• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2024

VRASJET, VETËVRASJET DHE RELIGJIONI

August 21, 2024 by s p

Dom Gjergj Meta/

Depresioni shoqëror që po shpërfaqet në vrasjet dhe vetëvrasjet e kësaj fundvere në vendin tonë të vogël, sipas mendimit tim, i ka rrënjët në bjerrjen e shpresës se jeta mund të jetohet e gjitha, qoftë si përpjekje për t’i dhënë asaj një kuptim, qoftë si një jetë në shërbim të jetës së të tjerëve. Madje kuptimi më i thellë i jetës, është atëherë kur ajo i shërben jetës së të tjerëve dhe jo atëherë kur ajo kthehet në një litar rreth qafës apo në një karikator automatiku, që zbrazet mbi trupin e dikujt tjetër.

Religjioni mund të luajë një rol të tijin në këtë situatë, duke u vendosur në shërbim të jetës së njerëzve të çdo dite, në mënyrë që njerëzit t’i japin një kuptim a një kahje asaj. Sigurisht që një religjion, sidomos ai i krishteri, për të cilin i jap vetes njëfarë tagri për të folur, nuk mund të jetë në shërbim të jetës kur mundohet vetëm të imponohet me rregullat e veta, me veshjet pompoze, me forcën e hekurt të hierarkisë, a kur mendon se ka në dorë zgjidhjet e vetme ose kur e ngre vetveten si shpëtimtarin e botës. Zoti e shpëton botën dhe jo religjioni, kushdo qoftë ai religjion.

Ky i fundit është një instrument dhe ka si detyrë të parë t’u kujtojë njerëzve trashendencën (të përtejmen), jo për t’i frikësuar apo për t’u imponuar atyre një forcë madhore, që si një Deus ex machina drejton apo përcakton fatet e botës. Por për t’u kujtuar njerëzve se i përkasin një realiteti më të madh se vetja e tyre, se sa fshati, qyteti, etnia, kultura apo planeti i tyre. Religjioni na kujton se jemi pjesë e një përmase më të madhe, të cilën nuk mundemi ta shterojmë as me shpikjet tona, as me financat apo strategjitë tona. Ai duhet t’u kujtojë njerëzve qiellin me yje, hapësirën e pakufishme dhe jetën si një mundësi e mundësive, ndonëse e kufizuar në kohë. Nëpërmjet fesë-besimit, religjioni na hap drejt një frymëmarrjeje më të madhe, që na tejkalon, sepse na zhyt në një mister, i cili në vetë natyrën e tij është i pakufi.

Kur ne kuptojmë dhe përjetojmë se i përkasim diçkaje më të madhe se sa ne, atëherë jeta nuk atrofizohet, nuk mbyllet në kornizat e ngushta të dhembjes së momentit apo të interesave, që zgjasin sa një llogari e majme bankare. Jeta e jetuar në mbylljen egoike të njeriut, është një varfërim shpirtëror, që sjell një varfërim ekzistencial dhe ky i fundit kthehet në mjerim, në të cilin njeriu nuk shikon veçse deri te hunda e tij e nuk e çon shikimin për më tej. Kjo po i ndodh shoqërisë sonë, kjo duket se po i ndodh gjithë shoqërisë perëndimore ku ne bëjmë pjesë dhe e ka futur atë në një depresion vrastar apo vetëvrastar.

Feja, si përkatësi në një përmasë të përtejme e jo thjesht e vetëm si një përkatësi në një seri rregullash apo në një strukturë të caktuar, a komunitet të kufizuar, i duhet njeriut dhe sigurisht njeriut shqiptar. Dëbimi i trashendencës nga horizonti i jetës individuale dhe shoqërore është dëbimi i njerëzores dhe mjerimi i saj, pse jo edhe vdekja e saj.

Në këto raste është më e lehtë të akuzojmë policinë, sistemin gjyqësor, qeverinë apo politikën dhe kështu e rehatojmë ndërgjegjen tonë. Ama e dimë mirë se edhe ne kemi lënë diçka mangët dhe ky është angazhimi ynë, thellimi e kërkimi ynë i kuptimit të jetës, marrëdhënia që ndërtojmë me jetën tonë dhe me atë të të tjerëve, si dhe me detyrat tona ndaj shoqërisë. Nuk mund të themi vetëm: “Paguaj taksat.” e më pas çdo ditë të shohim indiferentë se si rrëzohet para nesh ngrehina e njerëzores. Duhet të shikojmë më thellë, më lart, më përtej. Jemi përgjegjës për jetën tonë, po aq sa jemi përgjegjës për jetën e të tjerëve, sepse jeta na është dhënë dhe askush nuk ka leje të na e marrë, as ne vetë.

Filed Under: Ekonomi

Vatra Miami, një zemër bashkimi për shqiptarët e Floridës së Jugut

August 21, 2024 by s p

Dr. Iris Halili

Kryetare e Vatra Miami/

Vatra Miami ka si mision të saj kryesor të mbledhë rreth vetes çdo bashkëatdhetar që ka emigruar në Floridën e Jugut, nga të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët. Kjo iniciativë synon të bashkojë të gjithë shqiptarët, pavarësisht prejardhjes gjeografike apo dialektit. Për Vatra Miami, ajo që na bashkon është gjuha, atdhedashuria dhe mbi të gjitha, ndjenjat e përbashkëta shqiptare që na bëjnë të jemi një komb.

Në këtë frymë, Vatra Miami zhvilloi një takim të ngrohtë dhe mbresëlënës me komunitetin e diasporës shqiptare të ardhur nga rajonet e Kosovës dhe me banim në rrethin e Palm Beach-it. Iniciativat paraprake të këtij takimi kanë ardhur falë mikpritjes dhe zemrës së madhe të zonjës së nderuar nga Kosova, Dr. Vlora Sulejmani. Takimi i fundit i zgjeruar u organizua falë punës aktive të zonjës Tina Jakupi, e cila po përpiqet të kontaktojë bashkëatdhetarët biznes në biznes apo kudo ku ata jetojnë apo punojnë në zonën e Palm Beach, ku edhe ajo jeton me familjen. Zonja Jakupi ka lindur në SHBA, por mban shumë të gjalla lidhjet me tokën e të parëve të saj në Gostivar dhe gjithashtu mban të gjalla të gjitha lidhjet me bashkëatdhetarët e saj nga çdo vis i Shqipërisë. Ajo, së bashku me zonjën Sulejmani, tashmë janë bërë anëtare të Vatra Miami dhe po bëjnë një punë shumë dinjitoze në zgjerimin e shoqatës me sa më shumë bashkëatdhetarë.

Mesazhi i Vatra Miami në këtë takim ishte i qartë: Shqipëria e bashkuar fillimisht ekziston në zemrat tona, pastaj në mëndjet tona, dhe më pas në zgjedhjet tona, dhe ja ku jemi të gjithë të bashkuar në tokën ku kemi fatin të jetojmë në vetëm në harmoni. Ne që jetojmë në Floridën Jugore duhet të jemi gjithmonë të gjithë bashkë, të ndihmojmë njëri-tjetrin, të forcojmë lidhjet mes nesh, t’i bëjmë biznes njeri-tjetrit, dhe vetëm kështu Shqipërinë e bashkuar do ta kemi te Vatra Miami dhe te Klubi Flas Shqip, ku të gjithë flasim shqip sepse jemi shqiptarë, dhe ku portreti i Skënderbeut na nderon dhe na bashkon sipas amanetit të tij të madh se vetëm bashkë mund të fitojmë çdo betejë dhe të jemi më të fuqishëm!

Në takim u diskutua për historinë e Vatra-s, qëllimin e saj kryesor që është ruajtja e gjuhës dhe traditës shqiptare, dhe vlerën e Klubit Flas Shqip, që po mbledh bashkë fëmijët tanë dhe do t’u dhurojë atyre gjuhën e nënës dhe bashkë me të, uratat e saj që tingëllojnë më bukur në gjuhën amtare. Gjatë këtij takimi, zonjat e pranishme nga qytetet e Boynton Beach dhe Lake Worth kërkuan të regjistrojnë fëmijët e tyre në klasat e klubit ku mësimi i gjuhës zhvullohet falas. Kjo solli fillimin e punës për hapjen e një klasë tjetër, si rezultat i numrit të madh të nxënësve që u propozuan t’i shtohen Klubit Flas Shqip, që tashmë do të ketë katër klasa me afro 60 fëmijë , një arritje kjo e madhe në një periue tdhë kohe vetëm disa mujore. Në takim morri fjalën edhe mësuesja vullnetare e klasës së qytetit West Palm Beach, zonja Liljana Rrumbullaku , e cila ndër të tjera theksoi vullnetin e saj të mirë për ti shërbyer komunitetit pas mëse 20 vitesh pune si mësuese në Tiranë dhe SHBA. Vatra Miami dhe Klubi Flas Shqip falënderojnë të gjitha zonjat pjesëmarrëse për kohën, dashamirësinë e treguar.

Ky takim do të pasohet me një seri takimesh në qytete të tjera të Floridës së Jugut. Në kohën e emigracionit të madh drejt SHBA-së, si dhe migrimit brenda territorit të SHBA-së, është shumë e rëndësishme që çdo degë e Vatrës të njihet me numrin dhe popullsinë e bashkëatdhetarëve në zonën ku ajo vepron. Pikërisht për këtë, Vatra Miami ka si qëllim kryerjen e një censusi për njohjen e shqipfolësve në zonën e saj dhe inkurajon të gjitha degët e tjera të përpiqen të plotësojnë sa më mirë këtë database, si dhe të përpiqemi të përcjellim thelbin e krijimit dhe mbijetesës 113-vjeçare të Vatra-s që është sa i thjeshtë në dukje por që shpesh bëhet shumë i vështirë në realitet: të duam dhe ndihmojmë njëri-tjetrin se jemi shqiptarë dhe flasim një gjuhë nuk ka rëndësi nga vijmë. Vetëm kështu do i ruajmë të gjalla vlerat kombëtare dhe do mund të jemi më të aftë të ndihmojmë fatet e vëllezërve tanë përtej oqeanit ! Modeli i bashkimit kombëtar fillon nga ne! Ai më shumë se gjeografik është dhe mbetet shpirtëror!

Filed Under: Politike

NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I PROFESOR IDRIZ AJETIT PËR VEPRËN I1 “MESSALE” DI GJON BUZUKU TË MARTIN CAMAJT

August 21, 2024 by s p

Prof. dr. Begzad Baliu/

Në vend të parathënies

Duke kërkuar dokumente në arkivin personal të trashëguara nga Profesor Idriz Ajeti, më ka rënë të gjej e lexoj shumë tekste të karakterit dokumentar, letra, porosi, kërkesa etj., por rrallë e tek ndonjë tekst të lexuar në takime të ndryshme dhe të shkruar nga bashkautorë të shumtë, të cilat nuk i ka përfshirë në veprat e tij. Përgjithësisht Profesor Ajeti në botimet e veprave të fundit ka përfshirë edhe fjalë e recensione, të cilat nuk kanë të bëjnë me gjuhësinë dhe recensione, apo të cilat i ka shkruar që në vitet ’50 e ’60. Tekste të papërfshira në veprën e tij, por të botuara në të përditshmen “Rilindja” të Prishtinës janë “disa dhjetëra çështje të vogla”, sikur theksonte Profesori në një nga bio-bibliografitë e tij të fundit të viteve ’50, për çështje ortografike, fonetike, morfologjike, sintaksore e leksikografike, të cilat vazhdoi t’i botonte edhe pak kohë në vitet ’60, por nuk i përfshiu në vëllimet e tij, për shkaqe nga më të ndryshme.

Gjatë kohës që po bisedonim për vendosjen e bibliotekës së tij në një nga institucionet publike, në një rast u ngrit në këmbë u afruar pranë librave dhe më tha: “Veprën time edhe sa isha gjallë ma përgatiten dhe botuan të tjerët, për çka u jam mirënjohës, por do të doja që disa nga veprat të cilat i kam përdorur dhe cituar (Shih, Hahnin, Skokun, Çabejn dhe vetëm Çabejn etj.), t’i merrni Ju dhe t’i rishikoni citatet e plota, si dhe fusnotat e munguara brenda veprave të mia. Veprat e mia do plotësuar dhe referuar të plota dhe aty ku mungojnë fusnotat do vendosur. Lëshimet kryesisht janë bërë gjatë daktilografimit nga studimet e shkruara në skeda e shumë prej tyre tani i keni Ju dhe i keni sistemuar me sukses”.

Atë kohë, skedat e tij të shpërndara ndërmjet materialeve i pata sistemuar dhe dërguar në banesë të Profesorit, por Zonja Hajrije (gruaja e profesorit Idriz), m’i pati kthyer ‘deri sa të rishikohen veprat, me motivacione se në moshën që kishin, nuk mund të më siguronin se mund t’i ruajnë që unë t’i marr kur të më duhen’. Në të ardhmen shpresojmë t’i përfshijmë në veprën e plotë të tij, pas një redaktimi të tyre dhe plotësimi me komentet dhe literaturën e domosdoshme.

Dorëshkrimi i pabotuar

Në fushë të gjuhësisë, teksti më i plotë dhe mbase më i veçantë që kam gjetur në dorëshkrimet e tij është recensioni për disertacionin e doktoratës së Martin Camjat për gjuhën e “Mesharit” të Gjon Buzukut (I1 “Messale” di Gjon Buzuku – Contributi linguistici allo studio della genesi, edicion i “ Shjezavet”, Roma, 1960,1-89). Fillimisht më ka bërë përshtypje fakti se Profesor Idriz Ajeti kishte në bibliotekën e tij dy veprat e Martin Camajt (Gramatikën… dhe Doktoratën) me nënshkrime dhe vlerësime respekti nga Martin Camaj, si dhe shumicën e numrave të revistës “Shenjzat”, të cilat, sikur mund të shihet prej shënimeve në margjina, Profesor Idriz Ajeti i kishte lexuar e konsultuar, nënvizuar e komentuar në margjinë dhe prej këtyre anëshkrimeve mund të bëhet një artikull me interes për raportet e panjohura mes Martin Camajt dhe sidomos Ernest Koliqit e Profesor Idriz Ajetit.

Gjatë një dekade të botimit të revistës “Gjurmime albanologjike” 1962-1971, Universiteti i Prishtinës – Fakulteti i Filozofisë, në Prishtinë, si kolanë e përbashkët e tri serive të mëvonshme (seria e shkencave filozofike, seria e shkencave historike dhe seria e folklorit dhe etnologjisë) në Institutin Albanologjik, Profesor Idriz Ajeti ka botuar disa recensione, kryesisht për personalitete të përmasave gjithëkombëtare dhe ballkanike. Fjala është për recensionet kushtuar veprave dhe madje studimeve me karakter monografik të Profesor Eqrem Çabejt, Martin Camajt, Claus Haeblerit, Petar Skokut dhe Henrik Bariqit. Profesor Idriz Ajeti ka botuar tekste recensionale edhe më herët, te revista më e rëndësishme e kohës “Jeta e re” për dy vepra të Selman Rizës, si edhe më vonë, por ato janë kryesisht Parathënie të botimeve të kohës, si dhe referate të mentorimit të tij të kandidatëve të doktoratës të përfshira kryesisht në vëllimin e III dhe IV, të veprave të plota të botuara nga “Rilindja”, Prishtinë; si dhe veprave IV(2001) dhe V(2002) të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Ky recension i Profesor Idriz Ajetit do të jetë shkruar në vitet e para të themelimit të revistës, pra për njërin nga vëllimet e revistës “Gjurmime albanologjike”, por mendojmë se arsyet e mosbotimit të tij janë të ndryshme.

e para, sepse nuk arriti ta përfundonte ashtu sikur dëshironte, e për përfundimin e tij priste të lexonte edhe botime të tjera për “Mesharin” e Buzukut, të cilave ju referohej me shënimin e papërmbyllur (“khs.”), dhe të cilat ne po i plotësojmë këtu, kryesisht si referenca në fusnotë;

e dyta, sepse ky recension u gjet në një nga çantat e hershme, të mbushura me materiale të ndryshme (dokumente, gazeta, materiale pune, blloqe shënimesh), të cilave me gjasë nuk ju është kthyer më; dhe

e treta, mbase më e qëndrueshmja, sepse pas vitit 1968 (Konsultës së Prishtinës) dhe afrimit të marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare rrugët e tyre u ndanë në raport me qëndrimin e Profesor Idriz Ajetit dhe Martin Camajt për drejtshkrimit të gjuhës shqipe, përkatësisht standardizimit të saj. Megjithëse në plan të parë dalin përkushtimet e tyre për dhe kundër standardit të gjuhës shqipe, që do të përmbyllet në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1972), fakti që Profesor Idriz Ajeti kishte edhe përgjegjësi institucionale e kjo do të thotë edhe politike, në raport me ato marrëveshje ndërmjet institucioneve universitare e shkencore të Kosovës dhe Shqipërisë, nuk mund të themi se nuk mori edhe sugjerime kolegjiale e vëllazërore, që të ndërpriste komunikimin dhe sidomos “vlerësimin dhe recensimin” e veprave të Martin Camajt. Pavarësisht nga ky hamendeshim, ndarjen e tyre të ndërlidhur me proceset kombëtare për shqipen standarde e arsyetojmë me faktin se, recensioni i botuar dhe recensioni në dorëshkrim i Profesor Idriz Ajetit për dy veprat shkencore të Martin Camajt, nuk u botuan në asnjë nga botimet dhe ribotimet e mëvonshme të tij.

Recensioni i Profesor Idriz Ajetit hapet me një vlerësim përgjithësues përmbi studimet bozukiane të dekadës së fundit, të cilat nuk ishin as të pakta as të rastit, përkundrazi, të thella, sintetike dhe madje fundamentale, si për asnjë shkrimtarët shqiptarë të letërsisë së vjetër.

“Albanistika e mbasluftës ka shënue disa studime filologjike të dorës së parë siç janë ato të Çabejt, Buletin i Shkencave Shoqërore, 1, 2, 3, 4/1955, lidhun me gjuhën e Buzukut e me probleme të tjera albanistike rrahë në të përkohshmen që u zu ngojë 1956-1962; mandej në këtë fushë asht ba nji punë me vlerë e randësi të madhe me botimin e riprodhimit gangull të veprës së parë të gjuhësisë shqiptare – Mesharit të Buzukut, krye prej Namik Ressulit, Romë 1958. Kësaj pune i pasoi nji studim tjetër që i përket veprës që përmendëm sipër: asht fjala për gjurmimin e Martin Camajt mbi Mesharin e Gjon Buzukut, nji ndihmëse gjuhësore kjo që prek në studimin e gjenezës së veprës që e zumë ngoje”.

Ajo që të bën përshtypje këtu është përjashtimi i kontributeve të Selman Rizës, qoftë për shkak se disa prej tyre nuk i njihte, qoftë për shkak se nuk e shihte të arsyeshme t’i shquante ato.

Struktura përmbajtjesore

Ky studim, paraqitun si disertacion u mbrojt nga Camaj n’Atenenë e Romës pranë Katedrës Albanologjike t’atjeshme. Ai ngërthen në veti këta kapituj:

Parathania e autorit (6).

Hymja e tij në studimin në shqyrtim (7-10).

Kaptina e I: Drejtshkrimi: a) Alfabeti; b) H-ja si shenj grafik e fonetik (11-19).

4. Kaptina e II: Zanoret e ndërhundëshme (20-29).

5. Kaptina e III: Aspektet e gjuhës së Gjon Buzukut (33) a) Tiparet e gjuhës dhe të stilit të Mesharit (33-42); b) Futuri (32-46); c) Imperfekti (46-47); d) Infinitivi(47-48); e) Veçoritë dialektore (48-53).

6. Kaptina e IV : Huazimet e gjuhëve të hueja në gjuhën e Mesharit (54) a) Huazimet latine (54-56); b) Huazimet sllave (56-66); c) Huazimet venedikase (66-67); d) Huazimet greke (67-70).

7. Vështrime përfundimtare (71-77). Tri këngë të njohura të Triepshit (78-82); Bibliografia (83-86); Regjistri i fjalëve (87-89)”.

Sikur mund të shihet në dorëshkrim, të gjithë kapitujt dhe nënkapitujt vendosen kryerresht, me mundësi që t’i përplotësojë ato me shënime, përshkrime dhe komente të mundshme, të cilën nuk e konsiderojmë të arsyeshme të përplotësohet. Përjashtim bën fakti se në përmbajtjen e përshkruar mungon një nënkapitull me titull: Tri këngë të njohura të Triepshit, të cilin me gjasë autori nuk e ka harruar por e ka përjashtuar duke i parë ato këngë si të panevojshme.

Çështje të fonetikës buzukiane

“Në fillim të studimit të vet, kur ban fjalë mbi shenjat e ndryshme grafike, Camaj e hedh poshtë mendimin e S. Rizës, Mbi vlerën fonetike të grafivet Buzukiane Ɣ-ja (sllave) dhe u (latine), “Buletin për Shkencat Shoqërore”, 1/1958, f. 81-85, që u-ja dhe Ɣ-ja përdorë në Mesharin e Buzukut paraqesin vlerë të ndryshme fonetike; Martini i del zot gjykimit se ato janë dy grafi për të njëjtin tingull me vërejtjen që asht gjurmë e nji tradite qirilike n’ortografine e shqipes.

“Camaj, në peshimin tonë na del origjinal sidomos në punën e shtjellimit të konsonantit h që ndeshet me të madhe në Mesharin e Buzukut. Praninë e tingullit në fjalë e kërkonte te nevoja e shqiptimit t’atëhershëm të shqipes Buzukiane për ta shque mirë gjysmëvokalin ë nga vokalet e tjera të plota që në përdorjen grafike paraqiteshin njisoj”. Për këtë konstatim Profesor Ajeti i referohej studimit të Martin Camajt të botuar pak vite më parë në vjetarin “Godišnjak” të Sarajevës, bashkëpunëtor i të cilit ishte edhe ai që në fillimet e daljes së tij.

“Prania e h-së ka pas edhe nji zë tjetër që i shërbente theksimit e shqiptimit sa me të qartë të vokalevet e gjysmëvokalit pse teksti i Mesharit në shumicën e rasteve përpos që lexohej ai edhe këndohej horas në kishë, khs. veprën e zanun ngoje, f. 16”.

“Na duket që Camaj trajtimit të vokaleve nazale, sidomos lidhun me gjuhën e Buzukut i ka kushtue vend bukur të hapët. Na ha mendja që ate që rrah të spiegojë të shumtën ka qene ditë edhe përpara. Camajt, me gjithë gjase, i ka dhane shkas ta shtronte rishtas çështjen e nazalitetit tue i rezervue vend të shënueshëm papërfillja e këtij problemi nga ana e Namik Ressulit në transkribimin e Mesharit të Buzukut. (Ressuli, I1 Messale di Gjon Buzuku, Città del Vaticano, Bibloteca Apostolica Vaticana, 1958). Në tanë trajtimin e kësaj çështjeje ne na duket gjykim i matun, i drejtë e i logjikshëm ai i Camajt kur thotë: “Sono convinto che la nasalizzacione nella lingua albanese non si è sviluppata in maniera unica e con fazi identice ma adeguandosi alle particolari condizioni storiche di ciascuna parlate”, f. 20”.

“Camaj ka të drejtë padyshim kur ja zë për të madhe J. Rrotës pse ai në riprodhimin e nji pjese të Mesharit të Buzukut, kur ndeshë në vokale nazale pështetet kryekreje në shqiptimin e tanishëm të shkodranishtes, ku hasim nji mori nazalesh rend-dyta. Mirëpo, mbas mendimit tonë as shembulli aneteh (anë të), Meshari i Buzukut, 296, që na sjell Camaj nuk ka urë për ta besue që në kohën e shkrimtarit tonë të jetë shqiptue ndërhundshëm, njiherë pse as në toskënishten nuk asht përftue reduktimi i vokalit të kësaj fjale në ë, pra anë e jo enë (nënv. e I.A.). Të mbështetesh në gjendjen e sodit të gjuhës për ta ndriçue nazalitetin e shqipes të para katër shekujve nuk asht rrugë e drejtë metodologjike.

“Kur bân fjalë për disa aspekte të gjuhës së Buzukut, na mendojmë se Camaj asht në hulli të drejtë që Meshari i klasikut shqiptar nuk asht vepër individuale e nji shkrimtari të vetëm, siç e shikonte Çabej gjuhën e Buzukut. Shumë kohë para Buzukut ishin përkthye copa të tana nga Ungjilli në gjuhën shqipe që sa vete po lëmohej, përkryhej e pse përdorej nga famullitarë prej visesh të ndryshme ajo mirrte forma gjithënduersh krahinore, khs. M. Camaj, vepra e përmendun, fq.35. Camaj i del zot gjykimit që nji version i dytë pjesësh t’Ungjillit që hasen në Mesharin e Buzukut duhet të jetë përkthim i vjetër i teksteve greke, Camaj, vepra e përmendun, f. 42”.

Ajo që të bie në sy në konstatimin e parë është përkrahja që i jep në plan të parë mendimit të ri të Martin Camajt rreth autorësisë së tekstit “na mendojmë se Camaj asht në hulli të drejtë që Meshari i klasikut shqiptar nuk asht vepër individuale e nji shkrimtari të vetëm, siç e shikonte Çabej gjuhën e Buzukut”, i cili në pjesën e parë të disertacionit të doktoratës së tij theksonte se: “Buzuku mbështetet në një traditë të gjatë të shkrimit të teksteve të shenjta në shqipe dhe, nuk mund të shpjegohet ndryshe ajo përsosmëri e stilit dhe e gjuhës në të cilën janë shkruar pjesë të Ungjillit që lexohen në meshën e ditëve festive, veçanërisht ato pjesë të njohura e të komentuara besimtarëve prej klerit, sikurse janë parabolat […]. Shumë kohë para Buzukut kanë ekzistuar përkthime të Ungjijve në gjuhën shqipe dhe nëpërmjet një përpunimi të gjatë përmes përdorimit e ndërhyrjeve të kopistëve mbi këto tekste është arritur në një stil të vërtetë pikërisht shqiptar dhe, me shumë gjasa, drejt një pasurimi të kësaj gjuhe kishtare të përbashkët, e cila përfshinte forma të shumëllojshme të të folurave krahinore, prej nga vinin anëtarët e klerit katolik që përdornin një gjuhë të tillë”.

Për më tej studiuesja e re Arta Sulaj, e cila në doktoratën e saj e ka bërë krahasimin e pikëpamjeve të studiuesve për autenticitetin e Mesharit të Buzukut, veç tjerash thekson se: “M. Camaj, e fakton këtë përmes krahasimit të dy përkthimeve të së njëjtës pjesë të Ungjillit (Lu. I, 26-38) që ndodhen, e para në Officium B.M.V. dhe e dyta në Missale. Ai vëren se versioni i parë ndjek në gjithçka tekstin latin, ndërsa versioni i dytë është stilistikisht më i përpunuar, duke ndryshuar edhe ndërtimin e fjalisë. Sipas Camajt, dallimet mes dy varianteve janë shumë të theksuara për t’i konsideruar si përkthime të të njëjtit autor prej një burimi të vetëm latin. Versioni i dytë duket i lidhur me një traditë antike dhe në disa raste, nën një strukturë të shqipëruar, duket ndikimi i largët i tekstit grek”.

Çështje morfo-sintaksore

“Te Meshari i biem ndesh përveç futurit kam + infinitiv edhe nji trajtë tjetër, sajue prej do + prezenti të konjuktivit, forme kjo që mbas mendimit të Camajt do njehë futur origjinar i shqipes, f. 42-45)”.

“Në këtë punim të vetin Camaj s’e ka lanë pa e prekë edhe çashtjen e imperfektit të shqipes, tue e vështrue nga aspekti i tij morfologjik e jo nga ai sintaksor. Në trajtesën e vet Camaj imperfektin e shqipes nuk e ka rroke në tanë vijën e zhvillimit të tij historik që ta spiegonte fillin e tij të kapërthyem. Trajtimit të kësaj çashtje i ka kushtue gati dy faqe”. Këtë çështje Profesor Ajeti e kishte të njohur për faktin se e kishte trajtuar së paku dy herë gjerësisht në këtë periudhë, në disertacionin e doktoratës, të cilën Martin Camaj e kishte të njohur gjerësisht, po edhe te monografia për Historinë e gjuhës shqipe, në botimet dhe ribotimet e të cilës “e pakryemja (imperfekti)”, është diskutuar gjerësisht në dymbëdhjetë faqe të librit.

“Ne na duket që në fushën e verbeve të shqipes kemi ndryshime mâ tepër se kudo në kategoritë e tjera gramatikore marrun në fillin historik. Nuk ka dyshim se shqipja qysh në perioda të mugëta ka pas dy trajta imperfekti imperfektin asigmatik dhe nji tjetër me g që quhet sigmatik, sikur e kanë edhe disa gjuhë të tjera indoeuropiane: sllavishtja, armenishtja, greqishtja. Mbas mendimit tonë forma e imperfektit sigmatik që dëshmohet në trajtat imperfektive të foljeve ndihjore jam, kam, thom: deshe, jeshe, ish, jeshëm, jeshët, ishnë, në të folmen çamëriote, -përkah ati vjetërsia asht formë gjenetike e shqipes. Ajo na ruhet edhe në disa verbe që hasen në ligjërime toske. Mejeri në gramatikën e vet: Kurzgefasste albanesische Grammatik, fq. 39, për vetën e III t’imperfektit sjell: martonish, shkruanish, dridhish në të cilat trajta sh-ja nuk do të jetë gja tjetër veçse mbaresa imperfektive e foljes jam”.

“Kur bâhet fjalë për imperfektin sigmatik duhet vu re edhe nji gjâ që përgjithësimi i tij në shumicën e gegenishteve nuk do vendue n’atë kohë në t’cilën u caktuen trajtat e imperfektit të verbeve jam, kam, thom”.

“Edhe trajta e imperfektit asigmatik përkah lashtësia na shpie në perioda të mugëta të shqipes. Me sa po duket mbaresat e imperfektit asigmatik kanë qenë: e, e(n) te, ime, ni, inë (dridhe, dridhe, dridhish: dridhte, etj.)”.

“Nuk përjashtohet mundësia që secila kategori e foljeve të ketë pasë mbaresa të veçanta imperfekti, njashtu p.sh. grupi i -n foljeve duhet të ketë mbarue me këto mbrapashtesa: -nje, -nje, (-n) te, -njin, -njit, -njin, trajta këto që janë shortue edhe në kategoritë e tjera verbale në konsonant, madje gërshetue edhe me -n konjugacionin: ishnje (ishnja), ishnje ishte, ishnjim, ishnjit, ishnjin. E mbrapashtesat e imperfektit sigmatik që bijohen nga prezenti a tema e tij i u ngjiteshin nji pale tjetër foljesh,verbeve të -n konjugacionit sikur u përmend mâ parë”.

Rëndësia e diskutimit të huazimeve sllave

“Në kaptinën e IV mbi huazimet e hueja në shqipen e Buzukut Camaj na ka t’fillue shumë anë sidomos përsa u përket sllavizmave në Mesharin e shkrimtarit tonë. Nji send i ri që në këtë fushë studimesh na âsht bâ i njoftun asht dëshmimi i Camajt që priftënit shqiptarë që n’atë kohë mirreshin me përkthime tekstesh të shejta, bashkë me Buzukun ishin në lidhje të përhershme me traditën letrare liturgjike në gjuhën popullore kroate, khs. Camaj, në veprën e përmendun, fq.59”.

“Në përmbyllje të këtij vështrimi na nuk mund të lamë pa thanë që Camaj në studimin e vet ka rrokë disa çashtje të çenësishme t’gjuhës së Buzukut shtjellimi i të cilave i ka shpumë përpara studimet albanistike dhe na e njohim ndihmesë të randësishme në fushën e gjurmimit të klasikut shqiptar”.

Dr. Idriz Ajeti

Përfundime

Recensioni i pabotuar i Profesor Idriz Ajetit për disertacionin e doktoratës, përkatësisht veprën e Martin Camajt, I1 “Messale” di Gjon Buzuku – Contributi linguistici allo studio della genesi, edicion i “ Shjezavet”, Roma, 1960,1-89), nuk është thjesht një tekst i mbetur rastësisht në sirtarët e Profesorit, përkundrazi, sikur mund të shihet prej të dhënave tona dhe sikur mund të deklaroheshin disa nga bashkëkohësit e tij (Rexhep Qosja, Shefqet Pllana, Anton Çetta, Latif Mulaku dhe sidomos Profesor Rexhep Ismajli), hap shumë të panjohura për marrëdhëniet e tyre gjatë një periudhe prej gjysmë shekulli. Është për të theksuar faktin se Profesor Ajeti ashtu si edhe Martin Camaj, në intervistat dhe diskutimet e tyre, nuk e kanë atakuar apo cenuar në asnjë mënyrë punën e tyre, ndërkohë që pas vitit 1968 nuk i shohim të pranishëm qoftë edhe vetëm në literaturë, emrat apo veprat përkatëse.

Filed Under: Opinion

Për dashurinë që ngjizet në çast

August 21, 2024 by s p

Ambra Hysa/

Për dashurinë që ngjizet në çast, si ylli që ndriçon për herë të parë në errësirë të plotë. Shkëndijës që ndryshon gjithçka, ndjesisë që shpërthen në një takim të syve. Se sytë…janë të aftë të zbulojnë një univers të tërë në një të vetme shkëndijë.

Dashurisë, që është kimia më e fuqishme që njeriu ka njohur ndonjëherë, forcës që e hedh atë jashtë kufijve të zakonshëm, thirrjes së fuqishme që e fton të lundrojë në dete të trazuara dhe të përballojë stuhitë më të ashpra të zemrës, me shpresën se në fund do të arrijë të shijojë veç një pikë lumturie. Në këtë vallëzim me jetën, njeriu ndjen se jeton për dashurinë, për ndjesinë që çdo marrëzi e bën të duket e arsyeshme.

Dashurisë që botës i ngadalëson ritmin dhe çdo shqetësim e sfumon në pamjen e qetë që krijon kjo melodi e magjishme. Dashurisë, vetëm nëse ajo është e çmendur, e paarsyeshme, dhe shumë herë e paqartë, jashtë çdo binari, kundër çdo rregulli që mundohet të përkufizojë jetën tonë. Dashurisë…se për dashurinë ia vlen ti vjedhësh edhe yjet.

Filed Under: ESSE

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare i themeluar para gjysëm shekulli në Prishtinë zhvillon edicionin e 42-të

August 21, 2024 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 20 Gusht 2024/ I themeluar para gjysëm shekulli – 50 viteve, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, zhvilloi dje – të hënen në Prishtinë ceremoninë solemne të hapjes së punimeve në edicionin e 42-të, gjatë të cilave deri më 30 Gusht 2024 pret mëse 300 pjesëmarrës.

Hapja solemne u bë në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974. Ishte viti i Kushtetutës që avanconte të drejtat e shqiptarëve të Kosovës si element konstituiv me të drejtë vetoje, i federatës së atëhershme, nga shpërbërja e së cilës kanë dalë shtatë shtete.

Seminarit në vitin 1991 i është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme okupatore të Serbisë, që dëbuan shqiptarët nga institucionet. Në ato rrethana të Kosovës së okupuar, në vitet 1995 e 1996 sesionet e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Pas çlirimit të Kosovës – luftës së përfunduar në Qershorin 1999, nga viti 2000 Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare u rikthye në Prishtinë për të zhvilluar veprimtarinë aty ku e filloi dhe ku u themelua. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT