
Frederik Stamati/
Në qershor të vitit 1978 u përkujtua në Tiranë 100 vjetori i Lidhjes së Prizrenit. Atëhere u zhvillua një aktivitet shkencor në një nga sallat e mbledhjeve të Pallatit të Kulturës dhe u hap një ekspozitë e përkohshme në hollin e katit të parë. Laboratori i konservimit dhe arkeometrisë pranë Institutit të Historisë punoi për konservimin e objekteve që u ekspozuan përkohësisht. Unë u mora me armët si edhe me disa veshje të traditës.
I ftuar në aktivitetet përkatëse ishte edhe nipi i Sami Frashërit, Emin Ekren. Ai solli me vete një tufë të vogël nga mjekra e Sami Frasherit, e prerë pas vdekjes dhe ua dorëzoi autoriteteve shkencore shqiptare.
Më vonë, kur u hap Muzeu Historik Kombetar, u vendos që relikja e Sami Frashërit të ekspozohej në Pavionin e Pavarësisë. U zgjidhën çështjet etike të trajtimit të mbetjeve humane, të cilat kërkojnë leje nga trashëgimtarët dhe një trajtim dinjitoz. Ato janë zbatuar me përpikmëri.
Më njoftuan se më kërkonte Kryetari i Akademisë së Shkencave profesor Aleks Buda dhe të shkoja e ta takoja.
-Frederik, -më tha, e di përse të kam thërritur?
Dhe më tregoi rastin. Pastaj më këshilloi të takoja zv, kryetarin e Akademisë, profesor Kolë Popën, me të cilin kishin biseduar diçka për mënyrën e ekspozimit.
Mendimi ishte që relikja të futej në një eksikator vakumi dhe ashtu të ekspozohej në muze.
Kimistët e dinë se çfarë është eksikatori i vakumit, por do ta përshkruaj me pak fjalë për ata që nuk kanë patur rast të shohin një të tillë.
Eksikatori i vakumit është një enë prej qelqi të trashë, që duron shtypjen atmosferike. Vjen si një gotë cilindrike e përbërë nga trupi dhe me kapak sipër, ku është montuar një rubinet prej qelqi. Për të ruajtur vakumin, të gjitha pjesët e lëvizshme lyhen me vazelinë në vendin e kontaktit.
Dilnin dy çështje:
E para: ena është fare e papërshtatshme nga forma për të qëndruar në vitrinat e një muzeu dhe
E dyta: vakumi nuk ruhet për një kohë të gjatë.
Çfaqa mendimin për ta mbajtur shtëllungën e mjekrës të mbyllur në një sistem pjatash petri. Pjatat e petrit janë në formë cilindrike dhe nuk e shqetësojnë shikimin e vizitorit. Parashtrova edhe disa hollësi të tjera teknike. U miratua menjëherë.
Dy ishin çështjet që do te duhej të zgjidheshin,
E para: gjendja e fibrave të mjekrës dhe trajtimi. U shqyrtuan në mikroskop biologjik disa fije dhe nuk u konstatua ndonjë dëmtim i ndodhur me kohë. Mirëpo zmadhimi që arrin mikroskopi biologjik nuk është i mjaftueshëm për të vërejtur hollësirat që kërkon konservimi muzeal. Në atë kohë akoma nuk kishim mundësi për të shqyrtuar situatën me mikroskop elektronik, që jep zmadhime shumë të mëdha dhe që të mundësojnë një informacion edhe më të vlefshëm.
Librat profesionalë thonë se qimet e njeriut janë të njëjta në strukturë, natyrisht edhe me veçantitë e tyre, me qimet e kafshëve. Për këtë arsye vendosëm që reliken ta trajtonim ashtu siç trajtohen fibrat e leshit gjatë konservimit muzeal. Ato i lamë në një banjë me preparatin Sandopan, një detergent tensionoaktiv për të larguar papastërtitë dhe yndyrnat e transmetuara nga prekja e duarve. Mbas shpëlarjes me ujë të distiluar i thamë në letra filtri nga ato që përdor kimia analitike dhe i futëm në një enë qelqi, të mbyllur me kapak, ku shtuam dy-tre kristale timol. Kështu ajo u mbrojt nga myku, mikroorganizmat dhe materialet ndotëse.
E dyta: përgatitja e sistemit hermetik të ekspozimit. Për këtë u mor një fletë e trashë xhami, nga ai xham që prodhonte fabrika në Kavajë dhe u pre në formë tetëkëndëshe. Brinjët u zmeriluan. U siguruan edhe dy pjata petri me madhësi të përshtatshme. Të treja keto pjesë prej qelqi u lanë me sapun, u shpëlanë me ujë të distiluar dhe pastaj u trajtuan me ajatinë. Ajatina ka qenë një dezinfektant që përdorej në sallat e operacioneve kirurgjikale. Preparati aktiv i saj është benzododecinium (dimetil, 1-lauril, benzilamonium).
Mbas ketij veprimi ato u prekën vetëm me doreza kirurgjikale.
Pastaj, për siguri të plotë i sterilizuam gjatë një dite me rrezatim ultraviolet të emetuar nga llampa me fuqi 80 Watt, në bokset e Institutit të higjenës dhe epidemiologjisë. Spektri më baktericid është në gjatësinë e valëve 240-280 nm. Energjia e mjaftueshme per vrasjen e mikrobeve është 0,05-50μW sec/cm2.
Mbyllja e pjesës së mjekrës në “kutinë” e xhamtë u bë po brenda boksit të rrezatimit UV, tashmë jo në punë, duke ngjitur pjatat e petrit me një ngjitës për përdorim muzeal. Pjata e vogël, e cila mbyllte në brendësinë e saj fragmentin e mjekrës, u ngjit nw “barkun” e pjatws së madhe të petrit, e kjo pastaj, mbi bazamentin tetëkëndësh prej xhami.
Kanë kaluar rreth dyzetë vjet që nga ajo kohë dhe relikja vazhdon të ruhet mirë. Gjithsesi teknologjia përparon dhe nuk duhet të themi se “e mblodhëm mendjen”.
Pak vjet më parë, kur po vizitoja Panteonion në Paris, përbri sarkofagut të njërit prej shkrimtarëve të dëgjuar të Francës, vdekur kohë më parë, ishte vendosur një etiketë, ku shkruhej se momentalisht sarkofagu ishte bosh, sepse materialet ndodheshin në laborator për trajtim.