• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2024

MILLAN SUFFLAY SI ROMANCIER NË LETËRSINË SHQIPE DHE STUDIUES I HISTORISË MESEJTARE SHQIPTARE 

June 29, 2024 by s p

Foto: Millan Sufflay ne studion e punes ne Zagreb

Foto: Godina ku është vrarë Millan Sufflay në Zagreb

Foto: Doreshkrim autograf i Millan Sufflay-t

Duke analizuar njësitë politike dhe ato territoriale-gjeografike, sipas të dhënave burimore arkivore, Millan Šufflay e shqyrton problemin e gërshetimit të elementeve perëndimore dhe lindore në nomenklaturën topografike të Shqipërisë, duke tejkaluar kështu tezat e vjetruara dhe të njëanshme gjoja “shkencore”, mbi influencën eksluzive të Perëndimit apo Lindjes në trevën e Ballkanit, duke arritur kështu në përfundimin e ri shkencor, sipas të cilit në këtë hapësirë gjeografike kemi të bëjmë me influenca të gërshetuara pa ndonjë dallim të favorizuar në llogari të njërit apo të tjetrit ndikim. – Šufflay e paraqet kulturën shqiptare në një shkallë të lartë zhvillimi në mesjetë, duke mbrojtur teorinë, se kjo kulturë ishte më e afërt me Bizantin dhe dalmatët, se sa me sllavët e ngulur në Ballkan dhe se kishte një traditë të pasur që nga kohët më të lashta. – Šufflay është imendimit se shqipja është një idiomë e ilirishtes dhe fazë e re e një të folmjeje të moçme ilire, ngase shqiptarët jetojnë aty, ku në kohë të lashta kanë jetuar ilirët dhe ishin në këto treva, pa asnjë dyshim, para dyndjes së sllavëve.

Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies, Budapest

Në fushën e studimeve albanologjike dhe balkanologjike kontributi i Millan Šufflay-t është i jashtëzakonshëm, dhe ka një rëndësi të veçantë. Është ndër studiuesit e rrallë, që në mënyrë shkencore, të paanshme dhe pa paragjykime, duke u mbështetur në metoda shkencore, studioi mesjetën shqiptare, duke nxjerrë në dritë dokumente dhe të dhëna shumë të çmuara për këtë periudhë pothuajse të pahulumtuar fare. Në këtë mënyrë ai tejkalon studimet e vjetruara, të njëanshme dhe tendencioze të studiuesve sllavë, grekë, bullgarë, austriakë, italianë, rumunë, çekë etj.

Si studiues i historisë dhe veçanërisht i mesjetës shqiptare, M. Šufflay është pikë-referencë për çdo medievist shqiptar dhe të huaj. Për atë vetë, si autor dhe krijues letrar dihet pak ose aspak fare. Edhe pse është autor i më shumë se një vepre letrare, ai nuk ka vendin e merituar në fushën e letrave shqipe, posaçërisht atë të krijuesit të prozës së gjatë, romanit. 

Romanin “Konstandin Balsha” Šufflay e kishte filluar së shkruari që në vitin 1918.[1] Menjëherë pas botimit të vëllimit të dytë të “Acta et diplomata” e cila, në fakt është edhe burimi kryesor i idesë dhe zhvillimeve në rrafshin kohor përmes njërës prej familjeve më të fuqishme të fisnikërisë feudale shqiptare, asaj të Balshajve.

Duke ndjekur me kudjes zhvillimet politike, ushtarake dhe ekonomike të faktorëve ndërkombëtare të kohës, Venedikut në radhë të parë, por edhe Vatikanit, Dubrovnikut dhe Turqisë në anën tjetër si dhe fqinjëve sllavë e grekë, Šufflay, jo rastësisht zgjodhi si personazh kryesor Kostandin Balshën, pinjoll i po së njëjtës familje me ndikime shumë të mëdha në tërë arealin shqiptar nga jugu në veri dhe nga bregdeti i Adriatikut deri thellë në hinterland.

Në pamje të parë, romani “Konstadin Balsha” është një dramë e vërtetë e popujve që bashkëjetonin në territoret e Shqipërisë etnike, pa ndonjë dallim të madh me pjesët e tjera të Europës, por, pas analizës së personazheve kryesore, pothuajse të gjithë përfaqësues në një mënyrë apo tjetër të fiseve, kombeve, krahinave, komunave dhe shteteve Europiane, vërehet thellësisht dëshpërimi i elementit kombëtar vendor ndaj veprimeve të pushtuesve të rinj apo të vjetër, të cilët me mendjemadhësi dhe komplote, me dinakëri dhe tradhëti, me korrupsion dhe me forcë, arrijnë të ruajnë interesat e tyre, fillimisht duke fituar besimin e shtresës së mesme, jo fisnikërisë së lartë, por as të popullit të thjeshtë, gjë që na përkujton origjinën e vetë autorit të romanit, Millan Šufflay, i cili jo në pak raste, në shkrimet dhe studimet e tija fut edhe elemente autobiografike.

Të shkruash një roman për një familje fisnike, që i përket një kombi të lashtë, një territori të caktuar, kompakt, një gjuhe indoeuropiane, ku tradita kulturore është e vjetër sa vetë populli shqiptar në radhë të parë, por edhe popujt tjerë që bashkëjetuan me të gjatë shekujve, pa e shkelur me këmbë kurrë, ose të paktën pa qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me të, është mjaft e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Është befasues për çdo lexues, kur të shikojë se sa më lehtësi, saktësi dhe korrektësi e përshkruan Šufflay vendin tonë, kështjellat, rrugët, detin, liqenjtë, lumenjtë, malet, pyjet, pastaj kishat, kuvendet, katedralet, për të cilat ai ka njohuri aq të thella, sa ne ia kemi lakmi edhe sot e kësaj dite.

Shtresëzimi kohor, kalimi nga njëri shekull në tjetrin, zhvillimet e furishme me ndikime shumë kundërthënëse, rrënjet dhe ngritjet e finsikëve shqiptarë dhe të tjerëve për Šufflay-n, nuk paraqesin asnjë problem përkundrazi, ai bëhet pjesë e tyre përmes personazheve të cilat i portretizon me shumë kujdes, duke hyrë thellë në karakterin e tyre psiqik dhe fizik, me një mjeshëtri prej një pende të sprovuar krijuesi.

Për shumë albanologë dhe kritikë të letërsisë shqiptare, romani është shumë pak i njohur ose i panjohur fare, për shkak se ata nuk kanë arritur ta lexojnë atë në kroatisht, në gjuhën në të cilën është shkruar. Megjithatë nuk kanë munguar rastet, kur albanologët dhe kritikët e letërsisë shqipe, edhe pa e lexuar fare atë, e kanë paragjykuar në mënyra ekstreme, nga vlerësime shumë pozitive deri te ato më negativet. Si ilustrim mund të sjellim një rast nga viti 2002, kur një akademik i nderuar shqiptar, që lexon kroatisht pohonte “e kam lexuar romanin, por nuk kam marrë vesh asgjë prej gjëje, sepse ai është një histori, kronologji dhe psikologji e ngatërruar!”[2]

Përkthyesi vetë e ka pasur për herë të parë në dorë këtë roman në vitin 1994, dhe në vitet 1996 – 1997, e ka përgatitur për ribotim[3] në kroatisht, ku u botua në Zagreb, me mbështetjen e zotit Mensur Gjergjizi.[4] Përkthimin e romanit e kemi bërë që në atë kohë, por për shkaqe të ndryshme, objektive e subjektive, ai ka mbetur pa u botuar deri sot.

Gjatë kërkimeve dhe hulumtimeve shkencore në dorëshkrimet e M. Šufflay-t në Arkivin Shtetëror të Zagrebit, kemi hasur edhe në dorëshkrim autograf të romanit; dorëshkrim i cili nuk është komplet, (dorëshkrimit autograf i mungojë disa pjesë nga kapitulli i VI dhe i VIII),siç është rasti për shembull me romanin tjetër fanatastiko-shkencor “Në Pacifik në vitin 2255” i cili është i shkruar në gjermanisht e kroatisht dhe është botuar kroatisht në Zagreb në vitin 1998 dhe ruhet në tre kpje origjinale, një dorëshkrim autograf me stilolaps dhe në dy kopje të daktiloshkruara me makinë shkrimi në gjermanisht e kroatisht.[5]

Interesimin e Šufflay-t për shqiptarët dhe Shqipërinë e ndeshim që në fillim të karrierës së tij shkencore, kur, duke hulumtuar e mbledhur dokumente nëpër arkivat e Dalmacisë, për “Codex diplomaticus”, të Tadija Smiçiklasit, gjen materiale burimore shumë interesante që i takonin mesjetës shqiptare. Kjo periudhë, në atë kohë, ishte e pahulumtuar fare dhe zgjonte interes të jashtëzakonshëm tek studiuesi i ri, interesim ky, i cili e preokupon aq shumë, sa bëhet madje pjesëmarrësi kryesor i kësaj veprimtarie shkencore për gjithë jetën e tij.[6]

Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, nga penda e Millan Šufflay-t dolën studime të jashtëzakonshme me vlera të larta shkencore në fushën e albanologjisë. E tillë është vepra monumentale “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, të cilën e boton së bashku me L. Thallóczyn dhe K. Jirečekun.[7]

Materialin e mbledhur, Šufflay, e sistemonte dhe e përcillte me komente të thukta shkencore, kështu që të shumtën këto tekste, paraqesin diskutime me vlerë të lartë dhe mund të shfrytëzohen si studime të veçanta. Puna për përgatitjen e vazhdimit të botimit të kësaj kryevepre ka vazhduar edhe më tutje. Janë përshkruar një pjesë e dokumenteve nga arkiva të ndryshme, është konsultuar literatura përkatëse si dhe është bërë plani konkret për botimin e vëllimit të tretë. Është me rëndësi të ceket se vëllimi i tretë i “Acta Albaniae” nuk ishte i përgatitur për shtyp, ashtu siç është menduar e shkruar deri tani.[8]

               Deri në këtë kohë, vepra më e njohur e M. Šufflay-t, sipas medievistit kroat T. Raukar[9] ishte: “Serbët dhe Shqiptarët”.[10]

               Kontributi i M. Šufflay-t në trajtimin e çështjes së ngritjes së dinastëve shqiptarë në Shqipërinë e Veriut dhe problemin e gjenezës së tyre, e zbërthen në atë mënyrë, që duke gjetur lidhje të ndryshme farefisnore, të gjakut apo martesore me bujarët fqinjë, malazesë, kroatë, grekë, maqedonas, bullgarë, serbë, etj., vëren ndikim të caktuar në organizimin e strukturës shtetërore shqiptare dhe institucionet e tjera të cilat kishin një traditë të gjatë në këto treva.

               Krahas kësaj ai trajton edhe problemin e institucionit të notariatit, të cilin e analizon që nga zanafilla e tij nëpër qytetet bregdetare shqiptare, duke tërhequr një paralele në mes të zhvillimit të këtij institucioni në Italinë veriore dhe Dalmaci nga njëra anë dhe të Italisë jugore dhe asaj shqiptare nga ana tjetër.

               Duke analizuar njësitë politike dhe ato territoriale gjeografike, sipas të dhënave burimore arkivore, M. Šufflay e shqyrton problemin e gërshetimit të elementeve perëndimore dhe lindore në nomenklaturën topografike të Shqipërisë, duke tejkaluar kështu tezat e vjetruara dhe të njëanshme gjoja “shkencore”, mbi influencën eksluzive të Perëndimit apo Lindjes në trevën e Ballkanit, duke arritur kështu në përfundimin e ri shkencor, sipas të cilit në këtë hapësirë gjeografike kemi të bëjmë me influenca të gërshetuara pa ndonjë dallim të favorizuar në llogari të njërit apo të tjetrit ndikim.

               Pas studimeve dhe analizave të posaçme, të bëra pas hulumtimit dhe zbulimit të lëndës arkivore, Šufflay e paraqet kulturën shqiptare në një shkallë të lartë zhvillimi në mesjetë, duke mbrojtur teorinë, se kjo kulturë ishte më e afërt me Bizantin dhe dalmatët, se sa me sllavët e ngulur në Ballkan dhe se kishte një traditë të pasur që nga kohët më të lashta. Kontributi i tij në këtë drejtim është i argumentuar dhe ka themele të forta shkencore.

               Prejardhjen ilire të shqipes e të shqiptarëve, Šufflay e arsyeton me argumentin e pranisë së emrave të vendeve, krahinave dhe vëllazërive të cilat i konsideron për emra ilirë, e që mund të zbërthehen me brumë gjuhësor të shqipes.[11] Në anën tjetër shpreh mendimin se shqipja është një idiomë e ilirishtes dhe fazë e re e një të folmjeje të moçme ilire, ngase shqiptarët jetojnë aty, ku në kohë të lashta kanë jetuar ilirët dhe ishin në këto treva, pa asnjë dyshim, para dyndjes së sllavëve.[12]

               Ndër njësitë e para onomastike që lidheshin me Arbërinë përkatësisht me dëshminë më të lashtë të shkruar; Millan Šufflay, trajton emrin popullor të shqiptarve, përkatësisht prejardhjen e trajtës greke Albanoi, Arvanitai, Albanitai si dhe të asaj slave Raban e Rabanija. Pa u lëshuar në detaje, Šufflay pohon se emri popullor i shqiptarve Alban duhet të ketë si rrënjë një fjalë të ngjashme të ligurishtes, respektivisht se rrënja e këtij emri duhet kërkuar te: alb, “kodër, mal, lartësi” të gurrave paraindoevropiane.[13] Kështu Šufflay në mënyrë përmbajtësore ka analizuar dhe shqyrtuar trajtat e emrit Arbër, Arbëresh, Arbëror, Arbëri, Arbëni dhe ato Shqiptar e Shqipni (Shqipëri), të cilat janë sinonime për emrin shqiptar. Varianti i ri që Šufflay propozon është opinioni se emri Shqiptar heq rrënjët nga emri familjar i një dere bujare drishtase, emrin e së cilës e ndeshim në burimet e shekullit të XIV dhe XV[14] në format Schepuder, Schipuder, Schibudar[15] duke hedhur poshtë teoritë e ndryshme që ekzistonin, por që nuk kishin bazë të fortë shkencore rreth këtij problemi tejet të ndieshëm në shkencën historiografike shqiptare.

               Sadoqë Šufflay ishte një medievist i shkëlqyeshëm e jo gjuhëtar i sprovuar,[16] propozimet dhe interpretimet e tij etimologjike i kanë bërë ballë kohës, duke u pranuar edhe sot si të qëndrueshme, sidomos përsa i përket elementeve onomastike shqiptare në Mal të Zi, sepse ai nuk i konsideronte ato elemente si ndikim të gjuhës apo korpusit onomastik sllav, por si substrat onomastik, përkatësisht si relikte gjuhësore e onomastike shqiptare në ato vise ku elementi shqiptar ishte i pranishëm edhe në mesjetën e hershme.[17]               

Edhe në studimet e tjera të Millan Šufflay-t bie në sy pasuria e madhe e materialit burimor faktologjik, por disi kanë mbetur anash pa u analizuar dhe shyrtuar sa duhet faktorët ekonomikë dhe shoqërorë dhe ndikimi i tyre. Historia e shqiptarëve ishte për të kryesisht historia e një etniteti etnokulturor të dalluar, me rrënjë të lashta autoktone e vazhdimësi të pandërprerë,[18] me një aftësi të jashtëzakonshme rigjeneruese e cila për Millan Šufflay-n paraqet thelbin autentik të historisë së Ballkanit në përgjithësi, e asaj shqiptare në veçanti.[19] 

Në historiografinë kroate, Millan Šufflay paraqitet për herë të parë me një temë nga e mesjeta bizantine.[20] Šufflay nuk i vazhdoi kërkimet dhe studimet e tij në fushën e bizantologjisë,[21] sepse interesimi i tij për këtë periudhë kishte ndryshuar, për shkak të rrethanave të reja të krijuara, e në radhë të parë për shkak të bashkëpunimit me Smiçiklasin, Jireçekun, Thallocin etj.[22]

Studimet dhe hulumtimet e Millan Šufflay-t në fushën e historiografisë kroate kanë lënë një gjurmë të pashlyer, qofshin ato studime të botuara apo dorëshkrime të cilat ruhen në HDA dhe presin të botohen. Metoda e shqyrtimit shkencor, paanshmëria, korrektësia, pedantëria, analizat dhe studimet e nduarduarshme qofshin ato paleografike, diplomatike, etnografike, antropologjike, etimologjike, etj., edhe sot e kësaj dite janë të patjekaluara. Një gjë të tillë ia mundësonte kultura e gjerë, njohja e gjuhëve të shumta,[23] vullneti dhe këmbëngulia që e vërteta çdo herë të ngadhnjente, edhe në ato raste kur dikujt  nuk i pëlqente një gjë e tillë. Edhe pse është shkruar se Millan Šufflay nuk ka shkruar shumë,[24] e vërteta është krejt ndryshe.[25]

Qeveria shqiptare, duke treguar respekt dhe nderim të veçantë për shkencëtarin dhe albanologun e njohur kroat me famë botërore, e ftoi atë në fund të vitit 1930 që të vizitonte Shqipërinë.[26] Kjo ftesë u bë menjëherë pasi “Kaiserliche Akademie der Wissenschaften in Wien”[27]  i kishte propozuar Šufflay-t të vazhdonte botimin e vëllimit të tretë të “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”. I pritur me nderimet më të larta shtetërore, që nga mbreti Zogu i Parë, kryeministri, ministri i kulturës dhe më në fund nga anëtarët e Parlamentit shqiptar, Millan Šufflay-t i njihet, dhe në një farë mënyre, i shpërblehet gjithë mundi që kishte bërë në hulumtimet dhe kërkimet shkencore në fushën e albanologjisë dhe veçanërisht në studimin dhe botimin e dokumenteve mesjetare të cilat deri në atë kohë pothuajse ishin të panjohura fare.[28] I shoqëruar nga intelektualë[29] dhe politikanë shqiptarë, studiuesi i madh kroat, viziton arkiva të ndryshme kishtare, biblioteka, pika arkeologjike dhe njihet për së afërmi me kulturën dhe traditën shqiptare, për të cilën kishte shkruar aq shumë. “Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, ai kishte arritur deri te disa zbulime shumë të rëndësishme për shtrirjen e territorit kroat /në mesjetë/ përgjatë gjithë bregdetit të Adriatikut që nga lumi i Rashës në Istër e deri te Shkodra, përkatësisht te abacia e Shën Gjergjit në Bunë.”[30] I impresionuar nga mbishkrimet dhe dokumentet[31] e shumta mesjetare, ai kërkon që pjesa më e madhe e tyre të fotografohen ose të përshkruhen[32] që më vonë kur të kthehej në Zagreb t’i studjonte me themel dhe të nxirrte konkludime të rëndësishme shkencore. Për fat të keq, një gjë të tillë nuk arriti ta e bënte kurrë ngase u vra nga dora kriminale e policisë serbe.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, M. Šufflay[33] mban një fjalim në Parlamentin shqiptar më 16 janar 1931, ku në mënyrë të hollësishme elaboron punën rreth botimit të vëllimeve në vazhdim të “Acta Albaniae”[34], si dhe të “Historisë së Shqipërisë”. Për këtë gjë, Parlamenti shqiptar nga buxheti i shtetit, e urdhëron ministrin e arsimit, Hilë Mosin,[35] që në emër të shpenzimeve të paguante në “Banque Commerciale de Bâle á Zurich”,[36] në llogari të dr. Millan Šufflay-t, shumën prej 75.000 frangash ari.[37]

Punimet dhe studimet e tij janë të shpërndara nëpër gazeta dhe revista të kohës, por edhe ato të botuara si libra të posaçme, janë të njohur vetëm për një numër të vogël specialistësh dhe studiuesish, ndërsa lexuesi i gjerë nuk ka njohuri për ekzistencën e tyre.


[1] Hrvatski Državni Arhiv (HDA), Fond 832, Rukopisna ostavština Milana Šufflay, (R. O M. Š), kutitë: 10-13.

[2] Ne me këtë rast, qëllimisht nuk po shënojmë emrin e akademikut shqiptar, por tëinteresuarit mund ta gjejnë në studimet dhe shkrimet tona për M. Šufflay-n

[3] Ne kemi studiuar dorëshkrimet origjinale të romanit të M. Šufflay-t fund të vitit 1996 dhe fillim vitin e 1997, në: Hrvatski Državni Arhiv (HDA), Fond 832, Rukopisna ostavština Milana Šufflay, (R. O M. Š), kutitë: 10-13, së abshku me kopjen e shtypur të botimit të parë në kroatisht. Me rastin e ribotimit në kroatisht tëkëtij romani në vitin 2002, një fjalën hyrëse e ka shkruar Ante Krmpotić. Botimi është bërë nga: Bashkësia e Shqiptarëve të Kroacisë, me seli në Zagreb, nën përkujdesjen tonë. Ky ribotim (nuk ishte ribotim anastatik, siç ndodhi me veprën tjetër në vitin 2002 “Acta e diplomata”), u shit dhe u shpërnda falas shumë shpejt dhe menjëher pasuar edhe tre ribotime tjera më 2004, 2005 e 2007 në Zagreb,nga botues të ndryshëm.

[4] Zoti Mesur Gjergjizi në atëkohë ishte kryetar i Bashkësisë së Shqiptarëve të Kroacisë, me seli në Zagreb. Me rastin e ribotimit në kroatisht tëkëtij romani në vitin 2002, një fjalën hyrëse e ka shkruar prof. dr. Ante Krmpotić. Botimi është bërë nga: Bashkësia e Shqiptarëve të Kroacisë, me seli në Zagreb, nën përkujdesjen tonë. Ky ribotim (nuk ishte ribotim anastatik, siç ndodhi me veprën tjetër në vitin 2002 “Acta e diplomata” të cilën poashtu e kemi përgatitur ne për botim. Kjo vepër u botua në Prishtinë), u shit dhe u shpërnda falas shumë shpejt dhe menjëher pasuar edhe tre ribotime tjera më 2004, 2005 e 2007 në Zagreb,nga botues të ndryshëm.

[5] Shih: Hrvatski Državni Arhiv (HDA), Fond 832, Rukopisna ostavština Milana Šufflay, (R. O M. Š), kutitë: 10-13

[6] Zekerija Cana, Millan Shuflaj…  f. 97-98; i njëjti në parathënien e përkthimit shqip të librit Serbët dhe Shqiptarët. Prishtinë, 1968, f. 9.

[7] Ludovicus Thallóczy, Constantinus Jireček et Emillianus de Sufflay. Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia. Volumen I. (Annos 344-1343 tabulamque geographicam contens). Vindobonae: Typis Adolphi Holzhausen, 1913, vëll. I dhe vëll. II, Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia. Volumen II. (Annos 1344-1406 continens). Vindobonae: Typis Adolphi Holzhausen, 1918. Sikurse theksuam më lartë përgaditjen për botimin anastatik (fototipik) të kësaj vepre të Milan Šufflay-t e kemi bërë ne. Vepra është botuar në vitin 2002 nga “Drejtoria e Përgjithëshme e Arkivave & Revista EKSLUZIVE, në Tiranë-Prishitnë, dhe është shytpur në shtypëshkronjën e “Dukagjinit” me seli në Pejë. Kjo vepër sot është raritet bibliografik.

[8] Pothuajse të gjithë studiuesit e Šufflay-t kanë pohuar se vëllimin  e tretë të “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, i cili ishte i përgatitur për botim, e ka konfiskuar policia menjëherë pas vrasjen së tij. Aleks Buda, [red.], Fjalori enciklopedik shqiptar (FESH), Tiranë, 1985, f. 1070; J. Horvat, Hrvatski … f. 225; D. Sagrak, Dr. Milan Šufflaj… f. 90; Jaroslav Šidak, Enciklopedija Jugoslavije, vëll. 8, Zagreb 1971, f. 273. Z. Cana, Letërkëmbimi… f. 282; etj. Në fakt e vërteta është krejt ndryshe. Millan Šufflay, vetëm kishte përshkruar dhe mbledhur një pjesë të dokumenteve të cilat mendonte t’i botonte në vëllimin e tretë. Ai nuk e kishte përgatitur fare dorëshkrimin. Në HDA R. O. M. Š., këto dokumente ruhen të shpërndara dhe të pasistemuara në disa kuti. Po ashtu i paqëndrueshëm dhe jo i saktë është edhe pohimi se është gjetur dorëshkrimi i vëllimit të tretë të “Acta Albaniae”.  D. Sagrak,  Dr. Milan Šufflaj… f. 1.

[9] “Sažima svoja dotadašnja znastvena nastojanja, dodajući im i jake elemente filološke i sociološke analize. Ova knjiga njie studija samo o Albaniji u srednjem vijeku, ni o srpsko-albanskim odnosima, nego široko zasnovana prostorna i društvena sinteza o jadransko-balkanskom srednjovekovlju, usredotočena oko albanske povijesti.” Tomislav Raukar, Milan Šufflaj i hrvatsko srednjovekovlje. Kolo. Zagreb, 1991, nr. 3, f. 126.

[10] Ky studim u botua për herë të parë në gjuhën sllave në Beograd me 1925. Në shqip u përkthye për herë të parë  në Tiranë në vitin 1926, nga Karl Gurakuqi dhe Zef Ferkeçi, e pastaj në Prishtinë me 1968, nga Zekerija Cana e Abdullah Kajragdiu. Kanë vazhduar botimet e përkthimit të kësaj vepre herë me emër të përkthyersit e herë pa emër të përkthyesit. Është interesant fakti se kjo vepër u botua e përkthyer në gjuhën shqipe në vitin 2022, nga përkthyesi Arben Ndreca (përktheu nga kroatishtja dhe pajisi me shënime Arben Ndreca; Lektorimi: Migena Shyti Kapllani) me titull të ndryshuar nga botimi i parë i vetë Millan Šufflay-t: “Serbët dhe Arbërit. Simbioza e tyre në mesjetë”, botuar në kuadrin e “Rradhonjtë e Shéjzave” nga “BERK”. Përkthyesi, për mendimin tonë ka gabuar duke i ndërruar titullin botimit origjinal. Në një nga studimet tona së shpejti do trajtojmë këtë çështje të këtij përkthimi.

[11] Skënder Gashi, Kontributi i K. Jireçekut, M. Shuflajt e i I. Popoviqit studimit te onomastikës shqipe dhe albanizmave ndër sllavët e jugut. Prishtinë: Dituria, 1981, nr. 1-2, f. 114.

[12] Millan Šufflay, “Biologie des Albanischen Volksstammes,” Ungarische Rundschau 1916, viti V, f. 12-13; S. Gashi, Kontributi… f. 114.

[13] M. Šufflay, Biologie… f. 6; S. Gashi, Kontributi… f. 117.

[14] Shiko Çabej, dhe arkivi i Dubrovnikut.

[15] Konstantin Jireček, Die Romanen in den Städten Dalmatiens während des Mittelalters. Wien, 1901-1904, f. 51. S. Gashi, Kontributi… f. 117.

[16] S. Gashi, Kontributi… f. 119.

[17] S. Gashi, Kontributi… f. 119.

[18] S. Gashi, Kontributi… f. 114.

[19] A. Buda, FESH,  f. 1070.

[20] Milan Šufflay, Hrvatska i zadnja pregnuća istočne imperije pod željezom triju Komnena (1075-1180). Zagreb, 1901, f. 1-63.

[21] “Šufflaj nikada nije nastavio to početno bizantološko istraživanje jer je njegovo znanstveno zanimanje uskoro krenulo novim smjerovima, ali je taj prvi objavljeni rad ipak zanimljiv jer su u njemu primjetne dvije značajke što će ga obilježavati u sveukupnom kasnijem djelovanju: osjećaj za povijesno vrelo i smisao za obzorje sinteze.” T. Raukar, Milan Šufflaj… f. 124.

[22]  Një mednim i tillë është shumë interesant dhe paraqet një nga vlerësimet e para pozitive për veprën e Millan Šufflay-t nga ana e shkencëtarve bashkëkohorë kroat, të cilët për një kohë të gjatë e kishin margjinalizuar, për të mos thënë se e kishin lënë krejt anash. Edhe më interesant është mendimi i akademikut Dubravko Jelçiqit: “Tek pola godine poslije slobodnih izbora, organiziran možda i prvi javni skup na Sveučilišnoj razini, na kojemu je obnovljeno naše zapretano znanje o njemu kao znanstveniku i piscu koji je ostavio duboki trag, jer je u svemu što je promišljao i o čemu je pisao bio inovantan, a u svestranosti gotovo unikatan: znanstvenik i književnik, povjesničar i politikolog, albanolog svjetskoga glasa, možda i uopće najveći dosad istraživač i najbolji znalac Albanije i albanskog etnosa, albanske prošlosti i albanske kulture; a istodobno bio je i kroatolog neograničenih vidika, svakako jedinstven, izvoran i doslovce neponovljiv i širinom i dubinom i dalekoseženošću svojih razmatranja hrvatskih tema od same pojave Hrvata u povijesti pa do jegova vremena.” Dubravko Jelčić, Sanjar i realist između političke fantastike i političke pragmatike. Hrvatsko pravo. Zagreb, 29 janar 1999, viti V, nr. 197, f. 13.

[23] Millan Šufflay ishte poliglot i vërtetë, ai fliste: kroatisht, gjermanisht, hungarisht, frengjisht, anglisht, italisht, latinisht, greqishte të vjetër, mesjetare dhe të re, sanskritisht si dhe natyrisht të gjitha gjuhët sllave. Gjuhën shqipe e kuptonte, por nuk e fliste e as nuk e shkruante. Për këtë fakt gjejmë të dhëna orijginale nga dorëshkrimet e vetë Millan Šufflay-t qësot ruhen në: Hrvatski Državni Arhiv (HDA), Fond 832, Rukopisna ostavština Milana Šufflay, (R. O M. Š), kutitë: 5 /f. 21-23/, 7 /f. 6-8/ e 16 /f. 49-50/.

[24] D. Jelčić, Sanjar i realist… f. 13; por edhe të tjerët të cilët kanë sjellë bibliografinë e Šufflay-t ose të dhëna bibliografike si: Franjo Perše, Milan Šufflaj. In memoriam-prigodom 25. Godišnjice smrti /18.II.1931/. Hrvatska revija. Buenos Aires, 1956, viti IV, nr. 4, f. 315-318, sjell 114 tituj në: “Hrvatska Gruda”, 12 shkurt 1941, viti V, nr. 182, f. 6, me autor anonin, sjell 115 tituj; D. Sagrak, Milan… f. 115-119, sjell 116 tituj. Ndërsa sa i përket  asaj se sa punime janë shkruar mbi Šufflay-n, kemi disa të dhëna: Tomislav Držić, Dr. Milan Šufflaj… f. 25, pohon: “koliko je poznato, objavljeno je oko 200 članaka, pa i nešto brošura”; Mladen Švab, në artikullin e tij: Pravaš… Hrvatsko pravo. Zagreb.  1991, f. 23, sjell të dhënën se janë shkruar më shumë se 180 tituj; Petar Strčić – Bosiljka Janjatović, në studimin e tyre: O ubojstvu dr. Milana Šufflaja. Historijski Zbornik. Zagreb. 1993, viti XLVI, nr. 1, f. 89, sjellin 37 tituj; ndërsa ne bibliografinë që e kemi gati për botim, kemi shënuar 637 zëra bibliografikë.

[25] Në studimin tonë bibliografikë, ku janë shfletuar rreth 72 organe të gazetave dhe revistave të ndryshme, kemi arritur të saktësojmë se M. Šufflay ka botuar 3.219 zëra bibliografikë, përfshirë këtu edhe botimet e veçanta. Është kjo dëshmi e cila hedh poshtë të gjitha pohimet e deritanishme se Šufflay ka shkruar pak. Darko Sagrak, Policija pratila Šufflayn do smrti i dostavlja izvješća kralja u Beograd. Veçernji list. Zagreb. 43 (1999), nr. 12833 (19. VI.), f. 34 – 35.

[26] Për hollësi shiko edhe: HDA, Fond 832, Rukopisna ostavština Milana Šufflaja, (R. O M. Š), kutia 9,  nr. 255; Zekerija Cana, Milan Shuflaj. Me rastin e 100-vjetorit të lindjes. Shpalime historike. Prishtinë, 1985, f. 108; Tomislav Držić, Dr. Milan Šufflaj: Znanstvenik, političar i žrtva. Večernji list, Zagreb, 22 shkurt 1991, viti XXXV, nr. 9883, f. 29; në mënyrë të gabuar e shënon këtë datë, Geörgy Daniel në punimin e tij: Të dhëna për jetën dhe veprën e Milan Shuflajt. Gjurmime albanologjike – seria historike. /Recherches albanologiques – série historique/. Prishtinë, 1982, viti XI (1981), f. 287-291; Julio Szekfü, Tragedija Milana Šufflay.  Magyar Szemle. Budapest, 1931, nr. 4, përkthimi i këtij artikulli është në kroatisht dhe ndodhet në HDA, RO M. Š., kut. 9, nr. 109-113 (1-10); të njëjtin artikull e sjell edhe Darko Sagrak, Dr. Milan Šufflaj hrvatski aristokrat duha. Zagreb, 1998, f. 155-161.

[27] HDA, RO M. Š. kut. 9, nr. 110 (3); Pavle Radić, Rukopisna ostavština Milana Šufflaja. Vodić HDA-Zagreb., f. 17.

[28] Stjepan Antoljak,  Milan Šufflaj kao paleograf i diplomatičar. Arhivski Vjensik. Zagreb, 1995, viti XXVIII, f. 140.

[29] Gjatë kësaj vizite të vetme në Shqipëri, ai është shoqëruar nga Lumo Skendo (alias Mit’hat Frashëri), Hil Mosi, Abdurrahman Dibra, Mehdi Frashëri, etj.

[30] Grgo Pejinović, Dr. Milan Šufflaj i Crvena Hrvatska. /Tragovima hrvatske prošlosti./. Ustaša. Zagreb. 22 shkurt 1942, viti XII, nr. 8, f. 7.

[31] Millan Šufflay një pjesë të pergamenëve dhe dokumenteve origjinale i kishte marrë me vete me t’u kthyer në Zagreb. Sot nuk dihet asgjë për fatin e këtyre dokumenteve.

[32] HDA, RO M. Š. kut. 6, III/3, A. d., nr. 501-5014. Fotografitë janë ende të pabotuara dhe kanë një vlerë të jashtëzakonshme, për shkak se në to vërehen mbishkrime të ndryshme të gdhenduara në gurë në lokalitete të shumta të Shqipërisë, dhe sot disa nga to nuk ekzistojnë më.

[33] Profesor Shuflaj gjendet në kryeqytet. Arbënia, Tiranë, 16 janar 1931, viti II, nr. 126, f. 1.

[34] Lumo Skendo, Profesori Milan Shuflaj dhe histori e Shqipris. Vullneti i Popullit. Tiranë, 25 janar 1931, f. 3.

[35] HDA, RO M. Š. kut. 9, nr. 268 e 274.

[36] HDA, RO M. Š. kut, 9, nr. 193;  Z. Cana – Y. Jaka, Letërkëmbimi i Milan Shuflajt rreth studimeve shqiptare. Populli shqiptar në kapërcyell të shek. XX. Prishtinë, 1991, f. 313; Titulli i bankës është i shkruar kështu në të gjitha dokumentet që kemi shfytëzuar deri tani.

[37] Kjo shumë e cila ndodhet edhe sot e kësaj dite në bankën e Zvicrës, është ekuivalente me 4 milion dollarë. Rreth kësaj shume ekzistojnë mendime të ndryshme të cilat janë të gabuara, ngase nuk janë konsultuar  dokumentet arkivore që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror të Tiranës dhe ato në HDA të Zagrebit. Psh.: Josip Horvat, Hrvatski panoptikum, Zagreb, 1965, f. 229; të njëjtin gabim e përsërit edhe Tomislav Držić, në punimin e tij: Dr. Milan Šufflaj: Znanstvenik, političar i žrtva. Večernji list. Zagreb, 22 shkurt 1991, viti XXXV, nr. 9883, f. 29, të gjithë këta pohojnë se Šufflay-t i ishin paguar 100. 000 franga zviceriane 

Filed Under: Politike

Me rastin e zbulimit të OBELISKUT të bunkerit më të ‘çuditshëm’ në botë!

June 29, 2024 by s p

Nusret PLLANA/

Me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës nga barbaria serbe dhe, në shenjë të 25 vjetorit të përfundimit të transmetimit të programeve të Radios “Kosova e Lirë”( 4 janar 1999 – 21 qershor 1999), në majen e malit Pallanik të fshatit Berishë të Drenicës heroike, zbuluam OBELISKUN e bunkerit të R.”Kosova e Lirë”, vlerë e përjetshme luftës së lavdishme të UÇK-së, dhe shenjë e kujtesës historike, e cila nuk do të shuhet kurr më, anipse ishte lënë në harresë nga Institucionet tona për 25 vite rresht.
Faleminderit shumë Agjencionit për mbrojtjen e monumenteve kulturore të Republikës së Kosovës(sponsor gjeneral) dhe Komunës së Malishevës, që na ndihmuan shumë për ta finalizuar këtë projekt të rëndësisë së veçantë historike e kombëtare, pa i harruar t’i falënderohemi Kompanisë “SMAKAJ” dhe Kompanisë “ARDI”, për punët e kryera me shumë përgjegjësi e profesionalizëm.
Faleminderit shumë dhe donatorëve të shumtë privat, emrat e të cilëve do ti publikojmë shumë shpejt, duke i veçuar kurbetçarin nga Zvicrra, Prof.mr.sc.Xhavit Lipaj dhe z. Mentor Pllana të Kompanisë “ InstaBuilt”pa të cilët, as që ka qenë e mundur të kryhen punët e vrazhda në terren, përkatësisht zgjërimi dhe shtruarja e rrugës prej më tepër se dy kilometra në zhavor.
Një falënderim i veçantë i takon gazetarit shembullor të Tëvë1, z. Fidan Zejnullahu, i cili është i pari që përmes një storje në lajmet qendrore të T7, e pat shpreh shqetësimin e tij për gjendjen katastrofale të bunkerit( deri në rrënim të plotë), për tu bërë lajm shumë viral, që pastaj filloi e mbara për meremetimin e tij dhe ngritjen e OBELISKUT, në një lartësi gati 17 metra.
Faleminderit të gjithë juve vëllezër e motra, që morët pjesë më 21 qershor 2024, në ora 13:00, në manifestimin tonë të përbashkët në majen e lartë të Pallanikut, edhe përkundër temperaturave të larta ekstreme.
Faleminderit shumë Kryesuesit të Kuvendit Komunal të Malishevës, z. Argjend Thaqi, Kryetarit të Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj e Gjeneral Avdyl Mushkolajt me bashkëluftëtarët e tyre, të cilët na nderuan me prezencën e tyre, siç edhe deputeti Nait Hasani e z. Fatmir Shurdha dhe shumë familjarëve të dëshmorëve e martirëve të kombit, që na e madhështuan atë manifestim të bukur me prezencën e tyre.
Faleminderit këngëtarit Florim Berisha me shokët, që e promovuan për herë të parë një këngë folklorike kushtuar dëshmorëve të UÇK-së, të kësaj rrafshnalte, që ranë heroikisht në mbrojtje të pozicioneve luftarake, për të mos vdekur kurrë. Faleminderit shumë dhe moderatores së shkëlqyeshme, znj. Gloriosa Dobra, për udhëheqjen brilante të këtij manifestimi të mrekullueshëm me karakter kombëtar e historik! Faleminderit Gramos Salihu, për xhirimet me kamerë dhe fotot profesionale!

Filed Under: Kronike

EUROSTAT PËRGËNJESHTRON INSTAT!

June 29, 2024 by s p

Bujar Leskaj/

Sipas të dhënave të INSTAT nga Censi i viti 2023, popullsia në Shqipëri është 2.4 milionë banorë. Duke patur parasysh që Censi i vitit 2011 rregjistroi një popullsi prej 2.8 milionë banorë, sipas INSTAT, i bie që të jenë larguar nga vendi në 12 vitet e fundit vetëm 430 mijë banorë, duke qenë se diferenca vjetore mes lindjeve dhe vdekjeve natyrore ka qenë tek ne rreth 2000-2500 vetë.

Sipas të dhënave nga EUROSTAT, Diaspora e Re shqiptare në vendet e Bashkimit Evropian numëron 1.68 milionë vetë dhe nga Shqipëria janë larguar në 12 vitet e fundit mbi 900 mijë banorë, vetëm në vendet e Bashkimit Europian, pa përfshirë këtu ata që janë larguar në Britaninë e Madhe, Kanada, Autrali, SHBA etj, për të cilët nuk ka një llogaritje zyrtare.

Ky përbën një përgënjeshtrim shumë serioz të EUROSTAT, ndaj shifrare të ofruara nga INSTAT për Censin 2023, pas 8 muajve vonesë. Numri real i popullsisë ka qenë një çështje shumë e diskutuar, si pasojë e largimeve të shumta nga Shqipëria në 12 vitet e fundit.

I. INSTAT ka shkelur Kodin e Statistikave të Bashkimit Evropian

Këmbëngulja e INSTAT se rezultatet e Censit 2023 nuk mund të shpallen përpara qershorit 2024 është krejt e pabazuar dhe e pakuptimtë. Ajo përbën një kambanë të fortë alarmi mbi besueshmërinë e shifrave që ky institucion do të na japë ne fund te ketij muaji.

Pagojësia e INSTAT për të dhënë shkaqet e vonesës dëshmon praninë e presioneve të forta politike dhe porosinë-urdhër që institucioni ka marrë nga sekti Rama dhe vetë “Lideri Global”, që për tetë muaj të mbyllë gojën dhe të mos vërtetojë, përmes Censit 2023, braktisjen masive të vendit!

Është ky urdhër që e ka detyruar këtë institucion të pavarur kombëtar, të shkelë Kodin e Statistikave të Bashkimit Evropian, i quajtur Kodi i Praktikës së Statistikave Evropiane (https://ec.europa.eu/…/european-statistics-code-of… ), i cili flet për parimin themelor të “neutralitetit”, pavarësise në procesin e prodhimit të statistikave evropiane, pa asnjë presion politik apo nga grupe të tjera të interesuara.

Kodi i Praktikës së Statistikave Evropiane sanksionon qartë se institucioni që prodhon statistika kombëtare nuk lejohet të kërkojë ose të pranojë udhëzime nga qeveria, autoritetet e tjera shtetërore, partitë politike ose grupet e tjera të interesit. Aq më tepër, kur këto “udhëzime” janë presione të forta politike e madje urdhëra.

INSTAT ka vonuar të vërtetën e hidhur të braktisje masive të Shqipërisë nga qytetarët e saj, pasi qeverisë së sektit Rama nuk i intereson të dijë sa kemi ngelur. Dhe tani, INSTAT del me manipulimin e rezultatit. Sa turp për këtë institucion!

II. Pse kjo vonesë absurde prej tetë muajsh?

Këtë veprim e përforcon dhe më tepër fakti që, edhe kur u zhvillua Censusi në tetor 2023, pasi u shty dy herë, rezultatet INSTAT i nxjerr rreth 8 muaj më vonë, me një arsyetim totalisht të pabesueshëm: “Të dhënat duhen të jenë të sakta”(?!).

Po pse, nuk i paska patur të sakta Kosova rezultatet e Censit të saj, të zhvilluar nga data 4 prill 2024 deri në datën 24 maj 2024? Më datë 27 maj Kosova ka dhënë popullsinë e saj rezidente si numër, ndërsa më 12 korrik 2024 do të publikojë të dhënat më të detajuara paraprake (afërsisht për 7 javë).

Nuk i paska patur të sakta Mali i Zi rezultatet e Censit të tij, që e zhvilloi nga data 3 deri në datën 30 Dhjetor 2023 dhe i publikoi rezultatet paraprake më 25 janar 2024, pra në më pak se një muaj?

Apo Serbia, që e zhvilloi Censin nga data 1 deri më datën 31 tetor 2022 dhe i publikoi të gjitha rezultatet për 7 javë, më datë 21 dhjetor 2022?

Është shumë e rëndësishme të theksoj se Censi i fundit në Shqipëri u mbajt në tetor 2011. Ai u zhvillua pa praninë e teknologjisë digjitale dhe megjithatë, të dhënat paraprake të tij u shpallën zyrtarisht në dhjetor 2011. Pra, vetëm tre muaj edhe pse ishte tërësisht jo digjital, INSTAT-it të asaj kohe iu deshën vetëm tre muaj për mbledhjen e të dhënave dhe përpunimin paraprak të tyre.

Sot INSTAT jep një shifër totalisht të pabesueshme, nisur nga të dhënat indirekte, të publikuara nga EUROSTAT. Jep një shifër të manipuluar, edhe pse e di se mbi këtë shifër do të realizohet çdo politikë ekonomike dhe sociale për dhjetëvjeçarin e ardhshëm.

Shpopullimi masiv i Shqipërisë tashmë është i dokumentuar në databazën e të dhënave të vendeve ku kanë emigruar, i çertifikuar nga EUROSTAT dhe INSTAT-it nuk i ngelet veçse të turpërohet për këtë që ka bërë.

III. Pse INSTAT humbi besimin dhe emrin e tij të mirë?

Më duhet të pohoj me keqardhje se INSTAT humbi besimin dhe emrin e tij të mirë në publik dhe mes të gjithë veprimtarëve shoqërorë dhe ekonomikë, duke mos publikuar në kohë të dhënat kryesore të numërimit të popullsisë, Censit 2023, si dhe duke manipuluar sot treguesin kryesor te Censit, numrin e popullsise rezidente sot ne Shqiperi.

Këto rezultate janë shumë të rëndësishme për të gjithë veprimtarët shoqërorë dhe ekonomikë të vendit, për institucionet publike, për vendim-marrësit publike ne nivel qendror dhe vendor, për opozitën, shoqërinë civile, mediat dhe opinionin publik.

Rezultatet influencojnë direkt politikat e asistencës sociale, të nxitjes së punësimit, të përcaktimit të minimumit jetik zyrtar, të vendim-marrjes së sipërmarrjeve publike sh.a. dhe sipërmarrjeve private, etj..

Përmes këtyre rezultateve, mund të gjykojmë, për shembull, përse administrata vendore vijon të fryhet dhe zgjerohet, në një kohë kur që nga viti 2011, koha e Censit të fundit, popullsia e vendit, nga 2.8 milionë banorë është ulur ndjeshëm.

Të dhënat reale mbi numrin e popullsisë në qarqe të ndryshme, sidomos ato në zona të largëta të vendit, ku popullsia është përgjysmuar ose pakësuar edhe me një të tretat, do të ndihmonin në shtimin e kujdesit, fondeve dhe vëmendjes së qeverisë qendrore, ndaj rajoneve, bashkive dhe zonave ku shpërngulja e qytetareve është më e madhe.

Me vonesën 8 mujore nga nëntori 2023, deri në fund të qershorit 2024, INSTAT ka dëmtuar të gjitha këto procese jetike, për t’i siguruar vendit një vendim-marrje të orientuar nga politikat e sakta sociale dhe të zhvillimit të balancuar ekonomik.

Në shkurt 2024, në përgjigjen publike drejtuar një deputeti të opozitës, lidhur me arësyet e vonesës në publikimin e të dhënave të Censit 2023, INSTAT shpjegon se nuk ka asnjë vonesë, pasi publikimi i rezultateve të Censit 6 muaj pas përfundimit të proceseve të terrenit, mbledhjes së të dhënave dhe anketës së post-Censit, janë afatet më të afërta për publikimin e të dhënave të Censit sipas standardeve ndërkombëtare (Regulation (EC) No.763/2008 on Population and Housing Censuses.

Referimi i Direktivës së Komisionit Evropian Nr. 763/2008 mbi Censuset e Popullsisë dhe Banesave nuk është i saktë. Në fakt, për fat të keq, ai po i shërben si një gjethe fiku INSTAT!

Afatet e dhëna janë në funksion të drejtpërdrejtë të madhësisë së një Shteti Anëtar të BE-së, të vështirësive të terrenit ku mblidhen të dhënat, etj.

Referencat e kohëzgjatjes së Censit për një vend me karakteristikat e Shqipërisë, nëse do të ishte Shtet Anëtar i BE-së, do të ishin për dy deri në maksimumi tre muaj, për publikimin e të dhënave kryesore, pas përfundimit të numërimit në terren!

IV. Shndërrimi i INSTAT në një institucion të pagojë, marionetë e sektit Rama

Teknologjia me programe kompjuterike të specializuara, e përdorur në Censin e fundit, i lejonte INSTAT të përpunonte në një kohë shumë më të shkurtër informacionin e marrë dhe të publikonte të dhënat kryesore shumë më shpejt, brënda një ose dy muajve, pra në dhjetor 2023 ose janar 2024, ndërsa për të dhënat e plota, mund të pritej edhe tre muaj, deri në shkurt 2024.

Lind pyetja, pse në Shqipërinë e epokës së internetit, ku të 7,500 intervistuesit e INSTAT u pajisën që të gjithë me tabletat elektronike për të rregjistruar dhe administruar në kohë reale informacionin e mbledhur tërësisht në mënyrë digjitale, rezultatet u shpallën në fund te qershorit 2024?

Pse e paskemi kaq të vështirë të numërojmë shqiptarët e mbetur në vend, në një kohë kur Censi i fundit në Kinë, me popullsi 1,4 miliardë banorë, filloi në nëntor 2020 dhe, edhe pse, në kulmin e pandemisë nga Covid 19, te dhenat kryesore i shpalli pak muaj më vonë, në maj 2021? Pse ne duhet të presim tetë muaj, nentor 2023-qershor 2024? Sa është popullsia jonë, mbi 1.4 miliardë banorë?!

Vonesa krejtësisht e pajustifikuar në shpalljen e rezultateve paraprake të Censit 2023 në Shqipëri, kur përpara 12 vitesh, qeveria e drejtuar nga Prof. Dr. Sali Berisha këto rezultate i shpalli brenda 3 muajsh, hedh dyshime të forta mbi shifrat që INSTAT na dha sot.

INSTAT, me vonesën e shkaktuar, është degraduar dhe deformuar. Është kthyer në një institucion të pagojë, institucion-marionetë i sektit Rama, i paaftë të ruajë integritetin dhe profesionalizmin, duke humbur emrin e tij të mirë, të fituar në dekada kontribute.

Filed Under: Ekonomi

Në Shën Pjetër pas 50 vitesh

June 29, 2024 by s p

Julika Prifti/

Shën Pjetri ishte një nga festat më të bukura të pushimeve verore gjatë fëmijerisë sime. Të rritur e pleq, prindër e fëmijë shkonim bashkë të pastronim kishën e vogël në kodrën përmbi Rehovë, fshatit të vendlindjes së babait tim, Naum Priftit.

Të djelën në mëngjes pas rënies së këmbanës, banorët e Rehovës ngjiteshin përpjetë deri tek kisha e Shën Pjetrit për të dëgjuar meshën dhe për të ndezur qirinjtë që shoqëronin një lutje a kërkesë të zemrës së tyre. Aty aroma e qirinjve përzihej me erën e barit dhe pemëve të gjelbëruara. Ndonëse tradita u prish në vitet ’70, në kujtesën e rehovarëve u ruajt sikur të mos ishte shuar kurrë.

Këtë verë kisha fatin të jem në festën e Shën Gjergjit pas më shumë se 50 vitesh. U mrekullova. Nuk e kisha imagjinuar se do të ishin kaq shumë njerëz që vinin nga çdo anë brenda dhe jashtë atdheut. Nga përfaqësuesit zyrtarë, ishte i pranishêm Kryetari i Bashkise z. Erion Isai.

Pas përfundimit të meshës, orkestra e prenotuar nga Bashkia luajti këngë të njohura popullore të zonës. Kënga dhe vallja mblodhi në sheshin anash kishës edhe grupe të tjera që ishin qeflinj të valleve kolonjare.

Qilimat e velënxat e shtruara nën hijet e pemeve, mbulesat e bardha, pjatat me ushqime e gotat me pije e plotësonin tablonë e festës që kisha në kujtesën time. Disa të tjerë kishin sjellë me vete tavolina e karrike dhe shijonin ushqimet e tyre njësoj si në ambiente natyrore në një restorant luksoz.

Meqë festa në Shën Pjetër është në fund të qershorit dhe shkollarët janë me pushime, aty kishte aq shumë fëmijë sa ishte e lehtë që nga zërat e bisedat e tyre të kishe ndjesinë e ringjalljes.

Natyrisht ata kanë ardhur për verim por ditë të tilla në Shën Pjetër rrëzë Gramozit mund t’i sjellin këtu një ditë. A nuk u kthyen stërgjyshërit e gjyshërit tanë nga kurbeti duke lënë qytetet e famshme të botës ku kishin jetuar e punuar për vite me radhë?

Festa më ngjalli kujtimet e shkuara të fëmijerisë sime si edhe një shpresë për vazhdimësinë e jetës në Rehovën e dashur.

Filed Under: Reportazh

VATRA PËRKUJTOI 80 VJETORIN E GJENOCIDIT GREK MBI SHQIPTARËT E ÇAMËRISË

June 29, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 29 qershor 2024- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” përkujtoi në Selinë Qëndrore në New York 80 vjetorin e gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë. Në fjalën e hapjes Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj theksoi se gjenocidi grek mbi shqiptarët e pafajshëm të Çamërisë ishte një ndër ngjarjet më të tmerrshme të ndodhura ndaj popullsisë shqiptare. Në kumtesën e Ndriçim Kullës lexuar nga Nancy Kajo u tha se: “Zhdukja me çdo kusht e minoritetit shqiptar të çamërisë u bë një nga detyrat më të rëndësishme të grekërve për të realizuar të ashtuquajturën “Ide të madhe” të tyre, edhe pse ishte një detyrë agresive dhe kishte në thelb kryerjen e një akti çnjerëzor. Grabitjet e dhunshme të pasurisë së shqiptarëve, stimulimi i grekërve për t’u vendosur në fshatrat me popullsi çame dhe për të ndryshuar strukturën e përbërjes së popullsisë dhe shfrytëzimi arbitrar i pasurisë së tyre ishin veprime të përditshme që u bënë gjithmonë me urdhëra të qeveritarëve të Athinës veprime këto të stilit fashist”. Alket Veliu

Drejtues i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” në kumtesën e dërguar për këtë përkujtimore lexuar nga editori i Diellit shprehet se: “Masakrat dhe spastrimi etnik, duke dëbuar dhe shpërngulur me dhunë popullsinë shqiptare myslimane të Çamërisë, përbëjnë një ngjarje tragjike që ka lënë gjurmë të thella në historinë e kombit tonë. Kanë ndodhur krime monstruoze, që kapërcejnë çdo lloj imagjinate kriminale, krime të cilat kanë mbetur pa u ndëshkuar dhe, akoma më keq, as nuk pranohen nga pasardhësit e ekzekutorëve të këtyre krimeve” thuhet ndër të tjera në kumtesën e z.Veliu. Patrioti i shquar çam Ahmet Xhafo në fjalën përshëndetëse të dërguar për këtë takim shprehet se gjenocidi grek ishte “një krim që ndodhi mu në zemër të qytetërimit europian e askush nuk reagon, fatkeqësisht as shteti shqiptar. Shteti grek vodhi e sekuestroi me dhunë pasuritë, tokat, bizneset, bagëtitë, e shtëpitë e shqiptarëve. Ende sot asnjë falje, asnjë kompensim, as asgjë, vetëm harresë, por shqiptarët e Çamërisë nuk do të harrojnë përjetë”. Aktivisti i çështjes kombëtare Bashkim Shehu e cilësoi gjenocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë si një ndër ditët më dhimbshme të historisë sonë kombëtare dhe se shqiptarët nga Amerika duhet të punojnë për çështjençame. Poeti Mhill Velaj përgëzoi Vatrën për aktivitetet patriotike, apeloi që shqiptarëve të Çamërisë tu garantohen të gjitha të drejtat e mohuara shekullore dhe shprehu ngushëllime për humbjen e mikut të madh të Vatrës, Diellit e shqiptarëve të Amerikës Atë Antonio Bellusci. Pjetër Marku nga akademia “Mirdita” i bëri apel politikës shqiptare që të mos e harrojë kurrë çështjen çame. Në përfundim të përkujtimores, patrioti nga Kosova Toni Musaj shtroi një koktail për të pranishmit.

Filed Under: Featured

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT