• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2024

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i thotë Presidentit serb Vuçiç “Kërkoji falje të mbijetuarve të pranishme në sallë”

April 23, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Seanca e sotme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shqyrtimin e raportit gjashtëmujor të Përfaqësueses së Posaçme të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Drejtueses së UNMIK-ut Caroline Ziadeh, u mbajt si pjesë e takimit të rregullt gjysmë vjetor të kësaj instance që jep vlerësimin nga i cili rrjedhimisht ripërtërihet mandati i UNMIK-ut.

Në raportin e Përfaqësueses së Posaçme Ziadeh u theksuan arritjet dhe projektet e misionit të OKB-së siç ishte takimi i parë në janar 2024 i Grupit për personat e zhdukur, pas tri vjetëve pa aktivitet, dhe e punës së institucioneve të vendit veçanërisht në forcimin e besimit të popullatës në proceset demokratike dhe të bashkëpunimit të vazhdueshëm si baza e përparimit në të gjitha aspektet.

Këtë herë mbledhja përkon me 25 vjetorin e operacionit ajror të NATO-s kundër forcave serbe në fushatën e tyre të spastrimit etnik në Kosovë, që u bë pikë referimi nga delegacionet e vendet pjesëtare, veçanërisht midis përfaqësuesve të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ambasadori i Misionit Amerikan Robert Wood iu përgjigj pretendimeve të palës ruse dhe serbe për mungesën e legjitimitetit të fushatës së NATO-s nga Ambasadori rus me fjalët: Lëreni këtë! (Get over it!)

Në fjalën e saj Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani vuri në dukje se çfarë shembulli ka arritur të jetë Kosova sipas treguesve ekonomik, juridik, në indekse mediatike etj. si një demokraci e lindur në lirinë që ia mundësoi NATO. Ajo tha se akuzat dhe deklaratat për “persekutimin e serbëve të Kosovës nga regjimi i Kurtit” të cilat u përsëritën nga Presidenti Vucic në mbledhjen e sotme “janë të pavërteta, të pabaza dhe të hedhura poshtë nga institucionet verifikuese përkatëse të Brukselit”. Ajo e fajësoi Beogradin dhe politikën e Presidentit Vucic për tensionet në fushën e sigurisë dhe sulmet serbe ndaj forcave të NATO-s dhe policisë së Kosovës, siç ishte rasti në shtatorin e kaluar, dhe pengimin e lëvizjes së lirë të shtetasve të Kosovës nga patrullat serbe, siç ndodhi javën e kaluar.

Duke dhënë argumente për mbrojtjen e të drejtave kushtetuesve të banorëve të Kosovës, Presidentja Osmani u ndal në zgjedhjet e kryetarëve të komunave të veriut të Kosovës dhe mundësinë që iu dha së fundmi popullsisë vendase për të rizgjedhur kandidatët e vet, që përsëri u bojkotua me pjesëmarrjen e ulët e serbëve.

Pika më e nxehtë e mbledhjes ishte pjesëmarrja e katër të mbijetuarave të luftës së Kosovës, të cilat ishin të pranishme si pjesë e delegacionit presidencial të Kosovës. Fragmente të përjetimeve të djegieve të familjarëve, të rasteve të përdhunimit dhe personave të zhdukur përkatësisht nga znj. Elhame Muçolli, Vasfije Krasniqi Goodman, Shyrete Tahiri Sylejmani, Fahrije Hoti, u cituan nga Presidentja Osmani përpara anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Ndërsa përballen me sfidat e lëna nga lufta dhe pasojat e spastrimeve etnike ndaj serbëve në Kosovë në 1999, kontrasti midis tyre dhe palës tjetër, tha ajo, është se “ato nuk kërkojnë hakmarrje por drejtësi.”

Ambasadori rus Nebenzya u ankua pranë Presidencës, që për këtë periudhë është Malta, duke e quajtur pjesëmarrjen e katër të mbijetuarave “shkelje të rregullave dhe protokollit të Këshillit të Sigurimit”, pasuar nga Presidenti serb Vucic që e shpalli atë një “teatër politik”. Në kundërpërgjigje Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani shpjegoi se ato të katra janë pjesë e kabinetit presidencial prandaj kanë të drejtë të jenë të pranishme në delegacionin e saj. Në fund, ajo iu drejtua vetë Presidentit Vucic me fjalët: “Kërkoji falje të mbijetuarave të pranishme në sallë. Provo se ke një grimcë humaniste.”

Gjatë seancës së sotme që vazhdoi mbi tre orë, delegacionet e vendeve pjesëtare dhanë vlerësimet e tyre për misionin e OKB-së duke vënë theksin te ecuria e dialogut si e vetmja rrugë për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit. Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbahet vetëm gjashtë ditë pas miratimit për anëtarësim që mori Kosova nga Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës.

Filed Under: Politike

GRUPI “ARBËRIA”, PUNA KULTURORE DHE EDUKATIVE ME FËMIJËT SHQIPTARË NË CHICAGO

April 23, 2024 by s p

Ardit Breznica dhe Georgya Borova  rrëfejnë ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, punën e jashtëzakonshme me fëmijët shqiptarë në ruajtjen e identitetit kulturor kombëtar  në Chicago, nëpërmjet mësimit të valleve shqipe, kengeve shqipe dhe pjesëmarrjes në aktivitete kulturore e komunitare shqiptare në Chicago. Me Ardit Breznicën dhe Georgya Borovën  bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

GRUPI “ARBËRIA” NË SHËRBIM TË FËMIJËVE SHQIPTARË NË CHICAGO

Puna kulturore dhe edukative me fëmijët e Grupit “Arbëria” po shkon shumë mirë. Fëmijët po mësojnë kërcime nga pjesë të ndryshme të Shqipërisë dhe të Kërçovës. Sa herë që kemi orë kërcimi, fëmijët kanë pyetje të ndryshme për ne dhe tregojnë interes për atë që po u mësojmë. Ata të pyesin se nga cila pjesë e Shqipërisë është vallja dhe si të realizohet saktë.

PUNA  ME FËMIJËT NJË EMOCION I VEÇANTË

Çdo vit, motivi ynë është t’u mësojmë fëmijëve tre deri në katër kërcime nga pjesë të ndryshme të Shqipërisë. Këtë vit fëmijët kanë performuar në shumë ngjarje. Disa nga vallet e ndryshme që ata kanë mësuar dhe interpretuar përfshijnë valle popullore, napoloni dhe gajde. Një klasë tipike kërcimi përfshin ngrohjen dhe bisedën me fëmijët për javën e tyre dhe se si ishte shkolla shqipe përpara kësaj dhe më pas përsëritjen e vallëzimeve që kemi koreografizuar për ta dhe përgatitjen për ngjarjen tonë të radhës. Fëmijët janë vërtet kaq të emocionuar që janë në klasë dhe të etur për të mësuar gjëra të reja nga ne, është një kënaqësi e madhe t’u mësosh këtyre fëmijëve të talentuar.

MBËSHTETJA NGA KOMUNITETI, BEFASUESE

Bashkëpunimi me prindërit, komunitetin shqiptar dhe disa organizata shqiptare në zonën e Çikagos ka qenë befasues! Prindërit e këtyre fëmijëve janë kaq mbështetës dhe motivues. Ata i sjellin fëmijët e tyre në klasën e vallëzimit çdo herë dhe tregojnë mbështetjen e tyre për të gjitha ngjarjet e ndryshme për të cilat fëmijët performojnë. Nje falenderim i madhe per “Rozafa’s Mothers” si, Elvi Borova, Atije Breznica, Mimoza Hoxha, dhe shumë të tjera për vendimin të bazes dhë shembullin për të gjithë prindërit e tjerë të ndjekin. Gjithëashtu dhë punën e vështirë nga Eva Teli dhë Nikoleta Gjikdhima, që tani ka kaluar te Ermelinda Ceco për kostumet e Grupit. Fëmijët shkelqen ku do që vemi. Është një bekim i madh të kesh prindër të tillë mbështetës, sepse e bëjnë shumë më të lehtë mësimin e fëmijëve. Por kjo nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e Blerina Musarajt për të mbajtur vazhdimisht prindërit të përditësuar për të gjitha informacionet në lidhje me praktikat dhe ngjarjet. I falënderojmë gjithë prindërit nga zemra për përkushtimin e tyre.

MIRËNJOHJE ORGANIZATAVE SHQIPTARE NË CHICAGO

Komuniteti shqiptar dhe disa organizata shqiptare në zonën e Çikagos gjithashtu luajnë një rol të madh në suksesin e grupit. Ne kemi qenë shumë me fat që u ftuam në ngjarje të shumta që lejojnë fëmijët tanë të shfaqin punën dhe talentin e tyre të palodhur, së bashku me mundësinë për t’i bërë prindërit e tyre krenarë. Ne jemi shumë mirënjohës për mundësinë për të performuar për audienca të ndryshme. Faleminderit Albanian American Community of Illinois (AACI) dhe Federata Vatra për donacionet dhe kontributet e tyre për Shkollën Shqipe Arbëria dhe Grupin Arbëria. Fundja, një falënderim i madh për stafin, prindërit dhe mbështetësit e Shkollës Shqipe Arbëria dhe Grupit Arbëria për të sjellur fëmijët tuaj për të mësuar kulturën shqiptare. Ata do të formojnë një të ardhme më të ndritshme për diasporën tonë!

PROGRESI I SHKËLQYER I FËMIJËVE

Progresi i fëmijëve ka qenë i mrekullueshëm. Filluan me një nivel shumë bazik të kuptimit të muzikës dhe ritmit. Tani jemi në gjendje të mësojmë fëmijët për valle të plotë me nivel mesatar të valles në një kohë të shkurtër. Ata kanë ndryshuar duke mësuar si të dëgjojnë ritmin në muzikë, si të lëvizin trupin me muzikën, dhe të ndjehen të qetë dhe të argëtohen duke valitur. Plani për fëmijët është të vazhdojnë të përmirësojnë kuptimin e tyre për muzikën dhe ritmin. Sipas përparimit të tyre, ata do të jenë në gjendje të mësojnë valle më komplekse që janë shumë më të gjata.

FËMIJËT KANË NJË LIDHJE MË TË THELLË ME ATDHEUN PËRMES MUZIKËS

Po, absolutisht fëmijët janë më patriotë. Fëmijët kanë një lidhje më të thellë me diasporën shqiptare përmes muzikës. Është pjesë kaq thelbësore e kulturës dhe fëmijët tani janë në gjendje ta njohin atë më mirë. Ata dëgjojnë muzikë shqiptare jashtë klaseve të valles, praktikojnë vallet në shtëpi, dhe kur shkojnë në festat shqiptare, ata vallojnë në valle me të gjithë të tjerët. Kjo na bën ne, Georgya dhe unë si mësues, shumë krenarë dhe të lumtur, sepse ne përpiqemi të vazhdojmë të kemi një lidhje kulturore të fortë me të gjithë fëmijët shqiptarë këtu në United States.

FËMIJËT DHE DOMOSDOSHMËRIA E PËRFSHIRJES NË AKTIVITETE KOMBËTARE SHQIPTARE

E para dhe më e rëndësishmja është të flisni shqip me fëmijët tuaj, që ata të mësojnë dhe mbajnë mend gjuhën. E dyta, lutemi përfshini fëmijët tuaj në aktivitete që përfshijnë komunitetin shqiptar. Shkoni në ngjarje, festa, mbledhje fetare, çfarëdo që përfshin komunitetin shqiptar. E treta, bisedoni me prindërit e tjerë dhe bindini ata që të sjellin gjithashtu fëmijët e tyre. Mbështesni njëri-tjetrin dhe mbani lidhje të ngushta me shqiptarët. Nëse jeni në zonën e Shikagos, lutemi sjellni fëmijët tuaj në Grupin Arbëria. Ne gjithmonë kërkojmë të kemi më shumë fëmijë dhe të rinj që të bashkohen me grupin tonë të valles! 2701 N Narragansett Ave, Chicago, IL 60639 është adresa për Shkolla Shqipë Arbëria dhe Grupi Arbëria.

GRUPI “ARBËRIA”, ARDITI, GEORGYA DHE THEMELUESIT

Grupi Arbëria ka qenë rreth për më shumë se 10 vjet. Filloj me Altin Naskën si instruktor valle si dhe me ndimen e Anila Kallapodit. Georgya dhe unë ishim anëtarë. Disa vite më parë, Georgya dhe unë morëm drejtimin si instruktora, dhe tani udhëhoqim Grupin Arbëria. Ata kanë performuar në shumë ngjarje, duke përfshirë darkën e Kapitullit të Çikagos të AANO-s, Festën e Shen Kolit dhe Recitalin AMA i organizuar nga Shoqata Uskana. Georgya Borova është 26 vjeç dhe ka qenë pjesë e Grupit Arbëria që nga dita e parë si një nga balerinët kryesore. Kur ishte e vogël, asaj i pëlqente të shkonte në klasë çdo të diel sepse kërcimi është një nga hobit dhe pasionet e saj. Asaj i pëlqen të shfaqë kulturën e bukur Shqiptare përmes kërcimit. Ka qenë nder të jet valltare e Grupit Arbëria për mbi 5 vite dhe tani të ketë mundësinë të mësojmë brezin e ardhshëm të fëmijëve Shqiptarë. Georgya ka marrë Masterin e saj në Administrim të Kujdesit Shëndetësor dhe ka mbi 8 vjet që punon në fushën e kujdesit shëndetësor. Përveç punës dhe mësimdhënies së Grupit Arbëria me Arditin, ajo pëlqen të këndojë, të kërcejë, të pikturojë, të ndihmojë të tjerët dhe të kalojë kohë me familjen dhe miqtë e saj. Arditi Breznica është 23 vjeç dhe aktualisht punon si inxhinier sigurie rrjeti. Ardit po ndjek një diplomë mjeshtërore në siguri kibernetike dhe shpreson të jetë menaxher sigurie kibernetike një ditë. Dashuria e tij për muzikën dhe vallet nisi kur ishte i vogël. Ai rriti duke luajtur në të bardhë dhe duke valitur kudo që mundi. Ai është i lumtur që ka mundësi të udhëheqë Grupin Arbëria dhe të kalojë pasionin e tij për vallet. Grupi Arbëria ka qenë i suksesshëm që në ditën e parë të fillimit dhe jemi më se të bindur se do të vazhdojë të ketë suksese të mëdha, krahas shkollës shqipe.

Filed Under: Opinion

UNGJILLI SIMBAS KIRILLIT

April 22, 2024 by s p

Nga GIAN ANTONIO STELLA – “Corriere della Sera”, 2 prill 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika  

Po çfarë soj Ungjilli ka lexuar, studjuar e dashuruar Vladimir Mihajloviç Gundjaevi, Patriarku ortodoks i Moskës e i gjithë Rusisë, me emrin Kirill? “Nga pikpamja shpirtërore e morale”, ka thënë pardje duke folur për mësyemjen e Ukrainës, “operacioni ushtarak i veçantë është një luftë e shënjtë, në të cilën Rusia dhe populli i saj, duke mbrojtur të vetmen hapësirë shpirtërore të Rusisë së Shenjtë, kryejnë misionin e “atij që mban” (ose Katékon), duke mbrojtur botën nga sulmi i globalizmit e fitores së Perëndimit të rënë në satanizëm”.    

Fjalë në kundërshti verbuese me ato të përdorura nga papa Françesko: “Është nevoja të hiqet dorë nga lufta, vend vdekjeje ku etërit e nënat varrosin bijtë, ku burrat vrasin vëllezërit e tyre, ende pa i parë , ku të fuqishmit vendosin e të varfërit vdesin. Lufta nuk shkatërron vetëm të tashmen, por edhe t’ardhmen, shkakton tronditje dramatike në më të vegjëlit e më të pafajshmit ndërmjet nesh. Ja shtazëria e luftës, veprim barbar e sakrilegj! Lufta nuk mund të jetë diçka e pashmangëshme: nuk duhet të mësohemi me luftën! Ndërsa duhet të kthejmë pezmatimin e sotëm në zotimin e nesërm. Sepse nëse nga kjo ndeshtrashë do të dalim si më parë, do të jemi të gjithë fajtorë në një farë mënyre. Përballë rrezikut të vetëshkatërrimit, njerëzimi duhet të kuptojë se është çasti të shfuqizojmë luftën, të fshijmë atë nga historia e njeriut më parë se ajo të fshijë njeriun nga historia”. Përsëri: “Besimet fetare nuk mund të përdoren për luftën. Vetëm paqja është e shënjtë e askush nuk duhet të përdorë emrin e Zotit për të bekuar terrorin dhe dhunën”. Përsëri: “N’emër të asnjë Zoti mund të quhet “e shënjtë” një luftë”.

Siç duket ndryshimi ndërmjet dy burrave në krye të dy Kishave të krishtera nuk është vetëm në zgjedhjen e orës së dorës, që në rastin e Françeskut është minimalist e n’atë të Kirillit është një Breguet madhështor prej 30.000dollarësh, i përjetësuar në një fotografi zyrtare e pastaj i zhdukur në mënyrë trashamane me Fotoshop. Sigurisht që thënia ungjillore “duaje fqinjin tënd si vetveten” është më i ngatërruar të korigjohet…

“Corriere della Sera”, 2 prill 2024        Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza

MJEKRA E SAMI FRASHËRIT, E EKSPOZUAR NË MUZEUN HISTORIK KOMBËTAR

April 22, 2024 by s p

Frederik Stamati/

Në qershor të vitit 1978 u përkujtua në Tiranë 100 vjetori i Lidhjes së Prizrenit. Atëhere u zhvillua një aktivitet shkencor në një nga sallat e mbledhjeve të Pallatit të Kulturës dhe u hap një ekspozitë e përkohshme në hollin e katit të parë. Laboratori i konservimit dhe arkeometrisë pranë Institutit të Historisë punoi për konservimin e objekteve që u ekspozuan përkohësisht. Unë u mora me armët si edhe me disa veshje të traditës.

I ftuar në aktivitetet përkatëse ishte edhe nipi i Sami Frashërit, Emin Ekren. Ai solli me vete  një tufë të vogël nga mjekra e Sami Frasherit, e prerë pas vdekjes dhe ua dorëzoi autoriteteve shkencore shqiptare.

Më vonë, kur u hap Muzeu Historik Kombetar, u vendos që relikja e Sami Frashërit të ekspozohej në Pavionin e Pavarësisë. U zgjidhën çështjet etike të trajtimit të mbetjeve humane, të cilat kërkojnë leje nga trashëgimtarët dhe një trajtim dinjitoz. Ato janë zbatuar me përpikmëri.

Më njoftuan se më kërkonte Kryetari i Akademisë së Shkencave profesor Aleks Buda dhe të shkoja e ta takoja. 

-Frederik, -më tha, e di përse të kam thërritur?

Dhe më tregoi rastin. Pastaj më këshilloi të takoja  zv, kryetarin e Akademisë,  profesor Kolë Popën, me të cilin kishin biseduar diçka për mënyrën e ekspozimit.

          Mendimi ishte që relikja të futej në një eksikator vakumi dhe ashtu të ekspozohej në muze. 

Kimistët e dinë se çfarë është eksikatori i vakumit, por do ta përshkruaj me pak fjalë për ata që nuk kanë patur rast të shohin një të tillë.

Eksikatori i vakumit është një enë prej qelqi të trashë, që duron shtypjen atmosferike. Vjen si një gotë cilindrike e përbërë nga trupi dhe me kapak sipër, ku është montuar një rubinet prej qelqi. Për të ruajtur vakumin, të gjitha pjesët e lëvizshme lyhen me vazelinë në vendin e kontaktit.

Dilnin dy çështje:

E para: ena është fare e papërshtatshme nga forma për të qëndruar në vitrinat e një muzeu dhe

E dyta: vakumi nuk ruhet për një kohë të gjatë.

Çfaqa mendimin  për ta mbajtur shtëllungën e mjekrës të mbyllur në një sistem pjatash petri. Pjatat e petrit janë në formë cilindrike dhe nuk e shqetësojnë shikimin e vizitorit. Parashtrova edhe disa hollësi të tjera teknike. U miratua menjëherë.

Dy ishin çështjet që do te duhej të zgjidheshin,

E para: gjendja e fibrave të mjekrës dhe  trajtimi. U shqyrtuan në mikroskop biologjik disa fije dhe nuk u konstatua ndonjë dëmtim i ndodhur me kohë. Mirëpo zmadhimi që arrin mikroskopi biologjik nuk është i mjaftueshëm për të vërejtur hollësirat që kërkon konservimi muzeal. Në atë kohë akoma nuk kishim  mundësi për të shqyrtuar situatën me mikroskop elektronik, që jep zmadhime shumë të mëdha dhe që të mundësojnë një informacion edhe më të vlefshëm. 

Librat profesionalë thonë se qimet e njeriut janë të njëjta në strukturë, natyrisht edhe me veçantitë e tyre, me qimet e kafshëve. Për këtë arsye vendosëm që reliken ta trajtonim ashtu siç trajtohen fibrat e leshit gjatë konservimit muzeal. Ato i lamë në një banjë me preparatin Sandopan, një detergent  tensionoaktiv për të larguar papastërtitë dhe yndyrnat e transmetuara nga prekja e duarve. Mbas shpëlarjes me ujë të distiluar i thamë në letra filtri nga ato që përdor kimia analitike dhe i futëm në një enë qelqi, të mbyllur me kapak, ku shtuam dy-tre kristale timol. Kështu ajo u mbrojt nga myku, mikroorganizmat dhe materialet ndotëse.

E dyta: përgatitja e sistemit hermetik të ekspozimit. Për këtë u mor një fletë e trashë  xhami, nga ai xham që prodhonte fabrika në Kavajë dhe u pre në formë tetëkëndëshe. Brinjët u zmeriluan. U siguruan edhe dy pjata petri me madhësi të përshtatshme. Të  treja keto pjesë prej qelqi u lanë me sapun, u shpëlanë me ujë të distiluar dhe pastaj u trajtuan me ajatinë. Ajatina ka qenë një dezinfektant që përdorej në sallat e operacioneve kirurgjikale. Preparati aktiv i saj është benzododecinium (dimetil, 1-lauril, benzilamonium).

Mbas ketij veprimi ato u prekën vetëm me doreza kirurgjikale. 

Pastaj, për  siguri të plotë  i sterilizuam gjatë një dite  me rrezatim ultraviolet të emetuar nga llampa me fuqi 80 Watt,  në bokset e Institutit të higjenës dhe epidemiologjisë. Spektri më baktericid është në gjatësinë e valëve 240-280 nm. Energjia e mjaftueshme per vrasjen e mikrobeve është 0,05-50μW sec/cm2.

Mbyllja e pjesës së mjekrës në “kutinë” e xhamtë u bë po brenda boksit të rrezatimit UV, tashmë jo në punë, duke ngjitur pjatat e petrit me një ngjitës për përdorim muzeal. Pjata e vogël, e cila mbyllte në brendësinë e saj fragmentin e mjekrës, u ngjit nw “barkun” e pjatws së madhe të petrit, e kjo pastaj, mbi bazamentin tetëkëndësh prej xhami.

Kanë kaluar rreth dyzetë vjet që nga ajo kohë dhe relikja vazhdon të ruhet mirë. Gjithsesi teknologjia përparon dhe nuk duhet të themi se “e mblodhëm mendjen”.

Pak vjet më parë, kur po vizitoja Panteonion në Paris, përbri sarkofagut të njërit prej shkrimtarëve të dëgjuar të Francës, vdekur kohë më parë, ishte vendosur një etiketë, ku shkruhej se momentalisht sarkofagu ishte bosh, sepse materialet ndodheshin në laborator për trajtim. 

Filed Under: Analiza

JUNIOR RED CROSS NEWS (1921) / AUTORJA DHE UDHËTARJA AMERIKANE ROSE WILDER LANE : “DJALOSHI KËPUCAR I SHQIPËRISË QË DËSHIRONTE TË SHKOLLOHEJ…”

April 22, 2024 by s p


Djemtë shqiptarë po korrin një shpërblim në dije përmes një investimi relativisht të vogël të bërë nga amerikanët e rinj — Burimi : Junior Red Cross News, nëntor 1921, faqe n°39
Djemtë shqiptarë po korrin një shpërblim në dije përmes një investimi relativisht të vogël të bërë nga amerikanët e rinj — Burimi : Junior Red Cross News, nëntor 1921, faqe n°39

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Prill 2024

“Junior Red Cross News” ka botuar, në nëntor të 1921, në faqen n°39, rrëfimin e autores dhe udhëtares amerikane Rose Wilder Lane asokohe për një djalosh shqiptar nga Durrësi që dëshironte të shkollohej, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Djaloshi këpucar i Shqipërisë

Nga Rose Wilder Lane

Burimi : Junior Red Cross News, nëntor 1921, faqe n°38-39
Burimi : Junior Red Cross News, nëntor 1921, faqe n°38-39

Disa ditë më parë, kur fëmijët amerikanë po mbaronin pushimet dhe po planifikonin vitin e ri shkollor, një djalë në Durrësi i Shqipërisë, dëgjoi se një shkollë amerikane sapo po hapej në Tiranë. Paraardhësit e tij ishin vëllezërit e gruas, djali i së cilës ishte Aleksandri i Madh, por ai vetë ishte vetëm ndihmës i një këpucari. Ai u ul gjatë gjithë ditës këmbëkryq në një dyqan të vogël të hapur në rrugë dhe fabrikonte këpucë. Pranë tij kishte pirgje lëkure dhie të nxira; ai preu tabanin e këpucëve nga këto lëkura, i zhyti butësisht në ujë, ktheu skajet e tyre dhe thuri një dantellë të fortë dhe të bukur me rripa lëkure të papërpunuar mbi gishtat e këmbëve, në shpinë dhe rreth kyçeve të këmbës. Kjo ishte mënyra se si ai i bënte këpucët. Ndërsa punonte, pa njerëzit që po kalonin në rrugën e ngushtë e me baltë; malësorë dhe xhandarë, gra fshatare që mbanin foshnja në djepa në shpinë, gomerë të ngarkuar, gra myslimane të mbuluara dhe burra të mrekullueshëm në të kuqe, blu dhe ar, me thika argjendi dhe pistoleta në brezat e tyre. Ndonjëherë në turmë kishte amerikanë, të veshur çuditërisht me pantallona dhe pallto të drejta dhe me jaka të bardha, të veshur pa ngjyra dhe që nuk flisnin asnjë gjuhë që mund ta kuptonte.

Gjeloshi e dinte që ata vinin nga vendi më i pasur në botë dhe duke punuar dëgjonte thashetheme. Ai dëgjoi gjëra të pabesueshme për makinat. Një ditë me sytë e tij ai pa një makinë që kaloi pranë dyqanit të tij; ishte një karrocë e madhe, e ulët me katër rrota, e cila nuk tërhiqej apo shtyhej nga asgjë, por që shkonte sikur të ishte e gjallë dhe në të hipnin amerikanët. Pas kësaj, ai mësoi se në Tiranë amerikanët po krijonin një shkollë për të mësuar shqiptarët se si të fabrikonin makineri.

Ai nuk kishte para. Çdo ditë darka e tij kushtonte gjithçka që kishte fituar gjatë ditës, kështu që ai nuk mund të kursente asgjë. Të afërmit e tij ishin vrarë ose varfëruar të gjithë si ai në luftërat e shumta që nga viti 1908, kështu që nuk kishte njeri që ta ndihmonte. Por ai donte të shkonte në atë shkollë.

Nuk mendoj se djemtë dhe vajzat amerikane, paratë e të cilëve e ndërtuan atë shkollë, mund ta kenë idenë se sa shumë ai donte të shkonte në të. Ai e donte aq shumë sa Aleksandri donte të pushtonte botën. Ai tha me vete: “Unë jam një krijesë shumë e vogël në një botë të madhe. Unë nuk kam kthetra, as krahë, si kafshët; Unë jam një burrë dhe kam një mendje me të cilën të bëj rrugën time. Unë duhet të pushtoj botën duke ditur për të. Unë duhet të mësoj.”

Kështu një ditë ai i tha këpucarit se po largohej dhe duke marrë një copë bukë misri në çallmën e tij dhe duke mbajtur këpucët në brez që të mos konsumoheshin, ai shkoi në Tiranë, e cila ishte vetëm dyzet milje larg. Ai takoi z. Crawley, drejtorin, në ndërtesën e Kryqit të Kuq për të Rinj (Junior Red Cross), dhe i tha atij, nëpërmjet përkthyesit : “Unë jam trembëdhjetë vjeç. Unë nuk kam para dhe mjete, por mendja ime dëshiron dijen si shkretëtira dëshiron shiun. Nëse do të më blesh një komplet mjetesh këpucari, që do të kushtojnë 100 lira, unë do të punoj çdo orë që nuk jam duke studiuar e as duke fjetur. Unë do të bëj dhe do t’i rregulloj të gjitha këpucët për shkollën. Kur të jem burrë do të kthej 100 lirat.”

Sot, njëqind lira janë rreth katër dollarë dhe drejtori mendoi se amerikanët e rinj do të ishin të gatshëm të jepnin hua atë shumë. Por ai tha : “Djemtë e tjerë tashmë kanë studiuar anglisht. Ju duhet të jeni në gjendje të lexoni, shkruani dhe flisni anglisht brenda gjashtë javësh, sepse nuk ka tekste në gjuhën shqipe dhe kur të fillojë viti shkollor, të gjitha punët duhet të bëhen në anglisht.”

“Shumë mirë, do të mësoj anglisht për gjashtë javë”, tha Gjeloshi.

Drejtori e çoi nëpër oborr në dhomën ku pesë djemtë më të zgjuar po bënin punën e javës së dytë në anglisht.

Gjeloshi dëgjoi me gjithë zemër, mendje e shpirt.

Në fund të asaj ore të parë, ai dinte dhjetë emra, tre kohë me gjashtë folje dhe dinte të shqiptonte çdo fjali në anglisht që do të bënin. Kur drejtori u largua nga ai në fund të asaj ore, ai tha në anglisht — dhe deri në atë orë nuk dinte asgjë më shumë nga sa dimë ne për shqipen — “Faleminderit, zotëri. Unë do të mësoj.”

Unë them, i heq kapelen djemve të tillë në shkollën e Tiranës ! Në Amerikë duart e tua janë plot mundësi, saqë, pa humbur atë që ke dhënë, i ke pasuruar këta djem. Por është vetëm një prej nesh që mund të ndihet superior ndaj tyre: ai që mund të mësojë më shumë se Gjeloshi në gjashtëdhjetë minuta!

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 61
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT