• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2024

“PROKURORI I BRENGOSUR” AHMET PRENÇI

May 20, 2024 by s p

Frano Kulli/

Shënime rreth librit “Brenga e prokurorit”.

“Brenga e prokurorit”, vetvetishëm , në fillesën e leximit të josh drejt një shijeje disi metalike; kjo, përsa i takon momentit përzgjedhës të leximit, që është orientimi i secilit lexues. Po veçmas i atij lexuesit, i cili receptorët e vet i përqëndron të gjithë te teksti letrar, duke e lënë krejt jashtë tyre autorin e tij. Megjithatë, asesi nuk mund të shmanget si një pikë orientuese autori. Aq më tepër që rasti ynë vjen disi i parathënë si rasti i një leximi të vështirë për nga ngarkesa emocionale që të ofron. Sidomos për një tipin e lexuesit, që “plaket” si i tillë i brishtë, që nuk ka pasë në preferencën e leximit lëndë letrare kësisoji, siç është rasti i romanit në fjalë, në të cilin merr trajtë e zhvillohet sfida e dominimit të së drejtës mbi të padrejtën të drejtësisë me bazë ligjin mbi të padrejtën kriminale që e shkarravit dhe e nëpërkëmb të drejtën e ligjin. E, herë-herë e dominon atë deri në kufijtë e shbërjes.

E gjitha kjo ngarkesë është një kërshëri e thellë, po ndërkohë edhe e paragjykuar që të vjen prej titullit më së pari, po edhe prej autorit për së dyti, kur di së largu diçka nga curricula (karriera) e tij jashtëletrare. Por kjo zgjat krejt pak.

E sheh që suprizohesh së bukuri, qysh në faqen e dytë a të tretë kur fillon të kundrosh në të tjera rrahe e në të tjera gjendje fort e fort më të bukura e hiç e aspak të lodhëshme. Dhe të përshkruara mjeshtërisht si të tilla. Ndaj, unë për të vijuar në sa thashë, po ndalem në detajet parathënëse e në larminë e gjuhës, gjithashtu, që janë elemente domethënëse të strukturës së romanit, por edhe sfiduese ndaj paragjykimit deus ex machina, të fillimit të leximit. Pa hyrë në analizën me themel e të hollësishme të teksit letrar, për të cilin s’është rendi sot, unë dëshiroj që ndalesën time me e ba përmes disa detajeve, që për mua e kanë bërë të mundur krijimin e tablosë së impresioneve (Përshtypjeve) të përftuara nga leximi i veprës. E fillon te vizatimi i tavolinës së punës së prokurorit, Martinit; mbushur me dosje të ndenjura e të përditësuara, aso dosjesh-prush për nga përmbajtja e tyre, që ndenjësin në poltronën e asaj zyre e mbajnë si përmbi gjemba; dy foto janë e pandryshueshmja e rekuizitës së saj; fotoja e familjes, e gruas me dy djemtë dhe e Arturit, kolegut e shokut të tij të ngushtë, të vrarë. Dy kolona të forta shumë ku ai mbahej gjatë gjithë kohë-punës së tij të pakufij kohe.

Masandej, shija e athët, për të cilën folëm në krye herë , vjen e zbutet shpejt tek çapon nëpër linjën e butë të dashurisë së Martinit me Elizën e mbështjellë me ngrohtësinë që buron prej lidhjes së përzemërt. Që prej feksjes së ndezur të shikimeve dashuria zhdërvjellohet e vijon me takimin e parë jashtë zyre. Njëri flet për Tiranën, të cilën e ka përzemër njësoj si atëhere kur Tirana nuk kishte ndryshuar si tani, kurse tjetra…Ah tjetra, tjetra flet për Shkodren e saj e për jaret shkodrane. E kështu takimi përvijohet vetvetishëm për në Shkodër. Një sfond i përkryer me moralitet gati puritan i dashurisë, në kontrast të thellë me raportin e përmbysur që ekziton midis moralit dhe imoralitetit kriminal, midis vesit dhe virtytit që qe edhe dilema e madhe që mbisundonte në zyrën hijerëndë të prokurorit. Në atë zyrë, ku vlon me u zgjidhë mëdyshja e madhe në mes Martinit si Martin, si njeri dhe prokurorit, në mes ligjit dhe krimit. Edhe atëherë kur ata janë të ndërthurur së mbrendëshmi, pavullnetshëm, deri thellë në përzjerjen e gjeneve të vetë qenieve të përballura skajshmërisht. Marjan Boja, i pandehur vrasës, me gjasë është biri biologjik i vetë Martinit. E tashti, rrethanat i kanë vendosë përballë. Në dy skajet e përballjes së përherëshme midis së drejtës për një jetë të paqme dhe krimit përkundruall që e dhunon atë.

E gjithë ngjarja bazike e romanit futet mjeshtërisht fort ndërmjet dy lidhësëve të gjetura e bindëse, të gërshetuara me shumë finesë. Kërcënimi fillestar i Arjanës “nëse ti nuk ndryshon materialet në dosje, nuk do të flas me ty siç po flas sot”, që pasohet me letrën shantazhuese dërguar prej oligarkëve, padronë të punëve të pista për të cilat, kishte shërbyer, krejt me padije Marjan Boja, të cilën, paradoksalisht ia sjellin nëpërmjet të nipit të tij. Mesazhi i së cilës, sa kërcënues aq edhe ndërgjegjevrasës është. Thelbi i saj: një gjë që nuk bëhet me para, bëhet…me më shumë para, kaq i egër është. Dhe lidhësja tjetër, ajo në kapitullin përmbyllës “Pretenca para Zotit”, ku sillet rrëfimi i pastorit amerikan me historinë e 100 dollarëshit të të gjykuarit dhe gjykatësit. Fabula që rrëfehet është kjo: Në një sallë gjyqi i pandehuri do të gjykohet për 100 dollarë, detyrim i papaguar.

-Nuk i kam, përgjërohet i akuzuari dhe gjykatësi bindet në pohimin e tij. Megjithatë , sipas ligjit ai duhet dënuar. Atëherë gjykatësi zbret nga tryeza e tij, i afrohet të akuzuarit, nxjerr nga xhepi 100 dollarë dhe ja shtjen në xhep të akuzuarit…dhe kështu i akuzuari lirohet nga akuza.

Ngjarje lidhëse të tilla, që nuk mund të kalojnë pa ndalesë të fortë me përshtypje tek lexuesi. Sikurse, Martini-prokurori e gjen pafajsinë e shpirtit për “mëkatin” e tij të adoleshencës së herëshme me të ëmën e Marjanit edhe pse “një copëz biologjike” e tija u shndërrua në kriminale.

Këtij përfundimi i prin gjithë formimi psiko-social i prokuror Martinit në raport me të drejtën, qysh heret në fëmijërinë e tij, kur përjeton arrestimin e karrocierit të kooperativës, Rushanit, me një tufë kalamajsh e me një vajzë uloke, për agjitacion e propagandë, vetëm e vetëm se, në rrethanat e mizerjes së jetës së varfër e derte të panumërta, tek rrëkëllen ndonjë gotë raki lëshon fjalë pa “doganë” e për këtë e plandosin në burg…E kur vajza e mjerë mbyll sytë, të atin nuk e lejojnë as ti hedhë një grusht dhé. Qysh këtu, fillon e formësohet thirrja e mbrendëshme për të drejtën e mbrojtjen e saj, që e çon disi kuptueshëm drejt…prokurorit. Por, pa iu larguar asnjëherë vetvehtes së Martinit. Ka diku nga mesi i romanit një rrëfim emocionues të kolegut të “stazhionuar” të tij, Sokolit. Ai i rrëfen Martinit një ngjarje nga koha tjetër, ajo e diktaturës, kur asistonte aktin e ekzekutimit të një të dënuari me vdekje: “Ma kërkon detyra të të pyes, cila është fjala jote e fundit? Ai po më shikonte pa iu dridhur qerpiku. Për çudinë e tij, në ato çaste të fundit të jetës, iu shfaq një njeri që po i shprehte keqardhje. Një njeri që sa herë i ishte shfaqur përballë në gjykatë, kishte qenë i rëndë dhe i kishte folur me ton të lartë, të sigurt dhe të ashpër. Ai më pa me një vështrim që s’do ta harroj kurrë. Nuk i pashë lot në ata sy të zinj e të thellë. Po dyshoja se sytë e mi, më ishin rrëmbushur tashmë. I jepja kurajë vetes. Shefi i policisë dhe skuadra e pushkatimit po më prisnin mua të mbaroja rolin tim formal, të kotë e krejt fals. Kështu e kërkonte ligji. Nejse. Pasi më pa gjatë e me një vështrim therës, ashtu i qetë tha: “Prokuror e kam ba vedin me më dënue me vdekje. Kam vrarë dy djem të rinj 20 vjeçarë, çka nuk e meritoj të jetoj dhe unë. Fjala ime e fundit është të ma bëjnë hallall prindërit e viktimave, që i lashë pa djem.” Tha këto fjalë, hodhi një vështrim rreth e rrotull e duke m’i ngulur sytë, vazhdoi: “Le të rrijë dhe baba jem pa djalë”. I vura dorën në sup, një gjest që tregonte dhimbjen time. “A mundesh prokuror, të më zgjidhësh e të shkoj n’atë botë i lirë, i pa lidhun?” Nuk u mendova gjatë, por iu drejtova shefit të policisë dhe skuadrës së pushkatimit: – Zgjidheni! – u thashë. – Zgjidheni menjëherë! “

E me detaje e ngjarje me kaq ngarkesë emocionale po edhe monologje të personazhit qendror gjithashtu, ka shumë në roman, të cilat, thurur me mjeshtri rrëfimtare po edhe me sens estetik e mbajnë pezull leximin deri në faqet e fundit, tek kumti i Martinit: i kërkoj kësaj trupe të nderuar gjykuese, dënimin e të pandehurit Marjan Boja me burgim të përjetshëm. Ndaloi paksa, mori frymë thellë dhe shtoi: – Madje dhe më shumë…, por ligji është ligj.

E papranueshme, mund të thuhet a mendohet; ka disa mënyra të tjera për t’ju shmangur vendimit “in extremis” për të dënuar me burgim të përjetshëm birin e për të qëndruar në anën e ligjit, gjithashtu. Njëra prej tyre tërheqja dhe përcjellja e pretencës te një tjetër prokuror. Njihen raste në praktikat e mira gjykuese në tribunale shëmbëlltyra për ne.

Po fundja, a s’është kjo letërsia ? Letërsia e tejkalon realitetin, madje pretendon ta ndikojë atë. Dhe letërsinë e mirë, posë të tjerash e bën edhe gjuha e zgjedhur. E unë, s’mund të rri pa i risjellë këtu edhe pak, fare pak shembuj për këtë sa thashë: “të mban pezull në askund”, “përtej dritares dukej edhe terrinë”, “sytë e saj të bukur…sy vrasës”, “ndjente një angështi të përherëshme”, “familjar i përplotur”, “njerëz prej gize”, “bisedonin: ashtu si me fjalë ere a stërkala të heshtura shiu”, “djalli fluturon me erën”, “kapërthyerje ndjenjash etjerë, etjerë.

Të dashur miq, desha me ju thanë se kam lexue një roman të mirë. I dashur Ahmet, urime megjith zemër.

Kurse si botues më lejoni me shpreh edhe një dëshirë: do të kisha dashtë që “Brenga e prokurorit” të ishte botim i “Botimeve Fishta”.

Filed Under: LETERSI

ALBANOLOGU NORBERT JOKLI

May 20, 2024 by s p

Prof. Begzad Baliu/

Historia e gjuhësisë shqiptare, për më shumë se katër shekuj, është histori e rezultateve shkollore, e metodave dhe individualiteteve, të cilat i kanë sjellë shkollat dhe studiuesit, kryesisht të proveniencës së Europës Qendrore dhe Perëndimore, apo asaj italiane, franceze, gjermane dhe austriake përgjithësisht. Pasqyra e personaliteteve dhe veprave të tyre tashmë dihet, por njohuritë për jetën dhe bëmat e tyre përgjithësisht janë të zbehta. Dihen edhe arsyet e kësaj mungese: pamundësia për të hulumtuar ndër arkiva shkencore ku zakonisht gjenden të dhënat për jetën dhe trashëgiminë e tyre; një jetë shpesh krejt tjetër e tyre profesionale (bartësit e studimeve albanologjike, më parë se sa gjuhëtarë, ishin kryesisht tregtarë, misionarë fetarë, ushtarakë, diplomatë etj) dhe, së fundi, një veçori që ndryshe nga studiuesit e historisë së letërsisë i ka përcjellë studiuesit e filologjisë: historianët e letërsisë kanë qenë të prirë për të shkruar jo vetëm studime por edhe monografi historiko-letrare, ndërsa historianët e gjuhësisë kanë qenë të prirë kryesisht pas problemeve deskriptive dhe normative, nuk e kanë bërë këtë as për jetën as për veprën e tyre.

Është e kuptueshme, prandaj pse monografitë për jetën dhe veprën e tyre sot mund të numërohen me gishta të një dore: për Hahn-in dhe Jokl-in në gjuhën gjermane dhe për Xhuvanin, Çabejn e Rizën në gjuhën shqipe. Nëse përjashtohen monografitë në dorëshkrim të Profesor Jup Kastratit: për Joklin, Kamardën, Majerin etj., nuk është vështirë të kuptojmë se ne ende, jo vetëm që nuk kemi monografi në gjuhën shqipe, (bie fjala për tregtarin gjerman që la gjurmët më të vjetra të gjuhësisë shqiptare – Harfin, biografia e të cilit ndoshta edhe nuk është kushedi sa interesante për ne), por as për themeluesin e albanologjisë parashkencore – Hahn-in, as për themeluesin e albanologjisë shkencore – Gustav Majerin, as për themeluesin e gjuhësisë historike – Norbert Joklin, as për sintetistin e gjuhësisë historike shqiptare – Eqrem Çabejn, as për njërin prej bartësve më të mëdhenj të studimeve shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX – Maksimilian Lambercin, as për linguistin më të madh të gjysmës së dytë të shekullit XX – Selman Rizën etj. Po t’i përcillte historianët e gjuhësisë logjika historiko-letrare e kërkimeve, sikur i ka përcjellë historianët e letërsisë, sot do të kishim monografi shteruese edhe për gjuhëtarët që kanë qenë bartës të ndërtimit shkollor, institucional dhe metodik të gjuhësisë shqiptare, si: Justin Rrota, Kostaq Cipo, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Idriz Ajeti, Jup Kastrati, Androkli Kostallari, Gjon Shllaku etj., pavarësisht se disa nga këta ende vazhdojnë të bëjnë sintezën e veprave të tyre.

Më 1966, në Wiesbaden studiuesi Gerhard Grim pat botuar një monografi shteruese për Johann Georg von Hahn (1811-1869), me 358 faqe shtypi. Vepra e Profesor Petrit Kotrrit është monografia e dytë e këtij lloji për një albanolog të huaj, jo vetëm për faktin se është shkruar në gjuhën gjermane, por edhe për arsye se është vepër e shkruar me kritere, kërkesa dhe metoda shkencore, të cilat kanë sjellë të plotë universin jetësor dhe shkencor të tij. Mbase jo rastësisht. Shkolla austro-gjermane, krahas shkollës linguistike italiane, ka sjellë një frymë të fuqishme filologjike në Shkodrën e gjysmës së parë të shekullit XX, të cilën nuk ia ka arritur ta lëkund, si metodë, për gjysmë shekulli asnjëra prej metodave të investuara në gjysmën e dytë të shekullit XX, pavarësisht nga presioni ekstrashkencor me të cilin përcilleshin ato. Vepra e Profesor Petrit Kotrrit për Joklin sot mund të thuhet po e ndërlidh atë traditë të shkëlqyer të reflektimit të shkollës austo-gjermane, për shumë arsye: Profesor Petrit Kotrri është nxënës i brezit të mesëm të studiuesve që kanë dalë nga shkolla shkodrane e studimeve albanologjike, me dijen bazë mbi gjuhësinë shqiptare; është specialist i albanologjisë në Universitetin e Gracit dhe sidomos i metodave më të arrira të saj; ndërsa dijen e tij sot e investon me përkushtim në brezin e ri të studentëve të Shkodrës. Me të gjitha këto, autori i veprës për Norbert Joklin sot mund të thuhet paraqet një model të mirë në studimet albanologjike, prandaj edhe një mjeshtër shembullor për studimet e ardhshme të kësaj natyre.

Brenda këtyre proceseve nëpër të cilat ka kaluar shkolla gjuhësore shqiptare në përgji¬thësi dhe rruga e formimit intelektual e shke¬ncor të autorit, ndërtohet edhe vepra kushtuar Norbert Joklit dhe studime të tij për gjuhën shqipe. Në gjuhësinë shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX janë shkruar mjaft artikuj vlerësues, përkujtues e kërkues (Konica, Koliqi, Gazulli, Çabej, Demiraj, Domi, Dhrimo, Kotrri etj.), për jetën dhe veprën e Norbert Joklit, prej të cilëve, kryet e vendit e zë, mbase edhe sot, studimi shterues kronologjik i Profesor Jup Kastratit , por studimeve albanologjike u mungonte një monografi në të cilën personaliteti i Norbert Joklit dhe rëndësia e veprës së tij do të shiheshin në një dritë të re të kërkimit, krahasimit dhe rivlerësimit, e cilat më parë nuk ka qenë e mundur të bëhet edhe për shkak të kushteve të tjera, të cilat e përcillnin jetën tonë shkencore.

Vepra “Norbert Jokli dhe studimet e tij për gjuhën shqipe” e mbrojtur tezë doktorate në Innsbruck (1996), përbëhet nga pesë kapituj.

Në kapitullin I është paraqitur “Jeta e Norbert Joklit” duke e parë atë në dritë të re, të ngritur nga një mori dokumentesh të zbuluar nga autori në Arkivin e Universitetit dhe në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë. Kohëve të fundit janë sjellë mjaft të dhëna të reja (kryesisht përmes kujtimeve dhe letërkëmbimit të Joklit me personalitete të ndryshme të kohës), por ato flasin përgjithësisht për vitet e fundit të jetës së tij, përkatësisht për përpjekjet e fundit të personaliteteve kulturore e shkencore shqiptare për të shpëtuar Norbert Joklin nga likuidimi i nazistëve gjermanë. Prandaj, për autorin shtrohej një obligim, që të mos përsëriste të dhënat, tashmë të thëna shumë herë për Norbert Joklin, por të bënte gjurmime të reja në interes të një pasqyre të plotë të jetës së tij. Në këtë kapitull jeta e tij është trajtuar duke iu përmbajtur kronologjisë së një jete të pasur dhe me plotë bëma shkencore në fushë të albanologjisë, ballkanologjisë e indoeuropeistikës, por ajo në rrjedhojat e saj është plotësuar edhe me të dhëna të reja (dokumente, kujtime, letërkë¬mbim etj.,) me të cilat në mënyrë të veçantë shpjegohet fundi tragjik i jetës së tij, sado që ai përfundim do të mbetet edhe më tej një dramë e errët në albanologji.

Kapitulli II “Vlerësimet kritike të veprës së Norbert Joklit” pasqyron vlerësimet e derita¬shme të veprës së tij, qoftë nga studiues të kohës së tij, madje edhe kolegë e nxënës të tij, si: Taliavini, Solta, A. Xhuvani, E. Koliqi, E. Çabej etj., qoftë nga studiues dhe personalitet të tjera të një periudhe më të re, si: Mahir Domi, Jup Kastrati, Ali Dhrimo etj. Pikëpamjet e tyre sillen këtu për probleme nga më të ndryshmet. Tagliavini, ishte ndër dialektologët e mëdhenj të kohës, po sikur edhe Jokli në fillimet e tij, për të mos thënë kërkimet biblio¬grafike të Joklit dhe botimin e tyre në Vjetarin indoeuropian për shqipen i vazhdoi Tagliavini; Solta, ishte nxënës i tij dhe kujtimet ashtu sikur edhe studimet e tij për Joklin thonë shumë; Xhuvani në gjysmën e parë të shekullit XX ishte përfaqësues i gjuhësisë shqiptare në Shqipëri, për aq sa Jokli po të njëjtën kohë ishte bartës i gjuhësisë shqiptare në rrethet europiane; Çabej ishte nxënës i tij dhe vazhdues besnik deri në vdekje i shkollë dhe metodave të tij në gjuhësinë shqiptare të shekullit XX. Me Joklin e lidhin vlerësimet e dyanshme për veprat e tyre deri në ditët e fundit të jetës së Joklit; Koliqi ishte një dashamirës dhe njohës i tij i përkushtuar për hir të vlerësimit të tij dhe punës së tij për gjuhën dhe shqiptarët etj. Po kështu mund të thuhet edhe për studiuesit e huaj e shqiptarë të cilët nuk e kanë njohur Norbert Joklin por veprën e tij e kanë përdorur si një vademekum në kërkimet e tyre të fushës së gjuhësisë historike. Mahir Domi do të mundë të vlerësohej për botimin e letërkëmbimin e Joklit, Ali Dhrimo për përkthimin e veprës së tij në gjuhën shqipe, ndërsa Jup Kastrati për studimin më të plotë, më të thellë dhe më të zgjeruar në studimet albanologjike. Sikur shkruan autori i kësaj vepre, Profesor Jup Kastrati është njëkohësisht edhe nuni i studimeve albanologjike në gjuhën gjermane të Profesor Kotrrit. Ndonëse i shkruar tri dekada më parë, studimi i Profesor Jup Kastratit, edhe sot paraqet bazën më të sigurt të kërkimit bibliografik, kronologjik dhe studimor të veprës së Joklit përgjithësisht. Ai e ka vlerësuar veprën e gjithmbarëshme të tij për: “objektivitetin shke¬ncor, gjykimin e ftohtë, mendimin e peshuar hollë e mirë, pasurinë e madhe të materialit faktik dhe të burimeve të shumta bibliografike, horizontin e gjerë të trajtimit të çështjeve, erudi¬cionin e autorit, parashtrimin e problemeve më të koklavituara me qartësi dhe me një metodë të rreptë shkencore, me deduksione logjike, me shumë respekt për paraardhësit dhe po me kaq konsideratë për bashkëkohësit, pavarësisht nga tezat dhe rrugët e tyre”.(201)

Nëse kapitulli i parë dhe kapitulli i dytë do të mund të vlerësoheshin për pasqyrimin e plotë historik të jetës, veprës dhe horizontit të pritjes së saj ndër bashkëkohësit dhe pasardhësit e albanologjisë, kapitulli i tretë dhe i katërt do të mundë të vlerësohen për paraqitjen kritike të veprës së Joklit si nga ana e brendshme e kontributeve të Joklit, ashtu edhe në krahasim me paraardhësit dhe pasardhësit e tij më të njohur në fushë të albanologjisë.

Në kapitullin III “Studimet e Norbert Joklit për hulumtimin e gjuhës shqipe” trajtohet gjerësisht kontributi i tij në këtë fushë. I shikuar nga brenda, ky është kapitulli kryesor i monografisë së Profesor Petrit Kotrrit, përmes të cilit në mënyrë shteruese është bërë pasqyrimi i veprës së tij mbi gjuhën shqipe, mbi shqiptarët, por edhe mbi përkimet e shqipes në rrethin ballkanik dhe indoeuropian. Me të drejtë. Norbert Jokli ka shkruar një varg monografishë themelore dhe monumentale edhe sot mbi gjuhësinë historike të shqipes. Në këtë monografi ato janë trajtuar sipas vendit dhe rëndësisë që zënë në studimet albanologjike. Ndonëse “Fjalori etimologjik” i tij, i cili konsiderohet jo vetëm kryevepra e tij, por edhe kryevepra e albanologjisë në gjysmën e parë të shekullit XX, sot besohet të jetë humbur, studimet e tij për monografitë: “Studimet për etimologjinë shqipe dhe fjalëformimin” ( e cila besoj të jetë edhe vepra bazë e “Fjalorit”, në mos sinteza e tij) dhe “Hulumtime gjuhësore dhe historiko-kulturore në fushë të shqipes”(1923), dëshmojnë për pasurinë e madhe të Joklit dhe kontributet e tij dhënë kulturës shqiptare. Sikur dihet, Norbert Jokli ishte i prirë, që të gjitha problemeve të trajtuara t’u jepte karakter monografik, prandaj përtej këtyre monografive, sot monografi më vete mund të konsiderohen edhe studimet, si: “Shqiptarët” por edhe recensionet, si: “Sllavë dhe shqiptarë”. Veprat e tij monografike, studimet e tij të karakterit monografik dhe më në fund recensionet e tij të gjera dhe po kaq të karakterit monografik, dëshmojnë për një metodë të tij të përhershme për t’i parë problemet me gjithë kompleksitetin e tyre historik, sociologjik dhe gjuhësor, që ishte njëkohësisht edhe prirje e shkollës së kohës. E shkruar gati një shekull pas fillimit të botimit të veprës së tij, vepra e Norbert Joklit, natyrisht që është parë në një dritë të re të studimeve bashkëkohore, për të thënë mbase edhe më drejt, në një dritë të arritjeve të albanologjisë. Por, ky shikim, nuk e ka zbehur rëndësinë e veprës së Joklit pas një shekulli, qoftë edhe vetëm për një fakt të vetëm: bardët e studimeve albanologjike të shekullit njëzet e kishin për nderë të quheshin nxënës të Joklit, ndërsa avancimin metodologjik të shkollës gjuhësore historike e konsideronin detyrë të tyre, brenda gjuhësisë shqiptare dhe të krahasuar me gjuhët ballkanike e më tej. Në anën tjetër, edhe në këtë kapitull temë e pakalueshme do të bëhet problemi i vendit të gjuhës shqipe dhe popullit shqiptar në Ballkan, përkatësisht atdheu ballkanik i tyre, sikur është bërë zakon të thuhet. Megjithëse, në tri dekadat e fundit rezultatet e këtij problemi duken mjaft të stabilizuara jo vetëm në rrethet shkencore shqiptare, por edhe në rrethet gjuhësore europiane, kontributi i Profesor Petrit Kotrrit për ta rishikuar vendin e koncepteve të Joklit mbi këtë problem është domethënës.

Autori i monografisë, Profesor Petrit Kotrri, e ka njohur këtë shkollë, i njeh rezultatet e këtyre arritjeve brenda gjuhësisë shqiptare e ballkanike, prandaj edhe vrojtimet e tij të reja sidomos nga aspekti krahasues kanë sjellë rezultate interesante për kohën tonë. Për herë të parë kemi një analizë të vepër së tij të shkruar mbi kriterin e rëndësisë dhe vlerësimit të saj. Mendimi ynë për veprën e Joklit, i nxjerrë nga studimi i Kotrrit tani është i plotë dhe njëkohësisht sipas një hierarkie shkencore.

Kapitulli IV merret me “Metodën e Joklit në krahasim me atë të Gustav Majerit dhe Eqrem Çabejt”. Mbase, ky kapitull, një ditë do të jetë vepër e re e Profesor Kotrrit. I shtruar kështu, ky kapitull jo vetëm zgjeron kërkimet e autorit për vendin e studimeve të tij, por mjeshtrit të tij, në parim, i jep vendin e gjithëpushtetshëm në historinë njëshekullore të studimeve albanologjike. Jo njëherë në studimet e tij, Çabej theksonte trinomin Majer -Pedersen – Jokli. Autori i kësaj vepre, mendoj kishte mundësi të krijonte një rreth më të gjerë: Majer-Pedersen – Jokli – Lamberc – Çabej, por me të drejtë, rrethin e mbylli me trinomin: Majer-Jokli-Çabej. Ata i bashkonte shkolla austriake, metoda, sidomos fusha e tyre: etimologjia. Shënojmë fushën e jo veprat, për arsye se Majeri botoi “Fjalorin etimologjik të shqipes”, Jokli e humbi “Fjalorin etimologjik të shqipes” pa e përfunduar, të cilin e shkruante, sikur thotë nxënësi i tij Solta, në margjina të Fjalorit të Majerit, dhe Çabejt, i cili më parë se sa ta përgatiste fjalorin etimologjik, besonte t’i përfundonte “Studimet etimologjike në fushë të shqipes”, për të mos i përfunduar as ato në shkallën që dëshironte. Përveç metodës, në këtë trinom Joklin e lidh me Majerin, Fjalor,i ndërkaq, me Çabejn, studimi pararendës i tij. Majeri botoi rezultatet e Fjalorit, ndërkaq Jokli dhe Çabej botuan metodën (parathënien – hyrjen) e kërkimit. Është e kuptueshme prandaj pse Jokli e ka përcaktuar metodën e studimit, ndërkaq Çabej e ka avancuar atë, duke i dhënë albanologjisë drejtime të reja. Majeri shkonte nga rastet e jashtme (me bazë kryesisht arealin latino – roman) në gjendjen e brendshme; Jokli shkonte nga trashëgimia indoeuropiane në lidhjet e brendshme; ndërsa Çabej paraqet një përparim metodik në këtë drejtim: ai kalon nga trashëgimia dialektore dhe e shkruar, me metodën krahasimtare, edhe në krahasim me gjuhët e tjera, deri tek rindërtimet indoeuropiane.

Duke sjellë rezultatet e tyre të përgjithshme dhe shembujt e veçantë, autori i kësaj monografie ka theksuar njëkohësisht edhe pikëtakimet e tyre në metodologji dhe dallimet në rezultate, ndërmjet Majerit, Joklit dhe Çabejt. Pra, në këtë mënyrë ai ka krijuar një pasqyrë të plotë të kërkimeve shkencore në fushë të etimologjisë nga tre breza, pavarësisht linjës së përhershme shkollore, metodike dhe kulturore që i përcjell.

Majeri ishte zotërues i thellë i shkollës gjuhësore më të përparuar të kohës, por dijen për shqipen e kishte nga kolonitë e saj. Përtej leksikut të kohës dhe atij dialektor, Majerit i mungonte edhe trashëgimia gjuhësore e shkruar nga shkrimtarët e letërsisë së vjetër.

Jokli jo vetëm ishte zotërues i shkollës më të përparuar gjuhësore të kohës, por nga aspekti metodologjik shënonte përparime të dukshme në krahasim me Majerin. Gjithashtu dijen për shqipen e kishte më të avancuar: sidomos sa i përket literaturës së saj dhe dialekteve anësore, apo të studiuara në kohën e tij. Duke qenë fillimisht një sllavist mes helenistëve e romanistëve, ai njëkohësisht ishte një ballkanist në kuptimin e plotë të fjalës dhe një albanolog që caktoi kordinatat afatgjata të albanologjisë së shekullit XX.

Çabej, ishte nxënës i Joklit dhe pavarësisht prej rezultateve të reja në fushë të metodologjisë, në parim ai ishte zbatues i drejtpërdrejtë i metodave të Majerit dhe sidomos të Joklit, prandaj vepra e tij me të drejtë sot konsiderohet sintezë e studimeve albanologjike në përgjithësi dhe e arritjeve të studiuesve më të mëdhenj, ku kryet e vendit zënë Majeri, Pederseni, Jokli, Malte – Brun etj., në veçanti. Përtej njohjes së shkollës dhe metodës së gjuhësisë historike, Çabej i dha rëndësi edhe gjeografisë gjuhësore, meqë njohuritë e tij për elementet konservatore të dialekteve shqiptare ishin shumë të gjera në krahasim me dy paraardhësit e parë, ndërsa trashëgiminë letrare të shkrimtarëve të vjetër (Buzukun, Bogdanin, Budin etj.) edhe vetë me kohë i bëri pronë të tij kërkimore. Duke qenë zotërues i të gjitha këtyre aspekteve është e kuptueshme pse Çabej në këtë trinom do të bëhet njëkohësisht sintetizues i rezultateve të dy paraardhësve të tij dhe shënuesi i rezultateve më të larta në këtë fushë, ndërsa në këtë rrjedhë, autori i kësaj monografie do të jetë kritiku i tyre.

Në kapitullin V “Lidhjet e Norbert Joklit me indoeuropianistë, ballkanologë, albanologë dhe studiues shqiptar në bazë të trashëgimisë (gjuhësore) të tij”, në mënyrë mjaft origjinale është pasqyruar kjo lidhje, përmes letrave, në të cilat gjendet një pjesë shumë e rëndësishme e pikëpamjeve të tij mbi metodën e studimeve në fushë të albanologjisë, mbi konceptet e tij për drejtimet dhe rrugën që duhet të merrnin këto studime në të ardhmen etj. Ky letërkëmbim i mbajtur me personalitete të shquara të dijes shqiptare, ballkanike e më gjerë, si: Kretschmer, Krahe, Tagliavini, Spitzer, Leotti, Stadtmuller, Gjergj Fishta, Konica, Pekmezi, Gazulli, Gurakuqi, Marlekaj etj., dëshmon për rrugët e komunikimit të tij, për mënyrën e mbledhjes së veprave albanologjike, për mënyrën e vjeljes së leksikut dhe trashëgimisë tjetër gjuhësore etj. Ky letërkëmbim përfshinë edhe elemente të rëndësishme të jetës së tij krejt personale, në kohën që ideologjia fashiste por zgjerohej në Europë e më tej.

Si zakonisht, libri mbyllet me një bibliografi të shkrimeve të Norbert Joklit, një bibliografi të shkrimeve për Norbert Joklin, ndërsa veçanti e saj është “Pasqyra e leksioneve të Norbert Joklit nga viti 1914 deri më 1938, krahas shqipes edhe për fino – ugrishtën, baltishtën dhe sllavishten”.

Duke përfunduar. Vepra e Profesor Petrit Kotrrit, është shkruar paraprakisht si tezë doktorate. Veprat e tilla zakonisht kanë anët e mira të përcjelljes mentoriale, por njëkohësisht kanë kufizimet parimore të metodës dhe mentorëve të tyre. Në këtë rast autori, mbase me të drejtë, ka zgjedhur për botim në gjuhën gjermane të veprës së tij vetëm atë që e ka shquar si më të rëndësishme, ndërsa pjesën kryesisht arkivore e ka lënë për botimin e veprës në gjuhën shqipe, ku dorëshkrimet, letrat, dhe dokumentet e tjera çojnë peshë më shumë.

Pavarësisht nga kjo anë, Profesor Kotrri ka punuar me ndërgjegjen e albanologut që lexuesit po i jep jo vetëm monografinë e parë për Joklin, por edhe njërën prej monografive të para të kësaj plejade albanologësh. Me këtë vepër autori ka sjellë jo vetëm monografinë e parë për Norbert Joklin, por edhe një pasqyrë të pasur informative, kulturore dhe shkencore të punës së Joklit, vepra e të cilit për fat të keq edhe më tej vazhdon të njihet vetëm në rrethet e ngushta shkencore, sado ajo i flet shumë edhe sot botës shqiptare në shumë fusha të dijes. Profesor Kotrri kishte trashëguar një dije ultrashkencore për kontributin e Joklit kryesisht në disa fusha të gjuhësisë, si morfologjia dhe etimologjia, dhe një dije kryesisht vulgare, që gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX është shkruar për kontributin e tij në fushë të studimeve shqiptare. Prandaj, me të drejtë, në këtë vepër, Profesor Petrit Kotrrit, falë metodës me të cilën ka punuar dhe dokumenteve të reja që ka sjellë, ato dy elemente të skajshme që kishte trashëguar i ka ndërlidhur me sukses, duke na dhënë kështu një monografi mjaft të plotë për Norbert Joklin dhe një shembull të mirë se si duhet t’i shkruajmë monografitë edhe për shumë albanologë të tjerë.

Petrit Kotrri, Norbert Jokl: und seine Studien zur Albanischen Sprache, “Dukagjini Publishing House”, Pejë, 2003, f. 295. ISBN: 9951-05-027-1. (Norbert Jokli dhe studimet e tij për gjuhën shqipe), Biblioteka në gjuhë të huaja “Balkan books” Dukagjini, Prishtinë, 2003.

Filed Under: Kulture

Vatra promovoi veprën e Dr. Ines Murzakut “Historia e Jezuitëve në Shqipëri 1841-1946”

May 20, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 19 maj 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra promovoi veprën historiko-religjioze “Historia e Jezuitëve në Shqipëri 1841-1946” të Dr. Ines Murzakut. Me pjesëmarrjen e gjërë të përfaqësuesve të organizatave patriotike shqiptare në New York, studiuesve, historianëve, studentëve, mediave, mësuesve e aktivistëve të komunitetit, promovimi u kthye në një homazh nderimi për qëndresën antikomuniste të klerit fetar e popullit shqiptar. Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj vlerësoi punimin e Prof. Murzakut “Historia e Jezuitëve në Shqipëri 1841-1946” në shërbim të lartësimit të vlerave fetare e historike kombëtare. Studiuesi Dr. Paulin Marku në kumtesën e tij u ndal te rrugëtimi i Jezuitëve në Shqipëri, ngjarjet e rrethanat historike, kombëtare, traditat, gjuhësia e kultura kombëtare shqiptare e lidhur me urdhërin fetar të Jezuitëve. Sipas Dr. Markut Arkivat Italiane dhe të Propagandës Fide janë shfrytëzuar mjeshtërisht për ti sjellë publikut një vepër të arrirë shkencore. Libri i Dr. Murzakut është një kontribut i vyer shkencor me burime e dokumenta arkivore të veçanta që paraqet veprimtarinë e Jezuitëve në një vend të sunduar nga Perandoria Osmane, tha ndër të tjera Dr. Marku. Historiani Dr. Naim Musliu në kumtesën e tij u ndal te roli i jashtëzakonshëm i Jezuitëve në historinë e religjionit dhe kontributin e lartë të Jezuitëve në arsimin e kulturën kombëtare shqiptare. Dr. Musliu u ndal gjithashtu në persekutimin e komunistëve dhe sulmet ndaj Jezuitëve e klerit fetar shqiptar. Dr. Musliu renditi në detaje persekutimin e klerikëve më të lartë shqiptarë në projektin komunist ateist të zhdukjes së fesë në Shqipëri. Nancy Kajo, kryetarja e shoqatës së studentëve shqiptarë në Seton Hall University diskutoi rreth rëndësisë së studentëve shqiptarë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dr. Sulejman Çelaj foli për rëndësinë që japin Jezuitët për edukatën dhe kulturën shoqërore. Në fund të promovimit, Dr. Ines Murzaku ekspozoi për të gjithë të pranishmit detaje të përgatitjes së librit, bashkëpunimin e ngushtë me At Zef Bishën, audiencën me Papa Françeskun, vlerësimet rreth librit nga Ati i Shenjtë dhe nderimet e Papa Françeskut për popullin shqiptar. Dr. Ines Murzaku u ndal te martirizimi i At Giovani Faustit, qëndresa dhe martirizimi klerit dhe popullit shqiptar prej komunistëve. Dr. Murzaku diskutoi gjithashtu rreth historisë së Jezuitëve, ardhjes së tyre në Shqipëri pas shembjes së komunizmit, përurimit të qendrës kulturore At Zef Valentini në Tiranë, dhe kontributin e Jezuitëve në promovimin dhe ruajtjen e gjuhës, traditës, kulturës e qytetërimit shqiptar dhe figurat e shquara të 38 martirëve të Kishës Katolike Shqiptare. Vatra shpreh mirënjohjen e veçantë për z.Nazim Salihu i “Noli Tv” për pasqyrimin mediatik të aktivitetit patriotik, komunitar e kombëtar.

Filed Under: Featured

“GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU” BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË NEW YORK

May 20, 2024 by s p

SOKOL PAJA

RAFAELA PRIFTI/

DHJETËRA MIJËRA SHQIPTARË U BASHKUAN NË BRONX, NEW YORK PËR TË FESTUAR SHQIP NË FESTIVALIN KUSHTUAR HEROIT KOMBËTAR GJERGJ KASTRIOTIT. NJË SPEKTAKËL MADHËSHTOR QË ËSHTË KTHYER NË NJË FESTË MAGJIKE PËR TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS, NË NJË FESTIVAL TRADICIONAL ME IMPAKT PËRTEJ ATLANTIKUT.

“GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU” – HERO KOMBËTAR, FRYMËZIM, ORIENTIM, PËRKATËSI, DËSHMI HISTORIKE E PËRKATËSISË SË QYTETËRIMIT PERËNDIMOR, HISTORI AUTENTIKE SHQIPTARE, KRENARI IDENTITARE KOMBËTARE, TRASHËGIMI SHPIRTËRORE E MATERIALE, MISION E VIZION, VAZHDIMËSI NË SHEKUJ, TRADITË E PASTËR E KOMBIT DHE MËRGATËS NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS, MUZIKË AUTENTIKE SHQIPTARE, VALLE TRADICIONALE, USHQIM TRADICIONAL, STIL, VESHJE SHQIPTARE, ZEMRA PLOT, SHPIRTI NË FLAKË KUQ E ZI, Ç’KRENARI O PERËNDI.

TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS FESTUAN PËR TË 3-TIN VIT RADHAZI NË BRONX, NEW YORK, TË BASHKUAR NË NJË FESTIVAL NË NDERIM TË HEROIT E HISTORISË SË LAVDISHME TË KOMBIT SHQIPTAR. MË SHUMË SE 100 ORGANIZATA PATRIOTIKE, ATDHETARE E KULTURORE, DHJETËRA ARTISTË SHQIPTARË, MEDIA SHQIPTAREE AMERIKANE, AKTIVISTË TË KOMUNITETIT SHQIPTARË, POLITIKANË E BIZNESMENË FESTUAN ME GËZIM DHE KRENARI PËR SHQIPTARINË.

LAVDI GJERGJ KASTRIOTIT

LAVDI KOMBIT SHQIPTAR NË SHEKUJ TË SHEKUJVE

Filed Under: Komunitet

“LEJLEKËT NUK VIJNË MË”

May 20, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 19 maj 2024 – Producenti dhe regjisori Leonard Bombaj bashkoi në New York personalitete të shquara shqiptare të mërgatës së Amerikës, gazetarë, ambasadorë, aktivistë të komunitetit, shkrimtarë, veprimtarë, studiues e artëdashës në prezantimin e projektit kushtuar Pëllumb Kullës “Lejlekët nuk vijnë më” një film kombëtar me synim të një impakti ndërkombëtar. Shfaqja e sponsorizuar në New York nga av.Fatos Dervishi dhe koordinuar nga Dritan Haxhia “Kordinatori i Medias në Vatër” dhe “Kryetari i UGSH” për Amerikë, nxiti kureshtjen dhe interesin e të gjithë të pranishmëve rreth projektit të veprës së shkruar nga Pëllumb Kulla, jetë dhe vepër e jetës së tij. Në video projektin e shfaqur nga producenti Leonard Bombaj, u shfaqën ambasadorët e filmit si Robert Ndrenika, Viktor Zhusti, Bamir Topi, Bujar Lako, Agron Llakaj, Luiza Gega, Leonard Bombaj, Klea Huta, Florjan Binaj etj që shpjegojnë në detaje jetën e Pëllumb Kullës, 30 vite jetë në 2 orë film.

Gjatë monologut para të pranishmëve, regjisori Leonard Bombaj në bashkëpunim me poetin e ndjerë Petrit Ruka, tregoi detaje të jashtëzakonshme të jetës së vështirë e të mundishme të Pëllumb Kullës dhe fuqinë e humorit të shkrimtarit për të shndërruar vuajtjen në art dhe dhimbjen në të qeshura. “E qeshura, e qara dhe të menduarit thellë është kaq pranë në veprën e Pëllumb Kullës. Është vepër që sjell dritë dhe kurajo për të gjithë ne” tha z.Bombaj.

Skenari i filmit mbi jetën e Pëllumb Kullës gjendet tashmë në duart e Robert Naturman regjisor i famshëm në Hollywod i cili përshëndeti të pranishmit dhe foli rreth vlerave të veprës së Pëllumb Kullës e skenarit të filmit. Kryevepra muzikore shqiptare, këngë të pavdekshme te shekulllit ngjallën shumë emocion si perla muzikore shqiptare tek të gjithë pjesëmarrësit. Era Makoçi (Kulla) vajza e Pëllumb Kullës si kritikja më e fortë e veprave të tij lexoi rrëfenja të jetës komuniste nga Zëmblaku. Sipas regjisorit Bombaj “Lejlekët nuk vijnë më” është një film dhe rrëfim i pastër shqiptar që do i rrëfehet mbarë botës.

Në video monitor në fund të takimit u shfaq mirënjohja për dhjetëra patriotë që kanë mbështetur financiarisht filmit mbi jetën e Pëllumb Kullës por sidomos: Bamir Topi, Henri Çili, Besnik Lulaj, Fatos Cerenishti, Helidon Rruga, Fatos Dervishi, Anila Beqaj. Producenti amerikan Stephen Fishler i cili ofroi 50% të buxhetit të filmit theksoi rëndësinë e komunikimit dhe tregimit të historisë së Pëllumb Kullës.

Regjisori Leonard Bombaj në fund të takimit bëri ftesë dhe thirrje të gjithë shqiptarëve të Amerikës që të kontribuojnë në projektin pasi mbi të gjitha është një film për Shqipërinë. Për të falënderuar të gjithë pjesëmarrësit Pëllumb dhe Xhuljeta Kulla dërguan një fjalë përshëndetëse e mirënjohëse e lexuar nga Esmeralda Blaceri, për të gjithë të angazhuarit në filmin “Lejlekët nuk vijnë më”. Takimi u përshëndet nga Ambasadore Suela Janina, Ambasador Virgjil Kule dhe kineasti Bujar Alimani që lartësuan humorin, vlerat dhe veprën e Pëllumb Kullës.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT