Ambra Hysa/
Për dashurinë që ngjizet në çast, si ylli që ndriçon për herë të parë në errësirë të plotë. Shkëndijës që ndryshon gjithçka, ndjesisë që shpërthen në një takim të syve. Se sytë…janë të aftë të zbulojnë një univers të tërë në një të vetme shkëndijë.
Dashurisë, që është kimia më e fuqishme që njeriu ka njohur ndonjëherë, forcës që e hedh atë jashtë kufijve të zakonshëm, thirrjes së fuqishme që e fton të lundrojë në dete të trazuara dhe të përballojë stuhitë më të ashpra të zemrës, me shpresën se në fund do të arrijë të shijojë veç një pikë lumturie. Në këtë vallëzim me jetën, njeriu ndjen se jeton për dashurinë, për ndjesinë që çdo marrëzi e bën të duket e arsyeshme.
Dashurisë që botës i ngadalëson ritmin dhe çdo shqetësim e sfumon në pamjen e qetë që krijon kjo melodi e magjishme. Dashurisë, vetëm nëse ajo është e çmendur, e paarsyeshme, dhe shumë herë e paqartë, jashtë çdo binari, kundër çdo rregulli që mundohet të përkufizojë jetën tonë. Dashurisë…se për dashurinë ia vlen ti vjedhësh edhe yjet.