• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2024

URA E IBRIT, SIMBOL I SOVRANITETIT TË KOSOVËS

August 10, 2024 by s p

Çdo tentim nga kushdo për të penguar hapjen e urës mbi Ibër, për qarkullim të automjeteve në qytetin e Mitrovicës është kundër sovranitetit e integritetit të Kosovës. Andaj në këtë drejtim duhet të reflektojnë edhe nga BE për të realizuar në praktikë marrëveshjen e dates 2 shkurt të vitit 2016, e jo duke pasur qasje të njëanshme, duke e favorizuar Serbinë, e cila si më parë edhe tash vazhdon për të qenë faktor destabilizues në regjion, sepse urat bashkojnë qytetin, ku rasti i Mitrovicës ka një mision të tillë, jo vetëm për qytetin por për tërë qytetarët e Kosovës.

Nail Draga

Në këto ditë vere me temperatura të larta qytetarët e Kosovës për të parën herë pas luftës shijuan dhe shfrytëzuan ujin në liqenin e Ujmanit, duke dëshmuar gadishmëri për lëvizje të lirë edhe në këtë territor qe më parë ishte i pa realizueshëm, ndërsa idea nga ana e Qeverisë për hapjën e Urës mbi lumin Ibër për qarkullim të makinave është mirëpritur nga qytetarët e Kosovës. Por, nga ana tjetër ka irrituar ndërkombëtaret, të cilët nuk e mbeshtesin një ide të tillë, duke theksuar se ajo duhet të zgjidhet përmes dialogut, nga del se ata vazhdojnë me qendrim të njëanshëm si më parë në favor të Serbisë, e cila dëshiron të fitojë në kohë, duke harruar se çështja e urës është çështje e brendshme e Kosovës

Konsolidimi i qeverisjës në veri

Në kohën kur Qeveria e Kosovës ka arritur të qetësojë situatën në veri nga veprimi aktiv i bandave dhe krimineleve serbë, duke qenë e pranishme institucionalisht, ku edhe popullata vendore serbe ka pranuar targat e Kosovës për makina, ka eliminuar dinarin si mjet pagese, po ashtu janë pajisuar edhe me dokumente të identifikimit(letërnjoftime, pasaporta, patent të shofereve), qarkullimi i qytetarëve dhe shfrytëzimi i ujit të Ujmanit etj., idea për hapjën e urës mbi lumin Ibër ka irrituar ndërkombëtarët , të cilët reaguan mënjëherë.

Ishin pikërisht ambasadorët e QUINT-it të cilët shkuan të premten(2 gusht)në zyrën e kryeministrit A.Kurti, duke i shprehur paknaqësinë e tyre se „në konsultim me NATO-n ura mbi Ibër nuk bën të hapët, sepse ajo është çështje e dialogut në mes Kosovës e Serbisë“.

Qeveria për hapjen e urës

Mediat informuan se pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe BE-së, Kurti ka thënë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë.

“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se ‘rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim’. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.

Kurti ua ka paraqitur ambasadorëve planin e Qeverisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër, që sipas tij “parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”.

Kurti ka shtuar se Qeveria është për lëvizje të lirë dhe për të simbol është ura e Ibrit.

“Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian. Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë”.

Ura s’duhet të jetë temë në dialog, Vuçiqi s’ka pse të pyetet

Në lidhje me këtë çështje presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se çështja e urës së Ibrit nuk duhet assesi të jetë temë e dialogut me Serbinë, duke thënë se kjo do të ishte shkelje e sovranitetit, integritetit territorial dhe kushtetutshmërisë së Kosovës.

Osmani i reagoi Bashkimit Evropian që të enjten u shpreh se çështja e hapjes së urës duhet të trajtohet në dialogun në Bruksel me Kosovës dhe Serbisë. Ajo ka thënë në Facebook se presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nuk ka çka pyetet “se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës”.

Për presidenten, dialogu i vetëm që duhet të bëhet është brenda Kosovës mes institucioneve dhe partnerëve “që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës”.

“Çështja e urës nuk duhet assesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë”.

Ura çështje e brendshme e Kosovës

Nëse rastësisht ura do të ishte ne kufi të Kosovës me Serbinë atëherë do të ishte një situate tjetër, sepse për hapjen e saj duhet të ekzistojë mirëkuptimi nga të dyja palet. Por, pasi kemi të bëjmë me urën e cila është në brendësi të Kosovës, atëherë nuk ka dilemë se ura është çështje ekskluzive e brendshme e Kosovës. Çdo trajtim tjetër është përzierje në punët e brendshme dhe sovranitetin dhe integritetin e Kosovës. Pikërisht duke marrë parasysh këtë pozitë të urës e cila deri më tash paraqet simbol të ndarjës së qytetit nga QUINT-i dhe BE duhet të japin kontributin e tyre në favor të hapjës së saj e jo duke refuzuar me arsyetimin e kjo duhet të zgjidhet në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke favorizuar Serbinë e cila dëshiron të fitojë në kohë, për qellimet e veta në veriun e Kosovës.

Heshtja e cila vret

Nga ana tjetër duhet cekur se ndarja e Mitrovicës në veri-jug është veprim perfid i faktorit ndërkombëtar(NATO) në qershor të vitit 1999, ku ura mbi Ibër është bërë nyja ndarëse nga ajo kohë e deri më tash. Nuk ka dilemë se një veprim i tillë është bërë me skenar e regji nga NATO e KFOR-i duke vendosur barrikadat në urë dhe penguar shqiptarët për të shkuar në shtëpi të tyre në veri.

Por përmasa të veçanta situata mori me 3-4 shkurt 2000, kur formacionet kriminale serbe të drejtuar nga “Rojat e Urës”, filluan aksionin e spasztrimit etnik të veriut të Mitrovicës nga shqiptarët.Ndonëse ngjarjet kanë ndodhur para syve të të pjesëtarëve francezë të KFOR-it, nga dhuna serbe uvranë 10 shqiptarë dhe mbi 100 janë plagosur, ndërsa u dëbuan nga shtëpitë e tyre me dhunë 11.364 shqiptarë, duke e spastruar etnikisht veriun e Mitrovicës. Për këtë masakër kundër shqiptarëve askush nuk ka dhënë përgjegjësi, ndërsa nga QUINT-i dhe KFOR-i kanë heshtur!

Në vend qe këto çështje të trajtohen me seriozitet dhe autorët e këtyre veprave kriminale të sillën para drejtësisë, nga QUINT-i paralajmërojnë se ura mbi lumin Ibër nuk bën të hapët sepse ajo është çështje e dialogut Kosovë-Serbi.

Ura e hapur eliminon simbolin e ndarjës

Nuk ka dilemë se institucionet e Kosovës janë për koordinim me BE-në për çështje të dialogut me Serbinë, por çështjet të cilat janë ekskluzive të brendshme të Kosovës, ku bënë pjesë edhe ura e Ibrit nuk duhet të presin përfundimin e dialogut, sepse Serbisë nuk i intereson dialogu por do të fitojë në kohë për qellimet e tyre politike, ndërsa ura e hapur eliminon simbolin e ndarjës ndërmjet shqiptarëve e serbëve dhe garanton qarkullimin e lirë të qytetarëve në këtë qytet.

(Gusht 2024)

Filed Under: Ekonomi

SHKOLLA SHQIPE “DARDANIA”, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TË SHQIPTARËT NË MONTREAL TË KANADASË

August 10, 2024 by s p

Valbona Ahmeti, mësuese në shkollën shqipe “Dardania” në Laval, Montreal, Kanada, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Montreal, Kanada, nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, historisë, traditës e kulturës shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Valbona Ahmeti bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE “DARDANIA” NË MONTREAL

“Shenja e kombësisë është gjuha. Çdo komb mbahet nga gjuha. Kur një komb e humb gjuhën, humb dhe vetën” – Sami Frashëri. Në qytetin e Montrealit shkolla shqipe ekziston pothuajse 20 vjet. Shoqata Kulturore Shqiptare në Montreal e ka mundësuar hapjen e shkollës shqipe edhe pse është përballë me shumë sfida ekziston akoma. Në atë kohë shumica e shqiptarëve banonin në qytetin e Montrealit, jo larg qendrës dhe kishin mundësi t’i dërgonin fëmijët në shkollën shqipe. Tani numri i komunitetit shqiptar është rritur dhe është shpërndarë edhe në periferit e Montrealit. Prandaj Shoqata Shqiptare Kosova në Montreal mundësoi hapjen e shkollës shqipe “Dardania” në qytetin e Lavalit, ku janë frekuentuar një pjesë e madhe e komunitetit shqiptar. Kështu që më kërkuan që unë të jem mësuesja dhe pranova me kënaqësinë më të madhe. Nxënësit janë të moshave të ndryshme 5 deri në 13 vjeç kështu që tani jemi dy mësuese.

MBËSHTETJA NGA MINISTRIA E ARSIMIT TË KOSOVËS DHE SHQIPËRISË

Ministria e Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë kanë bashkëpunuar duke nxjerrë libra adekuate për shkollat shqipe në diasporë kështu që na ndihmojnë të zhvillojmë një mësim të mirëfilltë me nxënësit tanë. Dua të theksoj se pa ndihmën e prindërve kjo punë nuk mund të japë rezultate të mira. Po ashtu hasim në vështirësi si: largësia, mungesa e kohës për prindërit por edhe mungesa e fondeve e vështirësojnë zhvillimin e shkollës shqipe. Për ta mbajtur gjuhën shqipe ndër breza gjallë se cili duhet të kontribuojë në mënyrën e vet, qoftë me koncerte, valle, kurse apo aktivitete të tjera kulturore. Krahasuar me numrin e nxënësve shqiptar që i vijojnë mësimet në shkollat kanadeze një numër mjaftë i vogël i ndjekin mësimet në shkollën shqipe gjë që është e dhimbshme.

GJUHA SHQIPE, MISHËRIM I KOMBIT

Që ta ruajmë gjuhën shqipe në mërgatë duhet të mishërohemi kombëtarisht. Sigurisht se gjuha shqipe kudo në botë na identifikon si shqiptar dhe duhet të jemi krenar për gjuhën tonë të bukur që kemi, për flamurin dhe traditën shqiptare, prandaj duhet t’i duam dhe t’i ruajmë! Gjuha shqipe është si urëlidhëse me atdheun dhe konsiderohet si bazë e forcimit të identitetit kombëtar shqiptar. Fëmijët shqiptar në diasporë kërkojnë një vëmendje të veçantë për trashëgimin e gjuhës, kulturës shqiptare, çka që na bënë të kuptojmë se kjo është një sfidë dhe përgjegjësi e lartë.

GJUHA SHQIPE PASQYRË E KULTURËS SË KOMBIT

Dua t’a theksoj thënien e të madhit Eqrem Çabej: “Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij”. Shoqëria kanadeze e mirëpret mendimin tonë dhe na e kanë ofruar klasën dhe mjetet që na ndihmojnë të zhvillojmë mësim të mirëfilltë. Kur flasim për kontributin e shqiptarëve deri më tani është mjaft i zbehtë por shpresoj se do të përmirësohet. Kemi nevojë për mjetet elektronike që i duhën shkollës për tu lehtësuar mësimin e mirëfilltë nxënësve.

VËSHTIRËSITË ME FËMIJËT ME DYGJUHËSI

Unë kam pasur këtë vit nxënës të moshave të ndryshme por ata që ishin të moshës 8 deri në 13 vjet flasin mjaftë bukur dhe është për t’iu falenderuar prindërve ndërsa fëmijët e moshës 5,6, apo 7 vjeç disa kuptojnë dhe flasin por ka edhe prej atyre që kanë vështërsi në të shprehurit shqip.  Nuk është për tu habitur se ata në shkollë i flasin dy gjuhë tjera. Mirëpo prindërit duhet t’a kuptojnë një gjë po nëse fëmija  e flet bukur gjuhën e nënës patjetër do të avancojë shpejt edhe në gjuhën frënge dhe angleze.

MËSIMI SHQIP RRIT PATRIOTIZMIN TE FËMIJËT

Unë mendoj se për rritjen e ndjenjës patriotike duhet të punojnë të gjithë si: prindërit të  kontribuojnë, shkolla shqipe, aktivitetet kulturore, vizitat në vendlindje etj. Dhe kështu që ju bëjë thirrje të gjithë prindërve shqiptarë që jetojnë në mërgim që të punojnë dhe t’ua lënë trashigim këtë gjuhë mjaltë apo gjuhë perendie gjeneratave të reja sepse këta të rinjë një ditë do të n’a përfaqësojnë si në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo në trojet shqiptare si ambasadorët më të mire të kombit tonë.

KUSH ËSHTË MËSUESE VALBONA AHMETI?

Unë jam Valbona Ahmeti, kam mbaruar mësimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, drejtimi Fizikë-Kimi dhe kam punuar dy vite si mësimdhënëse në qytetin e Vushtrisë. Që nga viti 1999 jetoj dhe punoj në Montreal të Kanadas. Që 13 vite punoj si edukatore në një shkollë fillore dhe tani jam emëruar si ndihmëse e mësueses. Merrem edhe me poezi dhe deri më tani kam të botuara tri libra me poezi! Poezitë e mia mund t’i gjejë lexuesi në faqen time të fcb-ut, në disa Antologji dhe botohen shpesh nëpër gazeta të njohura si : Nacional, Orfeu, Qendrapress, Fjala e lirë etj. Poezia më bënë të ndihem mirë dhe shkruaj kohë pas kohe! Përmes gazetës Dielli iu bëjë thirrje të gjithë prindërve të komunitetit shqiptar që fëmijët t’i dërgojnë në shkollën shqipe! Mendoj se fëmijët e diasporës po nëse arrijnë ta ruajnë GJUHËN MËMË është sukses edhe i prindërve dhe i gjithë kombit tonë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja, valbona ahmeti

KURJER WARSZAWA (1939) / “POPULLI I SHQIPËRISË MË PRANOI SI TË TIJËN” — INTERVISTA EKSKLUZIVE ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË POLONI

August 9, 2024 by s p


Burimi : Kurjer Wileński, e enjte, 13 korrik 1939, faqe n°4
Burimi : Kurjer Wileński, e enjte, 13 korrik 1939, faqe n°4

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 8 Gusht 2024

“Kurjer Wileński” ka botuar, të enjten e 13 korrikut 1939, në faqen n°4, intervistën ekskluzive të “Kurjer Warszawa” me Mbretëreshën Geraldinë në Poloni, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Çfarë thotë mbretëresha Geraldinë për Shqipërinë dhe Poloninë

Burimi : Kurjer Wileński, e enjte, 13 korrik 1939, faqe n°4
Burimi : Kurjer Wileński, e enjte, 13 korrik 1939, faqe n°4

Ditën e premte, më 7 korrik, ish-mbreti i Shqipërisë, Ahmet Zogu, mbërriti në Varshavë me familjen dhe suitën e tij. Fotoja tregon momentin e mbërritjes së ish-mbretit me gruan, motrën dhe suitën e tij në stacionin kryesor hekurudhor në Varshavë.

“Kurjer Warszawa” boton një bisedë interesante që përfaqësuesi i revistës ka zhvilluar në Varshavë me mbretëreshën shqiptare, Geraldina :

Dera e mbyllur e dhomës Nr.164, në Hotel “Europejski”, u hap. Në takim, një figurë e gjatë, e hollë me një fustan blu të kaltër me jakë dhe mëngë të bardha u ngrit nga divani.

Mbretëresha Geraldinë duket edhe më rinore nga afër dhe në këtë moment me një fustan modest, me kaçurrelat e arta, të jep përshtypjen e një nxënëseje. Buzëqeshja e saj ishte thjesht simpatike, sikur të ishte shfaqur dielli në dhomë. Ajo u përgjigjet pyetjeve po me këtë buzëqeshje.

— Si ndihet tani Madhëria juaj pas sëmundjes së rëndë për të cilën patëm lajme?

— Faleminderit shumë — buzëqesh mbretëresha — tani ndihem plotësisht mirë.

— Cili ka qenë edukimi i Madhërisë Suaj — evropian apo amerikan? (Nëna e Mbretëreshës Geraldinë është amerikane.)

— Oh, shumë evropian! U diplomova në Sacré-Coeur afër Vjenës dhe vazhdova shkollimin në Hungari.

— A ka ndonjë traditë miqësie polako-hungareze në familjen hungareze të Madhërisë suaj, apo ndoshta edhe disa lidhje familjare?

— E gjithë aristokracia hungareze është e lidhur me polakët, ndaj mendoj se kam edhe disa të afërm në Poloni.

— Çfarë dinte Madhëria juaj për Poloninë dhe çfarë pa pas mbërritjes së saj?

— Oh, dija shumë, shumë për Poloninë, dija për të kaluarën e saj heroike, për luftën e kombit tuaj për liri, megjithatë, duhet të pranoj se u mahnita kur pashë vendin tuaj të bukur. U preka nga varret e fëmijëve që vdiqën duke mbrojtur Lviv, më pëlqeu shumë ky qytet heroik.

— Si u ndje në Shqipëri Madhëria Juaj, gjysmë hungareze e gjysmë amerikane?

— Si një grua shqiptare — buzëqesh mbretëresha. — Populli i Shqipërisë më pranoi si të tijën.

— A mund të shoh princin e vogël?

— Tani për fat të keq ai po fle. Mund t’ju them vetëm se ai peshon 6 kg e 300 g, se ka sy blu dhe flokë ngjyrë ari dhe se është — të paktën në sytë e saj — fëmija më i këndshëm në botë… Mendoj se është e qartë se gratë polake janë në gjendje të rrisin fëmijët e tyre, të jenë njerëz kaq të guximshëm dhe atdhetarë.

— Më lejoni t’ju bëj edhe një pyetje. Ju lutem, më falni për indiskrecionin tim, por si e takoi Madhëria juaj burrin e saj? 

— Motrat e tij kaluan kohë në Hungari dhe atje u miqësuan me mua. Ato ishin ndërmjetëset (shkeset) tona.

— A e di Madhëria Juaj që ajo është jashtëzakonisht e njohur në Poloni? Madje në një nga teatrot këndojnë këngën e bukur “Geraldina”?

— Unë gjithmonë kam besuar në zemrën fisnike të kombit polak — mbretëresha buzëqesh dhe ngrihet në këmbë.

Ministri i oborrit shfaqet në prag dhe përulet, duke vendosur dorën në gjoks.

Biseda mbaroi.

Sot, Mbreti Ahmet Zogu do të kalojë nëpër Vilnius

Siç mësojmë, sot ish-mbreti shqiptar, Ahmet Zogu, me gruan dhe oborrin e tij do të kalojë përmes Vilniusit drejt kufirit të Loëvës (Lolwa-s). Një ndalesë e shkurtër është planifikuar për trenin që do të transportojë çiftin mbretëror në stacionin e Vilniusit.

Filed Under: Reportazh

Diaspora shqiptare u pasurua edhe me dy libra të rinj

August 9, 2024 by s p

PhD. Dashnim Hebibi me dy libra kushtuar gruas shqiptare në diasporë

Cyrih, 06 gusht
Nga Dahest Luma, Tiranë

Poeti, publicisti, ambasadori i paqes, gezetari, doktori i shkencave politike, presidenti i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me qendër në Cyrih të Zvicrës, z. Dashnim Hebibi, njofton gjithë dashamirët e librit, se dy librat e tij kanë parë dritën e botimit. Z. Hebibi është i njohur për punën e pandashme për të mirën e ardheut nga diaspora edhe ate jo më pak se 24 vjet ne radhë. Redaktor dhe recensent i librit është, z. Jeton Arifi. Dy librat kanë 800 faqe dhe janë realizuar 186 intervista. Sipas z. Hebibi, libri do të jetë në vazhdime. Z. Hebibi ndër të tjera shkruan në profilin e tij në Facebook. Të dashur miq të librit, pas një pune relativisht të gjatë dhe me shumë përkushtim, diasporës sonë iu shtuan edhe dy libra, që do të mbeten monument i përjetshëm! Dy librat ia kushtova nënave, vajzave të diasporës, që ishin pjesë e shumë ngjarjeve në të mirë të atdheut dhe janë frymëzim për gjeneratat e reja. Është një hulumtim i karakterit empirik, i realizuar me grup fokusi. Falenderoj të gjithë ata që më përkrahën, që ta arrijmë këtë sukses të radhës dhe do ju jem mirënjohës për jetë! Librat kanë parë dritën e botimit dhe shumë shpejt do të kemi edhe promovimin nëpër disa qytete të Evropës! Kopertina ka gjuhën e saj ose kuptimin e librit, si te pjesa një dhe te pjesa dy. Nëna shqiptare në diasporë me ballë hapur duke kujtuar të kaluarën e saj jo edhe të lehtë. Pjesa e dytë e librit, nëna shqiptare në diasporë, po ajo, duke e shikuar të sotmen dhe të ardhmen, gjeneratën e re e duke e shijuar suksesin e tyre edhe pse po jetojnë larg vendit të të parëve e të shoqëruar me lulen e diasporës. Vetëm dokumentet mbesin me fakte e referime për gjeneratat që do të vijnë. Edhe atëherë kur shumë prej nesh të mos jemi më, këto janë dokumente, gjurmë të pashlyera, të cilat dëshmojnë përkushtimin jetësor të shtyllës së familjes e shoqërisë shqiptare të mërguar. Ja se si e vlerëson librin, redaktori dhe recensenti, z. Jeton ARIFI: “Libri me përmbledhje intervistash të zhvilluara enkas për jetësimin e këtij projekti kaq fisnik, në thelb është një hulumtim i karakterit empirik, i realizuar me grup fokusi. Kategoria e përzgjedhur nga autori është vajza dhe gruaja shqiptare e mërguar jashtë territorit autokton shqiptar. Nga një këndvështrim sipërfaqësor të lexuesit, mund të dallohet se autori ka aplikuar një mostër të gjerë, heterogjene, pa kriter moshe, profesioni, origjine (nga hapësira gjeografike mbarëshqiptare).
Pavarësisht mostrës së kufizuar prej 187 personazheve, personaliteti i të cilave paraqet një ndryshore prej karakteresh nga një divëndërkombëtare e një sopranoje lirike, me pasqyrim figurash tëndërmjetme, në kuptim profesionesh, deri te një amvise, nëpërceptim fillestar të thjeshtë, por jo më pak të rëndësishëm, sepse secila prej këtyre vajzave e grave fisnike të pasqyruara në këtë libër dy vëllimësh, gjatë ciklit të saj jetësor, ka shërbyer si frymëzim për të tjerët.
Disa prej tyre frymëzuan botën rreth tyre e më gjerë, duke dridhur skenat më të njohura të operas; disa të tjera duke mohuar luksin e mundshëm që u ofronte përditshmëria, për ta vënë veten e tyre në shërbim e mbështetjes së kauzës kombëtare (çlirimit tëKosovës), disa të tjera duke e mbajtur familjen e duke mbështetur bashkëshortin luftëtar për këtë kauzë, shumë të tjera duke shkëlqyer në profesionin e tyre në tregun e ashpër e konkurues të punës nëtokën e re premtuese, ku kishte mërguar, e shumë të tjera duke iu përkushtuar një misioni të shenjtë, kultivimit të gjuhës, traditës, kulturës shqiptare nga gjenerata e re përmes mësimit plotësues nëgjuhën shqipe.
Autori i këtij libri, i cili, për ata që e njohin, shquhet për përkushtimin e tij ndaj veprimtarisë së diasporës shqiptare, të cilën e ka ndjekur dhe pasqyruar në veprimtarinë e tij gazetareske dhe publicistike, për më shumë se dy dekada, ka treguar një kujdes tëposaçëm në përdorimin e termit diasporë. Ai, atë e përdorë, shumëme vend dhe racionalisht, si përkufizim e term social, jo gjeografik, sepse me diasporë duhet kuptuar tërësia e komunitetit të shpërndarëjashtë trungut të shtetit amë të origjinës, e jo si hapësirë gjeografike. Kryefjala e përmbajtjes së këtij libri është gruaja shqiptare e diasporës, pra, e përfaqësueseve të vajzve, grave e nënave shqiptare të zhvendosura jashtë atdheut, qoftë për të iu shmangur dhunës sëkohës të ushtruar nga aparati shtetëror kolonizues i trojeve shqiptare ku ajo është lindur e rritur, qoftë në kërkim të një jete më të mirë, apo me synimin për të gjetur hapësirë më të përshtatshme, mëpremtuese e më me perspektivë për ta zhvilluar e dëshmuar veten. Ky libër duhet parë e pranuar nga lexuesit si fillimi i një përpjekjeje të vazhdueshme për ta ndihmuar memorien kolektive lidhur me rëndësinë e peshën që bartë me vete gruaja/nëna shqiptare e ‘syrgjynosur'”.

KONKLUZION

Gruaja shqiptare e diasporës ndjehet e harruar dhe pret bashkëpunim e mbështetje nga atdheu. Ajo dhe kontributin e saj për ruajtjen e gjuhës amtare, e cila vlerësohet se është jetike për ruajtjen e identitetit kombëtar. Është kjo grua, e cila ka kontribuar te gjenerata e re që sot të krenohemi me sukseset e tyre në tregun ndërkombëtar të punës. Gjuha shqipe do të ruhet brez pas brezi. Kontributi i LAPSH-së është i madh, pastaj i shoqërive kulturoreartistike, shoqatave të tjera humanitare që veprojnë në diasporë. Edhe degët e partive që kanë vepruar e veprojnë përmes përfaqësuesve të diasporës shqiptare, janë të mira, sepse takohen mes vete e flasin shqip mes vete, megjithëse, deri në një masë, ky element ka shkaktuar edhe përçarje. Gruaja e diasporës shqiptare mendon se është çështje e ngutshme që shteti të kontribuojë me konferenca shkencore dhe ti japë hapësirë femrës shqiptare në vendimarrje në atdhe, sepse sjell përvoja evropiane, pra të shteteve ku është lindur e ku është duke vepruar. Nuk thuhet rastësisht se pas çdo burri të madh është një grua e shkëlqyer. Sipas Napoleon Hillit, burrat që kanë grumbulluar pasuri të mëdha dhe kanë arritur njohje të jashtëzakonshme në letërsi, art, industri, arkitekturë dhe profesione tjera, ishin të motivuar nga ndikimi i një gruaje. Në cilësinë e autorit të këtij libri, jam i bindur që ka pasur edhe shumë gra të tjera që është dashur të jenë pjesë e këtij libri. Mbes me shpresë se do të kemi një vazhdim tjetër apo vëllime të tjera,brenda të cilëve do të pasqyrohet jeta dhe vepra e shumë grave meritore, të cilat, në saje të veprimtarisë së tyre, kanë shërbyer si frymësuese të gjeneratës së re të femrës shqiptare, veçanërisht tëatyre që jetojnë jashtë trungut të vendit të origjinës. Mbi të gjitha, ato që i keni lexuar në trungun e këtij libri, janë fjalët e këtyre grave shqiptare të cilat kanë sakrifikuar shumë që të ruhet,mbi të gjitha, gjuha shqipe. Vetëm dokumentet mbesin me fakte e referime për gjeneratat që do të vijnë. Edhe atëherë kur shumë prej nesh të mos jemi më, këto janë dokumente, gjurmë të pashlyera, tëcilat dëshmojnë përkushtimin jetësor të shtyllës së familjes e shoqërisë shqiptare të mërguar./ Përgaditi: Dahest Luma, Tiranë.

Filed Under: Mergata

MOSKUPTIMI OSE KUPTUESHMËRIA E PAPLOTË E SHKRIMTARËVE GJENIALË

August 9, 2024 by s p

Nga BUJAR SKENDO/

1.

Është pranuar prej kohësh se gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një gjeniu është t’a kuptojnë tërërisht që në botimin e parë të veprës të tij. Në një rast të tillë, mjerisht, do kishim një shkrimtar thjesht të përkoshëm, lehtësisht të kuptueshëm, të kufizuar, të harrueshëm. Kurse gjeniu është shkrimtar i të panjohurës e i të paarritshmes. I dendësisë së pafund të ideve dhe thellësive të pakapshme të mendimeve. Është një shkrimtar i përjetshëm.

Me shkrimtarin tonë gjenial Ismail Kadare ka ndodhur diçka edhe më e ndërlikuar. Për herë të parë në historinë e letërsisë shqiptare kishim një shkrimtar të jashtëzakonshëm, vepra gjeniale e të cilit është admiruar nga lexuesit e tij të shumtë. Por edhe është moskuptuar, keqkuptuar, keqinterpretuar, keqtrajtuar prej diktaturës. Armiqësisht, me këmblëngulje, vetëdijshëm. Kurse kritika është treguar krejt e paaftë për t’u përballuar me veprën kadareane. Siç rrëfen vetë Kadare, për një dyzinë të librave të tij të famshëm, “nuk është shkruar asnjë reçension”! Një njollë e zezë në kulturën tonë! Mëkat i pashlyeshëm! Dhe në rastet kur është shkruar, vetëm sa është prekur ana e dukshme e vlerave të tij artistike. Dhe po ashtu, vetëm idetë e mendimet e përvijuara vetëm në shtresëzimin e parë të veprave. Nuk është tentuar aspak zbërthimi në thellësi i ideve e mendimeve të mëdha të shkrimtarit gjenial. Nga paaftësia? Nga konformizmi? Nga frika? Ndoshta nga të tria. Nuk është kuptuar, pothuajse asnjëherë, çfarë fshihej më në thellësi, çfarë mendimesh vlonin brenda, poshtë fjalëve, fjalive, paragrafëve dhe, afërsisht, 40 mijë faqeve të shkruara nga shkrimtari ynë gjenial. Nuk janë zbërthyer eflektimet e dyfishta apo të shumëfishta të artit të tij. Në atë kohë, kjo ka qene sa përfytyrueshme, e shpjegueshme, aq edhe e papërfytyrueshme, e pafalshme. Veçanërisht kur bëhet fjalë për një krijimtari gjeniale si ajo e Kadaresë.

Njerëzimi, çdo gjeneratë, çdo shekull kërkon e gjen në veprat gjeniale përgjigje për shqetësimet e kërkesat e veta, zbulon ato ide për të cilat ka nevojë e është i etur. Sepse veprat gjeniale ashtu janë, një det i pafund e i pashtershëm idesh e formash artistike.

Ana e pakuptueshme e veprave gjeniale nuk ka asgjë të përafërt me pakuptueshmërinë e veprave hermetike, të errëta. Këto janë konceptuar si të tilla, të vështira për t’u kuptuar, të vetëdënuara për moskuptim. Dhe ashtu mbeten, fatkeqe, të ftohta për lexuesin. Ngarkesa me ide filozofike, fshehja e tyre si qëllim në vetvete, është krejt tjetër nga arti gjenial, nga thellësia e pambarimtë e ideve e mendimeve, nga shprehja e ideve të mëdha, preokupuese për njerëzimin, me një gjuhë thjeshtësisht madhështore.

2.

“The New Folger Library Shakespeare” në Washington, e themeluar në vitin 1932, botimin me të fundit akademik e ka bërë në vitin 1992, 35 vjet pas atij paraardhës. Një botim serioz, i pajisur me aparat të pasur analitik, spjegues, argumentues, zubulues idesh e vështrimesh të kohëve moderrne. Në fjalën hyrëse, drejtori i saj Werner Gundersheimer thekson se “pasioni për Shekspirin vazhdon të rritet”. Asnjë shkrimtar tjetër, shton ai, nuk flet më fuqishëm për qenien njerëzore, në tërë format e shfaqjes së tij. Është koha të zëvendësojmë botimin e mëhershëm me një version të ri tërësor, i cili përfshin mendimin aktual më të mirë dhe më bashkëkohor për tragjedinë “Makbeth”.

Kurse editorja Barbara A. Mowat, në parathënie nënvizon se botimi është konceptuar “për një gjeneratë të re lexuesish dhe feflekton mënyrat bashkëkohore të të menduarit për Shekspirin”.

Në kapitullin “Shakespeare’s Macbeth” shkruhet se “Në shekujt e mëhershëm historia e Makbethit është parë si një qëndrim i fuqishëm i një njeriu heroik i cili kryen një veprim të lig dhe më pas paguan një çmim të tmerrshëm, ndërsa ndërgjegjia e tij dhe forcat natyrore të të mirës e shkatërrojnë atë”. Dhe menjëherë, pas kësaj theksohet se “Në shekullin tonë, linja midis të ligës së Makbethit dhe të mirës së supozuar të atyre që e kundërshtojnë atë është e turbullt, shprehen qëndrime të reja mbi shtrigat dhe magjitë, pyetje të reja ngrihen për mënyrat si janë portretizuar burrat dhe gratë në këtë vepër”. Për të përfunduar, “Midis kaq shumë dramash të Shekspirit, “Makbethi” i flet çdo gjenerate me një zë të ri”…

Kështu ecën nëpër shekuj tragjedia gjeniale “Makbethi” dhe vetë Shekspiri. Trazues, nxitës, turbullues, provokues, qartësues. Minierë hyjnore idesh e mendimesh të thella. Edhe pse është botuar e ribotuar mijëra herë në pothuajse të gjitha gjuhët e globit, njerëzimi i kthehet e rikthehet Makbethit për artin superior dhe idetë e fshehura, por të domosdoshme për t’u zbuluar e shijuar estetikisht. Edhe pse Shekspiri ka pesë shekuj nën tokë, nëpërmjet veprës së tij gjeniale ai jep e merr mesazhe me të gjallët, vazhdon të trokasë në ndërgjegjen e njeriut dhe të njerëzimit. Vazhdon të nxisë, të frymëzojë e të dërgojë dritë hyjnore edhe prej errësirës së përjetshme.

Në kulturën tonë nuk kemi pasur ndonjë përvojë në ribotime të tilla me synime e theksime të caktuara idesh e mendimesh. Thesht sepse deri më sot nuk kemi pasur ndonjë shkrimtar gjenial. Dhe kemi bërë ribotime të zakonshme, sipas koronologjisë. Gjeneratat që vijnë, me Kadarenë, do kenë rastin e provës. Do të duhet të bëjnë ribotime me një aparat të posaçëm vlerësues, me kërkime e zbulime idesh për të cilat shoqëria do jetë e interesuar…

3.

“Unë jam krenar që e kam shkruar këtë vepër (është fjala për romanin “Koncerti”- bs). Është botuar kudo në botë, por pa atë zbërthimin e vërtetë që duhej të kishte”, është shprehur shkrimtari ynë gjenial Kadare. Është fare e qartë se ka një peng në këtë pohim, që, ndoshta, është peng i të gjithë gjenive dhe që, me sa duket, lind prej tundimit që veprat e tyre të zbërthehen në tërë madhështinë artistike dhe thellësinë e ideve që ato përmbajnë, qysh kur ata vetë janë gjallë.. Shkrimtarët gjenialë digjen së brendëshmi nga dëshira që lexuesit e tyre të përjetojnë ato mrekulli e magji që ata vetë i kanë ndier gjatë procesit të të shkruarit. “Koncerti”, duke qenë një kryvepër, është analizuar, zbërthyer e vlerësuar nga kritika perëndimore. Por, sërish, pengu i shkrimtarit për moskuptim, mbetet. Dhe ndoshta do jetë i tillë për një kohë të pambaruar. Sepse ky është ligji që shoqëron veprat gjeniale. Çdo gjeneratë e çdo shekull kërkon e gjen në këto vepra ato përgjigje, ide për të cilat shqetësohet. Ato mendime që e ndihmojnë për të kapërxyer krizat që e mbajnë të mbërthyer mendimin njerëzor të kohës.

Jo rrallë shkrimtari ynë gjenial duket se është trembur nga moskuptimi i ideve të mëdha të veprave të tij dhe herë pas here ka nxituar të zbulojë vetë disa prej ideve të thella, të pazbuluara si prej kritikës, të pakapshme prej saj, ashtu edhe prej lexuesve të një gjeneratës së tij. Vetë Kadare i është kthyer e rikthyer romaneve të veta duke theksuar ide qëndrore apo edhe periferike. Në librat e tij eseistikë “Ftesë në studio”, “Nga një Dhjetor në tjetrin”, “Pesha e kryqit”, në intervista dhe në botime të tjera ai ka qartësuar shumë nga idetë e mëdha që përshkojnë romanet e tij, të cilat kanë mbetur të pazbërthyera nga kritika. Përveç të tjerash, për arsyen e thjeshtë se ato kanë qenë të veshura me mjeshtëri artistike. Dhe, sidomos, kanë qenë të vendosura në thellësi të veprës. Aty ku errësira është më e dendur, zymtësia më zotëruese, krimi, vrasja është më e pranishme. Dhe, sigurisht, mjeshtëria artistike më e lartë. Kështu ndodh të “Përbindëshi” dhe sidosmos te “Dimri i vetmisë së madhe”, “Koncerti” e te “Pallati i Ëndërrave”. Dhe po ashtu, te “Pasardhësi”, “Vajza e Agamemnonit”, “Hija” … Pothuajse në çdo roman të tij. I tillë është tërë korpusi i veprave të Kadaresë.

Vepra “Kohë e pamjaftueshme” e Helena Kadaresë, shkrimtare dhe bashkëshorte e fisme, me informacionet që vetëm ajo i dinte dhe që janë, por edhe nuk janë, të pranishme në romanet e Kadaresë, ka ndihmuar në zbulimin e shumë ideve të fshehta, të mbuluara nën pasurinë e pafundme të stilit, të artit romanesk të gjeniut. Copëza bisedash, sinopse, fjali, emra, vargje, ide, kriza, thënie, detaje, frikëra, ankthe dhe, sigurisht, zhgënjime, armiqësira, revolta, shfrime, përbetime, frymë kryengritëse, guxim, humor asgjësues… Jeta reale dhe jeta artistike e gjeniut Kadare. Të dyja madhështore, unikale. Sikundër thekson botuesi francez, “këto kujtime dëshmojnë drejtpërdrejtë mbi kompleksin e “punës së laboratorit” në të cilin është përpunuar vepra e Kadaresë”. Për të vijuar me thënien se “kjo kronikë e gjerë dhe e pasur, lexohet si një roman aventurash e pasionesh të atillë, që ngjallin dhe frymëzojnë dashurinë për artin dhe për lirinë”.

Mund të shtonim vetëm se ky “roman” i Helena Kadaresë, i shkruar me një gjuhë të pasur artistike dhe stil elegant, përmban, gjithashtu, një pasuri të pafund idesh e mendimesh të cilat ndjekin e zbërthejnë shumëçka nga kryeveprat e gjeniut, nga jeta dhe mendimet e tij jashtë e brenda veprës. “Kohë e pamjaftueshme” e Helena Kadaresë është gjithashtu një kryevepër më vete.

Dilema apo edhe zhgënjimi i Kadaresë për kuptueshmëri të paplotë të ideve të veprës, mendimeve të saj të mëdha, të thella, por të fshehura e të mbështjella me art të madh, ndoshta, nuk do shërohen asnjëherë. Sepse te ky mosshërim fshihen vlerat universale, të gjithkohëshme të kryeveprave. Për Kadarenë ka qenë e pamundur të shkruante “gjëra që nuk kishin mister, që nuk kishin atë tërheqjen e fshehtë, që nuk kishin mjegull t’i mbështillte”… Veprat e mëdha, siç janë romanet e Kadaresë, kanë shumë mister brenda vetes, shumë të fshehta turbulluese. Dhe shumë zymtësi, ankth, frikëra të errëta. Ai e kërkon me vetëdije këtë mister dhe, ndoshta, ndonjëherë edhe është shtangur prej tij. Vështrim të shumëfishtë të detajeve, thellësi interpretimi dhe mendimi njerëzor. Dhe, sigurisht, shumë art, shumë madhështi artistike… Ky, me sa kuptohet, është arti gjenial dhe ky është, po ashtu, fati i tij. Të jetë tërheqës për shumë gjenerata e shumë shekuj. Dhe kjo nuk mund të ndyshojë.

A është e mundur dhe a është e domosdoshme që tërë këto margaritarë të zbulohen menjëherë? Përvoja dëshmon se nuk është as e mundur dhe as domosdoshme. Veprat gjeniale janë projektuar të jenë të vlefshme për shumë gjenerata dhe shumë shekuj. Ndaj shpesh kanë krijuar përshtypjen se shkrimtarët gjenialë lindin para kohe, lindin në shekullin e gabuar…

Pamundësia për të interpretuar e zbërthyer tërë madhështinë dhe thellësinë e një vepre gjeniale është diçka normale. Gjeneratat kërkojnë e gjejnë në të, atë për të cilën kanë më shumë nevojë, atë që u jep përgjigje pyetjeve të tyre themelore, mëdyshjeve të tyre dhe të epokës së tyre. Gjenerata e shekuj të tjerë do kërkojnë e do gjejnë të tjera ide të madha, në të tjera shtresëzime të shumëfishta të veprës.

Shkrimtarët gjenialë trajtojnë problemet e mëdha të njerëzimit. Ata paralajmërojnë rëniet e epokave dhe të diktaturave. Këtë bënë Dante, Shekspiri dhe Servantesi në kohët e tyre. Po ashtu, Hygo, Gëte e Gogol… Të njëjtën bëri edhe Kadare me diktaturën komuniste. Romanet gjeniale si “Dimri…”, “Koncerti”, “Përbindëshi” e “Pallati …”, “Vajza e Agamamnonit”, “Piramida”, “Pasardhësi” e të tjerë, janë vepra komplekse, të thella, përplot zymtësi shekspiriane, tmerre, hije, vrasje pas një darke makbethiane, tradhëti. Tragjedi e madhe dhe grotesk i pamëshirtë. Diktatura komuniste, me një ligësi në thelbin e saj dhe diktatorët groteskë të saj, të zbuluar në tërë shëmtinë e tyre, në tërë krimet e tmerret e tyre planetare. Ajo lindi nëpërmjet krimit, u rrit dhe u rrëzua, po nëpërmjet krimit të stërmadh. Siç ndodh, pak a shumë, me diktaturat dhe diktatorët nga një shekull në tjetrin, nga një kontinent në tjetrin. Romanet e Kadaresë nuk kanë të krahasuar në zbulimin dhe përshkrimin e madhërishëm të çarjes së perandorisë komuniste, të nisjes së rrënimit të saj. Me romanet e tij Kadare e kishte goditur komunizmin mu në qendrën e tij, në zemrën e vet perandorake. Në thelbin e krimit të tij. Përleshja e gjeniut me diktaturën ishte madhështore. Prandaj edhe hakmarrja e saj do të ishte e përbindshme. Moska komuniste “nuk do e lejonte as për njëqind vjet botimin e veprave të Kadaresë” në kryqendrën e vet.

4.

Gjeniu është një shkrimtar i domosdoshëm, i projektuar nga Krijuesi për vepra të madhërishme, universale. Një shkrimtar gjenial për tërë njerëzimin dhe për shekuj të tërë. Një shkrimtar që ka aftësinë dhe guximin të depërtojë në zonat më të errëta të shpirtit dhe të mendjes së njeriut e të njerëzimit. Një shkrimtar- gjeni lind i tillë. Gjenialiteti nuk krijohet, siç pandehet më kot. Nuk mësohet në jetl dhe as në shkollë. Nuk është thjesht këmbëngulja që e bën gjeniun. Në radhë të parë është fryma hyjnore, fuqia supreme që “zbret” në trurin e tij. Kadare pranon se “ka vërtet “diçka” që vjen nga lart, por sa herë njeriu kërkon ta shpjegojë këtë gjë, nuk e gjen dot”… Gjeniu është i pangjashëm. Është unikal. Ngjason vetëm me “rracën” e gjenive.

Çdo qytetërim lind gjeniun e vet. Shkrimtarët gjenialë paraprijnë e “përmbyllin qytetërime”, thotë Viktor Hygo në librin e tij gjenial për Shekspirin. Hapin apo vulosin kaperximet e mijëvjeçarëve, bashkë me enigmat, misteret, konfliktet. Tamam, atëherë, kur njerëzimi gjendet befas në kryqëzimin e epokave dhe kërkon me dëshpërim zgjidhje të mëdha për fatin e vetvetes. Jo çdo shekull lind domosdo gjeniun e tij. Sikundër ka edhe shekuj të veçantë që lindin më shumë se një gjeni. Dante tronditi shekujt e trembëdhjetë e katërmëdhjetë me veprën gjeniale “Ferri”, Shekspiri dhe Servantesi dominuan shekujt e gjashtëmbëdhjetë e shtatëmbëdhjetë. Pastaj vjen Gëte, “njeriu i fundit që i dinte të gjitha”, në shekujt e tetëmbëdhjetë- nëntëmbëdhjetë. Dhe Viktor Hygo,“njeriu oqean” në shekullin e nëntëmbëdhjetë, i cili me veprat e tij të mëdha ndau epokën e absolutizmit me erën e republikanizmit…

Shekulli i njëzetë lindi Kadarenë që me gjenialitetin e tij lajmëroi rënien e diktaturës komuniste, ndoshta më e përbindshmja e tërë diktaturave.Vepra e tij ushton nga dendësia e mendimeve që ndryshojnë botën. Dhe, po ashtu, nga tërbimi njerëzor. Truri i tij nuk ishte një tru i zakonshëm. Ishte një tru i gjithbotshëm. Pothuajse tërë truri i njerëzimit i përmbledhur në një të vetëm. I dendur, tërë intensitet. Zemra e tij është mister që rreh lehtësisht e, po aq, edhe madhërisht, vrullshëm, rrëmbyeshëm. Ajo nuk ishte një zemër e dosido. Ishte një zemër universale. Gjithçka te Kadare ishte trubulluese.

Arti i Kadaresë nuk njeh kufizime hapësire e kohe. Nuk njeh as kufij qiellorë, as tokësorë. Dhe as kufij skëterrorë. Kadare nuk stepet përballë të ligës, diktaturës, sado e përbindëshme ishte. Ai nuk u ndal as përpara veseve njerëzore, sado të fshehta dhe të thella të ishin. Përkundër sulmeve, intrigave, ndalimeve, ai nuk u tërhoq asnjë pëllëmbë nga fortesa e tij përplot gjetje artistike e thellësi mendimi. Siç nuk nguroi aspak të zbulonte të mirën, të mbronte liritë njerëzore, të drejtat humane. Madje i himnizoi të tëra ato. Pafundësia dhe e pakufijshmja, zbulimi, hamendësimi, e panjohura, e pamundshmja, fantazma dhe hijet, ëndërrat, pengimi, mëdyshja.., ishin elemente artistike të arsenalit të këtij gjeniu.

Nuk është aspak e rastësishme shfaqja e tij në kohën e krizës më të madhe njerëzore të shekullit të njëzetë. Kur liria dhe e vërteta u nëpërkëmbën, u përgjakën. Kur shtypja dhe dhuna e diktaturës komuniste nuk njohu asnjë kufi. Në këtë kohë të zymtë, plot tmerr e frikë lindi ky shkrimtar gjenial, ky gjigand i mendimit njerëzor… Dhe në vetminë e tij prej “murgu në thellësi të manastirit”, siç e përcakton ai veten, krijoi veprat e tij gjeniale…

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT