• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2023

Për Kosovën, sot, nesër dhe përjetë

December 16, 2023 by s p

Adresimi vjetor i Presidentes Osmani në Kuvendin e Republikës së Kosovës

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca,

I nderuar kryeministër Kurti dhe kabinet qeveritar,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Të nderuar ambasadorë,

Mysafirë të nderuar,

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Ju flas në fund të një viti jo të lehtë për shtetin tonë. Ishte një vit i ballafaqimit me vështirësi, në veçanti në fushën e sigurisë, meqë më 24 shtator, Kosova u përball me situatën më të rrezikshme që nga pavarësia e saj.

Një grup terrorist e paramilitar, i financuar, trajnuar dhe i mbështetur nga Serbia, e mbi të gjitha, i urdhëruar nga lidershipi i këtij shteti, kreu akt agresioni me planin e qartë që të aneksohet veriu i Kosovës dhe të shkaktohet destabilizim jo vetëm i vendit tonë, por edhe i të gjithë rajonit.

Në këtë ditë, Kosova u përball me një agresor, tinëzar në veprim, por të dukshëm në ambicie, me synimin e qartë të cenimit të themelit të shtetit tonë, Republikës për të cilën ranë shumë dëshmorë ndër breza.

Ky sulm, i cili në vazhdën e ideve e planeve shoviniste e hegjemoniste të Serbisë, ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë të fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershme e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të “Botës serbe”.

Në këtë kohë kur është sfiduar drastikisht siguria në gjithë kontinentin tonë, plani famëkeq për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit mori përgjigjen e merituar.

Në këtë ballafaqim, terroristët vranë policin Afrim Bunjaku, ndaj ai u bë dëshmori dhe heroi më i ri në historinë e Kosovë dhe njëri nga të shumtët që ra fli në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të shtetit tonë.

Ata vranë një, por mobilizuan mijëra djem e vajza nga radhët e Policisë sonë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë: Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht.

Askush dhe asgjë nuk do ta largojë Republikën tonë nga aspiratat e saj legjitime për ta shtrirë sundimin e ligjit në gjithë territorin tonë.

Askush dhe asgjë nuk do ta largojë Republikën tonë nga përpjekja e çdoditshme që këtë vend ta bëjmë të sigurt dhe të dinjitetshëm për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim.

Të nderuar deputetë,

Të nderuar të pranishëm,

Sulmi i 24 shtatorit dëshmoi sërish profesionalizmin e jashtëzakonshëm dhe trimërinë e guximin e institucioneve të sigurisë së Kosovës. Dua sërish të shprehë mirënjohjen e thellë për policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe të gjitha institucionet e angazhuara në ndaljen e këtij agresioni të Serbisë.

Por, të nderuar deputetë, sulmi i 24 shtatorit është po ashtu tregues i qartë se Serbia dhe nomenklatura aktuale politike e saj nuk është e interesuar as për paqe të qëndrueshme, as për fqinjësi të mirë, e as për përmbyllje të procesit të dialogut me Kosovën.

Fatkeqësisht, politika e sotme e Vuçiqit është politika e djeshme e Millosheviqit.

Prandaj, ambiciet hegjemoniste nuk kanë marrë fund. Banjska ishte vetëm një paralajmërim, ndaj Serbia nuk do të heqë dorë nga planet e saj të errëta. Në esencë, Serbia me veprime të tilla po e godet gjithë Evropën, sepse po punon për interesa të faktorëve malinj që kanë për qëllim ta godasin BE-në e NATO-n, nëpërmjet destabilizimit të Ballkanit Perëndimor.

Por, pavarësisht nga këto synime të Serbisë, ne jemi këtu, siç kemi qenë në periudha të hershme të historisë, siç kemi qenë këtu më 24 shtator dhe siç do të jemi çdo ditë e përgjithmonë për t`u bërë gardianë të Republikës sonë.

Të nderuar deputetë,

Pikërisht në kohë të vështira, populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e saj kanë ditur të bashkohen rreth kauzës në mbrojtje të shtetit tonë të ndërtuar me aq shumë sakrifica. Kjo u dëshmua edhe pas 24 shtatorit, kur i gjithë faktori politik në vend u bashkua në mbrojtje të Republikës sonë, duke dëshmuar se në përballje me politikat hegjemoniste të Serbisë, ne jemi një.

Ne, bashkërisht duhet të vazhdojmë të qëndrojmë të vendosur e të palëkundur kundër përpjekjeve për ta goditur Republikën tonë.

Në situata të tilla nuk duhet të ketë ndarje partiake apo ideologjike, duhet të ketë unitet, pa dallim.

Rreshtimi i vetëm që na duhet sot është rreshtimi në anën e shtetit tonë të pavarur e sovran.

Mbrojtja dhe ekzistimi i këtij shteti është testament i trashëguar nga brezat para nesh, prandaj e kemi për detyrë ta lëmë më të fortë e më të përparuar për brezat që vijnë pas nesh.

Ne jemi pak për të qenë të ndarë dhe me qëndrime të dallueshme për situata si kjo, kur vetëm uniteti është përgjigja e duhur për ta mbrojtur sovranitetin e shtetit tonë.

Këtë rrezik nuk e kemi kaluar, ndaj nuk duhet t`i nënshtrohemi ndarjes e dallimeve, por të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë në përballje me Serbinë e të qëndrojmë këmbëngulës dhe të palëkundur kundrejt sfidave të sigurisë.

Policia e Kosovës punon pa lodhur, duke u përballur me rrezik të vazhdueshëm, por, siguria nuk është vetëm përgjegjësi e tyre. Është një përgjegjësi e përbashkët që bie mbi secilin prej nesh. Prandaj, duhet të qëndrojmë vigjilentë e të bashkuar kundrejt situatave të tilla.

Të nderuar deputetë,

Procesi i dialogut me Serbinë sa vjen e po bëhet më i vështirë, kjo nga jokonstruktiviteti, obstruksionet dhe përpjekjet e Serbisë që të shkaktojnë destabilitet jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

Mungesa e balancit dhe e qasjes së trajtimit të barabartë në dialog i ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh këtij procesi. Kosova akoma përballet me masa të padrejta e joproporcionale të cilat prekin drejtpërdrejt interesin e qytetarëve të saj. Në anën tjetër, duke mos vendosur masa ndaj Serbisë për aktin e agresionit të 24 shtatorit dhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it e gazetarëve përgjatë majit, për fat të keq ky shtet vetëm po inkurajohet që të vazhdojë të përdorë dhunë.

Një trajtim i tillë i pabarabartë i palëve do të jetë një goditje për vet kredibilitetin e procesit të dialogut dhe pengesa kryesore për suksesin e këtij procesi.

Siç e dini, të nderuar deputetë, së fundi Kosovës i është dorëzuar një propozim – draft statut për një asociacion të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga partnerët tanë. Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me Kushtetutën, dua të ritheksoj se institucioni që do të duhet ta bëjë këtë vlerësim, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit, është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Është me rëndësi që të gjithë ne, pa dallim partiak, të ulemi dhe bashkërisht të përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese kurdo që ky draft do të dorëzohet para këtij institucioni. Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që të sigurojmë përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe mos të lejojmë një pushtet të ndërmjetëm të qeverisjes apo anomali të tjera të cilat rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë. Prandaj, në mënyrë që qëllimet tona të përbashkëta të përkthehen edhe në veprime të përbashkëta, përveç konsultimeve të vazhdueshme me kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit, kam ftuar në takim edhe liderët e partive opozitare, me qëllim që për këtë temë sfiduese, të ndërtojmë një qëndrim të unifikuar në mbrojtje të funksionimit të Republikës sonë.

Të nderuar deputetë,

Të nderuar të pranishëm,

Si udhëheqëse e politikës së jashtme dhe përfaqësuese e vendit jashtë, ashtu siç edhe përcaktohet në Kushtetutë, fuqizimi i aleancave ekzistuese dhe krijimi i atyre të reja, vazhdon të mbetet ndër prioritetet kryesore të punës sime.

Ky nuk është një proces i lehtë, duke qenë se përpjekjet e Serbisë dhe përkrahësve të saj në Kremlin për ta minuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës sa vijnë e shtohen. Synimi i tyre nuk është vetëm të dëmtojnë Kosovën, por ta dëmtojnë edhe një projekt të suksesshëm ndërkombëtar të aleatëve perëndimor që ka rezultuar me lirinë e pavarësinë tonë.

Në luftimin e propagandës serbo-ruse dhe përpjekjeve të tyre për goditje të shtetësisë së Kosovës, angazhimi im ka qenë intensiv dhe i palëkundur. Përgjatë këtij viti kam pasur afër 200 takime e bashkëbisedime me krerë shtetesh e krerë qeverish, si dhe takime shtesë me udhëheqës të tjerë institucionalë e udhëheqës të organizatave më të fuqishme ndërkombëtare.

Jam krenare për punën që kemi bërë së bashku me ekipin tim në riparimin e shumë dëmeve që janë bërë nga kundërshtarët e Kosovës dhe parandalimin e shumë të tjerave, e mbi të gjitha për punën e bërë në përmirësimin e imazhit dhe pozitës së Kosovës ndërkombëtarisht, përderisa jam e vetëdijshme se rrugë jo e lehtë na pret përpara në avancimin ndërkombëtar të vendit tonë. Kemi arritur suksesshëm t`i rikonfirmojmë gati 100 për qind të njohjeve për çdo rast kur Serbia pretendonte kinse çnjohje të shtetit tonë, e të ndërtojmë aleanca të reja me shtetet që së shpejti pritet ta marrin këtë vendim.

Aplikimi ynë për anëtarësim në Këshillin e Evropës është një dëshmi e përkushtimit tonë ndaj vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Njëkohësisht, dorëzimi i kërkesës se Kosovës për statusin e kandidatit në BE, vë në pah përkushtimin tonë të palëkundur ndaj integrimit dhe të ardhmes sonë evropiane.

Ndërsa sfidat vazhdojnë, ne i qasemi kësaj rruge me këmbëngulje dhe me përkushtim, e mbi të gjitha me orientim të qartë strategjik, duke adresuar shqetësimet, duke zbatuar reformat dhe duke nxitur bashkëpunim me institucionet evropiane.

Pavarësisht se sa komplekse është, ne asnjëherë nuk do të heqim dorë nga kjo rrugë, përkundër vonesave të padrejta që bëhen përgjatë saj. Por, duke pasur parasysh sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Kosova e i gjithë rajoni ynë, jam më e bindur se kurrë se anëtarësimi ynë në NATO duhet të jetë prioriteti ynë numër një. Aspiratat tona për anëtarësim në aleancën më të fuqishme ushtarake janë të vendosura, të bazuara në përkushtimin tonë për sigurinë dhe stabilitetin rajonal e global.

Me qëllim të shtyrjes përpara të prioriteteve tona, është shumë me rëndësi që shqiptarët në rajon të unifikojnë politikën e jashtme në të gjithë organizmat ndërkombëtar. Shqipëria është zëri ynë atje ku nuk kemi përfaqësim, ndaj pavarësisht dallimeve që kemi pasur në disa çështje, ne duhet të vazhdojmë të koordinohemi dhe ta konsiderojmë shtetin shqiptar jo vetëm shtet simotër, por aleat strategjik të fuqishëm në përballje me sfidat që i kemi përpara.

Në të njëjtën kohë kam vazhduar të ngrisë kudo në takimet ndërkombëtare çështjen e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, të cilët po përballen çdo ditë me diskriminimin mbi baza etnike në Serbi. Kam kërkuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare kundrejt spastrimit etnik të kësaj pjese me shlyerjen e adresave të tyre me qëllim të ndryshimit të demografisë. Shumë nga shqiptarët e këtyre komunave tani janë pa shtetësi e pa mundësi për të realizuar të drejtat e tyre elementare. E kur jemi te shtetësia, ka qenë e pafalshme që për vite të tëra, procedurat për marrje të shtetësisë së Kosovës për shqiptarët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci kanë qenë të njëjta me ato që vlejnë për qytetarë që vijnë nga kontinente të largëta. Prandaj, kam propozuar që në ligjin e ri për shtetësi, i cili është duke u përgatitur, të parashihen lehtësira në procedurat për marrjen e shtetësisë për bashkëkombasit tanë nga Lugina dhe shpresoj që ky propozim do të përkrahet nga ju sapo të vijë në Kuvend.

Të nderuar deputetë,

Në këto dy dekada pune në institucionet e Kosovës, gjithnjë kam besuar se aleancat tona janë fuqia dhe përparësia jonë e madhe në çdo proces. Qytetarët tanë e dijnë më së miri këtë, sepse e kanë përjetuar e parë vet se si pikërisht fuqia e këtyre aleancave të ndërtuara mbi vlerat përbashkëta e të ndërthurura me vullnetin e qytetarëve tanë e luftën çlirimtare, na shpëtuan jetërat, na bënë të mundur lirinë pas shumë sakrificash e na ndihmuan të ndërtojmë shtetin e ëndërruar për breza të tërë.

Sot, në këtë adresim vjetor, në emër të qytetarëve të Republikës sonë, shpreh mirënjohje të thellë ndaj shteteve mike e aleate të Kosovës, pa të cilat nuk do të ishim këtu ku jemi e me të cilat, jam e sigurt, që udhëtimi përpara do të shënohet nga suksese të reja. Sot, në veçanti, dua të falënderoj aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha shtetet e tjera demokratike në Evropë e përtej.

Prandaj, edhe sot, kur sfidat që Kosova i ka përpara nuk po zvogëlohen, Kosova duhet të vlerësojë e të fuqizojë më shumë se çdo herë tjetër aleancat e saj. Bashkëpunimi e bashkërendimi me ata që na qëndruan pranë në momentet më të rënda të historisë sonë nuk është as nënshtrim e as dobësi. Në fakt është veprim në shërbim të shtetit. Shteti ynë i ka themelet e forta sepse qëndron mbi sakrificën e popullit tonë, por edhe mbi partneritetet që i kemi ndërtuar. Këta partnerë luftuan krah për krah me popullin e Kosovës, edhe kur na kanosej shfarosja, edhe kur mbronim shtetin tonë para e pas pavarësisë, edhe kur shënonim sukses pas suksesi në rrugëtimin tonë për fuqizimin e pozitës sonë ndërkombëtare.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë që gjithnjë e në çdo kohë do të pajtohemi, sepse mospajtime ndonjëherë ka edhe brenda së njëjtës familje. Por, të gjitha duhet t’i diskutojmë e t’i tejkalojmë me respekt reciprok e mbi të gjitha, duke mos lëkundur asnjëherë besimin. Rruga jonë përpara është e gjatë e aspak e lehtë. Por përkundër sfidave, jam e sigurt që puna që po e bëjmë së bashku ditë pas dite së shpejti do të na udhëheq drejt sukseseve të reja që do i shtojnë madhështinë partneriteteve tona me vendet mike e do i hapin Kosovës sonë të dashur kapituj të ri të arritjeve historike.

Të nderuar deputetë,

Të nderuar të pranishëm,

Përkundër vështirësive e sfidave të shumta, gjatë këtij viti, falë angazhimit të institucioneve të sigurisë, zbatimi i ligjit në Kosovë është realizuar në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase.

Mbajtja e rendit dhe sigurisë publike, parandalimi dhe zbulimi i krimit, mbrojtja e të drejtave dhe të lirive të njeriut, si dhe trajtimi në mënyrë të barabartë i të gjithë qytetarëve pa dallim, kanë dëshmuar për një shërbim policor me vlerat më të larta, kompetent në të gjitha aspektet, të besuar nga qytetarët, si dhe duke na bërë krenar me performancën. Prandaj mirëpres rritjen e vlerësimit për Policinë e Kosovës, përderisa mbes me shpresë se në muajt në vijim do të bëhet edhe shumë më shumë, sidomos për njësitë që vazhdimisht janë në mbrojtje të sovranitetit tonë, duke pasur parasysh rrezikshmërinë me të cilën përballen.

Gjithashtu, si Presidente e Republikës dhe Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë, jam shumë krenare me djemtë dhe vajzat e FSK-së, të cilët kanë ndërtuar dhe zhvilluar kapacitete operacionale për realizimin e mandatit të tyre kushtetues e ligjor. Krahas mirënjohjes dhe vlerësimit të lartë për sukseset dhe të arriturat e Policisë dhe Ushtrisë sonë dhe rritjes së buxhetit të mbrojtjes në 2% të GDP, është me rëndësi të përmirësojmë edhe statusin e mirëqenien sociale e ekonomike të personelit në institucionet tona të sigurisë.

Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë, si trashëgimtare të vlerave të luftës për liri, pavarësi dhe demokraci, u ndërtuan dhe u zhvilluan me mbështetjen e madhe të partnerëve tanë, të cilëve u jemi mirënjohës përjetësisht.

Ky sistem dhe këto vlera kanë mundësuar që Policia dhe Ushtria jonë, të na bëjnë krenar me të arriturat e tyre, si polici dhe ushtri moderne, efikase, sipas standardeve më të larta të vendeve demokratike.

Të gjitha këto të arritura të Policisë së Kosovës konfirmojnë kërkesën e arsyeshme, gatishmërinë dhe vullnetin tonë për anëtarësim në INTERPOL dhe EUROPOL, sikurse edhe sa i përket FSK-së, e cila me sukseset e saj ka dëshmuar fuqishëm se Republika e Kosovës është e gatshme dhe meriton vendin e anëtarit fuqiplotë dhe dinjitoz në NATO, si synim kryesor shtetëror i institucioneve dhe qytetarëve të Republikës sonë.

Pavarësisht kërcënimeve shumë serioze ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe akteve të drejtpërdrejta të agresionit, e mirëpres thellimin e komunikimit, koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet reaguesve të parë të Kosovës – Policisë sonë – dhe Eulexit e KFOR-it, si reagues të dytë dhe të tretë.

Të nderuar deputetë,

Është e domosdoshme që shteti ynë të funksionojë mbi parimet dhe vlerat e përcaktuara nga Kushtetuta jonë. Rol kyç në këtë aspekt ka sistemi ynë i drejtësisë.

Në ketë drejtim, jam angazhuar brenda kompetencave kushtetuese në mënyrë që rritja e kapaciteteve në sistemin e drejtësisë të përcillet pashmangshëm me profesionalizëm, integritet dhe pavarësi të këtyre institucioneve.

Askush nuk na ndalon që ajo çka është ideale, të jetë edhe ideali ynë. Sundimi i ligjit është ideal i shtetit tonë dhe secili nga ne duhet çdo ditë të angazhohet duke bërë që vendi ynë të jetë shembull i sundimit të ligjit. Shfrytëzoj këtë adresim para Parlamentit dhe qytetarëve, për të inkurajuar institucionet e drejtësisë që të bëjnë reforma të cilat destinacion e kanë ofrimin e një drejtësie profesionale dhe të pavarur për qytetarët dhe integrimin tonë në familjen evropiane, si një vend i barabartë ku sundon ligji.

Sistemi i drejtësisë i reformuar, profesional, i pavarur dhe me integritet, është obligim i institucioneve ndaj qytetarëve tanë dhe këtë obligim duhet ta përmbushim pa asnjë justifikim. Për më tepër një sistem i drejtësisë i pavarur, është edhe përgjigja më e mirë ndaj krimit e korrupsionit.

Të nderuar deputetë,

Dhe një vit po e përmbyllim të rënduar nga hija e trishtimit sepse humbëm padrejtësisht e në mënyrë të dhunshme jetë të shenjta të bashkëqytetareve tona të dashura. Liridona Ademaj është emri që kumbon fort sikurse edhe emri i shumë grave e vajzave të tjera si përkujtim i çdoditshëm i dhimbjes përvëluese që ngelet pas kur padrejtësia zë vend fuqishëm.

Kjo tashmë është një plagë e rëndë e shoqërive anë e mbanë botës. Nëse deri tani i referoheshim si pandemi, e vërteta është që kjo tashmë është shndërruar në tragjedinë e ditëve tona.

Ta kemi të qartë njëherë e përgjithmonë, dhuna me bazë gjinore nuk është thjeshtë një ‘çështje e grave’; është test për njerëzimin e një krizë shoqërore që kërkon angazhimin tonë të palëkundur për ndryshim, angazhimin e të gjithëve burra e gra bashkërisht. Dhuna me bazë gjinore është një njollë e patolerueshme në ndërgjegjen e shoqërisë sonë. Nuk është çështje private, është një turp kolektiv, një turp kolektiv me të cilin duhet të përballemi kokë më kokë. Ne qëndrojmë në një moment kyç ku duhet të deklarojmë pa mëdyshje se dhuna kundër çdo gjinie është edhe një sulm mbi thelbin e njerëzores.

Duhet të fuqizohet çdo hallkë në institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë në përballje me këtë fenomen. Në thelb, një sistem i fortë drejtësie nuk është thjeshtë një imperativ ligjor, është një gur themeli në përpjekjet tona më të gjera shoqërore për të çmontuar rrënjët e dhunës me bazë gjinore. Duke i mbajtur autorët përgjegjës e duke u dhënë atyre dënimin e merituar dhe duke siguruar drejtësi për të mbijetuarit, ne hedhim themelet për një të ardhme më të sigurt dhe më të barabartë për të gjithë.

Seksizmi është prezent pothuajse çdokund. Pothuajse secila grua e ka përjetuar atë, në një mënyrë apo tjetrën. Dallimi është në aftësinë e institucioneve për t’ju përgjigjur e në mundësitë për t’u ballafaquar me të.

Një grua e barabartë, një grua e fuqizuar, një grua e arsimuar, një grua me qasje të barabartë në pronë, një grua që ecën e sigurt rrugës, një grua të cilës i shërben drejtësia njësojë si edhe çdo burri, kjo grua është armiku më i madh i patriarkatit dhe seksizmit. Por kjo grua, njëkohësisht, është pasuria më e madhe e një shteti të avancuar e të suksesshëm. Këto duhet të jenë synimet tona, ky duhet të bëhet realiteti ynë.

E kam thënë, rithënë, e do ta them sërish, Kosova nuk ka vajza e gra për të humbur.

Të nderuar deputetë,

Brenda kësaj ndërtese ndërthuret puna jonë, puna juaj dhe interesat e qytetarëve të Kosovës.

Ky interes është parësor, ngase ju jeni kujdestar të vullnetit të popullit, teksa pesha e detyrës sonë kolektive është e jashtëzakonshme.

Aspirata jonë evropiane, llogaridhënia, sundimi i rendit dhe ligjit përcaktojnë fatin e qytetarëve tanë, të cilëve u shërbejmë.

Vendimet tona, debati dhe përkushtimi për të mirën qytetare kanë luajtur rol esencial, ndaj kam besim që sadopak t`ua kemi lehtësuar jetën.

Është detyrë e jona të udhëheqim me ndjeshmëri dhe largpamësi, duke u siguruar që çdo politikë e hartuar në shtëpinë e qytetarëve të pasqyrojë vullnetin dhe vlerat, të cilat i përfaqësojnë qytetarët tanë.

Ne duhet të bëjmë edhe më shumë, ne mund të bëjmë edhe më shumë dhe nuk do të ndalemi për të bërë edhe më shumë!

Viti në të cilin do të hyjmë nuk do të jetë pa sprova, të cilat do të kërkojnë angazhimin tonë për t`i adresuar kërkesat e atyre që kanë më së shumti nevojë, për t`i mbrojtur të pambrojturit dhe për ta mbrojtur kauzën e drejtësisë dhe të barazisë.

Përgjegjësia jonë nuk përfundon vetëm duke i trajtuar problemet, por duke gjetur zgjidhjet më të mira dhe duke krijuar mundësitë për formësimin e perspektivës më të mirë për të gjithë qytetarët tanë pa dallim.

Viti që po lëmë pas kaloi në përpjekjen tonë të vazhdueshme për shtrirjen e funksionimit të ligjit në tërë territorin e shtetit.

Ky është synim parësor i yni nga i cili nuk do të heqim dorë me asnjë kusht. Ne jemi këtu për një Kosovë më të mirë në çdo cep të saj, një Kosovë që është shtëpi e të gjithë qytetarëve pa dallim.

Ky është obligim i yni kushtetues.

Zbatimi i ligjit është sfidë e përditshme që nuk fillon e as nuk mbaron në periudha të caktuara.

Për një gjë të tillë duhet angazhim jo vetëm i të gjithë qytetarëve, por edhe i tërë spektrit politik, duke e kuptuar rëndësinë e një Kosove stabile ku rendi e ligji janë prioritete tona shtetërore, të cilat më pas mund të përkthehen në zhvillim ekonomik, krijim të një mjedisi për investitorë të jashtëm, por mbi të gjitha për ta ruajtur potencialin e rinisë sonë, e cila perspektivën e saj duhet ta kërkojë këtu.

Republika jonë është vetëm 15 vjeçare. Ndërmend e kemi forcën dhe qëndrueshmërinë, krahas trashëgimisë së skalitur si një dëshmi e përkushtimit, sakrificës dhe heroizmit të dëshmorëve tanë për Kosovën shtet.

Shteti i Kosovës tashmë është farkëtuar dhe mishëron idealet mbi të cilat u krijua dhe padyshim është dëshmi e guximit të atyre që guxuan të ëndërrojnë dhe të luftojnë për lirinë dhe pavarësinë tonë.

Sot, sikurse në asnjë vit më parë të ekzistencës së shtetit tonë, kemi nevojë të rikonfirmojmë përkushtimin dhe besnikërinë ndaj këtij shteti të ndërtuar mbi sakrifica të panumërta. Duhet të dëshmojmë se jemi të palëkundur ndaj parimeve mbi të cilat u ndërtua Republika jonë si një shtet në të cilin ka vend për të gjithë, pavarësisht përkatësisë.

Një Republikë që promovon vlerat demokratike, të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor.

Fuqizimi i Republikës sonë kërkon përkushtim, devotshmëri dhe patriotizëm kushtetues.

Republika e Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën e shumë brezave, rezistencën paqësore të udhëhequr nga Presidenti Rugova, luftën tonë çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja në krye me komandantin Adem Jashari, dëshmorët e martirët e shumtë dhe falë ndihmës së aleatëve tanë të prirë nga Shtetet e Bashkuara.

Shteti ynë i pavarur është një Republikë që evoluon çdo ditë, konsolidohet çdo ditë e më tepër, integrohet gjithnjë e më shumë në arenën ndërkombëtare dhe është atdheu ynë për të cilin nuk duhet të kursejmë asgjë. Sfidat nuk duhet të na ndalin e as të na dobësojnë. Nga ky tempull i demokracisë, mesazhi im këto dy dekada ka qenë dhe gjithnjë do të mbetet: Kosova për ne është më shumë sesa vetëm shtet, është ideali dhe sakrifica jonë e përhershme, është përcaktimi ynë jetësor për liri, pavarësi e demokraci. Prandaj, jemi këtu për Kosovën, sot, nesër dhe përjetë!

Filed Under: Politike

Kukësi: Qyteti i parë i nominuar për çmimin Nobel

December 16, 2023 by s p

8 dhjetor 2023, Nga Richard Collett korrespondent i BBC-se 

Përktheu Rafael Floqi 

Richard Collett Photo of buildings in Kukës

Në kulmin e luftës në Kosovë, kjo zonë me 16,000 persona priti më shumë se 400,000 refugjatë. Tani, Kukësi po përdor historinë e tij unike të konfliktit dhe dhembshurisë për të joshur vizitorët.

Alida Lush Ismailaj po ndihmonte një gazetare franceze të kalonte kufirin nga Shqipëria në Kosovë, kur një bombë shpërtheu aty pranë, duke shperndarë copëza dhe mbeturina përgjatë një rruge të mbushur me refugjatë që po largoheshin.

“Kufiri ishte i rrezikshëm,” tha Ismailaj, duke kujtuar se si ajo ndihmoi gazetarët ndërkombëtarë të dokumentonin arratisjen e më shumë se 400,000 refugjatëve përmes vendlindjes së saj të Kukësit, Shqipëri, në kulmin e luftës në Kosovë midis marsit dhe qershorit 1999. “Gjithçka ishte minuar dhe bombarduar Kukësi ishte vendi i parë i sigurt që mund të ndaloje”.

Pavarësisht se ka një popullsi prej vetëm 16,000 banorësh, qyteti i vogël, i cili është 20 km larg kufirit, mirëpriti një numër marramendës refugjatësh në shtëpi dhe kampe të improvizuara. Kukësi bëri bujë në mbarë botën dhe në vitin 2000 u bë qyteti i parë që u nominua për Çmimin Nobel për Paqen. Fama ishte jetëshkurtër. Tashmë duke u përballur me një mori krizash pas rënies së komunizmit shqiptar në 1992, sapo lufta në Kosovë përfundoi dhe refugjatët u kthyen në shtëpi, Kukësi përjetoi një eksod të vetin, pasi 53% e banorëve u larguan nga qyteti më i varfër i Shqipërisë në kërkim të mundësive ekonomike jashtë vendit.

Tani, ndërsa numri i vizitorëve në Shqipëri rritet, vendasit si Ismailaj shpresojnë se turizmi mund të ofrojë një nxitje për brezin e ardhshëm për të qëndruar. Me aeroportin e ri ndërkombëtar të Kukësit, shtigjet e ecjes malore, reliket komuniste dhe një përrallë heroike për të treguar, banorët po i drejtohen historisë së tyre unike të konfliktit, qëndrueshmërisë dhe bujarisë për të joshur udhëtarët, në një nga qoshet më pak të njohura, të një prej cepave të Evropës të kombevet më pak të vizituara.

Imagebroker/Alamy Kukës sits in the shadow of a towering mountain range near the Albania-Kosovo border (Credit: Imagebroker/Alamy)

Kukësi ulet nën hijen e një vargu malor të lartë pranë kufirit Shqipëri-Kosovë (Kredia: Imagebroker/Alamy)

Të vendosura në bashkimin e lumenjve Drin i Bardhë dhe i Zi në Shqipërinë verilindore, blloqet uniforme të apartamenteve të Kukësit janë nën hijen e majës malore të Gjallicës me borë. Një udhëtim 20 minutash në lindje përmes kalimeve malore ju sjell në Kosovë, ku shqiptaro-kosovarët luftuan për pavarësi gjatë fazave të fundit të rënies së Jugosllavisë në 1999.

Bujar Kovaçi, një guidë turistike me kohë të pjesshme, i njeh shumë mirë vështirësitë e kaluara në një vend kufitar të mbushur me rreziqe. “Unë jam i mbijetuar nga minat,” tha ai kur u takuam jashtë Hotel Gjallicës në qendër të Kukësit. “Jam shumë me fat që jam gjallë sot”.

Kovaci ishte vetëm 10 vjeç kur mori një minë tokësore teksa luante në fshat afër kufirit. Duke mos ditur se çfarë ishte, ai e goditi me një gur kafazin dhe ajo shpërtheu. Familja e tij e dërgoi me urgjencë në spitalin e Kukësit dhe ai u zgjua dy javë më vonë, me syrin e majtë pa shikim dhe krahun e djathtë i mungonte nga bërryli e poshtë.

“Në vitin 1999 ka pasur kaq shumë aksidente këtu”, tha ai. Në total, 120 km përgjatë kufirit Shqipëri-Kosovë u minuan rëndë me eksploziv. “Për vite më pas, ata ende po pastronin minat… shumë u plagosën si unë.”

Richard Collett For years, Kukës was one of Albania's poorest cities, but locals hope new tourist initiatives will entice people to stay (Credit: Richard Collett)

Për vite me radhë, Kukësi ishte një nga qytetet më të varfra të Shqipërisë, por vendasit shpresojnë se iniciativat e reja turistike do t’i joshin njerëzit të qëndrojnë (Kredia: Richard Collett)

Me ndihmën e pajisjes vendase Albanian Trip, Kovaci po zhvillon tani turne për të shfaqur historinë dhe kulturën e Kukësit, si dhe kalimet malore përreth, shtigjet e ecjes, ujëvarat dhe fshatrat. Udhëtimet e tij nuk i shmangen të kaluarës së trazuar të Kukësit dhe fitimet investohen përsëri në një shoqatë lokale që mbështet viktimat e minave tokësore. Kovaçi shpreson se nëse mund të joshë turistët në këtë pjesë të Evropës që rrallë vizitohet, ai jo vetëm mund të ndihmojë të tjerët të lënduar nga bombat e pashpërthyera, por edhe të ndihmojë në nxitjen e njerëzve për të qëndruar dhe për të ruajtur kulturën vendase të Kukësit përballë migrimit ekonomik.

Siç tregoi nominimi për Nobel, banorët e Kukësit janë mësuar të mirëpresin vizitorët – diçka që unë fillova ta kuptoj, kur u ndalëm jashtë një kulle në sheshin kryesor të Kukësit, e cila shërben si një memorial për ata që kërkuan strehim këtu në 1999 dhe strehon një muze të vogël etnografik.  Kovaci shpjegoi sesi Kukësi arriti të presë qindra mijëra refugjatë nga familjet që hapën shtëpitë e tyre për 90,000 njerëz, ndërkohë që ngriti edhe tenda dhe çadra gomash në të gjithë sheshin e tij, përgjatë brigjeve të lumit dhe në fushat përreth.

Deri në shpërthimin e papritur të famës së qytetit në vitin 2000, historia, ashtu si ujërat e lumenjve të Drinit, me sa duket e kishte kaluar Kukësin prej shekujsh. I themeluar nga ilirët e lashtë, Kukësi ishte një territor i largët i perandorive romake, bizantine dhe më pas osmane derisa Shqipëria u bë një komb i pavarur në vitin 1912. Pas Luftës së Dytë Botërore, njerëzit panë se si shqiptarët etnikë në Kosovë ishin zhytur në Republikën Federale Socialiste të Jugosllavisë, ndërsa Kukësi u gjend në kufiri i diktaturës komuniste gjithnjë e më paranojake të liderit shqiptar Enver Hoxha.

Hoxha e drejtoi Shqipërinë me një grusht të hekurt, duke ndërtuar një rrjet të gjerë tunelesh dhe bunkerësh nëntokësorë në mbarë vendin. Megjithatë, ato poshtë Kukësit, të cilat filluan në vitet 1970 dhe shtrihen për rreth 7 km nën qytet, janë më të mëdhenjtë në Shqipëri, me hapësirë të mjaftueshme për të strehuar të gjithë popullsinë e Kukësit në rast lufte. Tunelet janë ende atje dhe Afrim Cenaj, babai i të cilit shërbeu nën tokë si oficer në ushtrinë shqiptare në vitet 1980, tani udhëheq turne në atë që vendasit e quajnë “qyteti i nëndheshëm”.

Richard Collett Locals now tours of the region's many underground tunnels and mountain villages (Credit: Richard Collett)

Vendasit tani bëjnë turne nëpër tunele të shumta nëntokësore dhe fshatra malore të rajonit (Kredia: Richard Collett)

Duke hyrë në një nga hyrjet e shumta të fshehura në të gjithë Kukësin, Cenaj më udhëzoi nëpër një labirint kalimi të errët, të ndriçuar herë pas here nga boshtet e ventilimit dhe shtëpia e strehimoreve të pafundme betoni që tani janë të braktisura. Cenaj beson se relike të tilla komuniste do të tërheqin turistët në Kukës dhe ai po përpiqet të sigurojë një kredi për të kthyer një bllok të vjetër kazerme mbi një nga hyrjet sekrete në një bujtinë. “Babai im dikur e ruante këtë vend,” tha ai kur më në fund dolëm në rrezet e diellit. “Dhe tani dua ta ruaj atë.”

Historia komuniste është me bollëk në Kukës dhe të nesërmen takova Ismailajn jashtë selisë së Radio Kukësit, ku një reliev gjigant komunist që tregonte një punëtor hero që valëviste flamurin shqiptar zbukuronte hyrjen. Ismailaj tani është një DJ rock, dhe ajo më bëri një vizitë në stacionin radiofonik dhe muzeun e tij të vogël që ishte i mbushur me pajisje transmetimi të pluhurosur nga një epokë e shkuar.

Radio Kukësi u themelua nga regjimi i Hoxhës si një mjet propagande dhe reporterët e saj u gjendën në vijën e parë të luftës së Kosovës në vitin 1999. Fotografitë e refugjatëve dhe autokolonave të ndihmës së OKB-së u ngjitën në muret e muzeut. Letrat e zbehura të dërguara Radio Kukësit nga ata që ikën nga konflikti treguan se si emrat e njerëzve që kishin arritur në sigurinë u transmetuan përsëri në Kosovë, duke u bërë të ditur të dashurve të tyre se ishin gjallë.

“Natën e parë të eksodit kemi pritur 13 mijë refugjatë në Kukës”, tha Ismailaj, duke shpjeguar se njerëzit flinin edhe në dyshemenë e radiostacionit. “Ky moment historie e bëri Kukësin kaq të rëndësishëm sa mediat botërore erdhën këtu, duke raportuar për qytetin e vogël që mirëpriti qindra mijëra refugjatë.

Richard Collett The headquarters of Radio Kukesi houses a small museum filled with letters and photographs from the Kosovo war (Credit: Richard Collett)

Selia e Radio Kukësit strehon një muze të vogël të mbushur me letra dhe fotografi nga lufta e Kosovës (Kredia: Richard Collett)

Ndërsa nominimi i Kukësit për Nobel ishte historik, Ismailaj pyet nëse më shumë banorë do të ishin ndjerë të detyruar të qëndronin po të kishin fituar. “Ndoshta sot, nëse do të ishim fitues i çmimit Nobel për Paqen, do të kishim më shumë investime, më shumë vëmendje nga OJQ-të.

Të gjithë ata që takova në Kukës kanë miq dhe familje që punojnë jashtë vendit, dhe kjo është arsyeja kryesore pse një aeroport i ri, i hapur në vitin 2022, e lidh tani atë me disa qytete të mëdha evropiane. Por gjithashtu po lehtëson turizmin, i cili nga ana tjetër po krijon stimuj për brezin e ardhshëm për të qëndruar. “Shumica e familjes sime janë larguar”, më tha Cenaj. “Por djali im po mëson anglisht. Ai do të bëhet guidë turistike këtu në Kukës.”

Me majat e tij kolosale malore dhe ujërat e lumenjve të bruztë, është e lehtë të imagjinohet Kukësi dhe rajoni përreth duke u shfaqur si një destinacion udhëtimi aventuresk. 

Në fshatin Shistavec, 45 minuta me makinë drejt maleve, shtëpitë prej druri janë ndërtuar për skiatorët dhe alpinistët, dhe në udhëtimet ditore nga Kukësi, turistët mund të mësojnë më shumë për kulturën malore të goranëve që flasin një gjuhë të veçantë sllave nga shqipja. Kukësi është gjithashtu një portë për në shtegun Sharrit të hapur së fundmi që lidh Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Kosovën dhe përshkon kufirin nga Shistaveci.

Megjithatë, shqetësimi në Ballkan është se konfliktet e reja janë vetëm një shkëndijë larg, veçanërisht duke pasur parasysh se pavarësia e Kosovës nuk është njohur kurrë nga Serbia. 

“Ata kanë kujtime të tmerrshme,” tha Remzije Sherifi, një gazetare kosovare e cila u largua nga shtëpia e saj gjatë konfliktit të vitit 1999. “Njerëzit kanë humbur familje të tëra, të tjerë kanë të dashur ende në burg ose jetojnë me shpresën e kthimeve që mund të mos ndodhin kurrë.”

Duke hapur dyert për rreth 400 mijë njerëz, Kukësi i tregoi botës se edhe në momentet më të errëta mbizotëron njerëzimi. Tani, banorët shpresojnë të ndajnë historitë e tyre të komunizmit dhe konfliktit duke përhapur gjithashtu idealet e tyre të mikpritjes dhe paqes.

Filed Under: Reportazh

Liridon Ahmetgjekaj, një shqiptar karrierë të lartë në ushtrinë suedeze

December 16, 2023 by s p

Avansim i shpejt profesional në fushën ushtarake i Liridon Ahmetgjekajt

*Këto ditë Liridoni mori graden e Majorit në Ushtrinë suedeze dhe gjykuar sipas punës dhe aftësisë që po tregon e dëshmon për çdo ditë karriera e tij në këtë fushë është e ndritur.

Nga XHAVIT ÇITAKU

Të rinjtë shqiptarë kudo në Suedi, me kënaqësinë më të madhe, me emocion e entuziazëm të veçantë, duke u dalluar edhe nga kolegët sudez, në mënyrë të mrekullueshme po realizojnë ëndrrën e prindërve, por edhe të tyren për t’u bërë mjek, inxhinier, jurist, ekonomist, regjisor, artist, ushtarak e profesione të tjera të ndryshme e të rëndësishme.

Njëri ndër ta është edhe Liridon Ahmetgjekaj, i cili ka prejardhje nga komuna e Klinës, Republika e Kosovës. Ai është djali i Osman Ahmetgjekajt, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, veteran i arsimit dhe sekretar shumë vjeçar në Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”-Dega në Suedi.

I dashuruar në profesionin e ushtarakut

Rrugën e jetës dhe të suksesit që filloi ta ndjek ky i ri nuk ishte e lehtë. Ai kishte ënderruar që në fëmijëri në profesionin e ushtarakut dhe ashtu në heshtje kishte shpërfaqur vendosshmerinë e tij se këtu e ka përspektiven dhe se në këtë fushë do të përqendrohet në të ardhmën. Pra, për të arritur suksesin e synuar u kërkua mund, punë, lodhje, por edhe sakrifica. Liridoni e kuptoj se edukimi i vazhdueshëm nuk është vetëm opsion, por edhe domosdoshmëri e kohës në të cilën po jetojmë. Kështu, pas kryerjes së shërbimit ushtarak, i cili nuk është obligativ në Suedi, ai ndjeki kurset e nevojshme në fushën e mbrojtjes dhe atyre ushtarake, të cilat i kreu me sukses të plot. Me të përfunduar të këtyre kurseve, Liridoni fillon karrierën e tij në Ushtrinë Suedeze, duke u treguar si një ushtarak i talentuar dhe i aftë për t’i kryer me përgjegjësi të gjtha detyrat dhe obligimet e parashtruara. Zatën, në saje të punës profesionale që tregoi në vazhdimësi, Liridoni arriti që këto ditë të marrë graden e Majorit, pozitë kjo mjaft e lartë në hierarkin e Ushtrinë të këtij shteti skandinav. Për këtë arritje jo vetëm Liridoni dhe prindërit, por edhe i tërë komuniteti shqiptar në Suedi ndihet krenar.

Do theksuar se Liridon Ahmetgjekaj me aftësitë e tij të dëshmuara, dy herë nga gjashtë muaj ka shërbyer në kudër të KFOR-it suedez në Kampin Viktoria në Kosovë si dhe në disa shtete të tjera të botës. Duke vlerësuar nivelin e lartë të përgatitjes dhe talentin për të udhëhequr e organizuar mirë ushtarët suedez si dhe moshën e tij të re,është 35 vjeçar, lirshëm mund të konstatohet se Liridonin e presin ditë të mirë të karrierës në këtë fushë me plot sfida, sidomos në këtë kohë kur po ballafaqohemi me rrezikun e destabilizimit të paqës e sigurisë në nivel global.

Pamje nga ceremonia e avansimit në graden Major të Liridon Ahmetgjekajt.

Filed Under: Emigracion

Ekrem Bardha përherë në shërbim të çështjes shqiptare

December 16, 2023 by s p

Prof. Elez Osmani/

Njeriu që i takoi shtatë Presidentë të SHBA-ve.

“Nësa ka diçka që më ka ndjekur gjithë jetën, edhe në kohë fatkeqësish, edhe në kohë suksesi, është pikërisht dashuria për Atdheun. Jeta në demokracinë amerikane më bëri të reflektoj mbi shumë gjëra. Kuptova që nuk duhet të hakmerremi për të shkuarën, por të punojmë për të ardhmen, të ndihmojmë në përparimin dhe mbarëvajtjen e Atdheut tonë. Çdo shqiptar duhet të pyesë veten ç’ka bërë dhe ç’duhet të bëjë për Shqipërinë dhe Kosovën. Së bashku kemi shumë për të bërë…” -Ekrem Bardha.

Në librin e fundit, “E vërteta, pavarësia e Kosovës, Amerika dhe diaspora” të z. Ekrem Bardha, një njeri që tërë jetën ia ka kushtuar çështjes shqiptare, lirisë së Kosovës dhe demokracisë së Shqipërisë, gjendjes së shqiptarëve nën Maqedoninë, si dhe jetës së shqiptarëve kudo që jetojnë, por në mënyrë të veçantë veprimtarisë atdhetare të Mërgatës shqiptare në SHBA për lirinë e Kosovës. Prandaj, vepra e tij, thuajse një kronikë jetësore e autorit Ekrem Bardha, në radhë të parë është një burim informacioni i pashtershëm, jo vetëm për rolin e secilit shqiptar, edhe si individ, por edhe të gjitha format e organizimit të mërgatës shqiptare atje, në shërbim të luftës për liri të shqiptarëve të Kosovës. Në veprimtarinë e tij për ta bërë të njohur çështjen shqiptare, edhe sot e kësaj dite e pa zgjidhur, Ekrem Bardha nuk është lodhur shumë, se cilët organizime , parti, shoqata, apo forma të tjera të organizimit kanë punuar, por është marrë me çështjen se si të ndihmohet çështja shqiptare nga administrata më e fuqishme në botë, ajo amerikane. Në mbështetje të te dhënave që ka botuar të libri i tij i fundit, del se gjatë gjithë veprimtarisë së tij nuk ka kursyer asgjë, jo vetëm ai, por edhe familja, që nga koha kur kishte migruar në SHBA. Një i ri, që kishte arritur të ikte nga shërbimi ushtarak në Shqipëri, një familjar, vëllain e të cilit, Sami Bardhën, e kishte pushkatuar sistemi, e kishte pasur të qartë se jeta e më tejshme në atdhe ishte e pamundur. Prandaj, mërgimi i tij, siç mund të kuptohej, edhe për shumë familje të tjera atdhetare, ishte diçka e domosdoshme, për të mos thënë e pashmangëshme, ngase në mënyrën si po ecnin gjerat, në Shqipërinë socialiste, mundësia për të bërë jetë normale dhe me dinjitet ishte e pamundur.

Në SHBA, kishte provuar të gjitha punët e mundshme, derisa kishte arritur të krijonte të mira materiale, për të krijuar mundësi që të bëhej vetë bartës i organizimit të punës dhe të familjes. Kishte arritur që të botonte gazetën Iliria, një kohë shumë të gjatë, por veprimtaria e tij themelore ishte angazhimi për të krijuar mundësi që administrata amerikane të vihej në mbështetje të çështjes shqiptare. Për herë të parë, në vitin 1986, e kishte takuar Presidentin e parë amerikan, Nikson, nga i cili kishte kërkuar që të mos lejonte copëtimin e mëtejmë të shtetit shqiptar, ngase qeveria e kolonelëve grekë, që kishte ardhur në pushtet në Greqi, kishte shfaqur hapur pretendimet e tyre për territoret shqiptare në jug të vendit. Presidenti Nikson, pasi e kishte dëgjuar me vëmendje, i kishte premtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do ta lejonin një gjë të tillë. Ky ishte takimi i parë me një President amerikan në shërbim të interesave të Shqipërisë. Gjashtë Presidentët e tjerë të SHBA-ve, që i kishte takuar, para tyre kishte paraqitur gjendjen e Kosovës, jo vetëm gjatë Luftës së UÇK-së, jo vetëm pas përfundimit të kësaj lufte, por edhe në kohën pa filluar lufta e armatosur në mes shtetit serb dhe luftëtarëve të UÇK-së. Ekrem Bardha kishte njohuri të gjera të politikës së administratës amerikane, andaj jo rastësisht ai kishte pasur mundësi të takonte, siç u tha më sipër, shtatë Presidentë amerikanë, për të kërkuar nga ata ndërhyrjen e duhur në shërbim të çështje shqiptare në përgjithësi, por të Kosovës në veçanti. Siç del edhe në veprën e tij, pas gjenocidit që kishte kryer administrata e Millosheviqit në Bosnjë dhe Hercegovinë, ishte e mundshme që diçka e tillë do të ndodhte edhe në Kosovë. Por, siç dihet, Ekrem Bardha është ndër të parët që ka folur para Kongresit Amerikan, ku ka paraqitur gjendjen e rëndë, thuajse shpërthyese, jo vetëm në Kosovë, por kudo ku jetonin shqiptarët jashtë kufijve të shtetit amë, Shqipërisë.

Kujtimet e Ekrem Bardhës, botuar te libri “E vërteta: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora’’, në një mënyrë, ose në një tjetër, përmbush mirë atë thënien e mençur të shkrimtarit francez, Standalit, se ‘‘meriton të hidhet në letër vetëm ajo që mbetet interesante edhe pasi historia e ka dhënë fjalën e saj’’. Nëse diçka në jetën e njeriut, që ka zgjedhur rrugën për të qenë në shërbim të çëshjes së atdheut, pa marrë paraysh se çfarë padrejtësish të ka sjellë historia dhe njerëzit e asaj historie, atëherë ajo është lënia anash e hakmarrjes, ngase atdheu, edhe sipas Ekrem Bardhës, është kudo ku janë shqiptarët. Prandaj, në veprën e tij, ai ka të drejtë kur thotë, se pa lirinë e Kosovës nuk ka Shqipëri. Pra, këtë veprë lexuesi e konsideron ‘‘Një libër pa mllef, gjë e pazakontë, për ata që kanë pasur më shumë dhimbje! Me plot besim se e ardhmja e kombit fillimisht duhet të ketë lirinë e Kosovës. Pa këtë nuk mund të ketë Shqipëri etnike dhe as besim se një ditë do të ndodhë bashkimi i shqiptarëve’’.

Gjatshtë Presidentë amerikan, kanë pasur durimin ta dëgjojnë për çështjen e Kosovës, ta dëgojnë kërkesëne tij dhe të shqiptarëve, që të mos lejohet gjenocidi në Kosovë, që të mos bëhet pastrami etnik i Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare jashtë shteti amë, që të bëhet diçka, ku prania e SHBA-ve të jetë e përhershme, si arma kryesore e sigurisë së paqes në atë pjesë të tokave shqiptare. Si gjatë angazhimit të tij, si gjatë udhëheqjes së gazetës Iliria, por shumë e theksuar në librin e tij të kujtimeve, të mbushur me aq shumë fakte, të dhëna, dëshmi, fotografi, që ndonjëheë flasin më shumë se njëmijë fjalë, me dokumente në të dy gjuhët, shqip e anglisht, Ekrem Bardha e ka ndjerë të nevojshme ta theksojë, pa ju dridhur çerpiku, si thuhet, se “unë i takoj së djathtës, por partia ime është Shqipëria”? Prandaj, jo vetëm i kishte hije, por edhe i takonte të reagonte në atë mënyrë, kur ambasadori Gelbart e quan UÇK-në organizatë terroriste, në njjë takim që kishte me veprimtarë të Këshillit Nacional Shqiptar. ‘‘– E dini ju se çfarë janë këta të UÇK? Këta janë terroristë! – tha Gelbard, prerë dhe me ton të lartë. Në atë moment më zuri gjaku i shqiptarit, nuk e përmbajta dot veten dhe iu ktheva me një gjuhë të drejtpërdrejtë, aspak diplomatike. – Shame on you! (Turp të kesh!), i thashë. UÇK nuk është terroriste! Ata djem dhe vajza luftojnë kundër një gjenocidi të pashembullt në qendër të Evropës dhe për të drejtat e tyre njerëzore’’.

Në jetë, siç e thekson edhe vetë, e kishte mbajtur mend një thënie të Abaz Ermenjit, i cili i kishte thënë, se një ditë Shqipëia do të ndryshojë, Shqipëria nuk do të zhduket, nuk do të zhbëhet, andaj çdo angazhim për të mirën e saj, është nderi dhe obligimi i secilit njeri, që e ka mundur hakmarrjen e mosmarrëveshjeve politke nga dashuria për atdheun.

Në rrëfimit e Ekrem Bardhës, ka momente shumë emocionuese, andaj është e kuptueshme se nga një letër, që e bija e Ekrem Bardhës, Donika ia dërgon të vëllait Ilirt nga Tirana, e prek aq shumë Presidentin amerikan Bill Klinton, sa i shkojnë lotët.

Këtu, ndoshta është rasti, të citoj letërn, qe e preku aq shumë Presidentin, por edhe një letër falenderuese të Presidentit, pasi përfundon Lufta e UÇK-së në Kosovë.

Letra e Donikës

Një ditë ajo mësoi për një ngjarje të llahtarshme. Për këtë i dërgoi një letër vëllait të saj, Ilirit.

I dashur Ilir!

Të falënderoj për fjalët e tua! E vërteta është se situata është thellësisht shqetësuese. Po të tregoj vetëm një ngjarje. Ti i ke parë kampet e refugjatëve kosovarë në televizion. Një nga këto kampe ndodhet edhe në Tiranë. Në një prej çadrave janë pesë vajza të mitura, të cilat refuzojnë të dalin përjashta si të tjerët. Vajza dhjetëvjeçare, e cila është e bija e arkëtares që kemi këtu në “Piazza”, i tregoi nënës së saj për vajzat e çadrës. Ajo, së bashku me shoqet e klasës shkonte në kamp për të luajtur dhe për të argëtuar fëmijët e refugjatëve kosovarë.

“E sheh atë çadrën atje?”, – e kishin pyetur vajzën dhjetëvjeçare. Ajo është çadra e vajzave që nuk duan të dalin nga aty.”

Asaj i kanë thënë se ato janë përdhunuar nga ushtarët serbë. Vogëlushja rrëfeu se serbët i kanë zhveshur vajzat në kazermat e ushtrisë. Vajzat thonë se ndihen aq të turpëruara, sa nuk pranojnë të dalin jashtë. Ato qajnë vazhdimisht me kujë, duke shkulur flokët, duke çjerrë fytyrën e duke thënë që donin të vrisnin veten.

Unë e porosita vajzën e vogël t’i pyeste nëse mund t’i takoja. Por fatkeqësisht, ato refuzuan. Situata këtu është e rëndë sa nuk mund të përshkruhet.

Me dashuri, Donika!

SHTËPIA E BARDHË

UASHINGTON

4 tetor 1999

FAMILJES BARDHA

3300 LONE PINE ROAD

WEST BLOOMFIELD, MI 48323T

E dashur Lumtëri, Ekrem dhe Ilir!

Dua t’ju falënderoj edhe një herë që u takuat me mua gjatë vizitës në Miçigan. Gjatë përpjekjeve tona për t’i dhënë fund kryqëzatës së tmerrshme të spastrimit etnik në Kosovë, tregimet tuaja na nxisnin fuqimisht dhe na mbanin parasysh urgjencën e misionit tonë. Ne tani po hyjmë në një fazë të re të përpjekjeve tona për paqe e drejtësi në Ballkan dhe, ndërsa gjendemi përpara vështirësive të mëdha, të jeni të sigurt se do t’i vazhdojmë përpjekjet për t’i ndihmuar qytetarët e Kosovës të rindërtojnë jetën dhe atdheun e tyre. Hillary dhe unë ju urojmë çdo të mirë juve dhe familjes suaj!

Sinqerisht,

Bill Clinton (d.v.)

Ekrem Bardha i tregon se si e kanë lënë vendin e tyre, atë jetë të braktisur dhe është i gatshëm të marrë përsipër shumë më tepër se sa mund të pritej. Ishte nguliturt hellë ne psikën e tij se Shqipëria nuk do të zhduket, nuk do të shpërbëhet. Do të vuajë, por do të mbijetojë. Kosova, pjesa tjetër e atdheut, është në fillin e perit. Nëse ky fill këputet, atëherë nuk do të ketë më Kosovë. Do të jetë një pjesë e harruar, ashtu si viset e tjera shqiptare. Komunizmi është armiku ynë, do i thotë Ermenji, por Serbia është dy herë e armiqësuar me shqiptarët. Nëse nuk do të ketë Kosovë, atëherë nuk do të ketë as Shqipëri. Ngaj duhet dalur në krah.

Presidentët Amerikanë

Në rrugën e drejtë që zgjodhi Ekrem Bardha do të takohej me shtatë presidentë të Shteteve të Bashkuara. Me gjashtë prej tyre do të bisedojë vetëm për Kosovën; në njërin takim, në takimin e parë me një president të shquar, Riçard Nikson, do të bisedojë për Shqipërinë.

Zbuluesi shqiptar Hasan Luçi do të jetë i pari që do të informojë për këtë takim shërbimin e tij të zbulimit të jashtëm. Ai do i shkruajë shefave në Tiranë se, “Ekrem Bardha, shqiptar i njohur, është takuar me presidentin Nikson. Tema e takimit të tyre nuk dihet, por, nga informacionet e ardhura, ka të dhëna se Ekrem Bardha i ka kërkuar Presidentit amerikan mbrojtjen e territorit shqiptar nga një agresion i mundshëm i Greqisë”.Presidenti i kishte premtuar:

, “unë nuk do të lejoj që pretendimet greke për territore shqiptare të realizohen”.

Një letër e Donika Bardhës bëhet shkak madhor për reagimin e presidentit Klinton dhe nis një rrugë e re, përmes një betimi që i bën presidenti i luftës: Serbët do e paguajnë këtë që po bëjnë në Kosovë.

Është një libër i veçantë. Ndoshta më i veçanti që do ta begatojë kujtesën e diasporës. Më domethënësi.

“Nësa ka diçka që më ka ndjekur gjithë jetën, edhe në kohë fatkeqësish, edhe në kohë suksesi, është pikërisht dashuria për Atdheun.

Jeta në demokracinë amerikane më bëri të reflektoj mbi shumë gjëra. Kuptova që nuk duhet të hakmerremi për të shkuarën, por të punojmë për të ardhmen, të ndihmojmë në përparimin dhe mbarëvajtjen e Atdheut tonë.

Çdo shqiptar duhet të pyesë veten ç’ka bërë dhe ç’duhet të bëjë për Shqipërinë dhe Kosovën. Së bashku kemi shumë për të bërë…”

Autori

Po përfundoj duke cituar prof.Dr Emin Kabashin shkrimtar nga Prishtina:

“Çdo studjues që merret me veprimtarinë e gjerë të sa e sa emigrantëve, do kuptoj se ata, prioritet e patën çështjen kombëtare , dhe ky fakt është një realitet me thellësi historike. Kështu studjuesit e kujdesëshem, në të njëjtën kohë, do gjenjë edhe gjurmët e të gjithë brezave të atdhetarëve shqiptarë, qoftë para Luftës së Dytë Botërore apo edhe pas saj. Atëherë del qartë, mendimi se asgjë në jetën tonë historike, e as në jetën e mërgatës shqiptare në Evropë ,në Azi,në Amerikë, nuk ka pikur nga qielli, as nuk ka ardhur vetiu, siç thuhet, nga një faktor i jashtëm, apo nga një dorë e padukshme, në mënyrë që të vë në vijë, jo vetëm veprimtarinë e tyre, por edhe përfundimin e asaj veprimtarie” A nuk eshte ky rast i sotëm shembulli më eklatant?

Filed Under: Opinion Tagged With: Ekrem bardha, Elez Osmani

60 VJETORI I HAPJES SË GJIMNAZIT TË PUKËS 1963-2023

December 16, 2023 by s p

Prof.Asoc.Dr.Pashk Lekaj,“Mësues i Merituar”,

ish maturant i parë e drejtues arsimi në rreth

Vladimit Kola, drejtori shkollës mesme Pukë

Gjimnazi i Pukës në 60 vjetorin e Tij, fidanishtja e parë e përgatitjes së specialistëve dhe drejtuesve të ardhshëm brenda e jashtë rrethit.

Arsimi para çlirimit në Pukë

Rrethi i Pukës ndodhet në qendër të veriut të Shqipërisë i rrethuar në tre anët nga lumi Drin, me qendër administrative qytetin e vogël me të njëjtin emër. Puka është 850 m mbi nivelin e detit i rrethuar me pyje pishash. Rreth tij janë lagjet Zezaj, Kukaj dhe një fshat i vogël, Lajthizë.

Para çlirimit të vendit ka qenë nënprefekturë e Shkodrës. Në këtë periudhë, pothuajse e gjithë popullsia e kësaj zone ishte analfabete. Vetëm priftërinjët ishin të arsimuar mirë në Itali, apo Austri dhe disa hoxhallarë që zhvillonin mësim shqip, fshehurazi në kisha e xhami. Ngjarje e veçantë për Pukën ishte hapja e shkollës shqipe në Iballe në vitin 1903, me mësues Kolë Zezaj, e para në zonën e veriut, me inisiativën e patriotëve vendas, Frrok Pemati, Kol Nik Alia, Palush Pjetra. Kjo inisjativë u mbështet nga vëllëzerit Ndre e Lazër Mjeda me origjinë nga kjo zonë si dhe Konsullatës Austrohungareze në Shkodër. Ajo u mbyll pas tre vitesh sepse u dogj nga qarqe reaksionare, për t’u rihap më vonë.

Në një dokument tȅ vitit 1916, thuhet: ”Në Pukȅ s’gjindet asnjȅ njeri qȅ me kenȅ i zoti me u pȅrdorȅ si mȅsues, pȅrpos njiktyne: -Dom Gaspȅr Thaçi (prifti i Qelzȅs), Dom Nikollȅ Deda (prifti i Komanit), Dom Mathedius Mikaish (prifti i Iballȅs)…”.

Me hapjen e Normales sȅ Elbasanit, nga Puka u dȅrguan në njȅ kurs tre mujor pesȅ vetȅ, në vitin 1917, pȅr t‘u pȅrgaditur si mȅsues. Kjo krijoi mundësinë për hapjen e shkollave shqipe nȅ vitin 1918, në Pukȅ, Qȅrret, Iballȅ e Kulumri.

Nga të dhënat e statistikave dërguar Ministrisë sȅ Arsimit nga Puka, rezulton se nȅ vitin 1922 ishte me 338 frymȅ, kishte 41 nxȅnȅs.

Ngjarje e shënuar ishte ardhja e Migjenit, nȅ Pukȅ me 1936, si mësues e kryemësus për nënprefekturën. Ai jo vetëm shtoi numrin e nxënësve, por u kujdes për tërheqjen edhe të vajzave në shkollë, bile ndonjë nga një zonë e largët.

Në vitin 1937 si rezultat i punȅs së Migjenit, pȅr herȅ tȅ parȅ nȅ shkollȅn e Pukës dalin 10 nxȅnȅs qȅ kryen arsimin e plotȅ fillor me 5 klasȅ, kurse nȅ tȅ gjitha shkollat e tjera tȅ rrethit nxȅnȅsit merrnin vetȅm deri nȅ 3 klasȅ. Nȅ vitet 1939-1944, megjithȅse me ndȅrprerje, mȅsimet vazhduan nȅ shkollë.

Hapja e gjimnazit në Pukë ngjarja më e rëndësishme për zhvillimin e arsimit në rreth, vatër e përgatitjes të specialistëve të ardhshëm

Në ndarjen administrative, mbas çlirimit, Puka ishte një ndër 26 rrethet e vendit, e kategorisë së tretë, ku përfshiheshin rrethet e vogla. Në vitin 1949 rrethit iu shtua zona e Gjegjanit, që u shkëput nga rrethi i Mirditës. Tashmë rrethi kishte, si ndarje administrative katër lokalitete: Pukë, Fushë Arrëz, Iballe dhe Gjegjan. Më vonë fshati i Komanit i kaloi Shkodrës, ndërsa fshatrat: Srriqja, Mollë Kuqe dhe Arat e Mira, nga Kukësi i kaluan në vartësi Pukës.

Në vitin 1991 Puka kishte një sipërfaqe 1034 m2, dy qytete (Pukë, Fushë Arrëz), me një popullsi 50286, nga të cilët në qytete 6077, ose 12%, me 20 fshatra të bashkuar e 74 fshatra të veçantë. Rrethi i Pukës ishte kudo i banuar, por kishte terrenin më të thyer malor, me rreshje të shumta, temperatura të ulta, ku mungonte infrastruktura rrugore dhe mungesa të kushteve të banimit e ushqimit, sidomos mbas tufëzimit, në vitet 1980.

Mbas çlirimit u tregua një kujdes i veçantë për zhvillimin e arsimit, që mori një masivizim në të gjitha zonat, krahas politizimit të tij. Nȅ vitin 1945 nȅ Pukȅ,funksiononin 16 shkolla fillore. Në qytetin e Pukës kishte 104 nxënës, që frekuentonin 92 prej tyre dhe jepnin mësim 3 mësues. Në vitin 1949 në Pukë (që përfshinte dhe Lajthizën) kishte 155 nxënës, në pesë klasa me 4 mësues.

Nȅ vitin 1949 u hap shkolla e parȅ 7-vjeçare nȅ qytetin e Pukȅs, që shȅnon njȅ ngjarje tȅ rȅndȅsishme për zhvillimin e arsimit.

Vazhdimi i shkollave të mesme, me një numër të pakët nxënësish, bëhej jashtë rrethit, kryesisht në Shkodër, në pedagogjike dhe pyjore, në Peshkopi për agronomi, në Lezhë për ekonomi, në Tiranë për gjuhë të huaja, nga të cilët në raste të rralla, vazhdonin shkollat e larta, në Shkodër e Tiranë.

Puka, duke qenë një qytet me popullsi të vogël, kishte pak nxënës në 7-vjeçare. Për t’i paraprirë hapjes së shkollës së mesme me një numër më të madh nxënësish, si dhe në veçanti për të tërhequr nxënës nga gjithë fshatrat, që nuk kishin shkolla 7-vjeçare, u hap konvikti i parë në rreth, me 1 mars 1960.

Mbas një punë bindëse nga mësuesit me prindërit e nxënësve të klasave të katërta, me rezultate më të larta, në fshtra, erdhën në konvikt 40 nxënës, për të filluar klasën e pestë në qytet, prej të cilëve 10 ishin femra. Në moshën 12 vjeçare, këta nxënës, me një valixhe druri në dorë, duke bërë disa orë në këmbë, nga disa fshatra të rrethit (atëhere nuk kishtë rrugë makine zona e Gjegjanit, Fierzës, fshatrat e zonës Iballe) erdhën në qytetin e Pukës për të filluar klasën e pestë. Ndërtesa e banimit të konviktorve ishte një barakë me dërrasa, ku është posta sot. Konviktorëve u dhanë veshje uniformë (kostum, pallto, këpucë), që në fillim thanë se do ishin falas, por në fund të vitit shkollor u morën lekët prindërve për to.

U krijuan kështu në qytetin e Pukës, dy klasa të pesta. Mësimi zhvillohej, ku është sot muzeu “Migjeni”. Në gjithë shkollat e rrethit mësimi fillonte me 1 mars, bënin pushimet e verës dhe vazhdonte deri me 30 nëntor (quheshin shkolla verore ishin në disa rrethe malore të Shqipërisë).

Shkolla e mesme e përgjithshme (gjimnazi) në qytetin e Pukës u hap për herë të parë në vitin 1963 e para në rreth dhe e fundit nga të 26 rrethet që kishte Shqipëria.

Fillimisht, gjimnazi u hap në ambjentet e shkollës 7-vjeçare “Migjeni” (sot 9-vjeçare) deri në vitin 1979, kur përfundoi ndërtesa aktuale. Në këtë vit, institucioni u emërtua “35 Vjetori i Çlirimit“, në nderim të përvjetorit të çlirimit të vendit. Këtë emër kjo shkollë e ka mbajtur deri në vitin 2004. Me vendim të Këshillit të Bashkisë Pukë, në vitin 2004, mori emrin, shkolla e mesme “Sabah Sinani” për nder të ish maturantit të parët, mësuesit dhe drejtuesit të talentuar, Sabah Sinani, i cili u nda nga jeta aksidentalisht në vitin 1994.

Në vitin e parë u regjistruan 36 nxënës, me 5 femra, prej të cilëve 25 ishin me bursë të plotë.

Gjimnazi ishte i bashkuar me 7-vjeçaren, me të njëjtin drejtues. Mësimi filloi në godinën, ku sot është shkolla 9-vjeçare, që u ndërtua atë vit e re, në të cilën herë pas here kontribonim edhe ne me punë vullnetare.

Gjithashtu u ndërtua dhe konvikti i ri, një godinë e bukur, ngjitur me bashkinë, e cila në fund të viteve 90 u prish duke u ndërtuar një godinë e re, afër shkollës 8-vjeçare, ku është sot.

Mësuesit ishin nga Shkodra, me Institut 2-vjeçar, nga të cilët vetëm dy pukjanë, Ndue Pjetri (fiskuturë) e Xhemal Meçi “Mjeshtër i Madh” (letërsi). Në vitin e tretë të shkollës së mesme, për herë të parë, erdhën mësues që kishin mbaruar Universitetin e Tiranës, Zyhdi Heqimi për matematikë, Adnan Beli për fizikë, Fatmir Kazazi për bio-kimi, Paulin Shtjefni për letërsi, që jo vetëm e zhvillonin mësimin me nivel e cilësi, por dhe kishin kërkesa shumë të larta në vlerësimin me notë të nxënësve.

Përgatija e maturantëve para vitit 1991, ishte baza kryesore për të vazhduar arsimin e lartë, për përgatitjen e specialistëve me nivel shkencor e profesional, në të gjitha fushat e zhvillimit ekonomiko-shoqëror, për të shërbyer në rrethin e Pukës. Gjithashtu, edhe ata që nuk vazhdonin e arsimin e lartë, shkonin në kurse një e dy vjeçare duke u përgatitur si teknikë në profesione të ndryshme, aq të nevojshme për rrethin. Deri në vitin 1991, Partia e Punës, nuk lejonte largimin e popullsisë nga fshati, bile edhe në qytetin e Pukës, ishte shumë e vështirë të merrje pasaportizimin. Mundësi largimi nga rrethi, kishin vetëm ata që mbaronin shkollat për oficer.

Në nëntor të vitin 1966 mbaruan maturën, për herë të parë në rreth, 21 nxënës nga të cilët tri vajza. Gjatë vazhdimit të shkollës së mesme pati largime. Disa nxënës, për arsye ekonomike u detyruan të fillonin punë në ndihmë të familjes, apo vazhduan ndonjë shkollë profesionale jashtë rrethit, krahas atyre që largoheshin familjarisht. Matura e parë ka qenë me rezultatet më të lartë në mësime, ndër të gjitha maturat, si në arsimin e mesëm, ashtu edhe në arsimin e lartë, nga të 16 që e mbaruan atë. Nota mesatare e maturantëve ishte mbi 8, nga të cilët 5 nxënës merrnin 10 në matematikë. Ky rezultat doli edhe nga kontrolli i Minstrisë së Arsimit e Kulturës, i cili u përserit dy here. Kjo maturë u vlerësua si ndër më të mirat në Shqipëri.

Shkollat e larta fillonin mësimet me një shtator. Matura e parë mbaroi mësimet në nëntor, prandaj studimet do i vazhdonin pas një viti. Pothuaj gjithë maturantët e parë, u dërguan në një kurs 15 ditor gjatë muajit shkurt 1967, pranë shkollës pedagogjike Shkodër. Me 1 mars u emëruan mësues në disa shkolla 7-vjeçare të rrethit, duke dhënë kryesisht lëndët e shkencave të natyrës.

Në konviktin e Pukës pranoheshin në klasën e pestë (nga fshatrat që nuk kishte shkollë 7-8-vjeçare), nxënësit më të mirë të klasave të katërta dhe në vitin e parë gjimnaz më të mirët që mbaronin 7-8-vjeçaren. Konviktorët përbënin 70-85% të nxënësve të shkollës së mesme. Në Pukë, caktoheshin mësuesit më të përgatitur shkencërisht dhe të aftë metodikisht. Gjithashtu drejtuesit e gjimnazit të Pukës kanë qenë të aftë e të përkushtuar në punë. Kanë lënë mbresa të veçantë tek kolegët e nxënësit drejtorët e shkollës nga rrethet e tjera, si: i pari Xhevat Hoxha, Jazo Bilani, Burhan Tabaku, Eftimaq Postoli, drejtoresha e konviktit Prena Lekçaj, me eduktoren mbi 15 vjet, Verore Leknikaj, nga Korça dhe më vonë Zenepe Laçi, 21 vjet, ish maturante. Nxënësit mësonin rregullisht e me dëshirë. Në konvikt studimi ishte me orar të përcaktuar.

Në vitet 1970-1980 rrethti i Pukës, pati një zhvillim të shpejtë ekonomik, pasi kishte pasuri të

mëdha mbi e nëntoksore.

Kolektivizimi i bujqësisë në të gjithë rrethin, në vitin 1967, rriti kërkesa për specialist të bujqësisë (në fillim në çdo fshat kishte një kooperativë bujqësore, pastaj u krijuan në bazë fshati të bashkuar, gjithsej 20). U mbyllën kisha e xhami dhe u hoq prona private.

U hap rruga e re automobilistike nga Rresheni, në Gjegjan, Fushë Arrëz, Qafë Mali, deri në Fierzë, e cila u asfaltua. Në të u transportuan materiale ndërtimi e makineri, për ndërtimin e Hidrocentralit të Fierzës, një vepër madhore, me përmasa Evropiane. Në vitin 1970 përfundoi elektrifikimi i plotë i Shqipërisë, pra edhe i rrethit të Pukës.

Rrethi i Pukës zinte vendin e parë në Shqipëri për pyjet që përbënin 80 % të tyre. Puka zinte vendin e parë për bakër, zink, squfur, ar, argjend. U zbuluan vendburimet e bakrit në Munellë, Qafë-Bari, Lak Roshi,Tuç që u hapën miniera aty. Gjithashtu dhe për mineralet jometalore ajo mban vendin e parë për kaulinën, granitet, që janë përdorur në industrine e porcelanit dhe të qeramikës, si dhe për xhamin vullkanik, që përdorej në hidrocentralet për çimenton portland. U ndërtua fabrika e pasurimit të bakrit në Fushë Arrëz. Ndërmarrja e Sharrave, për përpunim e drurit, repartin e mobiljeve, të kompensatës, ishte ndër më të mëdhatë në vend. U ndërtua fabrika e kollofonit (që shërbente si lëndë e parë për sapunin dhe për eksport), fabrika e pllakave të zdrukthit dhe terpentinës. U hap Parku i Mallrave me 300 makina, 100 prej të cilave ishin për transportimin e lëndës drusore. Drejtoritë e këtyre ndërmarrjeve ishtin të gjitha të përqendruar në Fushë Arrëz, i cili u bë dhe një qendër punëtorësh. Në Pukë u krijua Korpusi i Ushtrisë (më vonë Regjiment) që drejtone nga ana ushtarake pothuaj gjithë veriun.

Në shëndetësi kishte spital në Pukë, Fushë Arrëz, Gjegjan, Iballe, si dhe çdo fshat i bashkuar, kishte qendra shendetësore, me mjek e infermjere.

Në vitin 1985 rrethi Pukës, kudo i banuar, kishte 5 shkolla të mesme (që në vitin 1990 u

bënë 10), 55 shkolla 8-vjeçare, 42 të ciklit të ulët dhe 40 kopshte. Në Pukë, Fushë Arrëz ishin me profilin gjimnaz, që sipas rastet u hapën profile profesionale, për përgatije të specilistëve të fushave përkatëse të ekonomisë, pyjeve, minierave, gjeologjisë, mekanikës, ndërsa në fshatra kishin vetëm profilin agronomi.

Ky zhvillim, domosdo, kërkonte shumë kuadro e specialistë të aftë e të përgatitur, me arsim të lartë, për gjithë sektorët, ku shkollat e mesme ishin baza për të arritur këtë synim me kuadro vendas.

Deri në vitin 1971, nga rrethi kishin mbaruar Universitetin me “pikatore”, si Milazim Mustafa

inxhinieri elektrike, Ismail Djaloshi, histori-gjeografi, Halil Kopani drejtësi, Elez Selimi mjeksi (këta punuan më shumë jashtë rrethit), Sulejman Sula, agronomi, Filip Koliçi veterinari, Qamil Pema biokimi dhe ndonjë tjetër me korespondencë.

Gjimnazi i Pukës, duke patur nxënësit më cilësor të rrethit se shkollat e tjera të mesme, sherbeu si bazë që ata të vazhdonin arsimin e lartë sistematikisht çdo vit 70-80 % e tyre, nëse plotësonin kriteret politike, notën mesatare mbi 7 dhe historinë e Partisë 8 e lart.

Në vitin 1967, në gjithë Shqipërinë, shkollat verore u kthyen në dimrore. Kështu viti i ri

shkollor filloi me 1 mars dhe përfundoi me 15 gusht 1977, për të vazhduar vitin pasardhës me 1 shtator. Me këtë rast të gjitha klasat përfituan një vit shkollor për 6 muaj.

Me 1 shtator 1967, nga 39 nxënës nga dy maturat, 29 filluan Universitein e Tiranës, Institutin e Lartë pedagogjik Shkodër dhe shkollën e lartë të oficerëve, në degë të ndryshme të mësuesisë,ekonomisë, inxhinierisë, mjeksisë etj. Në degët e mësuesisë vazhduan (matematikë, gjuhë letërsi, biokimi) katër maturant. Nga katër maturat e para (1966-1969), me 71 nxënës, mbaruan arsimin e lartë 56, ose 79% e tyre.

Në vitin 1968 arsimi 7-vjeçar u kthye në 8-vjeçare, kështu që në vitin 1970, nuk pati maturant, mbasi ishin në vitin e tretë të shkollës së mesme, e cila tashmë ishte 4-vjeçare.

Shkolla e mesme Pukë, u bë model, jo vetëm në përgatijen e nxënësve me nivel e cilësi, por edhe për pajisjen e klasave me mjete mësimore, ngritjen e laboratoreve të kimisë, fizikës, biologjisë, kabineteve mësimore dhe bibliotekës. Kabineti i kimisë i ndërtuar nga mësuesi Qamil Pema, nga Qerreti, u bë shembull në shkallë kombëtare.

Në vitin 1971, filluan të dalin specialistët e parë me arsim të lartë, që kishin mbaruar gjimnazin në Pukë. Në arsim ishin 3 me arsim të lartë.

Në vitin 1975, me kërkesën e rrethit u emëruan nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës në Pukë mbi 90 mësues me arsim të lartë (afër 50 nga Gjirokastra), djem e vajza nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Ata, megjithë kushtet e vështira të rrethit, jo vetëm ndikuan në ngritjen e nivelit të mësuesve me arsim përkatës, mbasi u larguan ata pa arsim përkatës, por dhe punuan me pasion e ndërgjegje të lartë, duke ndikuar në ngritjen cilësore të arsimit në të gjitha ciklet. Disa vite vazhduan të vinin shumë mësues nga rrethet e tjera, por tashmë filluan të shtoheshin edhe vendas, ku pjesa më madhe kishte mbaruar shkollën e mesme në Pukë.

Nȅ vitin 1959 nȅ rrethin e Pukȅs kishte vetȅm njȅ mȅsues me arsim tȅ lartȅ pedagogjik, me 1974 kishte 127 mȅsues, ndȅrsa me 1980, ky numȅr arriti nȅ 266.

Në vitin 1985, nga 28 institucione e ndërmarrje që kishte rrethi, nëpunës me arsim të lartë

ishin 767, nga të cilët 280 në arsim, ose 37%.

1989, me arsim të lartë ishin, 981, nga të cilët 531 në arsim, ose 39%,. Nga këta ishin vendas në arsim 66%, ndërsa në të gjithë sektorët 54% ishin vendas. Në vitin 1991, në gjithë rrethin e Pukës kishte vetëm 91 mësues nga rrethet e tjera.

Nga ekipi i kontrollit të Ministrisë së Arsmit e Kulturës, në vitin 1985 dhe në vitin 1989, në sektorin e arsimit u vlerësua lart puna drejtuese dhe e disa mësuese edhe të shkollës së mesme Pukë.

Nga viti 1966 deri në vitin 1991 mbaruan gjimnazin ditën, deri në vitin 1991, 25 matura, me

976 nxënës, 416 femra, prej të cilëve 112 me banim jashtë rrethit. Gjithshtu mbaruan gjimnazin pa shkëputje nga puna (mbrëmje dhe korespondeca), 22 matura, me 524 nxënës, na të cilët 312 femra. Në vitin 1991 në gjimnaz ishin 80 nxënës.

Në gjimnazin e Pukës pati edhe degë të tjera që u hapën përkohësisht për të ndihmuar me specialist, në zhvillimin e vrullshëm ekonomiko-shoqëror të rrethit, pranë saj janë hapur degët: e frutikulturës, nȅ vitin 1972-1973 pa shkȅputje nga puna (e mbrëmjes), me 5 matura, mbasi ferma Luf-Qerret, kishte drejtim kryesor frutikulturën, e cila vazhdoi deri nȅ vitin shkollor 1975-1976, që u hap bujqësore (ditën) me 8 matura, në 1976-1991; zootekni (ditën) me 3 matura, në vitet 1983-1985; gjeologji, ditën, me një maturë, në vitin 1985; miniera (ditën) me një maturë, në vitin 1987; frutikulturë, mbrëmje me 5 matura, në vitet 1974-1978 dhe korespondencë me dy matura;

Në këto profile përfunduan në profilet: agronomi, 233 nxënës, 145 femra, frutikulturë mbrëmja e korespondencë 277 nxënës, 38 femra, zooteknikë mbrëmja 80 nxënës, 44 femra, gjeologji dhe miniera, ditën, vetëm nga një vit, me përkatësisht 34 e 25 nxënës, të gjithë djem.

Në vitin 1991 kanë dhënë mësim në shkollën e mesme e 21 mësues, nga të cilët 12 pukjanë, 3

ish maturant të shkollës, pa përfshirë të mësuesit e jashtëm që jepnin disa orë sipas profileve.

Deri në vitin 1991, gjithë ata që mbaruan shkollën e lartë, u kthyen, për të punuar sipas profileve, në institucione e ndërmarrje të rrethit. Kërkesat nga ana e dikastereve për ndonjë specialist nuk pranoheshin nga rrethi sepse kishte nevojë për kuadro. Familjet e këtyre specilistëve nuk u lejohej të lëviznin nga fshati. Ata që nuk shkuan në arsimin e lartë, vazhduan kurse një e dy vjeçare në specialitete të ndryshme apo kurse kualifikimi dhe u punësuan si teknikë në ndërtim, gjeologji, miniera, parkun e mallrave, ndërmarrjen e sharrave, ndërmarrjen elektrike, kooperativa bujqësore, apo si mësues e infermiere.

Tashmë u krijuan mundësitë që jo vetëm specialistët, por dhe drejtues në institucione e ndërmarrje të rrethit të jenë edhe ish maturant të gjimnazit të Pukës që treguan aftësi drejtuese, profesionalizëm të lartë duke u vlerësuar deri në shkallë kombëtare. Disa prej të cilëve janë: Mrikë Cara, e para oficere në rreth, deputete në Kuvendin Popullor, kryetare e Organizatës së grave të rrethit; Pjetër Dema, drejtor i Ndërmarrjes së Sharrave dhe i Fermës Luf-Qerret; Tonin Deda kryeinxhinier e drejtor i Ndërmarrjes Gjeologjike; Kolec Daja drejtor i farmacive të rrethit, drejtor i famacive në Ministri të Shendetësisë Tiranë; Martin Deda, Nikoll Topjana, jurist e drejtues në dikastere qendrore Tiranë; Mark Vata, kryetar i Komitetit të Fiskulturës Rrethit; Ndue Binaku shef i Seksionit të Arsimit e Kulturës, Muhamet Cufaj, Fran Cara, inspektor në seksion e metodist në Kabinetin Pedagogjik; Bardh Alia drejtor në gjimnazin e Pukës; drejtues në shkollat e tjera; Gjon Gjoka, Sabah Sinani, Tom Curri, Rrok Nikolli, Bardh Doda, Mark Prela, Fadil Çoba, Ndue Rexhepi dhe shumë inxhinier, agronom, zooteknik, veterinar, mësues që shërbyen në zona të ndryshme të rrethit.

Janë me dhjetra edhe nga ish maturant të Pukës, që si specialist, me arsimt të mesëm e të lartë, duke qenë larg familjeve, punuan me përkushtin, në fshatra e sektor të largët, pa kushte të përshtatëshme për banim, por në male të larta e terrene të vështira, në dimër me shi e dëborë, në verë të nxehtë, me turne, duke fjetur në baraka druri, pa u ankuar, duke realizuar detyrat e ngarkuara me nivel e cilësi.

Lëvizja e lirë e njerëzve, me vendosjen e demokracisë në vend, pas vitit 1991, solli edhë në rrethin e Pukës, migrimet drejt qyteteve Shkodër, Lezhë, Laç, Krujë, Tiranë, Durrës, si dhe shumë emigrimet jashtë vendit, duke sjellë pakësimin e popullsisë dhe për pasojë edhe të numrit të nxënësve e të mësuesve, që tashmë,ishin të gjithë vendas. U shpërbënë kooperativat bujqësore, disa ndërmarrje shtetërore u mbyllën, apo u zvogluan, duke bërë që të mbesin pa punë e të largohen shumë specialist vendas.

Theksojmë se shumë ish maturant të gjimnazit të Pukës, edhe pas vitit 1991, u bënë të sukseshëm, brenda e jashtë rrethit, duke u zgjedhur në organet më të larta të pushtetit qendror e vendor, drejtues më arsim, ndërmarrje e institucione shtetërore e private, pedagog në universitet, me tituj e grada shkencore, biznesmen të suksesshëm në shkallë kombëtare.

Përveç atyre që u përmendëm, vazhduan të jenë të sukseshmën në detyra të rëndësishme, brenda e jashtë rrethit, maturantë e ish nxënës të tjerë të shkollës së mesme Pukë të cilët arriten të kryejnë detyra me rëndësi deri në në shkallë kombëtare: Nikoll Pali, Simon Puta, Fran Pjetri, deputet; Haki Mustafa prefekt në Fier dhe kryetar i Njësisë Bashkike Nr.11 Tiranë; Rrustem Struga, Gjon Gjoni, Rrok Doda, kryetar bashkie në Pukë, Prel Cena në Fushë Arrëz; Ndue Mjekaj, gjeneral në ushtri; Pjetër Dema, Dedë Përshpali, kryetar të këshillit të rrethit Pukë; Gjergj Sokoli, drejtor i Ndërmarrjës së Sharrave Fushë Arrëz; Ndue Seferi, drejtor i Parkut të Mallrave, Hilë Alia kryeinxhnier i këtij Parku; Pjetër Leka, Ndue Përdoçi, drejtor të Ndërmarrjes Elektrike të rrethit; Ndokë Seferi, Blerina Pema, drejtor të drejtorisë arsimore të rrethit, drejtor në hidrocentarin e Komanit; Leze Maluta, Fatmir Shkjau, Anxhelin Marku, drejtor shkolle, Florinda Ishmaku përgjegjese e statistkës rrethit; Musa Halili anëtar i Gjykatës Lartë, Fatmir Hoxha, anëtar i Gjykatës Kushtetuese; Aleks Paci inxhinier elektrik, Nikoll Paluca inxhinier ndërtimi, specialist të vlerësuar në shkallë kombëtare, deri pedagog në Universitet; Vitor Maluta, doktor i Shkencave Veterinare, pedagog në Fakultetin e Veterinarisë; Tonin Deda, doktor i Shkencave Gjeologjike; Nikoll Deda, kryetar i Urdhërit të Dentistëve të Shqipërisë; Fran Mula dhe Fran Vuka, drejtues përkatësisht, në shtëpi të kulturës dhe Pallatin e Kulturës rrethit e Kamzës; Riza Hoxha, koreograf, “Mjeshtër i Madh”; Zamira Matoshi, kryetare e Shoqatës së Mësuesve Pukjanë në Tiranë; mjekët me speciliizime pasuniversitare Dod Suta, Tone Nika, Dodë Boci, Rifat Laçi, Silvana Ahmeti; Rrok Gjoka e Vitor Delia, biznesmen të suksesshëm në shkallë kombëtare e me dhjetra specilist të tjerë në fusha të ndryshme shkencës.

Gjthashtu maturant, apo ish nxënës të shkollës mesme Pukë nga ata që kanë emigruar, kanë arritur të jenë të suksesshm, në punët që kanë kryer si punëtor, student apo si intelektual, si Mimoza Matoshi, Diana Kukaj në Angli, apo Esmeralda Vata deri drejtuese departamenti, në një Universitet të Njew Jersit, SHBA.

U mbyllën disa shkolla të mesme në fshatra, veç atyre të arsimit 8-vjeçar e të ciklit të ulët. Të gjitha profilet në shkollat mesme u kthyen në gjimnaz.

Mbas vitit 1991 gjimnazi i Pukës ka funksionuar normalisht, duke patur nga 80-100 nxënës me katër paralele, deri në vitin 2020, kur numri i maturantëve ra në dy paralele. Në vitin 2023 mbaruan gjimnazin 57 maturant.

Në shkollën e mesme Pukë u hap dega e pedagogjikës (ditën) më 4 matura, në vitet 2007-2010. të cilën e vazhduan kryesisht specialist të bujqësisë, 69% e të cilëve ishin femra, mbasi arsimi ishte i vetmi vend ku mund të punësoheshin afër vendbanimit.

Gjithashtu ka vazhduar gjimnazi pa shkëputje nga puna (mbrëmjës) dhe korespondenca deri në vitin 2007.

Bazuar në të dhënat e marra nga Arkiva e Shtetit dhe Arkiva e shkollës mesme Pukë, rezulton se deri në vitin 2023 kanë marrë maturën 5433 nxënës, nga të cilët 2598 femra ose 48%. Në këtë shkollë kanë mbaruar profilin gjimnaz (arsimi i mesëm i përgjishëm), ditën 3794 nxënës, nga të cilët 1967 femra ose 52% e tyre.

Në gjimnaz, që nga hapja e tij deri në vitin 2023, kanë dhënë mësim 290 mësues dhe specialistë sipas degëve, nga rrethi dhe jashtë tij.

Gjimnazi i Pukës ka qenë, është e do të mbetet krenaria e rrethit, për nivel tëlartë e cilësi në mësim dhe bazë në përgatijen specialistëve për të përballuar me sukses detyrat që marrim përsipër kudo, brenda e jashtë Shqipërisë.

Referenca:

Sabah Sinani, Historiku i Arsimit të rrethtit Pukë, 1989.

Muzeu i Shkodrës, Fondi Migjeni.

Buletini “Puka dhe shkolla”,1974.

Arkiva e shkollës mesme Pukë.

Arkivi Qendror i Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, fondi: Aktkontrolli i Ministrisë Arsmit,1985.

Arkivi Qendror i Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave fondi: Aktkontrolli i Ministrisë Arsmit, 1989.

Vjetari statistikor i Shqipërisë 1991.

Pashk Lekaj. „Zhvillimi i arsimit parauniversitar e prognoza e tij, gjendja e infrastrukturës shkollore dhe nevojat e saj, në rrethin e Pukës“.1998.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT