• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2024

Shqiptarët në Luginën e Preshevës, më të diskriminuarit në Europë

August 12, 2024 by s p

Refik Hasani/

Në Evropë ne shqiptarët në Luginë të Preshevës jemi më të diskriminuarit, prandaj kemi pse të protestojmë. Më së shumti në Evropë, kemi arsye të protestojm ne shqiptarët në Preshevë, Medvegjë, e Bujanoc,pasi jemi më të diskriminuarit, si që thuhet, kemi NJË MILION E NJË ARSYE për të protestuar në mënyrë paqësore. Nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, është paralajmëruar se më datën 12 gusht, të këtij muaji në sheshin e qytetit të Bujanocit, për organizimin e një protesta paqësore gjithë popullore. Kjo protest është kundër vazhdimit të diskriminimit duke u pasivizuar adresat si një pastrim etnik në Preshevë, Medvegjë, e Bujanoc.

Protesta paqësore e paralajmëruar për t’u mbajtur në Bujanoc, është një shprehje e manifestimit, se shqiptarët në Serbi jetojn në kushtet e pushtimit klasik, u jan ekzpozuar frigës, urrejtjes, militarizimit, nën tendenca të vazhdueshme për shpërngulje, asimilim e pastrim etnik.

Protesta gjithë popullore, është një demonstrim se Serbia, vazhdon shkelje, cenim, mohim të së drejtës në përfaqësim proporcional me numrin e banorëve, aktualisht është si një ndër Rajonet më të pazhvilluara dhe më të diskriminuara në gjithë Evropën, një tretman që ka prekur kufinjtë e segregacionit.

Protesta, është një demonstrim se Serbia, vazhdon diskriminimin përmesë pastrimit etnik-pasivizimit, zhvendosjes dhe dëbimit, diskriminimin në përdorimin e Gjuhës Shqipe, të Simbolit Kombëtarë, në investime e Përfaqësime.

Protesta gjithë popullore, është një demonstrim se Serbia, jo që nuk e ka respektuar marrëveshjen e Konçulit, por i ka shtuar forcat e armatosura, paramilitare, forcat policore, Gardën Kombëtare, Policinë kufitare, Policia Ushtarake dhe shërbimet e inteligjencës, kështu aktualisht pas 23 viteve kemi,si:

I. Prezenca e forcave serbe është shtuar nëpër vendbanimet lokalitete shqiptare, të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, jan 48 MINIBAZA në Zonën Tokësore të Sigurisë, kemi militarizim të lartë,

II. Amnistia e ish-ushtarëve të UÇPMB-së nuk është respektuar, sepse pas Marrëveshjes së Konçulit shumë Ushtarë pas dorëzimit të armëve nënë mbykqyreje, monitorimi e garantimin e ndërkombëtarë jan ballafaqur e përballur me ftesa të pranura në biseda të shpeshta informative,jan keqëtrajtuar, maltretuar dhe u jan ngritur e kurdisur skenare për burgojes e arrestime,

III. Policia multietnike nuk është instaluar në përpjestim të popullatës, e as në hierarkinë komanduese në policin multietnike,

Më së shumti kemi arsye të protestojm shqiptarët në Serbi, të ndalen kurdisjet e gjygjeve politike ndaj Ushtarëve të UÇPMB-ës, që të lëvizim lirshëm dhe Beogradi të demilitarizoj dhe heqë bazat e shumta ushtarake nga vendbanimet shqiptare veçmas me zonat kufitare me Republikën e Kosovës, të cilat prodhojn pasiguri dhe presion të vazhdueshëm për shpërngulje.

Nga kjo protesta, faktori politik në Preshevë, Medvegjë, e Bujanoc, gjithnjë të jen dhe të paraqiten me kërkesa dhe qëndrim të unifikuara, të dalin sa më unik me kërkesa të harmonizuara dhe të artikuluara mirë, jo vetëm para Beogradit zyrtar por dhe para instancave e mekanizmave të BE-ës dhe OKB-ës.

Nga kjo protest, Prishtina dhe Tirana zyrtare, të jenë edhe zëri kësaj Krahine shqiptare të mbetur padrejtësisht nën Administrimin e Serbisë.

Nga kjo protesta, Beogradi zyrtar, të ndal diskriminimin në gjithë segmentet e jetës.

Nga kjo protesta, BE-ja, të ndal mos trajtimin e duhur të kësaj Krahine, dhe të duhej të mos mbështesin me dy standarde në këtë rast mbështesin pakicën Serbe në Kosovë, por po harrojn shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc që në vitin 1992, kan realizuar organizuar Referendumin, dhe ka patur të organizuar një kryengritja e armatosur dhe sakrifica për liri e UÇPMB-ës.

Por, edhe ndryshim të qasjes nga Prishtina e veçmas nga Tirana zyrtare, në raport me Preshevën, Medvegjën,e Bujanocin.

Do të duhej të kemi mbështetjen ne shqiptarët që jetojmë në Serbi edhe nga institucionet e Kosovës, dhe nga institucionet e Shqipërisë, është obligim moral, njerëzor, Kombëtarë e Shtetëror të dalin publikisht duke u deklaruar në ndaljen e diskriminimit në rritje në raport me Preshevën, Medvegjën,e Bujanocin.

Kjo protest paqësore e gjithë popullore e paralajmëruar për t’u mbajtur në Bujanoc, është një alarm, dhe një MESAZH PAQEJE edhe për BE-n, të vizitojn e rrisin prezencën dhe monitorimin duke garantuar të drejtat indviduale dhe kolektive.

Në Evropë, shqiptarët në Preshevë, Medvegjë,e Bujanoc, jemi më të diskriminuarit, prandaj do të duhej të protestojmë.

Filed Under: Rajon

SI E SHKROVA ROMANIN “NJE GRUA MIDIS DY BURRAVE” ME SHKRIMTARIN SHQIPTAR SKIFTER KELLIÇI

August 12, 2024 by s p

Nga Carrie Hooper, ShBA/

Jam nga Elmira, (New York), ShBA. Kam lindur krejtsisht e verbër, por verbëria nuk më ka penguar të jetoj një jetë të plotë me veprimtari të larmishme. Jap mësime për piano dhe kanto, jap gjuhë të huaja, këndoj në një kor, jap koncerte vokale dhe shkruaj poezi.

Interesi im për gjuhë të huaja lulëzoi në moshën 20-vjeçare, kur ndoqa një kurs të gjermanishtes në universitet. Në shkollën e mesme kisha ndjekur kurse të frëngjishtes, por në atë kohë nuk kisha shumë dëshirë për të mësuar gjuhë të huaja. Mirëpo në ditën e parë të kursit të gjermanishtes më lindi dëshira që jo vetwm ta mësoja këtë gjuhë, por edhe gjuhë të tjera. Me kalimin e viteve kam mësuar suedisht, italisht, spanjisht, shqip dhe rumanisht. Kam mësuar edhe pak latinisht, rusisht dhe finlandisht, por nuk i di mirë këto gjuhë.

Fillova të mësoja shqip, kur kisha një student nga Shqipëria në kursin tim të italishtes, të cilën e dhashë në një universitet të vogël në qytetin tim të lindjes në vitin 2008. Njohja me të ma ndezi kurreshtjen të dija më shumë për gjuhën shqipe, prandaj gjeta të vetmin libër në brail për të mësuar shqip te një bibliotekë për të verbërit në Angli.

Në fillim më ndihmoi studenti im dhe pastaj kalova dy verë me radhë duke ndjekur kurse të gjuhës shqipe tek Universiteti Shtetëror i Arizonës. Për ta ushtruar gjuhën, dëgjoja emisione radiofonike të cilat m’i inçizoi shoku im i ndjerë, Timi, edhe ai i verbër dhe profesor i gjuhëve të huaja. Më tej lexoja gazeta shqiptare si dhe vepra nga shkrimtarë dhe poetë si Migjeni, Naim Frashëri, Fan Noli, Ismail Kadare, etj. me kompjuterin tim brail.

Një prift ortodoks shqiptaro-amerikan më lidhi me shumë shqiptarë me të cilët flisja shqip në telefon, dhe u lidha gjithashtu me bashkësi shqiptare në Kanada. Mora pjesë në shumë koncerte të organizuara nga bashkësi shqiptare në SHBA dhe Kanada. Më tej dhashë intervistë për Zërin e Amerikës, për Radion “E diela në Toronto” të Kanadasë, për një kanal televiziv në New York, për “E diela shqiptare” në Tiranë dhe për një emision radiofonik në Kosovë. Veç kësaj kam përkthyer libra dhe artikuj nga shqipja në anglisht.

U njoha me Skifter Këlliçin, shkrimtar i njohur shqiptar me banim në Massechusetts, ShBA, nëpërmjet telefonit në tetor të vitit 2018, kur mora pjesë në një promovim të librit tim poetik shqip-anglisht, “Piktura në fjalë”, organizuar nga kryetari i Shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, Adnan Mehmeti, në New York. Pas një bisede të këndshme me Skifterin, shkëmbyem të dhënat tona kontakti. Pastaj nisëm të flisnim shpesh në telefon dhe shkruheshim me email, natyrisht në gjuhën hyjnore shqipe.

Romani “Një grua midis dy burrave”, ngjarjet e të cilit zhvillohen në shtetin e Kalifornisë, tregon historinë e infermierës Meri Davenport, e fejuar me shkencëtarin çarli Smith, e cila dashurohet me Kreshnik Gërmenin, biri i një shqiptari i arratisur nga Shqipëria komuniste, kur Krishniku është i vogël. Fatkeqësisht babai i Kreshnikut plagoset rëndë nga banditë duke shpëtuar jetën e një polici. Para se të vdesë, Ralph Kallagani, komandant i policëve, i premton se do ta dërgojë vogëlushin në jetimore, por nuk e mban fjalën dhe kështu Kreshniku birësohet nga Xhejms Klemensi, shoku i babait të tij, i cili është pijanec dhe kumarxhi. Kreshniku bëhet trafikant i drogave, për të shlyer një borxh të Xhejmsit. Sa më shumë e njeh Kreshnikun, aq më shumë Meri zbulon një njeri me dhunti poetike që e do edhe muzikën klasike dhe e nxit ta lërë pas jetën e filliqur të trafikimit të drogave. Plot intriga dhe të papritura, “Një grua midis dy burrave” trajton anën e ndërlikuar të dashurisë.

E falenderoj kolegun tim Skifter Këlliçi për mundësinë që më dha të shkruaja një roman me të, që rezulton të jetë bashkëpunimi i parë shqiptaro-amerikan në historinë e letërsisë shqiptare.

Filed Under: LETERSI

80 vjet nga pushkatimi nga nazistët i Av. Dr. SKËNDER MUÇO, dr.YZEIR ISMAILI (ALIMERKO) e ZAKO MEZINI

August 12, 2024 by s p

Bujar Leskaj/

12 gusht 1944-12 gusht 1994 : 80 vjet nga pushkatimi nga nazistët i Av. Dr. SKËNDER MUÇO, nacionalist i shquar antifashist, themelues dhe drejtues i Ballit Kombëtar , themelues i Partisë Socialdemokrate në 1944 dhe bashkëluftëtarëvetë tij , nacionalistëve dr.YZEIR ISMAILI (ALIMERKO) e ZAKO MEZINI.

Skënder Muço (1904-1944) ishte avokat, drejtues i lartë i Ballit Kombëtar, themelues i së parës parti Social-Demokrate dhe së bashku me Musine Kokolarin themelues i gazetës “Zëri i Lirisë, organ i kësaj partie, si një alternativë e krahut të Ballit Kombëtar, që kishte një program socialdemokrat, siç konfirmohet dhe me “Dekalogun” e Mit’hat Frashërit.

Skënder Muço, lindi në fshatin Tragjas të Vlorës në vitin 1904. I ati, Dauti, ishte luftëtar i Pavarësisë . Mbas vdekjes së të jatit u ndihmua për shkollimin nga dajoja i tij Alem Memet Tragjasi, pjesëmarrës në ngritjen e flamurit më 1912 dhe në luftën e Vlorës më 1920.

Shkollën fillore e kreu te Arbreshët e Italisë, në Shëmitër Korone të Kalabrisë, ndërsa fakultetin e Drejtësisë në Universitetin prestigjioz të Bolonjës.

U kthye në Atdhe dhe ushtroi me sukses profesionin avokat. U arrestua në vitin 1932, si pjesëtar i organizatës politike anti Zogiste, “Lëvizja e Vlorës”, bashkë me Hasan Dostin, Hysni Lepenicën dhe miq të tjerë dhe ishte aq aktiv, sa u dënua me vdekje. Falet prej një amnistie të nënshkruar nga Mbreti Zog.

Më 7 prill 1939, me prof.Isuf Luzajn dhe atdhetarë të tjerë, mori pjesë në demonstratat antifashiste organizuar në Vlorë, kundër pushtues të Atdheut.

Në fund të nëntorit 1942, Hysni Lepenica dhe Skënder Muço, formuan çetën e parë nacionaliste të Vlorës me emrin “Shqiponja”. Në krye të saj, ata morën pjesë në shumë luftëra kundër pushtuesve fashistë e nazistë, siç mund të përmendim betejën e parë masive antifashiste të Gjormit, luftën e Dukatit, të Qafën e Dushkut, në Vajzë, në Selenicë, në Gorisht, në Drashovicë, etj, ku bashkë me forcat nacionalçlirimtare, kombinuan disa herë aksione të përbashkëta e të suksesshme.

Skënder Muço ishte misionar dhe iniciator i bashkimit të forcave politike ndërluftuese. Ai, ka marrë pjesë në disa takime gjurmëlënëse dhe efektive në rrethin e Vlorës me të tjera forca nacionaliste si dhe me përfaqësuesit e Nacionalçlirimtares. Skënderi, për shumë kohë, ishte kreu i Ballit Kombëtar për Vlorën dhe pjesëtar i këshillit organizativ kombëtar. Në këtë pozicion u thërrit në Konferencën e Pezës dhe mori pjesë aktive në Konferencën e Mukjes dhe në takime të tjera historike.

Merita më e madhe e Skënder Muços qëndron te fakti se ai ishte koordinator i Ballit Kombëtar me Aleatët e Mëdhenj Antifashistë, sidomos direkt me misionin anglez të Anton Ruejlit dhe me misionin e Togerit amerikan Tomas.

Në Konferencën e Mukjes Skënder Muço , si përfaqësues i Vlorës dhe Ballit Kombëtar ishte një zë i fuqishëm, që dha një ndihmesë të çmuar për arritjen e marrëveshjes dhe të krijimit të Komitetit për Shpëtimin Kombëtar, në të cilin u zgjodh anëtar. Dr.Skënder Muço frymëzoi e drejtoi disa beteja të përbashkëta të forcave nacionaliste dhe nacional çlirimtare kundër pushtuesve italianë e gjermanë.

Avokat Skënder Muço, së bashku me dy bashkëluftëtarët që e shoqëronin kudo që shkonte, dr.Yzeir Ismaili dhe Zako Mezini, kapet me pabesi dhe arrestohet nga gjermanët, më 10 gusht 1944, në Urën e Izvorit,Orikum.

Ai u ekzekutua dyditë më vonë , më 12 gusht 1944,pranë fshatit Bubullimë të Lushnjës.

Ndërkohë edhe vëllai i tij me nënë, Xhevit Mëhilli nga Dukati, i diplomuar gjithashtu në Itali ishte një nga drejtuesit dhe themeluesit e Ballit Kombëtar në Vlorë. Për aktivitetin e tij partiotik pas vitit 1944 u dënua me burg të gjatë nga komunistët.

Skënder Muço ishte i njohur si një nga njerëzit e besuar të anglo-amerikanëve dhe njeriu i ngarkuar për të organizuar mbështetjen e shqiptarëve, sidomos në zonën e Tragjasit- Dukatit e Vlorës për zbarkimin e aleatëve. Ai në atë kohë gëzonte një popullaritet të madh në zonë dhe ishte i pranueshëm nga të gjitha palët, komunistë e nacionalistë. Ishte koha kur misionet po përgatisnin kryengritjen e përgjithshme kundër gjermanëve dhe në Jug të vendit, avokat Skënder Muço ishte i përzgjedhuri i tyre për faktin se ishte i aftë politikisht, zotëronte disa gjuhë të huaja, kishte mbështetje në popull, ishte për bashkim kombëtar e luftë të përbashkët kundër gjermanëve.

Në shkurt të vitit 1944, Skënder Muço, u jep një projekt marrëveshje të shkruar, oficerëve britanikë në Shqipëri. Ai takon majorin Antoni Kuell në Dukat, ku ai kishte shtabin, dhe i kërkoi që këtë marrëveshje ta dorëzonte në komandën ushtarake të Aleatëve në Kajro. Skënder Muço kërkoi gjithashtu që të udhëtojë drejt Kajros për të finalizuar marrëveshjen. Kjo marrëveshje përmban disa pika mjaft interesante. Balli Kombëtar kërkonte nga britanikët që ata të siguronin pavarësinë e Shqipërisë pas lufte dhe në këmbim, ata ofronin gjithë mbështetjen e tyre ushtarake për të luftuar gjermanët, madje nën komandën e oficerëve britanikë.

Propozimi i Skënder Muços kishte këtë përmbajtje:

1-Pavarësinë e Shqipërisë pas luftës.

2-Marrjen e ishullit të Sazanit.

3-Pagesat e dëmeve të luftës nga italianët.

4-Përjashtimin e trupave italiane dhe greke nga operacionet në Shqipëri.

5-Ndihmë për Shqipërinë pas luftës.

Skënder Muços iu tha gojarisht nga anglezët se politika jonë është të ndihmojë këdo që do t’u rezistojë gjermanëve.

Marrëveshja u shqyrtua nga zyra politike e aleatëve në Kajro dhe iu nis për miratim edhe Ministrisë së Jashtme Britanike.

Lufta e Dytë Botërore, e përfshiu të gjithë popullin shqiptar. Ajo shërbeu si një filtër i madh social, ku klasat dhe shtresat e ndryshme të shoqërisë shqiptare u diferencuan qartë përballë luftës kundër pushtuesit nazifashist, për çlirimin dhe rivendosjen e pavarësisë së shtetit shqiptar.

Qysh në orët e në ditët e para të pushtimit, në krah të pushtuesit italian u evidentua qartë grupimi i kuislingëve dhe i kolaboracionistëve, por duhet theksuar se pjesa më e madhe e forcave balliste, që drejtoheshin nga Hysni Lepenica, Abaz Ermeni, Safet Butka, Muharem Bajraktari, Skënder Muçoetj, vazhduan luftën edhe kundër pushtuesve gjermanë.

Avokat Skënder Muço, ishte njëkohësisht antikomunist, po dhe antifashist e antinazist (deri sa ata e vranë). Ai e donte Shqipërinë e Lirë me Kosovë e Çamëri dhe me drejtim perëndimor, sipas vendimeve të proklamuara prej tij në Konferencën e Mukjes.

Janë këto arsyet që Skënder Muçon e nderojnë dhe e respektojnë në mbarë vendin dhe akoma më shumë Vlorë ,në fshatin e tij Tragjas , fshatin e dëshmorëve dhe në gjithë Labërinë.Ai, i pushkatuar nga pushtuesit Gjermanë, me të drejtë legjitime është shpallur dhe vendosur në listën e dëshmorëve të luftës për Atdhe, mbas fitores së demokracisë 1992.

Në 1994 qeveria Meksi i shpalli Dëshmorë të Atdheut të zre nacionalistët e pushkatuar nga nazistët dhe presidenti Sali Berisha e nderoi av.dr.Skënder Daut Muço , në gusht 1994 ,me titullin më të lartë “Urdhri i Flamurit kombëtar i klasit I”, me motivacionin: “Për merita të shquara në luftën për bashkimin dhe lartësimin e kombit, për unitetin kombëtar, lirinë dhe përparimin e atdheut!”

Këtë vit 2024, në përkujtim të 80 vjetorit të ndarjes nga jeta dhe 80 vjetorit të çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë,studiuesi i njohur e i apasionuar pas figurave e ngjarjeve të shquara historike e nacionaliste ,luftëtari i dritës në demokraci ,z.Enver Memishaj –Lepenica autor i disa librave për heroin Hysni Lepenica , Luftën e Vlorës 1920 dhe organizatat e ngjarjet në Luftën antifashiste 1939-1944, ka përgatitur dhe së shpejti do botojë librin studimor mbi aktivitetin patriotik të Av. Dr. Skënder Muço.Mbi bazën e këtij libri(draft) kam përgatitur këtë postim modest më 12 gusht 2024, datën/ditën përkujtimore.

Vlora, ky qytet me histori të madhe kombëtare i ka borxh të madh Heroit antifashist , nacionalistit demokrat, intelektualit properëndimor avokat dr.Skënder Muço.

Brenda muajit tetor “Instituti i Studimeve Politike “Ismail Qemal- Vlora” do të organizojë një akademi përkujtimore për jetën dhe veprën e luftëtarit antifashist

dr.Skënder Muco dhe dëshmorëve të atdheut dr.Yzeir Ismail Alimerko e Zako Mezini.

Të paharruar përjetë luftëtarët e lirisë dhe demokracisë !

Filed Under: Kronike

GJUHË SHQIPE DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË SELANIK TË GREQISË

August 12, 2024 by s p

Lindita Budini, mësuese në kursin plotësues të gjuhës shqipe, nismë e shoqatës “Nënë Tereza” në Selanik, Greqi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Selanik, Greqi, nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, historisë, traditës e kulturës shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Lindita Budini bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.

SHOQATA “NËNË TEREZA” DHE NDIHMA NË ZHVILLIMIN E KURSIT PLOTËSUES TË GJUHËS SHQIPE NË SELANIK

Kursi plotësues i gjuhës shqipe ka qënë një nismë e shoqatës “Nënë Tereza” qysh në fillimet e saj para 20 vjetësh me mësimdhënie falas të gjuhës shqipe tek fëmijët e emigrantëve shqiptarë nga mësues vullnetarë emigrantë. Mësimet zhvillohen në ambientet e Universitetit “Aristoteli” (Fakulteti Pedagogjik), çdo të shtunë 15.00 – 17.00. Gjatë aktivitetit tonë numërojmë kurse mësimore edhe në zona të tjera. Nea Redhesto, Janica, etj. Mbi 1000 fëmijë kanë ndjekur mësimet gjatë këtyre 20 viteve.

KURRIKULA MËSIMORE, ANGAZHIMI I MËSUESVE E PRINDËRVE

Sigurisht që në 3 vitet e fundit punojmë me tekstin Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare, i dërguar nga Qendra e Botimeve për Diasporën(QDB). Është një libër me të cilin mësuesit dhe nxënësit gjejnë kënaqsi ndërsa shfletojnë cdo faqe dhe mësojnë gjuhën tonë të bukur. Gjithashtu mësuesit përdorin dhe shumë materiale të tjera që i gjejnë nga jeta e përditshme ose interneti duke e sjellë Shqipërinë tonë të dashur më afër. Është për t’u përmendur që mësueset e shoqatës mbajnë kontakte me koleget e tyre në Shqipëri dhe gjithmonë kemi risi në organizimin jo vetëm të mësimit po edhe në festat kombëtare ku përgatitim një program kulturor dhe argëtues me pjesmarrje jo vetëm të anëtarëve të shoqatës po edhe autoriteteve. Përsa i përket teknologjisë, duke qënë se internet është burim informacioni, mësueset përpiqen të sjellin në klasë muzikën ose këngët shqiptare të ofruara në youtube, pjesë teatrale, filma, lexime dhe programe kur nxënësit pregatiten për festat. Përvec kësaj, nxënësit na tregojnë video që kanë realizur gjatë kohës që vizitojnë Shqipërinë. Gjithashtu organizimi i bisedave të hapura dhe seminareve me tema mbi emigracionin, mësimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe janë pjesë e aktivitetve të shoqatës. Patjetër që organizimi i ekskursioneve me nxënës, prindër dhe anëtarë të shoqatës me qëllim argëtimin dhe zbavitjen e të gjithëve në një ambient 100% shqiptar është tashmë traditë e shoqatës “Nënë Tereza.

MËSIM SHQIP NË UNIVERSITETIN “ARISTOTELI”

Për fatin tonë të madh, ambientet ku ne zhvillojmë kursin plotësues të gjuhës shqipe janë mjaft të përshtatshme. Kështu që u jemi shumë falenderues autoriteteve të universitetit Aristotel që çdo tetor na pranojnë që të zhvillojmë mësimin në kushte normale. Janë krijuar ura bashkëpunimi pasi shpesh herë nxënësit, prindërit madje dhe mësueset janë bërë pjesë e studimeve të dy gjuhësisë që Fakulteti i gjuhësisë zhvillon. Në vija të përgjithsme të mësuarit e gjuhës shqipe pritet mirë nga shoqëria greke. Madje ka interes të dukshëm dhe nga qytetarë grekë që duan të mësojnë shqip. Mësuesit grekë e mësojnë shqipen pasi duan të ndihmojnë nxënësit shqiptarë sepse shkollat greke kanë një numër të madh fëmijësh shqiptar. Përsa i përket shoqatave vihet re një bashkëpunim i mirë dhe inkurajues pasi çdo shoqatë përpiqet të hapë kurset e veta për mësimin e shqipes tek anëtarët e saj. Kështu që kurset e gjuhës shqipe janë të përhapura në disa rrethina të Selanikut.

EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE

Nuk mund të them që frekuentimi nga nxënësit është shumë i madh. Këtu nuk do ti hedh shumë faj prindërve që nuk i sjellin në kurse, pasi ambientet ku zhvillohet mësimi janë larg nga zonat ku banojnë, por do të doja që secili nga ne të ndërgjegjësohet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe të identitetit kombëtar që kemi. Nxënësit që kemi tani janë brezi i tretë i emigrantëve shqiptarë ne Greqi, të cilët duke qënë se kanë lindur në Greqi ndihen grekë dhe janë të detyruar të integrohen në shoqërinë greke. Po ajo që do doja që këta fëmijë ta konsideronin të mësuarin e gjuhës shqipe jo vetëm sepse është gjuha e prindërve të tyre po është gjuha që na lidh me kulturën dhe na jep identitetin. Ashtu si një pemë me rrënjë të thella që i qëndron çdo stuhie, dhe për ne shqiptarët kudo që jemi, të jemi krenarë për t’u përgjigjur në gjuhën tonë pasi është gjaku dhe shpirti ynë. Në gjuhën tonë të bukur shqipe mendimet dhe ndjenjat marrin formë dhe rriten.

SEMINARI MBARËKOMBËTAR ME MËSUESIT E GJUHËS SHQIPE DHE TË KULTURËS SHQIPTARE NË DIASPORË

Është hera e dytë që marr pjesë në Seminarin mbarëkombëtar me mësuesit e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë. Është kënaqësi kur mësues të gjuhës shqipe nga gjithë diaspora ndajnë eksperiencat e tyre në këtë mision fisnik. Në të katër ditët e seminarit mësuesit dëgjuan kumtesa nga ekspertë të fushës së gjuhësisë, morën pjesë në punëtoritë ku u prekën cështje të rëndësishme në përmirësim të mësimdhënies, dhe u inkurajuan më shumë se përkrahja e qeverisë nuk do tu mungojë pasi në seminar patëm nderin të kishim prezent dhe autoritete nga qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë, Kryeministri i Kosovës z. Albin Kurti, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci si dhe Ministrja e Arsimit dhe Sporteve të Shqipërisë, znj. Ogerta Manastirliu.

KUSH ËSHTË MËSUESJA LINDITA BUDINI?

Kam lindur në qytetin e Fierit. Pasi mbarova shkollën e mesme kam studiuar në Universitetin Aleksandër Xhuvani, Elbasan, ku jam diplomuar për mësuese Histori- Gjeografi. Qysh kur isha e vogël doja të isha mësuese, kështu që ëndrra u bë realitet pasi mbarova studimet. Në fakt për shumë pak kohë kam dhënë mësim si mësuese Historie dhe Gjeografie, pasi duke qënë se kisha Certifikatë të mbrojtjes së gjuhës angleze nga Universiteti i Tiranës fillova të jepja mësim anglisht në Qendrën Sociale Murialdo, dhe në qendrat e gjuhëve të huaja “Victory School”dhe “English Corner”. Kam marrë pjesë në shumë seminare trajnimi të gjuhës angleze të cilat kanë ndikuar pozitivisht në zhvillimin tim profesional.
Në vitin 2017 kam ardhur në Selanik jo si emigrante pasi bashkëshorti im është shtetas grek. Nuk mund të harroja profesionin tim kështu që bashkohem me mësuesit e tjerë vullnetarë të gjuhës shqipe këtu në Selanik, në fillim te shoqata “Jeta” dhe në keto 4 vitet e fundit ne shoqatën “Nënë Tereza”. Grupi i fëmijëvë të cilëve u jap mësim fillojnë në tetor njësinë e dytë të Nivelit të parë të librit “Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare”. Kemi krijuar një rreth miqësor dhe me prindërit e fëmijëve pasi së bashku festojmë ditëlindje ata na nderojnë gjithmonë me pjesmarrjen e tyre në çdo aktivitet që kemi. Në 2010 jam çertifikuar si Youth Worker nga Youth Link në Belfast, Irlanda e Veriut. Në vitin në 2020 u diplomova nga Sheffield University PostGraduate Diploma në “Applied Linguistics with TESOL” me qëllim që të përmirësoja aftësitë e mija në mësimdhënien e gjuhës angleze dhe në vitin 2022 kam frekuentuar shkollën e verës për “Migracioni dhe Kriza e Solidaritetit në Evropë”, organizuar nga CITY College dhe Universiteti York Europe Campus. Aktualisht punoj si mësuese anglishteje e vetëpunësuar. Kështu, profesionalizmi im në mësimdhënien e gjuhës angleze më ndihmon në mësimdhënien e gjuhës shqipe. Dhe jo vetëm kaq, ka nxitur në mua dëshirën që njohuritë që kam ti ndaj me koleget e mija, shtysë që më dërgoi të merrja pjesë dhe në dy seminaret e fundit duke prezantuar në sesionet e seminarit. Jam anëtare prej 3 vitesh e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë të Greqisë.

Filed Under: Opinion

ARTI SI TERAPI, RIGJENERIM SHPIRTËROR, PSIKOLOGJIK DHE EMOCIONAL

August 11, 2024 by s p

Artistja kontemporane Erketa Premti vjen në një rrëfim të pazakontë për “Diellin” e “Vatrës” në New York, ajo shpjegon fuqinë e artit si terapi, magjinë e artit krijues si shprehje e ekperiencës, thellësive e fshehtësive të qënies njerëzore, artin si rigjenerim shpirtëror, psikologjik dhe emocional, artin si shpëtimtar i mëndjes dhe shpirtit, artin si komunikim profesional e shpirtëror me audiencën, zhanrin e krijimit të saj artistik, artin bashkëkohor dhe nudot. Me artisten Erketa Premti bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.

“ARTI ËSHTË SI MJALTI I DEPOZITUAR I SHPIRTIT TË NJERIUT”

Diku kam lexuar një thënie ku thuhet: “Arti është si mjalti i depozituar i shpirtit të njeriut” që do thotë se arti është një formë shprehjeje e eksperiencave më të thella dhe të fshehura të njeriut. Me ka mbetur në mendje si thënie se diku në këto fjalë gjeta vetën! Një “mjalt i depozituar” brenda meje që ëmbëlsia e të cilit nuk ishte depërtuar e “shijuar” në kaq vite të jetës sime fëminore, rinore dhe madhore. Gjithçka filloi në dhjetor të vitit 2021 ku Covid-19 më “goditi” si shumë e shumë nga ne! Po them me pak fjalë zanafillën e kësaj historie, si gjithmon çdo histori e ka një filllim!

ARTI SI RIGJENERIM SHPIRTËROR, PSIKOLOGJIK DHE EMOCIONAL

Dikur një zonjë e huaj që kam takuar rastësisht në një nga profesionet që kam ushtruar në Michigan për disa vite, kishte kaluar kancer në gji. Në komunikim e sipër një nga pyetjet e mia ndërmjet miqsh që i bëra ishte si e përballoi psikologjikisht dhe emocionalisht lajmin e diagnozës. Përgjigja e saj ishte që mjeku i kishte këshilluar të fillonte diçka që ka pasur dëshirë fëmijë dhe pse nuk ishte ushtruar me pas për të evituar marrjen e antidepresantëve…dhe si fëmijë tha ajo gjëja e parë që fillojmë të bëjmë përpara se të shkruajmë e mesojmë alfabetin janë “vizatimet” në letra dhe pse talent në pikturë nuk mbaj mend të kem pasur. Kështu që mendimi i parë që me erdhi në mendje ishte pikërisht “vizatimet” e rrëmujshme të fëmijërisë kështu që mora një laps e një letër dhe fillova të vizatoja pa ditur se ç’po vizatoja. Fillova ngadalë me një gjethe dhe gjethja u bë lule (punët e saj ishin vetëm lule si në ëndrra)..nga letra në telajo, nga një tërapi u kthye në hobi dhe nga hobi në pasion dhe më pas më tregoi disa nga punët e saj sa që u mahnita dhe e tërë historia e saj më la gjurmë të fuqishme brenda qënies sime. Një ditë të bukur, mbas disa muajsh më vjen përsëri, e lumtur për faktin që ishte shëruar plotësisht, më drejton një pako të mbështjellë me shumë modesti, -për ty më thotë, e hapi dhe shoh një “fletore” me letra vizatimi 8×10, një kuti me bojëra uji dhe 2 penela dhe me thotë në momente të vështira që uroj kurrë mos ti kesh, hapi dhe fillo pikturo. Ti kurrë nuk e di kapacitetin që ke për të bërë diçka të bukur deri në momentin që e bën. E mora me shumë e përlotur për zëmergjerësinë dhe mendimin e mirë sesa me idenë për të ushtruar diçka, aq më shumë art.

ARTI SI SHPËTIMTAR I MËNDJES DHE SHPIRTIT

Që prej asaj dite 7 vite kaluan deri në dhjetori 2021 që më solli atë “momentin” e vështirë që ajo dikur e “predikoi” me frikën dhe panikun e panjohur të së njohurit Covid-19 kërkoi “dhuratën” e futur diku mes kujtimeve të mbuluara nga pluhuri i kohës dhe nxjerr atë që më vonë e quajta në vetvete shpëtimtarin e mendjes dhe të shpirtit. Ashtu e rrënuar e pafuqishme fillova të pikturoj diku një qënush të vogël ditën tjetër një njëri të “përhumbur” dhe pastaj një derbi lady kur pashë çfarë ishte fshehur brenda meje për kaq shumë vite. Dëshira për të vazhduar pikturën harroi dhe Covidin që pak ditë më parë kishte zaptuar gjithë qënien time. Pra ky “mjalti i depozituar” në qënien time po fillonte të jepte shijen e ëmbël të diçkaje të bukur që po dilte në pah nga thellësia ku ishte fshehur!

ARTI SI KOMUNIKIM PROFESIONAL E SHPIRTËROR ME AUDIENCËN

Pak nga pak fillova të ndaja punët e mia artistike si fillim me mikeshat e mia më të afërta dhe kolegët e punës sime, merrja çdo mendim dhe kriticizëm si një njëri i etur për ujë në mes të shkretëtirës kur shikon ujë për hër të par mbas kaq kohësh. Pastaj fillova të ndaj punën time në Social Media. Aty pastaj platforma është shumë më e gjerë dhe mendimet dhe opinionet filluan të buronin dhe nga artista amator dhe professional. I dëgjoja mendimet, kritikat dhe vlerësimet e tyre me përulësi, të cilat më kanë vlejtur dhe vazhdojnë të më vlejnë si një shkollë arti në vetvete. I marr opinionet dhe mendimet nga të gjithë me shumë dëshirë e respekt, se nga to mësoj dhe vazhdoj të mësoj çdo ditë në krijimtarinë time.

ZHANRI KRIJUES ARTISTIK: ARTI BASHKËKOHOR DHE NUDOT

Zhanri im krijues është arti bashkëkohor ku inkludohet në disa nga punët e mia edhe nudo! Bukuria femërore është ekzistenca e humanizmit! Në punët e mia spikatën larmia e ngjyrave, konturet që shoqërohen me detaje që janë karakteristikë e imja dhe në natyrë. Disa nga punët e mia janë frymëzuar nga jeta personale, gjithashtu nga disa mikesha të miat përsa i përket artit nudo, gjithashtu inspiruar dhe nga artistë të mëdhenj si për shembull Patrick Nagel, piktor i viteve 80 që ka vdekur në moshën 38 vjeçare ku sot e kësaj ditë veprat e tij kanë një vlerë shumë të lartë monetare, normal dhe i paarritshmi Van Gogh. Përsa i përket artistëve shqiptarë me tërheqin shumë punët e Artur Muharremit, Artur Gorishtit, Berta Xhomo, Artur Alija e shumë të tjerë.

KRIJIMTARIA ARTISTIKE SI PASION I “ÇUDITSHËM”…

Krijimtaria për mua është jo vetëm si një terapi dhe hobi tashmë po është kthyer dhe në një pasion të “çuditshëm”. Them të çuditshëm se ka pasur netë që nuk kam pasur gjumë, fantazia dhe dëshira për të shprehur atë që kisha brenda vetes ka qenë e pandalshme. Dhe kur pata momentet më të vështëira të jetës nga një problem shëndetësor, ku pagjumësia që sillnin dhimbjet e papërballueshme dhe për të eleminuar ilaçet e dhëna nga mjeku, kam punuar deri në orët e para të mëngjesit për të “harruar” dhimbjet dhe për të “trajtuar” anën psikologjike që sëmundja të përballë. A ndodhë ndonjëherë “mosbesimi” ke vetvetja? Normal që ndodhin “dilemat”, dikur kam lexuar përsëri një thënie ku thuhet “çdo artist ka qënë dikur amator” dhe gjithashtu i madhi Van Gogh dikur ka thënë: “Nëse ti dëgjon një zë brenda teje që të “thotë” që ti nuk je piktor atëherë me gjithë forcën dhe sigurinë tënde pikturo dhe do shikosh që ky zë brenda teje do të heshtë”. Gjithmonë, duke pasur parasysh kokat e mëdha të artit në këtë zhanër motivimi dhe dëshira nuk do mungojë. Normal që perfeksioni vjen me praktikë, unë nuk jam profesioniste gjithashtu as shkollë në këtë fushë nuk kam bërë, po di të them një gjë që për momentin po shijoj bukurinë e atij “mjalti” të fshehur brenda meje që u përmend pak më sipër dhe sadisfaksioni që unë marr prej saj është një legaci që unë do lë në telajo…përgjithmonë.  

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT