• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2024

Fall Registration Open! Join Shkolla Fol Shqip starting September 15, 2024!

August 28, 2024 by s p

Available Classes:

Language (Ages 3-21)

Dance (Ages 3-21)

📍 Location: PS88Q, 60-85 Catalpa Avenue Ridgewood, NY 11385

🕑 Time: Sundays, 2:30-4:30pm

Students can enroll in one or both classes. Don’t miss this opportunity to connect with culture and community!

For more information and to access the registration form, click the link below. See you there!

🍂📚✨ Regjistrimet për Vjeshtë janë të Hapura! Bashkohuni me Shkolla Fol Shqip duke filluar nga 15 Shtator 2024

Klasat e Disponueshme:

Gjuha (Mosha 3-21)

Kërcim (Mosha 3-21)

📍 Vendndodhja: PS88Q, 60-85 Catalpa Avenue Ridgewood, NY 11385

🕑 Koha: Të Dielave, 14:30-16:30

Studentët mund të regjistrohen në një ose të dyja klasat. Mos humbisni këtë mundësi për t’u lidhur me kulturën dhe komunitetin!

Për më shumë informacion dhe për të aksesuar formularin e regjistrimit, klikoni lidhjen. Na u bashkoni atje!

https://docs.google.com/…/1FAIpQLSeHr1xayaF6R6…/viewform

Filed Under: Analiza

Letër e hapur Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Sh.T.Z. Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme

August 28, 2024 by s p

C:\Users\Arben Cici\Desktop\A.Cici kajro 2021.jpg

Zoti Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, 

Vendosa të komunikoj me ju në këtë mënyrë sepse çështja për të cilën ju shkruaj, zakonisht anashkalohet nga vëmëndja kryesore e opinionit publik, me të drejtë, dhe debatohet vetëm brenda një rrethi të papërfillshëm individësh, të cilët nuk cënohen drejtpërdrejt prej saj e nuk kanë njohuritë e mjaftueshme të fushës, ose akoma më keq, nuk kanë kurajën të flasin atë që mendojnë e të bëjnë atë që u takon të bëjnë. Ata që realisht cënohen, më besoni zoti ministër, mërmërisin, turfullojnë mes tyre nëpër korridoret e ministrisë së jashtme, mbledhin buzët të pakënaqur dhe shpërthejnë vetëm kur janë mes familjes së tyre ose mes miqsh të vërtetë, të provuar në ditët e vështira. 

Vendosa të komunikoj kështu, për të qenë i drejtpërdrejtë me ju, me dashamirësinë për t’ju lehtësuar barrën që duhet të mbajë ministri jashtëm i një vendi në hartimin e një ligj të ri për trupën e tij diplomatike dhe familjet e tyre, si brenda godinës së ministrisë ashtu edhe në misionet diplomatike nëpër botë, ndaj të cilëve ka një përgjegjësi madhore shumëplanëshe. Ashtu si ushtarakët, për të cilët ju keni një përvojë të mjaftueshme profesionale, edhe diplomatët kanë zgjedhur të bëhen të tillë, pra të ndjekin karrierën diplomatike, brenda dhe jashtë vendit, në shërbim të interesave të tij. Mes tyre ka vetëm një ndryshim: ushtarakëve u duken gradat ndërsa diplomatëve jo. Megjithatë dhënia dhe heqja e gradave, hyrja dhe dalja nga karriera, si për ushtarakët ashtu edhe për diplomatët, duhet të respektohet me të njëjtin rigorozitet, pavarësisht kostumit civil apo uniformës ushtarake që ata mbajnë. 

Vendosa t’ju shkruaj, sepse Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme që ju keni nën përgjegjësi, me 30 gusht 2024, përmbyll konsultimin publik për projektligjin “Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, të cilin pata mjaftueshëm kohë dhe vëmëndje ta lexoja. Patjetër që lexova edhe relacionin shoqërues, planin e konsultimit dhe dokumentin konsultativ ndonëse përkoi me gushtin e nxehtë dhe përqëndrimin e opinionit dhe të administratës drejt turizmit më shumë se drejt risive diplomatike që ky projektligj pretendon të sjellë për Shqipërinë.

Ju e dini, zoti ministër, dhe besoj se çdo ditë që kalon e mësoni edhe më shumë, se vitaliteti dhe efektiviteti i diplomacisë janë të rrënjosura thellë në përvojën profesionale dhe ekspertizën e praktikuesve të saj. Kjo është historia e përvojës botërore dhe ndërsa diplomacia evoluon dhe përshtatet me një peizazh global gjithnjë e më kompleks, nevoja për profesionistë me përvojë bëhet gjithnjë e më kritike. Duke i dhënë përparësi emërimeve profesionale bazuar në aftësi e merita, përvojë, përkushtim e vazhdimësi vendet mund të sigurojnë që shërbimi i tyre diplomatik të mbetet i fortë, efektiv, i respektuar dhe me integritet në arenën ndërkombëtare. Theksimi i kualifikimeve profesionale mbi konsideratat politike është thelbësor për ruajtjen e standardeve të larta dhe suksesit afatgjatë të diplomacisë në raportet dypalëshe, çështjet rajonale dhe arenën globale.

Ndaj, ju jam shumë mbështetës për seriozitetin në rizgjimin e Akadamisë Diplomatike, ashtu siç edhe jam shumë kritik për atë se projekti i propozuar, në tërësinë e tij, nuk rregullon asgjë nga ç’ka dhunshëm u ç’bë nga Ligji i vitit 2015, i cili mban peshën e mëkatit kundër shërbimit me jashtë dhe barrën e misionin për të gërryer, nëpërkëmbur, përçmuar dinjitetit e diplomatit të karrierës dhe baltosur përvojën diplomatike, nën petkun e risisë së kompetencave shumëfunksionale të ministrit dhe peshës specifike të përgjegjësisë së tij superkontrolluese. Nuk do ta besoja që edhe ju të vazhdonit trashëgimine e mëkatarit, në kurriz të shërbimit me jashtë të Republikës së Shqipërisë. 

Ligji në fuqi përmban edhe një disproporcionalitet kushtetues ndaj kompetencave të Presidentit të Republikës në raport me lirimin dhe emërimin e ambasadorit shqiptar, duke i kushtëzuar politikisht në kohë firmën e tij kushtetuese. Në anën tjetër në mënyrë subjektivisht të privilegjuar, në mënyrë jo proporcionale, nuk kushtëzon politikisht në kohë, ndonëse është sanksionuar në ligj, firmën për propozimin që duhet të fillojë nga Ministri i Jashtëm e më pas nga Kryeministri, sapo ambasadori të përfundojë mandatin e tij 3 vjeçar. Në këtë mënyrë nuk do të themelohej një “sulltanat ambasadorësh shqiptarë”, siç me humor e quajnë nën zë trupën diplomatike shqiptare diplomatët e huaj në kryqytetet e botës. 

Këto të vërteta të hidhur, zoti ministër, duket se zbehin, madje zhvleresojnë edhe rolin e Akademisë Diplomatike që MEPJ e trumbeton si risi ne prodhimin e diplomatëve të rinj dhe të kualifikuar për sfidat integruese të finishit 2030.  

Nuk dua të ndalem në elementë të tjerë profesionalisht dhe diplomatikisht kontestues  të projektit, por më kryesorja është se thelbi i ligji famëkeq të vitit 2015 nuk preket nga projekti që propozon ministria që ju drejtoni, zoti ministër, ndaj vendosa të ndaj me ju, në formë telegrafike, qasjen e përbashkët të përvojës botërore diplomatike mbi problematikat dhe arsyet, bazuar edhe në përvojën time modeste diplomatike dhe akademike, kur bëhet fjalë për një ballafaqim mes emërimeve politike (sado të justifikuara të duken) dhe diplomacisë së karrierës. Këto problematika e arsye bëhen edhe më të ndjeshme në vendet e vogla, me kapacitete minimale dhe me investime e buxhet edhe më mediokër për shërbimin e jashtëm. 

1. Ekspertiza dhe vazhdimësia

Diplomacia e Karrierës:

-Njohuri të thella: Diplomatët që përparojnë në rrugën e karrierës zakonisht grumbullojnë njohuri të gjera dhe tw thella për marrëdhëniet ndërkombëtare, nuancat historike e kulturore dhe strategjitë e negociatave. Kjo ekspertizë është thelbësore për trajtimin e çështjeve komplekse dypalëshe, rajonale, globale dhe nxitjen e analizave dhe angazhimeve efektive diplomatike.

-Qëndrueshmëria: Diplomatët e karrierës ofrojnë vazhdimësi në marrëdhëniet diplomatike, duke siguruar që strategjitë dhe marrëdhëniet afatgjata të mbahen pavarësisht ndryshimeve në udhëheqjen politike. Ky stabilitet është jetik për ruajtjen e besimit dhe bashkëpunimit me vendet e tjera.

Emërimet politike:

-Fokusi afatshkurtër: Emërimet politike shpesh i japin përparësi përfitimeve politike afatshkurtra ose besnikërisë në kuriz të ekspertizës diplomatike afatgjatë. Kjo mund të çojë në ndryshime të shpeshta në strategjinë diplomatike dhe shpërqëndrime nga fokusi i çështjeve dhe vazhdimësia e përparësive dhe e negociatave gjithashtu.

-Mungesa e ekspertizës: Të emëruarit politikë mund të mos kenë gjithmonë aftësitë ose përvojën e nevojshme, duke rrezikuar potencialisht efektivitetin e përpjekjeve diplomatike.

2. Integriteti dhe etika profesionale 

Diplomacia e Karrierës:

-Përparimi i bazuar në merita: Diplomatët e karrierës përparojnë në bazë të aftësive, përvojës dhe performancës së tyre. Kjo qasje meritokratike ndihmon për të siguruar që individët më të kualifikuar të përfaqësojnë vendin e tyre në çështjet më të rëndësishme ndërkombëtare.

-Motivimi dhe ruajtja: Kur përparimi në karrierë bazohet në arritjet profesionale, ai nxit një ndjenjë qëllimi dhe motivimi midis diplomatëve, ashtu si brenda një familjeje. Kjo sjell gjithmonë e më shumë kënaqësi nga arritjet, ruajtje të harmonisë dhe optimizmit në dobi të punës brenda shërbimit diplomatik.

Emërimet politike:

-Erozioni i standardeve profesionale: Emërimet e bazuara në konsiderata politike mund të minojnë besueshmërinë e shërbimit diplomatik dhe të zhvlerësojnë ekspertizën e diplomatëve të karrierës.

-Demoralizimi: Ndryshimet e shpeshta politike mund të demoralizojnë diplomatët e karrierës, të cilët mund të mendojnë se ekspertiza e tyre neglizhohet në favor të përshtatshmërisë politike. Kjo mund të çojë në ulje të motivimit dhe humbje të mundshme të profesionistëve të aftë.

3. Efektiviteti në Marrëdhëniet Ndërkombëtare

Diplomacia e Karrierës:

-Qasja strategjike: Diplomatët e karrierës, me kuptimin e tyre të thellë të dinamikave ndërkombëtare, mund të analizojnë objektivisht, zbatojnë dhe përshtatin strategjitë në mënyrë efektive, duke trajtuar çështje komplekse dypalëshe, rajonale dhe globale mbi bazën e njohurive dhe informatave. 

-Ndërtimi i marrëdhënieve: Angazhimi afatgjatë nga diplomatë me përvojë ndihmon në ndërtimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve të forta, të bazuara në besim me homologët e huaj dhe rrjetin profesional, duke lehtësuar bashkëpunimin dhe rezultatet më të mira në qëllimet e tyre.

Emërimet politike:

-Politikat e paqëndrueshme: Të emëruarve politikë mund t’u mungojë përvoja e nevojshme për të menaxhuar në mënyrë efektive marrëdhëniet delikate dy ose shumëpalëshe, duke çuar në iniciativa diplomatike jo konsistente ose të menaxhuara keq.

-Potenciali për konflikt: Ndryshimet e nxitura nga motive politike mund të krijojnë paqëndrueshmëri dhe pasiguri, duke tendosur potencialisht marrëdhëniet me vendet e tjera dhe duke minuar drejtimin e duhur të përpjekjeve diplomatike ndaj interesin kombëtar. 

Vendosa të shkruaj këto rreshta publikisht për ju, zoti ministër, ndonëse nuk e di nëse do të gjeni kohë t’i lexoni, jo sepse ju nuk jeni i vetëdijshëm për përgjegjësinë e padiskutueshme dhe serioze të mbrojtjes fanatike të diplomacisë së karrierës, ashtu si edhe atë ushtarake dhe policore, kundrejt futjes së duarve të tejzgjatura politike në shërbimin me jashtë, por për t’ju kujtuar sërish juve dhe ndërgjegjes suaj se emërimet politike mund të ofrojnë vetëm përfitime afatshkurtra që vijnë vetëm në kurriz të profesionalizmit dhe vazhdimësisë thelbësore të suksesit afatgjatë diplomatik. Dhënia e përparësisë diplomacisë së karrierës siguron që misionet diplomatike të plotësohen nga individë me përvojën e provuar dhe me një përkushtim ndaj objektivave diplomatike afatgjata të vendit tonë. Kjo qasje mbështet zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të qëndrueshme, efektive dhe të besueshme, të cilat janë thelbësore për avancimin e interesave kombëtare në arenën globale, veçanërisht për një vend të vogël si Shqipëria. 

Zoti ministër,

Ju keni sot çelsat e një prej zyrave më të rëndësishme të qeverisë shqiptare e njëkohësisht mundësinë e artë t’i riktheni dinjitetin shërbimit me jashtë të Republikës së Shqipërisë dhe të gjitha atyre që i janë përkushtuar këtij shërbimi. Do të kisha dëshirë që ministri i jashtëm Igli Hasani të mos mbetej, ashtu si pararendësit e tij, “vetëm qeraxhiu i katit të parë të godinës së Ministrisë” por të bëhej, falë një ligji thelbësisht të ri “Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, po aq, pjesë e pronësisë profesionale të shërbimit me jashtë sa edhe është trupa e përkushtuar e diplomatëve të vërtetë shqiptarë. 

Sinqerisht 

Arben Cici 

Autori është profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UMSH.

Ka qenë: 

Ambasador i Shqipërisë në Danimarkë, Kroaci, Rusi.

Dy herë Këshilltar për Politikën e Jashtme të Presidentit të Republikës.

Dy herë Drejtori i Protokollit të Shtetit në MEPJ. 

Autor i Ceremonialit Zyrtar të Republikës së Shqipërisë.

Analist dhe njohës shumë i mirë i politikës së jashtme. 

Filed Under: Analiza

Kryeministri Kurti mirëpriti pjesëmarrësit e Seminarit të 42-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

August 27, 2024 by s p

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti mëngjesin e sotëm bashkë me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, pjesëmarrësit e Seminarit të 42-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Ky seminar është themeluar më 1974 dhe këtë vit shënon 50-vjetorin e tij, teksa edicioni i 42-të me radhë, ka mbledhur kësaj here rreth 300 pjesëmarrës, ndër ta dhe albanologë nga e gjithë bota.

Kryeministri Kurti me këtë rast tha se është i nderuar nga kjo vizitë e studiuesve të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, ndërsa i falënderoi ata për angazhimin e vazhdueshëm dhe kontributin e çmuar përmes pjesëmarrjes në këtë seminar.

Ai shtoi se gjurmët e punës së studiuesve të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare vërehen gjithandej, qoftë tek njerëzit të cilët punojnë dhe lëvrojnë gjuhën dhe letërsinë tonë, por gjithashtu edhe te veprat të cilat lexohen e botohen. Ndër të tjera, foli edhe për rëndësinë e historisë së gjuhës dhe historinë e popullit tonë, për të cilat shprehu se nuk mund të ndahen apo mësohen veçmas njëra nga tjetra. U diskutua edhe për raportin e përdorimit të gjuhës me zhvillimin e teknologjisë, e sidomos në lidhje me inteligjencën artificiale, shanset dhe rreziqet përkatëse.

Qeveria përmes MAShTI-t e ka mbështetur organizimin e këtij seminari, e këtë vit si rezultat i Memorandumit të Mirëkuptimit me Universitetin e Prishtinës, si dhe do të vijojë të përkrahë iniciativa të tjera të cilat shërbejnë për studimin, njohjen dhe zbërthimin e gjuhës, letërsisë, kulturës dhe historisë sonë.

Sivjet në këtë ngjarje të ftuar janë disa prej figurave më eminente të albanologjisë e gjuhës në botë, si gjuhëtari Brian Joseph, akademiku Ranko Matasoviq, profesori Jose Manuel Floristan Imizcoz, ligjëruesi Phil Hubbard, që kthehet në ngjarje pas 47 vjetësh, albanologu Rexhep Ismajli e historiani Oliver Jens Schmitt.

Filed Under: Kulture

NË SHKUP, PRISHTINË DHE NË TIRANË FILLOI EDICIONI I KATËRT I MANIFESTIMIT KULTUROR-SHKENCOR “DRITA E GONXHËS”

August 27, 2024 by s p



“Gjithë kauza e saj ishte një rrugë e gjatë mbi të cilën ecnin njerëzit e braktisur dhe të sëmurë, të cilët në fund gjenin ngrohtësinë e fjalës dhe dorës së saj.Me emrin dhe veprën e Shën Nënës Tereze do të shoqërohemi në pafundësi, por synimi ynë si Institut është që nga ky shoqërim të nxjerrim mësim, dhe prej kauzave të saj humane të ndërtojmë sa më shumë ura komunikimi e mirëkuptimi, sespe vetëm në këtë mënyrë shoqëritë lirohen nga barrat e tepërta të egocentrizmit nacionale fetar”, theksoi drejtori i ITSHKSH-së Prof. dr. Skender Asani.

Shkup, Prishtinë, Tiranë,  27 gusht 2024  – Dje në Shkup, Prishtinë dhe në Tiranë, organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, në bashkëpunim me revistën “Drita”, në prani të Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovskit dhe të Zv. Kryeministrit të parë, Izet Mexhiti, filloi edicioni i katërt i manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës”, i cili do të zgjasë deri më 5 shtator të këtij viti. Ky manifestim sivjet përkon me 114 vjetorin e lindjes, 27 vjetori  e vdekjes dhe 45 vjetorin e marrjes së Çmimit  Nobel për Paqe të Nënës Tereze.
Duke e shpallur të hapur këtë manifestim, drejtori I ITSHKSH-s, Prof. dr. Skender Asani vuri në dukje se çdo figurë e madhe lind dhe zhvillohet në rrethana  e kontekste të caktuara sociale, historike e kulturore. Në të shumtën e rasteve, figurat e mëdha famën dhe lavdinë  e arrijnë larg vendit të origjinës së tyre. Kështu ndodhi,sipas tij, edhe me Gonxhe Bojaxhiun- Nënën Tereze, e cila afirmimin ndërkombëtar e arriti shumë larg vendlindjes së saj, por kjo nuk ndikoi te ajo që të harrojë se prej nga doli. Përkundrazi, ngado që  shkoi ajo i barti me vete gjenet e trashëguara nga familja dhe frymën e diversitetit social, fetar e etnik të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, tha Asani.

E edukuar në një familje që nuk e kishte larg kishën “Zemra e Krishtit” në lagjen shqiptare katolike të Shkupit, u shpreh Asani, Gonxhe Bojaxhiu qysh në fëmijërinë e hershme sikur e kishte parandje se ky edukim familjar e fetar do të bëhet për të shkollë e jetës. Formimi i mëvonshlm i saj pastaj erdhi natyrshëm si një trung që zhvillohet duke pasur për bazë rrënjët e shëndosha, nënvizoi ai.

“Ne si Institut përmes botimeve të veçanta, por edhe përmes veprimtarive kulturore e shkencore në kuadër të Departamentit për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze, i vetmi ky në botë i kësaj natyre, kemi arritur të krijojmë distancën e nevojshme të qasjes ndaj kësaj figure, duke e liruar atë nga kornizat e ngushta të përkatësisë nacionale, për ta transferuar vëmendjen në një dioptri më të gjerë të vrojtimit të kësaj figure, sepse, fundja, ishte vet ajo që e zgjeroi këtë dioptri në një mënyrë që solidaritetin dhe mirëkuptimin njerëzor e globalizoi, duke i fshi kufijtë e ndasive etnike, reliogjioze e racore. Gjithë kauza e saj ishte një rrugë e gjatë mbi të cilën ecnin njerëzit e braktisur dhe të sëmurë, të cilët në fund gjenin ngrohtësinë e fjalës dhe dorës së saj.Me emrin dhe veprën e Shën Nënës Tereze do të shoqërohemi në pafundësi, por synimi ynë si Institut është që nga ky shoqërim të nxjerrim mësim, dhe prej kauzave të saj humane të ndërtojmë sa më shumë ura komunikimi e mirëkuptimi, sespe vetëm në këtë mënyrë shoqëritë lirohen nga barrat e tepërta të egocentrizmit nacionale fetar”, theksoi drejtori Asani.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Hristijan Mickovski vuri në dukje se Nëna Tereze është sinonim i çdo gjëje fisnike, të ndershme, e cila u angazhua të ndihmojë sinqerisht ata që kanë nevojë për ndihmë nga zemra. Ajo jetoi thjesht gjatë jetës së saj, dhe pas vdekjes së saj, ajo mbeti sinonim i mirësisë në botë. Nënë Tereza , nënvizoi Hristovski, u bë fituese e shumë mirënjohjeve dhe çmimeve për angazhimin e saj jashtëzakonisht njerëzor në kujdesin për më të varfërit e të varfërve, për të cilin mori edhe çmimin Nobel për Paqen. Jeta e saj nuk njihte kufij apo dallime dhe ajo bashkoi kultura të ndryshme, njerëz dhe kombe të ndryshme. Është edhe ura më e mirë lidhëse sot në vendin nga e ka zanafillën – Shkupin, theksoi Kryeministri Mickovski.

Në fjalën e tij Don Lush Gjergji foli për rëndësinë e figurës së kësaj gruaje të madhe në përvejtorin e 45 të marrjers së Çmimit Nobel për Paqe, duke shtuar se Nëna Tereze jetoi në një kohë e cila kishte shumë nevojë për një qasje ndryshe ndaj krizave dhje problemeve në arenën ndërkombëtare.
Pas Shkupit,  karvani i i manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës” vazhdoi rrugëtimin në Prishtinë dhe në Tiranë, me ç’rast u organizua edhe një ekspozitë nga jeta dhe vepra  e Nënës Tereze në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë.

Sot (e martë) në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” të Prishtinës u bë promovimi i katër titujve të botuar nga ITSHKSH dhe ky ishte edhe vazhdimi i aktiviteteve në kuadër të manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës”. Drejtoresha e kësaj biblioteke Naime Beqiraj ishte nikoqire e këtij eventi, e cila vuri në dukje se bashkëpunimi me ITSHKSH-në nga Shkupi do të vazhdojë, kurse drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë e qytetit të Prishtinës, Sibela Halimi, u shpreh me fjalë inkurarjuese për bashkëpunimin kulturor në mes të Shkupit dhe Prishtinës, duke u përqëndruar pastaj me disa vlerësime edhe mbi figurën e Nënës Tereze.
Pjesë e këtij promovimi ishte edhe Don Lush Gjergji, i cili foli në cilësinë e autorit të librit “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”, në bashkëbotim ITSHKSH- “Drita”, Ai elaboroi telegrafikisht tërësinë përmbajtësore të këtij libri dhe u angazhua që figura e Nënës Tereze të jetë vazhdimisht e pranishme në jetën tonë publike e kulturore.
Me këtë rast u promovua edhe libri “Gjona Antoni, një margaritar kujtese për Shkupin e rinisë”,  botim ky që është pjesë e një projekti më të madh të ITSHKSH-së që ka të bëjë me gjurmimin e degëve të shpërndara të trungut familjar të Nënës Tereze. Gjon Antoni – protagonist i këtij libri, është një familjar i afërm i Nënës Tereze dhe ai me këtë rast para audiencës përcolli disa emocione nga fëmnijëriua e tij në Shkup dhe nga jeta mërgimtare në Kroaci.
Kryeredaktori i revistës “Drita e Gonxhës”, Emin Azemi,  foli për rëndësinë e kësaj reviste dhe u ndal në shkoqitjen tematike e përmbajtësore  të saj. Në vazhdim ai paraqiti edhe disa vlerësime  edhe për librin “Si dhe pse lindi Departamenti për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze”.
 

Edicioni i katërt i manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës” do vazhdoj me aktivitete edhe në ditët në vijim dhe me këtë ITSHKSH rrumbullakson një hark të rëndësishëm tematik e problemor në fushëveprimin e Departamentit për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze.

Filed Under: Analiza

BE-ja luan me dy standarde, sanksione të padrejta për Kosovën

August 27, 2024 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj/New York/

Gjendja e tanishme në Veri të Kosovës është shndërruar në një situatë qesharake, të padurueshme dhe të dhimbshme. Shqiptarët në Veri të Dardanisë vazhdojnë të përballen me politikat djallëzore të Serbisë për përvetësim territorial, ekzekutiv dhe administrativ, por, si të mos mjaftonte kjo, gjenden përballë një bashkësie europiane e cila përkëdhel Serbinë, duke shtuar sanksionet në mënyrë të padrejtë ndaj Kosovës. E ashtuquajtura “asociacion i komunave me shumicë serbe”, “molla e sherrit” mes Kosovës dhe Serbisë në politikën e ditëve të sotme, ka nxjerrë edhe një herë më shumë në pah historikisht mosdëshirën apo mosgatishmërinë e autoriteteve të larta europiane për të ndihmuar shqiptarët në situata tejet të nxehta dhe delikate, duke u pozicionuar në vendin që u takon, në mënyrë teknike dhe ligjore. Kujt i shërben asociacioni i komunave me shumicë serbe? Çfarë merr në shkëmbim Kosova, dhe a garanton kjo marrëveshje moscënimin e funksionalitetit dhe integritetit të territorit dhe mosrikthimin e gjendjes së luftës, si 25 vite më parë? Ky është një projekt që duhet të marrë si përgjigje një “Jo” të madhe, në mënyrën se si po kërkon ta realizojë Serbia dhe përballë një sjellje jo serioze, të pakujdeshshme, denigruese të bashkësisë europiane. 

Kosovës i është thyer njëherë besimi me luftën e madhe që krijoi Serbia, e cila ende nuk ka kërkuar falje për varret masive që ka hapur dhe as që nuk ka ndërmend ta bëjë përsa  kohë përkëdhelet nga Europa dhe mbështetja që i jep Rusia. Përvoja e së kaluarës ka lënë një shije tepër të hidhur dhe e ka vulosur se ndërmjet dy shteteve nuk do të ketë marrëveshje dhe as dialog, përsakohë Vuçiç nuk heq dorë nga pretendimet dashakeqe. Serbia është e vendosur për mosnjohjen e Kosovës dhe e ka të shënuar në preambulën e Kushtetutës së saj, dhe as nuk do të lejojë anëtarësimin e saj në organizmat e bashkësisë europiane. Pra, çfarë vlere do të kishte kjo marrëveshje me një sjellje të tillë të Serbisë karshi Kosovës?! Marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe do të arrihej vetëm nëse Bashkimi Europian do të ushtronte presion ndaj Serbisë për njohjen e Kosovës dhe të heqë dorë nga pretendimet për përvetësimin e territorit. 

Pra, në vend që të shtojë sanksionet ndaj një shteti i cili ka pësuar mjaft dëme njerëzore dhe materiale, BE-ja duhet t’i tërheqë “veshin” Serbisë dhe ta udhëzojë në rrugën e duhur ligjore për paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit. Duhet të ekzistojë një dokument zyrtar, me ndërmjetësimin e dy faktorëve të rëndësishëm në dirigjimin e politikës së botës, SHBA-BE, që Serbia të njohë Kosovën, dhe më pas të kalohet në projektin e famshëm të asociacionit. Serbia synon të bashkojë komunat në Veri dhe të marrë kompetencat ekzekutive dhe administrative, duke krijuar një “Serbi të vogël”, pra, ajo nuk i ndahet idesë së saj të hershme se “e gjithë Serbia është Kosovë”. Vuçiç po shkel me të dyja këmbët përpjekjet e figurave të rëndësishme amerikane si Bill Klinton, Marti Ahtisari, Xhorxh Bush, të cilët i dhanë një dimension tjetër në arenën ndërkombëtare çështjes së Kosovës. Dhe ne nuk duhet të sillemi sikur nuk po e kuptojmë. 

Serbët në Veri nuk janë integruar me politikën e Kosovës dhe i kanë lënë hapësirë politikës serbe t’i drejtojë në një tokë që nuk është e tyre.

Është për të ardhur keq se si BE-ja ka vendosur sanksione të rrepta ndaj Kosovës, si pezullimi i përkohshëm i punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, ndalja e programit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024, pezullimi i propozimeve të paraqitura nga Kosova në kuadër të kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, Kosova ka mbetur jashtë Programit të Evropës Digjitale, ku të gjitha shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor do të ndihmohen nga BE-ja për këtë çështje. Duket shumë qartë se BE-ja po e favorizon Serbinë, pasi nuk merr asnjë masë ndaj saj për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët po përballen me gjuhën e urrejtjes dhe dhunës. Ata nuk gëzojnë asnjë të drejtë, pasi janë të shtypur nga politika albanofobike e Vuçiç, ndërsa e kundërta ndodh me komunitetin serb në Veri të Kosovës, ku respektohen të drejtat e tyre dhe nuk pengohen të integrohen në veprimtari të ndryshme publike. 

Madje, ditë më parë, janë zhvilluar protesta kundër shqiptarëve ne Bujanoc, me pankarta në duar me mbishkrimin “Vdekje shqiptarëve” dhe “Vdekje shqiptarëve, nuk ju duam, Kosova është Serbi”. Këtu nuk ka asnjë reagim nga Beogradi zyrtar për të mos lejuar gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve, dhe kjo tregon se projekti i asociacionit është i dështuar pa nisur. Nuk ka asnjë reagim as nga BE-ja dhe nuk është marrë asnjë masë kundër Serbisë. Gjithashtu, sa i takon ngjarjes së një viti më parë, ku pas sulmit të grupeve të armatosura serbë në Banjskë të Zveçanit mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, nuk u mor sërish asnjë masë ndaj Serbisë. Autoritetet e larta europiane po luajnë me dy standarde në kurriz të popullit të Kosovës. Ashtu siç ka ndodhur edhe më parë, botën po e çojnë në luftë më të fortët, ndërsa të dobtët duhet të vuajnë pasojat dhe kapriçot politike të klasës së lartë. Ky projekt nuk duhet të miratohet dhe Kosova nuk duhet t’u besojë organizmave europaine.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT