• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2024

“Skënderbeu i Rembrandit”

January 17, 2024 by s p

Ja dhe “Heroi” ynë i shumëpritur, stampuar në letër velini, stërpikur me njollëza verdhane lashtësie tek-tuk, si shenja fisnikërie të vetë kohës. Është i përmasave 209 X 178 mm. Përsipër portretit, skribi i kohës, me të njëjtin shkrim të krejt serisë së gravurave, ka shënuar titullin e veprës : Scandrebec Roy d’albanie. Është i paraqitur në bust, me profil të kthyer nga ana e majtë. Poshtë gravurimit, një shkrim i hollë i shekullit XVIII tërheq vëmendjen se nga stampa origjinale duhet të jenë nxjerrë edhe kopje me ngjyra dhe se veladoni që vesh trupin e personazhit duhet të ketë qenë i kuq. Gravuristi Jerome David ka përdorur për realizimin e veprës teknikën e quajtur burin, duke gdhendur drejtpërdrejt mbi fletën e bakërt dhe duke krijuar kështu planshetën intaglio ku është realizuar më pas stampimi apo shtypja e veprës.

E këqyrim për minuta të tëra dhe në kujtesë na parakalojnë dhjetëra portrete të njohura të Heroit. Mirëpo, kurrfarë përngjase me portretet e tij të zakonshme! Kurrfarë përafrie! E megjithatë, vepra që kemi para syve shfaqet fort psikologjike, fort e veçantë, tepër shprehëse! Në fakt, studiuesit nuk kanë munguar ta vënë në dukje këtë tipar karakterizues të krejt serisë së këtyre portreteve. Vetë Marieti do të shkruante se ato nuk kanë asnjë “bazë historike”. Dhe duke komentuar Marietin, studiuesja Paola Pacht Bassani, në veprën e saj voluminoze “Klod Vinjoni”, 1992, vë në dukje: “Shija për tebdilim e stolisje, shoqëruar nga interesi për psikologjinë e personazheve çon në kompozime nga të Rembrandit, të gravuruara prej vetë mjeshtrit holandez. Pikërisht, rreth mesit të viteve 1630, qarkullonin në Paris “koka shprehëse” nga më të ndryshmet duke synuar nxjerrjen në pah të gjendjes shpirtërore të personazhit, si dhe shumë figura orientalësh, ku theksi vihej më shumë në pamjen e jashtme, ekzotike dhe marramendëse”. Me këtë rast, theksojmë se interpretime nga më të habitshmet i janë bërë edhe portretit “Skënderbeu” të Rembrandit, gjatë kohës që vepra ka qenë e paidentifikuar. Shumëkush ka dashur të shohë në të një vepër “kapriçoze”, “të çuditshme”, një “Skënderbe” pa mjekrën e vet legjendare, pa kërrutjen e hundës, por me mustak spitullaq, pra, pse jo, një “Skënderbe në moshë të rinisë”. Dhe me të drejtë, një numër piktorësh e gravuristësh të huaj, në pjesën më të madhe të tyre ende anonimë – por që ne po përpiqemi t’i nxjerrim nga anonimati –, e kanë shfaqur tashmë figurën e Heroit tonë në tërë moshat, duke ilustruar mjaft nga bëmat e tij historike të njohura, qoftë si gladiator në ndeshje me tartarin trupmadh (Jorg Breu i ri), qoftë me kaskë spartane a romake (“Skënderbeu i panjohur i arkivit të Sienës”), qoftë me veshjen e rëndë kalorësiake të Mesjetës (“Skënderbeu” i të famshmit Gjorgjione), qoftë edhe më në fund thjesht me fustanellën shqiptare (“Skënderbeu” në veprën e abatit francez Guenot). Po japim edhe dy portrete të tjerë të Heroit, që botohen për herë të parë në mediat shqiptare. Veçse, krahasuar me tërë portretet e njohura e të panjohura, “Skënderbeu” i Rembrandit dëshmon krejtësisht për tjetër gjë. Këtu, ekzotizmi dhe psikologjia shpalosen lirshëm, që nga kapela e çuditshme me panashë hedhur prapa, që nga flokët tepër të gjatë derdhur dendurazi pas qafës e kurrizit, gjer tek ajo fytyrë e mprehtë dhe e thatë, ata sy seriozë me vështrim ngulitës, ajo hundë mëse e dukshme, pa kurrfarë kurrizi, që bie fort mbi buzë hollake të mbërthyera, përshkuar nga ai mustak po i hollë, për të përfunduar i gjithë portreti në një mjekër disi të stërzgjatë e të prerë. Veladoni mesjetar që mbështjell bustin përshkohet për së gjëri nga një zinxhir, me hallka të dukshme dhe me një simbol enigmatik mes tij, zinxhir që shkon paralel jakës së hedhur supeve. Pra, një “Skënderbe” tejet i tipizuar, i denjë për forcën shprehëse të Rembrandit, sikurse tërë personazhet e tjerë që përbëjnë serinë prej 11 punimesh. Por ajo që bie dukshëm në sy është veshja e Heroit, që të kujton njëfarësoj autoportretin e piktorit me beretë, qafore e zinxhir, në moshën 28 vjeçare, tablonë e tij të famshme të viti 1634 që ndodhet në Galerinë Uffizi të Firences. Sepse dihet që mjeshtri i madh holandez blinte shumë veshje, të cilat i përdorte pikërisht për punimet e tij. Pra, nuk është çudi që portreti “Skënderbeu” të jetë gravuruar fillimisht drejtpërdrejt nga vetë Rembrandi në vitin 1634, shi në kohën kur ai hedh në vaj autoportretin e tij. Fakti është se vitet 1630-1640 shënojnë periudhën e maturitetit të piktorit, “me një ekuilibër të ri, një ton më klasik, siç thekson Bert W. Meijer, ndonëse në asnjë çast ai nuk ka qenë në të vërtetë përkrahës i klasicizmit”. Është e njohur nga ana tjetër që Rembrandi ka mbi 1000 fletë vizatime, duke përjashtuar këtu etydet, dhe të tëra pa firmën e tij. Ai jo vetëm që e kishte zakon të mos i firmoste kurrë punimet e veta, por këtë ua këshillonte edhe nxënësve të tij për të punuar edhe ata sipas këtij stili. Sepse, përgjithësisht, vizatimet apo etydet konsideroheshin nga ana e tij për përdorim vetjak, domethënë nuk bënin gjë tjetër veçse përgatisnin veprën e ardhshme apo i shërbenin asaj tërthorazi. E megjithatë, është me vend të theksohet këtu se për Rembrandin, vizatimi dhe gravura me akuafort ishin po aq të rëndësishme sa dhe piktura. Shumë herë, ai Mjeshtër i madh i lojës së dritë-hijes, i tonaliteteve të errtë e i penelatave të befta, ai Mjeshtër i dekoreve ekzotike dhe i detajit të përkryer, i futej drejtpërdrejt edhe vetë, me llërë përveshur, gravurimit, si në dru, si në fletën e bakërt apo në fletën e hollë metalike. “Planshetat, vë në dukje studiuesja Laneyrie-Dagen në veprën e saj “Si të lexojmë pikturën e Rembrandit”, i korrespondojnë herë-herë porosive, qoftë në rastin e portreteve, qoftë në rastin e simbolizimeve. Rrjedhimisht, ka shumë të ngjarë që Rembrandi “t’i ketë bërë me porosi” të 11 portretet e tij me personazhe të shquar historikë. Dhe Zonja Harent, duke parashtruar këtë hamendesim gjithë delikatesë zëri e finesë mendimi, do shtonte gjithashtu, jo pa njëfarë ndjenje besimi: “S’dihet, mbase një ditë mund të gjendet edhe origjinali. Në vijim, përfitojmë nga rasti për t’i treguar Zonjës Harent një tjetër “Skënderbe” të hamendësuar të Rembrandit, prezantuar nga Alessandro e Guido Castriota (stërnipërit e Heroit), në librin e Gennaro Franciones “Skënderbeu, një hero modern”. E po ashtu edhe një portret krejt anonim, të një stili sa flamand, aq edhe venecian, ku na e ka ënda të shohim një portret tepër të veçantë të Heroit tonë. Por komentet për të po i lëmë për një shkrim tjetër, së bashku me mjaft gjetje e gjurmime të reja, fryte të bashkëpunimit tonë me Dritan Mukën, qëmtuesin e vlerave të rralla historike shqiptare. Le t’i rikthehemi edhe një herë portretit tonë të Rembrandit, të njohur më parë si vepër anonime. Në periudhë të hershme, ai na shfaqet dy herë i botuar, ndoshta gjatë shekujve XVII-XVIII, për aq sa mund të gjykohet nga teksti latin që e shoqëron në rastin e parë, apo nga katër vargjet në italishte të vjetër që e shoqërojnë në rastin e dytë. Njëri portret mban titullin “Georgius Castriotus Scanderbeg, Princ i Epirit”, pasuar nga një tekst i shkurtër në katër rreshta që bën fjalë për luftën e tij kundër turqve dhe mbrojtjen e Krishterimit, dhe portreti tjetër mban titullin “Scanderbeg Re d’Albania”, si dhe këto vargje të bukura në italisht: “I hovshëm në krah, e në guxim, / I përzgjedhur kështu nga vetë Fati, / Sulm i tij i shpejtë, vetë Hënës Osmane, / Eklips të përgjakur i krijonte.” Kohët e fundit, ndërmarrja amerikane Allen & Ginter e prodhimit të duhanit, me tradita të hershme edhe në tregtimin e letrës së cigareve (1875), ka nxjerrë në qarkullim një seri kartash reklamuese me ngjyra, me tematikë “Heronjtë Kombëtarë”. Në këtë seri, karta “Albania”, Allen & Ginter’s Topps 2009, veç stemës zyrtare të Shqipërisë, përmban në krahun e djathtë portretin e “Skënderbeut” të Rembrandit: kapë të praruar, flokë të kuqërremtë, mantel të përhimët, me zinxhir po të praruar, kurse fytyra në të trëndafiltë të zbehtë. I gjithë portreti përfshihet brenda një kuadri eliptik, me dy flamuj të vegjël kombëtarë, dhe poshtë portretit është shkruar: “Skanderbeg”, në mënyrë të stilizuar harmonishëm. Një orvatje e arrirë në mënyrën e vet, për të dhënë më në fund edhe me ngjyra “Skënderbeun” Rembrant Van Rijn. Në përfundim, do thoshim, se ky portret i “Skënderbeut”, nën emrin e madhështorit Rembrand, e larton edhe më shumë figurën e Heroit shqiptar në rrafsh evropian e botëror, të Atij që “përjetësoi Shqipërinë me bëmat e tij” (A. Savete), të “Kampionit të pamposhtur të Kryqit” (E.Charrière), “I vetmi monument i lirisë” (Konti Segur), që së bashku me Jan Huniadin shpëtoi “Evropën mbarë me forcën e gjenisë së tij dhe burrërinë e karakterit” (Saint-Allais Nicolas).

Përgatiti: Albert Vataj

Filed Under: Kulture

Me rastin e 556 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut

January 17, 2024 by s p

NJË AKT DIPLOMATIK I DALUR NGA KANCELARIA E SKENDERBEUT NGA VITI 1458 – BURIM ME VLERË TË RËNDËSISHME PËR HISTORINË TONË KOMBËTARE QË RUHET NË ARCHIVIO SEGRETO VATICANO

Akt diplomatik, mandat, me të cilin emërohet Martin Muzaka ambasador i Skenderbeut.-Origjinali në pergamen me një vulë shtetërore të varur, ruhet në Arkivin Skeret të Vatikanit në fondin: Miscellaneae, vol. XXXIX, dok. 2398, nga viti 1458.- Skenderbeu në këtë mandat quhet “mbret”!

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Gjatë mesjetës, sundimtarët dhe princërit shqiptarë kishin zyrat e tyre të kancelarive në nivele të ndryshme si notarë, sekretarë apo përkthyes, të cilat ishin mjaftë të zhvilluara dhe mund të renditen në radhën e kancelarive të ngjashmemë të njohura, në Evropë, gjë që tregonte për nivelin e lartë të zhvillimit dhe kujdesit që tregonin sunduesit shqiptarë në komunikim me sundimtarët tjerë. Nga këto zyra dolën akte, diploma, mandate dhe dokumente nga më të ndryshmet, në disa gjuhë që në atë kohë ishin në përdorim zyrtar. Deri sot, ne kemi njohuri për ekzistimin e një numri të vogël të këtyre dokumentave në origjinal. Pjesa dërmuese e tyre si duket janë zhdukur përgjithmonë; pjesa tjetër pret hulumtuesit që ato ti nxierrin në dritë dhe ti botojnë, derisa vetëm disa i kemi në duar të zbuluara rishtazi. Një numër i caktuar janë të botuara në vëllime dhe korpuse të ndryshme të dokumentave, që asnjëher nuk janë përmbledhur në një botim të veçantë. Karakteristikë e përgjithme e këtyre akteve të botuara është se ato nuk ndryshojnë nga ato të sundimtarëve të tjerë, fqinjë apo evropianë.

Zakonisht në këto kancelari janë përdorur gjuhët kulturore të kohës si: latine, greke, sllave, italijane osmane dhe ndonjë tjetër. Ende nuk kemi asnjë dokument që është shkruar apo përkthyer në gjuhën shqipe nga aktet noterijale.

Hulumtimet nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme, kanë mundësuar zbulime të reja të këtyre akteve, për të cilat më parë është menduar se janë zhdukur apo nuk kanë ekzistuar fare. Për fat të keq, edhe sot, ka studiues e shkencëtar shqiptar, të cilët janë mbështetës të idesë se: “çdo gjë që ishte me vlerë dhe e rëndësishme nga arkivat e bibliotekat e njohura, të rendësishme, është botuar”. Këta stduiues e historianë shfrytëzojnë burimet e botuara nga autorë të huaj, të cilët, vërtet kanë botuar dokumente, por assesi në atë shkallë, sa të shterronin fondet dhe trezorët e arkivave e bibliotekave, në të cilët edhe sot e kësaj dite, ruhen thesare të paçmuara për kulturën, traditëm dhe historinë tonë kombëtare. Këto mendime janë shumë të dëmshme, sidomos për studiuesit dhe hulumtuesit e rinj, te tek të cilët mund të ketë ndikime negative dhe dëshpruese. Dëshmit për një qëndrim të të tillë të gabuar dhe tendencioz, janë të shumta. Duke bërë hulumtime kohëve të fundit, në Arkivin Skeret të Vatikanit në Vatikan, në fondin: Miscellaneae, nga viti 1458, kemi zbuluar një mandat [akt diplomatik] origjianl të Skenderbeut, me të cilin emrohet Martin Muzaka për përfaqësues të tij “legjitim dhe legal”.

Dokumenti është i shkruar në pergamen. Është ruajtur mjaft mirë. Ka dimensione: 68 x 92.5 cm. Në të janë varura edhe dy vula origjinale. E para vula shtetërore e Skenderbeut dhe e dyta ajo e notarit Johannes Borcius de Grillis.

Ne na është e njohur edhe një kopje e këtj mandati që ruhet poashtu në Arkivin Sekret të Vatikanit, në Vatikan në Fondin: Diversa Cameralia, vëll. 30, f. 134r-v. Kjo kopje është e saktë dhe tepër besnike, pa asnjë lëshim nga ana e përshkruesit.

Është e habitëshme që disa studiues shqiptarë, të cilët kanë shkruar për këtë dokument, meqë nuk e kishin në dorë as origjinalin e as kopjen, e kanë datuar gabimisht, duke i vënë datën 20 tetor 1463!

Siq mund të vërehet nga origjinali, mandati është lëshuar në Rodon të Shqipërisë me 28 tetor të vitit 1458. I drejtohet papës Piu i II-të, i cili kishte më pak se dy muaj që kishte filluar pontifikatin e tij [Piu i II-të fillon pontifikatin më 3 shtator të vitit 1458 dhe vdes më 15 gusht 1464] dhe njihej si luftëar i rreptë për mbrojtejn e fesë së krishterë edhe sa ishte kardinal.

Një moment tjetër i rëndësishëm që tërheq vëmendjen te ky mandat është edhe pohimi i notarit publik Johannes Borcius de Grillis se ai “me urdhër dhe autorizim të mbretit…” dmth. Skednerbeut, pra, Skenderbeun e quan Mbret. Ky moment është tepër domethënës ngase edhe në vulën shtetërore të varur që e shoqëron këtë dokument e gjejmë të shkruar tekstin: Sigil [um]o Regni[ae]o Macedonia[e]o et oAlbania[e] që në gjuhën shqipe do të ishte: Vula e Mbretërisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë. Një vulë me teskt të ngjashëm, por e shtypur në letër, ruhet në një fond tjetër në Arkivin Sekret të Vatikanit: ASV. ARM. XXXIX. T. 7, dok. 137, e cila është botuar për herë të parë nga ne, në një nga numrat e kaluar të revistës Ekskluzive.

Ka mundësi që zyra kancelarike që ishte pranë Skenderbeut të ishte vazhdimësi e të njëjtës zyrë, e cila funksiononte te i ati Gjon Kastrioti, për të cilin kemi njohuri se kishte një zyrë të tillë nga fundi i shek XIV dhe fillimi i shek. XV. Natyrisht që kancelaria e Skenderbeut ishte shumë më moderne dhe ju ishte përshtatur rrethanave dhe kohës kur vepronte. Sipas hulumtimeve të bëra, kemi në dorë një të dhënë tepër interesante, se nga zyra e Skenderbeut, ka ndodhur që mbrenda një dite të nxirren 13 akte të ndryshme diplomatike, të shkruara në 5 gjuhë. Kjo e dhënë tregon se cili ishte komunikimi i Heroit tonë kombëtar me shtetet tjera mjesjetare dhe me fqinjët, si dhe roli shumë i rëndësishëm që luante kjo diplomaci ruajtjen e pavarësisë shtetërore dhe teritoriale.

Mandati që japim në përkthim në gjuhën shqipe, është njëri ndër dokumetnet që kemi zbuluar kohëve të fundit, është i pabotuar si dhe shumë të tjetër. Së shpejti do të botohet në një vëllim të veçantë së bashku dokumetet tjera të ngjashme diplomatike që kanë dalur nga kancelaria e Skenderbeut dhe janë të botuara.

*****

PËRKTHIMI NË GJUHËN SHQIPE I MANDATIT NGA VITI 1458

Përshendetje në Zotin tonë Jezus Krishtin për të gjithë dhe secilin që e lexon dhe dëgjon këtë dokument.

Duke qenë se kohë më parë jemi njoftuar nga raporti i Martin Muzakës, këshilltarit dhe oratorit [zëdhënsit] tonë, të cilin, kohë më parë e kemi dërgue te shenjtëria dhe fortlumturija e Tij Hyjnore, papë Piu i II-të; që shenjtëria e Tij, papa ynë, duke u kujdesur për pozitën e fesë së krishterë, e cila është sulmuar nga fatkeqësia e njerzimit, tirani turk, Mehmeti [i II-të, m.a.] dhe bashkëluftarët e tij, armiq të emrit, i krishterë; duke dëshiruar që të ndihmoj me shërbimin e tij dhe t’iu vijë në ndihmë forcave të tija; ka paralajmëruar, ftuar dhe shtytur një numër të madhë të mbretërve të krishterë, që të ofrojnë shërbimet e tyre, për një vepër kaq të shenjtë dhe të dobishme; dhe se duhet bërë këtë nga obligimi dhe pranimi i dobive që kanë ndaj fesë së krishterë; ka ftuar shumë mbretër të krishterë që të bashkohen personalisht ose duke dërguar përfaqësues të tyre me autorizime të plotëfuqishme dhe zyrtare.

Ne, Gjergj Kastrioti Skenderbeu, zot i Shqipërisë, si të krishterë të mirë, dëshirojmë të renditemi në mesin e atyre besimtarëve të krishterë, të përmendur, duke u treguar besnikë dhe shërbëtorë të denjë; emrojmë të lartëpërmendurin, Martin Muzakën, te i cili kemi besim të pakufishëm dhe kofidencë, për legalitetin e tij ndaj nesh, eksperiencën, ndershmërinë, zotësinë dhe përgaditjen e lartë intelektuale; pikërisht të njëjtin, Martin Muzakën, e vëmë, përckatojmë dhe autorizojmë që sipas përmbajtës së këtij mandati të jetë oratori [zëdhënësi] dhe përfaqësuesi ynë legjitim dhe legal; që në emër Tonin dhe për Ne të paraqitet pranë të lartëcekurit, shenjtërisë së Tij, papës tonë dhe para shumë të nderuarit Kolegj të Kardinalëve, në Kongregacionin e përmendur; dhe me mbretërit tjerë apo me oratorët [zëdhënësit] e tyre, aty, për të njëjtën problematikë [temë] ose për ndihmë fesë sonë të shenjtë, e cila në të shumtën varet nga ata; për nder dhe emër të Zotit, të debatojë, të bisedojë, të japë mendim, të shqyrtojë dhe të nxierr përfundime, që do të ishin në favor të një ndërmarrje të tillë ose të bënte çdo gjë që është e mundur, duke pohuar, sajuar, bashkuar, mbledhur ose konkluduar, për një veprim të tillë; në emër Tonin dhe për Ne, të marr obligime duke treguar atë që është për tu lavdëruar, lejuar dhe zbatuar; çka do të pranonin të gjithë të pranishmit, por edhe individualisht; dhe përsa ka të bëj me ne; ose sa do të kishte të bënte me ne, si dhe për personalitetin Tonë; me të mirat tona; tokën tonë; qytetet tona të fortifikuara; vendbanimet tona; kështjellat tona dhe në popullin tonë; besnikët tonë të armatosur, në njerzit tonë, pjesërisht apo në tërsi; për të mbrojtur fenë e krishterë dhe në dëm të armiqëve tonë të përmendur; siq do të vërehet edhe nga mandati ynë i hapur, të cilin e dërgojmë; dhe si mund të konkludohet, që ligjërisht obligohemi, që me vulën tonë, dhe me vulën e tij, me të cilën siguron për çdo premtim dhe obligim të bërë; duke u përgjigjur me çfardo shume të hollash, si dhe me të gjitha të mirat tjera, të çfardo natyre qofshin ato, nga të gjithë personat, kolegjet apo bashkësitë, duke mbështetur të përmendurin, shenjtërinë e Tij, zotin tonë, papën dhe Selinë e Shenjtë, shumë të nderuarin Kolegj të Kardinalëve nga Kongregacioni i përmendur, si dhe mbretërit, sundimtarët, dhe gjithë të tjerët, që me forcën e një marrëveshje, për të cilën edhe ne jemi shumë të interesuar, siq jemi deklaruar edhe më lartë; dhe të gjitha këto i bëjmë personalisht; pranojmë paqen, veprojmë dhe marrim nga të gjithë, pa dredhi, duke hequr çdo lloj dyshimi për mashtrim; ndërsa juve, të lartëpërmendurit, të gjithëve dhe secilin, ju vëjmë dhe emrojmë, duke dhënë fjalën e sundimtarit [mbretit]; duke shprehur devotshmërinë, nderin dhe besnikërinë tonë; e konsiderojmë si të përhershëme dhe premtojmë: se të gjitha oblgimet tona do ti përmbushim. Duke ju siguruar ju se, veprimet e përmendura; obligimet; pa dredhi, të gjitha deri në një, për të cilat kemi dhënë fjalën, përmes oratorit [zëdhënësit] ose ambasadorit tonë Martin Muzakës, si të pohuara, shqyrtuara, paralajmëruara, debatuara dhe përfunduara, i pranojmë dhe obligohemi për to.

Dëshminë e të gjithë këtyre, e forcojmë, duke urdhëruar vulosjen me vulën tonë të zakonshme, të varur.

Lëshuar në Rodon, në vendin e Shën Mërisë, në prezencën e dëshmitarëve të ftuar dhe të lutur [nderuar]; në prezencën e shumë të nderuarit në Krisht, atit dhe zotit Pal, me mëshirën hynjore, kryeipeshkv i Durrësit dhe i krahinës së Ilirikut; dhe të nderuarit atë, Pjetër Dukës, abat prothosengulator [i betuar] në Aleksandrin nga Moledina dhe shumë të nderuarit vëlla Bardh, prior i Kuvendit të Shkodrës nga Urdhëri i predikuesve [domenikanëve] dhe nuncit apostolik në Shqipëri, shumë të nderuarit zotit Raione Celnicho.

Në vitin e Krishtit, 1458, indikti i I-të, ditën e 28 të tetorit.

Unë, Johannes Borcius de Grillis, prift i ipeshkvisë së Durrësit, notar publik me urdhër dhe autorizim të mbretit, firmos të gjitha këto dhe secilën; isha prezent, për këtë dhe i lutur; botërisht pohoj dhe firmos mandatin; por meqë isha i zënë me punë, kam urdhëruar që të tjerët ta shkruajnë; e unë e kam firmosur me shenjën time të zakonshme, të notarit publik dhe me emrin tim, së bashku me vulën varëse të të lartëpërmendurit dhe shumë të ndriturit zot Skenderbe, e kam forcuar besimin, me dëshminë e gjithë kësaj dhe secilës, që është përmendur më lartë.

*****

TRANSKRIPTIMI I ORIGJINALIT TË DORËSHKRIMIT TË MANDATIT NGA 28 TETORI 1458

ASV: Diversa Cameralia 30. F. 134r-v[olim 135r-v]

MANDATUM DOMINI SCANDARBECHI IN FACTO CONTRA TURCHUM

Rodoni, 28. X. 1458.

Mandatum

Universis et singulis presentes litteras inspecturis seu audituris salutem in Domino nostro Jesu Christo.

Quoniam ad nostram noticiam nuper delatum est, relatione Martini Musachi, consiliarii et oratoris nostri, quem nuper ad presentiam Sanctissimi Domini Nostri domini Pii, divina providentia pape II, transmissimus, qualiter ipse Sanctissimus Dominus Noster Papa considerans religionem christianorum a Machometto Turchorum tiranno cum suis complicibus Turcis nominis christiani inimicis graviter afflictam, volens ut suo incumbit, officio providere et pro suis viribus succurrere, plurimos catholicos principes monuit, percitavit ac exortatus est, ut vices suas ad hoc tam sanctum tamquam salubre opus impendent ut ex debito et christiane religionis et beneficiorum a Deo susceptorum tenetur et ob hac ad suam presentiam plurimos e christianis principibus convocavit qui per se aut per procuratores suos plenissimo mandato suffultos compareant.

Nos Georgius Castriot Schanderbeg, dominus Albanie, qui in numero christifidelium numerari et esse volumus, etiam ut tanti tamquam meritoris boni efficiamur participes, prefatum Martinum Musachi ad plenum de eius legalitatis, probitatis, scientia et experientia plenius confisi ipsum Martinum Musachi constituimus et ordinamus ac tenore presentium litterarum nostrarum facimus, constituimus et ordinamus nostrum et certum nunptium specialem ac procuratorem etc, ad comparendum nomine nostro et pro nobis coram Sanctissimo Domino Nostro Papa prefato ac Sancto reverendissimorum dominorum Cardinalium Collegio in Congregatione prefata cum aliis principibus aut eorum oratoribus seu procuratoribus ibidemque de materiis huiusmodi aut succursu fidei nostre et eorum dependentiis, ad laudem Dei et commodum atque sulevamen nostre christiane religionis tractandum, proloquendum, avisandum, arbitrandum et concludendum prout et quemadmodum expeditioni tante opportunum fuerit vel videbitur expediens esse, conceptisque prolocutis, quentis, conventis et conclusis ibidem in hac parte et nostro nomine ac pro nobis consentiendum et confessum expressum prebendum illa laudandam et approbandam et ad observationem atque conmplementum omnium et singulorum eorumdem in quantum nos concernunt seu concernere poterunt, nos et personam nostram et omnia bona nostra ac terras, castra, villas, fortelicia, armigeros, subditos et homines nostros in parte vel in toto pro deffensione christiane fidei et offensione inimicorum eorum predictorum prout expedientis videbitur et conclusum fuerit efficaciter obligandum et per litteras suas patentes et sub eius sigillis necnom ad recipiendum omnem promissionem et obligationem omnemque pecuniarum quantitatem et summam ac etiam omnia bona cuiuscumque generis seu speciey fuerunt, a quibuscumque personis, collegiis sive universitatibus et maxime a prefato Sanctissimo Domino Nostro Papa et Sede Apostolica et a prelibato Sacro reverendissimorum cardinalium Collegio a Congregatione prefata et a principibus dominis et regibus quibuscumque perinde ac cum talibus pacto, robore et firmitate tanquam si nos ipsi in premissis interessendo hec omnia personaliter faceremus, pacisceremur et tractaremus et reciperemus, omnibus dolo, exceptioni ac fraude cessantibus et penitus exclussis ac vos circa predicta omnia et singula constituimus et creamus alterum nos promittentes in verbo principis ac sub nostris fide et honore rata, grata, stabilia et firma perpetuo habere et efficaciter adimplere que per vos acta, facta, promissa, obligata et recepta fuerint ac nos habituros et adimpleturos sine fraude, omnia illa et singula que per oratores, ambassatores et procuratores nostros supra nominatos vel per alterius ipsorum super Martinum Musachi acta, dicta, avisata, tarctata, conclusaque fuerint in premissis.

In cuius rei testimonium [nostri] consueti sigilli appensione muniri fecimus et mandavimus.

Datum Rodoni in loco Sancte Marie, presentibus reverendissimo in Christo patre et domino domino Paulo, miseratione divina archiepiscopo Durachiensi et Illirice regionis, ac venerabili patre domino Petro Duca, abbate prothosengulo nuncupato sancti Alesandri de Molendino Arbanensis Diocesis, et venerabili fratre Blasio, priore conventus Scutarensis Ordinis Predicatorum, ac nunptio apostolico in Albania, et s[e] pectabili domino Raione Celnicho, eiusdem testibus rogatis et vocatis, anno a nativitate domini MCCCCLVIII, indictione I, die vero XXVIIII octobris.

Ego Johannes Borcius de Grillis presbiter Duracensis Diocesis, publicus imperiali auctoritate notarius suprascriptus omnibus et singulis interfui eaque rogatus publicavi et in notam scripsi, ac per alium, me certis occupato negotiis, scribi feci et inde me subscripsi; meisque signo et nomine solitis unacum appensione prefati illustrissimi domini Scanderbech sigilli in fidem et testimonium omnium et singulorum premissorum roboravi. J. (Ribotim)

Filed Under: Histori

Vdekja e Skënderbeut dhe Fati i Shqipërisë, nga Armstrong, William Jackson

January 17, 2024 by s p

Përgatiti Rafael Floqi/

Letërsia amerikane e kish trajtuar gjatë shekullit të 19-të gjerësisht figurën e Skënderbeut, kujtojmë poemën e të madhit Henry Wadsworth Longfellow (1802-1882) shqipëruar nga Fan Noli. Por me fillimin e shekullit të 20-të, Armstrong, William Jackson, 1841-1913 një historian dhe aktivist politik amerikan, botoi librin e tij “Heronjtë e humbjes”, shtypur nga Kompania Robert Clarke, 1905.

Ky libër është, një biografi e figurave të ndryshme historike që të nuk arritën dot t’i plotësojnë qëllimet e tyre, ku krahas Skënderbeut , Princit të Shqipërisë” përfshihen: “Kosiuszko, Heroi i Polonisë”, “Vercingetorix, Princi i Galisë, etj . Ky është një titull kaq shprehës dhe i zgjedhur, sa e bën të tepërt një parathënie për këtë vëllim që e mban atë titull. Duke sugjeruar me vend atë që ka pretenduar shpesh mendimi i atyre që kanë ndeshur me peripecitë e fatit individual në dramën e historisë. Është me të vërtetë e zakonshme të thuash se bota duartroket suksesin. Por “Heronjtë e humbjes”, është një titull domethënës për fatin e kombit tonë, pas fitoreve të Skënderbeut. Megjithatë, shkruhet në parathënie se ndoshta është po aq e vërtetë, që zemra dhe ndërgjegjja e simpatisë së njerëzimit t’i drejtohet atij që përpiqet denjësisht, fuqishëm por që edhe mund të dështojë. Drejtësia poetike ngjall besimin se triumfojnë edhe ata që, kundër një fati të kundërt, kur ndjekin me fisnikëri synimin e tyre fisnik atje, ku i çon detyra dhe ecin me hap të palëkundur në rrugën e martirizimit.

Vdekja e heroit. nga “Skënderbeu Princi i Shqipërisë”.

Kur krahu i fuqishëm që kishte copëtuar tre qind mijë armiq të Kryqit dhe kishte shmangur për gjatë një brezi sulmet e një perandorie, ra i dobësuar nën peshën e shpatës së vet. Zëri i fuqishëm që kishte trembur që nga shkëmbinjtë shqiptarë me komandat luftarake armiqtë e vendit të tij u zëpak, në një pëshpëritje: “Shkoni i përpara”, ai tha luftëtarit që i shërbente në shtrat, ndërsa u zhyt në jastëk, “Shkoni përpara, lëshojuni kundër të pafeve! Unë do t’ju ndjek menjëherë!” Dhe më pas trupë kuajsh venecianë doli nga qyteti me urdhër të ushtarit që po vdiste.

Duke besuar se Skënderbeu ishte në krye të forcave që përparonin, turqit fushuan lart mbi male, duke lënë mijëra syresh të vrarë, në një tërheqje të parregullt. Mrekullia e Cidit ishte përsëritur! Skënderbeu kishte arritur fitoren e fundit nga shtrati i vdekjes, me tmerrin që u ngjallte armiqve emrit i tij!

Duke u përmendur nga të fikët, luftëtari i rënduar, urdhëroi me qetësi punët e mbarvatjes së mbretërisë së vet dhe u nda me dashuri me familjen e vet, e më pas vijoi deri në fund, ta mbante veten me një forcë heroike, gjersa dha shpirt.

Me të mbaroi edhe pavarësia e vendit të tij. Liria shqiptare kishte ekzistuar vetëm në sajë të krahut të djathtë të mbajtur lart. Njëzet pushtime ushtari i madh i kishte zbrapsur në tokën e tij e lindjes. Një milion muslimanë ishin tërhequr para goditjes ose kërcënimit të shpatës së tij. Por, pa të pa mbrojtësin e madh të Shqipërisë që doli fitues në çdo konflikt, kauza e Shqipërisë së ardhme dukej si një kauzë e humbur.

Kjo ishte një luftë me një perandori, agresionet e së cilës ishin, si valët e detit që avanconin pakufi, të pafundme. Edhe ndërsa patrioti që po vdiste e po priste fundin e vet, valët asaj perandorie ishin ngritur edhe një herë rreth mbretërisë së tij të vogël, para përmbytjes së saj përfundimtare. Dhe mandej, kur bashkatdhetarët e tij të pikëlluar po mbanin trupin e tij për ta varrosur, flamujt me gjysmëhënë u ngritën në mënyrë tallëse mbi majat e maleve fqinje.

Për madhështinë e Skënderbeut nuk ka nevojë të flitet përtej rrëfimit të bëmave të tij.

Në vlerësimin e karakterit të tij, është jetike të kujtojmë se, në një epokë, kur idetë luftarake ishin supreme, kur mund të justifikonin plaçkitjen dhe pushtimin, shpata e tij ishte nxjerrë vetëm në mbrojtje të lirisë së vendit të tij. Sikur ai të ishte i tërhequr ndaj joshjes së ambicjes, dobësi e heronjve konvencionalë, ai do të kish pranuar shërbimin e turkut që ia ofronte pa kufi.

Komanda e ushtrive dhe fama e fitoreve të tilla, që nuk i ishin ofruar asnjë kapiteni tjetër ushtarak të kohës së tij, nuk do të ishin të tijat. Në fronin e Muratit dhe Muhametit ai do të kishte qenë si Belisarius në atë të Justinianit. Aty e prisnin nderimet dhe luksi i madhështisë lindore. Po ai zgjodhi qëllimisht të ishte mbrojtësi i një populli të vogël dhe të varfër.

Duke gjykuar për të si sundimtar, pranohet se ai kishte administruar një mbretëri më mirë se çdo sovran fqinj. Është thënë se nëse mbretërit do të ishin më të mençur se popujt dhe dashamirësit e tyre, monarkia do të ishte forma ideale e qeverisjes njerëzore. Këto cilësi duket se janë mishëruar pothuajse në mënyrë perfekte tek ky princ shqiptar. Për një çerek shekulli ai ishte idhulli i një populli, që pothuajse e adhuronte, bashkombasit i trajtoi më tepër si miq të njohur, sesa si subjekte të sundimit. Prania e tij fizike imponuese dhe shkëlqimi i tij me krahët e fuqishëm kontribuan në këtë idhujtari. Pos këtyre atributeve i shtohej një madhështi, që qe madhështia e shpirtit të tij, që i detyronte edhe armiqtë ta respektonin me dashuri. Historianët turq nuk e kanë bërë kurrë këtë gjë, por arritën të flasin me admirim, për këtë armik të frikshëm të racës së tyre osmane.

Dhe qe pikërisht si ushtar, që Skënderbeu realizoi një mrekulli unike. Është e dyshimtë nëse ndonjë kapiten i historisë e ka tejkaluar atë në dhuntitë thelbësore, apo është barazuar me mrekullitë e tij të udhëheqjes ushtarake, me bëmat e strategjisë dhe të komandës që i dhanë atij, në epokën e vet reputacionet, gati supersticioze të zotërimit të cilësive mbinjerëzore. Arritjet e tij, në të vërtetë, duket se i kanë justifikuar pothuajse besëtytninë. Shkathtësia e paskaj. me të cilën ai kapërceu ushtri të mëdha me numur forcash disproporcionale fantastike është e pa paralele në analet e historisë ushtarake.

Sfida e tij e suksesshme për një çerek shekulli kundër Muhametanizmit turk në periudhën e tij më luftarake, duke mos pasur në asnjë moment në dispozicion të tij një trupë ushtarake prej më shumë se njëzet mijë ushtarësh, është njëkohësisht një monument dhe dëshmi e zotësisë së tij së përkryer ushtarake. Ky nuk ishte si rasti i disiplinës dhe udhëheqjes së një ushtrie të qytetëruar, kundër hordhive gjysmë barbare, siç ishte shpesh ushtria e Aleksandrit apo Cezarit. Ushtritë myslimane nën kapitenët e tyre në shekullin e pesëmbëdhjetë ishin më të njohurat në botë për efikasitetin taktik. Me po këto ushtri, vetë Skënderbeu, kur u shërbente ende Sulltanëve, i pat shkatuar fatkeqësi çdo armiku të turkut.

Përfundimet për gjenialitetin e tij ushtarak janë të parezistueshme. Epërsia në luftë e epirotit të madh ishte padiskutim për shkak të zotërimit të çdo lloj talenti ushtarak që e bën një ushtar të sukseshëm. Shto këtu dhe forcën dhe magnetizmin e një personaliteti të jashtëzakonshëm, një trup gjigant, i ndezur me një guxim dhe energji të jashtëzakonshme në vetvete. Tregohet se në tërbimin e betejës, ndërsa ai pamëshirshëm godiste armiqtë e tij, gjaku rridhte zakonisht nga buzët e kafshuara. Por, qoftë në beteja apo në këshilla, gjykimi i tij ishte gjithmonë suprem. Në momentet e zakonshme, qetësia fisnike e sjelljes së tij tregonte, forcën e tij, gjerësinë dhe qetësinë e natyrës së vet, duke i iu kujtuar studiuesve të historisë kapitenë të tillë ushtarakë, si : Antoni dhe Gustavus.

Skënderbeu është krahasuar si ushtarak me Belisarin. Krahasimi është për të ardhur keq, për gjeneralin e Justinianit. Belisarius humbi aq beteja sa edhe fitoi. Ndërsa karriera e Skënderbeut ishte një seri fitoresh pa të meta. Në gjenialitetin ushtarak origjinal, ai ka pasur pak rivalë. Tetëmbëdhjetë shekuj para tij, Epaminondas zotëroi artin e domosdoshmërisë e hedhjes së një force dërrmuese në një pikë vendimtare të vijës së armikut të tij. Më tej Leuctra dhe Mantinea fituan kaq shumë me këto taktika. Dy shekuj më vonë Hamilcari praktikoi skemën e marshimeve të shpejta me manovrime, duke ia ngatërruar llogaritjet kundërshatrëve në pikën e tij të sulmit. Këto arte luftarake ishin supozuar nga shkrimtarët ushtarakë, se qenë harruar, gjer në rizbulimin e tyre nga Frederick e Marlborough në betejat e tyre të mëvonshme me Napoleonin. Por dhe ky supozimi është i gabuar, pasi të dyja këto mjete, kanë qenë instrumentet e njohura dhe të vazhdueshme, të fitoreve të arritura në shekullin e pesëmbëdhjetë nga Skënderbeu.

Kur populli dhe familja e pikëlluar e Epirotit të madh e vendosën trupin e tij me nderim në kishën katedrale të Shën Nikollës në Lezhë. Nëntë vjet pas varrimit të tij, një hordhi ushtarake turke hyri në katedrale dhe shkatërroi arkivolin e tij, duke e copëtuar skeletin e tij në copa të vogla për t’u shpërndarë me syresh si hajmali, kundër frikës në betejë – si haraç i besëtytnisë turke ndaj guximit, të armikut të tyre më të fuqishëm! Sot nuk ka një grusht pluhuri nga eshtrat e heroit, që të shenjtëronte ndonjë vend të njohur të tokës shqiptare, por kujtimi i tij i mbajtur pas katërqind vjetësh është i gjallë në dashurinë e bashkatdhetarëve të tij, si në ditët pas vdekjes dhe është më i nderuar një kujtim krenar i madhështisë së tij, sesa dhe varri më madhështor.

Nuk ka pasur asnjë njollë në famën e shqiptarit të madh.

Arsyetimi i ngushtë i Gibbon-it për tradhtinë e tij të pretenduar ndaj Muratit, në largimin e tij të papritur nga fusha e betejës së Nishit i vjen erë. Me etikën e tij të turbullt, do të pajtohen vetëm natyra aq të ashpra sa ajo e historianit të Perandorisë Romake. Nëse rrëmbimi me dhunë e shqiptarit nga vendi i tij që fëmijë i brishtë, vrasja e vëllezërve dhe marrja e mbretërisë së tij me tradhti, nuk japin justifikimin e mjaftueshëm për rikuperimin e të drejtave të tij ndaj vendit të vet, edhe nëse do të kishte nevojë për akte të tilla. Veprimet e Muratit me metoda dredharake, do të ishte e vështirë të imagjinohej që ndonjë veprim njerëzor, të justifikohej nga paraardhësit e tij. Për njerëzit mesatar dhe normal, historia e një princi, i shkëputur pothuajse qysh në foshnjëri nga farefisi dhe besimi i tij dhe i zvarritur në skllavëri në një oborr oriental, për të rifituar lirinë e tij, duke përjetësuar emrin e vendit të vet me shkëlqimin e veprave të tij, do të mbetej një përrallë që drejtësia e poezisë aq magjepsëse dhe e kënaqshme sa do të linte pak vend për kënaqësi dhe përpërsosjet etike, për detyrimet, ndaj një tirani të papenduar.

Emri i Skënderbeut është një stoli e historisë. I parë përmes thjerrëzave të katër shekujve, ai shihet në mes të epokës gjysmë të fryrë mesjetare, një figurë vigane me shpirt të lartë, që luftoi për Lirinë dhe Ndërgjegjen, beteja të mrekullueshme që lanë gjurmë dhe interes njerëzor në fushw betejat e Evropës Jugore.

Filed Under: Politike

In Memoriam: Adem Gashi(1953-2024)

January 16, 2024 by s p

Skënder Karaçica/

TË SHPETOJMË DJALIN E RI POET NGA DRENICA

Vdekja për poetët është fjala e fundit,ata mbesin të gjallë në frymën e popullit të vet. Me Adem Gashi, kujtesa merr me veti kohën e grupit letrar “Migjeni” në Normalen e Prishtinës, ku lexonim vjersha, bisedonim për letërsinë dhe kur bëheshim gati për të marrë udhën e mësuesit e të shkollës shqipe në Drenicë…!

Për shpirtin e tij kryengritës,pushteti serb e mbylli pas grillave dhe ia ndaloj me censurën politike hovet e tij poetike. Në një takim në Gjalovë, poeti Din Mehmeti, i shqetësuar me shpirtin e tij prush zjarri të diellit të Kosovës, më thoshte të shpëtojmë djalin e ri poet nga Drenica, Adem Gashin…!

Poetët vdesin me fjalën e fundit, ata mbesin të gjallë në frymën e popullit të vet, thotë kritika letare e përbotshme. Poeti Adem Gashi sot nuk erdhi në orën letrare dhe, na la testamentin poetik krijimtarinë e tij për brezat dhe për kohën…!

Lamtumirë mjeshtër i fjalës poetike Adem Gashi!Shpirti dritë në tokën e Drenicës!

Çikago, më 16 janar 2024

Filed Under: Kronike

PUSHTIMI TURK I BALADAVE SHQIPTARE

January 16, 2024 by s p

Isida Dervishhasani/

Çfarë ndodhi me baladën e mrekullueshme “Sytë e tu” të Frederik Ndocit? Përse u shua balada e pavdekshme “Kur një ditë të kthehesh ti” e mbretëreshës së këngës, Nexhmije Pagarusha?

Balada e mirëfilltë shqiptare pothuajse po shkon drejt zhdukjes. Në mbarë botën shqiptare gjithnjë e më shumë pëlqehet të këndohet zhanri tallava ose balada me ritme melankolike turke dhe arabe. Qëllimi i këtij shkrimi është që të pasqyrojë orientalizimin e baladës shqiptare, si dhe problematikat e saj në këto dy dekadat e fundit.

Rryma muzikore e turkobaladave ka lindur ne vitet 1990 në Kosovë dhe në Maqedoninë shqiptare. Këto balada e kane prejardhjen nga zhanri kontroversial i muzikës turke i quajtur ARABESK. Muzika Arabesk në Turqi u krijua nga emigrantë që erdhën nga provincat e Anadollit dhe u shpërngulën në qytetet e mëdha të Turqisë. Në vitet 1970, Radiotelevizioni shtetëror turk, TRT, e ndaloi këtë zhanër sepse meloditë e tij ishin tepër arabe dhe në tekstet e këngëve përcillej pesimizëm i skajshëm. Gjate koncerteve të këngëtarit legjendar të muzikës arabeske, Muslum Gurses, adhuruesit e tij prisnit damarët duke vuajtur e qarë me tekstet e tij që ndjellnin shumë dhimbjen.

Në mes të viteve 1990, kryesisht në Kosovë dhe në Maqedoninë Veriore, të frymëzuar nga këngëtarë turq si Ibrahim Tatlses, këngëtarë të rinj shqiptarë si Zyber Avdiu, Muharrem Qalili [Memi], Adem Ramadani, Xhemil Saliu e të tjerë sollën për arsye kulturore dhe fetare stilin e baladave dëshpëruese 100% lindore e aspak vendore shqiptare.

Ndonëse jo shumë, këngëtarët e famshëm si Sinan Hoxha, Artjola Toska dhe Gena kanë eksperimentuar me turkobaladen në Shqipëri. E keqja është se dalëngadalë këto balada po shkrihen me muzikën popullore shqiptare.

Ndikimi i kulturës osmane mbi muzikën e Shqipërisë së mesme sidomos në këngët e kësaj zone nuk mund të mohohet. Gjithsesi ato ruajnë një lloj dallimi vendor dhe nuk ngjasojnë me baladat arabeske. Është e pa kuptimtë që këngëtaret e këtij zhanri ta quajnë veten këngëtarë të muzikës popullore. Muzika tallava e tyre nuk i ngjan muzikës sonë popullore. Një fakt ironik është se këngëtarët shqiptarë në Turqi e ruajnë me fanatizëm muzikën tradicionale shqiptare. Ata nuk e shtrembërojnë muzikën e të parëve të tyre megjithëse janë të lindur e rritur në Turqi. Mbetet e pa shpjegueshme mungesa e atdhetarisë së artistëve vendas veçanërisht atyre të Kosovës, të cilët e poshtërojnë muzikën e atdheut tre tyre me turkobaladat.

Një prej problemeve të këtyre baladave janë tekstet e tyre vajtuese. Këto këngë në përmbajtjen e tyre kanë çështje standarte si kurbeti, humbja e një dashurie, vdekja e prindërve dhe tradhtia. Çka është më e keqja është kur një këngëtar nëpërmjet turkobaladës së tij përcjell mesazhin e vetvrasjes sepse e ka braktisur i dashuri ose e dashura. Këto tematika i bëjnë dëm shëndetit mendor të shoqërisë sonë. Rinia e ditëve të sotme ka shumë nevojë të ushqehet me optimizëm, sepse kjo moshe është e rrethuar nga kotsia e kafeneve dhe pesimizmi i qoftoreve. Një këngëtar duhet të krijojë dëgjues që t’i harrojnë për pak çaste problemet e përditshme. Dëgjuesit dhe pëlqyesit e saj ose e tij qëllon që të kenë hallin më të madh në jete dhe një baladë vajtuese mund t’i shtyjë deri në vetvrasje.

Kur thuhet fjala baladë të vjen në mend një këngë me melodi te ngadaltë dhe me tekst që shpreh thellësisht ndjenja të çfardolloji. Balada e vërtetë shqiptare nuk është e tëra me elemente lindorë dhe ritmet e saj kanë anim perëndimor. Është e vërtet se baladat në përgjithësi përçojnë dhembje, por një baladë shpreh bukurinë dhe triunfin e dashurisë. Për shembull, [Eja, eja luleborë, se me ty do thur kurorë.] Lulebore është një baladë e vërtetë shqiptare ku mbizotëron optimizmi për dashurinë.

Si përfundim, baladat e sotme janë më shume turke se shqiptare. Është paradoks sesi këngëtarët shqiptare që duhen të jenë elita e kombit e injorojnë luftën e heroit tone Gjergj Kastrioti ndaj turqve. E ardhmja e baladave është e mjegullt. Le të punohet që rryma e turkobaladave të largohet dhe të mbesin vetëm baladat tona, sa të bukura aq edhe origjinale.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 52
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT