• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2024

LINDJA DHE PERËNDIMI ME NJË DET NË MES

April 3, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

Studioja e Blushit, si pjesë e një trendi në letërsinë botërore, rimerr tema, subjekte, figura historike duke mëtuar t’i vendosë në një profil të ri, rrjedhimisht t’i tregojë lexuesit copëza pak ose aspak të ndriçuara të së kaluarës. Te romani “Të jetosh në ishull” e filloi me vendosjen në peshore të Kastriotëve dhe Aranitëve dhe e vazhdon këtu me raportet midis Lindjes dhe Perëndimit. Në këtë hulli operimi me emra të njohur për lexuesin, është një gjetje interesante që i krijon mundësi të kalojë shpejt nga prezantimi i tyre në dinamikën e ngjarjeve dhe filozofinë e rrjedhojave. Edhe pse fabula e romanit është e thjeshtë, edhe pse ai duket sikur ka pirë ujë në krojet e Shekspirit, fatet dhe karakteret e heronjve blushianë vendosen në një kornizë kohore dhe vendore të ndryshme, rrjedhimisht ndjekin një tragë të ndryshme, siç ndodh në rrugët që diku ndahen në dy ose më shumë shtigje.
Dy pikat më të afërta mes Blushit dhe Shekspirit, mes “Otello, Arapi i Vlorës” dhe “Tragjedia e Otellos, Arapi i Venedikut” janë Otello dhe Desdemona. Le të mendojmë për një çast se Otello është i njëjti karakter që autorët e kanë takuar në kohë të ndryshme: Blushi kur në vitin 1383 vjen si fëmijë-skllav nga shkretëtira në Venedik, Shekspiri kur është bërë ushtarak i shquar në Venedik; Blushi e dërgon në Vlorë si udhëtar, Shekspiri e dërgon në Qipro për ta mbrojtur ishullin nga turqit; Otello i Blushit kërkon dashurinë e Desdemonës nëpërmjet shamisë magjike që i ka dhënë e ëma dhe shishes me lëng që i përgatit doktori Stefan Gjika, kurse Otello i Shekspirit e ka fituar dashurinë e Desdemonës sepse e ka magjepsur me historitë e tij të luftës, por shamia kthehet si flamur i xhelozisë së verbër; Desdemona e Blushit është bija e Albano Contarinit i cili ia ble Otellon në treg si kukull me paralajmërimin që i ndalohet ta dojë, kurse Desdemona e Shekspirit është bija e Brabantit i cili po ashtu ishte kundër martesës së bijës së tij me një njeri me ngjyrë: Otello i Blushit i jep Desdemonës lëngun e dashurisë dhe i shkakton vdekjen padashur, Otello i Shekspirit mashtrohet nga Jagoja dhe e mbyt gruan besnike.
Jagoja i Blushit dhe Shekspirit kanë dy pika afrimi: karakterin dhe përdorimin e shamisë për intrigën e paramenduar, por kanë një ndryshim të rëndësishëm: Jagoja i Blushit është vëllai i Desdemonës me një fytyrë që “në asnjë rast nuk dukej miqësore” (f.76), njeriu që kënaqet duke i bërë të tjerët të qajnë, fëmija që e futi motrën në arkivolin e një të vdekuri, kurse Jagoja i Shekspirit është ushtaraku monstër që e kërkon karrierën e vet duke shkelur mbi shpinat dhe jetën e të tjerëve, “Qen, shpirtzi, skëterrë,/ M’i lig sesa murtaja, deti dhe uria!” (f.787)
Emilia e Blushit është motra e Desdemonës dhe Jagos, kurse Emilia e Shekspirit është bashkëshortja e Jagos; në të dy rastet Jagoja e përdor si mashë për të nxjerrë gështenjat nga zjarri.
Kasi i Blushit është Mrkzha Kasimir Zharkoviçi, djali i princit serb të Zetës, fejuar me Ruginën, bijën e Balshës II, zotit të Vlorës, që shkon në Venedik të shesë Vlorën, por merr falas Desdemonën, kurse Kasi i Shekspirit është oficeri Mihal Kasi nga Florenca, sipas Jagos “një bandill që e shet edhe shpirtin për një grua bukuroshe dhe as që di nga rregullat e luftës” (f.594), por realisht nuk ka marrëdhënie të fshehta me Desdemonën.
Ndoshta për shkak të të qenit në politikë në kohën e ngjizjes së këtij romani, Blushi afirmohet si një vëzhgues i hollë i dukurive dhe, me guxim, bën një shumatore të karakterit filozofik. Disa prej tyre janë shumë të guximshme. P.sh. “Lufta nuk vlen nëse nuk kthehet në pasuri.” (f.109) “Vlora kishte më shumë vrasje se peshkatarë, më shumë hajdutë se luftëtarë, më pak trima se kusarë.” (f.175) “Vlora ka shpata, po s’ka burra.” (f. 302) Ose: “Me njerëzit dhe sidomos me shqiptarët, Zoti është treguar i kursyer. Ata nuk dinë të punojnë, nuk dinë të shfrytëzojnë natyrën dhe prandaj nuk dinë të luftojnë.” (f.239) Studioja krijuese e Blushit duket sikur shfrytëzon pajisje kompjuterike, prandaj përfundimet që sjell duken sikur i janë nënshtruar një llogaritjeje matematike. Një fantazi e jashtëzakonshme shpaloset kur tregohet me detaje pafund përgatitja prej doktorit e lëngut të dashurisë. (f.163-168)
Sipari i ndodhive ngrihet në Venedik, një anije e sjell heroin në Vlorë dhe pas një kalvari disavjeçar ku Stefan Gjika e trajton si kavje për eksperimente mjekësore dhe Hamiti si dylber, rikthehet në Venedik. Ky alternim përdoret nga autori për të treguar kryqëzimin e interesave mes Lindjes dhe Perëndimit, por edhe hendekun e madh mes tyre, jo aq për shkak të Adriatikut të thellë, po të kulturave të ndryshme. “Si dy motra të ndara nga deti, Vlora dhe Vendiku kanë mbetur njëra në lindje dhe tjetra në Perëndim. Prandaj Vlora ka më shumë zjarr dhe Venediku më shumë dritë.” (f.271) Kurse Kasi që vjen nga Serbia konstaton se “Vlora ishte një port, por Venediku ishte një qytet.” (f.292) Kapiteni i anijes që çon Albanon dhe Otellon nga perëndimi në lindje, thekson më tepër kontrastet: “Do vazhdoj të shkoj në Vlorë duke çuar armë dhe duke marrë vrasje, duke çuar urrejtje dhe duke marrë padituri, duke çuar murtajën dhe duke marrë urinë, duke çuar burra dhe duke marrë jetimë, duke çuar epsh dhe duke marrë tradhëti, duke u çuar Krishtin dhe duke kthyer Muhamedin.” (f.95) Gjithsesi, në gojën e Albano Contarinit autori vë një deklarim domethënës: “Mesdheu…është liqeni ku lundron barka e krishtërimit dhe të gjitha portet e tij duhet të konsiderohen si Perëndim.” (f.285)
Analizat dhe zhbirimet psikologjike dhe filozofike e zhvendosin skajshëm dialogun, duke i lënë fushë të lirë meditimit, siç ndodh kur faqe të tëra u lihen eksperimenteve të Stefan Gjikës me trupin e Otellos që kulmon me injektimin e kolerës dhe shpjegimin cinik vetëm e vetëm për shkak të ngyrës së lëkurës, kur ndalet te lufta dhe trimëria dhe krijon një figurë si Andrea si simbol të heronjve (f.225, 235-236, 257), kur vë në peshore fëmijërinë dhe lumturinë (f.125), xhelozinë dhe dashurinë (f.315-316), apo familjen dhe dashurinë (f.150-154, 277, 298) me një hapësirë aq të gjerë saqë në kooperim me dashurinë e Otellos për Desdemonës duket që projektorët më të fuqishëm janë drejtuar pikërisht këtu. Tek i njëjti trup jetonte Otello që i tregonte botës shpirtin e bardhë, por të gjithë shikonin tek ai Arapin me lëkurën e zezë. Si shprehje e dy botëve të ndryshme Hamiti e paralajmëron se në Vlorë mund të jetonte si Arap, kurse në Venedik mund të bëhej Otello. Ngjyra e lëkurës është mallkimi që e shoqëron nga lindja në vdekje, një ngjyrë që e kthen në skllav, por që nuk e shpëton edhe kur ngjit shkallët e karrierës.
Blushi guxon të trajtojë tema tabu. E filloi me qëndrimin ndaj figurës së Skënderbeut dhe Ali Pashë Tepelenës te romani “Të jetosh në ishull.” Në këtë roman skena e burgut të Vlorës kthehet në një poemë për homoseksualizmin, temë pothuajse e pacënuar në letërsinë shqiptare. Llambushkat e para të homoseksualizmit u ndezën që te romani “Të jetosh në ishull” me figurën e Ali Pashait. Megjithkëtë Blushi paraqitet si burrë me namuz kur është puna për përdorimin e leksikut seksual, ndryshe nga Agron Tufa, Edmond Tupja, Mustafa Nano, Thanas Jorgji, etj, ai nuk përdor as emra dhe as folje me ngjyrë të kuqe. Në vend të tyre mund të gjesh fjalë a shprehje me kamuflazh si “muskuli”, “lëmshi”, “sirtarët”, “ndonjë vrimë e trupit”, “ajo gjëja që kanë burrat në fund të barkut” (f.70), “në mes të këmbëve ishte një nxehtësi”, “nga kofshët po më kullonte një lëng i trashë dhe i nxehtë. ”(f.71)
Blushi merr rolin e doktor Stefan Gjikës kur hap mbi tavolinë doktrinën e krishterë dhe e bën doktorin zëdhënësin e vet kur thotë se “Krishti ishte prova e madhe e shkencës dhe jo e kishës,” s’kishte asgjë hyjnore pasi “kishte lindur nga një grua dhe ishte vrarë nga njerëzit,” se “me Jezu Krishtin Zoti kishte pranuar pafuqinë e tij për të dhuruar e për të marrë jetë.” (f.129-130)
Në këtë roman ka shumë poezi. Krahasimet dhe metaforat e goditura përdoren për të portretizuar personazhe, për të shpirtëzuar natyrën dhe ndodhitë. Po citoj pak prej tyre për të treguar se janë origjinale dhe domethënëse: “Turqit këndonin si korba dhe dielli pikonte si helm i verdhë. Kasi (mbi kalë) dukej si një diell që ka shaluar një re.” (fq. 259) “Vetullat e ngrysura të Jagos dukeshin si leshterikë mbi guackat e pjatave të lëngshme.” (fq. 331) “Andrea mbërriti i pari duke zbukuruar me dantella gjaku zverkun e një turku të vetmuar. Dhëmbët e semaforit u zverdhën nga dielli si shkronja të arta mbi një varr.” (fq. 290)

Romani “Otello, Arapi i Vlorës” i Ben Blushit, Toena 2009 dhe tragjedia “Otelli, Arapi i Vendikut” i Uilliam Shekspirit, Vepra 1, Tiranë 1982

Bilisht, 31 mars 2024

Filed Under: LETERSI

Na riktheni atë ritual të “Ditës së Valljes” arbëreshe në Frasnitë, siç kremtohej në kohën e Ernest Koliqit!

April 3, 2024 by s p

Ornela Radovicka

Qëndra albanologjike themeluar nga At Bellusci 1980 \ Frasnitë\ Kalabri/

Ditën e Martë 2 Prill 2024 arbëreshët festuan “Dita e Valljes”. Për ata që nuk kanë dëgjuar kurrë për këtë ceremoni zhvillohet ditën e martë pas pashkëve tek arbërershët e Kalabrisë në qytezat Frascineto e Civita, të cilat janë ngulime arbërteshe. Ceremonia, formën më antike e kanë ruajtur arbëreshët e Frasnitës, ndërsa tek në Civita ka marrë forma më “moderne”.

Dua të rikujtoj se Frasnita është një ngulim ku në gjirin e saj ka mbajtur “trurin i Arbërisë” së Kalabrisë. Në këtë qytezë lindën, krijuan dhe vepruan personalitet të botës arbërdshe që punuan dhe punojnë me mish e me shpirt si: Vincenzo Dorsa 1823-1885, Achille Parapugna, Bernando Bilota, Emanuele Giordano, Francesco Solano, Domenico Bellizzi , Beniamin Frascini, Papas Domenico Magnelli, Luca Perrone, Costantino Arcuri, Antonio Bellisci, Agostino Giordano e shumë të tjerë.

Ceremonia “ Vallja” është pjesë e ciklit të Pranverës, por në brëndësi të saj shoqërohet me rituale të tjera si rapsodi për Skënderbeun, për eposin Konstandini e Durentina, Puthja e kafkës, Pjelzat, Motërmat etje .

Vallja, është një tip koreografi e formuar nga të rejat arbërshe të veshur me kostum tradicionale, të cilët lidhen si hallkat e zinxhirit, nëpërmjet një shamie në formën trekëndëshi, të udhëzuar nga dy figura të veçanta, që nuk janë gra, por dy burra të cilët nuk janë me kostum tradicional ( sepse burrat arbëresh nuk e ruajtçn veshjet e tyre)të cilët quhen “flamurtarë” (bartës).

Në rolin e tyre këta “Flamurtarë” sa të heshtur por edhe aq “ bartës” pozicionohen njëri në fillim, dhe tjetri në fund e së bashku gjarpërojnë nëpër rrugët e gjitonisë duke kënduar. Kënget, në ceremonisë së Valljes janë thirrje, janë klithma, dhe rrjedhin herë lehtë dhe herë si një ujvarë e furishme. Grupe të tilla vërshojnë nëpër rrugë dhe majnë një formë ritmi.

Jo më pak se 10 vjet, Dita e Valljes në Frasnitë ishte një tetër i vërtet, mbushur me rituale të tjera si psh: fitorja e e madhe e udhëheqësit trim shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu kundër sulmeve të armiqve pushtuesit, përkatësisht të martën pas Pashkëve, 24 prill 1467. Ushtria e vogël shqiptare mundi ushtrinë turke, të udhëhequr nga Ballabani, duke kursyer qytetin e Krujës.

(Në foto imitimi i ushtarëve të Skënderbeut, të cilët kanë kapur rob ushtarët otoman, gjatë ceremonisë së Vallja në Frasnitë 2014)

Këngët në këtë ceremoni janë një polifoni e gjallë.

Forcën rrengjethëse,ceremonia arrin kur këndojmë vargjet e Rapsodisë “Kostandini e Jorundina”. Ishte pikërisht ajo “Besë” e dhenë që e bënë kaq të shenjtë një të vdekur të ngrihet nga varri, për të mbajtur fjalën e premtuar.

“Ish nj’mëm shum e mir

E kish nënd bil hadhjar

E të dhjetëtën nj’vash

Çë jathojen Jurendin;

sa t’e kishen mbë krushqi”

Riti ,Tintori

Riti “Tintori”\blozaxhinjtë. Ky rit simbolizon ruajttjen e gjuhës arbërshe. Cilido që nuk dinte gjihën arbërshe identifikohej nëpërmjet një vule të zezë që iu lihej mbi fytyrë, kush nuk ishte arbërsh në ditën e ceremonisë së valles. Mjaftonte i drejtohej mysafirit që të shqiptonte frazën tipike “tumac me qiqrra / tagliatelle e ceci”. Arbëreshët kishin zgjedhur këtë shprehje për të konfermuar identitetin, sepse popullsia vëndase nuk shqiptonte dotë shkronjë “q”

Tintorët shërbenin edhe për një tjetër mision: Të evitonin rrëmujat gjatë ceremonisë së Valljes, të shkaktuar ndonjëherë nga pjesmarrës të popullsisë “jo arbëreshe” apo të ritit latin, që kishin si qëllim për të prishur festën. Karakteristikë ishte se tintorët iu linin shenjë vetëm burrave burrave dhe jo të grave.

Pjelzat\Pjellorët

Një tjetër rit, që zhvillohej në Ceremoninë Vallja, që mbi jetoi deri gjatë viteve 60\70 ishte edhe riti Pjelzat(pjellorët). Meshkujt e Frasnitës veshur me kostumin e grave parakalonin të Martën e Pashkëve në sheshin ku bëhej ceremonia “Vallja” për kryer vallëzime korale.

Riti i pjelzave praktikohej jo vetëm në Frasnitë, por edhe në katundin fqinj arbëresh Cifti. Ky rit pjesë e ciklti pranveror simbolizonin “diversitetin” ndryshushmërinë\llojshmërinë e natyrës, shperthimin e saj, sythëzimin, alegoria e shumëfishimit.

Ceremonia e Valljes, është jo vetëm emozionuese, por ajo merr dimensione, në hapsirë dhe në kohë, duke e shëndërruar atë në një: muze, teatër, filarmoni humane të përcjellë në shekuj kulturën, historinë, gjuhën e këtij populli të mbrekulluseshëm. Shumë studiues i ka tërhequr kjo mënyre e organizimit të tyre dhe midis tyre edhe të madhin Ernest Koliqin.

Në ditën e Valljes së djeshme 2 Prill 2024 grupet e ftuara, si edhe shumë mysafirë të ardhur nga Shqipëria, Kosova, diaspora kërkonin që ti jepnin deri diku jete e mbështetje ceremoniosë. Mendoj se vendi i këtyre grupeve ishte jo të bashkoheshin me Ritin “ Vallja”, sepse kështu “ kontaminonin” identitetin e kësaj ceremoni të ruajtur në shekuj, por duhet të bëhen vetëm si pjesëz i këtij spektakli

Në rrugë kishin dalë ata pak arbëresh që frymojnë në këtë qytezë tashmë të shpopulluar. Dukeshin të heshtur, një dozë e lehtë malinkonie lexhet në sytë e tyre, por dëshira për të ndjekur këtë manifesim iu jepte vështrimit të tyre ato xixëllonja, që vetëm shpirtat e mallëngjyeshëm shënojnë në vështirm.

Për Ditën e Valljes 2024, ishin bërë përpjekje duke ftuar edhe grupet e tjera si :

Ajri i Lumit nga San Martino di Finita. Kreshnikët e Lirisë – San Benedeto Ullano, Shqiponjat e Santa Sofia D-Epiri . Me gjithë përpjekjet që kishin bërë për organizimin e Ditës së Pashkëve, mungonte ajo pjesëmarrja e gjallë që meritojnë në të vërtet “dita e Valljes”.

Mungonte shpirtit i fort i Arbërit.

Një Arbëri që po shuhet nga dita në ditë!

Një Arbëri që po kalon në konfuzion nga dita në ditë!

Një Arbëri që mungon pat’hosi !

Një Arbëri që po shuhet gjuha!

Një Arbëri që po dalim nga dita në ditë nga Arkitektura e të parëve të tyre !

Një Arbëri që pothuajse shumica e figurat politike vijnë vetëm Flash, për mos të thënë se vijnë sa për tu dukur!

Një Arbëri që e prek, por nuk pranon Agoninë e saj!

Një Arbëri me fasada dhe aspak “organike”!

Një Arbëri e lënë vetëm, për ata pak që punojnë!

Një Arbëri e përçarë!

Një Arbëri që po lëngon!

Një Arbëri e asimiluar në gjuhë nën moshën 40 vjeç.

Mungonte forca e “Appartenencës”.

Edhe pse me gjithë këto “minuse” mos harrojmë se Arbëria ngelet me hajthin e saj, si një mozaik apo afresk antik, që edhe pse deri diku i dëmtuar ngelet me emocionet e saj, me historinë e saj, me të veëantën e saj, sepse Arbëria nëng mund të vdes!

Në vijim disa foto nga ceremoni “Vallja” 2024

Filed Under: Kulture

ORTEKU QE FILLOI SHEMBJEN OKUPIMIT SHEKULLOR SERB

April 3, 2024 by s p

Ismail Gashi-Sllovia/

43-Vjetori i Pranverës së Madhe Kosovare 1981

Demonstratat e vitit 1981, si lavë vullkani përfshinë të gjitha vendbanimet shqiptare në Kosovë. Ky ortek nisi lëkundjen e zhbërjes së ish-Jugaosllavisë dhe zgjidhjes së çështjes shqiptare në Kosovë. Në këto Demonstrata drejtpërdrejt, apo tërthorazi të motivuar nga vetëdija e natyrshme në kërkim të lirisë e çlirimit të Kosovës, u përfshinë të gjitha mjediset, grupmoshat, gjinitë e nivelet e shqiptarëve. Janë të paqëndrueshme propagandat shpifëse, injoruese e delirante, se këto ngjarje ishin të herëshme dhe rrënuan gjithëçka që ishte arritur me Kushtetutën e 1974, “Ishim Republikë, veç emrin që nuk e kishim”. Por, mos të ndodhnin këto demonstrata, sot nuk do kishim shtetin, do ngelnim edhe me keq se Vojvodina, që sot është vetëm “shprehje gjeografike”, e cila krahasur me Kosovën kishte epërsi e privilegje politike e shtetërore.

Në vargonin e kërkesave të natyrshme kombëtare politike e historike shqiptare në Kosovë, “Pranvera e madhe kosovare 1981”, është orteku më i fuqishëm, është fillimi i fundit që lëkundi fortesën e okupimit shekullor serbë, filloi korigjimin e padrejtësisë historike shqiptare. Jo vetëm ndryshoi, por filloi shembjen e ndërtimit të padrejt të shtetit të sajuar Jugosllav, ndryshoi edhe moralin e palogjikshëm të shtresimeve politike brënda vet shqiptarëve në Kosovën e asaj kohe. Ky vargon rrënoi padrejtësinë e gjitha botëkuptimeve të robërisë sllave-komuniste dhe padrejtësinë historike përgjithësisht. Demonstratat e Pranveres 1981, nuk ishin as spontane e as të parakohëshme. Ato ishin strategji e vazhdimësisë së natyrshme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për kërkesa e të drejta kombëtare shqiptare. Ishin në kohën e nivelin e duhur dhe arritën efektet e synuara politike e kombëtare. Masivizimi dhe shtrirja e këtyre ngjarjeve, për kohën e rrethanat shoqërore ekzistuese, befasuan parashikimet e politikës, jo vetëm në ish-Jugosllavinë e atëhershme, e cila trumbetonte se në Kosovë, pas plotësimit të disa nga kërkesat politike shqiptare të 1968, për shumë kohë nuk do të ketë trazira shqiptare me kërkesa politike e kombëtare, sepse Kosova kishte përfituar autorizime “gadi sikur republikat”, një parashikim të tillë, fatkeqësisht e kishte edhe politika ndërkombëtare.

Kërkesat kombëtare

Madje, duke ju shërbyer verbërisht këtyre okupuesve, një qëndrim të përafërt e formësuan edhe kuadrot politike e shtetërore shqiptare që, ishin në shërbim të kësaj politike. Kjo “Pranverë Kosovare” ishte fillimi i një mbarimi të robërisë shekullore sërbe dhe fillimi i zhbërjes, apo fundit i Jugosllavisë avnoiste, kjo Pranverë e Madhe Kosovare, për dallim nga ngjarjet e “Solidarnostit” në Poloni, kishte qëllim dhe aspiratë historike për çlimim kombëtar nga robëria shekullore sllave. Megjithate, këto dy ngjarje mbrënda vitit 1981, lëkundën të gjitha konceptet e ndërtuara nga komunizmi në tërësi. Këto kërkesa politike e kombëtare të shqiptarëve në Kosovë, kishin një strategji të përgatitur gjatë dhe kishin shtrirje vazhdimësie me karteristika të veçanta. Këtë në zbatim praktike e dëshmoi vet procesi i zhvillimit dhe shtrirja hapësinore e tyre në gjitha mjediset urbane të Kosovës. Natyrshëm këto ngjarje i filluan studentët, vetëdija dhe ndërgjegjja më e guximshme e popullit, të cilëve ju bashkuan, shumë intelektualë, nxënës, arsimtarë, punëtorë, minatorë e nëpunës. Ato procese mjeshtërisht u dhanë si masazh informativ politik me formë e përmbajtje provokative social, të cilat në fillim një pjesë e politikës shtetërore qellimisht i trumbetoi si ngjarje joshqetësuese për administratën e ashpër të shtetit, i mori si veprim pakënaqësie për kushtet materiale dhe për pozitën e rëndë të studimeve. Kështu u mat niveli i veprimit të shtetit, politikës dhe organeve administrative shtetërore, edhe pse për këto të fundit, ishte deponuar forca e rrezikimi kërcnues për rinin studentore dhe vet popullin demonstruest. Pas analizës së thellë e rezultateve të pritura, shtrohen kërkesat politike e kombëtare, gjithnjë me vendosshmëri, forcë morale e zgjerime koncentrike. Pas realizimit të pjesërishëm të kërkesave anësore, por jo kërkesën për Kosovën Republikë deri në vetëvendosje, që ishte kërkesa bosht e të vitit 1968, U lejua përdorimi i simboleve kombëtare, si Flamurit Kombëtar, u përmbush kërkesa për hapjen e Universitetit dhe Kushtetuta për zgjerimin dhe forcimin e shtetësisë së Kosovës, me cilat krekosej padurueshëm në mënyrë delirante në çdo mjedise e nivel, jo vetëm politika sllave mbërnda dhe jashtë, por edhe pjesa e verbët politike shqiptare, siç veprojne edhe në ditët tona disa nga ish-kuandot komuniste shqiptare, të cilat jo-njerëzisht trumbetetojnë për “meritatë dhe kontributin” që ata kanë dhënë për çështjen kombëtare në “kohën e tyre” Ata atëherë krekoseshin për Kushtetutën më “humane”, të cilën ato strukturat politike e qeveritare, edhe pse nuk ishin dëgjuar të gjallë dy dekada, 1948-1968, e merrnin për kontribut të punës së tyre dhe sikur me këtë kanë mbulluar “diellin me shoshë”, imponohje para vet shqiptarëve një moral politik jo i natyrshëm, se shqiptarët duhet të jenë të “kënaqur në robëri” dhe namit që kishte arritur për këte në politikën ndërkombëtare. Kjo sipas disa politikanëve të atëhershëm pro-Jugosllav, ndonjë “intelektuali, akademiku e shkenctari” edhe të sotshëm, është kontribut i ndjenjës së tyre kombëtare. Me këto veprime politike, ata injoronin e panjerzishëm edhe sot injorojnë kërkesat e atëhershme të studentëve dhe sakrificën e popullit shqiptarë, duke etiketuar jonjerëzisht atëherë e sot, se demonstratat ishin motivim e nxitje e nëntokës serbe dhe KGB ruse së cilës ata vet i sherbenin verbërisht, por, pa pëmendur se për këtë shqiptarët sakrifikuan mund, gjak dhe jetën e vetë.

Shqiptarët demonstruan në nivelin e ndërgjegjes kombëtare

Pushteti sllavokomunist për ta venë në heshtje e shuar mendimin politik të shqiptarëve gjatë dhe pas demonstratave filloi ndjekjen masive, dhe për kohë të gjatë përhapnin urrejtje e armiqësi kundër shqiptarëve. Ata përgatiten për ti fyer, për ti goditur, për ti sjellur prapa parmakëve të burgjeve e për ti vrarë. Për gjatë kohë trajtoi me mjete policore, administrative e ushtarake mbi shtatëqind mijë shqiptarë. Kreu burgosje e arrestime, vrasje e plagosje, ndjekje e diferencime, dhe në vazhdim të kohës ndërmorri masat e ndalim shkollimit e studimit dhe largimeve nga puna. Përdori gjitha mjetet e format dhunës për ngulfatjen e zhdukjen e substancës biologjike të çdo vlere matriale e shpirterore shqiptare në këtë hapësirë etnike autoktone shqiptare. Politika serbe mendonte se i erdhi koha e realizimit të strategjive, projekteve e memorandumeve për shuarjen e vetëdijesimit të shqiptarëve dhe mbytjen me dhunë të ndëgjegjes kombëtare shqiptare në Kosovë. Këto ndjenja kombëtare shqiptaret i kishin shprushur si zharavën e fjetur menjeherë pas vitit 1966, por ato muarën rritë e lëshuan shtat me manifestimin e 500 Vjetorit te Vdekjes së Skënderbeut, Konsulta për Njësimin e Gjuhës Letrare Kombëtare 1968. Rezistencë e qëndrueshme, ishte kalitur e forcuar që nga demonstratat e vitit 1968. Ndikime të veçanta shpirtërore bëri hyerja nga Shqipëria në Kosovë e literaturës kombëtare historike, letrare, programeve skenike e artistike muzikore. Veçmas ardhje-vajtjet e profesorëve nga Tirana në Universitetin e Prishtinës. Zhvillimet nga brënda që nga 1968 kishin rritje të natyrshme. Studentët organizatorë e pjesëmarrës aktiv të demonstratave të atëhershëm, tash ishin kuadro që drejtonin dhe mbanin në duar të tyre gjithë sistemin arsimor dhe pushtetit shpirtëror e material shqiptarë në Kosovë. Ata drejtonin e qeverisnin entet dhe institucionet e kulturës dhe shkencës si edhe ndërmarrjet ekonomike. Me një fjalë ata ish-nxënës e student, tash drejtonin qenien shpirtërore e materiale të shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën ish-jugosllavi. Të gjitha këto potenciale, u dëshmuan me veprimet atdhetare më 1975 Grupi i Kamenicës kur Bacë Adem Demaçin të burgosur për herë të tretë dhe për të dytën herë denohet me 15 vjet burg. Në vazhdim, pas vizitës së fundit titos më 1979, të cilin rinia dhe intelegjenca shqiptare e priti me paknaqësi. Për këtë revoltë pakënaqësie sistemi politik e policore komunist sllavë, ndërmorri masa të ashpra. Përveç trajtimeve të shumta policore, politika e atëhershme denoi me kundërvajtje, burg hetues dhe për vepra penale mbi 400 të rinj veprimtarë shqiptarë të çështjes kombëtare. Kjo fushatë arrestimesh e denimesh, forcoi vetdijen kombëtare të rinisë shkollore, studentore e intelektuale dhe përgatiti hapësira veprimi revoltues për fillimin e Demosntratave të Pranverës së Madhe Kosovare të 1981. Ky vargon veprimesh atdhetare dëshmoi hapur, se shqiptarët nuk mund të mashtroheshin nga verbëria kozmetike e politikës komuniste, e cila mendonte me shkurtpamësi, se ka arritur synimin, që edhe shqiptarët ti ç’vesh nga virtyti e krenaria kombëtare dhe ndjenjën fetare e njerëzore, se edhe me shqiptarët ka krijuar, jo natyrshëm, një popull të kënaqur në robëri, se edhe nga shqiptarët ka krijuar proletarë të barabartë me njeriun figurë, pa ndjenjë kombëtare e tipar fisnik tjetër dallues.

Demonstratat vitit 1981, si lavë vullkani, përfshinë të gjitha vendbanimet shqiptare në Kosovë. Në ato demonstrata drejtpërdrejt apo tërthorazi, u përfshinë të gjitha strukturat student, nxënës, arsimtarë, punëtorë nëpunës e sidomos minatorët dhe grevat e tyre rekordere të urisë, në demonatrata u përfshinë edhe gjitha grupmoshat e mjediset shqiptare. Dhuna e represioni i pushtetit serbë, i cili mendoi të hakmerrej edhe për Demnstratat e 1968, vetëm sa e forcoi dhe e zgjeroi aspiratën tonë kombëtare.

Pjatat që prishën “parajsën Jugosllave

Pas 11 marsit 1981, kur “rrapllima e pjatave”, nga një femër shqiptare studente e Universistetit të Kosoës,në Qendrën Studentore të Prishtinë, lajmëruan rënien e komunizmit, dhe demonstrimin për plotësimin e kërkesës politike e kombëtare shqiptare për Kosovën Rapublikë dhe pavarësimin e saj nga okupuesi komunist sllavë. Demonstratat masive shqiptare u zgjeruan dhe u zhvilluan me ashpërsi e vendoshmëri edhe më 25 mars në Prizren dhe 26 mars 1981, “kur bartej stafeta” në Prishtinë dhe nga Prishtina nëpër qytetet tjera të Kosovës. Por, 1, 2 e 3 prilli i këtij viti, vala e demonstrimit përfshiu të gjitha qytetet, mjediset e nivelet në Kosovë. Shqiptarët masovikisht demonstronin në vazhdimësi të kohës me moral e nivel edhe më të lartë të ndërgjegjes kombëtare dhe të vetdishëm së fortë e për një qëllimin të synuar historik deri në sakrificë. U shkund bindja e e politikës serbe dhe e shumicës nga individët në nivelet shqiptare. U këndellën zërat e mendjet, që më parë ishin kristalizuar politikisht e kombëtarisht gjatë shërbimit të verbët në pushtetin sërbë. Ky ortek bëri ndryshime pozitive në gjithë strukturën e shtresimeve politike shqiptare të “dimrave të ftohtë”, mbi katër dekada që karakterizohej, jo vetëm me të “ftohtë”, por edhe me verbëri naive e të panatyrshme, vetëm për interes të ngushtë primitiv, servilizëm e nënshtrim të heshtur, që aspironte krijimin e shqiptarit me psikologji robi, sikur ata janë të pasigurt e të paaftë për të krijuar hapësirën e vet shtetërore, duke ngritur ndërtimin e moralit negativ, se shqiptarët nuk mund të jenë vet subjekt i pushtetit dhe qeverisje se vetvetës. Ishin krijuar bindje jologjike, se shqiptarët nuk kanë asnjë arsye për tu shkoqur nga ky soj i barbarisë e për të dalur nga robëria sllave. Madje, çdo tentim për dalje nga kjo robëri, që na e ndau padejtësisht Evropa. Thonin profetët e politikës nënshtruese. Shkelim në përcaktimin e fatit tonë të përcaktuar historik. Prishja e “fatit tonë kombëtar”, do të kushtonte me qindra mija të vrarë, e ndoshta edhe me shfarosjen tonë. Të gjitha këto paragjykime të trishta, kishin qellim të krijonin moral të deformuar e bindje të ligë për paaftësi kombëtare shqiptare. Këtë politikë të acart antishqiptare në Kosovë, e shkriu Pranvera e Madhe e vitit 1981.

Viti i lavdishëm i historisë sonë të re

Ky vit i lavdishëm i historisë sonë më të re, na bashkoi e na mbushi me vetëdije e guxim për veprime konkrete drejt lirisë e pavarësisë kombëtare. Që nga viti 1981, bashkëveprimi kombëtar u njësua në shkallë të lartë. Përkundër sulmeve rrënuese të gjitha vlerave materiale e shpirtërore shqiptare të pushtetit sërbë, ne përtëritnim forcën e vendosshmërisë si feniksi, për afro një dekadë 1981-1989 rezistuam duke hulumtuar të gjejmë formën adekuate të veprimeve vendimtare të ndarjes shpirtërore e fizike nga okupimi shekullor. Bëmë rezistencë të hapur në forma e menyra veprimi të ndryshme. Kur synohej rrënimi kushtetues kozmetik, që sipas politikës komuniste, Kosova kishte “përfituar autorizime gadi sa republikat”, i vuam këmbë. Kur përballeshim me synimet shkatërrimtare të substancës sonë, të sulmuar për zhdukje nga shumë drejtime, populli u ngrit në mbrojtje. Lubia kërkonte zhdukjen tonë shpirtërore e biologjike, para së cilës nuk u dorëzuam dhe ia pamundësuam ecjen. Nga ky uragan shkatërrues, mund të shpëtonte, vetëm një popull vital i urtë, me mendje të zhdërvjellët e lëvizje kreative. U arritë të bëhet organizimi në parti politike 1990, të tfillojmë demokracinë. Kështu edhe në Kosovë u hapën proceset demokratike, u organizuam në veprime konkrete politike dhe imponuam rregulla të reja të lojës. Praktikisht filluam rrugën e zhveshjes së problemit kombëtar me veprime joviolente. Njoftuam opinionin ndërkombëtar për pozitën e rëndë dhe rrezikimin e qenies sonë kombëtare e njerëzore. Dëshmuam cilësi njerëzore e urtësi paqësore. Kërkuam ndryshimin e situatës të këtij realitetit të vrazhdë shoqëror. Hapëm rrugë të zgjedhjes demokratike të problemit pa dhunë e konflikte. Të gjitha këto përpjekje rezultuan me ndërkombëtarizimin e çështjes dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës. Të gjitha këto përpjekje demokratike, nga okupuesi shekullor sllav sikur u maurën për frikë e paaftësi e jonë, u marën për pa fuqi e pa dituri e jonë kombëtare, u etiketuam për nacionalizëm negativ, për secesion të pa natyrshëm, dhe krejt në fund. Kur u hargjuan të gjitha përpjekjet dhe format e veprimeve tona politike nga filozofia e politikës paqësore. Detyrimisht morëm mjetin e fundit, Veprimin Ushtarak. I cili, jashtë vullnetit e mundësisë sonë reale, që me gjakderdhje të kryhet zgjidhje e problemit shqiptarë në Kosovë, për ti hikur fatalitetit, pastrimit etnik dhe zhdukjes biologjike njerëzore e kombëtar, Doli publikisht zotdalsja Ushtria Çlirimtare e Kosovës /UÇK/ 1997. Praktikisht doli strategjia e veprimit ushtarak e politik, filozofia e re dhe e fundit, veprimi ushtarak e politik, si domosdo e “intervenimit kirurgjik”, i cila pasi u përcoll me vëmendje nga subjektet dhe qendrat diplomatike e ushtarake ndërkombëtare të vendosjes, Rambuje e Paris 1999, u analizua nga të gjitha këndet, niveli njerëzor, teknik e politik i veprimeve luftarake. Ushtria Çlirimtare e Kosovës shpejt fitoi simpatinë e subjektit politikë e ushtarak ndërkombëtar NATO nga 24 mars deri më 10 qershor 1999, dhe arriti të krijojë mrekullinë monumentale, aleancë të mirëfilltë me forcën më të madhe botërore të vullnetit, për shpëtimin e katastrofës njerëzore nga aparthejdi, gjenocidi dhe pastrimi etnik serb në Kosovë. Dëbojë dhunën serbe nga trojet shqiptare të Kosovës. Ktheu në tokën e djegur afro një milion shqiptarë të dëbuar me dhunë nga trojet e veta qershor 1999. Sigurojë qetësi dhe jetë normale për të gjithë njerëzit e ndjekur nga “toka e premtuar”, dhe të krijojë mjedis të shëndosh për formimin e institucioneve demokratike për këtë popull të ndjekur. Pranvera e madhe 1981, sot e tete vjet pas shpalljes së pavarësisë së Republikes së Kosovës, më 17 shkurt 2008, na shërben për datë e përvjetor të madh. I shërben kujtesës sonë pozitive hsitorike për krijimin e bashkëveprimit, për zhdukjen e përçarjeve, shëmtisë sonë kombëtare. Përkundër, se atëherë në “motin e madh” të 1981, ishim pa asnjërën nga këto subjekte politike e shtetërore që, sot i kemi në Republikën e Kosovës së pavarur. Edhe tash kërkohet të jemi të përgjegjëshëm e pergjegjës ndaj popullit, shtetit dhe pushtetit, ashtu siç ishim më 1981. Të përbashkuar rreth çështjes kombëtare dhe realizimit të aspiratës sonë historike që, sot në Kosovën e pasluftës kemi gjitha parakushtet e volitshme historike për ndërtimin e një shteti me punë të disiplinuar e demokraci të lartë civilizuese për ngritjen e shtetit dhe bashkimin kombëtar. Në të kundërtën, do të na gjykojnë breznitë e ardhshme, do të na peshojë historia. Dhe me fajin tonë, të ndëshkohemi pafalshëm për moskonsolidimin tonë kombëtar në momentin vendimtar të historisë.

Foto: kosovapost.net

Filed Under: Opinion

Festimi i 90 vjetorit të Mbretëreshës së Skenës Margarita Xhepa

April 2, 2024 by s p

Julika Prifti/

Në një nga sallat e katit të tretë të hotel Plaza, Tiranë, sot në orën 12 u organizua festimi i 90 vjetorit të Artistes së Popullit Margarita Xhepa. Dukej si një takim artistik në kohë me artistë, regjisorë, aktorë e artdashës të skenës të moshave të ndryshme. Shumë miq dhe adhurues erdhën të festojnë jetën dhe karrierën e artistes së shquar të skenës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

Salla e madhe ishte ndarë në dy pjesë. Në pjesën ku u ulën mbi një qind të ftuar shihej një ekran i madh me fotografi nga role të ndryshme të luajtura në vite nga artistja e dashur. Në pjesën tjetër të sallës e cila ishte ndarë me perde të rëndë të zezë ishte ngritur një “muze” me foto e stenda ku ishin vendosur objekte nga rekuizita artistike e roleve teatrale e kinematografike. Aty kishte libra e gazeta me artikuj për të. Në një kënd ishin vendosur edhe disa manekine me kostumet e përdorura prej saj në shfaqjet që kemi parë në teatër, në kinema apo në foto albume.

Artisja shqiptare me karrierë 70 vjeçare hyri në sallë e shoqëruar nga motra e saj. U përshëndet me të njohur e dashamirës. Shumë prekës ishte momenti i takimit me shoqen e saj të viteve të para, aktoren ikonë të artit skenik dhe ekranit Tinka Kurti. Pas përshëndetjeve e urimeve nga përfaqësues zyrtarë si Ministri i Ekonomisë, Financës dhe Kulturës Blendi Gonxhe, Margarita Xhepa, e quajtur nga kritika “Mbretëresha e Skenës” i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, adhuruesit dhe kolegët me shumë dashuri.

“Përfytyroni një vajzë të brishtë, me fustan me lule, me kërcinjtë të lartë e këmbë të zbathura që bariste midis rrugëve tërë baltë të Myzeqesë… E tillë isha dhe unë,” rrëfen ajo. “Sa herë që e sjell ndërmend Lariskën e vogël, siç më thërrisnin në vegjëli, aq më tepër më ngjan se ato bashkë me kujtimet e fëmijërisë janë “zahire” për tërë jetën. Dhe unë i kam marrë ato me vete, si në baulet e pajës.”

Në këtë takim respekti, dashurie e mirënjohje e shumë brezave dukej forca e artit të vërtetë dhe të artistes që ka lënë gjurmë shumëvjeçare në artin shqiptar që nga vitet pas çlirimit e deri sot. Margarita ka sjellë mbi 100 role në skenën e teatrit dhe 40 filma artistikë. Ajo e vazhdon karrierën filmike në produksione të reja si Bolero në Vilën e Pleqve (2022) etj.

Gëzuar 90 vjetorin Margarita jonë e dashur. Edhe 100!

Filed Under: Kulture

Presidentja Osmani priti në takim z. Bertrand Bouyx, kryetar i Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës

April 2, 2024 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim z. Bertrand Bouyx, kryetar i Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, njëkohësisht deputet në Kuvendin Kombëtar të Francës.

Në takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, me ç’rast falënderoi z. Bouyx për lidershipin dhe mbështetjen e tij për Kosovën në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, i cili me shumicë dërmuese, votoi për të çuar përpara anëtarësimin e Kosovës për votim në Asamblenë Parlamentare.

Presidentja Osmani theksoi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut nëpërmjet mekanizmave që i ofron Këshilli e të cilat do të shërbenin si mekanizëm shtesë për mbrojtjen e garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Në këtë frymë, Presidentja Osmani tha se qasja në institucionet dhe mekanizmat e Këshillit të Evropës, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është mbi të gjitha në interes të qytetarëve të Kosovës, pa dallim.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Francës në këtë drejtim, ndërsa ka shfaqur besim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të vlerësohet pozitivisht nga deputetët e shteteve anëtare në Asamblenë Parlamentare.

Tutje, Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e plotë që të vazhdohet puna e përbashkët me shtete mike e aleate për ta avancuar tutje këtë proces drejt finalizimit të suksesshëm të tij.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • …
  • 61
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT