• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2024

Organizata e serbëve osmanllinj: ose si e shfrytëzuan serbët Revolucionin Xhonturk kundër shqiptarëve

March 1, 2024 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Në fund të shek.XIX-të dhe në fillim të shek.XX-të në Perandorinë Osmane ndryshe nga shqiptarët kombësia serbe gëzonte disa të drejta specifike, siç ishte e drejta për tu arsimuar në gjuhën amtare dhe organizimi mbi bazën e komunave kishtaro-shkollore që financoheshin direkt nga Serbia.

Revolucionin xhonturk të vitit 1908 popullsia serbe e shfrytëzoi për zgjerimin e organizatave dhe rrjetit shkollor; për ngritjen e shtypshkronjave, botimin e revistave dhe gazetave, të cilat kishin si qëllim forcimin e hegjemonisë së tyre te shqiptarët, bullgarët, grekët dhe pakicat e tjera në pjesën europiane të Perandorisë Osmane.

Për konsolidimin e kësaj politike në përputhje me rrethanat e reja, përfaqësuesit e komunitetit serb në vilajetin e Selanikut, Manastirit dhe Kosovës organizuan në Shkup nga data 23-26 gusht 1908 një mbledhje të përbashkët. Kjo u realizua me miratimin e Komitetit të partisë “Bashkim dhe Përparim”, që përpiqej t`i përdorte të gjitha kombësitë për interesat e veta.

Në këtë mbledhje u krijua “Organizata Popullore Serbe e serbëve osmanllinj”, e cila kishte degët e saj në vilajetet e përmendura dhe organinin e saj, gazetën “Vardar”, që dilte në Shkup. Kjo organizatë kishte si qëllim që me mbështetjen e Beogradit t`i impononte qeverisë osmane njohjen zyrtare të kombësisë serbe; të rriste numrin e nënpunësve serbë në administratën shtetërore osmane dhe në zgjedhjet parlamentare të nxirrte kandidatët e vet. Nga ana tjetër, ajo synonte që nëpërmjet tyre t`i nxiste xhonturqit për të çarmatosur popullsinë shqiptare në Kosovë, duke e konsideruar këtë si një masë të domosdoshme për ruajtjen e rendit dhe qetësisë. Në fakt, ajo kishte si qëllim që ushtrinë dhe administratën osmane ta përdorte kundër shqiptarëve. Këto veprime ishin në përputhje me politikën e jashtme të Serbisë, e cila drejtonte në prapaskenë këtë organizatë.

Drejtuesit e organizatës të serbëve osmanllinj në bashkëpunim të ngushtë me konsujt e Serbisë në Prishtinë, Shkup dhe Selanik ndërmorën disa takime me përfaqësuesit e Komitetit Xhonturk dhe disa nënpunës të lartë të administratës osmane. Më 19 shtator 1908, në Shkup ndërmjet tyre u arrit në një marrëveshje e përbashkët, sipas së cilës, organizata serbe do të kishte deputetët e saj në sanxhakun e Shkupit, Prishtinës dhe Prizrenit. Prandaj ajo nuk kishte nevojë fare të zhvillonte fushatë elektorale. Për të arritur këtë objektiv ajo duhej të mbështeste kandidatët e Komitetit Xhonturk dhe nga ana tjetër të pengonte nacionalistët shqiptarë.

Veprimtaria e serbëve osmanllinj u shtri edhe në drejtim të propagandës, duke përdorur organet e saj të shtypit. Komandanti i ekspeditës ushtarake, Xhavit Pasha që erdhi në Kosovë për të vendosur rendin, e arsyetonte aksionin dhe masat represive ndaj popullsisë shqiptare gjoja me pozitën e vështirë të serbëve. Ministria e Jashtme në Beograd i justifikonte veprimet e tij me “zullumin e arnautëve” kundër elementit serb.

Organizata e serbëve osmanllinj i përdori organet e saj dhe influencën që kishte te xhonturqit për ta ndezur akoma më shumë zjarrin që shpërtheu kundër alfabetit të gjuhës shqipe dhe patriotëve shqiptarë.

Intriga politike dhe diplomatike serbe për ta instrumentalizuar Revolucionin Xhonturk dhe qeverinë osmane kundër kombit shqiptar në vitet 1908-1912 funksionoi. Një rol për këtë ka luajtur edhe organizata e serbëve osmanllinj dhe komuniteti serb në Kosovë, Shkup dhe Selanik.

Filed Under: Histori

Gjuha Shqipe në gojën e nënës sime

March 1, 2024 by s p

Lazer Stani/

Gjuha shqipe gjithmonë më ka magjepsur në gojën e nënës sime. Ditën fliste pak, merrej me punë, nuk kishte kohë as të merrte frymë. Po, ndërsa hynte e dilte në dhomën tonë të ndenjes, gjithmonë thoshte ndonjë fjalë, ndonjë shprehje, herë duke m’u drejtuar mua e herë pa iu drejtuar askujt, duke e lënë fjalën ose fjalinë pezull në ajër, në pritje që dikush ta dëgjonte para se fjala ose shprehja shuhej, të varrosej në heshtjen që lëshonin muret e trashë në atë qoshe të humbur të botës ku jetonim. Por kishte edhe raste kur nëna ulej pranë meje e bisedonte vetëm me mua, ose lëvizte nëpër shtëpi gjithë gjallëri dhe vazhdonte të më fliste, sikur donte të ndante barrën e rëndë te fjalëve me mua. Edhe pse fëmijë, unë e pata kuptuar se nëna ime fliste më bukur se të gjithë njerëzit që njihja. Përveç zërit të ëmbël dhe pëshpëritës, që në veshin tim vinte si një kompozim mahnitës, ajo vazhdimisht shqiptonte fjalë që unë nuk i dija, ose shprehje që duhej të ishin shumë të vjetra e vinin nga thellësia e kohës, të ngjeshura e të lëmuara, si gurët e zallit të bartur prej larg, nga thellësitë e maleve.

Kjo gjuhë bëhej më e gjallë dhe me e pasur kur ajo me tregonte histori, përralla të dëgjuara apo rrëfime të krijuara prej saj, me përsonazhe që ajo dinte t’i veçonte prej gjuhës që flisnin. Fjala në gojën e saj sikur gjente vetveten, rikrijohej e shqiptohej, sikur thuhej për herë të parë. Trupi i imët dhe i brishtë i sime mëje dukej sikur ishte krijuar prej fjalëve dhe sa herë fliste, rrëfente, ose këndonte, mua më dukej se ajo do të shndërrohej e tëra në fjalë, e tëra në gjuhë, do të shndërrohej në gojë të drurëve, gurëve, lumejve, shkëmbijëve, maleve, horizontit, qiellit deri sa të tretej e të shuhej krejt në fjalën e fundit. Ligjërimi i saj ishte i thjeshtë, i butë, muzikor, kumbues, i çlirët, i natyrshëm, magjepsës….

Nga “Instinkti i Fjalës”

Filed Under: Komente

PËRSËRI KËRCËNIME BËRTHAMORE

March 1, 2024 by s p

Asllan Bushati/

Sic njoftoi “Zëri Amerikës” më 29 shkurt 2024, dhe pothuaj të gjitha mediat botërore, Presidenti rus Vladimir Putin, përpara parlamentarve dhe drejtuesve më kryesor të Rusisë u zotua të përmbushë objektivat e Moskës në Ukrainë.

Duke iu kundërvënë me sa duket deklaratës së bërë më herët këtë javë nga presidenti francez Emmanuel Macron se “nuk duhet të përjashtohet mundësia e dislokimit të forcave tokësore perëndimore në Ukrainë”, paralajmëroi për pasoja tragjike për vendet që vendosin ta ndërmarrin këtë hap duke deklaruar:

“Thonë pa turp se Rusia synon të sulmojë Evropën. Por thjesht e kuptojmë se thonë gjëra pa kuptim, ndërkohë që ata vetë zgjedhin objektiva për t’i goditur brenda territorit tonë, siç thonë ata vetë, me mënyrat më efikase të shkatërrimit. Ata filluan të flasin për mundësinë e dërgimit të kontigjenteve ushtarake të NATO-s në Ukrainë. Por, ne na kujtohet fati i atyre që dikur dërguan kontigjente në territorin e vendit tonë, por tashmë pasojat ndaj këtyre ndërhyrësve të mundshëm do të jenë shumë më tragjike”.

Dhe më pas me butaforizmin që e karakterizon e ngriti stegën e deklarimit akoma më lart duke theksuar me qësëndisje se: “Kemi edhe ne armë. Ata e dinë këtë. Siç sapo e thashë, ka edhe armë që mund të godasin objektiva në territorin e tyre… Këta janë njerëz që nuk kanë kaluar sprova të vështira. Ata e kanë harruar tashmë se çfarë është lufta… Ata mendojnë se këto janë ndonjë lloj filmi vizatimor”.

Edhe në të kaluarën Putini i është referuar fuqisë bërthamore të Rusisë që pas dërgimit të forcave ruse në Ukrainë në shkurt 2022, me synimin për ta dekurajuar Perëndimin nga zgjerimi i mbështetjes ushtarake për Kievin. Në vazhdim të kësaj trysnie edhe gjatë fjalimit në fjalë kërcënoi përsëri se: “njësitë bërthamore të ushtrisë ruse janë në gatishmëri të plotë dhe se ushtria ka futur në përdorim armë të reja të fuqishme, disa prej tyre të testuara në fushëbetejat në Ukrainë”.

Në të njejtën kohë, Putini hodhi poshtë duke e quajtur mashtrim e falsitet pretendimet e udhëheqësve perëndimorë për rrezikun e sulmit rus ndaj vendeve të NATO-s dhe akuzat nga Uashingtoni se Moska po përgatit dërgimin në hapësirë të armëve bërthamore duke theksuar se:“Kemi dëgjuar gjithnjë e më shumë rishtazi akuza të pabaza ndaj Rusisë se p.sh. po vendosim në hapësirë armë bërthamore. Këto falsitete nuk janë asgjë më shumë se falsitete. Janë një kurth për të na tërhequr në negociata sipas kushteve të tyre, nga të cilat përfitojnë vetëm Shtetet e Bashkuara”.

Gjatë fjalimit Putini pa përmendur humbjet e pësuara në forca e mjete, la të kuptohet se megjithse ndjehet i fortë në fushbetejë, ka dëshirën për të negociuar dhënien fund të luftimeve në Ukrahinë. Por paralajmëroi se Rusia pa asnjë mëdyshje do t’i mbajë territoret e marra (pushtuara).

Kjo tregon se ai ka një straregji të përcaktuar mirë, ku pjesa e parë e ambicjeve të tij si një Car i ri i perandorisë së re ruse në formim, është realizuar. Pjesa vijuese e Rusisë madhe nuk dihet, pra mbetet për tu parë, por e riparalajmëroi Perëndimin “kundër një përfshirjeje më të madhe në luftime, duke thënë se një lëvizje e tillë sjell rrezikun e konfliktit global bërthamor”.

Putini pëlqen të tallet me të tjerët (perendimorët), duke ju thënë se punët e luftës nuk janë film vizatimor. Por nga ana tjetër, vetë përsërit herë pas here përdorimin e armëve bërthamore sikur ato të jenë të shtime me armë gjahu dhe jo shkatërrueset e këtij qytetërimi.

Koha po tregon se Putini është i pabesueshëm, me ambicje të mëdhaja dhe tepër i rrezikshëm. Ai nuk njeh norma, ligje ndërkombëtare dhe as marrveshje. Fakti që në zgjedhjet e ardhëshme të 15-17 marsit e ka rrugën e hapur për edhe një mandate tjetër e bën ate një rrezik potencial deri në fillimvitet tridhjetë.

Filed Under: Ekonomi

“Hipokrizi e pastër në Tiranë, aleati i Rusisë “përkrahës” i luftës së Ukrainës për liri

March 1, 2024 by s p

Fejton nga Rafael Floqi/

Në një arenë të imagjinatës politike, loja fillon me tre figurat kryesore: Edi Rama, Aleksandar Vuçiç dhe Aleksandër Soros. Rama dhe Vuçiç janë në një aleancë të fshehtë, ndërsa Soros luan rolin e lojtarit të pavarur, gati për të hedhur një ndërhyrje të papritur në lojë madje duke u bërë pjesë e ekipit shqiptar. Është ai lojtari pas shpine apo buratinai që lëviz kukullat.

Pse Alexander Soros aplikoi për pasaportë shqiptare? Pyesim dhe marrim këtë përgjegje nga satira, sepse ai dëgjoi se Rama ka një politikë të nënshtetësie për gjithë sorosat, sorollopët edhe pse në aparencë Ballkani i hapur ka vdekur pa lindur.

“E megjithatë Edi Rama duket se ka gjetur një mënyrë origjinale për të shmangur pyetjet e gazetarëve – duke i kthyer ato përsëri tek ata! Në përgjigjen e tij për gazetaren Ambrozia Meta, ai duket se e ka hedhur topin prapa asaj duke e pyetur atë nëse Soros ka harruar ta pyesë atë rreth pjesëmarrjes së tij në samit. Të shohim nëse kjo do të bëhet një strategji e re e komunikimit politik – shmangja e pyetjeve duke e kthyer lojën tek pyetësi! Megjithëse kjo duket si stili model i telekomedisë më të re .

Aleksandër Soros ndërhyrë në lojë duke hedhur një zarf të madh me letra, përfaqësues të një lëvizjeje të pazakontë politike, duke shkaktuar pasiguri të papritura në tandemën Rama-Vuçiç. Letrat përmbajnë shënimet e tij: “Mos harroni që loja politike nuk është vetëm përfitime personale. Loja bëhet për popullin, jo për pushtetarët.”

Ndeshja fillon me Rama dhe Vuçiç duke u përballur në një lojë të zbatuar të hipokrizisë. Rama ka një shpërblim të madh në lojë në formën e mbështetjes së mbuluar për Vuçiçin në skenën ndërkombëtare, ndërsa Vuçiç ofron të “humbë” disa territore politike për Kosovën në këmbim të përkrahjes së pretendimeve të Serbisë në lojën e tij të brendshme.

Nga Politika në Përkëdhelje

Në një shfaqje të stërvitjes së diplomacisë, kryeministri Edi Rama duket se po shndërrohet në një ekspert të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke e përdorur ofertën e tij të shërbimeve si një vërtetim të qëndrueshmërisë së vendit tonë dhe një shprehje e dëshirës për anëtarësim sa më të shpejtë në Bashkimi Evropian.

Ndërsa ai rrit ofertat e tij të shërbimeve, me qëllim të tregojë se vendi ynë di të marrë “përgjegjësitë” e veta, disa po pyesin se sa e sinqertë është ky angazhim? Në një situatë ku ndikimi i Moskës në rajon është në rritje, ndërsa Edi Rama përkulet përpara interesave të perëndimit, SHBA dhe partnerët perëndimorë i japin mbështetje të pandërprerë për të qëndruar në rrugën evropiane.

Duke përdorur një gjuhë të butë, ai nuk heziton të deklarojë se vendi i tij është “shteti më pro-evropian dhe pro-amerikan” në rajon, edhe në të njëjtën kohë që përpiqet të bindë se Shqipëria është në përputhje të plotë me politikën e jashtme të perëndimit në mbarë botën, pavarësisht sfidave të brendshme.

Në këtë narrativë, Shqipëria pretendon të jetë mbështetëse e plotë e Izraelit, duke shfaqur një angazhim të rëndësishëm në politikën e Lindjes së Mesme, ndërkohë që përpiqet të mbajë një imazh pozitiv në sytë e partnereve të huaj.

Megjithatë, këto pretendime mund të përballen me skepticizëm, veçanërisht kur vjen puna për reformën në drejtësi. Ndërsa SHBA dhe Bashkimi Evropian kërkon transparencë dhe sundim të ligjit, ka dyshime se disa reforma janë shndërruar në mjet për të përjashtuar kundërshtarët politikë dhe për të konsoliduar pushtetin e regjimit të tanishëm.

Propozuesi i angazhimit evropian

Kështu, ndërsa Edi Rama vazhdon të luajë rolin e propozuesit të angazhimit evropian, ka skeptikë që vazhdojnë të pyesin se sa përputhet kjo me realitetin dhe se sa është përkujdesja e vërtetë për përgjegjësitë, në krahasim me përkëdheljen e interesave të brendshme dhe atyre ndërkombëtare.

Ndërsa loja vazhdon, personazhet ndeshen me sfida të reja: Rama kërkon të shfaqë imazhin e një diplomati të zgjuar që ka përfitime të qarta nga loja e tij me Vuçiçin, ndërsa Vuçiçi përpiqet të mbajë imazhin e një udhëheqësi të fortë, që kontrollon të gjitha hapësirat e lojës. Soros, nga ana tjetër, përdor lojën për të theksuar nevojën për transparencë dhe drejtësi.

Në fund të lojës, lojtarët duhet të marrin vendime të rëndësishme: Rama duhet të vendosë se çfarë do të mbajë prioritet – përfitimet personale ose interesat e vendit të tij. Vuçiç duhet të kujtojë se të fitosh në lojën e politikës nuk është gjithmonë një sukses i vërtetë, veçanërisht kur humbet integritetin dhe moralin. Dhe Soros, i cili luan rolin e shikuesit kritik, kujton të gjithë se në politikë, njerëzit janë të vërtetë dhe pasiguritë nuk janë gjithmonë të rrezikshme.

Ndërsa Zelensky po lutej për municione, ai s’e dinte se Poliçanin e zunë rusët

Një histori e mrekullueshme spiunazhi me rusë pushtoi mediat në qytetin e vogël të Poliçanit në Shqipëri, para do kohe, një vend që duket se është më shumë nën “observimin” e agjentëve rusë se sa nën kontrollin e autoriteteve lokale. Ndërsa vendi ka pas qenë i njohur për fabrikën e saj të municioneve, që tani ndryshket në konservim, duket se u shndërrohet në një skenë të pastër spiunazhi, me agentë rusë në çdo cep të qytetit dhe kjo para se të fillonte lufta.

Në një skenë që do të mund të kishte dalë nga një film i James Bond-it, agjentët rusë shfaqën një interes të theksuar për jetën sociale dhe politike të qyteti mikroskopik në male, duke shpërndarë shpikje të ndryshme për të manipuluar opinionin publik.

Një burim lokal tha: “Nuk ka më nevojë për teori konspiracioni kur ke agjentë rusë që ecin lirisht nëpër qytet duke ndjekur çdo hap të politikës lokale. Po tani nuk e di ka aty fishekë apo gëzhoja. Siç duket agjentët rusë mund ta kenë gënjyer dhe Zelenskin, pasi thuhet se dy prej tyre ishin nga Ukraina. Tashmë, ndjehemi këtu si në një episod të një seriali televiziv, vetëm që në vend të protagonistëve lokalë, kemi agjentë të fshehtë rusë që luajnë rolin kryesor.” Ku ta dinte Rama se do t’i duhej Poliçani?

Kështu, loja vazhdon me një tension të përjetshëm midis interesave personale dhe atyre të përbashkëta, ndërsa personazhet përballen me sfida të reja dhe vendime të vështira në skenën e politikës.

Paradoksi i Diplomacisë Ballkanike

Në një paradoks të vërtetë të diplomacisë ballkanike, Tirana u bë qendra e një shfaqjeje të spektakolarizuar të hipokrizisë ndërkombëtare. Presidenti serb, Vuçiq, po e përshëndeste invazionin e Kinezëve për Tajvanin, duke u bërë praktikisht cheerleaderi i tyre kinez, ndërsa në të njëjtën kohë merrte pjesë në një samit për të treguar mbështetjen për Ukrainën, përballë “Hitlerit të ri” -Putinit.

Doktrina e hipokrizisë së pastër arriti kulmin në fotografinë familjare, ku Vuçiçi u paraqit krah presidentit ukrainas, duke shfaqur një bashkëpunim të ndryshëm nga ai që mbizotëronte në fjalë.

Përpara se të hidhnin firmat, presidenti i Ukrainës i dorëzoi sot kryeministrit shqiptar Edi Rama “Urdhrin e Princit Jaroslav i Urti”, për “kontributin e jashtëzakonshëm personal, në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, mbështetjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe popullarizimin e shtetit të Ukrainës në botë”.

Në këtë komedi të absurditetit diplomatik, një vend si Serbia, i cili është kundërshtar tradicional i pavarësisë së Kosovës dhe po ashtu mbështetës i vendosur i politikës së Rusisë dhe Kinës, duket se luajti një rol të padukshëm në një samit që synonte të mbështeste lirinë dhe demokracinë në Ukrainë. Kjo i shërbeu Vuçiçit për t’u treguar Perëndimit s’e, ai s’është siç e akuzojnë, por është i hapur me të gjithë.

Samiti ishte alibia e “Vuçiçit

Analiza e ngjarjes bëri të qartë se qeverisja shqiptare, në vend që të përpiqej të shfaqte Vuçiqin si një figurë të ndryshme përpara bashkëpunëtorëve ndërkombëtarë, duhet të kërkonte njohjen e Kosovës dhe të përballonte drejtësinë për krimet që ai ka bërë.

Përballë partnerëve të tij perëndimorë, Edi Rama nuk e ka fare të vështirë të imponojë narrativën që i intereson atij . Ndryshe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjithmonë i tunduar nga një afrim me Moskën dhe përballë kryeministrit kryeneç kosovar Albin Kurti, Rama e shet veten si “burri i shtetit i stabilitetit” në Ballkan, si miku tek i cili Perëndimi mund të mbështetet gjithmonë. Dhe për këtë , Perëndimorët janë gati të mos tregohen aq rigorozë me parimet demokratike dhe zbatimin e tyre në vend.

Tirana djepi i samiteve

Të gjitha këto ngjarje e bënë Tiranën të duket si një “djep” e samiteve, ku hipokrizia e shfaqur dhe kontradiktat diplomatike rrezikojnë të bëjnë më shumë dëm sesa dobi për rajonin dhe përballjen me sfidat globale. Dhe duke thirrur “Slova Ukraina”- Rama dhe pse mori titullin nga presidenti i Ukrainës i “Urdhërin e Princit Jaroslav i Urti”, për “kontributin e jashtëzakonshëm personal, në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, mbështetjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe popullarizimin e shtetit të Ukrainës në botë” dhe nënshkroi një Traktat Miqësie me Ukrainën fitoi lavdi për vete dhe hiç gjë për kombin e tij.

Edi Rama i vardiset ndërkombëtarë, duke u treguar, kinse si « neutral dhe i matur » ndaj çështjes së Kosovës, me të vetmin qëllim, se ndoshta në të ardhmen do të fitojë ndonjë post të lartë politik në institucionet evropiane

“Samiti i parë shpjegon mungesën e Kurtit. Samiti i parë ishte spektakël politik. Ata që e bëjnë spektaklin kanë përfitimet e veta. Tre protagonistët e spektaklit të Samitit të parë ishin Zelensky, Rama dhe Vuçiç. Zelensky ka problemet e veta, nuk po merr ndihmat, ka probleme edhe të brendshme, vjen këtu të gjejë mbështetje. Edi Rama ka nevojë për legjitimimin ndërkombëtar, për shkak të problemeve të brendshme, dihet se është benjamin i ndërkombëtarëve. Pavarësisht se thuhet se kanë mbetur në Shqipëri 1.5 milionë njerëz, ne mburremi se po bëjmë Samite etj. Gjithçka bëri Vuçiç shpjegon pse Kosova është humbësja më e madhe në këtë lojë.

Vuçiç tha se për Kosovën mos të flitet fare. Vuçiç tregoi fuqi në Tiranë. Ata janë marrë vesh përpara Samitit se çfarë do të bëjnë. Vuçiç ka vënë kushtet e veta dhe Shqipëria ia ka pranuar këto kushte. Që mos e njohësh Kosovën si shtet në këtë Samit, sigurisht që kërcet. Këtu vjen era Open Balkan, vijmë tek ai projekt që Kosova dhe Mali i Zi nuk e kanë pranuar”,

Ai mund të quhet i “urtë? ai që nuk bëzajti asnjë fjalë për Kosovën, ndërkohë nënshkroi një traktat miqësie me Ukrainën, kur traktatin e njoftuar qysh më 2013 me gjysmën e kombit të vet e ka harruar.

Filed Under: Kronike

Viti i Brishtë – Dobia e Konvencioneve Praktike

March 1, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Një ditë që vjen një herë në katër vjet ka historinë e vet të evolucionit dhe rëndësi të jashtëzakonshme për qytetërimin. Nëse kemi rënë dakord ta pranojmë si një lloj rregullatori të nevojshëm për njerëzimin, mbase ka ende shpresë për të lejuar konvencione të tjera praktike.

Fenomeni prej të cilit muajit shkurt i shtohet dita e 29 i mrekullon mendjet me prirje për shkencat e matematikës, gjurmuesit e origjinës së kalendarëve dhe të interesuar të tjerë. Instituti Teknologjik i Kalifornisë e quan vitin e brishte një modifikim për efekt sinkronizimi të dukurive vjetore të tilla si ekuinokset dhe solsticet. Pra një korrigjim për të drejtpeshuar faktin se orbita e Tokës nuk është saktësisht 365 ditë të vitit, sepse, siç ka konfirmuar NASA, për ta plotësuar udhëtimin duhen edhe gjashtë orë të tjera. Prandaj duke shtuar një ditë ose 24 orë në katër vjet, planeti Tokë e ruan balancën e vet delikate në sistemin tonë qiellor.

Uebsajti i Smithsonian Institute jep shpjegimin shkencor për vitin e brishtë. Midis të tjerave ka edhe një sqarim se edhe pse muaji shkurt mund të ketë 29 ditë, viti mund të mos jetë i brishtë. Për të qenë i tillë duhet të jetë i pjesëtueshëm jo vetëm me 100 por edhe me 400. Për sa na takon neve që jetojmë tani në Tokë, vitet 2020, 2024, 2028, 2032, 2036 janë vite të brishtë. Nëse shkenca do t’i përmbahet kësaj praktike, në vitin 2100 nuk do ketë ditë shtesë, ashtu siç nuk kishte në vitin 1900. Arsyeja e kapërcimit është e njëjta me atë të ekzistencës së saj, thonë shkencëtarët. Pa atë, stinët që ndjekin lëvizjet e hënës dhe diellit do shfazoheshin duke sjellë një kaos të përmasave parahistorike meqë qytetërimet e lashta e ndërtuan jetën e përditshme nga punët bujqësore deri te blatimet për hyjnitë në fazat e hënës dhe të diellit, mbi të cilat u krijuan kalendarët që u trashëguan brez pas brezi.

Periudha e Perandorisë romake përmban plot të dhëna dhe kuriozitete për shumësinë e kalendarëve në hapësirat gjigande të saj. Kalendari i Jul Çezarit i vitit 46 Para Erës së Re ishte modeli i botës perëndimore për qindra vjet. Deri sa në shekullin 16 hyri kalendari gregorian i njohur me emrin e krijuesit të tij. Për shkak se donte që kreshma e Pashkëve të përkonte me stinën e pranverës, Papa Gregori XIII dhe këshilltarët klerikë bënë disa kalkulime të hatashme në kalendarin Julian se kur duhej të kishte apo të mos kishte vit të brishtë. Për 29 shkurtin mund të lexosh sa të duash materiale madje edhe një botim që del vetëm në këtë ditë. Gjithmonë ka shumë kureshtje për ata që kanë lindur në datën 29 të muajit të dytë dhe me të drejtë sepse nuk është fjala vetëm për festimin e ditëlindjes por për pajisjen me patentë automjeti, regjistrime në sigurime shëndetësore etj, data shkakton çrregullime nëse nuk është e ingranuar në sistem.

Duke pranuar 29 shkurtin si praktikë konvencionale për njerëzimin, që rrjedhimisht e bën vitin që jemi 2024 me 366 ditë, është provuar aftësia jonë për dobitë praktike të saj. Dhe për këtë ia vlen të mendosh sot.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT