!) vendas ata ishin më pak se 5% të popullsisë në jug të Shqipërisë.

Faqe 19 – Çështja shqiptare qe shkaku kryesor i Luftës I Ballkanike. … Kur më 1912 Shqipëria nëpërmjet një traktati me Turqinë u përkufizua si tokë që përmbante katër vilajetet e Shkodrës, Joninës, Manastirit e Kosovës, shtetet fqinjë vendosën ta kundërshtonin krijimin e një Shqipërie të madhe e cila shkelte mbi lakmitë e tyre. …. Për të kundërshtuar përpjekjen serbe të daljes në Detin Adriatik dhe për ta shpëtuar veten për të mos qenë plaçkë lufte, shqiptarët shpallën pavarësinë më 28 Nëndor 1912 në Valonë.

Faqe 20-21 – Fuqitë Europiane bënë të mundur armëpushimin midis Bullgarisë, Serbisë, Malit të Zi e Turqisë më 3 Dhjetor 1912. Greqia nuk e nënshkroi sepse furinë e ushtrisë e derdhi kundër kështjellës së Joninës. …. Takimi i parë i Konferencës së Ambasadorëve nën drejtimin e ministrit të jashtëm britanik Edward Grey mbajt në Londër më 18 Dhjetor 1912, ndërkohë që bisedimet paraprake i kishin dalluar animet politike të pjesëmarrësve.

Austro-Hungaria dhe Italia përkrahnin Shqipërinë dhe nuk qëndronin pa lëvizur. Më 5 Nëndor 1912, ambasadori austro-hungarez në Londër njoftonte ministrin e jashtëm të tij Kontin Berchtold: “Sot ministri Edward Grey tha se Shqipëria duhet të jetë autonome dhe mbetet të vendoset sa i madh do jetë ay territor”. Ambasadori italian në Cetinje i tha mbretit të Malit të Zi se formimi dhe autonomia e Shqipërisë përbëjnë themelin e politikës italiane.

Faqe 23 – Ministri i jashtëm italian San Gugliano pohoi se Italia dhe Austro-Hungaria zyrtarisht ia bënë më dije Greqisë se ato e kanë të pamundur të lejojnë që ajo të marrë Valonën dhe Sazanin….Në kërkesat e tyre kundrejt Greqisë për Valonën dhe Sazanin, Roma dhe Vjena morën mbështetjen e Berlinit.

Faqe 24 – Në kundërshtim me Aleancën e Trefishtë [Gjermani, Austro-Hungari, Itali], kryeministri francez dëshironte t’i shihte kufijtë e Shqipërisë mundësisht sa më të rrudhur. Pak para mbajtjes së takimit të parë të Konferencës së Ambasadorëve, të gjithë ishin në ujdi për autonominë dhe asnjanësinë e Shqipërisë.

Faqe 25 – Më 21 Dhjetor 1912 kryeministri francez Poincare u shpreh në Senatin francez se “…përcaktimi i regjimit dhe kufijve të Shqipërisë duhet të marrë parasysh dëshirat e grekërve, bullgarëve, serbëve dhe malazezve”.

Faqe 27-29 – Gjatë Janarit e Shkurtit 1913, vëmendja e Fuqive Europiane u përqendrua tek çështja e kufirit verior të Shqipërisë. … Konti Berchtold i pohoi ambasadorit italian në Vjenë Dukës së Avarnës se “qeveritë e Vjenës dhe Romës nuk mund ta pranojnë kufirin e vijëzuar nga qeveria greke sepse ajo dëshiron të shkëpusë nga Shqipëria toka që qeveritë tona i gjykojnë thelbësore për jetën e shtetit shqiptar”.

Në 6 Mars 1913 vëmendja u kthye tek çështja e kufijve jugorë dhe juglindorë për shkak të kapjes së kështjellës së Joninës nga ushtria greke. … Meqenëse Shqipëria dhe Maqedonia ishin plaçka e luftës e dëbimit të Turqisë nga zotërimet e saja në Europë, shtetet ballkanike këmbëngulën ta ndanin atë plaçkë lufte duke biseduar me Fuqitë e Mëdha për çështjen e përcaktimit të kufijve.

Faqe 30 – Më 30 Maj 1913 Bullgaria, Greqia, Mali i Zi, Servia dhe Turqia nënshkruan Traktatin e Londrës cili i jepte fund Luftës I Ballkanike. Neni 3 i atij Traktati shënonte se aleatët ballkanike dhe Turqia ia kalonin Fuqive të Mëdha “detyrën për të rregulluar kufijtë e Shqipërisë dhe çështjeve të tjera që lidheshin me Shqipërinë”. Meqenëse Maqedonia mbeti si një plaçkë për t’u grabitur, Lufta e II Ballkanike plasi pas një muaji e vazhdoi deri në dorëzimin e Bullgarisë me 31 Korrik 1913.

Faqe 31 – Ambasadori francez në Londër Paul Cambon këshilloi se ishuj në Detin Egje mund t’i kaloheshin Greqisë nëse asaj nuk i jepeshin rajonet e Korçës apo Gjinokastrës. Ministri britanik Edward Grey shprehej se nisur nga Kepi i Shtyllës (Stillos) një komision ndërkombtar të përcaktonte kufirin drejt Korçës.

Faqe 32 – Ministri i jashtëm francez Stephen Pichon kërkoi që fati i ishujve të Egjeut të mbyllej i pari dhe përsëriti se Korça t’i lihej Greqisë. Por Austro-Hungaria qëndroi e palëkundur në politikën e saj për një Shqipëri të madhe. … Prandaj më 3 Korrik 1913, Stephen Pichon i parashtroi ministrit të jashtëm italian Tommaso Tittoni se Austro-Hungaria dhe Italia duhej me kujdes ta pranonin idenë e ministrit britanik Edwaud Grey për një komision që do përcaktonte kufirin jugor duke e lënë Korçën dhe Gjinokastrën brenda Shqipërisë.

Faqe 33-34 – Më 11 Gusht 1913, Konferenca e Ambasadorëve dha udhëzimet për komisionin e kufirit jugor, i cili parashikohej të kryente punën më 1 Shtator – 30 Nëndor 1913. Për shembull: (1) Rajoni bregdetar deri në Ftelia, ishulli i Sazanit, rajoni i Korçës, bregu perëndimor dhe jugor i Liqenit të Ohrid t’i mbeteshin Shqipërisë. (2) Vija kufitare do caktohej mbi themele etnike (gjuha e popullatës) dhe gjeografike; komisioni nuk do llogariste zgjedhje apo shfaqe politike të krijuara. (2) Trupat greke të pushtimit duhej të largoheshin nga Shqipëria më e shumta një muaj pas përfundimit të punës së komisionit.

Më 12 Gusht, ministri Edwaud Grey u shpreh në Dhomën e Ulët të Kuvendit britanik se “nëse marrëveshja për Shqipërinë siguroi mirëkuptimin midis Fuqive të Mëdha domethënë se ajo ka qenë më thelbësorja për ruajtjen e paqes në Europë”.

Faqe 36 – Komisioni u mblodh në Manastir më 4 Tetor 1913 dhe nuk pranoi të shoqërohej nga zyrtarë civilë apo ushtarakë grekë e shqiptarë.

Faqe 38 – Komisioni filloi punën më 14 Tetor 1913 dhe ngeci 22 ditë në Ersekë. Sepse anëtaret e Aleancës së Trefishtë Gjermani-Austro-Hungari-Itali pohonin të vërtetën se ishte vend shqiptar, kurse anëtaret e Lidhjes Entente Britani-Francë-Rusi përdridheshin duke thënë se “ndonëse të vjetrit flasin Shqip, të rinjtë në shkolla, punë e ndjenja janë grekër”.

Faqe 40-41 – Më 17 Dhjetor 1913 Komisioni firmosi Protokollin në Firence në përfundim të punës së tij për kufirin greko-shqiptar; [siç është tani.] …. Pas dy muajsh gjashtë Fuqitë e Mëdha ia bënë me dije qeverisë greke se pothuaj tërë ishujt e Egjeut do i kalonin Greqisë me kusht nëse ushtria greke largohej nga tokat shqiptare të përcaktuara nga Protokolli i Firences dhe ajo të zotohej se nuk do kundërshtonte apo të nxiste kundërshti të çfardolloji për gjërat e vendosura nga Fuqitë e Mëdha në Shqipërinë jugore. Largimi i trupave greke duhej të fillonte më 1 Mars 1914 nga rajoni i Korçës e të përfundonte brenda 31 Marsit 1914 nga rajoni i Delvinës..

Faqe 43-45 – Shqipëria qeverisej nga Komisioni Ndërkombtar i Kontrollit me seli në Durrës. Më 2 Mars 1914, një “qeveri e përkohshme e Epirit autonom” e kryesuar nga Zografo e Karapano të ardhur nga Athena u duk në Gjinokastër. …. Më 9 Mars 1914, anijet greke hynë në Gjirin e Sarandës ku ishin kryengritësit. …. Kolonel Duli i ushtrisë greke mori komandën e kryengritësve …. Më 30 Mars 1914, trupat greke ishin akoma të pranishme në jug të Shqipërisë.

Faqe 46 – Letra e gjashtë fuqive Europiane drejtuar qeverisë greke më 24 Prill 1914 nxiti largimin e trupave greke nga Shqipëria brenda katër ditësh, domethënë pesë muaj më vonë seç qe vendosur fillimisht.

Faqe 47 – Në Prill 1914, “ushtria epirote” thuhej se kishte 5000 burra shumica e të cilëve patën qenë ushtarë të ushtrisë greke.

Faqe 49-50 – Bisedimet midis kryengritësve epirotë dhe Komisionit Ndërkombtar të Kontrollit i cili përfaqësonte Shqipërinë përfunduan me firmosjen e një marrëveshjeje në Korfuz më 17 Maj 1914. ….Nëse nuk arrihej marrëveshje, Austro-Hungaria dhe Italia kërcënuan të pushtonin Shqipërinë e jugut. ….Fuqitë e Mëdha e njohën atë marrëveshje më 18 Qershor dhe qeveria shqiptare më 23 Qershor 1914. Marrëveshja mirënjihte të drejtat e pakicës greke. Por para se ajo të fillonte të zbatohej, plasi Lufta I Botërore pas një muaji.

Filed Under: Ekonomi

Hasan Prishtina, ndër ideologët kryesorë të çlirimit dhe bashkimi kombëtar të shqiptarëve

November 17, 2023 by s p

Mehmet Prishtina/

Hasan Prishtina, ishte njëri ndër ideologët kryesorë të çlirimit dhe bashkimi kombëtar të shqiptarëve. Vepra dhe tërë jeta e tij kanë qenë të lidhura me fatin e kombit e Atdheut. Me një natyrë të çiltër, tejet komunikues, i dashur dhe i përkushtuar për bashkatdhetarët e vërtetë e të devotshëm, në anën tjetër të karakterit të tij ai ishte kundërshtar i pa kompromis kundër kolaboracionistëve dhe politikanëve që bënin pazare mbi kurriz të popullit. Në luftë për të realizuar aspiratat kombëtare, ishte i vetëdijshëm se duheshin bërë sa e sa sakrifica. Ishte në shënjestër të forcave reaksionare të Perandorisë turke por edhe të shteteve grabitçare të Ballkanit. Në rrugën e tij jetësore iu kishte përmbajtur motos: “Ka me m’ shtrue vetëm vdekja”. Kredoja e tij jetësore, trimëria dhe temperamenti tipik i shqiptarit me prejardhje nga Drenica, (zona spartane të Shqipërisë ndër shekuj), bënë që në qenien e tij të manifestoheshin vetitë më karakteristike të shqiptarit intelektual dhe luftëtar në të njëjtën kohë, demokrat dhe atdhetar ndër më të dalluarit e kohës. Qëndrimi i tij i palëkundur në zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare, bëri që jeta dhe vepra e Hasan Prishtinë të mbetet burim frymëzimi për të gjithë idealistët e kombit deri te Adem Demaçi, Adem Jashari dhe të gjithë trimat e trimëreshat e tri ushtrive tona çlirimtare. Emri i Hasan Prishtinës është emër nderi e respekti për brezat liridashës të shqiptarëve. Jeta dhe vepra e tij i përkasin Atdheut, gjithandej ku bukës i thuhet bukë, ujit ujë dhe kripës, kripë… 

Hasan Prishtina u lind në vitin 1873, në Vushtrri. Mësimet e para dhe disa klasë të shkollës së  mesme i mbaroi në Vushtrri, me sukses të shkëlqyeshëm. Qysh si nxënës u tregua i vrullshëm dhe  i guximshëm. Ai pati fat që mësues letërsie ta kishte profesorin nga Prekazi, Hafëz Arifin, nga i  cili edhe u frymëzua me ide atdhedashurie. Meqë ishte nxënës i mirë dhe kishte mundësi materiale,  ai vazhdoi shkollimin në gjimnazin grek të Selanikut ku mësoi edhe gjuhën frënge e u njoh me  veprat e iluministëve francezë, Volterit, Monteskie, Zhan Zhak Rusos. Në Stamboll, ku u diplomua  në Fakultetin e Drejtësisë, në Fakultetin e Shkencave Politike – Juridike. Gjatë shkollimit fitoi  kulturë të gjerë dhe u brumos me ide revolucionare e përparimtare evropiane, sidomos sa ishte në  Selanik. Ishte ithtar i ideve të Revolucionit Francez (1789-1794). Të gjitha këto u gërshetuan  harmonishëm me edukatën e tij të lartë e të thellë familjare, me shumë tipare atdhetare duke  formuar kështu një personalitet liridashës. Ai njihte shumë gjuhë: anglishten, arabishten, gjuhën  çerkeze, frëngjishten, greqishten, gjermanishten, italishten, serbishten e turqishten. Brenda një  kohe të shkurtër zuri pozita të rëndësishme në administratën turke dhe arriti të bëhet edhe  kryekonsull në shtetin e Turqisë. 

Në vitet 1908-1912 u zgjodh tri herë deputet në Parlamentin osman si përfaqësues i Vilajetit të  Kosovës në Prishtinë, të cilin e përdori si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të  shqiptarëve. Kjo periudhë, për atdhetarin e madh Hasan Prishtina, do ishte vendimtare në kthesat  historike kombëtare të popullit shqiptar. Ai u bë njëri ndër protagonistët kryesorë që do të godiste  fuqishëm themelet e Perandorisë Osmane në tokat shqiptare, por edhe ta largonte atë përfundimisht  nga Shqipëria. 

Ky veprimtar i palodhur u bë edhe më i njohur pas vitit 1908, kur u zgjodh deputet i Prishtinës në  parlamentin turk. Njëkohësisht, ai dha një kontribut edhe në Revolucionin Xhonturk. Dihet se  trojet shqiptare ishin ndër vatrat kryesore të këtij revolucioni, që rezultoi me kthimin e Kushtetutës  (Hyrietit) dhe me disa premtime boshe. Kjo lëvizje, e ndikuar nga revolucionet borgjeze evropiane,  sidomos nga ai francez i vitit 1789, huazoi prej tyre devizën e njohur: Liri, Barazi, Vëllazëri, e cila  u përdor si mjet propagandistik për arritjen e qëllimeve politike . Në kohën kur u formua Klubi 

“Bashkimi” i Shkupit, Hasan Prishtina do të ishte pjesë e këtij klubi. Mirëpo, Turqit e Rinj penguan  veprimtarinë e klubeve dhe të shoqërive shqiptare. Edhe kësaj radhe për shqiptarët nuk pat asgjë  të re, përveç shtypjes dhe shkatërrimeve. Kjo e mundonte shumë Hasan Prishtinën. Sidomos, në  kohën e ekspeditave të Xhavit Pashës kundër kryengritësve shqiptarë, në vitin 1909, e acaruan  gjendjen edhe më shumë . Situatë e tillë mbretëroi edhe në pranverë të vitit 1910. Vala kryengritëse  shqiptare kundër Turqve të Rinj u shua me gjak. Deputetët shqiptarë ngritën zërin kundër këtyre  gjakderdhjeve e shkatërrimeve barbare. Më i zëshmi në këtë drejtim ishte Hasan Prishtina, i cili  me diskutimet e tij të zjarrta trazoi gjithë parlamentin. Kështu, ai vendin e deputetit e përdori si  tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare. Ai duke qenë një nga përfaqësuesit më të përparuar  dhe më largpamës të forcave atdhetare, qysh në fillim, së bashku me deputetët shqiptarë si: Ismail  Qemali, Shahin Kolonja etj., formojnë grupin opozitar. 

Në kohën kur kishte rënë kabineti i Hilmi Pashës, e që në vend të tij ishte formuar kabineti i ri i  Haki Pashës, prapë edhe kjo qeveri ishte antishqiptare. Në kohën kur një deputet turk kishte folur  keq për historinë e shqiptarëve, Hasan Prishtina kishte reaguar duke i thënë atij se “Nuk e njeh ti  historinë e tij… dhe nuk zbres nga kjo tribunë pa e nxjerr gjithë mllefin e qenies kombëtare. Populli  im, në asnjë shekull nuk ka vuajtur, siç po vuan sot. Mbi trungun e tij të hepuar derdhen stuhitë  aziatike. Edhe rrahin ta shkulin me rrënjë. I mohohet ta ketë dhe ta ruajë botën e vet, e cila e ka  zanafillën prej atëherë, kur ju nuk ishit fare…”. 

Edhe qarqet politike e publicistike serbe ndihmonin politikën antishqiptare të Haki Pashës. Atyre,  më shumë se gjithë të tjerëve u interesonte pengimi i përparimit të kombit shqiptar dhe shtypja  mizore e kryengritësve që kishin kapluar vendin. Sigurisht, mirëpritnin ekspeditat e Xhavit Pashës  kundër shqiptarëve Kryengritja e vilajetit të Kosovës, që shpërtheu në prill të vitit 1910 u shua me  gjak nga mbi 50 000 forca të armatosura osmane. Kjo e kishte tmerruar Hasan Prishtinën, i cili u  ngrit në seancën parlamentare dhe kërkoi që të shpërndahej menjëherë kabineti i Haki Pashës, i  cili mbante përgjegjësinë për ngjarjet tragjike. Nga fjalët e tij mbrojtëse për kryengritësit u kuptua  se ai ishte ideologu i tyre, prandaj gjyqësia turke e dënoi me vdekje. Mirëpo, sulltan Mehmet V  Reshit, e amnistoi. 

Më 3 mars të vitit 1911, Hasan Prishtina duke përkrahur kryengritësit shqiptarë, parashtroi edhe  kërkesat kombëtare të tyre, të cilat u refuzuan nga Turqit e Rinj. Këto kërkesa u përkrahën edhe  nga deputeti shqiptar në Parlamentin turk, Ismail Qemali. Ministrat u zemëruan keq. Një deputet,  Dervish beu nga Serezi i Maqedonisë, i ra me shpullë Ismail Qemalit. Hasan Prishtinës i erdhi aq  keq saqë i kërkoi dyluftim deputetit. Mirëpo, ndërhyri Ismail Qemali: “Biro! Ti i duhesh  Shqipërisë!”. Ai e dëgjoi atë dhe iu drejtua masës në parlament: “…ta dini se kjo ngjarje do të sjell  gjëra shumë të liga!” . 

Edhe pse pas zgjedhjeve të reja u zgjodhën disa deputetë shqiptarë, Hasan Prishtina e vazhdoi  veprimtarinë e tij për lirinë e kombit. Ai denoncoi paudhësitë shoviniste të xhonturqve ndaj  shqiptarëve. Duke ditur karakterin e tij, qeveria xhonturke i ka ofruar Hasan Prishtinës 2000 lira  vetëm të mos bëhet deputet. Mirëpo, ai u bënte thirrje shqiptarëve të Prishtinës, të Mitrovicës, të  Gjilanit, të Preshevës e të Novi – Pazarit të zgjidhnin deputet Hasan Prishtinën. Dhe, në këto  zgjedhje, prapë u zgjodh Hasan Prishtina, madje me forcën e popullit.

Hasan Prishtina, njëri nga drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në fillim të janarit të viti  1912 në takimin që pati me konsullin austro–hungarez në Selanik deklaroi se pakënaqësia kundër  regjimit xhonturk manifestohej kudo në Shqipëri. Meqenëse kërkesa e deputetëve shqiptarë për  zbatimin e reformave nuk u pranua nga qeveria xhonturke, Hasan Prishtina, i cili u shqua për  guxim nga deputetët e tjerë e shtroi përsëri këtë çështje në seancën e parlamentit turk më 11 janar  1912. Ai dënoi terrorin që ishte ushtruar mbi popullin shqiptar gjatë kryengritjes së Kosovës. Ai  iu kërcënua qeverisë me kryengritje të re, nëse nuk do të zbatoheshin reformat në Shqipëri. Në  parlament luftoi për të drejtat e shqiptarëve, për njohjen zyrtare të kufijve të Shqipërisë, për hapjen  e shkollave shqipe, për administratën shqiptare në Vilajetet shqiptare, që ushtria shqiptare të  shërbejë në Shqipëri me oficerë vendas, etj. 

Në vitet 1908-1912 së bashku me Esat Toptanin, Isa Boletinin, Bajram Currin, ishte ndër  nismëtarët për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të Armatosur në Shqipëri ku u shqua si  udhëheqës. Qysh nga janari i vitit 1912 ai do të mbajë mbledhje të fshehta së bashku me Ismail  Qemalin, Syrja bej Vlorën, Nexhip Dragën, Myfid bej Libohovën, etj. në lagjën «Taksim» të  Stambollit dhe do të vendosin për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të Armatosur në  Shqipëri. Për këtë vendosmëri e kishte paralajmëruar edhe Mexhlisin otaman, kur Mexhlisi nuk  merrte parasysh kërkesat e deputetëve shqiptarë, kërkesat e drejta të tyre për një autonomi të  Shqipërisë, ku ndër të tjera deklaron: «… një ndër të parët që do marrë në dorë flamurin e  revolucionit, ndofta i pari ndër të parët do të jem unë». 

Kështu gjatë pranverës së atij viti fillon përgatitjet e një kryengritje me karakter të përgjithshëm  kombëtar duke u lidhur me besa–besë me tribunët popullorë, Isa Boletinin, Bajram Currin, Idriz  Seferin, Ahmet Delinë, Mehmet Pashë Deralla, kushëririn e vet Zejnullah begu, etj. Pas një lufte,  me betejat triumfale midis 5 majit-18 gushtit 1912, kryengritësit shqiptarë në krye me Hasan  Prishtinën e liruan Vilajetin e Kosovës. Toskë e Gegë ia besuan ngritjen e flamurit kombëtar në  Shkup më 12 gusht 1912. Me marrjen e Shkupit, kryengritësit shqiptare i çliruan të burgosurit që  ishin mbi 1 000 vetë, e shtinë në dorë postë telegrafin dhe suspenduan shumë qeveritarë dhe  administratorë turq dhe përkrahës të tyre në Shkup dhe shumë qytete tjera të Vilajetit të Kosovës. 

Më 18 gusht pas një zvarritjeje të gjatë të përgjigjes qeveria turke doli zyrtarisht se i pranon 12  pika nga 14, kërkesat e njohura me emrin “14 pikat e Hasan Prishtinës”, që kërkonin me  marrëveshjen e Prishtinës kryengritësit shqiptarë. Midis krerëve të kryengritjes filloi përçarja.  Kryengritësit shqiptarë arritën ta çlirojnë Kosovën nga perandoria osmane, por Fuqitë e Mëdha:  Rusia, Anglia, Franca, Austro-Hungaria, Italia… duke qenë kundër interesave shqiptare,  intensifikuan fuqishëm aktivitetet e tyre diplomatike, për të penguar realizimin e formimit të një  shtetit shqiptar (me kufij etnik) në Ballkan. Në tetor 1912 shpallet lufta e parë Ballkanike. Me anë  të saj pretendoheshin territoret shqiptare. Hasan Prishtina, është burgosur më 14 tetor të vitit 1912,  nga Ushtria okupatore serbe kur pushtoi Shkupin. Ndërkaq, në fillim të vitit 1913, tre qeveritë, ajo  e Italisë, Anglisë dhe Austro-Hungarisë me anë të një memorandumi kërkuan në mënyrë ultimative  lirimin e menjëhershëm të Hasan Prishtinës nga burgu dhe ajo ndodhi. U vendos Shqipëria  “londineze”. Në vitin 1913 u kthye në Shqipëri dhe u ngarkua nga Ismail Qemali me detyrën e  Ministrit të Bujqësisë në Qeverinë Kombëtare të Vlorës. 

Gjatë Luftës së Parë Botërore u kthye në Kosovë dhe duke shfrytëzuar rrethanat e kohës, nën  okupimin e Austro-Hungarisë u bë përsëri promotori i arsimimit të shqiptarëve duke hapur shumë 

shkolla anembanë Kosovës. Gjithashtu, në mënyrë sekrete, pengonte rekrutimin e shqiptarëve në  njësitë ushtarake austro-hungareze për t’i dërguar në frontin e Galicisë, kundër Rusisë. Dekorohet  nga fundi i vitit 1916 me urdhrin austro-hungarez të Franc-Jozefit, me shenjat e oficerit të madh  (Gross-Offizier). Gjatë kësaj kohe bëri përpjekje për të riaktivizuar Lëvizjen Kombëtare edhe në  Shkup e rrethinë që ishte pushtuar nga Bullgaria, ku, më 1917, u burgos nga policia bullgare. Hasan  Prishtina, u arratis nga burgu pasi theu dritaren e qelisë duke shpëtuar nga zhdukja e sigurt; në këtë  rast ai dëmtoi rëndë njërën këmbë nga e cila do të vuajë shumë kohë. Me themelimin e komitetit  “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në Shkodër më 1918, të udhëhequr nga Hoxhë Kadriu (1878- 1925) u zgjodh anëtar i tij, ndërsa në dhjetor të vitit 1919 komiteti e ngarkoi si kryetar të  delegacionit të tij në Konferencën e Paqes në Paris ku do të kërkonte bashkimin me shtetin  kombëtar shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi. Në këtë komitet ishin  edhe këta atdhetarë të njohur: Bajram Curri, Avni Rrustemi, Sali Nivica, Hysni Curri, Bedri Pejani,  Azem Galica, Elez Isufi, Sotir Peci, Sotir Kolea, etj.[3] 

Mori pjesë aktive në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës 1920 dhe në prill të vitit  1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar. Në dhjetor të vitit 1921 kryesoi një ndër  qeveritë më demokratike të vendit. Hasan Prishtina ishte një nga drejtuesit e organizatorët kryesorë  të lëvizjes antizogiste të shkurt-marsit 1922. Shquhet si luftëtar për mbrojtjen e “Zonës neutrale”  të Junikut nga forcat serbe, si udhëheqës i lëvizjes nacionalçlirimtare dhe i çetave kryengritëse në  Kosovë kundër sundimit serb. Hasan Prishtina mori pjesë aktive në përgatitjen e kryengritjes të  qershorit të vitit 1924, luftoi për vënien në jetë të programit të qeverisë demokratike të dalë nga  kjo kryengritje. Në shtator të vitit 1924 në krye të një delegacioni në emër të komitetit “Mbrojtja  Kombëtare e Kosovës” shkoi në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë ku protestoi kundër barbarizmave  mbi popullsinë shqiptare të qarqeve shoviniste serbe në Kosovë. 

Në veprimtarinë e tij do të ketë pengesa të mëdha, si nga ana e shteteve ballkanike, Serbisë,  Greqisë, Malit të Zi, Bullgarisë, të përkrahura nga Fuqitë e mëdha, sidomos nga Rusia e Franca,  dhe nga shqiptarë, nga Esat Pashë Toptani, Ahmet Zogu, Ceno Kryeziu, etj. 

Pas dështimit të revolucionit të vitit 1924 u largua jashtë atdheut. Në shtator të vitit 1924 në krye  të një delegacioni në emër të komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, shkoi, së bashku me Fan  Nolin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin e Bedri Pejanin në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë ku  protestoi kundër barbarizmave mbi popullsinë shqiptare të qarqeve shoviniste serbe në Kosovë.  Në këtë rast, Sotir Kolea, në gazetën dyjavore «L’ALBANIE», që dilte në Lozanë të Zvicrës në  gjuhën frënge, do të shkruan më 19 janar 1919 shkrimin me titull: Une voix d’Albanie (Një zë i  Shqipërisë), ku ndër të tjera do të thotë« …Dans l’appel si noblement et si virilement patriote  qu’on va lire, c’est la voix de tout le peuple albanais, depuis des siècles assoiffé de liberté et  d’indépendance, qui retentit. Dans les circonstances actuelles, notre peuple ne pouvait trouver  d’interprète plus fidèle et plus autorisé que le groupe de patriotes qui se pressent autour de M.  Hassan Béy Prishtina, signataire, en leur nom, de la supplique à M. Wilson. …Në apelin aq  fisnikërisht e me aq burrëri atdhetare që do ta lexojmë, është zëri i gjithë popullit shqiptar, i etur  qysh me shekuj, për liri dhe pavarësi, zë që jehon. Në rrethanat aktuale, populli ynë nuk do të  gjente përfaqësues më besnik dhe më me ndikim se grupi i atdhetarëve që janë rreth z. Hasan Bej  Prishtina, në kërkesën që i bëjnë Z. Wilson, në emër të tyre.

Gjatë tërë kohës në mërgim (1925-1933) qëndroi në krahun më të përparuar të Lëvizjes Kombëtare  Shqiptare. Financon “Ora e Shqipnisë” që Dom Lazër Shantoja nxirrte në Vjenë. E vazhdoi luftën  kundër regjimeve diktatoriale e monarkofashiste, kundër qeverisë të Zogut në Shqipëri dhe  zgjedhës shoviniste serbomadhe në Kosovë. Nën drejtimin e tij, u themelua “Komiteti i Çlirimit të  Kosovës” i cili veproi jashtë vendit krahas Komitetit të Çlirimit Nacional. Hasan Prishtina luftën  çlirimtare në Kosovë u përpoq t’a lidhë e ta bashkërendojë me luftën e popujve të shtypur  ballkanikë. Disa herë u bë nismëtar i bashkëpunimit me përfaqësuesit dhe organizatat  nacionalçlirimtare të Maqedonisë, të Bosnjës, të Kroacisë e të tjerë që vuanin nën zgjedhën e  regjimeve shoviniste të huaja. Hasan Prishtina kërkonte respektimin e të drejtave kombëtare të të  gjithë popujve ballkanikë gjë që do të arrihej sipas tij me krijimin e shteteve kombëtare në bazë të  parimit të vetëvendosjes, duke përjashtuar çdo formë të hegjemonisë së njërit ndaj tjetrit. Katër  herë armiqtë organizuan kundër tij atentate me armë. Kështu, vetëm në Vjenë, për vrasjen e Hasan  Prishtinës, dërgohen, së paku pesë atentatorë që dihen: Pjetër Kallmeti (nëntor 1927), Ibrahim  Lika- Lisi, Kruja (janar 1928), Hasan Sedi (shkurt 1928), Ibrahim Tabaku (prill 1928) e ndoshta,  diku në atë kohë, edhe Hasan Kosova.[15] Në Paris i vdiq e shoqja, Igballja. Dy herë e burgosën  pushtuesit serbë e bullgarë. Gjashtë herë e dënuan me vdekje xhonturqit, feudali Esat Toptani,  qarqet shoviniste serbomadhe dhe tri herë qeveria e Ahmet Zogut. 

Më 13 gusht të vitit 1933 ndodhej në Selanik i shoqëruar nga Ibrahim Çela, të cilin e konsideronte  mik. Çela në orën 2 pasdite më datë 13 gusht 1933 në rrugën Çimisqi, pas një bisede të vrazhdë,  kishte nxjerrë rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe kishte goditur me 4 plumba trupin e  Hasan Prishtinës. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të  pa rrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në  kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurt për përfundimin e aktit të vrasjes. Fill pas  krimit të tij vrasësi, që t’i ikë rrezikut prej turmës së mbledhur që u vu për ta kapur, ia dha vrapit  nga rruga Vogaxhiku. Në vitin 1977 eshtrat e Hasan Prishtinë me një vendim të Republikës  Socialiste të Shqipërisë, u sollën nga Selaniku dhe u varrosen në Kukës.

foto: wikipedia.org

Filed Under: Mergata

LOJA BIXHOZ E VËNDEVE NË ZHVILLIM

November 17, 2023 by s p

Nga DANILO TAINO – “Corriere della Sera”, 16 nëndor 2023    Përktheu: Eugjen Merlika/

Një lajm i mirë është, edhe se bajagi i ditur: vetëm 5 % e qytetarëve jo perëndimorë do të zgjidhte të jetonte në Kinë, kundrejt 56 %  që tërhiqen nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa. Dhe, duke përjashtuar rusët, të gjithë do të parapëlqenin të bashkëpunonin me nje bllok politik të drejtuar nga Perëndimi kundrejt një tjetri të hegjemonizuar nga Pekini. Për të tjerat, nuk ka shumë për të festuar, duke lexuar të dhënat e një hulumtimi botëror të drejtuar nga European Council on Foreign Relations (Ecfr) të ndërmarrë nga Timothy Garton Ash, Ivan Krastev dhe Mark Leonard. 47 % e amerikanëve shprehet johenik mbi t’ardhmen e Shteteve të Bashkuar. E simbas Eurobarometrit, një mesatare prej 59 % e banorëve të 27 antarëve të BE mendon se në Vëndet e tyre dinamikat po shkojnë në drejtim të gabuar. Shohin zi jo pak perëndimorë. Ndërkaq, në pjesën tjetër të botës, pritmëritë janë mjaft të ndryshme: gjithnji simbas Ecfr, shprehet pohenike 86 % e hindianëve, 74 % e hindonezianëve, 69 % e kinezëve, 54 % e rusëve.

                Megjithëse modeli i jetës dhe respekti i të drejtave njerëzore në Perëndim mbeten tërheqës, Vëndet në zhvillim  janë vendosmërisht në dobi të rritjes së ndërhyrjes kineze në ekonomitë e tyre: e quajnë pohenike 74 % e të intervistuarve në Rusi, 60 % e sauditëve e të afrikanojugorëve, 50 % e turqëve. Rreth 40 % e jo evropianëve mendon se fuqia e BE do të shkërmoqet në njëzet vjetët e ardhëshme. Problemi është se i të njëjtit mendim është dhe 33 % e qytetarëve të Kontinentit të Vjetër. Çrregullimi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ndeshja ndërmjet fuqive fillon të pasqyrohet në opinionet e popullsive. Ndërsa Perëndimi shihet si një bllok i njëtrajtëshëm , së paku sa i përket vlerave, Kina duket se quhet një mundësi ekonomike, por vështirësisht një aleate. Përfundimi është se pjesa tjetër e botës lëviz me një ndryshueshmëri që nuk e njihnim: nga Hindia në Brazil, nga Afrika e Jugut në Hindonezi, Vëndet në zhvillim zgjedhin herë pas here me kë të bëjnë marrëdhënie, me kë të tregojnë miqësi, së bashku me kë të votojnë në Kombet e Bashkuar, çfarë të thonë për luftërat në Ukrainë e në Gaza. Më shumë mbi bazën e interesave kombëtare se sa të aleancave të krijuara. Çrregullim para se të përvijohen raportet e rinj të fuqive? Ndoshta, por nuk mund të jetë një periudhë e shkurtër. Garton Ash, Krastev dhe Leonard pohojnë së tani, në marrëdhëniet ndërkombëtare, luhet “bixhoz”: secili zgjedh herë pas here si e me kë të rrjeshtohet, pa detyrim.

                “Corriere della Sera”, 16 nëndor 2023       Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: ESSE

28 NËNTORI 2023 – FJALËT E ARTA TË LUIGJ GURAKUQIT TEPËR AKTUALE — SIDOMOS NË KËTË PËRVJETOR TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË!

November 17, 2023 by s p

 Nga Frank Shkreli/

 “Për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e Kombit, për nderin e flamurit tonë.” Luigj Gurakuqi

Ndërsa po bëhen përgatitje dhe ndërkohë që po mbushet kalendari i veprimtarive për të nderuar figura të shquara historike të Kombit shqiptar me rastin e 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të kujtojmë Luigj Gurakuqin, bashkountorin më të ngushtë të Ismail Qemalit, njëri prej figurave më të mëdha të gjitha kohërave të Kombit shqiptar, për të cilin Stefanaq Pollo ka shkruar se, ”Nuk ka ngjarje të madhe politike, shoqërore e kulturore, në këtë çerek-shekulli, ku të mos ketë qenë prania e tij, ku të mos jetë ndier fjala, urtësia e vullneti i tij, ku të mos ketë spikatur patriotizmi e demokratizmi i tij”, ka shkruar ai për Gurakuqin.   Figura e Luigj Gurakuqit, sipas Stefanaq Pollos, bëhet edhe më e madhe dhe më madhështore, “po të kemi parasyshë armiqtë e shumtë që duheshin përballuar, vështirsitë e mëdha që duheshin kapërcyer, komplotet dhe intrigat e kobshme që thureshin kundër Atdheut, rreziqet e panumërta që i kanoseshin jetës së tij, në çdo hap.”

Megjithëse gjatë viteve e dekadave është shkruar shumë për kontributet e mëdha të Luigj Gurakuqit, jo vetëm si një prej figurave udhëheqse politike më të shquara të Kombit, por edhe si poet, shkrimtar, linguist e mësues.   Ernest Koliqi, i cili në vitin 1924 në Tiranë ka shërbyer si sekretar privat i Luigj Gurakuqit, në një artikull shkruar në vitin 1965 në revistën e tij ”Shëjzat”, në kujtim të tij — pasi e kishte njohur nga afër — nenvijon për lexuesin fuqinë frymëzuese dhe tërheqse të Gurakuqit nga të gjitha shtresat e shqiptarëve, pa dallim: ”S’kam pa ndër Shqiptarë…nji tjetër që të kishte lidhje miqësore e politike aqë të shumta e të ndryshme sa Gurakuqi.  Gegë e Toskë, qytetarë, katundarë, malësorë, priftën, popa e hoxhallarë, analfabeta dhe eksponenta të intelektualizmit, arbëreshë, të huej që interesoheshin për Shqipëni, qinda e qinda vetësh, i drejtoheshin atij me një frymë të çuditshme besimi… besojshin në përpjekjet e tij të çdo lloji…”.

Në artikullin e tij përkujtimor me rastin e dyzet vjetorit të vrasjes së Luigj Gurakquit, Ernest Koliqi, si bashkpuntor i ngushtë dhe sekretar privat i kësaj figure të madhe të Kombit shqiptar, shkruante, ndër të tjera, se Luigj Gurakuqit — i Madhi Zot i kishte falur aftësi e zotësi si rrallë ndonjë njeriu tjetër — por sipas Koliqit,  vetia që e dalllonte Gurakuqin nga të tjerët e kohës së tij,  ”Ishte ajo që me bashkue e me miqasue ndër vedi gjindën me mendësi, prirje, rritje në kundërshtim.  Përhapej nga zemra e Tij nji fuqi vëllaznuese e tillë sa me tubue rreth vetes burra me idena mesjetare, doktora të rij plot hov modernizues, anëtarë klerike të ndryshme, bashkatdhetarë visesh të ndryshme, të rij rrymash të ndryshme.   Mbretnonte harmonia aty ku Ai qindronte”, ka kujtuar Koliqi.

Luigj Gurakuqi e konsideronte detyrën e deputetit si të rëndë e me përgjegjësi të madhe, të një rëndësie kombëtare dhe si detyrë e shënjtë që ia kishte besuar populli.  Mbi rolin e Luigj Gurakuqit në Kuvendin shqiptar, Koliqi sjell kujtimet e tija duke nënvijuar se ndërsa, “Në parlamentin shqiptar kumbojshin zane si ato të Fan Nolit, Ali Klisurës, Stavro Vinjaut e Bahri Omarit, të dënja me jehue në Dhomën e Komuneve (të Anglisë), Gurakuqi, kryetar i njoftun i opozitës, kundërshtonte me maturi:  bashkë me kolegët që përmenda, përpiqej të jepte shembullin e nji kritike të forte, por jo fyese, ndërtuese, jo rrënuese…’’, pohonte Ernest Koliqi, bashkpuntor i ngusht i Luigj Gurakuqit.

Roli patriotik, ndërtues dhe bashkpunues i Gurakuqit për të mirën e Shqipërisë, njihej dhe respektohej nga shumë patriotë shqiptarë të asaj kohe. Një prej tyre, Mihal Grameno i shkruante atij me 24 Korrik 1919 se, “Shqiptarët kanë simpati dhe besim tek juve.’’  Ndërsa më 15 Tetor, 1919, Pandeli Cale i shkruan Gurakuqit, duke pasqyruar në këtë mënyrë, besimin e tij të plotë në veprimtarinë patriotike të tij në interes të Shqipërisë dhe Kombit, ndërsa i shkruante Gurakuqit me një vendosmëri bindëse se, “Kini në dorë fatin e Shqipërisë…bëni detyrën patriotike si ju thotë ndërgjegja’’.

Megjithëse fjalët e të tjerëve për Gurakuqin dhe veprimtarinë e tij në interes të Kombit, hedhin dritë mbi këtë figurë të madhe të shqiptarisë — janë fjalët e tija ato që, në të vërtetë, pasqyrojnë vlerat dhe idealet e larta njerëzore të këtij patrioti dhe njeriu të madh të Kombit shqiptar e të cilat sikur dëgjohen edhe sot – e sdiomos sot — si tepër aktuale, nëse marrim parasysh zhvillimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë, por edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës. 

Në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar me 21 Janar 1924, i frymëzuar nga nevoja e madhe për ndryshime politike, shoqërore dhe ekonomike në vend, Gurakuqi iu drejtua anëtarve të Kuvendit të Shqipërisë, në atë kohë, duke thënë se si përfaqsues të popullit, “Populli na ka tregue edhe udhën që duhet të ndjekim.  Populli na thotë:  Ky jam, këto nevoja kam, pra mbas dëshirës sime, mbas nevojave të mia, mbas zakoneve që kam, bani ligjet themelore që të mund të rroj i lirë dhe i lumtur, si shqiptar.’’

Në këtë përvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, fjalët e tija tingëllojnë largpamse e bujare dhe si të tilla duhet të shërbejnë sot dhe në të ardhmen, për të mbajtur gjallë kujtimin e veprës së tij të madhe — në dobi të interesave kombëtare të shqiptarëve.  Po të ishte gjallë në këtë 111-vjetor të Pavarësisë, Luigj Gurakuqi do të këshillonte kështu klasën aktuale politike të shqiptarëve, aq zhgënjyese për shumicën e shqiptarëve — të cilët si rrjedhim i politikave aktuale dhe konflikteve politike të vazhdueshme midis tyre – kanë vendosur të largohen masivisht nga Atdheu. Në këtë 111-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, nuk është vonë që të dëgjoni mirë fjalët e Luigj Gurakuqit (më 1913) në këtë “ditë të bardhë” të Pavarësisë të 28 Nëntorit, 2023.

”..,Nuk ashtë sot dita të përmendim nepër sa të liga ka shkuar Shqipënia në këtë mot të gjatë e sa ka vuar e po vuan akoma; dua vetëm të shtoj se ne këtë ditë fatbardhë, që do të mbetet e paharrueshme në kujtimet e shënjta të Kombit tonë, lipset që zemrat e të gjithë shqiptarëvet të lidhen, të bashkohen, të bahen një.  Duke kujtuar e duke kremtuar ditën e sotshme duhet të përsëritim prapë besën që i dhamë shoqishoqit vitin që shkoi; e duke sjellun përpara sysh rreziqet e tmerëshme, që i vareshin Atdheut përmbi krye, e shpëtimin tonë të çuditshëm, t’a forcojmë dashuninë e vëllezëninë e t’i japim dorën njëni tjatrit për të mbajtun, për të rritun, për të shtuar mvehtësinë e Shqipënisë sonë të dashun”.

“Ta dijmë mirë se çarjet, zihjet, anmiqësitë tona na turpërojnë përpara Evropës, e cila vitin që shkoi nxitoi duke njohun me një herë mvehtësiën tonë; u shtojnë rreziqet vëllëzënvet tanë të mjerë, që ditë më tjatrë po presin të lirohen nga zgjedha greke e të bashkohen me ne; e ma tepër u thyejnë zemrën atyne fatzesve që patën rrezikun e math të mbeten jashtë Shqipënisë së lirë.”   (Marrë nga Luigj Gurakuqi: ”Mvehtësia e Shqipënisë”, 1913).

Ndërkaq, në një artikull që Gurakuqi kishte shkruar në Paris në prag të 28 Nëntorit 1919 e në të cilin duket se ai i bën thirrje pikëspari vetvetes por, njëkohsisht, edhe bashkombasve të tij, që të reflektojnë.  Kjo është edhe një thirrje e sinqertë vëllazërore, nga ana e tij, që interesat dhe fatet e Atdheut të jenë mbi të gjitha, një thirrje që, çuditërisht, është gjithnjë aktuale, një shekull më vonë, gjë që tregon se kjo klasë politike sot nuk ka mësuar asgjë nga historia. Porosia sot e Luigj Gurakuqit për klasën aktuale shqiptare në Tiranë e Prishtinë dhe kudo, është: “Mblidhni mendjen!”.  Ai shkruante:

”E kremtja e 28 Nandorit duhet të jetë për ne të gjithë, jo vetëm një ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bajmë shqyrtimin e vetdijes sonë.  Në këtë ditë, duhet të vemë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten tonë nëse e kemi bamun gjithkund e gjithmonë detyrën që kishim përpara Atdheut. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë hidhnimet e anmiqësitë që na ndajnë, t’i japim vëllaznisht dorën njani-tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë se sot e mbrapa do të përpiqemi, me të vërtetë, për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e Kombit, për nderin e flamurit tonë.”

Vet Luigj Gurakuqi, kishte shkruar se, “Një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekëson kujtimin e tyne, jo vetëm ndër faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e në monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndiesi të holla, se njeh miradijen e ka dëshirë me u sjellun e me u drejtuem mbas shembullit të të Mëdhejvet të vet.’’

Luigj Gurakuqi ishte dhe mbetet një ndër më të Mëdhejtë e Kombit shqiptar. Fjalët e Luigj Gurakuqit flasin vet, jo vetëm për periudhën që ai jetoi, por mund dhe duhet të shërbejnë si një fuqi frymëzuese për të gjithë shqiptarët kudo – e sidomos për ata që janë sot në krye të Kombit shqiptar — në këtë 111-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë – festës mbarë kombëtare për të gjithë shqiptarët kudo dhe pa dallim, që të punojnë, për “të mirën e Atdheut, për lulëzimin e Kombit, për nderin e flamurit tonë.”

Frank Shkreli

Foto: wikipedia.org

Luigj Gurakuqi (1879-1925):     

“T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë hidhnimet e anmiqësitë që na ndajnë, t’i japim vëllaznisht dorën njani-tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë se sot e mbrapa do të përpiqemi, me të vërtetë, për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e Kombit, për nderin e flamurit tonë.”

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT