Shkruan: Eneida Jaçaj/New York/
Gjendja e tanishme në Veri të Kosovës është shndërruar në një situatë qesharake, të padurueshme dhe të dhimbshme. Shqiptarët në Veri të Dardanisë vazhdojnë të përballen me politikat djallëzore të Serbisë për përvetësim territorial, ekzekutiv dhe administrativ, por, si të mos mjaftonte kjo, gjenden përballë një bashkësie europiane e cila përkëdhel Serbinë, duke shtuar sanksionet në mënyrë të padrejtë ndaj Kosovës. E ashtuquajtura “asociacion i komunave me shumicë serbe”, “molla e sherrit” mes Kosovës dhe Serbisë në politikën e ditëve të sotme, ka nxjerrë edhe një herë më shumë në pah historikisht mosdëshirën apo mosgatishmërinë e autoriteteve të larta europiane për të ndihmuar shqiptarët në situata tejet të nxehta dhe delikate, duke u pozicionuar në vendin që u takon, në mënyrë teknike dhe ligjore. Kujt i shërben asociacioni i komunave me shumicë serbe? Çfarë merr në shkëmbim Kosova, dhe a garanton kjo marrëveshje moscënimin e funksionalitetit dhe integritetit të territorit dhe mosrikthimin e gjendjes së luftës, si 25 vite më parë? Ky është një projekt që duhet të marrë si përgjigje një “Jo” të madhe, në mënyrën se si po kërkon ta realizojë Serbia dhe përballë një sjellje jo serioze, të pakujdeshshme, denigruese të bashkësisë europiane.
Kosovës i është thyer njëherë besimi me luftën e madhe që krijoi Serbia, e cila ende nuk ka kërkuar falje për varret masive që ka hapur dhe as që nuk ka ndërmend ta bëjë përsa kohë përkëdhelet nga Europa dhe mbështetja që i jep Rusia. Përvoja e së kaluarës ka lënë një shije tepër të hidhur dhe e ka vulosur se ndërmjet dy shteteve nuk do të ketë marrëveshje dhe as dialog, përsakohë Vuçiç nuk heq dorë nga pretendimet dashakeqe. Serbia është e vendosur për mosnjohjen e Kosovës dhe e ka të shënuar në preambulën e Kushtetutës së saj, dhe as nuk do të lejojë anëtarësimin e saj në organizmat e bashkësisë europiane. Pra, çfarë vlere do të kishte kjo marrëveshje me një sjellje të tillë të Serbisë karshi Kosovës?! Marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe do të arrihej vetëm nëse Bashkimi Europian do të ushtronte presion ndaj Serbisë për njohjen e Kosovës dhe të heqë dorë nga pretendimet për përvetësimin e territorit.
Pra, në vend që të shtojë sanksionet ndaj një shteti i cili ka pësuar mjaft dëme njerëzore dhe materiale, BE-ja duhet t’i tërheqë “veshin” Serbisë dhe ta udhëzojë në rrugën e duhur ligjore për paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit. Duhet të ekzistojë një dokument zyrtar, me ndërmjetësimin e dy faktorëve të rëndësishëm në dirigjimin e politikës së botës, SHBA-BE, që Serbia të njohë Kosovën, dhe më pas të kalohet në projektin e famshëm të asociacionit. Serbia synon të bashkojë komunat në Veri dhe të marrë kompetencat ekzekutive dhe administrative, duke krijuar një “Serbi të vogël”, pra, ajo nuk i ndahet idesë së saj të hershme se “e gjithë Serbia është Kosovë”. Vuçiç po shkel me të dyja këmbët përpjekjet e figurave të rëndësishme amerikane si Bill Klinton, Marti Ahtisari, Xhorxh Bush, të cilët i dhanë një dimension tjetër në arenën ndërkombëtare çështjes së Kosovës. Dhe ne nuk duhet të sillemi sikur nuk po e kuptojmë.
Serbët në Veri nuk janë integruar me politikën e Kosovës dhe i kanë lënë hapësirë politikës serbe t’i drejtojë në një tokë që nuk është e tyre.
Është për të ardhur keq se si BE-ja ka vendosur sanksione të rrepta ndaj Kosovës, si pezullimi i përkohshëm i punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, ndalja e programit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024, pezullimi i propozimeve të paraqitura nga Kosova në kuadër të kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, Kosova ka mbetur jashtë Programit të Evropës Digjitale, ku të gjitha shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor do të ndihmohen nga BE-ja për këtë çështje. Duket shumë qartë se BE-ja po e favorizon Serbinë, pasi nuk merr asnjë masë ndaj saj për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët po përballen me gjuhën e urrejtjes dhe dhunës. Ata nuk gëzojnë asnjë të drejtë, pasi janë të shtypur nga politika albanofobike e Vuçiç, ndërsa e kundërta ndodh me komunitetin serb në Veri të Kosovës, ku respektohen të drejtat e tyre dhe nuk pengohen të integrohen në veprimtari të ndryshme publike.
Madje, ditë më parë, janë zhvilluar protesta kundër shqiptarëve ne Bujanoc, me pankarta në duar me mbishkrimin “Vdekje shqiptarëve” dhe “Vdekje shqiptarëve, nuk ju duam, Kosova është Serbi”. Këtu nuk ka asnjë reagim nga Beogradi zyrtar për të mos lejuar gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve, dhe kjo tregon se projekti i asociacionit është i dështuar pa nisur. Nuk ka asnjë reagim as nga BE-ja dhe nuk është marrë asnjë masë kundër Serbisë. Gjithashtu, sa i takon ngjarjes së një viti më parë, ku pas sulmit të grupeve të armatosura serbë në Banjskë të Zveçanit mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, nuk u mor sërish asnjë masë ndaj Serbisë. Autoritetet e larta europiane po luajnë me dy standarde në kurriz të popullit të Kosovës. Ashtu siç ka ndodhur edhe më parë, botën po e çojnë në luftë më të fortët, ndërsa të dobtët duhet të vuajnë pasojat dhe kapriçot politike të klasës së lartë. Ky projekt nuk duhet të miratohet dhe Kosova nuk duhet t’u besojë organizmave europaine.