• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2024

Diferencimi i pensioneve në Shqipëri

July 2, 2024 by s p

Në negociatat për përfitime, ligje dhe vendimarrje të rëndësishme të pranishëm në Shqipëri duhet të jenë edhe përfaqësues të diasporës.

Nga Mimoza Dajçi

Jo vetëm pensionistët që jetojnë në Shqipëri edhe ata jashtë kërkojnë vazhdimisht informacion rreth rritjes së pensioneve. Qeveria Shqiptare po shikon mundësinë që krahas rritjes së pagave të ulta, të ketë edhe rritje të pensioneve minimale. Si tregues mbështetës për vendosjen e masës përkatëse, rol luan edhe turizmi. Mirëpritja e turistëve shënon sukses në vend. Pas negociatave me Bankën Botërore, rritja e pensioneve minimale pritet të fillojë në vjeshtë.

“Shifrat janë të kënaqshme dhe pozitive thotë për median shqiptare deputetja Pranvera Resulaj”. Por shtetasit shqiptarë nuk janë duke parë gjë akoma. Flitet që të mos ketë pension nën 15.000 mijë lekë në muaj dhe kjo mbetet për t’u konkretizuar brenda vitit duke bërë dhe një diferencim të pensioneve në fshat dhe qytet, si dhe të rezidentëve brenda dhe jashtë vendit, ku prioritet do të kenë ata që jetojnë në Shqipëri.

Tërheq vemëndjen fjala diferencim i pensioneve për pensionistët që jetojnë jashtë vendit, “ku prioritet do të kenë ata që jetojnë në Shqipëri”. Lirisht lind pyetja pse pensionistët shqiptarë që jetojnë jashtë (dikur jetuar në fshat apo qytet) nuk do të jenë prioritet i qeverisë, e për ta duhet të bëhen diferencime. Mos vallë ata ushqehen me lugë floriri jashtë, apo i’u bien paratë nga qielli. Të punësuarit jashtë nuk është e lehtë, nëse nuk të mbështet dikush, për pak kohë e shikon tjetrin në rrugë të madhe e në mjerim, shkon Marshalli i Zonës e i vendos dyllin bravës së banesës.

Në një bisedë mes biznesmenit Saimir Mane dhe gazetarit Berat Buzhala, biznesmeni i tha “Apartamentet në Shqipëri së shumti blihen nga të huajt”. Çfarë tregon se edhe pensionistët shqiptarë që jetojnë jashtë nuk janë pasuruar aq, sa të jenë në gjendje të blejnë një apartament në vendin e tyre të lindjes. Një pensionist jashtë edhe pse në moshë madhore i duhet të bëjë punë të dytë për mbijetesë, apo jetë më të qetë se sa në Shqipëri. Ka raste kur fëmijët kanë të ardhura të mjaftueshme, ndihmojnë financiarisht edhe prindërit e tyre, por jo të gjithë. Pasi si në Shqipëri e kudo ka shumë prindër që abandonohen nga fëmijët e tyre.

Vendimet nga ana qeverisë nuk mund të merren a priori. Në negociatat për përfitime, ligje dhe vendimarrje të rëndësishme të pranishëm në Shqipëri duhet të jenë edhe përfaqësues të diasporës. I përket atyre të ngrejnë zërin edhe për të drejtat e pensionistëve, të tregojnë standartet e jetës në emigracion, si zhvillohet jeta jashtë, sa janë të punësuar, sa janë në pension, sa janë të pa aftë për punë etj.

Filed Under: Ekonomi

Ismail Kadare, si e njoha unë

July 2, 2024 by s p

Nga Blendi Fevziu/

Kur e pashë për herë të parë nga afër, kisha lexuar thuajse çdo

gjë që pati shkruar deri atë ditë. Njihja çdo vepër të tij dhe nuk

mund të mos thosha se Ismail Kadare ishte shkrimtari që më kishte

magjepsur mbi këdo tjetër. Në atë kohë ai ishte njeriu që ndikonte

më shumë në formimin e atyre që besonin se shkollimi dhe drejtimi

intelektual do të ishte e ardhmja e tyre. Për të tjerët, për ata që nuk

e donin regjimin ose përgjonin çdo mundësi ndryshimi, ai ishte

prova për të parë se deri ku ishte i gatshëm të lëshonte diktatori.

Por në shkurt të vitit 1986, kur u gjenda përballë tij në rrugën e

ngushtë midis Bashkisë së sotme dhe bar Sahati, Ismail Kadare ishte

tashmë intelektuali më i konsoliduar në vend. Një personazh me

njohje ndërkombëtare dhe në shkëlqimin e tij të plotë. Enver Hoxha

kishte vdekur, Ramiz Alia që e pasonte nuk kishte as hijen dhe as

vullnetin e tij për ndëshkime. Ndërkohë, në Francë ai po përmendej

jo vetëm si një shkrimtar shqiptar, por edhe si një ndër intelektualët

më të mëdhenj të kohës. Disa herë kandidat për çmimin Nobel në

letërsi.

Ishte duke ecur bashkë me Helenën, bashkëshorten. Me një hap

të ngadaltë dhe me një lloj indiference që i binte gjithnjë në sy. Isha

gjimnazist i vitit të 3-të dhe atë ditë, e madje gjithë javën në vijim,

kisha një ndjesi gëzimi që nuk e dija nga më vinte. Padyshim kishte

lidhje me atë takim të rastësishëm që trazoi gjithë ëndrrat e mia.

Deri në tetor 1990, kur u largua nga Shqipëria, e pashë edhe shumë

herë të tjera. Pas rikthimit të tij në Shqipërinë demokratike në maj

1992 e takova shumë herë. Kemi bërë bashkë mbi 12 intervista dhe

kemi qenë në dreka të gjata e të lirshme, ku duhet thënë se Kadare

kishte një sharm mahnitës. E kam parë në ditë të mira dhe të këqija.

Në ditë, kur mllefi dhe urrejtja derdhej mbi të si në vjeshtën e vitit

2006 me një intensitet dhe me shpifje befasuese, por edhe në ditë kur

shkëlqente, si në Pallatin Elize, në maj 2016, ku mori titullin Oficer

i Lartë i Legjionit të Nderit nga vetë presidenti francez Holland. Ky

i fundit mbajti një fjalim të gjatë në nder të tij. Jeta e tij nuk pati

ulje dhe ngritje të mëdha, por ai është padyshim një nga njerëzit më

interesantë që kam njohur në jetën time.

Ismail Kadare lindi në Gjirokastër më 28 janar 1936. Qyteti i

lindjes do linte gjurmë të thella tek ai, por njëherazi, Kadare do ta

përjetësonte atë në një prej librave më të bukur e më të përkthyer të

letërsisë shqipe: “Kronikë në gur”. Siç thotë që në fillim të librit, ai

lindi në një qytet, ku po të qëlloi të rrëzohesh anës rrugës, nuk bie në

kanal, por në çatinë e shtëpisë tjetër. Më shumë sesa vetë qyteti tek ai

la gjurmë mënyra e jetesës dhe kodet zakonore që rregullonin jetën

e tij. I rritur nga gjyshja dhe një kompani bashkëmoshataresh të saj,

ai e kaloi fëmijërinë mes kujtimeve të Perandorisë Osmane që kishte

pasur ndikim të fortë në qytet dhe luftës së saponisur italo-greke që

po e trondiste atë. Në librat e tij ai thotë se i takon atij brezi fëmijësh

që më parë se emrat e zogjve mësuan llojet e avionëve ushtarakë që

uturinin mbi qytet. Jeta e luftës e trazoi disa herë qytetin e gurtë, por

ardhja në fuqi e komunistëve solli një trazim që nuk ishte njohur

kurrë. Aq më tepër që ai vetë u gjend mes dy furive: babait dhe

familjes së tij që ishin konservatorë dhe nuk e donin regjimin dhe

familjes së mamasë, ose më mirë dajave të tij, që e kishin përqafuar

atë.

Në këtë kohë, ende fëmijë, Ismail Kadare përfshihet nga magjia

e letërsisë. Në shtëpinë e gjyshërve gjen librin “Makbethi” të

Shekspirit dhe pa pyetur askënd zhytet në subjektin tragjik. Nuk e

di se si mund të jetë përkthyer në fantazinë e një fëmije historia

makabre e Makbethit, por që nga ai moment, me gjasë, ai e ndjeu

që letërsia dhe krijimi ishin rruga e jetës së tij. Madje nuk humbi

kohë, e quajti veten shkrimtar dhe këtë status e mori duke kopjuar

me dorë tragjedinë e Makbethit që e kishte lexuar ato ditë. Nga ky

kopjim mori rrugë një prej autorëve të mëdhenj të shekullit XX në

botë.

Atmosfera letrare në Gjirokastër duhet të ketë qenë e ndezur. Në

gjimnaz sapo kishte mbaruar studimet Dritëro Agolli, kur mbërriti

Ismail Kadareja. Bashkë me të ishte edhe Agim Shehu që do bëhej një

poet i njohur, në nivelet e mesme të kohës. Gjatë viteve të gjimnazit

ai botoi poezinë e parë në shtypin e kohës. Më pas një poezi për

vdekjen e Stalinit. Maturant kishte përgatitur tashmë librin e tij të

parë me poezi, “Frymëzime djaloshare” që u botua para se të shkonte

në universitet.

Në gjimnaz pati edhe një incident të vogël që pas viteve të

komunizmit e tregonte me shaka, por edhe e përmendi në veprat e

tij. Bashkë me një shok kishin arritur të shkrinin pak plumb dhe e

kishin derdhur në një kallëp monedhe 0.5 lekëshe të improvizuar.

Me entuziazmin e riprodhimit të një monedhe reale, ua treguan

shokëve të klasës, por dikush i kallëzoi. Në vend që të qeshnin me

nismën e tyre, autoritetet e morën më shumë seriozitet. I akuzuan

për falsifikim monedhash dhe i mbyllën në burg. Qëndruan aty 48

orë derisa dikush i bindi autoritetet se një lojë fëmijësh nuk mund

të ishte falsifikim monedhash. Ato 48 orë burgu ktheheshin jo rrallë

në rrëfimet e tij me humor.

Me një libër të botuar dhe me premtimin e një prej talenteve të

më mëdha të moshës, nisi studimet në Universitetin e Tiranës. Kur

i mbaroi u dërgua për studime plotësuese në Institutin Gorki në

Moskë. Një strukturë mjaft e njohur në gjithë Lindjen Komuniste

për përgatitjen e shkrimtarëve të realizmit socialist. Por Ismail

Kadare mbërriti atje në një moment të trazuar, kur Hrushovi

kishte denoncuar Stalinin dhe kur artet në BS po merrnin frymë.

Në rrethet letrare pati mundësi të njihte Evgjeni Jevtushenkon dhe

Boris Pastërnakun. Ky i fundit mori edhe çmimin Nobel, gjatë kohës

që Kadare ishte atje, me romanin “Doktor Zhivago”. Ai i përmend

të gjitha këto evente në librin e tij mahnitës, “Muzgu i perëndive të

stepës”.

Por veç klimës më të hapur dhe më të ndezur letrare, Moska

ridimensionoi tek i riu edhe përmasat e lirisë. Një qytet me miliona

banorë, me shumë dashuri për të huajt, me shumë evente dhe mbi

të gjitha me pak njerëz që e njihnin, ishte një botë tjetër për të riun

që vinte nga një qytet ku të gjithë përshëndesnin njëri-tjetrin. Ai

u zhyt brenda asaj bote duke provuar gjithë tundimet e saj. Nisi të

kishte histori të bukura me vajza, bleu një kamera me honorarin

e një libri që botoi dhe me të mundohej të bënte filma të shkurtër

sipas modelit amerikan. Por ndërkohë që jetonte në Moskë, me një

lloj snobizmi që po e tërhiqte çdo ditë, poezitë që botonte në shtypin

shqiptar e kishin bërë edhe më të famshëm.

Ismail Kadare mund të kishte ndenjur edhe më gjatë në Moskë.

Askush nuk mund të thoshte se cili do të kishte qenë fati i tij, sikur

raportet politike mes Tiranës e Moskës të mos tensionoheshin e më

pas të prisheshin fare. Ai mbërriti në Tiranë për pushime, por nuk

u kthye më kurrë në Moskë. Siç rrëfente më vonë, kjo ndarje pa

lamtumirë duhet të ketë ndikuar fort në subkoshiencën e tij, sepse

për vite me radhë e shihte atë në të njëjtën ëndërr të përsëritur.

Shihte rrugën e shkollës dhe qendrën e qytetit, duke e ditur që aty

nuk mund të shkelte më. Por pas vitit 1990, kur Shqipëria dhe Rusia

u hapën dhe kushdo mund të shkonte pa asnjë ndalesë, hezitoi ta

bënte këtë. Ëndrra iu zhduk si me magji. Mbase kishte pasur të

drejtë. Kur më 2008 u rikthye në Moskë pas 50 vjetësh, shumë pak

kishte mbetur nga qyteti që kujtonte ai. Përfshi sharmin e femrave

që nuk ekzistonte më.

I mbetur në Shqipëri, u ndje si i mbyllur në kafaz. Jeta në përmasa

kontinentale mbaroi dhe atdheu dukej shumë i vogël dhe provincial

për të. U kujtua që një shoku i tij nuk ishte kthyer nga Bashkimi

Sovjetik, madje kishte blerë një kasolle në Jakuti, vendin më të ftohtë

të globit për t’i shpëtuar ndjekjes së ambasadës. Vendosi që po ashtu

të arratisej edhe ai. Ndërsa ishte me një delegacion të rinisë, tranzit

në Pragë, u largua nga të tjerët dhe tentoi të shkonte në ambasadën

e Bashkimit Sovjetik për të kërkuar strehim politik. Nuk dihet se si

llogaria për atë që do pësonte familja atje, por edhe tundime të tjera

ia kthyen mendjen. Iku nga hoteli ku ishte strehuar me idenë për t’u

arratisur dhe u kthye tek të tjerët. Shoku i dhomës, piktor, i vetmi që

ia kishte vënë re mungesën as nuk tregoi dhe as nuk i tha gjë. Shumë

vite më vonë i tregoi se e kishte kuptuar që ai tentoi të ikte dhe u

kthye sërish.

Nuk ishte tentativa e vetme për ikje e Ismail Kadaresë. Më 1983,

në një nga dimrat më të ashpër dhe të rrezikshëm për të, mendoi të

kërkonte strehim politik në Francë. Por shqetësimi për atë që mund

t’i ndodhte familjes nuk e la ta bënte. Miqtë e tij francezë e suportuan,

duke i thënë se nëse prej tij nuk vinin lajme, ata do ndiznin shtypin

e Parisit dhe atë europian. Media botërore do ngrihej në mbrojtje të

tij.

Herën e tretë, më tetor 1990, kërkoi realisht azil politik. Me atë

gjest, gjeneroi më shumë një proces që kishte nisur pa kthim në

Shqipëri. Atë të hapjes së saj. Por deri atëherë kishte ende 30 vjet për

të jetuar si shkrimtar në komunizëm.

Por më 1960-n, i kapur në kurthin e Shqipërisë së mbyllur, iu

dedikua letërsisë. Botoi vëllimin poetik “Shekulli im”, që ishte një

bum për brezin e ri shqiptar. Letërsia e Kadaresë ishte shumë ndryshe

nga ajo që ishte shkruar deri atë ditë në Shqipëri. Por njëherazi ajo u

kthye në një stekë shumë të lartë për këto që tentonte letërsinë.

Më 1963 botoi librin që e bëri të njohur ndërkombëtarisht,

romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Një vepër e ngjeshur, pa

stërhollime dhe me një figurativitet mahnitës. Stili i tij bëri për vete

edhe një përkthyes shqiptar nga frëngjishtja, një ish-i burgosur

politik që quhej Jusuf Vrioni. Libri i përkthyer nga Vrioni u paraqit

në Francë nga ambasadori shqiptar Javer Malo në disa adresa dhe

papritur, pati një sukses befasues. Kadare u nis vetë në Francë, siç

kujton ai, për t’iu përgjigjur ftesës së atjeshme, por kur mbërriti

kuptoi që nuk kishte asnjë ftesë. Megjithatë kjo nuk pati asnjë

rëndësi. Pas veprës së parë pasoi një seri veprash të tjera, njëra më

mbresëlënëse se tjera. Botimi i tij u mor përsipër nga Fayard. Klod

Duran, presidenti i saj, duket se u lidh shumë me Kadarenë. Vite më

vonë kur e intervistova në Qerret, më tha se Kadare kishte ndërruar

qasjen e francezëve ndaj Shqipërisë. Ishte pikërisht Klod Dyran, që

nxori jashtë një pjesë të madhe të veprës së Kadaresë në verën e vitit

1990. I mori me vete në bagazhet e tij pas një vizite në Shqipëri.

Në fillim të viteve ’70, Ismail Kadare ishte shkrimtari më i njohur

në vend dhe mbi të gjitha më i përkthyeri në Perëndim. Në këtë

kohë zhvillohet edhe takimi i parë dhe i fundit i tij me diktatorin

Enver Hoxha. Në raste të tjera qëlloi që ata të shtrëngonin dorën ose

të uleshin në të njëjtën sallë, por ky ishte i vetmi takim i plotë.

Ismail Kadare po shkruante një roman për prishjen e

marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike në Moskë dhe kishte kërkuar

akses në dokumente, kur Nexhmije Hoxha, gruaja e diktatorit, e ftoi

për një kafe në shtëpi.

“Një moment”, më rrëfente Kadare më vonë, “dera u shty ngadalë.

Me një trokitje të lehtë, diktatori u shfaq në të dhe kërkoi leje nëse

mund të ulej me ne”.

Siç kujton Kadare ishte krejt e kundërta e atij që shumë

mendonin, ose atë ditë donte të sillej si i tillë. Biseda e tyre u vërtit

rreth Gjirokastrës, familjeve atje, jetës në qytet dhe shumë pak tek

aktualiteti.

“Me një gjenerozitet të çuditshëm”, kujton Kadare, “më ofroi disa

shënime që ai vetë kishte mbajtur për qytetin”.

Takimi nuk pati ndonjë kulm, por ai ka ndezur shumë debate, për

dekada në Shqipëri. “Dimri i vetmisë së madhe”, romani që Kadare

botoi, u ndalua shpejt. Një fushatë masive nisi kudër tij, një fushatë

që u ndal po nga ai që e kishte frymëzuar – vetë diktatori.

Për thuajse 10 vjet raportet e Kadaresë me Hoxhën mbetën ndër

më komplekset dhe aspak të lehta për t’u përshkruar. Në dekadën

e fundit të jetës së tij, Enver Hoxha ishte më i fuqishëm dhe më

paranojak se kurrë. Ndërkohë, po atë dekadë, Ismail Kadare ishte

personaliteti më i rëndësishëm në vend dhe i vetmi me njohje të

plotë ndërkombëtare.

Pas ndalimit dhe rilejimit me përpunim të romanit “Dimri

i vetmisë së madhe”, Ismail Kadare dërgoi për botim veprën

“Pashallarët e kuq”. Botuesi i gazetës, me frikën e ndonjë problemi

ia nisi Ramiz Alisë. Entuziast për veprën, Alia ia përmendi atë Enver

Hoxhës në mbledhjen e mëngjesit, duke i lënë mbi tavolinë edhe një

kopje. Mëria e Hoxhës në këtë rast është e gjitha e dokumentuar.

Në ditarin e tij, publikuar vetëm në 10 vitet e fundit, Hoxha ka një

shpërthim të pabesueshëm kundër Kadaresë. E akuzon atë ndër të

tjera për qëndrim antiparti, (“krimi” më i frikshëm për të cilin mund

të ndëshkohej një qytetar në Shqipërinë komuniste). Vetë sekretari

i Enver Hoxhës ka rrëfyer në kujtimet e tij se shpërthimi i diktatorit

ndaj Kadaresë ishte i frikshëm. Vepra u ndalua dhe atëherë kur të

gjithë prisnin arrestimin, Kadare mbijetoi.

Mbijetesa e tij ka qenë gjithnjë e çuditshme. Shumica e veprave u

kritikuan ose u ndaluan direkt. Në librin “Vjeshta e ankthit”, djali i

kryeministrit Mehmet Shehu, tregon se një natë, duke u grindur me

të, babai i kërkoi të mos shoqërohej më me Ismail Kadarenë.

“Ai është një ‘agjent i borgjezisë’”, i kishte thënë.

Më vonë, Bashkim Shehu dhe Ismail Kadare kanë rrëfyer se ai ia

tregoi këtë gjë shkrimtarit që atë natë. Kadare nuk shprehu asnjë lloj

trazimi.

Si mundet që në një vend si Shqipëria komuniste, ku koka e

njeriut nuk kishte asnjë vlerë dhe ku humori i diktatorit mund të

të fuste shtatë pashë nën dhe, Ismail Kadare mbijetoi, kur njeriu

numër dy i regjimit e quante “agjent të borgjezisë”? Shpjegimi është

gjithnjë në kuadrin e hamendjeve, por më e mundshmja është ajo

që një arrestim i Kadaresë do sillte edhe ndalimin e veprës së tij,

ku protagonist ishte edhe vetë Enver Hoxha. Versioni i dytë, më i

mundshëm është ai që Hoxha prek indirekt në një nga bisedat e tij

me Ramiz Alinë dhe Kadri Hazbiun në vitin 1982.

“Nëse e arrestojmë Kadarenë”, shprehet, “ata do ta bëjnë disident

e do mbushin faqet e gazetave. Edhe librarinë përballë ambasadës

sonë në Paris e kanë mbushur me librat e tij. Ne nuk kemi pse ua

japim kënaqësinë që të na akuzojnë se ka disidencë këtu. Po Kadare

të ulë mirë kokën”.

Natën që Enver Hoxha kishte rënë në koma, Ismail Kadare

përballej me një mbledhje demaskuese në Lidhjen e Shkrimtarëve

për novelën e tij “Nata me hënë”. Por vdekja e Hoxhës ishte një lloj

lehtësimi për të. Siç thotë ai:

“Enver Hoxha më kishte mbrojtur. Po nga kush më mbrojti? Po

nga vetë Enver Hoxha?”

Në fund të viteve ‘80, Kadare kishte fituar statusin e të paprekshmit.

Ishte ndoshta i vetmi individ në Shqipëri jashtë çdo lloj rreshtimi.

Në qershor 1989, ai qe i ftuar nderi i presidentit francez Miteran,

në festimet e 200-vjetorit të Revolucionit Francez. Qëndronte në

të njëjtën sallë dhe në të njëjtat evente me presidentin amerikan

Xhorxh Bush. Këtij të fundit i nisi, siç dëshmoi më pas, edhe një letër,

në të cilën, i konfirmonte se populli shqiptar i ishte tejet mirënjohës

Amerikës, se e donte këtë vend dhe se qëndrimi i komunistëve ndaj

SHBA-së, nuk përfaqësonte ndjenjat e vërteta të shqiptarëve. Letrën

mori përsipër t’ia dorëzonte në dorë një hebre i famshëm i mbijetuar

i Holokaustit, Elie Viezel. Ky i fundit e mori vetë në telefon nga

Uashingtoni për t’i dhënë lajmin: “Porosia u dorëzua!”

Në pranverën e vitit 1990 erdhi për një takim me studentë në

fakultet. Ftesat i shpërndante Mero Baze dhe tri ditë para takimit nuk

kishte asnjë vend bosh në sallë. Ditën e takimit dyert u shpërthyen

dhe në një sallë të tejmbushur ovacionet për të vijuan gjatë. Frazat e

tij ishin të drejtpërdrejta, pa atë ngërçin që kishin gjithë të tjerët dhe

me një lloj arrogance që vetëm ai mund ta dëshmonte. Tregonte që

nuk kishte frikë dhe këtë e manifestonte dukshëm. Po kaq dukshëm

ndihej mbështetja e studentëve për të. Të gjithë besonin se Kadare do

të ishte e ardhmja politike që po përgatitej në Shqipëri. Asnjë nga ne

nuk e dinte se dy ditë pas atij takimi ai kishte pasur një letërkëmbim

zhgënjyes me Ramiz Alinë, Sekretarin e Parë të KQ të PPSh. Njeriun

që e kishte takuar në shkurt dhe me të cilin kishte folur hapur.

Raportet Alia-Kadare, që dominuan thuajse një vit ndryshimet

shqiptare, nisën pikërisht këtu. Një letre të Kadaresë të muajit prill

ku i kërkohej të bënte ndryshime më shpejt, Ramiz Alia i ishte

përgjigjur me një kundërletër ku i kujtonte se në letrën e tij partia

nuk përmendej askund. Letërkëmbimi i tyre është botuar i plotë.

Siç thotë Kadare, shpresa e tij tek Alia si një lider i ndryshimit

mbaroi atë ditë. Po atë ditë, ai vendosi që në rastin më të parë të

kërkonte strehim politik në Francë. Përpara kësaj do të kishte edhe

një përballje tjetër midis tyre, ajo te takimi i Alisë me intelektualët

më 13 gusht 1990.

Ismail Kadare ishte personaliteti më i rëndësishëm në atë

mbledhje dhe qendra e vëmendjes së të gjithëve. Por ai zgjodhi të

heshtë. Iu shmang edhe pyetjeve direkte të Alisë, që kërkonte me

çdo kusht të dinte mendimin e tij. Madje, përgjigjes së Kadaresë, “se

këtë çështjen e pluralizmit, nuk e kuptoj”, iu kundërpërgjigj: “Këtu,

ti je njeri që e di më mirë këtë!”

Dy muaj më vonë Kadare kërkoi strehim politik në Francë, në

zyrën e Ministrit të Jashtëm Francez, Roland Dyma.

Ishte 26 tetor 1990. E mbaj mend me detaje atë ditë. Në Tiranë po

zhvillohej mbledhja e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit. Ishte hera

e parë që organizohej në Shqipëri. Në drekë kisha parë diplomatët

që zbrisnin nga hotel Dajti drejt Pallatit të Kongreseve. Mbasdite

isha në Bibliotekën e Akademisë së Shkencave kur Ben Blushi ma

bëri me dorë nga jashtë, duke insistuar me shenja se kishte një lajm

shumë të rëndësishëm:

“Ismail Kadare kërkoi strehim politik në Francë”, më tha.

Duhet të kesh jetuar në atë kohë për ta kuptuar efektin e asaj

fjalie. Pas ikjeve të ambasadave regjimi po kalonte një periudhë

relativisht monotone. Kadare e ndezi sërish. Tirana ishte e gjitha si e

dalldisur atë pasdite. Në Teatrin Kombëtar ku vihej në skenë “Nata

me hënë” e Kadaresë, dyert u shpërthyen kanat. Më shumë sesa me

një sallë ngjante me një stadium. Libraritë u boshatisën nga blerës

që donin të kishin çdo kopje të mbetur të librave të tij. Bulevardi,

oponenca reale e regjimit, gumëzhinte me një triumfalizëm që rrallë

e kam ndier më vonë. Edhe pse besoj se përshkrimi ka qenë një

nga pikat e mia të forta në gazetari, këtë moment jam i paaftë ta

riprodhoj atë që po ndodhte realisht. Nga çdo cep dëgjoheshin valët

e VOA dhe zëri i Elez Biberajt që pak nga pak konfirmonte atë që

tani e dinte gjithë Tirana. Kadare kishte ikur. Ikja e tij ishte në një

mënyrë edhe fundi i regjimit. Edhe dita jonë e fundit e universitetit.

Që nga e nesërmja nuk hymë pothuajse asnjë ditë në auditor. Dy

javë më vonë, Konferenca Kombëtare e Talenteve të reja në Korçë u

shndërrua thuajse në një manifestim. Kur Teodor Keko përmendi

emrin e Kadaresë, salla u ngrit në këmbë e nisi të duartrokasë.

Kadare ishte vendosur ndërkohë në Paris nën mbrojtjen e

qeverisë franceze. Një vit më vonë, kur Ramiz Alia shkoi për vizitë

në Francë, i nisi një letër përmes një punonjësi të ambasadës: “Jam

në hotel Crillion. Të pres të flasim për të mirën e Shqipërisë”.

Kadare nuk shkoi dhe ata nuk u takuan më kurrë.

Në maj 1992, Kadare u kthye në Shqipërinë pluraliste. Dola

bashkë me një ushtri të tërë për ta pritur te dera e avionit. Disa kohë

më parë i kisha dërguar një letër të gjatë me Remzi Lanin dhe ai ma

kishte kthyer me librin e tij “Nga një dhjetor në tjetrin” me dedikim.

Për herë të parë e takova personalisht një pasdite të majit 1992, kur

shkova ta merrja për një takim me studentë dhe intelektualë. Takimin

do ta drejtoja unë. Isha 23 vjeç dhe i tregova gjithë atmosferën pas

ikjes së tij. Atë që po ndodhte në universitet dhe në Tiranë. Ato javë

që ndenji në Shqipëri u takuam shpesh. Ditën që po ikte qëlluam

të dy në avionin e linjës Tiranë-Zyrih. Ai shkonte në Paris, unë në

Strasburg. Nuk e dija nëse do kisha rast ta shihja sërish. Në fakt për

thuajse 31 vite e kam takuar më shpesh sesa çdo njeri tjetër. Ai nisi

ta ndajë jetën midis Parisit dhe Tiranës. Refuzoi çdo ftesë për t’u

bërë pjesë e politikës; çdo propozim të çdo pesë viteve për t’u bërë

President i Republikës.

“Unë nuk mund të bëhem President i Republikës”, më tha një

ditë, “unë jam diktator, shkrimtari nga natyra është diktator, nuk i

pranon kundërshtimet”.

Kur ishte në formë rrëfente me një humor fantastik. Kishte edhe

një sens autoironie. Tregonte sesi kishte vizituar Kinën në kulmin e

revolucionit kulturor dhe se shkrimtarët i kishin çuar t’i takonin në

orizore. Më pas i kishin transferuar në Vietnam, në kulmin e luftës

me amerikanët. “Bombat binin diku afër”, rrëfente, “ndërsa ne na

tregonin trase dhe flisnin për shumë armiq të vrarë. Kur u nisëm

me avion, dritaret qenë zënë me batanije. Një moment dëgjuam një

anuncim: ‘Kemi dalë nga hapësira ajrore e Vietnamit’. Shpërthyen

duartrokitje”.

Herë të tjera rrëfente për njerëzit e famshëm që kishte njohur në

jetë. Që nga presidentë e mbretër e deri tek Marçelo Mastrojani apo

Milan Kundera.

Shumë herë të tjera e kam takuar në Paris. Kam drekuar sa herë

në shtëpinë e tij, me gatimet fantastike të Elenës. Ose kemi shëtitur

bashkë në Parkun e Luksemburgut, në bulevardin Sen Zhermen, ose

kemi kaluar kohë në kafenetë e Bulevardit San Mishel.

Më 2016-n, mora një ftesë për të asistuar në dekorimin e tij si

Oficer i Lartë i Legjionit të Nderit. Në Francë ai kishte arritur gjithçka.

Që prej vitit 1996 ishte anëtar i përjetshëm i Akademisë Franceze,

struktura më elitare e mendimit dhe artit francez. Më 1989-n ishte

ftuar bashkë me 200 njerëzit më influentë të planetit në festimet e

200 vjetorit të Revolucionit Francez. Në botë kishte marrë çdo çmim

të mundshëm, veç Nobelit. Pikërisht çmimit që i ishte afruar më

shumë në jetë. Që herët në fillimet e tij.

Fransua Holland, Presidenti i Francës kishte organizuar një

ceremoni madhështore. Kishte dashur t’ia jepte vetë çmimin në

Pallatin Elize. Mes duartrokitjeve nisi një fjalim të gjatë ku çdo

emër dhe çdo personazh ishte kaq familjar për mua. Ndërsa ai fliste,

nisa të kujtoja shumë prej bisedave që kishim bërë bashkë edhe në

shëtitjet buzë detit në Qerret. Aty ku Kadare kishte ndërtuar një vilë

që e kishte shumë për zemër dhe ku kalonte thuajse pa ardhur në

Tiranë verat e tij.

Ndërsa shihja dekorimet madhështore të një prej sallave më të

famshme të Francës; intonacionin e zërit të presidentit të saj dhe

duartrokitjet që e pasonin, mendova se njeriu më pak i interesuar

për të gjithë atë ishte Kadareja vetë. Dëgjonte shpërfillshëm, thuajse

pa mendje.

Çmimet dhe titujt janë shpesh konfirmim për pasiguritë e

njerëzve. Kadare nuk ishte nga ata. Nuk kishte qenë kurrë. Ai ishte

koshient i asaj që ishte dhe asaj që kishte sjellë e do linte mbrapa

në këtë botë. Kam frikë se ai e kishte pasur këtë ndjesi, që atë ditë

në moshën 13-vjeçare, kur duke kopjuar një nga tragjeditë më

të famshme të Shekspirit, në qytetin e tij mesjetar, e quajti veten

shkrimtar.

Kishte pasur të drejtë. Është një shkrimtar i vërtetë! Më i vërteti

që unë kam njohur ndonjëherë!

Filed Under: Reportazh

Fjala e tij u bëftë dritë për kombin!

July 2, 2024 by s p

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është sot në zi, pasi mëngjesin e trishtë të kësaj të hëne të 1 korrikut, shuhet zemra e kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare. Kalorësi i Madh i Legjionit të Nderit të Kombit, kandidati i çmimit Nobel për letërsinë, akademiku dhe eksploruesi më i madh i historisë, artit, kulturës ballkanike dhe identitetit shqiptar, përfaqësuesi më i devotshëm i përkthyer në më se 45-gjuhë të botës, ndahet sot fizikisht nga ne, për të udhëtuar në përjetësi. Në kapërcyellin e më tepër se 6- dekadave krijimtari intensive Ismail Kadare u bë zëri universal i një kombi të lashtë, duke i mbijetuar totalitarizmit nëpërmjet alegorive politike, parabolave, asosacioneve dhe analogjive historike krijuar e sjellë në realitete të tjera paralele falë horizontit të tejskajshëm të mendjes e talentit të tij. Jo vetëm letërsia shqiptare, por sidomos letërsia botërore humbën sot fizikisht shkrimtarin më të devotshëm Ismail Kadare, për të skalitur tani e tutje përmendoren e veprës së tij në pavdekësi.

Ngushëllime të sinqerta familjarëve.

Fjala e tij u bëftë dritë për kombin!

Kryesia e SHSHSHA

New York, 1 korrik 2024

Filed Under: LETERSI

Iku në përjetësi shkrimtari i shquar botëror Ismail Kadare

July 2, 2024 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Sot mbarë kombi shqiptar dhe gjithë mediet më të njohura botërore filluar me New York Times, Guardian, Reuters, Le Monde, AP dhe shumë të tjera kanë shpërndarë lajmin e vdekjes së kandidatit për çmimin Nobel Ismail Kadare. Po citoj vetëm një fragment çfarë shkruan sot NY Times me titull: “Vdiq në moshën 88-vjeçare Ismail Kadare, romanet e të cilit sollën vuajtjen e Shqipërisë në botë”. Ai u krahasua me Orwellin dhe Kafkën dhe eci në litarin e ngushtë politik me vepra kritike të mbuluara për shtetin e tij totalitar. Ismail Kadare, i shfaqur në vitet 1970, mori çmimin inaugurues Man Booker International në 2005.

Në dhënien e çmimit “Man Booker International”, John Carey, një kritik britanik dhe kryetar i panelit, e quajti zotin Kadare “një shkrimtar universal në një traditë të tregimit që shkon prapa tek Homeri”.

Kritikët shpesh e krahasonin zotin Kadare me Kafkën, Kunderën dhe Orwellin, ndër të tjera. Gjatë tre dekadave të para të karrierës së tij, ai jetoi dhe shkroi në Shqipëri, në atë kohë nën kontrollin e një prej diktatorëve më brutalë të bllokut lindor, Enver Hoxhës. NYT

Brezi im u rrit me letërsinë brilante të Kadarese, me artin e pashoq në veprat e tij të jashtëzakonshme dhe natyrisht pati një ndikim të madh në formimin tonë letraro-artistik. E meqënse jam tek formimi më lejoni të sjellë si mësuese e letërsisë një fragment, kur pata fatin të vizitoja Kosovën për herë të pare, ne vitin 2008. Një mbrëmje ishja e ftuar në emisionin “Radio Kosova” e lidhur drejtpërsëdrejti me shqiptarët në botë, drejtuar nga gazetarja e mirënjohur Radije Hoxha.

Midis të tjerash kur gazetarja më drejtoi pyetjen në lidhje me letërsinë, përvojën time si mësuese në gjimnazet e Tiranës, unë iu përgjigja se shumë gjimnazistë e lexonin me endje Kadarenë, dhe mjaft prej tyre frymëzoheshin për të shkruajtur hartime, pasi siç dihet hartimi ishte i detyruar dhe një notë më vete në provimet e maturës. (të gjithë e dimë se sa rëndësi kishte nota në Shqipëri, ndryshe nuk shkoje në universitet…)

Ata kishin se ç’të mësonin brenda prozës dhe poezive të Kadaresë të shkruara me aq elegancë dhe art, aty fjala art merrte tjetër kuptim dhe shqipja tingëllonte më bukur! Ai e mbrojti dhe e ngriti lart Gjuhën tonë hyjnore në gjithë rruzullin duke u përkthyer në të gjitha gjuhët e botës. E mbrojti me majën e penës së hollë Gjuhën tonë si në poezinë, “Gjuha Shqipe” dhe ja se si:

Kur në sulm hodhën turqit/Hordhitë e pambaruara/Kështjellat e sintaksës/ S’i muar, që s’i muar.

Kur panë se gjuhës/ S’i hodhën dot prangat/ Lëshuan drejt saj/ Gjithfarë merimangash.

Kjo gjuhë martire/ Lehonë e përjeteshme/ Që lindi mes dhembjesh/Art i të pavdekshmëve.

Kam pasur nderin si medie TV “Alba Life” të merrnim pjesë në nderimin që i bënë Shkrimtarit të famshëm botëror, Kadare, në Washington DC në zyrat e Kongresit Amerikan në Capitol Hill, më 19 maj, 2015, në muajin e trëndafilave si dhe familjarisht kemi qenë në Universitetin “Kolumbia” ku Kadare mbajti leksionin: “Literatura dhe Tirania”.

Në nderim të veprës së tij të jashtëzakonshme u valëvit Flamuri Amerikan mbi Capitol Hill. Ndonëse shpesh herë në Washington kemi vajtur të organizuar në demonstrata në kërkim të të drejtave tona, të Pavarësisë së Kosovës, të çështjes kombëtare etj, këtë herë në muajin më të bukur të vitit, shkuam për të marrë pjesë në ceremoninë e nderimit për Kadarenë. Ceremonia u organizua nga gazeta e mirënjohur “Illyria” me botues z.Vehbi Bajramin dhe ligjvënësi i Kongresit Amerikan Eliot Engel, miku i ngushtë i shqiptarëve nën moderimin e editorit të gazetës Illyria” analisti i njohur z.Ruben Avxhiu..

Kongresisti Engel në emër të tij i dorëzoi botuesit të gazetës “Illyria” z.Bajrami Flamurin Amerikan që u valëvit krenar mbi Capitol Hill për shkrimtarin e famshëm botëror Kadare dhe një kopje të deklaratës, dhuratë për Ismail Kadarenë, që u mirëprit me duartrokitje nga miqtë dhe të ftuarit në sallë.

Z.Vehbi Bajrami i dhuroi kongresistit Eliot Engel veprën e shkruar nga Ismail Kadare “Tri këngë zie për Kosovën”, që ka novelat: “Lufta e vjetër”, “Zonja e madhe” dhe “Lutje mbretërore”, që sjellin aq pranë betejën e kobshme të Fushë Kosovës 1389, dhe që serbet vazhdojnë të mendojnë si pronë të vetën.

Tek “Lutje mbretërore” nën një gjykim gati prej shenjti parashikon sulltanin e vdekur, por shpirti i tij ka mbetur në Kosovë, në tyrben e sulltan Muratit ku ia kanë varrosur gjakun në një enë plumbi dhe ku Sulltani po e kryen jetën e varrit. Ai tregohet i kënaqur me faktin që popujt e Ballkanit akoma po e vrasin njëri-tjetrin, edhe pse kanë kaluar shumë shekuj që nga beteja.

Të nderosh kulturën e popullit shqiptar ne vendin mëdemokratik në botë është ogur i mirë për Kombin tonë dhe kjo në saje të penës brilante të shkrimtarit Kadare.

Edhe pse është kandidat i çmimit “Nobël” për vite me radhë, që edhe pse nuk e fitoi, ai dhe kështu po na shërben si shqiptarë, si rrallëkush lindur dhe rritur brenda Shqipërisë pak milionëshe. Kritikët dhe gazetat më të njohura në botë e kanë vlerësuar lart penën e tij si fjala më e epërme e Gjuhës Shqipe, si psh The Neë Yorker:

“Me njërën këmbë në Shqipërinë e moçme, gojore dhe legjendare, ende në rrëqethjen homerike, dhe me këmbën tjetër në modernitetin më të spikatur dhe më finok, Kadareja gjendet në kapërcyell të të dy botëve dhe nga kjo rrethanë e jashtëzakonshme vepra e tij krijon akorde të fuqishme dhe të goditura.”

Kadare iku në përjetësi, por po aq përjetësisht do t’i shërbejë Kombit me emrin e tij të përveçëm Ismail Kadare duke konkuruar në botën disa miliardëshe vetëm me libra shqip shkruar për historinë shumëshekullore të Kombit të tij!

Ngushëllime bashkëshortes së Tij fisnike, shkrimtares së shquar Helena Kadare, dy vajzave dhe Kombit!

Lamtumirë Kadare!

1 Korrik, 2024

Staten Island, New York

Filed Under: Kulture

ISMAIL KADAREJA I DHA EMER KOMBIT SHQIPTAR

July 2, 2024 by s p

Besim Ndregjoni/

Sot Ismail Kadareja, në orët e para të mëngjesit nuk u zgjua nga gjumi të shkruante letërsi por kaloi në botën e amshuar duke u ndarë nga kombi që e deshi dhe e nderoi në pediastin botërorë duke e renditur letërsinë shqipe në elitën e letërsisë botërore. Ky shqiptar i madh nuk do të jetë fizikisht pranë nesh miqëve, kundërshtarve, elitës së fjetur shqiptare, ai shkoi tek Nënë Tereza, tek At Gjergj Fishta, tek Havzi Nela, tek At Zef Pllumi e Vilson Blloshmi. Kombin e tije e la të pasur me letërsinë e tijë që ka një emër botëror :Letërsia Kadare! Letërsia shqipe do të nderohet në botë siç është nderuar me emrin tend të pavdekshëm, mijëra të persekutuar politikë në kohën e diktaturës merni frymzim për të jetuar e përballuar vuatjet më letërsinë tënde, ti fizikisht ike, por ti je pranë nesh çdo ditë se veprat e tua letrare janë të pavdekshme.

Të shprehesh për Ju Kadarea i madh është shum e vështirë,por njohja me ju në vitet e pluralizmit ma bëjnë të lehtë ti shkruaja këto fjalë zemre nga një antikomunistë që pati fatin të ju takoi dhe të bisedoi me ju, dhe të ju kishte në krah për denimin e krimeve të komunizmit. Je i vetmi intelektual shqiptar, që nuk ishe traumatizuar nga komunizmi, por nuk u pajtova gjatë tre dekadave me politikën anti shqiptare që nuk i denoi krimet e komunizmit, përshëndetja e juaj në 20 vjetorin e Havzi Nelës, kur denonit me forcën e argumentit se “Poeti është i qetë në botën e amshuar por a është e qetë shoqëria shqiptare mbas varjes tuaj poet.” Apo kur denonit politikanët postkomunistë në at përshendetje “Kështu ishte koha” dhe kërkonit me çdo kusht të jepnin llogari xhelatët që i kryen ato krime.

Ti miku im u trondite kur u njohje me statistikën e krimeve të komunizmit me vrasjet, burgimet, internimet, zhdukjen e kufomave dhe më shkruanit “Shqipëria nuk mund të shkoj në Europë pa i denuar krimet e komunizmit. “

Ishe i vetmi që deklarove publikisht mbështetjen tuaj për denimin e krimeve të komunizmit, dhe nuk ju bashkove korit të “ashtuquajtur intelektual e akademik” që ju bashkuan gjatë këtyre 34 vitet heshtjes dhe përçmimit anti shqiptar të pushtetit dhe forcave politike që sundojnë Shqipërinë dhe nuk flasin apo të denojnë krimet ekomunizmit, sot e le Shqipërinë në një agoni trishtuese komuniste.

Do ti mungojsh elitës së kombit, shqiptarëve , nuk do të kenë fizikisht mendjen tënde të ndritur, letërsia botërore do të ketë një mangësi të madhe pa Ju.

Atdheu humbi gjeniu e mendjendriturin e letërsisë shqipe.Sot Kosova, Shkupi ,Ulqini,Presheva, Camëria, janë ne ditë zie për ty o korifeu gjenial i shqiptarisë.

Por siç nderohet Homeri në shekuj, ashtu do të nderohet vepra e jote o Shqiptari i pavdekshëm Ismail Kadare.

Atdheu vajton për birin e saj, por vepra e tijë ndriçon për jetë në tokën Skënderbeut.

Ngushllimi im për Helenën bashkëshorten, dhe bashkëluftëtaren e denjë për Ju, për vajzat dhe nipërit e mbesat është që ti paraqes publikut dy përshendetje e Isamil Kadaresë drejtuar antikomunistëve dhe ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë :

Nga Ismail Kadare

Po ju dërgoj mesazhin tim të solidaritetit, për përkujtimin e poetit martir Havzi Nela. U mbushën njëzet vite që iu mor jeta, me një nga format më të vjetra e më barbare të dënimit që ka njohur njerëzimi: me varje. Vetë kjo formë e sidomos ky afat njëzetvjeçar, tingëllojnë të pabesueshme. Prej kohësh nuk ka patur vrasje poetësh në kontinentin europian. E aq më pak prej kohësh nuk ka patur varje, por Shqipëria nuk bënte pjesë as në Europë as në kontinentin e qytetëruar të popujve. Shqipëria në vitin 1988, në prag të rënies së komunizmit, ishte ende një njollë e zezë në hartën e kontinentit, një njollë e turpit dhe e krimit në shkallë planetare.

Rendi komunist i egërsuar nga shenjat e para të lirisë, ashtu si bisha që egërsohet prej sinjaleve të dritës, donte të jepte një mesazh të kundërt me shpresën. Një mesazh frikësimi dhe tmerri. Dhe, për të qenë i besueshëm se ende nuk do të bënte asnjë lëshim, për të bindur të tjerët dhe veten e vet se ende ishte i aftë të vriste, zgjodhi formën më barbare të marrjes së jetës: varjen me litar.

Një poet u lëkund në trikëmbësh, në qytetin verior të Kukësit. Kjo tregonte se programi themelor i stalinizmit shqiptar, vazhdonte të mbetej i pandryshuar. Ashtu si në vitet 1945-1947, kur rrëzoi me plumb e me litar elitën kulturore, fetare e politike shqiptare, ashtu si më pas kur rrëzoi mijëra të tjerë, ky program vazhdoi të mbështetej mbi krimin dhe kryesisht mbi krimin. Krimi i jepte kurajo në orët e panikut, krimi i qetësonte në orët e ligështimit. Pa krim shefat komunistë ndiheshin të dobët e të squllët. Me krimin ndiheshin trima, si githë fikacakët.

Poeti Havzi Nela, që po të ishte gjallë do të festonte së shpejti 75-vjetorin e lindjes së tij është një këmbanë që ende bije për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë këmbanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë.

Krahas hezitimit për të dënuar krimet e komunizmit, një dukuri tepër e shqetësuar për të mos thënë monstruoze, vazhdon në Shqipëri. Pasioni i habitshëm për t’u dhënë tituj e nderime njerëzve që jo vetëm nuk bënë asgjë për lirinë, por që bënë gjithçka për ta shtypur atë.

Shoqëria shqiptare ka nevojë të shkundet e të mbrojë liritë demokratike kundër çdo lloj kërcënimi që i vjen nga çdol loj drejtimi e i fshehur pas çdo lloj maske. Vetëm kështu ajo do të jetë në gjendje të fitojë drejtpeshimin e munguar. Martirët e kanë qetësinë e tyre atje ku pushojnë. Është shoqëria shqiptare ajo, që nuk e ka. Dhe për këtë duhet të luftojnë të gjithë.

Me nderime

Ismail Kadare

Tiranë 10 gusht 2008

Ismail Kadare : “Denimi i krimeve të Komunizmit” lidhet më fatin e Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europjane!

Përshendetja e Kadares drejtuar Unionit Mbarkomtar të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë dhe Presidentit të Unionit Besim Ndregjoni më rastin e 25 vjetorit të themelimit të Shoqatës!

Të nderuar miq të Unionit Mbarkombëtar të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë.

Zoti President i Unionit, Besim Ndregjoni!

Më një tronditje të thellë lexova letrën tuaj. Ku ju parashtroni shqetsimin tuaj të drejtë për mosdenimin e mjaftueshëm të krimeve të komunizmit në Shqipëri, për zvarritjen e rehabilitimit të të dënuarve dhe të gjithë personave që lidhen me to.

Fakti se nuk është hera e parë që ju ngrini probleme të tilla, shton edhe më shumë dramacitetin e tyre dhe e bën edhe më të pafalshme vonesën e përgjigjes.

Ju përmendni shifra ngjethëse për terrorin e regjimit komunist, për të dënuarit më burgje e tortura, për të internuarit, të pushkatuarit me gjyq e pa gjyq, për gra e klerikë të gjithë besimeve, që nuk u gjendën ende varret, për kampe të shfarosjes e gjithfarë tmerreve që mendja njerzore e ka të vështirë t’i përfytyrojë.

Ndërsa hezitimin për zbulimin e këtyre krimeve bëhet përherë e më i dukshëm , zelli për rikthimin e pamjeve të tiranisë së përmbysur e të personazheve të saj të egër, në një ngjyrim të zbutur e gati gati normal, sa vete e bie në sy më fort. Kjo shoqërohet me kujtime e ditëve nostalgjikë, më shprehje tinzare në trajtë maksimash “Kështu ka qënë ajo kohë ‘’. Ka pasur edhe gjëra të mira” etj,,, etj.

Koha normale e një populli përfshin faza të ndryshme, herë më të mbara e herë më të vështira. Por një periudhë terrori si ajo që u përmënd më lart, është e padurushme. Një kohë e tillë dhe një histori e tillë, nuk janë kohë dhe histori e ekzistencës së një populli, por ato të shuarjes së tij. Ndaj mohimi i tyre është i domosdoshëm, një orë e më parë.

Unë ju kuptoj dhe ju mbështes plotësisht në aksionin tuaj, i cili nuk ju perket vetëm juve, por drejtpërdrejt lidhet me fatin e Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane.

Me nderime

ISMAIL KADARE

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT