
Sokol Paja/
Mediat në Shqipërinë komuniste ishin totalisht në shërbim total të shtetit totalitar. Regjimi i dhunës e tortures komuniste shkatërroi gjithçka fetare në Shqipërinë diktatoriale. Mediat transmetonin ato informacione dhe të dhëna që ishin në përputhje me parimet ideologjike marksiste-leniniste. Propaganda ateiste ishte kthyer në një institucion që shprehte qëndrimet e kohës dhe porositë e udhëheqjes së kohës në luftën ndaj fesë. Propaganda ateiste e komunistëve ishte e kujdesshme në çdo detaj. Drejtuesit politikë të regjimit diktatorial nëpërmjet medias që vetë e kontrollonin dhe orkestronin, realizuan një spastrim shpirtëror dhe institucioanl të tmerrshëm ndër shqiptarë për afro 50 vjet. Komunistët e organizonin propagandën sipas specifikave dhe nevojave të partisë-shtet dhe tejçonin në publik atë informacion që vetë dëshironin duke indoktrinuar politikisht dhe ideologjikisht masat me qëllim bindjen absolute, përkrahjen e verbër dhe pjesëmarrjen në aksionet fizike dhe ideologjike që ndërmerrte shteti kundër fesë.
“Propaganda totalitare e ngriti metodën shkencore ideologjike dhe teknikën e saj të të bërit deklarata në formën e predikimeve te një lartësi e efiçencës së metodës dhe absurditetit të përmbajtjes, sepse, thënë në mënyrë demagogjike, vështirë se ka një rrugë më të mirë për të shmangur diskutimin sesa me anë të lënies së një argumenti jashtë kontrollit të së tashmes, duke thënë se vetëm e ardhmja mund t’i zbulojë meritat e tij”[1]. Fjala e agjitatorit ateist në krejt sistemin propagandistik komunist ngrinte në këmbë njerëzit për një punë vetëmohuese në ndërtimin dhe lavdinë e atdheut socialist. Në propagandën që ndiqej në sistemin totalitar rëndësia e bisedës si një formë agjitacioni është tejet specifike pasi zgjidh dyshimet që ekzistojnë te dëgjuesi. Biseda si një formë shumë e përdorur dhe e lakmuar nga sistemi zhvillonte edhe kritikën dhe autokritikën te njerëzit. Ndërmjet bisedës që zhvillohej gjatë propagandas ateiste dalloheshin qartë fjalë që ngrinin peshë masat, pra fjalët formonin brenda tyre ndërgjegje te ashtuquajtur revolucionare. Me porosi nga lart, gjatë bisedave duhej të krijohej një, atmosferë “e lire” dhe jo e detyruar me forcë; kjo përbënte një element të fortë të propagandës komuniste. Agjitatori ateist porositej që të kujdesej vazhdimisht për zgjerimin e horizontit të tij ideologjik dhe formimin e tij politik. Vendi ku zhvillohej biseda, si element elastik i agjitacionit, ishte shumë i përshtatshëm që dëgjuesit të kapnin mirë mesazhin e agjitatorit dhe në atmosferën e lirë të shkëmbenin mendime rreth çështjes në fjalë. Kryerja e agjitacionit nga një agjitator kërkohej në mjedise sa më të ngushta dhe me njerëz që e njihnin njëri –tjetrin pasi diskutimi dhe biseda bëhet edhe më e gjallë. “Një nga kushtet kryesore që biseda të ketë sukses është që agjitatori duhet t’i njohë mirë ndigjuesit e tij”[2] dhe të mbajnë kontakt jo vetëm ditën e bisedës, por çdo ditë dhe krahas bisedave kolektive të zhvillojë edhe biseda individuale. Tema e bisedës përcaktohej nga agjitatori, duke u mbështetur në kërkesat e punonjësve, te detyrat politike dhe ekonomike, te ngjarjet e jetës së brendshme dhe në ngjarjet ndërkombëtare. Agjitacioni dhe propaganda antifetare, që zhvillohej në Shqipëri para dhe pas zhdukjes së fesë, nuk ishte abstrakte, por konkrete dhe e lidhur ngushtë me jetën e njerëzve e veprimet shkatërruese e shfarosëse që kryente radikalisht sistei komunist. Gjatë zhvillimit të propagandës antifetare dhe aksionit për çrrënjosjen e fesë prej komunistëve, detyra e agjitatorit konsistonte që të nxirrte në dritë rëndësinë e jashtëzakonshme që kishte puna e përditshme e njerëzve në ndërtimin e komunizmit përpara dëgjuesve të tij. Agjitatori me veprimtarinë e tij ndikonte drejtpërdrejt në formimin mendor dhe në ndjenjat e dëgjuesve të tij. “Detyra që i është besuar çdo agjitatori është që ai të edukojë te rinia frymën e shkathtësisë, besimin në forcat e saja dhe gatishmërinë për të kaluar çdo pengesë në luftë për kauzën e Partisë”[3]. Fjalimet, që mbanin agjitatorët gjatë zhvillimit të propagandës dhe agjitacionit, fillonin me fenë dhe me gjoja dëmet e saj duke përdorur kontraste të forta e të dukshme ndërmjet fesë dhe komunizmit. Përpara ndalimit të fesë me ligj më 1967, komunistët krahas vrasjes, burgosjes, internimeve e shkatërrimit fizik, shpirtëror dhe institucional të drejtuesve dhe institucioneve fetare, kryen një lavazh truri ideologjik të të gjithë shqiptarëve duke shkatërruar botën shpirtërore të çdo njeriu në regjimin e tmerrshëm komunist.
Referenca:
Arendt, Hannah, Origjinat e totalitarizmit, DIJA, Prishtinë 2002
Glerzerman, G., Si Ta pregatisim dhe ta zhvillojmë bisedën, Botim i KQPP, Tiranë 1949
[1] Arendt, Hannah, Origjinat e totalitarizmit, DIJA, Prishtinë 2002, f. 447.
[2]Glerzerman, G., Si Ta pregatisim dhe ta zhvillojmë bisedën, Botim i KQPP, Tiranë 1949, f.20.
[3]Po aty, f. 30.


