• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2024

KEMI NEVOJË PËR KLERIKË QË NDJEKIN RRUGËN E FAN NOLIT

April 20, 2024 by s p

Prof. Thanas Gjika/

(Portet-ese kushtuar Peshkopit Theofan Koja)

Më tërhoqi fakti që Peshkopi i ri Theofan Koja krahas punëve të kishës i është kushtuar seriozisht edhe shqiptarizmit si anëtar aktiv i Federatës Vatra. Ky është një ndryshim i dukshëm midis tij dhe klerikëve të tjerë shqiptarë të ShBA-ve, shumë prej të cilëve meshojnë anglisht se nuk dijnë, ose dijnë pak shqip dhe rrijnë larg punëve të kësaj shoqate atdhetare, e cila ka dhënë e jep shumë për popullin shqiptar kudo ku jeton. I Përndershmi Theofan Koja, ka marrë jo vetëm emrin e të paharrueshmit Peshkop Theofan Noli, por po ecën në rrugën e tij si klerik i angazhuar dhe në sfera atdhetare e shoqërore.

Si ndodh shpesh herë, pemës që ka kokra i gjuhet me gurë, por ky klerik nuk u jep përgjigje, ashtu si bënin e bëjnë ata që kanë kulturë të thellë e janë zhytur në punë të vlefshme. Për të sqaruar lexuesit për jetën, punën dhe vlerat e këtij kleriku atdhetar vendosa ta shkruaj këtë portret-ese mbështetur në njohjet e leximet e mia të mëparshme, dhe pasi njoha dhe CV-në e tij.

Përpara se të shpalos shkrimin, e ndjej të nevojshme të sqaroj se çfarë kuptoj unë me fjalët:”veprimtar, që ndjek rrugën e Fan Nolit”.

Të gjithë e dimë se Fan Noli ishte një atdhetar i talentuar shumëdimensional dhe klerik i shquar, i cili ia kushtoi jetën shqiptarizmit duke punuar për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve në tre drejtime:

1. Krijoi së pari Kishën Ortodokse Shqiptare , ku përmes predikimeve dhe ligjëratave në shqip u përpoq të pastronte e të pasuronte botën morale të shqiptarëve.

2. Filloi të botojë gazetën “Dielli”, ku publikoi shkrimet e tij atdhetare për forcimin e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve dhe asgjësimin e propagandave antishqiptare.

3. Krijoi bashkë me Faik Konicën shoqatën atdhetare “Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA”, ku ata bashkuan pa dallim feje, krahine dhe ideje të gjithë emigrantët shqiptarë të Amerikës.

Pra, sipas meje, një veprimtar, ose thjesht një emigrant shqiptar i Amerikës, “ndjek rrugën e Fan Nolit” kur është anëtar i Federatës Pan-Shqiptare “VATRA”, është i abonuar në gazetën “Dielli”, mundësisht dhe boton shkrime në faqet e saj, dhe së treti është edhe anëtar i një institucioni fetar shqiptar këtu në ShBA (sipas përkatësisë fetare i një kishe shqiptare ortodokse ose katolike, ose i një xhamie ose teqeje).

Përsa u përket klerikëve shqiptaro-amerikanë, që shërbejnë sot në kishat shqiptare ortodokse e katolike, ose në xhamitë e teqetë shqiptareve, ku kanë shumë anëtarë që nuk dijnë anglisht, do të ishte më mirë t’i kryenin shërbesat fetare në gjuhën shqipe dhe të ishin të lidhur dhe me Federatën Vatra e gazetën e saj “Dielli”. Mirëpo këto dekadat e fundit kam vënë re se klerikët që shërbejnë në institucionet fetare shqiptare të Amerikës i rrijnë larg Federatës Vatra e gazetës “Dielli” dhe shumë prej tyre dijnë pak ose nuk dijnë aspak shqip.

* * *

Në Shqipërinë e viteve 1990-1992, kur lëvizja demokratike dha rezultate dhe solli ndërrimin e regjimit, shumë të rinj e të reja shqiptarë filluan të mendonin jo vetëm për ndryshimet politike dhe ekonomike, por dhe për qendrimin që duhej mbajtur ndaj Besimit Fetar, të cilin partia-shtet e kishte luftuar egërsisht përmes përndjekjeve dhe propagandës antifetare.

Nga viti 1991 hapja e kishave dhe xhamive u shoqërua me nje proces masiv pagëzimesh, sepse ata që kishin lindur mbas vitit 1967, kur u ndalua besimi fetar, kishin mbetur të papagëzuar. Këta përbënin moshën 1-25 vjeçare. Shumë të tjerë, që asokohe u përkisnin familjeve të besimit mysliman, duke e ditur se pak shekuj më parë i gjithë populli ynë kishte qenë i krishterë, vendosën të konvertoheshin në fenë e krishtere, fenë e të parëve, si në atë ortodokse po ashtu edhe në atë katolike. Pati dhe nga ata që u pagëzuan si të krishterë protestantë edhe pse ky besim ishte përhapur tek ne vetëm në gjysmën e parë të shek. të XX-të.

Disa të rinj, që ishin rritur në familje me prindër besimtarë të devotshëm, ose që kishin pasur në të kaluarën e tyre ndonjë klerik (prift, hoxhë, ose dervish), zgjodhën rrugën e përkushtimit ndaj fesë për tu bërë klerikë. Një ndër ta është dhe Theofan Koja, i cili sot është i emëruar Peshkop i Filomilisë, prej Sinodit të Shenjtë të Patriarkanës Ekumenike për të shërbyer në kishat e Dioqezës Ortodokse Shqiptare të Amerikave nën Juridiksionin Kanonik të Kishës Mëmë të Kostandinopojës, me të cilën kanë lidhje të gjitha Kishat Ortodokse to botës, midis tyre edhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.

* * *

Peshkopi i sotëm Theofan Koja u lind në Tiranë më 1966 në familjen ortodokse aromuno-shqiptare të Aristidh dhe Afërdita (Nikolla) Koja. Prindërit e pagëzuan që foshnjë me emrin Arian, emër të cilin e mbajti deri kur i’u përkushtua rrugës së besimit fetar.

Komuniteti dygjuhësor ortodoks aromuno-shqiptar i Voskopojës, si e kanë sqaruar studiuesit, sidomos Dr. Ilia Ballauri, krijoi një traditë të nivelit të lartë kulturor, fetar dhe gjuhësor (dy-gjuhësor e në disa raste dhe tre-gjuhësor). Ky nivel e ndihmoi këtë komunitet që ta ruante besimin ortodoks dhe dy-gjuhësinë edhe pasi u shpërngul prej Voskopojës. Mbas tre djegieve, ky qytet i begatë dhe i lulëzuar që në kulmin e tij ishte më i madh se Athina, u kthye në gërmadhë. Shumica e godinave dhe kishave madhështore të ndërtuara me gurë të skalitur u rrënuan, rrugët e shtruara me kalldrëm u mbuluan nga dhera e bar, u zhduk shtypshkronja, Akademia (shkollë, që mund të konsiderohet pararendëse e gjimnazit të mëvonshëm “Zosimea” të Janinës), etj.

Banorët e braktisën qytetin gërmadhë, por qytetërimin e morën me vete. Familjet voskopojare që u vendosën pas shpërnguljes nëpër qytete si Korça, Manastiri, Elbasani, Tirana, Fieri, dhe deri larg në Perandorinë Austro-Hungareze, kanë meritën se e ruajtën Besimin e Krishterë Ortodoks dhe dygjuhësinë. Brenda shtëpive të tyre përdornin si gjuhë familjare gjuhën rëmëneshti (forma e evoluar e fjalës gjuha aromanisht, ashtu si evoluoi fjala e etnisë: popull aroman, në: popull rëmën, evouoi edhe fjala e gjuhës së kësaj etnie kulturore nga aromaneshti në: arëmëneshti e rëmëneshti (edhe sot anëtarët e këtij komuniteti të pyesin: shti rëmëneshti? (shqip: a di rëmënisht). Ndërsa jashtë shtëpive të tyre ata flasin atë gjuhë, që flet populli ku ata jetojnë. Flasin shqip në ambjente ku bashkëjetojnë me shqiptarë, flasin maqedonishten, ku bashkëjetojnë me maqedonë, flasin greqishten, ku bashkëjetojnë me grekë, flasin gjermanisht ku bashkëjetojnë me austriakë, etj. Ka raste kur kryefamiljarët, të cilët kishin përvetësuar greqishten gjatë viteve të shkollimit në Akademinë e Voskopojës, ose në gjimnazet greke të Korçës, Manastirit, etj, vijuan ta përdornin këtë gjuhë dhe më vonë si gjuhë kishtare dhe si gjuhë kulture duke u’a trashëguar në shumë raste edhe fëmijëve.

Në të tillë ambjent kulturor e gjuhësor familjar u rrit dhe Ariani që fëmijë. Ai u ushqye me dashurinë për Voskopjën, Niçën dhe Manastirin (Bitola) e lashtë, për kulturën popullore rëmëne dhe atë shqiptare. Lindja, rritja dhe shkollimi në Tiranë, në shkollat shqipe derisa mbaroi Fakultetin Ekonomik të UT në vitet 1981-1985, e konsoliduan Arianin si një zotërues të nivelit të lartë të gjuhës dhe kulturës shqiptare, e cila mbeti gjuha dhe kultura më e dashur për të edhe pasi mësoi gjuhë të tjera dhe kreu studime të larta në Bukuresht, Sibiu dhe ShBA.

Formimi dhe aktiviteti i tij (background) mbas diplomimit ekonomist është shumë i pasur. Në vitet 1985-1987 ai shërbeu në Forcat e Armatosura të Shqipërisë si specialist i Ndërlidhjes (Radist i çertifikuar). Në vitet 1987-1991 ndoqi studimet e larta dhe u diplomua prej Akademisë së Shkencave Ekonomike të Shqipërisë, Tiranë. Në tetor të vitit 1990 shfaqi dëshirën që të lidhej me lëvizjen e re për rigjallërimin e Besimit dhe të Kishës Ortodokse Shqiptare. Për këtë arsye ai mori pjesë në grupin që kreu veprimin kurajoz për të hapur dhe riparuar në Tiranë Katedralen Kryepeshkopale të “Ungjillëzimit” (Holy Annunciation). Më 23 qershor 1991, kur V. Rev. At Arthur Liolin kreu vizitën e punës fetare në Shqipëri, ky klerik mori rolin e “Kumbarit” dhe e pagëzoi Arianin në ambjentet ende të dëmtuara të Katedrales së “Ungjillëzimit” me emrin “Gjergj-i” në respekt të Shën Gjergjit, Martirit të Madh dhe Shenjtorit Mbrojtës të Shqipërisë. Emrin “Shën Gjergji” mbante dhe Katedralja Ortodokse Shqiptare në Boston MA, ku shërbente At Liolini.

Në vitet 1991-1992 djaloshi Koja punoi si Inspektor Ekonomik në Kontrollin e Shtetit të Shqipërisë. Gjatë vitit 1992, nga data 7 shkurt deri më 15 korrik, ai mori pjesë në grupin e parë të studentëve shqiptarë që u trajnuan intensivisht në Seminarin Teologjik Ortodoks në Durrës. Mbas kësaj ai u bë anëtar i Katerdales Ortodokse “Ungjillëzimi” në Tiranë, anëtar i korit të saj dhe themelues i “Shkollës së të Dielës”. Si njohës i gjuhës dhe kulturës aromane (rëmëne) Zoti Koja mori pjesë me kumtesë në Kongresin e Parë Ndërkombëtar të Kulturës Maqedono-Aromane që u mbajt në Tiranë më 2 prill 1992. Këtë kongres ai e ka frekuentuar shpesh deri më sot, kudo ku është mbajtur në Shqipëri, Rumani, Maqedoninë e Veriut, apo në Bridgeport CT. ShBA.

Për formimin e tij fetar, nga shtatori 1992 deri në shtator të vitit 1993 ai u zgjodh Këshillues për Punët Ndërkonfesionale dhe shërbeu si Përfaqësues Zyrtar i Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare të ShBA-ve pranë Presidencës, Qeverisë dhe Parlamentit Shqiptar.

Më 9 maj 1992 mori pjesë në Konferencën e Parë Ndërkombëtare të Fesë, që u mbajt në Tiranë me titullin “The Freedom Of Conscience, a Base For Social Peace” (Liria e Ndërgjegjes, Bazë e Paqes Sociale). Aty ai takoi për të parën herë Nënë Terezën e Kalkutës dhe bisedoi me të. Kurse më 15 prill 1993 pati fatin të takonte Shenjtërinë e Tij Papa Joan Pali i II-të, i cili shoqëroheshe prej Nënë Terezës, të cilën Z. Koja e takoi për të dytën herë.

Në shtator të vitit 1993 Hirësia e Tij, Peshkopi +Kalinik i Arxheshit, Musçelit dhe Teleormanit, me bekimin e Fort Lumturisë së Tij +Theoktistit, Patriark i Rumanisë, e ftoi Z. Koja të vijonte edukimin e lartë fetar në Institutin Teologjik Ortodoks të Universitetit të Bukureshtit, ku i’u dha një bursë e dyfishtë, nga Ministria e Punëve të Jashtme e Rumanisë dhe nga Patriarku i Rumanisë.

Më 1 janar 1995 Hirësia e Tij, Peshkopi +Kalinik i Arxheshit, Musçelit dhe Teleormanit e shuguroi Arianin në gradën e “Dhjakonit” në Katedralen Ortodokse të “Shën Parashqevisë” të qytetit të Piteshtit në Rumani. Menjëherë mbas kësaj ngjarjeje, më 6 Janar 1995, ditën e “Theofanisë së Shenjtë” “Qeth në Murgëri” prej Hirësisë së Tij, Peshkopit +Kalinik të Arxheshit, Musçelit dhe Teleormanit në Manastirin e famshëm Ortodoks të Oborrit të Arxheshit (Kurtea de Arxhesh), ku iu dha emri kishtar “Theofan” në respekt të Festës së “Theofanisë së Shenjtë” dhe në respekt të të mirënjohurit e të dashurit Mitropolitit Shqiptar +Theofan Stilian Noli.

Më 16 maj 1995 u dorëzua prift dhe u gradua Arkimandrit prej Hirësisë së Tij, Peshkopit +Kalinik i Arxheshit, Musçelit dhe Teleormanit në Manastirin historik të Oborrit të Arxheshit, në prani të delegacionit të Presidencës së Shqipërisë i kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i saj zoti Prof. Dr. Kolec Topalli dhe të Përfaqësuesve të Qeverisë së Rumanisë. Pas këtij celebrimi lulëzoi më tej kariera klerikale dhe fetare e Theofan Kojës.

Në shtator 1995 ai u diplomua prej Institutit Teologjik Ortodoks të Universitetit të Bukurseshtit dhe prej shtatorit 1995 deri në Korrik 1997, me bekimin e Fort Lumturisë së Tij +Theoktist, Patriark i gjithë Rumanisë, shërbeu si famulltar në Kishën Ortodokse Rumune “Shën Stefani” në Bukuresh, ku shkonin të dëgjonin shërbesat e tij edhe shumë pasardhës të komunitetit elitar shqiptar si Prof. Dhimitër Polena, Thanas Kristo Rëmbeci me bashkëshorten, etj.

Në nëntor 1995 ai mori pjesë me kumtesë në Kongresin e Spiritualitetit Romun të Herkulaneum. Në shtator 1996 ai u takua me Lumturinë e Tij Mitropolitin +THEODOSIUS Primat i Kishës Ortodokse në Amerikë (OCA) në qytetin Syosset, New York, USA.

Në janar 1998 Arkimandriti Theofan Koja mori pjesë bashkë me Hirësinë e Tij Peshkopin +Nathaniel, kreu i Episkopatës Ortodokse Romune të Amerikës (ROEA – OCA), në emërimin e Ambasadorit të ShBA-ve në Rumani, Z. James Rosapeppe, me të cilin njihej që kur ky i fundit punonte në Ambasadën e ShBA-ve ne Tiranë, në selinë e Departamentit të Shtetit të ShBA-ve. Po atëherë, Hirësia e Tij Peshkopi +Nathaniel i ROEA-OCA e caktoi të shërbente si klerik i parë në Kishën Ortodokse Romune “Kryqi i Shenjtë – Holy Cross” nga 15 janari deri më 11 prill 1998.

Ai ka qenë intervistuar disa herë nga Radio “Zëri i Amerikës” (VOA) seksionet për emisionet shqip dhe rumanisht. Në 2 prill 1998 e priti në rezidencën e tij Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. Rexhep Mejdani.

Në Maj 1998 ai mori Shtetësinë Romune dhe në shtator të atij viti mori pjesë në Kongresin “Romfest” në Bukuresht. Më tej në tetor 1998 mori pjesë me kumtesë në Kongresin e VII-të të Kulturës Romune “The Cultural Identity of Romanians” (Identiteti Kulturor i Romunëve) në qytetin e Timishoarës në Rumani. Më tej mori pjesë në aktivitete të shumta kulturore që u organizuan nga Patriarkana Orotodkse Romune, Shoqëria Kulturore “Maqedono-Romune” dhe Komuniteti Shqiptar i Bukureshtit. Mori pjesë si anëtar në shumë delegacione në shoqëri të Fort Lumtërisë së Tij +Theoktist, Patriarku i gjithë Rumanisë dhe të shumë klerikëve të lartë të Patriarkanës së Rumanisë.

Theofa Koja është dhe autor i shumë kumtesave, artikujve dhe studimeve që janë botuar si në rumanisht, anglisht edhe në shqip, si “Prayer, an Image of the Orthodox Worship” – Bucharest, Romania; “Aromanian Saints in the Orthodox Calendar” – Bridgeport, CT, USA; “A Canonical Study on the Term of ‘Autocephaly’ and on the Albanian Orthodox Autocephalous Church” – Hermitage, PA, USA; – “Aromanian Episcopal Sees in the Balkan Area” – Bridgeport, CT, USA.

Krahas këtyre shkrimeve ai ka botuar shqip dhe rumanisht dhe shumë artikuj kushtuar historisë dhe Kanoneve të Shenjta të Kishës. Ai është poliglot, zotëron me gojë dhe me shkrim shtatë gjuhë: shqip, runamisht, anglisht, italisht, greqisht, aromanisht/rëmëneshti dhe spanjisht. Për nevoja pune ai shfrytëzon dhe disa gjuhë të tjera si hebraisht, latinisht, sllavisht, frëngjisht dhe gjermanisht.

Gjatë viteve 1995-1999 ai punoi për Gradën Doktor i Shencave Teologjike në Universitetin e Bukureshtit. Deri më sot ai ka vizituar më shumë se një herë si klerik shumë vende të Europës, midis të cilave po përmend: Greqinë, Italinë, Britaninë e Madhe, Bullgarinë, Hungarinë, Hollandën, Maqedoninë e Veriut, Zvicerën, Gjermaninë, Austrinë, Spanjën. Në disa prej tyre ai meshoi shqip, rumanisht, greqisht ose anglisht. Ka kryer vizita pelegrinazhi në shumë vende të shenjta, midis të cilave vlen të përmend disa manastire të Rumanisë dhe sidomos manastiret ortodokse të Greqisë si Manastiret e Malit të Shenjtë, Manastiret e Meteorës, Manastiri Ortodoks tek Mali Penteli mbi Athinë, Manastiri “Areopagun e Shën Apostull Pavlit” afër Akropolit të Athinës; Reliket e Shenjta të disa shenjtorëve në Katedralet e Athinës, Selanikut, Patrës, etj.

Më 8 qershor 1999 Peshkopi +Kalinik i Arxheshit dhe Musçelit e liroi Arkimandritin Theofan Koja nga detyra e klerikut të lartë të Patriarkanës Romune, kurse Hirësia e Tij Peshkopi +Nathaniel i ROEA-OCA, e ngarkoi me detyrën e famulltarit të Kishës Romune “Shën Apostull Thomai” në qytetin St. Louis Missouri, ShBA. Në këtë kishë ku Arkimandrit Koja vijoi të meshonte për më shumë se 22 vite anglisht, rumanisht, shqip dhe greqisht shkonin shumë emigrantë shqiptarë dhe shqiptaro-aromunë të atij qyteti, anëtarë të shoqërisë “Illyria”.

Në nëntor të vitit 2000 ai e transferoi punën e doktaratës nga Universiteti i Bukureshtit në Universitetin e Sibiut, ku e plotësoi dhe e mbrojti gradën Dokrot i Shkencave Teologjike në vitin 2003 me disertacionin “Christianity in Albania from the I-st to XX-th Century, and its Orthodox Church – A Historical and Canonical View” (shqip: Krishtërimi në Shqipëri nga shek. I deri në shek. XX dhe Kisha e saj Ortodokse – Një vështrim historik dhe kanonik). Ky disertacion u botua më 2007.

Gjatë vitit 2001 ai u pranua në radhët e klerit të Kishës Ortodokse në Amerikë (OCA). Mbas këtij hapi, në prill të vitit 2002 u thirr prej Peshkopatës Ortodokse Romune të Amerikës (ROEA -OCA) si një nga tre kandidatët për t’u zgjedhur si Peshkop Ndihmës i Kryepeshkopit +Nathaniel të ROEA.

Nga ana e saj Kryepeshkopata Ortodokse Shqiptare e Amerikës (AAOA) e thiri Arkimandritin Theofan Koja në tetor 2003 për ta emëruar si një ndër dy kandidatët për pozicionin e “Ierarkut Titullar” të kësaj Kryepeshkopate, bashkë me Hirësinë e Tij +Nikonin e Baltimorës që në atë kohë shërbente si Peshkop Ndihmës i Mitropolitit +Thoedosius i OCA, por Arkimandriti Theofan nuk e pranoi emërimin në këtë pozitë.

Gjatë shërbimit të tij priftëror ai mori pjesë në disa lëvizje, si “Pro-Life” dhe “Përkrahja e Unitetit të Ortodoksisë në ShBA”, por në përgjithësi iu kushtua punës së Fesë së Krishterë. Po ashtu vijoi të merrte pjesë në shumë ngjarje ekumenike duke përfshirë edhe marrëdhëniet e ngushta me Kryepeshkopin Romano-Katolik të St. Louis MO., dhe me shumë ish-Kryepeshkopë të tjerë.

Në 4 qershor 2009 u zgjodh unanimisht President i Vllazërisë Klerikale Ortodokse të Zonës Metropolitane të St. Louis MO. Kurse në 21 prill 2010 u emërua prej Kryepeshkopatës Ordodokse të Midwestit të Kishës Ortodokse në Amerikë (OCA) si kandidat në zgjedhjet për pozicionin e “Ierarkut Titullar” i kësaj Kryepeshkopate pas largimit nga jeta të Kryepeshkopit +Jov i Cikagos, por Arkimandriti Theofan nuk e pranoi këtë pozitë.

Në 14 qershor 2011 ai mori Shtetësinë Amerikane. Shpesh herë ai ka mbajtur leksione në fusha të ndryshme të Teologjisë dhe të Misionarizmit në shumë Seminare Teologjike si “EDEN”, “COVENANT” Seminary (Presbyterian Church in America); “KENRICK-GLENNON” Seminary (Roman-Catholic Archdiocese of St. Louis); “FOREST PARK” Community College; “MERAMEC” Community College; etj.

Ndër kohë Theofan Koja është zgjedhur President i disa organizatave të ndryshme të Krishtera, si “The Orthodox Witness (OW)”; “In Defense of Christians (IDC)”; etj.

Mbas pensionimit të At Artur Liolinit në 6 shkurt 2021, Arkimandriti Thofan Koja u emërua Rektor i Përkohshëm i Katedrales Shqiptare Ortodokse “Shën Gjergji”, Boston, MA më 10 gusht të vitit 2021. Më pas, më 26 qershor 2022 një Asamble e Përgjithshme e Katedrales së Shën Gjergjit e votoi me shumicë votash Rektor të Katedrales së Shën Gjergjit, Boston MA.

Më 25 gusht të vitit 2022, Peshkopata Ortodokse Romune e Amerikës (ROEA) e liroi Theofanin përfundimisht nga detyra e klerikut dhe ai u transferua tek Kryepeshkopata Ortodokse Shqiptare e Amerikës (AOAA). Shumë shpejt, ai u emërua me dekret të Hierarkisë së Lartë, konkretisht prej Tërë Shenjtërisë së Tij +Bartolomeu, Kryepeshkop i Konstantinopojës dhe Patriark Ekumenik, për të zëvendësuar Hirësinë e Tij +Ilia Ketri, Mitropolitin e Peshkopatës Ortodokse Shqiptare të ShBA-ve dhe Kanadasë, i cili ishte larguar nga jeta pak kohë më parë, më 6 tetor 2022.

Viti 2022 ka qenë një vit i rëndësishëm në jetën dhe veprimtarinë e Arkimandritit Theofan Koja. Ai e ndjeu se ecja në rrugën e Fan Nolit nuk kërkonte vetëm të shërbeje e të meshoje shqip në një kishë ortodokse shqiptare, por edhe të anëtarësohej në Federatën Pan-Shqiptare “Vatra” dhe të abonohej në gazetën “Dielli”, dy krijesat e tjera të Fan Nolit. Lidhjet e klerikëve shqiptaro-amerikanë ishin prerë prej kohësh me Federatën “Vatra”. Gjatë atij viti Theofan Koja u lidh me Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA” dhe gazetën “Dielli” dhe filloi bashkëpunimin me kryetarin e Federatës “Vatra”, Dr. Elmi Berisha, për të kryer kthesën e duhur në Boston MA.

Më 21 Maj 2023 ai u zgjodh unanimisht Kryetar i Ngarkuar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA” (HEARTH), [dega origjinale Nr. 1 Boston, MA, USA) dhe mori përsipër detyrën e veçantë që ta ringjallte, ta ristabilizonte, ta riaktivizonte dhe riorganizonte këtë degë të Federatës në qytetin historik ku kjo shoqatë punëmadhe kishte lindur. Pas muajsh meditimesh, lutjesh ndaj Zotit dhe bashkëpunimi me disa veprimtarë të hershëm të Bostonit dhe rrethinat si dhe me Shoqërinë MAASBesa, Theofani dhe grupi i punës ariti ta krijonte degën e “Vatrës” në Boston MA.

Mbasi mbushi 21 muaj në shërbim të Katedrales së Shën Gjergjit si Rektor i Përkohshëm ai i dha fund këtij shërbimi dhe më 19 maj 2023, me kërkësën e tij me shkrim, u lirua nga pozicioni në Kryepeshkopatën Ortodokse Shqiptare të Amerikës. Mbas këtij largimi kanonik më 6 qershor 2023 ai u pranua dhe u emërua në rangun e klerikut të Peshkopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikës dhe Kanadasë të Patriarkanës Ekumenike të Konstantinopojës. Këtë emërim i’a dha Shkëlqesia e Tij Kryepeshkopi +Elpidoforos I Kryepeshkopatës Ortodokse Greke të Amerikës (GOA) të Patriarkanës Ekumenike të Konstantinopojës.

Më 28 qershor 2023 në prani të TërëShenjtërisë së Tij Patriarkut Ekumenik +Bartolomeu, Theofan Koja u emërua prej Sinodit të Shenjtë të Patriarkanës Ekumenike si Peshkop i Peshkopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikave nën Juridiksionin e Kishës Mëmë të Konstantinopojës.

Mbas 7 muajsh pune intensive në bashkëpunim me një grup shumë aktiv anëtarë të këshillit të degës origjinle Nr. 1 të Shoqatës “Vatra” (Hearth) Boston MA, u arrit me sukses regjistrimi i ish-degës prej Sekretarit të Commonwealth-it të Massachusetts-it më 28 nëntor 2023, me Internal Revenue Services – IRS (Shërbimin e të Ardhurave të Brendëshme). Më 17 dhjetor 2023 Peshkopi Theofan Koja bashkë me grupin e punës organizuan zgjedhjet me standart të lartë transparencë për Këshillin e Përhershëm të Degës Nr 1, të rikrijuar legalisht, të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”. Në këto zgjedhje midis tre kandidatëve, votat më të shumta i mori z. Mentor Maksutaj, pas tij morën Z. Andrea Pani. Peshkop Theofani nuk vuri kandidaturën, pasi ai e konsideroi të kryer punën e tij, që i ishte ngarkuar. Megjithatë një vatran i vjetër e propozoi atë nga salla si kandidat. Kryetar u zgjod Z. Mentor Maksutaj, kurse Peshkop Theofan Koja u zgjodh Nënkryetar. Kjo degë shumë shpejt e rriti numrin e anëtarëve nga 60 në 100 dhe po shquhet për veprimtari të shpeshta kulturore e patriotike.

Kryesia e Federatës Pan-Shqiptare “VATRA”, duke e vlerësuar drejt personalitetin dhe punën e Peshkopit Theofan Koja, e propozoi atë për Nënkryetar të Këshillit të Federatës “Vatra”. I Përndershmi Peshkop +Theofan e pranoi këtë pozitë me përulësi dhe në zgjedhjet që u organizuan më 17 mars 2024, ku mora pjesë edhe unë, ai u votua dhe u konfirmua prej anëtarëve të Kryesisë dhe të Këshillit të Federatës “Vatra” me unanimitet pa asnjë votë kundër, kështu që u emërua përfundimisht Nënkryetar i Këshillit të Federatës “Vatra”.

Mbas disa dekadash në jetën e kësaj federate punëmadhe u bashkua një klerik i mirëformuar dhe i përkushtuar ndaj çeshtjes kombëtare. Kryesia e federatës dhe Këshilli i saj duke zgjedhur për Nënkryetar të Këshillit të Federatës “Vatra” Peshkopin Theofan Koja, bënë një hap të matur duke ngritur në detyrë një personalitet që ecën në rrugën e Fan Nolit.

Së shpejti në një të dielë të afërt shpresoj që bashkë me një grup shokësh e shoqesh të shkojmë te Kisha “Shën Trinia”, Brodway Boston MA për të dëgjuar meshën që jep në gjuhën shqipe i Përndershmi Peshkop Theofan Koja. Do të përjetojmë emocione sikur është ngjallur vetë Noli…

Uroj që edhe klerikë të tjerë të kishave shqiptare ortodokse e katolike, si dhe hoxhallarë e dervishë shqiptarë të Amerikës të ndjekin rrugën e Fan Nolit, duke pasur si shembull Peshkopin Theofan Koja.

Filed Under: Interviste

“Bashkëbisedim muzikor me Ilir Bajrin”

April 20, 2024 by s p

Prof. Liburn Jupolli/

Aktualisht në sferën e dokumentimit artistik e sidomos në muzikë ka shumë pak dokumente të tipit monografik, kritik, hulumtues të cilët e kanë për bazë hulumtimin më të detajuar të veprimtarisë së kontribuesve në muzikë. Kur flasim për veprimtarinë këtu është fjala për njohjen më të thellë të proceseve krijuese të autorëve apo performuesve, qasjen në punë, prapavijën e krijimtarisë, prapavijën historike dhe personale me veprimtarinë, relacionin me proceset e punës kreative, relacionin me mjetet e punës dhe shumë detaje të tjera profesionale për të cilat kemi pak njohuri në sferën e muzikës në Kosovë.

Kontribuesit në muzikë në Kosovë kanë korur suksese të mëdha dhe qëndrojnë mjaft denjësisht në skenën vendore, rajonale dhe botërore, shumëkush prej nesh është i intriguar se si dhe nga vjen ky sukses.

Ky libër tenton ti dhuroj mundësinë publikut të kuptoj më afër këto procese intra-personale të autorit të cilët sigurisht që kanë qasje, metodologji, praktikë dhe bagazh magjepsës shumëvjeçar prapë secilës punë që ne e shohim të finalizuar në skenë.

Dhe kjo është pra synimi kryesor i kësaj serie që përmes këtyre “mikro-monografive” të punës artistike të njoftojmë më thellësisht kontribuesit dhe veprimtarinë e tyre dhe në të njëjtën kohë potencialisht të mësojmë diçka të re, një mjet të ri pune, një filozofi të menduarit për punën artistike që do të na ndihmoj apo inspiroj për të qenë artistë më të mirë dhe përfundimisht edhe njerëz më të mirë.

Materiali që paraqitet në këtë botim është i redaktuar duke përgatitur një dokument më konciz që vjen nga një intervistë apo diskutim shumë më i gjatë dhe disa sesione tjera më të shkurtra jo-formale me autorin.

Gjithashtu botimi është i realizuar me kontributin dhe pëlqimin e plotë të autorit.

Materiali fillestar gjatë përpilimit të botimit ka qenë në formë më standarde nga “pyetje-përgjigje” prej transkriptimit direkt dhe i plotë, i pandryshuar i video-intervistës por kjo formë e trajtimit është ndryshuar me qëllim të ofrimit të një dokumenti më të afërt dhe më të lexueshëm në këtë format.

Kështu që ky libër që keni në dorë ka një format tjetër ku i gjithë materiali është i strukturuar me hyrje për secilën tematikë që është diskutuar dhe me përgjigje të gjata ku autori nuk ndërpritet dhe në përgjithësi lexuesi ka mundësi të ndjek në mënyrë më të “gjallë” elaborimin e mendimeve të autorit.

Natyra e intervistimit të tillë ka qenë me qëllime koncize por shumë e hapur në mënyrë që autori të mund ti shpalos të gjitha detajet nga shumë pikëvështrime, prandaj si ekip i botimit kemi vendosur që materiali të mbetet ashtu i tërësishëm dhe i pandërprerë për një përvojë më reale të mendimit dhe shprehjës së autorit.

(Hyrja e Biografisë së Ilir Bajrit)

Ilir Bajri-Biografi

Ilir Bajri është kompozitor, performues dhe organizues i ngjarjeve dhe festivaleve muzikore në Kosovë. Ai është një prej figurave më komplekse muzikore me një kontribut të gjërë në skenën artistike në Kosovë. Karriera e tij artistike dhe kompozicionale shtrihet me mbi 30 vite aktive si performues në piano, tastierë elektrike të formave të ndryshme dhe modifikim e krijim të efekteve, si dhe prezantimin e një qasje postmoderne në artet ndërdisiplinore. Veprimatria e tij lidhet ngushtë me trashëgiminë muzikore të shek.XVIII-XIX në Kosovë dhe fuzionimin me zhvillimet muzikore moderne në Kosovë nga pjesa e dytë e shek.XX në skenat alternative. Një aspekt stilistik i cili e përfaqëson një pjesë të gjuhës së tij muzikore përveç tjerash, kontribut ky i cili në vete nuk paraqitet vetëm si produkt artistik por edhe si qasje dhe filozofi e të menduarit në këto periudha. Ilir Bajri është mishërim i këtyre filozofive dhe i një qasjeje muzikore që ngërthen në vete mënyrën e të jetuarit në qytet në Kosovë gjatë fundit të shekujve XX-XXI.

Filed Under: Kulture

LIDERI DHE NDRYSHIMI

April 20, 2024 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim Mustafaj/

Çdo kohë është e ndryshme nga një kohë më përpara dhe është e natyrshme që njeriu, si individ dhe si pjestar i një organizmi të caktuar, do të duhet t’iu përgjigjet në mënyrë të përshtatshme ndryshimeve. Por ndryshimi midis realiteteve nuk është asnjëherë simetrik. Ndyshimet zhvillohen sipas një prirjeje që ndryshimet e sotme janë më të shpeshta në kohë dhe më të thella në cilësi sesa ato të djeshmet dhe ndryshimet e nesërme do të jenë shumë më të shpeshta në kohë dhe shumë më të thella në cilësi sesa ato të sotmet. Ndërkohë, me të njëjtin hap është rritur ndërvarësia. Askush në këtë botë globale nuk mund të operojë e të përfundojë me sukses asgjë i vetëm. Bota është bërë shumë më e vogël dhe shumë më komplekse. Asnjë problem nuk mund të jetë tashmë vetëm ekonomik, vetëm kombëtar etj. Nëqoftëse nuk ndiqen prirjet dhe ritmet e zhvillimit, madje nëqoftëse nuk u paraprihet atyre, atëherë ai e ka vetë përgjegjësinë dhe e ka përgatitur vetë dështimin. Kur është në pozita udhëheqësie që drejton, atëherë përgjegjësia është disafish më e madhe. Përgjegjësia e sotme nuk mund të jetë ajo e djeshme dhe përgjegjësia e nesërme nuk mund të jetë ajo e sotmja. Kemi e duhet të kemi arsyetim tjetër, shpejtësi tjetër. Për më tepër, nuk është më “gjeniu” që zgjidh të gjitha çështjet.

Çështja e çdo epoke është intensiteti i ndryshimit në kohë, thellësia në fushat ku zhvillohet dhe gjerësia në kuptimin e shkallës apo hapësirave të përfshirjes së sotme në raport me dje dhe atyre të nesërme në raport me sot. Në raport me këto ndryshime, njerzit, udhëheqësit e të gjitha fushave ideojnë e duhet të ideojnë strategjitë, politikat dhe qëndrimet, me qëllim që t’i udhëheqin këto zhvillime dhe jo të udhëhiqen prej tyre.

Nisur nga e shkuara historike e njerëzimit mund të shohim dy kategori të mëdha drejtuesish/liderë, atë të udhëheqësit të cilin e nxjerrin rrethanat historike të një populli e shteti, si dhe atë të kategorisë së drejtuesit modern, në kuptimin se në shoqëritë dhe shtetet moderne, përgjithësisht nuk ndihet më nevoja historike e drejtuesve të tipit të parë, por sot, më tepër është fuqia e institucioneve ajo që nxjerr drejtuesit e shoqërisë e të shteteve.

Për sa i përket kategorisë së parë, këto lloj drejtuesish i lind nevoja e brendshme historike e një vendi. Ata kanë dalë në skenat e njerëzimit pas problemesh të mëdha e të papërballueshme të popujve të vet dhe me fuqinë e tyre të vullnetit, të shpirtit e të mendjes së lartë, i kanë dhënë drejtimin e duhur njerëzve të tyre në momentet më të rënda të historisë së popujve të tyre. Kategoria e dytë janë njerëz të formuar nëpër shkollat më të mira të vendeve të tyre dhe më gjërë, në mënyrën më institucionale të mundshme, duke u përshtatur me nevojat e reja të shoqërisë moderne. Në shoqëritë e sotme nuk kërkohen më drejtues që të duhen të shpëtojnë nga vdekja e rreziku popujt e tyre apo gjeneralë që të fitojnë luftëra të jashtëzakonshme, përkundrazi, sot ka nevojë për njerëz, liderë të qetë, drejtues që punojnë e jetojnë nëpërmjet veprimeve të kryera mbi arsyetime të cilat gjithnjë marrin parasysh zhvillimet e botës moderne, ku në qendër të cilave gjendet gjithsesi njeriu dhe shoqëria jonë e shekullit të 21, me vlerat e reja të pranuara botërisht nga të gjithë.

Të gjithë kemi dëgjuar dhe dëgjojmë të flitet për drejtimin duke dhënë përcaktime të ndryshme rreth këtij problemi, por pavarësisht prej tyre, thelbi i drejtimit qendron në faktin se ai është një proces ndikimi tek njerëzit për të arritur një ose disa synime, objektiva, apo për të përmbushur një mision të caktuar pra, ai është diçka virtuale që duhet jetuar, duhet ndjerë shpirtërisht dhe duhet bërë pronë e drejtuesit, duke e përmirësuar çdo ditë. Parimet kryesore të drejtimit kanë të bëjnë kryesisht me kompetencat profesionale, njohjen e vetvetes, udhëheqja me shëmbullin vetjak, kujdesi për bashkëpuntorët, aftësitë komunikuese, bashkëpunuese, motivuese, krijuese e arsimuese, marrjes së përgjegjësive etj.

Ja si e përkufizon lidershipin Schwarzkopf,(Gjenerali që udhëhoqi luften në Gjirin Persik): “Unë ju them njerëzve se lidershipi është një kombinim i dy gjërave i karakterit dhe kompetencës”. Një drejtues i ri, fillimisht nuk ka shumë rëndësi se sa di, se sa i aftë është ai profesionalisht. Rëndësi kanë në radhë të parë marrëdhëniet që krijon drejtuesi me bashkëpuntorët. Më pas ndikimet vijnë e bëhen të ndërsjellta dhe është pikërisht personaliteti i drejtuesit, karakteri i tij, ai që luan rol vendimtar te bashkëpuntorët, që i orienton ata në aspektet e komunikimit, bashkëpunimit e besimit të ndërsjelltë. Parimisht, në shumicën e rasteve drejtuesit e mirë nuk lindin të tillë por ata formohen dhe bëhen si rezultat i punës së tyre të përditshme. Nëse ju keni dëshirën dhe vullnetin e duhur mund të bëheni një drejtues i suksesshëm.

Drejtuesi i suksesshëm kompletohet nëpërmjet një procesi të pafundëm vetëstudimi, edukimi, arsimimi, trajnimi dhe pa dyshim përvoja jetësore përbën bazën e suksesit. Drejtimi nuk duhet ngatërruar asnjëherë me detyrimin. Të drejtosh, para së gjithash, do të thotë t’i bindësh njerëzit, t’i frymëzosh ata në punë. Bindja dhe frymëzimi nuk mund të arrihen brenda ditës, javës apo muajit. Për të arritur këtë, drejtuesi duhet të ketë krijuar “emrin” e tij, karakterin dhe personalitetin e vet, duhet të ketë fituar njohuri të gjera e të thella për punën me njerëzit, duhet të jetë bërë i pranueshëm për bashkëpuntorët. Pra drejtimi është një proces kompleks me të cilin një person ndikon mbi të tjerët për plotësimin e një objektivi, detyre ose misioni të caktuar dhe drejton grupin, në mënyrë të tillë që e bën realizimin e këtij misioni më tërheqës dhe më koherent për grupin. Drejtuesi vë në jetë këtë proces duke zbatuar atributet e tij të drejtimit (besimin, vlerat, etikën, karakterin, njohuritë dhe aftësitë e tij). Dëgjojmë shpesh të thuhet që “x” drejtues është njeri me personalitet, me karakter të fortë dhe epitete të tjera pozitive, që rrjedhin nga emri i mirë i tij në punë. Sigurisht, kur këto opinione dëgjohen nga vartësit dhe bashkëpunëtorët e tij, pa i imponuar kush,(kjo është shumë e rëndësishme), sepse imponimi i drejtuesit tek vartësit sot është bërë moto e përherëshme, tregojnë se ai me sjelljen e tij me mënyrën e tij të drejtimit, ka lënë gjurmë tek ata. Dhe ky respekt, ky opinion do të ruhet nga vartësit edhe kur ky drejtues të mos jetë më i tillë.

Drejtuesi nuk duhet ta njehësojë veten me postin që i jepet. Ai lypset të ketë egon dhe personalitetin e tij si njeri. Mund të përmendim shumë emra drejtuesish të cilët, megjithëse janë në pension ose nuk janë më në poste drejtuese, ende kujtohen me respekt. Kjo ndodh sepse drejtuesi me personalitet është i prirur të krijojë marrëdhënie të tilla me vartësit e bashkëpunëtorët, që ata ta pranojnë atë jo vetëm si “autoritet zyrtar”, por edhe si “autoritet shoqëror”. Megjithse pozicioni si drejtues, të jep autoritetin të realizosh një sërë detyrash dhe objektivash, kjo fuqi nuk ju bën një drejtues të mirëfilltë, kjo ju jep ju vetëm pozicionin zyrtar shtetëror, duke ju bërë thjesht, udhëheqësin e nje populli, grupi, etj.

Kur një person është duke gjykuar në se ai ju respekton si një udhëheqës, ai nuk mendon rreth atributeve tuaja. Ai vështron çfarë ju bëni dhe kështu ai mund të njohë kush jeni në të vërtetë. Ai e përdor këtë vështrim për të treguar nëse ju jeni një udhëheqës i nderuar dhe i besuar ose, nëse ju jeni një person që i shërbeni vetes duke keqpërdorur autoritetin për t’u dukur dhe për të bërë karrierë. Udhëheqësit që i shërbejnë vetvetes nuk janë shumë efektivë sepse, vartësit e tyre u binden por nuk i ndjekin ata. Ata kanë sukses të përkohshëm në të shumtën e rasteve, sepse paraqesin një imazh pozitiv tek eprorët e tyre në kurriz të njerëzve që ata drejtojnë. Fatkeqësisht ky model po vërehet sot dhe është modeli më i shëmtuar i një udhëheqësi. Baza e një drejtimi të suksesshëm është ndershmëria e karakterit. Në sytë e bashkëpunëtorëve tuaj, efektet e të drejtuarit janë kudo, dhe ndikojnë jo vetëm në realizimin e objektivave por dhe në anën shpirtërore të tyre. Një udhëheqës i respektuar përqendrohet në atë se çfarë është në fakt, (besimi dhe karakteri) sa dhe si e njeh (punën, detyrat, natyrën njerëzore etj.) dhe çfarë ai bën (zbaton, motivon, siguron drejtimin etj). Çfarë e bën një njeri që të ndjekë një udhëheqës? Njerëzit duhet të jenë të udhërëfyer nga ata të cilët ata i respektojnë dhe të cilët kanë një ndjenjë të qartë drejtimi. Ndjenja e drejtimit është arritje e një vizioni të vazhdueshëm e të qendrueshëm për të ardhmen.

Lidhjet njerëzore përbëjnë pa dyshim aspektin më të besueshëm të një drejtuesi të suksesshëm. Sipas studjuesit Donald Klark i cili klasifikon si një aspekt shumë të rëndësishëm reagimin e drejtuesit ndaj vartësve të tij, ai arrin në përfundimin se: Gjashtë fjalët më të rëndësishme për një lider janë: “Unë e pranoj bëra një gabim”, pesë fjalët më të rëndësishme: “Ju bëtë një punë të mirë”, katër fjalët më të rëndësishme: “Kush është mendimi juaj”, tre fjalët më të rëndësishme: “Të lutem nëse”, dy fjalët më të rëndësishme: “Shumë faleminderit”, fjala më e rëndësishme: “Ne”, fjala më pak e rëndësishme: “Unë”. Kjo duhet të jetë motoja e një udhëheqësi apo drejtuesi të sotem me karakter dhe vision të qartë për të ardhmen e vendit të tij dhe popullit të tij.

Filed Under: ESSE

Vatra promovoi veprën e Prof.Rudina Mita (Todri) “Prefektura e Elbasanit 1925-1939, aspekte politiko-administrative”

April 20, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 20 prill 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra promovoi librin “Prefektura e Elbasanit 1925-1939, aspekte politiko-administrative” nga Prof.Rudina Mita (Todri). Në fjalën e mirëseardhjes sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj përshëndeti në emër të të gjithë vatranëve dhe theksoi faktin se libri i Prof.Rudina Mita hedh dritë në historinë tonë kombëtare dhe politike. Prof. Dr. Roland Gjini në fjalën e tij shprehi mirënjohje e falënderim të veçantë Vatrës për bashkëpunimin dhe solli në vëmendje cilësitë shkencore dhe njerëzore të historianes Rudina Mita si historiane e cila sjell para lexuesit një vepër kërkimore me parametra të larta shkencore. Sipas Prof.Gjinit kjo është vepër e rëndësishme për historinë e Elbasanit dhe historinë politike të shqiptarëve në vitet 20-30-të. Autorja prof.Rudina Mita Todri e emocionuar falenderoi Vatrën për mikpritjen, bashkëpunimin dhe ndihmën ndaj kërkuesve shkencorë që hulumtojnë arkivat e Vatrës duke vënë theksin te rëndësia e evidentimit të fakteve historike dhe ekspozoi punën hulumtuese 8 vjeçare në arkivin e shtetit në përgstitjen e botimit të saj për të bërë interpretimin e duhur historiografik të ngjarjeve të kohës dhe plotësimin e burimeve dokumentare me burime të gazetave të kohës. Prof.Rudina Mita ekspozoi përmbajtjen e librit duke u ndalur te gjarjet e pas revolucionit të qershorit, gjyqet politike, atentatet, periudha e Mbretit Zog, reformimi e ndërtimi i shtetit ligjor, vlerat e Elbasanit në spektin arsimor, politik, ekonomik dhe personazhe si Aqif Pasha e Shefqet Verlaci, Lef Nosi etj. Akademik Beqir Meta në fjalën përshëndetëse të lexuar nga editori i Diellit, theksoi se monografia e Prof. As. Dr. Rudina Mitës është një vepër shkencore serioze dhe me vlera të gjithanëshme shkencore e njohëse për Prefekturën e Elbasanit gjatë njërës prej periudhave më të rëndësishme të historisë së saj, periudhës zogiste, kur shteti shqiptar njohu për herë të parë një proces konsolidimi, zhvillimi dhe reformimi të gjithanshëm. Në këtë kuadër edhe Elbasani, për të cilin autorja argumenton shkencërisht se pati një pozitë nga më të rëndësishmet midis prefekturave të tjera, njohu një zhvillim mbresëlënës të jetës politike e shoqërore. Z.Bashkim Shehu pyeti për enciklopedinë elbasanase për figura të shquara politike dhe Prof. Roland Gjini shpjegoi në detaje botimet dhe konferencat që janë bërë për Elbasanin dhe figura të shquara kombëtare të trevës së Elbasanit. Faton Zogejani vlerësoi punimin dhe kërkoi që dokumentet historike të botohen për të njohur historinë e kombit ndërsa editorja e anglishtes Rafaela Prifti pyeti rreth monografisë së Elbasanit ku autorja Prof.Mita sqaroi se dokumentet janë zyrtare shtetërore arkivore.

Promovimi vazhdoi me biseda miqësore rreth Vatrës, Diellit e shqiptarëve të Amerikës.

Filed Under: Featured

SHKOLLA E XHANDARMËRISË NË GJIROKASTËR, E PARA NË SHQIPËRI

April 20, 2024 by s p

(Në 105-vjetorin e themelimit të shkollës së parë të xhandarmëri/policisë së Gjirokastrës 1919-2024, me programe e instruktorë të Karabinerisë, me përvojë në fushën e policimit në Italinë fqinje)

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Gjirokastra e arsimimit, kulturës dhe shkollës së parë të Xhandarmërisë në Shqipëri.

Një poet gjirokastrit e përcakton qytetin e gurtë në limitet e dashurisë njerëzore: “Po the Gjirokastra, i ke thënë të tëra”. Duke hulumtuar në dokumentat e fillimshekullit të kaluar, rezulton se Gjirokastra, qyteti i aristorkrat ka pasur etjen për dituri, arsim e kulturë, por edhe për rend, qetësi e siguri publike. Kështu rezulton se e para shkollë e Xhandarmërisë, me funksione policore në Shqipëri është hapur në fillim të vitit 1919 në Gjirokastër. Kjo dokumentohet edhe përmes fotove të gjetura në Gjirokastër nga koleksionisti i njohur gjirokastrit Girando Koti dhe Konsulli i nderit të Italisë në Gjirokastër Teodor Bilushi.

Në “Ballafaqime politike” të Sejfi Vllamasit, është viti 1916 kur autoritetet italianë krijuan Milicinë e Gjirokastrës me dy rregjimente me nga tre batalionenjë forcë prej 2800 vetësh nën komandën e gjeneral Ferreros, Çdo njësi milicie drejtohej nga një major italian dhe një nënkomandat shqiptar, ku nga shqiptarët ishinKasëm Radovicka, Riza Cerova, kapiten Zef Pali, kapiten Halo Kuci. Në gati dy vite oficerët e nënoficerët shqiptarë ishin trajnuar në Itali dhe ishin inkuadruar në milicinë shqiptare në Gjirokastër dhe zonën e vet të pushtimit, ku nga 45 oficerë nëntë prej tyre ishin oficerë akademikë. Gjithë organizimet e Xhandarmërisë dhe milicisë shqiptare në këtë periudhë lidheshin me Urdhërin e Komandës së Lartë të Forcave italiane në Ballkan që mban datën 19.1.1919, që hyri në fuqi si dekreturdhër më datën 15.2.1919. Këtu përfshihej edhe spektri i kurseve e trajnimeve të përbashkëta italo-shqiptare. Prurjet dokumentare dhe fotografike nga Gjirokastra, Shkodra, Vlora, Korça, Burreli, AQSH, AQSHF, etj., janë vlerë për themelet e arsimit të xhandarmërisë dhe policisë në fillim të shekullit të kaluar. Të dhënat për Shkollën e parë të Xhandarmërisë dokumentohen dhe përmes fotos së parë në kalanë e Gjirokastrës, për 120 kursantët e parë të drejtuar nga instruktorë italianë të Karabinerisë, por dhe shqiptarë, një përvojë e shkollave më të përparuara të perëndimit. Kursantët e parë të shkollës së Xhandarmërisë ishin gjirokastritë kryesisht nga fshatrat përreth, por edhe nga Delvina, Tepelena e Përmeti.

Në Gjirokastër dokumentohet gjithashtu aktiviteti i shkollës së Xhandarmërisë që në pranverën e vitit 1919, shkollë e hapur përpara shkollave të tjera në Shqipëri. Nga ana tjetër është edhe një fakt interesat, se edhe sheshi “Çerçiz Topulli”, rrëzë kalasë përpara se të merrte këtë emër të madh të historisë shqiptare quhej: “Sheshi i Xhandarmërisë”. Ky ishte sheshi historik dhe më kryesor i qytetit të Gjirokastrës, që pas përgatitjes nga Odhise Paskali (ishin kontaktuar edhe skulptori italian Givera dhe skulptori vjenez Bildshauer Perseshuer) dhe vendosjes së monumentit të Çerçiz Topullit më 1934, ndërkohë që emërtimi i sheshit “Çerçiz Topulli” ishte bërë pas Luftës së Vlorës, më qershor 1922. (Monumenti që kushtoi 3600 franga ari u ngrit me kontributin e gjirokastritëve nën drejtimin e kryetarit të bashkisë Sami Kokalari, si dhe u përurua më 18.3.1934). Sheshi i “Xhandarmërisë” (Policisë) u emërtua sheshi “Çerçiz Topulli” në qershor 1922 me nismën e Veli Hashorvës dhe Javer Hurshitit. Ideja e bustit ishte hedhur nga gazetari shqiptaro-amerikan Xhevat Kallajxhi, kur kishte vizituar statujat e mahnitshme italiane më 1927.(Revista “Minerva” e Nebil Çikës 15.5.1934). Rol luajtën edhe gazeta Demokratia si dhe Beso Gega, Galip Çano, Xhevat Kallajxhi, Vasil Lito, Aleks Çeçi, Xhevdet Xheneti, Sami Kokalari, Foto Tola, Elmaz Hajdëri dhe Bame Mezini. Shatorja është qëlluar nga një ushtar italian gjatë pushtimit italian gjatë LIIB. Pranë bashkisë, shtatores 2.6 m e lartë prej bronxi të Çerçizit, në ish-sheshin e Xhandarmërisë funksiononte lokali i njohur “Shqipja”, që më vonë do emërtohej edhe “Bela Venecia”. Por përtej etiketimeve të xhandarmërisë emri i dëshmorit dhe heroit të kombit Çerçiz Topulli do të bëhej nderi, krenaria dhe pjesa më e njohur e qytetit të Gjirokastrës bashkë me kalanë, kalldrëmete shtëpitë e njohura të qytetit të gurtë. “Qyteti dhe kalaja e ergjëntë duket se kanë dalë nga mali.. dhe një zgjatim labirintik i malit”, ose sikurse e quante Dervish Mehmet Zilli (Evlia Çelebi 25.3.1611-1682) më 1672: “Kalaja e Gjirokastrës është një kështjellë e pashembëllt”. Objekti i këtij shkrimi është pikërisht fillesat e arsimimit të Xhandarmërisë dhe të trajnimit të trupave xhandare si dhe atyre të xhandarmërisë me funksione policore. Megjithëse gjatë pushtimit osman kanë ekzistuar në Shqipëri si policia dhe xhandarmëria me detyra të ndara dhe me pika takimi midis tyre.Me vendim të QPVmë mbledhjen e 13.1.1913 e shkruar në osmanllisht në pikën I. Është shkruar “ësëhtë e nevojshme të bëhet një reformim në çështjet e financave dhe në ato të qetësisë publike” dhe në pikën II “Organika e xhandarmërisë dhe pagat”… “..ky organizëm do të vihet në zbatim më 1.2.1328/14.2.1913”.(AQSH, Fondi 254/II, 1912, Dosja 69/1 origjinali në osmanllisht dhe përkthim në shqip).

Pas Shkollës së Xhandarmërisë së Gjirokastrës edhe si nevojë e domosdoshmëri e kohës, vëmendja e elitës intelektuale shqiptare, dhe veçanërisht pas Kongresit të Lushnjës e Luftës së Vlorës, rithemeluan institucionet shqiptare, që në këndvështrimin historik mund ta quajmë dhe pavarësia e dytë e Shqipërisë. Edhe pse ka pak të dhëna dokumentare e fotografike përsëri është e njohur se në truallin gjirokastrit, vendit që është i etur për arsim, kulturë e dituri u themelua Shkolla e Xhandarmërisë që përgatiti, trajnoi dhe formoi plotësisht një trupë xhandarmërie të njohur, megjithë kufizimet e kohës nën pushtim. Kursantët kishin një trupë instruktorësh të Karabinerisë italiane si dhe oficerë shqiptarë që kishin mbaruar studimet në Turqi ose në shkollat e Perëndimit. Kursantët ishin prurje rajonale nga Gjirokastra, Libohova, Delvina, Tepelena e Përmeti. Përzgjedhja ishte veçanarisht për parametrat truporë. Pavarësisht se kohëzgjatja e shkollës së parë të Xhandarmërisë me funksione policore nuk ishte shumë jetëgjatë, ajo është një ndër gurëthemelet e arsimimit të Xhandarmërisë dhe policisë në Shqipëri. Shkolla e Xhandarmërisë së Gjirokastrës u pasua me hapjen e shkollës së xhandarmërisë në Vlorë dhe më tej me Shkollën e xhandarmërisë së Tiranës të hapur më 5.6.1919. Shkolla e Tiranës drejtohej nga major Ali Shefqeti dhe më pas nga major Ismail Haki Kuçi.

*

Përpjekjet e para të arsimimit policor. Qetësia dhe rendi publik parësore

Në luftrat ballkanike dhe në Luftën e Parë Botërore, Shqipëria ishte bërë shesh lufte ku shkeli këmba e mbi 250 mijë ushtarëve të shtatë ushtrive: italianë, austro-hungarezë, francezë, bullgarë, grekë, malazezë e serbë. Struktura e parë që në qeverisjen e Ismail Qemalit kreu funksione të rojes, xhandarmërisë e policisë por dhe të gardës ishin 400 luftëtarët shqiptarë të ardhur nga Kosova. Nuk është e rastit që Ismail Qemali i kërkonte Isa Boletinit dy djem besnikë nga shqiptarët e Kosovës që e kishin shoqëruar atë për në Vlorë, për t`i bërë roje tek dera e zyrës së qeverisë të porsaformuar. Fakt është se ai nuk e kishte menduar kurrë se me atë veprim, pa dashur po sanksiononte themelet e armës së Xhandarmërisë së ardhshme të shtetit shqiptar, fuksionet policore por dhe të Gardës shqiptare të ruajtjes e mbrojtjes së personaliteteve të shtetit. Kështu Isa Boletini, teksa urdhëronte ata dy djem të rij nga Kosova, që quheshin Ahmet Llapi (nga zona e Llapit) dhe Halim Bajgora (nga Podujevë), për të ruajtur kryeministrin e parë të qeverisë së porsakrijuar, po ashtu nuk e kishte menduar kurrë, se i kishte dhënë vetes atributet e Komandantit të Gardës, në qeverinë e parë të shtetit shqiptar. Fakt është se gjashtë javë pasi ishte shpallur pavarësia e 28 Nëntorit 1912, nga Kuvendi i Vlorës, më 13.1.1913, qeveria e Ismail Qemal bej Vlorës vendosi krijimin e forcave të rendit. Porosia e babait të Pavarësisë, për shtetin që po ngrinte për herë të parë për shqiptarët ishte pikërisht për ruajtjen e rendit, qetësisë: “Përpiquni të siguroni sa më mirë qetësinë e vendit dhe rendin publik…”. (AQSH, Fonde dokumentare, Viti 1912, Dosja 1, Dokumenti nr. 723/19 datë 28.11.1912). Qeveria e Përkohshme e Vlorës, nxorri Vendimin për Krijimin e Forcave të Rendit, që përbëheshin nga forca Policore dhe forca xhandare (AQSH. Fondi dokumentar nr. 245/II, dosja 69, faqe 1). Për herë të parë në një qeveri shqiptare nisi të funksiononte Zyra e Sigurimit Publik, që po të shqipërohet ishte “Drejtoria e Policisë shqiptare”. Të dhënat arkivore flasin se, Qeveria ngarkoi me detyra për organizmin e xhandarmërisë Alem Tragjasin, Hysni Toskën, Sali Vranishtin dhe Hajredin Hekalin, ndërkohë funksionet administrative i kryente policía. Drejtor i parë i plocisë ishte caktuar Halim bej Gostivarin. Në muajin qershor 1913, Xhandarmëria mori formë funksionale pasi u formuan tre batalione të drejtuara nga major Hysen Prishtina në Vlorë, kapiten Ali Tetova në Berat dhe major Ismail Haki Tatzati në Elbasan. Më 3.6.1913 u vu në zbatim rregullorja e Qeverisë së Vlorës “mbi formimin e Milicisë shqiptare” e shkruar në gjuhën osmane dhe e përkthyer në gjuhën shqipe. Qeveria e Vlorës më 20.12.1913, nxori dekretin e përkohshëm “mbi krijimin e xhandarmërisë së jugut”, ku misioni hollandez i Kolonel William I. H. De Weer-it, i ardhur në nëntor 1913 kontribuoi në formimin e katër reparteve xhandare me treqind vetë secili. Në muajin mars 1914 erdhën disa oficerë të tjerë holandezë, të cilët shpërndanë 4 detashmente të krijuara më parë. Oficerët hollandezë ishin të ngarkuar nga Fuqitë e Mëdha për organizimin e forcave të armatosura shqiptare. Me zhvendosjen e kryeqytetit nga Vlora në qytetin e Durrësit, në krye të policisë erdhi Veli Vasjari. Bazuar në statutin organik të 10 prillit 1914, ose kushtetutës së parë të vendit, kapitullit IX të Statusit Organik të Shqipërisë, në Forcat e Armatosura bënin pjesë Xhandarmëria e Milicia. Milicia ishte një “forcë ushtarake vendëse territoriale dhe sedentare” dhe në kohë paqeje mbështeste veprimet e xhandarmërisë.

Zanafilla e krijimit të arsimit të Xhandarmërisë, që nisi në kalanë e Gjirokastrës daton menjëherë pas përfundimit të LIB, rreth mesit të shkurtit të vitit 1919. Ishte koha kur Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë dhe organizator i saj ishte kolonel Ridolfi dhe ndihmës i tij major Banush Hamiti.

Por tendencat e para të shkollimit i gjejmë në Shkodër më 1916, me mbështetjen e komandësë austro-hungareze në Shqipëri përzgjodhi afro 40 djem, të cilët u dërguan në shkollat ushtarake të Austrisë. (“Shqipënija më 1937”, Veprimi shtetnor gjat njëzet e pesë vjetëve të parë të vetqeverrimit Vëllimi I (1912-1937), Tiranë, 1938, faqe 89). Më 10.12.1916, u krijua Republika “franceze” e Korçës, e drejtuar nga Themistokli Gërmenji dhe kapiteni francez Henri Descoins, u krijua prefektura e policisë dhe zyrat e policisë.

Pas përfundimit të LIB më 25.12.1918, qeveria e ngritur në Durrës, nën komandën e Major Ismail Haki Tatzati, organizatorit italian Ridolfo, e major Banush Hamdiu, formuan një forcë xhandarmërie dhe një vit më vonë u hap një shkollë për aspirantë dhe xhandarë në Tiranë, më 5.6.1919 me komandant Ali Shefqeti dhe më vonë Haki Kuçi. Në gusht 1919, u formuan batalione xhandarmërie në qendrat e prefekturave. Pas Kongresit të Lushnjës dhe formimit të qeverisë së Tiranës të Sulejman Delvinës u bë riorganizimi i forcave të rendit. Varësia e xhandarmërisë sipas rregulloreve ishte tërthorazi nga Ministria e Punëve të Brendshme për qetësinë dhe nga Ministria e Drejtësisë për zbatimin e vendimeve të gjykatave. Ndarja administrative teritoriale organikisht ishte bërë në qark (në çdo prefekturë), rreth (në çdo nënprefekturë), postkomanda (në çdo krahinë ose fshat). Xhandarmëria ndahej në 9 qarkkomanda, 40 rrethkomanda si dhe shumë post-komanda.

Aparati shtetëror, pas vitit 1925 u riorganizua dhe Xhandarmëria u nda në 4 zonëkomanda me qendër në Tiranë, Shkodër, Peshkopi, Sarandë që komandoheshin nga kapitenët Preng Previzi, Fiqri Dine, Muharrem Bajraktari dhe Hysni Dema. Por krahas xhandarmërisë, me 22.12.1925, u krijua si strukturë e posaçme edhe policia, e cila kishte zyrat e saj në Tiranë, Berat, Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Shkodër dhe Durrës. Policia kishte funksione gjurmuese dhe administrative dhe ishte në varësi të prefektit. Kjo vijoi përgjatë gjithë periudhës së Republikës së parë shqiptare, pra në vitet 1925-1928.

Në vitet e mbretërisë Xhandarmëria dhe Policia kishte specifikat e veta, pasi bazuar në ligjin e 18.5.1933, Arma e Gjandarmërisë Mbretnore ndahej në Komandën e Përgjithshme, Komandën e Shkollës së Gjindarmërisë, 10 komanda qarqesh, 31 komanda rrethesh, 253 komanda postash. Në pikëpamja ushtarake vartësinë e kishte nga Komanda e Përgjithshme. Rendi dhe qetësia publike varej nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa shërbimi i policisë gjyqësore nga Ministria e Drejtësisë. Policia, që u krijua më 22.12.1925 me tetë zyra në qytetet kryesore funksionuan deri më 1935, kur qeveria “Pandeli Evangjeli” me dekretligjin e 25 qershorit 1935, policia u shkri dhe në vend të saj u vendos xhandarmëria qytetëse, nën urdhrat e prefektëve, nënprefektëve e kryetarëve të komunave. Fakt është se bazuar në dokumentet zyrtare Komanda e Xhandarmërisë në dhjetor të vitit 1927 në Shqipëri kishte: 112 oficerë të xhandarmërisë, 562 nënoficerë xhandarmërie, 2441 xhandarë, 39 rrethkomandantë, 3000 armë austriake. Po në vitin 1927 emërohet atashe ushtarak në Tiranë koloneli Alberto Pariani, në krye të një misioni të madh ushtarakësh me rreth 200 ushtarakë italianë, që u mor me riorganizimin e ushtrisë shqiptare, duke marrë padyshim si model ushtrinë mbretërore italiane me një sistem pjesërisht i fortifikuar me 60 km vijë kufitare, për të qenë në gjëndje që ta vononte armikun, për t’u dhënë kohë trupave italiane të zbarkonin në Shqipëri. Më 1933, në krye të Xhandarmërisë ishte nënkolonel Shefki Shatku, i cili ishte një nga oficerët më të përgatitur të asaj arme. Në ndihmë të Xhandarëmrisë, gjeneralin anglez Jocelyn Percy, (që zvëndësoi kolonelin Frank W. Stering, që kishte ardhur në Durrës në Maj 1923) i cili dha një kontribut në forcimin e konsolidimin e asaj arme.

Në verën e 1937-ës nisi projekti për formimin e Policisë së Sigurimit Botnor dhe në provën e parë hynë 275 policë, të gjithë të moshës 23 – 33 vjeç me shkollë të posaçme policie. Ajo do të zëvendësonte xhandarmëritë e qyteteve në Tiranë, Shkodër, Durrës, Korçë, Vlorë dhe Sarandë. Varësia e kësaj strukture ishte nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe në 1938-ën, Xhandarmëria Shqiptare kishte 3643 efektivë. Ndërsa ligji i miratuar më 19.1.1938 nuk mundi të provohej për shkak të 7 prillit 1939, të pushtimit fashist të Shqipërisë. Kursi i parë i policimit i ngritur i 21 Majit 1938 me komandant major Viktor Shantoja, nuk e pati mundësinë që të vihej në provë pasi pas një viti gjithë kursantët e këtij kursi i vijuan studimet në Itali. Në dekadat që pasuan dhe veçanërisht pas LIIB, përmasat e sistemit arsimor policor kishin një rrugëtim të diktuar, ku rutina e përditshmëria e problematikës së rendit, qetësisë e sigurisë nuk lejonin që të shikohej më tej, më shumë dhe më qartë mbi problematikat e sigurisë, ndërkohë që një maksima popullore për këto raste na kujton se, “nuk më lë pema që të shikoj pyllin e prerë”. Stacione të tjera të rëndësishme të arsimimit janë në vitin 1945, në 20 janar 1954 si dhe veçanërisht më 20 dhjetor 1971, kur u formua Shkolla e Lartë e MPB-së. Në 53 vite shkolla ka pasar një transformim të plotë dhe vjen më e plotë dhe më e kompletuar në akreditim, në konsolidim, dhe e gatshme për t’u përballur më sfida të reja. Edhe në tre dekadat e fundit po vërtetohet thënia proverbiale e Tomas Fuller se, “e sotmja është nxënëse e së djeshmes”. Misionarët e shkollimit të xhandarmërisë me funksionme policore, të edukimit policor vijon me mision e përgjegjësi të reja me trajnime e kualifikime bashkëkohore. Pritshmëria e publikut për ofrimin e sigurisë së brendshme, ruajtjen e rendit e qetësisë publike, garantimit të zbatimit të ligjit, vijon të jetë e madhe, prandaj sfida e edukimit policor si profesion i fushës së sigurisë ngelet në vëmëndje të qeverisë, por mbi të gjitha në gjykimin dhe vlerësimin e publikut. Shkolla e xhandarmërisë së Gjirokastrës si dhe shkollat e tjera që u hapën në shumë qytete shqiptare shtruan “pathet” e së ardhmes së shkollimit policor, që po konsolidohet sot në Akademinë e Sigurisë, tashmë të akredituar institucionalisht në bazë të vendimit nr. 7, datë 27.1.2023, “Për akreditimin për herë të parë të institucionit të arsimit të lartë Akademia e Sigurisë, me kohëzgjatjen prej pesë vjeçar.

Burime studimi: Fonde dokumentare të AQSH, AQFA, AQMPB; AQSH, Fondi 254/II, 1912, Dosja 69/1 origjinali në osmanllisht dhe përkthim në shqip; Teki Selenica, Shqipnia më 1927, “Shqipënija më 1937”, Veprimi shtetnor gjat njëzet e pesë vjetëve të parë të vetqeverrimit me parathënie të Dhimitër Berati, Vëllimi I (1912-1937), shtypsh“Kristo Luarasi” Tiranë, 1938; H. Shkëmbi, Zhvillimi i legjislacionit të PSH, Tiranë, 2004; Fletore Zyrtare mr.110, 5.8.1927, Fonde dokumentare të Komandës së Xhandarmërisë; Fletore Zyrtare nr.4 1938, Rregullore e organizimit të kursit policor, 21.5.1938, Piero Crociani, Shqiptarët në Forcat e Armatosura Italiane (1939-1943), Tiranë, 2005; Revista “Minerva” e Nebil Çikës 15.5.1934, Gazeta “Demokratia”; Historia e Shqipërisë, Vëll.III, 1984; VKM nr.545 datë 29.12.1992, “Mbi caktimin e datës së krijimit të Forcave të Rendit”.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 61
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT