• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2024

MISSIONARY HERALD (1911) / RRËFIMI I PASTORIT AMERIKAN PHINEAS BARBER KENNEDY : “NJË UDHËTIM ME KALË NËPËR SHQIPËRI ËSHTË JO VETËM SHUMË INTERESANT, POR ZBULON EDHE RËNDËSINË E SAJ TË MADHE SI FUSHË MISIONARE…”

February 3, 2024 by s p


Burimi : Missionary Herald, maj 1911, faqe n°321
Burimi : Missionary Herald, maj 1911, faqe n°321

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 3 Shkurt 2024

“Missionary Herald” ka botuar, në maj të 1911, në faqet n°320 – 321, rrëfimin e pastorit amerikan Phineas Barber Kennedy mbi mundësinë e zhvillimit dhe përhapjes së letërsisë së krishterë asokohe në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Terren strategjik

(Fusha e Turqisë Evropiane)

Burimi : Missionary Herald, maj 1911, faqe n°320 – 321
Burimi : Missionary Herald, maj 1911, faqe n°320 – 321

Në shënimet e bëra së fundmi nga Pastori P. B. Kennedy mbi Shqipërinë si fushë misioni, një pikë e veçantë i kushtohet karakterit të saj strategjik dhe urgjencës së mundësive të tanishme atje :

“Shqipëria është vendi i mrekullueshëm malor në pjesën perëndimore të Turqisë në Evropë, në kufi me Adriatikun. Këtu sapo ka nisur puna nga Bordi Amerikan, ndonëse prej shumë vitesh interesohet për Konviktin e Vajzave në Korçë, i drejtuar me sukses nga Zonjusha Sevasti Qiriazi, dorëheqja e së cilës së fundmi do të bëjë të nevojshme ndryshime të rëndësishme. Puna persekutohet vazhdimisht nga qeveria dhe kisha ortodokse greke. Aktualisht, kjo shkollë ka gjashtëdhjetë nxënës ditorë dhe njëzet konviktorë. Vajzave u refuzohet hyrja për shkak të mungesës së hapësirës, pasi ambientet aktuale janë shumë të ngushta.

Ndërsa ky komb sapo ka filluar të zgjohet për përdorimin e gjuhës së tij, nevoja dhe mundësia për letërsinë e krishterë është përtej përshkrimit. Unë mendoj se është kombi i fundit në faqen e dheut që nuk e ka Biblën e Shenjtë në gjuhën e vet, megjithëse Shoqëria Biblike Britanike dhe e Huaj tani po mendon të marrë përsipër këtë punë. Për këtë kanë vendosur një shtypshkronjë të madhe në Manastir. Vetë shqiptarët kanë nisur botimin e disa gazetave. Tani është rasti për t’u dhënë atyre literaturë të krishterë, që ndikimet e tjera të mos dëmtojnë të ardhmen e tyre të ndritur.

Puna ungjillore po fillon edhe në Elbasan, një qytet në Shqipëri, tre ditë udhëtim me kalë në veri të Korçës. Po bëhen përpjekje për hapjen e një institucioni të madh për djem dhe të rinj. Vetë shqiptarët, si të krishterët ashtu edhe myslimanët, janë të etur për të. Një institucion i tillë, dhe ndoshta një spital më vonë, do të përparonte shumë interesat e Krishtit në këtë pikë strategjike. Një udhëtim me kalë (nuk ka asnjë mjet tjetër transporti) nëpër këtë vend është jo vetëm shumë interesant, por zbulon rëndësinë e tij të madhe si fushë misionare. Për të arritur botën myslimane, duhet të arrish Turqinë. Për të arritur Turqinë, duhet të arrish racën e fortë, të guximshme të shqiptarëve, të cilët mbajnë kaq shumë poste drejtuese në të gjithë perandorinë, veçanërisht në ushtri. Për të arritur Shqipërinë, është e nevojshme të përmirësohet hapja e mrekullueshme providenciale brenda kësaj race të fortë dhe të pavarur.”

Filed Under: Reportazh

Gjuha e bukës – Giuseppe Skirò di Maggio \ Zef Skiro di Maxho

February 3, 2024 by s p

Ornela Radovicka 

Qëndra Albanologjike  kërkime dhe studime  mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar në 1980.  

Gjatë vizitës së promovimit të librit” Fotosintezë e shpirtit tim” të gazetarit Rifat Rexhepit, në Hora të Arbërshëve, në drejtimin e shoqatës “Hora e Skëndërbeut”,me  Dani Morina e Veli Genc Berisha, si dhe të të shoqëruar nga dy miq të mirë  shembull  të mbrekullueshëm  të botës arbëreshe  Salvatore di Chiara, si edhe Lino Parrino, shkuam për një vizitë në shtëpinë e shkrimtarit profesori Zef Skiro di Maxho, prodhues artistik i botës arbërore, lëvrues i shumë  shumë zhanërve. Në shtëpi na priti  edhe  zonja Marg Scilipa një poete e ngrohtë, një grua fisnike ku ruan ende  atë elegancë që as orari biologjik nuk mund të ta heq kurrë. Të gjithë së bashku kaluam disa çaste shumë të këndëshme. Momenti më i bukur për mua është kur më dhurojnë libra. Ky xhest nuk u mjaftua vetëm nga profesori por edhe  Zonja Margarita e cila  më dhuroi  vëllimet e saj me  poezi(që do të ndalem herës tjetër për  të folur për to). 

Mbrëmjen e karnavaleve, të 2024 e cila u festua midis ndërrimit  të datës 10 janar duke u gëdhirë 11 janar, më afrohet një vajzë arbëreshe dhe më dhuron librin “Gjuha e bukës” të autorit Giuseppe Skirò di Maggio \ Zef Skiro di Maxho. Atë natë shkrimtari  Giuseppe Skiro di Maggio mbushte 80 vjeç.

Atë mëngjes, ndërsa  prisja fluturimin, nxorra librin “ Gjiha e bukës” e  nisa ta shfletoja. Brënda në ato faqje perceptova se poezitë  ishin shumë aktuale. Në këto  poezi  të autorit   Skiro di Maxho ndihej sopravvivenza (mbijetesa) arbërore, ai sentiment të pastër dhe e pandotur që i rezitoi kohës si mjet  autentik  sikur të ishte një monument në gurë. 

Struktrura e këtij vëllimi poetik  është ndarë në tre pjesë, të cilat  ndjekin një farë evolucioni organik  midis tyre; “Sunata”, “ Anno zero”, “Kopica e Ndryshku”.  

Në kapitullin e parë, autori Skiro lëvron  me poezi  mbi fizikën dhe egistencializmin;” Pa folur rrinë zëra njeriu\ se flasin veglat e duarve të djersitura- do shkruante autori tek poezia “ Lëndë” 

Vetëdija për një entitet e cila  nuk kuptohet nëse nisimi vetëm  nga e tashmja, por duhet  filluar në mënyrë radikale  nga e kaluara dhe e projektuar në të ardhmen.; “Jemi  duke mbajtur mbi shpatulla peshën  e rrënjëve të  shekujve, si dhe urtësinë e “ndërgjegjes së re” – do shprehej autori në ato poesi të shkurtra dhe herë lakonike.  

 “Janë buzë që flasin pa përgjigje”, ndërsa  “Koha nis sërish e ngushëlluar nga mungesa”. 

 “koha” si antiteza më e fuqishme, pjesë e eksponentit  “ Asimilim”. Vetëdija e qenies është koha”, 

ai koncepti “ Kohë”  ku Vitet rrjedhin  dhe arbëreshi  po bëhet pre e zhdukjes së  tij.  

“ Hapsira” në poezitë e autorit  ngelet me dozën  e saj territoriale, e limituar, midis binomit “ Njeriu dhe etnia”. Hora  në vargjet e tij  është një hapsirë  sa reale por edhe aq agnostike. Autorin e frikson e ardhmja e Horës  e futur ne labirintin  “ Globalizim”.  Vetëm nëse ndalon e vëshgon  sytë e Horës  mund të kuptosh rrjedhshmërinë, lëvizjejen e saj, tërbimin e saj.  I zhytur në shtjellat hapsirë-kohë, një shërbëtyre si mal me rrënjë uji, shfaqet, ku erërat  nyjëzohen, kumbora e orëve të Odhigjitrisë  çanë mjegullat e gjynjëzuar, e ndijim misteresh  thërrasin në jetë kalorsit e Skënderbeut- shkruan autori  

Për poetin Skiro di Maxho; Dielli nuk kthehet në rreze, por një “copë e vjedhur nga era”,pjezësa fotoni të nderur në diell.

Shpesh herë  mendimi i tij  apostrofohet në klauzolën “fizik dhe moral”; “Ne, si pemët lëngjet i sjellim nga dhethi ku lindëm, bota është mozaik, dhe epitafet zgjerojnë “rrënjë dhe lartësi” e të çon  përtjej atij kufirit alabstër. 

Me fjalën e tij të lirë, autori na përcjellë  në një rrugë të hapur, midis një “perëndimi dhe agimi” me  vështirimin nga  lindja. Në mbrëmje duart të vogëla e të thata të bujkut zhveshin shpirtin e heshtjes, hapin derën puhive të vakta ku gratë unjeshin nën hije,  rrëfenin përrallat, vajzat në dhomat e arta qendisnin pajën, e këndojnë Pecutën e butë, që i rriti mirë. Intinerari i kthimit  drejt Horës “gdhendet në palcë”. 

Jeta, një  kafshim e puthje stinësh, valë që ikin nga krahët duke shkumuar, ndërsa malli i hollë  përdridhet, te rrëza e Kumetës  nën tingujt e kumborës me ajrin e qëlluar barsë.  

Cdo gjë lind, zhvillohet dhe vdes, por “para se të fiket çdo zë arbëresh, brenda qarkut të këtyre maleve  të nxjerrim thirrma kushtrimi për rrezikun, të humbas e folmja jonë”.  

Në Hora sa herë  kthehesh mund të kesh harruar ndonjë fjalë, por Hora ta kujton. Ajo është fjalori  më i gjallë sepse  çdo gjë frymon arbërisht,Shkëmbi, Sheshi, Përroi, kroi, lumi i Gjonit. Këtu që nga viti 1488 është një Arbëri. Spërkat vargjet me notat e identitetit të tij, arbëresh në gjuhë dhe në rit.  Stema e Horës janë kallinjtë dhe ylli. Simbolet e bollëkut dhe simboli i lashtësisë si popull. “Korrën këtu një kalli\ mbeti i vetëm si gisht i nderë drejt qiellit. Ne mbajën e kallirit vendosa vetëtimën të fërgëllojë\ kur të fryjë era në kaltrsi e tokë.”  

Për autorin, rënia e apoteozës të dështimit të filozofisë së altruizmit efektiv është plaga e shekullit.  

Që  prej 2000 vjet flasim për teoremën më të lartë të virtutit humanë “Dashurinë” për njeri-tjetrin,  dhe ky projekt gjithmonë dhe më i dështuar,“Do të duhej të duheshim ka dy mijë vjet\ por i varfëri edhe tash qan e qesh me zgërdheshje”- do të shkruante Ai tek  poezia  “Dashuria” .

Autori shkon më thellë asaj aksiome  të tuprshme humane  krimi i kryer i  qënies njërëzore, dhe për këtë  ai  na përcjellë në  Portellë, Purtelja e Gjineshtrës. Një mëngjes Maji 1947 me flamuj nëpër duar  u vranë një grupë të pafajshëm midis  tyre edhe edhe një  vogëlueshe 8 vjeçare. “Perëndimi ka pasqyrim gjaku, e nesërmja do të jetë mot i mirë” – do të përfundonte vargjet  autori.   

Në pjesën e parë nuk mungojnë edhe poezitë e karakterit  erotik.  Poezia “Eva” e cila mbartin  vargje me nota të “sofistikuara” joshëse; “i djersitur, i bjerrë, në të miat humnera, yti nur”, po ashu edhe tek  vargjet  “Hermione” gjejmë  nota erotike me sfumaturë malinconie dashurie; “jeta tek kufiri i një çasti.”      

Pjesa e dytë“Anno zero”, është një stil kaligram, dhe mund të themi që ka patur një farë influence nga simbolizmi francez. Në këtë pjesë të librit poeti Skiro di Maggio, na përcjellë  vargjet e tij të skicuara,  gjë që na kujton  poetin  Apollenair,  i cili kanalizoi  në veprat e tij frymën e inovacionit e cila u ndje në Evropë midis shekujve XIX dhe XX. Këto poezi të Skiroit ndërpresin në mënyrë drastike lidhjet me traditën poetike tradicionale dhe përdorin  herë në  stilin vertikal, si  një “ gotik modern”  dhe herë atë horizontal si faqet intime si në një kartoline. Ky stil  i jep liri  kufizimeve te metrikës, dhe gjuha  që përdor, i japin  një “dizenjo” kuptimit.

Pjesa e fuqishme dhe e drejtpërderjt është pjesa e trete, “Kopica e Ndryshku”. Në këtë kapitull duket sikur autori ka në dorë atë forcë ndergjegjeje, një bagazh sa kulturor aq edhe pjekuri shpirtërore,  që e ndihmon   për të kuptuar gjithshka mbi botën e arbëreshit dhe çfarë po ndodh me të në botën e globalizimit,:”Lanë gjuhën tonë\ kultura lëtire\ aq mendimet na i pushtoi”. 

Me forcën kritike të ngjyer në sarkazmën e tij  poeti Skiro  iu drejtohet bashkëatdhetarëve të  vet se identiteti , si dhe sensi i përkatësisë është virtuti më suprem për individin e një grupi  që kanë lidhje në gjuhë dhe sentiment; “Mëma arbëresh e ardhur nga qyteti\hedhur papandehur\mbi qetësinë fjalë lëtirë të mbajë\ foshnjen të ikën te vapa\ vieni qui dove vai\ non correre, fermati\.. 

Shpopullimi ngelet një nga argumentat në poezinë e Skiro di Maxho, por autori shpreson tek etnia e tij, tek komunieteti tij; “Arbërshi i destinuar ti mbijetojë çdo Polis…  Unë,Ti, Ai\ Ai, Unë, Ti\Ti, Ai Unë\Unë Ti Ai. 

Një skicë  ku secili ka identitetin e tij, të gatshëm për  një integrim  në botën globale, por  kurrë i asimiluar! 

Poeti Skiro di Maxho e di shumë mirë se nëse diçka duhet të ngelet e përjetshme, duhet investuar tek brezat e rinjë-“Vetëm ata do ti japin lagëshirë rrënjëve arbëreshe- thotë  poeti, dhe më tej vazhdon me nota akoma më të forta për të gjithë ata që nuk dinë rëndësisnë e kësaj gjuhe më të lashtën në  Europë – “Kur  fëmijët do të mësojnë në bankat e shkollës, atëherë dielli do të lëshojë rreze mbi trutë e arbërshëve duke bërë kulturë, tregëti, politikë  në gjuhën amtare do të fitojnë më shumë nga gjindja e huaj,  edhe më të nderuar do të jenë”.  

Në kapitullin e fundit vargjet e tij herë duken si monolog e herë kethehen në dialog virtual dhe në këtë vorbull autori herë  introspektiv  dhe i kamufluar dhe  herë  i hapur, vozitë në shtjellat e Horës. 

 Kthehet në bir i erës, ku çdo pjesë e mendimit të tij prek Horën,  pasqyrohet mbi  liqen dhe  pa zënë në gojë fakte historike,  penetron  indirekt në historikun e e Horës, në ato kohë   të një krenarie të të artë 1488-1819 ku Hora filloi të çelte me shkëlqimin e saj arbërore si një feniks,  sepse ajo u ndërtua mbi të pamundërën. Hora, vizionare me një planimetri ndërtimi mbi  300 vjeçare. U ndërtua autonome, me administratë arbëreshe në gjuhë dhe të ritit bizantin , me shkollën e parë arbëreshe të Matrëngës  në 1593.Hora me banorët e saj por edhe me kulturën e saj, arbëreshët  njohës të katër gjuhëve: Latinishtja si gjuhë zyrtare, greqishtja e ritit, gjuha rajonale e tregëtisë  si edhe arbërishtja gjuha e bukës.  Por Hora ishte edhe fisnike, dy herë në vit lejonte të huaj në festën e Shën Mërisë që të vizitohej qyteza.  

Illuminizmi për Skiroin është forma më lartë e ndërgjegjes.  Dielli është metafora e tij. 

Drita kur të preki ndërgjegjen e arbëreeshit vetëm atëherë  Hora e ka arritur misionin e saj, dhe të vazhdojë të qëndrojë  si një mbretëreshë e gjallë  e fisnike 600 vjeçare  me madhështinë e saj.

 Ky  Diell , kjo ndërgjegje për Skiro di Maxho nuk është Utopi,  por  është një “Ëndërre?”  Pikëpyetja  që shoqëron fjlën “ Ëndërr” është, forma më demokratike  e  indirekte për ti përfshirë  bashkëqytetarët e tij në çështjen më të madhe, atë të ruajtjes së identitetit. 

Esklamacioni  i tij final është eshtë një euphemèo , është retorika që përmban përgjigjen; Mjafton të  kesh shpirtin arbëror dhe pavdekësia e saj bëhet realitet!  

Vëllimi poetik “Gjuha e bukës” të autorit Skiro di Maxho është  plot me figura letrare. i përshtatur në shqipen standart, dhe tek tuk gjejmë fjalë arbërisht, por tingullimi i fjalëve në arbërisht i shtojnë bukurinë sa artistike në stil ashtu dhe në përmbajtje këtij vëllimi poetik.

 “Mizare( bletët) dhe fëmijët rreth grumbujve me rrush të gangulluar pas vjeljes

Butet(fuçitë e verës), rrufullisnin me kërthi të hapur, dhe vjeshta dehet vetëm me të bukurën.”

Në këto rreshta arkadike të  një një panoramë dioniziane si dhe të shpirtit njerëzor ndërthuret  bashkimi i përsosur i të vetëdijshmes dhe të pavetëdijshmes.   

Ornela Radovicka 

Qëndra Albanologjike  kërkime dhe studime  mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar në 1980.  

Filed Under: Kulture

RREZE NGA DRITA E KOLOSIT MARTIN CAMAJ

February 3, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

Nga moria e mënyrave dhe mjeteve për pasurimin e gjuhës shqipe te romani “Karpa” kam veçuar tri raste fjalëformimi me prejqrdhje dhe një rast me kompozita.

Që te romani “Rrathët” e vendosa Camajn krah Kadaresë për parapëlqimin e prapashtesës ~shëm. Edhe te ky roman konstatoj se kjo është prapashtesa më prodhimtare në krijimin e fjalëve të reja. Kam numëruar rreth 85 fjalë që më tingëllojnë të reja dhe më shumë se 50 prej tyre përdoren për here të parë krahasuar me romanin paraprijës. Funksioni kryesor i këtyre fjalëve është ndajfoljor dhe vetëm katër raste janë si mbiemra. Po sjell vetëm ato fjalë që janë përdorur më shumë se një herë:

argëtueshëm, drojshëm, i gjithëmbarshëm, pakujtueshëm, përfrigueshëm, shlirueshëm, vëmendshëm,  zilishëm.

Prapashtesa e dytë që më tërhoqi vëmendjen për pasurinë e saj është ~as/z dhe dallohen për një fushë më të gjerë pasurimi pasi përveç mbiemrave dhe ndajfoljeve, shtrihet edhe në sitemin emëror. Mbizotëruese janë ndajfoljet, si: ballafaqas, bashkas, kalamendas, kalaz, mburras, ndamas, ngulmas, pandërpremas, përpiktas, saktas.

Fjalëformimi me parashtesën për~ shtrihet në siistemin emëror, foljor, por edhe te mbiemrat dhe ndajfoljet.

Emra: përditje, përdhunë, përkënaqje, përlavdim, përsjellje.

Folje: përflitet, përjarg, përngjaj, përnjësohet.

Ndajfolje: përbrenda, përethshëm, përfrigueshëm, përkënaqshëm, përpikëtas.

Mbiemra: përbamës, i përbrijshëm, i përndjekun.

Ndër kompozitat mjaft prodhuese shfaqen në pjesën e pare emrat krye dhe punë dhe përemri gjithë si: kryenaltë, kryepincingul, kryepingul, kryevogël, punëdorësi, punëmadhësi, gjithëditën, i gjithëmbarshëm, gjithjetën. Për pjesën e dytë më tërhoqën vëmendjen kompozitat ballafaqas, prishakandas, dijekeqas. 

për~:  përbamës, përblozë, përbrenda, i përbrijshëm, përbujshëm, përditje (përditshmëri), përdhunë, përethshëm, përflitet, përfrigueshëm, përjarg, përkundra, përmbas (nd), përmbi, përngjaj, përjetës, përjetim, përjetoj, përkënaqem, përkënaqje, përkënaqshëm, përlavdim, përlavdohet, përmajesh (nd), i përndjekun, përngadalë, përnjësim, përnjësohet, përpikëtas, lope përqumështi, përsjellje, përvijë. 

~as/z: bestytës, dalëzotës, i dhanë deshtas (me dashje), dijekeqas, haptas, jermas, kobojas (banor), ndërlidhas (nd), përbamës, përzies (e), rrafshas, rrëmbyes (mb), shkëmbyetas, shqyrtues (mb), fshamje trishtuese, shtrihej vutas, zhbiruetas, zhgjetues (mb). 

KOMPOZICIONI I NJË VEPRE

(Vepra 8, Onufri 2010,

“DRANJA, madrigale mbi fatin e një frymori të papërsosun”)

E shkruar në gjysmën e dytë të viteve ’70 të shekullit të kaluar, kjo vepër më çon një dekadë para se të shkruhej, atëherë kur beharet e fëmijërisë sime i kishin breshkat një përbërës zbavitës. Shkonim për t’i kullotur bagëtitë deri te Përroi i Thellë afër Ziçishtit e Shënkollasit dhe lirishtat mbi të ishin rezidenca e tyre kryesore, ishin të shumta prandaj kishte për çdo fëmijë; duke qenë ne të vegjël, ato na dukeshin të mëdha, hipnim mbi to dhe i përdornim për të rrëshqitur te faqet e pjerrëta të përroit. Nganjëherë tregoheshim edhe mizorë, sidomos kur kujtonim se ato kishin shërbyer si ushqim për trupat italiane të pushtimit.

Martin Camaj vjen me një personazh të tillë, të quajtur Dranja, por shpejt bëhet lidhja me emrin vajzëror Drande, emër që shkon pastaj te trëndafilja. E konceptuar me tri pjesë dhe e realizuar poetikisht me madrigalë, vepra mund të lexohet në rrafshin e drejtpërdrejtë duke zbuluar autorin si vëzhgues i hollë, por edhe në rrafshin simbolik, pasi largimi i Dranjes nga ana e Drinit bëhet shprehës i fatit të vetë Camajt.

Në dy pjesët e para “Përvojë jete” dhe “Mprehje shqisash” breshka zhvendoset në natyrë duke vështruar me sytë e autorit, kurse në pjesën e tretë “Fryma e ngujueme në asht” jep rizbulimin e Dranjes këtë herë vetëm si zhguall. Arshi Pipa ka bërë një analizë të detajuar për këtë vepër.

VËSHTRIM METRIK

(Vepra 9, Onufri 2010,

përmbledhjet poetike “Nji fyell ndër male” dhe “Kanga e vërrinit”)

Strofat:

Te përmbledhja poetike “Nji fyell ndër male”, botuar në Prishtinë në vitin 1953, bien në sy ndërtimet strofike me një mbizotërim të strofës katërvargëshe në 24 poezi, kurse strofat e tjera janë me numër të pakët, dy pesëvargëshe, një trevargëshe dhe një gjashtëvargëshe.

Te përmbledhja poetike “Kanga e vërrinit”, botuar në Prishtinë vetëm një vit më vonë, ky raport ka ndryshuar duke nxjerrë në plan të parë 22 poezi me varg të lirë, 13 poezi me strofa katërvargëshe, dy poezi me strofa dyvargëshe dhe gjashtëvargëshe, nga një poezi me strofë trevargëshe, një pesëvargëshe dhe një sonnet.

Rimat:

Te përmbledhja poetike “Nji fyell ndër male” mbizotëron rima e kryqëzuar ABAB me 20 poezi, rima e puthur dhe rima e alternuar me nga dy poezi, te poezia me tercina skema është ABA BCB, te dy poezi pesëvargëshe skema është ABABC DEDEC, kurse te dy poezi me strofa gjashtëvargëshe skema është ABABCC. 

Te përmbledhja poetike “Kanga e vërrinit”, Camaj ka përdorur vetëm rimën e kryqëzuar me 12 poezi, në një poezi skema është ABCB, 

rima e puthur ndeshet vetë te dy poezitë me distikë, te poezitë me tercina, me pesë dhe gjashtë vargje skemat janë njëlloj me vëllimin paraprijës, kurse soneti është shkruar me skemën ABAB CDCD EFG EFG.

Vargjet:

Te përmbledhja poetike “Nji fyell ndër male” ka një larmi vargjesh duke filluar nga 7-rrokëshi te 12-rrokëshi, si dhe kombinime të ndryshme brenda strofave. Camaj nuk është i gurtë ndaj masës së rrokjeve, prandaj ka një mes 11 dhe 13 rrokjeve në 13 poezi. Ndër kombinimet vendin e parë e zë kryqëzimi i 12-rrokëshit me 8-rrokëshin, në strofat katërvargëshe tre vargjet e para janë 11-ose 12-rrokësh, kurse vargu i katërt është 5-, 6- ose 7-rrokësh.

Te përmbledhja poetike “Kanga e vërrinit” Camaj priret nga vargjet e kombinuara me zhvendosje të vargut të shkurtër nga vargu i dytë te i katërti, kurse te strofat gjashtëvargëshe më të shkurtër janë dy të fundit.

Filed Under: LETERSI

AVOKAT YLBER DAUTI NGA SHIFRA REKORD 15 MILION DOLLARË PËR KLIENTËT SHQIPTARË TE FONDACIONI “BRAHIM CEN DAUTI” NË NDIHMË TË STUDENTËVE NË SHQIPËRI

February 3, 2024 by s p

Sokol Paja

* Vetëm gjatë vitit të fundit 2023, Avokati Ylber Dauti ka fituar mbi 15 milionë dollarë për klientët e tij shqiptarë.

* Njëra nga çështjet, ku klienti shqiptar fitoi 4 milionë dollarë, bëri bujë edhe në shtypin amerikan (u botua në ‘New York Law Journal’ dhe ‘Verdict Search Reporter’). 

* Argumenti elokuent i Av. Dauti para Gjykatës së Apelit të New York-ut bindi trupën gjykuese të përbërë prej 5 gjyqtarësh të rrëzoje vendimin e gjykatësit të shkallës së parë dhe të vendosë në favor të klientit shqiptar. Argumenti i avokatit Dautit është i regjistruar dhe mund të shikohet në uebsiten a gjykatës së apelit të New York-ut. 

* Pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm në Amerikë Av. Dauti nuk ka harruar se nga ka ardhur. Ai ka krijuar Fondacionin “Brahim Cen Dauti” (në nder të emrit, dhe përkujtimit të babait të tij) për të ndihmuar studentët shqiptarë në përgjithësi dhe ata të rrethit të Hasit në veçanti.

Shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës krahas shumë fushave të tjera, arritjet në fushën e jurisprudencës shënojnë jo vetëm suksese e arritje personalo- profesionale por ngjarje komunitare e krenari kombëtare. Ylber Dauti përbën një rast të veçantë të suksesit shqiptar në fushën e drejtësisë amerikane. 

Vetëm në vitin 2023 ai, falë mbrojtjes profesionale e aftësive të tij të spikatura, në favor të klientëve të tij solli mbi 15 milion dollarë. Ai u ndryshoi jetën shumë klientëve shqipetare dhe te kombesive te tjera të përballur me padrejtësi, aksidente në punë, mjekime të gabuara, lëndime fizike apo cënime të ndryshme të të drejtave individuale. 

Falë aftësive të tij oratorike e analizuese, avokat Ylber Dauti arriti fitore spektakolare edhe përballë trupit gjykues te perbere nga 5 gjyqtarë te Gjykates se Apelit te Nju Jorkut. Me prova e fakte, dokumente autentike, burime të patjetërsueshme, falë aftësive analizuese të ngjarjeve, situatave, grup fakte-provave, fuqisë bindëse, ai ka nxjerrë fitimtarë klientet e tij duke shënuar suksese dhe arritje historike për jetën e çdo klienti. 

I qetë, hulumtues, i drejtë, i ndershëm, i vërtetë, kurajoz, këmbëngulës, modest, kërkues, argumentues, elegant, elokuent, i ftohtë, bindës dhe skrupuloz, avokat Ylber Dauti ka krijuar një profil të lartë profesionisti te i cili edhe shumë shqiptarë kanë besuar fatet e fatkeqësive të tyre, por që fatmirësisht për ta fundi ka qenë i lumtur. Cilësia e lartë e shërbimit, besimi i ofruar, përvoja mbi njezet vjeqare, eksperienca e fituar, ekspertiza eksplicite, investimi i aftësive specifike e përkushtimi absolut në çështjen e klientëve i kanë sjellë suksesin e merituar. 

Me sukseset gjithnjë në rritje, me klientë të të gjitha shtresave, fushave, interesave e nacionaliteteve të ndryshme, avokat Ylber Dauti ka krijuar e konsoliduar një emër shumë të nderuar në avokatinë amerikane dhe ate nderkombetare pasi Avokat Dauti eshte i liqensuar ne Amerike, Angli dhe Shqiperi. Para rreth njezet vitesh avokat Ylber Albert Dauti themeloi studion e tij ligjore “The Dauti Law Firm” ne Nju Jork dhe që nga ajo kohë e deri më sot, ai ka mbrojtur me sukses interesat e qindra klienteve.

Avokat Ylber Dauti është shumë i dashur dhe i vlerësuar nga komuniteti shqiptar, shoqatat e organizatat shqiptare në New York e më gjërë. Nëpërmjet kësaj interviste ekskluzive me Editorin Sokol Paja, Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhe gazeta Dielli i shprehin vlerësim e mirënjohje për shërbimin dhe mbështetjen e pakursyer për vite me radhë.

AVOKATI SHQIPTAR YLBER DAUTI MODEL I KORREKTËSISË DHE PROFESIONALIZMIT

Avokati shqiptar Ylber Dauti, vazhdon të jetë një model i veçantë për të gjithë ata që ëndërrojnë majat e suksesit profesional në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në 23 vite karrierë në Amerikë ai është radhitur në elitën e avokatëve amerikanë duke qene model dhe pikë referimi për shumë shqiptarë. Ai është i pari avokat shqiptar në Amerikë që është anëtar i përjetshëm i “MULTI-MILLION DOLLAR ADVOCATES FORUM”. Avokat Dauti për 10 vitet e fundit është votuar dhe zgjedhur nga kolegët e tij si SUPER LAWYER. Ai gjithashtu ka fituar çmime të tjera si “Top 100 Lawyers in America”, “Best Attorney”, “Top American Lawyer”, etj. 

Zyra e tij ligjjore ka regjistruar më shumë se 30 çështje milionëshe dhe multimilion dollareshe të fituara për klientet e tij dhe për avoketët të tjerë të cilët kanë kërkuar ndihmën dhe ekspertizën profesionale të Av. Dauti për të arritur rezultatet maksimale për klientët e tyre. 

Krahas ngarkesës me çështjet gjyqësore që ndjek, ai është i angazhuar edhe si lektor nëpër universitete të Europës (Universiteti i Tilburgut ne Hollande), Azisë (Universiteti Kyushu ne Japoni) dhe Amerikës (Universiteti Lehigh), dhe jo rrallë, i zënë me median amerikane (Hollywood Life, Christian Post, New York Law Journal, Gotham Gazette, Verdict Search Reporter) dhe atë ndërkombëtare (China Times, Vitnam Times, Chinese Daily), që kërkojnë opinione e intervista prej tij si ekspert i lartë në fushën e drejtësisë.

STUDIO LIGJORE E AV. YLBER ALBERT DAUTI, ATY KU KLIENTËT FITOJNË MILIONAT

Zyra Juridike “DAUTI LAW FIRM, P.C”, ndodhet në një nga zonat më të lakmuara të Manhattanit, në zonen e Wall Street (39 Broadway) është shëndërruar në një institucion të jashtëzkaonshëm konsulence, mbrojtjeje, suksesi e përfaqësimi gjithnjë e në rritje. Kanë qenë të shpeshta raportimet për sukseset e shkëlqyera të kësaj zyre në favor të klientëve shqiptarë. Përfaqësimi dinjitoz i klientëve, mbrojtja e tyre maksimale, ofrimi dhe shqyrtimi i të gjitha klauzolave ligjore, korrektësia në ndjekjen e procedurave dhe gatishmëria dhe përkushtimi për t’iu përgjigjur situatave e ngjarjeve të paparashikueshme, kanë rritur besimin e klientëve dhe garancinë e tyre në përfaqësimin me sukses në sistemin e drejtësisë amerikane. 

SHIFRAT SHUMËMILIONËSHE DHE RASTI SHQIPTAR QË BËRI BUJË

Unë kisha lexuar në shtyp dhe dëgjuar rreth çështjeve të bujshme të fituara nga Avokat Dauti dhe në përgjigje të pyetjes sime për informacion lidhur me shifrat e fituara për klientët e tij, Av. Dauti tregon se: persa u përket shifrave që kam fituar për klientët do të veçoja 4 çështje që janë mbyllur gjatë vitit të fundit për shuma disamilionëshe. Njëra nga këto çështje ishte disi e veçantë për specifikën dhe natyrën e ngjarjes së komplikuar. Çështja që mbroja përfundoi në Gjykaten e Apelit dhe unë përfaqësoja një klient shqiptar i cili ishte aksidentuar në punë ndërtimi në Manhatan. Në momentin e aksidentit, punëdhënësi nuk kishte telefonuar ambulancen por e kishte dërguar klientin shqiptar me makinën e tij tek një spital në Bronx. Kur ata kishin mbërritur tek spitali, punëdhënësi i djallëzuar dhe dashakeq – me qëllim që të fshihte gjurmët e fajit të tij për mungesën e kushteve të sigurisë në punë – ju kishte thënë personelit të spitalit se klienti ishte rrëzuar diku në trotuar në rrugë. 

Klienti, i cili kishte pak kohë në Amerikë dhe fliste pak anglisht nuk kishte qenë në gjendje të jepte një version të qartë dhe të detajuar në spital për mënyrën sesi i kishte ndodhur aksidenti. Gjatë procesit gjyqësor pala kundershtare mohonte përgjegjësi për aksidentin pasi ata pretendonin se aksidenti nuk kishte ndodhur në punë por në rrugë. Për të mbështetur argumentin e tyre ata bazoheshin në deklaratën e punëdhënësit si dhe në dokumentat e spitalit të cilat shkruanin se klienti kishte rrëshqitur dhe ishte rrezuar në rrugë. Situata vështirësohej dhe kompleksohej akoma më tepër me faktin se dokumentat e spitalit pasqyronin se ishte klienti shqiptar ai që u kishte thënë mjekëve se ai ishte aksidentuar duke ecur në trotuar. Por ajo çfarë shkruhej në dokumentat e spitalit nuk mund të ishte e vërtetë pasi pacienti/klienti nuk fliste dot Anglisht për të dhënë të gjitha sqarimet e nevojshme për mënyrën se si ai ishte aksidentuar. 

Për mua ishte e qartë se klienti im po tregonte të vërtetën dhe se prentendimet e palës tjetër ishin gënjeshtra. Unë isha i bindur se personi që kishte biseduar me personelin e spitalit në dhomen e emergjencës ishte punëdhënësi i klientit dhe jo klienti, pasi klienti nuk fliste dot Anglisht. Personeli i spitalit i kishte rënë shkurt duke shkruar historikun se si kishte ndodhur aksidenti dhe ata kishin neglizhuar të specifikonin që ky historik u ishte komunikuar prej punëdhënësit dhe jo prej klientit. Ky detaj i vogël përbënte diferencën e madhe.

Shënimet në dokumentat e spitalit që gabimisht i atriboheshin klientit tim përbënin një problem shumë serioz dhe rrezikonin që klienti të humbiste çështjen pasi kur çështja të prezantohej para Jurisë, pala tjetër do sillte punëdhënësin që do pretendonte se klienti nuk ishte dëmtuar në punë por ishte rrëzuar duke ecur në trotuar pasi kishte mbaruar punën. Klienti im shqiptar do të dëshmonte se aksidenti kishte ndodhur gjate punës për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë në punë. Por pala kundërshtare do të paraqiste dokumentat e spitalit për të bindur Jurinë se versioni i tyre ishte i vërteti dhe se klienti po gënjente.  Unë kisha besim që kur Juria të dëgjonte klientin dhe punëdhënësin ata do ti besonin klientit por problemi ishte që rekordat e spitalit e mbështesnin vesrsionin e punëdhënësit – dhe kjo mund të bënte që Juria të vendoste në favor të palës kundërshtare. 

Si ne, edhe pala tjetër, i bëmë kërkesë gjykatës që të vendoste lidhur me pranimim apo përjashtimin si provë të shënimeve të pasqyruara në dokumentat e spitalit. Fatkeqësisht gjykata e shkallës së parë vendosi të pranojë këto rekorde si prove por unë apelova vendimin e gjykatës së shkallës së parë. 

AVOKAT YLBER DAUTI DHE FITORJA SPEKTAKOLARE NË GJYKATËN E APELIT ME 5 GJYQTARËVE AMERIKANË

Argumenti im para Gjykatës së Apelit, shpjegon Avokat Dauti, ishte se rekordet e spitalit nuk duhej të lejoheshin si evidencë dhe të paraqiteshin para Jurisë. Arsyeja pse këto dokumenta duhet të përjashtoheshin nga evidencat ishte pabesueshmeria e asaj çfarë shkruhej aty sepse klienti shqiptar nuk fliste Anglisht – dhe ishte a pamundur që ai tu kishte thënë mjekëve se ai ishte rrëzuar në trotuar siç pretendohej në shënimet e mjekëve. Si të tillë këto dokumenta nuk nuk kishin dobi provuese por kishin vetem efekte paragjykuese për të drejtat dhe interesat e klientit tim shqiptar. Ky ishte në thelb argumenti ynë por në të vërtetë, argumenti ishte shumë më i gjatë dhe kompleks nga ana teknike dhe proceduriale por unë nuk dua ta lodh lexuesin me këto detaje. Ne rast se ndonje lexues është kureshtar dhe i interesuar të mësojë më tepër, sugjeroj që të hapin këtë link të videos së regjistruar dhe arkivuar pranë Gjykatës së Apelit të Nju Jorkut:  https://wowza.nycourts.gov/vod/wowzaplayer.php?source=ad1&video=AD1_Archive2021_Nov04_13-58-07.mp4 . Linku përmban regjistrimet e argumentave të disa çështjeve, dhe argument i çështjes në fjalë fillon rreth 2 ore dhe 37 minuta pas fillimit të seancës.

Pasi paraqitëm argumentat para trupit gjykues, Gjykata e Apelit e përbërë nga 5 gjyqtarë vendosi – unanimisht – të rrëzojë vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe urdhëroi mospranimin e dokumentave të spitalit si prove dhe si të tillë dokumenatat nuk mund ti prezantoheshin Jurisë. E thënë ndryshe, pala tjetër nuk do të lejohej të paraqiste gjatë gjyqit para Jurisë ato dokumenta të spitalit që diskutonin mënyrën se si kishte ndodhur aksidenti.  Kjo ishte një fitore e madhe për ne. Pak kohë pas vendimit të Gjykatës së Apelit, pala tjetër përfundimisht u dorëzua duke rënë dakort që të dëmshpërblejë klientin shqiptar me një shumë disa milionë dollarëshe.

FONDACIONI “BRAHIM CEN DAUTI” NË NDIHMË TË EDUKIMIT TË FËMIJËVE SHQIPTARË

Ylber dhe Brahim Cen Dauti, Sarandë, Tetor 2020.

Kisha dëgjuar se Av. Dauti kishte krijuar një fondacion për të ndihmuar studentët shqiptarë në përgjithësi dhe ata të vendlindjes së tij në rrethin e Hasit në veçanti. Për këtë arsye kërkova të mësoj më tepër rreth kësaj iniciative fisnike dhe filantropike. “Jam shumë krenar dhe i lumtur, shpjegon për Diellin Av. Dauti, se kam krijuar fondacionin “Brahim Cen Dauti” në nderim, respekt dhe përkujtim të babait tim të shtrenjtë e të paharruar. 

Një thënie e urtë  Aziatike thote se “nëse dëshiron të planifikosh për një vit – mbjell oriz/grure/misër, nëse dëshiron të planifikosh për dhjetë vjet – mbjell pemë dhe nëse dëshiron të planifikosh për njëqind vjet – eduko fëmijët.” Nëse duam ta zhvillojmë një komb, duhet të fillojmë më shkollat dhe sistemin e edukimit. Duke ndihmuar rininë sot, kemi ndihmuar të ardhmen e kombit tonë. Duke ndihmuar ekselencën kemi ndihmuar trurin e kombit tonë. 

Im atë, ka qenë shumë i apasionuar pas edukimit. Gjithë jetën e tij e kishte merak dhe është përpjekur të bëjë gjithçka që fëmijët e tij të edukoheshin. Unë vij nga një familje e persekutuar nga diktatura komuniste, pasi gjyshi im Cen Smajl Dauti ishte burgosur nga regjimi komunist me akuzën “Agjitacion dhe Propagandë kundra partisë komuniste”. Gjyshi im ishte njeri pa shkollë por shumë i zgjuar. Ai ishte i njohur në të gjithë zonën për vargjet dhe analizat satirike që u bënte vendimeve dhe drejtuesve të partisë komuniste në Shqipërinë diktatoriale. 

Si shembull po përmendi rastin kur fshatareve u ishte dhënë urdhër nga partia komuniste që të dorëzonin produktet e tyre bujqësore tek koperativa e fshatit. Gjyshi im merr një thes me fasule dhe shkon tek dera e kryetarit të koperativës, ulet këmbëkryq, hap thesin dhe fillon të ndajë kokrrat e fasules një nga një duke mbajtë kokrrat e zeza (që ishin shumë pak) për vete dhe të bardhat duke ja kaluar thesit të koperativës. Ai u ul aty për orë të tëra, duke ndarë në mënyrë ironike kokrrat e fasuleve me fjalët: “e zeza për mua, e bardha për Enverin.” Ne nje rast tjeter,  kur një udhëheqës i lartë i partise komuniste, Gogo Nushi, kishte vizituar Hasin, ai kishte pyetur me kureshtje se “çfarë pemesh ishin ato që dukeshin në kodrat e zonës?” dhe gjyshi im i ishte përgjigjur se ato ishin ullishte, por në të vërtetë ato ishin dëllinja. Për shkak të klimës së ftohtë dhe të ashpër ështe a padëgjuar që ullinjët të rriten në rrethin e Hasit por udhëheqësi i partisë kishte turpëruar veten duke rënë pre e lojës së gjyshit dhe në fjalimin e tij para fshatareve ai përmend se sa i impresionuar ai ishte me ullishtet e Hasit. Sistemi komunist nuk i donte njerëzit që mendonin të lirë, që kishin guxim për të thënë disa të vërteta që as njerëzit e partisë nuk i mendonin dot. 

Sistemi komunist i ndëshkonte jo vetëm ata që i konsideronte fajtorë por edhe të afërmit dhe pasardhësit e tyre.

VIZIONI I BABAIT ISHTE PROFETIK

Fatkeqësisht, gjyshi im pagoi një çmim shumë të lartë për talljet e tij me regjimin komunist duke vuajtur shumë vite në burgjet e Enverit. Im atë ishte shumë krenar për mençurinë dhe bëmat e gjyshit por ai ishte shumë i shqetësuar se “biografia e keqe” nuk do të lejonte që femijet e tij të shkolloheshin. Kur isha ne shkolle fillore shume njerez me thoshin se kot po lodhesha duke studiuar se kurrë nuk do shkoja në univeristet për shkak të biografisë së keqe. Pavarësisht nga kjo, babai ishte inkurajuesi dhe mbështetësi im më i madh. Edhe pse në diktaturë, ai e ndjente lirinë në shpirtin e tij. Ai gjithmonë më thoshte të mos dekurajohesha nga biografia e keqe por të fokusohesha në shkolle dhe të merrja notat më të mira pasi ai kishte besim se kohët do ndryshonin dhe unë do të kisha mundësi të shkoja në universitet. Babai gjithmone ka qenë frymëzim lirie e shprese për mua dhe po të mos ishte inkurajimi i babait – unë kurrë nuk do të kisha arritur as 10% të gjërave që kam arritur në jetë. 

Vizioni i babait tim ishte vërtet profetik pasi kohët ndryshuan dhe me shëmbjen e komunizmit e drejta e shkollimit nuk varej më nga biografia por nga meritokracia. Babai kishte një mendje brilante dhe një shpirt fisnik. Ishte largpamësia dhe mbështetja e gjithanshme a babës dhe besimi i tij së arsimimi është arma më e fuqishme në jetë, që kanë bërë të mundur për mua të jem ai që jam sot. Prandaj në kujtim të tij dhe të vizionit të tij, unë kam krijuar Fondacionin “Brahim Cen Dauti” që do të fokusohet në mbështetjen e shkollimit të studentëve të shkëlqyer të cilët nuk i kanë kushtet ekonomike për të ndjekur studimet universitare. 

Një nga projektet fillestare është krijimi i bursës “Brahim Cen Dauti” që për çdo vit do ti jepet nxënësit më të mirë dhe më në nevojë ekonomike që ka përfunduar arsimin e mesëm në rrethin e Hasit. Fituesi i bursës “Brahim Cen Dauti” do ti ketë të gjitha shpenzimet e mbuluara (tarifën e studimeve si dhe shpenzimet e ushqimit dhe strehimit) për të gjithe periudhen e studimeve universitare. Fondacioni ka siguruar burime financiare të mjaftueshme për të sponsorizuar bursën për shumë vite dhe ne shpresojmë që me kalimin e kohës të sigurojmë burime financiare shtesë për të ndihmuar jo vetëm studentët e Hasit por edhe ata nga zonat e tjera te varfera të Shqipërisë. Zhvillimi e përparimi i kombit tonë do të vijë vetëm nëpërmjet zhvillimit të arsimit e krijimit të një infrastrukture sa më bashkëkohore për studentët shqiptarë dhe Fondacioni “Brahim Cen Dauti” do të përpiqet të kontribuojë me gjithçka çfarë mundet.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja, Ylber Dauti

BISEDA PAS 42 VJETËSH ME SHOKUN TIM, QEMALEDIN HISMANIN 

February 3, 2024 by s p

Shkruan: Prend Ndoja, SHBA

Si e njoha Qemaledinin! Një dëshmi se shqiptarët i bashkon kombi dhe tiparet kombëtare.

Para disa ditësh më erdhi një mesazh në telefon: – A je ti shoku im, Prend Ndoja? E lexova tekstin që vinte nga një emër i panjohur, që quhej Mali. I përgjigjem: -Po, unë jam Prend Ndoja! Ngaqë nuk e njihja, nuk i shkrova se unë jam shoku i juaj. Urdhëroni! -ia ktheva. -Unë jam Qemaledin Hismani,- më shkroi ai. Për një moment mbeta i shokuar. Atë njeri e kisha kërkuar shumë herë, por ngaqë ai e kishte përdorur shkurtesën e emrit të tij në rrjetet sociale, nga Qemaledin në Mali, nuk kisha mundur ta gjeja. U gëzova pa masë kur e pashë që me të vërtetë ishte shoku im. E thirra menjëherë në telefon përmes “Messenger”-it. Ato ditë ai po qëndronte në Gjermani për një vizitë. Përshëndetja dhe biseda filloi me plot emocione. Pasi i dhamë njëri-tjetrit një biografi të shkurtër të jetës aktuale, iu rikthyem së kaluarës. Biseda ishte shumë e ngrohtë dhe vëllazërore, saqë i ngjante ditëve kur ishim të dy bashkë në një ndër kazermat më të mëdha të ish-Jugosllavisë së fillimviteve 80-të. Biseduam për sfidat e kohës, por në mes tyre edhe për humorin dhe të qeshurat që na gjallëronim në mes atij pellgu vuajtjesh.

Si e njoha Qemaledinin! Një dëshmi se shqiptarët i bashkon kombi dhe tiparet kombëtare

Ngaqë nuk e njihja gjuhën serbokroate në atë kohë, që nga fillimi kisha mbetur si i humbur në mesin e gjithë asaj ushtrie. Ditët e para veproja duke i përcjellë veprimet e shumicës. Në korridoret e gjata ishin të renditur vitrina nga metali që mbanin rrobat e çdo ushtari. Aty ishin emrat e personit që i posedonte rrobat e tij. Një ditë i shikova të gjitha vitrinat me qëllim që të gjeja ndonjë person të përkatësisë sime kombëtare. E gjeta emrin e një shqiptari që quhej Abdullah, me origjinë nga Podujeva. Në pamje dukej një burrë i gjatë e shumë i vendosur. Ai e kishte mbaruar kohën e shërbimit ushtarak shumë kohë më parë. Të gjithë gjenerata e tij ishin liruar, ndërsa atë ende e mbanin; e mbanin si të dyshuar apo siç i quanin në atë kohë, si irredentist. Nuk fliste shumë. Ishte i matur, dukej njeri me një përgatitje të lartë shkollore. Zakonisht rrinte në një korridor afër një dritareje dhe në heshtje nga aty e shikonte  natyrën. Një ditë e pyeta, pse zakonisht qëndroni në të njëjtin vend pranë dritares. Sytë iu skuqën e me një buzëqeshje të lehtë m´u drejtua: Kur kam ardhur këtu, këta lisa nuk kanë pasur gjethe. Pranvera i mbushi me gjethe. Gjethet ranë prapë. Pranvera i mbushi prapë më gjethe të reja, e gjethet ranë prapë. Pranvera i mbushi prapë me gjethe të reja, e unë ende jam këtu e i shikoj nga kjo dritare dhe nuk e di kur do të më lirojnë. Nuk e kam merakun tim, por të familjes, sepse ata janë shumë të shqetësuar për rastin tim. Më kaploi dhembje shpirtërore dhe ai e vërejti që po ndihesha keq. Në atë moment, ai u tregua më i qëndrueshëm se unë. Më këshilloi që të kem kujdes, sepse ti je rishtas këtu, më tha. Ngaqë lëvizjet e tij ishin në kontroll 24 orë, ai qëndronte më i distancuar dhe shumë i kujdesshëm për çdo fjalë që fliste.

Unë vazhdova korridoreve të gjeja prapë ndonjë emër tjetër të ndonjë shqiptari. Pas një kërkimi, atë ditë i gjeta edhe dy emra tjerë, Qemaledin Hismani dhe Fetah Ahmetaj. I lumtur që gjeta shqiptarë, shkova menjëherë dhe i takova. Nga aty, si tre vëllezër, mbetem të pandarë në gjashtë muajt e parë të shërbimit ushtarak. Shumë shpejt, pa e bërë asnjë të keqe, ne ishim bërë halë në sytë e eprorëve, por edhe të ushtarëve. Ne, të treve, bashkë na zbardhte dita dhe bashkë na errte nata. Bashkë luanim futboll, bënim ushtrime fizike, këndonim e më së shumti i këndonim këngët e Shkurte Fejzës që ishin jehonë e muzikës së asaj kohe… Gjersa ata të tjerët këndonin në gjuhën e tyre, edhe kënga shqipe jehonte pa u ndalur. Çdo gjë para të tjerëve e bënim me fanatizëm pozitiv, për ta ngritur lart nivelin e krenarisë sonë kombëtare. Dalloheshim qartë për guximin, harmoninë dhe atmosferën vëllazërore e kombëtare që e kishim krijuar, Ata, përpos urrejtjes, na e kishin edhe lakmi qëndrimin tonë. Tentonin përmes mënyrave të ndryshme të na ndanin, që pastaj të na mposhtnin më lehtë.

Bazuar në kujtimet e së kaluarës, Qemaledinin e njoh si një burrë me skelet të fortë, që nuk thehet, edhe pse i ri në moshë, jeta e kishte kalitur dhe burrëruar para kohe. Ishte i qëndrueshëm si shkëmbi dhe besnik, shqiptar dhe atdhetar i vërtetë. Kam shumë dëshmi të qëndrimit të tij burrëror, por dua ta veçoj një rast, kur mua më qëndroi pranë si vëlla i vërtetë.

Një ditë, unë dhe Qemaledinin ishim ulur në një kënd të oborrit të kazermës, i stërmbushur me mijëra ushtarë. Nga larg e vërejta një dhjetar me origjinë kroate, i cili, nëse nuk gaboj quhej Jozef. Ai  po vinte drejt nesh. U afrua afër 3-4 metra dhe u ndal. M´u drejtua në emër dhe më shau rëndë në baza kombëtare e tjera. Kjo më erdhi si një shkrepëtimë nga reja në ditë të kthjellët, pa asnjë shkas tjetër, veç se isha shqiptar. U ngrita me shpejtësi ta kapja, por më iku. Vrapova pas tij dhe, pak para se të hynte në një portë të eprorëve, iu hodha si rrufeja përmbi, e shtriva përtokë, pa i dhënë kohë as për një reagim apo lëvizje…Të gjithë të tjerët kishin mbetur të ngrirë, ishte e pazakontë të rrahej eprori ushtarak! Nuk dija nga t´ia mbaja pastaj. Ndihesha si të isha në mes krokodilëve, që nga çdo anë mund të më kafshonin. Kur e ktheva kokën, e pashë Qemaledinin i cili qëndronet pranë meje, e vetmja mbështetje ishte Ai. M´u duk si një Diell në atë moment. Më mbante me fjalë të mira e burrërore: -Prend, për çdo gjë jemi bashkë dhe nëse do të na ndodhë më e keqja, do të na ndodhë bashkë. Kuptohen pasojat që vazhduan pas kësaj…!

Thonë se miku i mirë njihet në ditë të vështirë.  Qemaledini është vëllai i mirë, që e njoha në ditë të vështirë. Nga drama të tilla del në dritë se kush është vëllai i vërtetë për shqiptarin. Në mesin e mijëra të tjerëve të besimeve dhe kombeve të ndryshme, ne na bashkonte gjaku i pastër shqiptar. Ai nga Ilirida e unë nga Dardania. Jam i lumtur që pas 42 vjetësh, tani e di që Qemaledini është mirë dhe së bashku me bashkëshorten janë punëtorë të arsimit. Fëmijët të shëndoshë e të shkolluar. E ndjeva obligim ta falënderoj dhe ta përshëndes shokun dhe vëllain tim nga Ilirida e Tetova – Qemaledin Hismanin.  

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT