• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2024

Pianistja e njohur kosovare Lule Elezi zhvillon koncert recital në vendlindjen e Shopenit

May 15, 2024 by s p

Për këtë event të rëndësishëm ajo shprehet:

Ishte një privilegj dhe kënaqësi e jashtëzakonshme që përpara një audience të mrekullueshme e frymëzuese të mbaja koncert recital në Qendrën Evropiane për Art dhe Kulturë në Sanniki, Poloni, e cila mban emrin e kompozitorit më romantik të botës së muzikës Frédéric Chopin, i njohur si “ Poeti i pianos”.

Ishte një përjetim magjik, një nder dhe mundësi e rrallë për çdo artist, të luaja vepra të Shopenit pikërisht në Pallatin Aristokrat Mbretëror në të cilin në vitin 1828 Shopeni kaloi pushimet verore duke kompozuar veprat Rondo në C-dur dhe Trio në G- mol.

Mbrëmja u bë edhe më e veçantë kur pas Koncertit tim recital shoqërova në piano aktoren e mirënjohur polake Paulina Holtz, një nga personalitetet artistike më të dashur dhe admiruar në Poloni e më gjërë ,teksa ajo recitoi poezi të periudhës së romantizmit nga poetë Ballkanik, të kushtuara dashurisë.

“ Unë do të krijoj një botë të re për vehten time” tha Shopeni, e në fakt, me muzikën e tij ai krijoi një botë të re për të gjithë botën e për të gjithë brezat e ardhshëm.

Kjo është magjia e muzikës e sidomos e Shopenit, ndaj edhe Koncerti im recital në mjediset ku frymoi dhe krijoi Shopeni do mbetet i paharruar!

Pianistja Lule Elezi emocionoi të gjithë botën shqiptare kur para pak kohësh krijoi një moment të veçantë në aeroportin që mban emrin e Shopenit në Varshavë. E mbuluar me flamurin e Kosovës, ajo performoi në piano veprën “Nocturne No.20, Op. posth”, në një ambient të pazakontë, duke sjellë një atmosferë magjepsëse dhe një pamje të bukur muzikore në aeroportin që mban emrin e kompozitorit të madh e duke krenuar shqiptarët kudo që janë.

Filed Under: Kulture

Reflektim për një peticion…

May 15, 2024 by s p

Dr. Sadik Elshani/

Kohë më parë një grup intelektualësh, akademikësh, studiusish e qytetarë të profileve të ndryshim, nga më të rëndësishmit të të  Shqipëerisë dhe disa nga Kosova u janë drejtuar me një peticion Kuvendit të Shqipërisë, Ministrisë së Arsimit e disa agjenesive për media e informim. Në këtë peticion ata shprehin pakënaqësitë dhe shqetësimet e tyre për përmbajtjen dhe mënyrën e paraqitjes së informacionit në disa portale e medium televizive. Shpesh në këto programe televizive ka edhe mjaft shtrembërime të fakteve e të dhënave shkencor, gjysëm të vërteta e dezinformime. E të mos flasim për mungesën e kulturës së komunikimit me njëri – tjetrin, duke bërtitur e duke fyer e sharë njëri – tjetrin. Për këto dukuri të shëmtuara edhe vetë kohë më parë e kam botuar një shkrim me titull: “Gladiatorët e stdiove televizive, ekranit televiziv”. Pasi e kam shprehur pakënaqësinë time për përmbajtjen e tyre të dobët, analiza të pabaza e të cekëta, argumenteve joprofesionale e ngritjes së zërit, duke fyer e mosrespektuar bashkëbiseduesit. Në këtë shkrim kam dhënë edhe disa ide sesi të mënjanohen këto dukuri të shëmtuara: “Për ata që i thejnë rregullat e mirësjelljes, ligjërimit të qytetëruar, moderatorët duhet të marrin masa, t’i përjashtojnë për disa ditë, e nëse i përsërisin të njejta sjellje, atëherë të përjashtohen përgjthmonë. Ndoshta kështu mbushën mend. Edhe sponsorizuesit e këtyre programeve nuk duhet të qëndrojnë indiferent ndaj këtyre situatave të pakëndshme. Fytyrat publike, qofshin ata gazetarë, politikanë apo diçka tjetër, duhet të jenë shembull për të mirë për të gjithë, sidomos për të rinjtë. Komunikimi i qytetëruar, edhe kur nuk pajtohesh me dike, respekti i ndërsjellë për njëri – tjetrin janë tiparet më bazike të një shoqërie të kulturuar, qytetëruar. Duhet të tregojnë respekt për shikuesin, stacionet televizive, profesionin dhe veten e tyre”.

Ka shumë gjëra që nuk janë duke shkuar mirë e për të cilat mund të bëhen peticione e peticione, por vetëm me peticione nuk zgjidhen problemet e shumta të Shqipërisë, të Kosovës e të trojeve tjera shqiptare. Duhet angazhim e veprim konkret. Ndoshta në shikim të parë nuk ka asgjë të keqe në këtë peticion, por mënyra sesi është thurur, institucioneve që u është drejtuar dhe kërkesat e tyre janë problematike. Ata kërkojnë që këtyre personave që shprehin e paraqesin pikëpamje jo të sakta shkenvore u duhet mbyllur goja, këta “sharlatanë”, sipas tyre duhet të largohen nga studiot televizive. Kjo është sjellje tipike staliniste. Janë mësuar disa nga këta studiues e intelektualë me veprime autoritare e jodemokratike të regjimit të kaluar. Ka mënyra të tjera sesi duhet ballafaquar me vetje (individë) të tillë. Në një shoqëri demokratike liria e fjalës gjithmonë duhet të jetë e shenjtë, edhe atëherë kur nuk pajtohesh me qëndrimet e dikujt. Nënshkruesit e këtij peticioni kryesisht mllefin e tyre e shprehin ndaj disa panelistëve, të cilët në disa programe televizive, pa kurrëfarë fakte e referenca shkencore pohojnë se gjuha shqipe ëstë njëra nga gjuhët më të vjetra të botës nga e cila burojnë edhe shumë gjuhë të tjera, përmes së cilës spjegohen edhe shumë fjalë të gjuhëve të tjera, etj. Si njeri që merret me shkencat e natyrës, shkencat ekzakte, gjithmonë do ta mbroj saktësinë shkencore, të dhënat experimentale, argumentet e bazuara në shkencën e shëndoshë, pa shtrembërime e pasaktësi. Pra, ata pëqëndrohen në një çështje tepër të ngushtë shkencore.

“Studimi i vjetërsisë së gjuhës shqipe nuk mund t’u lihet pseudoalbanologëve, etimologëve të improvizuar, pikëpamjet e të cilëve s’do të pranoheshin nga asnjë forum shkencor brenda e jashtë Shqipërisë”, shkruajnë ata ndër të tjera në këtë peticion. Atëherë, përse Akademia e Shkencave, apo ndonjëri nga këta të nënshkruarit nuk merren seriozisht me vjetërsinë e gjuhës shqipe, t’i botojnë studimet e tyre në revista profesionale e t’i paraqesin nëpër konferenca shkencore e jo të merren me këta pseudoalbanologë. Shumica e tyë nënshkruarëve të këtij peticioni nuk janë gjuhëtar dhe disa nga ata që janë gjuhëtarë, asnjëri prej tyre nuk merret me vjetërsinë e gjuhës shqipe. Me rëndësi është që të vërtetohet vjetërsia e gjuhës shqipe shkencërisht e pastaj të tjerët le të flasin çka të duan. Fjalët e botës nuk mbyllën kurrë. Ndoshta ky debat do të jetë një nxitje për studiusit tanë që të merren më me përkushtim e seriozitet me çështjet e ndryshme gjuhësore e probleme të tjera shkencore e arsimore, gjendjen e mjerueshme të gjuhës sonë, të folur e të shkruar, të bombarduar me fjalë e shprehje të huaja, gabime të shumta gramatikore, etj. Me dekrete staliniste nuk zgjidhen problemet gjuhësore dhe as ndonjë problem tjetër i çfarëdo natyre qoftë ai. Në vend se të ankohen e vajtojnë për gjendjen e mjerueshme, nivelin e ulët shkencor të këtyre “sharlatanëve”, këta studiues duhet t’i përvishen punës për të dhënë ndihmesën e tyre për tejkalimin e këtyre dukurive negative e të dëmshme. Në këtë listë prej rreth 100 të nënshkruarish, po shoh mjaft prej tyre me tituj e grada shkencore dhe mendja po më shkon se me siguri dikush nga këta “sharlatanët” e studiove televizive do të kenë qenë nxënës apo studentë të ndonjërit prej tyre.

Për këtë peticion është shkruar mjaft, pro e kontra (për e kundër) në mediat e shkruara dhe ato elektronike, por ajo që më shtyri t’i shkruaj këto radhë është edhe paraqitja e disa të nënshkruarëve të këtij peticioni në shtypin e shkruar dhe në studiot televizive, qëndrimet, deklaratat e pohimet e të cilëve janë për çdo kritikë, janë më të dëmshme se të atyre “shalatanëve” të cilët i kritikojnë dhe mundohen t’ua mbyllin gojën. I pari që i prinë këtij peticioni, akademik Rexhep Qosja (respekt për punën e tij si kritik e studiues i letërsisë), nuk le rast pa i thurur himne e lavdi regjimit të Enver Hoxhës. Ndërsa akademiku tjetër, historiani Pëllumb Xhufi të lë përshtypjen e një avokati mbrojtës të krimeve të komunizmit, nuk le rast pa i dalë në mbrojtje regjimit çnjerëzor të Enver Hoxhës. Deklaratat e qëndrimet e tij për kampin e Tepelenës se nuk ka qenë edhe aq i keq, janë më tepër se skandaloze, janë jo njerëzore. Ai kamp nuk ka qenë kamp pushimi, por ka qenë një kamp i tmerrshëm ku kanë qenë të inernuar me mijëra shqiptarë: burra e gra, plaka e pleq të rinj e fëmijë, të cilët kanë jetuar në kushte të mjerueshme, të keqtrajtuar e të torturuar, gra e vajza të reja të përdhunuara nga komandantët e gardianët e pashpirt të atij kampi. Në atë kamp kanë vdekur 300 fëmijë, jo nga kushtet e mira, por nga mjerimi i tejskajshëm. Akademik Xhufi pa kurrëfarë ndejshmërie e ngriti zërin e tij kundër ndërtimit të një përmendoreje (memoriali) për këta fëmijë fatkeqë. Përse ky historian që merret me Periudhën e Mesjetës përzihet në çështje të tilla?! I kërkoi dikush opinionin e tij?!

Në mesin e këture 100 personaliteteve të rëndësishme po figuron edhe emri i presidentit Bamir Topi, i cili në të folurit, ligjërimin e tij përdor mjaft fjalë të huaja, vend e pa vend. Meqenëse e përmendëm fjalën president, duhet theksuar se në vend të kësaj fjale ne e kemi fjalën e bukur shqipe: kryetar. Edhe neni 86, pika 1 e Kushtetutës së Shqipërisë,që e përkufizon të parin e vendit është përpiluar gabimisht: “Presidenti i Republikës është kryetar i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”. Siç e cekëm më lart, fjala president ne gjuhën shqipe përkthehet me fjalën kryetar, ndërsa fjala unitet, po asht është fjalë e huaj që përkthehet me fjalën shqipe: bashkim. Do të ishte më e drejtë sikur neni 86, pika 1 të përpilohej, thurej kështu: “Kryetari i Republikës është kreu i shtetit dhe përfaqëson bashkimin e popullit”. Këta studiues ka qenë dashtë t’ia dërgonin një peticion Kuvendit të Shqipërisë, jo për t’i larguar “sharlatanët” nga studiot televizive, por për të kërkuar nga deputetët që si përfaqësues të popullit të sillen me dinjitet e qytetari në tempullin e demokracisë e jo ta shndërrojnë atë në arenë gladiatorësh, vatër zjarri. Është mirë që këta studiues e akademikë të japin zgjidhje për këto dukuri të shëmtuara të shoqërisë sonë, të merren me rrënjët, burimin e problemeve dhe jo me simptomat e tyre. Kemi shumë probleme, por jemi duke bërë pak përpjekje për t’i zgjidhur ato. Ende nuk e kemi të shkruar historinë e popullit tonë ashtu si duhet, duke u bazuar në fakte e pa ndikime ideologjike e politike. Shqipëria ende nuk i ka dënuar krimet e komunizmit, ndërsa “ajka” e kombit tonë hesht!

Filed Under: Interviste

Arbër 

May 15, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Abraham dhe nipi i tij Lot u vendosën në qytetin Arbë, i quajtur më vonë Hebron (gjetkë emri mbeti, kaq të thella janë rrënjët tona). 

Aty pranë në qytetin An(a)kim banonin Hitejtë, paraardhësit tanë largët. Arba ishte patriarku i Anakimëve, por iku dhe nuk u rendit në tabelën e kombeve. Kiriathara ndodhej afër Sodomës dhe qyteteve të fushës. 

Sodoma, Gomorra dhe qytetet e fushës janë të dyshuarit më të mundshëm si epiqendra e ndërhyrjes së Dytë të Zotit, pas përmbytjes. Ky deduksion shpjegon tronditjen e Perëndisë nga britma e mëkatit që u ngrit nga qytetet e fushës; aq sa Perëndia zbriti për të inspektuar mëkatet dhe krimet e kryera kundër tij, njerëzimit dhe krijimit. 

Sodoma shfaqet së pari në mënyrë biblike në tabelën e kombeve midis qyteteve, ku banonin kananitët, qytete që u krijuan nga fiset aborigjene para kullës së Babelit. Sodoma u shfaq përsëri kur Loti u vendos atje, dhe më pas përsëri me luftën e gjigantëve që detajuan shkatërrimin e qyteteve të fushës. Sodoma ishte e ligë, e pamoralshme dhe e mjerë që përpara kohës kur Loti ose kananitët u vendosën. Abrahami banoi në vendin e Kanaanit dhe Loti banoi në qytetet e fushës dhe ngriti çadrat në drejtim të Sodomës. Por njerëzit e Sodomës ishin jashtëzakonisht të ligj dhe mëkatarë përpara Zotit. Sipas Shkrimeve, Kananejtë emigruan në Tokën e Besëlidhjes, 101 vjet pas përmbytjes, duke përdorur gjenealogjinë e Pelegut (një tjetër emër i lidhur me ne).

Mëkatet e kryera në Sodomë përshkruhen si të neveritshme, arrogante, të padrejta dhe egoiste – një qytet i lindur në mënyrë alegorike nga një martesë e përzier nga një hitit dhe një amorit. Përshkrimet e Sodomës janë klasike në lidhje me gjigantët. “I padrejtë” përkufizohet si i çoroditur, i shthurur, imoral dhe i lig; mendjemëdhenj: si arrogant dhe krenar; i neveritshëm: si ritualisht i papastër për sa i përket ushqimit, përdorimit të idhujve dhe martesave të përziera. 

Më shumë po ndodhte në Sodomë sesa thjesht neveri nga njeriu në njeri. Martesat e neveritshme të përziera u referohen martesave të të njëjtit seks, si dhe martesave midis engjëjve dhe njerëzve që dhanë pasardhës të rremë në ditët e Noeut, dhe më vonë martesat e përziera midis të sfiduarve nga fertiliteti dhe kananitëve pjellorë njerëzorë. 

Librat e Urtësisë dhe Barukut thonë se Nefilimët kanë lindur me “shtat të madh”, ishin arrogantë dhe ekspertë në luftë, por u shkatërruan në përmbytje sepse atyre u mungonte mençuria. Nga kjo rrjedh se nëse Refaimi do të krijohej pas përmbytjes, ata do të ndiqnin të njëjtën sjellje të neveritshme si nefilimët, dhe në të njëjtën mënyrë të përshkruar në Sodomë. 

Sepse edhe në fillim, kur gjigantët kryelartë po zhdukeshin, shpresa e botës mbeti. Aty lindën gjigantët e vjetër, të famshëm, të mëdhenj në shtat, mjeshtër në luftë. Zoti nuk i zgjodhi ata, ose nuk u dha atyre rrugën e dijes; kështu që ata humbën sepse nuk kishin urtësi. Nga kjo lindi shprehja “shtat i lartë, mendja fyell” Megjithatë, gjuha në raportin e zbukuruar të së keqes vërtet dëshmoi për vërtetësinë e gjigantëve origjinalë paradiluvian dhe përmasat/shtatin e tyre të madh, dhe kështu ishin disi më të mëdhenj se hibridet e tyre njerëzorë. 

Libri i Ligjit të Përtërirë lidhi imazhet e gjarprit/dragoit me neveritë e Sodomës dhe me rivendosjen e rrënjës së një gjarpri pasardhës. Vreshtat pjellore të rrushit të Sodomës dhe Gomorrës u përshkruan si “rrushi i tëmthit” dhe vera “helmi i dragonjve dhe helmi mizor i gjarpërinjve” një helm i nxjerrë nga bimët, si hemlok që piu Sokrati, dhe lulekuqet.

Filed Under: Fejton

THE STIRLING NEWS-ARGUS (1913) / SHQIPËRIA SI SKOCIA : “DASHURIA PËR ATDHEUN, TRADITAT, MUZIKA, VESHJET…”

May 15, 2024 by s p



Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Maj 2024

“The Stirling News-Argus” ka botuar, të enjten e 6 marsit 1913, në faqen n°26, një shkrim rreth ngjashmërisë midis shqiptarëve dhe skocezëve, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëria si Skocia

Gjakmarrja dhe vëllazëria nëpërmjet gjakut mes institucioneve. 

Burimi : The Stirling News-Argus, e enjte, 6 mars 1913, faqe n°26
Burimi : The Stirling News-Argus, e enjte, 6 mars 1913, faqe n°26

Shqipëria, e ardhmja e së cilës tani është në pikëpyetje, është krahasuar me malësitë e Skocisë të shekullit të XVI-të, kur të gjitha fiset ishin në grindje të vazhdueshme me njëri-tjetrin. “Shumë herë,” thotë Foster Fraser, “kam menduar për ngjashmëritë mes Shqipërisë dhe Skocisë. Ka pjesë të vendit që të kujtojnë malësitë. Dashuria e zjarrtë për atdheun është karakteristikë e të dy popujve. Vigjilenca e malësorit skocez ndaj fyerjes është e barabartë me shpejtësinë e shqiptarit për të qëlluar këdo që mund të mos jetë dakord me të. Fustanella e shqiptarit është e ngjashme me kiltin e malësorit skocez. Dhe nëse dëgjon tingujt e muzikës shqiptare nëpër kodra, pa shumë imagjinatë mund të imagjinosh se po dëgjon muzikën e gajdeve.”

Gjakmarrja është më e njohura e institucioneve shqiptare, por ka edhe vëllazëri në të cilat figuron edhe gjaku. Dy të rinj shqiptarë do të zotohen se do të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit gjatë gjithë jetës dhe marrëdhënia është aq e shenjtë sa fëmijët e tyre nuk mund të martohen. Ndër të rinjtë mirditorë që bëjnë këtë betim, së pari marrin kungimin dhe më pas pinë verë me të cilën janë përzier disa pika gjaku të të dyve.

Dy miq të tillë të betuar, tregon historia, zbuluan një herë se ishin të dashuruar me të njëjtën grua, një turke. Zgjidhja e vështirësisë nga ana e tyre ishte paqësore – nga këndvështrimi i tyre. Sepse ata i ngulitën kamat e tyre së bashku në zemrën e saj.

Filed Under: Ekonomi

“QYTET’I IM” – NGA MUSTAFA KRUJA DHE SHËNIMI I BOTUESIT ERNEST KOLIQI*

May 15, 2024 by s p

Kemi zgjedhë, ndër shkrime të Mustafës, tri copë qi na duken të shënueshme pse në to shfaqen në mënyrë të gjallë lidhjet e jetëshkrimit të tij me ngjarjet e vendit t’onë, sidomos me ato të Shqipnís së Mesme prej kah âi e kishte zânafillen.
Spikasin në styl, si në nji pasqyrë të qartë, cilsít qi e pajisshin : mprehtësí gjikimi, ndiesí e thellë nderi vetiak e kombtar, prirje me tregue troç mendimin e vet në çdo rasë e pa tutë të kurrkúj. Le të vërehet në shkrim përpiknija dhe përshtatmenija në shprehje dhe, hove hove, nji shkelqim buzëqeshjeje qi i ep shije tregimit. Në përshkrim të ndodhíve të jetës së tij bje në sý njerzija e natyrëshme burrnore qi urren e i ikë edhe mâ së mbuluemes ndienje mburrjeje por njiherit edhe prûjtunís (modestie) kallpe.
Copa e tretë Qytet’i im botohet këtu për të parën herë. Falënderojmë Dr. Bashkim Merlikën, të birin e Mustafës, qi na e dha për të begatë me tê shtyllat e së përkohëshmes s’onë. Copa u shkrue në Niagara Falls të Shteteve të Bashkueme t’Amerikës, me 1957 ase 1958, pak kohë para se Ai t’u ndante këso bote. sht shkrimi i fundit i Tij, fragment i nji vepre má të shtrîme qi vdekja e këputi në gjymsë.
Larg atdheut, si të donte me shfrye nji mall qi i a shporonte zêmrën, Mustafa përkujton Krujën e vet; i a kujton mâ parë vetes e mandej né. I stërprovuem nga goditjet e nji fati mizuer të pamerituem, i përulun e i shtruem vullëndesës së Zotit, me mênde të kthiellueme e të paqueme nga përvoja e gjatë e nji jete plot përpushje e travajë e nëpër të cilat njofti besnikín ngushulluese të miqve dhe sulmimet idhnake të kundërshtarvet, në vend mikpritës ku e hodhen tallazet e politikës shqiptare dhe botnore, Mustafa Kruja nxjerr nga mbamendja motet e shkrimuna të djalnís së vet. Endë në shkrim ngjarje e përshtypje dhe i shoshitë qetisht, pa turbullim gjakimesh (pasjonesh). Tashmâ gjaku ka humbë vrullet e e dikûrëshme. Ai e ka krye, si pjesëmarrës aktiv, detyrën e vet ndaj kombin. Shkruen për me u lânë të rijvet trashëgimin e përvojës së tij dhe të breznís së tij. E në shkrim, depërtue fund e maje nga nji déll përmallimi ku shkrepëtin – pa u kujtue Ai aspak – nji shkëndí poezije plot humanitet, qet krye shpresa se idealet, ushqye prej Tij e prej Shqiptarvet të 1912-ës pa mujtë me i realizue, do t’arrîhen nga masa e ré. Ndiesít e denduna njerzore, zhdërvjelltija e përshkrimit të vendeve dokeve veshjeve, skalitja mjeshtrore e typave të ndryshëm, kët shkrim të Mustafës e radhojnë ndër copa proze mâ të kullueta, të lidhuna e të ngjyrta të letrësís shqipe.
ERNEST KOLIQI

QYTET’I IM
Nga MUSTAFA KRUJA
(Pjesa e parë)
Kush i afrohet Durrsit me vapor nji mëngjesi të kthiellët e hýn n’atë liman, po të hjedhë sýt atje larg kah veriu e veri-lindja, do të shohë nji varg malesh qi, në majën mâ të naltën, s’i kapërcejnë 1200 metra. Ndër këto dallohet mâ së bukuri Mal’i Krujës, qi ka mu në rrafsh me faqen e tij, nji ndërtesë banimi për vizitorët e Shêjtit Sarisalltik, a Sallsataik, si thonë Krutanët. Duket madhështuer e i egër, krejt shkâmb i thatë e thikë përpjetë. Tue I ulë sýt pak mâ poshtë kah rrânxa e këtij mali, shtegtari shquen qartas ndërtesa të bardha si bora. Janë kullat e qytetit të Krujës nja 600 metra nalt prej rrafshit të detit.
Atje pa mbërrîmë ende deri në fund, veç sa mbaron shkâmbi dhe ka mundsí kazma me gërmue pak dhé, rânë e zhur bashkë me bâmë themela, fillon Kruja e Kastrijotit, Akça Hisar’i (Qyteza e Bardhë) e Osmanllijvet. Deri sod s’janë bâmë gërmime arkeologjike (), prandej nuk dihet se kur e prej kuj ka qênë themelue. Atje afër tij kah ana e Tiranës gjinden gërmadhat e nji qyteti të vjetër, qi Gjon Gjergj von Hahn-i ka mendue se do të jenë ato të Albanopolis-it të përmêndun prej Ptolemeut në të dytin shekull mbas Krishtit. Ka vallë ndonji lidhje Kruja e gjallë me këtë qytet të vdekun veç afërsís?
Topografisht Kruja ndehet ndërmjet malit të vet e Krastës qi mund të quhet nji vazhdim i tij deri në fushë. sht nji qytet pesmijë frymësh, () kodrash e luginash, qi për me i dalë prej nji skânji në tjetër kâmbsorit i duhet me ecun, me hapa të zakonshme, nji gjysmë ore e deri në nji orë. Banesat fillojnë me u shtrîmë prej lagjes së Varoshit, në rrânxën mâ t’eprën të malit, kah dy krahët, n’atê të veri-perëndimit deri afër Dro-s, përroit qi shënon kufînin e malit e të qytetit me lagjen e Abázaje, dhe në juglindje deri në Xaharí afër Zgurdheshit, të parit katund të Rrânsís, qi të çon ke përroi e gryka e Cudhînit në krah tjetër të malit. Prej Varoshit vêndi shkon tue u përvjerrë pak në të djathtë e të mângjët e lagjet tue u voglue. Teposhtë shtrihet po n’atë mënyrë deri ke rrânxat e Krastës. Qêndra nën Varosht disi sheshohet me dý fushat e Tallajbés (të Allaj-beut: allaj, turq. Regjiment; Allaj-Bej “= komandant regjimenti) e Kumllukut (rânishtës) dhe deri në Pazar, ke dyqanet, qi vijnë pak mâ poshtë.
Tallajbeja âsht nji emën vêndi i vjetër, turqisht, sikurse u shënue e si shumë tjerë të qytetit t’onë. Nuk âsht nji fushë e madhe, bashkë me Kumllukun, aty ngjitun me tê e pak mâ i ulët, dý fushore qi nuk dij a përbâjnë aqë metra katrorë sa nji nga sheshet e mëdhaja të qytetit të Romës. Por mbrênda qytetit hiq Namazgjahun ku falet bajrami, s’gjên tjetër rrafshore veçse larg në periferí. Kur kishte nevojë Shteti turk me mbajtun ushtarë atje, ushtrimet ushtarake n’atë shesh u bâjshin e n’atê u ngrihshin çadrat. Kjo ka edhe nji historí të vogël qi i a kam mbërrîmë un. Në 1906 atje qe derdhun gjak njeriu kotnasikot. Gjatë luftës së dytë botnore italjanët e kanë mbushun me ndërtesa ushtarake.
Kazaja (nënprefektura) e Krujës dikur shkonte jo me sanxhakun (prefekturën) e Durrsit, por drejtpërdrejt me atê të Shkodrës e ishte e përjashtueme, si ajo me malet e veta, prej çdo detyrimi kundrejt Shtetit. Por mandej, mbas tanzimatit, (reforma çentralistike) të Sulltan Mexhidit (1839-1861) desh () Stambolli me i shtrîmë ligjët moderne pak nga pak kudo qi s’i haste sharra në gozhdë me popullsít e vêndit, të cilat bidatin, dmth. nji rregull jete të re e shihshin si nji herezí e prandej e urrejshin. Asokohe Pushteti qêndruer e kishte damë Krujën nga Shkodra e lidhun me Durrsin. Ndonse edhe vetë Durrsi varej prej vilajetit (guvernoratit) të Shkodrës, nënprefekturat e tij: Kavajë, Shijak, Tiranë, i kishte të shtrueme. Kështu dojshin me e bâmë Turqit edhe Krujën. Nji herë i ndërrojnë qarkun, mandej shkallë-shkallë kërkojnë me ahtrîmë reformat e vêndeve edhe atje. Në 1906 qe rend’i xhelepit të gjâs së trashë. Qytet e katunde kundërshtojnë, s’duen kurrsesi qi t’u numrohen gjedhet e të paguejnë xhelep për to. Në Kurbî populli çon krye me armë në dorë. Vriten gjind, digjen shtëpija. Nji ditë prej ditsh edhe katundatët e tjerë rrâjnë në qytet për të protestue ke Mirallaji (Allaj-beu i mâhershëm qi gjêjmë ke emn’i sheshit të Varoshit), komandant’i fuqis së mbledhun në Krujë për t’i bâmë ballë nji kryengritjeje mâ të gjânë se ajo e Kurbînit. Të tânë janë t’armatosun. Se kurrë, deri ke Durgut Pasha në 1910, s’kishte mendue e provue ndonji herë qeverija turke me u a hjekun armët Shqiptarvet. Koloneli turk merr pozicion për projë. Në Tallajbé ishte fuqija e tij ndër çadra e ai e qet jashtë me armë në dorë e të rradhueme në beft. T’anët ishin grumbullue në Kumlluk e aspak s’e kishin mendue me bâmë shamatë me ushtrín. Ata kishin shkue atje vetëm për me protestue, me qamë hall, me u lutun. Parija e tyne kthehet prej Kolonelit ke turma e i rrëfen se s’kishte pasun vullëndim prej tij. Koloneli i kishte thânë parís se urdhni i Mbretit duhej të vente në vênt. Ç’me bâmë atbotë? Parija kshillon me u shpërdamë nji herë e mâ vonë me u mbledhun në kuvênd me qetsí. Por âsht e dijtun se ndër turmat e nxeme kush i bie thumbit e kush patkoit dhe në rasa t’atilla shpirtnat janë gati me shpërthye ndër akte të papeshueme. Ushtri e popull i armatosun gjinden kundruell. Nji djalosh qi nxirrte shkëndija sýsh s’i a bân nji e dý, mbërthen hutën e i ep zjarm kundra ushtarvet. Kaqë u desh. Ushtarët të komanduem e të rradhosun rregullisht, fillojnë zjarmin batare kundra turmës qi s’kishte marrë asnji masë. Atëherë po, shpërdahet gjindja, por me tëmerë e panik, mbasi lên të vramë në fushë të Kumllukut 22 burra. Ky gjak, veç nuk shkoi krejt kot për qëllimin qi kishte ai popull atëherë. Qeverija turke s’nguli kâmbë mâ për xhelepin e gjedheve të Krujës.
*Botuar nga Ermest Koliqi ne vitin 1973 në “Shejzat”.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT