• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2024

100 vjet më parë, Ernest Hemingway parashikoi rënien e shoqërisë sonë

August 26, 2024 by s p

Saimir Kadiu/

Në romanin e tij ” The Sun Also Rises” (1926), Ernest Hemingway eksploron erozionin e moralit përmes jetës së zhgënjyer dhe pa qëllim të personazheve të tij, të cilët janë pjesë e “Brezit të Humbur” që u shfaq pas Luftës së Parë Botërore. Romani përshkruan një botë ku vlerat tradicionale janë shkatërruar nga trauma e luftës, duke çuar në një ndjenjë të prishjes morale dhe dëshpërimit ekzistencial.

Konsiderohet si vepra me e rendesishme e tij.

Personazhet e Hemingway, si Jake Barnes dhe Lady Brett Ashley, lundrojnë në një peizazh ku kodet e vjetra morale nuk zbatohen më. Jetët e tyre karakterizohen nga një ndjekje e kënaqësive kalimtare – alkooli, seksi dhe udhëtimi – ndërsa përpiqen të gjejnë kuptim në një botë pa siguritë morale që dikur i udhëhiqnin. Kjo ndjekje shpesh çon në sjellje vetëshkatërruese dhe një ndjenjë të thellë zbrazëtie.

Portretizimi i moralit në roman është i lidhur ngushtë me përshkrimin e tij të dashurisë dhe marrëdhënieve.

Aferat e shumta të Brett dhe dinamika e ndërlikuar mes personazheve nënvizojnë një humbje të lidhjes dhe përkushtimit të vërtetë. Paaftësia e personazheve për të gjetur përmbushje në këto marrëdhënie pasqyron ndjenjën më të gjerë të konfuzionit moral dhe prishjes së vlerave tradicionale.

Proza e rrallë dhe e drejtpërdrejtë e Hemingway pasqyron realitetin e zymtë të kësaj rënie morale, duke kapur betejat e brendshme të personazheve dhe ndjenjën e përhapur të zhgënjimit.

Nëpërmjet përvojave të tyre, “The Sun Also Rises” paraqet një koment të fuqishëm mbi vdekjen e moralit në një botë të pasluftës, ku strukturat e vjetra të kuptimit janë shembur, duke i lënë individët të hutuar dhe në kërkim të formave të reja të qëllimit.

Filed Under: ESSE

GJON MILI NЁ HOLLIVUD – 1942

August 26, 2024 by s p

KRISTI 11 (1).png

Kristaq BALLI  

Ёshtë viti 1942. Gjon Mili ka hedhur  themele solide  profesionale e artistike në revistën LIFE, madje është  bërë i famshëm me një shpejtësi të furishme. Në Janar të këtij viti ai ka çelur ekspozitën vetiake “Dancers in Movement” (Valltarët në Lëvizje) në Muzeun e Artit Modern MoMA, Nju Jork, e cila është konsideruar si një ngjarje e rëndësishme artistike për zhvillimet e reja në fotografinë artistike në lëvizje.  Sidoqoftë po të kthehemi pas në kohë, do të na  kujtohet ai djaloshi i gjatë, i brishtë, me syze, vegimtar që, duke u përgatitur për të ardhur në 

Amerikë të studionte inxhinieri, kishte edhe pengun  e pasionit të tij për Hollivudin. Ndoshta, sepse, gjatë asaj kohe,  Hollivudi ishte bërë sinonim i zhvillimit dhe rrezatimit të ngjarjeve botërore kulturore dhe i  shpërthimit të  avangardës së artistëve  më të mëdhenj të planetit. Veçanërisht kinematografisë. Një ëndërr e lakmuar për rininë. E njëjtësuar me industrinë më të madhe  botërore të filmit, përballja me këtë realitet metropolitan,  ku arti kinematografik ishte një prej industrive më të mëdha artistike dhe limfa e jetës sociale me kultura e mendësi të skajshme jetese e krijuese, arena konkuruese e dhjetra filmave promotorë  dhe studiove prodhuese të  tyre si Metro-Goldwyn-Mayer. Paramount Pictures,, 20th Century Fox, MGM., Warner Bros., Walt Disney Pictures(animation), etj., e tejkalonte imagjinatën e  çdo njeriu.  Gjon Milit nuk i shqitej nga mendja vlerësimi i  Faik Konicës mbi vendin dhe rolin udhëtregues  të kinematografisë si një art kolektiv e kompleks  pamor në formimin kulturor të shoqërisë.

D:\KRISTAQ\VITI 2021\A. LIBER MBI GJON MILIN\GJON MILI SHPERTHYESI I KOHES 24 Tetor 2023\1. LIBRI SIPAS KAPITUJVE\6. HOLLIVUD\FOTOT\alfred hitchock copy.jpg+.pngPara pak kohësh në Los Axhelos  kishte mbërritur  edhe një prej regjisorëve anglezë  më të njohur në botë, Alfred Hitçkok,  për të realizuar një prej filmave të tij thriller. Pra ishte kjo arsyeja pse revista LIFE kishte dërguar Gjon Milin për të fotografuar Hitçkok-un dhe filmin e tij në sheshxhirim në Santa Rosa, por edhe si një motiv më tepër që, nëpërmjet Gjon Milit, të promovohej jo vetëm mjeshtëria e tij, por edhe risitë  dhe evolucioni i teknologjisë së sofistikuar dhe aparaturave   grafike të reja të  revistës LIFE,  që në ato vite botohej me një tirazh të madh. Ja si e ka përjetuar  vetë Gjon Mili mbërritjen  dhe aktivitetin  në Hollivud:

“Ishte kurioziteti dhe një rizgjim i ëndrrës sime të vjetër për filmin që më bëri të shkoj përmes kontinentit në Hollivud në vitin 1942. U ktheva tek vendi i pasioneve të mia rinore. Tërhiqja zvarrë  “një qerre” me paisje elektronike.

Të gjithë ishin të entusiazmuar për teknikat e reja, siç u shpreh një prej tyre: “një vështrim i ri për klishe të vjetra”. (Gjon Mili: Movies, Photographs & Recollection p. 68)

Suksesi fotografik i  Milit në Hollivud ishte i epërm për artistët që iu ofruan eksperimenteve të këtij fotografi të magjishëm. Ai fotografoi me teknikat e tij stroboskopike, jo edhe aq  të njohura në  ato sheshe xhirimi, aktorë, balerina, fëmijë kuriozë, skenografi e skena xhirimi,   regjisorin Alfred Hitçkok, etj., duke habitur gjithkënd, por duke kaluar edhe vetë një kohë të mrekullueshme e të frutshme që pati jehonë surprizuese në  mediat e kohës. Në artikullin e botuar posaçërisht në revistën “LIFE” – “High-Speed Camera Goes to Hollywood” (Aparati Fotografik me Shpejtësi të Lartë Shkon në Hollivud – Gjon Mili i bën yjet të ngrijnë), midis të tjerash shkruhet: “…Në Hollivud puna e aparatit me me blic  nuk ishte diçka e re, por Mili që  ishte gjysmë fotograf dhe gjysmë inxhinier, bëri shumë më shumë se sa  fotografimi i topave fishkëllyes të tenisit dhe zhdukjen e bliceve të  dritës. Duke fotografuar aktoren Aleksis Smith  në një piruetë në ajër, ai demonstroi që mund të kapte në një kuadrat filmi negativ më  shumë hijeshi e bukuri sesa mund të përfshinte në shumë metro film një kameraman i Hollivudit. Sekreti i  i aksionit “të ngrirë” është drita stroboskopike e zbuluar teknikisht nga profesori i M.I.T. Harold E. Edgerton  dhe e çuar përpara me  fuqinë më të madhe  editoriale nga Mili. Për të bërë këto fotografi, një dritë si vetëtimë sinkronizohet nga blici me intervale. Ekspozimet bëhen sa herë blici ndriçon dhe shpejtësia e tij është e barabartë  me atë të objektit, në këtë mënyrë objekti duket sikur  është  i ndalur.

Duke punuar në studio filmash, Gjon Mili vulosi zotërimin e metodës  me njohuritë e tij inxhinierike,  yjet  me një fotografi të tipit të ri për albumet e tyre. Mbi të gjitha ai i detyroi regjisorët të ulen dhe të mbajnë shënime,  sepse  në  fotografitë e tij me “ngrirje”  të aksionit ata panë diçka që mund t’i çonte  në një nisje të re për studimin e teknikës  dramatike. Për shembull…, fundja, shikoni ekspozimet “stroboskopike”  të Gjon Milit mbi  veprimin më universal në një film,  puthjen.”          ( “High-Speed Camera Goes to Hollywood”: LIFE December 24, 1942, pp. 35-37) 

D:\KRISTAQ\VITI 2021\A. LIBER MBI GJON MILIN\GJON MILI SHPERTHYESI I KOHES 24 Tetor 2023\1. LIBRI SIPAS KAPITUJVE\6. HOLLIVUD\FOTOT\eb62910379f377f5ae00a061947340d6 copy.jpg+.jpg Atë verë  kur në Santa Rosa  xhirohej filmi “Shadow of a Doubt” (Hije dyshimi) i Hitçkokut me aktorët  Teresa Wright dhe Joseph Cotten, i cili për vetë regjisorin Hitçkok  ishte filmi më favorit personal nga të gjithë të tjerët, Gjon Mili realizoi fotoreportazhin stroboskopik  për Hitçkok-un, të cilin vetë regjisori e shndrroi në një  insert aksioni filmografik, por edhe të një atmosfere gazmore.      Mili, mjeshtërisht, e shfrytëzoi pamjen dhe karakterin e tij për të realizuar me një shije të hollë artistike setin e fotove të kineastit hollivudian, që befasoi mediat e shkruara amerikane për origjinalitetin dhe personalitetin human e profesional të të dy artistëve. Ai gjithashtu, u fotografua me vajzën e tij të vetme, Patricia, si dhe me aktoren e vogël Edna May  Wonacott, pjesëmarrëse në film. “Në Hollivud  takova Alfred Hitçkok, i cili  idenë e të qenurit i drejtuar (komanduar)  nga një regjisor e konsideroi zbavitëse dhe u soll në mënyrë korrekte”  (Gjon Mili: Movies, Photographs & Recollection p. 68)

 Fotografi strobe të një sinkronizimi preçiz e estetik  të veçantë, Gjon Mili realizoi me aktoren   21 vjeçare Alexis Smith, si dhe me çiftet e aktorëve Nancy Coleman dhe  Helmut Dantine nga filmi “Edge of Darkness” (Skaji i Errësirës) dhe “Action in the North Atlantic” (Aksion  në Atlantikun e Veriut). 

  Një foto skenografike të një skene masive i kushtoi Mili  filmit të Hitçkok në process xhirimi  “Shadow of a Doubt” (Hija e Dyshimit).

Vizitës  së Gjon Milit në Hollivud, revista tjetër shumë e njohur amerikane e modës “Vogue”  i ka kushtuar dy faqe të plota me foto stroboskopike të Alfred Hiçkok 

dhe Edna May duke provuar rolin: “Fotot tregojnë veprimet e Hiçkokut që ngutet të nxjerrë shaminë, të qajë, të fshijë sytë.  Ekspert suprem anglez, ai solli  në Hollivud një famë të madhe, duke e kordinuar trupin e tij të rrumbullt  për drejtimin e hijshëm të veprës “39 Hapat”.  Filmi i tij i fundit është “Hija e  Dyshimit”. Por  Hitçkoku bën më shumë  se zakonisht: ai luan çdo rol.  Nëpërmjet fytyrës së tij buçkane regëtin hija e lehtë e emocionit, duart e tij  bëjnë një gjest “Madonna”, këmbët e tij kërcejnë si një i  ri. Këtu ai i  tregon një dhjetëvjeçareje  si të qajë, si të fshijë lotët…(Alfred Hittchcock Directs to Young Edna May Wonacott: Vogue 1 May 1943, f.8)

7.jpg

        Jehonë të  posaçme  i ka bërë  Gjon Milit dhe  fotove të tij në Hollivud gazeta  franceze  “Nuit et Joir” (Natë dhe Ditë), e dt. 12 Korrik 1945, e cila  ka botuar në f. 8 një artikull me titull: “Ces Photos On Éttoné Hollywood” (Këto foto kanë çuditur Hollivudin) të shoqëruar edhe me disa foto të Gjon Milit. Midis të tjerash aty thuhet: “Të çudisësh Hollivudin nuk është një performancë dhe aq e zakonshme. Në vendin e superlativës, nuk është e lehtë të emocionosh ose të befasosh dhe duhet një lloj dhurate qiellore për ta bërë një amerikan të lëshojë një “oh”  që shpreh habi për  Alexis Smith me ‘Vallëzimin e maces’ dhe Humphrey Bocaert me Julie Bishop në filmin e tyre të ri : “Action in the north Atlantic”,

…Duke përdorur një proces që mund të duket  relativisht i thjeshtë, Gjon Mili  arriti në këtë rezultat. Duke publikuar në një revistë amerikane  fotot që ne riprodhojmë këtu, ai provokoi në qarqet kinematografike të Hollivudit reagime shumë të gjalla kurioziteti.  Si u realizuan këto foto? 

Gjon Mili, i cili në të njëjtën kohë është inxhinier dhe fotograf, përdori “dritën blic”, e cila është një shpërthim drite e çastit, me një shpejtësi jashtëzakonisht të 

madhe.  Një sistem i shpikjes së tij shkakton hapjen e diafragmës së aparatit të tij sa herë shfaqet kjo dritë, gjë që i lejon atij të ndajë në një numur të madh fraksionesh  një gjest a lëvizje  që mezi zgjat një sekondë… 

…Për ta bërë demonstrimin e procesit të tij më spektakolar, Gjon Mili u kërkoi yjeve më të mëdhenj të Hollivudit që të pozonin për të  dhe zbërthimi i çuditshëm i lëvizjeve që bënë ata para aparatit të tij na lejon të ndjekim në një mënyrë më të vëmendshme sesa në kinema larminë e  shprehjeve që një fytyrë mund të marrë në një kohë që matet në të dhjetat e sekondës.

6ab.png

Ky proces mund të kryejë shërbime të mëdha për kërcimtarët që të studiojnë lëvizjet, dhe për krijuesit e filmave vizatimorë.” (Aurenc Bebja: Gjon Mili, fotografi që çuditi Hollywood-in… Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania)

Përveç revistave të ndryshme disa foto  të Milit për Hitçkok janë vendosur si ilustrime në librin  gjithëpërfshirës  “Alfred Hitchcoock – The Complete Films” me botues Paul Duncan. (Paul Duncan: Alfred – “The Complete Films”, Taschen, 2019)

 Përvoja e suksesit dhe famës së Gjon Milit në Hollivud do të përsëritet dy vite më vonë, kur ai do të realizonte aty filmin e tij të famshëm “Jammin’ the Blues”. 

        ▪▪▪

Filed Under: Opinion

SI MOS TË KUJTOJMË TANI NJË BIJË TË ZGJEDHUR TË KOMBIT SHQIPTAR – SHËN NËNË TEREZEN?!

August 26, 2024 by s p

Në ditëlindjen e saj dhe në 45-vjetorin e dorëzimit të Çmimit Nobel për paqë! 

Nga Frank Shkreli 

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated
Mother Theresa | Mother Teresa Photo | Pictures of Mother Teresa ...

                                              45-vjetori i dorëzimit të Çmimit

                                                           Nobel për Paqe

“Të dashur, nuk mund të mos përshëndes një njeri fort të përvuajtur, që ndodhet midis nesh. Është Nëna Tereze e Kalkutës. Të gjithë e dimë nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu! Edhe në kohën e izolimit të Shqipërisë ishte kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbyese e përvuajtur, e më të vrafërve, që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj. Në personin e Nenës Tereze, Shqipëria është nderuar gjithmonë.” (Nga fjala e Papa Gjon Palit të II në Shkodër gjatë vizitës së tij në Shqipëri Prill, 1993).

Vërtetë, si mos ta kujtojmë këtë bijë të  Kombit shqiptar, “Këtë grua të vogël por të madhe, njëkohsisht, e cila sjell e ruan brenda vetes hovin e bujarisë së përmbajtur dhe të pamposhtur të zemrës shqiptare”, gjithnjë sipas mikut të shqiptarëve, Papa Gjon Palit të II, në vizitën e tij historike në trojet iliro-dardane, në prill të vitit 1993, menjëherë pas shembjes së Murit të Berlinit. 

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e lindur me 26 Gusht, 1910 në Shkupin shqiptar ndërsa shkoi në amshim në moshën 87-vjeçare, me 5 Shtator, 1997 në Kalkutë të Indisë.  Ky vit shënon gjithashtu edhe 45-vjetorin e vlerësimit të Nenë Terezës me njohjen prestigjoze botërore, Çmimin Nobel për Paqe me motivacionin se: “Çmimi Nobel i Paqes ju dha Nënë Terezës së Kalkutës për angazhimin e saj ndaj më të varfërve, ndër të varfërë, dhe për respektin dhe vlerësimin e dinjitetit të çdo njeriu. Përveç kësaj: Për punën e bërë në luftën kundër varfërisë dhe mjerimit, që përbën, gjithashtu, një kërcënim për paqen”.

45-vjet më parë (Dhjetor, 1979) murgeshës shqiptare, Nenë Terezës iu dorëzua Çmimi Nobel për Paqe, pasi ajo ishte nderuar me këtë Çmim (më 17 tetor të vitit 1979), nga juria ndërkombëtare e Çmimit Nobel për Paqe. Nenë Tereza i foli botës nga një tribunë prej ku kanë folur personalitetet më të njohura politike dhe fushave të tjera të veprimtarive njerëzore të kësaj bote, të shekullit të kaluar.  Një “Laps i vogël në duar të Zotit”, e quante veten shpesherë Nenë Tereza, bijë e vogël e një Kombi të vogël, por me një histori të lavdishme, ndonëse edhe plot mundimesh e vuajtjesh…një bijë e Kombit shqiptar e cila duke mos njohur kufijt fetarë, etnik e kulturor, i tregoi botës se “është më kënaqësi të japësh se sa të marrësh”. Një simbol i vërtetë i bujarisë shqiptare në botë dhe shërbëtore e vërtetë e të varfërve anë e mbanë botës, pa dallim feje ose origjine. E si mos ta kujtojmë këtë “mrekulli për të gjithë, këtë lajmëtare, guximtare të dashurisë, shembull gjithmonë aktual i zbulimit, se çdo njeri është vëllai ynë”, do të deklaronte Papa Pali i VI për të përvuajturën Nenë Terezën shqiptare, motrën e madhe dhe të vogël tonën.

E si të mos e kujtojmë atëherë – me këtë rast, 3-përvjetorësh — këtë bijë të zgjedhur të Kombit shqiptar që nderon kombin ndër shekuj – duke bërë emrin shqiptar të njohur e të famshëm anë e mbanë botës?!  Si mos ta përdorim këtë rast – në mos për asgjë tjetër – atëherë për të reflektuar sado pak dhe për të marrë shembëll  duke dëgjuar thirrjet e Nenë Terezes për paqë e pajtim në familjet tona individuale shqiptare, kudo që jemi, por edhe në familjen e madhe kombëtare – për një paqë e pajtim, aq të nevojshëm, për një zhvillim më autentik njerëzor dhe shoqëror në familjen e madhe shqiptare.

Për paqë në botë dhe për paqë e pajtim, edhe “për popullin tem shqiptar”. “Që paqja e Zotit të vijë në zemrat tona, në të gjitha familjet tona”, është shprehur Shenjtja Nënë Tereza, ndërsa po dilte nga manifestimi solemn i pranimit të Çmimit Nobel për Paqë, 45 vjetë më parë (1979). 

Pasi iu dorëzua Çmimi Nobel, në një foto portret të saj, Nënë Tereza ka shkruar këto fjalë: “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shumë luti Zotin që paqja e Tij të vij në zemrat tona, në familjet tona, në gjithë botën”, sipas biografit të njohur të jetës dhe veprimtarisë së Nenë Terezës, Dom Lush Gjergji.

Po e kujtoj këtë 45-vjetor të dhënjes së Çmimit Nobel për Paqë, sidomos fjalët e Nënë Terezës për paqë “në familjet tona”, drejtuar shqiptarëve në atë kohë, si një rast reflektimi, pasi bota shqiptare ka aq shumë nevojë sot për paqë, për paqë me njëri tjetrin, mbi të gjitha. “Familja shqiptare”, nuk ka sot paqë — paqë me veten e as paqë me të tjerët. 

Unë nuk besoj që shoqëria shqiptare në përgjithësi dhe politika shqiptare në veçanti, të ketë qenë ndonjëherë – në këto pothuaj 35-vite tranzicion të ashtuquajtur “post-komunist” – më konfliktuale, më e acaruar dhe me mungesë respekti e dashurie për njëri tjetrin, se ç’është sot. Thirrjen e Nënë Terezës për paqë e pajtim 45-vite më parë; po e kujtoj, modestsisht, edhe si një pjestar i komunitetit shqiptaro-amerikan prej më shumë se gjysëm shekulli në Amerikë – duke shfaqur në këta pëvjetorë në kujtesë të Nenë Terezë — nevojën për reflektim  për gjëndjen e krijuar plot konflikte e në çdo nivel në radhët e shqiptarëve, por edhe mungesës së diskursit normal publik me njëri tjetrin. Një fenomen ky që vihet re jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por edhe në diasporën e shpërndarë anë e mbanë botës edhe në mbarë trojet shqiptare. Lexo lajmet e ditës në mediat shqptare dhe të duket sikur bota shqiptare është në luftë me vet-veten. Sidomos, diskursi politik, jo vetëm që është keqësuar, por duket se ka vdekur, këto vitet e fundit.  

Mungesa e paqës dhe e dashurisë midis shqiptarëve do të ishte një zhgënjim I madh Për Shën Nenë Terezën. Për fat të keq, në këndvështrimin e sotëm të zhvillimeve politike në Shqipëri e Kosovë, por edhe kudo tjetër midis shqiptarëve, paqa, për të cilën ka bërë thirrje Nënë Tereza 45 vite më parë në Oslo — “në të gjitha familjet tona”, pa përjashtim, pikërisht aty ku e donte Nënë Tereza paqën, dmth. midis shqiptarëve, në familjet tona — është vështirë të identifikohet ose të dallohet paqa për të cilën fliste Nenë Tereza sa ishte gjallë.  Si e tillë, sot në jetën publike dhe politike, në marrëdhëniet midis shqiptarëve në nivele të ndryshme, paqe nuk ka. Ndërkohë që në sallat e qeverisë e të shtetit, aty ku do duhej të ushtrohej respekti dhe paqa midis shqiptarëve, për hir të shqiptarëve – pikërisht aty mbetëron vetëm konflikti, urrejtja dhe mos respekti ndaj njëri tjetrit, e nganjëherë, fatkeqsisht në vend të paqës, mbretëron dhuna. Politika është politikë edhe në Shqipëri, si gjithkund tjetër por nuk ka as demokraci as shtet pa paqe e respekt për njëri tjetrin. 

Image result for mother teresa nobel peace prize images

“Nëqoftse nuk kemi paqe, kjo ndodh sepse kemi harruar se i përkasim njëri tjetrit”. (Nënë Tereza)

Kriza politike nëpër të cilën po kalon Shqipëria dhe Kombi shqiptar në përgjithsi, simbolizon një mungesë paqeje e vëllazërimi — është një krizë e madhe morale; një trashëgimi e gjysëm shekulli komunizëm – me besimin se kundërshtari politik është armik dhe si i tillë duhet të zhdukur me çdo kusht.

Në këtë periudhë kritike për Kombin shqiptar, vazhdimi i një sistemi të polarizuar politik — jashtë kontrolli — dhe dështimi i klasës politike për t’u marrë, seriozisht, me problemet madhore të vendit e të Kombit në të gjithë botën shqiptare, pa përjashtim, do të ketë pasoja tragjike afatgjatë për të gjithë shqiptarët. Abraham Lincolni citohet të ketë thënë se, “Një shtëpi e ndarë dhe e përçarë kundër vetvetes nuk mund të qëndrojë në këmbë pa u shembur”.

Paqa politike dhe shoqërore për të cilën bënte thirrje Nënë Tereza, 45-vjetë më parë para botës në tribunën e Nobelit për Paqe, kërkon sot që ata që do duhej të ishin në shërbim të shoqërisë – për hir të paqës dhe të dashurisë — të ulen në tryezë për të biseduar me ata që kanë pikpamje të ndryshme, me qëllim të mirë dhe në paqe, për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta të vendit dhe të Kombit. Një gjë e tillë nuk duhet të shikohet si një dobësi, si diçka që nuk është burrënore. Nuk është burrëri as nuk janë burrshtetas ata që interesat partiake e personale i venë mbi përparimin dhe interesat e Kombit, ndërkohë që konfliktin e vendosin mbi kompromisin ee nevojshëm, në kurriz të paqës në shoqëri dhe në familjen e madhe të shqiptarëve.  Për fat të keq, duke marrë parasysh zhvillimet aktuale politike dhe shoqërore në marrëdhëniet e politikanëve shqiptarë, duket se është harruar mesazhi i Nënë Terezës i 45-viteve më parë në Oslo të Norvegjisë: Paqë në familjet tona, si parakusht i paqës dhe bashkimit në familjen e madhe shqiptare të përhapur anë e mbanë botës.

Frank Shkreli

Sa për InformacionA person holding a book

Description automatically generated

Ipeshkvia Prizren-Prishtinë në bashkëpuni me ITSHKSH organizon Akademi Solemne në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës, ditën e hënë, më 26 gusht 2024, që sivjet përkon me 45-vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe (1979).

Kjo akademi bën hapjen zyrtare të “Ditëve të Nënë Terezës 2024”, që do të zgjasin deri më 5 shtator 2024, në ditëfestën liturgjike të saj.

Akademia do të mbahet në Qendrën “BogdaniPolis”, në orën 19:00, që gjendet në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Programi i Akademisë

 Fjalë përshëndetëse të autoriteteve

 Pikë muzikore

Marco Frisina, “Ti do të jesh profet”

Këndon: Kori i Katedrales Shën Nënë Tereza 

Lectio Magistralis

Don Lush Gjergji, Disa kujtime, përjetime, dëshmi dhe porosi nga Çmimi Nobel për Paqe (1979)

 Pikë muzikore

Irena Prenrecaj (arr. Magdalena Sedaj) “Nënë Tereza”

Këndon: Kori i Katedrales Shën Nënë Tereza

 Prezantim Libri

Don Lush Gjergji, “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne” botim me rastin e 45-vjetorit të Çmimit Nobel për Paqe

Prezanton: Ndue Ukaj 

Poezi dhe lutje

Shën Nënë Tereza “Mbi gëzimin” Interpreton: Jehona D. Gashi

 Pikë muzikore

Koncertnino op. 11-Huber

Intepretojnë: Aniset Cej, Art Krasniqi, Magdalena Sedaj

Koktej rasti në Agorà

Filed Under: Politike

NË PËRKUJTIM TË PROF. DR. NUHI VINCA

August 24, 2024 by s p

Veprimtari në Strugë

Kadri Tarelli

Gjithkush ka kohën e vet për të jetuar. Jeta për të gjithë është e shkurtër dhe e papërsëritshme: Të ngresh lart emrin tënd me vepra, vetëm kjo është e arritja e virtytit. – Poeti filozof Virgjili

Para pak ditësh, më saktësisht më 18, të gushtit, 2024, në sallën e teatrit “Poshka”, në qytetin e Strugës, në 40 ditë të ndarjes nga jeta, u përkujtua emri dhe vepra e atdhetarit, shkrimtarit, studiuesit, përkthyesit dhe poetit strugan e Prof. Dr. Nuhi Vinca. Pjesëmarrja ishte mjafte madhe, familjarë, qytetarë, miq e shokë të vjetër e të rinj, disa të ardhur edhe nga Dardania, Prishtina, Prizrendi, Mitrovica, Suedia, mes tyre edhe grupi ynë nga Durrësi: Shpendi Topollaj, Kadri Tarelli, Gëzim Agasi dhe piktori Arben Kristani. Si fillim në Strugë, ne u pritëm nga çifti Ilir Kafexholli dhe Teuta Vinca Kafexholli, bijë e Prof. Nuhiut, ardhur nga Prishtina. Më duhet të them, se çuditërisht është shkrimi i dytë që po i kushtoj një personaliteti si Prof. dr. Nuhi Vunca, këtij veprimtari të ndritur të letrave shqipe, por në drejtime të pangjashme me njëri-tjetrin:  I pari, drejt ngjitjes në majë të karrierës dhe lavdisë, është shkruar në nëntor 2021, me rastin e festimit të 90-vjetorit të tij, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, veprimtari e pasqyruar në: Gazeta “Bota Sot”. Dardani. 18. 11. 2021,  “VOAL. Zëri Shqiptarëve”, Zvicër, 18. 11. 2021,  “Fjala e lire”, Londër, 18. 11. 2021, dhe gazeta “Fjala”. Tiranë, me titull: “Kuvendim me prof.. Dr. Nuhi Vinca”. 27. 11. 2021. 

Ndërsa i dyti, tani pas kaq kohësh, drejt ngjitjes te yjet, drejt lavdisë e përjetësisë, me dhimbjen e ndarjes me një mik të rrallë. Kjo ngjarje e rëndë dhe e hidhur, po më shtyn të përcjell pak nga mbresat tona, nga një veprimtari sa të rrallë në organizim e formë, aq edhe e pasur me kumtin e përkujtimit në përjetësi të jetës dhe të veprës së këtij mësuesi dhe studiuesi me përmasa kombëtare. Diku në bisedë, rrethuar me miqtë, u shpreha: “Në takime të tilla, veç familjarëve vijnë edhe të afërmit, të gjithë të shtyrë nga dhimbja e zakoni, si përjetim i traditave tona të ardhura nga shekujt, ndërsa në këtë tubim, me ç’po shoh, marrin pjesë miq e shokë të ardhur nga larg, siç është edhe ardhja e z. Hysen Ibrahimi, Kryetar i shoqatës atdhetare letrare artistike shqiptare, “Papa Klementi XI. Albani. Suedi”. Të gjithëve na bashkojnë vlerat, sa njerëzore aq edhe intelektuale, si atdhetarë, studiues e krijues, që i bëjnë nder kombit. Janë pikërisht këto vlera që na bëjnë të jemi sot këtu, të ndjejmë së bashku dhimbjen e të ndajmë bashkërisht humbjen e një miku të shtrenjtë”.

Shpendi Topollaj, që foli në emër të grupit durrsak, si mik i hershëm i Prof. Nuhiut, në fjalën e tij qëndisur bukur, ku ndjehej krenari e trishtim, mes të tjerave, shton: “…….. Nuhiu shkoi i lumtur, se në këto dit të ndarjes nga kjo botë, këtu me të është e gjithë Shqipëria. …… Ndaj për këtë njeri dhe intelektual të përmasave të pazakonta, duke e vlerësuar atë sipas mënyrës Hegeliane, që artikulonte, se “Njeriu s’është kurrgjë tjetër, veçse një varg i veprave të veta”. Kështu që duke e parë vendin dhe rolin që vepra e tij luajti e do të luajë në edukimin qytetar e atdhetar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, mendoj se është rasti, që t’i kujtojmë drejtuesit e pushtetit vendor, këtu në Strugë, që Profesorit të nderuar Nuhi Vinca, t’i ngrihet bust dhe t’i vendoset në breg, atje ku Drini del nga liqeni, që ai e deshi dhe i këndoi aq shumë, pikërisht aty ku ai nis udhëtimin nëpër Shqipërinë e tij të shtrenjtë”.

Fjalimet nuk kishin të sosur nga bashkëkohanikët, miqtë, bashkëpunëtorët, ish nxënësit e tij të hershëm, mes tyre edhe lexues e vlerësues të veprës letrare e studimore, të cilët sollën në kujtesë copëza jete të jetuar sipas kohës, rrethanave, kushteve e mundësive, shpesh herë jo të lehta, mbase jo të mundshme. Mund të përmend disa nga emrat që morën fjalën: Vegim Vinca, Shpendi Topollaj, Hysen Ibrahimi, Agim Vinca, Bajazit Murtishi, Vait Nasufi, Xhevat Lumani, Ilire Vinca, etj. 

  Me ndjesi malli, artiste Ilire Vinca, na solli në kujtesë disa nga vargjet e gdhendura nga Prof. Nuhiu, i cili në frymëzim poeti, dhimbje atdhetari, shprese shqiptari e pritje luftëtari, shkruante: – “Këtu te ky gur, shpirt gur,/ndahet Shqipëria nga Shqipëria…../Këtu në Qafëthanë, /këtu në Qafëthanë,/ një shekull e pret, jetimin një nanë….”. Fjala prekëse e artistes, u shoqërua me violinë nga artistja me emër të veçantë por të bukur, Syhana Reçi.

Në fund, pas kuvendit në sallën e teatrit, një tjetër ndodhi na priste: Ashtu në grup të gjithë pjesëmarrësit u ngjitëm mbi urrën e lumit Drin, që bashkon dy anët e qytetit të Strugës dhe ashtu në valëzimin e rrjedhës së ujërave të kristalta, hodhëm lule shumëngjyrëshe. Veprim magjik, që mrekullon cilin do që përjeton një skenë të tillë. Veprim që nuk e kam ndeshur gjëkundi. Do të jetë mrekulli, nëse ceremoni të tilla përkujtimore shoqërohen me hedhje lulesh në lumë, det apo liqen. Nuk di ç’të them: është zakon i riteve pagane, të mbetura e të ardhura ashtu natyrshëm nga besimi i hershëm i lashtësisë, apo një zakon i lindur, po natyrshëm, vetëm në qytetin e Strugës. Në të dy rastet është një mrekulli e vërtetë. 

Për poetët dhe dijetarët, nuk ka vdekje. Ka vetëm ngjitje në përjetësi. Më pëlqen ta kujtoj shprehjen e të diturit Viktor Hygo, kur thotë: “Njeriu e ngre vetë piedestalin, koha i ngre monumentin”. I bindur se Prof. Dr. Nuhiu i ngriti vetë piedestalin, ashtu edhe monumentin. 

Filed Under: Reportazh

ITSHKSH VJEN ME KATËR BOTIME TË REJA

August 24, 2024 by s p

Në prag të manifestimit shkencor-kulturor “Drita e Gonxhës”, edicioni i katërt, (që fillon më 26 gusht), ITSHKSH (Departamneti për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze) vjen me katër botime (, “Gjona Antoni, një margaritar kujtese për Shkupin e rinisë”, “Si dhe pse lindi Departamneti për studimin e trashëgimisë shpirtërote të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze “, Revista “Drita e Gonxhës” nr. 3, dhe “Porositë e Shën Nënës Tereze për ne” – në bashkëpunim me redaksinë e botimeve “Drita”), të cilët do të promovohen në Shkup, Prishtinë dhe në Tiranë, gjatë ditëve të këtij manifestimi. E veçanta e këtyre titujve, është sepse secili prej tyre ngërthen nga një fabulë dhe përmbajtje të veçantë, me ngjarje e protagonistë gjithashtu të veçantë. Ndërkaq e përbashkëta e këtyre botimeve është sepse të gjitha kanë një kryepersonazh në qendër, Gonxhe Bojaxhiun – Nënën Trerteze, e cila ka intriguar vëmendjen e autorëve, me famën dhe bëmat e saj.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT