• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2024

Kurani në shqip si ngjarje e madhe e kulturës kombëtare*

June 24, 2024 by s p

Prof.Muhamed Mufaku/

Sivjet kemi dy ngjarje të lidhura: 40-vjetorin e botimit të përkthimit të parë të Kuranit dhe 80-vjetorin e lindjes së akademikut dhe përkthyesit të Kuranit, Feti Mehdiu.

Me këtë rast dëshiroj ta zhvilloj një paralele midis përkthimit të parë të Kuranit që nuk u kompletua në Tiranë (1921-1927) dhe përkthimit të parë komplet të Kuranit që u botua në Prishtinë më 1985.

Me konsolidimin e shtetit kombëtar shqiptar më 1920 dhe me hovin e zhvillimit të kulturës kombëtare, plejada e asaj kohe ndjente përgjegjësi për misionin e vet në integrimin e shqiptarëve në një kulturë kombëtare. Një prej pjesëtarëve të kësaj plejade ishte Ilo M. Qafëzezi (1889-1964), që e përfaqësonte gjeneratën e dytë të rilindësve, i cili bëri emër me aktivitete e vepra të ndryshme në mesin e kolonive shqiptare në Rumani e Amerikë deri më 1924, kur u kthye në Korçë dhe u bë biografi më i njohur shqiptar në periudhën midis dy luftërave. Përkundër kontributit të tij në kulturën kombëtare shqiptare, Ilo Qafëzezi pësoi shumë nën regjimin komunist deri në vdekjen e tij më 1964.

Me frymën e rilindësve, I. Qafëzezi punoi shumë për integrimin e shqiptarëve me anë të kulturës kombëtare. Në këtë kontekst mund të kuptohet rëndësia e ndërmarrjes së tij për përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe, pjesa (fashikulla) e parë e të cilit u botua në Rumuni më 1921 kurse pjesa e dytë në Korçë më 1927, si një ngjarje historike për kulturën shqiptare, e cila kishte jehonë të madhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Turqinë e re.

Në parathënien e tij, Qafëzezi niset nga motivi fisnik për integrimin kulturor të shqiptarëve myslimanë dhe të krishterë, i cili mund të arrihet kur shqiptarët e krishterë mund të mësojnë për fenë islame nga burimi (Kurani) në gjuhën shqipe. Në mungesë të kësaj njohjeje, pra të Kuranit në gjuhën shqipe, ai e konsideron atë si “cipë qepe misterioze që i ndan fetarisht shqiptarët muhamedanë nga vëllezërit e tyre të krishterë”. Ndaj, ai e merr si obligim ta përkthejë Kuranin në gjuhën shqipe.

Qafëzezi pranon me keqardhje se ai nuk e ka përkthyer Kuranin nga arabishtja, por nga anglishtja (përkthimi i orientalistit të njohur anglez George Sale, i botuar në Londër më 1734), por ai shpreson se do të pasohet me përkthim më të mirë nga ndonjë ulema shqiptar nga arabishtja. Me fjalë të tjera, Qafëzezi nuk kishte pretendime të tjera, por vetëm motive kombëtare, duke ofruar një përkthim pa gabime e interpretime që prekin “vëllezërit muhamedanë”, që ishte ngjarje e madhe për atë kohë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Republikën e re turke ku u botuan më 1924 dy përkthime të Kuranit në turqisht, mu atëherë kur Hafiz Ali Korça kreu edhe përkthimin tjetër që nuk na arriti.

Këto përkthime, dhe të tjera në anglishte, aktualizuan në botën islame debatin mbi përkthimin e Kuranit në gjuhë të tjera, derisa Az-hari e lejoi atë më 1936, gjë që hapi rrugën për botimin e disa përkthimeve të Kuranit nga ulema të Bosnjës.

Ajo porosi historike e I. Qafëzezit për një përkthim më të mirë nga një ulema shqiptar nga arabishtja u realizua më në fund me botimin e përkthimit të Kuranit në Prishtinë më 1985 nga akad. Feti Mehdiu, i cili është njëkohësisht ulema në kuptimin mysliman dhe orientalist në kuptimin shkencor.

Kuptohet, para këtij botimi kemi pasur disa përpjekje në Shqipëri dhe në mërgatë. Në mesin e tyre ajo që meriton të përmendet këtu është kontributi i imamit Vehbi Ismaili (1919-2008), i cili filloi të botonte fragmentet e para të përkthyera të Kuranit qysh nga viti 1950 në revistën “Jeta myslimane shqiptare”. Më 1977 ai e kishte kryer punën dhe kishte përgatitur një version të daktilografuar për të udhëtuar në vendet arabe për ta realizuar botimin e përkthimit të tij atje. Por atë kopje të vetme e humbi gjatë rrugës. Kështu, imam V. Ismaili gjatë një vizitë në Prishtinë më 1979 u takua me akad. Feti Mhdiun (kur ishte atëherë ligjërues në Degën e Orientalistikës), me të cilin ka pasur korrespondencë në lidhje me përkthimin e Kuranit, dhe ia tregoi ç’ndodhi, duke e përfunduar bisedën me këto fjalë: “Unë nuk mundem më, vazhdo ti e unë të ndihmoj”.

Ky takim midis dy ulemave dhe dy përkthyesve të njohur nga arabishtja sikurse i dha porosi tjetër (pas asaj të I. Qafëzezit) akad. Feti Mehdiut, që e nxiti të punojë në mënyrë intensive për ta mbaruar dhe botuar përkthimin e tij më 1985. Imam V. Ismaili, i cili ishte në kontakt të vazhdueshëm me akad. Feti Mehdiun gjatë punës së tij, e priti mirë këtë përkthim dhe e promovoi në SHBA e Kanada në mesin e shqiptarëve, si dhe në Konferencën e parë për përkthimet e Kuranit në botë që u mbajt në Stamboll më 1986 nga institucioni i njohur IRCICA.

Ky përkthim kishte jehonën e vet në mesin e myslimanëve në ish-Jugosllavi, që ishin atëherë gati 20 për qind e popullsisë, dhe u promovua si “ngjarje e kulturës shqiptare” në revistën “Glasnik” (nr.5, Sarajevë 1985), e cila ishte organi i Pleqërisë së Bashkësisë Islame në Jugosllavi.

Vërtet, botimi i Kuranit më 1985, sikurse ai më 1921, ishte një ngjarje e madhe kulturore në rrethana të reja historike. Sikurse më 1921, kur Shqipëria integrohej në një kulturë kombëtare, në Kosovë e Maqedoni filloi procesi i një integrimi të ri kulturor pas vitit 1981.

Sikurse më 1921 ndihej mungesa e Kuranit në gjuhën shqipe si vepër burimore e shumicës myslimane, në Kosovë e në Maqedoni ndihej nevoja për këtë burim në procesin e ri kulturor antikomunist, si pjesë përbërëse e kulturës shqiptare. Në këto rrethana historike botimi i Kuranit nuk do të dilte me kohë (1985) pa përkrahjen e liderit të ri shqiptar Ibrahim Rugova. Kjo ka kuptimin e vet për atë kohë e për këtë kohë, sepse I. Rugova ishte intelektual laik, por e kuptoi rëndësinë kulturore të kësaj iniciative për integrimin e ri kulturor kombëtar të shqiptarëve. Në saje të kësaj nuk na habit tirazhi rekord i atij botimi (10 mijë kopje) për atë kohë.

Sikurse në Bosnjë më 1977, kur doli përkthimi i parë i Kuranit nga arabishtja, po ashtu nga një ulema e një orientalist i njohur boshnjak, ashtu edhe botimi i parë i Kuranit në Kosovë hapi rrugën për shumë përkthime që arritën në 13 deri më tani. Në mesin e tyre përkthimi i akad. Feti Mehdiut tani po del në botimin e katërt, gjë që ka domethënien e vet.

Botimi i parë doli me titull të thjeshtë (Kur`an-i), sikurse ai në Sarajevë më 1977, kurse i dyti më 1999 doli me titull “Kurani dhe hija e tij shqip”. Në mesin e dy botimeve u shprehen mendime të ndryshme qoftë për përkthimin ose për titullin. Në mesin e ulemave të asaj kohe ende kishte rezerva në parim ngase Kurani nuk mund të përkthehet, por mund të përkthehen e të shpjegohen ajetet e tij. Në saje të kësaj erdhi botimi i dytë me titullin “Kur`ani dhe hija e tij shqip”, për të treguar se Kurani i përkthyer nuk është ai Kuran origjinal i zbritur nga Allahu, por është thjesht hija e tij në gjuhën shqipe, edhe pse unë personalisht mendoj se ky është thjesht versioni shqip i Kuranit në arabisht.

Nga ana tjetër, disa linguistë kishin ca vërejtje për përkthimin e parë. Duke marrë parasysh se unifikimi i gjuhës shqipe u bë më 1972 me peshë dominante nga Shqipëria komuniste, përdorimi i gjuhës së re letrare u stabilizua gradualisht në Kosovë e në Maqedoni gjatë viteve ‘70. Kuptohet në leksikonin e gjuhës së njësuar mungonin shumë fjalë dhe shprehje adekuate të kulturës islame, ndaj nuk ishte e lehtë të arrihej një përkthim i Kuranit në gjuhën e njësuar më 1985. Botimi i këtij Kurani e nxiti në një mënyrë Bashkësinë Islame të Kosovës të nxjerrë më 1986 revistën mujore “Dituria Islame”, që lexohej shumë atëherë pasi që përfshinte shumë tema të kulturës kombëtare shqiptare, e cila hapi rrugën edhe për diskutime në lidhje me ligjërimin shqip të kulturës islame. Në saje të kësaj, ishte e natyrshme që akad. F. Mehdiu, një prej bashkëpunëtorëve të “Diturisë Islame”, të përmirësojë përkthimin që t’i përgjigjet këtij trendi të ri në Kosovë e në Shqipëri pas rënies së regjimit monist më 1990.

Tani, në rrethana të reja ku kemi nja 13 përkthime të Kuranit në gjuhën shqipe, është momenti që të merren parasysh këto rrethana historike dhe të rikonsiderohet përkthimi i parë i Kuranit në gjuhën shqipe si kryevepër e akad. Feti Mehdiut, përkundër kontributit të tij të madh në filologjinë orientale, me rastin e 80-vjetorit të lindjes.

*Fragmente nga një kumtesë e lexuar në tubimin në Bazel të Zvicrës më 22 qershor 2024.

Filed Under: Komunitet

KISHËS KATOLIKE SHQIPTARE I SHTOHEN EDHE DY MARTIRË: DOM GJON GAZULLI I VARUR NGA REGJIMI I AHMET ZOGUT DHE LUIGJ PALAJ I VRARË NGA USHTRIA MALAZEZE

June 24, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli/

Papa Françesku shpall dy martirë të tjerë shqiptarë, njëri nga Shqipëria e tjetri nga Kosova. Lajmi është dhënë, zyrtarisht, nga Vatikani dhe u transmetua nga Radio Vatikani në gjuhën shqipe, ndërkohë që u njoftua edhe nga zëdhënës të Kishës Katolike Shqiptare në Shkodër. Kështuqë, shkoi në 40 numri i të shpallurve martirë të Kishës Katolike Shqiptare, në përgjithsi. Dom Gjon Gazulli dhe At Luigj (Paliq) Palaj, sipas këtij njoftimi, janë drejt Lumnimit, “martirë, dëshmitarë të fesë, mbrojtës të të drejtave themelore të njeriut e të popullit, shembuj dashurie, shërbimi e guximi”.

Sipas burimeve të Vatikanit, të Kishës Katolike në Shqipëri dhe në Kosovë, ky lajm u prit mirë anë e mbanë trojeve shqiptare, me gëzim dhe mirënjohje ndaj Papa Françeskut i cili autorizoi dhe miratoi dekretet e nevojshme për Lumnimin e dy martirëve të tjerë të Kishës e të Kombit shqiptar: Atë Luigj Palaj i munduar dhe i torturuar, tmersisht, dhe më në fund i vrarë nga forcat barbare serbo-malazeze në Gjakovë. Dhe Dom Gjon Gazulli, i vrarë nga regjimi i Ahmet Zogut, në Shkodër.

Reagimet ndaj këtij njoftimi ishin të shpejta: Kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra, në një intervistë për Radio, se bëhet fjalë për për Át Luigj (Paliqin) Palaj apo Át Luzin siç e thërrisnin të gjithë bashkohasit e tij, françeskan i Urdhrit të Fretërve të Vegjël, martirizuar nga sllavët ortodoksë në Kosovë dhe për Dom Gjon Gazullin, meshtar dioqezan, martirizuar në Shqipëri në kohën e Ahmet Zogut. Të dy, të mirënjohur e tejet të dashur nga besimtarët katolikë shqiptarë të të gjitha trevave, që i konsiderojnë të shenjtë, u luten e madje, u njohin edhe mrekulli –ka nënvijuar Kryeipeshkvi i Shkodër-Pultit — ndodhur me ndërmjetësimin e tyre pranë Zotit. Njëri i vrarë në Kosovë e tjetri në Shqipëri! “Populli i Zotit, që jeton në të dyja anët, është sot në festë dhe falënderon Hyjin për dhuratën e dy meshtarëve, dëshmitarë të Ungjillit të Krishtit dhe atdhetarë të flaktë”. Brenda vitit, pritet ceremonia e shpalljes së Lumnimit të tyre, ka pohuar për redaksinë shqipe të Radio Vatikanit, Vatican News, Imzot Angelo Massafra.

At Luigj Palaj – I vrarë nga serbo-malazezët në Gjakovë — Át Luigji u kap e u dërgua në burgun e Gjakovës. Serbo-Malazezët i kanë kërkuar të mohonte fenë dhe identitetin kombëtar. Pasi nuk pranoi të bënte një gjë të tillë, ata e rrahën dhe e dërmuan me shkopinj, e pështynë, e fyen, pastaj e nxorën para një gjykate, që e ngarkoi me shpifje. Së fundi, e vranë mё 7 mars 1913 në Gjakovë. “Barbarët…e mbytën”: At Gjergj Fishta do i kushtone poemën vrasjes së tij barbare,

𝐵𝑎𝑟𝑏𝑎𝑟ë𝑡… 𝑒 𝑚𝑏𝑦𝑡ë𝑛! 𝐸 𝑝𝑟𝑎

𝐾𝑦 ‘𝑖 𝑑ℎ𝑢𝑛ë 𝑘𝑢𝑟𝑟𝑘𝑢𝑗 𝑠’𝑖𝑎 𝑏𝑎𝑛𝑖;

𝑁𝑢𝑘 𝑏𝑎̂𝑛𝑖 𝑘ë𝑛𝑑 𝑚𝑒 𝑘𝑗𝑎:

𝑃ë𝑟 𝑡’𝑘𝑒𝑞 𝑠’𝑖 𝑑𝑢𝑒𝑙 𝑘𝑢𝑟𝑟 𝑧𝑎𝑛𝑖;

𝑃ë𝑟 𝐴𝑡𝑚𝑒 𝑒 𝑠ℎ𝑒𝑗𝑡𝑒𝑛 𝐹𝑒́

𝑃𝑢𝑛𝑜𝑖 𝑚𝑒 𝑡’𝑑𝑟𝑒𝑗𝑡ë 𝑚’𝑘ë𝑡 𝑑ℎ𝑒́… Vjersha e plotë në linkun më poshtë

At Gjergj Fishta: Mbi vorr t’ A. Alois Paliq, ofm – Vatican News

Pak histori për lexuesit nga burime të besueshme kishtare mbi këta dy martirë, heronjë të fesë dhe të Kombit — për të cilët ndoshta lexuesit nuk dijnë shumë për ta — por të shpallur si të tillë nga Papa Françesku më 20 qershor, 2024. Át Luigj Palaj i përkiste Urdhërit të Fretërve të Vegjël — i arrestuar, rrahur, torturuar dhe vrarë nga ushtarët barbarë serbo-malazezë, sepse luftoi kundër abuzimeve ndaj popullsisë shqiptare dhe i është kundërvenë fushatës zyrtare serbo-malazeze që detyronte katolikët dhe myslimanët shqiptarë të ndërronin fetë e tyre e të bëheshin ortodoksë. Luigj Palaj ka lindur në Janjevë të Kosovës, më 20 shkurt 1877. Është rritur në një familje fetare. Vetë Luigji kërkoi të pranohej në seminarin e Urdhrit të Fretërve të vegjël, në Cortemaggiore të Italisë, ku në vitin 1901 shugurohet meshtar. Ai qe dërguar të kryente shërbimin e tij fetar në radhët e shqiptarëve, ndërkohë që më 1907 është emëruar Rektor i Kuvendit Françeskan në Gjakovë. Ndërsa më 1912, bëhet bashkëpunëtor në famullinë e Pejës, ndërkohë që ishte një periudhë shumë e vështirë për shqiptarët në atë territor, i cili pas Luftës së Parë Ballkanike, ishte pushtuar nga malazezët, aleatë të serbëve. Át Luigj Palaj ka mbrojtur si katolikët ashtu edhe myslimanët shqiptarë nga përpjekjet sllave të çkombtarizimit, duke mbështetur të dy palët dhe duke i nxitur ata që t’u qëndrojnë besnikë besimeve të tyre fetare dhe identitetit kombëtar. Megjithse i vetëdijshëm për rreziqet me të cilat përballej, At Luigj Palaj qëndron në postin e tij dhe vazhdon të ushtrojë shërbimin meshtarak, duke i qëndruar besnik misionit të tij fetar e atdhetar. Si përfundim, autoritetet malazeze kanë dhanë urdhër që françeskani shqiptar, At Luigj Palaj të arrestohej më 4 mars 1913. I hedhur në burg, françeskani është rrahur dhe torturuar deri më 7 mars, kur para se t’i nënshtrohej gjyqit, i zhveshur nga rrobet e rregulltarit, u vra mizorisht nga ushtarët serbo-malazezë. Sot, i shpallur martir i fesë dhe i Atdheut nga Papa Françesku në Vatikan.

Meshtar i guximshëm — Dom Gjon Gazulli është varur nga Ahmet Zogu, pasi ishte kundërshtar i marrëveshjes së Zogut me serbët, për të ashtuquajturin, “bashkim personal të Shqipërisë me Jugosllavinë”.

Ndërkaq, gjithashtu bazuar në të dhëna të besueshme kishtare, Gjon Gazulli (një emër ky i njohur i familjes Gazulli, brez pas brezi, në historinë e Shqipërisë ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit -Skenderbe), ishte me origjinë nga një fshat i vogël afër Shkodrës — nga Dajçi i Zadrimës — në Shqipëri. Lindur më 26 mars 1893, ai është shuguruar meshtar dioqezan në vitin 1919. Ka shërbyer si famullitar në Gjadër, në Qelez të Pukës dhe në Koman. Sipas të dhënave, kudo që shkonte fitonte dashurinë e popullsisë, të cilës i ofronte ndihmë dhe inkurajim, përballë problemeve të shumta të jetesës. Pasi hapi një shkollë në famulli për mësimin e fesë katolike, mbahej nën kontroll nga qeveria për gjoja veprimtarinë e pengimit të arsimimit të përbashkët të myslimanëve dhe të krishterëve. Autoritetet politike e shikonin me dyshim, për shkak të ndikimit të fortë ndër vendasit dhe te famullitarët e tjerë, në nivelin moral dhe fetar. Ndërsa në aatë kohë, shumë meshtarë largoheshin nga Shqipëria, duke mos iu nënshtruar regjimit të vendosur nga presidenti i Republikës Ahmet Zogu, Dom Gazulli kishte vendosur të qëndronte me popullin e vet, që i ishte besuar. Por më në fund, ai arrestohet më 28 dhjetor 1926 dhe i nënshtrohet një gjyqi të rremë, që e dënon me akuza të pabaza, sipas burimeve kishtare dhe të tjera. “U var nga Ahmet Zogu, pasi kishte kundërshtuar marrëveshjen e tij me serbët për të ashtuquajturin, “bashkim personal të Shqipërisë me Jugosllavinë”, ishte një ndër të tjera akuza. U dënua me vdekje ai që hapi shkollën e parë të përzier djem-vajza, myslimanë e të krishterë. Deputeti i opozitës kundër Zogut, u akuzua se kishte organizuar kryengritjen e kishte shpërndarë armë nëpër male e madje se gjoja kishte prerë telin e telefonit, lexohet në disa të dhëna për fatin e keq të tij!? Dom Gjon Gazulli është varur në një shesh në Shkodër më 5 mars 1927.

Dom Gjon Gazulli i dënuar nga Ahmet Zogu – vdekje me varje në një shesh të Shkodrës, 5 Mars, 1927 – sot i shpallur martir i fesë dhe i Atdheut nga Papa Françesku në Vatikan – 20 qershor, 2024.

Dom Gjon Gazulli nga Shqipëria i vrarë nga regjimi i Ahmet Zogut në vitin 1927 në Shkodër dhe At Luigj Palaj nga Kosova i vrarë nga regjimi serbo-malazez në vitin 1913 në Gjakovë, përfaquesues të Kishës Katolike Shqiptare të vuajtur e të përbuzur në ato troje — u shpallën martirë e të lumë nga Papa Françesku disa ditë më parë – një gëzim i madh për Kishën Katolike anë e mbanë trojeve shqiptare. Këta dy të lumë i bashkohen kështu 38 martirëve të lumë shqiptarë të Kishës Katolike — të vrarë e të torturuar nga regjimi barbar gjysëm shekullor komunist i Enver Hoxhës — e të cilët janë shpallur të tillë në vitin 2016 nga Vatikani.

Me vrasjen e tyre barbare, këta të lumë shqiptarë kanë kapërcyer tanimë kufijt kombëtarë të trojeve shqiptare dhe janë tashti përfaqësojnë jo vetëm Kishën Katolike universale por edhe vlerat universale të mbarë njerzimit. Me sakrificën e tyre sublime ata janë shembull për të gjithë ne se si mbrohet nderi, liria, feja dhe identiteti kombëtar përballë barbarëve dhe diktatorëve. Shembulli i tyre do të mbetet përgjithmonë një frymëzim për breznitë e ardhëshme të shqiptarëve, por jo vetëm, për të luftuar duke dheneë edhe jetën për ideale dhe vlerat njerzore e kombëtare.

Më në fund, shpallja e këtyre dy martirve shqiptarë të lumë nga Papa Françesku, na bindë se megjithë kalimin e kohës –heret ose vonë, e vërteta, e mira dhe e drejta, gjithmonë, do të triumfojnë mbi të keqën, në këtë botë!

Filed Under: Reportazh

KRYEMINISTRI GREK VENIZELOS PËRLULET PËRPARA MID’HAT FRASHËRIT

June 24, 2024 by s p

Uran Butka/

Në letrën që Mid’hat Frashëri i dërgonte ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Iljas Vrionit, me 21 janar 1924, lexuesi do të gjejë përpjekjen e diplomatit të shquar shqiptar Frashëri, ambasador i Shqipërisë në Greqi ( 1923-1926) për normalizimin e marëdhenieve me shtetin grek, si edhe për ndalimin të shkëmbimit e paligjshëm të popullsisë myslimane shqiptare (çame dhe jo çame) të Greqisë me kolonë (refugjatë) grekë të ardhur nga Turqia, shpronësimin e grabitjen e pasurive te tyre te tundshme e të patundsmme të shqiptarëve dhe largimin me dhunë policore apo me mashtrime nga trojet e tyre për në Turqi.

Për ta parandaluar këtë shkëmbim tragjik të shqiptarëve, në shkelje flagrante edhe të traktatit të Lozanës (1923) mes Greqise dhe Turqisë për shkëmbin të popullsive mes tyre, i cili i përjashtonte shqiptarët (firmosur në Lozanë edhe nga vetë Venizelos), Mid’hati vepron fuqimisht pranë çdo qeverie greke, u dërgon nota, shpjegime, kritika dhe bën takime me gjithë politikanet dhe kryeministrat e Greqisë, mban lidhje, mban ligjerata e protesta në kancelerite evropiane dhe në Lidhjen e Kombeve, kritikon qeveritë shqiptare për një reagim te pamjaftueshëm, deri sa arrin me në fund ta ndalojë shkëmbimin, që s’ishtje tjetër veçse një spastrin etnik i shqiptareve nga Çamëria dhe Kosturi, Follorina, Konica etj

Në këtë përpjekje bën pjesë edhe takimi e biseda e Mid’hat Frashërit me politikanin më të madh të Greqisë dhe aktualisht kryeministrin Eleftherios Venizelos në fillim të vitit 1924, me të cilin kishte pasur përballje në mbojtje të vazhdueshme të çështjes shqiptare në Greqi dhe në Konferencen e Ambasadorëve në Paris dhe në Lidhjene Kombeve në Gjenevë, sidomos për kufinjë, për pretendimet e politikës greke mbi të ashtuquajturin Vorio Epir, kryesisht për Korçën, Gjirokastrën e Himarëm, si edhe për njohjen e te drejtave te munguara te shqiptarëve në Greqi, për jetën, pronën, gjuhën, shkollimin, dokumentacionin e munguar, votën, fenë etj.

Në bisedën me kryeministrin grek, Venizelosi pranon me sinqeritet xhentillmenësh e burrash shteti: “Qeshë i shtrënguar të mbronj interesat e Greqisë, bëra detyrën time, si edhe ju bëtë tuajën. E shoh që kishit të drejtë. Teza juaj ishte më e vërteta dhe unë përulem para jush”.

Ai dhe Mid’hati dakortësojnë tashmë për marrëdhenie miqësore dhe ekonomike të ndërsjellta, për bashkëpunim. Kjo është e rëndësishme. Por kur vjen puna tek thembra e Akilit, te shkëmbimi i popullsive greko-turke, ku politika greke ka përfshirë enkas edhe shqiptarët, Venizelo vihet në siklet dhe e largon problemin nga vetja.

Diplomati ynë i bën mjeshtërisht portretin politikanit Venizelo:

“Me gjithë fjalët e ëmbla, me gjithë buzëqeshjet dhe sigurimet e tij, unë dola nga kjo pjekje me konviktimin se Venizelua ka vendosur të mohojë angazhementet që ka marrë dhe se do të kërkojë me çdo mënyrë që të shpëtojë prej shqiptarëvet, duke i përzënë dhe duke i grabitur pasuninë.

Insistova që të dëgjonj nga goja e tij ç’kupton prej fjalës shqiptar. Vetëm një gjë mora vesh: insistimi im e mërziste… Më duket se z. Venizelo nuk do të jetë më pak grek se grekët e tjerë”.

Legata e Shqipërisë

Athinë, më 21 janar 1924

Nr. 89

Shkurtim: Mbi pjekjen me z. Venizelo

Zoti Ministër,

Do të kini marrë dy copat e gazetës royaliste “Xëpa” 16 dhe 17 ct., ku është botuar një pjekja ime e imarhinuar me Venizelon dhe përgënjeshtimi që dhashë unë.

Mbrëmjen e 17 ct, poqa për herën e parë z. Venizelo në një soiree në Legatë të Francës.

Pardje i kërkova një pjekje dhe më caktoi për sot 12.10 më drekë.

I bëra urimet e mia dhe i rrëfeva shpresën që ardhja e tij në fuqi do të lithnjë edhe një herë marrëdhaniet e mira të filluara midis dy shteteve.

Do të përpiqem të raportonj përgjigjen e tij.

– Munt të jini sigur se te unë do të gjeni njerinë më të konviktuar për kolaborim të mirë midis Greqisë dhe Shqipërisë. Qeshë i shtrënguar të mbronj interesat e Greqisë, bëra detyrën time, si edhe ju bëtë tuajën. E shoh që kishit të drejtë. Teza juaj qe më e vërteta dhe unë përulem para jush. Puna e kufinjvet u nda. Tani të kemi marrëdhënie miqësore, regata ekonomike. Dhe me qenë se kemi që të dy palët do elementë grekë dhe shqiptarë në kufit tona, të përpiqemi t’u sigurojmë të drejtat sipas parimeve të njerëzisë dhe të engazhementavet të minoritetevet.

Në fjalët e tij z. Venizelo foli dhe për afërinë midis dy racave, për kolaborimin historik dhe më kujtoi se një herë në qeveri të tij kishte pasur pesë ministra shqiptarë: Repulis, Miaulis, Kunduriotis, Danglis edhe s’e di kë tjetër.

Fjala, duke ardhur në relatat e mira midis dy shtetevet, i thashë se jemi si dy vëllezër që janë zënë për trashëgimin gjersa ta ndajnë: po tani që trashëgimi u nda dhe nuk gjendet ndonjë shkak për zihje, duhet kolaborim dhe shkuarje të mirë.

Edhe fjalën e solla në nevojën e çështjes të shqiptarëvet myslimanë (shkëmbimit –red).

Këtu Venizelua sikur u mërzit pakë.

– Unë në Lausanne, tha, dhashë fjalën për këtë punë. Po s’e dinja që është kaq e komplikuar. Pardje mësova se duhet të dimë më parë se cilët janë shqiptarët?

Bisedimi mbajti afro ½ orë. I dhashë shpjegime. Po Venizelua u pendua që hyri në diskurcion; dhe iu retranshua prapë kësaj përgjigjeje: “Do kuvenduar me Ministrin e Punëvet të Jashtme, ne qenë se ay është kompetent, po nga ana ime munt të jini sigur se do të rrëfejmë dispozitat më të mira dhe më miqësore”.

I hapa çështjen e teqeve bektashi në Greqi; kuvënduam, po edhe për atë refuzoi të më japë një përgjigje, duke e lënë që do biseduar me Ministrin e Punëvet të Jashtme.

Këtu mbyllur po të dërgonj komunikatën zyrtare, që u dha prej kryeministrisë për pjekjen time.

Me gjithë fjalët e ëmbla të kësaj komunikate, me gjithë buzëqeshjet dhe sigurimet e tij, unë dola nga kjo pjekje me konviktimin se Venizelua ka vendosur të mohojë angazhementet që ka marrë dhe se do të kërkojë me çdo mënyrë që të shpëtojë prej shqipëtarëvet, duke i përzënë dhe duke i grabitur pasuninë.

Insistova që të dëgjonj nga goja e tij ç’kupton prej fjalës shqiptar. Vetëm një gjë mora vesh: insistimi im e mërziste.

Me Ministrin e Punëvet të Jashtme z. Roussos, pasnesër 23 ct., kam pjekje.

Një ditë në fjalë e sipër me z. de Marcilly, Ministri i Francës, më tha këto fjalë: Grekët e dinë mirë cilët janë turq dhe cilët janë shqiptarë. Po duan që të grabitin pasuninë e shqiptarëvet. Pandaj duan edhe t’i përzenë.

Më duket se z. Venizelo nuk do të jetë më pak grek se grekët e tjerë.

Pritni, ju lutem, Zoti Ministër, të falat e mija me nderime.

Midhat Frashëri

Shkëlqesës së Tij

Zotit Ministër të Punëvet të Jashtme

Tiranë

Filed Under: Politike

Lufta e NATO-s, Tony Blair dhe Plani “Patkoi”

June 24, 2024 by s p

Prof.dr. Sylë Ukshini/

Sipas historianit të njohur gjerman, Holm Sundhaiussen, të cilin kisha fatin ta kem profesor dhe mbikqyrës në Freie Universitetit BErlin, një ndër mbështetësit më të vendosur të një intervenimi ushtarak ishte kryeministri britanik Tony Blair, i cili në maj 1997 kishte zëvendësuar paraardhësin e tij konservativ John Major dhe kishte nisur një kthesë në politikën britanike ndaj Ballkanit. Blair ishte i mendimit se politika e nënshtrimit ndaj Milloshevqit kishte dështuar, se nuk duhej lejuar përsëritja e një «Bosnje të dytë» dhe se bashkësia ndërkombëtare ka obligim të mbrojë popullsinë civile në ato shtete, të cilat nuk mund apo nuk duan të garantojnë këtë mbrojtje («përgjegjësia ndërkombëtare për mbrojtje»). Nën presionin e Blair-it NATO vendosi të intervenojë. “

Në këtë luftë të NATO-s kundër caqeve ushtarake mori pjesë edhe Gjermania, pasi qëllimi politik i NATO-s ishte evitimi i një «katastrofe humanitare». Sipas Sundhaussen-t, ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë Rudolf Scharping e kishte përdorur këtë nocion për herë të parë në një fjalim më 6 shkurt 1999. Edhe Kancelari Gerhard Schröder e arsyetoi pjesëmarrjen e forcave ajrore gjermane në luftën kundër Jugosllavisë me synimin e «pengimit të një katastrofe humanitare në Kosovë».

Por, Milosheviqi nuk hoqi dorë në realizimin e idesë së tij për spastrimin etnik të Kosovës. Si rrjedhojë brenda pak javësh më shumë se 800’000 shqiptarë u dëbuan nga Kosova dhe u strehuan në Shqipëri dhe Maqedoni. Mijëra u vranë dhe u groposën në varre masive. Ministri i jashtëm gjerman Joschka Fischer dhe ministri i mbrojtjes Scharping këtu shihnin dëshminë për ekzistencën e planit serb «Patkoi» për dëbimin sistematik të shqiptarëve të Kosovës në drejtim të Shqipërisë. Por, ekzistenca e këtij plani nuk u dëshmua kurrë, edhe pse Scharping i kishte dorëzuar Tribunalit të Hagës dëshmitë e planit “Patkoi”. Lidhur me këtë plan Sundhaussen thotë se “edhe nëse ai nuk ka ekzistuar, veprimi i armatës jugosllave dhe i njësive policore të Ministrisë së Brendshme ndoqi një skemë unike (me ose pa plan të detajuar).”

Foto: Së bashku me prof. Dr. Sylë Ukshini – Freie Universitet Berlin

Filed Under: Rajon

Kujtojmë sot një nga figurat më të njohura të praktikës ushtarake evropiane të fillimit të Rilindjes, Gjergj Basta

June 24, 2024 by s p

QSPA/

Gjergj Basta, është një nga figurat më të njohura të praktikës ushtarake evropiane të fillimit të Rilindjes, nga ku kishte mbetur një emër i panjohur për shkencën dhe lexuesin shqiptar deri kur historiani Dhimitër Pilika, e nxori atë nga arkivat e Pragës dhe e publikoi në Revistën “Ylli” më 1966 në numrin e 7 të saj. I lindur në 1544 në Rocca (provincë e Tarantos), në moshë fare të re ai u bë pjesë e reparteve ushtarake që u ngritën nën pushtimin Osman me emrin ‘’stratiotë’’ që shërbyen në zotërimet venedikase, në shtetet italiane nën ushtritë e perandorisë gjermane në Francë, Flandër, etj.

Në një letër të vitit 1759 himariotët, pas emrit të Pirros e të Skënderbeut, shënonin emrin e Gjergj Bastës. Në vitin 1907 shqiptarët e SHBA në një letër që i drejtonin Konferencës së Hagës, përmendnin krahas figurave të shquara të popullit tonë edhe gjeneralin Gjergj Basta. Më vonë në kohë në 1985 emri i Gjergj Bastës gjendet në zërin e stratiotëve në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, në 1990 në Revistën “Për mbrojtjen e Atdheut’’ dhe në vitin 1996 nga shtëpia botuese e Ushtrisë do të botoheshin dy veprat e Gjergj Bastës “Mjeshtri i përgjithshëm i kampit” dhe “Drejtimi i kalorësisë së lehtë.” Në vitet 2000 ka pasur në shqip edhe botime të tjera rreth emrit dhe veprës së Gjergj Bastës. Ai vdiq në 20 nëntor 1607 (ose 1612 në Belgjikë) dhe u varros në Vjenë.

https://diasporashqiptare.al/…/gjergj-basta-gjenerali…

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT