• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2024

PRAGU I NJË LUFTE TË RE BOTËRORE

April 15, 2024 by s p

Asllan Bushati/

Analistët ushtarakë të vendeve kryesore të botës, kanë hedhur idenë se pas sulmit të Rusisë kundër Ukrahinës, ka marrë fund detanta e pasluftës së ftohtë. Prej kësaj ngarje mund të mendojmë se një luftë e re ka nisur. A do të jetë ajo pjesore apo botrore, lypset të presim për ta parë. Por me çfarë shihet sot, “pllakat tektonike” të politikës globale po lëvizim me shpejtësi, për hapsira e tregje të reja, sfera influence, sigurije vetiake e kolektive, të cilat prodhojnë luftë.

Është thënë edhe herë të tjera se ngecja e përparimit Rusisë në Ukrahinë, bëri që kjo e fundit të shtyjë Iranin (ndoshta edhe Serbinë) të hap vatra të reja konflikti në mënyrë që vemendja të largohet nga Rusia. Provokimi i Hamasit që të sulmonte befasisht Izraelin, është pjesë e kësaj strategjie. Disa gjeneralë idiote planifikuan që Hamasi të vriste 1200, të rrëmbente 250 izraelitë dhe të pushtonte 26 rajone me sulm të befasishëm për 24 orë. Por cfarë ndodhi më pas? Izraeli cliroi pjesën e pushtuar, shkatrroi gjithë infrastrukturën ushtarake e civile të Hamasit duke vrarë më shumë se 33 mijë palestinez. Pra gjeneralët idiotë jo vetëm nuk fituan kundër Izraelit, por pësuan një humbje 22 herë më të madhe duke e plagosur rëndë popullatën e pa fajshme palestineze. Disa nga këto të ashtuquajtur gjeneralë u goditën me precizion para një jave në vend strehimin e tyre në Damask nga Izraeli. Marrë shkas nga sa më lart, Irani deklaroi se do të hakmerrej fuqishëm.

Kështu, masmedia amerikane, në orën 23 të datës 13 prillë 2024, njoftoi se Irani filloi sulmin me raketa dhe drone kundër Izraelit. Pamjet e sulmit u panë drejt për së drejti për teleshikuesit amerikanë (përfshi edhe mu), ku doli se 99 përqind e tyre u asgjësuan pa prekur objektet në tokën Izraelite. Madje shumica u interceptuan dhe asgjësuan pa hyrë në hapsirën izraeilite. Mbrojtja kundërajrore e izraelit ishte e përsosur, ndihmuar edhe nga forcat ushtarake amerikane, britanike, franceze, jordaneze dhe saudite. Pra “hakmarrja e fuqishme iraniane” përfundoi në një dështim spektakolar. Nga ky sulm i stërmadh ajror ka patur vetëm disa të plagosur (jashë rrezikut për jetën) në Izrael. Por sulmi ka prodhur një hapsirë për veprime diplomatike e ushtarake të mëtutjeshme.

Nisur nga ky sulm ajror, SHBA-ja kërkoi mbledhjen urgjente të G7-tës kryesuar nga Italia, ku nga takimi virtual doli se duhen forcuar takimet e shtërngesat diplomatike dhe jo ato ushtarake.

Presidenti Biden dhe administrate e tij e ndoqën direkt mbrojtjen kundërajrore të Izraelit dhe dështimin e sulmit Iranian. Ata janë kundër hakmarrjes dhe premtuan përgatitjen e një përgjigje diplomatike. Po ashtu ata bënë të ditur se nuk dëshirojnë hapjen e një konflikti me Iranin. Në të njejtën kohë i thanë Izraelit të ndalonte hapat për një sulm të mundëshëm konvencional e bërthamor kundër Iranit. Hapur ju bë me dije atij, se në se e merrni një hap të tillë SHBA-ja nuk do të marrë pjesë. Me këtë qëndrim janë pajtur edhe aleatët e Izraelit (UK-ja, Franca, Jordania, Arabia Saudite), madje edhe Kina e Rusia kanë bërë thirrje për vetpërmbajte e zgjidhje diplomatike.

Izraeli nga ana tjetër,është në gjendjen e gatishërisë luftarake numër një. Qeveria dhe gjithë administrata e tij janë kundër “përgjigjes diplomatike” të sygjeruar nga aleatët. Ata po flasin hapur për një kundër përgjigje dhe hakmarrje ushtarake deri në kufijt fundor, e cila nuk përjashon edhe sulmin bërthamor. Ndërmarrja e një hapi të tillë do ta dëmtonte rëndë Iranin, por do të krijonte precedentin e ri botrore, që edhe poseduesit e tjerë të armëve bërthamore, zgjidhjet u ngërcit në fushën e luftimit ti zgjidhnin me armët e shkatërrimit në masë. Kjo do të ishte jo vetëm lufta e re botërore, por ndoshta edhe fundi i këtij qytetërimi 12 mijë vjeçar.

Filed Under: Analiza

Shpëtimtari i Kosovës, Joe Dio Guardi në film dokumentar

April 15, 2024 by s p

Qemal Zylo/

Në mjediset e Fordham Preparatory School, The Leonard Theatre, Diaspora Shqiptaro Amerikane u mblodh për të parë filmin dokumentar Joe Dio Guardi, Shpëtimtari i Kosovës.

Filmi Dokumentar “Shpëtimtari i Kosovës” flet për jetën dhe veprimtarinë e politikanit të lartë Amerikan, Kongresistit Joe Dio Gurdi me origjinë arbëreshe. Filmi dokumentar ka producent aktorini Hysen Zeqaj.

Aktori Hysen Zeqaj, ka qenë pjese e një projekti filmik të Hollywood-it. Aktori me origjinë nga Peja me banim në Texas ka luajtur në “Queen of the South”, prodhim i Hollywood-it me serial në tre sezone.

Dokumentari flet me fakte historike dhe të vërteta të padiskutueshme rreth punës, mundit, sakrificave, përpjekjeve për të sensibilizuar politikanët amerikanë dhe mbarë publikun nga Joe Dio Guardi. Të gjithë e dimë se njohuritë për Kosovën në mbarë opinionin publik ishte pothuajse zero. Biri Arbëresh lindur dhe rritur në Amerikë, me gjak shqipari në deje nuk mund të heshtëte për krimet që po ndodhnin në Kosovë, për genocidin e pashoq që po ushtronte kucedra e ballkanit Sllobodan Milloshevic. Biri i Amerikës dhe Arbërisë ngriti në këmbë Kongresin Amerikan, tundi botën për të njohur krimet makabre që po ndodhnin në mes të Europës, por mjerisht e fshehur qëllimisht në opinion.

Hysen Zeqaj e ka realizuar dokumentarin mjeshtërisht për Heroin e Kosovës, Joe DioGuardi i cili ishte zëri ynë kur ne nuk kishim, ai ishte Liria jonë, kur ne ishim të pushtuar nga zaptuesit serbë.

Dokumentari është mirënjohje e pakufishme për legjendën e Kosovës, Heroin real të Kosovës Joe DioGuardi.

Fotot dhe pamjet filmike janë një punë e jashtëzakonshme, profesionale dhe bindëse për atë cfarë ka bërë Kongresisti Joe DioGuardi. Lidhjet e tij me politikanët më të lartë të Amerikës bëri që të sensibilizonte mbarë opinionin, të ngrinte peshë zemrat e shqiptarëve në demonstrata, tubime politike, takime në Shtëpinë e Bardhë etj.

Joe DioGuardi ishte Kongresisti i parë i Kongresit Amerikan që solli çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Ballkan, vëmendjen e qeverisë amerikane përmes një rezolute të Kongresit që ai sponsorizoi si një të re si Anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së në vitin 1986. Ai ishte gjithashtu nisiatori për Seancen dëgjimore ne Kongresin Amerikan për Kosovën në vitin 1987. Që kur u largua nga Kongresi në vitin 1989, ai themeloi organizatën shqiptare Liga Qytetare Amerikane (AACL), të cilës ai i shërben dhe sot si president vullnetar.

DioGuardi dëshmoi para Komisionit të Senatit të SHBA-se për Punët e Jashtme në vitin 1991 në një seancë dëgjimore për statusin e Kosovës (dhe përsëri në maj 1998), i kryesuar nga senatori i atëhershëm Joseph Biden. Ai kritikoi SHBA-në ndaj politikës së jashtme në Ballkan dhe u përplas me Biden për nevojën e ndërhyrjes ushtarake përmes NATO-s, të cilën Biden e mbështeti më pas.

Me fillimin e fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë në mars 1999, DioGuardi dhe Cloyes përfaqësonin këndvështrimin shqiptar për konfliktin ballkanik, veçmas dhe së bashku, në më shumë se 50 transmetime televizive dhe radiofonike. Në verën e vitit 1999, ata udhëtuan për në Kosovë pas bombardimeve të NATO-s, fushata përfundoi për të vlerësuar kushtet dhe për t’i raportuar kryetarit Ben Gilman. Që atëherë, DioGuardi

dhe Cloyes kanë bërë misione të shumta faktmbledhëse (në total më shumë se 40), në Shqipëri, Kosovë, Maqedonia, Mali i Zi dhe Presheva (Serbia jugore) në mënyrë që t’i raportojnë Kongresit për kushtet sociale, ekonomike dhe politike në rajon.

Joe DioGuardi për ne shqiptarët është një dhuratë hyjnore, i cili ngriti zërin gjer tek Zoti për të zgjuar botën letargjike për popullin e harruar të Kosovës.

Joe DioGuardi i futi frikën në palcë Hitlerit të Ballkanit, Millosheviçit dhe pergatiti Kongresin dhe Senatin per ta cuar ne gjyqin e Hages ku dhe vdiq. Të vetmin që zuri në gojë sllobodan milloshevici në gjyqin e Hagës ishte Joe DioGuardi dhe Liga e tij.

Fjalen e pershendetjes e mbajti znj. Shirley Cloyes DioGuardi presidente dhe këshilltare për çështjen e Ballkanit. Gjithashtu pershendeti dhe Joe DiGuardi Presidenti i Ligës Shqiptaro Amerikane dhe ish kongresisti Amerikan i cili vazhdon te luftoje fort per çështjen e papërfunduar të Kosovës.

Kur dëgjoja fjalën e Sherley DioGuardit dhe te producentit Zeqaj duke shprehur mirënjohjen rreth figurës së ndritur të DioGuardit, në mendje më vinin fjalët e Konicës për Nolin për të cilin ka thënë:

“…Dita që mëshoi për të parën herë në Kishë, është ogur i bardhë n’udhë të përparimit t’onë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët të harrojnë.”

Mirënjohja është kulturë, është mirësi, është civilizim ndaj le t’jua shprehim kush e meriton, sepse veprat e tyre të vyera bëhen frymëzim dhe përparim për Kombin si në rastin në fjalë me ëiftin e jashtëzakonshëm DioGuardi.

Z. Hysen Zeqaj falënderoi pjesëmarrësit që nderonin në këtë sallë si Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në NY, Ambasadori Blerim Reka, Shuaip kamberi deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Kryeatri i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, deputete në Parlamentin e Kosovës, znj. Ardita Sinani, skenaristin Vegim Kamberi dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë.

Për të parë filmin morën pjesë personalitete të Diasporës Shqiptaro Amerikane si:

Botuesi i gazetës “Illyria” Vehbi Bajrami me bashkëshorten e tij Gena Bajrami, Dr. Faton Bislimi autori i librit “Përpjekja për Lirinë Shqiptare dhe Fundi i Jugosllavisë”. Anëtarë të Bordit të Ligës Shqiptaro Amerikane si z. Agim Aliçkaj, Zikri Meta, biznesmenë të suksesshëm Dema Balidemaj dhe Bruno Selimaj, drejtues të Shoqatës Shqiptaro Amerikane Skënderbej si Bashkim Shehu, Gezim Lamçaj, gjeneral Asllan Bushati dhe Faton Zogejani.

TV “Alba Life” me themelues dhe producent z. Qemal Zylo i cili filmoi këtë aktivitet së shpejti do të sjellë kronikën e përgatitur enkas për këtë ngjarje të rëndësishme dhe do ta transmetojë në kanalin 27 në paketën digitale “TV Alb.

Filed Under: Komunitet

Sulmi i Iranit ndaj Izraelit, frika e një lufte më të gjerë

April 15, 2024 by s p

Nga Rafael Floqi/

Sulmi ushtarak i Iranit ndaj Izraelit, i nisur të shtunën mbrëma, ka potencialin ta kthejë krizën në Gaza në një luftë të gjerë të Lindjes së Mesme, duke tërhequr SHBA-në dhe vende të tjera, përfshirë Britaninë. Ky është skenari që qeveritë perëndimore dhe arabe i kanë frikësuar që nga sulmet e 7 tetorit ndaj Izraelit nga Hamasi, aleati i ngushtë i Iranit. Tani që më e keqja ka ardhur, askush nuk mund ta dijë se ku dhe si do të përfundojë. Ky konfrontim i paprecedent kokë më kokë midis Izraelit dhe Iranit duhet të zbutet përpara se të dalë plotësisht jashtë kontrollit.

Raportet e para nga Izraeli, duke cituar Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF), thanë se Irani kishte lëshuar dhjetëra dronë në caqet e supozuara izraelite. Pastaj erdhi lajmi, i pamundur për t’u verifikuar, se Irani po gjuante gjithashtu raketa balistike – një kërcënim shumë më i madh dhe më i shpejtë. Izraeli tha se sistemet e tij të mbrojtjes ajrore dhe antiraketë ishin në gatishmëri të plotë dhe se hapësira ajrore izraelite po mbyllej. Jordania dhe Iraku njoftuan masa të ngjashme. Raportet saudite thanë se SHBA kishte kapur disa nga dronët mbi Siri dhe Irak. Hezbollahu në Liban dhe forcat Houthi në Jemen gjithashtu gjuanin raketa drejt Izraelit në atë që dukej si një ofensivë e bashkërenduar.

“Pak kohë më parë, Irani nisi mjete ajrore pa pilot nga territori i tij drejt territorit të shtetit të Izraelit … grupi i mbrojtjes ajrore të IDF është në gatishmëri të lartë, së bashku me avionët luftarakë të forcave ajrore të Izraelit dhe anijet e marinës izraelite që janë në një mision mbrojtjeje në hapësirën ajrore izraelite. IDF po monitoron të gjitha objektivat”, tha një zëdhënës i ushtrisë izraelite. Shtëpia e Bardhë konfirmoi se një sulm ajror iranian kishte filluar dhe tha se presidenti Joe Biden po përditësohej nga këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare.

Duhet të supozohet se nëse dronët dhe raketat iraniane godasin objektivat në territorin izraelit ose godasin qytetet izraelite, qeveria e Benjamin Netanyahut do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë, siç ka kërcënuar të bëjë. Javën e kaluar Biden tregoi se SHBA-ja do të mbështeste dhe ndoshta do t’i bashkohej çdo aksioni ushtarak izraelit hakmarrës. Izraeli, tha ai, kishte mbështetjen “të veshur me hekur” të Amerikës. Në një situatë të tillë, presioni mbi aleatët e Amerikës dhe Izraelit për të ndihmuar në çdo përplasje të mëvonshme do të jetë i konsiderueshëm.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, informoi sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, për përgjigjen e Izraelit ndaj sulmeve iraniane. Në një deklaratë të zyrës së tij thuhet se ministri Gallant theksoi se struktura e mbrojtjes izraelite është “e përgatitur për çdo përpjekje të mëtejshme për të sulmuar” vendin.

Presidenti amerikan Joe Biden foli me kryeministrin Netanyahu të shtunën vonë. Një zyrtar i lartë tha se ekipi i sigurisë kombëtare të presidentit Biden “do të vazhdojë të punojë me partnerët në rajon për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm” të konfliktit.

Në fillim të sulmit iranian, kryeministri Netanyahu tha në një mesazh televiziv se Izraeli do të mbrohet “kundër çdo kërcënimi dhe do ta bëjë këtë me vendosmëri”.

Pothuajse në të njëjtën kohë, zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Adrienne Watson, tha në një deklaratë se “Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë në krah të Izraelit dhe do të mbështesin mbrojtjen e tyre kundër kërcënimeve nga Irani”.

Kryeministri Netanyahu e vlerësoi këtë mbështetje në deklaratën e tij, duke thënë: “Ne e çmojmë faktin që Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Izraelit, si dhe mbështetjen e Britanisë, Francës dhe shumë vendeve të tjera”.

Në një postim në platformën X, misioni iranian në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, tha se sulmi ajror ndaj Izraelit shënon përfundimin e aksionit ushtarak të Teheranit.

“Nëse regjimi izraelit bën një gabim tjetër, përgjigja e Iranit do të jetë më e ashpër,” tha misioni iranian, duke paralajmëruar Shtetet e Bashkuara që të mos ndërhyjnë.

Në një deklaratë të ripërtërirë të postuar më vonë, Rojat Revolucionare Islamike paralajmëruan kundër çdo përfshirjeje të Shteteve të Bashkuara kundër interesave të Iranit.

Zoti Jacob Nagel, një bashkëpunëtor i lartë i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive me seli në Uashington, tha se sulmi iranian, i pari i këtij lloji në dekada armiqësie midis Iranit dhe Izraelit, ka të ngjarë të jetë një pikë kthese në konflikt.

“Me siguri do të shohim një konfrontim rajonal, sepse nuk është vetëm Irani kundër Izraelit, por Irani kundër botës së lirë”, tha ai.

Ajo që duhet tani mbi të gjitha janë kokat e ftohta. Netanyahu dhe aleatët e tij të koalicionit nuk janë të njohur për cilësi të tilla. Kjo e bën edhe më të rëndësishme që amerikanët të përdorin të gjitha fuqitë e tyre bindëse dhe të gjitha mjetet e disponueshme diplomatike në përpjekje për të moderuar reagimin e Izraelit dhe për të ndaluar sulmet e mëtejshme nga Irani. Instinkti i parë i Netanyahut, nëse Izraeli goditet keq, mund të jetë sulmi ndaj objekteve bërthamore të Iranit, gjë që ai ka kërcënuar ta bëjë në të kaluarën, dhe ndoshta edhe objektivat e udhëheqjes së regjimit në Teheran. Të bësh një gjë të tillë do të rrezikonte një kthesë tjetër në spiralen e përshkallëzimit, duke çuar në mënyrë të pashmangshme në luftë të gjithanshme.

Është jetike që kjo flakë të shuhet me shpejtësinë më të madhe, sepse, nëse jo, mund të përhapet shpejt në të gjithë rajonin, duke ndezur Bregun Perëndimor të pushtuar tashmë në zjarr dhe më gjerë. Një fatkeqësi e tillë do të zgjaste mjerimin e Gazës, do të shkatërronte bisedimet e pengjeve dhe do të shtrinte paqëndrueshmërinë në Liban dhe ndoshta edhe në Irak, Siri, Gjirin dhe Detin e Kuq.

Një konfrontim i hapur SHBA-Iran do të ndante demokracitë perëndimore, do të ftohte ekonominë globale, do të destabilizonte shtetet arabe pro-perëndimore, do të nxiste ambiciet gjeopolitike të Kinës dhe do të anashkalonte luftën kundër intensifikimit të agresionit rus në Ukrainë.

Në mes të trazirave të tanishme, nuk duhet harruar se ky sulm iranian u provokua, të paktën sipas udhëheqjes së Iranit, nga bombardimi i papranuar i Izraelit më 1 prill të një aneksi të ambasadës iraniane në Damask që vrau disa komandantë të lartë. Sipas pikëpamjes jo të paarsyeshme të Teheranit, ai sulm kaloi vijën e kuqe duke synuar objektet diplomatike. Për Udhëheqësin Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, kjo ishte një sulm ndaj territorit sovran iranian. Nuk mund të kalonte pa përgjigje.

Një rrjet kompleks merimange e llogaritjeve, paqartësive dhe motiveve të fshehura qëndron pas përballjes së mbrëmshme. Irani ka kërkuar të përfitojë nga lufta e Gazës, duke zgjeruar ndikimin e tij rajonal përmes forcave proxy në Siri, Irak, Jemen dhe Liban – “boshti i rezistencës”. Ndërsa mohon njohuritë e mëparshme për sulmet e 7 tetorit, ajo ka mbajtur mbështetjen për Hamasin dhe ka duartrokitur bombardimet pasuese të Hezbollahut ndaj Izraelit verior. Por ajo e kishte shmangur, deri më tani, konfrontimin e drejtpërdrejtë me Izraelin.

Vendimi i saj për të sulmuar, duke injoruar përfundimisht lutjet e ministrave të jashtëm evropianë dhe arabë dhe një ndërhyrje të drejtpërdrejtë nga David Cameron, f. Sekretari i Jashtëm, pasqyron dominimin në Teheran të vijës së ashpër që mbajnë levat e pushtetit. Urrejtja e tyre ideologjike ndaj Izraelit dhe SHBA-së është e brendshme.

Për ta, konfrontimi me perëndimin është justifikimi përfundimtar, ndoshta i vetmi justifikim për sakrificat e tmerrshme dhe politikat katastrofike që teokracia islame, e themeluar pas revolucionit të vitit 1979, i ka nxitur popullit iranian.

Një dinamikë jo krejtësisht e ndryshme është e dukshme brenda Izraelit, ku koalicioni i ekstremit të djathtë të Netanyahut është përballë një muri. Sjellja e saj e luftës së Gazës ka grumbulluar përçmim ndërkombëtar mbi kokën e Izraelit, ndërkohë që nuk arriti të mposht Hamasin. Kundërshtarët thonë se Netanyahu po zgjat – dhe po zgjeron – luftën.

Në këtë lexim, sulmi në ambasadën e Damaskut ishte një përshkallëzim i qëllimshëm i krijuar për të forcuar pozicionin e tij politik, për të larguar Iranin dhe për të tërhequr në anën e tij amerikanët e verbër.

Filed Under: Analiza

Rame Lahaj dhe Dëshira Ahmeti dhanë Koncert në ST. George Theater, SI, New York

April 15, 2024 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Diaspora shqipare amerikane nga zonat e trishtetëshit New York, New Jersey, Connecticut dhe më gjerë morën pjesë në koncertin Gala që u shfaq në St George Theater, Staten Island, një nga ikonat e teatrit të Nju Jorkut në ishullin e bukur të Staten Island që rrethohet nga uji i oqeanit, Yjet, Hëna dhe Dielli që shndrit në agun e mëngjesit.

Koncerti Gala ishte mirëmenduar qysh më parë nga Artistic Promotion që drejtohet nga Dëshira dhe Arian Kërliu një çift i mrekullueshëm artistësh. Më duhet të them që në fillim se këto organizime nuk i kanë për herë të parë, pasi ata kanë sjellë pranë skenave të Nju Jorkut divën shqiptare Inva Mula dhe pinanistin virtuoz Genc Tukiçi, ku si anëtarë të grupit bashkëpunues njohëm më nga afër Invën dhe Gencin jo vetëm artistë, por dhe oratorë të shkëlqyer dhe mbi të gjitha me aq shumë mirësi shprehnin mirënjohjen për këto organizime të këtij lloji.

Pjesëmarrësit grupe grupe të organizuar dhe me gëzimin qe iu ndrinte në sy zunë vendet për të kaluar një natë të bukur artistike në ditën e fundit të javës. Nderonte me pjesëmarrjen e tij Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në NY, Ambasadori Blerim Reka, familja e madhe dhe patriote Rusi, Bruno Selimaj biznesmen tejet i suksesshëm etj.

Morën pjesë personalitete të shquara të Diasporës si Botuesi i gazetës “Illyria” Vehbi Bajrami me bashkëshorten e tij Gena Bajrami, TV Alb me bashkëpronare Drenusha Dreshaj dhe familjen e saj, z. Agim Rexha President Nderi i Vatrës, editore e gazetës “Dielli” në anglisht Rafaela Prifti e shumë të tjerë.

Mjediset e këtij teatri janë mondane, me një arkitekturë magjepsëse që mbajnë brenda mijëra histori artistësh të famshëm. Dhe ja në natën e 12 prillit në muajin e bukur të pranverës ku bujisin pemët dhe natyra dy artistë shqiptarë u shfaqën në skenë plot elegancë dhe harmoni në intepretimet e tyre.

Moderatori i këtij koncerti Bledar Maqellara një artist dhe tenor plot të ardhme, një djalë që e ka parë skenën qysh fëmi, të kultivuar nga babai i tij Agroni dhe xhaxhai i tij Haxhi Maqellara dy artistë të mirënjohur, të dashur popullorë e drejtoi me shumë elegancë dhe profesionalizëm.

Bledari ka një vend shumë të veçantë në kete teatër. Pasi ka luajtur në ketë skenë si Inspektori Javert kur kasti i produksionit të Susan E. Wagners të “Les Miserables” u ftua të performonte dy shfaqje në 2011.

Moderatori tha: “Mirë se keni ardhur në Koncertin Gala me dy artistët e mëdhenj Rame Lahaj dhe Dëshira Ahmeti Kërliu që kanë pushtuar sonte Saint George Theater në Staten Island New York. Ata do të intepretojnë nën drejtimin e pianistes së njohur Elda Laro.

Sonte në këtë mbrëmje Gala do te kemi një natë festive, një natë te mbushur me art, muzikë, dy artistë të shquar që do të performojnë në këtë Teatër një nga ikonat e teatrove në New York dhe në Amerikë.

Sipas faqes zyrtare Rame Lahaj është një tenor nga Istogu i Kosovës. Ai njihet për performancat e rregullta në teatrot e operës në botë.

Ai ka bashkëpunuar me legjendën e operës botërore Plaçido Domingo.

Dëshira Ahmeti me origjinë nga Dibra e Madhe ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura, Ajo punoi në Teatrin Kombëtar të Operës në Tiranë, gjithashtu eshte e punësuar si e vetmja shqiptare në Teatrin e Maqedonisë, në Shkup.

Ajo ka luajtur në skena prestigjioze, Amerikë dhe në Europë, dhe në ngjarje të mëdha të Atdheut,

Në skenë për të performuar hyri i pari Rame Lahaj i cili u mirëprit me duartrokitje shoqëruar nga pinaistja dhe dirigjentja Elda Laro. Elda Laro ka mbaruar studimet për piano në Paris dhe në Torino. Elda Laro është dirigjente e stafit në Deutsche Oper në Berlin.

Rame Lahaj e hapi programin me Ch’ella mi creda from La faniciulla del West me kompozitor Giacomo Pucini. Pastaj ka vazhduar me Dëshira Ahmeti Kërliu magjishëm nën duartrokitje të zjarrta.

Natyrisht duke qenë teatri i mbushur më së shumti me një publik shqiptar, interpretimet nga dy artistët e shquar në këngët shqipe si Bishtalecat palë, palë, nga Rame Lahaj, apo Shqipëri o vendi im nga Dëshira Ahmeti elektrizuan sallën dhe u mirëpritën duke i shoqëruar me duartrokitje të herë pas hershme.

Dëshira dhe Arian Kerliu e bën të mundur Koncertin Gala në saje të mbështetjes së madhe të disa sponsorëve, por sponsori gjeneral ishte Biznesmeni i suksesshëm në Amerikë

z.Sal Rusi. Ajo falënderoi nga thellësia e zemrës familjen Rusi shtëpinë e tyre të quajtur ndryshe si Shtëpia e Bardhë e cila ka mirëpritur personalitete të larta të politikës amerikane si Hillary Clinton, Gjenerali Klark dhe shumë të tjerë. Ishin dhe shumë biznesmenë të tjerë që mbështetën këtë koncert.

Mbrëmja kaloi në një atmosferë festive ndonëse pjesëmarrësve iu mungoi Orkestra Simfonike e New York-ut me dirigjentin shumë të njohur Steve Fang, pasi siç e shpjegoi vetë Lahaj se për shkak të gjendjes së tij shëndetësore pranoi të intepretonte vetëm nën shoqërimin e pianistes Laro.

Pas koncertit sponsor, bashkëpunëtorë të ngushtë, miq të artistëve ishin të ftuar në

“Blue Restaurant”, një restorant shumë i njohur që ka për pronar z.Julian Gaxholli një atdhetar i dashur, pronar i restoranteve Blue, Bayou dhe Beso. Ishte një atmosferë nën tingujt e muzikës nga dy artistë Did Tezha në kitarë dhe Elis Lloshi DJ.

Koncerti Gala së shpejti do të transmetohet në TV “Alba Life” një suportues tjetër i fuqishëm i koncertit me themelues dhe producent Qemal Zylo dhe kameraman gazetarin e njohur Valon Gërbeshi, ndërsa Olsi Beçi fotograf dhe producent i njohur do të sjellë disa vidioklipe për këtë aktivitet në Saint George Theater.

Autorja e shkrimit është shkrimtare, poete, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit si dhe ka marrë titullin: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Filed Under: Kulture

VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 2 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM

April 15, 2024 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra, gazeta Dielli, mbarë vatranët e shqiptaro-amerikanët përkujtojnë me nderim, respekt dhe vlerësim patriotin e shquar, vatranin e përkushtuar, aktivistin e flaktë të çështjes kombëtare, atdhetarin fisnik Zef Balaj. Dy vite pas largimit, zemërbardhi e shpirtmadhi Zef Balaj i mungon shumë familjes së tij e kujtdo që e ka njohur e bashkëpunuar me të.

Zef Balaj la gjurmë të paharrueshme e kujtime të pashlyeshme në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasi në të gjitha proceset patriotike të diasporës, lëvizjet politike, demonstratat, protestat, qëndrimet e komunitetit, tubimet, organizimet, ndihmat për komunitetin e kombin shqiptar, për mbi 60 vjet Zef Balaj ishe aty duke kontribuar e dhuruar për komb, atdhe, flamur e komunitet. Nga Washingtoni e Institucionet e Shtetit Amerikan, te Liga Shqiptaro-Amerikane, Kisha Katolike, institucionet arsimore e deri te Vatra, Zef Balaj kontribuoi me shpirt pa u ndalur për asnjë moment. Zef Balaj ishte fisnik, vizionar, besnik dhe atdhetar.

Zef Balaj la pas një emër të mirë e të nderuar dhe një trashëgimi të shkëlqyer familjare, komunitare e atdhetare.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra ka akorduar për Zef Balaj titull nderimi SENATOR I PËRJETSHËM I VATRËS me motivacion: “Shembull i atdhetarit të vërtetë, anëtarit të denjë të Federatës Vatra, kontribues dhe veprimtar i palodhur, bamirësit të madh dhe mbi të gjitha, njeriut të mirë”.

Qoftë i përjetshëm nderimi dhe kujtimi për jetën dhe veprën e Zef Balaj.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 61
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT