• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2024

“Samiti Ukrainë-Europa Juglindore në Tiranë” pasqyruar te “Zëri i Amerikës” : Zelensky ftesë vendeve të Ballkanit për të bashkëprodhuar municione

February 28, 2024 by s p

28 shkurt, 2024

  • Armand Mero

Samiti Ukrainë-Europa Juglindore në Tiranë
Samiti Ukrainë-Europa Juglindore në Tiranë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ftoi sot vendet e Ballkanit që së bashku më Kievin të mund të prodhojnë armë dhe municione. “Ne jemi krenar që kemi mbi 500 kompani në fushën e mbrojtjes që veprojnë në Ukrainë. Po kjo nuk mjafton për të fituar. Ne shohim probleme në ofertën e municioneve, gjë e cila ndikon situatën tonë në fushat e betejës dhe jemi të interesuar për bashkëprodhimin e municioneve me ju dhe partnerët tanë”, u shpreh presidenti ukrainas në fjalën e tij në hapje të samitit Ukrainë – Europa juglindore, i cili po mbahet në Tiranë. Ai shtoi me tej se “ekipi ynë i qeverisë, do të prezontojë të gjitha detajet” duke hedhur më pas idenë e organizimit të “një forumi të posaçëm për industrinë e Mbrojtjes, mes Ukrainës dhe Ballkanit, qoftë në Kiev qoftë në ndonjë prej kryeqyteteve tuaja”.

Për këtë çështje ai kishte bërë të ditur më herët se kishte folur dhe me kryeministrin shqiptar Edi Rama gjatë takimit të përbashkët që i parapriu samitit. “Diskutuam ndër të tjera dhe për nevojat e mbrojtjes së Ukrainës dhe mundësinë e prodhimit të përbashkët të armëve”, shkruajti ai në rrjetin social X.

Me zotin Rama, presidenti Zelensky, firmosi dhe Traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Ukrainës, i cili synon të konsolidojë miqësinë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.

https://www.facebook.com/plugins/video.php?allowfullscreen=true&app_id=1693912720906710&channel=https%3A%2F%2Fstaticxx.facebook.com%2Fx%2Fconnect%2Fxd_arbiter%2F%3Fversion%3D46%23cb%3Dfaec1bcf0107b68f5%26domain%3Dwww.zeriamerikes.com%26is_canvas%3Dfalse%26origin%3Dhttps%253A%252F%252Fwww.zeriamerikes.com%252Ff3579e1659c667500%26relation%3Dparent.parent&container_width=650&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fzeriamerikes%2Fvideos%2F317954124595505%2F%3Fshow_text%3D1&locale=en_US&sdk=joey

Përpara se të hidhnin firmat, presidenti i Ukrainës i dorëzoi sot kryeministrit shqiptar Edi Rama “Urdhërin e Princit Jaroslav i Urti”, për “kontributin e jashtëzakonshëm personal, në forcimin e bashkëpinimit ndërshtetëror, mbështetjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe popullarizimin e shtetit të Ukrainës në botë”.

Më herët, u zhvillua dhe një takim mes ministrave të jashtë të të dy vendeve. “Shqipëria mbështet Planin me 10 Pika të Presidentit Zelensky, si mundësia më realiste për t’i dhënë fund luftës dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme. Së bashku me aktorë dhe vende të tjera, kemi marrë tashmë angazhimin për bashkëpunim në realizimin e Pikës 5 që ka të bëjë me “Rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës”, si një nga objektivat më imediatë të përfundimit të luftës”, deklaroi pas takimit ministri shqiptar Igli Hasani.

Shqipëria është ndër vendet e para që mbështeti pa rezerva Ukrainën si dhe u angazhua për të kontribuar drejtpërsëdrejti me ndihma. Ministri Hasani tha se edhe gjatë takimit të sotëm “kemi folur për ndihmën ekonomike e financiare që Shqipëria mund të ofrojë për përballimin e situatës në Ukrainë, por edhe për rindërtimin e saj, që shpresojmë të ndodhë sa më parë, pa asnjë vonesë”.

Brenda muajve të ardhshëm, siç njoftoi ministri i Jashtëm shqiptar, pritet të hapet në Kiev dhe ambasada e Shqipërisë. “Jemi në fazën e përgatitjeve teknike”, shpjegoi zoti Hasani.

Nga ana e tij shefi i diplomacisë ukrainase Dmytro Kuleba falenderoi Shqipërinë për mbështetjen e ofruar në shumë drejtime, duke u ndalur veçanërisht në rolin e saj gjatë mandatit dy vjeçare si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shqipëria po ashtu vlerësohet nga Kievi dhe si një anëtare e Nato-s, ku Ukraina kërkon të bëhet anëtare. “Pritshmëritë tona janë që me të tjerash, një prej rezultateve të samitit të Uashingtonit të jetë një hap më përpara drejt anëtarësimit të Ukrainës, që më në fund, do ta bëjë këtë pjesë të Europës, më të sigurt”, u shpreh ministri Kuleba.

* Materiali në përditësim

Filed Under: Analiza

Mjeshtri dhe Margarita, Satirizimi i totalitarizmit nga Bulgakov në Rusinë e Putinit – Një Pakt me Djallin? 

February 28, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Një vepër arti disidente në Moskën e sotme menjëherë të zgjon kureshtje nëse është një manovër e Kremlinit disa javë përpara zgjedhjeve në Rusi, tentativë e lëvizjes opozitare apo një akt i dhuruar nga rrethanat. Në regjimin e Putinit reagimi i publikut ndaj një filmi është domethënës veçanërisht kur protagonisti ngadhënjen në sajë të një pakti me djallin – salutim letrar për Faustin e Gëtes. Filmi artistik Mjeshtri dhe Margarita i përshtatur nga romani i Mikhail Bulgakov-it (1891-1940) po ndiqet nga publiku i gjerë rus qysh nga nata e premierës kinematografike në 25 janar. Vepra satirike e periudhës staliniste, e pabotuar në kohën e vet, karikaturizon tiraninë dhe damkos censurën, të cilat kanë pllakosur përsëri Rusinë e sotme. Bulgakov ishte mjek me profesion, por filloi të shkruante letërsi në vitet 1910, dhe arriti të ketë sukses si dramaturg. Novelën Mjeshtri dhe Margarita, ai e ka shkruar në fshehtësi gjatë periudhës 1928 dhe 1940. Vepra u ndalua nga autoritetet dhe arriti të botohej e plotë në 1967 gati tre dekada pas vdekjes së Bulgakovit. Si satirë e llojit të mbinatyrshëm, vepra është përshtatur vazhdimisht për teatër dhe film në mbarë botën. Ajo është njëherit fshikullimë e dogmave ideologjike dhe një nga himnet e letërsisë botërore për lirinë e artistit dhe individit.

Stalini nuk urdhëroi ekzekutimin apo internimin e autorit, siç veproi për shumë shkrimtarë të kohës, por e ngulfati dhe censuroi krijimtarinë artistike të Bulgakovit. Në kohën e sotme filmi përkon me riardhjen e frymës staliniste dhe persekutimin sistematik të inteligjencës në Rusi. Nëpërmjet subjektit fantazmagorik, Bulgakov reflekton për të mirën dhe të keqen brenda individit, e shfaqur në “ardhjes së djallit” me shpurën e tij në Moskën e Stalinit, ku takohet me autorin e përndjekur, i njohur si Mjeshtri dhe me të dashurën e tij Margarita. 

Ndërsa Mjeshtri dhe Margarita po shfaqet në kinema, propagandistët e regjimit në media pyesin si u lejuan xhirimet, dhe nëse dikush është treguar naiv apo është mashtruar. Zallamahia në studiot e televizionit shtetëror i dha një pjese të publikut shtytjen për të shpejtuar të blinin bileta me idenë se filmi mund të shpallet i ndaluar. Deri tani atë e kanë parë pothuaj katër milionë shikues. Produksioni më i ri nga regjisori amerikan Michael Lockshin nuk pritej të ishte sensacion në Rusinë e periudhës së luftës të Putinit. Faktikisht, filmi kishte nisur rrugëtimin në 2019 vite përpara se Putini të pushtonte Ukrainën dhe të ushtronte një valë represioni të ngjashme me periudhën sovjetike. Jo vetëm kaq, por shteti kishte bërë investime disamilionëshe për realizimin e filmit dhe xhirimet kishin përfunduar. Ndalimi i një vepre sinonime me lirinë e autorit mund t’i jetë dukur si kulmi i ironisë edhe vetë Kremlinit. “Pas një vonese disamujore, dalja e filmit ishte një nga ngjarjet më të mëdha të historisë kinematografike në Rusi,” njoftuan mediat. Regjisori Lockshin është shtetas amerikan por fëmijërinë e ka kaluar në Shtetet e Bashkuara dhe Rusi. “Filmi është kritikë ndaj censurës,” tha ai, i bindur se nuk do ta lejonte vetë censurën për hir të shfaqjes së filmit në Rusi. Me fillimin e luftës në Ukrainë studio filmike Universal Pictures u largua nga Rusia. Aktualisht filmi nuk ka distributor në Shtetet e Bashkuara.

Te publiku rezonon satirizimi i regjimeve autoritare të së kaluarës dhe të tashmes ku spikasin ngjashmëritë dhe zelli demagogjik. Sulejman Rushiti, regjisor dhe drejtor i Teatrit Profesionist të Gostivarit e sheh si “një vështrim shumë interesant me paralelizëm në epoka të ndryshme.” Audienca e ndjen subjektin si të përjetuar ndërsa mbrojtësit e Putinit e nuhasin rrezikun që mund të vij prej tij. Skenat e kallëzimeve ndaj atyre që nuk e përkrahën luftën dhe u shpallën armiq të shtetit i përngjanin përshkrimeve të informatorëve dhe pasazhit të ballos së famshme të djallit në novelë. 

Disa herë audienca shpërthen në duartrokitje në fund të filmit si përgjigje instiktive ndaj realitetit aktual rus e përzier me një lloj habie që shfaqja ka arritur deri te publiku. Ajo që e shton dozën e habisë është fakti se regjisori e ka kritikuar publikisht pushtimin rus dhe ka mbështetur Ukrainën.

Publikut që sheh skenat e një filmi kundër totalitarizmit shtetëror në një vend ku zëri i pavarur nuk lejohet më të dëgjohet reagon me anë të “gjuhës së filmit” që të arrij të flasë. Kur shteti rus paditi për nxitje të terrorizmit pronarin e kinemasë dhe skenaristin, kineastët e bënë atë pjesë të filmit. Në momentet e fundit, protagonistja, luajtur nga aktorja ruse Yulia Snigir, përkrah djallit, luajtur nga aktori gjerman August Diehl, vështrojnë zjarrin që ka përshirë qytetin – simbol i fatit të pashmangshëm të një sistemi anti-njerëzor dhe gjakatar.  

Filed Under: Kulture

ARSIMIMI I SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI

February 28, 2024 by s p

NIKË GASHAJ/

Arsimi në gjuhën shqipe ka një rendësi të madhe në formimin dhe kultivimin e identitetit kombëtar. Veçenarisht për identitetin kombëtar është me rëndësi arsimimi në shkolla fillore dhe ato të mesme. Sikurse është e njohur, në kohën e Principatës së Malit të Zi dhe të Jugosllavisë së vjetër kanë qenë të hapura një numër i shkollave në gjuhën joamtare në viset ku kanë jetuar shqiptarët. Shkollat, pra, kanë qenë në gjuhën sllave dhe si të tilla kanë ndikuar negativisht dhe kanë qenë faktor i asimilimit të shqiptarëve. Pas  luftës së Dytë Botërore 1945, situata do të dryshojë dukshëm. Sistemi i ri socialist ka hapur shkolla shqipe në zonat e banuara me shqiptarë. Mirpo, arsimimi shqip ka qenë i varur nga rrjellat politike të kohës. Kur erdhi deri te mosmarrëveshja, respektivisht konflikti Tito-Stalin dhe miratimi i Rezolutës së Informbirosë në vitin 1948, me  të cilën dënohet udhëheqësia jugosllave në krye me Titon, gjoja për trathti ndaj politikës të Bashkimit sovjetik dhe blokut socialist, më pas, Republika Popullore e Shqipërisë i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Jugosllavi dhe përkrahi politikën staliniste. Mirëpo, në anën tjetër, kjo ndikoi në mënyrë negative në raportin e udhëheqësisë jugosllave  ndaj shqiptarëve në Jugosllavi, pra dhe tek shqiptarët në Mal të Zi. Në lidhje me atë, Mehmet Kraja, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndër të tjerat thekson: “Viti 1948 do t’i japë goditjen e parë shkollës shqipe, sepse ndërprerja e marrëdhënieve me Shqipërinë, si në shumë plane të tjera, do t’i lërë pezull shqiptarët e Malit të Zi. Do të jetë  mesi i viteve pesëdhjetë…..kur u mbyllen shumica e shkollave shqipe dhe fëmijët shqiptarë detyrohen të mësojnë serbisht. Mirëpo, një plan i tillë dështojë dhe pas një viti shkollor pa asnjë rezultat, në një numër shkollash kthehet sërish mësimi në gjuhën shqipe. Kjo periudhë, nga më të errëtat në historinë e shqiptarëve në Mal të Zi, do të zgjasë pothuajse deri në mesin e viteve gjashtëdhjetë, kur fillon një rikthim gradual i mësimit fillor në gjuhën amtare”.

Shkolla e parë e mesme me mësim në gjuhën shqipe e serbokroate u hap në Ulqin në vitin 1965. Ndërsa, me 1971, çelen dy paralele të gjimnazit në Tuz me mësim në gjuhën shqipe, kurse në vitin 1975 bëhet gjimnaz i pavarur në dy gjuhësi: shqip dhe serbokroate. Ndërsa në vitin 1978 mësimi në gjuhën shqipe filloi të zhvillohet edhe në shkollën e mesme në Plavë. Më tutje, përpos hapjeve të shkollave të mesme në të cilat zhvillohej mësimi edhe në gjuhën shqipe, në atë kohë u intensifikuan dhe lidhjet arsimore të shqiptarëve të Malit të Zi me Kosovën. Shqiptarët e Malit të Zi, gjithëmonë duhet të jenë mirënjohës për  mirëpritje dhe përkrahje  të personalitetit arsimor kosovar ndaj nxënsëve dhe studentëve nga Mali i Zi. Për çka jam dëshmitar, si ish – nxënës i gjimnazit “Ivo Llolla Ribar”, sot gjimnazi “Sami Frashëri” në Prishtinë.

Me shpërthimin e demostratave të studentëve në Kosovë 1981, demostrata këto për liri, drejtësi, barazi të shqiptarëve dhe për pavarësi të Kosovës, edhe pushteti politik i Malit të Zi në atë kohë nisi një fushatë të egër kundra shqiptarëve të Malit të Zi. Në shënjestër ishin shkollat me mësim në gjuhën shqipe, respektivisht programet mësimore të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, të Historisë dhe të cilësdo lëndë mësimore që kishte të bënte me kulturën dhe artin shqip u “spastruan” nga përmbajtja  me karakter të identitetit kombëtar shqiptar. Në mënyrë të ashpër çdo gjë shqiptare po akuzohej dhe sulmohej nga pozita e një politike nacionaliste-shoviniste.

Sot në Mal të Zi nxënsit shqiptarë e ndjekin mësimin në gjuhën shqipe në 12 shkolla  fillore, në 4 shkolla të mesme, prej tyre një gjimnaz është privat në Ulqin. Gjithashtu, pranë Universitetit të Malit të Zi, në vitin 2004. është hapur Dega e studimeve të mësuesisë në gjuhën shqipe në Podgoricë. Përveçë, mësimdhënësve shqiptarë nga Mali i Zi për të ligjëruar në këtë degë janë angazhuar edhe një numër i pedagogëve nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Me këtë rast po ceki se kërkesa e përfaqësuesëve shqiptarë ka qenë që fakulteti të hapet në Ulqin apo në Tuz, si mjedise shqiptare, mirëpo kjo është refuzuar nga organet shtetërore të Malit të Zi.

Po ashtu, një numër i koniderueshëm i studentëve nga Mali i Zi, ndjekin studimet në universitetet e Shqipërisë dhe të Kosovës, por dhe në Universitetin e Malit të Zi dhe gjetiu, e që është shumë pozitive në formimin e kuadrit të ri  profesional. Ashtu që sot kemi një numër të kuadrave të profileve të ndryshme. 

Me rëndësi është të theksohet mbështetja finansiare për studentët shqiptar nga Mali i Zi, respektivisht e ndarjeve të bursava studentore në vazhdimësi për çdo vit akademik, nga  diaspora shqiptare në SHBA, sikur janë: Fondacioni “Malësia e Madhe”, Fondacioni “Trojet tona”, Fondacioni Lukaj, etj.

Ndihma e  tyre finansiare për arsimimin e lartë të brezit të ri shqiptar nga Mali i Zi, paraqet një   aktivitet të shkëlqyeshëm humanitar e patriotik kombëtar dhe meriton çdo lëvdatë. Mirëpo, jam i mëndimit se një kujdes të veçantë për mbështetje finansiare e meritojnë nxënësit dhe studentët me sukses të shkëlqyeshëm duke siguruar ashtu cilësinë profesionale. Po ashtu do të ishte e preferueshme që disa nga nxënësit më të dalluar shqiptar nga Mali i Zi të vazhdoshin shkollimin në universitetet e njohura evropiane dhe amerikane. Meqenëse, njohjet historike tregojnë se ka pasë intelektualë shumë të njohur të kombit shqiptar që kanë  studiuar në universitete prestigjioze në botën e jashtëme. Për shembull: Eqrem Çabej( Austri), At Gjergj Fishta(Bosnje), Aleks Buda ( Itali, Austri), Mahir Domi(Francë), Ndre Mjeda( Spanje, Itali, Poloni, Kroaci), Mirash Ivanaj( Itali), Gjelosh Gjokaj( Beograd, Romë, Gjermani), Ruxhdi Ushaku (Sarajevë, Beograd, Paris). Gjithashtu, po theksojmë, se Ismail Kadare ka qenë në Moskë për studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki”(1958-1960). Ndërsa, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova ka qëndrua gjatë një viti akademik(1976-77) në Paris, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendim në teorinë letrare. Natyrisht, se ata, por dhe shumë të tjerë, kanë dhënë një kontribut jashtëzakonisht shumë të madh kulturës dhe shkencës shqiptare.

Si – ish mësimdhënës në gjimnazin e Tuzit pata rastin të bindem se në mesin e nxënsëve shqiptar ka mjaftë të shquar dhe të talentuar, të cilët e dëshmuan vehten, meqenëse, pas kryerjes së shkollës së mesme, një numër i konsenderueshëm i tyre arrijtën të kryejën fakultete të ndryshme në universitete të ndryshme: Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë në rajon.  Andaj, ajo çka   është shumë pozitive, qendron në faktin, se arsimimi i rinisë shqiptare tek ne, po  zhvillohet në vazhdimësi në të gjitha nivelet e shkollimit dhe të specializimeve të ndryshme duke fituar dhe tituj më të lartë akademik: magjistra dhe doktora të shkencave, çka paraqet një potencial të mirë kuadrovik. Duhet të besohet se një trend i tillë pozitiv në arsimimin e rinisë shqiptare në Mal të Zi do të vazhdoj dhe në të ardhëmen. 

Filed Under: Analiza

VU (1939) / FOTOGRAFITË DHE INTERVISTA EKSKLUZIVE ME MBRETIN ZOG DHE MBRETËRESHËN GERALDINË NË KËSHTJELLËN E LA MAYE

February 28, 2024 by s p


Melankolikë, sovranët shikojnë teksa fotografohen, disa nga suveniret personale që mundën të sjellin nga Shqipëria pavarësisht largimit të tyre të nxituar... — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Melankolikë, sovranët shikojnë teksa fotografohen, disa nga suveniret personale që mundën të sjellin nga Shqipëria pavarësisht largimit të tyre të nxituar… — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 28 Shkurt 2024

Gazeta e përjavshme franceze “VU” ka botuar, të mërkurën 16 gushtit 1939, fotografitë dhe intervistën ekskluzive realizuar asokohe me mbretin Zog dhe mbretëreshën Geraldinë, gjatë ekzilit të tyre në kështjellën e La Maye, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Një mbrëmje në mesin e mbretërve në mërgim

Zogu dhe Geraldina në kështjellën e La Maye

Foto n°1 : Kështjella e La Maye, pranë Versajës, duket se ka për qëllim të strehojë mbretërit në mërgim. Pas Dukës dhe Dukeshës së Windsor-it, janë sovranët e Shqipërisë ata që e banojnë. Në plan të parë – oh ironi – Mercedezi që Hitleri i dhuroi çiftit mbretëror për martesën e tyre në 1938. — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

« Traditat e mikpritjes franceze ishin të njohura edhe para se fati të bëhej i hidhur për ne ». Kështu i priti gazetarët e « VU–së » mbreti i rrëzuar nga froni i Shqipërisë, Zogu I.

Kjo është padyshim arsyeja pse, pas një largimi të nxituar nga Tirana, kur tre muaj më parë, italianët pushtuan Shqipërinë dhe pas një udhëtimi plot ngjarje që e çoi familjen mbretërore në Greqi, Turqi, në Angli dhe Holandë, pikërisht ajo erdhi në Francë për të kërkuar paqen dhe prehjen për të cilën ajo dëshironte.

Në mjedisin e mrekullueshëm të Ile-de-France, në kështjellën e La Maye, sovranët vlerësuan bujarinë franceze me vlerën e saj të vërtetë dhe harruan gradualisht, nëse jo fatkeqësinë e tyre, të paktën frikën dhe pasigurinë që kanë qenë fati i tyre për disa muaj.

Kështjella e La Maye, në Versajë, është një rezidencë e bukur me një stil disi të pasaktë, pasi pamja e Luigjit XIII është e përzier me « pajisje » të të gjitha periudhave; është një banesë shumë e këndshme dhe një farë rehatie që një sovran, sidomos në mërgim, nuk mund të mos e vlerësonte. Një park i stilit francez shtrihet rreth e qark kështjellës me rrugica të shtruara mirë, lëndina të gjelbra të flakta dhe shporta të shumta me lule.

Mezi kishim bërë njëzet metra kur lajmëruan ardhjen tonë dhe oborrtarët e shumtë me mustaqe të zeza të egra dhe me çehre shumë “shqiptare” dolën me shpejtësi. Ata na përshëndesin me mirësjelljen më të madhe, me duart në nivelin e zemrës, por nuk na lënë të ecim drejt kështjellës para se t’u tregojmë letrat kredenciale, domethënë të ekspozojmë të gjitha letrat që do të na lejojnë të shohim Mbretin Zog I, gruan e tij, Mbretëreshën Geraldinë dhe anëtarët e familjes së tij.

Ky formalitet i realizuar, është një gardë nderi e vërtetë që na shoqëron deri në hajatin e kështjellës ku kalojmë në duart e « shqiptarëve » të tjerë. Dhe ne futemi në një sallon të madh ndenjeje, të mobiluar me shije dhe kërkime, dhe i dekoruar me disa sixhade (tapiceri) dhe panele të bukura të shekullit të XVII-të që mund t’i atribuohen Poussin-it.

Një piano e madhe është ende e hapur. Duke u mbështetur pak, mund të lexohet titulli i melodisë që një dorë mbretërore, pa dyshim, po deshifronte në stendën muzikore… Kënaqësi dashurie… Mbi piano, nën disa buqeta të mrekullueshme me lule, fotografi të shumta u tregojnë vizitorëve fytyrat e mikpritësve aktualë të La Maye, familjarëve të tyre, shtëpitë e tyre në Tiranë dhe Shkodër, përpara se Italia t’i detyronte të hiqnin dorë nga të gjitha pasuritë e tyre të paluajtshme.

Përmes dritareve të mëdha, ne shohim një peizazh fisnik dhe simpatik, pemë që dridhen lehtë në flladin e mbrëmjes dhe befas, në fund të rrugës qendrore, një Mercedes i mrekullueshëm duke ecur drejt kështjellës, duke bërë një kthesë dhe duke u ndalur para shkallëve të hyrjes.

Nga këndvështrimi ynë shohim një grua të re simpatike që zbret me një pallto të bardhë, me krahët plot me pako. Me nderimin mbresëlënës të këtyre oborrtarëve që nxitojnë, kuptojmë se është mbretëresha. Një minutë ajo po flet me njerëzit e saj; e dëgjojmë duke i kërkuar shoferit të saj « pakon e farmacisë për princin ». Ai ia jep, duke i thënë thjesht: « E mora për pesëmbëdhjetë franga, zonjë », pastaj ajo zhduket nga sytë tanë dhe ne kemi edhe një herë vetëm kohën e lirë të admirojmë pikturat, dyshemetë me parket, llambadarët dhe të mendojmë mbi fatin e çuditshëm të Mbretit Zog I.

Foto n°2 : Mbretëresha Geraldinë kthehet në kështjellën e La Maye pas një dite pazari në Paris. Ajo shkoi për të marrë ilaçe për djalin e saj, Princin e Kurorës Aleksandrin. Kur doli nga makina, mbretëresha u përshëndet në stilin shqiptar nga një oborrtar… — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Princi Hysen

Por pritja jonë nuk do të jetë e gjatë. Një i ri shtatlartë sapo ka hapur derën e sallonit dhe na thotë se mbreti dhe mbretëresha do të vijnë menjëherë. Ky i ri, me një fytyrë të rregullt dhe një buzëqeshje të gëzuar, është Princi Hysen, djali i një prej motrave të Mbretit Zog.

Princi Hysen është shumë elegant, i gëzuar dhe i sjellshëm. Asgjë që e bën Parisin kaq simpatik nuk duket të jetë e panjohur për të. Ai është shumë i interesuar për garat me kuaj dhe makinat e garave dhe na tregon se çfarë gëzimi dhe admirimi i japin « rrugët e mrekullueshme franceze ».

Foto n°3 : Nipi i preferuar i mbretit, Princi Hysen, është një sportist… Rrugët e Francës i duken të mrekullueshme dhe udhëton mbi to me shpejtësi të madhe me makinën e tij “grand tourismo”. — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Një shambellan (oborrtar), i ndjekur nga një tjetër, ndërpret bisedën pas disa minutash, jo më parë se të vëmë re se Princi Hysen është një diplomat i shkëlqyer pasi ai dinte, pa u dukur se ishte i kujdesshëm, çdo herë të shmangte çdo aludim për mbretin, për mbretëreshën, për fatkeqësitë e tyre të fundit dhe, në momentin kur shambellanët njoftojnë ardhjen e sovranëve, ai na rrëfen : « Mbreti dhe mbretëresha do t’ju thonë, pafundësisht më mirë se nuk mund ta kisha bërë vetë, gjithçka që ka të bëjë me ta. »

Zogu dhe Geraldina

Mbretëresha Geraldinë hyn e para, e veshur e gjitha në të zeza, por fytyra dhe duart e saj me thonj të kuq të ndezur nga e bardha e një jake të prerë dhe kyçet e duarve të çelura në kurorë. Ajo është shumë e gjatë, shumë e hollë, me një çehre të bukur, sy që në fillim duken të errët, por në dritë, duhet të jenë blu e thellë; flokët janë ngjyrë kafe, të rregulluara në një aureolë rreth fytyrës. Ajo duket tejet e re dhe lëvizjet e saj kanë ende hirin e adoleshencës. Ajo mban bizhuteri të admirueshme : byzylykë të rëndë dhe verbues me shkëlqim brilant, të vetmuar me një zjarr të mrekullueshëm. Këmba e hollë, kyçi i harkuar, ajo ka shumë stil. Ajo ecën drejt nesh me dorën e shtrirë dhe na thotë, me frëngjishten më të pastër dhe plot buzëqeshje: « Jam e kënaqur që ju takoj. Më falni, zotërinj, që ju mbajta në pritje, më duhej të ndërrohesha dhe të shihja djalin tim. »

Foto n°4 : « Përshëndetje, zotërinj, » u tha mbreti dhe mbretëresha gazetarëve tanë ndërsa hynë në sallonin e ndenjes të kështjellës La Maye, « dhe fotografoni sa të doni. » — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Pas saj, shfaqet Mbreti Zog I. E vërteta na detyron të themi se ai nuk duket se i ka përballuar ashpërsitë e mërgimit dhe shqetësimet e atdheut të tij të humbur me të njëjtën forcë si mbretëresha Geraldinë. Ai është i hollë, me mustaqe të varura, një çehre të zbehur dhe me sy të shqetësuar; i shikon aparatet fotografike me një mosbesim të padiskutueshëm. Ne duam t’i themi: « Mos u shqetësoni, zotëri, ne jemi në Francë këtu. » Por ne e dimë që Zogu I nuk e kupton frëngjishten.

Foto n°5 : Melankolikë, sovranët shikojnë teksa fotografohen, disa nga suveniret personale që mundën të sjellin nga Shqipëria pavarësisht largimit të tyre të nxituar… — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ai është veshur në mënyrë elegante me një kostum gri. Këtu ai thërret një shambellan (oborrtar) dhe i thotë disa fjalë, pastaj kthehet nga ne dhe na flet. Mbretëresha Geraldinë përktheu fillimisht: « E gjej veten të lumtur që jam në Francë. Është një vend fisnik dhe bujar, prestigji i të cilit është shumë i madh në Shqipëri », më pas ajo pyet nëse flasim anglisht dhe kështu biseda do të vazhdojë në atë gjuhë.

Mbreti shmang me kujdes çdo aludim politik dhe kjo është e kuptueshme. Ai na tregon vetëm se pas largimit nga Tirana është pritur shumë mirë kudo, por që udhëtimet e shqetësonin për shëndetin e mbretëreshës Geraldinë dhe djalit të tyre, Princin e vogël Aleksandër, i cili është vetëm disa muajsh. Kur shqipton emrin e të birit, zëri i tij, natyrisht mjaft i ngjirur, merr lakim të një butësie mahnitëse dhe, ndonjëherë, madje buzëqesh.

Projektet

Ai nuk e fsheh kënaqësinë që më në fund u vendos tek ne dhe na thotë se Parisi, që sapo e ka parë, me qiellin dhe dritën e tij i kujton Vjenën ku ka jetuar shumë. Ai është shumë i lumtur që pak më vonë do të mund të vizitojë Francën…

« Kur isha i ri, » shton ai, « ishte një prej dëshirave të mia më të mëdha. Unë kurrë nuk kisha mundur ta realizoj atë. U deshën rrethana tragjike që të njoh vendin tuaj. »

Ai tund kokën dhe shton me kënaqësi : « Ky do të jetë kompensim.» Ky është i vetmi aludim që ai do t’i lejojë vetes për fatkeqësitë e tij.

Ushtria franceze e intereson shumë. Një nga nipërit e tij, Princi Salih, ishte student në Saint-Cyr dhe, pa dyshim, i fliste me admirim për ushtarët tanë.

Ai na përgjigjet me dashamirësi kur e pyesim nëse ka mundur të sjellë me vete bashkatdhetarë dhe disa nga gjërat që i vlerësonte më shumë.

« Po, » tha ai, « rreth njëzet shqiptarë. Pak objekte, vetëm disa piktura, disa suvenire të çmuara, shtatë automobila duke përfshirë këtë — a tregohet ironik ? nuk e dimë, sepse fytyra e tij ka mbetur e ngrirë — të cilën kancelari Hitler më dhuroi në vitin 1938, si dhuratë martese. »

Dëshirën tonë për ta fotografuar, ai e pranoi me kënaqësi, por ne nuk arritëm ta bënim të buzëqeshte. Ishim gati të dorëzoheshim kur nga dera e sallonit dëgjuam një cicërimë të lehtë të përzier me këngën e përgjumur të zërit të një gruaje. Princi Aleksandër, në krahët e dados së tij, u kthye në djepin e tij.

Foto n°6 : Por ja ku po buzëqeshin sepse dëgjuan tej derës cicërimat e princit të vogël Aleksandër që dadoja po përkund në dhomën tjetër. — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Mjafton kjo pëshpëritje. Mbreti gëzohet… Mjerisht! ne nuk do të mund ta shohim princin e kurorës.

« Ai është shumë i vogël, » na tha mbretëresha Geraldinë. Dhe ajo na dhuron një buzëqeshje të hirshme, si për të kërkuar falje, kur shambellani (oborrtari) i tregon orën dhe i thotë se princeshat, kunatat e saj, e presin atë dhe mbretin për shëtitjen e përditshme para darkës.

Foto n°7 : Çdo ditë, para darkës, familja mbretërore shëtit në park… Peizazhet e Ile-de-France ua zbutin kujtimet e Tiranës dhe maleve madhështore të Shqipërisë; nga e majta në të djathtë Princesha Maxhide, motra e Zogut, mbretëresha, mbreti dhe tri motrat e tjera të sovranit, princeshat Myzejen, Senije Abid dhe Ruhije. — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Dalim, por në hajat hasim një zonjë të një farë moshe, me pamje të vendosur, që duket si në shtëpinë e saj këtu dhe nga një derë e mbyllur dëgjojmë zërin e mbretëreshës Geraldinë: « Përshëndetje, nënë! »

Foto n°8 : Nga Parisi, ku jeton prej shumë vitesh, nëna e mbretëreshës Geraldinë, zonja Giraud, vjen çdo ditë për të vizituar vajzën dhe dhëndrin. — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

MARC ANDRAL

Foto n°9 : Mbreti dhe mbretëresha jetojnë në kështjellën e La Maye me katër motrat e sovranit dhe disa anëtarë të tjerë të familjes mbretërore. Këtu është princesha Myzejen e ndjekur nga nipi i saj Princi Hysen. — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Foto n°10 : Mbreti dhe mbretëresha presin shumë miq nga të gjitha shtresat e jetës dhe të të gjitha besimeve. Edhe këtë « prift të vogël » me mjekër. — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Filed Under: Emigracion

NJË FTESË PËR TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS

February 28, 2024 by s p

Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” feston 10 vjetorin e themelimit dhe ditën ndërkombëtare të gjuhës amtare.

Filed Under: Kulture

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT