• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2023

Roli i Klerit Ortodoks Shqiptar në themelimin e “Vatrës”, kontributi për Pavarësinë e Shqipërisë dhe formimin e Shtetit Shqiptar

December 20, 2023 by s p

Nga Arhimandriti +THEOFAN (Koja) Ph.D./

Kur përpiqemi të flasim sot për Federatën Gjithë-Shqiptare në Amerikë, akti i krijimit të saj është i pandashëm me rolin vendimtar të Klerit Ortodoks Shqiptar këtu në SHBA, dhe ky është një fakt i pamohueshëm.

Ndonëse Federata “VATRA” u themelua 111 vjet më parë, nuk mund të harrojmë paraardhësen e saj: Organizatën “BESA-BESËN” e themeluar më 6 janar 1907 nga Fan Noli, i cili dy vjet më vonë, boton Gazetën “DIELLI”, më 15 shkurt 1909. Ishte kjo organizatë, njerëzit e saj, themeluesi dhe gazeta e saj që u bënë thelbi dhe shtylla e asaj që do të bëhet organizata më e madhe shqiptare nga të gjitha të tjerat.

Figura më e shquar në historinë e Federatës “VATRA” është prifti i atëhershëm ortodoks i sapo dorëzuar Fr. Theophan (Fan) Noli, i cili ishte jo vetëm një nga organizatorët e Federatës “VATRA”, por për shtatë vjet ai disa herë ka qenë redaktor i Gazetës Shqiptare “DIELLI”. Në vitin 1918 ishte themelues i revistës mujore “THE ADRIATIC REVIEW” (“Pasqyra e Adriatikut”), e cila u bë më vonë botim i “VATRËS”. Ai ishte edhe themelues i së përjavshmes “REPUBLIKA”.

Vitet më të rëndësishme dhe vendimtare për Federatën “VATRA” ishin 1915 dhe 1917 kur At Theofan (Fan) Noli u zgjodh Kryetar i “VATRËS”. Si një organizatë e sapoformuar, “VATRA” duhej të organizohej mirë, të afirmohej, duke fituar popullaritet jo vetëm në mesin e bashkëatdhetarëve shqiptarë, por duke u bërë një organizatë më e madhe dhe shndërruar atë një institucion të respektuar mbarëbotëror në qarqet politike, diplomatike, kulturore të asaj kohe.

Në atë kohë, Federata “VATRA” gjeti personin e duhur që i përshtatej në mënyrë të përkryer nevojave të saj, duke e shndërruar atë në një organizatë jashtëzakonisht aktive, e cila mund të lobonte me sukses në favor të Çështjes Kombëtare Shqiptare.

Që nga ajo kohë e tutje, At Theofan (Fan) Noli do të bëheshe zëri zyrtar i Federatës “VATRA” në botë, veçanërisht në Lidhjen e Kombeve, si dhe në pothuajse të gjitha kryeqytetet dhe qeveritë më të rëndësishme evropiane të asaj kohe. Ai u bë një maratonist i vërtetë që vrapoi për kauzën e kombit të vet, duke mbajtur lart në dorë pishtarin me dritën e lirisë shqiptare, duke u bërë në fund të atij vrapimi të gjatë i njëjti pishtar që ndriçoi ata që kishin më shumë nevojë.

Është një fakt i njohur tashmë, se për shkak të Luftës së Parë Botërore, gjatë asaj kohe, Shqipëria nuk kishte qeveri, prandaj Këshilli Ekzekutiv i “VATRËS” veproi si një qeveri shqiptare në mërgim.

Vlen të theksohet këtu se “VATRA” ka ndihmuar financiarisht At Theofan (Fan) Nolin gjatë gjithë karrierës së tij diplomatike, madje edhe më pas kur u dorëzua në Gradën Peshkopale më 21 nëntor 1923, duke u bërë Kryepeshkop i Shqipërisë.

Një tjetër figurë e shquar e Federatës “VATRA” është At Vasil Marku, i cili u dorëzua prift dhe u emërua prift i Kishës Ortodokse Shqiptare së Shën Dhimitrit, Dëshmor i Madh, në St. Louis Missouri. At Vasil Marku ishte tejet i përfshirë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, veçanërisht në çështje të rëndësishme që kishin të bënin me pavarësinë e Kishës Ortodokse Shqiptare nga Patriarkana Ekumenike.

At Vasil Marku e kuptoi fare mirë në atë kohë se për të pasur një shtet të pavarur shqiptar ishte e domosdoshme që Kombi Shqiptar të kishte edhe një Kishë Ortodokse të pavarur, duke iu referuar rregullit të përgjithshëm “Kishë e pavarur në Shtet të pavarur”. Ai ishte shumë aktiv në përpjekjet e tij për Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare.

Puna e tij e jashtëzakonshme u finalizua me veprën më të madhe; thirrjen Kongresin e Parë Panortodoks në Berat të Shqipërisë më 10 shtator 1922 i cili do të hyjë në historinë shqiptare si Kongresi Themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ai u zgjodh në këtë Kongres si Kryetar i Këshillit të Lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Për shtatë vjet, nga viti 1922 deri në vitin 1929, ai drejtoi punët e Kishës Ortodokse Autoqefale të sapoformuar të Shqipërisë, duke ndjekur hap pas hapi platformën e planifikuar dhe hartuar me kujdes, ndërsa ndodhej në Shtetet e Bashkuara së bashku me At Theofan (Fan) Nolin dhe me At Vangjel Çamçen.

At Vasil Marku punoi pa u lodhur dhe me zell të madh për organizimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, për rritjen e saj dhe vendosjen e marrëdhënieve me kishat e tjera ortodokse simotra në mbarë botën, duke punuar njëkohësisht në drejtim të njohjes së saj.

Si rezultat i këtyre shtatë viteve të suksesshme dhe të frytshme, erdhi koha për të thirrur Kongresin e Dytë Panortodoks që u mbajt në Korçë të Shqipërisë më 16 qershor 1929, ku u deklarua se puna për një Kishë Ortodokse Autoqefale e cila ishte e organizuar dhe plotësisht funksionale ishte kryer me sukses dhe kishte përfunduar. Ky Kongres miratoi Statutin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe krijimin e Sinodit të Parë Ortodoks Shqiptar.

Kongresi e nderoi At Vasil Markun duke i dhënë titullin “Ikonom i Madh Mitrofor” (Mitërbartës) më 24 shkurt 1929, si dhe duke e bërë atë, anëtar të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Në vitin 1923 At Vasil Marku udhëhoqi delegacionin shqiptar në Kostandinopojë për të diskutuar çështjen e Autoqefalisë.

I lindur në Vlorë, në vitin 1857, shkollën fillore e mbaroi në Vlorë. Ai u rrit me tregimet që tregonin të parët për trimat, luftërat dhe shenjtorët e vjetër të Spiranicës dhe Manastirit të Zvërnecit. Shkollën e mesme dhe të lartën e bëri në Janinë. Më vonë, Marko Moçka, me dëshirën patriotike dhe fetare i thirrur nga Perëndia shkoi në SH.B.A., ku studioi më tej nga ku diplomohet me tituj e grada teologjike. Në vitin 1911 të Vjeshtës së Parë, një grup studentësh shqiptarë në Amerikë të udhëhequr nga At Marko Moçka u takuan me Presidentin e 28-të të SHBA-së, Uillson, takim që mund të quhet edhe si fillimi i marrëdhënieve midis personaliteteve shqiptare dhe amerikane të asaj kohe, nga ku morën mesazhin dhe dakordësinë për moscopëtimin e Shqipërisë dhe Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë.

Pas këtij suksesi kthehet në Shqipëri dhe hyn në lidhje me Ismail Bej Qemalin. Nga Londra, Plaku i Urtë e përgëzon për këtë nisëm shpirtërore dhe patriotike, ku midis të tjerave i shkruan: “Siç kemi biseduar herë të tjera, duhet të ngremë së bashku Flamurin tonë”. Ndërsa At Marko Moçka i përgjigjet: “Mirë se të vini Ismail Bej, besimtarët, patriotët dhe e gjithë Shqipëria ju presin dhe mirë se të vini si një burrë i Kombit”.

Në 28 Nëntor 1912, në mes të tribunës së Pavarësisë, ku valëvitej Flamuri i Skënderbeut, Ismail Bej Qemali i drejtohet përballë At Marko Moçkës dhe i thotë: “U lodhe, o At”? “Ismail Bej, – ia ktheu Ati, – Po u mor me punë të mëdha e të ndritura, njeriu i Zotit nuk lodhet kurrë!” Të dy burrat rrokën duart dhe puthën Flamurin Kuq e Zi. Kështu, midis përfaqësuesve të tre komuniteteve fetare u bekua flamuri i ynë, në ditën e Flamurit. Kjo ngjarje pati jehonë të madhe në Shqipëri dhe Amerikë: “At Marko Moçka nga SHBA-ja në Vlorë për Ditën e Flamurit”… ishte titulli i artikujve të shkruar në gazetat “DIELLI”, “ILIRIA”…, një kartolinë austriake paraqet daljen ceremoniale të Ismail Qemalit në datën 28 Nëntor 1912, ora 17-30, duke ngritur flamurin, me Luigj Gurakuqin, Hoxhën Haxhi Muhametin, Priftin Marko Moçka etj., në Sarajin e Selamllëkut të familjes Vlora.

Presidenti i SHBA-së Uillson e ka vlerësuar At Marko Moçkën, Shqipërinë dhe në një takim tjetër me të. Këtu kemi një pjesë të mesazheve midis tyre, si vijon: “I nderuari z. President i SHBA-së, Pavarësinë e Shqipërisë e shpallëm! … Mesazhin tuaj për moscopëtimin e tokave shqiptare dhe për mos qenë të varur e lexuam Ditën e Flamurit, më 28 Nëntor 1912 dhe u prit me duartrokitje e brohoritje të fuqishme, Shqipëria dhe shqiptarët do t’i jenë mirënjohës SHBA-së dhe juve Z. President”! Pas kësaj, Presidenti Uillson i përgjigjet duke shkruar: “Gëzohem shumë që ju takoj përsëri Z.Marko dhe u informova se gjithçka shkoi shumë mirë. Ta gëzoni Pavarësinë! … Këtë takimin tonë mund ta quajmë edhe si fillimin e marrëdhënieve miqësore shqiptaro-amerikane; apo jo, z. Marko”?!

 Në vitet e mëpasme At Marko Moçka i futet një aktiviteti fetar për mëmëdhenë duke predikuar në meshat e tij frymën patriotike, dashurinë për atdheun dhe për një Shqipëri të lirë demokratike. Duke pasur dhe përkrahjen e patriotëve të mëdhenj si; Petro Nini Luarasi, Thimi Mitko, Jani Vreto, e zgjeroi këtë aktivitet duke e shtrirë edhe në kishat e tjera të vendit. Në vitin 1922 në Berat zgjidhet anëtar i Këshillit të Lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë me Kryetar At Vasil Markun.

Kur flitet për veprën më të madhe në jetën e Kishës Ortodokse Shqiptare që është Autoqefalia e saj, ka edhe një tjetër figurë aktive në personin e At Vangjel Çamçes.

Ai emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1913 ku menjëherë spikati si një aktivist i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ai u dorëzua prift në vitin 1919 në Jamestown, Nju Jork dhe më vonë u zhvendos në Natick Massachusetts, ku themeloi një komunitet të ri të Kishës Ortodokse Shqiptare të Shën Mërisë.

Ai u kthye në Shqipëri në vitin 1921 ku një vit më vonë në 1922 u ngrit në gradën e Arhimandritit dhe iu dha emri Agathangjel. Në shkurt të vitit 1929 dorëzohet peshkop nga Hirësia e Tij Peshkop Visarioni dhe Hirësia e Tij Peshkop Viktori, duke u emëruar në Dioqezën e Beratit, Vlorës dhe Kaninës. Në vitin 1941 Imzot Agathangjeli u fronëzua si Mitropolit i Korçës në Shqipëri.

At Vangjel Çamçe bashkëpunoi ngushtë me At Theofan (Fan) Nolin në Boston dhe me At Vasil Markun në St. Louis për të krijuar the Kryepeshkopatën Ortodokse Shqiptare të Amerikës, e cila u themelua më 16 mars 1919 në Kongresin e Kishave Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Siç e përmendëm më lart, mes këtyre tre klerikëve ekzistonte një marrëdhënie e veçantë, jo vetëm si miq të mirë, por edhe si organizatorë të mirë dhe persona me vizion të madh për të ardhmen e Kishës Ortodokse Shqiptare në veçanti dhe të Kombit Shqiptar në përgjithësi.

Një figurë e rëndësishme e Komunitetit Shqiptar në Shtetet e Bashkuara është dhe At Stathi Melani. Ai është bërë sinonim i rezistencës dhe luftës për një Shtet të Pavarur Shqiptar, të lirë nga pushtuesit, të tokës ku njerëzit mund të flasin, këndojnë dhe luten në gjuhën e tyre të bukur dhe një vend ku fëmijët dhe brezi i ri mund të arsimohen në shkolla ku gjithçka mësohet në gjuhën e tyre amtare.

Pasi doli nga burgu në Shqipëri ku ishte burgosur për veprimtarinë e tij të fortë patriotike, u largua për në Shtetet e Bashkuara. Në fillim të dhjetorit ai arriti në Boston dhe u prit me nderime të mëdha.

Ai erdhi në Shtetet e Bashkuara jo sepse kishte frikë nga armiku i vendit dhe ishte i frikësuar për jetën e tij, por erdhi këtu për të ndërgjegjësuar komunitetin shqiptar në SHBA për situatën e rrezikshme në Shqipërinë e asaj kohe, duke bërë thirrje për mbështetje morale dhe materiale. Ai ishte gjithmonë në lëvizje nga një cep i vendit në tjetrin, duke u përpjekur t’i bindte njerëzit të ktheheshin në atdhe dhe të luftonin për vendin e tyre.

Pasi qëndroi këtu në SHBA për tre vjet, në fillim të vitit 1917 vendosi të kthehej në Shqipëri. Ai u përfshi menjëherë në lëvizjen patriotike për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit.

At Stathi Melani ishte mjaft i njohur ndër udhëheqësit e tjerë patriotë, si Mihal Grameno etj.

Atij i zunë pritë dhe u vra barbarisht nga grekët në Vigjiljen e Krishtlindjes, më 24 dhjetor 1917. Atij i’u pre koka dhe i’u dërgua në Greqi për t’ja u treguar atyre që vendosën një çmim për kokën e tij, duke dhënë urdhrat për vrasjen e tij.

Vrasja e tij krijoi një reagim të madh tek shqiptarët në Shqipëri dhe jashtë saj. Një pikëllim i madh u shpreh për figurën madhështore të At Stathi Melanit, madje edhe At Theofan (Fan) Noli shkruajti: “Nuk jam në gjendje t’i përshkruaj shërbimet e mëdha dhe të jashtëzakonshme që ai i bëri atdheut. Por shërbimet e tij të larta dhe të rralla do të mbeten në histori. Nuk ka zemër shqiptare që të mos brengoset për vdekjen e tij. Nuk ka asnjë sy shqiptari që nuk do të derdhë lumenj lotësh për martirin e madh heroik dhe të pavdekshëm të Shqipërisë, At Stathi Melani”. Për ta nderuar atë, At Theophan (Fan) Noli mbajti një shërbesë përkujtimore në Worcester të Massachusetts.

Në fjalën përmbyllëse mund të themi se Federata Gjithë-Shqiptare e Amerikës “VATRA” ka qenë që nga themelimi i saj një mbështetëse e fuqishme e Komunitetit Shqiptar këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jo vetëm, ka qenë një faktor kyç në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm për unitetin tonë kombëtar në mbarë botën.

“VATRA” shqiptare përgjatë këtij shekulli ka krijuar dhe promovuar vlera të mëdha në arsim, letërsi, botime, arte, fe, politikë dhe diplomaci.

Ky ka qenë një shekull i mbushur me suksese dhe arritje të mëdha që na bën të gjithëve krenarë që jemi të lidhur me të, një pasuri e trashëgimisë sonë të lavdishme kombëtare, një organizatë e shkëlqyeshme, një diamante, që edhe pas 100 vjetësh, ende shkëlqen mrekullisht.

Zoti e bekoftë “VATRËN” shqiptare.

Perëndia i bekoftë shpirtrat e themeluesve të “VATRËS” shqiptare dhe i prehtë në paqe!

Perëndia e bekoftë Amerikën, atdheun e trimave dhe tokën e lirisë ku patriotët shqiptarë, ata të atëherëshmit dhe këta të sotshmit, kanë lulëzuar dhe kanë pasur mundësinë të luftojnë dhe të punojnë për atdheun e tyre, Shqipërinë tonë të shtrenjtë dhe të dashur!

(Botuar me shkurtime)

Filed Under: Politike Tagged With: THEOFAN (Koja)

Francesk Radi The Indomitable Musician – Trilingual Monograph by Tefta Radi Launched in Melbourne

December 19, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

To promote the new release of The Indomitable Musician – Der Musiker und Die Diktatur – Gjurmë në Pentagram, a trilingual monograph of Francesk Radi by Tefta Radi, the organizers hosted a book launch on Friday at RMIT, Royal Melbourne Institute of Technology, a public research university in Melbourne, Australia.

Miranda Xhilaga, Director, Research Program and Perparim Xhaferi, Research Fellow at RMIT moderated the event that had both an on-site audience and guest speakers as far away as Florida, Virginia, New York, Worcester and Wisconsin engaging in one-and-a-half hour long discussion about the book. Authored by Tefta Radi, a career TV personality of RTSh – Radio Televisioni Shqiptar – and wife of the esteemed singer songwriter, the book tells the story of a gifted musician with a unique style and a signature voice who despite receiving a harsh punishment by Albania’s authoritarian system made a successful comeback into the music scene that is truly inspirational.

Footage of a 2019 film documentary produced by Tefta Radi and a touching message from their daughter who resides in Germany set the scene for the new book promotion. In her presentation, Dr. Lidia Radi, Professor of Languages, Literatures and Cultures, University of Richmond, Virginia, and also a family member examined the political and historical factors that contextulized the events described in the monograph.

Talking about Radi’s impact, Mimoza Arapi, a reporter and artist who lives in New York, said that the story transcends the time period of a generation that was cut down in its prime, therefore “it’s about censorship of free thinking and individuality.” Furthermore, said Raimonda Moisiu, guest speaker and a Florida freelance journalist, “his notes equipped with the strength of rebellious dreams were embraced by us as part of our collective awareness.”

As far as making the product available and accessible to a wider audience, the author decided to have it written in three languages: Albanian, English and German, “which was a major endeavor,” said publisher Kit Russell. Included in it are singer’s manuscripts and photos, some of which are part of family records and some are obtained from the state archives, a few of them published for the first time in the book.

During the presentation, author Tefta Radi touched on a number of contributions credited to “Franko” Francesk Radi, such as the elevation of a new genre of Albanian Pop music, arrangements of Albanian folk songs, Albanian version of American classics like White Christmas – Krishtlindjet e Bardha – and Elvis Presley song covers culminating with a whole list of Beatles titles – a tribute to one of Radi’s early and most enduring influences.

From a young age, Radi found himself in music and developed his signature voice along with a recognizably distinctive style that stood out. As punishment, he was sent away to be re-educated in a remote location of Northwest Albania in the 70s. With the collapse of communism, two decades later, Radi came back to the stage with his talents and his guitar to delight the audiences.

A singer, songwriter, composer and multi-instrumentalist, Franko, who passed away in 2017 at the age of 67 in Albania, “created a body of work that brought innovation to the light music genre and did it with an individual style that raised the bar for other musicians,” organizers said. In her remarks, Tefta Radi stated “What makes the book special are the transcripts of Franko’s best musical creations, which represent Albanian pop music of the seventies.” Welcoming this new addition to the biography genre of Albanian musicians and specifically “Franko” who not only survived but made an impact as an artist, Ardian Murraj, a seasoned freelancer of broadcast and print media in Worcester, also a friend and colleague of the Radis from Albania, suggested to have the book included in the inventory of local and public libraries in the US.

The book is printed by Busybird Publishing and contains 446 pages. It is available for purchase on several online sites. Tefta Radi is the winner of multiple media awards. Currently she resides in Melbourne, Australia.

May be a graphic of 5 people, television and text that says 'PROMOVIM LIBRIT "FRANÇESK RADI, MUZIKANTII PAEPUR" Albania 70s, Rock music, the Dictatorship FRANCESK RADIN FRANÇESERAM Dokumentari Xhaferi P0 "But the regime did not realised that the sound of music can not be jailed' Univ. Melbourne, Ndërlidhja me diasporën shqiptare Letra e pa nisur për Adriano Celentano'

Like

Comment

Filed Under: Analiza

‘Feliz Navidad’ historia e një këngë Krishtlindjesh

December 19, 2023 by s p

Nga Rafael Floqi/

Kënga klasike e José Feliciano “Feliz Navidad” mbushi 52 vjet këtë vit, një moment historik që u festua me ri-imagjinimin e parë të madh të këngës, me një linjë produktesh përkujtimore, një libër për fëmijë dhe një speciale për Krishtlindje. Këtë javë, “Feliz Navidad” u ngjit në vendin e 10-të në tabelën e këngëve të Billboard Hot 100 – paraqitja e saj e parë në top 10 në tabelë (sezonin e kaluar të festave të fundvitit ajo arriti në vendin e 12-të), një arritje befasuese për një këngë të vjetër 50 e sa -vjeçare në versionin e saj origjinal. Kaq e rëndësishme është “Feliz Navidad” për historinë e muzikës latine në përgjithësi, saqë është kapitulli i hapjes së librit të ardhshëm të Lejla Kobo, “Deshifrimi i Despacito-s”: Një histori gojore e muzikës latine”, që u botua nga Vintage Books në anglisht dhe spanjisht më 2 mars 2021. Libri përmban 19 këngë që kanë formësuar historinë e muzikës latine, historitë e tyre të treguara nga artistët, kompozitorët, producentët, menaxherët, drejtuesit, aranzhuesit dhe nganjëherë gratë dhe burrat që i sollën ato në jetë.

Ato 19 këngë fillojnë me “Feliz Navidad” – padyshim hiti i parë spanjoll në anglisht. Për nder të përvjetorit të këngës, arritjes së saj të re në listë dhe, natyrisht, Krishtlindjeve, këtu po shtjellojmë një fragment të përmbledhur të tregimit “Si u krijua “Feliz Navidad”. Këtu rrëfimet e dy krijuesve vijnë janë në ligjëratë të drejtë.

Rick Jarrard: Ne kemi qenë miq për kaq shumë vite me Jose. Ne jemi vëllezër. Ai më telefonon çdo ditë dhe çdo natë dhe ne përfundojmë duke pasur një Grand Marnier ose diçka në telefon. Pak përshëndetje. Unë jam një admirues i madh i muzikës latine. Hë mor burrë, se më pëlqen perkusioni. Dhe kjo është një nga arsyet që e kam dashur José ( Hoze) dhe jam përpjekur gjithmonë, madje qysh në albumin e parë, i thosha, “Hej, Hoze, le të spërkasim pak spanjisht atje”.

José Feliciano: Nuk e prisja kurrë që “Feliz Navidad” të ishte kaq këngë ikonike. Ndihesha disi i vetmuar për familjen time në Porto Riko, dhe Rick dhe unë po bënim albumin e Krishtlindjeve dhe Rick më tha: “E di, José, duhet të shkruash një këngë Krishtlindjesh.” Dhe unë e pashë atë paksa i hutuar dhe i thashë: “Rick, nuk e di se mund të shkruaj një këngë Krishtlindjesh aq të mirë sa ato që janë tashmë atje. Ashtu si këngët e Mel Tormé dhe grupit të tij.” Rick tha: “Jo, mor burrë , thjesht shkruaje këngën.” Dhe unë shkrova tekstin e parë të këngës: “Feliz navidad, Feliz navidad, prospero año y Felicidad [Gëzuar Krishtlindjet, gëzuar Krishtlindjet dhe një Vit të Ri të lumtur e të begatë].”

Rick Jarrard: Unë thashë: “Kjo mor burrë, më pëlqen!” Dhe ai tha, “Ricky, kjo është kaq e thjeshtë, askush nuk do ta pëlqejë kurrë këtë këngë.” Unë thashë, “Jozé, ne po e regjistrojmë atë në seancën të ardhshme.” Kjo është një gjë për Jose: Ne kemi punuar gjithmonë së bashku dhe e kemi respektuar jashtëzakonisht njëri-tjetrin. Dhe nëse unë dua të provoj diçka, dhe ai do ta provojë. Dhe nëse ai dëshiron të provojë diçka, unë do t’i them: “Mirë, le ta bëjmë”. Dhe ai ishte i hapur për këtë dhe ne e vendosëm atë në seancën tjetër dhe, dhe ja, morëm “Feliz Navidad”.

José Feliciano: Dhe pastaj thashë me vete: “Epo, më lejoni ta bëj dygjuhësh, që stacionet e radios të mos ma fikin.” Kam krijuar një përbindësh dygjuhësh. Sepse kjo këngë është bërë kënga ikonike e Krishtlindjeve. Oh, me siguri. Disku i vetëm “latin” i Krishtlindjeve që kishit dëgjuar në anglisht gjer atëherë ishte “Dónde Esta Santa Claus [Ku është Santa Klaus]” [një hit i ri i vitit 1958, i realizuar nga ylli i fëmijëve Augie Ríos, ei lindur në Nju Jork nga prindër portorikanë. Nuk e dija nëse do të kishim ndonjë lloj transmetimi të kësaj kënge.

Kështu që u përgatita dhe e bëra diçka që radiostacionet të mos kishin asnjë justifikim. Dhe tani çdo Krishtlindje ata duhet ta venë këtë këngë në transmetim.

Rick Jarrard: Askush tjetër nuk po regjistronte në spanjisht dhe anglisht aso kohe. Nuk kishte. José ishte vërtet artisti i parë latin, sipas vlerësimit tim, që kishte hite në mbarë botën, diçka që ka qenë një fakt i anashkaluar, në mendjen time. Kur regjistruam “Feliz Navidad”, më dukej si një hit i vetëm. Por, sigurisht, shanset ishin vërtet kundër kësaj, sepse të gjitha këngët standarde të Krishtlindjeve ishin publikuar tashmë, dhe kjo ishte një goditje e gjatë. Por më dukej diçka e pabesueshme dhe e kisha gjithmonë atë shpresë.

José Feliciano: Rick dhe unë shkuam në studio në Kaliforni dhe e regjistruam këngën. Në atë kohë unë kisha bateristin tim brazilian, Paulino, dhe ai luante bateritë. Kam luajtur bas, kitarë dhe kuatro porto-rikane [një kitarë e vogël, e zakonshme në Porto Riko] dhe kam luajtur gjithashtu guiro [një instrument muzikor i bërë nga një pagur, me një sipërfaqe të dhëmbëzuar të gërvishtur me shkop]. Kam bërë një duet me basin dhe kuatrino. Dëgjojeni dhe do të kuptoni se çfarë dua të them. Marrëveshja ishte vërtet mes mua dhe meje.

Rick Jarrard: Më pëlqeu kur Jose të luante kuatro, dhe gjithmonë ia sugjeroj që, nëse kënga e kërkon, ta bëjë këtë. Ne nuk punësuam ndonjë instrumentist kuatro. Jo kur José Feliciano është afër. Ai e realizon vetë dhe luan në mënyrë të jashtëzakonshme. Kemi regjistruar në RCA Studios në Hollywood në mes të verës, kështu që ishte një marrëveshje e vështirë, për ta hyrë në humorin e Krishtlindjes. José sapo ishte shpërngulur këtu nga Nju Jorku. Unë gjithmonë pres nga José një këngë shumë elementare: bateri shumë elementare dhe ndoshta perkusion dhe më pas fillojmë t’i dublojmë gjërat me të. E bëj këtë që ai të jetë i lirë të performojë vërtet dhe të mos mbyllet nga një orkestrim i madh. José është një nga ata artistë që duhet të jetë i lirë. Kështu e bëmë në atë mënyrë dhe më pas shtuam perkusionin dhe kuatron, dhe më pas e ndërtuam atë nga atje, duke shtuar vokalin dhe harmoninë. Ne i shtuam telat dhe brirët në një datë të mëvonshme dhe thjesht u përpoqa të ndryshoja seksionet e ndryshme të këngëve duke përdorur frymoret ose telat. José regjistroi kitarën dhe vokalin së bashku. Ndonjëherë ne e bëjmë atë veçmas – në fillim kitarën dhe më vonë vokalin. Por regjistrimi së bashku është zakonisht mënyra më e mirë për të marrë një performancë të shkëlqyer nga José, sepse kështu ai bën koncerte për – kitara dhe vokale. Ai është një nga ata djem që e regjistron këngën nga lart poshtë përkundrejt regjistrimit rresht pas rreshti, siç kam parë shumë artistë. Jo jo jo. Ne e bëjmë atë këngë nga lart poshtë, dhe ai e interpreton këngën, dhe kështu ju e merrni atë ndjenjë të mrekullueshme shpirtërore nga José.

José Feliciano Askush nga kompania diskografike nuk më tha nëse kënga i pëlqeu apo jo. Ata thjesht e lançuan atë dhe më duhet të them, se kënga e çau vetë pjesën tjetër të udhës.

Filed Under: Kulture

VAZHDON SUKSESI I ILIR IKONOMIT

December 19, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Ditët e fundit, miku dhe kolegu im Ilir Ikonomi pati mirësinë të më dërgonte librin e tij të posa botuar: FAN NOLI -Apostulli, (Vëllimi i Parë), libër të cilin, për arsye të disa angazhimeve me rastin e festave të fundit vitit – nuk kam mundësi ta lexoj, tani për tani, dhe as të marrë pjesë në promovimin që po organizojnë Federata “Vatra” dhe “Këshilli Shqiptaro-Amerikan”, në Nju Jork (me 23 Dhjetor, 2023 në ora 1 pas drake në Producers Club Theatres –358 West 44th Street, Nju Jork, Nju Jork, 10036) . Megjithkëtë, deshta që të pakën të përshëndes mikun tim dhe pjesëmarrësit në këtë promovim të merituar – të njërit prej penave më të mira të këtij komuniteti dhe më gjërë.  

Prandaj, ndonëse, në pamundësi të leximit të librit, dua të them dy-tri fjalë përshëndetse dhe paraprakisht, për të shënuar këtë rast të rëndësishëm për komunitetin dhe për autorin. Dëshiroj të uroj Ilirin për veprën më të fundit, për veprat e tija të deritanishme dhe për ato që jam i bindur se ai ka në plan të vazhdojë të botojë, jo vetëm një vëllim të dytë për Nolin, siç ka njoftuar se ka në plan, por edhe vepra me subjekte të ndryshme, duke pasqyruar jetën dhe veprimtarinë — ashtu siç e ka zanat – të personaliteteve historike të tjera shqiptare dhe shqiptaro-amerikane, siç ishin Faik Konica dhe Fan Noli.  Në vëllimin e parë — “Fan Noli – Apostulli” – autori Ilir Ikonomi i drejtohet lexuesit duke premtuar se, në faqet që pasojnë, ai ka ndjekur “rrugën e natyrshme”, duke i hedhur, “faktet në tryezë dhe ta lija personazhin tim të fliste vet, duke i paraqitur lexuesit Nolin e pafiltruar”, i bindur në vetvete se, “Sigurisht, që e verteta është e komplikuar dhe shpesh e dhimbshme.”   

Kohët e fundit, Ilir Ikonomi ka marrë pjesë në takime dhe ka zhvilluar intervista në lidhje me botimin e librit më të fundit, kushtuar Fan Nolit: Fan Noli – Apostulli. Por jo vetëm për këtë vepër më të re – por edhe për veprat e tjera, të botuara dekadën e fundit, si: Faik Konica – Jeta në Washington (2011), Pavarësia (2012), Pushtimi (2014) dhe Esad Pashë Toptani – Njeriu, lufta, pushteti (2016).

Librat e Ilir Ikonomit janë të njohura mirë tanimë për lexuesit shqiptarë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, por dhe në diasporë, përfshir komunitetin shqiptaro-amerikan. Nga pritja që iu bë në Shqipëri javët e fundit librit: Fan Noli – Apostulli, vura re nga larg, se të interesuarit e shikonin veprën më të fundit të Ikonomit si një joshje që zgjon interesim të mëtejshëm tek lexuesit, jo vetëm, për vëllimin e parë të këtij libri por edhe vëllimin e dytë dhe për vepra të tjera të autorit.  Megjithëse për mua, Ilir Ikonomi përsa e kam njohur si ish-gazetar në Zërin e Amerikës, dallohej ndër më të mirët. Prandaj, nuk është për tu çuditur për suksesin e Ilirit, si autor, si studiues dhe si historian. Ai tashti konsiderohet si mjeshtër në këtë fushë botimesh, ndërsa kritikët më të cilësuar të historisë së personaliteteve që trajton Iliri – përfshir librin: “Fan Noli -Apostulli” dhe libri “Faik Konica: Jeta në Washington” – kanë shkruar dhe flasin me admirim për punën e tij në këtë fushë. Fan Noli dhe Faik Konica, janë dy figura kryesore, ndër të tjera, të trajtuara nga Ilir Ikonomi.  Iliri ka pasqyruar veprimtarinë e tyre në Amerikë dhe më gjërë. Ai ka vlerësuar si diçka tepër të rëndësishme punën e tyre, neprëmjet të cilës i kanë bërë të njohur — jo vetëm botës amerikane por edhe botës më të gjërë – cilësitë dhe vlerat e Kombit shqiptar. 

“Thuamëni,thuamëni tani o miq, qysh do të mundim ndonjëherë t’ia paguajmë plotësisht Amerikës këtë borxh? Nuk do të mundim kurrë t’ia paguajmë plotësisht, kjo s’duhet të na shkojë kurrë nga mendja, por në qoftë se bejmë pjesën tonë për çështjen e njerëzimit dhe të qytetërisë, gjer atje ku na arrin forca, Amerika me shpirtmadhësinë e saj do ta quaj borxhin tonë të larë dhe kështu do të mundim të çlirohemi nga barra e paduruar e falimentit moral.” (Fan Noli, 1918), citim në librin: Fan Noli -Apostulli)

Në të njëjtën vijë të “larjes së borxhit” që Shqipëria dhe shqiptarët i kanë Amerikës, sipas Fan Nolit, Ilir Ikonomi — me veprën e tij më të fundit kushtuar Nolit, që promovohet në Nju Jork të shtunën që vjen — i lanë një borxh të madh vet Nolit, në emër të këtij komuniteti. Një borxh që  shqiptaria dhe komuniteti ynë në Amerikë — ku Noli ka jetuar e vepruar për pjesën më të madhe të jetës së tij — i kanë Fan Nolit. 

Edhe Ilir Ikonomi, në emër të shqiptarisë dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, me këtë botim, po i paguan Fan Nolit, një borxh sado të vogël në dukje ndoshta, por i madh në përmbajtje dhe simbolikë falënderimi dhe mirënjohjeje.

Uroj që edhe promovimi i librit më të fundit të Ilir Ikonomit në Nju Jork (shiko njoftimin më poshtë), të shtojë edhe më shumë numrin e sukseseve të tija. Është me gëzim dhe kënaqësi që, me këtë rast, të përshëndes autorin Ilir Ikonomin dhe të gjithë ju që po merrni pjesë në promovimin e librit të tij më të fundit, “Fan Noli – Apostulli”. Duke çmuar mundin e tij, përgëzoj mikun e kolegun tim Ilir Ikonomin për kontributin që po i jep lexuesit shqiptar në zgjërimin e njohurive të tija në fushën e historiografisë shqiptare nepërmjet botimeve më të fundit mbi Fan Nolin, si njëri prej përfaqsuesve më të dalluar të këtij komuniteti dhe të historisë mbarë shqiptare, atëherë dhe sot. 

Frank Shkreli

May be an image of 1 person and text that says '"Vatra" dhe "Këshilli Shqiptaro Amerikan" ju ftojnë nẽ promovimin e librit FAN NOLI- APOSTULLI ILIR IKONOMI Data 23 dhjetor 2023, ora 13:00 në Producers Club Theatres. Adresa: 358 w 44 Street, New York, NY 10036 Biseda me autorin Ilir Ikonomi do tẻ moderohet nga Rafaela Prifti. Folës të tjerë jene Or.Paulin Marku dhe Uk Lushi. FAN NOLI APOSTULLI আ Ky eshtë vëllimi parè nje autobiografie me tre pjesë për Fan Nolin dhe shqyrton rolin e tij në komunitetin shqiptar të Amerikës mes viteve 1906 dhe 1920. Autori eshtë hapur për t'iu pergjigjur pyetjeve.'
Two men holding a framed picture

Description automatically generated

Nëntor, 2019, në Kuvendin e Bashkisë Nju Jork me Ilir Ikonomin, mikun, 

kolegun, ish-gazetar në Zërin e Amerikës e tani studiuesin dhe autorin e librave: Faik Konica -Jeta në Washington (2011), Pavarësia (2012), Pushtimi (2014), Esad Pashë Toptani – Njeriu, lufta, pushteti (2016 dhe Vepra më e fundit:  FAN NOLI – APOSTULLI, (Vëllimi i Parë).

Filed Under: Ekonomi

Gjuha Shqipe

December 19, 2023 by s p

Agim Xh. Deshnica/

Gjuha shqipe mjaltë- magji,
me zanafillë në lashtësi,
gjallon në malësinë e gurrave,
herë si këngë, herë si gjëmë
shtruar shesh në log të burrave,
ku bardët sodisnin yjet
në ëndërrime, nën peshë të halleve,
në thirrje e vrulli i valleve,
dëgjonin të heshtur zogjtë në pyje,
pranë vatrës rrëfenja të nanës
fjalën e trazuar të gojëdhanës,
kur përqark “ushtonin lugjet
prej ortiqesh
kah po binin ndër gropa“

Mbi djep shqip fatia ëngjëllore,
kumtoi dhimbshëm dramat arbërore,
veçse në çdo rrebesh e shqotë
gjuha shqipe gjurmë lë në botë.

Kjo gjuhë me shpirt në Perëndi,

jeton në vaj e gaz!- Përjetësi!

Filed Under: Sofra Poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT