• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2024

NATO, pritshmëri kritike nga Samiti i Washingtonit

July 9, 2024 by s p

PIRO AHMETAJ/

Sytë/vëmendja e kancelarive, institucioneve, instituteve, medias, faktorëve dhe ekspertëve të sigurisë strategjike janë drejtuar në Washington, USA, ku në mesin e kësaj jave, pra në datat 10 dhe 11 korrik 2024 do të zhvillohet Samiti i 37- të i Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO). I ftuar në forumin e “Senior Ekspertëve të Kolegjit të Lartë të NATO-s”, dëshiroj që nga Roma të ndaj një përmbledhje strategjike mbi mjedisin e sigurisë si dhe “8 Pritshmëritë Historike” të 32 vendeve anëtare (përfshi RSH) prej këtij samiti historik: “Për mbrojtjen kolektive, ardhmërinë e Aleancës Euroatlantike, gjunjëzimin e Rusinë-Putiniste në Ukrainë, marrëdhëniet me BE, stabilitetin e Ballkanit Perëndimor etj.”:

Mbi Samitet e NATO-s (?) si dhe Pse (?), pikërisht në Washington, Aleanca Euroatlantike është e destinuar të nënshkruaj historinë e përtej 100-vjetorit të themelimit (1949 -2049)?

Pikësëpari, Samitet e NATO-s nuk janë “rutinë e përvitshme”, por ngjarje në udhëkryqet kritike të përballjes me rreziqet e sigurisë kolektive, që kaneë si qëllim: “Për të përditësuar dhe modernizuar konceptin, fuqinë ushtarake, rregullat e angazhimit dhe procesin e vendimmarrjes së Aleancës”.

Në historinë 75-vjeçare të NATO-s (1949- 2024), nga gjithsej 37 Samite, vetëm 10 janë zhvilluar përgjatë Luftës së Ftohtë (në 40 vjet), ndërsa 27 prej tyre mbas 1990 deri 2024!

Ndoshta jo rastësisht, po në Samitin e Washington-it (1999), për herë të parë NATO u zgjerua me 3 vende të kampit lindor (Poloninë, Hungarinë dhe Çekinë), ndërsa edhe mbas këtij Samiti, pra në 25 vitet e fundit, numri vendeve anëtare është dyfishuar (nga 16 në 32, përfshi së fundmi me Finlandën dhe Suedinë)!

Numri 3 herë më shumë i Samiteve mbas ‘90 si dhe dyfishimi hartës së zgjerimit, flasin më fort se të gjitha fjalimet në Washington, Bruksel etj., për dinamikën e paparashikuar të kërcënimeve në 25 vitet e fundit dhe që e legjitimoi NATO-n për 75 vitet që lamë si: “Aleanca më e suksesshme e historisë së njerëzimit”!

Së dyti, në rrafshin gjeopolitik, ky Samit pritet të jetë historik, pasi do të adresojë një nga udhëkryqet më kritike mbas përfundimit të Luftës së II Botërore si dhe themelimit të Aleancës (1949), pasi: “Mbahet pothuaj 29 muaj mbas agresionit neo-nazist të Rusisë kundër sovranitetit të Ukrainës-stoike si dhe për të sprovuar rendin e sigurisë Globale dhe statuskuone gjeopolitike të vendosur mbas Luftës së Ftohtë”.

Në këtë mjedis të sigurisë, prioriteti Nr.1 i agjendës së Washington-it, pritet të jetë modernizimi i fuqisë së pakonkurrueshme ushtarake, përfshi ekspozimin e armëve bërthamore/deterrence: “Përfrenimin, shkurajimin dhe shpagimin ose hakmarrjen ndaj armiqve që guxojnë të provokojnë apo sulmojnë Aleancën”.

Prandaj mbas këtij samiti, Forcat e Gatishmërisë së Lartë të NATO-s planizohen të arrijnë në mbi ½ milioni (si asnjëherë në 75 vjet), si dhe do të dyfishohen kapacitetet e luftimit të Forcave Ajrore dhe Detare, për të garantuar mbrojtjen kolektive (artikulli-5) nga vende armiqësore, shtetet apo organizatat terroriste, etj.!

Ndërsa për kërcënimet fatale të Putinit, se: “Rusia do të shkelë traktatin e Armëve Bërthamore nënshkruar nga Presidentët Gorbaçov dhe Regan në 1987 dhe se do t’i bëjnë gjëmën qytetërimit”, përgjigja nga Samiti i Washington-it pritet të jetë e ftohtë: “Nëse vetëm do të guxonte”, Rusia jo vetëm do të damkosej përjetësisht si “shtet terrorist”, por dhe do të ndëshkohet në mënyrë shembullore nga fuqia e USA/NATO. Ndërsa Putini dhe zullumqarët rreth Tij, ashtu si nazistët, Millosheviçët etj. do dënohen: “Për krime kundër njerëzimit”!

Së treti, ky Samit është i “destinuar” të bëjë histori, pasi mbahet mbas gati 880 ditë/net luftimesh të përgjakshme në fushëbetejën “jo vetëm për Ukrainën”, por edhe ndaj kredibilitetit, fuqisë ushtarake dhe interesave gjeopolitike të Aleancës Euroatlantike (ShBA/NATO/ UK/BE).

Prandaj ky Samit pritet dhe do të skalitet si ndër ngjarjet më madhore që ka zhvilluar Aleanca prej 75 vitesh, pra që prej themelimit të saj (1949), pasi krerët e 32 shteteve anëtare, mblidhen në Washington për të demonstruar vullnetin politik, kohezionin e palëkundur si dhe vendosmërinë për ta mbështetur Ukrainën deri në fitoren e luftës kundër të keqes së përbashkët (Rusisë-Putiniste).

Kështu, në Washington, NATO do të demonstrojë mbështetje pa kompromis ndaj fitores jo vetëm të Ukrainës: “Mbi 300 miliardë euro armatime të gjeneratës së fundit (140 miliardë euro nga USA dhe 160 miliardë euro nga BE (psh., anëtari më i ri, Suedia 6.6 miliardë euro), nga përdorimi i aseteve të sanksioneve ndaj Rusisë etj.”.

Pra, në Washington do të konfirmohet se për Aleancën Euro-atlantike: “nuk ka opsion tjetër përveçse fitores me çdo çmim të luftës ndaj Rusisë”. Për më tepër, që mbas gjunjëzimit në Ukrainë, Moska do të gjendet më e izoluar si dhe do të humbasë peshën gjeopolitike në botë, përfshi Detin e Zi, Ballkan, Mesdhe, etj.

Së katërti, ky Samit zhvillohet në kohën e duhur, por dhe me pritshmëri kritike: “Për të modernizuar strukturat, armatimet, pajisjet dhe infrastrukturat ushtarake bazuar në parimin e ndarjes së barrës, pra rritjen në minimumi 2% të buxhetit të mbrojtjes”, në mënyrë që Aleanca të mbetet e pathyeshme: “Për t’u përballur me çdo kërcënim, në çdo kohë, nga çdo drejtim dhe ndaj cilido armik potencial”.

Për më të qartë, po citoj Sekretarin e NATOs, Stoltenberg, i cili një muaj para Samitit, pikërisht në Washington e cilësoi: “2 % të GDP-së vetëm si minimum”, ndërsa shtoi që 25 vitet të fundit, 2% ka qenë vetëm një objektiv i papërmbushur nga shumica dërrmuese e vendeve anëtare. Si e tillë, në këtë Samit do të përshëndetet fakti që nga vetëm 5 vende para luftës në Ukrainë (2022), buxheti i mbrojtjes në 2024 arriti në 2% për 23 vendet e NATO-s, pra rritjen më të madhe të 3 dekadave të fundit pa përfshirë USA me buxhetin rekord 1 trilion dollarë si dhe vendet europiane të NATO-s me mbi 500 miliardë euro (½ trilion).

Së pesti, Samiti i Washington-it pritet të promovojë projekte me peshë të shtuar për integrimin e teknologjive, infrasktukturave, sistemeve dhe aftësive të avancuara kibernetike, armatime luftarake të telekomanduara në distancë (dronë); të inteligjencës artificiale, kompanive private si dhe kohezionin e shoqërisë në hapësirën euroatlantike me arkitekturën dhe misionin e mbrojtjes kolektive të NATO-s.

Së gjashti, pas zgjerimit me Suedinë dhe Finlandën si kundërpërgjigje e luftës së paprecedentë të Rusisë, Samiti i Washington-it (aty ku në 1999, pra 25 vjet më parë nisi zgjerimi) pritet të rikonfirmojë “politikën e dyerve të hapura” edhe për Kosovën, Bosnje-Hercegovinën, Gjeorgjinë, si dhe forcimin e bashkëpunimit me vendet me “status të privilegjuar” si Australinë, Japoninë, Zelandën e Re, Korenë e Jugut, Izraelin etj., që si gjithmonë do të jenë ftuar për të marrë pjesë edhe në këtë Samit Historik për Aleancën.

Për sa posaçërisht Ukrainën, shtoj se në më pak se një muaj para këtij Sami, po gjatë vizitës në Washington, Sekretari në detyrë (në 1 tetor zëvendësohet nga Kryeministri holandez, Mark Rutte) Stoltenberg, konfirmoi se: “Mbas fitores së luftës, Ukraina do të jetë vendi 33 i Aleancës”, ndërsa në këtë Samit do të formalizohet “Komitetit NATO – Ukrainë”, pra një hap më afër anëtarësimit.

Së shtati, 29 muaj luftime në Ukrainë vërtetuan se Kremlini i ka humbur edhe shpresat për të minuar kohezionin mes NATO-s dhe BE. Prandaj 32 vendet e NATO-s (27 edhe anëtare të BE) në Washington do të mirënjohin “rolin jetik të SHBA-ve”, pasi me mbi 1 trilion USD (buxheti-2024) ose 2 herë më shumë se 31 vendet e tjera NATO-s, mban barrën kryesore të shpenzimeve të mbrojtjes si dhe fuqisë ushtarake. Thënë këtë, në Samit do të konfirmohet edhe domosdoshmëria e forcimit të marrëdhënieve transatlantike, pra e partneritetit strategjik USA/NATO – BE. Duhet konsideruar po ashtu se, krerët e 27 vendeve të Parlamentit Europian, vetëm 10 ditë me parë (29 qershor 2024) miratuan një zëri një Plan Veprimi (2024-2029) dhe një paketë ambicioze mbështetëse me 500 miliardë euro (20-fishin e sa aktualisht), me qëllim: “kapërcimin e dobësive aktuale si dhe ngritjen e një ushtrie të ndërveprueshme për kërcënimet, kryesisht nga Rusia”.

Gjithsesi, kjo përpjekje dhe ky Projekt i BEsë, që sigurisht nuk është i Ri (Marrëveshjes Berlin-Plus, themeluar në 2002), në Washington pritet të konfirmohet se kurrsesi nuk ka si qëllim për të konkurruar me USA/NATO, as dublikuar shpenzimet për aftësitë luftarake, por do të jenë programe, struktura, pajisje dhe infrastruktura komplementare, kryesisht për operacionet paqeruajtëse, emergjencat civile etj..

Së teti, në Samit priten mesazhe të qarta edhe për marrëdhëniet me Kinën, si dhe mbi domosdoshmërinë kritike për zhvillimin e frymës së bashkëjetesës paqësore, Masave të Mirëbesimit Reciprok, si dhe të dialogut pa kushte për paqen, vlerat demokratike dhe axhendën e integrimit Euroatlantik edhe të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kështu, në Samit pritet të konfirmohet se Rusia – Putiniste, e ka humbur edhe betejën për të ndezur një front të ri lufte të Kinës kundër Tajvanit apo frymëzuar oshilacionet e Millosheviçit dhe ekstremistët e tipit Dodik, duke kërcënuar “me agresion ushtarak” jo vetëm sovranitetin territorial të Kosovës, por edhe prezencën e KFOR-t si dhe statuskuone dhe interesat gjeopolitike të Aleancës Euroalantike në Rajon.

Në shtesë, ky është Samiti i 11-të (pas 2009) që Shqipëria ulet si anëtar me të drejta të plota në “tavolinën mes të barabartëve të Aleancës Euroatlatike”! Në kapacitetin e “Ekspertit për Sigurinë Kombëtare, Rajonin, si dhe ndër kontribuuesit e udhëtimit 15-vjeçar të RSH pas anëtarësimit në NATO (2009), po parashtroj respektivisht pse Samiti i Washington-it do të jetë historik edhe për RSH dhe 6 rekomandime strategjike për angazhimet e RSH përtej këtij Samitit:

1. Partneritet strategjik, kohezion dhe konsensus të pakushtëzuar (krah të ShBA-ve) për të gjitha vendimmarrjet, projektet dhe operacionet e NATO-s në interes të mbrojtjes kolektive (artikulli 5); mbështetjen “më shumë se modeste” ndaj Ukrainës si dhe rol/vend lider në promovimin e bashkëjetesës paqësore, stabilitetit demokratik, interesave gjeopolitike dhe agjendës Euroatlantike në rajon.

2. Të konfirmojë vullnetin politik dhe vendosmërinë e Tiranës Zyrtare për transformimin e Sistemit të Sigurisë Kombëtare, në përputhje me Konceptin e Mbrojtjes Kolektive, duke përditësuar, transformuar dhe modernizuar: “Konceptin, balancat demokratike të pushteteve, strukturat, pajisjet; aftësitë operacionale dhe kulturën e bashkëpunimit mes Institucioneve/Agjencive përgjegjëse, në interes të sigurisë së jetës, shëndetit, pronës, dhe mirëqenies së qytetarëve; promovimin e vlerave euro-atlantike; mbrojtjen e interesave kombëtare si dhe përmbushjen e detyrimeve të RSH në NATO”.

3. Të rikonfirmojë angazhimin për të mbajtur “minimumi 2%” GDP-së prej 2024 e në vazhdim”, me synimin e zhvillimit të kapaciteteve kombëtare të afta përmbushjes e detyrimeve në kuadër të mbrojtjes kolektive si dhe përballimin e rreziqeve te sigurisë së qytetarëve; stabilitetin e rendit demokratik, sigurinë kibernetike, mbrojtjen nga dezinformimi dhe influenca ruso-kineze etj..

4. Të përmbushë përgjegjësitë e vendit pritës (Host Nation), në modernizimin e Bazës Ajrore të Kuçovës, rivitalizimin industrisë ushtarake për prodhimin e municione etj., detyrime që burojnë nga SOFA, protokolli i Parisit etj., marrëveshje që RSH i ka nënshkruar para vitit 2013.

5. Mbështetjen pa kompromis si dhe promovimin e përpjekjeve të Kosovës dhe BosnjeHercegovinës për anëtarësim në NATO, duke konfirmuar në Washington se kjo “qasje mençur” e zgjeron hartën e paqes së qëndrueshme në Rajon. Po ashtu, të konfirmohet roli/vend lider në zhvillimin e projekteve të përbashkëta me Kosovën dhe vendet e Ballkanit (përfshi Serbinë) ndaj kërcënimeve asimetrike: “terrorizmi, mbrojtjen kibernetike, krimi i organizuar, emergjencat civile, etj.”.

6. Ndërsa, aktorët politikë si dhe faktorët shtetërorë të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare do i këshilloja që: “mesazhet e Samitit të Washingtonit, humbja e luftës, kolapsi ekonomik si dhe diskreditimi ndërkombëtar që e pret pas lufte Rusinë – Putiniste (përfshi peshën në Ballkan), mbart edhe një rrethanë të favorshme gjeopolitike në dobi të faktorizimit të RSH në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha (SHBA/NATO/UN/BE), për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat kombëtare në Rajon, Mesdhe etj.”.

Për ta përmbyllur, besoj edhe më fortë që ky Samit, që po zhvillohet në kryeqytetin e “bekuar për të bërë histori”, do t’i miradresojë udhëkryqet kritike për sigurinë, paqen dhe vlerat demokratike në hapësirën euroatlantike. Prandaj mbetem shpresëplotë se Samiti i Washington-it do të projektojë NATO-n e fund shekullit 21, pra për të mbetur si: “Aleanca më e fuqishme e njerëzimit edhe për 75 vitet që vijnë …”!

Filed Under: Opinion

Themeli i së keqes…

July 9, 2024 by s p

Ajet Delaj/

Për të vërtetën nuk e di dhe nuk mund ta di nese e di kush se ku e ka themelin e keqja për Shqipërinë e shqiptarët në thellësitë e shekujve pasi asnjë komb i botës nuk ka mbetur 3 milion përgjatë 300 viteve të fundit. Me që nuk jam studiues e historian nuk po futem thellë në histori por po ju referohem fillimeve të levizjes demokratike në Shqipëri apo të jem më i saktë për atë që dikur besonim se ka qenë lëvizje demokratike pasi rastësisht kam ndodhur edhe unë aty ku është zhvilluar kjo levizje si student i 90-tës. Po filloj tek levizja demokratike kështu po e quaj për marrëveshje fjale për faktin se para 34 vjetesh shqiptarët patën një shpresë të madhe për të një të ardhme ndryshe mbas një periudhe vërtetë jo dinjitoze po them pa dashur të prononcohem as trim mbas lufte e as i zgjuar pas kuvendit. Së fundi dëgjova një deklaratë të z.Rama se demokracia na paska lindur e vdekur gjë që për mua nuk është e vërtetë pasi fatkeqësisht demokracia në Shqipëri nuk është ngjizur ndonjëherë.

Për fatkeqësinë e Shqipërisë e shqiptarëve në 90-tën shqiptarët të dalë nga izolimi ekstrem ju paraqit një klonim komunist si demokraci. Natyrisht që kjo nuk u bë as për sport e as për humor por sipas një projekti të detajuar klonit të tyre komunistët i vunë detyrë të relativizonin krimet e tyre duke shmangur dënimet e kriminelëve e sigurisht vazhdimësinë ekonomike të tyre. Besoj se shumica e shqiptarëve që kanë mbetur në Shqipëri pasi dihet se kanë mbetur mosha e tretë e mbajnë mend se kush kanë qenë në kohën e komunizmit shitëse, banakiere e magazinier e shumë të tjerë të kësaj kategorie. Gjithashtu dihet se ku kanë qenë ndërtuar objektet e shërbimit social sigurisht në qendrat e qyteteve e natyrisht mbi trojet e privateve të konfiskuara nga regjimi komunist e pronarët u degdisen burgjeve e internimeve.

Opozita e klonuar me sekretar partie e deri djali i kryprokurorit kasap komunist ju dha shërbetorëve të komunizmit qendrat e qyteteve duke krijuar fillesat e kapitalisteve me pinjollët e tyre. Meqë e konsoliduan vazhdimësinë e tyre në qytete së bashku me moskthimin e ndërtesave të banimit të sekustruara ju kthyen fshatit me ligjin 7501.

Ligji 7501 ju mohoi përfundimisht pronarëve të tokave pronat e tyre duke ua vrarë edhe shpresën që ka arritur të jetojë edhe gjatë diktaturës, gjë që e futen vendin ne kaos e anarki duke e dënuar Shqipërinë me varfëri e shkombëtarizim që pasojë me më së pakti tetë mijë të vdekur e po aq kanë prerë biletën e vdekjes.

Pra kloni komunist jo vetëm garantoi vazhdimësinë komuniste por vendosi edhe themelet e kapitalizmit mbi hajninë e poshtërsinë ekzaktësisht atë që po gëzojnë sot shqiptarët e mbetur akoma në Shqipëri, por arritën të mbajnë peng vetë të ardhmen e Shqipërisë.

Themelet e një shteti nëse nuk vendosen mbi ligj e drejtësi atëherë ose shteti rrëzohet si në 1997 ose shteti bëhet përfaqësues i asaj ekonomie siç e përshkrova më lart që në shqip njihet si shteti i mafies.

Nuk ka e nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe në Shqipëri kur një adoleshent që vidhte një celular dënohej 6 muaj e ai që vidhte gjysmë milioni pronë, shteti i mafies i jep tapinë madje vetë kryeministrat e atij vendi që quhet Shqipëri. Tani të gjithë qahemi se po na vjedhin voten, taksat, ilaçet, tenderat pasuritë publike e tani së fundi edhe jetën por një zë nuk e lëshoi kush kur u vodh pasuritë e pronat e të tjerëve e po të doni edhe pasuria e shtetit. Edhe nëse dikush foli u la i vetmuar e madje edhe u abondonua siç ndodhi me të ndierin Kalakula. Lirinë e demokracinë madje edhe zhvillimin e prosperitetin e gëzojnë ato kombe e popuj që luftojnë që ti kenë.

Filed Under: Analiza

DIKU, ARRITA E THASHË

July 9, 2024 by s p

Pellumb Kulla/

Çdo natë, komshinjtë tanë ngrenë në këmbë lagjen, duke i bërtitur gjyshit të zgjohet, që t’i japin ilaçin e gjumit! (Koncert i Vitit të Ri, 1976)

* * *

Avash-avash, po piqet mendimi, se kjo lëvizja jonë për demokraci, nuk është veçse një përpjekje e gjerë, në të cilën komunistët e pakënaqur duan t’u zenë vendin komunistëve të kënaqur. (Thënë nga foltorja e aktivit të Partisë Demokratike, Teatri Kombëtar, 1992)

* * *

Duke përfituar nga errësira, Resuli e mbaroi me nota të larta shkollën e natës. (1979).

* * *

Edhe komshiu ynë pensionist botoi një libër këtë fundviti. Në libër, ai rri e kujton fije-për-pe se ç’ ka hequr gjatë diktaturës. Kujton fije-për-pe se çfarë i kanë bërë atij ata, zemërzinjtë, dhe si i ka përballur ai. I tregon me hollësirat më të imta. E nuk ka asnjë rëndësi, fakti që ato që tregon ai, nuk kanë ndodhur. Mrekullia është që ai i mban mend ngjarjet, fije-për-pe! (TemA, 2018)

* * *

Dashuria për vetveten është e vetmja dashuri që nuk vuan nga tradhtitë. (Shënime, 1984)

* * *

Pritjet për lirinë paskëshin qenë më të bukura, shumë më të bukura, nga vetë liria. (Në Cellino San Marco, Itali. Vizitë në shtëpinë e këngëtarit Albano Carrisi, 1991)

* * *

Në tërë ata vite, të jem i sinqertë, nuk shkrova dot asnjë fjalë kundër qeverisë. Banoja në një shtëpi përballë burgut dhe nuk desha kurrsesi të veja të banoja përballë shtëpisë! (Intervistë në gazetën italo-amerikane “Oggi”, 1998)

* * *

Të tëra shpresat për fitoret në zgjedhje mbështeten gjithnjë mbi fytyrat e fëlliqura të kundërshtarve. Kështu ka qenë dhe, mesa duket, kështu do të mbetet. Në atdheun tonë demokratik, një kundërshtar faqezi të nxjerr faqebardhë! (Shenime. 2012)

* * *

Dikur, një i përbuzur i pushtetit urrehej më shumë po të rastiste të shuante ndonjë zjarr, që rrezikonte të shkrumboste fabrikën, apo kombinatin. Parapëlqehej, …më mirë të digjej kombinati, se sa armiqtë e klasës të fillonin dhe të na shpëtonin kombinatet! (Intervistë dhënë Faruk Myrtajt, për gazetën “Zëri i Rinisë”, 1991)

* * *

Kur shtatzënave u vete mendja për kumbulla të tharta, apo manaferra, plakat dhe mjekët këshillojnë që duhet ngutur t‘u plotësohet dëshira. Kohët e fundit shtatzënave të deputetëve të Opozitës, s’ka ditë të mos u vejë mendja për… zgjedhje të parakohshme! (Pas zhurmës së madhe për hapjen e kutive të votimit, 2010)

* * *

Mbretërit shpesh zbrisnin nga maja e shtetit dhe duke fshehur identitetin, shkonin të bënin punë të rëndomta, si hamenj dhe pjatalarës, që të njihnin jetën poshtë. Tek ne po ndodh e kundërta: njerëz të rëndomtë, hamenj dhe pjatalarës, duke fshehur identitetin, venë në majë dhe udhëheqin punët e shtetit, që të njohin jetën lart… E pastaj, aha! – Nuk kthehen më poshtë! (Fjalë në festën e Flamurit. Hartford CT, 2010)

* * *

Është më mirë kur punët e shtetit i drejtojnë pasanikët. Për këtë ka dy rrugë: ose pasanikët të bëhen ministra, ose ministrat të bëhen pasanikë! Tek ne, në Shqipëri, po ndodh kjo e dyta. Edhe vjedhjet tek ne, bëhen me pikësynime të ndershme. (“Rrëfenjat e Amerikës”, 2002)

* * *

Nuk gjen vend në botë, si ky i yni, ku kriminelët i kërkon populli dhe i fsheh policia! (Në Kuvendin e FRD. 2013)

* * *

Shqipëria është i vetmi vend, ku të ndërtosh pa leje, shteti të dënon duke ta legalizuar ndërtimin e duke të dhënë tapinë! Dhe tjetra: të të zenë aty, tek je përplasur me makinë të vjedhur, në atdheun tim në vend të burgosjes, të pajisin me patentë! (Në faqen time të fejsbukut, 2009)

* * *

Enver Hoxhës nuk i gjen të dytë në histori. Më shumë se burrë shteti ai ngjante me një grua shtatzënë. Nuk pushoi së pjelli tradhtarët e vet deri sa mbylli sytë! (Debat elektoral në shtyp, 2021).

* * *

Në këtë vend të bekuar, ne mund të ngrejmë edhe hidroçentrale që prodhojnë errësirë, natë, terr të zi… Ja: deri më sot, kemi arritur të ngrejmë universitete, që me t’i kryer ata, hop, diplomohesh injorant. (“Lejlekët nuk vijnë më” 2003).

* * *

Njëherë vaktit, shteti i rripte lëkurën individit, për të mirën e përgjithëshme. Sot, për të mirë të tij, individi po i rrjep lëkurën e përgjithëshme shtetit!… (“Rrëfenjat”,2002)

* * *

Duhet mësuar gjuha e ligësisë, – ligësishtja. Jo për ta folur, por për ta kuptuar, kur e flasin të ligjtë. (Komedia “Shtëpia me të djeshmen pa fund”, 2013)

* * *

Njëzetepesë fije telash me gjemba e rrethonin Shqipërinë në një lartësi dy metra. Propaganda enveriane përligjte telat e ngritur, se ato do pengonin armiqtë që do deshin të hynin në territorin tonë. Në atë kohë në planetin tonë, vetëm rekordmeni olimpik John Tomas mund të kërcente përmbi dy metra. Ai nuk ishte armik. Ishte vetëm amerikan. Lartësia e telave nuk e pengonte, por Tomas bëri mirë që nuk u hodh në Shqipëri. (Nga ligjërata “E qeshura e ndaluar” mbajtur në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, Uashington 9 tetor 2009)

* * *

Janë shumë të mira nënat shqiptare, por të gjitha ato kanë një dreq të mete: pjellin më shumë komandantë se ushtarë! (Jersey City, nga fjala në përvjetor të Kushtetutës së Kaçanikut, 1994)

* * *

Në atdheun tim, njerëzit duan më shumë udhëheqësin se udhën dhe e ndjekin atë udhëheqës, edhe kur ai e le udhën! (“Illyria” 1999)

* * *

Të këput shpirtin duke treguar, se plot dyzet vjet, vitet më të mirë të jetës së tij gjatë diktaturës së poshtër, ai i kaloi në burg! Por nuk thotë, asnjëherë që atje, ka qenë komandant i atij burgu! (Athinë. Ceremonia e promovimit të botimit në greqisht i “Lejlekët nuk vijnë më”, 2014)

* * *

Betimi nuk ka lindur për të ndihmuar të vërtetën, por si nevojë e gënjeshtrës, se asaj i shërben. Gënjeshtra e fut atë në përdorim që nga mëngjesi e deri sa vjen mëngjesi i ri. (Komedia “Shtëpia me të djeshmen pa fund” 2013)

* * *

Parlamentarët tanë e hoqën dënimin me vdekje. E hoqën për kriminelët, dhe e lanë për të gjithë shqiptarët pafajshëm. (Shekulli, 2006)

* * *

Njeriut që bën një akt heroik, thuajse i shuhet merita, po qe se gjatë atij akti ai nuk vdes! (Essé në “Shekulli”, 2006)

* * *

Shqipërisë më mirë t’i kishte mbetur komunizmi, se sa i mbetën komunistët. (Në Kuvendin e FRD, 2013)

* * *

Merita historike e çdo qeverie që ikën, janë shifrat, që ajo i lë qeverisë që vjen që kjo t’i përdorë për krahasime. Kjo është dhe në të mirë të kombit, bile, se vetëm kështu duket sikur kombi ynë përparon. (Në një takim me bashkatdhetarë në Cleveland, Ohio, 2010).

* * *

Shumë mirë që gazetat i kemi të pavarura! Do ishte më mirë akoma sikur disa botues gazetash, të mos i linin pa i varur! (Fb, 2014)

* * *

Kryeministri Rama është parë në disa maternitete të vendit. i shoqëruar nga drejtoreshat, teksa viziton kryesisht pavionet e bebeve-vajza . Meraku i tij për të vënë në rrugë të mbarë qeverinë e ardhshme është fare i dukshëm. (Pejzazhe të fjalës, 2013)

* * *

Politikanët e sotëm shqiptarë i shohin milionat e grumbulluara nga kundërshtarët, jo si objekte për t’i dënuar, por si objektiva për t’i tejkaluar. (Shënime, 2005)

* * *

Fqinji im e ka gjakun të ëmbël dhe numuron shumë miq. Ata, e paisën me patentën e automobilit, por akoma dhe sot automobilin ai nuk di ta ngasë. Nga miqtë mori edhe patentën për të ngarë avionat, por nuk ka fluturuar asnjëherë, se nuk di qysh t’i ngasë. Miqtë i dhanë edhe titullin “Nderi i Kombit”… Por fqinji im, as këtë nuk di ta ngasë! (Darkë miqsh gjatē Pandemisë, 2021).

* * *

Filmat e kineastëve tuaj të shquar italianë, mbi bëmat e mafias, mua shpesh më duken si katarsisi i juaj kombëtar, rrëfime, konfesione, si lypje ndjese. Këta lloj filmash, janë bërë shkolla të mafiozëve tanë të uritur. (Lecce, Universita di Salento, leksion studentëve mbi Filozofinë e së Drejtës, 19 prill 2017)

* * *

Në historinë e këtij planeti, revolucioni ynë do të jetë i pari revolucion i udhëhequr nga milionerët. (2018)

* * *

Kur la detyrën Presidenti ynë i fundit vumë re se në Shqipëri kishim më shumë Ndere Kombi se shqiptarë të vaksinuar! (2022)

* * *

Mjekësia falas?!… Nuk e kupton dot ti, vogëlushi i nënës?! Mjekësia quhet falas, kur nëna shtrohet në spital dhe infermierja i zgjat një gotë plot me ujë, që nëna ta pijë ilaçin, që sapo e ka blerë vetë në ndonjërën nga farmacitë e shumta rreth spitalit. Infermieres, nëna edhe i jep diçka… Pa për gotën me ujë, nëna nuk i paguan spitalit as edhe një qindarkë! ( 2023)

* * *

President bëhesh kollaj. Ish-President, qënka tmerrësisht e vështirë! (Bisedë me Muç Nanon, 2023)

* * *

Statistikat tregojnë se në Tiranë numërohen 654 të dënuar me arrest shtëpie dhe flitet se po shtohen shumë. E kjo ndihet, sepse trafiku në qytet është lehtësuar mjaft. (Komunikime në fb. 2024)

Filed Under: ESSE

Përfundoi viti shkollor 2023/24 i LAPSH-i në Cyrih të Zvicrës, 34 nxënës prej tyre përfunduan mësimin e gjuhës shqipe

July 9, 2024 by s p

LAPSH është dhe mbetet institucioni i vetëm që i bashkon të gjithë shqiptarët.

“Prej 384 nxënësve sa ka LAPSH-i në kantonin e Cyrihut me 48 klasa, 8 mësues, 34 prej tyre sivjet përfunduan shkollën plotësuese shqipe. Duhet të thënë dhe pranuar, se LAPSH-i për këto 33 vite ka bërë shumë ose më të mirën e mundshme. Mësuesit e shkollës plotësuese shqipe në LAPSH ishin dhe janë heronjtë e diasporës që punuan shumë për të ruajtur gjuhën shqipe. Falënderojmë edhe shtetin zviceran që na ka mundësuar gjithashtu që të zhvillohet mësimi shqip në shkollat zvicerane”.

Rümlang, 6 korrik

“Kam emocione të papërshkrueshme kur i shoh fëmijët. Nuk mundem të rrij me një vend. Të gjithë këta fëmijë të lindur e që po rriten larg vendit të të parëve të tyre po e mësojnë gjuhën shqipe dhe do ta ruajnë. Është nder i madh për mua që erdha sot me bashkëshorten time enkas për ti mbështetur mikeshat e miqtë e mi mësues, që po bëjnë një punë të shenjtë. I falënderoj që nuk po më harrojnë dhe po më ftojnë. Kisha edhe disa takime të tjera, besoj se do ti mbërrij, se dita e gjatë, por nuk mundem të mungoj në këtë takim të dashur e shumë domethënës, ku po marrin diplomat fëmijë shqiptarë që po mbarojnë mësimin e gjuhës shqipe. LAPSH është munduar e do të mundohet edhe në të ardhmen, por padyshim, se mbështetja e dy shteteve tona edhe më shumë, do të ishte shumë e nevojshme. Prindër të dashur, ju që nuk i keni dërguar fëmijët tuaj apo keni dilema, dërgoni në shkollën plotësuese shqipe, se përbesë do të fitojnë shumë”, kështu na tha ndër të tjera, veprimari i mirënjohur, mësuesi veteran i LAPSH-it “Naim Frashëri” në Zvicër e njëherit ish kryetari i LAPSH-it për gjithë Zvicrën, z.Hamzë Morina i cili ishte edhe mësues në Kosovë para se të vij në Zvicër. Mësues i dalluar, i urtë, modest, shumë i sjellshëm. Edhe pse ishte musafirë e i shoqëruar me bashkëshorten e tij, ai lëvize me telefonin e tij, duke marrë foto nga fëmijët që mbanin program për manifestimin e përfundimit të vitit shkollor si dhe të diplomimit të nxënësve për vitin 2024. Edhe nga sytë e shihje se kishte emocione.

E fillova me këto fjalë, ngase kisha emocione dhe nuk mundem ti fshehi, kur z.Morina e kam përcjellur hiq më pak se për 20 vjet sa ishte në detyrën e mësuesit dhe pastaj edhe të parit të LAPSH-it në nivel Zvicre. Është e pamundur të largohesh nga ai, pa buzëqeshur me plot sinqeritet dhe duke uruar që të shihemi për gëzime. Është model dhe do të mbetet model i një atdhetari jo trumbetues, por i meritave dhe mësues i dalluar. E veçova z.Morina, sepse ishte afër edhe ish kryetarit të LAPSH-it në nivel Zvicre z.Nexhat Maloku, mësues veteran dhe intelektual i meritave, ku bashkëbisedonin me njëri tjetrin për të kaluarën dhe për të ardhmen e LAPSH-it.

Si gjithmonë, miqësor, ishte edhe kryetari i LAPSH-it për kantonin e Cyrihut, mësues i dalluar, z.Naser Ulaj, ku u ofrua me gjithë stafin e tij të këtij kantoni për të bërë një foto kujtimi me ne dhe padyshim, mjeshtri i madh, z.Lulzim Hasi si edhe herave të tjera me fotokamerat e tij po lë kujtime e fakte për brezat e ardhshëm. Barrën kryesore të organizimit të kësaj ngjarje të shënuar e kishte z.Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it, njëherit mësues i shkollës plotësuese shqipe, që së bashku me njërin nga pronarët e diskotekës së njohur “Rinora 4”, në Rümlang të Cyrihut, z.Habibi dhe i ndihmuar edhe nga familja e tij, por edhe nga stafi i LAPSH-it për Cyrih përgaditeshin për musafirët, që do të vijnë në këtë ngjarje. Është për të përshëndetur z.Habibi i cili për çdo vjet hap dyert për shkollën plotësuese shqipe. Manifestimi filloi ashtu edhe siç ishte parapa me një program modest të përgaditur me poezi e këngë si dhe hartim shkollor nga nxënës të shkollave plotësuese shqipe për kantonin e Cyrihut. Secili nxënës ishte më i mire se shoku apo shoqja e tij. Të buzëqeshur dhe me plot pozitivitet krenoheshin me ato që i kanë mësuar në shkollë dhe përqafoheshin me mësueset e mësuesit e tyre dhe bënin edhe foto kujtimi. Prindërit ishin kujdesur edhe për koktej me disa ëmbëlsira nga kuzhina jonë shqiptare, por edhe nuk mungoi lakrori me plot shije.

Prej 384 nxënësve sa ka LAPSH-i në kantonin e Cyrihut me 48 klasa, 8 mësues, 34 prej tyre sivjet përfunduan shkollën plotësuese shqipe

Në këtë ngjarje të madhe festive edhe sivjet ishte e pranishme edhe zonja Arjeta Gallapeni Simnica, Konsulle e Republikës së Kosovës në Cyrih. Programi filloi me një moderim shumë të mirë duke i bërë që të gjithë fëmijët të jenë të qetë sepse filloi programi. Fjalën përshëndetëse e mori z.Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për Cyrih, njëherit mësues, i cili me fjalët më të mira të mundshme falënderoi konsullen e Republikës së Kosovës, zonjën Gallapeni Simnica, z.Hamzë Morina, mësues, prindër e nxënës, me një fjalë, gjithë stafin e tij, pa harruar e falënderuar të gjithë ata që e kanë ndihmuar dhe po e ndihmojnë shkollën plotësuese shqipe. Njëherit, luti të gjithë të pranishmit që të nderojnë me një minutë heshtjeje për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të njohur shqiptarë me përmasa ndërkombëtare, z.Ismail Kadare. Më tej z.Ulaj, vazhdoi me disa fjalë, se vullneti nuk do të mungoj as te ai, por as te stafi i tij, që të punojnë me ndershmëri e profesionalizëm, me të vetmin qëllim, që gjuha shqipe të jehoj brez pas brezi. Përgëzoi prindërit që po i sjellin fëmijët e tyre në shkollën plotësuese shqipe dhe ju drejtua të gjithë atyreve që nuk i kanë sjellur, që ti sjellin në vitin që do të fillojmë. Nga e gjithë ajo që ka përcjellur nga puna e stafit të LAPSH-it për kantonin Cyrih, del qartë, se kanë punuar shumë dhe me shumë sakrificë. Ai shtoi, se: “Shkolla plotësuese shqipe “Naim Frashëri” ishte dhe do të jetë përgjithmonë, sepse do ta trashëgojmë edhe te brezat që do të vijnë dhe besojmë shumë, se do të kemi përkrahje edhe më të madhe të mundshme nga dy shtetet tona. Njëherit falënderoi për shumë herë shtetin zviceran, që i ka mundësuar dhe po i mundëson shkollat zvicerane që të mbahet mësimi shqip. Shumë faleminderit gjithë Zvicrës, prandaj jo rastësisht edhe nga ne shqiptarët, po quhet si atdheu i dytë. Ta ruajmë gjuhën tonë shqipe brez pas brezi, si sytë e ballit. Edhe konsullja e Kosovës në Cyrih, zonja Gallapeni Simnica përshëndeti të gjithë të pranishmit, gjithë stafin e LAPSH-it në kantonin e Cyrihut, nxënësit e shkollës plotësuese shqipe, duke ju uruar suksese edhe në të ardhmen. Përcolli edhe përshëndetjet e gjithë stafit të konsullatës. Ajo ndër të tjera theksoi se shkolla plotësuese shqipe “Naim Frashëri” ka dhënë kontribut e po jep dita ditës, prandaj duhet të përkrahet edhe më shumë dhe do të ishte më se e duhur, që të rritet numri i fëmijëve duke e ditur, se numri i bashkatdhetarëve është shumë i madh. Besojmë shumë, se do të shohim edhe klasa të reja për mësim shqip dhe falënderojmë shumë edhe shtetin pritës për të gjitha mundësitë. Uroi të gjithë nxënësit që sot e përfunduan vitin e ri shkollor dhe në veçanti ata që sotë e përfunduan shkollën plotësuese shqipe. Edhe PhD. Dashnim Hebibi në emër të Institutit Helvetikë të Evropës Juglindore me qendër në Cyrih, përgëzoi z.Ulaj për punën e madhe që ka bërë e që po bënë me gjithë stafin e LAPSH-it për kantonin e Cyrihut. Ai shtoi, se: “Kam nderin dhe kënaqësinë që ti uroj 34 nxënësit që do të marrin diplomat e përfundimit të shkollës plotësuese shqipe. I uroj shumë suksese edhe në të ardhmen. E dijmë, se ruajtja e gjuhës shqipe, është përgjegjësia jonë para historisë dhe të ardhmes.Psikologjia zhvillimore na konfirmon se njohja më e mirë e gjuhës amtare është thelbësore për zhvillimin e fëmijës dhe bazë për njohjen e gjuhëve të huaja. Çdo gjuhë e huaj të hap horizonte të reja, por nuk duhet lënë pas dore gjuha amtare. Gjuha si pasuri e pakontestueshme duhet të kuptohet e të pranohet si e tillë prej të gjitha shtresave, dhe si e tillë t’u lihet trashëgim atyre që i duam më shumë, atyre që i vlerësojmë si pasurinë tonë më të madhe, pra fëmijëve.

RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR PËRMES GJUHËS SHQIPE!

Duhet të thënë dhe pranuar, se LAPSH-i për këto 33 vite ka bërë shumë ose më të mirën e mundshme. Mësuesit e shkollës plotësuese shqipe në LAPSH ishin dhe janë heronjtë e diasporës që punuan shumë për të ruajtur gjuhën shqipe. Respekte për punën e tyre. Falënderojmë edhe shtetin zviceran që na ka mundësuar gjithashtu që të zhvillohet mësimi shqip në shkollat zvicerane.

LAPSH është dhe mbetet institucioni i vetëm që i bashkon të gjithë shqiptarët e të gjitha trevave shqiptare, pa dallim krahine, bindje fetare apo bindje politike. Ta ndihmojmë edhe ma shumë me aq mundësi sa kemi LAPSH-in! Kam për të thënë shumë i dashur z.Ulaj edhe pse kam thënë me shkrimet e mia jo më pak se për 24 vjet me radhë për LAPSH-in, por kësaj here kemi festë dhe urime. Pushime të mbara e u pafshim në manifestime të tjera. Gjenerata e 27-të me 34 nxënës që përfunduan shkollën plotësuese shqipe janë këta nxënës që do të mburren gjatë gjithë jetës: „

VITI SHKOLLOR:2023 /2024

Emri, mbiemri, viti shkollor, vendi, shkolla, mësuesja;

Elona Bajraktari, 2023/2024,Wallisellen, Afërdita Veliu

Erisa Jashari, 2023/2024,Bülach, Aferdita Veliu

Lorik Bajraktari, 2023/2024,Wallisellen, Aferdita Veliu

Riana Ljatifi,2023/2024,Bülach,Aferdita Veliu

Erina Shkodra, 2023/2024, Thalwil, Drilona Maloku

Inara Isufi,2023/2024, Thalwil, Drilona Maloku

AnjezaHusaj, 2023/2024, Embrach,Elfete Hasi

Biona Dauti,2023/2024,Winterthur,Elfete Hasi

Dionard Brahimi, 2023/2024, Winterthur,Elfete Hasi

Eris Morina, 2023/2024,Winterthur,Elfete Hasi

Erza Miftari, 2023/2024,Winterthur,Elfete Hasi

Leo Bislimi, 2023/2024,Winterthur,Elfete Hasi

Blinera Xhaferi, 2023/2024, Winterthur, Elfete Hasi

Flori Shala,2023/2024,Winterthur,Elfete Hasi

Hana Rahimi, 2023/2024, Winterthur, Elfete Hasi

Adea Maralushaj, 2023/2024, Opfikon-Glattbrugg, Naser Ulaj

Ajlina Gashi, 2023/2024, Opfikon-Glattbrugg, Naser Ulaj

Egzon Sadiki, 2023/2024, Zurich,Naser Ulaj

Erisa Shala, 2023/2024, Wetzikon,Naser Ulaj

Fatbardh Latifi, 2023/2024,Dübendorf,Naser Ulaj

Liri Leci, 2023/2024, Opfikon-Glattbrugg, Naser Ulaj

Mirlinda Trnava, 2023/2024,Wetzikon,Naser Ulaj

Sara Ajeti, 2023/2024, Wetzikon, Naser Ulaj

Valona Fazliu, 2023/2024, Opfikon-Glattbrugg, Naser Ulaj

Malika Izairi, 2023/2024, Horgen, Nexhat Maloku

Aldrin Sylejmani, 2023/2024, Urdorf,Sabahat Krasniqi

Alina Berisha, 2023/2024, Urdorf, Sabahat Krasniqi

Alsina Hoxha, 2023/2024, Zürich,Sabahat Krasniqi

Arife Serifi, 2023/2024, Dietikon, Sabahat Krasniqi

Azra Osmani, 2023/2024, Urdorf,Sabahat Krasniqi

Jona Budeci, 2023/2024, Dietikon Sabahat Krasniqi

Mejdin Halimi,2023/2024, Urdorf, Sabahat Krasniqi

Ormir Baftiu, 2023/2024, Zürich,Sabahat Krasniqi

Leart Kelmendi,2023/2024,Zürich, Sabahat Krasniqi.

Krejt në fund, u ndanë edhe dëftesa dhe lule për të gjithë nxënësit që përfunduan shkollën plotësuese shqipe. Mësuesit e mësueset e tyre ishin me plot emocione, ku edhe prindërit nuk munguan duke falënderuar edhe gjithë mësueset/it për punën që kanë bërë. Foto kujtimi seili mësuese/s merrte me nxënësit e tyre dhe krejt në fund, u realizua edhe një foto kujtimi me të gjithë të diplomuarit, por edhe me stafin e LAPSH-it për kt.Cyrihut, prindër dhe të pranishëm. Z.Naser Ulaj, në emër të LAPSH-it për kt.Cyrih pasi uroi të gjithë nxënësit që përfunduan shkollën plotësuese shqipe, falënderoi edhe njëherë të gjithë të pranishmit, stafin e tij, dashamirësit e shkollës plotësuese shqipe, mediat dhe uroi që të gjithë pushime të mbara në atdhe meqë po afrohen dhe duke dashur, që vitin tjetër shkollor 2024/25 të kemi edhe më shumë paralele të reja me shumë nxënës dhe duke i bërë thirrje të gjithë prindërve, që ti sjellin fëmijët e tyre në shkollën plotësuese shqipe.

Shkolla plotësuese shqipe “Naim Frashëri” edhe pse ka pasur, ka e do të ketë sigurisht vështirësi, ajo ka pasur suksese e do të ketë edhe në të ardhmen, sepse gjuha jonë e mjaltë shqipe na thërret të gjithëve që të kontribuojmë shumë, që trashëgim t`ia lëjmë gjeneratave që do të vijnë. Ashtu edhe si herave të tjera edhe sot, por edhe në të ardhmen, do të duhej, që dy shtetet tona, ta ndihmojnë shumë shkollën plotësuese shqipe „Naim Frashëri“, duke e ditur rëndësinë e saj dhe duke e ditur, se është i vetmi institucion që i bashkon të gjithë shqiptarët rreth vetes. Gjuha na ka bashkuar, na bashkon e do t`na mbaj të bashkuar për jetë! / Përgaditi: Dashnim Hebibi, foto Lulzim Hasi

Filed Under: Reportazh

Odiseja e një pikture

July 9, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

“Mona Lisa”, padyshim piktura më e famshme në botë, ka qenë dhe është objekt i shumë spekulimeve.

Ajo është një nga pikturat më të vlefshme. “Mona Lisa” mban Rekordin Botëror Guinness për vlerësimin më të lartë të sigurimit të pikturës në histori me 100 milionë dollarë në vitin 1962, ekuivalente me 1 miliard dollarë që nga viti 2023. Për shekuj me radhë, njerëzit kanë vënë në dyshim identitetin e gruas në pikturën “Mona Lisa”. Më 5 mars 1495, Lisa Gherardini 15-vjeçare u martua me 29-vjeçarin Francesco di Bartolomeo del Giocondo dhe mori mbiemrin e tij. Aty pranë banonte edhe Leonardo Davinci. Vetëm kohët e fundit, ekspertët artit sikur pranuan zgjidhjen e enigmës; gjetjen që një studiues gjerman bëri në vitin 2005.

Të gjitha dyshimet për identitetin e “Mona Lizës” janë eliminuar nga zbulimi i Armin Schlechter, historian në bibliotekën e Universitetit Heidelberg. Ai fillimisht gjeti prova për identitetin e gruas, kur po mblidhte dorëshkrime të vjetra për një ekspozitë në fillim të vitit 2005. Zbulimi u la në heshtje; askush nuk e kuptoi rëndësinë. Vetëm pas 3 vjetësh, më 2008, dolën reagimet. Historiani kishte zbuluar një shënim të Agostino Vespuccit në tetor 1503 në një libër që tani i përket bibliotekës së Universitetit të Heidelberg. Shënimi identifikon Lisa del Giocondo, gruaja e një tregtari të pasur fiorentin, si “Mona Lisa”. Lisa Gherardini ishte e martuar me Francesco del Giocondo, një tregtar i suksesshëm mëndafshi, familja e të cilit banonte në Firence dhe Toskanë. Piktura ishte porositur për shtëpinë e tyre të re dhe për të festuar lindjen e djalit të tyre të parë. Leonardo nuk ia dha kurrë pikturën familjes Giocondo. Besohej se ishte pikturuar midis viteve 1503 dhe 1506; megjithatë, Leonardo mund të ketë vazhduar të punojë në të deri në vitin 1517. Mbreti Françesku I i Francës fitoi Mona Lizën pas vdekjes së Leonardos në 1519, dhe tani është pronë e Republikës Franceze. Zakonisht është ekspozuar në Luvrin në Paris që nga viti 1797. Fama globale dhe popullariteti i pikturës rrjedhin pjesërisht nga vjedhja e saj në vitin 1911 nga Vincenzo Peruggia, i cili ia atribuoi veprimet e tij patriotizmit italian – një besim se piktura e Davincit duhet t’i përkiste Italisë. Vjedhja dhe rimëkëmbja e mëvonshme në 1914 gjeneruan publicitet të paparë për një vjedhje arti dhe çuan në publikimin e shumë përshkrimeve kulturore si opera Mona Lisa e vitit 1915, dy filma të fillimit të viteve 1930 (Vjedhja e Mona Lizës dhe Arsene Lupin) dhe kënga “Mona Lisa” e regjistruar nga Nat King Cole – një nga këngët më të suksesshme të viteve 1950.

Lisa del Giocondo u lidh për herë të parë me veprën e Leonardo da Vinçit në vitin 1550 nga shkrimtari italian Giorgio Vasari, megjithëse kishte dyshime për besueshmërinë e tij. Në shënimin nga Agostino Vespuci në vitin 1503, thuhet se Leonardo ishte duke punuar në një portret të Lisa del Giocondo. Titulli i pikturës, e cila njihet në anglisht si “Mona Lisa”, bazohet në supozimin se përshkruan Lisa del Giocondo; por ngjashmëria e saj është e pasigurt. Historiani i artit të Rilindjes Giorgio Vasari shkroi se “Leonardo mori përsipër të pikturonte për Francesco del Giocondo, portretin e Mona Lizës, gruas së tij.” Monna në italisht është një formë e sjellshme e adresimit me origjinë si ma donna ose Zonja ime. Kjo u bë Madona, dhe tkurrja e saj Monna. Titulli i pikturës, megjithëse tradicionalisht shkruhet Mona, në italisht shkruhet si “Monna Lisa”. Emri italian për pikturën, La Gioconda, do të thotë “jocund” (“e lumtur” ose “e gëzuar”) ose, fjalë për fjalë, “jocund ai”, për formën femërore të emrit martesës së Lizës. Në frëngjisht, titulli La Joconde ka të njëjtin kuptim. Rrëfimi i Vasarit për Mona Lizën vjen nga biografia e tij për Leonardon e botuar në vitin 1550, 31 vjet pas vdekjes së artistit. Prej kohësh ka qenë burimi më i njohur i informacionit mbi prejardhjen e veprës dhe identitetin e personit. Asistenti i Leonardos, Salaì, në vdekjen e tij në 1524, zotëronte një portret i cili në letrat e tij personale quhej la Gioconda, një pikturë e trashëguar nga Leonardo. Që Leonardo pikturoi një vepër të tillë dhe data e saj, u konfirmuan në vitin 2005 kur studiui në Universitetin e Heidelberg zbuloi një shënim në një shtypje të vitit 1477 të një vëllimi nga filozofi i lashtë Ciceroni. Shënimi i datës tetor 1503, ishte shkruar nga bashkëkohësi i Leonardos, Agostino Vespucci. Për fat të keq, nuk është absolutisht e sigurt se ky portret i Lisa del Giocondo është piktura në Luvër. Një katalog i vitit 2019 konfirmon se piktura ndoshta ngatërron Lisa del Giocondo, me Isabella d’Este që është alternativa e vetme e besueshme. Studiuesit kanë zhvilluar disa pikëpamje të ndryshme, duke argumentuar se Lisa del Giocondo ishte subjekt i një portreti tjetër, duke identifikuar të paktën katër piktura të tjera të referuara nga Vasari si “Mona Lisa”. Disa janë propozuar si subjekt, përfshi Caterina Sforza, Bianca Giovanna Sforza, Salaì dhe madje edhe vetë Leonardo. Psikoanalisti Sigmund Freud teorizoi se Leonardo dha një buzëqeshje miratuese nga nëna e tij, Caterina, te “Mona Lisa” dhe vepra të tjera.

Foto: wikipedia.org

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT