• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2024

“Beratinus-1” dhe “Beratinus-2” janë shpallur pjesë të programit “Kujtesa e Botës”

May 31, 2024 by s p

Ndriçim Kulla/

“Beratinus-1” dhe kodikët e tjerë të Shqipërisë janë vepra me rëndësi edhe për historinë e kulturës e të shkrimit të shenjtë, por dhe të letërsisë në përgjithësi. Në fondin e pasur të kodikëve të Shqipërisë, përveç “Beratinus-1” e “Beratinus-2”, bëjnë pjesë edhe dhjetëra dorëshkrime të tjera, që kanë marrë emrat e qyteteve ku janë zbuluar (“Kodiku i Vlorës”, afërsisht shekulli i 10-të; “Kodiku i Përmetit”, i shekullit të 14-të; “Kodiku i Shkodrës”, i të njëjtit shekull; “Kodiku i Gjirokastrës”, i shek. të 16-të; “Kodiku i Fierit” – ose i shën Kozmait, i fillimit të shek. të 19-të). Qysh prej botimit të katalogut të tij ai njihet me emrin “Codex Purpureus Beratinus”, ose “Codex Purpureus Beratinus “, ose shkurt “Beratinus-1”. Bizantologët shqiptarë, në studime të krahasuara, mbështetur në ligjet e ndryshimit të fonetikës historike të greqishtes nga antikiteti në periudhën e paleokrishtërimit e më këndej, i kanë interpretuar në një semantikë tjetër vlerat tingullore të disa prej grafemave të këtij dorëshkrimi, për rrjedhim edhe të përmbajtjes së tij.

I shkruar vetëm një shekull e gjysmë pas “La Vulgata-s”, përkthimi latin i Biblës sipas shën Jeronimit të Eusebit, Kodiku i Purpurt i Bertit është një dorëshkrim me rëndësi historike për fillimet e letërsisë biblike. Sipas dijetarëve bibliologë dhe paleografë, duke iu referuar teknikës së shkrimit, është një dorëshkrim jo më i vonshëm se shekulli i 6-të pas Krishtit. Ai është një ndër katër kodikët më të vjetër në gjithë botën. Bashkëkohës me dorëshkrime të tilla të famshme si “Petropolitaus”, “Vindeobone-usis” e “Sinopencis”, “Kodiku i Purpurt i Beratit” renditet në themelet e letërsisë kishtare të ritit lindor. Kodiku i Purpurt i Beratit” vlerësohet ndër veprat themeltare të letërsisë ungjillore, si dorëshkrim me rëndësi të posaçme për kulturën e krishtërimit. Ai çmohet gjithashtu për historinë e shkrimit, për vlerat evidente kaligrafike, si përmendore e trashëgimisë së përbotshme të dijes, si objekt shkencor i paleografisë, bibliologjisë, gjuhësisë, historisë së besimeve. Por ky Kodik merr një vlerë më të rëndësishme prej faktit se është shkruar në një periudhë kur lënda biblike ende nuk ishte kanonizuar. Dy ungjijtë që përmban kanë shmangie prej teksteve standarte. Kjo është arsyeja që vetëm një herë në vit, një pjesë e tij, mund të lexohej në meshë publike.

Më i rëndësishmi dhe më i famshmi i të gjithë kodikëve është ai që njihet me emrin “Bersatinus-1”. Ky është një nga Kodikët më të vjetër në të gjithë botën (dy të tjerët, po të shek. V-të dhe VI-të pas Krishtit janë në Rusi). Ai përfaqëson një dorëshkrim (ekzemplar i vetëm origjinal) e përbëhet nga 190 fletë pergamenë të ngjyera në të kuqe të theksuar (të purpurtë). Kodiku përmban dy Ungjij, sipas Markut dhe sipas Matheut. “Kodiku i purpurtë i Beratit” u shkrua në një kohë kur ende nuk qenë vendosur se cilët do të ishin librat kanonikë të Dhiatës së Re, prandaj ky dorëshkrim ka disa shmangie dhe mospërputhje nga teksti origjinal. Gjithashtu sipas Batiffolit, Ungjilli sipas Matheut ndodhet ndërmjet faqeve 1-112, ndërsa faqet që vijojnë i përkasin Ungjillit sipas Markut. Në kohën që e vëzhgoi Batiffoli, kodikut i mungonin rreth 40 faqe. Për herë të parë “Kodiku i Purpurtë i Beratit” përmendet në “Diptikët e kishës së Shën Gjergjit”, e cila ndodhej brenda kalasë së Beratit. Ky kodik është shkruar me gërma argjendi të tretur, me përjashtim të disa (fjalëve e shprehjeve) që janë me gërma të arta, në pergamenë. Kodiku daton në shekullin e VI-të.

Beratinus-1″ dhe “Beratinus-2” janë shpallur pjesë të programit “Kujtesa e Botës”. Ç’vlera i kanë bërë këto dy dorëshkrime të jenë pasaporta kulturore e këtij vendi në programin më të rëndësishëm ndërkombëtar të vlerave të trashëgimisë njerëzore? Për herë të parë këto dy dorëshkrime janë konsideruar të vlefshëm për programin “Kujtesa e Botës” ne librin “Ungjijtë e popujve”, botuar në Romë nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit, në 2000-vjetorin e krishtërimit. Këto dy dorëshkrime janë të vetmet vlera kulturore që janë shpallur pjesë të këtij programi nga bota shqiptare. Ato ishin gjithashtu dy prej veprave që gjendeshin në listat e objekteve të shpallur “në kërkim” në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Kleri, këshilli kishtar (sinodi), patriarkët dhe populli besimtar i Beratit, të cilëve iu kërkua dorëzimi i menjëhershëm i dy kodikëve, vendosën të bëjnë çdo sakrificë dhe të mos e tregojnë vendndodhjen e tyre, në çfarëdo rrethane. Ato u fshehën në grykën e një pusi, në një arkë metalike. Për një kohë, në vitet që pasuan, “Beratinus-1” dhe “Beratinus-2” konsideroheshin të zhdukur. U rizbuluan në kishën e kalasë së qytetit në vitin 1968, në një gjendje tejet të dëmtuar. Vetëm se e gjithja kjo është një histori e përsëritur në shekuj.

Filed Under: Politike

RRUGA JONË DREJT RRËNJËVE TONA KULTURORE MUND TË FILLOJË NGA BOB DILLANI

May 31, 2024 by s p

Arti pa kujtesë nuk shprehë idealet e vërteta të njeriut shqiptar për jetën, familjen, atdheun, dashurinë, urrejtjen, besën, tradhtinë, vdekjen dhe jetën e pasosur. Prandaj, tjetërsimi ynë kurrkund nuk zbulohet më frikshëm se sa në poezi e në këngë.

Milazim KRASNIQI

Para pak ditësh ishte ditëlindja e Bob Dillanit, këngëtarit legjendar dhe fituesit të Çmimit Nobel për letërsi. Kur e pati fituar Nobelin kam thënë se ai çmim do të duhej të na gëzonte ne shqiptarëve më së shumti. Pse? Sepse vlerësimi i Bob Dilanit me çmimin më të lartë për letërsi, është vlerësim për një formë të artit poetiko-muzikor, që ne shqiptarët e kemi kultivuar me shekuj. Natyrisht shkaqet dhe konteksti ynë për këtë formë simbiotike të artit, ka qenë krejtësisht tjetër nga ai i Dillanit, por rezultati ka ngjashmëri: tekstet janë krijuar për t’u kënduar dhe janë kënduar duke shkrirë qëllimisht tekstin e muzikën në një tërësi unike artistike. Kjo nuk ka ndodhur vetëm me letërsinë popullore, po edhe me letërsinë e shkruar shqipe. Mjafton të kujtohet këtu poema zulmmadhe e monumentale “Lahuta e malcis” e Gjergj Fishtës, e cila është kënduar deri vonë nga rapsodët në Kosovë. Pra, vlerësimi për poezinë-muzikë të Dillanit, ne shqiptarëve do të duhej të na gëzonte, si një vlerësim për një formë të kombinuar të poezisë e muzikës, që ndër ne ka qenë dominante. Por, nuk ndodhi ashtu. Edhe në atë rast u vërtetua që letërsia dhe kultura jonë janë shkëputur shumë nga rrënjët e saj, nga tradita mirëfilli shqiptare, ku kombinimi i poezisë me këngën kanë qenë të pandashëm, të vetëkptueshëm. Pra, shumë shekuj para mrekullisë artistike të Bob Dilanit, këtë model e kemi kultivuar me sukses të rrallë ne shqiptarët. Kënga kreshnike shqiptare, me tekst mirëfilli artistik dhe me interpretim në formë rituali, ka edukuar artistikisht e kombëtarisht breza shqiptarësh ndër shekuj. Simbioza e tekstit dhe këngës kanë përftuar një model artistik që ka pasur audiencë të madhe dhe madje aktive. (Kujtoni këngën e Salih Sylës, ku bukuria e interpretimit të këngës, provokon pasionin e grave për ta dëgjuar, me çka thyen konvencionin dhe ashtu audienca aktive bëhet e kobshme për artistin!) Kjo simbiozë e poezisë me muzikën dhe ajo audiencë aktive e ka modeluar jo vetëm përjetimin artistik, po edhe atë real të botës nga ana e shqiptarëve. Disa nga rapsodët kanë qenë poetë e këngëtarë njëkohësisht, duke mbajtur gjatë interpretimit ekuilibrat fantastikë ndërmjet kuptimit të vargjeve dhe emocioneve të muzikës. Mjafton të kujtojmë në këtë kontekst rapodë si Sali e Feriz Krasniqi, Riza Bllaca, Augustin Uka, Marash Krasniqi, Ibish Broja, etj., që të kuptojmë se ata bënë për artin poetik-muzikor po atë mrekulli artistike që bëri e bën Bob Dillani për kulturën amerikane. (Natyrisht, me kufizimet që impononte gjendja e rëndë e kombit shqiptar.)

Pse nuk u kujtua askush për këtë ngjashmëri të disa poetëve dhe rapsodëve tanë me modelin e poetit-këngëtar, që sivjet fitoi Nobelin për letërsi? Përgjigja mbetet po ajo, e dhimbshme: sepse ka një harrresë të frikshme që është vendosur mbi kulturën tonë kombëtare nga periudha e “vesternizimit” të rremë dhe realizmit socialist e që po vazhdon me egërsi edhe në ditët tona të një liberalizmi anarkist. Gjatë kësaj kohe na është fshirë një pjesë e rëndësishme e kujtesës kulturore. Prandaj, sot eksperimentohet një art e kulturë pa kujtesë. Ama, arti pa kujtesë nuk shprehë idealet e vërteta të njeriut shqiptar për jetën, familjen, atdheun, dashurinë, urrejtjen, besën, tradhtinë, vdekjen dhe jetën e pasosur. Prandaj, tjetërsimi ynë kurrkund nuk zbulohet më frikshëm se sa në poezi e në këngë. Meqë kjo shkëputje nga vlerat e traditës shqiptare ka ndodhur në përmasa tmerruese, pothuaje askush më nuk e ndjen, as nuk e sheh gjëmën e kësaj shkëputjeje. Po rrezikojmë që të lëmë prapa vetes një amulli kultrurore. Nëse kjo ndodhë, do të jetë truall për zombet, që edhe nëse si nëpër mjegull do të thonë se janë shqiptarë, kulturalisht nuk do të jenë të tillë. Prandaj, verdikti i sivjemë i Komitetit të Nobelit meritonte vëmendjen tonë në këtë drejtim. Bile ka kohë që kjo të bëhet. Fjala vjen, mund të organizohen sesione e konferenca të reja shkencore lidhur me këtë tematikë, që të trajtohen aedët homerikë, rapsodët e këngëve kreshnike, modeli i poetit Gjergj Fishta, për të ardhur deri te të kuptuarit më të mirë edhe të mrekullisë artistike të Bob Dillanit. E gjitha kjo do të duhej të bëhej në kontekstin e vlerave të poezisë dhe të muzikës tonë shqiptare, e cila i ka rrënjët thellë në antikitet, atje ku poezia e muzika ishin bashkë. Dhe bashkë erdhën edhe përmjet aedëve, këngëve akritike e atyre kreshnike, poezisë alamiado, poezisë fishtiane, këngëve historike e deri te rapi. Por, amnezionin tonë duket se nuk po arrin të na e shërojë as mrekullia që ndodhi me Bob Dillanin. Ndërsa, vlerësimi i veprës së tij gjithnjë mbetet rast që t’i kthehemi kësaj çështjeje. T’u kthehemi modeleve tona artistike dhe rrënjëve tona kulturore.

Filed Under: ESSE

KOMUNIZMI I MBARUAR SIMBAS ROSSANDËS

May 31, 2024 by s p

Nga DACIA MARAINI – “Corriere della Sera”, 27 maj 2024: Përktheu: Eugjen Merlika/

Pak ditë më parë Rossana Rossanda do të kishte mbushur 100 vite. Po të mbyll sytë mund të dëgjoj zërin e saj të qetë e të arsyeshëm, qeshjen e saj të lehtë dhe ironike. Jam e kënaqur që e pata njohur, siç mund të jesh i kënaqur kur ke njohur më të mirën e Vendit.Rossana kishte një kokë të hapur plot ajër e dritë e gjithmonë të përshkuar nga erëra të zhdërvjellta e të rrjedhshme. Nuk mjaftohej me mendime të përcaktuar por kërkonte gjithmonë diçka të re. Aftësia e saj për të arsyetuar ishte gjithmonë aty, syhapët për të vëzhguar e përimtuar realitetin. E kam njohur në një takim feministesh. E dinja se, si komuniste e orëve të para, kishte mosbesim në lëvizjen e grave, që simbas biblës në latinisht, ishte një shprehje e kapitalizmit borgjez. Por kërshëria e zgjuarsia e saj kanë 

fituar mbi paragjykimet e shpejt u ndjeva pranë si shqyrtimeve që bënim mbi historinë, si mbi vullnetin për të krijuar vlera të reja që lindnin nga vetëdija femërore e jo nga tradita e çmuar e Etërve. Nga ana tjetër ishte aftësia e saj për të kuptuar zhvillimin e historisë 

që e kishte shpënë në dënimin e e mësymjes së Hungarisë në 1956.

Diçka që i shëmbëllen mësymjes së Ukrainës sot. Veçse atëherë Evropa dhe Amerika nuk kanë lëvizur as edhe një gisht dhe kryengritja e guximëshme hungareze kundërsovjetike u shtyp mizorisht dhe demokrati Nagy u vra si një armik. Mënyra në të cilën Rossana përsijaste kuptimin e të qënit komunist besoj se i jepte bezdi atyre që 

besonin se besnikëria ishte më e rëndësishme se sa qartësia. Por  komunizmi, nga një ideal i barazisë e i lirisë, ishte kthyer me Stalinin në një kapitalizëm kokëtrashë e të dhunshëm të Shtetit. Një regjim burokratik e totalitar që nuk lejonte mendimin kritik. Gjykimin e Rossandës, që sot e gjej profetik, mund t’a gjejmë në librin “Një rrugëtim i kotë”, në të cilin shpjegon se si komunizmi ka “mbaruar keq”. Kur idealet fashiten , popujt mund të hyjnë në një gjëndje plogështie dhe inercie që krijon paraliza politike e shoqërore. Pason një gjumë që pjell përbindësha, siç tregon Goya, një zbrazësirë që mbushet nga sjelljet më të vjetruara e mizore të njerëzve. Do të ftonja këdo që dëshëron të kuptojë  më mirë atë që ndodh sot në botë  të lexonte e të rilexonte “Vajza e shekullit të shkuar” dhe “Ky trup që më banon”, një përsiatje e thellë mbi raportin mes trupit dhe mendimit në kohë konsumesh e narçiçizmash. Trupi  për mua , shkruan Rossana, “është ngjala e ndërgjegjes sime”. Nuk mund të thuhej më mirë se kështu.

“Corriere della Sera”, 27 maj 2024: Përktheu: Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza

MEDIA, PROPAGANDA ATEISTE DHE REGJIMI TOTALITAR SHQIPTAR

May 30, 2024 by s p

Aspekte të propagandës ateiste në revistën “Vatra e Kulturës” përgjatë regjimit komunist 1965-1975

Sokol Paja

Më 6 shkurt 1967 Shqipëria u shpall i vetmi vend ateist në botë. Diktatori Enver Hoxha në fjalimin e tij për “Revolucionarizimin e mëtejshëm të Partisë dhe të pushtetit” tronditi qdo themel shoqëror ku shigjeta komuniste u ngul më shumë tek feja. Klerikët më në zë, institucionet fetare, mediat fetare, shkollat fetare që prej vendosjes së regjimit komunist më 1945, kishin pësuar një agresion të pashembullt çka kishte sjellë dobësim të fesë dhe veprimtarisë klerikale në Shqipëri. Dobësimit të veprimtarisë fetare në Shqipëri, pas fjalimit të Enver Hoxhës, vjen ateizmi zyrtar. Rinia komuniste e Durrësit sulmoi Manastirin e Shën Vlashit, në të gjitha qytetet e mëdha si Shkodër, Tiranë, Elbasan, Korçë etj rinia komuniste dhe masat komuniste sulmuan masivisht institucionet fetare dhe objektet e kultit fetar. Shteti komunist shqiptar arriti që nëpërmjet shtypit të shkruar dhe represionit të kontrollonte të ndikonte, orjentonte dhe kontrollonte masat punonjëse. Shtypi komunist kishte një rol të jashtëzakonshëm në propagandën ateiste përgjatë diktaturës komuniste sidomos në vitet 65-75 ku lufta ndaj fesë pati shtrirjen më të gjerë. Shtypi i shkruar në luftën që shteti diktatorial ndërmori kundër fesë, u kthye në një megafon të sitemit politik. Revista “Vatra e Kulturës”, u kthye në një element të rëndësishëm në mbështetje të propagandës zyrtare të shtetit ateist. Në këtë artikull shkencor do të sjellim fakte dhe detaje të organizimit të propagandës ateiste të shtetit komunist në revistën “Vatra e Kulturës”. Feja për shtetitn komunist shihej si një pengesë serioze në ndërtimin e socializmit ndaj në “Revistën Vatra” u zhvillua një propagandë e fortë ku si element u gjet përveç tjerash edhe femra shqiptare që kërkonte zhvillim duke braktisur fenë si element që binte në kundërshtim me ideologjinë zyrtare të shtetit komunist.

Komunistët kundër “opiumit fetar”

Edhe pse u zhvillua një luftë e pashembullt me aksione konkrete të shkatërrimit të veprimtarisë klerikale dhe eleminimit të drejtuesve e klerikëve të thjeshtë prapë se prapë regjimi propagandonte për zhdukjen në rrënjën e formave të vjetra të ideologjisë fetare që regjimi i barazonte me klasave shfrytëzuese e sunduese. Sipas Hulusi Hizmo në artikullin “Çlirimi i plotë i ndërgjegjes nga opiumi fetar – proces i gjatë i riedukimit dhe edukimit” botuar në revistën “Vatra e Kulturës” të vitit 1972, theksonte se në luftën gjithnjë e më të ndezur për të zhdukur fenë është e domosdoshme të mprehet vigjilenca dhe të shtohet këmbëngulja nga të gjithë si për t’i zbuluar ashtu edhe për t’i luftuar shfaqjet e ideologjisë fetare pasi feja,sipas propagandës ateiste, lidhet me të gjitha mbeturinat e tjera. Hizmo porosit se “luftë kundër fesë nuk duhet ngushtuar, ai duhet parë në tërë gjërësinë e tij, pse lufta kundër fesë është luftë kundër ideologjisë borgjeze e revizioniste”. Sipas autorit, nocioni mbeturinë fetare është shumë i gjërë dhe shtrihet në të gjitha fushat e jetës si në punë, në kohën e lirë, në jetën individuale, në familje në shoqëri. “Organizmi i edukimit të masave punonjëse, veç ta tjerave do të na çojë dhe në dobësimin e në zhdukjen e fesë” pasi jeta socialiste sipas Hizmos është edukuesi më i mirë me frymën e ateizmit, është agjitatori dhe udhëheqësi drejt së vërtetës dhe për këtë qëllim sipas propagandës duhet ti  shërbejnë dhe të gjitha format e mjetet e arësimit dhe të kulturës. Botëkuptimi fetar në propagandën ateiste, nuk është i sistemuar dhe nuk ka një bazë të shëndoshë teologjike; ai është më tepër një botëkuptim që shkrihet në zakonet prapanike, në traditat, në mënyrën e jetës, në interpretimin naiv të fenomeve të natyrës të shoqërisë. Në luftën kundër fesë, Hizmo porosit se duhet bërë kryesisht një punë sqaruese, bindëse e me durim njerëzit binden ideologjikisht që t’i braktisin konceptet fetare. Po ashtu në punën ateiste-shkencore porosit autori se “nuk duhet të harxhojmë fishekët duke luftuar vetëm pasojën, si fenomen; për shëmbull të prishim antenën e radios që është vendosur mbi oxhak në formë kryqi” por nga shfaqja e problemit t’i hyhet në thellësi atij problemi të shfaqur, të depërtohet në brendësi të zbulohet rrënjët e koncepteve që ushqëjnë ato veprime. Feja sipas propagandës ateiste, ka aleate padijen, nivelin e ulëtarsimor e kultural. Njerëzit e paformuar me botëkuptimin materialist, para sëmundjeve e vështirësive humbasin besimin, bien në pesimizëm e kërkojnë rrugëdalje tek fej e cila i mban njerëzit të lidhur në errësirë dhe në padije. Në luftën për çrrenjosjen e ideologjisë fetare nga ndërgjegja e njerëzve, sipas shkrimit të autorit duhet të bëhet nëpërmjet punës kulturale e aksioneve masive të njihet  mënyrën e jetës, edukatën e punës konceptet për kohën e lirë, për marrëdhëniet në familje, për higjenën dhe pastërtëinë, për shoqërinë, miqësinë, krushqinë etj. Vetëm në këtë mënyrë do të zbulohet dhe korrigjohet sipas autorit çdo shfaqje e koncepteve të gabuara dhe do të bëhet njohja me to me anë të formimit të psikologjisë e të botëkuptimit të ri, që në etapat e ndryshme të zhvillimit ekonomiko-shoqërorë, formohen tek çdo individ e shtresë shoqërore. “Bindja është arma kryesore për çrrënjosjes e çdo gjëjë të vjetër dhe regresive, përçmimi dhe lufta e vazhdueshme kundër koncepteve të vjetra nëpërmjet punës edukative ideopolitike” por përveç  kësaj sipas Hulusi Hizmos, duhet bërë rrënjosja në ndërgjegjen e njerëzve e koncepteve e zakoneve të reja, krijimi i traditave revolucionare si mjet për zhdukjen përfundimtare të elementëve fetar nga ndërgjegja e njerëzve. Në luftën kundër fesë propaganda dhe sistemi i kohës kërkoi dhe synoi forcën e opinionit të shëndoshë shoqëror, të cilin sipas Hizmos, duhet ta përdorin më me efekt në formimin e formave të punës kulturale dhe krijimin e një vetëdijeje shoqërore pa fe. Gjithçka u projektua në krijimin e njeriut të ri komunist, njeriun pa Zot, pa botë shpirtërore, pa liri, pa të drejta por ama “revolucionar”.

Filed Under: Histori

“Historia e Jezuitëve në Shqipëri (1841-1946, katolicizmi, kultura, kthimi në besim)” e Dr. Ines Murzaku

May 30, 2024 by s p

Dr. Naim Musliu/

Monografia “Historia e Jezuitëve në Shqipëri (1841 – 1946)”, e autores Dr. Ines Murzaku, është një studim me rëndësi në historiaografinë shqiptare, në të cilën, pasqyrohet një veprimtari e ngjeshur të komunitetit katolik në Shqipëri dhe sidomos të Jezuitëve që dhanë kontribut përveç në besim edhe në ngritjen e kulturës dhe arsimit në Shqipëri. Këtë monografi autorja e ka paraparë të paraqes në këtë renditje si: përmbajtja, lista e shkurtimeve, emrat gjeografik, disa mendime rreth librit, parathënia, dy fjalë për përthimin në shqip, hyrja, dhe nëntë kapituj, kurse në kapitujt pesë dhe gjashtë, autoria i ka kushtuar vemendje ndërhyrjes së pushtetit komunist në shuarjen e veprimtarisë, jo vetëm fetare por edhe asaj shoqërore e arsimore të shoqatave që udhëhiqeshin nga Kisha dhe shoqatat katolike, duke bërë përpjekje që Shqipërinë ta kthenin në një shtet ateist.

Autorja për veprimet e rënda që ndërmerrte pushteti komunist shqiptar ndaj Kishës Katolike dhe besimtarëve të saj, në këtë rast Jezuitëve, ndër të tjerash theksonte se gjatë Luftës së Dytë Botërore, partizanët i premtuan popullit se do ta respektonin lirinë e besimit, klerin, familjen dhe kombin. Por, me të marrë pushtetin pas luftës, nëntor 1944, komunistet ndryshuan çasje ndaj premtimeve të tyre dhe filluan zbatimin e planit të tyre, për krijimin e një Shqipërie ateiste, duke eliminuar veprimtarinë e çdo feje në Shqipëri, në këtë rast edhe asaj katolike, që u bë shqetësuese për popullin shqiptar. Kështu, pushteti diktatorial komunist i udhëhequr nga Enver Hoxha, që në vitin 1944, ndërmori masa për mbylljen e shtypshkronjës Jezuite, Françeskane dhe atë Skënderbeu, duke i kërcnuar se do ti mbyllin gjitha shoqatat katolike. Pra faza e parë e fushatës antifetare e pushtetit komunist u zhvillua gjatë viteve 1945-1948. Kështu, veprimtaria e institucioneve Jezuite në veçanti dhe Kishës Katolike në përgjithësi, u vua në rrezikë të madh nga pushteti komunist.

Pas kësaj, filloi edhe fushata e arrestimeve të shqiptarëve katolik dhe jo vetëm, por edhe konfiskimin e pasurive të tyre. Kështu, pushteti komunist mbylli kopshtin e Motrave Stigmatike në Korçë, poashtu, në Gjirokatër ua mbylli shkollat dhe kopshtet, kurse në Vlorë e Fier u dënua çdo veprimtari fetare në shkollë dhe kisha. Në Berat u mbyll shkolla dhe u dëbuan nga aty misionarët katolikë dhe gjithashtu në Tiranë u pezullua i gjithë veprimtaria e misionarëve katolik.

Për dallim nga pjesët tjera të Shqipërisë, dhuna dhe terrori komunist ishte më i theksuar në Shkodër. Kështu, në Shkodër pushteti komunist përdori edhe armët për të mbyllur dhe shkatërruar institucionet e konfecionit katolik. Ky sulm i armatosur u zhvillua në Seminarin Papnor Shqiptar dhe në Shtëpinë e Jezuitëve në Shkodër. Gjishashtu, pushteti komunist shkatërroi bibliotekën dhe muzeun e Jezuitëve, u shkatërruan objeketet arkeologjike të Kolegjit Saverian etj.

Kolegji Saverian, i cili u bë një nga tempulljt kryesor të edukimit në Shqipëri, duke iu përshtatur nevojave të kombit shqiptar. Ku ngga ky tempull i dijes në Shqipëri dolën shumë figura të shquara, politike, kulturore e fetare si Filip Shiroka, Mati Logoreci, Lugj Gurakuqi, Faik Konica, Gasper Gurakuqi, Lazër Shantoja etj. nuk i shpëtoi mbyllës nga pushteti komunist.

Vetëm, Seminari Jezuit ishte bastisur 17 herë dhe vetëm në herën e fundit, morën pjesë 700 partizanë të armatosur duke bastisur për 6 orë. Kurse, shypi ditor që kontrollohej nga sistemi komunist, Jezuitët dhe veprimtarin e tyre, i quante si e keqja e Shqipërisë.

Pusteti komunist i shpallte si të pa dëshiruar përfaqësuesit kishtar katolikë. Kështu, delegati apastolik Giovanni Battista Nigris, u detyrua të largohet në Itali. Kurse, më 21 qershor 1945, Giacomo Gardini së bashku me studentin Gjergj Vata, u arrestuan me arsyetimin se penguan revolucionin dhe nuk lejuan hyrjen e komunistëve në radhët e organizatave katolike. Në mesin e të arrestuarve nga pushteti kominist ishin edhe Anton Harapin, Ndre Zadeja dhe Lazër Shantoja, të cilin këtë të fundit e pushkatuan më 19 shkurt 1945.

Në anën tjetër autorja përshkruan edhe fabrikimet e akuzave që bëntë pushteti komunist në gjyqe, vetëm që t’i dënonin. Kështu, ajo përshkruante se si u akuzuan Giovanni Fausti dhe Daniel Dajani, se themeluan organizatën “Bashkimi kombëtar” për organizimin e një kryengritjeje kundër pushtetit komunist dhe për spiunim për ango-amerikanët për të sulmuar Shqipërinë nga ajri.

Pas ekzekutimit të shumë prijësve fetar katolik e udhëhës të shoqatave katolike, qeveria vendosi t’i mbyllte të gjitha shoqatat e Jezuitëve në Tiranë, Shkodër etj. Gjithashtu, pushteti shpërndau përfundimisht Shoqërinë Jezuite dhe largoi Jezuit nga Kuvendi dhe Famullia duke iu konfiskuar gjithçka duke përfshirë edhe gjerat personale. Komunistët përmes Durrësit i larguan nga Shqipëria tërë personelin fetar katolik që nuk ishin shqiptar me pretekstin se ndihmuan pushtuesin Italian gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Marrë në tërësi, monografia “Historia e Jezuitëve në Shqipëri 1841-1946” e autores Dr. Ines Murzaku, do të jetë një kontribut i rëndësishëm për historiografinë shqiptare në ndriçimin të mëtejshëm të kontributit të madh të Jezuitëve që kanë dhënë ndër shekuj në forcimin e besimit dhe ngritjen e kulturës dhe arsimit në Shqipëri.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT