• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2024

Shqipëri-Kosovë, 10 vjet nga mbledhja historike e parë e përbashkët e dy qeverive

January 11, 2024 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 11 Janar 2024/ Para 10 viteve, në 11 Janar 2014,  në Prizren është mbajtur mbledhja historike e parë e përbashkët e qeverive të Shqipërisë e Kosovës.

Pas mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në një ceremoni të organizuar te Shtëpia e Lidhjes Shqiptare në Prizren, u bë nënshkrimi zyrtar i Dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet dy shteteve dhe marrëveshjeve tjera mes dy qeverive.

Në mbledhjen historike, të hapur me fjalimin e Kryeministrit (të atëhershëm) të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, janë shqyrtuar:

1.      Dokumenti për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë;

2.      Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim në Lehtësimin e Tregtisë;

3.      Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim në fushat e Transportit dhe Infrastrukturës;

4.      Propozimi për Bashkëfinancim të pajisjeve mjekësore të Maternitetit të Preshevës;

5.      Propozimi për përfaqësimin e përbashkët konsullor midis Republikës se Kosovës dhe Republikës se Shqipërisë;

6.      Marrëveshja për Bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e sigurisë;

7.      Marrëveshja për Bashkëpunim në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të energjisë;

8.      Themelimi i iniciativës për Fondin Zhvillimor për Luginën e Preshevës;

9.      Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e kulturës dhe aktivitetet për ndërtimin e kalendarit të përbashkët kulturor;

10.  Propozimi për bashkëfinancimin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DOKUFEST në Prizren;

11.  Propozimi për heqjen e taksës së TVSH-së apo taksës tjetër doganore për importin e librit nga Shqipëria;

12.  Dorëzimi i legjislacionit të BE-së të përkthyer në gjuhën shqipe nga Ministria e Integrimit Evropian e Republikës së Shqipërisë te Ministria e Integrimit Evropian e Republikës së Kosovës;

13.  Themelimi i Komisionit të Përbashkët Teknik për përkthimin e legjislacionit të BE-së, si dhe bashkëpunimin në sferën e përafrimit të legjislacionit ndërmjet Ministrisë së Integrimit Evropian të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë Integrimit Evropian të Republikës së Kosovës.

Mbledhja e ardhëshme e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës do të jetë e nënta.

Para mbledhjes së tetë të përbashkët – të 20 Qershorit 2002, në Prishtinë,  Qeveritë e Shqipërisë e Kosovës kanë mbajtur mbledhjen e shtatë të përbashkët në Elbasan në 26 Nëntor 2021, pas të gjashtës në Tiranë në 2 Tetor 2020.

Më parë, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë në 26 Nëntor 2018 në qytetin e Pejës zhvilluan mbledhje të përbashkët, të pestën, pas të parës historike në Prizren në 11 Janar 2014, të dytës në Tiranë në 23 Mars 2015 , të tretës në 3 Qershor 2016 në Prishtinë dhe të katërtës të zhvilluar në 27 Nëntor 2017 në Korçë.

NË 10 JANAR 2014 – NJË DITË PARA MBLEDHJES SË PËRBASHKËT TË QEVERIVE SHQIPËRI-KOSOVË ATSH SHKRUANTE:

Udhëtimi për në Prizren….

PRISHTINË, 10 Janar /ATSH-Behlul Jashari/.- “Udhëtimi për në Prizren”, ishte reportazhi që kam shkruar në fundvitin 1996, në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave. Personazhi, e nisura nga Arta, jugu i trojeve ku flitet shqip, në kërkimet e saj drejt “Mollës së Kuqe”, ku tregohet se dikur ishte kufiri verior, shkoi edhe në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ndodhte diç e ngjashme me takimin e parë historik të qeverive të Shqipërisë e Kosovës në 11 janar 2014 pikërisht në Prizren.

Ai reportazh është  botuar edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, në 31 dhjetor 1996, duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip.

Në të dy anët e kufirit që i ndante shqiptarët që edhe e kishin të ndaluar ta kalojnë, madje edhe t’i afrohen, janë botuar edhe shkrimet tjera në këtë “udhëtim”  titujve nëpër vite e nëpër kohë.

Ishte koha kur mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si titullohej shkrimi  që u botua në 19 mars 1996.

“Sa afër e sa larg Shqipëria” thoshte titulli i shkrimit të asaj kohe, botuar në 11 gusht 1996.

“Në robëri pritet veç festa e lirisë”, ishin raportimet e ATSH nga Kosova të asaj kohe, që nga maji 1992 nga korrespondenti në Prishtinë, në fundivitet e para 1999-ës, në vitet e shtetrrethimeve ushtarako-policore, luftës, masakrave e gjenocidit kundër shqiptarëve.

Ishte koha e pragluftës dhe e luftës, e sulmeve me “Bomba edhe mbi fëmijët shqiptarë”, që  i raportoja me këtë titull në shkrimin e botuar në 5 maj 1996.

Por, ishte edhe kohë me “Shpresë se s’ndërrojnë veç vitet” (titull shkrimi i botuar në 5 janar 1997), sepse u bë “Kosova preokupim i vazhdueshëm ndërkombëtar” siç thoja në titullin e shkrimit të botuar që në 6 korrik 1996.

Ishte “Vija amerikane në Kosovë mbrojtëse e interesave në rajon” që e raportoja me këtë titull në shkrimin e botuar në 8 korrik 1995.

“SHBA-të udhëheqëse e ndërmjetësuese në çështjen e Kosovës”, ishte titull shkrimi botuar në 10 gusht 1996.

“Lajmi i ardhmërisë: Kosova e lirë” ishte titulli i shkrimit botuar në 12 shkurt, 1998, pikërisht  1 vit e 4 muaj para 12 qershorit 1999, kur herët në mëngjes nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynin nga ana e Maqedonisë në orën 05 e 17 minuta (të nesërmen nga ana e Shqipërisë) raportoja për ATSH-në se “në Kosovë po ndodhë liria”.

Në vendin e lirë, që shpalli edhe pavarësinë në 17 shkurtin historik 2008,  një prej shumë shkrimeve ka titullin “Kosova e komuniteteve të barabarta”  botuar në 20 maj 2001.

“Kosova e pavarur – e drejtë dhe kompromis i shqiptarëve”, ishte qëndrimi i përsëritur shumë e shumë herë nëpër vite, para, gjatë e pas lufte, dhe ky ishte dhe titulli i shkrimit  botuar në 2 korrik 1997.

Ishin vite udhëtimi edhe drejt ditës së 11 janarit 2014 për në Prizren. “Ecim kah një mrekulli”, ëshë titulli i librit që kam botuar në 1973 te Rilindja në Prishtinë për mrekullinë e lirisë së Kosovës që e ëndërronim. E ajo ishte “E teta mrekulli” sipas titullit të vjershës, të cilën e hoqi censura nga libri…Megjithate, titulli i librit i dalë nga ajo vjershë mbeti në ballinë, dhe gjejë edhe sot në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetur” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, ku janë edhe titujt e shkrimeve gazetareske që përmenda dhe të tjerë.

Si edhe Shqipëria, edhe Kosova e lirë dhe e pavrur  është mrekullia, arritja historike e shqiptarëve në “udhëtim për në Prizren”, ku në ditën hitorike të 11 janarit 2014 qeveritë e dy shteteve në mbledhjen e përbashkët do të bisedojnë edhe për avancimin e axhendave integruese të dy vendeve edhe në udhëtimin për në Bruksel, drejt Bashkimit Evropian./a.g/

Filed Under: Politike

NJË KONTRIBUT ME VLERË NGA “ÇUNAT E BOSTONIT”

January 11, 2024 by s p

– Ndihmojnë me ushqime familje të varfra në Shqipëri-

Fuat Memelli/

Rastësisht dje datë 8 janar 2024, në emisionin “ Stop” të TV KLAN, pashë kontributin në ushqime të grupit” Çunat e Bostonit” për njerëz në nevojë në Shqipëri. E ndoqa edhe shpërndarjen e tyre në disa familje. Spikaste edhe logua e çunave. Një gjë e vogël kjo në dukje, por që fliste shumë. Sinqerisht u gëzova nga ky veprim. Në Shqipërinë tonë krahas milionerëve të rinj, ka me qindra ose më sakt me mijra famijlje që jetojnë në varfëri. I shoh këto familje në emisionet televizive dhe më kap trishtimi. Sa mirë do ishte që shëmbullin e çunave të Bostonit ta ndiqnin edhe shqiptarë të tjerë në Amerikë dhe kudo që ata jetojnë. Ata duhet të jetë më solidarë. Sigurisht së pari

ndihmojnë familjet e tyre, ndërkohë sipas mundësive duhet të ndihmoen edhe familjet që jetojnë në varfëri ekstreme. Sigurisht shëmbuj të kontributit të emigrantëve ka plot, por duhet zgjeruar ky numër. Tek shkruaj këto rradhë më vijnë ndërmënd fjalët e Nënë Terezës: “ Ne nuk mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.” Sigurisht kontributi i emigrantëve nuk e shëron këtë plagë, vetëm sa e zbut për pak ditë. Për ta shëruar atë, duhen masa nga shteti për të miratuar minimumin jetik, por kush e di kur vjen kjo ditë, e cila tani për tani duket larg. Situata aktuale e bën më të domosdoshme kontributin e emigrantëve. 100 e ca vjet më parë, thirrjes së Vatrës për të ndihmuar Shqipërinë, ju përgjigjën emigrantët e asaj kohe, megjithëse ishin në kushte shumë më të vështira se sot.

See Insights and Ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: Sociale

SHYQYRI DEMIRI (SULÇEBEU) – STUDIUES I NJOHUR I HISTORISË SË TREVËS SË ELBASANIT

January 11, 2024 by s p

Prof.dr. Roland Gjini

Besnik Bashaliu

Dr. Shyqyri Demiri lindi në 16 Tetor 1906, në qytetin e Elbasanit dheu nda nga jeta në vitin 1983 në qytetin e tij të lindjes. Ai i përkiste një familjeje atdhetare, që ka nxjerrë figura të njohura, me kontribute të rëndësishme në lëvizjet përparimtare kombëtare. Gjyshi i tij Sulë Limon Sulçe (Spahiu), ishte pjesëmarrës aktiv në ngjarjet e viteve 1878-1881, si anëtar i degës së Lidhjes së Prizrenit në Elbasan dhe luftëtar për mbrojtjen e Hotit dhe Grudës. Babai i Shyqyriut, Demir Sulçebeu, lindur në Elbasan më 1876, ishte anëtar i klubeve atdhetare “Vllaznia” dhe “Bashkimi” e më vonë i shoqërisë “Bashkimi i ri” (1910).Veprimtaria e tij në klubin “Vllaznia” (1909) ka qënë tepër intensive, veçanërisht në detyrën e arkëtarit të shoqërisë. I përgjigjet thirrjes së klubit “Bashkimi” për mbështetje financiare në hapjen e shkollave legale shqipe në Elbasan e krahinën përreth, në 25 Nëntor 1912 ai bëhet një nga firmëtarët e nënshkrimit të aktit të mëvetësisë së Elbasanit. Në periudhat e mëvonshme, Demir Sulçebeu dallohet si kundërshtar i ashpër i feudalit Shefqet Vërlaci, ndjen persekutimet e pafundme të këtij çifligari duke u rrënuar nga pikëpamja ekonomike, por duke mos u përkulur asnjëherë para vështirësive deri në fund të jetës së tij.

Dr. Shyqyri Demiri, arsimin fillor dhe disa klasë qytetase (Normal-gjimnazi) i kreu në qytetin e lindjes, Elbasan, ku u dallua për rezultate të shkëlqyera. Gjatë viteve të rinisë së hershme, së bashku me vëllanë e tij Vehbiun, ishin anëtarë të orkestrës frymore të qytetit “Afërdita”, duke marrë pjesë aktivisht në mbledhjen e ndihmave për Luftën e Vlorës (1920). Si pjesëtar i kësaj bande frymore, në gusht të vitit 1920, ai së bashku me bandën frymore u bë pjesëmarrës në festimet e fitores të organizuara në këtë qytet. Në këto rrethana historike u mbrujtën ndjenjat patriotike tek i riu Shyqyri Demiri, ndjenja, që ai do t’i manifestonte gjatë gjithë periudhës së studimeve dhe më vonë në detyrën e mësuesit.

Nga fundi i vitit 1920, Shyqyriu u vendos në kryeqytetin austriak, në Vjenë, ku, fillimisht, për një vit rresht përvetësoi gjuhën gjermane. Nisur nga vështirësitë e shumta ekonomike që diktonte jeta vjeneze, ai zhvendoset përkohësisht në një qytet të vogël të Austrisë, Ried, ku rregjistrohet në gjimnazin klasik tetëvjecar, duke studiuar veçanërisht gjuhët latine dhe greqishten e vjetër, lëndë të nevojshme për vazhdimin e studimeve të mëtejshme në degën histori-arkeologji. Nga shtatori 1929 deri në gushtin e 1933-it, vazhdon studimet e larta në Universitetin e Gracit,Fakulteti Filologjisë, dega Histori-Arkeologji, ku u dallua për rezultate të larta, duke tërhequr edhe vëmendjen e pedagogëve të tij, të cilët flisnin me konsiderata për pasionin e vullnetin e studentit shqiptar.

Për shkaqe shëndetësore, detyrohet t’i ndërpresë studimet për disa kohë duke qëndruar në Austri ku edhe kurohet. Pas kalimit të provimeve të tij të fundit (Rigorosen) më 2 korrik 1934, ai propozoi tezën e tij për mbrojtjen e gradës shkencore më 5 mars 1934,me titull: “Përpjekje e një vështrimi kritik të kulturës para dhe historike të Shqipërisë”. Më 3 qershor 1935, jep provimin e diplomës, dhe më 26 qershor 1935 ai fiton doktoratën në këtë universitet. Në këtë mënyrë Shyqyri Demiri bëhet arkeologu i parë shqiptar i diplomuar me gradë shkencore në fushën e studimeve historike e arkeologjike. Gjatë viteve’30-të e gjejmë Dr. Shyqyri Demirin mjaft aktiv në faqet e shtypit vendas dhe të huaj me artikujt e tij shkencorë, mbi tema që përfshijnë diskutimet mbi etnogjenezën e kombit shqiptar dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare.

Punimet e tij shkencore në fushë të arkeologjisë dhe historisë, më së shumti përqëndrohen te Elbasani e trevat përreth. Prezantimi i historisë së trevave të Elbasanit nga Shyqyri Demiri përgjatë kohërave, që nga periudhat antike deri në ditët aktuale, është bërë si nëpërmjet shënimeve e kumtesave të veçanta, ashtu edhe në formën e përmbledhjeve historike. Në morinë e punimeve shkencore të shkruara, por të mbetura të pabotuara, gjatë jetës së tij, që shtjellojnë historinë së kësaj treve; që nga kohët më të hershme e në vijim, rendisim disa prej tyre, të depozituara në Muzeun e Elbasanit:

– Historia e Elbasanit, pjesa e parë “Koha e vjetër, prej Neolitit përmbi Skampinin deri në ndërtimin e kalasë në shek V.e.r (62 faqe daktilografike).

– Historia Mesjetare e Elbasanit: Dyndjet barbare, Topijasit, Arjanitasit, invazioni turk, luftërat e Skënderbeut në zonën e Elbasanit, rindërtimi i kalasë, Ilbasani deri në fund të shek XV (34 faqe daktilografike).

– Historia e Elbasanit, nga vitit 1500 deri në periudhën e viteve 1920 (150 faqe daktilografike).

– Biografia e Aqif Pashë Biçakçiut, shkruar në 50 vjetorin e vdekjes së këtij patrioti.

Rezultatet kryesore të kërkimeve e studimeve janë pasqyruar në veprën e tij kryesore, “Histori e shkurtër e treves së Elbasanit”, (Nga Neoliti deri më 1939), shkruar përgjatë disa viteve dhe botuar pas vdekjes së tij, në vitin 2006, nga Shtëpia botuese Egnatia, mbështetur dhe financuar nga nipi i Dr. Shyqyri Demirit, z. AlbanDemiri. Shyqyri Demeri sjell fakte dhe argumente të rëndësishme për krijimin e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Elbasan, si dhe për kontributin e popullit të Elbasanit dhe të trevave përreth në këtë Lidhje. Ai na bën të njohur faktin se në tetor – nëntor 1880, rreth 3000 luftëtarë u nisën nga zonat e Elbasanit në mbrojtje të trevave shqiptare, si pjesë e L.SH.P dega e Shkodrës, që mbulonte veprimet luftarake në Hot e Grudë.

Më tej, Demiri në studimet e tij, bën një pasqyrë të gjendjes së arsimit e kulturës në zonën e Elbasanit në periudhën e viteve 1908-1912, për përhapjen e gjuhës shqipe në trevën e Elbasanit, shkollat shqipe në Shpat, Kongresi i Elbasanit dhe vendimet e tij, çelja e shkollës Normale dhe faktorët politiko-kombëtarë e arsimoro-kulturorë që përcaktuan Elbasanin si qendër e mbajtjes së këtij Kongresi dhe hapjes së shkollës Normale. Veprimtaria e çetave luftëtare dhe shpallja e Pavarësisë në qytetin e Elbasanit në 25 Nëntor 1912 do të përbëjnë edhe argumentin përmbyllës të studimit të prof. Demirit për periudhën e Rilindjes Kombëtare.

Pas çlirimit të vendit, që në vitet e para e në vijim, prof., Demiri intensifikon punën e tij për studimin e historisë së trevës së Elbasanit. Kështu, kërkimet dhe punimet e tij në fushën e arkeologjisë realizohen së bashku me arkeologët e njohur të vendit Hasan Ceka, Skënder Anamali, Selim Islamin etj, në gërmimet arkeologjike në tumat e Pazhokut, vëzhgimi dhe studimi i territorit dhe kalasë së Qafës në Mollas, studimi në terren i Kullës së Kamunaut, dhe i Klosit të Sulovës etj.

Në morinë e punimeve të Shyqyri Demirit përmendim edhe studimet në fushën e toponimeve dhe shpjegimin e shkrimeve të ndryshme: romake, bizantine, turke e arabe, të gjendura në monumente apo fragmente të kulturës materiale që janë zbuluar në trevën e Elbasanit. Të tilla janë: artikulli i botuar në gazetën “Shkumbini”, Nr.63,dt.07.08.1976 me titull “Toponime, Qafa e Kalit”, apo artikulli i botuar po në gazetën “Shkumbini”, Nr 68, dt.25.08.1976 me titull “Toponime, Kroi i Kalit”. Në studimet e përmbledhura në librin “Histori e shkurtër e trevës së Elbasanit (Nga Neoliti deri më 1939)” gjejmë shpjegime për toponimet “Sarajet”, “Fusha e kuajve”, “Mëhalla e Llonxhës”, “Gjurma e Mushkës”, “Cezmja e Lepurit”, “Fusha e Bullit”, “Bradashesh”, “Çezmja e njomë”, “Çezmja e thatë” etj, studimet e publikuara në përmbajtjen e shkrimit latin mbi monumentin e ushtarit romak Mark Sabidit me qëndrim në Skampa, përmbajtja e mbishkrimeve arabe të rrasave të montuara në portën jugore të kalasë, shpjegimi i emërtimit Neokastron e përdorur nga popullsia e krishterë për kalanë e rindërtuar të Ilbasanit (Elbasanit), historiku i përdorimit të emërtimit, Valmi, për qytetin e Elbasanit sipas kronikave veneciane. Në këto shkrime, Dr. Shyqyriu argumenton emërtimet e vendeve dhe kulturës materiale të gjendura në zona të ndryshme të trevës të Elbasanit, duke u ndalur veçanërisht në shpjegimin e prejardhjes së tyre. Në studimin e tij mbi historikun e trevës së Elbasanit, Dr. Demiri na jep një tablo të plotë për monumentet e kulturës që gjenden aktualisht në Shqipëri e veçanërisht ato që shtrihen në zonën e Elbasanit. Përmendim këtu: Monumentin e ushtarit romak Mark Sabidit, tumat e Pazhokut, kalatë e shumta në Lleshan, Gradishtë, Sulovë, Mengël, Elbasan, stema e princit të Shqipërisë së Mesme Karl Topisë, manastirin e Shën Gjon Vladimirit, banjot romake të Bradasheshit, këmbët e urës antike të Topçiasit, fragmente të rrugës Via Egnatia, veprat e piktorëve të mëdhej shqiptarë në zbukurimet kishtare të Valshit, Shelcanit etj. Studimin e tij mbi historikun e trevës së Elbasanit, Dr. Demiri, e fillon me pasqyrimin e një harte të qendrave më të rëndësishme historike, ndërsa evidenton fillesat e banimit të këtij rajoni, përbërjen e kësaj popullsie, periudhën e ekzistencës së hershme që daton nga periudha e Neolitit, shtrirjen e vendbanimeve, kultura materiale arkeologjike e gjendur në to si tregues të një ekzistence jetësore të kësaj popullsie etj. Nëpërmjet dëshmive historike, pasqyrohet treva e Elbasanit në periudhën antike, fiset që e kanë banuar: Parthinët, Eordejt, Kandavët, qytezat e kësaj krahine dhe fillesat e Skampës, si ngulimim ushtarako-urban, periudhat e lulëzimit dhe rrënimit të tij, etj. Ekspozohet periudha mesjetare në trevën e Elbasanit me gjithë kompleksitetin e saj historike e monumental, ndryshimet e varësisë administrative e fetare, monumentet kulturorë dhe lidhjet historike me periudha të ndryshme të zhvillimit ekonomik, politik e shoqëror të popullsisë së këtij rajoni. Gjendja e zonës së Elbasanit nën administrimin e Topiajve e Arjanitëve, si dhe përshkrimi i detajuar i objekteve kulturore, vendbanimeve dhe zhvillimeve ekonomiko-shoqërore do të përbënin një risi në punimin e Dr. Demirit për historikun e kësaj treve, po të marrim në konsideratë kohën kur është kryer ky punim.

Në këtë punim ne u ndalëm kryesisht në kontributin e Shyqyri Demirit në studimin e historisë së trevës së Elbasanit. Por, duhet të theksojmë këtu se veprimtaria e tij kërkimore-shkencore është më e gjerë se kaq. Ai la pas punime me vlera jo vetëm historike, por edhe arkeologjike, gjuhësore, antropologjike, etnografike, në fushën e arsimit e kulturës shqiptare në tërësi e të Elbasanit në veҫanti.

Filed Under: Rajon

RREZE NGA DRITA E KOLOSIT MARTIN CAMAJ

January 11, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

 

“DJELLA” DHE NJË PËRKITJE DUKURISH NDËR BREZA

(Vepra I, Onufri 2010)

Në fillim të viteve ’70 dëgjova për herë të parë për shkrimtarin Martin Camaj, në fillim të viteve ’90, kur dyert u hapën për të mohuarit, ai mbylli sytë pa arritur të ngjitej fizikisht në skenën shqiptare. U deshën të kalonin edhe 30 vite që të merrja për herë të parë në dorë një nga veprat e tij, romanin “Djella”. Parandjenja e parë ishte një përballje jo e lehtë me gegërishten, por isha gabuar, prisja të hyja në disa mjedise epike të gurta e të heshtura, por gjeta një mjedis lirik me karaktere që më befasuan me mprehtësinë e tyre, kisha planifikuar një lexim që mund të shkonte një javë, por e  lexova brenda një gjysmë dite. Romani më krijoi imazhin e një dashurie të parë që e dhe pas 65 vitesh flet me gjuhën e së sotmes, një pleksje e rrëfimit me meditimin, e prozës me poezinë. Mësuesi Bardh Qerreti dhe fshati Ndërsanë, sjellin një prerje disamujore të jetës shqiptare e cila mëton të mbajë gjallë burrninë kur ka aq shumë sëmundje dhe varfëri sa që mësuesi vetëm mund të bëjë udhëtarin dhe jo misionarin, kur e vetmja gjë pozitive është këmbëngulja e fshatarit për të ruajtur tokën nga tjetërsimi. Gjithsesi Camaj bën një vlerësim mbresëlënës: “Një kandil bishtuk ndezë në fushën e errët, natën, bân mâ dritë se një hyll i largët. Kandili me dritë të vogël qenka mësuesi.” (f.31). Poetikisht kjo është sjellë kështu: “Mësues n’katund â punë e dlirë e naltë me gdhendun njerëz për dit të mdha.” (f.47) Kurse në mendësinë popullore ka një deformim që ka filluar të ngrejë krye edhe sot në një prizëm të ri. Ja ç’i thotë Curri mësuesit: “Ju të shkolluemit kujtoni se na të pashkollët aq sa dimë flasim.” Dhe më tej reflektimi i Bardhit: “Simbas tij ai, jo unë, në trutë të veta ruente edhe dijen e të parëve. Kurse na tue lexue sende tjera, i kishim harr.” (f.77)

Bardhi vendos tre lidhje të ndryshme: me Shpresën, Djellën dhe Sosen, një trinom me natyra të ndryshme: Me Shpresën – një fejesë pa dashuri që përfundon me divorc; me Djellën një dashuri pa propozim, maturia intelektuale e lë në baltë dhe Djellën që ndriçon Ndërsanën, e merr malësori Curri që është më i shpejtë e këmbëngulës; me Sosen është një marrëdhënie seksuale pa ndjenjë, prandaj dhe jetëshkurtër.

Mjedisi legjendar mund të bëjë të mendosh se këtu kanë ndaluar akrepat e kohës, por bisedat e shkurtra të mësuesit me Djellën dhe Currin dhe takimi i tij me plakun e urtë te Kodra e Hardhisë zbulojnë karaktere të fortë e të mençur që hedhin dritë mbi identitetin e malësorit dhe qëndresën përballë joshjes për braktisjen e trojeve. “Një pjesë të tokave e kam mbas kësaj maje. Shkoj e vij dy herë në ditë këndej pari…Kështu e ndiej veten, i lidhun për pronat e mia. Nëse dikush vjen e ma merr këtë tokë një ditë. Do t’i grryej të dy sytë me këta thoj.” (f.93-94) I skalitur bukur në galerinë e portreteve është ai i bariut. (f.122)

Lëvizja nga fshati në qytet dhe nga mali në fushë është një lëvizje demografike që u përsërit në këto vite të tranzicionit politik dhe ekonomik. Kalimthi ceket edhe lëvizja përtej kufijve kombëtarë: “Në anën tjetër të malit njeriu e ndjen veten të huej dhe e shijon vetminë si askush në këtë botë; vetmia bâhet shoqe e jetës dhe kështu atje mbas malit jetohet mâ mirë. I hueji mundet me folë gjithditën me vetvete e askush s’e pyet se çka e pse ai flet në një gjuhë të huej, dmth në gjuhën e vet amtare.” (f.71)

Hendeku i brezave zbulohet qartë e trishtueshëm te biseda atë e bir. Babai kërkon t’i qëndrojë strikt traditës: “Unë kam vjetët, ti ke shkollën, ti për mue je im bir, unë për ty malok.” (f.51) Biri që jetën e ndan mes fshatit dhe qytetit: “Çdo send që lëviz këtu mbrendë duhet të marrë frymë si ju, në të njëjtin ritëm, por i vetmi pinjuell që ju lindi e u rrnoi, dalë ngadalë tue u rritë, prej djalit u shndërrue në dashamirë, prej dashamirit në një të njoftun të largët dhe, për mos me u bâ anmik, tash del e tret dikah.” (f.52)

Ndryshe nga sa mund të pritej, Djella është një hap më parë nga vajzat malësore përderisa shkon lirshëm për të mbushur ujë dhe mund t’u përgjigjet meshkujve të panjohur. Madje ajo bën një deklaratë të fortë: “Edhe unë kam një korp, s’jam vorbë me zie groshën në të.” (f.107) 

Interesant është vlerësimi i padyshimtë i Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe analiza  e gjakmarrjes në vështrimin e Currit: zanka fill për ngatrresa grash, fjala që u lëshueke goje pa mendue, mirëqenia ekonomike i tërbueke njerëzit. (f.75) Brenda kësaj kornize përfshihet edhe mendësia shqiptare për armët që sillet nëpërmjet plakut Shin: “Mo’ Zo’ se çka na ka gjetë! Kur i bishim malit me to në krah e ngjeshë për bel, edhe toka u dridhte nën kambët tona, veshë në xhamadana ari e tirq të lehtë, bardhë si endja e kumbullës. Sall nuk fluturoshim se gjâ pa bâ nuk lëshim, more burrë!” (f.114) Vitet e tranzicionit kanë “rivendosur” këtë dinjitet të humbur për gjysmë shekulli.

Romani merr një nuancë policore kur sjell interpretime të ndryshme për vdekjen e Currit duke u përdorur si mjet për të përmbyllur subjektin, kurse rolin e epilogut e merr një bisedë mes Bardh Qerretit dhe kolegut në hije, Blerim Bushli.

NJË UDHËTIM PANORAMIK NË LEGJENDAT E VEPRËS POETIKE

(Vepra 2, Onufri 2010)

Është rast fatlum që të hysh në botën e legjendave të Camajt kur jashtë bardhon bora dhe kuqëlojnë flamujt që risjellin ndjesinë e kurorëzimit të pavarësisë një shekull e një dekadê më parë. Udhëtimeve të mia u kanë munguar ngjitjet në bjeshkët e Veriut dhe shkelja poetikisht ndër to është sa joshëse në vështrim panoramik aq dhe lehtësuese në kursimin e sforcimeve fizike. Tre muaj më parë kundrova një copëz Drini nga lartësitë e kalasë së Rozafës, kryelumi ynë që mbledh rreth vetes njerëz e ndodhi, ai që shpërndan madhështinë e vet me zemërgjerësi në të dy anët e shtratit të vet. 

Camaj në rininë e vet ka qenë udhëtar dhe misionar në ato vise. “Erdhacaku vetëm/ndezi zjarmin e u ndry mbrendë/mori letër e pendë/e shkroi kangën e parë.” (Ai që i bie fyellit në hanë, f.160)

Kemi përjetuar shkarkime të frikshme të ujërave në kaskadën e Drinit dhe kjo i bën më të prekshme legjendat: “Dri, pse m’i more shpitë e bâme n’ranë?” (Grue e pjekun, f.158) “Lokja n’gurgllimet e tingujve/të valëve drinore ndien fjalët e gjakut të vjetër/të marrun prej urave druni.” (E bija e grues apo urat mbi Dri, f.159)

Malet hijerëndë ndajnë pushtetin me lumin dhe një paralelizëm i gjatë mes botës së kafshëve dhe shoqërisë njerëzore sjell ashpërsinë e natyrës dhe erën e gjakut. “Rrinë dy korba mbi pyrg:/ nji këqyr Drinin e tjetri malin./…Për nën korba dy bij kryezotash.” Shpendi i dytë e vrau të parin. Kryezoti i dytë “N’vend të thojve kish kthetra në duer/ e me to i nxori frymën/vëllaut t’ vet në gjumë./…mandej ktheu e ndenji n’shkamb/qyqe vetëm nji shekull.” (Dy korba, f.164)

Një nga shkaqet e vëllavrasjes ilustrohet me katundin Djepëz ku dy vëllezër “ndashin ujin ndër dy vija/secili për arë të vet”. Ara e vëllait të vogël  po digjej nga vapa sepse ndarja e vadës nuk ishte e drejtë. Një detaj i zgjedhur për sasinë e ujit që merrte secili: Pepa, vëllai i madh, këput katër fije bari dhe i lëshon në ujë; tri fije kalojnë nga vija e Vocit – vëllait të vogël. Voci lëshon dy fije dushku dhe të dyja i shkojnë atij. Sakaq fillon grindja. Voci rrëmben shpatën e varur te lisi, kurse Pepa rrëmben sëpatën. Pepa  e vret vëllain e vogël dhe ngjitet natën në bjeshkë. “Nesër nade pa ra dielli/npër shkambije deri n’lum/lypshin korbat diçka/t’humbun n’terr, natën. (Vada, f.177)

Vëllavrasja është vetëm një kthinë në domenin e madh të gjakmarrjes. Në njërën prej legjendave Lum Brimzi i kërkon gruas të ndezë zjarrin se po vjen një mik. E njeh të huajin që vjen “prej dhenash fort larg” se është lypës gjaku dhe i tregon për vetmitarin te shpella. Të nesërmen “tue ra dielli mbi borë/…/flakroi shpata/e krisma e saj ushtoi deri poshtë.” (Vrasja e vetmitarit, f.175)

Bjeshkët kthehen në skenë për të takuar legjendën me historinë nëpërmjet figurës së heroit tonë kombëtar dhe për të mos e humbur tiparet e veta, e paraqet vetëm hijen e tij. “Atbotë Skanderbegu u zhduk mbas malit,/por andej lumit hija i eci mbi lisa me qindra vjet/për rrugë tue shkue për Kru.” (Hija e Gjergj Kastriotit, f.172)

Epizmi i atyre anëve të befason me lirizmin që sjell këqyrja dhe joshja e femrës dhe sakrifica që duhet bërë për të fituar dashurinëe saj: 

Elementë të hershëm të legjendës ndeshim aty ku marrëdhëniet i kapërcejnë kufijtë njerëzorë si tek rasti i gjarprit që donte “tambël për me nxjerrë/në gjijt e Ledjes vashë/deri sa helmi idhshëm/i kulloi npër dhambë/si nji fjalë mallkimi/e iu ngri gjaku Ledjes. (Ledja, f.190)

Një joshje vështirësisht e përballueshme për poetin janë gjijtë e femrave, kroje ujëbardhë e jetëdhënës. “Mbramë te votra me prush prej bungut/kam ndiemun erën e gjijve të plotë/e nuk dij pse thëngjill u bana të digjem.” (Burri e lumi, f.156) “Burri i huej, ai hyni në mkat/e ngrohu shpirt e korp/n’gryckat e teshave t’mija.” (Mjellma e nusja, f.157)

Përmasat e legjendës rriten kur shohim trimin hipur në kalë “në tesha të bardha zadrimore” dhe përgjigja që i jep plakës: “Jam dashnue në nji femën/që i ka syt si krah korbi nën diell.” Kalorsi i kërkon gjogut t’i ngjitet shkëmbit thikë për të shkuar te shtëpia ku ishte gruaja “guri i paçmueshëm në qelq.” Në mëngjes dëgjohet vajtimi i plakës për kalorsin që ishte rrëzuar në Drin së bashku me gjogun. (Kalorsi, f.181)

Tragjike është edhe dashuria e Vonit me Herën. E rrëmbeu djali vashën, po “pas mesnate ra shi/e shkrepi vetima në lis/e vranë zotat Vonin.” Po befasia i kalon të gjitha pritshmëritë sepse në vend të vajtimit “Në mëngjes herët/Mbi gur vetëm, vetëm/Hera po terte flokët/edhe lidhte gërshetat/ma e bukur se kurr.” (Dita e pranveravet, f.185)

Një flirt i ndodh edhe Skënderbeut. “Grueja i pruni Gjergjit/venë të kuqe e ‘i rrotull djathë,/fier t’njomë e gjij të bardhë.” (Grueja e Skanderbegu, f.173)

Rrjedhë ndryshe ka legjenda e rrëmbimit që ka në pikënisje burrin  shpërfillës ndaj gruas Lule. Ai punon gjithë ditën larg dhe vetëm muzgu e sjell në shtëpi. Në mungesë të tij, te Lulja shkon një çakall që ha dhe pi si njeri. Kur Lulja i kërkon të shoqit të ngjitet në bjeshkë për të parë lulet e borës dhe ai i përgjigjet se dera e shtëpisë duhej të rrijë hapur gjithë ditën, çakalli e merr Lulen dhe zhduken. (Lulja e borës, f.218)

Camaj risjell në vargje edhe legjenda të njohura të animizimit si ajo e liqenit të Prespës ku burri kthehet në peshk të argjendtë, kurse nusja në mjellmë, varianti i kthimit të motrës në qokth nga hidhërimi për vëllain e humbur, legjenda e Gjerit të Vogël që del të sfidojë sqapin, por Ora e kthen në bjeshkë, Syka që merr mësime nga qyqja dhe kthehet në vajtojcë.

Filed Under: Politike

Kritika letrare me (pa) ndërmjetës

January 11, 2024 by s p

Behar GJOKA/

Debati se kritika letrare është ndërmjetës me lexuesin, e për një pjesë tjetër të lexuesve, se është absurde që në marrëdhënie me letërsinë të ketë ndërmjetësim, është i hapur. Madje, më tepër debatin e yshtin dhe ushqejnë, ata që nuk e kanë haberin se çfarë është kritika letrare, në marrëdhënien me tekstin letrar, si dhe me shkencën letrare, ku mendimi akademik, bashkë me historinë e letërsisë, teorinë letrare, përfshinë edhe kritikën letrare. Po a ka nevojë për ndërmjetës lexuesi i letërsisë?! Sërish si përherë, në marrëdhënie me letërsinë, pra edhe me letërsinë e sotme, shfaqet pyetja, që më tepër tenton që të rrokë thelbin e letrares, sepse ndërmejtësimi më tepër është një zgjatim didaktik, i një kohe tjetër, kur kritika shihej si syri magjik, me zbulu devijimin nga modeli i realizmit socialist. Në syrin tim, është term i pagjetur, me shumë gjasa një stisje e rimarrë nga modeli i realizmit socialist, për ta patur nën kontroll kreativen, por mjerisht edhe vetë lexuesin. Pse mendoj i pagjetur, për termin ndërmjetës, sepse leximi i librave të caktuar, të çon në interesa të caktuara, në interesa shkencore te libri shkencor, për interesa letrare te libri letrar, pra në interesa nga më të çuditshmet, e pothuajse të pashpjegueshme.

Pra, nevoja për të lexuar, secilin libër, letrar apo joletrar, është një kërkesë e brendshme te njeriu. Në këtë kuptim unë do të thoja se a ka nevojë për gazeta, për revista të mirëfillta, që të afirmojnë autorët dhe të kritikojnë dukuritë që vihen re në tekstet e shkruara, por padyshim që të marrësh përsipër që të shtjellosh idenë se nuk duhet të ketë poezi erotike, kjo është veçse një marrëzi “heroike”, e kohës së Babaqemos. Teksa flasim për poezinë, vjen në mend porosia e L. Poradecit, mjeshtrit të poezisë, kur thoshte: “Poezia kërkon fuqi të madhe shpirtërore. Poezia duhet të jetë personale. E tillë, që, si ti, të mos ketë mundur ta ketë bërë njeri gjer më sot dhe që, si ti, të mos mundë ta bëjë tjetër njeri sot e njëmijë vjet.”, që bart vlerë edhe sot e gjithë ditën. Poezia nuk lexohet tematikisht, poezia, proza dhe çdo gjë që emërtohet letërsi, lexohet estetikisht, pra nëse ne duam që të shkojmë te letërsia e mire, duhet që ta lexojmë vetëm si tekst, sepse duke e lexuar si tekst do të kuptojmë nëse ka shumë ujë, ujë apo ka edhe estetikë dhe art e kështu me radhë. Në këtë kuptim unë do të thoja se kritika e recensës, kritika e prezantimit, kritika e reagimit ndaj librave cilësorë, pra kritika letrare e mirëfilltë, tashmë duhet që të shoqërohet edhe me atë që quhet verifikim i vlerave estetike dhe, porse edhe verifikim i heshtjes së mungesave, në tekstet që bartin vlera dhe jo në librat që shkarrashkruhen, sa për të bërë emër dhe famë. Unë nuk mendoj se kritika apo studimet letrare që merren me historinë e mungesave, që do të ishte një kontribut krejt i lodhshëm dhe mendoj se do të mbyteshim me një pikë ujë, në atë që quhet, kinse det i letërsisë dhe do të humbim në atë pyll të tmerrshëm, ku është e vështirë që të ndash letërsinë nga jo letërsia, vlerën nga antivlera.

Megjithatë, përveç raportit personal dhe shijes, kreatives dhe leximit, pamëdyshje të rileximit, përveç raportit ndërmjetës le të themi, sepse kështu dikush e pranon, ndonëse është një term që të kujton motet e realizmit socialist, kohës kur kritika letrare, vihej në mes letërsisë dhe lexuesit, madje sipërmerrte të udhëhiqte letërsinë, nëpër shtigjet e shkatërrimit të formës letrare. Me interes në këtë ligjëratë, është përfundimi Roland Barthes, kur thotë: “Kritiku nuk mundet me asgjë që të zëvendësojë lexuesin. Madje, në fund të fundit ai nuk është veçse një lexues. Prandaj, duhet t’i themi lamtumirë idesë se shkenca e letërsisë mund të na mësojë kuptimin përfundimtar të veprës, për sa kohë libri është një botë.” Ka një raport të përjetshëm, tek e fundit se me librin e mirë, librin modern, librin jo thjeshtë të blerë, jo thjeshtë të lexuar, përgjigjja nuk jepet dot në këtë moment, kur nuk ke lexuar libra të autorëve të kësaj periudhe. Ka gjithmonë një akt të parë që zgjon interes, vetëm nga leximi, ka gjithmonë një moment të dytë që me domosdo do ta argumentosh zgjimin e interesit, ose nevoja për rilexim, që nuk ka ardhur për arsye jashtëletrare. Unë kam gjithmonë parasysh tekstet dhe jo autorët kur flas për letërsinë, pavarësisht kohës dhe hapësirës, kur dhe ku u shkruajt një tekst letrar, sepse teksti në të gjitha rastet e tejkalon autorin, si gjasa të komunikimit me lexuesin.

Në këtë periudhë janë botuar edhe libra të politikanëve të mirëfilltë, por që tashmë nuk i mban mend askush, kjo tregon se tek e fundit ishte një përpjekje për t’u çuditur vetë dhe prandaj duhet të kthehemi te pjesa serioze e marrëdhënies me letërsinë, jo me letërsinë si kontribut, me letërsinë jo si situatë ku secili shpërndanë grada apo merrë grada, me letërsinë e çmimeve, kur juri që nuk ndjekin atmosferën e lëtërsisë së sotme (me gjasë pa u lexuar librat), shpërndajnë dokoratat e radhës, gjë që po rrënon garën, por vetëm me letërsinë si materie artistike. Po kaq, në turravrapin për të fituar famë me anë të letërsisë, në këtë kohë u lëshuan gazetarë, opinionistë, aktorë dhe ambasadorë, e ku di unë, me bindjen se janë të famshëm në fushën e tyre, dhe ia kalëruan letërsisë. Jo, ndërkaq do të thosha se letërsia është bota e të gjithëve, është universi, fryma, është tek e fundit e sotmja dhe e nesërmja, është shpirti tek e cila, secili “zhgarravit”, shkruan atë çka bota do ta pranojë apo jo, e në mënyrë të veçantë, koha e mban ose e lëshon dikur në humnerë si bëzhdile. Do ta pranojë në kuptimin që do ta hipotekojë si vlerë, ose do ta lërë anash, por që gjithmonë këmbëngul në një pike, pa lexuar tekstet, nuk ka gjasa të flitet për librat dhe autorët. Ne, banorët e shekullit të njëzet e një, edhe në dhëniemarrje me letërsinë, mbartim një mentalitet të pushtetit të djeshëm, sepse pushteti i djeshëm merrte përsipër sesi duhet të shkruash, edhe sot pavarësisht lirisë së kushtëzuar nga kushtetuta dhe të drejtat, mentaliteti është po ai, sepse burokracia kulturore dhe letrare, merr përsipër të udhëheq letërsinë dhe mendimin për të, që të ndërmend situatën e sugjerimit të Tomas Eliotit, mbi “shijen e mbrapshtë të leximit”. Të mos harrojmë përvojën e mjeshtrave të shkrimit, ku do të veçoja një pohim të Ernesto Sabato-s, teksa shprehet: “…vetëdija e njeriut është jokohore: ajo përmban të tashmen, po është një e tashme e mbushur me të shkuarën dhe e ngarkuar me projekte për të ardhmen…”, te libri “Shkrimtari dhe fantazmat e tij”. Kur them te burokracia kam parasysh burokracinë kulturore dhe letrare, ku burokracia nuk siguron shijen e tij, por sugjeron paragjykimin e shijes së tij, për zëvendësuar tekstin me famën, që e shkatërron letërsinë, sikur moloja teshat.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 52
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT