• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2024

“Sherbestari i Shqipërisë” dhe kontributi i shtypit politik të mërgatës së Amerikës në çështjen kombëtare

February 22, 2024 by s p

Sokol Paja/

Nën moton “Shqipëria e shqiptarëve” revista “Sherbestari i Shqipërisë” organ i rinisë së “Ballit Kombëtar”, botuar në Detroit në vitin 1960, me 34 faqe, përbën një kontribut të fuqishëm dhe të pazëvendësueshëm në çështjen kombëtare. Në vitin e 6-të të botimit, në numrin 11-12 që po ia paraqesim publikut, shkrimin kryesor redaksional nën autorësinë e N.Tchami e zë “Çamëria”. Aty paraqitet imtësisht krahina shqiptare e Çamërisë, historia e saj, gjeografia, popullsia, bujqësia e gjithçka lidhet me Çamërinë. Abas Ermenji i dedikon një shkrim kulturës kombëtare dhe moralit kombëtar, pasuar në botim nga vendimet e Kongresit të Lushnjës, një shkrim rreth Konferencës së Paqes së Parisit etj. Revista ka frymë të pastër nacionaliste dhe trajton tema madhore historike kombëtare.

Shtypi politik i partive politike antikomuniste në mërgatën e Amerikës përbën një aspekt shumë të veçantë të trashëgimisë së mërgatës dhe arritjeve të tyre shumëplanëshe. Është e mahnitshme mënyra e qasjes që gazetat dhe revistat e kohës së mërgatës kishin ndaj bashkatdhetarëve e publikut të gjërë shqiptaro-amerikan, niveli i lartë profesional, thellësia e mendimit kritik e analitik dhe mbi të gjitha boshti kombëtar i veprimtarisë mediatike janë aspekte pak të trajtuara dhe prej historianëve e studiuesve.

Nxjerrja në pah e këtij shtypi të disa dekadave më parë jo vetëm rikthen për informim masiv perla nga një plejadë intelektualësh por imtësisht ekspozon një epokë të panjohur mediatike dhe veprimtarie komunitare atdhetare në shërbim të komunitetit shqiptar e kombit në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Temat e trajtuara, thellësia analitike, gjuha, stili dhe argumentet që gjenden në shtypin patriotik e fetar në vitet 80-të përbëjnë një shkollë më vete dhe për gazetarinë e sotme. Pas viteve 80-të mërgata në USA ishte fuqizuar në aspektin ekonomik, politik dhe intelektual. Zhvillimi i mediave të shkruara në këto kohë është një prej treguesve për rritjen e kapaciteteve të mërgatës. Protestat më të fuqishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej mërgatës shqiptare kundër komunizmit erdhën pas viteve 80-të dhe u fuqizuan vit pas viti deri në shembjen e komunizmit në Shqipëri. Roli i mërgatës shqiptare në USA për ndërkombëtarizimin e çështjes kombëtare si Kosova, Çamëria, të drejtat e shqiptarëve në Ballkan dhe luftës kundër komunizmit në Shqipëri ka qenë i jashtëzakonshëm. Media e shkruar e kohës u jepte një përkrahje të paimagjinueshme. Media ishte syri, mëndja dhe zemra e mërgatës. Gazeta “Dielli” i paraqet para publikut këto revista e gazeta jo vetëm për të ekspozuar punën kolosale intelektualëve e patriotëve shqiptarë në Amerikë por për tu shprehur mirënjohjen për përkushtimin për përpjekjet e dedikimin këtyre burrave të mëdhenj të kombit tonë por dhe për të lidhur organikisht të djeshmen dhe të sotmen në mërgatën shqiptare të Amerikës dhe përpjekjet historike për komb dhe atdhe. Në historinë e shtypit shqiptar të mërgatës, shtypi i shkruar në Amerikë mban vulën kryesore të ndikimit, rolit, shërbimit dhe trashëgimisë për vetë specifikat, terrenin, kushtet dhe rrethanat historike e politike ku u zhvillua ky shtyp. Është detyrë në çdo kohë e kërkuesve shkencorë, gazetarëve e punonjësve të instituteve albanologjike në shtetet amë e trojet etnike që të hulumtojnë mbi veprimtarinë e shtypit të mërgatës shqiptare në Amerikë pasi rëndësia historike e këtij shtypi si regjistër historik kombëtar, si dëshmi e fakteve, historive epokale, kronikave, episodeve dhe ngjarjeve e mbi të gjitha të trashëgimisë kulturore, politike, sociale, ekonomike dhe komunitare të shqiptarëve në Amerikë, është e jashtëzakonshme.

Njohja e shtypit të kohës, është një mundësi njohjeje ekskluzive sesi u zhvillua dhe u rrit mërgata shqiptare në Amerikë.

Filed Under: Opinion

21 SHKURTI DITA NDËRKOMBËTARE E GJUHËS AMTARE

February 22, 2024 by s p

“Nuk duhet të mbushim gjuhën tonë engjullore me gjemba e me ferra se nuk i qërojmë dotë më vonë” – (Hafiz Ali Korça ).

Bledi Filipi

Si fillim, dua ta nis këtë shkrim me një citim të Dokumentit të UNESCO-s: “Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare (anglisht: International Mother Language Day) është një ditë ndërkombëtare ceremoniale e shpallur nga UNESCO në vitin 1999. Si e tillë ajo festohet më 21 shkurt të çdo viti. Qëllimi i caktimit të saj është promovimi dhe ndërgjegjësimi për diversitetin gjuhësor dhe kulturor si dhe promovimin e shumëgjuhësisë. Dokumenti 16/C i UNESCO-s nga viti 1970 thotë: “Gjuha amtare shënon rrugën e qenies njerëzore dhe përmes saj ajo hyn në shoqëri, bën kulturën e grupit të cilit i takon dhe vendos bazat për zhvillimin e aftësive intelektuale të saj.”

Në vendin tonë ky vit është shpallur si viti i gjuhës shqipe. Një nismë e përkryer! Gjuha shqipe është identiteti ynë kombëtar, pika e vetme e bashkimit që na bën një kudo jemi. Populli ynë ka pasur një histori të hidhur, dhe nuk e teprojmë të themi që jemi i vetmi komb i copëtuar në gjashtë pjesë.

Sado që të pangopurit luajtën me fatet e kombit tonë, sërish një gjë nuk e shuajtën dot, dhe ajo është gjuha shqipe. Kjo gjuhë e cila u trashëgua brez pas brezi, u shkrua me gjakun e martirëve të saj, u bën ballë më së miri nevojave të kohës.

Gjuha shqipe është një gjuhë e pasur, ajo kaherë ka tërhequr vëmendjen e gjuhëtarëve botërorë, të cilët kanë bërë kërkime voluminoze për të.

Gjuhësia shqiptare ka pasur dhe ka arritjet e saj që janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Arritja më e madhe pas Kongresit të Manastirit (1908), mbetet Kongresi i Drejtshkrimit (1972). Ky kongres mbetet baza e formësimit të gjuhësisë shqiptare, pasi, bëri një shqiptarët kudo ndodheshin. Prej më se 52 vitesh shqiptarët kudo janë shkruajnë dhe flasim në të njëjtin standard.

Pas këtij kongresi do të vinin veprat e tjera madhore, si, “Gjuha Letrare Shqipe për të Gjithë ” (1976); “Gramatika e gjuhës Shqipe” I, II; “Fjalori i Drejtshkrimit” (1976); FGjSSh 1980, 1984; FGjSh, 2002, 2006, 2020 dhe FMGjSh që pritet të dalë së shpejti, janë vepra kodifikuese të gjuhës sonë. Kësisoj, ato mbeten libra pune për çdo shkrues të shqipes.

Arritjet janë të mëdha edhe në historinë e gjuhës, fonetikën historike, etimologjinë shkencore, ku mund të përmendim: Joklin, Pedersenin, Mayerin, Orellin etj; Çabej, Domi, Demiraj, Topalli etj..

Mendimi im është që :

a) Programet shkollore duhet të kenë tema të posaçme që të parapërgatisin nxënësit për të dalluar etimologjinë e vërtetë të fjalës nga etimologjinë popullore;

b) Televizionet duhet të ftojnë specialistë me emër, që të ndërgjegjësohen qytetarët;

c) Të ketë ligj të posaçëm për zbatimin e standardit dhe njohjen e arritjeve të shkencës.

Në këtë ditë të veçantë, institucionet duhet të ndërgjegjësohen dhe, meqenëse ky është viti i gjuhës shqipe, duhet të ketë aktivitete të ndryshme, të ndahet gjuha shqipe nga letërsia, të pajisen bibliotekat shkollore me literaturë gjuhësore dhe letrare.

Është detyrë e çdo institucioni të kujdeset për gjuhën amtare, madje atje ku ajo dëmtohet të ketë edhe gjoba.

Ka ardhur koha që midis shteteve tona të copëtuara të kemi një Akademi Shkencash të përbashkët, dhe tekstet e gjuhës shqipe të jenë të njëjta, për këtë nuk besoj se na ndal kush.

Si përfundim, jo vetëm kjo ditë, por dhe ditë të tjera duhet t’i kushtohen gjuhës amtare, me qëllim që ta flasim dhe shkruajmë bukur atë. Ne jemi një komb sepse kemi një gjuhë, një gjak, një flamur dhe një kulturë!

BOTOHET ME SHKURTIME.

May be a doodle of child

See insights and ads

Create Ad

All reactions:

88

Filed Under: ESSE

DITA NDËRKOMBËTARE E GJUHËS AMTARE

February 22, 2024 by s p

Visar Zhiti/

…en së dashunit së botësë sanë…

Gjon Buzuku

Pasi lexova një letër të bukur, që më shungëlloi përbrenda, e kishte qëmtuar dhe sjellë për ne shkrimtari Sokol Çunga, ishte e para 131 vjetëve, ku Jani Vreto i shkruante Sotir Koleas, ndër të tjera kështu:

“… të nderojmë mëmënë, gjuhënë, e të ndritonemi e të qytetëronemi me atë na ndih e drejta […]. Kur të themi mësonjëtore ndë gjuhët t’ënë Shqipenë, duhetë të kemi ndë mënt se mësimin’ e diturisë ta marrmë me gjuhët t’ënë Shqipenë, edhe gjuhë të huaj të mësojmë me kanone ndë gjuhët t’ënë Shqipenë…”

…më preku fjala, kumti dhe përzgjedhja… Dhe m’u ndërmend kur dikur, larg, por jo dhe aq shumë larg e aq shumë dikur, në burgun e Spaçit na erdhi Fjalori i ri i Gjuhës Shqipe, nuk na e solli komanda e burgut, por shoku ynë i prangave, mësues gjimnazi kishte qenë, i letërsisë, Ron Çobani, ia kërkoi t’ja sillte e shoqja, meqenëse Fjalori rëndonte, pakësoi nga pesha e ushqimeve që lejohej, etj, etj. Më pas në liri unë shkruajta një poezi, është në librin tim “Thesaret e frikës”, poezia patì fat, shkrimtarja Ani Gjika, përkthyese e shkëlqyer, e ktheu në gjuhën angleze, u botua në një revistë amerikane, është dhe në librin tim me poezi, “Gathering Light” që doli vjet në Kinë, dy gjuhësh, anglisht dhe kinezçe, këtë poezi e përktheu nga anglishtja e Anit përkthyesja Guo Xiaoqian… Etj, etj.

Më vjen mirë që shqipja jonë shihet nëpër botë…

Dhe desha t’i them këto sot si një monolog të brendshëm dhe po sjell këtu dhe poezinë, edhe përkthimet e saj, ndoshta vetëm sepse, siç e thotë që në krye të herës Gjon Buzuku ynë:

“en së dashunit së botësë sanë”.

FUTJA E FJALORIT

TË GJUHËS SHQIPE

NË BURGUN E SPAÇIT

Nga Visar Zhiti

Nga porta e parë

e kaluan në të dytën

nëpër një udhë mbuluar

me tela gjembash

​​​si kujtesa e krimit.

Në portën e tretë kishte vetëm kthetra. Dhe e shfletuan

se mos qe fshehur brenda

ndonjë copë shpresë a ngushëllim

​​​​​ që ta mbysnin.

Kontrolluan në kishte fjalë të vizuara për t’u gjetur qëllimin

dhe t’ia hiqnin. Se vizimet janë nerva, damarë të gjakut.

Në portën e katërt e kontrolluan sërish Fjalorin

e madh të Gjuhës Shqipe

​​sa një arkivol foshnje. Dhe

nuk e di në cilën portë u vendos

që t’ia jepnin të burgosurit

veprën. Ia kishin blerë prindërit duke sjellë ushqime

​​​​​ më pak. Buka

të zëvendësohet me fjalë? Ca mish me foljet,

​​​​ mbiemrat me ëmbëlsirat?

Pasthirma do apo cigare

apo kuptimet e dyta, prejardhjen,

përdorimet, humbja, gjyqi,

pse the kështu,

ç’deshe të thoshe, agjitacion

​ dhe propagandë kundër shtetit, neni 55, para-grafi I, dënohet fjala dhe erdhi Fjalori i Gjuhës Shqipe

në burg,

i bardhë, ballëpërballë

me Kodin Penal,

Abeli kundër Kainit.

U tronditëm. Na kishte marrë malli.

Iu mblodhëm rretherrotull

si Gurit Filozofal.

(Ne kishim mësuar të lexonim

në Ah-betare

​​​​​ psherëtimash!)

Gjuha është burrë, ndërsa neve

së pari na flet nëna, se kush tha.

Fëshfërinin fletët e librit si fustanellë. Kërkonim fjalët e dashurisë.

Ato, ato… A e di ti

​që shtojzovalle vjen nga urimi:

shtona Zot vallet? Dhe

kushtrimi ka kuptimin:

kusht asht’ trim! Ne

​​​​​ guxojmë

të themi: kemi frikë në ferr,

​​​ vdesim në duart e një tjetri​

që jemi po vetë. Na rrahin të vdekur, thyhen brinjët e verbit të fatit, nxihen si vendet e plagëve,

fjalë të zeza të gjuhës shqipe,

të huazuara

…diktaturë… spiun… parti…

shtohen britmat, i bërtasin

të burgosurit që

s’bën dot normën nëndhé,

te të vdekurit,

atij që përkëdhel kalin

​​si perëndimin atëror të diellit,

​​që lexon në rrjesht horoskopin e syve.

Dhe e çojmë dorë më dorë, ç’kërkojmë të gjejmë aty, ngrohtësinë e rrënjëve, limfën fjalëformuese,

kuptimet e shumta

si gjethnajë habije?

Fjalorin dikush e mbështjell

me arnojcë batanijeje

​​​​​​ si me kohën

apo mjegullat e pushtimeve barbare,

​​​​ dalin fjalët,

bashkë me barin çajnë dyshemenë

e ftohtë, i përkëdhelim me duart

plot plagë, dhembja

ngjyen fjalët, rmbushen fletët…

Ti e ke këtë libër, pyet ofiCeri i shërbimit, pa ta shohim Ç’ke fshehur?

C-ja si u bë Ç? Cili në çfarë? Me ç’prangë? Njollat e gishtave

bëjnë pis semantikën

si të ishte sharje. Shpërthejnë

ato si plumbat

​ mbi të burgosurin

​​​që donte të arratisej,

përpëlitet kumti i pëgjakur

dhe e përpin toka.

Dhëmbë të thyer, parashtesa, prapashtesa të flakura.

Na i dogjën prapë fjalët në Çamëri bashkë me vatrat,

mbush grushtet me hi amanetesh

​​​​dhe i shpërndaj nëpër varre.

I masakruan fjalët, na i këputën

më dysh, gjysma tjetër

është matanë telave me gjemba,

në Kosovë dhe unë flas jerm,

me lidhëza të vdekura, s’kuptohem, nyje të helmuara.

Krim i madh mbi fjalët…

​​si një tren lufte

​​​që çan një kope të bardhë delesh

dhe ikën trembja e tyre, ikën…

Nën ullinjtë arbëreshë

pushojnë tufat me kangjele të trishta.

​​​E mbajmë Fjalorin me duart e zemrës

si shpresën,

aq sa duam ta hamë për ta bërë palcë të eshtrave tona

​​​​​​ të lodhura

për të mos mbetur të paqenë.

Ti, Gjuha Jonë,

që shpjegon dhe emra Perëndish, lutju atyre të zbutet ndëshkimi,

të bashkohen fjalët

si buzët kur puthen. Fjalët janë njerëz

​​ dhe gjuha më shumë se popull: gjithçka e gjallë

dhe qytetet e vdekura, netët

e kështjellave, zjarret,

udhët nëpër trupin e jetës nën yllësitë e dëshirave, portat, kërkëllima

e tyre, varret, heshtja e eshtërt, klithmat – edhe të pemëve,

bërthama e frutit, uritë, porositë, shenjtët, urtitë, zogjtë dhe

shiu, ndërgjegjja në gur, dëshmitë

e tokës, çarjet

dhe dramat, të pathënat, rrënjët, magjitë, torturat, liria

deri dhe veturat e dashurisë, trenat, rënkimet, djepet e rinj,

agullimat që s’kanë lindur ende,

​​ i presim të vijnë bashkë

me fëmijët –

se belbëzon foshnjërisht

dhe agu fjalët e ditës së parë

të krijimit të botës. Dhe ashtu

le të bëhet… ​

WHEN THE DICTIONARY

OF THE ALBANIAN LANGUAGE

ENTERED SPAÇ PRISON

Translated by Ani Gjika

From the first gate

to the second

through a barbed-wire path

​​like crime’s memory.

At the third gate there were

only claws. And they leafed

through it lest any hope

or consolation be hidden inside

​​​ to kill him.

They checked for any underlined words to find motive

and remove it. Because underlined marks are nerves, blood vessels.

At the fourth gate they checked

the Dictionary

of the Albanian Language again

​the size of a baby’s coffin. And

I don’t know at which gate it was decided to give the book

to the prisoner. His parents

had afforded it

​​by bringing him less food. Can words

replace bread? Can verbs

replace meat,

​​​​ adjectives sweets?

Do you prefer shouts or cigarettes

or implied meanings, origins,

usage, loss, trial, why did you say so,

what did you mean to say, agitation

​and anti-government propaganda, Article 55, paragraph 1,

the word is punished

and so the Dictionary of the Albanian Language arrived in prison,

white, face to face

with the Penal Code,

Abel against Cain.

We were shocked. We had missed it.

We circled it as though it were

the Philosopher’s Stone.

(We had learned to read

by the moans’ textbook).

Language is a father, while the first

to speak to us are mothers,

someone said.

The book’s pages ruffled like skirts. We were looking for the words

of love.

They, they… Did you know

that: shtojzovalle (nymph) comes from the greeting: shtona Zot vallet? (let us dance, Lord)?

And: kushtrimi (battlecry) means: kusht asht’ trim (the one that’s brave)! We dare

to say: we are afraid in hell,

​​we die in the hands of another

who is none other than ourselves. They beat us dead, the ribs

break, blackened like wounds,

black words of the Albanian language, borrowed

… dictatorship… spy… party…

the shouts increase, yelling

at the prisoner who

can’t perform the norm so near

the dead.

And we pass it from hand to hand. What do we seek

to find there? The warmth

of the roots, the word-forming lymph,

multiple meanings like a foliage

of disbelief?

Someone wraps the dictionary

with a patched up blanket

​​​ as with time

or the mists of barbaric invasions,

​​words come out,

words and grass break the cold floor,

we caress them with our hands full

of wounds, pain

colors the words, the pages fill out…

Is this your book, asks the officer,

let me see it. What are you hiding?

Finger stains sully semantics

as if they’re profanity.

They explode like bullets

on the prisoner

who wanted to escape,

the bloodied body writhes and

the earth devours it.

Broken teeth, prefixes, discarded

suffixes.

They burned our words and hearths again in Çamëria,

​​I fill my fists with the ashes

of promises

and scatter them over the graves.

They massacred words, cut them

in half, the other half

is on the other side of the barbed wire, in Kosovo and I’m talking

​​​ in delirium,

in dead conjunctions, I’m not understood.

A great crime commited on words…

​​like a war train

​that plows through a white flock

of sheep

and their fear flees…

​We safeguard the Dictionary

with our hearts

as hope, so much so that we want

to eat it

and turn it into the marrow

of our tired bones

not to remain non-existent.

You, Our Language,

you who also explain the names

of the gods,

ask them to soften the punishment, ask words to join

like lips when kissing. Words are people

and language is more than people: everything is alive

the dead cities, castle nights, fires,

journeys through the body of life under the stars of desire, gates,

their grief, graves, the golden silence, the cries – even of the trees,

the core of the fruit, hungers, messages, saints, wisdom, the birds and rain, earth’s testimonies,

its cracks

and dramas, the unspoken, the roots, the magic, the torture, the freedom

even love, trains, groans,

new cradles,

suns that have not yet dawned,

​we are waiting for them to come

with the children —

because even dawn speaks

like a newborn the words

of the first day

of the world’s creation.

And so it is done…

***

May be an image of text that says "E FRIKES Poezi æ ç TIME 光 THREE 三 IN LIGHT GATHERING"

See insights and ads

Create Ad

All reactions:

88

Filed Under: Ekonomi

Saga diplomatike e Ballkanit në një pjesë botimesh të Shaban Muratit

February 22, 2024 by s p

Çerçiz Loloçi/

Libri i radhës i Shaban Muratit “Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi” plotëson sagën diplomatike të Ballkanit, me një sërë botimesh të mëparshme për të gjitha vendet e gadishullit tonë, që pavarësisht hapave të hedhura integruese në tri dekadat e fundit, një pjesë e tij, megjithëse me përkatësi europiane, mbetet jashtë kësaj familje kontinentale.

Për shkak të profesionit dhe të editimit të një portali, nga autorë të tjerë të zëshëm nga Ballkani, kam parë libra të veçuar për një apo dy shtete, por ende nuk kam gjetur një autor që të fokusojë të gjitha vendet, me epërsitë dhe boshllëqet e tyre, siç ngjet me diplomatin tonë që vlerësohet herë si patriark i diplomacisë dhe herë tjetër si një institucion akademik i pavarur, që ndjek dhe analizon ftohtësisht zhvillimet, aktet, marrëveshjet e mosmarrëveshjet dhe që ka një zë origjinal brenda dhe jashtë vendit.

Pavarësisht keqkuptimeve, mërive, mospajtimeve, protagonizmit të tepruar dhe shpesh të lajthitur të politikanëve në të gjitha viset e natyrshme, është fakt i pakontestueshëm që shqiptarët përbëjnë kombin më të rëndësishëm në Ballkan, me kontribute të hershme dhe të sotme në qytetërimin dhe vlerat perëndimore.

Fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s, që Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, diku më shumë dhe diku më pak, me përkatësi shqiptare, janë gjithashtu anëtarë të Aleancës Euroatlantike, që shteti më i ri i Europës ka partneritet me SHBA, flet për një përfaqësim gjithnjë në rritje të faktorit shqiptar në planin ndërkombëtar.

Natyrisht SHBA, Bashkimi Europian, Anglia, Gjermania dhe Italia janë partnerët më të rëndësishëm për viset tona, por përveç tyre, sipas analistit të vëmendshëm Murati, një rëndësi të veçantë për interesat tona marrin edhe raportet me Maqedoninë e Veriut, Kroacinë dhe Turqinë.

Pikërisht në këtë botim të fundit, me mbi tridhjetë e shtatë analiza, të publikuar në kohë të ndryshme, autori tërheq vëmendjen për ridimensionim marrëdhëniesh me shtetin më të madh të Ballkanit, me Turqinë, pa pretendime territoriale, me lidhjet të hershme dhe të reja, me prani të hershme në NATO dhe institucione të tjera ndërkombëtare, me një kujdes të posaçëm kur kërcënohet integriteti tokësor.

Kohë më parë, falë një mbështetje nga një organizatë jofitimprurëse, kam publikuar dy libra modestë për Turqinë, njëri që mbështetej në të dhënat e partisë “Për drejtësi dhe zhvillim” të Erdoganit, që duhet marrë me rezervë se nuk ka forcë politike që flet keq për vetveten dhe një tjetër “Turqia, nga fuqi rajonale në superfuqi botërore”, që mbështetej në të dhënat e agjencive më të mëdha botërore, BBC, SETimes, Voice of America (VOA), Deutsche Welle (DW) dhe kompani të tjera lajmesh nga të gjitha kontinentet. Përzgjedhja e 77 artikujve nga shtypi më serioz botëror dhe sjellja në një botim, përpos dëshmive që jepen për këtë vend mik, kanë gjithashtu edhe apelin për klasën politike shqiptare për një rivlerësim të marrëdhënieve mes tyre. Turqia ashtu si edhe Shqipëria kanë tashmë një raport specifik me SHBA, kanë gjithashtu dekada bashkëpunimi me Europën, çka është një bazë e mirë për të ecur më shpejt në rritjen e ekonomisë dhe në forcimin e institucioneve.

Post Scriptum:

Disa nga botimet e Shaban Muratit janë mbështetur nga fondacioni “Çamëria”, çka vlen një mirënjohje për të dhe drejtuesin Alket Veliu.

Filed Under: ESSE

Ta shtojmë kujdesin për gjuhën tonë!

February 21, 2024 by s p

Nga dr. Sadik Elshani/

Ne të gjithë me të drejtë krenohemi për gjuhën tonë të ëmbël e të bukur, njërën nga gjuhët më të vjetra në botë, por shumë pak jemi duke u kujdesur për të, që ta flasim e ta shkruajmë bukur, pastër. Poetët tanë më të mirë, Naimi, Fishta, Mjeda e shumë të tjerë,  vargjet më të bukura pikërisht ua kushtuan gjuhës shqipe, për t’ua ngjallur shqiptarëve dashurinë për gjuhën e tyre, “si gjuhë Përendie”. Por, siç duket thirrjet e tyre po bien në veshë të shurdhër.

Ka kohë që niveli i gjuhës sonë të folur e të shkruar është duke u përkeqësuar dita – ditës. Mjafton të lexosh gazetat, revistat e shtypura, portalet elektronike, te percjellësh programet radiofonike e televizive dhe menjëherë bie ne pah ky nivel i mjerueshëm në të cilin ka rënë sot gjuha jonë. Fjalë të huaja të panevojshme e të çoroditura janë duke e vërshuar, duke e dhunuar gjuhën tonë. Por, jo vetëm në fjalor, edhe në sintaksë vërehen gabime të shumta. Thurja e fjalive, radhitja me vend e fjalëve dhe sipas rregullave gramatikore të gjuhës shqipe në fjali ka rëndësi të madhe, sepse në të kundërtën, i humbet kuptimi fjalisë, mendimit të shprehur. Po ashtu, gabimet drejtshkriomore janë të pranishme në shumicën e shkrimeve gazetareske e publicistike, madje edhe në dokumente zyrtare të organeve, institucioneve tona shtetërore e akademike. Gabimet gramatikore, përdorimi i fjalëve në forma të gabuara, nuk mungojnë as në veprat letrare të autorëve seriozë.

Shqetësimet e mia për disa probleme të gjuhës sonë i kam shprehur në dy shkrimet e mëhershme: “Ta pasurojmë dhe ta pastrojmë gjuhën e bukur shqipe” (Dielli, Illyria, 2017), “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” (Dielli, Illyria, 2018). Në këtë shkrim do të cek disa probleme lidhur me përdorimin e gabuar të disa foljeve dhe përemrave.

Përdorimi i foljes humb në diatezë e kohë të gabuar

Nuk ka ditë që të mos lexojmë në gazeta tituj me përdorim të gabuar të foljes humb – diatezë e kohë të gabuar. Në vend të kohës së kryer të thjeshtë, diatezës veprore të foljes humb, përdoret koha e tashme e diatezës pësore vetvetore. Ja disa shembuj: “Doktori humbet kontrollin…”, në vend të: “Doktori humbi kontrollin…”, “Kur bota humbet fillin, e fajin ty ta hedh…”, në vend të: “Kur bota e humb fillin, e fajin ty ta hedh…”, “Eli Fara humbet personin e dashur dhe bën këtë dedikim…”, në vend të: “Eli Fara humbi personin e dashur dhe bën këtë dedikim…”.

Përdorimi i gabueshëm i përemrit pyetës “kush” në vend të “cil/i,- a”

Në të folur dhe të shkruar shpesh e hasim të përdoret gabimisht përemri pyetës “kush” në vend të përemrit pyetës“cili”. Përemri pyetës “kush” përdoret për të pyetur për një njeri, ndërsa përemri pyetës “cili”, sipas “Fjalorit të shqipes së sotme”, “përdoret për të pyetur drejtpërdrejt ose tërthorazi për një frymor (në kuptimin “kush”) ose për një send. Pra, shpesh “kush” ngatërrohet me “cili”. Ja disa shembuj te marrë nga disa gazeta: “Ja kush vajzë është shembull…”, në vend të: “Ja cila vajzë është shembull…”, “Kush janë planet tuaja për të ardhmen?”, në vend të: “Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?”, “Në kush serrë keni punuar?”, në vend të: “Në cilën serrë keni punuar?”, “Kush shtet e lejon këtë?!”, në vend të: “Cili shtet e lejon këtë?”

Përdorimi i gabueshëm i foljes “jap”

Folja e parregullt “jap” (pj. “dhënë”) në kohën e kryer përdoret gabimisht në të folmen e Prishtinës dhe disa qyteteve përreth. Në vend se në vetën e tretë të kohës së kryer të thuhet: ka dhënë, ia ka dhënë, thuhet gabimisht: ka jap, ia ka jap. Ndodh edhe e kundërta: në kohën e pakryer në vend se të përdoret forma “jap”, përdoret gabimisht forma “dhënë”. Shembull: ia dhake, në vend të: ia jepte. Gati çdo herë mund t’i dëgjoni këto ngatërrime nga gazetarët e analistët nëpër studio televizive të Prishtinës.

Ngatërrimi i gjinive të përemrave pronorë

Nëpër shumë shkrime të gazetave, madje edhe në veprat letrare, në poezi e prozë, të shumë autorëve seriozë hasim në përdorimin e gabuar të mbiemrave pronorë të gjinisë femërore në rasat gjinore, dhanore e rrjedhore. “Sime” është rasa gjinore, dhanore, rrjedhore e përemrit pronor të gjinisë fgemërore, “ime”, por që përdoret gabimisht, “time”. Në vend se të shkruhet: nënës sime, Norës sime, shkruhet: nënës time, Norës time. “Time” përdoret në rasën kallëzore. “Sonë” është rasa gjinore, dhanore e rrjedhore e përemrit pronor të gjinisë femërore “jonë”, por që shpesh përdoret gabimisht, “tonë”. Në vend se të shkruhet: gjuhës sonë, shkollës sonë, ndërgjegjes sonë, shkruhet gabimisht: gjuhës tonë, shkollës tonë, ndërgjegjes tonë. “Tonë” është rasa gjinore, dhanore, kallëzore e rrjedhore e përemrit pronor “ynë”, kallëzore e përemrit pronor “jonë”. Pra, vendit tonë, gjuhën tonë, etj.

Këta janë vetëm disa shembuj të përdorimit të gabuar të disa foljeve e mbiemrave, por ka edhe shumë raste të tjera ku fjalët përdoren gabimisht. Këtu nuk po ndalem te fjalët e huaja që e kanë vërshuar gjuhën tonë, sepse ato i kam trajtuar në shkrimet e cekura më lart. Duhet të kujdesemi më shumë për gjuhën tonë, sepse siç ka thënë profesor Eqrem Çabej: “Ajo është një nga elementet e kombësisë sonë”. Një rol të rëndësishëm, do te thosha kyç, duhet ta luajnë gjuhëtarët e shkrimtarët tanë, shkollat e të gjitha niveleve, institucionet shtetërore e akademike. “Nga se sot rrezikohet gjiuha shqipe?” – e shtron pyetjen profesor Gjovalin Shkurtaj dhe vetë e jep pergjigjen: “Nga mospërfillja, nga mungesa e kujdesit të organizuar e të drejtuar nga shteti, nga botimet e paredaktuara e të pakorrektuara, si dhe nga njëfarë ndjenje e përgjithshme neëvleresimi ndaj saj”. Ndoshta ky mendim i profesor Shkurtajt është me vend, por punët kryhen vetëm atëherë kur dikush ngul këmbë, vendos se kështu nuk mund të vazhdohet më. Ka ardhur koha, madje edhe kaluar, që të themi: mjaft është mjaft!  Është koha që të veprojmë dhe jo vetëm të vëzhgojmë sesi niveli i gjuhës sonë, te shkruar e te folur, është duke rënë poshtë e më poshtë. Duhet pak më shumë kujdes, këmbëngulje e dashuri për gjuhën tonë. Ti shfletojmë më shpesh faqet e “Fjalorit të shqipes së sotme” e të “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, të merremi më seriozisht me problemet e gjuhës sonë, sepse të flasesh e të shkruash bukur, pastër gjuhën tënde nuk është vetëm kulturë, por është edhe atdhedashuri. 

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT