• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2024

SHKOLLA SHQIPE E CHICAGOS, GJUHË SHQIPE DHE IDENTITET KOMBËTAR NË MËRGATËN E AMERIKËS 

January 18, 2024 by s p

Mimoza Hoxha (Canodemaj) mësuese e shkollës shqipe në Chicago, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Chicago, Illinois, USA, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Mimoza Hoxha (Canodemaj) bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE NË CHICAGO

Misioni i shkollës tonë ashtu si dhe dëshira e të gjithë shqiptarëve kudo ku janë është “ruajtja e gjuhës dhe identitetit tonë kombëtar”. Me këtë qëllim në mendje dhe në zemër Shkolla jonë hapi dyert e saj për herë të parë në vitin 2008. Ishte një vajzë e vogël në atë kohë Erla Teli kur ndjeu mungesën e shkollës shqipe për komunitetin tonë. Vitet kaluan dhe sot Erla është një zonjë e re që mbasi ishte nxënëse për disa vjet tashmë jep kontributin e saj në  Bordin Drejtues të Shkollës Shqipe. Pyetja e Erlës “po ne pse nuk kemi shkollë që të mësojmë shqip siç kanë shoqet e mia që mësojnë gjuhët e tyre kombëtare?’ zgjoi interes tek Lea Bitta. Lea është anëtare e Bordit Drejtues të Shkollës qysh nga  krijimi. Ajo filloi të pyesë dhe të marri opinionet e shumë anëtarëve të komunitetit tonë dhe sidomos të atyre familjeve që kishin fëmijë në moshë shkolle nëse ata do të ishin të interesuar për një shkollë ku do të mësohej gjuha dhe historia e Shqipërisë. Ne ishim një  nga ato familje. Shumë e pritën me kënaqësi dhe interes këtë iniciative të re. Te gjithë ishim optimistë për këtë ngjarje dhe për vlerat që ajo mbart në vetvete. Kjo jo vetëm për argëtimin dhe kënaqësinë që na jep mbledhja së bashku në ambjentet e shkollës sonë për të kaluar disa orë të këndshme mes shokësh dhe miqsh, por për më tepër për garantimin e vazhdimësisë së të ardhmes së Shqiptarizmit për brezat që do të vijnë. Unë dhe familja ime jemi mirënjohës për këtë shkollë. Edhe pse ne kishim vetëm një vit që kishim ardhur në USA e kishim të nevojshme ti rregjistronim vajzat. Vajza e madhe Xhorxha mbaroi klasën e katërt fillore në Tiranë por vajza tjetër Deborah e filloi klasën e parë këtu në Amerikë dhe nuk dinte të shkruante e të lexonte shqip. Pa folur më tej për historinë dhe kulturën shqiptare që ato kishin shumë nevojë dhe që në kushtet e reja të emigrimit merrnin një vlere të re për ne, ruajtjen e identitetit tonë kombëtar. Sot është e rëndësishme që fëmijët tanë dhe brezi i ri të njohi Shqipërinë Etnike dhe hartën e saj. Historinë e dhimbshme të ndarjes së Shqipërisë në copa etj etj.

SI ORGANIZOHET MËSIMI SHQIP

Bordi Drejtues i shkollës përbëhet nga 8 anëtarë: Nick Vangel kryetar dhe Lea Bitta, Olga Tito, Diane Pero, Rozan Simoni, Gazmend Kapllani, Ardit Breznica dhe Erla Teli anëtarë. Është një kombinim i vizionit dhe ekperiencës së moshës me energjinë dhe ide të reja. Jam optimiste dhe e sigurt se me potencialet që të gjithë këta individë ofrojnë shkolla jonë do të arrijë rezultatet e shumë dëshiruara që koha dhe vendi kërkon. Ne falenderojmë Bordin Drejtues të Kishës së Shën Kollit që me kënaqësi na vuri në dispozicion ambjentet e Kishës që të pranojmë nxënësit tani dhe 15 vjet te shkuara dhe i ndjeri Metropolitan Ilia Katre për fjalët inkurajuese. Shkolla jonë tashmë funksionon si një shoqatë e licensuar jofitimprurëse me të gjitha të drejtat dhe privilegjet e saj. Kjo arritje i dedikohet grupit të punës brenda Bordit të shkollës të drejtuar nga Avokati ynë  me shumë vlera, Rozan Simoni. Mësimi i gjuhës bëhet i organizuar në klasa mësimore që përbërja e të cilave ndryshon çdo vit lidhur me moshën dhe njohuritë e nxënësve. Shkolla jonë është e hapur për nxënës të moshës 5 deri në 15 vjeç! Këtë vit shkollor ne kemi katër klasa nga të cilat dy janë të klasës së parë dhe dy të klasës së dytë. Mosha e nxënësve është 5 deri në 7 vjeç për klasën e parë dhe 8 deri në 12 vjeç për klasën e dytë me një numër nxënësish  6-7 për çdo klasë. Përfitoj nga rasti të falenderoj mësueset e shkollës sonë për punën e tyre. Mësueset e klasës së parë Emanuela Cako dhe Eda Pojani, si edhe mësueset e klasës së dytë Elona Shkira dhe Albana Romacka. Shkolla jonë është e interesuar dhe në proces të acreditoj programin e saj. Ne jemi në kontakt me institucionin që ndjek programet e akredituara te shkollave Etnike në Illinois, Illinois State Board of Education. Kemi mbledhur informacionet e nevojshme dhe përgatitemi për hapin tjetër që do ti shtojë vlera shkollës sonë dhe përfitime komunitetit. Ndryshimet që dikton akreditimi si proces janë fitimprurëse. Ai është një program i gjerë mbi 120 orë mësimi që përfshin gjuhën, kulturën, zakonet, traditat e shqiptarëve dhe ju jep mundësinë nxënësve pjesëmarrës në këtë program jo vetëm të shtojnë njohuritë e tyre mbi identitetin tonë kombëtar duke u shoqëruar dhe argëtuar në një ambient të ngrohtë dhe familjar por edhe të investojnë në të ardhmen e tyre duke përfituar kredite të transferueshme në diplomën e tyre të shkollës së mesme si çdo gjuhë shtesë e studjuar në shkollë. Ne kemi edhe “Grupi Arberia” që është Shkolla Shqipe në kërcim. U formua në të njëjtën kohë me shkollën dhe vazhdon të jetë një sukses dhe argëtim i madh për fëmijët dhe komunitetin tonë. Ai drejtohet nga dy të rinj të talentuar dhe të sukseshëm Georgya Borova dhe Ardit Breznica. Ata ishin anëtarë të grupit që në fillimet e tij në vitin 2008. Është nder dhe kënaqësi për ne prezenca e tyre.

KURRIKULA MËSIMORE

Ne jemi të nderuar që kemi në Bord Dr. Gazmend Kapllanin që është anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe përfaqëson USA. Me ndihmën dhe udhëzimet e tij ne bëmë të mundur që nxënësit tanë të përdorin paketën “Gjuha Shqipe dhe kultura shqiptare-Niveli 1” Ky është teksti i përbashkët për mësimin e Gjuhës Shqipe në Diasporeë. Ai është hartuar në  përputhje me kurrikulën e mësimit plotësues të Gjuhës Shqipe e cila është miratuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Shqipërisë në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në Kosovë dhe është miratuar me Urdhrin e dy Ministrive të Arsimit Shqipëri dhe Kosovë! Kjo paketë përfshin Librin e Nxënësit, Librin e Mësuesit/Prindit, Fletore Pune, Fjalor me figura, Poezi “shko Dallëndyshe” dhe kodin digital për ta shkarkuar dhe përdorur online librin e  shfletueshëm në kompjuter.

BASHKËPUNIMI ME PRINDËRIT DHE KOMUNITETIN SHQIPTAR

Ne kemi një bashkëpunim të frytshëm me prindërit dhe kjo për shumë arsye siç kuptohet por edhe për faktin se Mësueset  dhe drejtuesit e shkollës kanë dhe fëmijët e tyre në shkollë. Çdo gjë bëhet si për veten tënde me dëshirën dhe përkushtimin më të madh nga të gjithë si një familje e madhe. Ato janë prindër dhe mësues të nxënësve në të njëjtën kohë. Për mendimin tim ky pozicion na bën ne të gjithë më pranë nevojave të nxënësve dhe familjeve të tyre. Një pjesë e familjeve kanë edhe gjyshërit të pranishëm në jetën e tyre. Ata fëmijë që kanë gjyshërit këtu në Amerikë janë të përkëdhelurit e fatit. Është një kënaqësi e vecantë për të gjithë të shikosh dhe të dëgjosh brezat të flasin Shqip në Amerikë. Është një marrëdhënie e vecantë. Ata shoqërojnë dhe mbështesin njëri tjetrin gjatë gjithë jetës. Këtë e shikojmë edhe një herë tjetër më së miri me gjyshen e Ardit Breznicës që filloi të shoqëroj Arditin si nxënës dhe fëmijë 15 vite me parë në vitin 2008 dhe vazhdon ta shoqërojë edhe tani që ai është instruktor i valles në  “Grupin Arbëria”. Ajo është shembull dashurie dhe përkushtimi. Siç dimë të jemi ne shqiptarët dhe pak të tjerë! Jam e sigurt se ndër vite gjyshe të tjera do të pasojnë shembullin e saj dhe ne do krenohemi dhe mburremi edhe me ato. Lidhja jonë e ngushtë me komunitetin shihet edhe tek fakti që prindërit dhe gjyshërit e nxënësve dhurojnë libra dhe materiale të tjera për shkollën të sjella nga Shqipëria posaçërisht. Këtu mund të përmendim gjysh/e Paskal dhe Vasilika Gjikdhima, Agron dhe Irena Husi etj. Përveç lidhjes së ngushtë me Bordin e Kishës në përgjithësi dhe Bordin e Edukimit të Kishës ku ne mblidhemi mirënjohje dhe respekt pafund kemi për Eva Teli Kryetare  e Bordit Të Kishës që është gjithmonë e pranishme dhe e gatshme të na ndihmojë në momentet më të rëndësishme për ne. Po ashtu edhe Thea Kristo dhe Nikoleta Gjikdhima me ndihmën e tyre te jashtëzakonshme për vite me rradhë janë pjesë e historisë së Shkollës tonë. Nuk mund te lë pa përmendur drejtoret e Shkolles tonë ndër vite Lea Bitta, Gent Panajoti dhe Flutura Ndrio. Puna dhe kontributi i tyre është i pazëvendësueshëm. Shkollën tonë e mbështesin dhe përkrahin edhe në Tiranë qysh nga krijimi i saj dhe deri më sot Dr. Mikado Shakohoxha dhe Ador Tasho me sigurimin dhe dërgimin e librave deri tani. Prindër dhe gjyshër, miq dhe të afërm, mirënjohje dhe falënderime pa kufi për të gjithë ata që na mbështesin. Një tjetër traditë e shkollës tonë në lidhje me komunitetin është edhe Pikniku i Fundvitit Shkollor që organizohet në një nga parqet e shumta të Chicagos ku ne ftojmë të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm familjet e shkollës Shqipe. Kjo është një festë e bukur për të gjitha moshat me lojëra dhe muzikë shqiptare nga Ilir Borova me valle dhe ushqime tradicionale nga të gjitha trevat e Shqipërise.

“GRUPI ARBËRIA” DHE AKTIVITETET PATRIOTIKE E KULTURORE KOMBËTARE

Këtë vit, për festën e Pavarësisë ne morëm një ftesë të veçantë nga shoqëria e Shqiptarëve të Illinoisit dhe festuam së bashku me praninë e shumë shqiptarëve. Grupi ynë i valles kërceu dy valle “Napolonin” dhe “Valle kosovare”. Po ashtu fëmijët recituan vjersha dhe kënduan këngë për flamurin dhe hymnin tonë kombëtar. Festa ishte një sukses i madh! Grupi ynë i valles “Grupi Arbëria” qysh me fillimet e tij ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme lokale si dhe ka përfaqësuar Shqipërinë krahas kombeve të tjera në Amerikë. “Grupi Arbëria” ishte i ftuar së fundmi në 60 vjetorin e AANO -së degës së Chicagos që është një organizatë mbarë Shqiptare në Amerikë si dhe në “Darkë dhe Vallëzim” një event i organizuar nga komuniteti i Kishës Shqiptare të Shën Nikollës. Aktiviteti i radhës  për këtë grup do të jetë në Mars. Me ftesë të shoqatës Uskana për recitalin AMA.  Falenderim i vecantë i takon Blerina Musaraj, Drejtuese e shkollës për koordinimin dhe bërjen të mundur të të gjitha këtyre aktiviteteve. Komuniteti Shqiptar i Ilinoisit i dhuroi Shkollës tonë 4 Smart Board. Ne u jemi shumë mirënjohës dhe krenarë që jemi Shqiptare! Shpresojmë të kemi aktivitete të tjera të përbashkëta që gjuha dhe kultura shqiptare te ruhen në shekuj.

SHOQËRIA AMERIKANE INTERES PËR GJITHÇKA QË LIDHET ME SHQIPËRINË

Ne shikojmë një interes të amerikanëve për gjithshka që lidhet me Shqipërinë. Duke qenë se ne jemi një vend i vogël dhe i panjohur për shumicën e amerikanëve është e natyrshme që kur ata dëgjojnë Shqipëri ose Albania fillojnë të pyesin për pozicionin gjeografik, për gjuhën, për kulturën, zakonet etj. Dhe pjesa më e bukur vjen kur ne ju përgjigjemi këtyre pyetjeve me dashuri dhe shuajmë kuriozitetin e tyre fillestar atëherë ata duan të dinë më shumë. Aty ne kemi çfarë tu tregojmë. Gjuha jonë nga më të vjetrat në botë dhe unike, klima në Shqipëri dhe natyra me të gjitha llojet e bukurisë së saj në një sipërfaqe kaq të vogël si Shqipëria. Dhe mbi të gjitha mikpritjen dhe besën shqiptare.

MËSIMDHËNIA DHE VËSHTIRËSITË ME FËMIJËT DYGJUHËSH

Deri tani mësimdhënia është klasike, tradicionale pa përfshirë teknologjinë. Jemi në proces të instalimit të Smart Board (ekranet e mëdha kompjuterike). Mësuesja komunikon me nxënësit në mënyrë individuale dhe në grup. Kjo ndihmon në krijimin e një atmosfere nxitëse për nxënësit që të kapërcejnë vështirësitë normale të të lexuarit dhe të folurit në shqip. Për ata dhe për të gjithë ne siç e dimë shqipja nuk është gjuhë e lehtë për tu mësuar sidomos në një vend që nuk e flet atë si gjuhë zyrtare, por ata vazhdojnë me këmbëngulje të ecin përpara në rrugën e dijes që asnjëhere nuk është e lehtë. Duke jetuar në një botë digitale do të shtojmë Smart Boards me qëllimin e mirë ta bëjmë mësimdhënien sa më interesante dhe bashkëkohore. Përpjekjet dhe dëshira e nxënësve tanë përkundrejt vështirësive që ata hasin është për tu admiruar. Ata vërtet meritojnë më të mirën e mundshme nga te gjithë ne. Duhet të bëjmë ne detyrën tonë tu krijojmë kushtet e duhura që ata të kenë mundësi të përdorin të drejtën e tyre për të mësuar.

EFEKTI QË KA PASUR TEK FËMIJËT NË RRITJEN E NDIENJES PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE

Ne të gjithë jemi shumë krenarë për nxënësit tanë që çdo ditë e më shumë mësojnë gjuhën tonë amëtare, zakonet, traditat, këngët e vallet popullore si dhe gatimet e pasura tradicionale. Është frymëzuese për të gjithë ne si komunitet që në ditën e “Festës së Flamurit” të shohim nxënësit tanë të recitojnë me seriozitet dhe me dëshirë e përkushtim vargje të shkruara nga penat  e mëdha të kombit tonë si Frashërinjtë, Mjeda, Konica, Fishta etj për gjuhën, kombin, atdhedashurinë etj sikurse edhe për figura të ndritura të Historisë si Ismail Qemali, Isa Boletini dhe Adem Jashari. Nuk ka se si të mos u mbetet në mendje atyre kuptimi dhe rëndësia e këtyre vargjeve kur ata recitojnë me aq ndienjë dhe kënaqësi. Nuk kanë si ta harrojnë ata ditën e Pavarësisë sonë kombëtare kur ne ftojmë miq e dashamirës ta festojmë atë së bashku ose kur ne jemi të ftuar në këto ditë të veçanta të historisë tonë. Ata e shikojnë në realitet, me sytë e tyre që ne nuk jemi vetëm, jemi pjesë e të tërës, Shqipëri dhe shqiptarë kudo ku jemi në botë. Jam e sigurt se ata janë garancia e të ardhmes që do ti ngrenë emrin lart dhe më lart Shqipërisë dhe shqiptarëve.

KUSH ËSHTË MËSUESE MIMOZA HOXHA (CANODEMAJ)

Jam lindur dhe rritur në Vlorë në një familje të thjeshtë dhe arsimdashëse. Mbasi mbarova Universitetin e Tiranës në degën Financë u ktheva në Vlorë ku për disa vjet punova si Mësuese Kontabiliteti në Shkollën Tregëtare. Një shkollë e vjetër dhe me shumë histori. Më pas në Tiranë ku punova si Mësuese Kontabiliteti në Shkollën Ekonomike të Tiranës dhe në kolegjin Flabina. Në vitin 2007 erdhëm në USA. Midis të tjerash, u specializova në “Montessori Filozofi” që është një teori dhe praktikë që gërsheton shumë bukur individin me shoqërinë dhe që është e përhapur në të gjithë botën. Së fundmi punoj në program për fëmijët me nevoja të vecanta fizike, sociale dhe shoqërore. Jam e lidhur me familjen. Prindërit e mi kanë qënë një figurë qendrore në jetën time. Tani jam prind vetë dhe vajzat tona punojnë dhe jetojnë në New York dhe Boston. Mendoj se familja është ajo që të ngul me rrënjë në tokë dhe të bën të përballosh çdo situatë. Unë jam krenare për rrënjët e mia. Në shtëpinë e gjyshes time tek Ramadanajt në Vranisht të Vlorës është një pllakatë që thotë këtu erdhi për vizitë Ismail Qemali. Po ashtu familja e gjyshit ka studjuar me Frashërinjtë në Janinë! Me shkollën shqipe fillova si mësuese që në vitin e parë të hapjes së saj 2008. Është nder dhe kënaqësi të jesh pjesë e një misioni kaq fisnik.

Filed Under: Featured Tagged With: mimoza hoxha, Sokol Paja

Glauk Konjufca: Jusuf e Bardhosh Gërvalla pararendës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

January 17, 2024 by s p

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me Presidenten Vjosa Osmani dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, bëri homazhe dhe vendosi kurora lulesh në varrezat e heronjve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, në Dubovik të Deçanit, në 42 -vjetorin e vrasjes së tyre nga shërbimi sekret serbo-jugosllav.

I pari i Kuvendit, Glauk Konjufca, duke vlerësuar lartë sakrificën e Jusuf e Bardhosh Gërvallës, përmendi qëllimet madhore të këtyre heronjve, të cilat kishin të bënin me përpjekjet e vazhdueshme për bashkimin e organizatave ilegale për liri në një të vetme, me qëllimin që kjo liri të vinte nëpërmjet luftës çlirimitare.

“Heronjtë Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla lirshëm mund t’i quajmë si pararendësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët do të kujtohen e nderohen gjithmonë për kontributin e tyre”, theksoi kryeparlamentari Konjufca.

Më pas, kryetari Konjufca vizitoi edhe Kullën-Memorialin e familjes Gërvalla dhe së bashku me qytetarë të pranishëm diskutuan lidhur me kontributin madhor të Jusuf e Bardhosh Gërvallës.

Po ashtu, Kryetari Konjufca së bashku me Presidenten Osmani, bëri homazhe dhe vendosi kurora lulesh te busti i heroit Kadri Zeka, në Prishtinë.

Filed Under: Sociale

Kryezoti i Arbnisë

January 17, 2024 by s p

Albin Kurti/

Më 17 janar të vitit 1468, e lëshoi frymën e fundit për së gjalli, fisniku arbnor Gjergj Kastrioti i mbiquajtur Skënderbeu! Këmbanat në Lezhë ranë për të dhënë lajmin për vdekjen e tij, kurse shumë letra nga shumë anë u shkruajtën dhe u dërguan drejt Venedikut, Romës, Sienës, Napolit, Aragonës, Dubrovnikut e Stambollit, me njoftimin që Skënderbeu kishte vdekur.

Sot bëhen 556 vite nga dita kur vdiq Skënderbeu. Ai ishte 63 vjeçar, por përtej viteve të jetës së tij, ndër shekuj, figura e Skënderbeut vazhdoi të bënte histori, që nga koha kur heroizmat e tij e frymëzuan mbrojtjen e Evropës dhe deri në shekullin e XIX kur u rimorr nga rilindasit për ta qendërzuar rreth tij ngritjen e kombit shqiptar.

Që nga koha kur Marin Barleti e shkroi biografinë për jetën dhe të bëmat e Skënderbeut dyzet vite pas vdekjes së tij, shumë historianë, studiues e autorë kanë shkruar deri sot një mori veprash nga pikëpamje dhe për aspekte të ndryshme për Skënderbeun. Në literaturën aq të gjerë të studimeve për Skënderbeun dhe epokën e tij, në njëqind vitet e fundit, veprat dhe studimet kyçe janë ato të Fan Nolit, Athanas Gegajt, Zef Valentinit, Aleks Budës, Kristo Frashërit, Kasem Biçokut, Oliver Jens Schmittit, Lucia Nadinit, Aurel Plasarit, Pëllumb Xhufit etj. Të botuar dhe të ribotuar në shumë edicione, këta libra dhe këto studime janë tekstet ideale që duhen lexuar për ta njohur historinë e personalitetit dhe të figurës së Skënderbeut.

Lavdi ndër mote veprës heroike të Kryezotit të Arbnisë, Gjergj Kastriotit Skënderbeut!

Filed Under: Interviste

Remzi Murati, nipi që solli eshtrat e Isa Boletinit në Mitrovicë

January 17, 2024 by s p

Nga Mimoza Dajçi SHBA

dhe Armend Murati Norvegji

Janar 2024/

Pas vrasjes së Heroit Isa Boletini, djemve, nipave dhe luftëtarëve të tij në Podgoricë më 23 Janar 1916, eshtrat e tyre qëndruan më tepër se 80 vite në varrezat e Malit të Zi.

Që nga viti 1978 autoritet Kosovare filluan përpjekjet e para për tërheqjen eshtrave të Isa Boletinit dhe luftëtarëve të tjerë në Podgoricë dhe për t’i rivarrosur ato në vendin e lindjes në Kosovë, ku një nga këmbëngulësit e mëdhenj që eshtrat e Isa Boletinit të mbërrinin nga Mali i Zi në Kosovë ka qenë edhe Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova.

Pajazit Nushi, Nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv në Kosovë u caktua nga përfaqësuesit kosovarë që të interesohej e të kujdesej rreth këtij proçesi të rëndësishëm. Duke ju referuar një prononcimi të Pajazit Nushin për TV – Klan Kosova ai thotë: “Nga mbarimi i dekatës 7 të shekullit të kaluar kam pas marë një informacion se, në varrezat e vjetra të Titogradit të atëhershëm përkatësisht Podgoricës, ku kanë qenë varrosur edhe eshtrat e Isa Boletinit dhe tetë luftëtarëve të tij, do të shkatërrohen se mbi to do të ndërtohet një godinë banesash shumë e madhe”.

Xhavit Nimani, Kryetar i Kryesisë së Kosovës atë kohë, tregoi interes për mbartjen e eshtrave të Isa Boletinit në Kosovë. Ai dhe kryesia e Kosovës e përkrahën dhe angazhuan drejt për drejt Pajazit Nushin për të kryer këtë detyrë. Xh. Nimani kontaktoi homologun malazes dhe i tregoi se për këtë punë do të udhëtone drejt Podgoricës i ngarkuari tyre Pajazit Nushi. Në Podgroicë Pajazit Nushi përveç udhëheqësisë së Mali të Zi, takoi edhe kryetarin e akademisë së shkencave Malazese, i cili kishte informacion mbi personaliteitn dhe veprën e Isa Boletinit. Në atë takim Pajazit Nushit i thanë ne do mendojmë për mundësinë e dhanies së lejes zyrtare të bartjes së eshtrave të Isa Boletinit dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe do t’ju lajmërojmë.

Përgjigja po vonohej….

Në mars të vitit 1997 Përfaqësia Kosovare për gjetjen e eshtrave të Isa Boletinit në Podgoricë caktoi Drejtorin për Mbrojtjen e Monumenteve Historike në Prizren Muhamed Shukriun, Remzi Muratin, i biri i Shehides (e bija e Isa Boletinit) dhe Prof. Latif Berisha. Kërkesa për tërheqjen e eshtrave kaloi në peripeci jo të lehta, përgjgijet vonohesin qëllimisht nga qeveria malezeze. Më pas erdhi konfirmimi negativ dhe kërkimet u ndalën përkohësisht.

Në vitin 1981u zhvilluan demostratat e studentëve të cilët në protestat e tyre kërkonin kushte dhe të drejta më të mëdha në kuadër të Jugosllavisë. Struktuart politike të jugosllavisë evitonin çdo gjë që kishte të bënte me dinjitetin e popullit shqiptar. Madje ata të cilët përmendin figura të shqura të kombit quheshin nacionalist dhe irredentist. Arrestoheshin nga policia jugosllave dhe dënoheshin.

Ndërkohë qeveria e Malit të Zi jep një përgjigje negative nga udhëheqsia e Malit të Zi , ku mes të tjerave thanë se “Qeveria e Malit të Zi nuk është e gatshme të kthejë në Kosovë eshtrat e Isa Boletinit me motivacionin, sepse e gjithë bota do të përqeshte moralin edhe etikën e malazezëve”. Këtë gjë e ka deklaruar në intervistën e tij edhe Pajazit Nushi.

Mos kthimin e eshtrave të Isa Boletinit dhe luftëtarëve të tjerë në Kosovë e kundërshtoi edhe kryetari komunal i Mitrovicës, boshnjaku Osmanagic i cili shkroi: “Mos na i bini eshtrat e këtyre tradhëtarëve”.

Autoritetet e Podgoricës, në tetor 1998 e shpallën në fletën zyrtare të Komunës dhe në gazetën “Pobeda” se kush dëshironte të transferonte eshtrat e familjarëve të vet, nga varrezat e Pobërgjës mund t’i bartë ato lirisht. Duke shtuar se tek varrezat e vjetra muslimane do të ndërtohej një park fëmijësh dhe se të interesuarit, familjarët mund të mereshin me çvendosjen e varreve të të afërmëve të tyre. Ish kryetari i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Idriz Demiraj njofton në mes të natës Muhamed Shukriun dhe Hoxhën në Mitrovicë Prof. Asllan Muratin se gjetja e eshtrave nuk ishte lënë në heshjte dhe mund të niseni menjëherë se, tash është rasti më i volitshëm. Prof. Asllan Murati i Bashkisë Islamike e kishte shok shumë të mirë e të besuar Idriz Demirajn.

Më 6 maj të vitit 1998 nipi i Isa Boletinit Remzi Murati, Muhamed Shukriu dhe Prof. Latif Berisha u nisën drejt Podgoricës. Idriz Demiraj kërkoi nga pushteti lokal që të lejohet marrja e eshtrave të Isa Boletinit dhe luftëtarëve të tjerë dhe të dërgohen në Kosovë. Kjo kërkesë u miratua dhe filloi menjëherë puna. Një meritë e veçantë i takon në këtë rast edhe përfaqësuesit të Bashkësisë islame Idris Demiraj, për interesimin e pakufishëm që tregoi duke njoftuar Muhamed Shkukriun dhe Hoxhë Asllan Muratin për tërheqjen e eshtrave të Isa Boletinit dhe luftëtarëve të tjerë nga varrezat islame në Podgoricë.

Remzi Murati i biri i Shehide Boletinit mori parasysh çdo gjë, edhe vdekjen që si e si të realizonte amanetin e nënës së tij. Për të përfunduar këtë mision, u nis drejt Podgoricës nga Prishtina me autobus Remzi Murati, Muhamet Shukriu dhe Prof. Prof. Latif Berisha nga Mitrovica, i cili ishte anëtar i LDK-së. Remziu mbante në zemër edhe në shpirt amanetin e nanës së tij të dashur Shehides, që eshtrat e të atit të saj Isa Boletinit të ktheheshin patjetër në Kosovë.

Gërmimet në ditën kur u gjetën eshtrat, u udhëhoqën nga Remzi Murati, që kishte eksperiencë të gjërë teknike, për gërmime ishte vështirë të orientohet njeriu, pasi që vend të caktuar nuk kishte por vetëm përafërsisht lokacioni. Ditën e dytë binte shi dhe gërmimet vazhduan, ishte në diskutim edhe që të ndërprehen pasi ishte kohë e keqe dhe kohëzgjatja e gërmimeve ishte tejkaluar dhe filloi të binte në sy, Remzi Murati nuk pranoi që të ndërpritej puna dhe në kohë me shi vazhdoj të gërmoj sistematikisht sipas planit që i kishte përcaktuar vehtes. Plani ishte të gjindet kufoma e Isës, ku do të njihej në bazë të gishtit të tij që e kishte humbur në fëmijëri, dhe të tjerëve që pasonin afër tij sipas përshkrimeve të varosjes së tyre. Të gjitha këto i përshkruan Remzi Murati në ditarin e tij si dhe momentin kur arriti të shpaloj kufomën e Isës, dhe ndjenjën që përjetoi në ato momente. Si njeri i njohur për sistematikën e tij, mblodhi një nga një kufomat, i barti në hotel, i pastroi dhe klasifikoj eshtrat dhe i paketoi të gjitha në dy çanta.

Ditën e udhëtimit për në Kosovë, Remzi Murati nuk lejoj që askush tjetër të jetë pranë tij gjatë udhtimit, në rast se policia malazeze serbe do zbulonte se ç’ka ka në çanta. Familja e Remzi Muratit përjetoi disa ditë të vështira pasi që të gjithë e dinin se momenti më i vështirë do ishte transporti për në Mitrovicë nëse gjinden eshtrat, po nuk kishin kontakt me Remziun, dhe ato ditë ishin shumë të rënda për familjen. Remzi Murati sipas ditarit të tij, përshkruan udhëtimin në ndalje të autobusit, ku të gjithë urdhërohen të dalin jashtë dhe të renditen me çantat e veta para këmbëve, dhe në ato momente mendoi se çdo gjë mori fund, me dy çantat para këmbëve të tij, filloi të mendoj se ndoshta policia ka marë informata dhe për atë e ndaluan autobusin. Duke kërkuar nëpër çanta, policia gjeti tek një burrë letërnjoftimin dhe e arrestuan, të tjerëve u thanë të kthehen në vendet e tyre dhe autobusi u nis. Remzi Murati mendoi se do ndalen edhe një herë ose më shumë herë deri në Mitrovicë. Sidoqoftë, arriti në Mitrovicë!

Vendi ku Isa Boletini ishte i varrosur, dihej gjithmonë në cilën varrezë do të ishte, dhe përpjekje ka pasë që nga vitet e 70 për ta riatdhesuar, por në fund do jetë akti i gërmimit me plan të spikatur nga një nip i vendosur, që nuk do kthehej mbrapa pa i gjetë dhe riatdhesoj eshtrat e gjyshit Isa, dajëve të tij, si dhe bashkluftëtarëve të tjerë.

Ky akt i Remzi Muratit bëri që misioni të ketë sukses. Kur pyetej pse bëri atë akt që ishte me rrezik shumë të madh, Remzi Murati tha: “Duhej të bëhej në këtë mënyrë, është gjyshi im, janë dajët e mi, nuk mund të lejoja që të kthehem pa ta. Eshtë obligimi jonë, familja jonë. Kushdo tjetër do mund të çoj dorë, por jo unë”!

Remzi Murati nuk jetoi që të ishte pjesë e rivarrimit të eshtrave të gjyshit të tij dhe dajëve të tij, dha kontribut deri në ditët e fundit edhe në projektin e renovimit të Kullës si Isa Boletinit. Por vepra e tij mbetet shembëlltyrë për aktin që definon sot ringjallimin e figurës së Isa Boletinit dhe qëndresës së ikonës Shqiptare në veri, si në ditët kur jetoi. Eshtë ky akt, momenti kur thua “o do vdes , o do e bëj” që e definon Remzi Muratin taman si nip i Isa Boletinit, dhe këtu qëndron bukuria e këtij shkrimi. Eshtë shqiptar, është nder, është vendosmëri, është integritet, është heroizëm. Gjaku nuk është ujë!! (Material ekskluziv me rastin e lindjes dhe vrasjes së Isa Boletinit 15.01. 1864 – 23.01.1916)

Filed Under: Sociale

Këngë të kreshnikëve nga krahina e Plavës dhe e Gucisë në Koleksionin  e profesorit amerikan Allbert Llord (Albert Lord) në Universitetin e Harvardit

January 17, 2024 by s p

Prof.  Zymer Neziri

Shkurtore

Profesori amerikan Allbert Llord (Albert Lord), punoi më 1937 në Shqipëri të Veriut dhe mblodhi këngë të kreshnikëve edhe nga krahina e Plavës dhe e Gucisë. Ai punoi me lahutarët: Adem Brahimi-Mehmetkurtaj, Vuthaj; Musë Lushti-Çelaj, Vuthaj; Man Oruçi-Çelaj, Vuthaj; Brahim Haxhia-Hasangjekaj, Martinaj. Ademi, Musa e Mani, të larguar për shkaqe politike andej kufirit, vdiqën jashtë vendlindjes dhe u varrosën në Gurëz të krahinës së Kurbinit. Brahimi u kthye në vendlindje, por u burgos. 

Këngët e tyre kanë veçoritë e përbashkëta të temave e të motiveve me këngët e tilla në krahinat e tjera: rrëfimi i gjatë epik për bëmat heroike të Mujit e të Halilit dhe të kreshnikëve të tjerë, prania e qenieve mitike, sidomos e zanave, formulat, poetika e kohës, poetika e hapësirës dhe karakteri legjendar. 

Këto këngë nga Vuthajt e Martinajt, mbledhur nga A. Llordi, ruhen dorëshkrim në Koleksionin e profesorit të tij, Millmen Peri (Milman Parry), në Universitetin e Harvardit (The Milman Parry Collection of Oral Literature, Harvard University, Cambridge, Massachusetts), kurse kjo kumtesë është shkruar në bazë të hulumtimit që bëra gjatë qëndrimit tim studimor në Harvard, më 2002 dhe 2007.

Fjalë çelësa: Adem Brahimi-Mehmetkurtaj, Vuthaj; Musë Lushti-Çelaj, Vuthaj; Man Oruçi-Çelaj, Vuthaj; Brahim Haxhia-Hasangjekaj, Martinaj, Allbert Llord (Albert Lord), Universiteti i Harvardit.

Projekti i M. Perit për Ballkanin

Millmen Peri (MIlman Parry), në fillim të viteve ‘30 të shekullit të kaluar, mori përsipër realizimin e një projekti hulumtues në Ballkanin Perëndimor. Ai hulumtoi dhe mblodhi këngë epike në disa rajone të Ballkanit Perëndimor, më 1934-1935. Punën e vet e regjistroi në 3500 pllaka, të incizuara boshnjakisht, shqip, kroatisht e  serbisht, që ruhen në Harvard. Por, siç dihet, qëllimi i Perit nuk ishte mbledhja e këngëve popullore epike në Ballkan, por ishte synimi që të dëshmojë se «Iliada» dhe «Odiseja» nuk janë vepra të një autori, por ato janë vepra të traditës gojore greke. Në këto hulumtime mori pjesë edhe ndihmësi i tij, Albert Llord (Albert Lord). Peri ishte profesor i Universitetit të Harvardit. Koleksioni i tij është i njohur në SHBA. Konsiderohet ndër më të mëdhenjtë e këtij lloji. Shumë dijetarë nga bota ka bërë hulumtime në materialet e këtij koleksioni.

Projekti i A. Llordit për Shqipërinë

Edhe pas vdekjes së papritur të M. Perit, më 1935, A. Llordi nuk iu nda punës në Ballkan, saktësisht në Shqipëri. Koleksioni i tij, i vitit më 1937, është vazhdim i projektit të M. Perit në vise të Shqipërisë së Veriut. Këngët e A. Llordit janë shënuar në dymbëdhjetë fletore të formatit të vogël. Janë të shkruara me dorë. Ai i quan libra. Tetë të parat janë me këngë të mbledhura prej tij, kurse tri fletore janë të dy bashkëpunëtorëve të tij, Qamil Hoxha dhe Murat Paci. Koleksioni ka 44 këngë të Ciklit të Kreshnikëve dhe 10 të tjera të dy bashkëpunëtorëve të tij. Koleksioni i tij i vitit 1937 e bën të shumë të njohur, sidomos në epikologjinë shqiptare.

Të dhëna për lahutarët e Vuthajve  e të Martinajve

Adem Brahimi-Mehmetkurtaj, Vuthaj, ishte 57 vjeç, më 1937, kur u takua në Palç të Mërturit me A. Llordin. Kishte në repertor 18 këngë të kreshnikëve, por i këndoi vetëm dy. Ademi ishte i familjes Mehmetkurtaj. 

Musë Lushti-Çelaj, nga Vuthajt, 30 vjeç, këndoi dy këngë të kreshnikëve për Llordin në Gurëz të Kurbinit. Kishte në repertor 10 këngë të kreshnikëve. Mbiemri i tij është shënuar gabimisht Alushi.

Man Oruçi-Çelaj, Vuthaj, u takua me profesorin Llord po ashtu në Gurëz, Kurbinit. Ishte lahutari më i vjetër nga grupi i Plavës e Gucisë. Kishte 60 vjet moshë. Dinte 9  këngë të kreshnikëve. Është i familjes Çelaj.

Brahim Haxhia-Hasangjekaj, Martinaj, ishte lahutari më i ri nga grupi i Plavës e Gucisë. Ishte 19 vjeç. Dinte 5 këngë të kreshnikëve. I vetmi nga ky grup u kthye në vendlindje, por pushteti jugosllav e burgosi. Më 1984 u shënua edhe një këngë e repertorit të tij.

Ademi nuk ishte i shkolluar. Të shkolluar nuk ishin as Musa, Mani e Brahimi. Këngët i kishin mësuar që nga rinia e hershme, në  familje ose në rrethinë. Nga rinia e hershme kishin filluar edhe t’i binin lahutës.

Për Brahimin, Llordi shkruan: «Shkollë nuk ka bâ. Ka fillue me këndue ç’prej 10 vjeç. Ka mësue kangët prej babës dhe prej personave të tjerë, i bie lahutës dhe çiftelisë.»

Për Manin janë këto të dhëna të 12 tetorit 1937: «Man Oruçi, 60 vjeç, le në Vuthaj, Gusi, banues në Gurëz, bujk. Nuk din me këndue e me shkrue edhe shkollë nuk ka bâ.»  

Për Musën, më 12 tetor 1937, Llordi shkruan: «Musa Alushi, vjeç 30, le në Vuthaj, banues në Gurëz, bujk, di me këndue e me shkrue por shkollë nuk ka bâ. Ka fillue me këndue kangat prej moshës 15 vjeç. Ka mësue kangat prej babës. Luen lahutën».

Për Ademin, të cilin e takoi më 16 shtator 1937, në Palç të Mërturit, Llordi shkruan: « Adem Brahimi, le ne Vuthaj, Gusi, Jugosllavi, vjeç 57, nuk din shkrim e këndim dhe shkollë nuk ka bâ. Ka mësue prej babës dhe njerëzve të ndryshëm. Ka qenë 16 vjeç kur ka fillue me mësue kangë.»

Temat, motivet dhe personazhet kryesore 

Mbrojtja e kufijve të krahinës, mbrojtja kullotave, mbrojtja e kullave, mbrojtja e mallit dhe mbrojtja e nderit të familjes janë temat e këngëve në repertorin e këtyre lahutarëve të Plavës e të Gucisë, si gjetiu. Shumë sosh flasin edhe për martesat me miqësi, me pengesa e me grabitje. Kështu ndodh te kreshnikët dhe në taborin e kundërshtarëve të tyre. E pranishme është edhe zilia e inati, krahas burrërisë dhe nderit. Guximi dhe trimëria i japin ngjyrim secilës këngë. Veçohen sidomos dyluftimet. Qeniet mitike i japin vulë legjendaritetit dhe vjetërsisë së këtyre këngëve. Zanat janë të pranishme edhe në krahun e kundërshtarëve të kreshnikëve tanë. Aty shfaqen edhe kuajt, që e kuptojnë gjuhën  e kreshnikëve. 

-Personazhe kryesore në këngët e Manit janë: Halili e Dylberja e Kralit të Kotorrit, Arnaut Osmani, që bëhet dhëndër i Mujit, Hyseni, që grabit të bijën e kralit të Sejës, Ali Bajraktari, që bëhet dhëndër i Beg Ymer Begut, Muji e Halili që luftojnë me Kralin e Kotorrit, Gavran Kapetani, që i zapton bjeshkët e agëve, si dhe Kraleviq Marku e Muji.   

-Te Musa janë: Muja e Behul Kapetani, Smililiq Ilia, që ia grabit nusen Mujit, Halili e Balozi i Detit, Gjergj Elez Alia e Balozi i Detit, Muja, që ia grabit nusen Ivan Kapetanit, Kotuz Belaxhia e Krali i Sejës, Galiq Galani e agët e Jutbinës,  Aga Hasan Aga e Kral Kapetani, Urosh Kapetani, që ia grabit nusen Ali Bajraktarit, si dhe Çupërli Veziri, Kunja e Mujës dhe Kral Kapetani. 

-Edhe në këngët e Brahimit janë: Muji e Sejane Ivani, Sokol-e Halili dhe Harapi i Detit, Galan Kapetani, që i zapton bjeshkët e Mujit, Sejan-e Ivani, që i lypë mejdan Plakut, si dhe Muji që e zë rop Kralin e Kotorrit. 

-As te Ademi nuk ka ndryshime të mëdha. Aty janë: Halili dhe martesa e tij ( dy këngë), Muja e Gjure Harambashi, Muja e Gjorgj Harambashi, Ali Bajraktari, Siratin Alia, Filip-e Maxharri, që i lypë mejdan mbretit në Stamboll, Sojan-e Ivani, Muja e Smililiq Ilia, Krali i Kotorrit, që e pret në besë Mujin, Krali i Junanit dhe Muji e Halili, Halili dhe çika e Kralit të Talires, Muja, që e mëson Imerin e Ri për mejdan, Osmani i Vogël, Beg Imer Begu e Begzadja e Bukur, si dhe Hysen Aga i Ri e Balozi i Detit.  

Llordi ka vepruar në terren sipas metodës së përzgjedhjes së atypëratyshme. Nga 42 këngë të kreshnikëve të repertorit të këtyre katër lahutarëve të Vuthajve e të Martinajve, ka shënuar vetëm 5 sosh. Kështu ka vepruar edhe lahutarë të krahinave të tjera. Bie fjala, në Kelmend, ka gjetur 50 këngë të kreshnikëve në repertorin e pesë lahutarëve, por ka mbledhur vetëm 5 sosh. 

Këtë metodë të përzgjedhjes së atypëratyshme e kanë zbatuar edhe mbledhës të tjerë. Përzgjedhja bëhej nga përmbajtja e shkurtër e këngës, ose nga përzgjedhja e rapsodit për këngën që atij i pëlqen, ose që u pëlqen dëgjuesve të tij. Kështu kanë vepruar edhe mbledhësit në Institutin Albanologjik. Metoda e gjithëpërfshrjes është zbatuar vetëm në dy projekte: ’’Epika legjendare e Rugovës (1979-1988)’’ dhe ’’Eposi i Kreshnikëve në pesë vende të Ballkanit (1912-2016)’’. Rezultatet me metodën e gjithëpërfshirjes kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha. Në këto dy projekte kam mbledhur 30 vëllime material, që me rreth 60 vëllime të mbledhësve të tjerë, nga viti 1897, mbërrijnë në shifrën 90 vëllime, ose rreth 600 mijë vargje, sa ka fondi ynë kombëtar.  

Prej katër lahutarëve të Llordit, të vitit 1937, të Vuthajve e të Martinajve, vetëm Brahim Haxhia la gjurmë në vitin 1984, pra rreth gjysmë shekulli më vonë, me një këngë të mbledhur nga Idriz Ulaj. Kënga e Brahimit ka titullin «Lum e lum, o i lumi more zot». Përveç këtij vëllimi të Idrizit, ku janë botuar 7 këngë të kreshnikëve nga kjo krahinë, dihet edhe për dorëshkrimet e këngëve të mbledhura nga Anton Çetta dhe Ali Ahmeti. A. Ahmeti është marrë edhe me studimin e këtyre këngëve në monografinë Këngë dhe vajtime nga krahina e Plavës dhe e Gucisë.

A. Llord, sipas studiuesit Agron Fico, ishte në Shqipëri, në qershor 1966. Mori pjesë, thotë,  në Simpoziumin e Folklorit të Shoqatës së Studimeve të Evropës Juglindore në Tiranë. Kishte një kumtesë për epikën legjendare dhe për rolin e rapsodit në pasurimin e varianteve bazë. Kumtesa e tij u ndoq me interesim dhe ngjalli diskutime të shumta, thotë ai.27 Kjo thuhet edhe në një shkrim të Zihni Sakos, kronikë shkencore e vitit 1966, e botuar në rev. ’’Studime filologjike’’, se Llordi ka marrë pjesë me kumtesë, krahas studiuesve shqiptarë, bullgarë, grekë, hungarezë, rumunë, kroatë, në  punimet e Komisionit Ndërkombëtar të Studimit të Këngës Popullore  në Ballkan, AIESEE, në Tiranë, në Universitetin Shtetëror të Tiranës, më 17 e 18 qershor 1966. Nga Tirana qenë Androkli Kostallari, Aleks Buda, Zihni Sako, Efthim Dheri, Koҫo Bihiku, Qemal Haxhihasani. 

A. Fico, në vitet ‘90, pak pas vdekjes së prof. Llord, ka vizituar Universitetin e Harvardit, ku ka punuar në Koleksionin e tij me këngë shqipe, më 1996, me ftesën e zonjës Mary Louise Lord, pas një artikulli që ky kishte shkruar për Llordin në gazetën ”Illyria”, më 1994.28

Plava e Gucia sot dhe lahutarët e saj të Eposit të Kreshnikëve

(8 lahutarë pas vitit 2012 dhe 3 rapsodë + 12 lahutarë para vitit 2012)

I. Plavë e Guci: 8 lahutarë e 3 rapsodë pas vitit 2012

1. Zeqir Smajli, 1921-2019, rapsod, vëllazëria e madhe Nikç, fisi Kelmend, katundi katundi Çerem, Vuthaj, Plavë e Guci, ad. Bajram Curri.

2. Rexhep Tahiri-Hasangjekaj, 1933, lahutar, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci.

3. Mehmet Rama-Balidemaj, 1938-2019, lahutar, vëllazëria e madhe Selcë, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci.

4. Avdi Syla-Prelvukaj, 1936, lahutar, vëllazëria e madhe Vukël,  fisi Kelmend, Martinaj, Plavë e Guci, nuk këndon, jeton në SHBA. 

5. Nezir Muzlia-Hasangjekaj, 1938, lahutar, lahutapunues, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci. 

6. Rrustem Xhema-Ulaj, 1940, lahutar, vëllazëria e madhe Nikç, fisi Kelmend, katundi Vuthaj, Plavë e Guci, jeton në SHBA.

7. Hysni Tunxhi, 1952, rapsod, vëllazëria e madhe Nikç, fisi Kelmend, katundi Vuthaj, Plavë e Guci, ad. Bajram Curri.

8. Avdyl Zhujani, 1956, rapsod, vëllazëria e madhe Nikç, fisi Kelmend, katundi Vuthaj, Plavë e Guci, ad. Bajram Curri.

9. Deli Metushi-Gjonbalaj, 1962, lahutar, vëllazëria e madhe Nikç, katundi Vuthaj, Plavë e Guci, jeton në Trepoviq, Pejë. 

10. Rexhep Brahimi-Hasangjekaj, 1964, lahutar, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci, jeton në SHBA.

11. Florim Jakupi-Hasangjekaj, 1971, lahutar, lahutapunues, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci. 

Plavë e Guci: 12 lahutarë para vitit 2012

1.Azem Hazir Bajraktari, Martinaj, 1848 -1938, lahutar, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci.

2.Makë Dema-Balidemaj, 1846 – 1936, lahutar, vëllazëria e madhe Selcë, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci.

3. Mehmet Brahimi-Prelvukaj, 1988-1970, lahutar, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci. 

4. Halil Mema-Kukaj, 1900-1950, lahutar, vëllazëria e madhe Nikç, fisi Kelmend, katundi Krushevë, lagjja Kukaj, Plavë e Guci. 

5. Miftar Gali-Prelvukaj, 1900-1957, lahutar, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci.

6. Selman Shpeni-Gjonbalaj, 1905-1978, lahutar, vëllazëria e madhe Nikç, fisi Kelmend, katundi Vuthaj, Guci. 

7. Brahim Haxhia-Hasangjekaj, 1917-1988, lahutar, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci. 

8.Musli Rama-Ahmetaj, 1918 – 2002, lahutar, vëllazëria e madhe Nikç, fisi Kelmend, katundi katundi Vuthaj, Plavë e Guci.

9. Ujkan Sadria-Kukaj, 1919-2002, lahutar, vëllazëria e madhe Nikç, fisi Kelmend, katundi Krushevë, lagjja Kukaj, Plavë e Guci. 

10. Halil Mehmeti-Prelvukaj, 1920-1998, lahutar, nuk ka kënduar, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci. 

11. Beqir Mushaku-Prelvukaj, 1933-1999, lahutar, i pushkatuar, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci. 

12. Bajram Miftari-Prelvukaj, 1937-1918, lahutar, nuk ka kënduar, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci. 

Shënim. Ndihmuan në kërkime në terren: Shaban Hasangjekaj dhe Leonorë Sh. Hasangjekaj, si dhe Hasan Gjonbalaj, Binak Ulaj, Ymer Kukaj, Rrustem Ulaj. 

Lahutarë të tjerë, që kanë kënduar edhe boshjakisht ose vetëm boshnjakisht:

1. Mehmet Abo Kojiq, 1918 -1988, lahutar, katundi Përnjavor, Plavë. Ka jetuar edhe në katundin Prapaqan, Pejë. Ishte lahutar i zoti. Ishte i veshur kombëtarisht. Në fotografi shihet me tirq, xhamadan e plis të bardhë, por nuk ka kënduar shqip, thotë i biri, Rama. Dinte shumë këngë të kreshnikëve.

2. Ramë Mehmet Kojiq, 1964, i biri, i di shumicën e këngëve të babës, por lahutar nuk është. Nga kjo familje u dallua   Mulla Agan Koja, atdhetar i njohur i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. 

3. Omer Metjahiq, 1922-2000, lahutar, katundi Hakaj, Plavë, ka jetuar edhe në katundin Arbnesh (Vitomiricë), Pejë, si dhe në Nju-Jork. Ishte nipash Rugove, dhëndër i Vuthajve dhe lahutar i zoti. 

Ndihmuan në kërkime në terren: Hasan Gjonbalaj, Nezir Gashi e Avdi Shkreli (2002).

Plava e Gucia dhe botimi i antologjisë shqip – anglisht në Harvard

Përkundër një pritjeje tejet të gjatë, tash kemi edhe librin shqip – anglisht në Harvard. Është botim i Koleksionit të Letërsisë Gojore të Millmen Perit, një antologji, sipas propozimit tim, e në emër të Institutit Albanologjik, më 2002, kur bëja punë kërkimore në fondet arkivore të Harvardit. Projekti u miratua aty, më 2003. Pra, më në fund, më 2021, pas rreth 400 vjetësh të ekzistncës së Harvardit, u botuan tekste këngësh në gjuhën shqfgipe nga koleksionet e Perit dhe të Llordit. Libri mban titullin ’’Wild Songs, Sweet Songs. The Albanian epic in the collections of Milman Parry and Albert B. Lord.’’ Edited by Nicola Scaldaferri, vith John Kolsti, Victor A. Friedman, Zymer U. Neziri. (përk. Këngë të egra, këngë të ëmbla. Epikë shqiptare në Koleksionet e Millmen Perit dhe të Allbert Llordit). Botues është Universiteti i Harvardit, 2021. Nga lahutarët e Plavës e të Gucisë, në këtë antologji kemi edhe Adem Brahimin. Në këtë vëllim janë edhe: Salih Uglla ose Ugljanin (Sanxhak i Pazarit), Fatime Biberi ose Biberoviq (rr. e Prizrenit), Gjergj Pllumi (Dukagjin i Alpeve), Marash Nika (Dukagjin i Alpeve), Sokol Martini (Mërtur), Ali Meta (Rr. i Dukagjinit), Adem Brahimi (Plavë e Guci), Rexhep Zeneli (Rr. i Dukagjinit). 

Këta rapsodë të Eposit të Kreshnikëve, shumica të lindur në gjysmën e dytë të viteve 1800, këngët  i kanë kënduar para afër një shekulli nga. Ata janë të të dy besimeve. Pa asnjë dallim, se dikur thuhej, pa të drejtë, se ato i këndojnë vetëm rapsodët e besimit islam. Viset e tyre janë: Sanxhaku i Pazarit. rrethina e Prizrenit, Dukagjini i Alpeve, Plava e Gucia, Mërturi, Rrafshi i Dukagjinit. Këngët janë epike, marrë nga Koleksioni i Milman Parryt dhe Koleksioni i Albert Lordit. Llojet e këngëve janë epike heroike legjendare, por ka edhe epike heroike historike dhe disa lirike. Pra, në këtë antologji të Harvardit përfaqësohet edhe Plava e Gucia me lahutarin e njohur Adem Brahimi.

Temat e motivet  e këtyre këngëve janë nga jeta e kreshnikëve në viset e Ilirisë: mbrojtja e kullosave, e bagëtisë, e kullave dhe e nderit të familjes, kryesisht. Mbizotërojnë legjendarja, fantastikja e mitikja, si dhe qeniet mitike: Ora e Zana. Kanë bukuri poetike të rrallë. Kanë vlerë evropiane e botërore.

Në libër janë edhe katër punime studimore, që kanë peshë për epikologët. Në një të pestën e librit aty janë ndihmesat e Gjon Kolstit, Zymer Nezirit, Nikolla Skalldaferit, Viktor Fridmanit, pos Parathënies dhe Hyrjes, nga Nikolla Skalldaferi.   

Në këtë antologji janë me interes edhe letrat e Llordit, shënimet, fotografitë, hartat, fjalorthi, treguesit e emrave të njerëzve e të vendeve. Pra, ky libër e ruan autoritetin e majave të shkollës me famë botërore, e njohur me emrin Universiteti i Harvardit.  

Redaktorë menaxhues të librit janë Stephen Mitchell dhe Gregory Nagy, kurse redaktorë ekzekutivë janë Casey Dué dhe David Elmer. Merita të veçanta i takojnë Dejvid Ellmerit, i cili që njëzet vjet qëndron pranë përpjekjeve tona në fushën e epikologjisë. 

Përurimi në Romë i antologjisë shqip – anglisht, botim i Harvardit

Në Romë, me nismën e ambasadores, znj. Lendita Haxhitasim, Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë, Itali, u mbajt tryezë shkencore “Kënga epike shqiptare mes dokumenteve arkivore dhe praktikës” dhe u bë përurimi i librit “Këngët e egra, këngët e ëmbla” (Wild Songs, Sweet Songs ), antologji, shqip-anglisht, botim i Universitetit të Harvardit. Kembrixh, SHBA. Organizimi ishte në bashkëpunim me Institutin Qendror për Trashëgiminë Tingullore dhe Audiovizuale, Romë (ICBSA), më 26 tetor 2022.

Referues qenë: drejtori i Institutit ICBSA, dr. Antonello De Berardinis; ambasadorja, znj. Lendita Haxhitasim; drejtuesi i tryezës, prof. Giovanni Giuriati, Universiteti la Sapienza, Romë; prof. Francesco Altimari, Universiteti i Kalabrisë, Kozencë; prof. Zymer U. Neziri, Instituti Albanologjik, Prishtinë; prof. Nicola Scaldaferri, Universiteti i Studimeve, Milano. 

Përurimi i parë i librit, ’’Wild Songs, Sweet Songs’’ (Këngë të egra, këngë të ëmbla), ishte gëzimi i radhës. Me lahutë ishte lahutari nga Rugova, Isë Muriqi (Isë Elezi – Lekëgjekaj). Ambasadorja Haxhitasim vuri ne pah ndërthurjen e bashkëveprimin mes studimeve të poezisë homerike dhe gjurmimeve në terren, që dëshmon edhe njëherë se Kosova ishte dhe mbetet një laborator krijimtarie, duke qenë në Evropë zemër e vazhdimësisë së qytetërimit të lashtë të Ilirisë. 

Përfundim

Në Koleksionin e Llordit, të mbledhur më 1937, në Shqipëri të Veriut, janë me interes edhe këngët e kreshnikëve nga krahina e Plavës dhe e Gucisë. Llordi, duke punuar me katër lahutarë të asaj krahine: Adem Brahimi-Mehmetkurtaj, Vuthaj; Musë Lushti-Çelaj, Vuthaj; Man Oruçi-Çelaj, Vuthaj; Brahim Haxhia-Hasangjekaj, Martinaj, ka dëshmuar për herë të pare pasurinë e jashtëzakonshme poetike të Eposit të Kreshnikëve edhe në krahinën e Plavës e të Gucisë, kurse Adem Brahimi këndoi këngën më të gjatë në Koleksion, me rreth 2100 vargje. Ai ishte ndër më të mirët, më 1937, nga rreth dyzet lahutarë të Shqipërisë së Veriut.

E dhëna se Ademi, Musa e Mani, të larguar për shkaqe politike andej kufirit, vdiqën jashtë vendlindjes dhe u varrosën në Gurëz të krahinës së Kurbinit, pa praninë e familjes së gjerë, dëshmon se edhe lahutarët janë sakrifikuar për çështjen  e atdheut. Edhe Brahimi kur u kthye në vendlindje, u burgos dhe një pjesë të jetës e kaloi në burgjet jugosllave. 

Këngët e kreshnikëve, të kënduara nga këta lahutarë, kanë veçoritë e përbashkëta të temave e të motiveve me këngët e tilla në krahinat e tjera, që janë jehonë poetike e konfliktit paraosman me sllavët e jugut. Ato, krahas rrëfimit të gjatë epik për bëmat heroike të Mujit e të Halilit dhe të kreshnikëve të tjerë, të pranisë së qenieve mitike, sidomos të zanave, të formulave, të poetikës së kohës dhe të poetikës së hapësirës, ruajnë edhe karakterin e vet legjendar.

Përveç vlerës së madhe poetike, sidomos të figuracionit të pasur, të tablove poetike dhe të përshkrimit të mejdaneve, ato dëshmojnë praninë e Eposit të Kreshnikëve, krenari e trashëgimisë gojore shqiptare dhe monument etnokulturor me vlerë botërore, edhe në këtë krahinë të Alpeve Shqiptare. Ky koleksion i A. Llordit ruhet në Koleksionin e profesorit të tij, Milmen Peri (Milman Parry), në Universitetin e Harvardit , po ashtu i  mbledhur e i incizuar në vitet ‘30 të shekullit të kaluar dhe  i vlerësuar si më  i madhi i këtij lloji nga Ballkani Perëndimor.

Bibliografi

AHMETI, Ali M. (2004). Letërsia gojore e krahinës se Plavës dhe të Gucisë, Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës.

BUDA, Aleks (1986). «Eposi dhe historia jonë», në: Çështje të folklorit shqiptar, 2, Tiranë, Instituti i Kulturës Popullore, f. 46-55.

GJERGJI, Andromaqi (1986). «Etnosi ynë në epikën legjendare», në: Çështje të folklorit shqiptar, 2, Tiranë, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, f. 103-119.

Këngë kreshnike, I, (1974). Përgatitur nga Anton Çetta, Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës.

Këngë kreshnike, II, (1991). Përgatitur nga dr. Rrustem Berisha, dr. Sadri Fetiu dhe dr. Adem Zejnullahu, Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës.

Këngë kreshnike, III (1993). përgatitur nga Anton Çetta, Fazli Syla, Myzafere Mustafa dhe Anton Berisha, Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1993.

KOLIQI, Ernest (1942). «I canti eroici del Kossovo», në: La  terre albanesi redente, I, Kossovo, Roma, Reale Accademia d’Italia, Centro studi per l’Albania, f. 83-92. 

KOLSTI, Gjon (2003). «Këngët shqipe në Koleksionin e Millmen Perit në Universitetin e Harvardit», referim, Seminari XXII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Tiranës, Prishtinë, 28 gusht 2003.

LORD, Albert B. (1937). Lord Collection of Albanian Songs, 1937, Të dhëna për Adem Brahimin e Vuthajve, 57 vjeç, jeta dhe repertori, më 16 shtator 1937, në Palç, Mërtur, dorëshkrimi nr. 36, f. 250.

…………………………(1937). Lord Collection of Albanian Songs, 1937, Të dhëna për Brahim Haxhinë e Martinajve, 19 vjeç, jeta dhe repertori, më 12 tetor 1937, në Gurëz, Kurbin, dorëshkrimi nr. 93, f. 1119.

…………………………(1937). Lord Collection of Albanian Songs, 1937, Të dhëna për Man Oruçin, 60 vjeç, jeta dhe repertori, më 12 tetor 1937, në Gurëz, Kurbin, dorëshkrimi nr. 95, f. 993.

…………………………(1937). Lord Collection of Albanian Songs, 1937, Të dhëna për Musë Lushtin e Vuthajve, 30 vjeç, jeta dhe repertori, më 12 tetor 1937, në Gurëz, Kurbin, do,rëshkrimi nr. 96, f. 994.

…………………….(1960). The Singer of Tales, Cambridge, Massachusetts, Harvard University Press.

…………………… (2001). The Singer of Tales, Second Edition, Stephen Mitchell and Gregory Nagy, Editors, Cambridge, Massachusetts; London, England, Harvard University Press, 312 pp.

NEZIRI, Zymer Ujkan (2006). Studime për folklorin, I: Eposi i Kreshnikëve dhe epika historike (The study of folklore, I: the Heroic Epos and Albanian historical epics), Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës.

……………………………. (2009). «Këngëtarët e Allbert Llordit (Albert Lord) nga Shqipëria  e Veriut» (Albert Lord’s singers from Northen Albania, pp. 157-158), në: rev. ’’Gjurmime albanologjike, Folklor dhe etnologji,’’ 38, 2008, Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës, f. 141-158.

………………………………(2009). «Ali. M. Ahmeti, Letërsia gojore e krahinës se Plavës dhe të Gucisë, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2004, 285 f.», në: rev. ’’Gjurmime albanologjike, Folklor dhe etnologji,’’ 36, 2006, Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës, f. 382-386.

……………………………..(2010). «Idriz Ulaj, Këngë dhe vajtime nga krahina e Plavës dhe e Gucisë, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2007, 442 faqe», në: rev. ’’Gjurmime albanologjike, Folklor dhe etnologji,’’ 39, 2009, Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës, f. 337-340.

………………………………(2021). Studime për folklorin, IV: Eposi i Kreshnikëve në Ballkan: Indeksi i Projektit E5, 2012-2016. Dëshmi dokumentare  për  UNESCO. (The study of folklore, IV: The Epos of Kreshniks in the Balkans: The Index of E5 Project, 2012-2016. Documentary facts for UNESCO), Prishtinë, Instituti Albanologjik.

PALAJ, Bernardin dhe Donat Kurti (1937). «Hymje», në: Visaret e Kombit, vëllimi II, Kangë Kreshnikësh dhe Legenda. Mbledhë e redaktuem nga At Bernardin Palaj dhe At Donat Kurti, Tiranë,  shtypshkronja «Nikaj», f. III-VII.

PARRY, Milman (1935). The Milman Parry Collection of Oral Literature, Harvard University, Cambridge, Massachusetts.

The making of homeric werse. The collected papers of Millman Parry. Edited by Adam  P a r r y, Clarendon, Oxford, 1971, 483 pp.

SAKO, Zihni (1966).  ’’Mbledhja e Komisionit Ndërkombëtar të Studimit të Këngës Popullore  në Ballkan, në Tiranë’’, në: rev. ’’Studime filologjike’’, nr. 3, Viti XX (III), rubrika Jeta shkencore, Tiranë, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, f. 206-207. 

UÇI, Alfred (1986). «Epika heroike dhe roli i saj në folklorin shqiptar», në: Çështje të folklorit shqiptar, 2, Tiranë, Instituti i Kulturës Popullore, f. 5-45.

ULAJ, Idriz (2007). Këngë dhe vajtime nga krahina e Plavës dhe e Gucisë, Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës. 

Zymer Neziri, Institute of Albanology of Prishtina  

Songs of the Frontier Warriors from the province of Plava and Gucia in Collection of Albert Lord, American professor at Harvard University

Summary  

In Collection of Albert Lord, collected in 1937, in North Albania, there are also songs of the Frontier Warriors from the province of Plava and Gucia. A. Lord worked with lahutars four of that region: Adem Brahimi-Mehmetkurtaj, Vuthaj; Musë Lushti-Çelaj, Vuthaj; Man Oruçi-Çelaj, Vuthaj; Brahim Haxhia-Hasangjekaj, Martinaj. Adem features who has the longest song collection, with about 2100 verses. He was at the top of the list of forty lahutars in the North Albania better than the 1937.

Adem, Musa and Man, who left for political reasons from the border, native died and were buried outside the scale of the Gurëz, Kurbin, without the presence of extended family. Brahim was imprisoned and was part of switched Yugoslav prisons.

Songs of the Frontier Warriors, sang by these lahutars, have common features themes of songs such motives in other provinces, which are poetic echo of the conflict with the South Slavs of the Ottoman Empire’s invasion.

Lahutars these songs, along with the epic story of heroic feats of Muji and Halil and other heroes, the presence of mythical beings, especially the deities, the formulas, the poetry of time and the poetry of space, maintain its legendary character.

These songs, besides the great value of poetry, especially the comparison, metaphor, hyperbole, litotes etc., poetic and thumbnail descriptions of dogfights, indicate the presence of Heroic epos in this region of the Albanian Alps.

They are proud of oral legacy Albanian etno-cultural monument in the world and have value in the UNESCO site. Collection of A. Lord preserved in the Milman Parry Collection at Harvard, which was collected and recorded with the help of A. Lord in the ’30s of last century and is regarded as the largest of its kind in the Western Balkans.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 52
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT