• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2024

Organizimi i Panairit të Librit shqip 2024 nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

March 16, 2024 by s p

Adnan Mehmeti/

Organizimi i Panairit të Librit shqip 2024 nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është një ngjarje e madhe kulturore që mbledh autorë, lexues, dhe pasionantë të letërsisë nga të gjitha anët e vendit. Kjo ngjarje organizohet për të promovuar dhe për të nderuar krijimtarinë e letërsisë shqipe, duke prezantuar librat e botuara nga autorë shqiptaro -amerikanë. Panairi i Librit ofron një mundësi për autorët për të paraqitur punën e tyre, për të nënshkruar kopje të librave, për të diskutuar me lexuesit, dhe për të ndarë ide dhe eksperiencat e tyre krijuese. Përpos prezantimeve të librave, gjatë Panairit organizohen diskutime, dhe ngjarje të tjera kulturore për të thelluar lidhjet midis autorëve dhe lexuesve.

Ju mirëpresim!

Filed Under: Kulture

Tre mitet e poezisë së inxhinier Selaudin Gumës

March 16, 2024 by s p

Sadik Bejko/

Poezia e Selaudin Gumës më ka ardhur në tryezë në dy vëllime. Fillimisht simptia, magnetizmi, ndriçimi që buron nga personaliteti i autorit më shtynë që t’i lexoj këto poezi. S. Guma është një tip njerëzor që rrezaton energji. Pozitivitet. E do fort njeriun, e ka dashur në gjithë jetën e tij. Nga poezitë kuptohet që aq shumë njerëz të afërt ia kanë kthyer me pashë dashurinë që u ka dhënë ai. Tani është burrë në moshë. Dikur në rini ishte një inxhinier ushtarak që hidhte ura mbi lumenj të harbuar të vendit të tij. Ka bërë strehë në male e në zalle në themelet e në kulmet e urave të tij. Ura disa prej të cilave edhe sot u rezistojnë dallgëve të egra të kohëve, të ujërave. Ura që janë bërë me njerëz, me mund e vështirësi, me dashuri urash lidhur përmbi kohët që ende vijnë e shkojnë në jetën e Selaudinit të sotëm, vijnë e shkojnë e kthehen në art të fjalës, shndërrohen në figuracion fjale e vargu, në një poezi që shpreh atë çka atij i ka mbetur peng i pathënë. Është i lidhur në jetë, në fate, në fjalë me ata njerëz të dikurshëm.

Veç motiveve për njeriun dhe punën vargjet marrin krahë për më tej.

E ndien dashurinë e gruas dhe kjo ndjeshmëri shpërthen në vargje poezie për më të parën grua të çdo njeriu, për mitin absolut të femrës, për gruan me qumështin e ëmbël në jetën e gjithëkujt, për nënën, poezi për nënën.

Mitet e mëdha të poezisë intime universale, mite si nëna, nusja, motra, gjyshja, e dashura e rastësishme, ëndërruesja e parë, gruaja e zanafillës tokësore, kur prekëm në tokë femre së pari janë topikë të një poezie që mëton të jetë kujtesë, të jetë mirënjohje, të jetë kthim te ndërtimi i psikës sonë më ca lëngje intime që na kanë formuar eshtrën, na kanë formuar në fibrën që na ngjizi profilin shpirtëror e kockor aq të fortë sa mos ta humbasim kurrë.

Në këto poezi ai përkulet mbi kohët, kujtimet, përfytyrimet pa të cilat nuk do të ishte ky që është. Është kujtesa ajo që ne jemi sot, në ngrysje të viteve. Kujtesa e tunelit të lidhur diku pas vertebrave në qafën tonë. Sistemi ynë kockor vertebror nuk do të ishte i tillë siç e kemi pa këtë pajë të brishtë prej pranie të femrës në jetën tonë. Lexuesi duhet të ndalet në disa poezi që flasin drejtpërdrejt për atë që në kode e shpreh dhe që e fsheh arti i tij.

Libri i dytë më çon i gjithi në rrënjët reale jetësore e kryesore të autorit. Në qendër është vendlindja: Luzati. Luzati-fëmijëria e autorit, etërit, nënat, burrat mitikë e legjendë, emrat konkretë të fisit, të vatrës e të gjakut të tij…Luzati-tokë shtëpie e vegjëlie, Luzati i Buzës së Bredhit, i krojeve, i lumit Gjinakar, Luzati i tokës së bukës, i baltës së varreve dheu i rrjedhës së qumështit, të lule cfakës e të lules së kungullit, i tokës së mullinjve, i livadheve të nepërkave, i gjarpërinjve..tokë e hidhur e mjaltit dhe e kafshatës së helmeve… e gatuar bashkë gur e baltë, qumësht, diell e zjarr vatre, fytyra prindërish e të dashurish të vdekur që sot kanë trajtë veç si vizione e vegulli … një vendlindje e vdekur në ato që i jetuam, por dhe e gjallë me malin, erën, ujërat, dherat e gurët të gjallë ende.. një vendlindje e mbyllur në kujtime në legjendën jetësore, por po aq dhe e hapur… e arratisur në delirin e udhëtimit jetësor të një burri në moshën kur ai nuk vepron dot… vetëm ëndërron të shkuarat, lundron në nostalgji.

Mbetet të themi poezia është kujtesë, poezia është njerëzit që i deshëm aq shumë e që na gëzuan aq shumë e që tashmë janë të rrëgjuar e të plakur a të ikur realiteteve, siç jemi ne. Veç prapë këta njerëz e këto mjedise na pasurojnë e zbukurojnë jetën duke u kthyer në kujtimet tona përsëri e përsëri

Janë tre mite themelore në këtë poezi të Gumës: Njeriu/jeta, njerëzit dhe e jetuara të cilëve ai do t’u jetë mirënjohës, njerëz dhe jetë që janë në themel të lavdërimit, të aprovimit, të himnizimit të tij. Jeta është ajo që na dhuroi më të mirën e mundshme në ato vite që na ranë në pjesë të jemi gjallë. Tani në moshë ne duhet t’u kthejmë reston, nëpërmjet fjalës t’u japim mirënjohjen, më të çmuarën energji që e zotërojmë në kockat tona e në fibra të shpirtit. Një detyrim nderi…një shlyerje pengu burrash.

E dyta vjen tema e femrës: nënës, gruas, motrës, së dashurës. Figura mitike e femrës e dhënë në disa shfaqje të së njëjtës fibër. Tema e tretë, tema e dheut, e nënës tokë e shfaqur te Luzati… te natyra, mali, lumi, shtëpia, kopshtet, pylli, varrezat… dherat ku shpërthen junapi…

Cila është forma e poezisë së tij? Krejt e pangarkuar formalisht. Poezi e kthjellët, e shprehjes së drejtpërdrejtë, poezi në formë klasike, vargje metrike po dhe të shlirëta, poezi tradicionale strofike. Ai nuk është poeti profesionist që zgjedh të shprehet me ngarkesën formale në poezi. Ai zgjedh poezinë e mesazhit.. poezinë si një mjet të shprehjes më të shpejtë të miteteve të adhurimit të jetës njerëzore, të filozofisë pastërtisht tokësore, poezi të kuptimeve themelore të qenies, poezi me thelbet bazë të përmbushjes së njeriut si njeri.

Filed Under: ESSE

CARAS Y CARETAS (1912) / INTERVISTA ME POLITIKANIN SHQIPTAR NË BUENOS AIRES, I CILI BRAKTISI NDËRMARRJEN E TIJ NË JUG TË BRAZILIT PËR TË BËRË PROPAGANDË PËR LIRINË E ATDHEUT TË TIJ

March 16, 2024 by s p


Burimi : Caras y Caretas, 30 nëntor 1912, faqe n°60
Burimi : Caras y Caretas, 30 nëntor 1912, faqe n°60

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 16 Mars 2024

“Caras y Caretas” ka botuar, me 30 nëntor 1912, në faqen n°60, intervistën me një politikan shqiptar në Buenos Aires. Bëhet fjalë për Thomas Touché, i cili asokohe ka braktisur ndërmarrjen e tij në jug të Brazilit për të bërë propagandë për lirinë e Shqipërisë në Amerikën e Jugut. Këtë intervistë, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Lufta e Shqipërisë për pavarësi

Reportazhi aktual për një politikan shqiptar

Burimi : Caras y Caretas, 30 nëntor 1912, faqe n°60
Burimi : Caras y Caretas, 30 nëntor 1912, faqe n°60

Për çështjet e Evropës Lindore është thënë gjithmonë me të drejtë se ato përfshijnë një numër problemesh të tjera dytësore, saqë zgjidhja e kryesorit bëhet e pamundur. Ky kriter konfirmohet nga deklaratat që na bëri politikani shqiptar Touché Thomas i cili teksa po kalonte në Buenos Aires u intervistua nga Caras Y Caretas.

“Duhet, – na tha ai, – kur flasim për çështjet e Ballkanit, të kujtojmë se, nën problemin kryesor është ai që i referohet gjendjes politike të Shqipërisë, atdheut tim. Ne shqiptarët kemi kohë që luftojmë për lirinë e vendit tonë, i cili nën sundimin e turqve është i detyruar në të njëjtin stanjacion në të cilin ndodhet e gjithë Turqia. Në më shumë se një rast, ne shqiptarët kemi luftuar për rrëzimin e procedurave tiranike të Turqisë.

Mirëpo, ky zjarr në Ballkan na befason në një moment të rëndë. Politikanët kryesorë të patriotizmit shqiptar po përgatisnin një rebelim kundër Turqisë jo shumë kohë më parë, kur në Perandorinë Osmane ndodhi zgjimi i partisë së quajtur Xhonturqit. Këta, që kishin nevojë për opinion kudo për t’i mbështetur, kërkuan patriotë prestigjiozë shqiptarë dhe u kërkuan atyre t’i ndihmonin, duke premtuar në këmbim se nëse partia xhonturke do të vinte në pushtet, Shqipëria do të kishte ligje të buta, qeverinë e saj dhe pavarësi pothuajse të plotë, sepse autoriteti i Turqisë nuk do të rëndonte mbi të.

Rezultati ka qenë i ndryshëm. Regjimi i ri mbizotëroi në Turqi dhe, sapo xhonturqit ishin në krye, ata nuk u kujtuan më as për Shqipërinë, as për premtimet e tyre. Për këtë arsye nuk do të habiteni që shqiptarët tani janë kundër Turqisë, në të njëjtën kohë edhe kundër kombeve fqinjë, të cilët synojnë të marrin Shqipërinë, duke i mohuar çdo të drejtë për lirinë e saj.

Dëshiroj që kjo të dihet, sepse në Republikën e Argjentinës, një vend i lirive, lufta e shqiptarëve duhet parë me simpati, siç dëshirojmë ne, për popullin tonë, lirinë që është baza e progresit.”

Kështu është shprehur zoti Thomas, i cili aktualisht po bën një propagandë të mirë mes bashkëqytetarëve të tij, banorë të Amerikës së Jugut, për të mbledhur fonde dhe njerëz me të cilët do të luftojnë për liritë.

Burimi : Caras y Caretas, 30 nëntor 1912, faqe n°60
Burimi : Caras y Caretas, 30 nëntor 1912, faqe n°60

Nga ana tjetër, veprimi i shqiptarëve në favor të lirisë së tyre nuk reduktohet me kaq.

Në Shtetet e Bashkuara, patriotët e Shqipërisë botojnë një gazetë të përjavshme të quajtur “El Sol – Dielli” dhe qëllimi i saj i vetëm është të mbajë gjallë idenë e lirisë shqiptare, duke mbështetur në të njëjtën kohë qendrat e kulturës dhe mbledhjen e fondeve për të armatosur revolucionarët.

Z. Touché Thomas braktisi një ndërmarrje industriale që zotëron në jug të Brazilit për t’iu përkushtuar propagandës së tij patriotike dhe kjo mjafton për të demonstruar rrënjosjen e ndjenjave të tij për të mirën e vendit të tij.

WILL.

Filed Under: Histori

DREJTËSIA AMERIKANE FOLI:

March 15, 2024 by s p

PAN-ALBANIAN FEDERATION OF AMERICA “VATRA”

Information for the general public and fellow Vatrans:

New York supreme court judges Agustin Mirakaj, Nazo Veliu, Mark Mernaci and all other non-Vatra individuals to refrain from interfering with Vatra’s operations/functions/events and to stay away from Vatra property, including its headquarters in the Bronx.

No event or meeting will take place on Saturday and any effort to the contrary is illegal and will be met with an application for contempt, seeking punishment up to and including imprisonment.

We thank all supporters of Vatra and look forward to restoring Vatra to its glory for the betterment of all Albanians.

Thank you all.

The Board and the Council of Vatra Federation

Njoftim për Publik dhe Anëtarët e VATRËS

Ju njoftojme se me vendimin e Gjykatës së Lartë të Nju Jorkut, Agustin Mirakaj, Nazo Veliu, Mark Mernaci dhe të gjithë individë të tjerë jo-Vatranë ju urdhërohet për t’u përmbajtur nga ndërhyrja në operacionet/funksionet/ngjarjet e Vatrës dhe për të qëndruar larg pronës së Vatrës, duke përfshirë selinë e saj në Bronx.

Asnjë ngjarje apo takim nuk do të zhvillohet të shtunën sikurse është shapllur në disa portale të rrejshme dhe çdo përpjekje për të kundërtën është e paligjshme dhe do të përmbushet me një kërkesë për aplikim të ligjeve, duke kërkuar ndëshkim deri dhe duke përfshirë burgosje.

Falënderojmë të gjithë mbështetësit e Vatrës dhe presim me padurim rikthimin e Vatrës në lavdinë e saj për përmirësimin dhe mirëvajtjen e çështjes mbarë-kombëtare.

Faleminderit të gjithëve.

Kryesia dhe Këshilli i Federatës Vatra

###

May be an image of text

See insights and ads

Create Ad

Filed Under: Opinion

MARSI I PËRHERSHËM I BURRIT ME MBIEMËR KRUJËN…

March 15, 2024 by s p

Nga Visar Zhiti/

SHQIPTARËT JANË MË SHUMË SE SHQIPËRIA

Shqiptarët e fortë, ata të mirët, bujarët, me një madhështi të brendshme, por që u shfaqet, mjafton një dramë, një pabesi e tjetrit, një mort, një dasmë, sidomos një valëvitje flamuri mbi një pirg a llogore, janë më të fortë se Shqipëria vetë dhe atë mirësi prej tyre e ka vendi, bujarinë proverbiale dhe atë madhështi tradicionale, e adhuruar nga të huajt, udhëtarë, pelegrinë, pushtues, poetë… Bajroni tha se shqiptarët kanë virtyte, por ah, t’i kishin më të arrira.

Shqiptarët janë më shumë se Shqipëria dhe duket se u ka munguar vetëm arritja… – kam menduar shpesh, natyrisht që kemi Shqipëri, aq sa është, gjusmë, kemi dhe Republikë të pavarur të Kosovës, por më trishton pa masë bjerrja, ajo shprishje që i erdhi racës shqiptare nga vetvetja ose pothuajse…

Dekadat e diktaturës komuniste dhe për pasojë dhe postdiktatura sollën më dëm në prishjen e racës se shekujt e pushtimit, e kam fjalën për virtytet njerëzore, aq sa më duket se pushtet ka patur më shumë e keqja.

QË MENDOVA ASHTU?

…shkak ishte dhe Mustafa Merlika – Kruja, ka datëndjen sot, në mes të marsit të trimërisë siç e quan kënga e popullit, teksa prilli i dashurisë duket se veç vonon. Ai është personalitet me rëndësi i librit shqip, është historian, kur s’kishte dhe aq të tillë, gjuhëtar në nivel shkencëtari, kur s’kishte dhe aq të tillë, përkthyes, të mbijetesës, mjeshtëror në të shkruar, pra dhe stilist, zgjodhi emrin letrar Shpend Bardhi, i qartë në mendime, i guximshëm, di të shquajë vlerat e kundërshtarit dhe meritat e armikut.

Po ai dinte historinë e kombit të tij ashtu si të familjes së tij, bëri Shqipëri bashkë me ata që e bënë, është një nga burrat e Pavarësisë së nëntorit 1912, ndërsa kur bëhej “Pavarësia e Dytë, Kongresi i Lushnjës në janar të 1920, nuk ishte në sallën historike, por maleve, organizonte qendresën antiserbe në Dibër dhe Lumë, do të ishte për një “Shqipëri romane” – nëse mund ta themi kështu gjatë Luftës II Botërore dhe në vitin 1941, nën pushtimin fashist, në sopatat e Liktorit, ai do të ishte kryeministër – kolaboracionist si arritje e nacionalizmit, sa ç’mund të arrihej në pushtim.

Dhe pikërisht për këtë fitimtarët e mbas Luftë II Botërore, adhurues më shumë te prangave se të librit, do ta përndiqnin, duke dashur vrasjen e tij, duke e mbuluar me harrim emrin dhe veprën madhore.

Po ai tashmë është vetë pjesë e historisë.

* * *

Dua ta kujtoj sërish. Në librin tim, “Kartela të Realizmit të dënuar” është dhe

KARTELA

Mustafa Merlika-Kruja,

(1887 – 1958)

…Do të ikte.

Kryeministër i Shqipërisë, i diplomuar për shkencat politike jashtë vendit, bashkëpunëtor i Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit në Shpalljen e Pavarësisë, që pëveç punëve si patriot dhe historian, shquhet dhe si gjuhëtar i klasit të parë dhe la në dorëshkrim një Fjalor prej 2.400 faqesh, me 30.000 fjalë shqip.

Kjo lëndë madhore mbeti në kthetrat e fitimtarëve dhe ata e dinë ç’bënë me të, si e shqyen, e përvetësuan, e dogjën.

Libra të tjerë të Mustafa Merlika-Krujës janë: “Anthologji Historike”, “Letërkëmbim 1947-1958”, “Kujtime vogjlije e rinije”, “Aleksandr’ i Madh” dhe “Vëzhgime Iliro-shqiptare”, punime shkencore origjinale, si dhe përkthime prej tij të veprave themelore që lidhen me ilirët dhe pasardhësit e tyre, shqiptarët, një ndihmesë e vyer dhe me rëndësi.

PO Ç’KA THËNË BABAI I GAZETARISË MODERNE ITALIANE,

IDRO MONTANELI.

Gazetari i famshëm italian Indro Montaneli, autori i një libri trallisës për Shqipërinë, ja ç’do të shkruante për qeverinë e Mustafa Krujës në “Corriere della sera”: “Ministrat shqiptarë… të gjithë vishen thjesht, janë pak të ashpër, por të përgatitur mirë teorikisht. E kaluara e tyre është njëlloj: kanë vuajtur për vendin e tyre. Idetë e tyre janë të lidhura me disa dogma themelore: njësía territoriale e Shqipërisë, autonomia e brendshme, mbrojtja e racës dhe e pasurisë kulturore, bashkëpunimi me Italinë mbi bazën e të drejtave dhe të detyrimeve të përbashkëta. Janë të ndershëm e të varfër. Janë njerëz të veprimit e jo të burokracisë”.

Dhe për vetë kryeministrin: “Suksesi e nderimet nuk kanë mundur ta shndërrojnë natyrën dhe sjelljen e jashtme të këtij burri… (që) nuk i jep rëndësi vetes me poza e me fjalë të mëdha. Vazhdon të flasë me maturi e… thotë të vërtetën… Jeta e tij ngjan me atë të Mazzini-t e programi i tij është ky: dua një Shqipëri të bashkuar në kufijtë e saj natyrorë.”

Kryeministri Kruja dhe qeveria e tij do të ishin dhe mbrojtës të pashoq të hebrenjve, që përndiqeshin kudo. Jo vetëm që nuk do t’i dorëzonin te pushtuesi nazi-fashist, por do të vinin të tjerë nga të mundnin dhe Shqipëria do të ishte vendi që do të kishte hebrenj më shumë pasi mbaroi lufta, sesa kur nisi.

Dhe pikërisht do të iknin si çifuti në shkretëtirë, personalitete të tjera të vendit, intelektualë…

VAZHDIM I DËNIMIT,

KARTELË TJETËR

Eugjen Merlika

…që ka gjysh Mustafa Merlika – Krujën, e rëndë kjo për në burg, kryeministrin e dënuar, kaq duhej, se nuk i kujtonin më që ai ishte patrioti, albanalogu dhe gjuhëtari i shkëlqyer, i ikur nga regjimi, patjetër që familja e mbetur “në mëshirë të të pamëshirshmëve”, do të përfundonte internimeve e do të kërcënoheshin me burg.

Eugjenin e kisha parë kur vinte me biçikletë nga balta e internimeve në Lushnjë, isha gjimnazist, por do të na bashkonte burgu i Spaçi. Pastaj dhe Italia, ku ai mërgoi dhe unë punoja në ambasadë në Romë. Në burg i kërkoja fjalë italisht, tani shkëmbenim nga librat tanë,

Pasi botoi përmbledhjen me poezi “Muzg”, Eugjeni do të botonte memuaristikë dhe artikuj të shumtë në gazeta, vëzhgime politike, kritika letrare, ese, që do t’i përmblidhte në libra të ndryshëm, ndër më të fundit “Elegji për brezin tim” dhe pastaj do t’i hynte një pune të madhe, akademike, që duhej ta bënin akademitë, përgatiti gjithë Veprën e Mustafa Krujës, studime, histori, gjuhësi, polemika, letërkëmbim, etj, e cila, duke dalë në këto vite, plotësoi një vend bosh në studimet shqiptare, me një vlerë të rëndësishme kombëtare.

[…]

Kur i bënë atentat Luigj Gurakuqit në Bari në rrugën që mban emrin e tij, bashkë me të ra dhe një kukull, e kishte marrë t’ia çonte një vogëlusheje… që do të bëhej nëna e Eugjenit.

E lindur në Romë, Elena Gjika kreu studimet për letërsi me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Napolit dhe mes zgjedhjes për të mbetur pedagoge në Itali apo të shkonte në Shqipëri, parapëlqeu këtë të dytën, shkoi pas të shoqit, inxhinier Petritit, diplomuar në Francë, i biri i Mustafa Krujës.

Elena, e talentuar në gjuhësi, do të bashkëpunonte me vjehrrin për Fjalorin e madh të Shqipes. i shoqi merrej me ndërtimet në Shqipëri, por atë e arrestojnë dy vjet pas mbarimit të Luftës, se bënte pjesë në ata që donin të krijonin një parti liberale opozitare. E dënojnë me 15 vjet burg.

Eugjenin 6 vjeçar me nënën dhe gjyshen i dërgojnë në kampin-aushvic të Tepelenës Që fëmijë provoi qelitë. Pasi mbyllet, i çojnë në internim në Lushnjë, fshatrave. Po prisnin që Eugjenin të mbushte moshën për burg. Dhe e arrestojnë në vitin 1980, e dënojnë pa bërë gjë fare me 8 vjet burg…

Kështu deri sa bie Muri…

Nga Zonja Elena kanë mbetur dy sprova, një e shkruar për studentët në Itali, për personalitetin e të riut, dhe tjetra për dhunën në internim në Tepelenë, ku nëpërkëmbej edhe jetesa si qenie, por ja, që çuditërisht, një herë u arrit të kremtohej një Krishtlindje, megjithëse të ndaluara, me një prift të internuar dhe korin ilegal të të internuarave. Ishte liturgjia e ëndrrës.

Vuajtjet dhe dënimet bënë që të humbte vepra e saj, të mos shkruhej dot. U rikthye atje ku kishte lindur, në Itali, ku dhe mbylli sytë afër Romës në vitin e dytë të mijëvjeçarit të ri, por kërkoi të prehej në vendin, ku u lodh aq shumë, në Shqipëri. Emri i saj ndrit përzishëm në varrezën familjare në Krujë, ku ka dhe një shesh tani me emrin: Mustafa Kruja.

Vepra “Merlika-Kruja” përmbledh kohë të tre brezave, kohë të përjetësisë së Shqipërisë.

DY LIBRAT E DIJETARIT:

I kam ndër duar dy librat më të fundit të tij si festë e datëlindjes. Vepra të kujtesës kolektive dhe të mbijetesës, “Lashtësi shqiptare” – 2021 dhe “Historij’ e vonë” – 2023, botimet “Berk”, emërtimi i së cilës më emocionon: “një formë gjuhësore arkaike e shqipes, që shenjon librin, gjurmët tashmë të humbura…” në mesjetën shqiptare dhe të rishfaqura po në atë mesjetë, më saktë me rilindjen e vonuar. I shkon shumë dhe misionit të Mustafa Merlika – Krujës.

“Lashtësi shqiptare” përmbledh shkrime historike dhe përkthime të tij, të përgatitura nga nipi, Eugjeni, me një parathënie nga arkivisti Sokol Çunga, studiues dhe kritik letrar, përkthyes dhe ai, ku thotë se “ky është një tekst i historisë së Shqipërisë… por në të njëjtën kohë është dhe histori e vetë autorit të tij.”

Tematikë enciklopedike, që nga parahistoria, legjendat, pellazgët, epoka ilirjane, helenët, thrakët, maqedonët, Aleksandri i Madh, Pirro, Roma, kryqtarët, Bullgaria e Dytë, Beteja e Fushë Kosovës, Arbëreshët, Histori e Skënderbeut, etj…

Libri tjetër, “Historij’ e vonë”, me “Kapituj të randsishëm të historisë së shtetit shqiptar”, ka po atë enciklopedizëm, por kombëtar, nis me Gjomarkajt, Ali Tepelena, Lidhja e Prizrenit, revolucioni Xhon-Turk, kryengritjet, 1912, Kosova dhe Vlora, Toptani, Bajram Curri, Kongresi i Durrësit, Konferenca e Parisit, Fan S. Noli, Luigj Gurakuqi, etj, Balli Kombëtar, Konferenca e Mukjes… Konferenca e Parisit… çfarë i duhet shkollës shqipe dhe deri “Pse Enver Hoxha asht në krye”… “në skenën tragjike të revolucionit komunist shqiptar”.

Botimi është përgatitur nga Anna Shkreli, me parathënie nga Eugjen Merlika, të cilën e titullon “Rilindasi i brezit të fundit”.

Barra i ka rënë atij, prurësit dhe përkujdesësit të gjithë Veprës së Mustafa Merlika – Krujës, një ish i burgosur politik, ai i bën të gjitha, madje me paratë e tij nga dëmshpërblimi i mangët i burgut. Si bashkëvuajtës me mua, më dërgoi dhe dy botimet e fundit këtu, jo shumë larg nga vendi, ku gjyshi i tij si i mërguar politik mbylli sytë përgjithmonë, në Niagara Falls, në një dimër në SHBA.

Bashkohemi me atë që shkruan shkrimtari themeltar Ernest Koliqi: “Veprat e Mustafa Krujës mbesin dëshmimi i shkëlqyeshëm i kontributit që ai i solli naltësimit moral e kulturor të botës shqiptare.”

Botimi i tyre duhej të ishte detyre dhe punë e akademive dhe katedrave të historisë, gjuhësisë dhe albanologjisë, e Lidhjes së Shkrimtarëve si për një akademik dhe historian të shquar, gjuhëtar, albanalog dhe stilist të shqipes, e Ministrive të Kulturës për një autoritet të kulturës, e Kryeministrisë për një kryeministër.

Mustafa Merlika – Kruja tashmë është një institucion. Nëse Shqipëria nuk do të dijë që përvojën dhe arritjet e tij ashtu si dhe humbjet t’i bëjë pjesë të përvojës, arritjeve dhe humbjeve të saj, do të dëmtojë kështu historinë dhe kujtesën e popullit, por dhe kritikën e ardhmërisë.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT