• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

“Forca Rezervë përtej paranojës së gjithë popullit ushtar”

November 11, 2023 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Paraprakisht, si ekspert, dëshmitar apo kontribues teknik në reformat e sistemit të sigurisë kombëtare si dhe në 30 vjet rrugëtim drejt/pas anëtarësimit në NATO (1993-2023) dëshiroj të shpreh konsiderata dhe rekomandime strategjike rreth  përpjekjeve të RSh për ngriten e Forcës Vullnetare Rezervë (FVR).

Po ashtu, që në fillim të herës më duhet ta theksoj se është një ngjarje e vonuar por njëkohësisht e domosdoshme për peshën në fushën e reformave Euro-Atlantike në FA si  dhe modernizimin e kapaciteteve të mbrojtjes kombëtare.

Them e vonuar pasi në dijeninë time, besoj më shumë se modeste, është një “Projekt – Ide” që të paktën 20 vitet e fundit ka “mbetur në sirtaret e tallavasë politike”. 

Thënë këtë, padyshim meriton të komplementohet Ministri Peleshi, i cili ka: “sigurisht privilegjin dhe meritën që  jo vetëm po e kurorëzon këtë përpjekje serioze, por edhe për: “arritjen e buxhetit të mbrojtjes 2 %; në dyfishimin e pagave të ushtarakëve; rikthimin e një profesionisti elitar në krye të Forcave Detare; modernizimin e kapaciteteve operacionale, të planifikimit dhe cilësinë e bashkëpunimit me NATO-n”.

Gjithashtu nuk mund të mos themi, që fryma paraprake nga të dy anët e “llogoreve të politikës së ditës si dhe komentet/gjella që po i serviret publikut nga opinionistët e gjithëditur”, në shumicë nuk janë as për të qarë, as për tu shqetësuar, por thjesht irracionale për të mos thënë cinike në raport me domosdoshmërinë kritike që kanë forcat e armatosura për të patur si kapacitet të saj edhe forcat vullnetare rezervë.

Më qartësisht për këdo “shtetar të emëruar për tu vetë-poshtëruar apo sekserë të punësuar në kuvend me vulën e skuth-Kryetarit” që janë tramaksur se mos i vejë natën fleta e zborit, kam një përgjigje relaksuese:  “flini rehat, pra kthehuni në krahun tjetër, se nuk ka dhe nuk ka për të patur asgjë të tillë”. Për më qartësisht nuk bëhet fjalë as për 2 milion rezervist (pra gjithë popullin ushtar ose kamikaz), por për një forcë modeste në numra, pra rreth 20 % e forcës aktive ose pak më shumë se 2000 personel.

Për më tepër që ky projekt nuk është shpikje qesharake (si fitoret e Ali komikut të Bagdadit apo libri me fitoret turpëruese të Lulit të Tiranës) por është një qasje e përbotshme, që aplikohet nga 31  vendet  e NATO-s si dhe nga 194 shtete të njohura nga OKB-ja, përfshi Islandën, e cila për shkak të një marrëveshje speciale me SHBA nuk ka forca aktive ! 

Po ashtu, është edhe një qasje e përjetshme, pasi në të gjitha kohët dhe format e shtetit, asnjë vend, qoftë perandori, mbretëri, demokraci apo regjim diktatorial nuk mundet kurrësesi të mbajë 100 % forca aktive për të gjithë skenaret e kërcënimeve apo ambicjeve. 

E thënë edhe më qartë, me zyrtarizimin e këtij projekti, R.Sh i bashkohet një përqasje moderne të konfirmuar edhe në doktrinën  e NATO-s për planifikimin, ngritjen si dhe përdorimin e përshkallëzuar të kapaciteteve dhe të fuqisë ushtarake 

Së dyti: kush ështe historia, çfarë përfaqëson, eksperiencat, strukturat dhe misioni i forcës vullnetare rezervë ? 

Përkufizimi në Wikipedia: “një forcë vullnetare rezervë është një komponent ushtarak i shtetasve të një vëndi që i bashkohet vullnetarisht forcave të armatosura, duke kombinuar karrierën civile edhe një detyrë ushtarake me kohë të pjesshme”.   

Historikisht, forca rezervë ka lindur pas disfatës së Prusianëve në betejën e Jena-Auerstedt-it, dhe me nënshkrimin  e traktatit të Tilsit, në 9 korrik 1807, kur Napoleoni detyroi Prusinë të mos kishte një ushtri më të madhe se 42.000 vetë. Në këto kushte, reforma e quajtur Krumpersystem, e propozuar nga reformisti ushtarak prusian Gerhard von Scharnhorst, reflektoi me zgjuarsi duke trajnuar mbi baza tremujore një numër rekrutësh që nuk e kalonin shifrën e sipërcaktuar, por që në rast nevoje, përbënin një kontingjent ushtarak shumë herë më të madh. Ky koncept u përmirësua gjatë luftës së parë dhe të dytë botërore, si dhe më tej u ngrit në sistem të bazuar në  specifikat e çdo vendi. 

Pas Luftës së Ftohtë (1990),  mjedisi strategjik i sigurisë, në rrafshin global, rajonal dhe kombëtar u imponua  nga një ndryshim i ndjeshëm i natyrës së rreziqeve dhe konflikteve. Gjatë këtyre tre dekadave përjashto rastin e sulmit neo-Nazist të Rusisë-Putiniste ndaj sovranitetit të Ukrainës: “kërcënimi kryesor për paqen dhe sigurinë nuk ka ardhur nga ndonjë konflikt i formës tradicionale ndërmjet shteteve, por nga rreziqe asimetrike, përfshi edhe krizat e brendshme të shteteve të dështuara, krimin e organizuar dhe terrorizmit ndërkombëtar”  !

Për rrjedhojë, ky ndryshim në natyrën e konflikteve, u shoqërua me shkurtime kritike në forcat e armatosura si dhe te buxhetet e mbrojtjes. Në shumicën e vendeve, përfshi RSh u kryen reforma radikale që synonin kalimin nga shërbimi mbarë popullore (popullit-ushtar) në shërbimit të detyrueshëm aktivë si dhe forca të mbështetura nga një komponent rezervë vullnetare.  Kjo tendencë u bë më e ndjeshme në vendet e vogla e me resurse të kufizuara. 

Për më tepër, forca rezervë, janë bërë gjithmonë e më shumë pjesë e  spektrit të operacioneve humanitare në mbështetje të paqes, përfshi ato brenda vendit në rastet e emergjencave civile, ndërsa pritet që në dekadën e trete të shekullit të XXI-të angazhimi i tyre të jetë akoma më i madh. 

Forca rezervë është një forcë që përbëhet nga personel oficer, nënoficer dhe ushtarë që bashkohen me një kontratë vullnetare në forcat e armatosura për të shërbyer vetem në një kohë të përcaktuar (max 45 ditë) duke kryer detyra të përcaktuara në ligj. 

Sigurisht forca rezervë vullnetare është më pak e kushtueshme se forca aktive, sepse ajo aktivizohet në kohë të pjesshme gjatë vitit. Ndërsa për specialitete dhe detyra të caktuara, ajo është edhe më cilësore edhe se vetë forca aktive. Kjo ka bërë që vënde të ndryshme, ta shikojnë forcën rezerve vullnetare si një opsion të leverdisshëm të reformës në forcat e armatosura. 

Në disa vende, edhe shërbimi  ushtarak aktiv dhe edhe në rezervë, mbetet akoma i detyrueshëm, ndërsa në shumë vende të tjera, si shërbimi ushtarak në forcën aktive ashtu edhe shërbimi ushtarak në forcën rezervë është tërësisht vullnetar.  

Në rastin e parë, shërbimi i detyrueshëm rezervë është karakteristikë e vëndeve si Suedia, Finlanda, Izraeli, etj, të cilët kanë probleme të konflikteve historike dhe ushtarake me fqinjët. 

Në rastin e dytë, shërbimi vullnetar rezervë është tipar i vendeve që relativisht janë çliruar nga problemet e  konfrontimit tradicional. Ky shërbim aplikohet konkretisht me pjesëmarrje në operacion në shumicën e vëndeve të NATO-s dhe BE-së si SHBA, Angli, Kanada, Francë, Gjermani, Belgjikë, Itali, Spanjë, Slloveni, Hungari, Kroaci, etj. 

Si shëmbull, forcat Kanadeze në Afganistan, përfshinin mbi 30 % komponent rezervë, të dislokuar në Kandahar për të shërbyer atje 6 deri 9 muaj.  Për më tepër, një pjesë e rezervistëve në bashkëpunimin Civil-Ushtarak ose në operacionet e veçanta janë rezervistë dhe kanë aftësi më të mira se forcat aktive. 

Ndërsa në disa vende, si në SHBA, Angli, etj, forcat rezervë vullnetare përbëhen kryesisht nga ish-ushtarakë të shërbimit aktiv profesionist pas daljes së tyre në rezervë. Ky detyrim për të shërbyer në përbërje të rezervës vullnetare parashikohet qysh në kontratën e hyrjes së tyre në shërbimin aktiv të shumë vendeve të 31 vendeve të Aleancës.  Po ashtu, në vendet e NATO-s, rezervistë mund të jenë  edhe nga shoqëria civile, të cilët dëshirojnë vullnetarisht të kontribuojnë në FA.

Kush mundet të jenë raportet mes forcës aktive dhe Rezerviste ? Nga 31 vende anëtare të NATO-s, më shumë se 20, si p.sh Gjermani, Itali, Greqia, Bullgaria, Polonia, Spanja, Portugalia, vendet Balltike etj, numri i forcave rezerve është shumë më i madh se ai i forcave të rregullta.

Ndërsa në SHBA njësitë luftarake rezerviste jane atashuar në Gardën Kombëtare.  Me rreth 20 % të njësive të Ushtrisë së SHBA-se dhe 5,3 % të buxhetit të saj, forcat rezervë sigurojnë rreth 50% të mbështetjes së luftimit në operacione. 

Një avantazh tjetër është se ata janë shumë më pak të kushtueshëm se forca aktive, gjë që lidhet me kohën e pjesshme të shërbimit të tyre, dhe vetëm me nevojat specifike të përdorimit të tyre. Gjithësesi forca vullnetare rezerviste nuk mund të përdoren për të gjithë spektrin e misionit të Forcave të Armatosura. 

Sa mund të përdoret rezerva vullnetare?  Duke eksploruar eksperiencat e vëndeve të tjera, për rastin e vendit tonë: “nuk bëhet fjalë për të rekrutuar ushtarë nga shoqëria civile për të plotësuar togat apo kompanitë e FA, apo të ngjashme të nivelit bazë, por vetëm për plotësimin me ato kapacitete të nevojshme cilësore që ose kemi me pakicë, ose nuk kemi fare në FA ose që na duhen në periudha të caktuara”.  

Kush mund të jetë misioni i forcave Rezervë ? Teorikisht, spektri i misionit të forcave rezervë mund të jetë gjithëpërfshirës, pra nga ato paqe-ruajtëse deri në luftarake, por prioritet mbeten operacionet në mbështetje të paqes të drejtuara nga NATO/BE/OKB, si dhe në emergjencat civile kombëtare. 

Së treti: disa konsiderata dhe rekomandime strategjike për një forcë vullnetare rezervë të FA të Shqipërisē ?

Na duhet ta qartësojme edhe me tej se: “nuk bëhet fjalë për nostalgji mbi forcën rezervë klasike, dhe aq më shumë, nuk bëhet fjalë fare për konceptin e forcës rezervë të sistemit komunist të mbrojtjes me forcat e veta të çdo pëllëmbe të territorit dhe ku çdo qytetar ishte presupozuar ushtar.   Sot ky model aplikohet nga Koreja e Veriut dhe ndoshta Xhibudi.

Përkundrazi, mbas anëtarësimit në sistemin e mbrojtjes kolektive (NATO), RSh ka detyrimin të aplikojë një model të ri të forcës rezervë vullnetare në kushtet e mjedisit të ri të sigurisë, pra një forcë e arsyeshme, e leverdishme dhe e (shumë) përdorshme në operacionet brenda dhe jashtë vendit. 

Forca e ardhshme rezervë shqiptare duhet të përfitojë nga eksperienca më e mirë e vëndeve të Aleancës. Sigurisht do te jetë një forcë e vogël, e bazuar në prioritete të specializuara, e leverdishme dhe e gatshme për mbështetjen e forcës aktive profesioniste.  

Normalisht, nuk mund të pritet as planifikohet që komponenti i ardhshëm rezervë të kryejë të gjitha misionet dhe detyrat që kryejnë forcat profesioniste aktive, por Ato mund të kryejë me shumë sukses një pjesë të detyrave të tyre, pse jo me cilësi edhe më të lartë se forca aktive, sidomos ato në fushën e emergjencave civile. 

Pak fjalē mbi përvojēn e shpërdoruar Roster. E përmenda që në pjesën e hyrjes, pra edhe pse e vonuar ky projekt nuk është shpikje por kurorëzim me sukses i nje përpjekje mbi 20 vjeçare. Kështu si dëshmimtar më duhet ta përmend se në Strategjine Ushtarake 2007, krahas forcës së bashkuar (Joint) u miratua edhe koncepti rezervë i tipit “Roster”, ku parashikoheshin që anëtarët e FA mbas daljes në rezervë të evidentohen në një (inventar elektronik) “database”.  

Por kjo strategji, edhe pse e miratuar me ligj (në fakt me 140 vota) vetëm për shkak të mentalitetit bolshevik mbi  kushtetutën, konceptin “Joint e mbytën pa lindur”  ndërsa “Roster” nuk u zbatua asnjeherë si dhe nuk u bë ndonjë përpjekje serioze për t’i ngritur ato në sistem, ndërsa prej pothuaj 1 dekadë e gjysëm, struktura e FA nuk e përmendën fare komponentin rezervë. 

Komponenti rezervë, kushtetuta dhe korniza logjore. Forca rezervë është e bazuar në kushtetutën e RSh ku në nenin 166 shprehet që “shtetasit shqiptarë kanë për detyrë të marrin pjesë në mbrojtjen e R.Sh … ”  Prandaj, më të drejtë parimi kryesor i këtij komponenti mbetet zhvillimi i një force rezervë të tipit vullnetar dhe jo të rekrutimit të detyrueshëm. 

Por megjithë dëshirën Euro-Atlantike dhe të drejtën kushtetuese, komponenti rezervë, ashtu si ai aktiv, nuk mund të jetë aq “universal” sa për të pranuar çdo shtetas që e kërkon një “të drejtë” të tillë. Sigurisht, çdo shtetasi duhet ti respektohet e drejta kushtetuese të aplikojë, por bazuar në kritere profesionale dhe në nevojat konkrete të strukturave të FA, vetëm një pjese shumë e vogël të tyre mund t’u plotësohet kërkesa e pjesëmarrjes në forcën rezervë. 

Një kuadër i ri ligjor. Është shumë e rëndësishme, që ngritja e komponentit rezervë të mbështetet me një kuadër ligjor të avancuar. Forca rezervë vullnetare ose bëhet ose nuk bëhet funksionale, ajo nuk bëhet përgjysmë. Kjo do të thotë që nëse po ndërtojmë një elitë profesioniste ushtarake aktive, duhet të ndërtojmë gjithashtu të tillë/elit edhe forcën rezervë vullnetare.  

Çfarë force rezervë i duhet RSh? Forca rezervë mund të plotësohet kryesisht (por jo vetëm) nga kontingjentet e personelit të FA mbas mbarimit të shërbimit aktiv, duke nënëshkruar që në hyrjen në shërbimin profesionist për të vijuar shërbimin në rezervë deri 3 – 6 vjet.

Po ashtu, në forcën rezervë vullnetare mund të rekrutohen edhe kontingjentet e dëshiruara të shoqërisë civile, të cilat disponojnë kualitet të lartë specialitetesh që mund t’i nevojiten FA në periudha dhe operacione të caktuara. 

Një parim tjetër themelor i komponentit rezervë mund të jetë që ai duhet të shihet si komponent operacional, i integruar i njësive ushtarake. Kjo do të thotë që forca rezervë, përvec rasteve të ralla, nuk duhet të jetë e organizuar mbi bazë njësish apo repartesh kompakte rezervë, përkundrazi, komponenti rezervë duhet të jetë i integruar së bashku me forcën profesioniste aktive, në një përqindje të caktuar që nuk pengon por e plotëson shkallën e gatishmërisë së pranuar të njësis për mision. 

Bazuar në eksperiencat e vendeve të NATO-s, forca rezervë mund të shkojë deri 20 %. Por, nuk përjashtohet mundësia e ndërtimit me komponent dominues rezervë të kapaciteteve “niche” të FA, sidomos  në emergjencat civile, si dhe në operacionet paqendërtuese ndërkombëtare. 

Thënë këtë, besoj se është logjike se: “një prezencë më të madhe të komponentit rezervë në forcën tokësore, krahasuar me forcën detare dhe ajrore si dhe në specialitetet në elementët mbështetës të tipit “enabling”, se sa në forcat e luftimit. 

Për ilustrim, mund të marrim një nga detyrat kryesore të misionit të FA: “sigurimi i hapësirës ajrore të RSh”. Përveç komponentit profesionist aktiv që mund të kemi në Forcën Ajrore, mund të rekrutojmë edhe komponent civil rezervë vullnetar nga Agjencia e Kontrollit të Hapësirës Ajrore të RSh, e cila ka ekspertizë dhe eksperience të spikatur, dhe vetëm me një trajnim në kohë të pjesshme mbi sistemin ushtarak dhe sistemin NATINADS të Aleancës, mund të jetë shumë i vlefshëm edhe për misionin e Forcave Ajrore.  E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sistemin e vëzhgimit të Hapësirës Detare. Po kështu, mund ta zgjerojmë listën edhe me shfrytëzimin e kapaciteteve kombëtare kundër efekteve të ASHM, të kapaciteteve xheniere, të kapaciteteve për emergjencat civile, të luftës kundër terrorizmit, etj.  

Si mund të trajnohet rezerva vullnetare? Sipas përvojës së vëndeve të Aleancës, forca rezervë vullnetare trajnohet rregullisht çdo vit dhe paguhen me rreth 80-100 përqind të pagës së forcave të rregullta aktive. Një variant i trajnimit të forcës rezervë mund të jetë 30-45 ditë trajnimi në vit.  

Sa mund të jetë numri i forcës vullnetare rezervë të FASh ? Gjykoj që për rastin e RSh, pra një forcë profesioniste aktive prej me pak se 10 mijë vetë (pa perfshirë personelin e energjencave Civile), mund të vlerësohet zhvillimi i një force rezervë vullnetare prej mbi mijë vetë, pra rreth 20 % të forcës aktive.  

Në shtesë, me duhet gjithësesi ta theksoj që përsa në disa dhjetra vlerësimet dhe rekomandimet  strategjike, përfshi në këtë rast, nuk pretendoj kurrësesi të jenë: “të vërteta të fundit ose EUREKA” por një përpjekje modeste për të kontribuar me eksperiencën dhe ekspertizën Euro-Atlantike edhe për këtë projekt.  

* Ekspert për SK, Rajonin & NATO,  

Zv/President i Këshillit të Atlantikut;

Anëtar i Bordit “Israel House; si dhe Ish: Këshilltar i Presidentit të R.Sh;

Përfaqësues Kombëtar në NATO.

Filed Under: Ekonomi

Jamais vu

November 11, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Mund të hasim herë pas here – raste kur hymë në një situatë të re çuditërisht e njohur, pavarësisht se nuk e kemi përjetuar kurrë më parë. Ky fenomen i zakonshëm quhet déjà vu, frëngjisht për “tashmë parë”.

Në të kundërtën e tij është një fenomen paksa më pak i zakonshëm – jamais vu, që përkthehet si “asnjëherë” në frëngjisht. Kjo ndodh kur je në një situatë të njohur, por befas ndihesh sikur po e përjeton për herë të parë. Kjo mund të ndodhë me një vend të caktuar, një veprim, apo edhe një person. Ndjenja e të diturit zhduket pavarësisht se e kuptoni se diçka ka ndodhur më parë.

Imagjinoni, për shembull, që po shkoni me makinë për në dyqaq të preferuar. Ju ktheheni në një rrugë dhe papritur e gjeni veten në një moment në një hutuar – “A duhet të isha kthyer djathtas apo majtas?”- pyesni veten, edhe pse e keni përshkuar këtë rrugë kaq shumë herë, dhe është kujtesa që thote se nuk e keni parë asnjëherë.

Në raste të tjera, ju mund ta gjeni veten duke harruar disa detaje – në pamundësi për të kujtuar një emër që përdorni çdo ditë. Është ajo ndjenjë ku thjesht nuk mund t’i nxjerrësh fjalët, “më majë të gjuhës i kam, por nuk i them dot”, thua. Këto momente ngecëse që ju lënë të hutuar, të verbër, duke vënë në dyshim kujtesën tuaj, janë shembuj të përsosur të jamais vu.

Nëse mendoni se nuk keni përjetuar kurrë jamais vu, mendoni përsëri. Zgjidh një fjalë – “shampo” – dhe përsërite atë 20 herë. A tingëllon e çuditshme? A tingëllon false? A ka humbur të gjithë kuptimin? Logjikisht, ju e dini se çfarë është shampo, por bëhet një term i panjohur pasi ju e shprehni vazhdimisht me zë të lartë.

Në vitin 2006, një studim i kryer nga neuropsikologu kognitiv Chris Moulin nxiti jamais vu te pjesëmarrësit e tij në studim me këtë metodë të përsëritjes së fjalëve. Në eksperiment, 92 vullnetarë e shkruan fjalën “derë” 30 herë në një minutë. 68 përqind raportuan simptoma të jamais vu pasi filluan të dyshonin në realitetin e fjalës. Moulin vazhdoi të lidhte lodhjen e trurit me skizofreninë, duke e krahasuar sëmundjen mendore me një formë kronike dhe ekstreme të jamais vu.

Mund të jetë më e lehtë për ta kuptuar atë si një defekt në sistem. Kur përjetoni jamais vu, mund të përpiqeni të arsyetoni me veten se situata duhet të jetë e njohur, por ka një ndërprerje. Pjesa e trurit që supozohet të përpunojë dhe regjistrojë informacionin, duke e lidhur atë me përvojat e kaluara, nuk po përgjigjet në natyrë, duke ju lënë të pyesni veten se si të reagoni.

Nëse e përjetoni këtë ndjesi në disa raste të rralla, mos u shqetësoni – është krejtësisht normale. Nëse kjo ndjenjë hutuese fillon të ndodhë më rregullisht, merrni parasysh një vizitë te mjeku. Jamais vu gjithashtu mund të përshkruajë simptoma të kushteve të caktuara neurologjike.

Në fund të fundit, jamais vu, si déjà vu, është një fenomen i ndërlikuar për t’u shpjeguar, por gjithsesi një dukuri normale njerëzore. Herën tjetër që do të ndaleni, i hutuar, gjatë një përmbledhjeje të filmit tuaj të preferuar, ose për një kohë të shkurtër në panik se cilan kthesë duhet të bëni gjatë vrapimit në mbrëmje, kujtojini vetes se ndoshta është vetëm një moment jamais vu.

Kështu edhe “demokracia” e sotme, më shpesh e shohim dhe mendojmë se asnjëherë nuk e kemi parë, kur njerëz të njëjtë shikojmë të na udhëheqin, dhe opozita ndalohet të flasë; persekutohet e burgoset; kujtohemi për një çast, se demokracia mes nesh kurrë nuk erdhi – Jamais vu.

Filed Under: Fejton

ALBANICA qē na vjen nga Rumania…

November 11, 2023 by s p

Visar Zhiti/

– Poezi nga Xhevdet Bajraj si medalion –

– Ngjyrat pikturike nga Gjelosh Gjokaj –

Ka ardhur revista “Albanica”, numri 19, priste te dera si njē urim nga larg, nga Rumania dhe sa e afērt na ēshtẽ bērẽ… e nxjerr nga zarfi me njē padurim tē bukur, e shfletoj… estetikē dhe rubrika tērheqēse, emra tē njohur, shkrimtarē, poetē, piktorē, kritikē arti, albanalogē, traditē, aktualitet, modernia, pērkthime, skica, etj, i qēmton me shije dhe i bẽn bashkē me kulturē pērgatitēsi i revistēs, shefi i redaksisẽ Dr. Luan Topciu. Ja, kryeartikulli i tij i vyer “Pse lēçisim ende letērsi”, nē rumanisht, qē e gjejmē dhe nē shqip nē fund te revistēs bashkē me pērmbledhjen e gjithē lēndēs, ku nuk mund tē mungojnē emblematikēt Mitrush Kuteli dhe Lasgush Poradeci, mērgimtarē nē Rumani dhe revista ēshtē e shqiptarēve tē Rumanisē, e Ligēs ALAR, Asociația Liga Albanezilor din România dhe ja, dhe shkrimtarēt rumunē Liviu Lungu, me origjinē shqiptare nga nēna, Marius Chelaru, Brancush, Matteo Mandalà – arbēreshi ynē, Mira Meksi nga Tirana, etj, ndaloj te i pērndjekuri i madh nga diktatura e dikurshme, Ernest Koliqi, themeluesi i Katedrēs sē Albanalogjisē nē Romē, pasqyrat magjike tē Narcisit tē tij i paska pērkthyer Luani, dhe te bashkēvuajtēsi i burgjeve, Prof. Arshi Pipa, filozof dhe poet dhe kritik, qē tani pērvijon njē profil ndryshe tē Kadaresē, vazhdoj, Dhimitēr Polena, Dorian Koçi, njē fragment nga romani “Perēndia mbrapsht dhe e dashura” i porsa botuar nē Rumani, pērkthyer nga poliglotia Catalina Franco,

ja, dhe eseja e Qemal Agajt pēr poezinē vizuale, kaligramat tek Apollinaire dhe nē burgjet shqiptare. Rilexoj poezitē e poetit tē veçantē, Xhevdet Bajraj, postmodernist, atë metaforē befasuese tē tij plot limfē Kosove, urbane ndērkohē, po kēshtu mē duken dhe pikturat e Gjelosh Gjokajt, qē ilustrojnē kētē numur tē revistēs. Njē Shqipēri e pērmbledhur, nē sa mē shumē copa tē saj, diaspora magjepsēse, e treguar kēshtu nē Rumani, Europēs dhe botēs.

Filed Under: Kulture

PIKËPYETJE RRETH MARRËVESHJES PËR EMIGRANTËT NGA ITALIA

November 11, 2023 by s p

Asllan Bushati/

Këto ditë në Shqipëri e Itali, ka shumë diskutime pro e kundra për një marrveshje midis Kryeministres Italiane Meloni dhe atij shqiptar Rama. Brendia e saj është lehtësimi i menaxhimit të emigrantëve të Afrikës veriore që zbarkojnë cdo ditë në Itali dhe ndihmesa që Shqipëria mund ti jap Italisë për këtë problem. Mendohet se prurjet mund të jenë gati mbi 3 mijë në muaj ose 36- 39 mijë në vit. Pritja e emigrantëve do të bëhet në Portin e Shëngjinit dhe vendosja në Gjadër deri sa të qartësohet koha dhe vendi i azilimit ose i këthimit në vendin e origjinës. Shpenzimet thuhet se do të mbulohen të gjitha nga pala italiane.

Ndihmesa për pritje emigrantësh të kërcënuar, është një e drejtë humane e njohur dhe e pranuar botërisht. Ne shqiptarët jemi vetë popull që kemi emigruar që në lashtësi e deri në ditët e sotme. Por në rastin konkret ka shumë pikpyetje të natyrës politike, juridike, konstitucionale, mjedisore, etike, fetare etj, për të cilat duhet të flasin specialistët e fushave përkatëse. Unë do të ndalem vetëm tek disa aspekte që kanë të bëjnë me ceshtje të sigurisë kombëtarë të Shqipërisë.

Deri tani për këtë problem nuk kemi dëgjuar akoma të prononcohet Presidenti i Republikës Shqipërisë, ku me kushtetutë as NATO-ja që është obrella e mbrojtjes së vendit, nuk mund të kryej asnjë veprimtari stërvitore apo luftarake pa dekretin e kreut të shtetit. Atëherë pse ky problem jo i vogël mbahet i fshehtë (nga Rama e qeveria e tij) që nga vizita e Melonit në Shqipëri dhe anashkalohet Presidenti? Pse shqiptarët duhet të merrnin vesh copëza (fragmente) të marrveshjes nga masmedia italiane dhe asnjë fjalë nga ajo shqiptare? Pse u përjashtu nga negocjimi Ministria e Jashme, kur me kushtetutë vetëm ajo (me autorizim të Presidentit) mund të negocionte draftin deri në formën përfundimtare?

Porti Shëngjinit dhe tërësisht aeroporti i Gjadrit janë akoma objekte ushtarake. Si mund të lidhet marveshje me një shtet tjetër për dy objekte ushtarake pa u krijuar një komision me ekspertë ushtarak (me autorizim të Presidentit)?

Para disa kohësh unë kam patur rastin të diskutoj me të ndjerin Ish Senatorin John McCain dhe më pas edhe me kongresmenin Dana Rohrabacher (me kërkesën e tyre), rreth perspektivës ushtarake të këtyre dy objekteve si dhe Bazës Ushtarako- Detare të Sazanit e ndoshta edhe të një objekti madhor në Bizë të Martaneshit. Jam i bindur se këto janë të regjistruara diku në sektorët e planifikimit të SHBA-së. Pyetja ime është: Kryeministri i Shqipërisë a e ka diskutuar më parë me aleatin tonë strategjikë dhe NATO-n këtë marrveshje që përfshinë dy objekte të rëndësishme ushtarake në teritorin shqiptar?

BE-ja ka krijuar një legjislacion të gjërë e specifik për pritjen, trajtimin dhe akomodimin e emigrantëve i cili është pranuar nga të 28 vendet antare. Pyetja shtrohet kjo marrveshje midis Italisë e Shqipërisë a është konform këtij legjislacioni, sepse deri tani BE-ja nuk ka shprehur as simpati e as mbështetje?

Kjo masë e madhe njerzish (3-5 mijë) gjithë të rinj në moshë, a mendohet se janë të gjithë nevojtarë azilimi, familjar të ndershëm, apo mos brenda tyre mund të ketë edhe terroristë të mirshtërvitur nga terrorizmi ndërkombëtar e që do të përbënin rrezik edhe për sigurinë kombëtare të Shqipërisë?

Jashtë problemeve të sigurisë, për të cilat ka më shumë se ato që janë përmendura më sipër, do të kemi edhe një problem fetar. Dihet se zona Shëngjin –Gjadër është hasirë e banuar historikisht me besimtar katolik në mbi 90 përqind. Pyetja shtrohet duke ardhur 3-5 mijë emigrantë muslimanë me zakone, tradita e koncepte shumë të ndryshme për jetën në raport me vendasit, a mos do të na cfaqen prishje të ekuilibrave ndërfetarë të cilat brenda shoqërisë shqiptare janë të shkëlqyera?

Marrdhëniet tona me italianët janë shekullore. Aktualisht në Itali punojnë e jetojnë më shumë se 500 mijë shqiptarë. Ai vend është këthyer për to në atëdheun e tyre të dytë, ashtu sic shumë italianë punojnë e jetojnë në Shqipëri. Por kjo nuk e bën Edi Ramën perandor, sulltan ose mbret të tokave shqiptare që ai të bëjë me to si me pronën personale pa pyetur askënd. Ndaj opozitat në Shqipëri dhe Itali ka kontestime për këtë marrveshje. Shpresojmë që fodullëkut të tepruar të Kryeministrit ti vihet fre në Presidencë, Parlament e deri në Gjykatën Kushtetuese. Interesat e tij personale nuk mund të vihen mbi ato të Shqipërisë.

Filed Under: Ekonomi

Presidentja Osmani mori pjesë në varrimin e ish-Presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaari

November 11, 2023 by s p

Me ftesë të Qeverisë finlandeze, Presidentja Vjosa Osmani së bashku me ish-Presidentin Fatmir Sejdiu, morën pjesë sot në varrimin e ish-Presidentit të Finlandës, Martti Ahstisaari.

Në funeralin shtetëror të mbajtur në Helsinki ishin prezent më shumë se 800 të ftuar, krerë e përfaqësues të shteteve, si dhe bashkëpunëtorë nga etapa të ndryshme të karrierës së ish-Presidentit Ahtisaari.

Duke nderuar kujtimin për ish-Presidentin Ahtisaari, Presidentja Osmani tha se: “Sot i dhamë lamtumirën e fundit burrështetasit dhe paqebërësit Martti Ahtisaari. Përkushtimi i palodhshëm i Presidentit Martti Ahtisaari ndaj diplomacisë, zgjidhjes së konflikteve dhe të drejtave të njeriut ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën tonë”. Tutje, ajo ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës si dhe për shërbimin e tij shembullor.

Mysafirët në varrimin e Presidentit Ahtisaari janë ftuar nga Qeveria finlandeze në përputhje me dëshirat e familjes së Presidentit Ahtisaari. Kontributi i Presidentit Ahtisaari për paqe dhe zgjidhje të konflikteve në vende të ndryshme të botës u vlerësua edhe në vitin 2008 kur atij iu dha Çmimi Nobel për Paqe.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT