• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2024

Historike – 22 Korrik 2010: Kosova shtet fituese në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku Serbia ishte ankuar kundër Pavarësisë

July 22, 2024 by s p

-Para 14 viteve, në ditë historike – 22 Korrik 2010, Kosova shtet doli fituese në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) pas një ankese që Serbia kishte dërguar kundër shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik të vitit 2008/

-Në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) në ditën e Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, atëherë Ministri i Jashtëm Kosovar Skender Hyseni fliste në telefon nga Haga: Sigurt se do të ketë njohje të reja për Kosovën…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 22 Korrik 2024/ Kosova fituese përballë Serbisë doli para 14 viteve, kur Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia i kishte dërguar kundër shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në 22 Korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavrësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008 “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

Atëherë, para 14 viteve, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, e cilësonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si “të qartë” dhe që “nuk lë vend për dyshime”, se pavarësia e Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndrëkombëtare.

“Gjykata konstatoi, me shumicë dërmuese, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës është eksplicit dhe i qartë, dhe nuk lë vend për dyshim”, thuhej në deklaratën e ministrit Hyseni, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat”, vazhdonte më tej deklarata.

“Tani presim njohje të mëtejme të Kosovës. U bëjmë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të Mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen (e Kosovës)”, thuhej në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

ARKIV, 22 KORRIK 2010 – INTERVISTA QË KAM ZHVILLUAR NË DITËN E VENDIMIT TE GJND – MINISTRI HYSENI FLET NGA HAGA: ME BEOGRADIN NUK DO TË KETË BISEDIME PËR STATUSIN E KOSOVËS, NDARJE APO SHKËMBIM TERRITORESH

-Ministri i Jashtëm Kosovar Skender Hyseni në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) në ditën e Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) para 12 viteve: Marrëdhëniet e mira me Serbinë, interes i përbashkët për integrim në BE e NATO/

Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) tregoi qartë se pavarësia e Kosovës nuk ka krijuar asnjë precedent dhe se është në interes të Ballkanit Perëndimor, deklaronte ministri i Jashtëm Kosovar Skender Hyseni në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar para 14 viteve për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH). “Opinioni këshilldhëns i GJND-së, tregoi qartë se pavarësia e Kosovës, nuk ka krijuar asnjë precedent dhe se është në interes të Ballkanit Perëndimor”, tha ministri Hyseni, në intervistë telefonike nga Haga.

Ministri Hyseni në 22 Korrik 2010 ishte i pranishëm kur GJND dha mendimin këshillimor në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë u shpreh në favor të pavarësisë së Kosovës. Presidenti i GJND-së Hiasashio Ovada deklaroi se pavarësia nuk shkel të drejtën ndërkombëtare.

Shefi i diplomacisë kosovare tha se, “ne e dimë që Kosova dhe Serbia e kanë të ardhmen e tyre në BE dhe NATO, e për këtë arsye marrëdhëniet e mira fqinjësore janë të domosdoshme”. Ai nënvizoi se “këtë fakt, e kemi përcaktuar qartë prej kohësh, tani është në dorën e Serbisë që të tregohet në nivelin e përgjegjësive të duhura”.

Hyseni vuri në dukje se “nga vendimi i GJND-së, nuk ka asgjë që do të mund linte mundësi sado të vogla që të hidheshin dilema rreth shtetësisë së Republikës së Kosovës”.

Ministri pohoi se normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi varet ekskluzivisht nga Serbia. “Kemi shprehur vullnetin për raporte të mira fqinjësore me Serbinë, sikurse i kemi ndërtuar me të gjithë fqinjët e tjerë por ky rast është interes i përbashkët”, tha ai.

Hyseni rithekson faktin se me Beogradin nuk do të ketë bisedime për statusin e Kosovës, ndarje apo shkëmbim territoresh, ide rreth të cilave është spekuluar muajt e fundit. “Kosova dhe Serbia janë fqinjë të përhershëm dhe si të tillë, sot apo nesër, pas një kohe apo pas shumë kohësh, do duhet të bisedojnë për çështje të natyrës praktike që i lidhin këto vende të pavarura dhe sovrane”, tha Hyseni.

Ministri i Jashtëm kosovar, Skender Hyseni, u shpreh i sigurt se do të ketë njohje të reja për Kosovën pasi ka një numër vendesh që janë zotuar për këtë ndërsa u bëri thirrje shteteve që nuk e kanë njohur ende, e veçanërisht atyre vendeve që kanë pritur opinionin këshilldhënës të GJND-së, që ta bëjnë këtë sa më parë.

Kosova shpalli pavarësinë në 17 Shkurt 2008 dhe deri tani është njohur nga 69 shtete, theksohej në fund të intervistës së 22 Korrikut 2010.

Ndërsa, deri tani – 14 vjet pas Opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë Kosova është njohur nga 117 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

KOSOVA PËRGADITET PËR GJND – RAPORTIM QË KAM BËRË MË 15 TETOR 2008:

PRISHTINË, 15 Tetor 2008/ – Sir Michael Wood nga Mbretëria e Bashkuar do t’i prijë ekipit ligjor të Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sapo kumtuan institucionet më të larta kosovare, Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi.

Deklaratën për shtyp në lidhje me përgatitjet dhe procedimet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në një konferencë për media, të sapo mbajtur në Presidencë, ku ishin edhe presidenti Fatmir Sejdiu e kryeparlamentari Jakup Krasniqi, e paraqiti kryeministri Hashim Thaçi, pas konsultimeve të krerëve të institucioneve kosovare.

Më poshtë po e japim të plotë deklaratën:

Deklaratë për shtyp në lidhje me përgatitjet dhe procedimet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

· Kemi kënaqësinë e madhe të shpallim se Qeveria e Kosovës, pas konsultimeve me Presidentin e Kosovës, z. Fatmir Sejdiu, dhe Kryetarin e Parlamentit, z. Jakup Krasniqi, si dhe konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë dhe ekspertët ligjorë, ka zgjedhur Sir Michael Wood nga Mbretëria e Bashkuar t’i prijë ekipit ligjor të Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

· Z. Wood është një nga juristët më të shquar dhe përgatitur ndërkombëtarë të së sotmes, dhe jemi me fat që ai është i gatshëm të paraqesë rastin tonë para GJND-së. Sir Michael Wood ka shërbyer si këshilltar ligjor në Zyrën e Jashtme dhe të Komonveltit të Mbretërisë së Bashkuar prej vitit 1999 deri më 2006. Në emër të Mbretërisë së Bashkuar, ai mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare të Dejtonit dhe në Konferencën e Rambujesë në vitin 1999.

· Z. Wood është paraqitur para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë shumë herë dhe ka punuar në shumë raste të njohura të drejtës ndërkombëtare, përfshirë Mendimin Këshilldhënës të GJND-së për Pasojat Ligjore të Ndërtimit të Murit në Territorin e Okupuar Palestinez.

· Angazhimi i tij i kohëgjatë në çështjet e së drejtës ndërkombëtare të ndërlidhura më progresin e Kosovës drejt pavarësisë, e bën atë të kualifikuar në mënyrë unike për të përfaqësuar interesat tona kombëtare para gjykatës, dhe kemi besim të madh në gjykimin dhe përvojën e tij.

· U takuam sot me z. Wood për ta diskutuar rastin e Kosovës dhe paraqitjen tonë. Kosova ka një rast të fortë, dhe synojmë të demonstrojmë para gjykatës se nuk ka asgjë në shpalljen e pavarësisë së Kosovës që shkel të drejtën ndërkombëtare.

· 51 shtete nga e tërë bota tashmë kanë njohur se Kosova është shtet i pavarur me qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe kushtetutë moderne që ofron garanci të bollshme për të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, dhe posaçërisht komunitetet e saj pakicë.

· Gjatë javëve dhe muajve të vijim, z. Wood do të punojë ngushtë me Qeverinë e Kosovës për të zhvilluar paraqitjen tonë para gjykatës.

· Në koordinim me ne, ai do të mbledhë një ekip ndërkombëtar ligjor të kalibrit më të lartë. Sipas nevojës, ekipi i tij ligjor do të përdorë ekspertizën vendore në Kosovë për të formuluar rastin më të fortë të mundshëm.

· Koordinimin e kësaj përpjekjeje ia kemi besuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila do të merr rolin prijës në emër të Qeverisë së Kosovës. Dëshirojmë që sërish të shprehim besimin tonë të palëkundur në ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe do të vazhdojmë të ndjekim njohjet ndërkombëtare gjatë zhvillimit të procesit para GJND-së. Dëshirojmë të theksojmë se kemi besim të plotë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, organin kryesor gjyqësor të Kombeve të Bashkuara.

GAZETA TRADICIONALE E KOSOVËS RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, Kryeredaktor i së cilës isha, për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

Filed Under: Histori

Liriku i mbramë i poezisë shqipe

July 22, 2024 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Poezia shqipe në mesin e viteve ‘60 filloi të përfaqësohej dhe nga një zë i veçantë që mbartte në vetvete konturimin e një talenti të madh. Frederik Reshpja , poeti i pazakonshëm në një kohë të pazakontë shfaqi që në fillim në origjinalitetin e lirikës së vet, tematikës dhe teknikës letrare përvijimin e një poeti të ri modern. Përqafimi i modernitetit ishte një sfidë më vete në letërsinë shqipe të atyre viteve. Në letërsinë shqipe mbizotëronin prej kohësh tezat zhdavoniste të lëvrimit të tematikave dhe karaktereve, çka kishte sjellë në vetvete një tharje të vet thelbit të letërsisë edhe pse problemi i modernitetit në letërsinë shqipe ishte një problem i hershëm. Poezia shqipe që nga fillesat e veta kishte reflektuar si problematikë lidhjen me modernitetin dhe marrëdhënien e saj me rrymat letrare moderne që lëvroheshin në Europë.

Në hapësirat europiane të poezisë ende nuk kishin dalë talente të spikatura që të mos reflektonin vetëm mikrokozmozin shqiptar por edhe universalitetin e dëshiruar të poezisë. Në vitet 60’ ky universalitet poetik vështirësohej edhe nga adaptimi si dogmë zyrtare i Realizmit Socialist , çka kish krijur edhe letërsinë zyrtare dhe shkrimtarët zyrtarë që përfaqësonin këtë letërsi. Reshpja dhe poezia e tij nuk do ti shpëtonin kësaj ligjësie por sëbashku me Kadarenë, Agollin e Arapin që e kishin filluar një 10 vjeçar më parë do të sillnin një modernitet përsa i përket letërsisë shqipe brenda aeralit kulturor shqiptar dhe në disa raste poezia e tyre do të radhitej përkrah vlerave universale.

Reshpja në trajtimin e së shkuarës mbetet origjinal kur trajton motive të të vjetra të lashtësisë së shqiptarëve sidomos kur përdor formën e vet origjinale poetike të vargëzimit të bardhë. Në poezinë “Natë arkeologësh” e shkuara vjen natyrshëm mes një imazhi poetik të një dite me shi. Aty shfaqen kalldërëmet iliriane si një dëshmi e një rrugëtimi të gjatë historik dhe buzëqeshja e një skulpture të zbuluar që Rreshpja e pagëzon me emrin Afërditë, hyjneshën e dashurisë.

Arkeologët

Stivosin ndër arka perënditë e fundit

Do perëndi të thyem , të lagun

Nën abazhur një Afërditë e bukur

U buzëqesh të gjithëve

Si një e njohun e largët , e dashun.

Historicizmi në veprën poetike të Reshpjes është i lidhur ngushtë me atdhedashurinë dhe motivin e Kosovës. Gjithsesi ai edhe në këtë drejtim duket se është inovator pasi arrin të bashkojë pjesë të ndryshme të historisë së shqiptarëve për të krijuar një mozaik kulturor e historik. Madje Reshpja përdor shpesh herë edhe në imazhe jo fort të njohura por që tregojnë një elegancë dhe njohje historike të admirueshme për kohën. Kështu p.sh në poezinë “Të dëbuemit” kushtuar shpërnguljeve me dhunë të shqiptarëve të Kosovës nga vendi i tyre, ai bën së bashku pikëllimin e ikjes së kosovarëve nga vatrat e veta me trishtimin e mos gjetjes së asnjërit të njohu që i pret në Turqi përveçse koka e prerë dhe e varrosur e Ali Pashë Tepelenës nën një gur të ftohtë.

Qytetet turke ja ku po duken larg,

Askush sna pret atje,

Askush sna njeh atje

Veç nën një gur të ftohtë Ali Pashai fle.

Në poezinë tjetër ‘Testamenti i Skënderbeut”(1973), Reshpja shfaqet si një poet modern duke mos ia besuar kumtin e vet poetik vargut klasik tetërrokësh por vargjeve të bardha me imazhe universale e si ullinjtë, erërat e gruri. Heroi kombëtar i shqiptarëve më tepër se një hero luftarak përshkruhet si hero i përbotshëm , vdekja e të cilit shërben për të ricikluar jetën përmes grurit që do mbijë nga sytë e tij.

Ja dhe stapi im prej ulliri, mbilleni!

Mbi degët e tij mund të varni armët.

Duke vështruar kurmet e ullinjve,

Gjithmonë kam menduar që ata janë drurët e luftës

Ç’kisha ua dhashë.

Tani trupin tim ta zbrisni thellë në tokë

Që kur të vijë vjeshta nga sytë e mi të mbijë gruri.

Reshpja në dallim nga një pjesë e madhe e poetëve të viteve 60’ duket se nuk është i influencuar nga lirikët e mëdhenj rusë Esenin e Bllok. Ai krijon tipologjinë e lirikës së vet në letërsinë shqipe të mbështetur në traditën letrare të Shkodrës qytetit të cilit i detyrohet kulturialisht. Në vargjet e tij ndihet ndikim i Mjedës e Migjenit në poezinë “Në këtë qytet” kushtuar Shkodrës. Gjithsesi Reshpja i tejkalon të dy kur përveçse historicitetit të Mjedës dhe pikëllimit të Migjenit i shton lirizmin e tij në vargjet.

Në këtë qytet që agoi mes zërit tim

Banon e dashura ime;

E dashura ime i ka sytë në ngjyrën e qiellit në momentin e perëndimit

Sikur sytë e saj kanë dalë nga ky moment

Nga ky moment i prerë prej shelgjeve që u ka rënë muzgu përsipër.

Poezia e Reshpjes përforcoi trendin e modernizmit në letërsinë shqipe. Duke shfrytëzuar përvojën më të mirë të qarkut letrar të Shkodrës, Reshpja përcolli me vargun e bardhë e të lirë imazhet e një bote që nën ankthin e modernitetit të shpejtë reflektonte dhe përdëllimin dhe zvarritjen patriakale të shoqërisë shqiptare të kohës. Pjesa e parë e krijimtarisë së tij gjatë viteve 1968-1990 edhe pse e mohuar pas dënimeve të tij duket se la gjurmë në aeralin kulturor të poezisë shqipe. E ashtuquajtura shkolla poetike e Lezhës me Preç Zogaj, Ndoc Gjetja, Rudolf Marku i detyrohet shumë si në formë e përmbajtje poezisë së Reshpjes duke dëshmuar edhe njëherë se një talent poetik nuk mund të ndërpritet por përmes artit të vet mund të gjallojë ende te pasardhësit. Reshpja nuk e ka gjetur ende vendin e duhur në historinë e letërsisë shqipe dhe besoj se si një nga zërat lirikë më të veçantë do duhet të studiohet e vlerësohet në përqasjet që bëhën sot për studimin e letërsisë shqipe.

©Dorian Koçi.

KOPSHTI

Është kopshti ku kënga ime ka një statujë.

Luanët e thyer të fëminisë

Pinë ujë te pusi i vjetër,

Mbi zjarret e trëndafilave ngroh duart Saadiu

Shpesh nga mitet dalin satirët

Dhe hapin dyert e mbyllura të hijeve

Vështron shtigjet e natës jasemini

Dhe drita e bardhë i rrjedh nga gishtërinjtë.

Narçizi nxjerr supet nga gonxhet,

I pikëlluar nga magjia e vet

Hëna dhe zanat fshihen

Dhe vështrojnë pas gjethesh.

Është kopshti ku kam një statujë

Bërë prej ngjyrash e gjethesh,

Ndiej në ballë daltat e pranverës

Që, nga bari, sytë e mi gdhend.

PËRDITË IKIN STINËT

Fluturuan tri rosa në qiell,

Shpirtra të pyjeve të harruar,

Tingulli i këmbanës, si gjëmim hane

Këndoj rekuiemin e yjeve të rrëzuar.

Një vetëtimë e plagosur ra diku,

Si shpata e një klithme,

Mbi tokën e lodhur prej qiejve

Verbuar nga bronxi i shirave.

Fluturuan tri rosa në qiell,

Tri re dhe tri erëra.

O ju, shpirtrat e pyjeve,

Mbështjellur me dimrin e dhembjes.

Ç’të bëj në këtë peisazh?

Shpjermëni tek lumi që vdiq,

Në se kufomën e tij s’e kanë shpënë,

Erërat në qiell.

O Zot! Nga ç’qiell ra tërë kjo dhembje,

Që hënëzoi këtë dimër?

Përditë ikin shpirtrat e botës,

Përditë fluturojnë stinët.

VJESHTË 1990

Qan dreri në korie dhe lotët bëhen shi;

Trishtohet era mbi shkëmb

Nuk ka më gjethe të gjelbra. Po bien,

Ëndërrat e pyjeve një nga një.

Ikin zogjtë nga shkretimi i drurëve;,

Lamtumirë, o pyje të Ballkanit!

Veç nën një ferrë kaltëron ende

Vjollca e fundit e këngës së bilbilit.

Ardhtë një vjeshtë pa shtegtim zogjsh!

Ardhtë një Zot, vëntë dorë mbi stinët!

POEZIA

Në atë shteg ku kaloj unë e ka kasollen vjeshta

Bile të gjitha stinët janë fqinjë.

Një beng, si stradivarius,

Më mëson mua folklorin e zogjve.

Kasolle prej hëne! Nën qiellin tërë shi

Pikë-pikë mbi çatinë e kaltër

Trishtimi i djalërisë…

Mbeti tek xhami i plasur i dritares sate

Vështrimi im i thyer.

Unë vetëm u bëj nga një vizitë stinëve, o njerëz,

Kurse zemrën e kam tek ju.

VINJETË

Një shelg i vetmuar, mbuluar me dimër

Braktisur nga zogjtë dhe gjethet:

Era, si ketër, kërcen mbi drurin

Me boçen e shiut ndër dhëmbë.

Netët e lumtura, si zilka

Tringëllijnë në degët e kujtesës…

Vizatihen në sfond të vetëtimave

Hënëzat që hëngrën dhentë e vjeshtës.

Rënë nga xhami i thyer i qiellit

Kristal’ i akullt yllëzon netëve

Dhe mbi pastelet e borës mardhet

Shelgu i trishtuar, fatkeq si Serembe.

ËSHTË NJË ZOG…

Është një zog që vajton dit’e natë

Fshehur tek shtëpia e gjetheve.

Si na erdhi kjo stinë me emrin harrim!

Si na erdhi kjo stinë me emrin dimër!

U shuan yjet në pëllëmbët e mia

Dhe sytë e tu u bënë dimër.

E kam ditur ç’braktisje më pret,

Motit ky zog ma ka thënë.

Do të bëhem vjeshtë dhe do të shkoj

Të vdes tek shtëpia e gjetheve.

Shtëpia e gjetheve kyçur me hënë.

O zot! Nuk kam as ku të vdes…

AKUAREL

Shkallë-shkallë nëpër muzg ylli ngjitet në heshtje

Me sytë plot lotë.

Trëndafili çeli në kopsht, mu si një psherëtimë.

Zëra të largët vijnë e vdesin te kjo erë.

Zemra ime, si më harrove kështu?

Filed Under: ESSE

GAZETA “DIELLI” HAPSIRË REKLAMIMI PËR BIZNESET SHQIPTARE NE AMERIKË E KANADA

July 22, 2024 by s p

Gazeta “Dielli” – Organ zyrtar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, fton bizneset shqiptare në Amerikë e Kanada, Shqipëri e Kosovë, shoqata, organizata patriotike e kulturore, individë të ndryshëm, vatranët, abonentët, komunitetin dhe dashamirësit e “Diellit” e “Vatrës” rreth hapsirave të margetingut në gazette.

Çmimet për publikim të njoftimeve, urimeve, reklamave, mesazheve sensibilizuese, botimeve specifike, shpalljeve të ndryshme në gazetë do të jenë si më poshtë: 

Për gazetën në print:

1 Faqe me ngjyra – 600 Usd

½  Faqes me ngjyra – 400 Usd

¼ Faqes me ngjyra – 250 Usd

1 Faqe pa ngjyra – 400 Usd

½  Faqes pa ngjyra – 300 Usd

¼ Faqes pa ngjyra – 200 Usd

Për gazetën online:

1 Reklamë mujore = 500 Usd

15 ditë = 300 Usd

Gazeta “Dielli” fton të gjithë patriotët shqiptarë në Amerikë, Kanada e më gjërë, organizatat, shoqatat, grupimet atdhetare, shkollat shqipe, shoqëritë kulturore, klubet patriotike, rrjetin e bizneseve në mërgatë e mëmëdhe që ti vijnë edhe më afë komunitetit shqiptar nëpërmjet reklamimit në gazetën “Dielli”.

Të gjitha njoftimet duhet të dërgohen në adresën elektronike zyrtare të gazetës “Dielli”: gazetadielli@gmail.com   dhe pagesat përkatëse të postohen në Adresën e Vatrës: 2437 Southern Blvd, The Bronx, NY 10458.

Mirënjohje dhe falenderim të përzemërt për të gjithë ata që do i bashkohen kësaj fushate reklamimi e mbështetjeje ndaj gazetës “Dielli”.

Për çdo informacion kontaktoni Arkëtarin e Federatës “Vatra” z.Besim Malota cel.+12034557167.

RESPEKTE DHE NDERIME

Filed Under: Ekonomi

REVISTA POLAKE “GLOS PORANNY”(1929) / NJË RRËFIM I RALLË I ALESKANDËR MOISIUT PËR FËMIJËRINË NË DURRËS DHE DËSHIRËN E TIJ PËR T’U ARRATISUR NË KORFUZ

July 22, 2024 by s p


Aleksandër Moisiu (1879 – 1935)
Aleksandër Moisiu (1879 – 1935)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Korrik 2024

Revista polake “Głos Poranny” ka botuar, me 22 dhjetor 1929, në faqen n°2, rrëfimin e rallë të Aleskandër Moisiut për fëmijërinë në Durrës dhe dëshirën e tij për t’u arratisur në Korfuz, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Aleksandër Moisiu

Kur numërova deri në shtatë…

Burimi : Głos Poranny, 22 dhjetor 1929, faqe n°2
Burimi : Głos Poranny, 22 dhjetor 1929, faqe n°2

“Po i numëroja flokët… ose më mirë nuk po i numëroja, se nuk i kisha numëruar ende deri në shtatë. Unë tashmë shkova në shkollë, por në Durrës (“Dyrrahu” i lashtë i romakëve të lashtë – në Shqipëri – në detin Adriatik). Aty mësova shkrim e këndim, por jo në gjuhën amtare, italisht, por në shqip dhe greqishten e re.

Veç kësaj, shkolla në Durrës nuk ndryshonte shumë nga shkollat e vendeve perëndimore apo veriore — ishte e bollshme, e ajrosur mirë, me klasa të vogla, — vetëm se mësuesi mbante një plis të kuq në kokë në vend të një kapeleje. — Nxënësit bënin të njëjtën gjë, por ata kryesisht vinin zbathur në shkollë. Vetëm disa nga nxënësit mbanin plis dhe vishnin çizme. Dhe unë, mes tyre, me sa duket, këto plisa tërhoqën njëri-tjetrën, sepse ne të pestë, djem me plis, lidhëm menjëherë miqësi, kopjuam detyrat e njëri-tjetrit, ndihmuam njëri-tjetrin me sugjerime, “luanim sa më shumë pas shkollës”, shkëmbyen shprehje miqësie, rriheshim me njëri-tjetrin, — me pak fjalë, bëmë gjithçka që sjell një lidhje intime.

Por Durrësi ishte i vogël, shumë i vogël, mjetet e komunikimit ishin turpësisht të ngadalta; Përveç disa kuajve të shpejtë arabë që qëndronin dhe galoponin në shërbim të personaliteteve të caktuara të qytetit, kishte vetëm qerre buajsh.

Dhoma ime kishte pamje nga deti, kështu që unë mund të shihja anijet që vinin e shkonin; ato vinin nga Trieste dhe po shkonin në Korfuz. E njihja mirë Triesten, aty ku linda : atje isha ulur në një vagon, në një tramvaj, atje pashë edhe në Stacionin e Jugut një përbindësh të tillë, duke fishkëllyer me një zhurmë skëterrë dhe duke nuhatur tmerrësisht – një lokomotivë – jo, Trieste nuk më tundoi. Por Korfuzi, — çfarë është Korfuzi?… Shpesh rrija pranë babait, ndërsa ai luante letra me shokët e tij. E dëgjoj shpesh fjalën “Korfuz”. Fjala në rrugë ishte: “Korfuzi”… Kapiteni i një anijeje me vela greke, që ishte mik me ne, po na sillte “sulltane” të mëdha nga “Korfuzi”, duke nxituar me një ritëm të çmendur porti, më rrëzoi sepse duhej të arrinte në anijen që shkonte për në “Korfuz”, një vajzë lozonjare, e lidhur me mua “nga Kislel”, më tregoi një histori nga “Korfuzi”, duke lavdëruar hënën vendase në greqisht. Une e di akoma tekstin dhe melodinë : “O Argira Panselinos!” Ajo rrotulloi sytë nga gëzimi me fjalën “Korfuz”… Është e qartë si dita : Më duhet të shkoj në Korfuz.

Bëra komente përçmuese për Durrësin dhe miqtë e mi me plis për pjesën tjetër të botës që e njihja tashmë. Mendova për portet që kishte hasur vapori Lloyd’s gjatë rrugës për në Trieste : Zara, Spalatto, Sebenico, Kotorri, Tivari, Ulqini… E gjithë kjo nuk ishte asgjë, e denjë për vëmendje… Është e lehtë të përjashtohen të gjitha këto qytete. Ai nuk e humbi qëllimin. Kishte tashmë njëfarë besimi tek unë, ndjeva forcën time dhe bërtita : “Korfuzi është i bukur, më i bukuri në botë!”

As që u mundova të bindja shokët e mi se Durrësi, me qerret e tij të buallicave të pista, të ngadalta, si kërmilli, ishte i mërzitshëm dhe i padenjë për ne… Por Korfuzi! Duhet të shkojmë në Korfuz : ramë dakord për këtë, ramë dakord si kurrë më parë, siç nuk kanë bërë kurrë të rriturit.

— Por — tha njëri prej nesh — si të shkojmë në Korfuz?

Më duhet të pranoj se kjo pyetje disi e paarsyeshme, ndonëse e pranoi plotësisht rëndësinë e saj, më vuri paksa në humor të keq, ngatërroi konceptin tim dhe e vuri në rrezik rolin tim drejtues. Propozimet vijuan njëra pas tjetrës..

— Ne do të vjedhim një varkë, do të dalim kontrabandë mbi një vapor (avullore), do të pimë një gotë dhe do të largohemi! Të gjithë do të lidhemi me një litar pas anijes.

— Por balenat? — një nga djemtë më frikacakë u tmerrua…

Mbajta ekuilibrin tim të hekurt dhe qëndrova i zymtë, si një re e rëndë dhe e errët. I lashë të bërtisnin dhe më pas zbulova zgjuarsinë time :

— Asnjë vapor, asnjë varkë, asnjë notar dhe asnjë peshkaqen fare? Nuk do të na rrëzojnë…

Fillova duke skicuar diçka midis një aeroplani dhe një anijeje me vela; transport i rehatshëm si një karrocë, i shpejtë si një dallëndyshe, i lehtë si një pendë; dhe nuk do të kem frikë as nga dallgët as nga retë! I premtova se “aparati” do të ishte komplet gati për mëngjesin e së hënës… Kur prindërit e mi të dashur janë ende në gjumë, ne do të dalim fshehurazi nga shtëpitë tona herët në mëngjes, do të presim në port, pranë kalatave të mjera prej druri dhe do të fluturojmë për në… Korfuz! Betohemi solemnisht: E hënë, para lindjes së diellit, largohemi nga komoditeti i shtëpisë, largohemi nga Durrësi i mjerë. U betuam, morëm zotimin tonë.

Ditët në vijim — tre në mos gaboj — ishin ditë të vështira. Më pas vura re diçka si pagjumësi dhe mungesë oreksi. E lidha veten me një betim se do të ndërtoj aparatin e lartpërmendur, por, o Zot, nuk kam qenë kurrë vetëm! Motrat e mia në shtëpi (unë isha fëmija më i vogël) vazhdonin të më tallnin për shkak të këtij mendimi të turpshëm dhe fytyrës time të zymtë dhe më thërrisnin Sokrat… Në mendjen time grisja çarçafë dhe çmontoja dërrasat, shkatërroja arkat e zbrazëta, djegja qymyr dhe alkool të kontaminuar, por asgjë nuk doli prej saj në realitet — vetëm në ëndrrën time fluturova mjaft lart. I shmanga me guxim vështrimet pyetëse të shokëve të mi të fluturimit: Heronjtë nuk thonë ah, ai thotë… Në shkollë, asnjë nga „fluturuesit” tanë nuk iu përgjigj pyetjeve të mësuesit — çfarë kuptimi ka të dish se sa bën 2 herë 2, ose që Zoti e krijoi botën në gjashtë ditë, ose që kryeengjëjt me krahët e mëdhenj të shndritshëm të luleradhiqeve ruajnë portat e parajsës… Ha-ha, mund të qeshësh me të madhe!

Të dielën — një ditë para fluturimit — më duhej të shkoja për një shëtitje nëpër qytet me babanë dhe vëllezërit e motrat, si një qen që ndoqa lart e poshtë kodrave, dhe në mbrëmje më zuri gjumi si një urith.

Është e hënë, murmuritjet ma prishën gjumin e thellë herët në mëngjes, nga dritarja e hapur ranë gurë në dhomën time — u zgjova — dhe e kuptova!

Shumë shpejt qëndrova para shokëve të mi, të cilët më kërkuan një varkë me vela ajrore, për të cilën nuk pata përgjigje. Të gjitha këto duhet t’i dija edhe unë: „pollezki”, kulakët, shqelmat. Fytyra më ishte gërvishtur, qime të panumërta m’u shkulën; çunat që gufonin nuk dinin mëshirë. Qëndrova aty, duke mos u mbrojtur, duke mos iu kundërpërgjigjur me goditje apo gërvishtje, e durova dënimin, vetëm duke mërmëritur në mënyrë profetike :

— E megjithatë ajo do të shfaqet, do të jetë aty!

Thjesht “Galileo Galileu!”…

Pas këtij gjykimi përmbledhës, u tërhoqa zvarrë në shtrat dhe kur dielli ishte tashmë lart në horizont, u zgjova nga stuhitë :

— Aleksandër, si dukesh? Sandrini Sandruccia! Pesoro! Angelo kush të ka gërvishtur? Kush të ka dhënë kaq shumë goditje? Kush të ka shkulur flokët?

Plot ide, si fëmijët, fajësova macet dhe minjtë, mushkonjat dhe madje edhe akrepat… Më shëruan dhe ushqyen me kujdes. Megjithatë, babai im kishte aq shumë besim tek unë, sa mendoi se po pija dhe më rrahu.

Më vonë, jo shumë kohë pas kësaj — nuk jetoja më në Shqipëri — u bë realitet ajo që ëndërronte djali shtatëvjeçar : Bleriot! Inxhinieri nga Cambrai, Louis Blériot, ishte gjeniu i tij që e shpiku atë — makinën time, ishte dora e tij që e drejtoi në qiell mbi Kanalin La Manche. E përshëndeta ngrohtësisht mikun tim Blériot : frymëzimi i zjarrtë dhe respekti për të gjitha mendimet e mia kurorëzoi ballin e heroit, por një gjethe dafine, një gjethe shumë e vogël, dërgoi mendimet e mia krenare drejt djalit shtatëvjeçar të Durrësit të vogël me buallin e tij të ngadaltë…”

Filed Under: Kulture

THE ANCIENT ENLIGHTENED ALBANIAN NATION ENDANGERED BY EXTREMISMS

July 22, 2024 by s p

  • Religious harmony and the protection of traditional Illyrian-Dardanian-Albanian positive values ​​is vital for the Albanian nation

From Agim Alickaj, New York, July 21, 2024

         Prof. Dr. Nusret Pllana was a political prisoner, a freedom fighter and now tireless activist for the documentation of Serbian crimes and the punishment of criminals and the Serbian fascist state. In short, he is a national figure. His concern and open warning about the danger from extremisms within our nation, should be taken seriously by state and social structures at all levels.

         It is a well-known fact that the centuries-old Serbian enemy has sponsored radical Islam as the main tool for the destruction of the Albanian nation and the grabbing of our lands. This is also emphasized in the pamphlet of the Serbian evil chauvinist Vaso Čubrilović “The Expulsion of Albanians”. Fascist Serbia has tried to present us in front of Europe as a backward radical Muslim nation, while itself as a “defender of European Christianity”.

         Thus, Serbia managed to deceive Europe for centuries, paving the way for the genocide against Albanians. Thanks to popular resistance and America’s intervention in 1999, the Albanian nation was saved from extinction. But, a part of Europe still has religious prejudices and is cold towards the Albanian Muslim majority. Precisely for this reason, it is doing its best to bring Kosova back under Serbia’s control by abusing dialogue, insisting on the creation of a completely unnecessary Serbian association, before recognition by Serbia.

          America does not prejudice Muslim Albanians, as long as they cultivate a tolerant, secular Islam. But if our Islamic religion turns into hateful extremism and our culture mixes with Arab culture, we risk losing America’s support. We dare not allow ourselves this because our enemy is not only the Serbian beast. There is also the Russian beast, which only America can put on its tail. Arab and Muslim countries cannot help us, some of them are satellites of Russia.         

         Many historical endeavors have brought us different religions. But, throughout history, although there has been hatred and radicalization from time to time by all religions, the essential majority of the nation has maintained religious tolerance. This has helped the Albanian nation to survive. We must continue this with courage, determination and commitment.

         Religious belief is a personal matter, an individual right regulated by law and guaranteed in true democratic states, such as the Republic of Kosova. Everyone has the right to appreciate, promote and praise their own religion, but not to incite hatred and threaten believers of other religions to impose themselves. Those who do so should be isolated, distanced and prosecuted on legal grounds. Especially if they are financed by Serbia and hostile external sources.

         Radical hateful Christianity is also very dangerous because it encourages hateful radical Islam. Imams and priests do not have absolute immunity, the good ones must be appreciated while the bad ones must be criticized, exposed and opposed, just like politicians.

         And let us never forget that religion can be changed, but the nation cannot. Those who think they can change the nation are losers, miserable and worthless bastards. No one has respect for them.

         The acceptance and promotion of bad values ​​and harmful foreign cultures are also dangerous for the future of the nation. We do not need foreign clothing that belittles, denigrates and enslaves our mothers, sisters and daughters. Nor do we need the other immoral extreme of unrestrained freedom in dressing and behavior. Strong families with tradition have helped preserve our freedom and national identity. They are the backbone of the strong states and nations.

         Regional divisions and hatreds cause national division and weaken the Albanian nation. Like it or not, we are one nation and share the same destiny. True nationals should respect, love and support each other, despite bad politicians who come and go.

         Attention, government, opposition, media, non-governmental organizations, schools and religious institutions, academies of science, families and individuals from all Albanian lands and diaspora. Professor Pllana’s sincere emotional call to protect the nation from various extremisms applies to all of us and is the last warning for our society and countries.

         We all have a duty to preserve, protect and strengthen our peaceful bright nation, with ancient positive traditions and high human and national values.

KOMBI I LASHTË I NDRITUR SHQIPTAR I RREZIKUAR NGA EKSTREMIZMAT

  • Harmonia fetare dhe mbrojtja e vlerave pozitive tradicionale iliro-dardano-shqiptare është jetike për kombin shqiptar.  

Nga Agim Aliçkaj,

Nju Jork, Më 21 korrik 2024

         Prof.  Dr. Nusret Pllana ishte i burgosur politik, luftëtar i lirisë dhe tani veprimtar i palodhur për dokumentimin e krimeve serbe dhe dënimin e kriminelëve dhe të shtetit fashist serb. Shkurt, ai është një figurë kombëtare. Shqetësimi dhe paralajmërimi i tij i hapur për rrezikun nga ekstremizmat brenda kombit tonë, duhet të merret seriozisht nga strukturat shtetërore dhe shoqërore në të gjitha nivelet.

         Është i njohur fakti se armiku shekullor serb e ka sponzoruar islamin radikal si mjetin kryesor për shkatërrimin e kombit shqiptar dhe rrëmbimin e trojeve tona. Kjo theksohet edhe në pamfletin e shovinistit katil serb Vaso Çubrilloviç “Dëbimi i shqiptarëve”. Serbia fashiste është munduar të na paraqesë përballë Evropës si një popull mysliman radikal të prapambetur, ndërsa veten si “mbrojtëse të krishterimit evropian”.

         Kështu Serbia arriti të mashtrojë Evropën me shekuj, duke i hapur rrugën gjenocidit ndaj shqiptarëve. Falë rezistencës popullore dhe ndërhyrjes së Amerikës në vitin 1999, kombi shqiptar u shpëtua nga zhdukja. Por, një pjesë e Evropës ka ende paragjykime fetare dhe është e ftohtë ndaj shumicës myslimane shqiptare. Pikërisht për këtë po bën çmos që ta rikthejë Kosovën nën kontrollin e Serbisë duke abuzuar me dialogun, duke insistuar në krijimin e një asociacioni krejtësisht të panevojshëm serb, para njohjes nga Serbia.

         Amerika nuk paragjykon shqiptarët myslimanë, përderisa ata kultivojnë një islam tolerant, laik. Por nëse feja jonë islame kthehet në ekstremizëm urrejtës dhe kultura jonë përzihet me kulturën arabe, rrezikojmë të humbasim mbështetjen e Amerikës. Ne nuk guxojmë t’ia lejojmë vetes këtë sepse armiku ynë nuk është vetëm bisha serbe. Është edhe bisha ruse, të cilën vetëm Amerika mund ta ulë në bisht. Vendet arabe dhe myslimane nuk mund të na ndihmojnë, disa prej tyre janë satelitë të Rusisë.        

         Përplasjet e shumta historike na kanë sjellë fe të ndryshme. Por, gjatë gjithë historisë, edhe pse herë pas here ka pasur urrejtje dhe radikalizim nga të gjitha fetë, shumica thelbësore e kombit e ka ruajtur tolerancën fetare. Kjo e ka ndihmuar kombin shqiptar të mbijetojë. Këtë duhet ta vazhdojmë edhe tani e tutje me guxim, vendosmëri dhe përkushtim.

         Besimi fetar është çështje personale, e drejtë individuale e rregulluar me ligj dhe e garantuar në shtetet e vërteta demokratike, siç është Republika e Kosovës. Çdokush ka të drejtë të vlerësojë, promovojë dhe lavdërojë fenë e vet, por jo të nxisë urrejtje dhe të kërcënojë besimtarët e feve të tjera për t’u imponuar. Ata që e bëjnë këtë duhet të izolohen, të distancohen dhe të ndiqen penalisht në baza ligjore. Sidomos nëse financohen nga Serbia dhe nga burime të jashtme armiqësore.

         Krishterimi urrejtës radikal është gjithashtu shumë i rrezikshëm sepse e nxitë myslimanizmin urrejtës radikal. Imamët dhe priftërinjtë nuk kanë imunitet absolut, të mirët duhen vlerësuar ndërsa të këqijtë duhen kritikuar, ekspozuar dhe kundërshtuar, njisoj si politikanët.

         Dhe të mos harrojmë kurrë se feja mund të ndryshohet, por kombi jo. Ata që mendojnë se mund të ndryshojnë kombin janë humbës, të mjerë dhe bastardë pa vlerë. Askush nuk ka respekt për ta.

         Pranimi dhe promovimi i vlerave të këqija dhe i kulturave të huaja të dëmshme janë gjithashtu të rrezikshme për të ardhmen e kombit. Ne nuk kemi nevojë për veshje të huaja që nënçmojnë, denigrojnë dhe robërojnë nënat, motrat dhe vajzat tona. As nuk kemi nevojë për ekstremin tjetër imoral të lirisë së çfrenuar në veshje dhe sjellje. Familjet e forta dhe me traditë kanë ndihmuar në ruajtjen e lirisë dhe identitetit tonë kombëtar. Ato janë shtylla kurrizore e shteteve dhe kombeve të forta.

         Ndasitë dhe urrejtjet rajonale shkaktojnë përçarje kombëtare dhe dobësojnë kombin shqiptar. Na pëlqen apo jo, ne jemi një komb dhe kemi të njëjtin fat. Kombëtarët e vërtetë duhet ta respektojnë, ta duan dhe ta mbështesin njëri-tjetrin, pavarësisht politikanëve zuzar që vijnë e shkojnë.

         Kujdes, qeveri, opozitë, media, organizata joqeveritare, shkolla ​​dhe institucione fetare, akademi të shkencës, familje dhe individë nga të gjitha trojet shqiptare dhe mërgata. Thirrja e sinqertë emocionale e profesor Pllanës për mbrojtjen e kombit nga ekstremizmat e ndryshëm vlen për të gjithë ne dhe është paralajmërimi i fundit për shoqërinë dhe vendet tona.

         Të gjithë kemi për detyrë ta ruajmë, mbrojmë dhe forcojmë kombin tonë të ndritur paqësor, me tradita të lashta pozitive dhe vlera të larta njerëzore e kombëtare.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT