• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2024

Roli i OKB-së në Kosovë

June 15, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Sot, në punimet e Konferencës shkencore: “Kosova 1989-1999: organizimi dhe qëndresa për çlirim”, organizuar nga Instituti i Historisë në Prishtinë dhe Instituti i Historisë në Tiranë, prezantova kumtesën me titull: “Roli i OKB-së dhe lufta e Kosovës 1998/99”,

Prishtinë, 14 qershor 2024. Në këtë punim, evidentova se angazhimi i OKB-së në harkun kohor 15 vjeçar, nga 1992-2008, paraqet një moment kulmor të ndërkombëtarizimit të krizës së atëhershme të Kosovës si rrjedhë e rezistencës civile dhe të armatosur të shqiptarëve të Kosovës. Qysh në kohën sap o ndodhnin bombardimet e NATO-s, Annan në diskutimet e tij me krerët e qeverive, ishte bërë e qartë se vendosja e një force ndërkombëtare duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit. Këshilli i Sigurimit është gjithashtu i nevojshëm për të zbatuar marrëveshjet kalimtare për Kosovën. Ajo luan një rol kyç në çdo zgjidhje politike. Unë besoj se OKB ka një rol për të luajtur në kërkimin e një zgjidhjeje diplomatike, por ne jemi ende në fazat e hershme. Megjithatë, besoj se duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi për diplomaci dhe do ta bëjmë.

“Vendosja e një force ndërkombëtare (NATO) për të mbrojtur refugjatët e kthyer është vendimtare. Ka diskutime serioze për natyrën dhe përbërjen e kësaj force. NATO fillimisht deklaroi se duhej të ishte një forcë e NATO-s, tani po flasim për ‘bërthamën‘”, Annan.

Ndërsa, qëndrimi i Kofi Annanit në kohën e bombardimeve të NATO-s ishte në mbrojtje të Kosovës, ndërsa emërimi i Marti Ahtisaarit si përfaqësues special i OKB-së për udhëheqjen e bisedimeve shqiptaro-serbe paraqet momentin më të suksesshëm të OKB-së. Nëse Ban Ki-moon e kishte përkrahur Planin e Ahtisaarit në mars të vitit 2007, Këshilli i Sigurimit as nuk e përkrahu dhe as nuk e refuzoi një plan të tillë. Sidoqoftë, mungesa e një konsensusi në Këshillin e Sigurimit bëri që pavarësia e Kosovës të shpallet me 17 shkurt 2008 jashtë sistemit ndërkombëtar, fakt ky që e ka vështirësuar mjaft shumë procesin e konsolidimit të shtetit të Kosovës në planin ndërkombëtar dhe anëtarësimin e tij në organizatat multilaterale.

Në këtë kontekst, bilanci i angazhimit 15 vjeçar të OKB-së në Kosovë dhe për Kosovën është tejet pozitiv dhe i suksesshëm. Prandaj, nëse e krahasojmë me dialogun 13 vjeçar të BE-së, del se kontributi i BE-së në Procesin e Brukselit është më pak se modest.

Për dallim nga Këshilli i Sigurimit, ku Rusia dhe Kina e kanë të drejtën e vetos, BE-ja është bërë peng i 5 vendeve mosnjohëse të Kosovës si Qiproja, Sllovakia, Rumani, Spanja dhe Greqia dhe më shumë ka përqafuar me naivitet narrativën ruse për Kosovën si një rast precedent.

Filed Under: Ekonomi

Shoqëria, e mira, e keqja, e vërteta dhe gënjeshtra

June 15, 2024 by s p

Dr. Eugent Kllapi/

Ndërtimi i imazhit të një shoqërie krijohet në mënyrë protagoniste midis së mirës dhe së keqes, të vërtetës dhe gënjeshtrës. Në qendër të saj si në përralla, tregime, legjenda apo filma, telenovela si element kryesor narrative ka gjithmonë një hero dhe një antihero që shpëton botën, vendin shoqërinë, komunitetin apo edhe vetveten.

Këtë lloj heroi që në mënyrë simbolike kthehet në mit, në legjende, në tabu e në disa raste totem(disa raste pasi vlerat dhe normat evolojne ashtu si kuptimi i së keqes dhe të mirës) më shumë se kurrë e ngre media dhe për leverdishmëri gazetarët që po t’i kruash nga pak në sipërfaqe iu del figura e Antiheroit. Vetë ky antihero me të madhe, sikur të ishte nën trysninë e neurozes, do që të ngrejë Heroin me mjetet e tij nëpërmjet medias. E do këtë hero për t’u identifikuar me të, për të krijuar simbolikën e së mires dhe të së drejtës, kuptimin e të vërtetës e ngritur dalëngadalë kjo nga genjeshtra.

Heroit të kësaj shoqërie i ngelet vetëm të legjitimojë antiheroin e vlerave, pasi ai nuk mundet dot të legjitimojë identikitin e vetvetes pa këtë imazhologji që më shumë se media nuk e ngre dot vetë. Shoqëria i beson vetëm kësaj medie, sepse ajo ngre heroin. Në këtë lloj forme heroi ben paqe me antiheroin, merren vesh ose bejne marreveshje pasi nje hierarki te vertete virtytesh, vlerash e normaah nuk ka per orientim shoqerie. Ato i krijojne antiheronjte e kohes se sotme qe ne nje fare kuptimi per perkushtimin dhe zellin qe kane per keto cilesi mund te quhen edhe promotore te heroizmit. Gabimisht ne kete mbeshtetje te madhe te vlerave e njejtesojne edhe vlen me heronj. Si ata gazetaret qe behen me shume se letrare, pastaj politikane te deshtuar, kthehen gazetare me 30 mije euro ne muaj dhe ne letraret me te shitur te planetit si mit dhe tabu shoqerore sepse ai eshte i vetem si hero, nuk mund te kete tjeter.

Antiheroi edhe sikur te kete bere 1 mije e nje prapesira praseprape mund te quhet hero i fjales dhe i mendimit te mire dhe te drejte, te vertete pasi ato po mbron pavatesisht qenies antihero. Mbase ai i ndjek dhe instiktivisht me nje intuite qe e ndjell gjithmone shejtan budallai ose i djall-ezuari, po ne fund te fundit edhe djalli nje nga engjejt e bijte e Zotit eshte, me kete intuite do te pastrohet e pagezohet tek Jordani si Jezusi qe ne kete rast eshte media. Ai mund te jete i paafte, amator, amoral apo aprofesional po c’rendesi ka kjo kur me suksesin e tij kerkon te drejtoje shoqerine tek heroi.

Me kalimin e kohes gjithe antiheronjte, vulgaret, maskarenjte, debilet, te paaftit, servilet etj promovohen identikisht si nje embleme e heroit te ardhshem, ata jane dhe po formohen edhe si heronj te se tashmes, si marke, si brand apo kut mates.

Sic i thone nje fjale te hershme, e gjithe bota rrotullohet nga pak nga budalleku megjithese nje i zgjuar sikur thoshte dikur se te gjitha te keqiat ndodhin nga injoranca.

Po pra ka ardh koha kur edhe te semuret mendore(per bihevoristet nuk ka te semure po te ndryshem nga normalet) mund te jene Heronj te shoqerise. Injoranca mund te prodhoje vlera dhe norma, mund te krijoje Heronj drejtues per shoqerine. Heronj te djallezuar dhe antiheronjte Heronj!!! Ku t’i kerkoj rrenjet e tua Parti!

Filed Under: Analiza

Teatri – si tempull lirie dhe demokracie

June 15, 2024 by s p

Behar Gjoka/

Të shembet a të mos shembet Teatri Kombëtar! Kjo është çështja ekzistenciale, që ka mbushur gazetat dhe revistat televizive këtyre javëve, ndonëse e shpikur me një mijë marifete, si tokë djerrë, si tokë e xanun nga politika. Më mirë ai truall që vlen, për hir të kullave të projektuar, sa frëngu pulën, gjithnjë simbas ndërtuesëve, të ishte tokë e djegur, se sa tokë djerrë, sepse toka e djegur ka për zot zjarrëvënësit…Po sikur? Mos ia shti në mend dreqninë se nuk ka nevojë, e din mirë e bukur vetë. Epo toka djerrë, është sikur jetimi, e prandaj pa humbur kohë, duhet një dalëzotës. Me teatër, pa teatër, tash së mbarmi, dëgjohet në sheshin para ndërtesave të teatrit. Me teatër, pa teatër, ulurasin arstistët, ata që jo pak na kanë lumturuar dhe gëzuar, ata që na kanë bërë të qajmë e qeshim, ata që të dehur në ekstazën e katarsës që përmend Aristoteli, na kanë bërë të harrojmë mjerimin, skëterrën shpirtërore, ku ishim dje e ku sërish po mbijetojmë sot. Ulurasin artistët, ama disa vetëm sa mëmërisin me vete, e të tjerë nuk guxojnë as ta mendojnë ndryshe nga projekti, që fle në duart e përfituesve të truallit. Të shembet, thotë Qeveriu, me heshtjen hyjnore të titullarës së kulturës, me zërin e hollë të kryebashkiakut, me tonin bariton të kryeministrit Rama. Të mos shembet, ia kthen opozita, me ca zëra laramanë dhe të lodhur, ku nuk merret vesh se kush foli i pari e kush i fundit. Do të shemben themelet e vjetra e mbi to do të ngrihet bota e re, teatri klas, ku do harbiten artistët, e sidomos të huajt, sepse do futen në Kullën-teatër, ku i ke të gjitha, e nuk ke nevojë të dalësh në shi e diell, ia kthejnë me një zë rilindasit e kullave dhe të gjelbërimit të atdheut me hashash, natyrisht me i mirë se sa i demokratëve të Lazaratit. Ma ngatërrove fillin e bisedës, po flisja vetëm për teatrin, nuk hyn hashashi këtu. Gabim, si u bëkanë kullat pa hashashin, pa rënien pikiatë të euros! Ore, nuk kanë asnjë lidhje, po të them. Me teatër, thërrasin artistët, në kulmin e dëshpërimit, të lodhur nga vapa dhe protesta e tejzgjatur, pa mbërritur askund. Askush nuk dëgjon! Madje, nuk dëgjojnë as muret që thuhet se kanë veshë. Pa teatër, se do kemi të riun, madhështor dhe më të bukurin prej krejtëve, dëgjohet mjaullima e zyrtarëve të kulturës, nuk e di se nga cila linjë telefoni, më erdhi në veshët e djersitur. Pa teatër të vjetër, me teatër klasi, lutet dhe përjarget kryevbashkiaku i pemëve të mbjella në televizion dhe në arat e Tiranës së betonizuar. Pa teatër, uluret nga kolltuku kryministri, si të ishte zot i detit, i tokës dhe qiellit… Harabelat e mbetura rastësisht mbi pemë, pranë Piramidës së degraduar sa nuk e di si mbahet në këmbë, fluturuan të trembur. Me teatër, lëshjonë zërin deri në kupë të qiellit, artistët e lodhur nga protesta që bie në veshë të shurdhër, nga aktorët që kanë luajtur për mbrekulli të gjitha rolet. Kanë luajtur, në atë skenë të teatrit, rolin e ballistëve, të partizanëve, të spiunëve, të heronjëve dhe antiheronjëve, të dramave të Shekspirit, Shilerit, Ipsenit, Çehovit… Me të dëgjuar e kam! Mbase nuk është e saktë. Ka gjasa që ta kem parë në ëndërr, ose dikush ma ka rrëfyer gabimisht. Megjithatë, në syrin tim, detaj vlen, në një kuptim të përmbysur… Dikur, Piro Mani, regjisori mjeshtër i teatrit, për të shmangur syrin e rreptë të komisionit miratues, pajisur me mësimet e partisë dhe të m-l, pra një komision ideologjik, fuste në skenë rrotën e qerres. Ata, të vëmendshëm së jashtmi, menjëherë kërkonin shpjegim dhe ajo hiqej, pa një e dy, se nuk kishte ndonjë funksion në shfaqjen e radhës. Dhe, rrengu funksiononte, shfaqja jepej e plotë, si tekst dhe lojë e aktorëve. E tash, duket sikur po luhet akti i fundit, ku në skenë është vetëm qerrja me rrotën, e nuk ka fare skenar, nuk ka tekst, madje aktorët janë vetëm figurantë, që dalin në rrugë, dalin në protestë, për të mbrojtur teatrin… Në këtë tollovi, ku teatri ka mbërritur në parlament, në dëgjesat shurdhememece të qeverisë, ku çdo ditë luhet tragjikomedia e jetës së lumtur, pa lumturi, më në fund kanë folur arkitektët…Edhe me teatër, edhe pa teatër, më tepër kishin folur me vete, arkitektët, ata që dikur bënin gjëmën për pllakat e gurit në bulevard. Ata që kishin shpallur qendrën historike, bashkë me stadiumin dhe teatrin, madje me firmën e Ramës si ministër kulture. Titullarja e kulturës, shfuqizon zonën e mbrojtur, qendrën historike, që e ka për detyrë t’i mbrojë. Të shembet, a të mos shembet?! Ngado lëshohet me një ritëm monoton, klithma absurde, që as mizat e Sheshit Skendërbej, nuk e dëgjuan. Një skenë absurde, e teatrit absurd, ku aktorët nuk janë në gjendje të luajnë rolin e vetë, e ku qeveria ka ndarë rolet me kryebashkiakun, me përfituesit, me opozitën që do të vijojë denoncimin në konferenca shtypi, ku duket sikur, këtu fillon dhe mbaron opozitarizmi për të mbrojtur kujtesën dhe vlerat kulturore dhe shpirtërore… Artistëve u mbetet fama e dikurshme, të cilën është e sigurtë që do të fiksohet në stendat e muzeve, kurse pushtetarët, me anë të televizioneve të pavarura nga vetja, po lujanë çdo ditë dramën, tragjedinë dhe komedinë, e fatit tonë të hidhur, por krenar, sidomos për idealet e rilindasve të vonuar. Teatri, është hapësirë lirie, është pasqyra ku gdhendet shëmtimi dhe gëzimi i secilës kohë. Teatri, është tempull lirie, është altar qytetërimi. Kujtoni teatrin antik grek, ku me veprat e Eskilit, Sofokliut, Euripidit dhe Aristofanit, argëtoheshin dhe formoheshin si qytetar të lirë. Kujtoni mençurinë e sofizmave të Sokratit. Kujtoni teatrin anglez, me Shekspirin, teatrin francez me Molierin etj. , Aty ku ka teatër ka qytëtërim, ka demokraci, ka liri. Teatri, është rrezja e diellit në fund të tunelit, që shemb muret dhe trarët ndarës, të pushtetit me qytetarët. Pa teatër, jemi pa gojë, pa sy, pa tru dhe, mbi të gjitha pa zemër, për të kundërshtuar të keqen e secilës kohë, për të përqafuar të mirën e vlerave njerëzore.

Filed Under: Ekonomi

OPOZITA PËRBALLË PROVËS

June 15, 2024 by s p

Dr. Erion Dasho/

Dorëzimi i drejtësisë së Boratit, pas dëmit katastrofik që i shkaktoi opozitës me mbajtjen peng të vulës, nuk duhet parë si qëllim, por vetëm si mjet. Duke fituar legjimitetin politik, Partia Demokratike vetëm sa ka hequr pengesën e parë, që ishte njëkohësisht edhe pengesa më absurde, në përballjen e saj me partinë-shtet me emrin rilindje.

Midis pengesave të mbetura, njëra më e vështirë se tjetra, mund të përmenden:

》aleanca e rilindjes me oligarkinë kriminale.

》aleanca me krimin e organizuar.

》aleanca me narkotrafikun kombëtar dhe ndërkombëtar.

》rrjeti jashtë ligjor i patronazhistëve dhe aktivistëve.

》kapja nga Borati dhe rilindja e gjithë pushtetit ekzekutiv në çdo segment të tij.

》kapja e çdo pushteti tjetër, përfshi atë juridik dhe mediatik, madje edhe median sociale.

Për më tepër, rilindja ka ndërmarrë në tre vitet e fundit një fushatë denigruese kundër Sali Berishës, si i vetmi faktor i mbetur politik me potencial për ta sfiduar dhe mundur atë. Kjo përbën edhe pengesën e fundit në rrugën e opozitës drejt një përballje të barabartë në 2025-ën.

Po ç’duhet të bëjë opozita sot?

Në radhë të parë, duhet të vazhdojë të denoncojë me fakte të rinj, por duke risjellë në vëmendje edhe faktet e njohur, aleancat e tmerrshme të rilindjes me krimin, ologarkinë dhe narkotrafikun. Një faqe online mund të renditë të gjithë faktet shkatërruese që janë grumbulluar në këta 11 vjet pushtet të Boratit dhe rilindjes.

Së dyti, të përsëriten në çdo media elektronike dhe sociale faktet për kusaritë më flagrante të rilindjes, si djegësit, koncesionet e shëndetësisë, çmimet e tejfryra të punëve publike, vjedhja e pareve të COVID-it, vjedhja e fondeve të rindërtimit, madje edhe grabitja e paturpshme e 130 milionë eurove të projekteve të BE-së.

Së treti, të denoncohet rrjeti i patronazhistëve dhe aktivistëve para çdo ambasade, qeverie perëndimore dhe institucioni ndërkombëtar. Një rrjet spiunazhi parapolitik, i furnizuar me të dhëna nga e-Albania, që survejon dhe shantazhon votuesit, mjafton për të skandalizuar çdo faktor demokratik në botën perëndimore.

Së katërti, të vendoset qeveria teknike si kusht i panegociueshëm për zgjedhjet e ardhshme. Në rast se qeveria e rrëzon këtë kërkesë, të shfrytëzohet çdo mjet demokratik për të pamundësuar mbajtjen e zgjedhjeve.

Por, mbi të gjitha, opozita ka nevojë për të krijuar frymën fituese që, sipas mendimit tim, kalon nëpër disa pika:

》ftesa për unifikim të çdo faktori që është deklaruar kundër rilindjes. Nëse partitë apo lëvizjet e reja politike nuk i përgjigjen thirrjes së PD-së për të qënë pjesë e frontit anti-rilindje, ato praktikisht kanë dënuar veten dhe zgjedhjet e 2025-ës me siguri do t’i nxjerrin jashtë loje.

》harmonizimi i synimeve politike të opozitës së bashkuar, ku duhet të spikatin dy parime të patjetërsueshme: nevoja për t’ju kundërvënë shpopullimit dhe zhbërjes së kombit, si dhe zotimi për të vënë para drejtësisë Boratin dhe boratët. Për mendimin tim, pushtetarët e 11 viteve të fundit duhet të dalin përballë një gjyqi si ai i Nyrembergut, pasi krimet e këtyre viteve kanë qënë krime kundër kombit dhe duhen ndëshkuar si të tilla.

》hartimi i programit të shpresës, me mesazhe të qarta, me objektiva afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, si dhe me plane zbatuese realiste. Ky program duhet t’i flasë çdo shtrese të shoqërisë dhe t’i bindë ata se opozita nuk po vjen me lugë në brez drejt pushtetit, por me zotimin për të marrë përsipër përgjegjësi historike.

Vetëm në këtë mënyrë, opozita do të jetë në gjendje t’u flasë shqiptarëve në Shqipëri dhe në emigracion, të krijojë ndër ta shpresën dhe besimin dhe, së fundi, të arrijë të mobilizojë energjinë e shoqërisë për ndryshim.

Të gjitha këto janë të mundshme, por koha në dispozicion për t’i realizuar ato është shumë e shkurtër. Çdo vonesë dhe mëdyshje do të ishte fatale. Puna duhet të nisë që sot për të garantuar fitoren në 2025-ën. Shqiptarët i kanë sytë tek Partia Demokratike dhe opozita e vërtetë dhe Partia Demokratike nuk duhet t’i zhgënjejë ata!

May be an image of 1 person and newsroom

See insights and ads

Create Ad

All reactions:

22

Filed Under: Sociale

ZVETËNIMI I NJERIUT NË NJË TREG INTERESASH PARTIAKE

June 15, 2024 by s p

Kosta Nake/

Pasi ka pranuar ndarjen e shpirtit nga trupi, duke përdorur një mjet kafkian, autori e rikthen Kristofor Dukën mbi tokë, jo vetëm për të parë ç’ndodh pas vdekjes së tij, por edhe përë të bërë një retrospektivë të krejt asaj që e çoi në ndërprerjen e papritur të jetës. Nëse te Kafka Gregor Zamza kthehet në një kandërr të shpifur që nuk e komandon dot veten mbi ato putërzat e vogla, te Virion Graçi shpirti merr trajtën e një sfere, të një topthi bilardoje, të një unaze të shtypur si elips, ose të një shtëllunge resh dhe lëviz lirisht duke iu larguar rrezikut të qenve, ndërsa kur e sheh veten në sipërfaqe pasqyrore, duket si një vijë e verdhë, e valëzuar, pa fillim e pa fund. Gjithsesi hapësira e lëvizjes është e kufizuar te një shtyllë telefonike mememce, te një dëllinjë, te një pyll. Këtij territori do t’i shtohet më pas edhe brezi me fidanët e rinj dhe trupi i vajzës.

Ky ndryshim i papritur metamorfik, i realizuar me metafora dhe simbole, është vetëm një teknikë e gjetur artistike, jo për të depërtuar në filozofinë e jetës dhe të vdekjes, por për të lëvizur lirisht në mjedisin e sotëm shqiptar ku sistemi burokratik i Kafkës ia ka dorëzuar pushtetin sistemit të interesave që burojnë dhe ushqehen nga lufta politike të cilat e depersonalizojnë individin në mënyrën më të dhimbshme. Nëse te “Metamorfoza” e Kafkës krijohet një atmosferë mistike që e izolon Gregorin nga familja dhe shoqëria dhe e vë përballë pyetjeve filozofike që reflektojnë kuptimin e jetës, te romani “800 hapa larg Venerës” nuk ndryshon asgjë, jeta vazhdon normalisht. Tek ne, kur vdes dikush, përdorim shprehjen “ish njeri, u bë llaf”, por Kristofori nuk dëgjohet askund as si llaf. Ky ndryshim i madh me shpërfillje të njeriut dhe fatit të tij që ka ndodhur në shoqërinë e ditëve tona nuk mund të mos përcillet me të gjitha mjetet që ofron humori, ironia, sarkazma dhe grotesku duke filluar që nga fjalia e parë që ngre siparin e librit, duke vazhduar me hipokrizinë e fjalimit të përmortshëm, me zbulimin e marrëdhënieve të Kristoforit me bashkëshorten Zana, me reklamën e shërbimit funeral, me citimet e herëpashershme jo të filozofëve, por të pijanecëve, me qentë përgjues që e rrezikojnë shpirtin e Kristoforit dhe janë qen me dy këmbë, me ngrënien e pjeshkës së shokut, me qasjen ndaj rulove, me epitafet prekëse që qëndrojnë mbi varre të njerëzve problematikë, me përmendjen e shpeshtë të shpejtësisë së erës që matet me milimetra për orë, etj.

Ç’ishte kjo vdekje e papritur e punonjësit të urbanistikës në bashkinë e qytetit? Ishte goditje stresi për shkak të largimit nga puna. Kur ndërrohet forca politike që administron jetën e një qyteti, dihet se ç’ndosh, spastrohet administrata nga punonjësit e forcës humbëse të cilët nuk ka status që i mbron dhe i shpëton. Ishte një deklarim verbal i kryetarit të bashkisë për atë që ndodhi, i kërkoi të ndryshonte listat e ndihmës ekonomike për të kënaqur votuesit e fituesit, “bëje, ose liro karrigen!” kjo është praktika e punës. Ky fat e pret edhe inxhinier Tekiun, i paralajmëruar, me një hapësirë të vogël kohore midis të dy punonjësve që janë në listën ku emrat kanë vijë të kuqe.

Vëzhgimet e shpirtit të Kristoforit kalojnë përtej jetës familjare dhe ecurive të punëve bashkiake, ato rrokin një panoramë të gjerë të jetës shqiptare dhe këtu mund të përmendim analizën sarkastike për folëset kukulla të televizionit, për ironinë në qasjen ndaj kronikës së zezë, për vlerat e dëllinjës, për perceptimin e ri të shprehjes “jetë qeni”, për goditjet e shtyllës në ndeshjet e futbollit, etj. Paralelisht ka dhe probleme të mprehta siç është ngujimi i fëmijëve dhe pamundësia e tyre për të shkuar në shkollë, afishet dhe mesazhet kërcënuese të grupeve mafioze, fanatizmi partiak i sjellë nëpërmjet komandant Adufit, ngjallja e kukunjve nacionalistë grekë kur ngritja e flamurit i takon një fëmije shqiptar për shkak të rezultateve më të larta, etj.

E reja dhe e pamunduara që ndodh me shpirtin vëzhgues të Kristoforit është zbulimi i një skene erotike të një impotenti të moshuar dhe një të riu që i përgjon, madje arrin të mësojë se kjo marrëdhënie ka përfunduar me vrasje dhe me përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit. Prej këtu fillon një linjë e re me premtim për ta pritur me vite daljen e shpirtit të vajzës prej varrit duke i dhënë veprës një tjetër përmasë humane dhe një përsiatje për lumturinë që lidhet me moshën dhe jo me pozitën shoqërore dhe depozitat bankare. Filozofisë së pritjes i shtohet qasja e rrezikshme ndaj anekdotave dhe kufiri i vështirë mes dëshirës dhe detyrës, mes përvojës dhe intuitës.

Rrëfimi karakterizohet nga përdorimi i vargjeve të pasur të enumeracioneve, veçanërisht ato me folje që i japin dinamizëm krejt veprës dhe faqet e librit i shfleton pa e kuptuar. Dhe kur arrin te faqja e fundit e veprës, me siguri do të mendosh pozitivisht: janë shkrimtarët, poetët dhe artistët syri i vëmendshëm i Shqipërisë, janë ata idealistët që nuk i zvetënon paraja, janë ata atdhetarët që ruajtjen e vlerave nuk e shkëmbejnë me krijimtari surrogato.

(Romani “800 hapa larg Venerës” i Virion Graçit, Onufri 2020)

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT