Shkruan: Dr. Lulzim Nika/
Më 19 qershor 1998, Këshilli për Siguri Kombëtare me prezencën e të gjithë përfaqësuesve të institucioneve të qeverisë së SHBA-së, merr vendimin historik për UÇK-në që përfaqësuesit e saj të jenë pjesë e negociatave për statusin e Kosovës.
Me këtë vendim u njoftua edhe presidenti Ibrahim Rugova që në grupin negociator të Kosovës do të përfshihen edhe përfaqësuesit politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fillim të qershorit, i dërguari amerikan për Kosovën, Kristofer Hill, kishte takim në Malishevë me përfaqësuesit e UÇK-së dhe pas atij takimi, ishte në linjë direkte me përfaqësuesit e Këshillit për Siguri Kombëtare që ishin në takim në Uashington, duke iu raportuar nga zonat e luftës në Kosovë.
Në takimin e 19 qershorit, Këshilli për Siguri Kombëtare i SHBA-së, në mes të shumë konkluzioneve për Kosovën, mori vendim që UÇK-ja duhet t’i ketë përfaqësuesit e vet, në negociatat e ardhshme për Kosovën, sepse, partitë aktuale në Prishtinë nuk mund ta përfaqësojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në negociatat e ardhshme për statusin politik të Kosovës.
Në anën tjetër, Sllobodan Millosheviqi i kishte premtuar Rusisë se gjatë verës do ta shkatërronte UÇK-ë dhe në vjeshtë do të fillojnë negociatat për një autonomi të Kosovës që nuk rrezikon sovranitetin e Serbisë në Kosovë.
Në këtë ditë të shënuar, ishte vendimtar presioni i SHBA-së që legjitimoi, me qëndrim zyrtar, UÇK-në në nivel ndërkombëtar.
Vendimi që të përfshihen përfaqësuesit politikë të UÇK-së në arritjen e paqes në Kosovë, ishte e arritura më domethënëse për të ardhmen e Kosovës.
Nga 19 qershori i vitit 1998, UÇK-ja ishte partner i ndërkombëtarëve që së bashku punuan për të arritur paqen në Kosovë.
Duke falënderuar vendosmërinë e diplomacisë amerikane që ishte e pakompromis deri në tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, dhe po ashtu pas çlirimit të Kosovës, UÇK-ja ishte partner i besueshëm.
Gjurmët e krimeve dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, ishin në të gjithë Kosovën, andaj, argumenti i diplomacisë amerikane pro UÇK-së ishte tepër bindës dhe i qëndrueshëm, për të ndihmuar një popull të fitonte lirinë dhe shtetin.
Më 19 qershor 1998, Drejtoria Politike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) mori një njohje të rëndësishme ndërkombëtare, kur përfaqësuesit e saj u takuan me zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ç’rast ky ishte një moment kyç në procesin e legjitimimit politik të UÇK-së në arenën ndërkombëtare.
Ky vendim i Shteteve të Bashkuara për të njohur politikisht UÇK-në erdhi në një kontekst të përkeqësimit të situatës në Kosovë, ku forcat serbe dhe ato të UÇK-së ishin në një përplasje të vazhdueshme dhe ku dhuna ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës po rritej. Në këtë periudhë, UÇK-ja po shfaqej gjithnjë e më shumë si përfaqësuesja kryesore e rezistencës shqiptare kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Njohja politike e UÇK-së nga SHBA-ja shënoi një kthesë të rëndësishme në politikën ndërkombëtare ndaj Kosovës. Kjo njohje jo vetëm që rriti legjitimitetin e UÇK-së si një forcë kryesore në terren, por gjithashtu hapi rrugën për mbështetje më të gjerë ndërkombëtare dhe përfshirje në negociatat e ardhshme për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë.
Ky vendim i SHBA-së ishte një sinjal i qartë se komuniteti ndërkombëtar, dhe veçanërisht SHBA-ja, ishte e gatshme të mbështeste aspiratat e shqiptarëve të Kosovës për liri , duke e njohur UÇK-në si një faktor kryesor dhe legjitim në këtë përpjekje.