• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2024

U FESTUA NË NEW YORK 113 VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË

April 15, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 13 Prill 2024- Shoqata “Malësia e Madhe” bashkoi shqiptarët e Amerikës në festën përkujtimore të kryengritjes së Malësisë së vitit 1911. Një manifestim patriotik madhështor në përkujtim të një prej ngjarjeve historike më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Kryengritja e Malësisë e vitit 1911 është ngjarje e një rëndësie specifike pasi beteja e malësorëve ishte për interesa të përgjithshme shqiptare, mblodhi krerë dhe luftëtarë nga vise të ndryshme shqiptare dhe suksesi i ngritjes së flamurit në Deçiq është arritje historike e kryengritjes së vitit 1911.

Mbrëmja festive nën prezantimin e Diana Ivezaj Cacaj,

e udhëhequr nga Lek Dedvukaj, Ermina Bushi Lleshaj, dhe ekipi muzikor, filloi me këndimin e himneve kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe himnit kombëtar shqiptar kënduar nga Engjëll Junçaj e Gjystina Bojaj. Pasi u mbajt 1 minut heshtje për dëshmorët dhe heronjtë e kombit, kryetari i Shoqatës Malësia e Madhe z.Senad Lulanaj në fjalën e tij theksoi se kryengritja e Malësisë ishte vepër gjigande patriotike që u la me gjakun e malësorëve. Dom Pjetër Popaj, Famullitari i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në lutjen e darkës u ndal te trimëria dhe pamposhtmëria e malësorëve kundër perandorisë otomane dhe vepra thelbësore e Dedë Gjo’ Lulit dhe kryengritjes në historinë tonë kombëtare shqiptare. Prof.Elena Kocaqi si folësja kryesore në aktivitetin patriotik theksoi se kryengritja e Malësisë është një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë moderne të popullit shqiptar. Ajo shpjegoi etapat e rrugëtimit historik të kryengritjes, pjesëmarrësit, organizimin, etapat e luftimeve dhe rezultatet e saj: Një arritje e kryengritësve ishte se kërkuan njohjen e kombësisë shqiptare, gjuhës shqipe dhe lëvrimin e saj kudo ku jetonin shqiptarë, u kërkua autonomi dhe guvernator shqiptar, shqiptarët të përfaqësohen me deputetë në parlamentin osman. Kryetari i shoqatës “Jehona e Malësisë” në Michigan z.Agron Dedivanaj në fjalën e tij solli në vëmendje rëndësinë e kryengritjes së Malësisë në procesin e Pavarësisë së Shqipërisë. Nosh Rroku Camaj recitoi para të gjithëve një baladë të gjatë kushtuar Ded Gjo’Lulit, Ismail Qemalit e trimave malësorë të kryengritjes së Malësisë. Organizata më e vjetër patriotike në mërgatën shqiptare të Amerikës Federata Pan-Shqiptare Vatra përfaqësohej nga sekretari Dr. Pashko Camaj i cili përshëndeti aktivitetin dhe diskutoi rreth krenarisë kombëtare dhe historisë identitare të shqiptarëve që lidhen edhe me kryengritjen e lavdishme të Malësisë.

Kryengritja e vitit 1911 arriti të bashkojë shqiptarët, kryesisht të vilajetit të Shkodrës, pati sukses historik dhe ktheu vëmendjen e Stambollit ndaj kërkesave të shqiptarëve duke iu dhënë përgjigje me shkrim dhe duke iu plotësuar atyre disa prej pikave të marrëveshjes. Darka festive vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes me pjesëmarrjen e përfaqësuesve më të shquar të organizatave e shoqatave patriotike shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shoqata Malësia e Madhe në New York është një ndër organizatat patriotike më serioze dhe dinjitoze në diasporën shqiptare të Amerikës, model atdhedashurie e shqiptarie për tre dekada me radhë.

Filed Under: Opinion

Familjarë të vatranit Eqrem Ruca vizituan Vatrën

April 15, 2024 by s p

Familjarë të vatranit Eqrem Ruca nga Virginia vizituan Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Violeta Ruca Gjonaj, mbesa e Eqrem Rucës e shoqëruar nga vajza e saj Dorina Gjonaj me bashkëshortin Mario Elezi e djalin e tyre Jacob, zhvilluan një vizitë të përshpirtshme dhe shumë emocionuese në zemrën e shqiptarisë, Vatrën e ngrohtë e atdhetare të shqiptarëve të Amerikës. Ata shpalosën kujtime të vyera e letërkëmbime autentike të Eqrem Rucës, teksa Editori i Diellit i njohu me historinë e Vatrës e gazetës Dielli. Violeta ishte kujtuar me një dhuratë simbolike me motive patriotike edhe për Vatrën teksa shprehte brengën për xhaxhain e saj.

Një ndër shqiptarët e veçantë të viteve 60-90-të, vatran i përkushtuar, patriot e veprimtar i çështjes kombëtare, sekretar i degës së Vatrës në Queens New York, gjirokastriti Eqrem Ruca la gjurmë të thella në komunitet. I ndarë nga jeta në mënyrë të papritur në 28 maj të vitit 1989 në Woodhaven – Queens të New York-ut, mik dhe bashkëpunëtor i Kokalarëve e Karagjozëve, nga viti 1962-1989 dha kontribut të çmuar në Vatër dhe në mërgatën shqiptare në New York së bashku me familjen Shtino, Kavo e Shehi që lanë gjurmë të thellë në historinë e Federatës. Që pas ndarjes nga jeta, familja nuk ka informacione të detajuara të fatit të tij tragjik dhe Violeta Ruca Gjonaj, mbesa e vatranit Eqrem Ruca i bën thirrje të gjithë bashkëkohësve dhe bashkëveprimtarëve të vatranit Eqrem Ruca që ta kontakojnë në cel: 7036243026 për të ndarë informacion dhe histori rreth jetës, veprimtarisë dhe mirësisë që e karakterizonte. Familja është mirënjohëse dhe falenderon këdo që do të mund të kontribuojë me informacione.

Filed Under: Vatra

DELVINA E HISTORISË, LAVDISË DHE MENÇURISË SHQIPTARE

April 15, 2024 by s p

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI/

(Rrugëtim për në qytetin e famshëm të Delvinës, ku historia, lavdia, mençuria dhe njerëzillëku kanë shtëpinë, ku burrëria ka folur me besë, heroizmi është shkruar trimërisht, ku peizazhin natyror e ka gdhendur natyra, ku gjaku i dëshmorëve është çimentuar me lirinë, ku e ardhmja është zhvillimi dhe progresi)

Delvina – emër i ndritur në historinë e shqiptarëve

Delvina është një emër i njohur dhe i shquar i historisë, me vlera unike dhe një trevë e dashur, plot hijeshi në të gjitha stinët e vitit. Banorët e saj, mirësia dhe njerëzillëku janë vlera më e madhe e qytetit dhe fshatrave përreth saj. Delvina nuk është e përkëdhelura e historisë, por një ndër kryeqendrat e rëndësishme Kaonë-labe, një lule mali e vilajetit të dikurshëm, një kaza. Që prej shekullit të 16-të Delvina ishte një Sanxhak, nga sanxhaqet e njohura të Sulltanatit osman.

Delvina për më shumë se dy shekuj ishte dhe mbeti diamanti i ndritshëm iviseve shqiptare. Edhe pse në shekullin e 18-të pashai lokal zhvendosi selinë e sanxhakut nga Delvina në Gjirokastër, përsëri emri zyrtar nuk ndryshoi. Sipas Profesor Bardhosh Gaçe, Vlora, Delvina dhe Veliqotët e Beratit kanë një rrënjë,oxhakun e Vlorajve. Dikur në Mesjetë Delvina-kaza i përkiste Sanxhakut të Vlorës. Gadishulli i Ilirik, që më vonë u quajt i Rumelisë dhe më tej në Ballkan, kishte 21 sanxhaqe, ku natyrisht Delvina ishte e njohur në kërthizë të Perandorisë. Më 1713 sanxhakbeu i Delvinës ishte Selim Pasha. Tri dekada më vonë, më 1744, sanxhakbeu i Sanxhakut të Delvinës ishte Veli Beu. Në sanxhakun e Vlorës familjet rivale për pushtetin lokal ishin ajo e pashallarëve të Vlorës dhe dega e tyre, familja e Velabishtajve, që ishte vendosur në fshatin Velabisht, afër Beratit. Që të dyja përpiqeshin të shtinin në dorë jo vetëm pushtetin e sanxhakut të Vlorës, por edhe atë të sanxhakut të Delvinës.

Në gjysmën e parë të shekullit XVIII më shpesh sunduan pashallarët e Vlorës, por me lidhjet që krijoi Mahmud pashë Velabishti me feudalët e vegjël Tepelenës, Përmetit, Skraparit etj., edhe ky nuk mbeti pa e marrë pushtetin kohë mbas kohe. Që nga viti 1751 e gjer në vjeshtën e vitit 1759 sanxhakun e Vlorës dhe, shpeshherë edhe atë të Delvinës, i qeverisi i biri i Mahmud pashë Velabishtit, Ismail Pasha, i cili përkrahej nga një shtëpi tjetër feudale, nga ajo e Ngurzajve. Më 1754 Porta i dha Ismail Pashës gradën e vezirit bashkë me qeverisjen e sanxhakut të Ohrit dhe me komandën e derbendëve. Por Ismail pashë Velabishti në pabesi u rrethua dhe, në luftim e sipër, u vra. Vezirin e zëvendësoi i kunati, Ahmet Kurt pasha, që qeverisi sanxhakun për njëzet vjet rresht.

Edhe në sanxhakët e Delvinës e të Janinës u zhvillua një luftë e gjatë dhe e ashpër për pushtet midis familjeve e Oxhaqeve të mëdha vendase në Shqipërinë Jugore. Njësia më e lartë administrative e osmanëve ishte Elajeti. Europa kishte 3 elajete dhe në krye të një elajeti qëndronte bejlerbeu. Çdo elajet ndahej në sanxhaqe dhe në krye qëndronte sanxhakbeu. Shqipëria përfshihej në Elajetin e Rumelisë dhe kishte fillimisht shtatë sanxhaqe: Shkodër,Prizren,Dukagjin,Ohër, Elbasan, Vlorë dhe Delvinë. Sanxhaku ndahej në njësi më të vogla që quheshin kaza, në krye të kazasë qëndronte “Myselimi”.

Më 1784 Aliu mori gradën “pasha” dhe komandant ushtarak pranë valiut të Rumelisë, si dhe siguroi qeverisjen e sanxhakut të Delvinës, u bë komandant i grykave (Derven), por dhe qeveritar i sanxhakut të Trikallës në Greqi. Më 1787 Porta e Lartë osmane, e zënë në luftë me Austrinë, e njohu Aliun sundimtar të ligjshëm në Janinës, ku u përfshi dhe Delvina. Më 1804 sanxhakbeu i Delvinës ishte Veli Pasha, i cili ishte gjithashtu një bejlerbej i Elajetit të Rumelisë, ndërsa në vitin e themelimit të shkollës ushtarake në Stamboll, më 1834, Mahmud Hamdi Pasha u emërua qeveritar i Sanxhakut të Delvinës, Janinës e Vlorës.

Delvinën nuk e lanë të lirë, edhe pse u shpall pavarësia më 28.11.1912. Lakmia e shteteve fqinjë ishte ulur këmbëkryq në jugën e vendit. Ndërkohë që osmanët u mposhtën dhe u dorëzuan më 8 mars 1913, në Janinë gjaku i qindra shqiptarëve edhe nga Delvina e trevat përreth nuk justifikohet. Grekët hynë në qytet në 3.3.1913 dhe në qershor 1914 mësynë Epirioveriorët pas Protokollit të Korfuzit, të nënshkruar në mënyrë djallëzore në Korfuz. Delvina më vonë u bë pjesë e Principatës së Shqipërisë. Pas lufta e parë botërore ku Shqipërinë e shkeli këmba e mëse 250 mijë ushtarëve të shtatë ushtrive, të atyre greke, italiane, austro-hungareze, franceze, malazeze, serbe e bullgare. Shpëtimi i Delvinës dhe mbarë Shqipërisë ishte Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës, ishte viti 1920 që edhe quhet Pavarësia e Dytë e Shqipërisë. Ishte viti kur shqiptarët do të përzgjidhnin një bir të Delvinës për Kryeministër, Sulejman bej Delvinën, kryeministri i shtatë i Shqipërisë në radhë kronologjike.

Delvina në dallgët e historisë

Në periudhat historike antike të shteteve e mbretërive ilire të Epirit, Delvina ishte pjesë e zhvillimeve dhe ka mbijetuar dhe trashëguar një emër të shquar në histori. Dikur Delvina ishte qyteti me lidhje të shpejtë me kryeqendrën e Epirit, Foiniken, Finiqi i sotëm, shekuj më vonë Delvina, si gjithë hapësira shqiptare, përjetoi pushtimet romake, bizantine dhe osmane.

Fakt është se deri në shekullin e 14-të ky rajon në Epir përmendej si Vagenetia, që lidhet me emrin e Thesprotisë e më thellë të Çamërisë. Toponime të ngjashme si Viyanite ose Viyantije mbijetuan deri në shekullin e 16-të, kur u zëvendësuan me emrin shumë të njohur “Delvinë”. Mendohet se edhe babai i Gjin Bua Shpatës e Skurra Bua Shpata nga familja Shpata, kanë lindur në krahinat e Delvinës deri në Angelokastron. Fisnikët e parë të familjes Shpata të përmendur në histori mund të kenë qenë zotërues e kontrollues të trevës delvinjote, edhe pse nuk mund të pranohet në mënyrë përfundimtare. Çelebi shkruan se në mesjetë Delvina ishte në duart e spanjollëve dhe më vonë të venecianëve, ndërsa në kohën e Ajaz Mehmet Pashës një vendas shqiptar qeveriste sanxhakbeun e Delvinës, ndërkohë që sanxhaku delvinjot mbulonte 24 zeamete dhe 155 timare, që në fakt kanë qenë kategori themelore të zotërimeve feudale (timare, zeamete, hase).

Delvina ka pasur gjatë gjithë periudhës së sundimit osman një garnizon ushtarak osman, komanda e të cilit në kala ishte nga Delvina. Kalaja e vogël kishte një depo uji, depo municioni dhe një xhami. Qyteti kishte shtëpi me ndërtime të tilla ku secila kishte nga një kullë, disa xhami, tre medrese, 80 dyqane, treg të hapur dhe gjithë banorët flisnin gjuhën shqipe, por kishte edhe fshatarë të krishterë që jetonin në rajonin e Delvinës që flisnin shqip. Diaspora lokale në Venecia më 1713 dhe 1749, dhe nga Venediku, mbështetën financiarisht zgjerimin e sistemit arsimor dhuruan shuma të mëdha parash për manastiret lokale ortodokse dhe kishat. Më tej për më shumë se tre dekada si në çdo qytet jugor shqiptar edhe Delvina u bë pjesë e pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës më 1784.

Në fillim të shekullit të 19-të, gjatë sundimit të Ali Pashës, diplomati dhe ushtaraku britanik kapiteni Uilliam Martin Leake (14.1.1777-6.1.1860) mbërriti në qytet më 24.12.1804, ku sipas tij, qyteti i Delvinës kishte një shumicë myslimane shqiptare me 8 ose 10 xhami të vogla.Megjithëse Leake foli më shumë për kërkimet për shqiptarët dhe për gjuhën shqipe, si dhe për “Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve”. Delvina u pushtua nga kryengritësit e Labërisë më 1833 duke bërë që qeveria osmane t’i përmbushte kërkesat e kryengritësve. Më 1847, kur shpërtheu një revoltë shqiptare, 500 luftëtarë të udhëhequr nga Zenel Gjoleka morën Delvinën. Më 1878 revolta e fqinjëve jugorë kryesisht epirote nga ishujt e Jonit, morën nën kontroll Sarandën dhe pushtuan Delvinën, por kjo nuk zgjati sepse ajo u shtyp nga trupat osmane, por dhe refifët/vullnetarët shqiptarë. Në vitet 1913-1914 sërish Delvina u shndërrua në vatër lufte. Gjatë luftërave ballkanike dhe humbjes së osmanëve në Janinë, ushtria greke hyri në Delvinë në mars 1913. Gjatë Luftës së Parë Botërore, pjesa më e madhe e Delvinës u dogj nga bandat greke. Më tej hynë trupat italiane në 2 tetor 1916 dhe përzunë trupat greke. Vetëm në vitin 1920 Shqipëria rifiton pavarësinë e dytë, ndërkohë që në Luftën e Dytë Botërore, në fazën fillestare të luftës greko-italiane (1940–1941) forcat greke të divizionit të 3-të morën Delvinën e Sarandën në Shqipërinë e Jugut deri në prill 1941, kur Greqia u pushtua lehtësisht nga Gjermania.

Delvina një “qytet i pasur tregtar”

Të rrugëtoje drejt Delvinës ishte si të shkoje në xhenet. Dikur udhëtimet bëheshin me kalë dhe turistët klasikë kanë qenë edhe udhëtarët e përshkruesit e parë të natyrës mahnitëse delvinjote. Qyteti i Delvinës është një qytet qe përmendet që prej antikitetit. Si çdo qytet shqiptar por dhe të mbarë botës sonë historinë e lidh e shkuara luftarake. Nuk është e rastit që udhëtari osman Evlia Çelebi në “Librin e Udhëtimeve”, “Shqipëria para tre shekujsh”, më 1776, pasi përshkruan vizitën në trojet e vilajetit të Janinës thotë: “Themeluesit e saj janë spanjollët. Më vonë, venedikasit e shtinë në dorë me djallëzi. Kaloi në duart e sulltan Bajazidit, përsëri ra në sundimin e të huajve dhe përsëri u mor nga sulltan Sulejmani, kur erdhi të mësyjë Korfuzin. Pushtimin ai ia ngarkoi Ajaz pashës, shqiptar nga gjaku”. Por Evlia Çelebi flet për një “qytet të zhvilluar me shumë hane dhe dyqane..”. Delvina është një nga qytetet me jugore të Shqipërisë, që kufizohet në veri me Gjirokastrën ose Mali i gjerë/Mali i Sopotit që ndan dy qytetet. Delvina e Gjirokastra janë një shtëpi me një çati e dy porta. Delvinën e “takojmë” edhe në dhjetëra e qindra libra, në bibliotekat më të famshme të botës, ndërkohë përshkrime interesante për Delvinën ka edhe “Defteri Osman”, që flet për gjithë vilajetet shqiptare, sanxhaqet, kazatë e nahijet, që daton në vitet 1431-1432 dhe që është publikuar nga historiani i shquar turk Halil Inalxhik në vitin 1954. Në jug-perëndim të Delvinës është Saranda, ndërsa në jug të Delvinës shtrihet fushëgropa e Delvinës me fushën e Vurgut, fushën e Bajkajt, fushën e Vrinës.

Nga veriu Delvina kufizohet me Lefterhorin e Kakodhiqin, nga jugu me Vllahatin e Kostarin, nga lindja me Kakodhiqin, nga perëndimi me Rusanin, që përpara vitit 1945 ka qenë lagje e qytetit të Delvinës. Por dhe Vllahati, Bamatati e Stjari konsiderohen si lagje të Delvinës. Ndërsa qyteti ka lagjet “Papuçi, Vare/Varre, Xhermëhalla, Mukërsi dhe Llaka ose lagjja e krishterë. E gjithë Delvina është një kodrinë e bukur, si ta kishte zgjedhur vetë zoti me dorë. Në pjesën veriore janë lagjja Vare e Kasapaj, në qendër Pazari dhe Xhermëhalla; në lindje lagja “Lejla Malo” ose “Llakë” dhe “Mukërs”, më tej në jugperëndim: Lagja “9 tetori” ose e njohur ndryshe “Papuçi”. Delvinjotët janë nuhatës të zhvillimit, e kërkojnë progresin, por e kanë rrahur dhe e rrahin emigrimin, në Angli, Greqi, Itali, Francë, ShBA, edhe pse në moshat e vjetra ka një thënie më shumë se proverbiale, “Ec ngado, por vendlindjen mos e harro”.

Oxhaqe të vjetër e të rinj të Delvinës mund t’i përmbledhim në disa nga fiset më kryesore: Abazi, Aguridhi, Ballaci, Bazaiti, Beka, Beqiraj, Berberi, Birko, Boço, Brahimi, Buli, Çallarenj, Çeta, Çiniranj, Çuçi, Çuçuraj, Delvina, Gizdari, Godo, Hado, Hako, Halaj, Haxhi, Hoxhatë, Hudaj, Isufi, Kaço, Kallapodhi, Kërmezaj, Koka, Korona, Lato, Maksutaj, Malaj, Manjaj, Mezini, Minxolli, Murati, Pashako, Qilimi, Rexhaj,Rugji, Shkurti, Selimaj, Shameti, Sheme, Shinaj, Shushi, Veli, Veledaj, Zejnati, etj. Sikurse kemi dhe fise të tjerë: Burxulla, Kondi, Kumbuli, Llambraqi, Melo, Niksina, Pantaziu, Qirici, Shamo, Tereziu, Thaka, Vaso, etj. Trashëgimia nëpër shekuj, dekada e vite ka bërë që jo të gjithë oxhakët e Delvinës të mbijetojnë, ndërkohë që edhe emigrimi ka bërë punën e vet veçanërisht në këto tre dekadat e fundit.

Vendi i dashur i njerëzve të shquar

Delvina është njohur si vendi i pashallarëve, aristokratëve, komandantëve të kështjellës, funksionarëve të njohur pashallarë ushtarakë, por dhe administratorë të zotë, gjithmonë e synuar dhe e lakmuar shekujve për t’u vizituar. Udhëtarë dhe shkrimtarë të njohur i kanë rënë kryq e tërthorë Delvinës, për malin, për fushën për klimën, për ujërat e mbi të gjitha për pasuritë dhe interesat që shkonin përtej Delvinës.

Në pikëpamje ushtarake e kalon nivelin e vështrimit taktik, por shkon në nivel taktiko-operativ që përbashkohet me degëzime të interesit të rrugëve strategjike. Delvina që dje ishte me infrastrukturë të munguar, ka sot më afër të gjitha qytetet përreth, Sarandën, Gjirokastrën, Janinën, Vlorën dhe mbi të gjitha Tiranën, pasi nëse dikur do të duhej një ditë rrugëtim sot Tiranën e kam në pak se tre orë, ndërsa nesër me rrugët ajrore koha e udhëtimit për në Delvinë do të jetë e papërfillshme.

Haxhi Shehreti, delvinjoti i famshëm që shkroi “Alipashaida”, kronikë e një lindjeje të përgjakur. Haxhi Shehreti përmendet gjithashtu si Haxhi efendiu ose si ministri më i besuar i Ali Pashës, krahas Omer Vrionit të parë, Meço Bono, Tahir Abazi, Hysen beu, Ago Vasjari, Dervish Hasani, Thanas Vaja, Dalip Përmeti. (I. Koçollari, “Alipashaida”, Tiranë: Onufri, 2024, f. 83-84).

Në një libër tjetër të oficerit italian plot kulturë, Eugenio Barbarich, “Shqipëria etnike dhe gjeografike”, të publikuar në Romë më 1905, përshkruhet hapësira shqiptare në plot 29 itinerare, ku zë vend padyshim edhe Delvina, për të cilën autori para një shekull e çerek shkruante: “Nga fronti Delvinë –Sarandë degëzohen dy rrugë mushkash në drejtimin verior.. një rrugë vazhdon drejt Piqerasit dhe tjetra drejt ranoreve të Pashalimanit… si dhe flet për rrugën rrëzë relieveve të Ujit të Ftohtë kalasë së Kaninës dhe që përfundon në Skelë/Vlorë, ndërkohë që gjatësia e këtyre komunikimeve midis Sarandës, Delvinës e Vlorës, që është rreth 110km. Për komunikimin në rreth 38km autori jepte 8 orë për ta përshkruar”, që sot as që mund të imagjinohet një lëvizshmëri dhe komunikim.

Njerëzit e shquar dhe të mençur nuk i kanë munguar asnjëherë Delvinës. Në historinë shqiptare është i njohur Avni bej Delvina, beu i qytetit, një nga 40 nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare; Sulejman bej Delvina ose Sylejman Fehmi (5.10.1871-1.8.1933), nëpunës, profesor letërsie, politikan, atdhetar dhe patriot i shquar,kryeministër i pestë i Shqipërisë nga 30 janari 1920 deri më 14 Nëntor 1920. Sulejman Delvina ka kryer edhe detyra të tjera si Ministër i Brendshëm (11.7.1921 deri 16.10.1921), Ministër i Jashtëm (16.6.1921 deri më 24.12.1924). Në Delvinë ka lindur edhe ushtaraku madhor i perandorisë osmane dhe i shtetit të ri shqiptar Ismail Haki Tatzati (1878-3.8.1945) ministër i luftës nga 24 dhjetori deri më 19 gusht 1923.

Delvina në rrjedhat e historisë është një alternim dhe harmonizim të së shkuarës me modernen. Sa e sa delvinjotë e trupëzuan mbiemrin e tyre me Delvinën, duke marrë një copëz të historisë së saj, por edhe duke i dhënë asaj. Në arkivat e kohës përmenden edhe delvinjotë të shquar si Abdyl bej Koka, beu dhe patrioti shqiptar i mesit të shekullit XIX, Ajas Mehmed Pasha, vezir shqiptar i shekullit të 15-të i Perandorisë Osmane dhe më tej Sabri Godo, shkrimtar historik por dhe themelues i partisë republikane në Shqipëri, intelektualët dhe oficerët e policisë së shtetit Adi Veliu, Alfred Çepe dhe shumë të tjerë që i bëjnë nder Rrëzomës, Delvinës dhe mbarë vendit, kryebashkiaku i Delvinës ing. Besmir Veli, i duhuri, në kohën dhe vendin e duhur, i kudogjendur në hallet e komunitetit të Delvinës dhe të 17 fshatrave që e rrethojnë atë; Limoz Dizdari, kompozitor i shquar shqiptar, aktorët e spikatur Koço Qendro e Hajrie Rondo, aktori e regjisori Laert Vasili, pjesë e mendimit të hapur të shoqërisë civile, si dhe shumë të tjerë. Fakt është se çdokush do të zërë vendin e vet në histori, secili sipas mënyrës së vet dhe rezultateve tek publiku, edhe nga titullarët e Bashkisë së Delvinës në një shekull e 3 vite, si Dashamir Hado, Mersin Arapi, Islam Jupi, Bukurie Meçe, Dhurim Alinani, Rigers Balili, Majlinda Qilimi dhe qytetari i parë i Delvinës ing. Besmir Veli. Delvina priste dhe pret prosperitet dhe delvinjotët e meritojnë kujdesin e kryebashkiakëve të saj.

Dëshmorët, kjo farë lirie

Delvina sikurse çdo pjesëz e truallit arbëror është larë me gjak dëshmorësh. Shqiptarët janë ndeshur shekujve me romakë, nomadë, vikingë, sllavë, bizantinë, mongolë, osmanë, grekë, gjermanë e italianë dhe kanë triumfuar në betejat e historisë. Delvinjotët sikurse gjithë arbërorët kanë shkruar epope lavdie nëpër shekuj. Në një epitaf të një memoriali të dëshmorëve në Itali shkruhet: “O udhëtar të gjallë që vizitoni këto varreza: nëse nga ju nuk zgjatet e nuk rritet lavdia e atdheut, ne kot paskemi vdekur”. Delvinjotët nuk harrojnë ta tregojnë të shkuarën e ndritur të tyre, pasi dëshmorët janë dëshmi e përjetshme e historisë së kombeve. Për këtë tregojë beteja për Delvinën, në të shkuarën edhe rrëzë shpatit jugperëndimor të Malit të Gjërë, pjesë e Delvinës, beteja në Palavli, Bradhomë, Qafa e Breshërit, maja e Hito Kongocit-Fushëbardhës, Rrathët e Hitos, Senicë, Kalasë e Tatzat, Qafë Gjashtë e Shijan, beteja në portën e parë të Labërisë nga qafa e Luvadhit e deri në Skërficë e Fushëbardhë. Kujtesa shkon edhe tek Nazif Hadëri nga Palavlia shok i ngushtë i Çerçiz Topullit vrarë në përpjekje me osmanët në Kosonë të Përmetit. Delvina ka të njohur 115 dëshmorë të Atdheut të shpallur me vendime juridike, nga të cilët 66 prehen në varrezat e dëshmorëve, 64 shqiptarë dhe dy italianë të rënë gjatë LANÇ-it. Lapidari i 22 dëshmorëve të rënë heroikisht në luftën e Delvinës flet qartësisht për një ngjarje heroike të ardhur deri në ditët tona nga “Yje të Pashuar”, dokumentet, librat, rrëfimet gojore të dëshmitarëve të ngjarjeve në Delvinë të një prej luftërave nga më të mëdhatë e më të përgjakshmet që zhvilluan njësitë e UNÇSH. Natën e 20-të korrikut duke u gdhirë 21 korriku i vitit 1944 Grupi i Katërt Partizan i Zonës së Parë Operative Vlorë–Gjirokastër-Mallakastër dhe shtabi i saj projektuan dhe zhvilluan sulmin kundër garnizonit të fortifikuar gjerman në qytetin e Delvinës. Në këtë luftë morën pjesë Batalionet Partizane “Çamëria”, “Lefter Talo”, “Pandeli Boçari”, “Thanas Ziko” e “Mateoti” me rreth 800 partizanë. Fakt është se pas tetë orë luftimesh ranë në fushën e nderit 22 partizanë, atje ku ngrihet madhështor lapidar në shenjë nderimi e respekti për ata që dhanë jetën e tyre të re në këtë luftë lavdiplotë dhe sot qëndrojnë si emblemë lavdie e lirie të gdhendura me shkronja të arta në këtë lapidar: Lejla Malo, Llambi Llambraqi, Polo Bezhani, Selfo Abedini, Ajet Sulejmani, Hysen Hyseni, Idriz Bajo, Veliko Rexho, Veli Myrto, Nazmi Taho, Jani Papa, Llambi Nika, Vangjel Koli, Urani Bari, Thanas Jani, Kosta Çati, Petri Anagnosti, Sadik Xhepe, Jorgo Çavo, Antonio Xhermeti e Ndoc Kruciano (të dy partizanë italianë). Dëshmorët janë kalorësit e vërtetë të lirisë së Atdheut. Lapidarët, pllakat përkujtimore emrat e rrugëve e institucioneve, janë nderim, respekt, krenari dhe mirënjohje për gjakun e derdhur dhe të çimentuar me lirinë. Por edhe në fshatra e zona të tjera të Delvinës kanë rënë trima që të merrnin gjak në vetull. Kështu kujtesa dhe mirënjohja për dëshmorët është e vazhdueshme. Ndërkohë që Fronti antifashist në Shqipëri dokumenton krijimin e 288 çeta, 96 batalione, 24 brigada, 8 divizione, 3 korparmata, rreth 70 mijë luftëtarë, një front unik që ka meritën se më 29 Nëntor 1944 i solli lirinë Shqipërisë dhe rimëkëmbi pavarësinë e Atdheut.Është e rëndësishme shprehja e misionarit anglez Rinald Hibbert te libri “Fitorja e Hidhur”: “Gjatë Luftës së Dytë Botërore, potë kisha qenë shqiptar do të bëhesha partizan”.

Nga formacionet partizane në Senicë të Delvinës, tetë dekada më parë derdhën gjakun për liri pesë dëshmorë: Karafil Bello dhe Sami Golemi nga Fushëbardha, Sefer Meta nga Golemi, Skënder Pepiaj nga Progonati dhe Hasan Çerepi nga Zhulati. Këshilli bashkiak i Delvinës, i kryesuar nga Izet Silaj, ka miratuar vendimin nr.14 datë 30.3.2021(tre vite më parë), për ngritjen e një memoriali për pesë dëshmorët, në vendin e rënies e tyre në Senicë, një memorial që do t’iu flasë brezave për luftën e madhe të shqiptarëve dhe që e fituan luftën pa çizmen e ushtrisë ruse, sikurse ndodhi në gjithë Europën lindore deri në fqinjët tanë të ish-Jugosllavisë. Kjo është në nderin e Bashkisë dhe këshillit bashkiak të Delvinës që i ka në juridiksionin e vet dhe që ka përzgjedhur një vendin e ndërtimit përbri rrugës Kardhiq – Delvinë, në Senicë, mbi rrugën që të çon aktualisht me asfalt në Senicën e kuvendeve.

Qytet shumëdimensional i vlerave, traditës dhe kulturës

Gjatë periudhës së gjysmëshekullit të dytë të XX-të, Delvina kishte një aktivitet të rëndësishëm në shkallë republike. Edhe regjimi që shkoi i kishte dhëne rëndësi qytetit të Delvinës, edhe si trashëgimi historike e kulturore, por edhe për aftësitë e njerëzve dhe në fakt kishte ndërtuar disa fabrika me produktet e të cilave krenohej Delvina, siç ishte: fabrika e miellit, vajit, reçelit, salcës (përpunimi i domateve), Ndërmarrja e Përpunimit Artizanal, veshmbathje, tapiceri etj), rrobaqepësia për veshjet ushtarake dhe për Rezervë të Komandës së Përgjithshme (RKP-101k). Delvina kishte një kantinë të prodhimit të verës së famshme të Delvinës, ndërmarrjen e përpunim drurit. Nga ana tjetër Delvina ka pasur një qarkullim të konsiderueshëm të mallrave dhe kishte lidhje ekonomike e tregtare me Janinën, Gjirokastrën, Paramithinë, Margëllëçin etj., por dhe me tregtare që vinin nga Thesalia, Akarnania e vende të tjera, që tregtarët aristokratë e quanin kryeqendër e tregtisë jugore shqiptare. Krahas gjithë aktiviteteve të tjera kënga dhe sporti, sazet e famshme të Delvinës mbeten të papërsëritshme. Futbolli ky sport mbarëpopullor para viteve ’90-të kishte emër të njohur në Republikës si KS “Delvina” që emërtohej me emrin e lumit “Bistrica”. Tradita futbollistike vijoji edhe në këto vite të erës demokratike. Në pikëpamje të sigurisë kombëtare Delvina në gjysmëshekullin e shkuar ka qenë blinduar me formacione ushtarake të rëndësishme, që arriti deri në garnizon me divizion këmbësorie në vitin 1982 nga 22 divizione që kishte i gjithë vendi. Në fushën e Delvinës janë realizuar me dhjetëra stërvitje taktiko-operative dhe operativo-strategjike edhe me parashikim desantin ajror, desantin detar dhe ndërhyrjen tokësore, ku ishte parashikuar edhe vendi i ndeshjes për betejë vendimtare për shkatërrim të kundërshtarit edhe me ndërhyrjen e tankeve, pjesë e planeve strategjike të kohës që shkoi. Sigurisht që nuk shpëtoi as nga bunkerizimi dhe as nga angazhimi masiv i popullatës për mbrojtje “pëllëmbë për pëllëmbë” të hapësirës shqiptare.

Delvina si qytet dhe bashki i përket qarkut të Vlorës. Delvina është vetëm 16 kilometra në verilindje të Sarandës, bazuar në reformën e qeverisjes vendore të 2015-s nga bashkimi i ish-bashkive Delvinë dhe Vergo, të cilat u bënë njësi bashkiake. Selia e bashkisë është qyteti Delvinë. Popullsia e përgjithshme sipas regjistrit civil si bashki ka një popullsi prej 18078 personash, por janë gjetur prezent 7598 një dekadë më parë, nga regjistrimi i vitit 2011, të shtrirë në një sipërfaqe prej 183 km2. Delvina si shumë qendra urbane e qytete të tjera ka pësuar ndryshime dhe është më afër me qendrat e tjera administrative, ekonomike e kulturore, ndërkohë që rilindja urbane e qyteteve e ka bërë Delvinën edhe më të bukur dhe objektivat e saj janë ambicioze për qytetin dhe shtatëmbëdhjetë fshatrat e saj (të dhënat janë marrë sipas BIRN, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, që është një grup redaktorësh, gazetarësh, dhe trajnuesish gazetarie, të dedikuar në krijimin e një media të fortë, të pavarur dhe profesionale në Europën Juglindore).

Qyteti është i ndërtuar në një shpat mali, ku ndërthuren të gjitha besimet dhe harmonia e tyre është e lakmuar. Kështjella mesjetare është një dëshmi e jetës së djeshme dhe historisë, mençurisë dhe lavdisë së qytetit. Në jugperëndim të qytetit ndodhet Fenikia e lashtë, që u shpall Park Arkeologjik më 2005. Bumi turistik i tejngopur i bregdetit të Sarandës e shikon Delvinën si një strehëz qetësie e relaksi për vetë pozicionin në shpat mali, ndërkohë që në pikëpamje historike Delvina është vend i lakmueshëm që nga civilizimet më të lashta, pasi edhe popullsia sot gëzon vetitë më të mira dhe trashëgon kulturë, harmoni, zhvillim, ka njerëz të komunikueshëm, të qetë, të besës dhe punëtorë, që në gjuhën e vendit i thuhet “Nuk ua ha qeni shkopin”. Delvina bën pjesë në qytetet e vogla patriotike të Shqipërisë Jugore. Në shekullin e 19-të dhe fillimin e shekullit të 20-të delvinjotët u bënë promotorë të Rilindjes Kombëtare dhe intelektuale shqiptare. Bijtë e saj kontribuuan fuqishëm në themelet e pavarësisë dhe ringritjen e shtetit shqiptar.

Delvina u kthye në shpirtin dhe qendrën e kryengritjeve anti-tanzimat, mbështeti fuqishëm Lidhjen e Prizrenit, më 1910-n,nën shembullin e çetës së Çerçiz Topullit ngriti çetën e saj me Namik Delvinën në krye. Kur në Vlorë themelohej qeveria e Ismail Qemalit, më 4.12.1912 Delvina,mes përleshjeve me shovinizmin fqinj helen, shpalli pavarësinë. Kryeministri i qeverisë së dalë nga Kuvendi i Lushnjës, ishte Sulejman Delvina, avokat i shquar, anglisht folës i Perandorisë Osmane, drejtues e frymëzues në prapavijë i Luftës së Vlorës, që e bashkoi Atdheun në në kufijtë e 1913 të “Shqipërisë londineze”, me kryeqytet Tiranën. Në periudhën midis dy luftërave botërore Delvina njohu kulme ekonomike bashkë me Sarandën e Konispolin. Uria për shkollim ka qenë masive dhe djemtë e saj shkëlqyen deri në shkollat europiane. Ka qenë mjaft i njohur doktor Melo, intelektualë si Sami Koka, Abdulla Rami, Eqrem Hado, Astrit Delvina e shumë të tjerë intelektualë, eruditë, profesionistë të shumë fushave.

Historiku i parlamentarizmit njeh kryetarin e Parlamentit Hiqmet Delvinën, nëpunës i lartë i shtetit, i cilimë 7.4.1939 i shpalli luftë Italisë në emër të mbarë popullit shqiptar. Elitat shqiptare pavarësisht rrjedhës politike kanë njohur ish ministrin e luftës Ismail Haki Tatzati, Neki Delvina, ish-anëtar i Gjykatës sonë të Lartë, juristi me peshë i sistemit juridik shqiptar, ndërsa në artin skenik shkëlqeu Panajot Kanaçi, kritiku i njohur Razi Brahimi, korografi Agron Aliaj, kompozitori Limoz Dizdari, mjeshtëri i klarinetës Qamil Musto, ylli i futbollit shqiptar Panajot Pano, emra të njohur të futbollit delvinjot që në vitin 2025 mbush plot një shekull ja kanë rritur larmitetin qytetit si: S. Dino, Thoma Çavo, Turabi Bajo, F. Haxhiu, Spiro Xhimo, Vëllezërit Andi Rustem Gjeçi dhe Igli Rustem Gjeçi, Vëllezërit Koçi, etj. Emër i shquar i letrave shqipe e veçanërisht për romanin historik ishte edhe Sabri Godo e shumë figura të shquara që i bëjnë nder Delvinës dhe mbarë kombit shqiptar.

Delvina historike është sa e larmishme aq edhe e gjallë, megjithë hallete kohës, me shpresat dhe gëzimet e që gjithmonë populli i saj ka përçuar njerëzillëkdhe rritur luftëtarë të së ardhmes. Delvinjotët gjithmonë kanë ditur të triumfojnë përballë sfidave të jetës. Për Delvinën është shkruar shumë dhe nuk është vështirë të gjesh emra të spikatur që kanë rritur edhe më tej vlerat e qytetarisë delvinjote siç janë emra të spikatur si: Evlia Çelebi, Uilliam Martin Leake, Halil Inalxhik, Fatos Mero Rrapaj, Sabri Godo, Mustafa Qilimi, Javer Malo, Ndriçim Kulla, Ardit Bido, e shumë të tjerë.

Hapësira gjeografike delvinjote- trualli i kuvendeve të palcimit/pajtimit

Në histori njihet si “Kuvendi i parë i Senicës”, i cili u mblodh ditën e diel më 25 mars 1770 dhe u quajt “kuvendi i palcimit/pajtimit”, me pjesëmarrje të kapedanëve të të gjitha trevave nga Labëria dhe Çamëria. Kuvendi që udhëhiqte burri i mençur Idriz Sulli nga fisi Përoda kundërshtonte ligjet e egra osmane për nizam, gjykatat e taksate rënda. Meritat e këtij Kuvendi dhe roli i tij vijnë deri në ditët tona në vargje: “Dëgjuar e parë kini/Në Senicë u bë pajtimi/Fshatra e kaza u mblodhë/pleqësia e anës tonë/Të krishterë e myslimanë/Ca me mushka e ca me kalë/Te përrallet në lëndinë/Flet Idrizi me të mirë/Mbani vesh o kapedanë/Të madhe ju bëj rixhanë/Të mençur e pleq me radhë/Të lidhemi besë e fjalë/Se të gjithë trimat u vranë/Mbetën shkretë këto anë/Vritet shoqi me vëllanë/Bëhet qejfi hasmit tanë/S’jemi turq e venecianë/Jemi thjesht shqiptarë/Jemi një gjak e një farë…”. Kënga për Kuvendin e Senicës kaloi brez pas brezi, këndohet e ndonjëherë edhe përsoset në vargje, por ruan anonimatin popullor për këtë organizim të pazakonshëm kuvendar.

Pjesëmarrësit e kuvendit të parë nuk kishin sekretari, por kishin rapsodin popullor vigjilent që regjistroi pjesëmarrësit përmes vargjeve të këngës. Ata ishin: Kristo Koka nga Vunoi, Jani Milo nga Himara, Spiro Gjika nga Qeparoi, Miho Gjini nga Piqerrasi,Qesko Hila nga Lukova,Hajdin Shehu nga Kalasa,Stefan Prifti nga Shënvasia,Kolë Mili dhe Jano Kumiu nga Nivicë Bubari,Dajkua i Lëkurësit,Bedo Hodo nga Borshi,Demir Dosti agai i Kardhiqit,Kostë Prifti nga Senica,Toto Rusha Progonati,Idriz Sulli nga Zhulat Fushëbardha,Osman Sina nga Tatzati,Sheh Sejkati nga Filati,Dalani nga Konispoli,Kallapodhi i Delvinës,Zoto Mahmuti Smokthina,Igumeni i Katerinës nga Çamëria,Allajbeu i Navarricës, si dhe mjaft të tjerë, të cilët kënga nuk i përmend,por është e njohur se ishin prijësit e kapedanët e çdo fshati. Ndërkohë që bij të fshatit Senicë, si Theodhori Miho, shkruajnë vargje poetike: “Moj Senicë të ndriu fati/Po të vjen Idriz Zhulati/Po vjen me trimat e shpresës/Të mbajë kuvendin e besës/Kostë prifti pallëlari/Del e pret trimat i pari/Vijnë shqipet varg-varg/Që nga Çamëria larg/Me bregdet e Kurvelesh/Te shpella e besës t’i gjesh/Myslimanë e të krishterë/Të vendosur derë më derë/Ja vdesim ja rrojmë me nder/..Besa besë gjëmojnë retë,/Në atë prill shkrepën rrufetë/s’durojnë sulltanë e mbret,/Ata bij me fustanella,/Senicës i dhanë vlera/Për Labërinë ngeli kështjellë/Në atë Senicën tonë/Burra e gra janë heronj…”. Vargëzim poetik, i shkruar me ndjenjë dhe që përcillet dhe në rrjetet sociale sot edhe nga djali e intelektuali i Rrëzomës Mareglen Basho, por dhe nga të tjerë, që edhe pse për arsye nga më të ndryshmet mund të jenë larg vendlindjes, zemrat iu pulsojnë për progresin e saj.

Kamenica – qyteti i braktisur, por i paharruar i Delvinës

Vendi ynë ka shumë fshatra mesjetarë të rrënuar, fshatra që ruajnë e fshehin historinë. Në zonën e Delvinës Kamenica dhe rrënojat e saj rrëzë shpatit jugperëndimor të Malit të Gjerë, ka pamje mahnitëse pasi shtrihet mbi dy kodra të ulëta, me pjerrësi të butë të bashkuara me një qafë të ulët prej lindjes në drejtim të perëndimit. Fshati, në Mesjetë zinte dy lartësitë e kodrave, qafën dhe shpatin jugor. Kamenica ishte qytezë me zhvillimin ekonomik, me fushë pjellore, kullota trëndeline për bagëti, klimë të butë që e do ullirin dhe agrumet. Dikur nga Kamenica kalonte rruga që lidhte Delvinën me luginën e Kardhiqit dhe luginën e Drinos.

Rruga dikur kalonte duke ndjekur qafën ndërmjet dy kodrave, që përfundonte në qendër që ka qenë emërtuar “Qafa e Pazarit”. Ndërtimet prej guri e druri dikur i kishin dhënë jetë vendit që dikur thirrej “Qyteza e Kamenicës”. Edhe pse burimet historike janë të pakta në regjistrin e “Defterit Osman” të vitit 1431-1432,sipas prof. dr. Halil Inalcik osmanolog dhe albanolog me famë botërore (Hicri 835 tarihli Suret-i Defter-i Sancak-i Arvanit, 1954), fshati i Kamenicës, i përfshirë në vilajetin e Vajonetës, kishte 267 banesa, 400 rrënjë ullinj dhe të ardhura si fshat 19740 akçe, që e bënin këtë qytezë-fshat një nga qendrat e banuara më të mëdha të zonës së Delvinës. Nëse e krahasojmë me Gjirokastrën, kryeqendra e sanxhakut të Shqipërisë, qyteti i gurtë kishte 163 banesa dhe të ardhurat, 16938 akçe. Në regjistrin e kadastrës osmane të vitit 1583, Kamenica e Delvinës kishte 200 shtëpi. Çelebiu, që kaloi nga Delvina në Kalasë, përbri Kamenicës, nuk e përmend Kamenicën si fshat, por në një pasazh ai flet për vendin e quajtur Kamenicë, çka është domethënëse. Historia, ndërtimet, urbanistika, jeta, kohë lulëzimi dhe koha e braktisjes së Kamenicës nuk i përkëtë vetëm së shkuarës, pasi si qendër e dikurshme banimi, e lulëzuar i përket trashëgimisë arkitektonike të mesjetës me banesa me kulla e kisha. Në rrënojat e Kamenicës të moçmit e zonës e quajnë “Kulla e Rrahës”, në pikën më të lartë të kodrës, në perëndim të qafës së pazarit, në pozicion sundues mbi fshatin. Ndërtimet dy, tre e katër katesh, oxhakët, kullat, kamaret, musëndrat, zbukurimet me simbole në qoshet e shtëpive, oxhaqeve, katoqet si dhe shumë elementë unikë në Kamenicë e bëjnë të veçantë dhe objekt të së ardhmes arkeologjike në zonën e Delvinës. Studimi i rrënimeve të Kamenicës do t’i japë përgjigje enigmave e mistereve të kohës që kërkon të dalë nga harresa e shekujve, por kjo do të kërkonte studim e eksplorim të thelluar arkeologjik, përtej një dokumentimi të thjeshtë grafik. Nga burimet dokumentare vërtetohet se Qyteza e Kamenicës, në fund të jetës së tij ka pasur 606 familje me zhvillim ekonomik masiv, qytezë me pesë lagje, ku vetëm lagjja kryesore e Kamenicës kishte 110 banesa dhe 12 kisha, e pasur me katër punishte vaji. Arkeologu Skënder Muçaj flet edhe për dy nga rezidencat kryesore të fshatit, njëra është ajo e kishës e tjetra e pronarit administrativ të fshatit, “rezidenca me ambiente të shumta, me një sipërfaqe tepër të madhe, me punishte e me prodhime të ndryshme dhe mendohet se fillimet e kësaj qytezë datojnë në shekullin XII e deri në fillimin e shekullit të XVII-të, kur fillon dhe braktisja përfundimtare e qytezës, kishave dhe manastireve të saj.

Kamenica nuk mundi ta konkurronte Delvinën, pasi ishte larg rrugëve tregtare. Dyqanet e punishtet u bënë më të mundura të ngriheshin sa më afër rrugëve të kalimit dhe në këtë zonë dhe më afër rrugëve të kalimit ishte Delvina. Kamenica mbeti jashtë vëmendjes si qendër administrative dhe e zhvilluar, ku studimi i mesjetës së saj ngelet një dritare interesi për të gjithë.

Megjithatë ka një poet që e ngriti nga pluhuri i harresës Kamenicën me baladën arbërore: “Hanko, mos qaj nëpër varre” një magji poetike e Petrit Rukës me motive nga folklori i jugut, sidomos me kërcimet, rrotullimet, ohet e shpirtrave të plasur, si dhe thirrjet më tepër vajtuese se kënduese të refrenit: “Ç’deshe ti në Kamenicë/Zonjëz e rëndë e Zhulatit”, drithërimëdhimbjeje që flet për një toponim të Fushëbardhë-Zhulatit, fshat pranë Kamenicës, ku rrënoja e ndërtesa 2,3e 4-katëshe u dogjën dhe u rrafshuan nga pushtuesit osmanë diku në mesin e shekullit XVII. Në Kamenicë poeti zbulon muzën poetike varg pas vargu me një mozaik interesant, pas “kthimit të Zonjës së Zhulatit” në fshatin e saj të lindjes ose “në derëbabe”, rrënuar nga pushtuesi: “Ç’deshe në derë të babait/Kamenicë tani nuk ka/Këndon qyqja portë më portë/Sorra hidhet tra më tra/Shkulni kryqet gjer te varret/Nga qafë e grave fildish/Shkulni stemat me Shkabonja/Nga portikët me mermer/Shembni kishat dhe bujtinat/Ku burojnë përrenj me verë,…

Fakt është se gjithë pushtuesit shënjestrojnë shenjat arbërore dhe europiane. Këtu gjejmë edhe imazh egërsie të pushtuesit: “..e shoi, ndërro besë/pret shpata mes për mes/shkulni kryqet, gdhëndni hënën me këllëç/shkulni stemat, shembni kishat dhe bujtinat…”, si dhe pas shembjes së gjithçkaje arbërore, del Arbëria/Shqipëria e pushtuar: “Ti Kristian do jesh Mahmud/Ti Dorinë do jesh Qefsere/Fjala Zonjë bëhet Hanko/Vend i tyre është pas dere../Kërkoj gjyshen në varreza/Varri qenka bosh/Po luaj mendsh/ah, unë e zeza/Lotët i heq osh…”, dhe më tej: “Hanko mos shko nëpër varre/Të lutet kunata/Se të vdekurit i ngjalle/Mos i nxirr nga nata!/Hanko mos shko nëpër varre/Mos i lag me lot/Të gjallët i vdiqe fare/Ikën nga kjo botë..”. Qyteza e Kamenicës nuk mund të vinte më bukur në këtë shkrim sa sa e ka sjellë baladën poeti me dhimbe dhe kuje: “Hanko mos qaj nëpër varre/Syri t’u bë gjak/T’u prish bukuri e gruas/që ndez gurin flakë./Hanko mos qaj më me ligje/Ngjethe gurë e drurë/Ngrinë sorkadhet/qajnë në shtigje/Era u bë mur”. Një baladë rrëqethëse himn, një baladë 500-vjeçare, që ja shton jetën dhe vitalitetin qytezës së moçme 800-vjeçare të Kamenicës, që hijeshon historinë e Delvinës, të Kamenicës ku legjenda bredh ilirisht tek Telemakun, i biri i Akilit, që ishte kthyer nga Troja por që rrezatoi një kulturë e qytetërim në trevat përreth Delvinës e më gjerë. Ndërkohë që njihet se myslimanizmi në Kaoni/Labëri filloi rreth vitit 1650. Kamenica refuzoi dhe pas një sërë përballjesh të përgjakshme në beteja me osmanët nga dhe u mor vendimi i përbashkët për largim.Fitim Çaushi studiues i folklorit thotë se, emri “Hanko” në këtë baladë nuk është emër personi, por titull i hierarkisë dhe fisnikërisë shoqërore, me të cilin emërtoheshin vajzat dhe gratë e shtresave të pasura. (Fitim Çaushi, Bukuria e një ligjërimi artistik;23.2.2012). Ndërsa në librin “Autobiografia e popullit në vargje” Ismail Kadare komenton këngën e Hankos: “Megjithëse për përshkrimin trupor të bukurisë femërore poeti anonim ka të gjitha mjetet, ai rrallë përdor laboratorin e vet, duke parapëlqyer rrugën e tërthortë. Përshkrimi i bukurisë së Helenës së Trojës është quajtur një nga gjetjet gjeniale të Homerit…Ja tani bukuria e një vajze me emrin Hanko: “Hanko mos shko nëpër varre/Se të vdekurit i ngjalle/Të gjallët i vdiqe fare”. Në pesë shekuj gjen mjaft keqkuptime edhe në folklor edhe në balada, që shpesh edhe ngatërrohen romancat me dhimbjet për një kryevepër të folklorit shqiptar, që është regjistruar nga ish-ushtaraku madhor Mitat Kondi në vitin 1979 në Këngët popullore nga rrethina e Kardhiqit dhe e Rrëzomës së Delvinës: “Hanko mos shko nëpër varre/Hanko pelivaneja/Se të vdekurit i ngjalle/Të gjallët i vdiqe fare/Meshollë e vathë manxhare/Hanko mos shko nëpër gurrë/Se s’më del na mentë kurrë/Qafëgjatë leshra drudhë/Kur del te porta në udhë/Vete në çezmë e mbush ujë/Pse s’na flet o mori ftujë..”, që edhe pse duket si këngë lirike, e komentuar nga Kadareja në një antologji e këngëve popullore, fakti është se brenda është dhimbja dhe lot, është qyteza e Kamenicës. Legjenda thotë se banorët e Kamenicës e braktisin qytezën të detyruar, befasisht natën, duke marrë me vete gjithçka mundën, veshje , ushqime, stema e armë, ikona e këmbana të kishës, kryqe të varreve, gurët e pragjeve. Më tej legjenda thotë se ata ikën me gemi në gadishullin Apenin në Itali krijuan fshatin e ri Kamenicë, me riorganizim të njëllojtë me pesë lagje si Kamenica që lanë në Delvinë. Popujt nuk i harrojnë vuajtjet dhe dhimbjet e mëdha, shqiptarët i përjetësojnë në këngë: “Ç’dreq e pru këtu sulltanë/Erdhi na dogji vatanë/E na vrau djemtë tanë..”. Hankua dhe Kamenica kanë një lidhje të thellë shpirtërore, ku edhe Ismail Kadareja, ky mjeshtër i madh i penës dhe njohës i folklorit “u verbua” te ky krijim plotë finesë popullore. Vaji dhe gulçet e shpirtit për qytezën e Kamenicës nuk rreshtin as pas tre shekujsh. Delvina mund e duhet ta “zgjojë” këtë qytezë për sot dhe për të ardhmen këtë atraksion turistik delvinjot.

Historia dhe shënimet janë “më shumë se gjysma e betejës”, por me vështrim nga e ardhmja

Delvina ka nxjerrë figura të larta të pushkës, jataganit dhe të penës. Ata i ka rritur dhe “vaditur” flladi i kujtesës historike ndër breza, por mbi të gjitha arsimimi, dija e progresi. Ndërkohë që kjo është më se e vërtetë pasi Shën Agustini thoshte: “Kujtesa është një rojtar i pakujdesshëm i mendimit..”, prandaj, mbante shënime në biseda të rëndësishme që t’i ruante në kujtesë. Është kjo arsyeja që një filozof francez shkruante: “shënimet janë më shumë se gjysma e betejës”. Prandaj edhe ne shkuam në Delvinë, sepse “historia nuk është një “vakëf” i aristokracisë”, por me bindjen për ta lexuar vetë fjalën “histori” të Delvinës, që me të drejtë e quajnë “pyet një dëshmitar të gjallë”, pra pyet dokumentet arkivore dhe mbi të gjitha jetën që pulson sot. Karvanët e dikurshëm kalonin në një qafë-kala natyrore në Skërficë, dikur “Qafa e Erës”, kjo qafë që sot kalohet lehtësisht përmes një tuneli 1316 metra një rrugë strategjike, e cila u përurua më 2 korrik 2022 me këngë labe. Është kjo rrugë e ka zanafillën tek intelektualët e Shoqatës “Fushëbardha”, që mundësuan nxjerrjen e VKM-së nr.272, datë 28.4.2005, “Për disa ndryshime në Vendimin nr.405, datë8.1.1996, të Këshillit të Ministrave për administrimin e rrjetit rrugor kombëtar dhe rrjetit rural të RSH-së, të ndryshuar”, ku përmes këtij Vendimi të kryeministrit Fatos Nano, rrjetit rrugor kombëtar i shtoheshin 30km rrugë në drejtimin Ura e Kardhiqit-Fushëbardhë-Delvinë. Ishte dhe mbeti një zgjidhje me vlerë të shumanshme.

Ndërkohë, fokusi i Bashkisë Delvinë synon konsolidim në rrugëtimin e vështirë të përmirësimit infrastrukturor, të zhvillimit ekonomik, shërbimet publike e administrative; zhvilliminbujqësor, blegtoral dhe turizmin, zhvillimin rural, pyjet e kullotat, zbutjen e erozionit demokratik, menaxhimin dhe zhvillimine krejt zonës nga qyteti deri në të 17 fshatrat e bashkisë së Delvinës. Hedhja e vështrimit tek “turizmi malor, turizmi kulturor dhe turizmi e panairi i eventeve”, do të ishte streha e qetë e turizmit të lodhur dhe të përzhitur të bregdetit. Sigurisht milionat e turistëve të huaj që bujnë në vendin tonë do të gjenin edhe në Delvinë atë qetësi, mrekulli e peizazh të munguar si në parajsë, por edhe kulinari të pakrahasueshme për produktet bio. Vlerat, aset historike e kulturore i gjejmë në muzeun e Delvinës, por dhe në pasuritë e shumta të zonës.

Delvina e historisë së madhe nga antikiteti në shekujt e perandorive romake, bizantine dhe osmane ishte ndër më të njohurat gjatë Rilindjes sonë Kombëtare me bij të pushkës, jataganit e dyfekut, me bij të mençurisë që luajtën roltë rëndësishëm në historinë e vendit. Delvina është atraksioni më kombinues i maleve e kodrave me anën e detit vetëm disa minuta larg.

Delvina, është qyteti i trashëgimisë së lashtë dhe mrekullisë së natyrës. Delvina është mirëseardhëse për vizitorët, me pamje fisnike dhe aristokrate e vendosur mbi një pllajë malore, në qendër të rrugëve kryesorë të jugut, pranë detit në verë, pranë dëborës në dimër, një destinacion i shkëlqyer turistik në çdo kohë dhe në çdo stinë të vitit. Delvina është e pasur në traditë, njerëzore, e besës dhe e shpresës, e njohur në Shqipëri si “atdheu i sazeve”, klarineta, violina e sazet rrjedhin në gjakun e popullit të qetë delvinjot, ndërsa kënga polifonike labe e Ajet Dukës tund skenat dhe kalatë e festivaleve, si më brilantet e këngës labërishte. (Albspirtit).

Filed Under: Histori

Malli për Atdheun – Trashëgimia e At Gjergj Fishtës – Tiranët do harrohen

April 15, 2024 by s p

Demokracia nënkupton harmonizim vullnetesh e qëllimesh

30-VJET MË PARË ËSHTË INAUGURUAR KISHA E RINOVUAR NË HOT TË MALËSISË SË MADHE

Nga Frank Shkreli

Një shikim 30- vjetë prapa

Ishte viti 1994. Ashtu siç kishte ndodhur me shembjen e komunizmit në vendet ish-komuniste anë e mbanë Evropës Lindore e Qendrore, edhe në Shqipëri, më në fund, kishin filluar proceset demokratike. Me ndryshimet politike në vend në fillim të 1990-ave, vihej re edhe hapja e kishave, teqeve dhe xhamive – ente këto që ishin mbyllur ose shkatërruar dhe shumë prej klerikëve jan[ pushkatuar, burgosur ose dërguar në kampe përqendrimi — për pothuaj gjysëm shekulli komunizëm – si pasojë e shpalljes së Shqipërisë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës si shteti i parë ateist në botë në vitin 1967 – duke i shpallur luftë edhe Zotit. Njëra prej objekteve të para fetare që është rinovuar në Shqipëri me ndihmën e komunitetit shqiptaro-amerikan – ka qenë edhe Kisha e Shën Gjonit në Hot të Malësisë së Madhe. Autori ka qenë ftuar nga autoritetet kishtare të asaj krahine për të marrë pjesë në ianugurimin e asaj kishe në vitin 1994. Pason fjala e autorit, mbajtur me atë rast në Kishën Katolike të Shën Gjonit – e pa botuar deri më tani:

“Të nderuar klerikë, të dashur besimtarë. Përshëndetjet e mia më të përzemërta të gjithë ju pjesëmarrësve në këtë inaugurim të kësaj kishe të rinovuar pas pothuaj një gjysëm shekulli diktaturë komuniste. Jam jashtzakonisht i kënaqur që gjëndem sot këtu në mesin tuaj me këtë rast të inaugurimit të Kishës së Shën Gjonit — Kishës së Hotit – ku për një kohë ka shërbyer si famullitar, i Madhi At Gjergj Fishta, i cili bëri të pavdekshme tiparet e Shqiptarit – ndërkohë që kujtojmë edhe bajraktarin e Hotit, Mulë Delinë me rastin e kthimit të eshtërave të tij nga mërgimi, që më në fund të pushojë këtu në Hot të Malësisë së Madhe.

Them se jam i kënaqur të jem me ju këtu sot se ndonëse kam vizituar Shqipërinë disa herë me delegacione zyrtare amerikane nga viti 1991, kjo është hera e parë që vizitojë këto anë të Shqipërisë. Jam shumë i përmalluar të vizitojë këto male, pasi jo larg prej këtu, pikërisht në Shkrel, e kam origjinën e familjes dhe të parëve të mi, e nënën nga Vermoshi.

Jam ardhë pra, nga brigjet përtej oqeanit Atlantik, nga trojet e Xhorxh Washingtonit dhe Thomas Xhefersonit, nga Amerika e madhe dhe e largët — strehuasja e të përbuzurëve dhe të shtypurëve – ku jo vetëm mua por edhe mijëra shqiptarë të tjerë, shumë edhe nga Hoti, nga dëboi tufani i egër i komunizmit ndërkombëtar sllavo-aziatik. Kemi ardhur dhe jemi mbledhur këtu me ju nga Amerika mike e shqiptarëve për tu thenë këtyre burrave e burrneshave shqiptare në varrezat përjashta: lëkundni eshtrat, çojeni kokën dhe hapni sytë për të parë, mos kini frikë! Gëzonju se ende ka shqiptarë. Emërat e tyre janë të shkruar, jo vetëm në zemërat tuaja, por kujtimi i tyre i kapërcen kufijt e Shqipërisë dhe mbërrin deri në Amerikën e largët.

Dëshmi e kësaj është prania e shumë shqiptarëve këtu të ardhur nga qytete të ndryshme të Amerikës. Për shqiptarët e Amerikës dhe shqiptarët e tjerë jasht Atdheut, për pothuja 50-vjetë shkëputje nga trojet tona – ishte Lahuta e Malësisë e At Gjergj Fishtës që na mbante të lidhur me Shqipërinë dhe ajo që na ndihmoi të ruanim sadopak thesarin kombëtar, gjuhën, historinë, kulturën dhe karakterin. Fjalët e Fishtës qëndrojnë si shtyllë drite për breznitë e tashme dhe të ardhëshme. Veprat e tij venë në dukje shkëlqimin e trashëgimisë stërgjyshore të shqiptarit.

Në këtë periudhë të vështirë të tranzicionit nga komunizmi në demokraci – për të gjithë shqiptarët sot duhet të shë ndrisin figurat historike të Lahutës së At Gjergj Fishtës në Rrëzhanicë e në Deçiq – ashtuqë të vihet në pah përsëri vet-mohimi i Patër Gjonit, guximi e burrëria e Ded Gjo’ Lulit, e po edhe fisnikëria dhe trimëria e Tringës.

Do të harrohen tiranët dhe veprat e tyre. Do harrohen ata që tretën edhe eshtrat e Gjergj Fishtës, por shqiptari kujton sot dhe do të kujtojë gjithmonë bijat dhe bijtë e sajë të denjë. Kujtimi i tyre do të frymëzojë breznitë e reja kah veprat e mira e të mbara sepse qëllimi i tyre dhe bashk-kohësve të tyre ishte vetëm që Shqipëria të vazhdonte në atë rrugë të ngadalshme e të vështirë, por kurrë të ndërprerë të qytetërimit perendimor, sipas traditave më të shëndosha të Kombit. Ata nuk dëshironin që Kombi shqiptar të futej në një rrugë zhdukjeje e të gjithë vlerave dhe pasurive kombëtare me qëllim për të krijuar të ashtuquajturin “njeri të ri”, në bazë të një ideologjie barbare sllavo-komuniste. Të fat të keq, shumë bijë e bija të Malësisë së Madhe kanë renë martir në mbështetje të demokracisë. Pjesëmarrja juaj sot këtu dëshmon se shpirti i tyre nuk është shëndrruar në një ankesë të kotë, ose në një shpirt vëllavrasës. Por, përkundrazi, dëshmon se ajo frymë vazhdon të jetë ndërtuese e një ndërgjegjeje kombëtare me mendime e caqe të mprehta dhe me ndjesi drejtpeshimi e bashkimi të shqiptarëve.

Zonja e Zotëri, askush nuk pohon se demokracia është një sistem i lehtë qeverisjeje, siç është shprehur dikur Vinston Çurçilli. Fjala demokraci nënkupton pjesëmarrje e njerëve të lirë në proceset demokratike. Për më tepër, nënkupton njerëzillëk, respekt dhe tolerancë ndaj mendimeve të njëri tjetrit, sado të kundërta të jenë ato, e jo pështjellim ideshë e panjerzi sjelljesh. Demokracia kërkon hamonizim vullnetesh e qëllimesh nepërmjet diskutimesh të lira e të kthiellta. Demokracia nuk duron që të ngujohemi në “kullat” e ideve tona, duke mos u hapur dritaren ideve të ndryshme dhe qëndrimeve të tjerëve, me qëllim arritjen e objektivave për të mirën e përbashkët.

Kur mendoj për Shqipërinë, e mendoj mbushë me luftëra e përpjekje gjithmonë për mbijetesë, si një vend me histori të lashtë, të vështirë por edhe të lavdishme, me një potencial për një të ardhme madhështore. Mendoj për falëtoret që do të ndërtohen e rindërtohen siç është kjo Kisha e Shën Gjonit që po inaugurohet sot këtu në Hot. Mendoj për brezat e rinjë të shqiptarëve, të cilët pas pothuaj një gjysëm shekulli diktaturë komuniste, me punën e tyre, shpresojnë në premtimet dhe në realizimin e endërrave që sjellë liria dhe demokracia.

Unë besoj se demokracia e re shqiptare — megjithë vështirsitë fillestare që janë kryesisht, pasojë e komunizmit barbar sllavo-aziatik – do të jetë aq e fortë dhe e qendrueshme sa ishte kjo kishë që po ripërtrihet sot – e të cilën ideologjia komuniste enveriste mendonte se do ta zhdukte jo vetëm si ndërtesë,por edhe si institucion.

Zonja e Zotërinj, uroj që të bëhemi të denjë të kujtimit të At Gjergj Fishtës (i cili thuhet se ka shërbyer në këtë kishë për një kohë) dhe i të gjithë atyre patriotëve që e donin Shqipërinë të lirë e demokratike – dhe të kërkojmë ndihmën e Zotit që ky vend, më në fund, të gëzojë lirinë, sot për ju e nesër për pasardhësit tuaj – për një të ardhme më të mirë të mbarë Kombit shqiptar.

Konsideroj se tranzicioni politik nga komunizmi në demokraci do të jetë një moment historik për Shqipërinë dhe për shqiptarët — që pas një gjysëm shekulli komunizëm, më në fund, të kthejnë vëmendjen e tyre kah traditat, vlerat dhe të shfaqin rishtas — ashtu si në kohën e Gjergj Kastriotit – Skenderbe — bashkimin, besën dhe vëllazërimin me njëri tjetrin, me shpresën që t’i sjell Kombit shqiptar agime të reja për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve.

Ceremonia e sotëme e inaugurimit të kësaj kishe në Hot të Malësisë së Madhe duhet të jetë një dëshmi e fortë se njerëzimi gjithnjë ringjallet dhe ripërtrihet, ndërkohë që e mira, rishtas, triumfon mbi të keqën. Prandaj, sot në këtë vend dhe në këtë moment, me shpresë dhe me arsye mund të brohorisim me Plautus-in, (dramaturgun romak) se, “Victi, vincimus”: Megjithse të mundur, i kemi mujtë”.

Frank Shkreli

*Fjalim i pa botuar nga autori – mbajtur me rastin e inaugurimit (1994) të Kishës së rinovuar të Shën Gjonit në Hot të Malësisë. Po botohet me rastin e 30-vjetorit të inaugurimit.

Autori duke mbajtur fjalimin e rastit në Kishën e rinovuar të Shën Gjonit

në Hot të Malësisë së Madhe pas shembjes së Murit të Berlinit, (21 Gusht 1994)

Filed Under: Reportazh

1930 / RRËFIMI I REPORTERIT AMERIKAN REUBEN HENRY MARKHAM : “SHQIPËRIA PO ZHVILLOHET “DALË, NGADALË – PAK NGA PAK”, POR ME SIGURI”

April 13, 2024 by s p


Reuben Henry Markham (1887 – 1949)
Reuben Henry Markham (1887 – 1949)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 13 Prill 2024

“The Christian Science Monitor” ka botuar, të martën e 21 janarit 1930, në faqen n°20, rrëfimin e reporterit amerikan Reuben Henry Markham rreth zhvillimit ekonomik e shoqëror asokohe të Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëria, pak nga pak

Burimi : The Christian Science Monitor, e hënë, 21 janar 1930, faqe n°20
Burimi : The Christian Science Monitor, e hënë, 21 janar 1930, faqe n°20

“Dalë, ngadalë; pak nga pak”, është një nga shprehjet më të zakonshme të shqiptarëve dhe përmban një pjesë të madhe të filozofisë së tyre. Mungesa e rrugëve, e tokës së punueshme, e urave, e makinerive si dhe paarritshmëria e vendbanimeve malore të tyre të shpërndara, e ka vështirësuar shumë përparimin e shpejtë. Prandaj ekzistenca bëhej shumë më e tolerueshme nëse dikush pajtohej me nxitimin e ngadaltë. Dhe Zogu I, mbreti i shqiptarëve, e zbatoi këtë ide në metodat e qeverisjes së tij.

I gjithë programi i tij është një program progresi, por ai po ecën përpara vetëm pak nga pak, duke arritur një gjë në një moment. Problemi i tij i parë ishte ai i rendit dhe stabilitetit dhe që ai e ka zgjidhur. Me anë të aleancës me Italinë, ai i ka dhënë përfundimisht fund të gjitha përpjekjeve për çrregullim nga jashtë, dhe me krijimin e një policie dhe ushtrie të stërvitur dhe të drejtuar mirë, ai ka marrë masa paraprake kundër revolucionit nga brenda. Ai e ka çarmatosur Kombin, e ka bërë udhëtimin të sigurt dhe personat dhe pronat e sigurta.

Dhe kjo natyrisht ka ndryshuar të gjithë aspektin e Shqipërisë. Më parë, tregtia ishte pothuajse e pamundur, përmirësimet publike thuajse nuk diskutoheshin, rrogat ishin të pasigurta, madje edhe shkollat aq të parregulluara saqë nxënësit ndonjëherë linin klasat e tyre për të dalë me nxitim në rrugë dhe për të marrë pjesë në revolucione.

***

Përmirësime të shumë llojeve janë duke ndjekur këtë ndryshim rrënjësor. Shkollat fillore dhe të mesme, shkollat teknike, bujqësore dhe ato normale funksionojnë rregullisht. Në gjuhën shqipe po përgatiten shumë tekste shkollore. Pak nga pak po ngrihen ndërtesa të reja shkollore dhe po blihen pajisjet. Ndërsa dikush viziton Shqipërinë herë pas here, ai mund të shohë lehtësisht përmirësimin.

Gradualisht po krijohet edhe shtypi ditor dhe javor. Ka disa gazeta ditore, të cilat, edhe pse të pakta dhe të kufizuara, po krijojnë një grup lexuesish të rregullt. Ka një sërë revistash kulturore, sociale dhe teknike. Librat shtypen herë pas here dhe libraritë po bëhen gjithnjë e më tërheqëse. Kjo është padyshim inkurajuese për një popull, gjuha e të cilit ishte e shtypur plotësisht deri më pak se njëzet vjet më parë.

Burimi : The Christian Science Monitor, e hënë, 21 janar 1930, faqe n°20
Burimi : The Christian Science Monitor, e hënë, 21 janar 1930, faqe n°20

Komunikimet, gjithashtu janë duke u përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme, pavarësisht se kapitali është i pakët, se toka është e mbushur me male dhe se ka përmbytje sezonale. Automobila dhe autobusë shumë të mirë qarkullojnë rregullisht nga Tirana, kryeqyteti, në të gjitha pjesët e mbretërisë. Aeroplanët gjithashtu fluturojnë me rregullsinë dhe sigurinë e trenave në vende të tjera. Gjithashtu, linja hekurudhore që lidh Tiranën me portin kryesor, Durrësin, është në zhvillim e sipër.

Financat e vendit po përmirësohen. Një monedhë shqiptare u krijua, në normë dhe gradualisht u bë standardi i këmbimit. Thuhet se buxheti i shtetit është vërtet i balancuar dhe statistikat duket se tregojnë se bilanci tregtar, shumë i pafavorshëm, po përmirësohet.

***

Prodhimi është në rritje. Disa miniera janë duke u shfrytëzuar, disa pyje janë duke u shfrytëzuar dhe toka po punohet më mirë. Shqipëria mund të prodhojë mjaftueshëm për të mbështetur tre herë më shumë njerëz sesa numri aktual i banorëve. Kjo pasuri natyrore po shfrytëzohet gradualisht.

Nga ana tjetër, gratë po fitojnë lirinë. Gratë myslimane në qytetet e mëdha braktisin ferexhet e tyre dhe shpesh shfaqen në publik. Shumë vajza kanë nisur të shkojnë në shkollë. Është krijuar një federatë e grave, ka disa nëpunëse civile dhe shumë mësuese.

Shqiptarët, për më tepër, janë duke kaluar nëpër një rindërtim social. Bejlerët e vjetër feudalë po humbasin vazhdimisht pushtetin, krerët e fiseve po pushojnë së qeni faktorë suprem, zakonet primitive po lënë vendin përpara ligjit të vendosur dhe një klasë e re, e përbërë nga mësues, zyrtarë, tregtarë, artizanë dhe bujq përparimtarë, po fillon të dominojë. Dhe kjo është për bashkim dhe përparim.

Shqiptarët ishin një popull shumë i varfër, i prapambetur dhe i përçarë. Ata nuk mund të shtyhen ose të çohen përpara me dhunë, por dalë, ngadalë, pak nga pak, ata po përparojnë. Është inkurajuese të vëzhgosh përparimin (marshimin) e tyre.

R. H. M. (Reuben Henry Markham)

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 61
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT