• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2024

1908: Shqiptarët kundër turqve të rinj, përmbysja nga agjentët serbë

July 16, 2024 by s p

Prof.Dr. Sylë Ukshini/

Duhet pranuar se shumë dokumente primare dhe sekondare të proveniencës austro-hungareze përmbysin vlerësimet e deritashme të historiografisë shqiptare për Kuvendin e Ferizaj të vitit 1908 si dhe zhvillimet e tjera para dhe pas kësaj ngjarjeje të madhe, e cila në fund merr karakter agresiv antiosman, për shkak të rolit të agjitatorëve serbë në mesin e liderëve shqiptarë të këtij Kuvendi. Në anën tjetër, studiuesit shqiptarë, duke dashur të mohojnë në tërësi rolin dhe ndikimin e faktorit të jashtëm, në rend të parë të Austro-Hungarisë brenda lëvizjes kombëtare shqiptare, mbitheksojnë karakterin e kërkesave të tubimit të Ferizajt

Ballkani Perëndimor, përkatësisht pjesa evropiane e Perandorisë Osmane, në fillim të shekullit të njëzetë ishte një arenë e aktiviteteve të shumta politike dhe ushtarake të shteteve rajonale dhe evropiane, organizatave, grupeve të shumta etno-konfesionale, të cilat konkurronin për kontroll dhe hegjemoni politike, ekonomike dhe ushtarake. Ndërveprimi midis këtyre faktorëve dhe popullsive të këtij rajoni rezultoi me relacionin xhonturk, një përpjekje e kotë për ta shpëtuar shtetin osman nga shpërbërja. Në këtë periudhë, Vilajeti i Kosovës ishte qendër e trazirave të mëdha antiosmane, si politike, ashtu edhe ushtarake.

Ky shkrim përqendrohet kryesisht në zhvillimet politike në Vilajetin osman të Kosovës, përkatësisht në Kuvendin e Ferizajt (1908), i cili përkoi me në ngjarje tjetër politike të rëndësishme në Perandorinë Osmane, me Revolucionin e Turqve të Rinj, një lëvizje kjo revolucionare kundër regjimit autoritar të sulltanit osman Abdylhamitit II, e cila kulmoi me krijimin e një qeverie kushtetuese. Dobësimi i autoritetit qendror osman lejoi që aktorët rajonalë të pohonin autonominë. Por entuziazmi i shqiptarëve për regjimin xhonturk ishte jetëshkurtër. Në tërë Vilajetin e Kosovës u krijua një mosbesim ndaj turqve të rinj.

Punimi, që mbështetet kryesisht në burimet e proveniencës austro-hungareze, provon të nxjerrë në pah qëllimet e Kuvendit të Ferizajt sipas burimeve. Për më tepër, theksi do të vihet në prapaskenat e këtij Kuvendi shqiptar, i cili ishte po ashtu rrjedhojë e ndikimeve gjeopolitike rajonale, por gjithashtu do të jepet një qasje më e nuancuar e aktiviteteve të shtetit osman nën Komitetin Bashkim dhe Përparim, si dhe aktiviteteve të fuqive të jashtme të fiqve të mëdha.

Prapaskenat e ngjarjes së 3 korrikut të 1908-s

Pas ardhjes në pushtet, xhonturqit prezantuan programe që promovuan modernizimin e Perandorisë Osmane dhe një frymë të re të nacionalizmit turk. Më 3 korrik 1908, major Ahmet Njazi Beu i Korpusit të Tretë udhëhoqi një revoltë kundër autoriteteve provinciale në Resnjë të Maqedonisë, ku shqiptarët ishin mjaft të pranishëm. Kur xhonturqit e filluan kryengritjen në përmasa të mëdha në korpusin e Armatës së Tretë, në fillim të korrikut të vitit 1908, ata i shfrytëzuan të gjitha lidhjet dhe kontaktet e tyre me krerët e shqiptarëve të Kosovës. Sipas Noel Malcomit, pothuajse i vetmi interes që i bashkonte xhonturqit dhe shqiptarët në këtë periudhë ishte përpjekja kundër ndërhyrjes së shteteve të huaja në territorin e Perandorisë Osmane. Në fakt, në Kosovë prej kohësh agjitatorët serbë po përhapnin informacione se gjoja Austro-Hungaria kishte synim të pushtonte Kosovën, në mënyrë të minoheshin përpjekjet e Austro-Hungaria për krijimin e një shteti etnik shqiptar në Ballkan.

Komplotistët e tjerë ndoqën shpejt shembullin e oficerëve të Armatës së Tretë dhe rebelimi u përhap me shpejtësi në të gjithë shtetin osman, përkatësisht edhe në Vilajetin e Kosovës dhe në Ferizaj (Ferizbeg), ku në një tubim të shqiptarëve pati një ndikim dhe rol të rëndësishëm në këtë lëvizje reformatore. Kësisoj, Kuvendi i Ferizajt tregon se edhe shqiptarët ishin pjesë e lëvizjes së xhonturqve dhe mbështetën në mënyrë aktive revolucionin në terren, por që problemet u shfaqën me disa nacionalistë para revolucionit, dhe mbi të gjitha, pas tij kur shqiptarët mbajtën anën e partizanëve të decentralizimit, dhe kështu kundër politikës së centralizimit dhe turqizimit të Perandorisë të kryer nga Komiteti i Bashkimit dhe Përparimit.

Në pamundësi për të shuar kryengritjen, sulltan Abdylhamiti lëshoi pe para presionit të këshillit të turqve të rinj (xhonturqve nga Selaniku) dhe më 23 korrik 1908 shpalli kthimin në fuqi të Kushtetutës së 1876 dhe rithirrjen e parlamentit. Pas kësaj nuk e la pa u premtuar udhëheqësve të kryengritjes, Njazi Beut dhe Enver Beut, gradat e gjeneralit nëse tërhiqen nga lufta e mëtejshme.

Në fillim pas fitoreve së xhonturqve, në territoret shqiptare u themeluan një numër klubesh shqiptare, shtypshkronjat filluan të botonin në shqip dhe u hapën një duzinë shkollash shqipe, të cilat deri atëherë kishin qenë të ndaluara nga qeveria e Sulltan Abdylhamitit, e cila qeveri ishte “aq e mbushur me përbuzje, në përgjithësi, për arnautët.” Shteti osman në fakt kishte frikë se duke ua njohur shqiptarëve – shumica e të cilëve ishin myslimanë – të drejtat kombëtare, atëherë të gjithë popujt e tjerë myslimanë, të cilët ishin pjesë e perandorisë, por që nuk ishin të kombësisë turke do të ngrinin kërkesa të ngjashme.

Megjithëse kthimi i Kushtetutës së vjetër shkaktoi optimizëm në Vilajetin e Kosovës, si kudo në shtetin osman, shumë shpejt marrëdhëniet ndërmjet qeveritarëve të rinj dhe shqiptarëve u përkeqësuan në mënyrë rapide, pasi xhonturqit shumë shpejt hoqën dorë nga premtimet fillestare.

Punimi synon të shtjellojë sfondin e ngjarjeve të brendshme dhe ndërkombëtare, të cilat interferojnë drejtpërdrejt në këtë ngjarje në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane, ku ndërthureshin interesat e vendeve ballkanike dhe të fuqive të mëdha evropiane. Deri më tani në diskursin e historiografisë shqiptare kjo ngjarje ka vazhduar të trajtohet në mënyrë të njëtrajtshme, ka munguar një shqyrtim i gjithanshëm i kësaj ngjarje të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar. Si pasojë e kësaj, punimet e deritashme në Tiranë dhe në Prishtinë është hedhur pak dritë mbi sfondin e kësaj ngjarjeje, ndikimet e faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, për të vlerësuar me paanshmëri karakterin e vërtetë politik të Kuvendit të Ferizajt.

Nyja rreth planit austro-hungarez për hekurudhën

Në këtë mënyrë, Kuvendi i Ferizaj i vitit 1908, gjithsesi ngjarje e madhe e kohës në planin politik e diplomatik, e cila me vendimet e veta do të ndikonte në zhvillimet e brendshme shqiptare, për t´ua hapur rrugën ngjarjeve të tjera në Kosovë, kryengritjeve antiosmane të viteve 1910, 1911 dhe 1912, të cilat asnjëherë nuk u kurorëzuan me përmbushjen e idealeve të tyre.

Pavarësisht se në diskursin e historiografinë shqiptare vazhdon të mbretërojë mendimi se kjo ngjarje ishte mirë e organizuar dhe kishte thjeshtë karakter kombëtar, dokumentet e proveniencës austro-hungareze vërtetojnë të kundërtën, se kjo ngjarje ishte e instrumentalizuar në rend të parë nga qarqet osmane dhe deri diku edhe ato serbe, të cilat ishin fort të interesuar për t´i dhënë asaj karakterin e një revolte me karakter austro-hungareze me qëllim që të minohej ndikimi austro-hungarez në Vilajetin e Kosovës dhe në përgjithësi në hapësirat të tjera shqiptare.

Natyrisht ky rivalitet në territoret shqiptare ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Serbisë shtrihej edhe në nivel të institucioneve shpirtërore (fetare) dhe arsimore. Në këtë front, Vjena zyrtare ishte e interesuar për zhvillimin e arsimit në Shqipërinë Veriore dhe në Vilajetin e Kosovës, me qëllim që të pengonte ekspansionin sllav në territoret e vilajeteve osmane të Kosovës, Manastirit dhe rajone të tjera të Ballkanit.

Në gjithë këtë zhvillim, Kuvendi i Ferizajt, nga historiografia kryesisht është trajtuar sipas klisheve dhe stereotipave ideologjikë të idealizimit me patetikë folklorike ekzagjerimit të karakterit kombëtar të kësaj ngjarjeje, fajësimit të tjerëve, veçmas të Perandorisë Austro-Hungareze dhe të kërkimit me çdo kusht të prapaskenave dhe të armiqve, edhe aty ku nuk mund të kishte. Mbi të gjitha, mungon qasja kritike ndaj sjelljes së shqiptarëve, të cilët në këtë kohë dhe më pas nuk ishin në nivel të zhvillimeve të kohës.

Andaj, në përputhje me këtë, duhet hapur rrugën vlerësimit objektiv të Kuvendit të Ferizajt, duke e trajtuar nga pikëpamja e atyre proceseve që ndodhnin në cepin jugor të Evropës, për t´i bartur ato në një sfond dinamik gjeostrategjik, në të cilin edhe më tutje përvijohen thuajse interesa të njëjta të ndeshjes së sferave të interesit midis Perëndimit dhe Rusinë. Për të qartësuar më mirë karakterin e Kuvendit të Ferizajt, duhet parë kontekstin evropian dhe rivalitetin midis Fuqive të Mëdha projektit hekurudhor Jeni Pazar.

Pra, në rend të parë, Kuvendi i Ferizaj më 1908 përkon me planet austro-hungareze për ndërtimin e hekurudhës nga Sanxhaku në Mitrovicë – Ferizaj – Shkup, e cila nga diplomacia vjeneze shihej si linjë strategjike për shtrirjen e ndikimit të saj në rajonin e Ballkanit Jugor dhe depërtimit në portin e Selanikut, respektivisht si linjë për amortizimin e influencës ruse në Evropën Juglindore.

Prandaj, ishte e natyrshme se një ngjarje e tillë në Kosovë do të zinte vend të gjerë në raportet e konsujve austro-hungarezë, që ndodheshin asokohe në Prizren, Shkup dhe Mitrovicë. Pra, në qendër të këtij punimi është prezantimi i qëndrimin dhe analizimi i raporteve të konsujve austro-hungarezë, të cilët direkt apo indirekt edhe përfaqësonin linjën politikës të Vjenës zyrtare. Duhet pranuar se shumë dokumente primare dhe sekondare të proveniencës austro-hungareze përmbysin vlerësimet e deritashme të historiografisë shqiptare për Kuvendin e Ferizaj, si dhe zhvillimet tjera para dhe pas kësaj ngjarjeje të madhe, e cila në fund merr karakter agresiv anti-osman, për shkak të rolit të agjitatorëve serbë në mesin e liderëve shqiptarë të këtij kuvendi.

Në anën tjetër, studiuesit shqiptarë, duke dashur të mohojnë në tërësi rolin dhe ndikimin e faktorit të jashtëm, në rend të parë të Austro-Hungarisë brenda lëvizjes kombëtare shqiptare, mbitheksojnë karakterin e kërkesave të tubimit të Ferizajt. Shumica e historianëve shqiptarë, nën shembullin e historianëve të rajonit, këtë ngjarje nuk e kanë trajtuar me objektivitetin e duhur shkencor dhe në përgjithësi i janë përmbajtur traditës së historiografisë komuniste. Për këtë arsye, nga ana metodike, studimet shqiptare, në pjesë të madhe, në gjendjen e viteve të epokës komuniste, duke mos marrë parasysh sa duhet shkencën ndërkombëtare.

Përplasja e interesave midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë

Historiografia shqiptare deri më tani ka ofruar vetëm në pamje dhe vetëm një lloj interpretimi edhe rreth Kuvendit të Ferizajt, i cili ndodhi vetëm katër vjet para shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike, që sipas disa studiuesve evropianë ishte kapitulli i parë i kësaj lufte botërore. Dhe, nëse është kështu, atëherë duhet thënë se Ballkani dhe zhvillimet në këto hapësira, pra edhe në Vilajetin e Kosovës, ishin të ndërthura me interesat e fuqive të mëdha evropiane, Francës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Rusisë, Italisë dhe Austro-Hungarisë, ose thënë ndryshe një grup shtetesh që i ngjasonte Grupit aktual të Kontaktit të viteve 1990-ta, ku vendin e Austro-Hungarisë e tashmë e ka zënë SHBA-ja, e cila sot praninë ushtarake në Kosovë e ka të vendosur pikërisht në hapësirën ku një shekull më parë mbi bazën e Marrëveshjes së Mürzstegut ishte paraparë të vendosej misioni i oficerëve nga Austro-Hungaria (shih hartën), në pjesën lindore të Vilajetit të Kosovës përkatësisht në kufirin Kosovë-Serbi dhe Maqedoni.

Sipas nenit 25 të Traktatit të Berlinit, Austro-Hungaria pushtoi provincat e Bosnjë-Hercegovinës. Zyrtarisht, ishte një okupim i përkohshëm me sulltanin që ishte sovrani suprem. Në sanxhak u vendos edhe një garnizon austriak, të cilin edhe Austro-Hungaria e konsideronte si një territor austriak të ardhshëm. Austro-Hungaria nuk kishte asnjë koloni dhe e vetmja mënyrë për të fituar territore të tjera ishte zgjerimi në Ballkan. Inkurajimi i saj i aktiviteteve ruse në Lindjen e Largët kishte si synim kryesor neutralizimin e Rusisë në Ballkan, gjë që do të lejonte një gamë të plotë të veprimeve austriake. Përfundimisht, në shkurt 1908, Marrëveshja e Mürzsteg u braktis.

Filed Under: Politike

PAJOVA SI QENDËR E RËNDËSISHME E KRISHTËRIMIT TË HERSHËM GJATË ANTIKITETIT TË VONË

July 16, 2024 by s p

DR. ALBERT KURTI/

Iliria shquhet për një trashëgimi të pasur krishtere, e cila evidentohet nga ndërtimi i kishave të para në Europë dhe trashëgimia e emrave të vendbanimeve, maleve, kodrave, etj. Pothuajse në Iliri gjejmë lehtësisht emrat që lidhen me përhapësit e besimit të krishterë në Iliri dhe kishat më të vjetra në Europë. Duke qenë se Iliria e Antikitetit kishte shtrirje shumë herë më të madhe se Shqipëria sot, në këtë artikull të shkurtër do ndalemi te vlerat e trashëgimisë kulturore të krishterë në zonën e Pajovës.

Pajova është njësi administrative që shtrihet në lindje të bashkisë Peqin, në Shqipërinë e Mesme. Edhe pse ka një sipërfaqe të vogël, afërsisht 69 km2, kultura e hershme e krishtere përfaqësohet nga kishat paleokristiane dhe emrat e vendbanimeve e të kodrave.

Gjatë antikitetit aty ku shtrihet Pajova dhe fshatrat e saj, ushtronin aktivitetet e tyre jetësore fisi i fuqishëm ilir i Parthinëve. Ata ngritën qytetin e Saragut, në shekullin e XV Para Lindjes së Krishtit, që u bë i njohur gjatë kohës së Perandorisë Romake, për shkak të betejës së Çezarit kundër Pompeut.

Shumë shekuj më vonë në lindje të Sarakut, përkatësisht në shekullin e parë Pas Lindjes së Krishtit u ngrit një tjetër vendbanim që do quhej Kodër Qytet apo Kodër Kishë, në fshatin Leqit: ky vendbanim shquhet për kishat e vjetra.

Ndërmjet Saragut e kodër Shkujkë (në lindje të Kodër Kishë) mendohet te jenë 5 ndërtesa kishtare të hershme nga të cilat 2 prej tyre janë zbuluar: Kisha e Shën Mërisë dhe Kisha e Shën Ndreut. Zbulimet e fundit arkeologjike tregojnë që njëra nga kishat daton në periudhën e nisjes së Krishtërimit në vendin tonë (në Iliri).

Foto: Kisha e Shën Marisë dhe Kisha e Shën Ndreut

Kishat e Pajovës kanë vlera të jashtëzakonshme për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe krishtere. Pikërsisht në Kishën e Shën Ndreut është gjetur kryqi, ku skocezët e kanë vendosur në flamurin e tyre kombëtar.

Jo vetëm kishat, por edhe emrat e vendbanime dhe kodrave (përmendëm më lart) janë pjesë e trashëgimisë së krishtere. Pali, apostopulli i parë që shkeli në Iliri ka kaluar edhe në Pajovë, Përparim, etj. Kjo identifikohet edhe me origjinën e emrave të disa fshatrave që kanë lidhje me emrin e këtij apostopulli, si: Pajova (Paljova), Paulesh (Paul ose Pal), Palaj në njësinë administrative Përparim, pjesë e bashkisë Peqin.

Filed Under: Histori

Jeta dhe vepra e Kadaresë i kalon kufijtë e kohës

July 16, 2024 by s p

Artan Nati/

Disa njerëz lindin të prirur për të shkruajtur, lindin si të pushtuar nga kjo ndjenjë, lindin si të thuash me një kruarje që duhet ta gërvishtin.Talenti godet një objektiv që askush tjetër nuk mund ta godasë, ndërsa gjeniu godet një objektiv që askush tjetër nuk mund ta shohë. Sigurisht që është çdo gjë përveç kësaj, por shkrimtarët gjenialë që e lënë talentin e tyre të zhvillohet, të cilët punojnë për të, janë ata që dalin në krye. Janë ata që koha i nxjerr, por që krijojnë kohë edhe vetë. Ndoshta gjithçka përmblidhet në këtë: nëse mund të zhvillosh një audiencë të madhe dhe t’i argëtosh, atëherë je një shkrimtar i shkëlqyer, por nëse mund të zgjosh interesin dhe frikën e elitave diskriminuese, atëherë je një gjeni. “Kohët e errëta sjellin surpriza të pakëndshme, por të bukura”, ka thënë dikur Kadare në një intervistë. “Letërsia shpesh ka prodhuar vepra madhështore në epoka të errëta, sikur të kërkonte të korrigjonte fatkeqësinë e shkaktuar mbi njerëzit,”

Ashtu si Homeri, Dante, Servantesi, Shekspiri dhe Gëte, edhe Kadare prodhoi vepra madhështore duke e rradhitur ndër emrat më të mëdhenj të letërsisë botërore dhe me të drejtë mund ta quajmë atdheun tonë si Shqipëria e Kadaresë, siç thuhet Italia e Dantes, Spanja e Servantesit. Anglia e Shekspirit apo Gjermania e Gëtes. Kadare u frymëzua nga Makbethi i Shekspirit si fëmijë, dhe mbante Danten, Gëten dhe Servantesin, ndër heronjtë e tij. Për ironi, diktatori Hoxha vinte nga i njëjti qytet malor, si për të na treguar se hyjnorja triumfon mbi djallëzoren.

Kadareja, duke qenë mjeshtër i penës, tregoi aftësinë që, duke shkruar dhe punuar në kohën e komunizmit, kaloi përtej standardeve artistike të realizmit socialist. Ai shfaqi një shumëllojshmëri stilesh si modernizëm të lartë, por edhe surrealizëm gjithashtu edhe realizëm magjik duke kritikuar regjimin komunist nëpërmjet miteve, surrealizmit si edhe parabolave në mënyrë të tërthortë . Në këtë këndvështrim, mund ta shohim Kadarenë artistikisht si disident. Statusi i tij si disident është një çështje e diskutueshme në Shqipëri dhe shumë shqiptarë janë shumë kritikë ndaj tij. Ai kishte pushtet dhe privilegj gjatë komunizmit, por, në të njëjtën kohë, u përball me një kontroll dhe ngacmim të konsiderueshëm nga partia. .Kadareja kishte një audiencë relativisht jo shumë të madhe në perëndim, sidomos në botën anglo-saksone, tipike kjo për shkrimtarët elitar, por lexuesit e tij ishin besnike dhe të përkushtuar. Ata vlerësonin sesi Kadareja ndriçonte ndërveprimin midis miteve dhe realitetit dhe e përdorte këtë për të zbuluar marrëdhëniet e pushtetit diktatorial me masat. Kjo mund të jetë njëra nga arsyet e suksesit të tij në lexuesit cilësorë në perëndim dhe në rrethet elitare të shkrimtarëve botërorë. Gjithashtu ekzotizmi i tij nga këndvështrimi perëndimor si edhe talenti i tij i veçantë si rrëfimtar bëri të mundur që figura e tij të krahasohej me Kafkën apo Orwell.

Shumë shkrimtarë shqiptar, xheloz për veprën e tij, por edhe shumë të persekutuar të regjimit, duke mos kuptuar veprën, stilin dhe humorin e tij të zi ndaj regjimit komunist, arritën të krijojnë një perceptim të padrejtë për Kadarenë. Këtë fenomen Kadareja e ka shpjeguar me mjeshtëri te libri i tij Dosja H”, ku disa shqiptarë mashtrohen nga kleri serb, duke sabotuar promovimin e kulturës tonë në botën anglo-saksone.

Si gjithmonë, siç ndodh shpesh në vendin tonë, vetëshkatërrimi pati efekt mbi shumë kritikë letrarë në perëndim, që më parë e lëvdonin Kadarenë, por më vonë filluan ta kritikonin, megjithëse vepra e tij nuk kishte ndryshuar. Mendoj se shumica e tyre nuk e njihnin realitetin brutal të Shqipërisë, me të cilin duhej të përballeshin autorët shqiptarë, ndaj dhe besuan shumë lehtë në thashethemet nga skena letrare e përçarë shqiptare si edhe nga prapambetja e madhe kulturore Shqiptare. Kjo prapambetje e madhe mesjetare, si pasojë e otomanizmit dhe regjimit komunist në Shqipëri, bëri të mundur të krijonte një mjegull ndaj gjeniut të letrave shqipe dhe ta dënonte atë si Sokratin në Greqinë e lashtë(sepse po helmonte mëndjen e të rinjve me mendim kritik), duke i mohuar çmimin nobel. Me komunizmin e Hoxhës, duke qenë një degë e stalinizmit, Shqipëria nuk ishte vendi ku mund të rebelohej vërtet. Shumica e disidentëve ishin ose të vdekur ose të burgosur.

Kadareja vetë është shprehur se i është dashur të bëjë kompromise, siç është rasti i romanit “Dimri i madh”, ku diktatori Hoxha përshkruhet si udhëheqës madhështor dhe diktatorit i pëlqeu shumë portretizimi i tij saqë ai nuk e ndëshkoi autorin për veprat pasardhëse me tone të qarta politike. Kjo edhe për faktin se me eleminimin e Kadaresë, do të zhdukej edhe libri i tij me portretizimin e Hoxhës. Ky libër garantoi mbijetesën fizike të Kadaresë dhe shërbeu si siguracion politik për të.

Kështu romani i tij më i njohur “Pallati i Ëndërrave”, i cili është cilësuar nga disa kritikë si romani i tij më i mirë, mund të konsiderohet një disidencë e hapur artistike. Ky roman u shkruajt si një alegori pë regjimet totalitare, ku autoritetet kontrollojnë gjithë jetën e njerëzve, përfshirë këtu edhe nënndërgjegjen e tyre, nëpërmjet ëndërrave të tyre.

Kadare la një trashëgimi të qëndrueshme që ne e shohim pothuajse çdo ditë Një trashëgimi është diçka që kalohet në breza, që mund të jetë ose e mirë ose e keqe. Kadare la një trashëgimi librash dhe fjalësh dhe famën e të qenit një nga shkrimtarët më të mëdhenj në botë, të paktën në hemisferën perëndimore. Në jetën e tij ai krijoi shumë vepra letrare dhe fjalë që njerëzit i përdorin kudo çdo ditë sot.

Kadare është në qendër të Letërsisë Botërore. Emri i tij lidhet me mendjet më të shkëlqyera në histori. Ai është në vetë historinë e evolucionit të kulturës.

Sigurisht, Kadare pati një efekt pozitiv në Shqipëri, Ballkan dhe në botë, sepse ai ndryshoi krejtësisht mënyrën se si ne e shohim letërsinë. Ai iu përkushtua punës së tij. Ai kishte një talent të tillë për të shkruar, sa mund të thuhet lehtësisht se ishte një gjeni. Ai ishte i njohur gjerësisht për novelat dhe romanet e tij. Romanet e tij vazhdojnë të studiohen në skenë në shkolla anembanë globit. Puna e tij ishte themeli i shumë filmave dhe shfaqjeve televizive. Letërsinë e tij e njohin njerëz nga çdo vend. Ne vazhdojmë të mësojmë dhe studiojmë veprën e tij. Një nga shumë gjëra të tjera që bëri ishte ai krijoi shumë fjalë dhe fraza fjalori që përdoren ende sot e kësaj dite.. Ai pati një ndikim të madh në gjuhën shqipe. Ai na dha mënyra unike të gjalla për të shprehur shpresën dhe dëshpërimin, pikëllimin dhe tërbimin, dashurinë dhe epshin.

Filed Under: LETERSI

ARMIKU I BRËNDSHËM PËR T’U GODITUR

July 16, 2024 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO – “Corriere della Sera”, 10 korrik 2024 – Përktheu Eugjen Merlika/

Demokracia nën stress. Qoftë sepse të kushtëzuar nga rregullat e garave zgjedhore qoftë sepse mendojnë se është e vështirë t’u a bëjnë të kuptueshme zgjedhësve, drejtuesit demokratë shmangin shpjegimin opinioneve publike që fati I demokracisë është në një pjesë të vogël në duart e tyre. Varet në masë të madhe nga përvijimi i fuqive ndërkombëtare. Mund të ndodhë, siç ka qënë n’Evropë që nga fundi I luftës së Dytë botërore deri sot, që ky përvijim ndihmonte qëndrueshmërinë dhe mirëqënien e demokracisë. Por mund të ndodhë e kundërta, ose që të fitojnë kushte ndërkombëtare të tilla që të dobësojnë, e në disa raste të përmbysin, duke i hapur rrugën tiranive në forma të hapura apo të maskuara. Rritja e “armikut të brëndshëm” (forcat kundër-sistem) mund të ndihmohen nga ndryshimet në barazpeshat ndërkombëtare. Ndryshime që ushqejnë rrethe veskeqe: qeverimi , më të shumtën rrezikohet, pakënaqësia e zgjedhësve rritet dhe fuqitë kundër-sistem fitojnë hapësirë e ndikim.

Siç ka ndodhur në vitet Njëzet/Tridhjetë, ajo britanike duket është demokracia evropiane që gëzon shëndetin më të mirë, edhe se ka marrë grushta mjaft të fuqishëm. Braxiti, duke përgënjeshtruar premtimet e atij që e deshi, e ka detyruar të gëlltisë shumë fruta të helmuar. E ardhmja e saj është bërë problematike nga përhapja e qëndrimeve kundër-perëndimore (si ata që ushqejnë cancel kulturën, sulmin themeleve të qytetërimit evropian) që ndikojnë në sektorë të qëndrueshëm të brezave të rinj dhe te të bijtë e imigrantëve jashtë-evropianë. Për çastin nuk ka krahasim ndërmjet shëndetit të demokracisë britanike e asaj të demokracive të ndryshme evropiano-kontinentale. Siç vërtetojnë votimet e fundit, ajo britanike vazhdon të funksionojë shumë mirë: pothuajse asnjëri, nga ato anë, nuk ve në dyshim vlefshmërinë e institucioneve të tij. Është e mundëshme që, edhe nëse konjuktura ndërkombëtare do të shkonte më keq, Britania e Madhe, si në vitet Njëzet e Tridhjetë, do t’ishte në gjëndje t’i qëndronte motit të keq.

Për të parën herë që kur De Gaulle i ndërtoi (me miratimin e Kushtetutës më 1958 dhe referendumit mbi zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit më 1962), institucionet e Republikës së Pestë kanë dhënë përshtypjen se po lëkunden. Ndoshta nuk është kështu. Ndoshta kumari i Makronit (shpërndarja e Parlamentit), duke pasë ndaluar për çastin valën lepeniste, do të rezultojë, në pritmëri, lëvizja që ka shpëtuar një kohë Francën demokratike dhe institucionet ndërkombëtare. Tani është në aftësinë (e gjitha për t’u vërtetuar) e forcave politike parlamentare për të mbështetur, në muajt e vitet e ardhëshme qeveri disi të qëndrueshme, prej nga varet mundësia për të bllokuar krizën institucionale. Mbetet që formacionet kundër-sistem janë të fuqishme si asnjëherë. Partia lepeniste, e ndëshkuar nga turni i dytë, është absolutisht më e votuara nga francezët. Skajori i së majtës Melenchon ka një aftësi përfrikësuese të tillë me të cilën duhet të bëjnë llogaritë pjesa tjetër e së majtës dhe qëndrorët. Ndoshta Marine Le Pen do të thyhet përsëri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027. Ose ndoshta jo. Fati i saj, e së bashkuu me të ai i Francës (dhe i Evropës), do të ndikohen fuqimisht nga kushtet ndërkombëtare që do të zotërojnë n’atë çast.

Shumë, tepër shumë, do të varet nga zgjedhjet që do të bëjë Vendi që, nga lufta e Dytë botërore e mbrapa, ka qënë udhëheqës e mbrojtës i demokracive evropiane: Shtetet e Bashkuar. Një fitore eventuale e Donald Trumpit në Presidencialet e nëndorit do të përplasej si një ciklon mbi Evropën (e gjithë botën e tërë). Ndoshta duke mbajtur parasysh prirjet e tij autoritare, ai do të bënte të rrezikohej edhe vetë demokracia amerikane. Edhe se është një fakt që institucionet demokratike kanë n’atë Vend rrënjë më të qëndrueshme se n’Evropën kontinentale, ndoshta do të jenë në gjëndje t’i qëndrojnë edhe qezarizmit Trumpian. Por sigurisht Evropa do të ishte gjendur në kushte tejet të vështira. Imperializmi rus do të bëhej gjithënjë e më agresiv (do t’a hante Ukrainën e ndoshta jo vetëm atë) dhe kollonat e saj të pesta evropiane, “patriotët” – nga emri i grumbullimit evropian të hedhur nga Orbani – Marine le Pen në krye, do të shihnin të rritej fuqimisht hapësira e tyre e veprimit. Jo vetëm Franca por edhe Gjermania, Spanja e demokracitë e vogla do të pësonin pasojat.

Edhe Italia në të cilën janë përfaqësuar mirë “putinian-pacifistët” si në versionin e djathtë ashtu edhe në të majtin. Do të shkërmoqej ajo “bashkësi e sigurisë” që i ka sguruar qëndrueshmëri e paqë demokracive tona për gati tetëdhjetë vite. Zakonisht, argumenti standart përballë një skenari të tillë, është i vijueshmi: demokracive evropiane, për t’u mbrojtur, nuk i mbetet veçse të bashkojë forcat, të ndërtojë një Evropë që të mos i lërë vetëm Shteteve të Bashkuar detyrën t’a mbrojë, duke e kuptuar mbrojtjen: siguri por edhe mbrojtje të lirive të saj. Por ka një pyetje së cilës askush nuk di t’i përgjigjet: a mund të kenë fuqi t’a bëjnë këtë demokraci të dobëta e të ndara? Herë herë dobësia pjell paraliza ose shtyn të dobëtit (në rastin tonë, demokracitë e brishta evropiano-kontinentale) të kërkojnë , secili për hesap të tij, të bëjë për vete fuqitë autoritare që duken fitues e kërcnues. Do t’ishte pak a shumë sikur të përqafonin një kobër. Por herë herë, zotëron instikti i mbijetesës e të dobtit arrijnë të bëjnë front të përbashkët. Çmimi i lojës është i lartë: në pjatë është fati, përveç se i paqes, i demokracisë në Evropë.

“Corriere della Sera”, 10 korrik 2024 – Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE

KONTRIBUTI I HASAN PRISHTINËS NË ARSIMIN KOMBËTAR SHQIPATRË DHE HEQJA EMRIT TIJ NGA UNIVERSITETIT PRISHTINËS

July 16, 2024 by s p

Hysen S.Dizdari

Studjues i Historisë dhe Filatelisë Shqiptare

Patrioti dhe Heroi i Popullit, Hasan Prishtina, ishte udhëheqës politik, organizator i kryengritjeve kundër pushtuesve të huaj, diplomat, mendimtarë i madh, por dhe një arsimdashës i madh i KOMBIT SHQIPTARË.

Ai ka dhënë një kontribut madhorë për ngritjen dhe zhvillimit të arsimit kombëtar shqiptarë në trojet shqiptare të Kosovës. Hasan Prishtina rridhte nga një familje, shqiptare, fisnike, atdhetare e patriotike e pasur, e cila kishte edhe pozita të larta në qeverisjen e Vilajetit, Kosovës e Selanikut. Babai i tij Ahmet Beu, ishte një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, prandaj në vitin 1880 u internua nga qeveria osmane në Tarabuzan të Anadollit së bashku me krerë e tjerë të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit. Hasan Prishtina pasi përfundoi shkollën e ultë, Ruzhdijes në Vushtri vazhdoi gjimnazin në gjuhë greke në Selanik ku jetonte familja e tij. Në këtë gjimnaz ai perveç gjuhës greke mësoi edhe gjuhë frenge, ku u njoh me veprat e iluministve francezë si, Monteskie, Zhak Zhak Rusos e Volterit. Pas gjimnazit ai përfundoi shkollën e lartë në Degen Drejtësi në Stambollë, ku punojë disa vite në administraten turke. Në vitin 1908 – 1912, u zgjodhë deputet i sanxhakut Prishtinës në Parlamentin Osman.

Hasan Prishtina duke qenë vet i shkolluar në shkollat më të mira të kohës tij e zotërues e disa gjuhve të hueja, e kuptojë rolin e madhë që luan arsimi dhe shkolla në edukimin, patriotik e atdhetarë të brezit të ri. Prandaj gjithë jeten e tij ai dhe bashkshortja e tij i kushtuan një kujdes të veçantë hapjes shkollave dhe arsimimit të brezit të ri.

Aktivitetin e kontributi i tij për hapjen e shkollave e fillojë në vitin 1908 dhe vazhdoi gjatë gjithë jetës tij.

SË PARI:

ME FINANCIMI E TIJ, DERGOJË STUDENTET E KOSOVËS NË SHKOLLËN NORMALE ,ELBASAN DHE NË SHKOLLA TE HUEJA.

Vlen për tu theksuar akti i tij bujar e fisnik, ku në vitin 1909, me mbeshtetjen e tij financiare dërgojë rreth 50 nxënës, nga gjitha trevat e Kosovës për të vazhduar Shkollë Normale në qytetin e Elbasanit,kur e gjithë shkolla kishte vetem 100 nxënës dhe ata u përgatiten për mësues për shkollat e Kosovës.

Por kuntributi tij vazhdon më tej ku ai dërgojë edhe 25 nxënës të tjërë nga Kosova, për shkollim e studime në Budapest, Hungari, në shkollën bujqesore. Kurse disa student të tjerë nga Kosova i dergojë për studime në Paris e Londër.

SË DYTI:

Në vitin 1909 sipas shtypit kohës ai bëri përpjekjë për hapjen e shkollës shqipe në qytetin e Vushtrisë. Perpjekjet e tij i vazhdoi deri sa hapi shkollën shqipe në qytetin e Vushtrisë në vitin 1915. Pas vitit 1915, ai hapi shkolla shqipe në qytetin e Mitrovicës,dhe në fshatërat, Polac, Pantinë, Smrekonicë, Nevolan e tjerë.

Në qytetin e Vushtrisë, ai bashkë me bashkshoreten e tij hapi shkolla shqipe për vajza e gra ,nga mosha 12-25 vjec, ku mësonin, shqip, për amvisa, për guzhinjere, për rrobaqepëse, dhe një degë e veçantë e hapi për muzikën.

SË TRETI:

Hasan Prishtina hapi degen e shkollën të muzikës në qytetin e Vushtrisë. Ai organizojë dhe formojë, banden e parë frymore muzikore, në qytetin e Vushtrisë, ku të gjitha veglat muzikore e instrumentat i bleu me financat e tij, në Vjen të Austri.

Ja si i këndon populli i Vushtisë Hasan Prishtinës:

HASAN PRISHTINA

O Hasan Hasan bej Prishtina,

Vushtria ty të nderon,

Hape shkolla shqipe,

Populli të bekon,

O Hasan Hasan bej Prishtina,

Hape shkolla, klube kulture, gazeta

Populli të admiron

Ngrite popullin me dije

O Hasan, Hasan bej Prishtina.

Duke vlersuar kontributin e tij për arsimin shqiptarë ish drejtori i shkollës Normale të Elbasanit, patrioti Luigj Gurakuqi, në Gazeten: “Bashkimi i Kombit”-Nr.25 të vitit 1910, shkruante:

“Rroftë atëdhetar i shkelqyer HASAN BE PRISHTINA !Po rroftë për jetë ky atdhetar i lartë, ky engjell i Shqipërisë së mjerë! Historia e Kombit tonë me shkronja të ARTA, me shkronja të SHKELQYERA, do të shkruaj në ndër faqet e saj, sherbimet e mëdha, të cilat asht tue bamun deputeti i adhurueshëm, ndër deputetët t,onë, Hasan be Prishtina në fushën e atdhesie !”

NË SHQIPËRI ME DATEN, 1 KORRIK 2024,

HASAN PRISHTINA PËRJETSOHET NË PULLËN POSTARE

Posta shqiptare për nder të 150 vjetorin e lindjes të patriotit Hasan Prishtina, emetojë një emision me pulla postare te titulluar : “FIGURA TE SHQUERA”, i cili u kushtohet figurave të shquera kombëtare dhe ndërkombetare. Ky emison u emetua me 1 korrik 2024, dhe përmban, 4 pulla postare dhe është emetuar vetem për përdorime në filateli.Pulla postare me vleren me të madhe, 70 lekë, jep portretin e patriotit Hasan Prishtina.

NË KOSOVË JA PARADOKSI I DATËS 11 KORRIK 2024

NË PARLAMENTIN E KOSOVËS:

Me daten, 11 .07.2024, siç njofton për shtypin, në Notën e Protestës tij, Drejtori i Fondacionit: “Hasan Prishtina” – Z.Mehmet Prishtina, ku ai shkruan:

“Deputetët e Kuvendit Kosovës,dje me daten,11.07.2024, gjeten kurajen ta ngrenë dorën dhe të aprovojnë në parlamentin e Kosovës, heqjen e emrit të Heroit Popullit, Hasan Prishtina nga Universiteti i Prishtinës.

Kjo datë dhe ky vendim i turpëshëm i deputetve, të Kosovës, do të mbahen mend gjatë në memorjen e shqiptarve për ligësinë dhe paturpësinë dhe paradoksin e tij, sepse në radhë të parë ky vendim fyen rëndë, dinjitetin dhe ndjenjat, atdhetare e patriotike të popullit Shqipëtarë në tërsi dhe veçanarisht të popullit Shqiptarë të Kosovës.”

PARA KËTIJ VENDIMI ABSURD DHE TË PA DREJTË

SHTROJË PYTJET:

Pse heshtë, Rektoriati i Universitetit të Prishtinës ?

Pse heshtin, Profesorët e Universitetit të Prishtinës ?

Pse heshtin studentët e Universitetit të Prishtinës ?

Pse heshtin mësuesit dhe nxënsit e Kosovës ?

Pse heshtin intelektualët në Kosovës ?

Pse heshtë shoqeria civile në Kosovë ?

Prandaj ju bëjë thirrje,intelektualve të Kosovës, dhe veçanarisht deputetve të opozitës në Parlamentin e Kosovës që këtë vendim të turpëshëm, antikombëtare, dhe antiligjorë ,ta dërgojnë me një herë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës , dhe sa më shpejtë të vendoset në vendin e NDERIT, emri i përsonalitetin e të shquar , atdhetarit, patriotit ,arsimdashësit, dhe

HEROIT TË POPULLIT SHQIPTARË, HASAN PRISHTINA.

Përshendeti vellezërit shqiptare kudo nëpër botë me një kengë kushtuar, Kuvendit Junikut mbajtur me, 21-25 maj 1912, me nismën e patriotit ,Hasan Prishtina:

KUVENDI I JUNIKUT-(21-25 MAJ 1912)

Në Kuvendin e Junikut

U bë beja kundër armikut

Dhe me fjalë u tregue trimi

I vu pikë çdo vendimi

Me Isanë e të tjerë trima

Formuluar nga Hasan Prishtina,

Erdh, paria e Prishtinës,

E Llapushës e Drenicës,

E Vushtisë e Mitrivicës,

Dukagjinit e Malsisë

Prej andej t, Llapit e Gallapit,

Prekorupes e t, rreth Gjilanit,

Në Junik u mblodh paria

N,krye,t vendit Hasan Prishtina,

Këmbë kryq n,odë ulur përreth

Fund e krye bërë sy e vesh.

Në ballë t, oxhakut po flet Hasani

Hije i ka fjala e zani

…………………….

Ndaj vëllezër të hapim sytë

Ka detyrë plak e i ri

Të luftojmë për pamvarsi

Sot ka ardhër çasti i parë

Të luftojmë me pendë e armë

Për Liri e komb shqiptarë

Shkollë, flamur, gjuhë e gjak

Edhe vdekja na duket pak

Të luftojmë, pra, me vullnet

Se lirinë, askush s,na jep.

Tiranë me, 16 korrik 2024

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT