• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2024

Kontaktet e para politike të shqiptarëve me rusët

June 19, 2024 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Kontaktet e para politike të shqiptarëve me rusët dokumentohen të paktën dy-tre shekuj përpara lindjes së shtetit shqiptar. Në shekullin e XVII-të disa murgj të manastireve ortodokse të Shqipërisë së Jugut shkuan në Rusi për të kërkuar ndihma nga kisha ruse. Ndërsa në gjysmën e dytë të shekullit XVII-të dhe në fillim të shekullit XVIII-të filluan kontaktet e para politike të disa shqiptarëve me autoritetet shtetërore ruse, duke nisur që nga Petri i Madh për të vijuar me perandorë të tjerë. Këto kontakte u intesifikuan me depërtimin dhe rritjen e influencës ruse në Ballkan.

Sipas studiuesve të ndryshëm politika antishqiptare e Rusisë u shfaq haptazi në vitin 1696 pas nënshkrimit të “aleancës së shenjtë” në luftë kundër Perandorisë Osmane. Në këtë periudhë, Rusia e shtriu influencën e saj në Himarë dhe në disa fise katolike në Shqipërinë e Veriut (kryesisht në Mirditë), duke përdorur edhe ndikimin që ajo kishte te fiset malazeze.

Nëpërmjet “misionarëve” të ndryshëm që ajo dërgoi në Shqipëri dhe Ballkan, Rusia krijoi lidhje të drejtpërdrejta me krahinat shqiptare dhe i nxiti ato në vitet 1701-1704 në kryengritje. Në vitin 1711, Petri i Parë shpërndau një manifest ku i ftoi shqiptarët dhe popujt ballkanikë që t`i bashkoheshin ushtrisë së tij kundër osmanëve.

Aleanca pro-ruse që u krijua në këtë periudhë mes fiseve ortodokse malazeze dhe fiseve katolike shqiptare, ishte në kundërshtim me politikën e një fuqie tjetër rajonale, Venedikut. Prandaj, kundër kësaj aleance anti-osmane u ngrit peshkopi katolik i Tivarit, Visk Zmajeviq. Këto qëndrime do të ndryshojnë në varësi të koniukturave të kohës.

Kulmi i bashkëpunimit politik mes disa shqiptarëve dhe rusëve arriti në gjysmën e dytë të shekullit XVIII-të. Kështu, në Kuvendin e Përgjithshëm të himariotëve të vitit 1759, i cili u mbajt nën ndikimin e propagandës ruse, u vendos që popullsia ortodokse shqiptare e këtyre krahinave të kërkonte protektoratin e Rusisë. Për këtë u caktua një delegacion i cili do të shkonte në Peterburg për të kërkuar udhëzime dhe armë kundër osmanëve.

Në shkurt të 1760 himariotët zhvilluan bisedime sekrete me rezidentin rus në Stamboll, A.M.Obreskov për të cilën u informua edhe perandoresha ruse Elizabeta Petrovna. Në këtë periudhë u vendosën kontakte edhe ndërmjet agjentëve rusë dhe disa shqiptarëve katolikë nga Shqipëria e Veriut. Në mars të 1762, Jakov Suma nga Shkodra shkoi në Peterburg dhe u takua me Petrin III dhe si “përfaqësues i gjithë shqiptarëve” kërkoi që të formohej një regjiment shqiptar i ushtrisë ruse për të luftuar kundër Perandorisë Osmane.

Në luftën turko-ruse në vitin 1768 një numër shqiptarësh (kryesisht himariotë) hynë në shërbim të flotës ruse në Detin Mesdhe. Në luftimet që u zhvilluan në gusht të vitit 1773, kundëradmirali rus A.Elmanov raportonte se kishin marrë pjesë katër batalione shqiptarësh (1020 veta), të cilët shkatërruan dhe pushtuan kështjellat osmane Stançio dhe Butrint. Kjo dukuri do të vihet re edhe në luftërat e tjera, duke bërë që një pjesë e tyre të vendoset në Odesë. Kështu u krijua edhe kolonia shqiptare e Rusisë.

Edhe Ali Pashë Tepelena u përpoq të bashkëpunonte me rusët, me qëllim që ata të mbështesnin projektin e tij politik për të fituar pavarësinë e Pashallëkut të Janinës. Por pavarësisht premtimeve të princit G.A.Pomtekim, ky projekt bindte ndesh me preferencat ruse në Ballkan. Luftën kundër suliotëve dhe himariotëve në vitin 1798, Ali Pashë Tepelena e filloi me pretekstin se ata ishin pro-rusë. Në fakt kjo ishte e vërtetë. Por megjith shtypjen e tyre në vitin 1803, ndikimi rus në territoret shqiptare nuk u zhduk. Përkundrazi, ai u rrit akoma më shumë në gjysmën e dytë të shekullit XIX-të dhe arriti kulmin gjatë shekullit XX-të.

Filed Under: Ekonomi

19 qershor 1998, kthesë historike për Kosovën

June 19, 2024 by s p

Shkruan: Dr. Lulzim Nika/

Më 19 qershor 1998, Këshilli për Siguri Kombëtare me prezencën e të gjithë përfaqësuesve të institucioneve të qeverisë së SHBA-së, merr vendimin historik për UÇK-në që përfaqësuesit e saj të jenë pjesë e negociatave për statusin e Kosovës.

Me këtë vendim u njoftua edhe presidenti Ibrahim Rugova që në grupin negociator të Kosovës do të përfshihen edhe përfaqësuesit politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fillim të qershorit, i dërguari amerikan për Kosovën, Kristofer Hill, kishte takim në Malishevë me përfaqësuesit e UÇK-së dhe pas atij takimi, ishte në linjë direkte me përfaqësuesit e Këshillit për Siguri Kombëtare që ishin në takim në Uashington, duke iu raportuar nga zonat e luftës në Kosovë.

Në takimin e 19 qershorit, Këshilli për Siguri Kombëtare i SHBA-së, në mes të shumë konkluzioneve për Kosovën, mori vendim që UÇK-ja duhet t’i ketë përfaqësuesit e vet, në negociatat e ardhshme për Kosovën, sepse, partitë aktuale në Prishtinë nuk mund ta përfaqësojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në negociatat e ardhshme për statusin politik të Kosovës.

Në anën tjetër, Sllobodan Millosheviqi i kishte premtuar Rusisë se gjatë verës do ta shkatërronte UÇK-ë dhe në vjeshtë do të fillojnë negociatat për një autonomi të Kosovës që nuk rrezikon sovranitetin e Serbisë në Kosovë.

Në këtë ditë të shënuar, ishte vendimtar presioni i SHBA-së që legjitimoi, me qëndrim zyrtar, UÇK-në në nivel ndërkombëtar.

Vendimi që të përfshihen përfaqësuesit politikë të UÇK-së në arritjen e paqes në Kosovë, ishte e arritura më domethënëse për të ardhmen e Kosovës.

Nga 19 qershori i vitit 1998, UÇK-ja ishte partner i ndërkombëtarëve që së bashku punuan për të arritur paqen në Kosovë.

Duke falënderuar vendosmërinë e diplomacisë amerikane që ishte e pakompromis deri në tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, dhe po ashtu pas çlirimit të Kosovës, UÇK-ja ishte partner i besueshëm.

Gjurmët e krimeve dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, ishin në të gjithë Kosovën, andaj, argumenti i diplomacisë amerikane pro UÇK-së ishte tepër bindës dhe i qëndrueshëm, për të ndihmuar një popull të fitonte lirinë dhe shtetin.

Më 19 qershor 1998, Drejtoria Politike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) mori një njohje të rëndësishme ndërkombëtare, kur përfaqësuesit e saj u takuan me zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ç’rast ky ishte një moment kyç në procesin e legjitimimit politik të UÇK-së në arenën ndërkombëtare.

Ky vendim i Shteteve të Bashkuara për të njohur politikisht UÇK-në erdhi në një kontekst të përkeqësimit të situatës në Kosovë, ku forcat serbe dhe ato të UÇK-së ishin në një përplasje të vazhdueshme dhe ku dhuna ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës po rritej. Në këtë periudhë, UÇK-ja po shfaqej gjithnjë e më shumë si përfaqësuesja kryesore e rezistencës shqiptare kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Njohja politike e UÇK-së nga SHBA-ja shënoi një kthesë të rëndësishme në politikën ndërkombëtare ndaj Kosovës. Kjo njohje jo vetëm që rriti legjitimitetin e UÇK-së si një forcë kryesore në terren, por gjithashtu hapi rrugën për mbështetje më të gjerë ndërkombëtare dhe përfshirje në negociatat e ardhshme për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë.

Ky vendim i SHBA-së ishte një sinjal i qartë se komuniteti ndërkombëtar, dhe veçanërisht SHBA-ja, ishte e gatshme të mbështeste aspiratat e shqiptarëve të Kosovës për liri , duke e njohur UÇK-në si një faktor kryesor dhe legjitim në këtë përpjekje.

Filed Under: Analiza

Ta gëzosh vulën, a të humbtë vula !

June 19, 2024 by s p

Satirë nga Rafael Floqi/

Njëherë në një kohë të largët, në një vend ku politika ishte më e ndërlikuar se formula e relativitetit, ku as AI s’ bën punë, partia e ujkut dhe e dhelprës në pushtet u takuan në një rrugë të errët, sipas fabulës së vjetër. Ujku, i njohur për zgjuarsinë e tij (ose mungesën e saj), kishte një gëzof me qime mjaft të rralla gri. Partia në pushtet, e njohur me nofkën “dhelpra” pasi ndiqte zakonet e vjetra, kishte një qëllim të vetëm: ta mbante pushtetin pavarësisht që korrupsioni e kishte bërë t’i binin qimet ca nga ca.

Ujku, me një shikim të thellë në sy, tha: “Partia në pushtet, a e di çfarë është ndryshimi midis teje dhe një ujku?” Partia në pushtet u përgjigj me një buzëqeshje dinake: “Po, e di. Ne kemi më shumë qime.”

Ujku nuk u ndal. “Por, a e dini se qimet tuaja janë të njëjta si të gjithë ujqërve të tjerë? Nuk keni asgjë ndryshe!” Partia në pushtet u trondit ca. “Po, por ne kemi prokurorë dhe toga të zeza! Këto janë armët tona të mëdha.”

Ujku qeshi. “Prokurorët dhe togat e zeza? A nuk janë ata që ndjekin kundërshtarët dy ditë para zgjedhjeve? A nuk janë ata që pengojnë betimin e kryebashkiakëve të zgjedhur nga populli?”

Partia në pushtet u përgjigj me një zë të dridhur: “Po, por kjo është për të mirën e demokracisë!”

Ujku kishte një sy të mprehtë. “Dhe kjo vula e PD-së? A mos është kjo një karotë e vogël për ta mbajtur gjithë atë në lojë?”

Partia në pushtet u përpoq të justifikohej “Jo, jo. Ne ua kemi rikthyer vulën, por nuk është aq e thjeshtë. Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme na goditën me shkop. Ne jemi ende në pritje të akuzave kundër liderit të opozitës.”

Ujku qeshi sërish. “Me atë trukun e zhveshjes së mandatit pa kaluar, përmes kuvendit e keni përdorur si një magjistar. Bravo!”

Partia në pushtet u ndje si e fyer. “Por ne jemi në pushtet, dhe pushteti është mbi gjithçka!”

Ujku e pa me një përbuzje të thellë. “Po, po. Pushteti është si një qime e thinjur. Nuk ka ndryshuar asgjë.”

Kështu, ujku dhe partia në pushtet vazhduan të debatonin për pushtetin, duke ndjekur qimet e tyre të ndërlikuara.

Dhe dhelpra vazhdon të përdorte “heronjtë e filmave vizatimorë fëmijëve” si leva e saj e preferuar për të shkatërruar lojën e barabartë politike. E në fund të ditës, çdo gjë është një lojë e qimesh të dredhura, ku fituesi është ai që ka më shumë qime – ose më saktë, prokurorë dhe toga të zeza.

Kjo ishte fabula po le të kthehemi në realitet. Edhe pse fjalia “Vula nuk mjafton” ajo krijon tension dhe është një koment i thellë për situatën e Partisë Demokratike (PD) në Shqipëri. Por, siç thuhet, “vula nuk mjafton.” E Sali Berishës nuk i mjafton vetëm vulë për të fituar zgjedhjet apo për të bërë një PD të madhe që mund të largojë nga pushteti kryeministrin Rama.

Pasi fitoren nuk e sjell vetëm vula. PD duhet të ketë një strukturë të mirë organizuar, një elitë të rifreskuar, dhe një frymë të re që të përfaqësojë votuesit. Në të kaluarën, ka pasur konflikte të shumta brenda PD-së. Rrahjet dhe sherret mes anëtarëve kanë shpartalluar partinë në bazë. Një PD e madhe që do të konkurrojë me Partinë Socialiste duhet të jetë mbi 30% dhe të ketë frymën e zgjedhjeve për të kthyer shumicën në fitues.

Ndërkohë kandidatët për kryetar të partisë u ndanë në dy skuadra: “Vula United” dhe “Berisha FC”. Ndeshja ishte e ashpër, me shumë gola dhe ndërprerje për shkak të debateve mbi emrin dhe vulën e re. Në fund, pas një penalltie të diskutueshme, “Vula United” fitoi dhe u shpall kryetare e re e Partisë Demokratike. Por, për të shmangur ndonjë konflikt të ri, ata vendosën që emri dhe vula e partisë të jenë “Vula-Berisha United”. Kështu që, tani partia ka një emër të ri dhe një vulë të re, dhe të gjithë janë të kënaqur. Kështu do të ishte sikur fabula të mbaronte mirë , por një shprehje po më jehonte në mendje kohët e fundit, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, ku situata në Partinë Demokratike u bë edhe më interesante, ishte shprehja “ Ju humbtë Vula!

Grupi i Lulëzim Bashës duket se i ka kapërdirë qëndrimet e muajve më parë ndaj tij. Pas vendimit të Apelit që i dha vulën e partisë Sali Berishës, ky ka pasur një ftesë publike ndaj Bashës dhe deputetëve pranë tij që të bashkohen dhe të jenë një front i vetëm për një punë vule. Ndërsa ai deklaroi se për punë të vulës do shkojë edhe në Strasburg. Jo thjesht për punë pune, thashë me vete, por punë vule.

Vula ky send i vogël zyre, ku janë gdhendur emri i institucionit firmave dhe shenja të tjera, e cila zakonisht ngjyhet me bojë dhe vihet mbi shkresat për të dëshmuar vërtetësinë e tyre e për t’u dhënë fuqi zbatimi; pajisje e tillë që përdoret për të lënë shenjë në dyllë të kuq, në plumb etj.; shenja që lë ky mjet në letër, në dyllë etj. Vulë zyrtare. Vulë postare. Vulë apostile. Vulë e thatë, vulë që nuk ngjyhet në bojë. Vulë vetjake. Vulë plumbi. Vulë druri (gome), vulë, vulë. Vulë….e Duke vazhduar leximin e kuptova pse është kaq e dashur vula, mjaftonte të shihje fjalorin shqip-shqip, por pashë që aty dhelpra kish lënë shënime : “E humbi vulën u hutua, e humbi toruan. I humbi vula dikujt u zhduk pa lënë gjurmë, u shua, u fik, s’i gjendet as nami as nishani. Aha kjo qenka vula”, dhe ja ku vula u bë më agresive. ” Të humbtë vula (nami, nishani)! mallkim. vdektë e mos u përmend të më! Aha thashë ndaj qenka me rëndësi ai send i vogël që futet në xhep, apo nuk i shkon vula edhe nuk i shkon fjala, nuk e dëgjojnë të tjerët. Dhe shqiponja me dy koka e vulës nuk i bën dert.

Edi Rama kërkon zgjedhje me një rival pa financim, pa komisionerë dhe pa emër kryetari në fletën e votimit. Kjo është si të kërkosh një marshmellou pa sheqer, një kafe pa kafeinë dhe një këngë pa tekst. Drejtësia i’u pamundësoi këtej e tutje këtë ëndërr, por a do të jetë kjo një fitore e vërtetë për opozitën? Ndoshta, por vetëm nëse ata mund të gjejnë një rival që nuk ka asnjë lidhje me politikën, financat, apo realitetin , po mendonte i kërrusur ujku.

Po demokracia? -pyeti një buf naiv, profesor sociologjiel, çlidhje ka me vulat? Dhe pwrgjigjej po vetw ajo është vetëm një histori e humbur e lojës vulën ta lashë nuk ta dhashë. Në një vend ku politika është më e ndërlikuar se sudoku me shifra të shkruara me laps, drejtësia luan një lojë të çuditshme, midis përrallës dhe asaj që as AI s’e kap dot.

Në njërën dorë, ajo i jep atë që të takon – një vulë PD-së së rikonstruktuar, si një dhuratë e vogël për të mbajtur opozitën në lojën me vula. Por me tjetrën dorë, ajo zhvesh liderin e opozitës nga mandati i deputetit, e pastaj. si një magjistar që zhvesh një këpucë pa e nxjerrë këmbën.

Dhe kështu në garën e ardhshme elektorale, demokratët mund të mos privohen nga pasja e emrit të Berishës në fletën e votimit, por nuk do ta kenë atë prezent në fushatë. Ai do të jetë si një fantazmë politike, një emër që fluturon në ajër, duket si papa në ballkon, por nuk shihet dot. Si në atë fabulën e vjetër me moralin e lashtë “Pushteti dhe drejtësia i falën vulën PD-së , por i rrëmbyen kreun e kopesë”. Dhe sa për ato institucionet e pavarura të drejtësisë? Ata janë si një kartolinë e humbur në postë e bukur por pa vulë, një ide fantastike por e pamundur për t’u realizuar.

“E nëse kjo puna e vulës nuk është manipulim, atëherë dhelpra që tani ia vuri vulën zgjedhjeve që vijnë”, shtoi bufi me një buzëqeshje satirike.

Filed Under: Analiza

Sami Frashëri, 1 qershor 1850 – 18 qershor 1904

June 18, 2024 by s p

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”/

Sami Frashëri, ideologu kryesor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe veprimtar i saj,dijetar enciklopedist, gjuhëtar, shkrimtar dhe publicist.

Sami Frashëri lindi në Frashër të Përmetit më 1 qershor 1850. Është vëllai i vogël i Abdyl e Naim Frashërit. Mësimet e para i mori në vendlindje. Më 1865 së bashku me pesë vëllezërit e tij dhe dy motrat u vendos, në Janinë, ku me vëllanë, Naimin, Sami Frashëri kreu shkollën e mesme greke “Zosimea”. Atje, përveç greqishtes së re e të vjetër përvetësoi edhe gjuhën latine, frënge dhe atë italiane. Më 1872 u vendos në Stamboll ku zhvilloi një veprimtari të gjerë patriotike për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe bashkëpunoi me përfaqësuesit më përparimtarë të lëvizjes liberale turke. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” dhe me themelimin e “Shoqërisë së të shtypurit me shkronja shqip” (1879) u zgjodh kryetar i saj. Vepra “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë”, botuar më 1899 në Bukuresht, u bë manifesti i Rilindjes Kombëtare, vepra që sintetizoi programin e lëvizjes, strategjinë dhe taktikën e saj. Është autor i fjalorit normativ të gjuhës turke “Kamus-i turki”, 1901, i cili ruan vlerën e vet të madhe edhe në ditët e sotme. Sami Frashëri është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe, përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to. Ai la në dorëshkrim 11 vepra, kryesisht nga fusha e gjuhësisë dhe letërsisë. Vdiq në Stamboll në moshën 54 vjeçare.

Filed Under: Histori

NË PËRKUJTIM TË 66 VJETORIT TË FJETJES NË ZOTIN TË KRYEPESHKOPIT TË PARË KANONIK DHE MARTIR I KISHËS ORTODOKSE AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË, FORTLUMTURISË SË TIJ KRISTOFOR KISIT (1881- 17 qershor 1958)

June 18, 2024 by s p

+THEOFANI

i Filomilisë dhe i Peshkopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikave

Kryepeshkopi +KRISTOFOR KISI u lind me emrin e dhënë nga prindërit e tij me të cilin edhe u pagëzua, si SOTIR KISI, në lagjen “Kala” të Beratit në vitin 1881.

Që nga fëmijëria dhe deri rininë e tij të hershme, i riu Sotir Kisi kishte dy pasione në jetën e tij, Fenë (e Krishterë Ortodokse) dhe Shkencat e Natyrës (Kiminë).

Duke ndjekur pasionin e tij, ai shkon në Londër ku studion dhe diplomohet për Shkencat Natyrore, në Degën e Kimisë të Universitetit të famshëm të Oksfordit (Oxford University) në Kryeqytetin Britanik.

Mbas mbarimit të studimeve të larta në Angli ai udhëton drejt Kryeqytetit të Perandorisë Otomane, Stambollit (Kostandinopoja) ku regjistrohet për Studimet e Larta Fetare (të Krishtera Ortodokse) në Institutin e Lartë të Teologjisë Ortodokse që gjendet në ishullin e bukur dhe piktoresk të Halkit, që ndodhet 90 minuta larg me vapor nga Stambolli, ku edhe diplomohet në vitin 1908 në moshën 27 vjeçare. Tema që mbrojti diplomën ishte “Mbi prejardhjen e jetës monakale”.

Me përfundimin e studimeve teologjike më 1908 u kthye në atdhe dhe filloi punë në gjimnazin e Jovan Bangës në Korçë. Para Luftës Ballkanike ai u kthye përsëri në Stamboll (Kostandinopojë) dhe në vitin 1916 u dorëzua në gradën priftërore. Ai ishte kryefamulltar në Makrohor. Më vonë u hirotonis Peshkop i Sinadës, post të cilin e mbajti deri në vitin 1923, pasardhësi i të cilit sot është po një Peshkop me origjinë shqiptare, në personin e Hirësisë së Tij +Andon Vrame, i zgjedhur nga Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike dhe i dorëzuar si Peshkop nga Kryepeshkopi +Elpidofor i Amerikës më 20 prill 2024, në Nju Jork, ku mora pjesë edhe vetë unë përkrah Kryepeshkopit.

Pikërisht në atë vit, duke parë përpjekjet e otodoksëve shqiptarë për autoqefali, Imzot +Kristofori me kërkesën këmbëngulëse të Qeverisë Shqiptare të asaj kohe dhe popullit ortodoks shqiptar, u kthye në Shqipëri, ku mori në drejtim Mitropolinë e Beratit duke marrë titullin si “Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës”.

Më 21 nëntor 1923 Imzot Mitropolit +Kristofor Kisi së bashku me Eksarkun e Patriarkanës Ekumenike, Imzot Mitropolitin +Ierothe Jahon, dorëzuan në Gradën Peshkopale At Theofan Nolin në Kishën e “Shën Gjergjit” në Korçë.

Në vitin 1929, Mitropoliti +Kristofor Kisi u tërhoq në manastir duke mos marrë pjesë në veprimet antikanonike, që po kryheshin në Kishën Ortodokse Shqiptare

Më 1934 Imzot +Kristofori zuri vendin e “Mitropolitit të Korçës” dhe në vitin 1937 u zgjodh Kryepeshkop i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë dhe Kryetar i Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke qëndruar në krye të saj për 12 vite, deri në vitin 1949.

Në vitin 1942 Kryepeshkopi +Kristofor u thirr prej mëkëmbësit të Mbretit Viktor Emanuelit III, Jakomonit dhe iu bë presion, që në vendet vakante të dorëzoheshin Peshkopë unitë dhe të bëhej konvertimi i popullsisë ortodokse të Shqipërisë në uniate.

Kryepeshkopi +Kristofor i detyruar nga kushtet e vështira që po kalonte Kisha Ortodokse nën sundimin fashist në fillim pranoi, por ndërkohë u mundua që ta shtynte çështjen për më vonë. Ai thirri teologun Irine Banushi dhe i propozoi që të dorëzohej në Gradën Peshkopale, e cila u zhvillua në muajin shkurt 1942, në Manastirin e Hirshëm të Shën Naumit, që asokohe ishte nën juridiksionin administrativ të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke shmangur kështu një rrezik të madh për Kishën e Shqipërisë.

Më 1948 Kryepeshkopin +Kristofor e internuan, ku vuajti dënime të rënda dhe jetoi një jetë çnjerëzore.

Pasi ishte liruar nga regjimi komunist i Tiranës, ai ishte lejuar të kthehej dhe të jetonte në Rezidencën Kryepeshkopale në “Shën Prokop”.

Më datën 14 qershor 1958 mbërrin nga Amerika një person, identiteti i të cilit nuk dihet ende deri më sot, i cili kishte ardhur si i dërguar i Fan Nolit me një letër të këtij të fundit drejtuar Enver Hoxhës, ku Fan Noli i lutej diktatorit komunist që meqenëse ata të dy ishin tashmë në një moshë të thyer dhe duke pasur parasysh miqësinë e tyre të vjetër, t’i jepte leje për t’u larguar nga Shqipëria, për të kaluar vitet e fundit të jetës së tyre së bashku në Amerikë.

Personit ndërlidhës të Fan Nolit i’u tha se do ta pyesnin ish Kryepeshkopin nëse ai do ta pranonte këtë propozim të Fan Nolit. Kështu, mbasditen e datës 17 qershor 1958, personi në fjalë, i cili rrinte në Hotel “Dajti”, i shoqëruar nga zyrtarë të Qeverisë Komuniste (Sigurimi i Shtetit), shkuan kinse për t’u takuar personalisht me ish Kryepeshkopin +Kristofor Kisi, për ta pyetur personalisht.

Kur arritën në derën e Rezidencës së tij dhe trokitën, asnjë përgjigje nuk erdhi nga brenda saj. Për “rastësi” aty pranë kaloi një “qytetar”, të cilin e pyetën nëse e kishte parë gjë ish Kryepeshkopin duke bërë shëtitjen e mëngjesit në atë ditë rreth kodrave të liqenit, ashtu siç edhe e kishte si rutinë të përditshme, kurse “kalimtari i rastit” i’u përgjigj se nuk e kishte parë prej disa ditësh sepse kishte qenë disi i sëmurë dhe pa qejf. Atëherë vendosën të shpërthejnë derën me forcë dhe kur hynë brenda gjetën trupin e pajetë të ish Kryepeshkopit +Kristofor Kisi të shtrirë në tokë në katin e parë të Rezidencës ku ai kishte një laborator kimie personal për të ushtruar pasionin e tij si kimist, pranë një tavoline të madhe ku kishte mjetet dhe enët që përdorte për eksperimente kimike.

U thirr menjëherë autoambulanca, e cila e transportoi në Spitalin Qendror (Nr. 1) të Tiranës ku edhe u deklarua i vdekur.

Në vaskën e madhe të laboratorit u gjetën mbetje acidi dhe lëndësh toksike.

Vdekja e tij në rrethana misterioze dhe të dyshimta në Rezidencën Kryepeshkopale pranë Kishës së “Shën Prokopit” në kodrat e Shën Prokopit, që sot njihen si “Kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës”, u mbajt në fshehtësi dhe nuk u bë asnjë publikim zyrtar në shtypin e kontrolluar dhe të censuruar të asaj kohe.

Fakt është se kjo ndodhi mbas refuzimit të disa hershëm që Fan Noli i kishte bërë ftesës së përsëritur të Enver Hoxhës dhe qeverisë së tij për t’u kthyer përgjithmonë në atdhe.

Në një nga letërkëmbimet e shumta midis Kisit dhe Nolit, ky i fundit e pyeste: “Fortlumturi, më kanë kërkuar kaq herë që të kthehem në Shqipëri, ç’të bëj të vij? Si thua ti?” Në letrën e përgjigjes, Kisi i shkruante Nolit “…. bëj atë që ke bërë deri më tani!”

Siç duket kjo fjali ka qenë fatale për Prelatin dhe Shkencëtarin e shquar dhe antikomunistin e paepur Imzot +Kristofor Kisin, Kryebariun e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, i cili e kishte dorëzuar Fan Nolin si Peshkop më 21 nëntor 1923 në Korçë, por edhe ai që mori TOMOS-in (Dekretin) e Autoqefalisë, i cili nuk pranoi që të mohonte kryqin për lavdinë tokësore, që i ofroi regjimi komunist, prandaj edhe e helmuan.

Varrimi i Kryepeshkopit +Kristofor Kisi u bë më datën 18 qershor 1958. Arkivoli që mbante trupin e tij u vendos në mesin e Kishës Katedrale të “Ungjillëzimit” në Tiranë.

Ceremonia e përmortshme u kryesua nga Fortlumturia e Tij, +Paisi (Vodica), me pjesëmarrjen e Peshkopit Ndihmës +Sofronit, Arhimandrit Dhanil Çulit, Stavrofor Thoma Popës, Ikonom Marko Papajanit, Saqellar Petro Doçit, Kryedhjakonit Sotir Kanxherit, etj.

Në prani të të afërmve dhe besimtarëve të shumtë që kishin mbushur kishën, foli Sekretari i Sinodit të Shenjtë, Niko Çane, i cili theksoi virtytet e të ndjerit. Ndër të tjera ai përmendi ndershmërinë, urtësinë dhe kulturën e gjerë të Kryepeshkopit +Kristofor Kisi.

Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi +Kristofor Kisi bëri tratativa me Vatikanin për të krijuar një presion diplomatik balancues, si kundërpeshë ndaj shtysës së Patriarkanës Ekumenike, për të pastruar Kishën Ortodokse të Shqipërisë nga rryma e majtë e Fan Nolit me influencën e Kishës Ruse dhe paraardhësit të tij Kryepeshkopit +Visarion Xhuvanit me rrymën e tij të influencuar nga nacionalistët shqiptarë, Kisi edhe pse erdhi si një kompromis për të mirën e Shqipërisë dhe Kishës së saj Ortodokse Autoqefale, kurrë nuk i ndërpreu kontaktet me dy paraardhësit e tij, që i kishte jo vetëm miq të sinqertë, por edhe këshilltarë të ngushtë deri në fund, në momentin e persekutimit makabër dhe të vdekjes së tij tragjike.

Por përveç historisë së tij, ai la një trashëgimi të paçmuar shkencore dhe kulturore, laboratorin dhe bibliotekën e tij shumë të pasur, që u bënë themeli i Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës.

Ky fakt kurrë nuk u bë publik dhe as një salle laboratorike nuk i’u vu emri i Profesor +Kristofor Kisit.

Besimtarët Ortodoksë Shqiptarë besojnë dhe shpresojnë se nuk do të jetë e largët dita që ky Prelat i shquar dhe Martir i Kishës, të ngrihet në Panteonin e shenjtorëve shqiptarë, të cilët nuk janë të paktë dhe që presin ti shtohen kalendarit të shenjtorëve të Krishterë Ortodoksë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij dhe qoftë shenjtërimi i tij sa më i afërt.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT