• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2024

Sot “Dita e Presidentëve Amerikanë” dhe betimi në mbrojtje të Kushtetutës

February 19, 2024 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Sot SHBA feston Ditën e Presidentëve, duke nderuar udhëheqësit e shquar që kanë formësuar historinë e kombit amerikan. Kjo ditë njihet gjerësisht si nderim për presidentët George Washington dhe Abraham Lincoln pasi që të dy kanë lindur gjatë muajit shkurt.

Në betimin e marrjes së detyrës, Presidenti i ShBA, betohet se “unë do e kryej detyrën e Presidentit me të gjithë forcën dhe aftësinë time” dhe se do mbrojë Kushtetutën e vendit.

E veçanta e këtij betimi është se në të janë përcaktuar tre fjalë: “preserve, protect and defend” (ruaj, t’i qëndroj besnik, të mbroj) të cilat në thelb kanë kuptimin “mbroj” por në fakt etërit amerikanë kanë përcaktuar qëllimisht tre fjalë të cilat parashikojnë tre skenarë të ndryshëm në lidhje me Kushtetutën ndaj të cilave Presidenti duhet të qëndrojë vigjilent dhe i vendosur në mbrojtje të saj.

1. “Të ruaj”

“Të ruaj” Kushtetutën siç na është votuar dhe mbështetur nga populli, zotohet Presidenti. Pushtetarët ikin e vijnë por ajo mbetet themeli i një shteti. Ajo është vetë shteti. “Të ruaj” Kushtetutën, zotohet ai, pa lejuar asnjë eksperiment por duke respektuar trashëgiminë e kombit dhe vullnetin e një populli.

Për më shumë se dy shekuj asnjë gërmë e tekstit bazë të Kushtetutës nuk është prekur, por janë shtuar vetëm 27 amandamente, 10 prej të cilave u shtuan në vitin 1791 – të njohura si Bill of Rights – e më pas u shtuan edhe 17 të tjera, e fundit në vitin 1992.

Kjo tregon rëndësinë dhe shenjtërinë e Kushtetutës: e ruajtur, e respektuar, e pandryshuar, e pa dhunuar. Ndaj edhe ShBA është lider i kombeve sepse sekretin e ka te Kushtetuta.

Nëse Shqipëria do t’i afrohet sado pak shtetit të së drejtës duhet të mbêshtetet edhe ajo vetëm tek Kushtetuta.

2. “T’i qëndroj besnik”

Kështu ai betohet se jo vetëm do ruajë Kushtetutën që kanë lënë trashëgimi etërit e kombit dhe vullneti i një populli por zotohet t’i qëndrojë besnik duke dhënē shembullin t’i bindet çdo gërme dhe frymës së Kushtetutës. Kështu ai do jetë shembull dhe shtysë si për qeveritarët ashtu edhe për çdo qytetar të thjeshtë.

Etërit amerikanē, përmes kësaj fjale përçuan mesazhin që Presidenti ka si detyrë të jetë garantues i Kushtetutës. Madje i pari në mbrojtje të saj!

3. “Ta mbroj”

“Ta mbroj” nga çdo përpjekje e brendshme apo e jashtme për ta cenuar atë. Fjala që kanë zgjedhur etërit amerikanë është “defend” që do të thotë t’i dalësh përballë me trupin, forcën, të gjithë qenien tënde çdo përpjekjeje për dhunim, shkelje, abuzim, sulm dhe kërcënim nga aktorë të brendshëm dhe të jashtëm.

Etërit amerikanë i kërkuan Presidentit të përdorë të gjithē fuqinë e tij dhe çdo mjet që disponon individualisht por edhe institucionalisht në mbrojtje të Kushtetutës.

Kjo është ShBA! Ky është “qyteti mbi kodër”, ai vizioni i pelegrinëve të parë që ia arritën të ndërtonin një shtet tek i cili do përqendroheshin prej shekuj sytë e të gjitha kombeve.

Ky është shembulli sublim i demokracisë, i shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit.

Filed Under: ESSE

#SiSot, më 19 shkurt të vitit 1879, u lind në Shkodër poeti, nënshkruesi i Deklaratës së Pavarësisë dhe qeveritari, Luigj Gurakuqi

February 19, 2024 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Në vitet 1901-1906, kreu studimet universitare në Napoli. Më tutje, debutoi me sukses si poet lirik, udhërrëfyer prej poetit të mallit, Filip Shiroka. Me veprën “Vargënimi n’gjuhë shqype me nji fjalorth shqyp-frëngjisht n’marim” (Napoli, 1906), Gurakuqi bëri të parën orvatje për kodifikimin e metrikës së poezisë shqiptare. Pak kohë më pas, botoi në Bukuresht veprën “Abetar i vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime n’dy dhialektet” (lexo dokumentet), që qendron si gurthemel i të gjithë përpjekeve të tij në drejtim të lëvizjes kombëtare, arsimore e kulturore në epilog të Rilindjes Kombëtare dhe në nisje të zhvillimeve të Pavarësisë.

Si rrallëkush, Gurakuqi mundi të përjetojë në pozitën e ndërvepruesit qendror disa prej ngjarjeve më kulmore të historisë së vendit tonë, në hyrje të shekullit të kaluar. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit krah përfaqësuesve të Shkodrës: Gjergj Fishtës, Dom Mjedës, Hilë Mosit e Mati Logorecit. U zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit. Më 1909-n, në cilësinë e drejtorit të së parës shkollë normale që u hap në Elbasan, kontribuoi në kristalizimin e arsimit mbi baza kombëtare.

Në 1912-n, u angazhua në mënyrë të intensifikuar në organizimin e kryengritjes së përgjithshme. Mëvetësia, u komunikua në deklaratën e formuluar nga Ismail Qemali, të shkruar prej Gurakuqit. Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës, u zgjodh ministër i Arsimit. Më 1913-n, mori pjesë në Konferencën e Londrës.

Në kabinetin disaditor të Hasan Prishtinës, iu besua posti i ministrit të Brendshëm. Gurakuqi mori pjesë në Kongresin e Durrësit (1918), prej nga ku u vendos rikthimi i tij në krye të Ministrisë së Arsimit. Qe anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris.

Udhëhoqi Revolucionin e Qershorit 1924 dhe u emërua ministër i Financave në qeverinë e kryesuar nga Fan S. Noli. Pas shtypjes së Revolucionit, u largua drejt Italisë, në Bari, ku më 2 mars 1925, ra viktimë e një atentati.

#LuigjGurakuqi

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

Filed Under: Histori

Disa mendime të hedhura mbi vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken në Tiranë – Në kërkim të një shpjegimi racional!

February 19, 2024 by s p

Frank Shkreli/

“U mundova gjithashtu të gjej fjalën demokraci në fjalimet e Sekretarit të Shtetit, por nuk e gjeta askund. Anashkalimi i fjalës “demokraci” dhe opozitë”, si dhe mos takimi me faktorë të tjerë politikë të shoqërisë shqiptare nga Z. Blinken gjatë vizitës në Tiranë nuk është një shenjë e mirë për zhvillimet demokratike në Shqipëri, as për marrëdhëniet midis dy vendeve.”

Ishte viti 1975. President këtu; në Amerikë ishte Gerald Ford, i cili si zëvendës president zuri vendin e ish presidentit Nikson që për arsye të skandalit Watergate është detyruar të jepte dorëheqjen.

Presidenti Ford ka mbajtur një fjalim atë vit me të cilin i ka mohuar qytetit të Nju Jorkut ndihmë financiare federale; megjithë thirrjet për ndihmë për të mënjanuar falimentimin financiar, me të cilin përballej qyteti. Ditën e nesërme gazeta e Nju Jorkut Daily News në faqen e parë kishte botuar artikullin: “Ford To City: Drop Dead.” Ford i thotë qytetit: Shko, vdis!

Në të vërtetë, presidenti Ford nuk i kishte shqiptuar këto fjalë në fjalimin e tij, por ky ishte interpretimi i gazetës Daily News i refuzimit të Fordit për të ndihmuar Nju Jorkun, financiarisht.

Presidenti Ford pranoi më vonë se këto fjalë botuar në gazetën e përditshme të Nju Jorkut megjithëse nuk i kishte thënë, i kushtuan atij presidencën, ndërkohë që Xhimi Carter u zgjodh president.

Ky rast m’u kujtua ndërkohë që po ndiqja vizitën 8 orëshe të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë.

Mbeta i zhgënjyer nga mungesa e takimeve të Z. Blinken me përfaqësues të asaj, që ende quhet “opozitë” në Shqipëri , një subjekt në vetvete për gabimet e saja madhore, u mundova gjithashtu të gjej fjalën demokraci në fjalimet e Sekretarit të Shtetit, por nuk e gjeta askund.

Që Sekretari i Shtetit, i vendit më demokratik në botë -Amerikës tonë të dashur – ku gëzojmë liri e demokraci të mos flasë për vlerat demokratike amerikane dhe universale në një vend si Shqipëria, është një sakrilegj. Sidomos gjatë një vizite miqësore në një Shqipëri, që është kaplluar nga një krizë grindjesh të brendshme politike dhe korrupsion në të gjitha nivelet, ndërkohë që vetë Departamenti i Shtetit dhe Freedom House, ndër të tjera ente ndërkombëtare, në raportet vjetore të Drejtave të Njeriut, vit pas viti, e kanë cilësuar Shqipërinë, si një vend pjesërisht i lirë – madje 34 vite pas shembjes së Murit të Berlinit. Shumica e shqiptarëve e kanë të vështirë të më kuptojnë se cili është realiteti i marrdhënieve shqiptaro-amerikane: Raportet vjetore mbi të drejtat e njeriut, apo “Te Deum” që përfaqësuesit perëndimorë i akordojnë shpesh pushtetit aktual në Tiranë, ndërsa vendi zbrazet nga më të mirët dhe më të edukuarit e kombit.

M’u kujtua prap vizita e parë e një delegacioni amerikan në Tiranë në mars/prill 1991. Delegacioni kishte vendosur të takohej me të gjithë përfaqësuesit e shtresave të shoqërisë shqiptare. Kishim ftuar edhe përfaqësuesit e tre feve të posa dalur nga burgjet komuniste, në pritjen e parë në 50 vjet në të ashtuquajturin,“hotel” Dajti nga një delegacion amerikan në Shqipëri. Tre klerikët e shkretë ashtu të vuajtur nga burgu dhe me shëndet të dobët nuk i besonin vetes as rrethanat në të cilën gjendeshin atë natë: të ftuar në pritje nga delegacioni i parë amerikan në Shqipëri, ndërsa përfaqësuesit e regjimit të atëhershëm komunist, të cilët kundërshtuan që të ftoheshin klerikët dhe personalitete të tjerë, përveç autoriteteve komuniste, dukej se i thonin njeri tjetrit, çka na gjeti me këta amerikanët?!

Idea ishte që përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë shqiptare, jo vetëm autoritetet e larta, për herë të parë në 50 vjet, të takoheshin me njeri tjetrin në të njejtën sallë, të persekutuarit e komunizmit, disa të liruar vetëm disa ditë më parë, me disa prej persekutorëve që mbanin në fuqi atë regjim komunist kriminal.

“Deri më sot kam paralajmëruar se në Shqipëri “Demokracia nuk pret”. Duke parë zhvillimet e fundit politike më duket sikur ka skaduar ekperimenti me demokracinë në Shqipëri. Kam drojë se Demokracia e vërtetë në Shqipëri ka pësuar një goditje të rëndë vitet e fundit. Vendi është në prag të një monizmi autokrat, që i ngjan një vendi të botës së tretë në zhvillim se sa një vendi anëtar të NATO-s. Uroj që të mos kemi arritur në një gjendje që në vend që të festonim marrëdhëniet e mira shqiptaro-amerikane me rastin e vizitës së Sekretarit të Shtetit Blinken të ngushëllojmë njëri tjetrin për vdekjen e demokracisë shqiptare”

Vura re se kësaj here, Z. Blinken nuk kishte gjetur 2 minuta kohë për të përshëndetur madje as me klerikët shqiptarë, të cilët regjimi shpesh i përdor si pasqyrim të bashkjetesës fetare. Mos vallë ka pas droje se klerikët mund t’i kenë shprehur përfaqësuesit të lartë amerikan shqetësimet e tyre në lidhje me dukuritë komuniste të kohëve të fundit në Shqipëri, për të cilat Kisha Katolike Shqiptare bëri një deklaratë publike kohët e fundit. Pajtimi kombëtar midis shqiptarëve, Z. Blinken edhe aq i nevojshëm sot sa ç’ishte edhe më 1991.Vizita e Sekretarit te Shtetit Blinken në Tiranë kërkon një shpjegim racional, por unë nuk e gjej dot. Levdatat për një lider dhe një qeveri të tillë nga një kryediplomat amerikan, është vështirë t’i gjesh në komunikimet diplomatike midis dy vendeve, sidomos përballë, zhvillimeve të fundit në Washington të çështjes korruptive “Mcgonigal”.

Kjo mungesë, siç duket e qëllimshme, për të parë realitetin aktual politik shqiptar ashtu siç është, nuk i shërben marrdhënieve të mira shqiptaro-amerikane, as stabilitetit politik në Shqipëri, as paqes në rajon e proceseve demokratike në Shqipëri, jo se jo. Ndonëse nuk e tha ashtu me fjalë në Tiranë, disa analistë e cilësuan këtë mungesë, sikur Sekretari i Shtetit Blinken i tha “lamtumirë” demokracisë shqiptare, në favor të monizmit, të një partie-shtet dhe të “stabilokracisë”, ose në favor të ndonjë qëllimi tjetër të brendshëm ose të jashtëm. Krejt ndryshe nga të gjithë paraardhësit e tij demokratë e republikanë, që kanë vizituar Tiranën gjatë tre dekadave të fundit, e të cilët nuk kanë ngurruar aspak dhe asnjëherë të flasin në mbështetje të demokracisë, dhe të pajtimit e bashkpunimit aq i nevojshëm për shqiptarët e vuajtur nga komunizmi. Për demokracinë si një sistem i preferuar qeverisjeje, kundër korrupsionit, në favor të lirisë dhe barazisë, të drejtave të njeriut. Sidomos në mbështetje të lirisë së fjalës dhe shtypit të lirë, si baza e të gjitha lirive dhe të drejtave të tjera.

Për 2-3 dekada të tranzicionit pseudo- komunist në Shqipëri, jam munduar, modestësisht bazuar në përvojën time, të paralajmëroj shpeshherë se demokracia atje është në rrezik, se vlerat demokratike po shkeleshin haptas dhe qëllimimisht nga klasa politike shqiptare, se grindjet politike po i shkatonin vendit rreziqe të brendshme dhe të jashtme politike, qëllimi kryesor i të cilëve ishte dhe është ruajtja e pushtetit të tyre për më shumë se tre dekada tani. Se pa zgjedhje të lira dhe pa opozitë reale në Shqipëri nuk mund të kishte demokraci, as liri, as stabilitet në vend as në rajon dhe as ndarje “vlerash të përbashkëta”, as marrëdhënie “krah për krah” me Shtetet e Bashkuara, siç dëgjojmë shpesh nga persona të caktuar, nga të dy palët, të cilët e quajnë të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë. Përfaqësuesit amerikanë duhet që të mbrojnë, kudo në botë, vlerat dhe demokracinë amerikane, si garanci për zbatimin e të drejtave universale në shërbim të paqes dhe sigurisë në botë.

“Vura re se kësaj here, Z. Blinken nuk kishte gjetur 2 minuta kohë për të përshëndetur madje as me klerikët shqiptarë, të cilët regjimi shpesh i përdor si pasqyrim të bashkjetesës fetare. Mos vallë ka pas droje se klerikët mund t’i kenë shprehur përfaqësuesit të lartë amerikan shqetësimet e tyre në lidhje me dukuritë komuniste të kohëve të fundit në Shqipëri, për të cilat Kisha Katolike Shqiptare bëri një deklaratë publike kohët e fundit.”

Anashkalimi i fjalës “demokraci” dhe opozitë”, si dhe mos takimi me faktorë të tjerë politikë të shoqërisë shqiptare nga Z. Blinken gjatë vizitës në Tiranë nuk është një shenjë e mirë për zhvillimet demokratike në Shqipëri, as për marrëdhëniet midis dy vendeve. Me simbolikat gjatë vizitës në Tiranë, sikur i dërgoi, mesazhin “Lamtumirë demokraci” për afër 50 për qind të votuesve shqiptarë, të anashkaluar dhe të përjashtuar gjatë tre dekadave të kaluara: “Drop dead”, ne jemi më të interesuar në stabilitet se për vlerat demokratike, të drejtat dhe liritë tuaja.

Sa për dijeni tuajën Z. Sekretar Shteti, pothuaj nuk ka familje shqiptare nga këta 50 për qind të shqiptarëve që të mos ketë dikë në Shtetet e Bashkuara. Shumë prej tyre e kanë pësuar keq nga komunizmi veçse përmendnin emrin e Amerikës gjatë komunizmit. Ju me të drejtë përmëndet Zërin e Amerikës si të vetmin kontakt me Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë regjimit komunist. Shumë shqiptarë janë dënuar vetëm e vetëm se dëgjonin Zërin e Amerikës gjatë dekadave të komunizmit diktatorial. Rrënjët e shpresës, besimit dhe dashurisë për Amerikën janë të thella tek shqiptarët pa dallim, Z. Blinken. Mos t’i zhgënjejmë të shkretët më shumë se tre dekada pas shëmbjes së Murit të Berlinit.

Tirana zyrtare, Z. Blinken ende nuk ka dënuar krimet e komunizmit as nuk është distancuar nga regjimi barbar i Enver Hoxhës, siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste evropiane. Ne shqiptaro-amerikanëve, si shtetas të këtij vendi të bekuar, votues dhe taksa pagues të Amerikës tonë të dashur, na intereson shumë fati i familjeve tona atje, sepse me ta kemi gjakun e përzier Z. Blinken. Shumë prej tyre e kanë pësuar shumë keq nga komunizmi, vetëm e vetëm, se shumë nesh jetonim e vepronim në Amerikë. Për shumë shqiptarë, Z. Blinken, një mur i vogël i Berlinit ende ekziston. Prandaj, për mua dhe për shumë miq e kolegë të mi në Amerikë dhe në Shqipëri, vizita e juaj në Tiranë nevojit një shpjegim racional, por është e vështirë të shpjegohen deklaratat ose heshtjen ndaj disa çështjeve të tjera me rëndësi për atë vend dhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

Megjithkëtë, kam thënë shpesh se marrëdhëniet amerikano-shqiptare ishin dhe duhet të mbeten popull me popull dhe jo të favorizojnë një person ose një parti politike. Kështu i duan shqiptarët marrëdhëniet e veçanta me Shtetet e Bashkuara.

“Vizita e Sekretarit te Shtetit Blinken në Tiranë kërkon një shpjegim racional, por unë nuk e gjej dot. Levdatat për një lider dhe një qeveri të tillë nga një kryediplomat amerikan, është vështirë t’i gjesh në komunikimet diplomatike midis dy vendeve, sidomos përballë, zhvillimeve të fundit në Washington të çështjes korruptive “Mcgonigal”.

Për fat të keq, vizita e Sekretarit Blinken në Tiranë më la një shije të keqe se ndoshta në fakt dhe në realitet në sytë e Washingtonit zyrtar aktual, një krah politik, pasardhësit e familjeve komuniste në Shqipëri janë të preferuarit e politikës aktuale amerikane, disa të nënës e disa të njerkës. Vizita juaj Z. Blinken vetëm përforcoi këtë ndjenjë reale në radhët e shqiptarëve, në Shqipëri por edhe në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan. Kjo është e dëmshme për marrëdhëniet mis dy kombeve tona.

Nuk është sekret se në Shqipëri flitet për të “favorizuarit” e Washingtonit. Nuk do të kishte gjë më të rrezikshme për marrëdhëniet e mira dypalëshe midis Washingtonit dhe Tiranës se mbështetja e njërës ose tjetrës palë politike shqiptare nga diplomacia amerikane. Shqiptarët kanë nevojë për pajtim dhe jo për nxitje të përçarjeve, si rezultat i animeve politike në favor të pushtetit në fuqi, ose personave të caktuar, nga diplomacitë perëndimore, sidomos nga Washingtoni zyrtar. Një gabim shumë i rëndë që është përsëritur dhe siç duket vazhdon të zbatohet nga miqtë e shqiptarëve perëndimorë, duke sjellur në atë vend rreziqe të brendshme të pa parashikueshme për stabilitetin e një jete politike normale në Shqipëri.

Deri më sot kam paralajmëruar se në Shqipëri “Demokracia nuk pret”. Duke parë zhvillimet e fundit politike në atë vend, përfshirë zhvillimet në parlament, me duket sikur ka skaduar ekperimenti me demokracinë në Shqipëri. Kam drojë se Demokracia e vërtetë në Shqipëri ka pësuar një goditje të rëndë vitet e fundit, me pasoja të pa parashikueshme për paqën dhe stabilitetin në atë vend dhe në rajon! Vendi është në prag të një monizmi autocrat, që i ngjan një vendi të botës së tretë në zhvillim se sa një vendi anëtar të NATO-s.

“Ndonëse nuk e tha ashtu me fjalë në Tiranë, disa analistë e cilësuan këtë mungesë, sikur Sekretari i Shtetit Blinken i tha “lamtumirë” demokracisë shqiptare, në favor të monizmit, të një partie-shtet dhe të “stabilokracisë”, ose në favor të ndonjë qëllimi tjetër të brendshëm ose të jashtëm.”

Uroj që të mos kemi arritur në një gjendje që në vend që të festonim marrëdhëniet e mira shqiptaro-amerikane me rastin e vizitës së Sekretarit të Shtetit Blinken të ngushëllojmë njëri tjetrin për vdekjen e demokracisë shqiptare, si përfundim i mos përkrahjes së vendeve perëndimore të proceseve demokratike në Shqipëri dhe si rrjedhim i ndërhyrjeve të tyre të pakëshillueshme në zhvillimet e brendshme politike të marrëdhënieve midis dhe brenda partive shqiptare. Shqipëria ka nevojë për pozitë dhe opozitë!

Megjithë shqetësimet serioze të mia dhe të tjerëve, unë vazhdoj të besoj se nuk ka asnjë parti as ndonjë individ sado i plotfuqishëm të jetë, që mund të largojë ose të distancojë shqiptarët e të gjitha rrymave politike nga dashuria për Amerikën dhe amerikanët. Këtë nuk e bëri as Enver Hoxha megjithë propagandën e tij anti-amerikane prej gjysëm shekulli. Miqësia 100 vjeçare shqiptaro-amerikane, popull me popull, do jetojë ndër shekuj! Politikanët dhe diplomatët aktualë, nga të dy palët, janë të përkohshëm, ndërsa dy popujt tanë dhe marrëdhëniet midis tyre janë të përhershme.

I Madhi Zot e bekoftë Amerikën tonë të dashur dhe Kombin shqiptar të vuajtur në ditë të mira dhe të vështira!

Filed Under: Analiza

Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë

February 19, 2024 by s p

Atifete Jahjaga/

Krahas festës në këtë datë historike, pata kënaqësinë të ndaj panelin me Emina Cunmulaj për të diskutuar një kauzë që na bashkon, kauza e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Nën moderimin e Ambasadorës Zana Rudi, shpalosëm fakte mbi përdorimin e dhunës seksuale si armë lufte, për shëndrrimin e padrejtë të trupit njerëzor në një fushëbetejë, për fatin e dhimbshëm të rreth 20.000 të mbijetuarëve të dhunës seksuale. Ky diskutim është një thirrje për veprim, thirrje për drejtësi, thirrje për njohjen e qëndrueshmërisë së këtyre të mbijetuarve duke kujtuar se lufta jonë për liri dhe pavarësi është e lidhur ngushtë me sakrificat dhe guximin e tyre.

Jam e lumtur që nga tani e tutje Fondacioni Jahjaga dhe Fondacioni Emina’s Hand kanë bashkuar forcat për të punuar në fuqizimin e të mbijetuarëve dhe avokimin për drejtësi në nivelin ndërkombëtar.

Filed Under: Ekonomi

VATRA TELEGRAM URIMI PËR 16 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS

February 17, 2024 by s p

Me rastin e 16 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, uroj qytetarët e Kosovës e çdo shqiptar kudo në botë: Gëzuar Pavarësinë Kosovë. Qofsh e përjetshme, faqebardhë, e lavdishme, historike, krenare dhe legjendare.

Pavarësia e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, është ngjarja e dytë më e rëndësishme në historinë moderne të popullit e të kombit shqiptar.

Në themelet e shenjta të Pavarësisë është gjaku i heronjëve dhe i dëshmorëve të lirisë, është sakrifica sublime e luftëtarëve dhe çlirimtarëve, heroizma e UÇK-së, qendresa e familjes Jashari, kontributi i mërgatës së Amerikës, Europës e rezistenca mbarëpopullore e shqiptarëve në trojet etnike.

Në këtë 16 vjetor çdo shqiptar është krenar për rrugëtimin, progresin dhe zhvillimin e Kosovës.

Qytetarët e Kosovës lëvizin në BE pa viza, Kosova po fuqizon rolin e saj në raport me ndërkombëtarët, miqësinë e përjetshme me Amerikën, progresin me Institucionet e BE, qasjen euroatlantike dhe fitoren e padiskutueshme në dialogun me Serbinë.

Me arritjet madhore e progresin në çdo fushë, Kosova sot përbën krenari kombëtare.

Mirënjohje përjetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s, miqve, partnerëve dhe aleatëve tanë perëndimorë.

Gëzuar përjetë Kosovë.

Me emocion të veçantë

Kryetari i Vatrës

Elmi Berisha

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT