• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2024

Serbia shpallet shtet gjenocidial nga OKB: Një hap vendimtar drejt drejtësisë për shqiptarët

May 24, 2024 by s p

Prof. ass. Dr. Haxhi Ademi

Instituti i Historisë “Ali Hadri” Prishtinë/

Serbia është shpallur shtet gjenocidial nga OKB-ja për krimet e kryera në Sarajevë dhe për shqiptarët është një akt që shënon një fitore të rëndësishme dhe mundësi për drejtësi për viktimat e krimeve të kryera përgjatë një shekulli të tërë nga shteti serb.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votojë për një rezolutë që propozon shpalljen e 11 korrikut si “Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”. Pjesëmarrës në këtë gjenocid ishte edhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili, para masakrës, kishte deklaruar: “Për një serb, do të vrasim 1000 myslimanë të Bosnjës.”

Historia e popullit shqiptar ka qenë një përpjekje e vazhdueshme për mbijetesë në trojet e veta etnike dhe është bërë objektivi kryesor i politikës hegjemoniste serbe. Programi i parë kombëtar serb, “Naçertanija” i Ilija Garashaninit, nga viti 1843 deri më 1852, përpunoi idenë e Serbisë së Madhe dhe u realizua përmes masakrave dhe dëbimeve të shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore në Nishi, Vranja, Toplica, Prokupla dhe Leskovci në vitet 1876-1878. Territori i sotëm i Kosovës është rezultat i ndryshimeve politike dhe historike. Lufta Ballkanike e vitit 1912, që shënoi fundin e Perandorisë Osmane në Ballkan, solli ndryshime të mëdha politike, ekonomike, sociale dhe demografike. Konferenca e Ambasadorëve në Londër në dhjetor të vitit 1912 përcaktoi kufijtë e rinj politik në Ballkan, duke krijuar një Shqipëri autonome, por jashtë saj mbetën më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare, nën sundimin e Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Vetëm në Serbi dhe Mal të Zi mbetën të paktën 900,000 shqiptarë në një territor prej 22,000 km², i cili përfshinte pjesën më të madhe të ish-vilajetit të Kosovës dhe iu nënshtrua riorganizimit administrativ sipas dispozitave administrative serbe dhe malazeze. Shqiptarët nën sundimin serb-malazez u përballën me dhunë fizike dhe psikologjike, shkatërrim të vendbanimeve, konvertim në ortodoksinë sllave dhe përpjekje për shkombëtarizim. Vetëm me ardhjen e trupave austro-hungareze dhe bullgare gjatë Luftës së Parë Botërore represioni ndaloi. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Kosova ra nën Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene (më vonë Jugosllavia), ku politika antishqiptare rifilloi. Nga viti 1918 deri më 1921, ushtria jugosllave vrau mbi 12,000 shqiptarë dhe shkatërroi mbi 6000 shtëpi.

Gjatë periudhës midis dy luftërave botërore, shqiptarët nuk u njohën si pakicë kombëtare dhe iu mohuan të drejtat politike, kombëtare dhe kulturore. Nga viti 1918 deri më 1941, mbi 250,000 shqiptarë u shpërngulën nga hapësirat shqiptare në Jugosllavi.

Pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1966, shqiptarët u përballën me persekutime dhe shpërngulje në Turqi, ku mbi 250,000 shqiptarë u dëbuan.

Gjenocidi i viteve 1998-1999 ishte kulmi i një shekulli pushtim, dhunë dhe agresion ndaj shqiptarëve. Masakrat dhe krimet ndaj shqiptarëve përfshinin përdhunime masive dhe dhunë seksuale si pjesë e një fushate të spastrimit etnik. Gjatë kësaj periudhe, mbi 20,000 gra dhe vajza shqiptare, përfshirë fëmijë, iu nënshtruan përdhunimeve të organizuara nga forcat ushtarake dhe policore serbe. Krimet e kryera në Kosovë nuk ishin veprime të izoluara, por pjesë e një plani për të shkatërruar popullin shqiptar dhe për të ndryshuar strukturën etnike të Kosovës. Strukturat e Sigurisë së Serbisë, përfshirë ushtrinë, policinë dhe shërbimin sekret, janë përgjegjëse për këto krime. Doktrina e gjenocidit ishte mbështetur dhe proklamuar nga qeveria serbe, Akademia e Shkencave dhe Kisha Ortodokse Serbe.

Krimet ndaj shqiptarëve përfshinin vrasje, keqtrajtime, përdhunime, dhe spastrime etnike, që synonin shkatërrimin e popullsisë shqiptare për shkak të përkatësisë së tyre etnike. Vetëm 26 serbë janë dënuar për krimet e kryera në Kosovë, një numër i vogël krahasuar me mbi 12,000 të vrarë dhe mbi 20,000 të përdhunuar shqiptarë.

Dënimi i krimeve serbe është një hap drejt drejtësisë për viktimat dhe një njohje e vuajtjeve të tyre të pafundme gjatë shekullit të fundit. Krimet e kryera gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë përfshinin masakra të tmerrshme, ku mijëra civilë të pafajshëm, përfshirë gra, fëmijë dhe pleq, u vranë brutalisht. Përdhunimet ishin gjithashtu një mjet i përdorur për të realizuar spastrimin etnik, me qëllim që të terrorizojnë dhe poshtërojnë popullsinë shqiptare dhe t’i detyrojnë ata të largohen nga trojet e tyre.

Në përpjekjet për të kërkuar drejtësi, është thelbësore që krimet të dokumentohen dhe dëshmitarët të mbrohen për të siguruar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë. Ndërkombëtarizimi i këtyre krimeve është një hap i rëndësishëm për të mbajtur përgjegjës ata që kanë kryer mizori dhe për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Historia e përpjekjeve të shqiptarëve për mbijetesë dhe të drejtën e tyre për vetëvendosje duhet të njihet dhe të respektohet. Përballja me të kaluarën dhe njohja e krimeve të kryera është e domosdoshme për të ndërtuar një të ardhme të paqes dhe bashkëjetesës në rajon.

Në fund, njohja e krimeve të kryera dhe dënimi i përgjegjësve janë të rëndësishme jo vetëm për të sjellë drejtësi për viktimat, por edhe për të siguruar që e ardhmja të ndërtohet mbi themele të drejtësisë dhe respektit për të drejtat e njeriut. Historia e përpjekjeve të shqiptarëve për mbijetesë dhe të drejtën e tyre për vetëvendosje duhet të njihet dhe të respektohet, duke siguruar që krimet e së kaluarës të mos harrohen kurrë dhe të mos përsëriten.

May be an image of 1 person

See insights and ads

Create Ad

All reactions:

33

Filed Under: Komente

PROFESOR AGIM VINCA – FENIKSI I LETRAVE SHQIPE

May 24, 2024 by s p

Prof.asoc.dr. Myrvete Dreshaj-Baliu/

(Me rastin e 77-vjetorit të lindjes)

I jam rikthyer edhe njëherë vëllimit të parë poetik të Profesor Agim Vincës, “Feniksi”, pasi e kisha lexuar herën e parë si studente, me qëllimin njohës dhe herën tjetër si studiuese, me qëllim tipologjizues. Leximi i fundit është lexim personal dhe kërkues brenda po të njëjtit tekst, përkatësisht ribotim, por tash e nxitur prej paradigmash të tjera.

Se arti i mirëfilltë është i gjithëkohshëm e dëshmon edhe guximi i studiuesit e poetit, Profesorit tim Agim Vinca, për të risjellë botimin e vëllimit të parë poetik, jo brenda kolanës së vëllimeve të përzgjedhura, po në një vëllim të veçantë, si këtu e pesëdhjetë e ca vjet më parë, prapë Feniksi, pikërisht si simbolika e rilindjes prej hirit të tij.

Në art njeriu gjithherë merr dhe jep nga vetvetja, i trembet atij, sidomos si krijues e studiues, e përjeton, ekzaltohet dhe tretet brenda tij. Në rini përhumbja në të, mendohet se është më e madhe, është mosha që flet dhe krijon marrëdhënie me artin, po kur ndjenja dhe arti ecin paralelisht, nuk njohin moshë fizike, por njohin moshën e përjetësisë. Kështu na vije edhe sot ky ribotim i vëllimit të parë poetik i Profesor Agim Vincës.

Janë tre përbërës që dalin në plan të parë në këtë vëllim: poezia e vendlindjes (brenda së cilës hyn edhe poezia e peizazhit); poezia e dashurisë, dhe si poezia e protestës (një cikël më heterogjen, brenda të cilit hyjnë edhe poezia e mendimit, poezia sociale, poezia autobiografike dhe poezia përkushtuese).

Duke qenë krijues i frymëzuar prej letërsisë që krijohej në Shqipëri dhe në Kosovë, Profesor Agim Vinca në poezinë e këtij vëllimi të parë, përveç modeleve të krijuesve të traditës, ka rimarrë me sukses edhe modelet e bashkëkohësve të tij: Dritëro Agollin, në poezinë e motiveve të vendlindjes; Ismail Kadarenë, në ciklin poezive për dashurinë dhe bashkëkohësit Azem Shkrelin, Din Mehmetin e të tjerët, në ciklin e poezive të mendimit dhe të protestës.

Vëllimi hapet me tekstin poetik “Në vend të biografisë“, një poezi që krijuesin tonë e ofron me frymën tipike agolliane dhe shkreliane të rrëfimit autobiografik në letrat shqipe, por reflektimin simbolik e estetik të saj e mbajnë edhe disa poezi të tjera dhe madje poema “Vargje për Veleshtën”. Ndërsa në një nga ciklet më të arrira të tij me motive dashurie, tash do të mbështetet fort jo vetëm në motivet kadareane, por edhe në teknikën e vargut, sigurisht jo pak të ndikuar nga poezia ruse e viteve ’30, po duke krijuar njëkohësisht individualitetin estetik të tij, me ngjyresat emocionale, muzikalitetin e ritmin e brendshëm, me detajet dhe me figuracionin përgjithësisht.

Brenda këtij vëllimi do të shquhen edhe poezitë, të cilat janë arritje letrare e identifikueshme me emrin e poezisë rinore të tij: “Letër Zotit”, “Vargje të shkruara në autobus”, “Hakmarrje”, “Letër vëllait” etj., sikur janë edhe shumë poezi mbamendëse të krijimtarisë së tij: “Feniksi fluturoi përsëri”, “Anës liqenit”, “Baladë kurbeti”, “E kujtoj mësuesin”, “Histori dhe dashuri”, “Atë ditë nëntori binte shi” etj.

Nuk e di a mund të thuhet se përfaqësuese tipike e botës shpirtërore identitare të Profesor Agim Vincës është poezia e censuruar “Letër vëllait”, brenda një vëllimi ku gjenden edhe poezi që përfundojnë me po këtë ndjeshmëri si mesazh “mos më mbështillni me qefin po me flamur”(37), apo “është gjaku që thërret” (45), etj., e megjithatë ajo në kontekstin historik dhe estetik sikur përmbledh disa nga përbërësit motivues dhe artistikë të gjithë poezisë së tij. Kjo poezi e ka nxitur mendimin dhe kureshtjen time edhe për një aspekt tjetër. Kritika shqipe e viteve të fundit i ka dhënë mjaft rëndësi letërsisë së krijuar në burg dhe natyrisht ka zbuluar vlera të panjohura të saj, por asaj i takon të merret edhe me krijime artistike të autorëve që kanë arritur të botojnë veprat e tyre, e megjithatë nga ato u janë shkëputur poezi, tregime, kapituj, fragmente romanesh etj., si kjo poezi e Profesor Agim Vincës, me të cilat sigurisht kritika shqipe do të duhej të merrej një ditë.

Si në ciklin e parë të këtyre poezive ashtu edhe në të dytin a të tretin, ngrenë krye edhe disa mendime, të cilat shquajnë guximin qytetar dhe estetik të këtij krijuesi dhe madje të brezit të tij, përfaqësuesi më tipik i të cilit ishte dhe vazhdon të mbetet. Në të vërtetë studiuesi, poeti dhe eseisti Profesor Agim Vinca me qasjen e tij ndaj zhvillimeve kombëtare për shumë dekada ka qenë dhe ka mbetur Feniks i letrave shqipe.

Filed Under: Politike

REZOLUTA PËR SREBRENICËN, NJË SHUPLAKË PËR POLITIKAT GJENOCIDALE SERBE DHE NJË MIRËNJOHJE PËR VIKTIMAT

May 24, 2024 by s p

Të gjitha përpjekjet e deritanishme të Serbisë për t’i paraqitur betejat e saj si çlirimtare dhe nacionale, tani me këtë rezolutë marrin vulën e betejave të përgjakshme, pushtuese dhe gjenocidale

Prof.dr. Skender ASANI

Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e miratoi të enjten (23 maj) Rezolutën për Gjenocidin në Srebrenicë. Betejat diplomatike që i paraprinë miratimit të kësaj rezolute ishin mjaft të ashpra, sidomos ato që udhëhiqeshin nga Federata Ruse, Serbia dhe satelitët e tyre. Dëshmi e kësaj ashpërsie diplomatike është vet rezultati i votimit, ku 84 shtete votuan për miratimin e rezolutës, 19 shtete votuan kundër kurse 68 shtete abstenuan nga votimi. Të gjitha vendet e Ballkanit, përveç Serbisë, votuan për miratimin e rezolutës.

Për miratimin e rezolutës votuan edhe SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, përveç Hungarisë, e cila votoi kundër, dhe Sllovakisë e Qipros, të cilat abstenuan nga votimi.

Kundër miratimit të rezolutës, përveç Serbisë, votuan dy vendet e mëdha aleate të saj, Kina dhe Rusia, si edhe Bjellorusia, Koreja Veriore, Kuba, Siria dhe disa shtete të vogla, ku ka ndikim Rusia.

Nëpërmjet kësaj rezolute, 11 korriku është shpallur si Ditë Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, datë kjo që përkon me 11 korrikun e vitit 1995, atëherë kur forcat serbe vranë mbi 8 mijë burra dhe djemë myslimanë në Bosnjë-Hercegovinë. Me këtë rezolutë, dënohet çdo mohim i gjenocidit të Srebrenicës dhe u bëhet thirrje shteteve që të ruajnë të vërtetën. Gjithashtu, me këtë rezolutë bëhet thirrje për dënimin e atyre që glorifikojnë të dënuarit për krime lufte në rastin e Srebrenicës, praktikë kjo që ka qenë prezente në Serbi dhe Republika Srpska, ku autorët e krimeve monstruoze, Mladiq, Karaxhiq etj. janë shpallur heroj, madje disa rrugë dhe sheshe mbajnë emrat e tyre (!).

Me miratimin e kësaj rezolutë të rëndësishme, janë arritur disa efekte, por tre prej tyre janë më të qenësishme.

E para, të gjitha përpjekjet e deritanishme të Serbisë për t’i paraqitur betejat e saj si çlirimtare dhe nacionale, tani me këtë rezolutë marrin vulën e betejave të përgjakshme pushtuese dhe gjenocidale;

E dyta, edhe pse rezoluta askund nuk e përmend Serbinë në kontekstin e asaj çka kishte ndodhur në BeH, vet sjellja tragji-komike e Vuçiqit në mbledhjen e Asamblesë së përgjithshme të OKB-së konfirmoi se shteti i tij është i involvuar drejtpërdrejt në masakrën e Srebrenicës;

E treta, bota e qytetëruar tani e tutje do ta sheh me një dipotri tjetër Serbinë dhe nga ajo do të kërkojë më tepër llogari për veprimet destruktive që mund t’i bëjë në të ardhmen në BeH, në Kosovë, në Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi. Sjellja si viktimë e Vuçiqit, duke u mbështjellë me flamurin serb, është një alarm për botën e qytetëruar e cila duhet ta pengojë atë në çfarëdo lloj aventure mlitariste që mund të ndërmarrë në BeH (duke bërë përpjekje për ndarjen e Republika Srpska), por edhe në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

Historia nacionale e Serbisë është e ngritur mbi premisa koloniale e pushtuese , që burimin e kishte në shndërimin e së kaluarës në mjegulla mitike dhe paraqitjen e humbjeve si fitore. Mbi këto premisa regjimet serbe e ndërtuan edhe narrativin e tyre triumfalist mbi Betejën e Kosovës (1389) dhe të gjitha betejat tjera të humbura ku ata e shpallnin veten fitues.

Tani me kalimin e Rezolutës mbi Srebrenicën në OKB, bota e qytetëruar do të ketë mundësi t’i rikthehet edhe njëherë rrënjëve të nacionalizmit serb, që nga Naçertanija e Garashaninit (1844), i cili në kontinuitet kishte prodhuar fatkeqësi për popujt fqij të Ballkanit, sidomos në BeH, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e gjetiu. Kjo edhe për faktin se Serbia çdo epërsi të Rusisë në planin ushtarak e diplomatik e kishte kthyer në favor të saj, siç kishte ndodhur edhe me triumfin e saj në luftën Ruso-Turke (1877-1878), pas së cilës kishte ndodhur një fushatë e egër dhune, me pasojë shpërnguljen masive të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit. Për rrjedhojë, Serbia e kishte përgatitur situatën që në prag të Kongresit të Berlinit (1878) gjendjen në terren ta paraqes në favor të strukturës së saj demografike, pas një spastrimi etnik të popullatës shqiptare, me çka ajo edhe u shpërblye duke ia njohur si “trofe lufte” gjithë atë hapësirë pa shqiptarë (Sanxhaku i Nishit).

Beogradi zyrtar, edhe përmes qëndrimit të Vuçiqit në seancën e Asamblesë së KB, mundohet të hedh poshtë kualifikimin “gjenocid”, duke dashur që ta heq fajin kolektiv nga populli serb. Por, me këtë rezolutë, populli serb e ka shansin të kalojë nëpër një proces denacifikimi, duke vendosur vija të kuqe në mes të ardhmes evropiane të Serbisë dhe politikave të egra gjenocidale të saj.

Populli serb, përmes kësaj rezolute e ka rrugën e hapur të bëjë zgjedhje në mes të strukturave të vjetra politike nga koha e Millosheviqit, ku bën pjesë edhe Vuçiqi dhe elitave të reja politike, me pikëpmaje dhe orientime perendimore.

Rezoluta për Srebrenicën apostrofon nevojën që të drejtohet gishti nga bartësit e përgjegjësisë për gjenocid, me çka lidershipit serb i ngushtohet hapësira e manovrimit dhe manipulimit me ndjenjat nacionale të serbëve qoftë në Serbi, qoftë në Republika Srpska, dhe në anën tjetër popullit serb i mundësohet për here të pare të fillojë procesin e pajtimit dhe mirëkuptimit me popujt tjerë në Ballkan, proces ky që deri më tani ka qenë i pamundur. Kjo do të ndikonte që populli serb, ashtu siç ndodhi edhe me popullin gjerman, të lirohet nga hipotekat e së kaluarës, por vetëm me kusht nëse ndodhë një katarsis i brendshëm nacional i serbëve, që fillon me kërkim faljen, reparacionin dhe përfundon me denacifikimin e institucioneve.

Njerëzit në Srebrenicë këtë rezolute duhet kuptuar si një kandil që iu bën dritë të afërmve të tyre të vrarë nga soldateska serbe, por edhe si një shpresë që hijet e së kaluarës të mos errësojnë të ardhmen.

Pas kësaj rezolute, asnjë kriminel serb që ka kryer krime monstruoze, nuk duhet të ndjehet i qetë. Kjo vlen edhe për ata që vranë mbi 13 mijë shqiptarë të Kosovës, që dhunuan mbi 20 mijë gra e vajza dhe që vranë mbi 1400 fëmijë të Kosovës. Me fjalë të tjera, Rezoluta për Srebrenicën duhet të jetë uvertyrë e një ndërmarrjeje të madhe diplomatike e politike të Kosovës, që edhe ajo përmes faktografisë dhe ekspertizës juridike të bëjë Serbinë përgjegjëse për gjenocidin e kryer në Kosovë në 100 vitet e fundit. Një Rezolutë për Kosovën në OKB do të ishte përgjigja më e merituar ndaj politikave gjenocidale serbe dhe rikthimin e besimit dhe miëkuptimit në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Pa këtë rezolutë, të gjitha përpjekjet për një amortizim të raporteve të ngrira në mes të Kosovës dhe Serbisë do të përfundojnë pa sukses, kurse përfitues më të mëdhej do të jenë faktorët destabilizues në Ballkan.

Pas Rezolutës për Srebrenicën, do të çjerret maska e nacionalizmit serb i cili ishte i bazuar mbi manipulime dhe gënjeshtra, siç kishte ndodhur edhe me deformimimin e së vërtetës për Luftën e Dytë Botërore nga ana e propagandës serbe. Produkt i kësaj propagande ishte paraqitja e shqiptarëve si bashkëpunëtorë të fashizmit dhe për pasojë arsyetimin e dhunës dhe masakrave mbi ta nga ana e çetnikëve serbë, të cilët brenda natës u transformuan në partizan.

Por, kulla prej kartoni e kësaj propaganda u rrëzua në vitin 1999 me intrevenimin e NATO-s mbi caqet militariste serbe. Kjo ishte edhe një kthesë në politikën ndërkombëtare, sepse ky intrevenim ishte një alarm në formë paralajmëri që në Kosovë të mos ndodhë ajo çka kishte ndodhur në BeH.

Prandaj Rezoluta për Srebrenicën dhe intervenimi i NATOs në vitin 1999 duhet shikuar brenda një kohezioni të brendshëm kuptimor, për arsye se që të dyja këto momente ndërlidhen me të njejtin faktor destabiliteti në Ballkan: me Serbinë dhe frymëzuesen e saj shpirtërore – Kremlinin. Këto dy momente i hapin rrugë shkatërrimit të projekteve gjenocidale serbe dhe vendosjen e parametrave të rij në raportet në mes të fqinjëve, ku e ardhmja e përbashkët evropiane dhe mendësia perendimore do t’ia zinin vendin urrejtjes, paragjykimeve dhe konflikteve. Kjo, mbase, do ta detyroj Serbinë, edhe si shtet, edhe si shoqëri, që të reflektojë, duke i parapërgatitur rrethanat për një lidership të ri evropian, i cili marrëdhëniet me fqinjët do t’i përcaktonte sipas kritereve euroatlantike, e jo sipas recetave luftënxitëse të Moskës.

Zagreb, 24 maj 2024

Filed Under: Komente

Kryeministri Kurti mori pjesë si folës kyç në Konferencën e Mbrojtjes në Londër

May 23, 2024 by s p

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ishte folës kyç në Konferencën e Mbrojtjes në Londër që këtë vit po zhvillohet me temën “Parandalimi: ndërtimi i kapaciteteve për t’iu kundërvënë kërcënimeve globale”

Në fjalimin e tij hyrës, në auditoriumin kryesor të Kolegjit të Mbretit (King’s College), në hapësirat e së cilit po zhvillohet ky edicion i Konferencës së Mbrojtjes, kryeministri Kurti foli për rolin kritik të NATO-s dhe aleatëve demokratikë, 25 vjet më parë me rastin e çlirimit të Kosovës, dhe për rrezikun që autokratët paraqesin sot për sigurinë e vendit, Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës në tërësi.

Ai tha se suksesi i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, ka sfiduar pikëpamjet pesimiste se çfarë mund të arrinte ndërhyrja perëndimor. Ajo, përveçse se ndaloi gjenocidin që po zhvillohej mbi popullin shqiptar nga regjimi i Millosheviqit, i hapi rrugën rikthimit të mbi 1 milion refugjatëve, rindërtimit të 120 mijë shtëpive të djegura ose të shkatërruara dhe fillimit të një demokracie.

“Ajo që rezultoi ishte një republikë e pavarur, një angazhim për qeverisje të mirë dhe mirëqenie sociale të qytetarëve – qeverisje që respekton të drejtat e njeriut dhe vlerëson qëndrueshmërinë institucionale, me një kushtetutë dhe ligje që, siç theksoi Këshilli i Evropës në fillim të këtij viti, i përmbushin dhe tejkalojnë standardet evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, dhe organet e zgjedhura në mënyrë demokratike që i zbatojnë ato ligje”, u shpreh kryeministri Kurti, duke shtuar se 25 vjet pas intervenimit të NATO-s, Kosova është forcuar me ndihmën e aleatëve ndërkombëtar dhe tani është demokracia numër një në rajon, krahas përparimit ekonomik e shoqëror.

E ndërkohë që Ballkani Perëndimor dhe rajoni në përgjithësi është zhvilluar me shpejtësi të madhe dhe ka ndryshuar në mënyrë domethënëse, kërcënimet kanë vazhduar të jenë të pranishme, dhe kjo jo pak për faktin që zyrtarë të lartë të regjimit të Millosheviqit që ishin në pushtet një çerek shekulli më parë edhe sot janë në pushtet në Serbi, përfshirë këtu Presidentin aktual të Serbisë, por edhe për faktin se Serbia po krijon gjithnjë e më shumë lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën, nënvizoi kryeministri.

Ai veçoi kidnapimin e tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në afërsi të kufirit nga forcat speciale serbe në qershor të vitit të kaluar dhe sulmin terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, si dy raste të kërcënimeve të drejtpërdrejta nga Beogradi zyrtar, i cila, siç tha kryeministri, mendon se ka një boshllëk politik dhe të sigurisë që ia mundëson një sjellje të tillë. Ai shtoi se Kosova nuk është i vetmi vend në rajon i rrezikuar nga ndonjë sulm fizik, teksa tërhoqi vëmendjen edhe tek rreziku që paraqet infrastruktura dezinformuese ruse e që përdor intervenimin e NATO-s për të dezinformuar mbi perëndimin.

Në përfundim të fjalës kryeministri tha se është e nevojshme që të ripërtërihet kohezioni dhe aleanca demokratike e para 25 vjetëve, në mënyrë që shtetet që mbrojnë vlerat demokratike, të mbyllin boshllëkun politik dhe praktik që i bën liderët autokratë të besojnë se sulmi ndaj një vendi tjetër evropian, apo çfarë do sulmi, është i mundshëm.

Pas fjalës hyrëse, diskutimi me të pranishëm në sallë vazhdoi nën moderimin e gazetarit Adam Boulton nga TalkTV, ish redaktor në Sky News.

Filed Under: Ekonomi

VATRA TAMPA BAY FESTOI 112 VJETORIN E THEMELIMIT TË FEDERATËS VATRA

May 23, 2024 by s p

Ndue Gjekaj/

Dega e Vatrës Tampa Bay Florida, ka organizuar këto ditë në një nga parqet më të bukura në Clearwater Florida, një veprimtari komunitare e atdhetare kushtuar 112 vjetorit të themelimit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Kishin ardhur për të festuar vatranë, patriotë, aktivistë të komunitetit shqiptar nga disa qytete të ndryshme të Floridës sidomos nga Tampa Bay e më gjerë.

Aktivitetin e hapi kryetari i degës Vatra Tampa z.Isuf Spahia, i cili falenderoi të pranishmit për pjemarrjen e tyre në këtë aktivitet. Ai ndër të tjera paraqiti para pjesëmarrësve programin e aktiviteteve patriotike të kësaj dege në vijim dhe kërkoi bashkëpunimin e tyre duke vënë theksin tek veprimtaritë atdhetare dhe njohjen me tradita tona historike veçanërisht nga të rinjtë shqiptarë. Amëtari i Krysisë së Vatrës z.Tasim Ruko në një përshëndetje të shkurtër, theksoi se Vatra Tampa, duhet të punojë për zgjerimin e sajë duke afruar rreth vehtes sa më shumë të rinj dhe intelektualë, për ta mbajtur Vatrën gjithmonë të re dhe me botëkuptim bashkohorë. Z. Ruko premtoi rihapjen e shkollës shqipe në muajin shtator, ndërkohë që ka filluar përgatitja e stafit dhe e bazës së nevojshme materiale për shkollën shqipe. Z. Ruko falenderoi përzemërsisht organizatorët e aktivitetit të shkëlqyer patriotik e veçanërisht vatranët: Isuf Spahia, Eva Keta, Islam Sala, Endri Filipi si dhe sponsorin kryesor Asteria Lunch Restorant, me Pronar, Gaz & Rovena Gega, të cilët janë dhe anëtarë të dalluar të Vatrës. Aktivistja e pa lodhur Eva Keta në përshëndetjen e saj ndër të tjera theksoi: Kohët e fundit rreth Vatrës janë afruar më shumë gra e vajza të reja, dhe se në të ardhmen do punojmë dhe më shumë për rritjen e rolit të tyre veçanërisht me fëmijët dhe të rinjtë, për ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës e traditave tona kombëtare. Aktivitetin patriotik e bëri dhe më të bukur pjesëmarrja e këngëtarit prefesionist z. Sali Malaj, tashmë një banues në Tampa Bay dhe gjithnjë i pranishëm midis festave e gëzimeve të komunitetit shqiptarnë Florida.

Muzika shqiptare, këngët e vallet e bukura shqiptare e shoqëruan këtë aktivitet komunitar deri në orët e vona të pasdites në nder e respekt të 112 vjetorit të themelimit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra.

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT