• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2024

NË KËRKIM TË NJË DESTINATARI …

January 8, 2024 by s p

Dom Gjergj Meta/

Çdo shkrim, ligjërim a vepër letrare, pikturë, skulpturë apo muzikë e do të thoja çdolloj veprimi që ne bëjmë ka një destinatar.

Ne shkruajmë që të na lexojë dikush; flasim që të na dëgjojë dikush; shkruajmë romane apo poezi, dramë, novelë për dikë që zakonisht gjendet brenda personazheve a figurave letrare që përdorim; pikturojmë për të tërhequr sodisjen e dikujt; gdhendim në dru, gur apo mermer format e dikujt tjetër. Kompozojmë apo luajmë një instrument që dikush të kthejë veshët e të mahnitet nga vallëzimi i notave tona.

Tjetri është destinatari ynë i gjithmonshëm. Ai na nxjerr nga izolimi e kthehet për ne në muzë, motiv, cantus firmus, model, fjalë shpërthyese. Së paku kështu është në origjinë. Ne nisim të bëjmë disa gjëra sepse duam të pëlqehemi nga dikush që gjendet jashtë nesh. Edhe kur ai/ajo gjenden brenda nesh, dyzimi është gjithmonë një qëndrim përballë atij modeli të gdhendur brenda nesh. Kështu fjala bie e mendoj “Letër babait” të Kafkës apo “Apologjinë e Sokratit” të Platonit. Kushedi që Dante nuk e shkroi gjithë atë Komedi për Beatricen? Babai, mësuesi, e bukura e dashuruar, që edhe kur nuk janë më, por jetojnë brenda nesh, janë thjesht tjetri, banor i brendisë tonë.

Ne duam të konsiderohemi. Duam që dikush të jetë aty për ne. Mosprania nuk e asgjeson tjetrin, përkundrazi e zmadhon në shpërpjestim e atëherë ne e thërrasim, duke shkruar, kompozuar, thurur, gdhendur apo pikturuar. Janë të gjitha klithje të një nevoje për tjetrin. Është nevoja jonë obsesionuese e do të thoja më e natyrshmja nevojë, sepse na çon në origjinën e vetë jetës që është marrëdhënia.

E ndërsa shkruaj më ngatërrohen destinatarët ose shikoj si në mjegull diçka si silueta që herë afrohen e herë largohen. Një herë që shkruhen, fjalët nisin udhën e tyre dhe e gjejnë vetiu destinatarin e siluetat marrin një fytyrë, një emër duke u kthyer në përqafim, sepse destinin final të jetës e shoh si një përqafim të madh. Ashtu qoftë!

Filed Under: LETERSI

“Farsa e Zgjedhjeve për Shtëpinë e Bardhë” -një komedi amerikane me seri

January 8, 2024 by s p

Satirë nga Rafael Floqi- një amerikan i natyralizuar/

Në një periudhë kur politika amerikane, duket më shumë si një shfaqe televizive me ngjarje të paimagjinueshme, sesa një proces serioz vendimmarrjeje, presidenti aktual Joe Biden dhe ish-Presidenti Donald Trump, po shkojnë drejt një përballjeje që mund të trondisë politikën e vendit gjatë 2024. Ata po përgatiten për një përballje që do ta bëjë edhe “Game of Thrones” të duket si një serial komik i zakonshëm. Ndërsa 2024 do të jetë një e ardhme, që as ‘Baba Vanga’ se parashikon dot.

Zgjedhjet presidenciale amerikane janë bërë kështu një përzierje e çmendur e katastrofave ekonomike, gafave skandaloze, videove sekrete, gjyqeve, ‘mug-shoteve’ dhe pandemisë – një ngjarje që mund të quhet me të drejtë “Farsa për Shtëpinë e Bardhë.” Por kësaj here, skenari po shkon edhe më larg se sa një sitcom, duke na sjellë parasysh një drame gjyqësore, që duket sikur është e shkruar nga skenaristët e një telenovele tejet të pasigurt.

Në një tjetër epokë të politikës ekonomike amerikane, Presidenti Joe Biden ka vendosur të ndjekë një rruge të re, e cila ka shpikur një nofkë të re për vete: “Bidenconomic.” Ky term thjeshtë është një fushatë, marka e së cilës, duket se ka synimin për ta bërë ekonominë amerikane të duket si një telenovelë e përgatitur për humorin e keq, por të cilën të gjithë po e përqeshin.

Nisur nga një fond i pasur me humor të pashmangshëm dhe një dozë të madhe optimizmi, Bidenomic ka për qëllim të krijojë një histori që do të përfshijë të gjithë, nga punonjësit e fabrikave deri te investitorët, pa harruar ngrohjen globale dhe mullinjtë e erës të Don Kishotit. Kjo është një përpjekje për ta bërë ekonominë të jetë e lexueshme edhe për ata që janë më shumë të interesuar në zhvillimet romantike, por edhe janë edhe ata që vënë re ndryshimet në xhepat e tyre.

Në këtë dramë ekonomike, Presidenti Biden është protagonisti që është duke u përpjekur të qetësojë tensionet midis inflacionit të lartë dhe sfidave të tjera ekonomike, si çmimet e naftës dhe ushqimeve. Megjithatë, ky karakter duket të jetë në një situatë të vështirë, duke u përballur me kritika për shpenzimet e tepërta dhe me vendime ekonomike të paparashikueshme, shoqëruar nga një rënie pikiatë në sondazhe, së cilave, ai nuk iu përgjigjet dot, pa lexuar nga teleprompteri.

Gjyqësori është në lëvizje, duke u përpjekur të vendosë, nëse emri i Trump duhet të hiqet nga fletëvotimet. Duke përdorur akuza që nga Lufta Civile, Artikullin e 14-të të Kushtetutës, e cila konvertohet sipas partishmërisë, duke barazuar Luftën Civile me 6 Janarin, e kështu demokratët s’bëjnë gjë tjetër, veçse i shtojnë votat në sondazhe dhe paratë fushatës së Trumpit.

Duket sikur demokratët po e penalizojnë atë, duke fuqizuar e zgjedhur pikërisht atë- nemesin e tyre. Kjo është një teledramë tipike apasurde, Trump mund të përballej me kundërshtim në një gjykatë para zgjedhjeve paraprake, dhe po qe se bëhet kjo, do të jetë një situatë e re, ku një kandidat për president del para gjyqit, duke shpresuar të sigurojë votat, edhe duke pasur një torbë me akuza, dhe nëse fiton mund të falë pastaj veten.

Në një krahasim si pa lidhje, e ndërsa Berisha pa akuzë shkon në burg, Trumpi me 91 akuza mund të zgjidhet, duke shkaktuar oversees, xhelozinë e Fred Bejlerit. Duke treguar se drejtësia amerikane punon me dy kute apo “ tëo-tiered justice system” siç përsëritet shpesh nga politikanët dhe ekspertët republikanë, që përdorin dallimet e perceptuara, midis përvojave ligjore të ish-presidentit Donald Trump dhe djalit të presidentit aktual Joe Biden si dëshmi të kësaj drejtësie të dyfishtë.

Në një nisje të vitit të tij të dytë në zyrë, Presidenti Joe Biden ka vendosur të nisë fushatën e tij në vende me rëndësi historike, duke përqafuar ngjarje të rënda që kanë ndikuar në identitetin dhe demokracinë amerikane. Ndërsa po përgatitet për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ai ka përcaktuar disa destinacione simbolike për të bërë thirrje për bashkim dhe paralajmëruar për rrezikun nga rivali i tij, ish-Presidenti Donald Trump.

Nga anën tjetër, Biden po përballët me shqetësime për moshën e tij. Demenca fatkeqësisht nuk fshihet dot për më shumë. Ndërsa duket se ai nuk po mban mend se kur ka lindur dhe kërkon të jetë president deri më 2028, duke mos e kuptuar vetë inflacionin e lartë, flet për sukses po përpiqet të bëhet “Presidenti me të rinjtë, brezin e Tik- Tokut duke u përpjekur t’ju ulë pagesat shkollore.” Edhe pse elektorati po reagon sipas ‘proverbës mos i dëgjo pordhët e plakut”.

Nga ana tjetër guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom, po pret që Biden të rrëzohet edhe një herë nga biçikleta, për të marrë stafetën, meqë Kamala Harris punën e emigracionit “e kënaqi” dhe në sondazhe drejt fundit, sfidon dhe Bidenin edhe përpiqet ta mbulojë me një çorbë sintaksore fjalimesh “minaren e paaftësisë së saj në thes”.

Ndërkohë, tre kandidatë të pavarur po tentojnë të përfitojnë nga pasiguria në politikë dhe po peshkojnë në ujëra të turbullta për të marrë mbështetje nga votuesit e pavarur, që duket se janë të vetmit që nuk kanë humbur toruan në këtë lojë të çmendur.

Jim Messina, një ish-drejtor fushate për Barack Obama, thotë se rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të jetë një surprizë. “Thjesht nuk e dimë,” thotë ai, duke shpjeguar se ky mund të jetë një episod ku “Politika Amerikane” shkon më përtej asaj që kemi parë më parë.

Në një eksploziv të vërtetë kundër- retorik, demokratët kanë filluar një ceremoni të re e cila përfshin leximin e deklaratave të ish-Presidentit Trump. Ky spektakël i ri quhet “Shkëlqimi i Tiran-misus,” një pjesë muzikore dhe tragji-komike e interpretuar nga aktorë të njohur të Holyëoodit kryesuar nga Robert Deniro, që ndoshta edhe në film mund të flasë kundër Trumpit.

Po ashtu, pjesëmarrësit janë të ftuar të përdorin aplikacione të ndryshme në telefonat e tyre për të votuar, se cilin emoji do të paraqesë më saktësisht emocionin e tyre, ndaj secilit citat të Trump-it. Një emoji i surprizuar dhe njëri me sy të hapur të përdorur me kujdes për të mos shprehur mbështetje janë përdorur shpesh me gojëshqyer dhe ka të bëjë me garën e ulurimave (screeming rage), nëse Trump do të fitonte. Më në fund, eventi përfundon me një “Moment Muzikor Anti-Trump” ku një kor i madh artistësh interpretojnë një këngë të shpikur posaçërisht për këtë rast. Teksti i këngës përfshin refrenin: “Ju duhet të kujtoni, sepse ai tha duke qeshur se ai ” do të jetë diktator për një ditë, por kush i beson atij !”

Ndeshja e mundshme mes Biden dhe Trump ka pasoja afatgjata për çështje të tilla, si: aborti, emigracioni dhe roli i SHBA-së në botë – gjëra që duket sikur po i kalojnë kufijtë e komedisë dhe po shkojnë drejt një drame të thellë. Nëse Trump fiton, politika e jashtme mund të bëhet si një sezon i ri i një seriali ku ngjarjet ndryshojnë çdo episod.

Ndërkaq republikanët në Kongres po nisin telenovelën “Saga e Hunter Biden” ku lajmet rrethohen plot me mistere, laptopi Humbert Biden shpallet i vlefshëm edhe nga 50 ish drejtues të FBI e CIA-s të cilët e patën shpallur diversion rus. Duke përfshirë në të edhe marrjen tashmë si reale edhe ngjarje dramatike dhe erotike, dashuri të ndaluara, prostituta me dollarë, drogë dhe taksa dhe një dozë të lartë absurditeti. Telenovela e Hunterit sjell një vështrim intrigues në botën e politikës së pasionuar pas çeqeve faturave dhe taksave. Dokumentet zbulohen dhe humbasin, FBI e DOJ ‘bëjnë punën e vet, personazhet bëhen pjesë e një rrethi të pazakontë të ndjenjave dhe konspiracioneve. Në çdo kthesë, një personazh i ri shfaqet, duke hedhur më shumë shpifje apo fakte dhe, duke e ndryshuar lojën politike, duke e bërë situatën më të komplikuar se kurrë. Në fund, të çdo episodi, shikuesit dalin me pyetje: Kush është Hunter Biden? Në skenën politike aktuale, republikanët në Kongres po tregohen të zënë me një lojë shumë të vështirë: gjetjen e një lidhjeje direkte mes Hunter Biden dhe presidentit, gjë që duket, se është më e vështirë se rendja pas “folloë the money” dhe për demokratët s’është gjë tjetër veçse ‘dashuria e babait”. Ata janë kaq të përqendruar në këtë lojë nga Ukraina gjer në Kinë, saqë ka pasuar momente, kur kanë ngelur të hutuar si ajo kafsha që po kërkon rrugën e daljes nga labirinti.

Ndërkohë anketat tregojnë se shumica e amerikanëve janë të pakënaqur me Bidenin dhe Trumpin, duke shprehur mangësi ndaj këtyre dy kandidatëve që janë si protagonistët e një telenovele, ku publiku ndjehet gjithmonë në konfuzion, sidomos tek elektorati gri, dhe ka një ndjenjë se skenaristët po vazhdojnë të humbasin madje theksin e ngjarjeve.

Pavarësisht nga prirja politike, shumica e amerikanëve shprehin shqetësim për të ardhmen e demokracisë. Fushata e Presidentit Biden do të mobilizohet gjerësisht për të shënuar përvjetorin e një vendimi historik të Gjykatës së Lartë dhe do të përqëndrohet në mbrojtjen e të drejtave të abortit, duke e lidhur këtë temë me sfidat aktuale për demokracinë.

Sidoqoftë politika amerikane, po përballet me një sfidë të pazakontë dhe të vështirë, se rezultati i këtyre zgjedhjeve do të ketë pasoja të mëdha për të ardhmen e demokracisë dhe imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Demokracia është si një darkë e madhe – të gjithë sjellin diçka në tryezë, dhe ndonjëherë përfundoni me një festë, dhe herë të tjera, mirë, është thjesht një tufë ushqimesh të rastësishme. Çelësi është të shijoni shumëllojshmërinë dhe të mos i merrni shumë seriozisht kubet e djathit.

Kështu në një kohë, kur satira dhe realiteti ngatërrohen gjithnjë e më shumë, një gjë është e sigurt: politika amerikane nuk ka nevojë për skenaristë të huaj për të krijuar dramën e vet. Ajo po shkon drejt një rrugë të paparashikuar më 2024, një gjë është e sigurt: kjo nuk është një komedi tipike, por një farë satire absurde, ku realiteti dhe absurditeti bashkohen në një “Real TV” të pamundur për t’u marrë seriozisht.

Sidoqoftë “The show must go on” !

Filed Under: Ekonomi

FESTA SHQIP E KRISHTLINDJES ORTODOKSE, NGA VITI I ARDHSHËM EDHE NË MANASTIR

January 8, 2024 by s p

Manastir, 7 janar 2024 – Në nderim të festës së Krishtlindjes Ortodokse, sot në Manastir qëndroi një grup studiuesish nga Shkupi e Tetova, i udhëhequr nga drejtori i ITSHKSH, Prof. dr. Skender Asani. Stacioni i parë i kësaj vizite ishte kisha e Shën Dhimtrit, e ndërtuar në vitin 1834, aty ku ishin pagëzuar disa gjenerata të familjes së madhe Qiriazi dhe familjeve të tjera ortodokse shqiptare nga Manastiri dhe rrethina. Oborri i kësaj kishe, ende ruan gjurmët e prezencës së ortodoksisë shqiptare, përmes varreve ku me dekada prehen eshtrat e familjes së gjerë të Qiriazëve dhe të familjeve të tjera ortodokse shqiptare nga ky rajon.

Për të nderuar mysafirët, familja e Oliveri Qiriazit, bashkë me vajzën e vogël Kirijana, kishte shtruar edhe drekën e Krishtlindjes.

Në kalendarin e ngjarjeve të rëndësishme kulturore e shpirtërore të ITSHKSH, nga viti i ardhshëm, pikërisht më 7 janar, do të kremtohet festa shqip e Krishtlindjeve Ortodokse në Manastir, ngjashëm si festa shqip i Krishtlindjes katolike që mbahen për çdo 23 dhjetor.

Ky aktivitet do të përkojë edhe me fillimin e punëve të Departamentit të trashëgimisë kulturore për rajonin e Pellagonisë – “Qiriazët”, bartës i të cilit do të jetë Oliver Qiriazi.

ITSHKSH në kuadër të këtij Departamenti dhe të veprimtarisë së vet hulumtuese-shkencore, do të fokusohet në ndriçimin dhe afirmimin e vlerave të harruara të trashëgimisë kulturore-shpirtërore të ortodoksëve shqiptarë nga rajoni i Pellagonisë dhe jo vetëm.

Studiuesit nga Shkupi dhe Tetova, Dr. Besnik Rameti, udhëheqës i Departmanetit të historisë në ITSHKSH dhe Mr. Ismet Krosi, pedagog në UT, të udhëhequr nga drejtori Prof.dr. Skender Asani, me këtë vizitë në Manastir, në nderim të festës së Krishtlindjes Ortodokse, hapën një shteg të ri në ribërjen e një realiteti të ri kulturor-shpirtëror, duke i dhënë vendin e merituar ortodoksisë shqiptare në Maqoninë e Veriut.

Filed Under: Reportazh

Gjeneral Abaz Kupi, ndër figurat më të shkëlqyera politike dhe ushtarake të nacionalizmit shqiptar

January 8, 2024 by s p

Av.Ilir Kuka/

Se pari ju falenderoj qe me krijuat mundesinë që t’ju drejtohem në këtë aktivitet qe dega e PLL New York zhvillon ç’do vit në përkujtim të figures se gjeneral Abaz Kupit, i cili ë shtë figura një ndër figurat më të shkëlqyera politike dhe ushtarake të nacionalizmit shqiptar gjatë gjithë jetës së tij dhe ne veçanti me aktivitetin e tij politik dhe ushtarak në periudhën së L.II Botërore: 7 prill 1939 – 1944
Referuar dokumenteve arkivore pranë Arkivit Qëndror të Shtetit aktiviteti i Abaz Kupit në këtë periudhë zhvillohet në drejtim të:
– organizimi i luftës kundër pushtuesit fashist,
-bashkimi i të gjithë elementit nacionalist dhe antifashist në Shqipëri dhe në trojet etnike shqiptare në luftën kundër pushtuesit fashist,
– rivendosjen e legjitimitetit të shtetit shqiptar ( Monarkisë Shqiptare) nëpërmjet një referendumi për formën e qeverisjes mbas çlirimit të vendit nga pushtuesi fashist dhe nazist.
-shmangia e luftës vëllavrasëse (luftës civile) të nisur nga komunistët shqiptar nën drejtimin e komunistëve jugosllavë. Pra aktiviteti i Abaz Kupit përfshin në vetvehte aktivitetin: ushtarak, organizativ dhe politik dhe organizativ
Me qëndresën e organizuar ushtarake e drejtuar nga gjeneral Abaz Kupi me 7 prill 1939 ju tregua mbarë opionionit botëror se shqiptarët jo vetëm nuk e pranuan por kundërshtuan me armë pushtimin fashist kontribut i cili është pohuar nga diktatori komunist E. Hoxha në një shkrim të vitit 1943 në gazetën “Z.P”

Perseri referuar burimeve arkivore në gjuhën frengjisht 1942-1943 thuhet: “Titulli si hero kombëtar Abaz Kupit nuk ju dha as nga Legalistët ( Legaliteti) dhe as mundet me ju heqë nga Nacional Çlirimtarja. Ky titull i është njoftë nga mbarë populli shqiptar dhe të huajt mbas datës 7 prill 1939…

Përpjekjet dhe aktiviteti i Abaz Kupit nuk mund të mbetej vetëm qëndresa me armë me 7 prill kundër pushtuesit fashist.
Pushtuesi fashist duke pasë në konsideratë ndikimin dhe reputacionin që gëzonte Abaz Kupi do të mundohej jo vetëm asgjesimin fizik të Abaz Kupit dhe forcave të tija ushtarake, kjo edhe duke u përpjekur për të penetruar elemente të ndryshëm profashistë në çetat e Abaz Kupit.
Në dokumentet arkivore gjendet një letërkëmbim i shumtë ndërmjet Ministrisë së Brendshme Tiranë dhe Prefekturës së Krujes, Shkodër e rretheve të tjera ku kërkohet informacion nëse Abaz Kupi ndodhet jashtë Shqipërisë apo është kthyer në Shqiperi, shkëmbim i informacioneve për lëvizjet, organizimin dhe numrin e forcave zogiste dhe deri në pagesën që pushtuesi fashist do t‘i bënte personave të xhandarmarisë fashistë të vrarë në luftimet kundër Abaz Kupit dhe forcave të tij.
Pavarësisht se Abaz Kupi konsiderohej nga pushtuesi fashist si kundërshtari më i fortë ne një relacion të Ministrisë së Brendshme drejtuar Mustafa Krujes të bie të sy mënyra se si përshkruhet Abaz Kupi dhe Myslim Peza… etj:
Në dokumente të vitit 1943 thuhet:
“Abaz Kupi për prestigjin që i favorizon pozita që ka pasë në të kaluarën është për tu konsideruar në marrëdhënie me Muharrem Bajraktarin e Myslim Pezën një nga banditët më të rrezikshëm. Përkundrazi deri para 6 muajve ishte më i frikshmi ndër te gjithë
Ish majori i gjandarmarise së Zogut me 7 prill 1939 komandonte bandat qe tentonin te rrezistonin kundër zbarkimit të trupave italiane në Durrës dhe marrshimit të tyre në Tiranë”
Ndërsa po në këto dokumente të tërheq vëmendjen etiketimi i Myslim Pezës jo si nje kundërshtar por si një vrasës, ku thuhet: “Myslim Peza dhe shokët e tij gjakatar……
Mbas kthimit në Shqiperi qëllimi kryesor i Abaz Kupit ishte organizimi i luftes kundër pushtuesit fashist duke mbledhur të gjithë nacionalistët dhe patriotët e ndershëm shqiptar pavarësisht bindjeve politike.
Në Konferencën e Pezës dhe Konferencen e Mukjes 1-2 gusht 1943 roli i Abaz Kupit tashti si kryesues i delegacionin Keshilli Nacional Çlirimtar do të ishte determinues.
Marrëveshja e nënshkruar në konferencën e Mukjes ku pjesmarrësit shpreheshin duke nënshkruar për:
-Lufte imediate kunder armikut okupator per çlirimin e Shqiperise, -Indipendencen e plotë të Shqiperisë në kufijtë e vitit 1913 dhe bashkimin me atdheun te trojeve te banuara prej shqiptareve të shkëputura padrejtësisht,
-Forma e rregjimit te caktohej prej vehte shqiptarëve nëpërmjet një asambleje kushtetuese. do të përbënte një moment kulminant në përpjekjet e Abaz Kupit.
Por fatkeqësisht kjo marrëveshje do të hidhej poshtë nga P.Komuniste dhe E. Hoxha
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi siç shprehej Xhorxh Sejmor, përfaqësues i misionit SOE në Shqipëri 1943 ne relacionin drejtuar qëndres në vitin 1943 : “Sikundër ju kam patur njoftue nji pjesë e madhe e udhëheqësve komunistë janë të përbame prej njerzish me kombësi jo shqiptare. Këta jane: Dushan malazias, Miladin Popoëitch-i Sulovic-I; Dr Milani serb, Peter Piruself dhe Thoma Sovronovs ky rrjedhin nga Makedonija, Dr Gjergjes dhe Dhima gre-kër. Këto kanë pasë si rrjedhim mosbesimin e popullsive kundrejt udhëheqsit komunist. Shum prej tyne kan fillue për të pyet, nëse këta elementa të huej mejtojnë të mirën e Shqipenisë. Dyshimi vjen gjithnji tue u perhape kundrejt udhëheqsit e Nacj- Çlirimt. qi janë në shërbim të këtyne anmiqvet të Shqipnisë”.

Mbas tradhtise së Mukjes nga P.Komuniste, sulmit të armatosur te datës 21 tetor 1943 të komunistëve ku u vranë 67 anetarë të Ballit Kombëtar me dt. 21 tetor 1943 Abaz Kupi do të bënte edhe një përpjekje për të shmangur vëllavrasjen e nisur nga komunistët .

Por Komunistët shqiptarë jo vetëm nuk do të tërhiqeshin nga platforma e tyre vëllavrasëse por do të mundoheshin që të pengonin krijimin e Legalitetit nëpërmjet eleminimit fizik të Abaz Kupit

-Njoftim i major Abaz Kupit drejtuar kryesise se Keshillit te Nacional ]lirimtares 19 nëntor 1943 do të konfirmonte qëndrimin antifashist, nacionalist e patriot të Abaz Kupi do të shprehej ( citoj)
“Duke parë nevojën e një bashkimi të plotë i të gjitha tendencave politike për luftimin e okupatorit, me dt.10 shtator 1942 u bë mbledhja e Pezës ku u thirrën gjithë nacionalistat dhe komunistat shqiptarë.
Gjatë bisedimeve në këtë mbledhje iu deklarova haptazi se: “ Jam bashkuar me Ju me punue për të mirën e Shqipërisë e me luftue ç’do okupator; po të formohen partira, Une jam me Mbretin ZOG!
Pas kësaj mbledhje u shfaq Partija Balliste”
Në Mbledhjen e Mukajve me 2 gusht 1943 u bë Bashkimi dhe u zgjodh një Komitet i Përbashkët “ Shpëtimi i Shqipërisë”
Mjerisht më vonë u konstatua se, vendimet e marruna unanimisht në Mukaj nuk u respektuan dhe kjo shkaktoi përsëri keqsimin e relatave midis dy Partirave Nacional Clirimtar dhe Balli Kombëtar
Duke qenë përpara kësaj ngjarje të papëlqyer, Unë me shokët e mij pamë se bashkimi i tyre është i pamundur dhe vendosëm shpalljen e Legalitetit siç ka qenë para datës 7 prill 1939
Këtë vendim iu njoftuam me dt 28 tetor 1943 Këshillit Nacional Shlirimtar. Përgjigja e tyre na erdhi me vonesë me datën 15 nëntor 1943, e cila caktonte datën 20 të këtij muaji për një takim. Me qenë se data 20 nëntor 1943 është caktuar për Kongresin e Legalitetit, për këtë arësye nuk ka qenë e mundur që t’ia mrrijshim këtij takim.
Ne jemi gati që të pranojmë një datë pas dëshires s’uaj për një pjekje në ndonjë vend të përshtatshëm.
Me nderime Abaz Kupi (19 Nanduer 1943)
Dhe me vendimin e Kongresit të Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit dt 21 nëntor 1943 do të rikonfirmonte edhe njëhere qëndrimin:
Legjitimiteti i Mbretërisë Shqiptare shpallur nga Asambleja Kushtetuese me 1 shtator 1928 i njohur nga të gjithë shqiptarët dhe gjithë shtetet dhe se ndryshimi i kësaj gjendje është bërë nëpërmjet forcës së armëve. Dhe në fund të këtij vendimi shkruhej:

Kongresi vendosi: Ripohimin e këtij Legaliteti dhe Njoftimin përkatës gjithë botës si dhe kërkimin e të drejtave Etnike Shqiptare

Qëndrimi antifashist dhe nacionalist, shmangia e luftës vëllavrasëse i shpalosur në të gjithë aktivitetin e Abaz Kupit do të ishin thelbi i platformës së OKLL, do të pasqyroheshin në qëndrimi publik dhe zyrtar të çdo drejtuesi dhe përfaqesuesi të OKLL

Një një trakt të hartuar dhe nënshkruar nga Patër Lek Luli në vitin 1943, trakt i cili do të alarmonte pushtuesin fashist shkruhej:

“ ……pra lirija e pavaresia e te gjithe kombevet dhe te vogla dhe e Shqipnis, Ky eshte dishiri i papes se shejte e peshtimi i Shqipnise e jo bashkimi i perjetshem i Shqipnise me italine……
…….Pra detyra kryesore e misioni ma i shejti i katolikve te shqipnise sot a me bashkepunu me te gjithe nacionalistat e vertete shqiptare e me i vu pushken italis.
Kemi nevoje per meshtare por per meshtarë shqiptarë, me gjak, me gjuhe, me ndjesi me zakoneme karakter e me educate shqiptare.
Sot atdheu e ka nevojen e juej ma tepër se kurre e ju e keni detyren me i ndihmue me te gjithe forcat t’uaja. Vete zoti e don qe ta shpetoni atdheun. Italija na zaptoi vendin me pushke e me topa e tha se ket pune e bera per me na pru qytetnimin oksidental e kulturen kristiane. Kultura e qytetnija kristiane nuk i imponohet kuje me topa e me bajoneta.Pra me pushke e me bajoneta duhet me e percjelle italine andej detit…………..

Qëndrimi i Abaz Kupit dhe OKLL për luftën kundër nazifashistëve dhe bashkimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare konfirmohet edhe nje trakt ( fletushkë) e hedhur nga RAF (Royal Air Force) Britanik dhe USA ku shkruhet se:
“Abaz Kupi ne nje deklarate qe i bani me 7 prill 1944 u betue tue thane këto fjale: Unë bashkë me shokët e mij kemi lutë zotin që të na japë mundësinë të derdhim gjakun tonë për mbrojtjen e Kosovës. Kosovarët janë vëllaznit t’onë”

Që Legalistët do të banin cdo përpjekje për të shmangur luftën vellavrasëse që kishin nisur komunistët shqiptar si dhe për të mos rënë pre e provokimeve të tyre e provon edhe nje letër dt 26 shtator 1944 që nje figure tjetër e rëndësishme e Legalitetit Sali Myftia i dërgonte përfaqësuesit Anglez Kol Nill në mallet e Cukalit, ku i shkruan se: ..komunistët kishin rrethuar në fshatin Rrjodh dy përfaqësues të Legalitetit në shtëpinë e një miku të tyre dhe këto për të shmangur përplasjen e armatosur kishin dorezuar armët, por se ky veprim sipas zakoneve të zonës përbëntë një provokim të rëndë.

Te nderuar Pjesemarres.
Duke Ju shprehur edhe njëherë respektin dhe mirenjohjen për këtë aktivitet që Ju zhvilloni, vënë në dukje faktin se do të ishte mirë që ky aktivitet të zhvillohej në Shqipëri aty ku P.L.L. zhvillon aktivitetin e saj politik.
Historia e OKLL ( Partisë Lëvizja e Legalitetit) gjatë L.II.Boterore është krejtë e pastër pavarësisht akuzave të padrejta për 50 vite komunizëm. Por historia nuk zbardhet me deklarata shabllone e sa për të kaluar radhën.
Fatkeqësisht edhe sot mbas 30 viteve drejtuesit e Partisë Lëvizja e Legalitetit nuk ka arritur që të bëjë objekt debati publik nëpërmjet ballafaqimit të dokumenteve arkivore historinë dhe aktivitetin e OKLL dhe figurave kryesore drejtuese të saj.
Abaz Kupi, Sali Myftia, Patër Lek Luli gjithë bashkëluftëtarët zogistë gjatë L.II. Boterore, por edhe gjithë drejtuesit e OKLL mbas vendosjes së komunizmit në Shqipëri e kryen detyrën e tyre ndaj Shqipërisë dhe Shqiptarëve duke mbajtur të gjallë idealet zogiste jashtë Shqipërisë.
E vërteta mund te fshihet për disa kohë por nuk mund te zhduket.
Duhet të jemi realist dhe të vërtetë më vetvehtën: Ato drejtues që morën përsipër drejtimin e Partisë “Lëvizja e Legalitetit” mbas viteve 90 nuk justifikuan pritshmëritë e shqiptarëve por as legalistëve.
foto: wikipedia.org

Filed Under: Histori

GËZUAR DITËLINDJEN e 25 -të RADIO “KOSOVË E LIRË”!

January 8, 2024 by s p

Shkruan: Dr.Vaxhid Sejdiu/

Më 4 janar 2024, para një çerek shekulli filloi emetimin e programit të saj Radio “Kosova e Lirë” si dhe filloi shpërndarja e lajmeve nga Agjencia Kosovapress

“Shtëpia” e parë e Radios “Kosova e Lirë”, 4 janar 1999, në malet e Berishës, nga e cila u dha “kushtrimi” për Lirinë e Kosovës

Sot, njëzetepesë vjet më parë zëri i dashurisë për atdheun, zëri për liri jehoi maleve të Kosovës duke u dhënë zemër trimave të lirisë në fushëbetejë, aty ku zhvillohej lufta për jetë a vdekje. Dhe plot njëzetepesë vjet atdhetarët i shoqëroi në sfidat e kohës zëri i lavdisë dhe krenarisë shqiptare “Ju flet radio Kosova e Lirë!”, Ju flet Radio Kosova e lirë!” sepse zërat që jehojnë njëherë për Atdheun dhe për Lirinë nuk shuhen kurrë. Edhe nganjëherë kur vështirësitë na ndalin frymën, zëri jehon në mendjen e shqiptarëve, sepse ata që shkruan historinë më të re kombëtare nuk e shkruan për një ditë apo për një muaj, por e shkruan përgjithmonë.

Luftëtarët e lirisë në të katër anët e Kosovës ngrohnin shpirtin me zërin e Radios “Kosova e Lirë”, e cila gjatë gjithë jetëgjatësisë së saj janar – qershor 1999 u bë zë i fortë i luftës çlirimtare në Kosovë dhe jo vetëm, në bashkimin e shqiptarëve nga të gjitha trojet shqiptare në rrugëtimin historik në luftën e drejtë të popullit shqiptar.

Dhe sot Radio “Kosova e Lirë” është zëri më i dashur, më i pastër, më frymëzues për të gjithë ata, të cilët atdheun dhe lirinë e kanë rend të parë. Një staf simbolik, tepër profesional dhe i përkushtuar fillimisht Nezir Myrtaj, Martin Çuni, Nysret Pllana, pastaj Valdet Hoti, Shaqir Zeneli, Fatmir Dugolli, Ismet Sopi, Rizah Berisha si dhe reporterët nga shtatë zonat operative të UÇK-së, nën drejtimin e prof. Ahmet Qeriqit i bënë ballë stuhisë së egër dhe sulmeve brutale të pushtuesit duke dëshmuar se zërin e lirisë nuk ka artileri që mund ta ndalë.

Shqiptarët në vazhdimësi ashtu siç janë mirënjohës për sakrificën e luftëtarëve të lirisë kanë qenë dhe janë mirënjohës edhe për sakrificën e stafit të radios, jo vetëm gjatë luftës por edhe pas saj.

Sot është pra 25 – vjetori i Radios “Kosova e Lirë”, kësaj radioje që u bë zë shpirti i gjithë atyre që ëndërronin dhe vepronin për lirinë e Kosovës, duke mbijetuar jo vetëm përballë armikut të egër shekullor por edhe përballë zërave mohues.

Në arkivin e Radio “Kosova e Lirë” do të shkruhet me shkronja të arta emri i prof. Ahmet Qeriqit, që deri më sot nuk u dorëzua, por punoi me gjithë familjen me qëllim që zëri dhe emri i radios “Kosova e Lirë” të mbetet gjallë në mesin e shqiptarëve.

Gjatë luftës kemi ëndërruar dhe besuar se pas përfundimit të saj radio “Kosova e Lirë” do të shndërrohet në një radio kombëtare, por për fat të keq lufta e padrejtë në tregun mediatik, lufta e pistë për klikime në forma të ndryshme, qoftë edhe në forma amorale la shumë media të vlefshme për të ardhmen e dëgjuesit dhe shikuesit shqiptarë jashtë loje.

Por, radio “Kosova e Lirë” që njëzet e pesë vjet punon dhe vepron në frymën e edukimit kombëtar, të një informimi të drejtë dhe të pavarur dhe në vazhdimësi në prizmin e një realiteti historik dhe kombëtar të popullit shqiptar në Kosovë dhe më gjerë. Ajo mbeti po ajo shtëpia e vogël ku atdhetarët shpërndajnë lajmet në shërbim të së drejtës njerëzore kombëtare, duke mbetur model i lajmeve serioze, i emisioneve edukative dhe programeve kombëtare për të cilat në kohën e sotme apo në rrëmujën e sotme mediatike kemi shumë nevojë. Shumë media në gjuhën shqipe lënë shumë për të dëshiruar sa i përket gjuhës, pastërtisë së saj dhe programeve të dobëta televizive. Pra radio “Kosova e Lirë” dhe Televizioni “Dielli” janë një rreze drite në horizontin “tepër të pasur” të televizioneve private në gjuhën shqipe dhe në të ardhmen kanë nevojë për të gjithë ne.

Dhe lajmi më i mirë sot është se edhe më tutje kjo shtëpi e vogël mediatike lëshon rreze për të gjithë shqiptarët njësoj ku jetojnë dhe veprojnë sepse vetëm në këtë mënyrë përhapet e vërteta dhe prezantohet gjeografia dhe historia reale shqiptare.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 52
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT