• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2024

As për lotin e një fëmije…

June 17, 2024 by s p

Historia e shtrembëruar nuk mund të jetë mësuese e mirë e jetës

Nga dr. Sadik Elshani/

Është për t’u habitur e duket si diçka e pakuptimtë kur lexon e dëgjon se një pjesë e mirë e shqiptarëve ende flasin me adhurim për regjimin komunist. Habia është edhe më e madhe kur e dëgjon këtë edhe pas më shumë se 30 viteve nga rënja e komunizmit në Shqipëri. E dëgjon këtë edhe nga një pjesës e mirë e shqiptarëve që me vite të tëra jetojnë në ShBA dhe vende të tjera përendimore, të cilët e shohin me sytë e tyre sesi funksionojnë shoqëritë demokratike dhe vlerat njerëzore që ato i rrezaojnë. Jetojnë në këto vende dhe i gëzojnë privilegjet që këto vende i ofrojnë, por ata mendjen dhe zemrën e kanë te një periudhë e errët e historisë së kombit tonë – periudhës komuniste. Mundohen ta arsyetojnë përkrahjen e tyre për regjimin komunist duke i radhitur disa të arritura: ndërtimi i hidrocentraleve, ndërtimi i hekurudhave, shëndetësia, arsimi, etj. Wshtë e kuptueshme që kur një regjim rri në pushtet për afro 50 vite diçka duhet të ndërtohet, se ndryshe nuk mund të ekzistonte. Në rastin e Shqipërisë shumica e ndërtimeve janë bëre me ndihmën e Jugosllavisë në fillim e pastaj me ndihmën e Bashkimit Sovjetik e Kinës. Kur u prishën këto marrëdhënie, që më mirë mos të kishin ekzistuar fare, regjimi komunist nuk mund t’i përballonte sfidat e shumta ekonomike dhe ai regjim u shemb, falimentoi. Edhe nëse është bërë ndonjë gjë e mirë, është bërë duke e paguar një çmim të madh: zhdukjen e lirisë së njeriut, eliminimin e elitës intelektuale,arrestimet, burgosjet, internimet, pushkatimet që nuk u ndalen kurrë deri në grahmat e fundit të atij regjimi çnjerëzor. Regjim që u fundos nga pesha e rëndë e krimit, paaftësisë, injorancës – regjim që u mposhtë nga populli më i molisur i kontinentit evropian. Një e keqe i hijëson, i mbulon të gjitha të mirat, e në Shqipëri në atë kohë kanë ndodhur shumë të këqia. Nga të mirat nuk përmbyset asnjë regjim. Nëse qenka jetuar mirë në atë regjim, atëherë përse shqiptarët e shporrën atë?! Wshtë shkruar mjaft për atë periudhë dhe këtu nuk do të ndalemi më tepër, janë dokumentuar mirë çmenduritë e asaj kohe. Zbehtësinë e këtyre “përparimeve” bukur e ka paraqitur Visar Zhiti në romanin e tij, “Këpuca e aktorit” (Tiranë, 2022, f. 130): “Me fitoren e tyre, vërtet punojnë të gjithë, mbase edhe bukë kanë të gjithë, por nuk janë të lirë, nuk kanë as vetet e tyre. Atdheu duket i mbyllur forcërisht…si një teatër absurd, ku të zihet fryma e ti je i detyruar të shohësh të njejtën skenë, të njejtën komedi. Që vetëm duke u bërë aktor mund të përballohet. Xhaxhai më fliste për ndryshime të mëdha, punohen tokat kudo, bëhen ndërtime, rrugë, shkolla, spitale, hidrocentrale, shpesh më dukej se donte t’ia thoshte vetes me zë, që ta dëgjonin të tjerë, dakord, s’isha kundër, doja t’u gëzohesha edhe unë, por mjaftonte të shikoja sytë e trishtuar të nënës time, atë buzëqeshje të venitur që të rrënoheshin të gjitha…”.

As për lotin e një fëmije

Diçka të ngjashme më tha edhe një koleg rus. Në mesin e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar kur po punoja në Departamentin e Kimisë në Universitetin e Idahos, në grupin e profesorit me të cilin punoja erdhi një koleg rus nga Universiteti i Moskës. (Për kurreshtjen e lexuesit, edhe qyteti ku ndodhej universiteti quhej Moscoë – Moska. Dhe këtë bashkëpunim e quanin: nga Moska në Moskë.). Ai ishte një djalë i qetë dhe me të bisedoja edhe rusisht, sepse anglishtja e tij nuk ishte aq e mirë. Bisedonim shpesh edhe për gjendjen në Rusi, vitet e sistemit sovjetik, etj. Më interesonte të dija se çfarë qëndrimi kishte për sistemin komunist të ish-Bashkimit Sovjetik dhe si do ta karakterizonte atë periudhë. Nuk doja ta pyesja në mënyrë direkte për të mos e vënë në ndonjë pozitë të pakëndshme apo provokuese, prandaj provova pak më ndryshe, në një mënyrë të tërthortë dhe iu drejtova: Trofim, po Bashkimi Sovjetik ka arritur edhe suksese, ndërsa ai menjëherë m’u përgjigj: Sadik, nuk ia vlen as për lotin e një fëmije. Kështu, fare qart e në një mënyrë mjaft domethënëse më tha një koleg rus që ai vetë, babai i tij, e me siguri edhe gjyshi i tij ishin lindur e rritur në vendlindjen e bolshevizmit. E në Shqipëri sa lot janë derdhur, sa gjak është derdhur, sa jetëra njerëzish e familje janë shkatërruar, sa njerëzve të pafajshëm as varri ende nuk u dihet! E dikush ende sot e mbron atë regjim se paskan bërë këtë e atë. Të gjitha kanë mundur të bëhen pa shkatërrimin, terrorizmin e një populli të tërë (përveç atyre të privilegjuarëve të atij regjimi). Diku në një shkrim lexova edhe një thënie të ngjashme nga F. M. Dostojevski (1821 – 1881): “Madje as lumturia më e madhe e botës nuk do t’ia vlente çmimin e një loti në faqet e një fëmije të pafajshëm”.

Shembuj të guximit intelektual

Ndoshta mund të kuptohet heshtja në kohën e diktaturës, sepse për një fjalë goje rrezikohej jeta, familja, madje edhe farefisi i gjërë. Por, sot në liri e demokraci ende të mbrohen krimet e komunizmit?! Edhe gjatë diktaturës ka patur mjaft njerëz të guximshëm që e kundërshtuan diktaturën dhe vetë diktatorin, duke e fliuar edhe jetën e tyre. Të kujtojmë shkencëtaren e parë shqiptare, Sebiha Kasimati, që me mjaft guxim u ballafaqua me diktatorin: “Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se, me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me kepucëtarët?!” Dihet fati tragjik i Sebiha kasimatit – u pushkatua në vitin 1951. “Po të më jepni një top, do të qëlloja mbi regjimn tuaj” – ishin fjalët e fundit të poetit të talentuar e atdhetar, Trifon Xhaxhika, para trupit gjykues, inkuizitorëve të tij. Edhe Trifoni u pushkatua ne vitin 1963, në moshën 31 vjeçare.

Historia e shtrembëruar nuk mund të jetë mësuese e mirë

Gjatë historisë së tyre shumë gjëra të tmerrshme, çnjerëzore u kanë ndodhur edhe disa popujve e vendeve të qytetëruara e të përparuara. Të kujtojmë këtu Gjermaninë Naciste e Italinë Fashiste. Por, këto vende janë ballafaquar me të kaluarën e tyre, i kanë pranuar, dënuar e gjykuar gabimet, krimet e tyre të tmerrshme. E kanë hequr atë gur të rëndë nga qafa e ndërgjegjes së tyre kombëtare dhe sot Gjermania e Italia janë bërë forca motorike e zhvillimit demokratik e ekonomik të Bashkimit Europian. Po në Shqipëri? Ende nuk janë pranuar e dënuar krimet e komunizmit në mënyrë institucionale e shtetërore. Ende paraqiten në publik simbolet e komunizmit. Disa historianë tanë në vend se të merren me studimin e asja periudhe, t’i analizojnë me vërtetësi e saktësi shkencore ato ngjarje, ata nëpër studio televizive e mbrojnë atë regjim. Akademikët rumunë e kanë bërë një studim kritik për regjimin komunist në vendin e tyre. Gjërat studiohen me një sy kritik e me gjykime të shëndosha, që të mos përsëriten më. Nga historianët e deridjeshëm, vegla të regjimit të kaluar, nuk mund të pritet një studim historik objektiv. Madje edhe vetë Ramiz Alia, udhëheqësi i fundit komunist e tha në një intervistë se nuk mund ta rishkruajnë historinë ata që vetë e kanë shkruar me parë.Na duhen studiues të rinj të përgatitur nëpër universitetet përendimore e të liruar nga çdo bagazh i së kaluarës. Derisa të mos dënohen krimet e komunizmit do të jemi një popull me ndërgjegje të vrarë dhe kjo gjithmonë do të jetë një pengesë për të ecur përpara. Historia e shtrembëruar kurrë nuk mund të jetë mësuese e mirë e jetës.

Philadelphia, më 10 qershor 2024

Filed Under: Sociale

THE WASHINGTON POST (1938) / NJË RRËFIM PËR FAIK KONICËN NGA GERALD G. GROSS : “PASIONET, URREJTJET, PARAARDHËSIT E TIJ, REFORMA AGRARE, AHMET ZOGU, SHQIPTARËT E AMERIKËS…”

June 17, 2024 by s p


Burimi : The Washington Post, e diel, 13 shkurt 1938, faqe n°4
Burimi : The Washington Post, e diel, 13 shkurt 1938, faqe n°4

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Qershor 2024

“The Washington Post” ka botuar, të dielën e 13 shkurtit 1938, në faqen n°4, një rrëfim asokohe për Faik Konicën nga gazetari amerikan Gerald G. Gross, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Ministri Konica, i Shqipërisë, mbetet beqar; Pasionet e tij janë muzika, teatri dhe filologjia 

Nga Gerald G. Gross

Burimi : The Washington Post, e diel, 13 shkurt 1938, faqe n°4
Burimi : The Washington Post, e diel, 13 shkurt 1938, faqe n°4

Në mesin e shefave të misionit në Uashington, beqarët janë po aq të rrallë sa burrat në mëngjes. Ata mund të numërohen me gishtat e njërës dorë, zbulon një sondazh i shpejtë dhe beqari më i paprekshëm nga të gjithë duket se është ministri shqiptar Faik Konica.

“Gjithmonë e shtyj për vitin e ardhshëm”, thotë ambasadori me zë të butë, të cilit iu desht të bënte një deklaratë zyrtare një muaj më parë për të shuar zërat se ai dhe një balerinë amerikane kishin synime martesore. “E vërteta është se nuk do të martohem kurrë.”

Ai nuk jep arsyet e tij dhe askush nuk e ka pyetur, por mund të supozojmë se ai e kupton se gratë nuk mund t’i durojnë sënduket e librave të stërmbushur me libra, fonografë kolosalë në dhomën e ndenjes dhe dorëshkrime të shpërndara në të gjithë ambientet. Lulet e portokallisë, pranon ai, kanë vendin e tyre, por lërini atij bibliotekën e tij, muzikën e tij, bojë dhe të drejtën e pakundërshtueshme për t’i shijuar kur dhe si të dojë.

Plumbi nga këmbanat e dasmës (varieteti B, nëntipi 2) ishte i pashmangshëm për këtë tip të veçantë, jo vetëm për shkak të zgjedhshmërisë së ministrit Konica dhe romancës së sipërpërmendur të gazetës, por për shkak se Shqipëria, për të cilën pak dëgjohet ndonjëherë, është bërë material në faqen e parë që nga Mbreti Zog I, javën e kaluar njoftoi fejesën e tij me konteshën hungareze Apponyi, nëna e së cilës është e lindur amerikane.

E gjithë kjo na çon në një pikë tjetër, dhe më pas do të trajtojmë një taktikë të re. Ligji i ndalon diplomatët shqiptarë që të martohen me të huaj. Megjithatë, asnjë kufizim i tillë nuk duket se e shqetëson monarkun, edhe pse ai, një mysliman, dhe nusja e ardhshme duket se janë në mes të ndërlikimeve fetare. Kjo nuk duket si kriket, veçanërisht duke pasur parasysh që diplomati në Uashington, i cili është i martuar me një grua fshatare, është përjashtim dhe jo rregull.

***

Faik (shqiptohet Fi-eek) Konica është një njeri që do dhe urren shumë. Në kategorinë e parë mund të përmendim kërkimet filologjike, teatrin, muzikën klasike, ushqimin dhe pijen e mirë, shkrimin krijues dhe vetminë. Aversionet (neveritë) e tij janë turmat, ushtrimet, kafshët, ritmet e xhazit, mashtrimet e shoqërisë dhe bisedat me zë të lartë.

I pyetur për të shkruar një portret të tij për këtë artikull, ai shkroi :

“Edhe pse ka një mospëlqim të fortë ndaj turmave dhe distanca prej tyre është vënë re si karakteristikë e tij kryesore, Faik Konica ka treguar gjithmonë një simpati të vërtetë për masat. Në vitin 1930 ai iu lut mbretit Zog që të shqyrtonte një projekt për rishpërndarjen e tokës në Shqipëri dhe projekti u mishërua shpejt më pas në një reformë gjithëpërfshirëse agrare, e cila, pas një debati të gjatë në parlamentin kombëtar, u bë ligj.

I vetëdijshëm për karakterin e tij të rezervuar, ndonëse nuk është as i turpshëm dhe as i turpëruar, të afërmit e konsiderojnë “asket”. Ai shprehet qartësisht i matur për moshën e tij, por vlen të përmendet se shumë nga kolegët e tij ministra dhe ambasadorë gjithashtu preferojnë të heshtin për këtë temë. Ai nuk është kthyer në shtëpi prej gjashtë vitesh, sepse vizita të tilla “e bëjnë atë të rraskapitet fizikisht”.

Vëllezërit diplomatë le të golfojnë, të kalërojnë, të ecin sipas dëshirës së tyre, por çdo formë e ushtrimit fizik është mallkim për zotin Konica. Kjo neveri, si dhe neveria e tij ndaj kafshëve shtëpiake, ndoshta do të ishte e kuptueshme për një psikanalist, kur mëson se një kal e hodhi në tokë Faikun 15-vjeçar dhe e detyroi të mbante paterica për një vit. Sot, ai i urren kuajt, qentë dhe macet. Qentë, mendon ai, janë shumë servilë dhe macet shumë të pavarura.

“Ndoshta nëse do të kishte një krijesë shtëpiake, prirja e së cilës do të ishte midis asaj të qenit dhe asaj të maces, unë do të kisha një të tillë,” thotë ai.

***

I dërguari nga Tirana në Uashington ka lindur në qytetin e Konicës, nga i cili ka marrë edhe emrin familja, në kufirin e Shqipërisë dhe Epirit grek. Babai i tij ishte një pronar i madh tokash, që i përkiste një prej 30 familjeve feudale, të cilat për disa shekuj me radhë kanë formuar klasën sunduese të këtij rajoni malor që shtrihet në bregun perëndimor të gadishullit Ballkanik. Stërgjyshi i tij ishte mik i ngushtë i Sir Hudson Lowe, në atë kohë Guvernator i Ishujve Jon, dhe i destinuar të bëhej i famshëm si guvernator i Shën Helenës dhe kujdestar i Napoleonit. Ndër veprat që ministri po përgatit për botim është edhe vëllimi i korrespondencës mes paraardhësve të tij të shquar dhe anglezit të titulluar.

Ministri Konica studioi në kolegjin jezuit në Shkodër (Shqipëri), në Liceun Perandorak në Kostandinopojë dhe në Francë. Në vitin 1909 ai erdhi fillimisht në Shtetet e Bashkuara për të propaganduar për autonominë shqiptare brenda Perandorisë Osmane, për të ndihmuar refugjatët atje dhe për të studiuar për Masterin e Arteve në Filologji Romantike në Universitetin e Harvardit.

Njerëzit e tij, mjaft të kënaqur me regjimin e Kostandinopojës, shpresonin se ai do të hynte në l’Ecole des Sciences Politiques në Paris me synimin për të shërbyer në trupin diplomatik të Sulltanit. Por Konica i ri, i shtyrë nga zelli i çlirimtarit, sapo kishte marrë diplomën e tij bachelor në Francë, ai filloi lëvizjen nacionaliste shqiptare të krijuar për të siguruar autonominë nga sulltani. Megjithëse në fillim ishte i moderuar, programi i zemëroi aq shumë autoritetet osmane, saqë tokat e themeluesit të tij u konfiskuan dhe ai u dënua me vdekje — në mungesë.

Disiplina shërbeu vetëm për intensifikimin e lëvizjes, jo vetëm brenda por edhe jashtë saj. Ndërsa Konica po kërkonte mbështetje dhe simpati në këtë vend dhe ithtarët e kauzës po bënin të njëjtën lojë gjë në vende të tjera, rebelimet kundër sundimit osman po shuheshin në shtëpi (atdhe). Pika e kthesës erdhi në vitin 1912, kur u dha autonomia nga turqit dhe, më vonë në të njëjtin vit, pavarësia e Shqipërisë u shpall nga Ismail Qemal Vlora. Konica u emërua një nga delegatët e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, e cila, më 20 dhjetor 1912, njohu në parim pavarësinë e Shqipërisë. Shtatë muaj më vonë konferenca e shpalli Shqipërinë një shtet sovran të pavarur.

Në vitin 1925 Konica, si udhëheqës i opozitës Nacionaliste Liberale, këshilloi kundër një kryengritjeje të armatosur për të rrëzuar qeverinë e atëhershme konservatore, ku Ahmed Zogu sapo ishte zgjedhur president për një mandat shtatëvjeçar. Më pas, i diplomuari i Harvard-it me sy të zinj u nderua me emërimin si i dërguari i parë në Shtetet e Bashkuara nga Shqipëria. Ai ia paraqiti letrat kredenciale Presidentit Coolidge në tetor 1926 dhe shërbimi i tij këtu ka qenë i vazhdueshëm.

Në lidhje me mbështetjen e tij për reformën agrare, ministri thotë :

“Pronarët e mëdhenj të tokave ishin të hidhëruar në denoncimin e tyre. Ata fajësuan Faik Konicën për tradhtinë e klasës së tij dhe lanë të kuptohet për hakmarrje të dhunshme. Por ligji nuk ishte i padrejtë, sepse parashikonte kompensim të plotë monetar për pronarët e tokave të rishpërndara, dhe pikërisht për këtë ligji nuk ka arritur ende në fazën e zbatimit, shteti nuk ka arritur ende të lirojë disa miliona të nevojshme për kompensim.”

Ministri shqiptar është ndoshta në fund të të pesëdhjetave, ka flokë të thinjura, të holla dhe me gjatësi mesatare. Beethoven, Mozart dhe Bach janë kompozitorët e tij të preferuar.

“Kur isha i ri, e doja Wagnerin, por tani më duken veprat e tij shumë të gjalla dhe të bollshme”, thotë ai.

Ai i shmang pritjet në radio, për shkak të muhabeteve reklamuese, por ndjek transmetimet javore të Toscanini-t që transmetohen aktualisht. Rezidenca dhe legata e tij janë të kombinuara në një apartament shërbimi të mobiluar thjesht në Hotel Mayflower.

***

Në Amerikë janë 30.000 shtetas dhe 100.000 burra, gra e fëmijë me origjinë shqiptare. Shumica më e madhe e tyre janë të shpërndarë në një vend pak më i madh se Belgjika, me jo më shumë se 1.500.000 banorë.

Ministri Konica ka 2.500 libra në bibliotekën e tij këtu dhe po aq të tjerë në atdhe. Disa vizatime origjinale të Rodin-it zbukurojnë muret e dhomës së tij të gjumit. Ai ka njohuri të leximit të italishtes, spanjishtes, rumanishtes, portugalishtes, turqishtes, gjermanishtes, greqishtes së vjetër dhe moderne, latinishtes, hebraishtes dhe arabishtes, si dhe shqipes, frëngjishtes dhe anglishtes, të cilat i flet me lehtësi.

Ai pi në mënyrë diskrete dhe selektive dhe pi rrallë para darkës sepse nuk i pëlqen të ndërpresë pijen për t’iu përgjigjur telefonit ose për të kënduar (lexuar) një letër. Ai shqetësohet për ndikimin që ka duhani tek ai. Ai pi tre paketa cigare amerikane në ditë.

Filmat që ai i ndjek “vetëm kur nuk ka asgjë tjetër për të shikuar”, por le të përpiqet këdo që të mos e shohë “Borëbardhën!”

Filed Under: Opinion

NJË EVROPË E DETYRUAR TË RRITET

June 17, 2024 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO – “Corriere della Sera”, 13 qershor 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika/

Stuhia e përsosur. Një skenar krejt i papranueshëm: kundër-evropianistja, filo-putiniania, Marine Le Pen kryeministre e Francës, Donald Trump president i Shteteve të Bashkuar. Evropa në mes, e thërmuar. Nuk ka një plan B. Vetëm panik. Siç ka vërejtur Antonio Polito (Corriere, 13 qershor) kush ngushullohet duke thënë se, sidoqoftë, në Parlamentin evropian ka ende një shumicë evropeiste, nuk njeh mekanizmat vendim-marrës evropianë, e shkëmben Parlamentin e Strasburgut për një Parlament kombëtar të zakonshëm. Veç asaj kush mendon – është një ide që qarkullon në shtypin ndërkombëtar – që, qoftë edhe në mënyrë paradoksale, i takon një udhëheqëseje pragmatike e realiste si Xhorxha Meloni, domethënë e vetmja kryetare qeverie, ndërmjet atyre Vendeve evropiane të njohura, që ka kaluar mirë provimin zgjedhor, detyra të ndihmojë një Evropë në vështirësi tejet të rënda, rrezikon të mbivlerësojë peshën e Italisë. Me të gjithë respektin për të, Italia ka dy pengesa të mëdha. E para është e njohura, ajo e përherëshmja: pa llogari në rregull aftësitë e manevrës së një Vendi si Italia janë të kufizuara. E dyta është e lidhur me përbërjen e koalicionit tonë të qeverisë. Është e lehtë të përfytyrohet se me Le Pen në krye të qeverisë franceze, sintonia ndërmjet Le Pen dhe Salvinit do t’I krijonte shumë probleme filo-atllantikes, filo-ukrainases, Xhorxha Meloni. Mund t’I kufizonte aftësinë e saj të lëvizjes në selinë evropiane.

Në një fazë shpejtimi tejet të fuqishëm të historisë, Bashkimi evropian, i mësuar të funksionojë në një regjim të ulët (gjithmonë e vetëm një hap mbas bisedimesh të gjata e drobitëse ndërmjet qeverive evropiane) rrezikon sot si asnjëherë më parë, për të renë absolute të sfidave gjeopolitike që na kërcënojnë. Nga një anë është një front i përbashkët sulmi ndaj botës perëndimore nga Lindja e nga Jugu: me mësymjen e Ukrainës e nesër kushedi se kujt Vendi tjetër evropian, me aleancën e hekurt ndërmjet Putinit dhe Iranit që kushtëzon Lindjen e Mesme, me praninë në rritje ushtarake ruse n’Afrikë (e kontrollin relativ të valëve emigruese) dhe me Kinën që, nga lartësia e fuqisë së saj, inkurajon bashkëpuntorët e saj të rij: sa më shumë të këqija të arrijnë t’u bëjnë perëndimorëve aq më mirë është për perandorinë bojë qielli.

Nga ana tjetër është një Amerikë, në një fazë të rënies relative të fuqisë që, sido të shkojnë votimet presidenciale, nuk do të jetë më kurrë ajo mbrojtëse e fuqishme e Evropës që ka qenë nga mbarimi i luftës së Dytë botërore deri sot. Nëse pastaj do të fitonte Trump-i do të provonim shpejt se çfarë do të thotë të kemi një Evropë të pambrojtur, një qëngj ndërmjet ujqërvet. Një gjëndje që mund t’i pëlqejë vetëm miqve perëndimorë të Putinit (dhe styre të Hamasit, klient i Iranit).

Politika, ashtu si propozohet dhe ndërpretohet për votuesit, bazohet gjithmonë mbi thjeshtësime e skematizime që ngatërrojnë idetë: evropianistët e sinqertë këndej, sovranistët kundër-evropianë andej. Makar të ishte aq e thjeshtë. Të shohim më nga afër evropeistët e mësipërm. Macroni është një evropeist i sigurtë. Por është në vijën e traditës goliste: edhe nëse Franca nuk ka më as kapacitetin as rezervat, ëndrra mbetet gjithmonë ajo e një Evrope me hegjemoni franceze (“bomba atomike, ashtu si vendi francez në OKB, janë të mijtë e i mbarështoj un”). Ose të marrim rastin e Gjermanisë. Të nesërmen e mësymjes së Ukrainës, kançelari Scholz, duke kuptuar faktin se pacifizmi tradicional gjerman nuk është më i dobishëm në kohë luftërash, shpall një plan madhështor armatimi (të cilit, në të vërtetë, i kanë humbur gjurmët), por nuk ka aspak ndërmënd mbrojtjen evropiane. Dëshëron armatosjen gjermane e pikë. Dhe po flasim për Francën e Gjermaninë, ose dy Vende që gjatë, së paku deri në ribashkimin gjerman, kishin udhëhequr proçesin e integrimit evropian. E gjithë kjo për të thënë që sigurisht ka n’Evropë një përplasje ndërmjet forcave liberale dhe iliberale (këto të fundit, në mënyrë koherente, kundër-evropiane dhe filo-putiniane), por nuk mund të shtiremi për të harruar se “evropeistët” nuk ishin e nuk janë fderalistë, makar nxënës të Altiero Spinelit. Ishin e janë të kujdesëshëm , para së gjithash e mbi të gjitha, ndaj interesave të tyre kombëtare. Ndryshimi është ndërmjet nacionalistëve shkurt (të ashtuquajturit “sovranistë”) dhe nacionalistëve/evropianistë, ose atyre për të cilët interesi kombëtar nuk mund të ndiqet me efektshmëri jashtë kornizës evropiane.

Realizmi mund të duket i vrazhdët por retorika, jo vetëm mërzit, por ndalon pamjen e problemeve, e për pasojë, edhe kërkimin e mjeteve për t’i zgjidhur. Evropa vuan nga një ves i zanafillës. Proçesi i integrimit evropian, i nisur gjatë Luftës së ftohtë, n’epokën e ndarjes ndërmjet blloqeve (atllantik e sovjetik), zhvillohet në shenjën e një ndarjeje të punës: amerikanëve u takon mbrojtja ushtarake e Evropës, evropianët janë të lirë të investojnë rezervat e tyre në zhvillim e mirëqënie. Në çastin kur mbrojtja amerikane pushon të jetë e siguruar, evropianët nuk dijnë kujt shenjti t’i drejtohen. Nuk kanë mjetet për t’u mbrojtur nga kërcënimet e mësymjet e perandorive të ringjallura. Prova vendimtare, natyrisht është Ukraina: nëse Putini fiton aty, Evropa do të jetë e thyer, pa rrugëdalje.

Fatmirësisht, apo fatkeqësisht historia mbetet e paparashikueshme. Ndoshta, përballë rreziqesh të paprovuar në tetëdhjetë vite paqeje, Bashkimi evropian arrin në muajt e ardhshëm (por është çështje muajsh, jo vitesh) të dalë nga rutina, arrin të kuptojë se janë vetë interesat kombëtarë të Shteteve evropianë, që për t’u mbrojtur kërkojnë ndryshime rrënjësorë: një sistem i ri qeverisje i Bashkimit që t’i japë mundësi të përballojë një botë të ndryshuar kaqë rrënjësisht e mizorisht.

Ideja që integrimi politik-ushtarak do të kishte ardhur automatikisht, për pasojë të integrimit ekonomik, me të cilën shumë evropianë janë zbavitur për dhjetëvjeçarë, qe një gënjeshtër, një miklim. Megjithatë ndonjëherë rreziku mpreh mëndjen, instikti i mbijetesës imponohet. Duhet shpresuar që kjo të ndodhë.

“Corriere della Sera”, 13 qershor 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza

BESA…

June 17, 2024 by s p

Nga Ramiz LUSHAJ/

BESA:

Vetëm t’ia thuash emrin e saj dhe tashma Shqiptarët e dijnë se kush është ajo: BESA TAFILAJ-PINCHOTTI.

BESA,

është Shqiptarja që këto dy vitet e fundit e ka takuar ma shumë se çdo tjetër shqiptar Presidentin Amerikan, Joe BIDEN: qoftë edhe President/e, Kryeministër, Kryetar/e Kuvendi, Ministër…, qoftë edhe shqiptaro-amerikan.

BESA

u takua edhe para disa ditësh në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e SHBA, Mikun e Madh të Shqiptarëve, Joe BIDEN.

Në kuadër të detyrës së saj ajo ka biseduar edhe për Organizaten Amerikane që ajo drejton në Uashington D.C.

Si zakonisht, ka biseduar edhe për Kosovën, edhe rreth Kosovës.

Ajo ishte dhe në “Takimi i Madh i Prishtinës, 2024”, ku mbajti Fjalën e Hapjes së Takimit, ishte në Panelin Drejtues të Takimit, ishte një nga Yjet e Takimit.

BESA

është e para dhe e vetmja shqiptare gazetare e ekranit dhe e terrenit, që ka punuar për disa vite të jehonshme, në rrjetet e mëdha televizive amerikane TV ABC dhe TV NBC, duke spikeruar edhe përgaditë emisione televizive elitare edhe për luftën dhe periudhën e pasluftës së Kosovës.

BESA

është e vetmja shqiptare e derisotme që drejton një organizatë amerikane kaq të madhe, kaq të fuqishme…, sikurse Organizata e Familjeve të Ushtarakëve të Amerikës (NMFA).

Ajo është Drejtore Ekzekutive e kësaj organizate (NMFA) që në rradhët e saj janë edhe Familje të Presidentëve të SHBA, etj.

BESA

është e vetmja personalitete shqiptare, edhe shqiptaro-amerikane, që ka përshëndet me video-mesazh apo me prani të saj, ma së shumti Takimet/Kuvendet tona PanShqiptare- NdërBallkanike- EuroAtlantike, në Tiranë, Prishtinë, Pejë, Vermosh, Ulqin, Plavë-Guci.

BESA,

është përzgjedhur nga Revista “Military Spouse” (2021) si një nga 15 bashkëshortet dinjitare të ushtarakëve të Amerikës me ndikim në publikun amerikan.

Është nderuar me Çmimet e Larta “Madeline Albright” dhe “Elena Gjika” dhe për veprimtarinë e saj për Kombin Shqiptar është cilësuar, vitet e fundit, edhe si amerikania Rose Wilder Lane dhe britanikja Mary Edith Durham e Shek. XXI.

BESA,

është e vetmja femër shqiptaro-amerikane e abonuar në “Gazeta e Alpeve”; është një nga miket ma të mira të “Gazeta e Alpeve”; është vajza e vetme dhe ideale e Drejtorit të Përgjithshëm të “Gazeta e Alpeve”, MSc. Ing. Ramiz Tafilaj në Huoston-Teksas (SHBA) dhe e prof. Diana TAFILAJ, hebreje, një kuadër e nëne e shquar, e një familje të shquar hebreje-amerikane.

BESA,

së bashku me bashkëshortin e saj, David J. Jr. Pinchotti – ushtarak i Pentagonit, veteran Ushatarak i Amerikës, dhe tre fëmijët e saj: Lira, Zana, Loriku, jetojnë në Capitol Hill,. në Uashtington D.C.- kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ne jemi krenar e fatlum që kemi një za të fuqishëm, të paster e të jehonshëm, brenda ambjenteve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington D.C., në kryeqytetine Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Sofra Poetike

Magjistari i publicitetit negativ

June 17, 2024 by s p

Artan Nati/

Sharlatanët kanë ekzistuar prej shekujsh. Ata shitën metoda dhe ilaçe që do të premtonin pavdekësi dhe shëndet të plotë dhe treguan metoda të shpeja alkimike drejt pasurisë. Ata fillimisht u përqendruan në grupe të vogla derisa, rastësisht ata zbuluan një të vërtetë të natyrës njerëzore: sa më i madh të ishte grupi që mblidhnin rreth vetes, aq më lehtë ishte të mashtronin, sepse njerëzit ishin më emocionalë dhe më pak të aftë për të arsyetuar. Çdo mangësi në idetë e sharlatanit fshihej nga zelli i masës. Pasioni e përfshiu turmën si një ngjitës dhe ata reagonin dhunshëm ndaj kujtdo që guxonte të përhapte një farë dyshimi. Përmes dekadave të studimit të kësaj dinamike dhe eksperimentesh, sharlatanët përsosën shkencën e tërheqjes dhe mbajtjes së një turme, duke e formuar turmën në ndjekës dhe ndjekësit në një kult.

Marifetet e sharlatanëve mund të duken të çuditshme sot, por ka mijëra prej tyre ende mes nesh, duke përdorur të njëjtat metoda të provuara dhe të vërteta që paraardhësit e tyre rafinuan shekuj më parë, duke ndryshuar vetëm emrat e metodave të tyre dhe duke modernizuar pamjen e kulteve të tyre. I gjejmë në biznes, modë, politikë, art. Shumë po ndjekin traditën sharlatane pa pasur njohuri për historinë e saj.

Fillimi ka të bëjë me tërheqjen e vëmendjes me çdo kusht. Jo metoda të paligjshme apo të dyshimta, por gjithçka tjetër është në tryezë. Siç thoshte Oscar Wilde, “Ka vetëm një gjë në jetë më të keqe se të flasin për të, dhe kjo është të mos flitet”. Robert Greene që konsiderohet si Machiavelli i kohëve moderne thotë: “Tërhiqni vëmendjen tek vetja duke krijuar një imazh të paharrueshëm, madje edhe të diskutueshëm. Mos u trembni nga skandali në gjykatë apo kudo. Bëni gjithçka për ta bërë veten të dukeni më i madh se jeta dhe të shkëlqeni më shumë se ata përreth jush. Mos bëni dallime midis llojeve të vëmendjes – famë e çdo lloji do t’ju sjellë fuqi. Më mirë të shpifin për ju dhe të sulmohesh sesa të shpërfillesh.” Më tej ai vazhdon: “Shoqëria dëshiron figura më të mëdha se sa jeta, njerëz që qëndrojnë mbi mediokritetin e përgjithshëm. Mos kini frikë, pra, nga cilësitë që ju veçojnë dhe tërheqin vëmendjen tek ju,as nga polemikat gjyqësore, madje as edhe nga skandalet”.

Një shembull historik i dikujt që nuk arriti të tërheqë vëmendjen është piktori holandez Vincent van Gogh. Pavarësisht talentit të tij të pamohueshëm, van Gogh shiti vetëm një pikturë gjatë jetës së tij dhe vdiq në errësirë. Vetëm pas vdekjes së tij puna e tij fitoi njohje dhe vlerësim të gjerë. Po ashtu shkrimtari me famë botërore Franz Kafka arriti të shiste vetëm disa tregime

Në kohën e vdekjes së tij, në vitin 1924, në moshën 40-vjeçare, Kafka vështirë se dukej si një kandidat për famë botërore. Romanet kryesore të Kafkës,“Proçesi” dhe “Kështjella”, mbetën në formë dorëshkrimi, të papërfunduara dhe të panjohura për botën. Para se të vdiste, Kafka i kishte shkruar një letër mikut të tij Brod të digjte të gjitha dorëshkrimet e tij, duke përfshirë letrat dhe ditarët e tij dhe kryeveprat e tij “Proçesi” dhe “Kështjella”, të cilat i dhanë famë dhe para pas vdekjes, ndërsa njerëzimit i dhanë kryeveprat letrare.

Një shembull i mirë i dikujt që duket i fuqishëm por që nuk është, mund të jetë Donald Trump. Trump duket se ka shumë pushtet mbi njerëzit, por shumë nga kjo vjen nga një ligj i vetëm. Aftësia e Trump është më e mirë se kushdo në zbatimin e ligjit kryesor të tërheqjes së vëmendjes dhe krijimit të një imazhi të pakrahasueshëm dhe të diskutueshëm. Gjithashtu ai është mjeshtër të luaj me nevojën e njerëzve për të besuar për të krijuar një kult si lideri i imazhit dhe fasadave. Por, në fakt “ai nuk e kontrollon veten”. Ai është i paaftë për strategji afatgjatë dhe të qëndrueshme, kështu që nuk mund të luajë për një kohë të gjatë. Ai sakrifikon aleatë të fuqishëm në emër të tërheqjes së vëmendjes.

Në të vërtetë historia e Shqipërisë është një histori e sharlatanëve dhe një nga mësimet e trishtuara të historisë është se ne jemi mashtruar për një kohë të gjatë dhe ne priremi të hedhim poshtë çdo provë të mashtrimit. Ne nuk jemi më të interesuar të zbulojmë të vërtetën. Na ka kapur mashtrimi. Është thjesht shumë e dhimbshme të pranojmë, madje edhe për veten tonë, se e kemi më të lehtë të vetëmashtrohemi. Në momentin që ne i japim pushtet sharlatanit,ne pushojmë së menduari dhe gjykuari. Vetëm budallenjtë dhe sharlatanët dinë gjithçka dhe nuk kuptojnë asgjë.

Komunistët me në krye sharlatanin Enver Hoxha premtuan lugën e florinjtë dhe mbollën varfëri, premtuan barazi sociale dhe mbollën terror, eleminuan fenë dhe e zevëndësuan atë me fenë e komunizmit dhe rrolin e zotit e morri Enver Hoxha. Sa herë që dështonin gjenin armiq të brendshëm e të jashtëm, duke premtuar ditë më të mira.

Përmbysja e komunizmit nuk solli përmbysjen e kulturës, si rrjedhim as përmbysjen e sharlatanëve. Kultura jonë e prirur të besojmë në magjiken dhe hierarkinë, totalisht e ndryshme nga perëndimi që beson në idetë dhe humanizmin, është e prirur të krijojë kulte dhe zgjidhje magjike të problemeve. Si e tillë pas viteve 90 me fitoren e demokracisë, luga e floririt u zëvëndësua me çekun e bardhë dhe kulti i sekretarit të Partisë së Punës me kryetarin e PD apo PS etj. Përjashtimet dhe vrasjet e armiqëve të Partisë u zëvëndësuan me burgosjen e kundështarëve politik dhe me presione dhe largime masive nga Partitë politike dhe ndërkohë liderët e partive rrethoheshin nga besnikët e tyre që brohorisnin për liderin e tyre.

Mjeshtri i tërheqjes së vëmendjes duhet thënë se është Edi Rama. Veshjet e tij ekstravagante dhe përtej imagjinatës vetëm e kanë shtuar vemendjen dhe interesin ndaj tij duke zbatuar një nga ligjet më të rëndësishme të politikës: kushtimi i vëmendjes me çdo kusht dhe duke krijuar një imazh të paharrueshëm dhe të diskutueshëm, por jo me metoda të paligjshme dhe të dyshimta. Reklamën më të madhe ai e ka marrë nga kundështarët e tij politikë duke e cilësuar atë si vjedhës ikonash apo si i degjeneruar me fotografi nudo dhe i përdalë duke ndarë disa gra etj. Këto vetëm e kanë shtuar famën e tij dhe e kanë dhënë merita të paqëna, por që shumë njerëz i besojnë duke e shndërruar figurën e tij në një kult. Ai ka arritur të krijojë imazhin nëpërmjet fjalëve të kundështarëve të tij se ai ka manipuluar politikën amerikane, angleze dhe atë europiane në dëm të kundështarëve të tij politikë. Edhe zgjedhja e Fredi Belerit si eurodeputet është produkt i tërheqjes së vëmendjes nga veprimet e Edi Ramës, por kundështari dhe analogu i tij grek Micotaqis e shfrytëzoi dhe bëri të pamundurën, atë që një kriminel dhe injorant i panjohur në Greqi, të zgjidhej si eurodeputet. Rama duket se po bëhet edhe më i famshëm, por këtë radhë në arenën ndërkombëtare. Duket sikur Rama po sfidon presidentin Trump icili thotë se: “Publiciteti i mirë preferohet nga ai i keqi, por nga këndvështrimi përfundimtar, publiciteti i keq ndonjëherë është më i mirë se mungesa e publicitetit. Me pak fjalë, polemika funksionon”. Rama preferon publicitetin negativ duke e kthyer atë në favor të tij.

Duket sikur Rama e ka në kontroll gjithçka, por në fakt ai nuk e kontrollon dot veten. Ai është i paaftë për strategji afatgjatë dhe të qëndrueshme sepse i gjithë ky “sukses” është i ngritur mbi një mashtrim, kështu që nuk mund të luajë për një kohë të gjatë. Ai sakrifikon aleatë të fuqishëm në emër të tërheqjes së vëmendjes dhe korrupsioni dhe kulti i individit po e gërryejnë pozitën e tij. Çështja shtrohet se a duhet të presim ne si individ, si shoqëri dhe si komb deri sa këta sharlatanë të vetërrëzohen dhe pastaj të biem pre e një sharlatani të radhës, apo të zhvilojmë mendimin kritik e të jemi skeptik se jo çdo gjë që ndrit është ar dhe se të gjithë njerëzit në thelb janë njëlloj, Të mos harrojmë, se ata që e kërkojnë pushtetin me zell të madh, janë njerëzit më të rrezikshëm në shoqëri.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT