• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2024

VATRA DËNON ASHPËR INCIDENTIN E MAQEDONISË SË VERIUT ME PRESIDENTEN VJOSA OSMANI NË SHKUP

August 1, 2024 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dënon ashpër incidentin e rëndë të ndodhur në aeroportin e Shkupit ku Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, u përball me një situatë të paprecedentë dhe në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare, Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, privilegjin e imunitetin diplomatik. Vatranët dhe shqiptaro-amerikanët shprehin indinjatën e tyre më të thellë rreth kësaj ngjarjeje fyese e të pa dinjitetshme. Një ngjarje e rëndë që cënon çdo shqiptar. Arroganca, trajtimi i padinjitetshëm dhe provokimi i pa shëmbullt nuk i përkasin civilizimit perëndimor dhe euro-atlantik. Vatra i bën thirrje autoriteteve në Shkup që të zbardhin sa më parë ngjarjen e rëndë dhe posaçërisht kërkon nga Uashingtoni dhe Brukseli hetime të thelluara rreth kësaj ngjarje të rëndë.

Ngjarje të tilla nuk i shërbejnë aspak fqinjësisë së mirë, integrimit dhe rrugës euroatlantike të Maqedonisë së Veriut.

Federata Vatra kërkon menjëherë prej autoriteteve shtetërore të Maqedonisë së Veriut që sulmi dhe trajtimi i parregullt i Presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, totalisht në kundershtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetëror, jo vetëm që duhet të dënohet nga bota demokratike perëndimore por shteti i Maqedonisë së Veriut duhet të kërkojë falje e nuk duhet ta përsërisë më kurrë këtë veprim të ndyrë e të paligjshëm.

I indinjuar

Kryetari i Vatrës

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Politike

DOM NDRE MJEDA—SIPAS NXËNSIT TË TIJ MONSINJOR DR ZEF OROSHI 

August 1, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli

Në përvjetorin e kalimit në amshim të Mjedës, 1 Gusht, 1937.
A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Dom Ndré Mjedja, prifti katolik jezuit, teolog, shkrimtar, gjuhëtar, deputet i Parlamentit shqiptar dhe poeti lirik i shquar Kombit shqiptar, ka ndërruar jetё si sot, më 1 gusht 1937.

Injac Zamputi, (Shkodër 1910 – Tivoli, Itali 1998) shkrimtar, historian, studiues, eseist, përkthyes dhe bashkëpunëtori i vjetër i Dom Ndre Mjedës, ka shënuar në kujtimet e tija se Mjeda është emëruar si mësues në Kolegjën Saveriane të Shkodrës, në qershorin e vitit 1933, kur ai (Zamputti) ishte sekretar i Kolegjës Saveriane. Zamputi ka kujtuar në shkrimet e tija një dëshmi interesante se si Profesori Dom Ndre Mjeda interesohej, veçanërisht, për nxënësit e dalluar, të cilët kishin shfaqur shkëndija të talentit poetik, por jo vetëm, gjatë shkollimit të tyre. Një prej këtyre nxënësve ka qenë Mons Dr. Zef Oroshi (1912-1989), mik dhe ish-udhëheqës i komunitetit katolik shqiptaro-amerikan, i nderuar dhe i respektuar nga mbarë komuniteti shqiptar në Amerikë, pa dallim feje a krahine.

Monsinjor Zef Oroshi fliste shpesh, me mirënjohje dhe me respekt të madh, për mësuesit e tij, sidmos për Dom Ndre Mjedën por edhe për At Gjergj Fishtën. Shpesh edhe shkruante mbi kujtimet e tija për ta në gazetat dhe revistat e diasporës anti-komuniste shqiptare të asaj kohe në Shtetet e Bashkuara dhe më gjërë.

Në një shkrim përkujtimor botuar në revistën Jeta Katolike Shqiptare, (tetor-dhjetor, 1977), organ i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, Drejtor Përgjegjës i të cilës ishte ai vet, Dr. Zef Oroshi ka kujtuar mësuesin e tij Dom Ndre Mjedën, me rastin e 40-vjetorit të kalimit të tij në amshim. Duke shkruar për talentet e ndre Mjedës, Dom Zef Oroshi ka shkruar se mendjehollësia e Mjedës së ri i ka shtyrë të parët e (urdhërit jezuit) që ta dërgonin atë të studionte në universitetet më të mira të Evropës, si në Austri, Itali, Gjermani, Francë e Poloni, ku përveç se kreu studimet e larta për filozofi e teologji me, “suma cum laude”, Ndre Mjeda, “pasuroi mendjen e squet të tij me gjuhët dhe me letërsitë e këtyne vendeve, por edhe njohuri mbi klasikët, që ai aq fort i dashuronte”, ka shkruar Mons Zef Oroshi, për ish-mësuesin e tij, Dom Ndre Mjedën.

A group of men standing in a doorway

Description automatically generated

      Tre kolosë të Shqipërisë: Dom Ndre Mjeda, At Gjergj Fishta (dy

           mësuesit e Monsinjor Dr. Zef Oroshit), me Luigj Gurakuqin

Megjithëse, ndër të gjitha të mirat mendore e jetësore që i ofronte atij bota perëndimore e qytetëruar dhe e lirë, Mjeda: “Kurrë nuk harroi vendin e vet, Shqipërinë. Asaj i këndoi, me plot afshin e zemrës me poezitë e rinisë së vet, botuar në “Juvenilia”, “sende rinie” – kur Atdheu gjëndej ende nën thundrën e aziatikëve”, ka vërejtur Dr Zef Oroshi në shkrimin e tij në vitin 1977, me rastin e 40-vjetorit të kalimit në amshim së Dom Ndre Mjedës.

  A person in a hat and glasses walking with a person in a raincoat

Description automatically generatedAutori, pjesëmarrës në protestën para OKB-së në Nju Jork, 1973 — me Monsinjor Dr. Zef Oroshin, organizuesin e protestës kundër vrasjes makabër të At Shtjefën Kurtit, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Kur është kthyer në Shqipëri, vazhdon kujtimet e tija, Dom Zef Oroshi, Ndre Mjeda ka dhënë mësim në gjuhë dhe letërsi shqipe në kolegjin e famshëm Saverjane të Shkodrës. Si meshtar ai ka shërbyer në disa famulli të Malësisë së mbi-Shkodrës, duke përfunduar në Kukël. Ndre Mjeda ishte themeluesi i Shoqërisë Letrare “Agimi”, ndërkohë që në Kongresin e Manastirit ka luajtur një rol kyç, ndërsa ishte ndër krongresistë më aktivë, ka shkruar Dr Zef Oroshi. “Por çka e ban emnin e Ndre Mjedës të pavdekshëm”, nënvijon Dr, Zef Oroshi, “Ashtë pena e tij si poet, mjeshtër klasik i vjershërimit shqip, si prozator dhe sidomos si gramatolog, ndër më të thellët që ka pasur Shqipëria për shumë kohë. Studimet dhe hulumtimet e tija në çështje gramatikore të shqipes kanë qenë vendimtare”, thekson ndër të tjera, Dom Zefi, duke cekur veprimtarinë dhe aftësitë letrare të Dom Mjedës.

Përveçse shkrimtar dhe poet mjeshtër, Dr. Zef Oroshi e cilëson ish-mësuesin e tij Ndre Mjedën edhe si, “udhëheqësin e paharruar të shkollës së përmendur, ‘Kolegja Saverjane’, drejtuar nga Jezuitët e Shkodrës  por duke e cilësuar Mjedën edhe si njërin prej Rilindasve më të flakët dhe më të hershmit e Kombit Shqiptar. Qe zgjedhë edhe deputet i Shkodrës, pothuajse kundër vullnetit të tij”, ka shkruar Dr. Oroshi.

A person sitting in a chair

Description automatically generated

                                         Dom Ndre Mjeda

Dom Zefi shënon në artikullin e tij – një fakt interesant nga veprimtaria e Mjedës, që nuk ka të bëjë as me gjuhën, as me letërsinë, ndërsa shkruan se: “Për t’i dhënë një hov bujqësisë përparimtare, Dom Ndre Mjeda qe i pari që solli plorin e çelikt në Shqipëni”. 

Dom Zef Oroshi vazhdon rrëfimin e tij për Dom Ndre Mjedën  duke shtuar se Mjedës i ka takuar të jetonte gjatë në dhena të huaja dhe zemra i shkrumbohej për Atdheun e largët e të robëruar. Mallin për Atdhe ai e skaliti, qysh i ri në “Juvenilia”, duke filluar me, “Vaji i Bylbylit”, botuar që në vitin 1887 dhe me “Andrra e Jetës”, ku ai këndon jetën e fshatarit e të malësorit shqiptar, ka shkruar Dr. Zef Oroshi, për veprat e mësuesit të tij. Duke vazhduar se me sonetat klasikë, “Lissus” dhe “Scodra” (Lezha e Shkodra) ku, përmes historisë së lashtë të ktyre dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme, “lumnitë historike dhe legjendat e paraardhësve ilirë, me mbretërit, Bardhylin e Agronin dhe me mbretëreshën Teuta.”

Monsinjor Dr Zef Oroshi vlerëson, në artikullin e tij të botuar në revisten Jeta Katolike Shqiptare në dhjetor të vitit 1977, me rastin e 40-vjetorit të kalimit në amshim të poetit, se, me këto vepra, megjithëse të shkurta, Mjeda naltësohet si poeti më klasik ndër të gjithë poetët shqiptarë…por megjithë këtë, ai Nanën Shqipni e ka gjithmonë para sysh, me qëllim për të drejtuar rininë e asaj kohe, kah, “udha e atdhedashunisë së çiltërt, siç kanë veprue gjithmonë, për vendin e tyre, njerëzit e mëdhej”, ka shkruar Dom Oroshi.

A person holding a pipe

Description automatically generated

Dom Zef Oroshi është shprehur në vazhdim, se e ndjen veten të nderuar dhe të privilegjuar që ka pasë për mësues, këtë mjeshtër zëmadh të gjuhës sonë, si dhe për ndikimin e tij, për dashurinë ndaj Gjuhës Shqipe.  “Dom Ndre Mjeda ishte personalitet i përsosur në ndenje e sjellje. Në klasën e tij mund të ndihej miza tue fluturue. Kur na lexonte ndonji pjesë artistike klasike ose bashkohore, sidomos poezi me art të lartë, skuqej në fytyrë, aq fort e ndjente shijen e artit…Megjithëse nuk ishte i idhët me kurrkënd, pak ose aspak i qeshej fytyra e tij e gjanë me musteqe të trasha e të dendura, e kryetullac, trup i lidhur me naltësi mesatare. Ishte kritik i pamëshirshëm në pikëpamjen e artit të shkrimit, por gjithmonë me dinjitet e arsye, pa përulur kënd, kurrë.” thrkson Oroshi në shkrimin e tij në kujtim të mësuesit të vet.

A person with a beard

Description automatically generated with medium confidence

Dom Zef Oroshi e ka mbyllur shkrimin në kujtim të mësuesit të tij të nderuar duke hedhur hipotezën se para se të vdiste, përflitej në atë kohë, se Dom Ndre Mjeda, i ndikuar nga shkrimtari latin Virgjili, mund të ketë djegur dorëshkrimet e tija të shumta. 

“Ndonëse pushon në amshim, ai gjithnjë flet.”  (Defunctus Adhuc Loquitur”.

Dom Zef Oroshi kujton se Dom Ndre Mjeda ndërroi jetë papritmas në gushtin e verës së viti 1937. Në varrimin e tij, radhët e gjata të studentëve të tij shkodranë dhe mbarë qyteti i Shkodrës soll[n në supet e krahëve të tyre arkivolin e tij neper të gjitha rrugët kryesore të qytetit, para se të vendosej në pushimin e fundit, në Aramaj. “Mjeda vdiq, por shkolla e tij mbetet e pavdekshme”, ka përfunduar kujtimin e tij Monsinjor Dr. Dom Zef Oroshi në artikullin e revistës — Jeta Katolike Shqiptare, (tetor-dhjetor, 1977), organ i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane – kushtuar Dom Ndre Mjedës, mësuesit të tij të paharrueshëm teologut, shkrimtarit, gjuhëtarit, deputetit e poetit shqiptar, që ka ndërruar jetё si sot, më 1 gusht 1937.

Frank Shkreli  

              —————————————————————————

Ndre Mjeda

Liria

Poezi Shprese


O shqipe, o zogjt’ e maleve, kallzoni:
A shndrit rreze lirie n’ato maja;
mbi bjesh’ t’thepisuna e n’ograja,
ku del gurra e gjëmon përmallshëm kroni?

A keni ndie ndikund, kah fluturoni
ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj?
A keni ndie nji kangë të patravajë?
O shqipe, o zogjt’ e maleve, kallzoni!

“Lirim, lirim!” — bërtet gjithkah malsia.
A ka lirim ky dhé që na shkel kamba,
a veç t’mjerin e mblon anemban’ robnia?
Flutro shqipe, flutro kah çelet lama,
sielliu maleve përreth që ka Shqipnia,
e vështroje ku i del lirimit ama.

Por nuk u shuejt edhe, jo, shqiptaria:
Lodhun prej hekrash që mizori e njiti,
lodhun prej terri ku robnimi e qiti,
shpreson me e zgjue fluturim mënia.

E kqyre: Ndër male po përhapet shkëndija
e lirimit t’Atdheut; fshehtas shëtiti
kasoll’ për kasoll’ rreth buneve e soditi
frymë të re tue zbrazun për gjithkah, hija

e Skanderbegut. Që ndër djepa rritin
nanat e Hotit djelmënin’ ushtore
e idhnim n’armikun nëpër gji iu qitin.
E nalt, ndër maja, bukuri mbretnore.

Filed Under: Emigracion

Duke lexuar Senekën – Një mësim për lumturinë !

August 1, 2024 by s p

Luan Rama/

La vie heureuse ! Jeta e lumtur ! Në gjithë botën njerëzit duen të jenë të lumtur dhe e kërkojnë atë por lumturia ka gjithnjë një çmim. Lumturia është diçka që i përket shpirtit dhe jo botës materiale. Shumë filozofë që në mugëtirat e kohrave kanë shkruar për lumturinë por duket se Seneka, bashkëkohës i Ciceronit, Diogjenit dhe stoikëve të tjerë është më i sakti. Mjafton që mes veprave të tij të veçojmë dy traktatet e tij De Vita Beata (Jeta e lumtur) dhe De Brevietate Vitae (Jeta efemere) për të kuptuar se karakteri njerëzor ka mbetur po ai. Ja pse se mitet antike, të antikitetit grek e romak ashtu si dhe mitet e botës sonë antike mbijetojnë dhe i ndeshim shpesh në jetën tonë të përditëshme ku jo rrallë ndeshemi me sozitë e Edipit, Orestit, Andromakës, Kasandrës, Orfeut, Eumenideve e shumë të tjerë. Duket se asgjë nuk ka lëvizur që prej më shumë se dy-tre mijëvjeçarë. Po ata të nënshtruar, uzurpatorë, mbretër e perandorë dhe nxitës të luftrave. Këto dy traktate të Senekës janë padyshim mësimi më i mirë për të kuptuar botën e njeriut : « Kush nuk dëshiron të jetë i lumtur ? – pyet Seneka, – por kur duhet përcaktuar se çfarë e bën njeriun të lumtur, të gjithë nuk arrijnë të thonë të njëjtën gjë dhe humbasin në gjykimet e tyre. » Për Senekën, te jesh i lumtur do të thotë ti adoptohesh natyrës, të pranosh ligjin e natyrës dhe shëmbullin e saj. Jeta e lumtur nuk është veçse një përshtatje me natyrën. » Por siç dijmë, shpesh njeriu detyrohet të nënshtrohet dhe të bëhet instrument apo vegël në luftrat e princave apo prijësve për pushtet. « Një nga detyrat e para për të qenë i lumtur, shkruan Seneka – është të mos ndjekim të tjerët si puna e dhenve, pra e tufës që nuk shkojnë atje ku duhet por thjeshtë aty ku shkojnë të tjerët. Pasi s’ka mjerim më të madh se sa të qëndrosh konform i asaj që thuhet në publik, duke menduar se zgjidhja më e mirë është ajo që ka bërë shumica. Kjo” do të thotë të jetosh jo me arësye por sipas frymës së imitimit. Dhe kështu njerëzit nxitojnë njëri pas tjetrit në rrëmujë. Dhe ndodh që me turmën e kapur në makth njerëzit të shtypen, pasi ai që bie tërheq me vete të tjerët.”

Këto dy traktate janë padyshim jo vetëm rezultat e përvojës njerëzore por dhe i kurajos për tu kërkuar njerëzve që të mos shkojnë qorrazi në jetën e tyre, duke ndjekur turmat. Dhe dihet, ka qenë gjithnjë turma e cila ka qënë jo rrallë shkatërruese. Dhe Seneka shkruan sërish: “Ne shërohemi (dhe shkojmë drejt lumturisë) veçse nëse dallohemi nga uniformiteti (“Sanabibur, si medo separerum a coetu”). Jeta është e shkurtër thotë Seneka, diçka që e dimë të gjithë por që shpesh e harrojmë duke patur ndjesinë e përjetësisë. Aq më shumë pushtetarët, të djeshëm e të sotëm. Edhe kur kthehemi nga varrezat dhe kthjellohemi për një çast lidhur me ekzistencën tonë, ne përsëri e harrojmë që jemi të vdekshëm dhe çdo çast që jetojmë ështê jo më e tashme, por e kaluar. Ne nxitojmë drejt kohës që mbaron për secilin nga ne. “Njeriu që rend drejt bollëkut dhe voluptetit apo lavdisë kujton që jeton në botën e virtutit, por kjo nuk ndodh kur je në moshë të thyer apo i sëmurë, kur e kupton që gjithë kjo rendje është diçka e kotë…” C’thonë vallë njerëzit e pangopur nga pasuria në fundin e jetës së tyre, atëherë kur drita po shuhet dhe mbi ta ?

Lexon Senekën dhe e kupton se ajo që e bën njeriun të lumtur nuk janë shkëlqimet, narcizmi, kamja, pasuria, pushteti që të nxit për më shumë pushtet por pasuria shpirtërore. “Kur natyra do ta shuajë frymën time, – shkruan Seneka, – unë do iki nga kjo botë me ndërgjegjen se kam dashur të kem një ndërgjegje të pastër, ajo e interesave të ndershme dhe se liria e të tjerëve nuk është cunguar aspak për fajin tim.” Dhe më tutje ai shton dhe mbi atë shtresë të caktuar të të diturve, elitës, letrarëve dhe shkencëtarëve, se “filozofi apo njeriu i ditur mund të kenë pasuri por kur kjo nuk i është marrë një tjetri dhe nuk është njollosur nga gjaku i tjetrit. Ajo mund të fitohet pa bërë padrejtësira ndaj dikujt dhe pa përfitime të mbrapshta…” Ai, filozofi, njeriu i ditur, mund tu japë njerëzve të tjerë nga ajo që ai ka, qê ata të bëhen dikush… tu japë njerëzve më të denjë, për motive të drejta dhe të kuptueshme. Natyra më urdhëron që të jem i nevojshëm për njerëzit e lirë apo skllevërit kudo qofshin ata. Kudo ku ka një njeri ka vend për të dhuruar dhe qenë solidar…”

Ja pse për Senekën që të jesh i lumtur do të thotë të jesh i drejtë dhe solidar e akoma më e rëndësishme për njerëzit që luftojnë për drejtësinë dhe kur vetë ata mund të cënohen, blasfemohen, të burgosen apo të vriten. Të jesh i lumtur për Senekën do të thotë të jesh bujar dhe akoma më e rëndësishme të jesh njeri me karakter: të mbrosh dinjitetin e vetvetes. Duke shkruar për njerëzit që mbrojnë drejtësinë, kur luftojnë për të dhe kur vetë ata mund të cënohen, të burgosen apo të vriten Seneka nuk mungon të sjellë dhe shëmbullin e Sokratit grek për të mbështetur kurajon që duhet të ketë njeriu për të mbrojtur dinjitetin e tij. “Nga ai burg që e kishte shenjtêruar atë dhe e kishte bërë akoma më të nderuar se gjithë paria e qytetit, Sokrati proklamonte: “Cila është ajo çmenduri, cili është ai instinkt armiqësor i hyjnive dhe i njerëzve që të shpifë kundër virtutit dhe gjërave të shenjta përmes fjalimeve të poshtra. Nëse doni, ju njerëz mund ti lëvdoni ata, në mos, o njerëz të mirë hidhuni njëri kundër tjetrit, pasi nëse prrallisni dhe ju kundër qiellit unë nuk them se po bëni një sakrilegj por thjesht po humbni kohën tuaj. Edhe unë dikur i dhashë shkas Aristofanit për të bërë shakara. Gjithë klika e poetëve komikë prrallisën kundër meje duke thënê nga më tê këqiat… Por ishte e nevojshme që të më cytnin, harselonin, dhe këtê askush nuk mund ta kuptojë më mirë se ai që e provon këtë dhunë të turmës, pasi asnjë nuk e njeh forcën e sileksit veç atij që e punon atë. Ai tregohet njëlloj ndaj shkëmbenjve të thellësive të detit, ndaj dallgëve që shkojnë e vijnë dhe e godasin, por ato s’mund ta trondisin dhe shkatërrojnë atë. Sulmomëni, bëmëni keq! Unë do të fitoj mbi ju duke ju përballuar. Gjithçka që sulmon mbi një pengesë solide dhe të patundur, forcën e saj e përdor veç për të shkatërruar vetveten…”

Lexon Senekën sot pas dymijëvjetësh dhe kur ai flet për mbrojtjen e dinjitetit të kujtohen gjithë ata që kanë vdekur për dinjitetin e tyre dhe në kohën totalitare. I imagjinoj ata gjithnjë në “undergrand”-in e tyre të zymtê të qelive dhe burgjeve ku të dënuar për fjalën e lirë, e vetmja gjë që i bënte të lumtur ishte ndërgjegja e tyre, ishte ajo që ata nuk e ndoqën turmën por propozuan ide e projekte të reja, të tjera nga ato të liderëve. Ishte ky princip që ata nuk e shkelën dhe që ata e mbrojtën deri në fund. Një princip i lumturisë. Në dukje, gjatë gjithë historisë, shpesh princat shfaqeshin të lumtur, por në thellësi të tyre, etja për pushtet e territore te tjera apo pasuri, i bënte ata mjeranët më të mëdhenj dhe më tragjikët e të gjithë kohrave, njerëz që nuk e gêzuan jetën tokësore. Ishin makthet që nuk i lanë të shijojnë jetën e lumtur për të cilën na flet Seneka i madh.

Filed Under: Interviste

Z. Nikollë Camaj u zgjodh nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi

August 1, 2024 by s p

Nik Gjeloshaj/

Një tjetër fitore për Forumin Shqiptar, një tjetër fitore për shqiptarët. Z. Nikollë Camaj sot u zgjodh nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi, ku kjo zgjedhje përfaqëson vazhdimësinë e promovimit, faktorizimit dhe integrimit të shqiptarëve në funksionet më të larta shtetërore. E gjithë kjo është rezultat i politikës së urtë, kombëtare dhe largpamëse të Forumit Shqiptar, i cili gjithë platformën e vetë politike e fokusoi në përparimin dhe zhvillimin ekonomik të popullit shqiptar.

Me sy të lirë mund ta vëreni të gjithë ju se politika e Forumit Shqiptar ka realizuar avancimin më të madh të shqiptarëve në këto 50 vitet e fundit, dhe ky është vetëm fillimi, më e mira nuk ka ardhur ende!

Urime Nikollë, t’u priftë e mbara!

Filed Under: Rajon

“Edukim sentimental”

August 1, 2024 by s p

Portrait de l’?crivain fran?ais Gustave Flaubert. (Photo by API/Gamma-Rapho via Getty Images)

Saimir Kadiu/

“Edukimi sentimental” i Gustave Floberit është një vepër që shquhet për vëzhgimin e mprehtë të shoqërisë dhe thellësinë psikologjike me të cilën portretizohen personazhet. I botuar në 1869, romani ndjek ngjarjet e Frédéric Moreau, një të riu, i cili, përmes dashurisë dhe përvojave të tij sociale, përballet me zhgënjimet dhe kompleksitetin e jetës së të rriturve. Romani hapet me Fréderic, i cili, ende i ri dhe plot ideale, niset për në Paris me synimin për të studiuar drejtësi. Megjithatë, jeta e tij merr një drejtim të papritur kur takon Madame Arnoux, një grua e martuar me të cilën ai bie në dashuri marrëzisht. Ky takim shënon fillimin e një rrugëtimi të gjatë të rritjes emocionale dhe intelektuale për Frédéric, i cili e gjen veten duke lundruar midis pritshmërive të shoqërisë borgjeze dhe dëshirave të tij më intime.

Floberi pikturon me mjeshtëri portretin e një epoke në të cilën borgjezia është në ngritje, por edhe në të cilën individualizmi dhe materializmi fillojnë të pushtojnë. Parisi i shekullit të 19-të përshkruhet si një vend i mundësive, por edhe i korrupsionit dhe dekadencës, ku vlerat tradicionale vihen në dyshim dhe shpesh hidhen poshtë në favor të cinizmit të shfrenuar.

Rrëfimi i Floberit karakterizohet nga një stil realist dhe i detajuar, i cili nuk i kursen kritikat ndaj shoqërisë së kohës. Nëpërmjet tregimit të Frédéric, autori eksploron tema të tilla si pakenaqesite e dashurise, ambicia, besnikëria dhe tradhtia, duke i ofruar lexuesit një reflektim mbi kuptimin e edukimit sentimental dhe vështirësitë për të gjetur një ekuilibër midis idealeve dhe realitetit.

Vetë titulli i romanit është emblematik: edukimi sentimental i Frédéric nuk është vetëm një rrugë e të mësuarit emocional, por edhe një keq-edukim që e çon atë të rishqyrtojë bindjet dhe vlerat e tij.

Eshtë një histori edukimi në të kundërt, në të cilën çdo hap përpara duket i shoqëruar me një humbje, me një shkëputje nga ëndrrat rinore drejt një vetëdijeje më të pjekur dhe më të zhgënjyer.

“Edukimi sentimental” është një vepër që vazhdon t’i flasë lexuesit modern për aftësinë e tij për të kapur thelbin e gjendjes njerëzore.

Floberi, me prozën e tij elegante dhe intuitën e tij psikologjike, ofron një rrëfim që është në të njëjtën kohë një afresk historik dhe një eksplorim intim i shpirtit njerëzor.

Është një roman që meriton të lexohet dhe të rilexohet, të kapet çdo nuancë dhe të reflektohet mbi fytyrat e shumta të edukimit sentimental.

Gustave Flaubert, i lindur më 12 dhjetor 1821 në Rouen, Francë, ishte një shkrimtar francez i njohur si një nga baballarët e realizmit letrar.

I biri i një kirurgu dhe i një trashëgimtareje te pasur, Floberi filloi të shkruante në moshë të re. Pasioni për letërsinë e çoi në Paris, ku frekuentonte rrethet letrare dhe artistike, pavarësisht se ishte regjistruar në Fakultetin e Drejtësisë.

I goditur nga epilepsia në 1844, ai braktisi studimet e tij juridike për t’iu përkushtuar plotësisht shkrimit në rezidencën e tij në Croisset. Këtu ai shkroi disa nga kryeveprat e tij, duke përfshirë “Madame Bovary” (1857), e cila shkaktoi skandal për përmbajtjen e saj dhe e bëri atë të gjykohej për përbuzje të moralit dhe fesë, megjithëse më vonë u shpall i pafajshëm.

Floberi udhëtoi në Lindjen e Mesme, Greqi dhe Itali, përvoja që ndikuan në vepra si “Salammbo” (1862).

Vepra e tij “Edukimi sentimental” (1869) konsiderohet si një nga romanet më të rëndësishëm në letërsinë franceze.

Floberi vdiq nga një hemorragji cerebrale më 8 maj 1880 në Croisset.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT