• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2023

Roli i diplomacisë amerikane ishte vendimtar për lirinë e Kosovës

December 26, 2023 by s p

Këtë e dëshmojnë burimet arkivore amerikane që janë deklasifikuar kohëve të fundit dhe tregojnë një angazhim të veçantë të SHBA-së për lirinë e Kosovës

Kosova është interes suprem për SHBA-në, janë fjalët e Storb Talbot, diplomat e zv. Sekretar i Shtetit amerikan 1994-2001, në raportin analitik të agjencive informative amerikane, të shkruar më 21 dhjetor 1995.

Këtë dokument të cilin e disponoj, e hasa gjatë hulumtimeve të mia në arkivat e SHBA-së me vizionin dhe punën brilante të këtij diplomati, qëndrime të cilat ndryshuan interesat gjeostrategjike të fuqive dhe interesave kundërthënëse në Ballkan.

Z. Talbot ishte direkt i përfshirë në negociata të mundimshme dhe shumë të rënda me diplomatët rusë që nuk pajtoheshin që gjeografia qendrore e Ballkanit të largohet nga interesat e tyre, përkundër ndikimit mbi një shekull. Kjo edhe kishte dëmtuar strukturën etnike kompakte shqiptare në Ballkan.

Fitorja diplomatike e z. Talbot, kishte filluar pas Dejtonit me një angazhim të matur që të zgjedhin statusin politik të Kosovës dhe ishte njeriu i raundeve të vështira karshi interesave ruse në Ballkan.

UÇK-ja ishte bërë aleate e presioneve dhe politikave qe përfaqësonin vlera e demokracive perëndimore dhe ishte çelësi i negociatave paqësore për Kosovën. Diplomatët amerikanë, duke përfshirë edhe vet presidentin Clinton, kërkuan nga Rusia që në asnjë mënyrë nuk do të lejonin ndarjen e Kosovës dhe vendimin rus për dërgimin e një numri të madh të forcave të tyre në Kosovë. Ishte vendosmëria e presidentit Clinton në telefonatën me presidentin Jelcin që duhet të funksionojë vetëm një komandë e forcave ndërkombëtare në Kosove dhe e kishte njoftuar se me lidershipin politik të UÇK-së, kishte bashkëpunim dhe i besonte në marrjen e përgjegjësive edhe pas vendosjes së forcave të KFOR-it në Kosovë. Ky bashkëpunim funksiononte shumë mirë me diplomatët e SHBA-së, ishte cekur cekur në bisedë, duke admiruar lidershipin politik të UÇK-së.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, zë vend qendror në historinë e re te Kosovës jo vetëm për kthesën e madhe që i dha zhvillimeve të brendshëm në terren, por edhe për angazhimin e diplomacive ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes se Kosovës, që në sipërfaqe dolën tri politika me qasje të ndryshme në raporte me çështjen e Kosovës.

Ishte diplomacia anglo-amerikane ajo që tregonte vendosmëri në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, diplomacia evropiane që kishte mos unitet në veprimet e saj dhe ishte hezituese për një linjë të ashpër kundër Serbisë dhe diplomacia ruse me aleatët e saj që mbronte interesat serbe me fanatizëm në Kosovë. Kosova i nxjerri në sipërfaqe edhe dallimet e diplomacive ndërkombëtare në raporte me Kosovën dhe interesat e tyre në Ballkan.

Pas refuzimit kategorik për negociata me përfaqësuesit politik të shqiptarëve të Kosovës nga Millosheviqi në Dejton, e vetmja rrugë për të nxjerrë në tavolinën e bisedimeve çështjen e Kosovës ishte fillimi i rezistencës së armatosur në Kosovë, që në një mënyrë apo tjetër ishte si rezultat i veprimeve të diplomatëve ndërkombëtarë që nuk arritën ta bindin Millosheviqin për negociata paqësore me shqiptarët e Kosovës.

Në planin e brendshëm, UÇK-ja, përbënte pikën kulmore në zhvillimin e lëvizjes për liri në Kosovën e pushtuar që paralajmëronte një kthesë historike në organizimin e shqiptarëve për liri dhe pavarësi nga Serbia. Për diplomacinë ndërkombëtare UÇK-ja përbënte bazën kryesore që t’i bënte presion Millosheviqit për negociata me përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës.

Rezistenca e Millosheviqit ndaj diplomatëve amerikanë në Dejton, gjatë vitit 1995, për mos hapjen e negociatave me shqiptarët e Kosovës për kthimin e një statusi autonom te Kosovës, ishte e madhe.

Dalja publike e UÇK-së dhe reagimi i diplomatëve ndërkombëtar ndryshoi skenën e Ballkanit përgjithmonë.

-Deklaratat kontroverse të Richard Gallbard ishin nxitëse për Millosheviqin i cili pa hezituar përdori brutalitetin dhe dhunën e forcave serbe, masakrat ndaj civileve shqiptarë në Drenicë, duke u bërë argument se ai regjim ishte diktatorial dhe okupues.

Analistët e CIA-s për Ballkanin, kishin informuar diplomatët amerikanë me parashikimin dhe analizat analitike se serbët pretendojnë që të formojnë Serbinë e madhe duke përdorur dhunë dhe pastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës . Gjatë viteve ‘91 dhe ‘92 përkrahje popullore të shqiptarëve të Kosovës për një rezistencë të mundshme kundër Serbisë pas mos përfshirjes së Kosovës në konferencën e Londrës-Hagës për Jugosllavinë, ishte më e madhe se në vitet 1996/97. Mirëpo ishte pikërisht diplomacia perëndimore që i sugjeronte përfaqësuesve shqiptarë në Kosovë që mos të binin pre e provokimeve serbe për të realizuar planet e tyre të shkatërrimit të strukturës etnike duke bërë pastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët. Këto konstatime i bazonin në mundësinë e një destabilizimi të gjithë regjionit të Ballkanit dhe pas një analizës së bërë ndaj kapaciteteve ushtarake në rajon dhe të Shqipërisë në veçanti.

Analiza e CIA-s e fundvitit 1992-1993, për mundësinë e ndihmës dhe përkrahjes nga ana e Shqipërisë dhe rezistencës së armatosur në Kosovë, ka përshkruar dhe ka dhënë në detaje fuqinë dhe kapacitetet ushtarake e teknike të Kosovës, ku parashihte që Serbia me kapacitetet e trashëguara të gjithë armatës Jugosllave përbënte rrezik për rajonin. Aq më keq, mund të kalonte brenda edhe territorit të Shqipërisë së veriut në emër te ndjekjes se guerilës së shqiptarëve të Kosovës.

Kështu, përkundër përkrahjes popullore në Kosovë për rezistencë të armatosur kundër brutalitetit të forcave serbe, nuk mendohej se do të kishte sukses. Sugjerimet e diplomatëve anglo-Amerikan në këto rrethana, potenconin se pasojat do të ishin të paparashikuara.

Analiza e agjencive informative amerikane e dhjetorit te vitit 1995, duke përfshirë edhe CIA-n e shihte Kosovën me interes të veçantë për SHBA-në. Analizat e shërbimeve amerikane për UÇK-në kishin filluar nga paraqitja publike e disa personaliteteve të rëndësishme dhe mediave vendore dhe ndërkombëtare duke qartësuar se nuk ishte vullneti i shqiptarëve dhe fuqia e tyre për t’i rezistuar forcave serbe, por ishin të detyruar t’i kundërvihen masakrave dhe gjenocidit të policisë dhe ushtrisë serbe në Kosovë.

Paraqitja e strukturave dhe intelektualëve që përfaqësonin konceptin dhe vizionin e UÇK-së, dhe idenë e qartë për lirinë e Kosovës, kishin filluar të kenë ndikim.

Intervista e Fehmi Lladrovcit dhënë BBC-së, në pranverën e vitit 1998, ishte shumë domethënëse për ekspertët ndërkombëtarë që ju sugjeronin diplomatëve të shtetit të tyre që të kenë takime direkt me përfaqësues të UCK-së.

Takimet me përfaqësuesi e UÇK-së në Kosove dhe perëndim me diplomatët perëndimor, këta të fundit filluan që të marrin në konsideratë disa liderë politikë të UÇK dhe filluan që të mbështeten në marrëveshjet dhe përgjegjësitë e tyre.

Profili i përfaqësimit politik të UÇK-së ishte në një mënyrë apo tjetër edhe përzgjedhje e diplomatëve perëndimorë të shtyrë nga diplomacia anglo – amerikane që filloi të bashkëpunojë në të mirë të paqes në Kosovë.

Në tetor të vitit 1998, amerikanët në mesin e shumë partnerëve për të arritur paqen në Kosovë e trajtonin edhe bashkëpunimin me UÇK-në si faktori më i rëndësishëm për një marrëveshje paqësore për Kosovën. Këtë e dëshmojnë shumë shkresa dhe dokumente të kohës të bëra nga zyrtarë të qeverive të kohës, e të cilat i disponoj po ashtu.

Sot, pas këtyre viteve organizimi politik e ushtarak që arriti dhe detyroi disa diplomaci të fjetura të organizojnë Konferencë ndërkombëtare për Kosovën, UÇK të quhet ndërmarrje kriminale është turp

Prof. dr. Lulzim Nika

Filed Under: Politike

PESHKOPATA ORTODOKSE SHQIPTARE E AMERIKAVE

December 26, 2023 by s p

† THEOFANI

Nga Mëshira e Perëndisë

Peshkop i Filomilisë

dhe i Peshkopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikave

LETËR BARITORE

LINDJA E KRISHTIT 2023

Klerikëve të nderuar dhe besimtarëve të krishterë ortodoksë, bij dhe bija anëtarë, mbështetës, dashamirës dhe miq të Peshkopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikave.

Hir, Mëshirë, Paqe dhe Gëzim nga Zoti ynë Jesu Krisht dhe nga ne, bekime atërore!

“Unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti”. (Luka 2:10-11)

Festa që po vjen para nesh përfaqëson përmbushjen e besëlidhjes midis Perëndisë dhe njerëzve. Foshnja Jesu, lindur në një grazhd në Betlehem, ndriçon jetën e secilit prej nesh dhe të gjithë botës, sepse edhe vitet janë shenjtëruar duke i numëruar nga Lindja e Zotit tonë Jesu Krisht. E gjithë krijesa mrekullohet me misterin e zbritjes së Perëndisë tek ne dhe dridhet nga përulësia e treguar nga Biri i Perëndisë, Ai që u lind në trup nga Nëna e Perëndisë dhe Gjithmonë Virgjëresha Mari.

Lindja e Krishtit Shpëtimtar, të cilën e gjithë krijesa gëzon, na bën të reflektojmë më thellë mbi misterin e Mishërimit, sepse mënyra e bashkimit të dy natyrave, Hyjnore dhe Njerëzore, në Personin e vetëm të Birit të Perëndisë, është modeli i unitetit të Kishës. Duke qenë një kungim teandrik, Kisha është Trupi mistik i Krishtit, në të cilin uniteti i besimtarëve imiton unitetin e Trinisë së Shenjtë. “Tubimi në Kishë është mbi të gjitha Misteri i dashurisë. Ne shkojmë në kishë për dashuri, për dashurinë e re të Vetë Krishtit, që na është dhënë në unitetin tonë”. (At Alexander Schmemann)

Nëpërmjet Mishërimit të Tij, Krishti Zot mori “zgjedhën e njerëzimit”, duke marrë në veten e Tij trupin universal të Kishës; “Ai nuk mori trupin e qiellit, por trupin e Kishës. Qielli është për Kishën dhe jo Kisha për qiellin”. Kreu i Kishës është Krishti Zot, i Cili u bë Njeri! Ai qëndron në lidhje të përjetshme

me njerëzimin dhe banon nëpërmjet Shpirtit në zemrat tona, “që, duke e pasur Atë në ne, të thërrasim me zë të lartë: “Avva! (At!)”, ne të mund të arrijmë lehtësisht në gjithë virtytin dhe, veç kësaj, të qëndrojmë të fortë dhe të pamposhtur përballë dredhive të djallit dhe kundërshtimeve”. (Shën Kirili i Aleksandrisë, Komente mbi Ungjillin e Shën Joanit, X, II, f. 983).

Shumë të dashur në Krishtin Jesu,

Uniteti shpirtëror i Kishës, i dhënë nga Krishti Zot në Frymën e Shenjtë, merr një përgjegjësi të madhe nga ne. Deklarata e njohur e Shën Qiprianit të Kartagjenës që thoshte: “Extra Ecclesiam nulla Salus”! (Jashtë Kishës nuk ka Shpëtim!), shpreh vërtet mësimin e Shpëtimtarit Jesu Krisht; se jashtë bashkimit të dashurisë, bazuar në besimin e drejtë, nuk ka Shpëtim. Çdo person, si anëtar i Kishës, jo vetëm që duhet të kujdeset për veten e tij, duke u ruajtur nga mëkati si dobësim i Unitetit Kishtar, por ai duhet të kujdeset për të afërmin e tij me përgjegjësi dhe dashuri sakrifice, siç na mëson Apostulli i Shenjtë Pavli: “Ecni denjësisht, sipas thirrjes me të cilën jeni thirrur, me gjithë përulësinë dhe butësinë, me durim të gjatë, duke falur njëri-tjetrin me dashuri, duke u detyruar të ruani unitetin e Shpirtit, në lidhjen e paqes. Është një Trup dhe një Shpirt i vetëm, ashtu siç u thirrët për një shpresë të vetme të thirrjes suaj; është një Zot, një besim, një pagëzim, një Perëndi dhe At i të gjithëve, i Cili është mbi të gjitha, përmes të gjithave dhe në të gjitha. Dhe secilit prej nesh na u dha Hiri sipas masës së dhuratës së Krishtit”. (Efesianëve 4:2-7).

Uniteti i Kishës duhet të jetë një model për unitetin shoqëror. Ashtu si dashuria hyjnore e shfaqur në personin e Shpëtimtarit Jesu Krisht është në themel të Kishës, ashtu edhe dashuria ndaj të afërmit është në themel të unitetit të Kombit, fakt për të cilin ne ndërmjetësojmë në Liturgjinë Hyjnore: “Duke lypur bashkimin e Besës dhe pjesëmarrjen e Shpirtit të Shenjtë, veten tonë dhe njëri-tjetrin, dhe gjithë jetën tonë, Krishtit, Perëndisë, le t’ja parashtrojmë “. (Liturgjia Hyjnore e Shën Joan Gojartit)

Festa e Lindjes së Zotit, e Vitit të Ri dhe e Pagëzimit të Zotit (Theofanisë), t’ju sjellë shumë paqe, shëndet, gëzim të bollshëm dhe forcë në shpirtrat tuaj!

Krishti u Lind, Lavdërojeni! Krishti është në tokë, lartësojeni!

I juaji me lutje në Zotin dhe Perëndinë e porsalindur Jesu Krisht, Shpëtimtarin tonë,

+Theofani

i Filomilisë dhe Dhioqezës Ortodokse Shqiptare të Amerikave

Filed Under: Opinion

Papa, Romës e Botës: me sytë e ngulur te Krishti Fëmijë, kërkoj paqe

December 25, 2023 by s p

Nga Lozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit, Papa Françesku shqipton mesazhin tradicional të Krishtlindjes dhe e çon mendjen në Tokën Shenjte, nën dhunë: “Të ndalen operacionet ushtarake dhe t’u hapen dyert ndihmave”. Pastaj, lutjet për Ukrainën, Sirinë, Libanin, Jemenin, Korenë, Afrikën. Ati i Shenjtë denoncon masakrat e shumta të të pafajshmëve në botë dhe tregtinë e armëve, që “lëviz fijet e luftërave”: “Sa para publike destinohen për armatime”

R.SH. / Vatikan

Të dashur vëllezër dhe motra, Gëzuar Krishtlindjen!

Sytë dhe zemrat e të krishterëve anembanë botës drejtohen sot nga Betlehemi; atje ku këto ditë mbretëron dhimbja dhe heshtja, kumboi lajmi i pritur ndër shekuj: “Për ty lindi Shëlbuesi, që është Krishti Zot” (Lk 2,11). Janë fjalët e engjëllit në qiellin e Betlehemit e na drejtohen edhe neve.  Mbushem me besim dhe shpresë kur mësojmë se Zoti lindi për ne; se Fjala e përjetshme e Atit, e Hyjit të pafundëm, e bëri shtëpinë e tij mes nesh. Ai u mishërua, erdhi “të jetojë mes nesh” (Gjn 1,14): ja lajmi që ndryshon rrjedhën e historisë!

 Me këto fjalë të Papës fillon mesazhi Urbi et Orbi, që Ati i Shenjtë, siç është traditë, ia drejton për Krishtlindje Romës dhe botës. E me këto fjalë, redaksia e gjuhës shqipe në Radio Vatikan / Vatican News, iu uron të gjithë juve, për shumë mot Krishtlindjen. Foshnja hyjnore sjelltë bekime e gëzime në të gjitha familjet e në jetën tuaj.

Në Betlehem – shpjegoi sot Papa në mesazhin Urbi et Orbi – shpallet një “gëzim i madh” (Lk 2:10). Çfarë gëzimi? Jo lumturia kalimtare e botës, jo gëzimi i argëtimit, por një gëzim “i madh” sepse na bën “të mëdhenj”. Sot ne, qeniet njerëzore, me kufizimet tona, rrokim sigurinë e një shprese të paparë, atë që na kujton se lindëm për Parajsë. Po, vëllai ynë Jezusi erdhi për ta bërë Atin e tij, Atin tonë: Fëmijë i brishtë, ai na zbulon butësinë e Perëndisë; e edhe shumë më tepër: Ai, Biri i vetëm i Atit, na jep “fuqinë për t’u bërë bij të Zotit” (Gjoni 1:12).

Ja pra gëzimi që ngushëllon zemrën, përtërin shpresën e dhuron paqen: është gëzimi i Shpirtit Shenjt, gëzimi se jemi fëmijë të dashur.

Vëllezër dhe motra, – nënvizoi Ati i Shenjtë – sot në Betlehem mes errësirës së tokës u ndez kjo flakë e pashuar, sot mbi errësirën e botës, sundon drita e Zotit “që ndriçon çdo njeri” (Gjoni 1,9). Le të gëzohemi për këtë hir. Gëzoju ti, që e ke humbur besimin dhe sigurinë, sepse nuk je më vetëm: Krishti lindi për ty! Gëzohu ti, që hoqe dorë nga shpresa, sepse Zoti po ta jep dorën: nuk të jep gishtin, por të shtrin dorën e tij të vogël prej ferishteje, për të të çliruar nga frika e nga mundimi dhe për të të treguar se në syte e tij ti vlen ma shumë se çdo gjë tjeter . Gëzohu, ti që nuk mund të gjesh paqe në zemrën tënde, sepse për ty është përmbushur profecia e lashtë e Isaisë: “Na lindi një fëmijë, na u dha një djalë […]  emri i tij do të jetë: […] Princi i Paqes” (9.5)”. Me Të “paqja nuk do të ketë mbarim” (9.6).

Në Shkrimin Shenjt, Princit të Paqes i kundërvihet “princi i kësaj bote” (Gjn 12,31), i cili, duke mbjellë vdekjen, vepron kundër Zotit, “dashuronjësit të jetës” (Dija, 11,26). E shohim në veprim në Betlehem kur, pas lindjes së Shëlbuesit, ndodh masakra e të pafajshmëve. Sa masakra të të pafajshmëve në botë: në barkun e nënës, në rrugët e të dëshpëruarve në kërkim të shpresës, në jetën e shumë fëmijëve, fëmijëria e të cilëve është shkatërruar nga lufta. Janë Jezusët e vegjël të sotëm.

Pra, t’i thuash “po” Princit të Paqes, do të thotë t’i thuash “jo” luftës, çdo lufte, vetë logjikës së luftës, udhëtim pa cak, humbje pa fitues, çmenduri pa justifikime – vuri në dukje Papa gjendjen aktuale, në të cilën ndodhet bota. – Por për t’i thënë “jo” luftës, duhet t’i thuash “jo” armëve. Mbasi, nëse njeriu, zemra e të cilit është e paqëndrueshme dhe e plagosur, mban mjete vdekjeje në duar, herët a vonë do t’i përdorë. E si mund të flasim për paqe, nëse rritet prodhimi, shitja dhe tregtia e armëve? Sot, si në kohën e Herodit, komplotet e së keqes, që i kundërvihen dritës hyjnore, lëvizin nën hijen e hipokrizisë dhe të fshehjes: sa masakra të armatosura ndodhin në heshtje shurdhuese, pa dijeninë e shumëkujt! Populli, që nuk do armë, por bukë, që lufton për të ecur përpara dhe për të kërkuar paqen, nuk e di sa para publike përdoren për armatim. E pra, ai duhet ta dijë! Duhet folur, duhet shkruar për të, që t’i dimë interesat dhe fitimet të cilët i lëvizin fijet e luftërave.

Isaia, i cili profetizoi Princin e Paqes, shkroi për një ditë kur “një komb nuk do ta ngrejë më shpatën kundër një kombi tjetër”; për një ditë, në të cilën njerëzit “nuk do të mësojnë më artin e luftës”, por “do t’i shkrijnë shpatat e tyre dhe do t’i bëjnë parmenda e shtizat e tyre do t’i shndërrojnë në drapinj” (2.4). Me ndihmën e Zotit le të bëjmë çmos që ajo ditë të afrohet! – kërkoi Françesku, duke përmendur më pas vendet e planetit, më të përflakura nga konfliktet.

U afroftë në Izrael dhe Palestinë, ku lufta trondit jetën e atyre popullsive. I përqafoj të gjithë, në veçanti bashkësitë e krishtera të Gazës dhe të gjithë Tokës Shenjte. Kam në zemër dhimbjen për viktimat e sulmit të dhunshëm të 7 tetorit dhe përsëris thirrjen e ngutshme për lirimin e atyre që janë ende peng. Lutem të marrin fund operacionet ushtarake, me pasojat e tyre të frikshme të viktimave të pafajshme civile dhe të korrigjohet situata e dëshpëruar humanitare duke lejuar mbërritjen e ndihmave. Mos vazhdoftë ushqimi i dhunës dhe i urrejtjes, por të zgjidhet çështja palestineze, përmes dialogut të sinqertë dhe këmbëngulës ndërmjet palëve, të mbështetur nga një vullnet i fortë politik dhe nga ndihma e bashkësisë ndërkombëtare.

Mendimi im shkon më pas te popullsia e Sirisë së martirizuar, si dhe tek ajo e Jemenit, që vijon të vuajë. Mendoj për popullin e dashur libanez dhe lutem që së shpejti të gjejnë stabilitet politik dhe social.

Me sytë e ngulur te Krishti Fëmijë, kërkoj paqe për Ukrainën. Ta përtërijmë afërsinë tonë shpirtërore dhe njerëzore me popullin e saj të munduar, që me mbështetjen e secilit prej nesh ta ndjejnë konkretësinë e dashurisë së Zotit.

U afroftë dita e paqes përfundimtare ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit. U inkurajoftë nga vazhdimi i nismave humanitare, kthimi i të shpërngulurve në shtëpitë e tyre lirisht dhe në siguri si dhe respekti i ndërsjellë për traditat fetare dhe vendet e kultit të çdo bashkësie.

Të mos harrojmë tensionet dhe konfliktet që tronditin rajonin e Sahelit, Bririn e Afrikës, Sudanin, si dhe Kamerunin, Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut.

Ardhtë dita kur lidhjet vëllazërore në gadishullin Korean do të forcohen, duke hapur shtigje dialogu dhe pajtimi që mund të krijojnë kushtet për paqe të qëndrueshme.

Biri i Zotit, që u bë Fëmijë i përvujtë, frymëzoftë autoritetet politike dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë në kontinentin amerikan, që të gjenden zgjidhje të përshtatshme për të kapërcyer mosmarrëveshjet sociale dhe politike, për të luftuar kundër formave të varfërisë që fyejnë dinjitetin e njerëzve, për t’i rrafshuar pabarazitë dhe për të përballuar fenomenin e dhimbshëm të migrimit – vijoi Ati i Shenjtë.

Nga Shpella e Betlehemit, Foshnja na kërkon të jemi zëri i atyre që nuk kanë zë: zëri i të pafajshmëve, që vdiqën për mungesë uji dhe buke; zëri i atyre që nuk gjejnë punë ose e kanë humbur; zëri i atyre që detyrohen të largohen nga atdheu në kërkim të një ardhmërie më të mirë, duke rrezikuar jetën e tyre në udhëtime sfilitëse dhe në mëshirën e trafikantëve të paskrupullt.

Vëllezër dhe motra, – iu drejtua Papa besimtarëve, që e kishin mbushur plot Sheshin e Shën Pjetrit – po afron koha e hirit dhe e shpresës së Jubileut, e cila do të fillojë pas një viti. Kjo periudhë e përgatitjes është mundësi për kthimin e zemrës; për t’i thënë “jo” luftës dhe “po” paqes; për t’iu përgjigjur me gëzim ftesës së Zotit që na thërret, ashtu siç profetizoi Isaia, “për t’u sjellë lajme të mira të varfërve, / për të lidhur plagët e zemrave të thyera, / për të shpallur lirinë e skllevërve, / për lirimin e të burgosurve (Is. 61,1).

Këto fjalë u përmbushën në Jezusin (shih Luka 4:18), që lindi sot në Betlehem. Ta mirëpresim, t’ia hapim zemrat Atij, Shëlbuesit, Princit të paqes! – me këto fjalë e përfundoi Papa Françesku mesazhin Urbi et Orbi.  

Në përfundim, të gjithë atyre, që morën bekimin e tij apostolik, edhe përmes mjeteve të komunikimit, Ati i Shenjtë u dha ndjesën e plotë sipas normave të zakonshme të Kishës Katolike, që parashikojnë pendesën e rrëfimin e mëkateve.

Filed Under: Sociale

Vatra, shpirti i shenjtë i patriotizmës dhe shqiptarizmës

December 25, 2023 by s p

Andrea Sotir Pani/

Ngritja e degës së Vatrës në Boston është një eveniment historik që unë si stërnip i Josif Panit, nip Vasil Panit dhe i biri Sotir Panit i edukuar me atdhedashurinë dhe i rritur me historinë e Vatrës ju bashkëngjita grupit organizues të Bostonit dhe kandidova për të dhënë kontributin tim për këtë organizatë të vyer me histori unike dhe të lavdishme patriotike. Falenderoj të gjithë vatranët e vjetër dhe të rinj të Bostonit, kryetarin e Vatrës, kryesinë, Këshillin dhe të deleguarit e kryesisë së Vatrës që ndodheshin në kuvënd për nderin dhe respektin që kanë treguar për famijen Pani ndër vite dhe sërishmi në kuvëndin zgjedhor të Vatrës së Bostonit. Falenderoj të gjithë pjesëmarrësit për nderimin dhe respektin që më bënë si person, si histori familjare dhe mbi të gjitha si Vatër e të gjithë shqiptarëve të Amerikës. Amaneti, nderi dhe respekti, fjalët e z. Malota i cili solli në jetë një dialog midis Kostë Çekrezit dhe Vasil Panit mi njomën sytë. Urime z.Mentor Maksutaj dhe suksese degës së Vatrës Boston. Uroj që Vatra të eci gjithmonë në gjurmët dhe me idealin e atyre që e themeluan. Rrënjët e saj duhet të ushqehen nga brezi i ri që të mos shuhet kurrë, por ta trashëgojmë nder breza. Unë jam gati të ndihmoj për këtë mision dhe betohem në emër të Zotit dhe për këtë flamur që do ta mbaj amanetin e të parëve të mi dhe do bëj ç’është e mundur për ta pasuar tek pasardhësit e mi. Jam krenar dhe i gëzuar që Vatra qëndron e shenjtë, shpirti i patriotizmit dhe

shqiptarizmës qëndron i gjallë në zemrat tona. Me krijimin e Vatrës Boston komuniteti shqiptar i Bostonit dhe rrethinave të tij u zgjua nga gjumi i gjatë letargjik. Falenderimet më të veçanta i takojnë grupit organizator për punën e shkëlqyer. Këtij grupi patriotik me vizion unë iu bashkëngjita që në hapat e para i frymëzuar nga vepra e atyre që themeluan dhe e mbajten Vatrën gjallë ndër dekada. Midis tyre, stergjyshi dhe gjyshi tim Josif e Vasil Pani kanë pasur një rol dhe ndikim jashtëzakonshëm. Ata luftuan me penë, pushkë dhe të holla për atdheun

dhe mëmëdheun e tyre. Vasil Pani financoi personalisht në vitet e depresionit të madh për

ta patur Vatrën edhe sot të fortë e trashëguese të jetëgjatësisë historike. Faik Konica në gazeten Dielli është shprehur: “Josif Pani ishte një shqiptar me karakter të shëndoshë, një nacionalist me ndjenja të kthejllta, një bashkëpunëtor imi i vjetër dhe një mik i patundur”. Ndërsa Noli shprehet se Vasil

Pani ka qenë gjithmonë në ballë të taborrit të shqiptarizmës”. Duke marrë pjesë në punën patriotike të Vatrës në Boston, i qëndroj besnik misionit patriotik dhe amanetit të të parëve të mi të cilët me patriotizmin e tyre më frymëzuan dhe edukuan me dashurinë për atdheun tim. Historikisht shqiptari ka qenë dinjitoz, i qetë dhe krenar se ka luftuar për atdheun dhe mëmëdheun e tij. Ne po e forcojmë Vatrën në vendlindjen e saj në Boston. Mendoj që duhet të punojmë fort dhe t’ia lëmë stafetën brezit të ri që Vatra të ketë një të ardhme të sigurtë dhe të ndritur si vetë historia e saj. Nderim dhe respekt themeluesve të Vatrës dhe atyre që e mbajtën Vatrën gjallë deri më sot. Zoti na ndihmoftë që të trashëgohet brez pas brezi. Rroftë populli shqiptar, kombi shqiptar dhe miqtë tanë kudo ku ndodhen.

Filed Under: Komunitet

Papa falënderon Kardinal Ernest Simoni për dëshminë, me rastin e 60-vjetorit të arrestimit

December 25, 2023 by s p

https://www.vaticannews.va/

Papa kardinalit shqiptar Simoni: “Dëshiroj t’Ju shpreh afërsinë time shpirtërore me rastin e 60-vjetorit të arrestimit tuaj. Faleminderit për dëshminë, faleminderit për çka bëre e bën për Kishën. Vijo të jesh ikona gëzimplote e dashurisë së Krishtit, Bariut të Mirë, që flijoi jetën për të gjithë. Duke Ju uruar Krishtlindje të Shenjta, ju jap me gjithë zemër bekimin tim, të cilin e shtrij edhe mbi të gjithë ata të cilët ndajnë me ty këtë çast hiri”.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku i shpreh afërsinë shpirtërore kardinalit Ernest Simoni, sot, kur mbushen 60-vjet nga arrestimi i tij nga regjimi komunist në Shqipëri, duke i uruar përzemërisht Krishtlindjen.

Françesku falënderon Kard. Ernest Simoni për dëshminë, dhënë për Kishën  

Letra Papëa dërguar kardinalit Simoni

Letra Papëa dërguar kardinalit Simoni

Më poshtë, Letra papnore:

Nga Vatikani 30 dhjetor 2023

I dashur Vëlla,

Dëshiroj t’Ju shpreh afërsinë time shpirtërore me rastin e 60-vjetorit të arrestimit tuaj. Faleminderit për dëshminë, faleminderit për çka bëre e bën për Kishën. Vijo të jesh ikona gëzimplote e dashurisë së Krishtit, Bariut të Mirë, që  flijoi jetën për të gjithë.

Duke Ju uruar Krishtlindje të Shenjta, ju jap me gjithë zemër bekimin tim, të cilin e shtrij edhe mbi të gjithë ata të cilët ndajnë me ty këtë çast  hiri. Lutuni për mua, ashtu si e edhe unë do të lutem për Ju e të dy do të lutemi për paqen në botë.

Vëllazërisht

Françesku

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT